• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2021

Memoriali i Munguar në Prishtinë për të gjithë Jasharajt e flijuar me 5, 6 dhe 7 mars ‘98…

July 10, 2021 by dgreca

Kosova dhe Prishtina si kryeqytet i saj duhet ta ketë monumentin e familjes heroike Jashari të Prekazit…./

Shkruan: Arianit Bytyçi, arkitekt/*

Kosova dhe Prishtina si kryeqytet i saj duhet ta ketë monumentin e familjes heroike Jashari të Prekazit. Pra, monumenti që do të përfshinte mes tjerash edhe shtatoret, përveç që do të prezentonte figurën e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, duhet të jetë një monument gjithpërfshirës, ku duhet të prezentohet flijimi i të gjithë familjarëve të komandantit legjendar, anetarë tjërë të familjes Jashari dhe bashkeluftetarëve tjerë të rënë në Epopenë e UÇK-së më 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekaz.

Madhështia e Epopesë së Jasharajve qëndron pikërisht në faktin se në këtë epope kane rënë heroikisht 3 gjenerata të familjes së komandantit Adem Jashari: ka rënë heroikisht komandanti, vëllau i tij, babai e nëna, fëmijët e tij e të vëllezërve te tij, daja, kanë rënë prindërt e luftëtarëve të orëve të para të UÇK-së, Musa e Sahit Jashari, dhe bashkeluftetaret tjere te Prekazit e te Drenices. Prandaj, duhet te kete monument të të gjithe Jasharajve të flijuar për lirinë e Kosovës. Ky monumet gjithpërfshirës që prezenton sakrificën dhe flijimin e të gjithë Jasharajve të rënë në Epopenë e UÇK-së, e madhështon lavdinë e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.

Për të realizuar këtë monument të Epopesë së UÇK-së, të Epopesë së Jasharajve, duhet të ketë qasje të integruar ndërinstitucionale, ku duhet të përfshihen përmes një komision ndërinstitucional këto institucione:
– Qeveria e Kosovës (përmes Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor e Infrastrukturës)
– Kuvendi i Kosovës (përmes Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale)
– Komuna e Prishtinës (përmes Drejtorisë së Kulturës, Drejtorisë së Planifikimit dhe asaj të Urbanizmit)
– Familja Jasharaj nga Prekazi
– Shoqatat e dala nga lufta;

Ky grup ndërinstitucional pas analizave dhe diskutimeve edhe me publikun, do të duhej të përzgjidhte një lokacion adekuat reprezentativ për projektimin dhe ndërtimin e Monumentit të Epopesë së UCĶ-se, pra Epopesë së Jasharajve të Prekazit, ku do të mund të prezentohej në mënyrë të dinjitetshme flijimi heroik i gjithë familjes Jashari.
Në këtë kuadër, grupi teknik profesional që do të duhej të rridhte nga komisioni ndërinstitucional do të angazhohej për përgatitjen e një detyre projektuese të mirëfilltë, që do t’i paraprinte shpalljes së një konkursi ndërkombëtar të arkitekturës.

Detyra projektuese do të duhej të paraqiste objektiva dhe parime bashkëkohore të arkitekturës, skulpturës, të artit e të arkitekturës së peisazhit, në mënyrë që monumenti i Jasharajve, i komandantit Adem Jashari, familjes dhe bashkëluftëtarëve të tij të rënë në mars të vitit 1998, të ketë identitet origjinal, të ketë përmbajtje, të ketë mesazh dhe të jetë ikonë – “landmark” arkitektonik i Prishtinës e i Kosovës.

Vetëm me këtë qasje serioze institucionale do të mund të inkurajonim pjesëmarrjen e mendjeve më të ndritura të arkitekturës dhe skulpturës botërore dhe vendore dhe në këtë mënyrë do të arrinim të realizonim një monument të denjë të lirisë së Kosovës, që do të prezentonte në mënyrën më të mirë sakrificën dhe flijimin unik të familjes Jashari të Prekazit për lirinë e Kosovës.

  • E dergoi per Diellin-Korrespoindenti ne Prishtine , Gazetari Behlul Jashari

Filed Under: Featured Tagged With: Aranit Bytyci, Jasharajt, Memoriali i munguar

VATRA – “Qeveria shqiptare” në mërgim

July 10, 2021 by dgreca

NGA MAL BERISHA*/

Federata Pan – Shqiptare VATRA e Amerikës dhe organi i saj botues “DIELLI” kanë luajtur një rol të tillë në historinë e Shqipërisë sa është e vështirë të krahasohen me ndonjë tjetër. Të dyja përbëjnë atë pjesë të shpirtit dhe mëndjes shqiptare e cila u largua nga atdheu duke e lënë atë në kushte e rrethana që dihen, por pa e harruar kurrë. Në fakt kjo ndarje e dhimbshme e atyre që e frymëzuan dhe e ndërtuan “Vatrën” dhe “Diellin” vazhdon të coptojë zemrën e shumë e shumë të tjerëve, të cilët edhe sot po largohen nga atdheu, jo ngaqë nuk e duan atë, por sepse kushtet dhe rrethanat ua diktojnë diçka të tillë. Roli që ka luajtur “Vatra” jonë dhe organi i saj “Dielli” në ruajtjen e territoreve etnike shqiptare dhe në formimin e shtetit shqiptar gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore dhe sidomos në Konferencën e Paqes në Paris është i pashembullt.

ROLI I VATRËS NË MBROJTJEN E KUFIJVE DHE PAVARESISË SË SHQIPËRISË

Siç dihet, pas shpalljes së pavarësise më 1912, fuqitë e mëdha e trajtuan çështjen shqiptare si një mjet për të plotësuar egot e veta, por edhe për të ruajtur paqen midis tyre, gjë që e bënë duke iu falur territore shqiptare fqinjëve. Por, në thelb, këto nuk qenë veçse lëshime që ata bënë, qoftë për armiqtë e Shqipërisë qoftë për interesat e tyre.

Në vitin 1913 u mbajt Konferenca e Ambasadorëve në Londër e cila la jashtë territorit të shtetit shqiptar gjysmën e vendit, madje mund të thuhet se nuk përfshiu pikërisht  ato pjesë të cilat kishin luajtur një rol përcaktues për heqjen e zgjedhës otomane. Kjo padrejtësi historike nuk mjaftoi ose nuk i kënaqi qarqet anti-shqiptare dhe kështu më 1915 u mbajt Traktati i Fshehtë i Londrës i cili synoi t’u shpërndante fqinjëve edhe atë pak territor që i mbeti Shqipërisë në një kohë që po ashtu edhe Italia pretendonte të merrte Vlorën me rrethinat që të plotësonte ëndrren e saj të vjetër për ta kthyer Detin Adriatik në një “Liqen Italian ” nëpërmjet  Otrantos. Pikërisht në një situatë të tillë, pra në vigjilje të coptimit të plotë të territoreve shqiptare, “Vatra” me gazetën e saj “Dielli” treguan pjekurinë dhe përgjegjësinë më të madhe për kombin e tyre dhe u hodhën në një betejë të pashembullt në mbrojtje të  atdheut.

Është folur dhe shkruar shumë lidhur me qëndrimin e “Vatrës” dhe gazetës së saj “Dielli”. Por unë do të ndalem shkurt në trajtimin që i kanë bërë kësaj çështjeje tre autorë të huaj, të cilët kanë botuar tre libra shembullorë për Historinë e Shqipërisë. Në të tre është trajtuar roli i “Vatrës” dhe i “Diellit” duke iu referuar shtypit të kohës dhe dokumentave historike.

1.- Edwin E. Jacques, autor amerikan, me librin e tij “Shqiptarët, një histori etnike prej kohëve Para-Historike deri në Kohët Moderne”, botuar në ShBA – Tetor 1995.

Ky autor, i cili jep një përshkrim historik të gjenezës shqiptare dhe zhvillimin e këtij kombi deri në ditët e sotshme është ndalur edhe tek roli që luajtën shqiptarët e Amerikës në demaskimin e intrigave të fuqive europiane dhe në formimin e shtetit të tyre shqiptar e veçanërisht në rolin që luajtën ata në Konferencen e Paqes në Paris. Libri i Edwin Jacques ka sjellë citime të shumta nga arshivat në Washington por unë do të ndalem tek disa prej tyre:

“Shqiptaro – amerikanët e Bostonit u mblodhën në një tubim historik më 4 Nëntor 1915 per t’i dërguar një peticion Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të formuar një fond ndihmash ushqimore në ndihmë të popullatës shqiptare e cila po vdiste nga uria si rezultat i bllokadës italiane në bregun e detit shqiptar pas Traktatit të Fshehtë të Londrës i cili i jepte Italisë Vlorën. Në ato ditë të vështira të mbijetesës së popullit shqiptar, ishte Peshkopi Fan Noli i cili lëshoi apelin poetik, “Jepni për Nënën” duke nxitur djemtë besnikë të shqipes që të kontribuonin me 150.000 dollarë në ndihmë të Shqipërisë, çka ishte një shumë kuptimplotë po të kihet parasysh situata e atëherëshme dhe vlera e monedhës.”

Ndër kontributet më të mëdha historike të “Vatrës” sigurisht mbeten mardhëniet e krerëve të saj me Presidentin Willson. Më 4 Korrik 1918 Peshkopi Noli, i cili përfaqësonte Federatën Pan – Shqiptare “Vatra”, si dhe përfaqësues të tjerë kombesh të vogla, e shoqëruan Presidentin Willson në jahtin presidencial “Mayflower” për tek varreza e George Washingtonit në malin Vermont. Në këtë datë të shënuar, presidenti Willson deklaroi katërmbëdhjetë pikat e vetëqeverisjes së kombeve të vogla. Më pas Fan Noli u takua me presidentin në “Mayflower” për të folur në emër të pavarësisë së Shqipërisë. Në atë takim presidenti Willson i tha Fan Nolit:

“Unë do të kem vetëm një zë në Konferencën e Paqes dhe atë zë do ta përdor në emër të Shqipërisë.”

Presidenti ishte prekur thellë nga telegramet dhe letrat që kishte marrë nga shqiptarët e Amerikës për pavarësinë dhe ruajtjen e territorit të Shqipërisë.

Konferenca e Paqes e njohu Shqipërinë si një komb me vetëqeverisje të ligjshme brenda kufijve të vendosur më 1913 dhe i urdhëroi ushtritë e vendeve fqinjë që të largoheshin menjëherë prej territorit të saj. Fan Noli, si perfaqësuesi i “Vatrës” deklaroi:

“Presidenti Willson bëri më shumë se askush tjetër për pavarësinë e Shqipërisë; Willsoni refuzoi kategorikisht të nënshkruante marrëveshjen deri në momentin kur u sigurua për të drejtën vetëqeverisëse të shqiptarëve“.

 Është e lehtë të kuptohet se sa cinik ka qënë sistemi komunist në Shqipëri kur deklaronte se i vetmi regjim që i mbrojti të drejtat e kombeve të vegjël ishte ai sovjetik i udhëhequr nga Lenini. Nuk ka asnjë dyshim se roli i “Vatrës” dhe organit të saj “Dielli” ka qënë përcaktues në qëndrimin e ShBA-s në atë kohë dhe sidomos në atë të  Presidentit Willson lidhur me të ardhmen e Shqipërisë ose më mirë të themi, lidhur me vetë ekzistencën e shtetit shqiptar.

 2.- Harris Silajxhiç në librin i cili e ka bërë Doktor të Shkencave Historike: “Shqipëria dhe shqiptarët ne Arkivat e Washingtonit” ka dhënë një pasqyrë të shkëlqyer të luftës dhe përpjekjeve që intelektualët shqipëtarë dhe vatranët në SHBA kanë bërë për mbrojtjen e pavarësisë së Shqiperisë dhe në  formimin e shtetit shqiptar. Zoti Silajxhiç mund të themi se ka arritur të na japë me dashamirësi orientimin perëndimor e veçanërisht orientimin pro-amerikan të shqiptarëve çka është një nder për ne dhe një goditje për pseudohistorianët, të cilët kërkojnë ta identifikojnë kombin shqiptar me një komb të prapambetur e të paorientuar.

Në këtë libër autori ka arritur të nënvizojë aftesinë e vatranëve për ta rreshtuar vendin e tyre në krah të palës së fituar si dhe krijimin e miqve të cilët e duan Shqipërinë. Dhe këta miq janë gjetur e gjënden gjithnjë në ShBA.

Në librin e tij, Zoti Silajxhiç i ka kushtuar një vëmendje shumë të madhe ndikimit të “Vatrës” mbi delegacionin amerikan në Konferencën e Paqes dhe rrjedhimisht qëndrimit amerikan mbi këtë çështje. Për këtë ai i është referuar gazetës “Dielli” dhe shumë burimeve të tjera të botuara. Megjithëse vatranët nuk arritën t’ia mbushnin mendjen presidentit amerikan që ta merrte Shqipërinë nën një protektorat amerikan, prapëseprapë roli i “Vatrës” në mbrojtjen e kufijve të përcaktuar më 1913 nga një coptim i mëtejshëm mbetet historik.

Vatranët e drejtuan luftën e tyre në këto drejtime kryesore:

1- Në bindjen e delegacionit amerikan mbi drejtësinë e kërkesave shqiptare.

2- Në diskretitimin e propogandës armiqësore anti-shqiptare e sidomos asaj greke sipas së cilës të tërë ortodoksët e Jugut të Shqipërisë janë grekë.

3- Gjallërimin e jetës politike në atdhe.

Detyra bazë e emigrantëve shqiptarë në Amerikë të grumbulluar rreth “Vatrës“ ishte që të demonstronin se shqiptarët e besimit ortodoks që jetonin në Shqipërinë e Jugut ose ata që kishin ardhur në Amerikë nga ajo zonë nuk janë grekë. Shqiptarët e Amerikës të shqetësuar nga deklaratat e Venizellosit dhe Politisit u dërgojnë nëpërmjet të Mehmet Konicës një telegram udhëheqësve të katër fuqive të mëdha, në të cilën tregojnë vendosmërinë e tyre në favor të çështjes shqiptare. Në atë mbledhje morën pjesë 124 priftërinj ndër ta edhe rumunë me origjinë nga Korça, çka ishte një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj presionit të Patriarkanës Greke ndaj popullsisë ortodokse shqiptare në Shqipërinë e Jugut.

Këtu vlen të përmendet edhe një telegram i Dr. Mihal Turtullit, Dr Charles Telford Erciskon dhe Imzot Bumçit  në emër të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, dërguar presidentit Willson, ku i jep fakte rreth fallsitetit të thënieve greke rreth numrit të grekëve në Jug të Shqipërisë. Në vorbullën e intrigave anti-shqiptare të grekëve dhe qarqeve tjera, Federata Pan-Shqiptare “Vatra” luajti një rol të pazëvendësueshëm në sqarimin e identitetit të kombit shqiptar, përkatësisht të banorëve shqiptarë të zonave që synohej të coptoheshin.

Në një letër drejtuar presidentit Willson, vatranët e krishterë shkruanin:

“Ne të poshtëshënuarit, të krishterë ortodoksë, të lindur në këtë pjesë të Shqipërisë të cilin disa e quajnë Epir të Veriut, protestojmë energjikisht kundër deklarateve të Z.Karapanos. Situata në të cilën gjënden banorët e besimit kristian nuk dallon aspak nga situata në të cilën gjëndet pjesa tjetër e bashkatdhetarëve tanë. Të krishterë dhe muslimanë, bij të të njëjtit atdhe, që flasin të njëjtën gjuhë, që kanë të njëjtat ndjenja dhe interesa dhe që gjithmonë kanë punuar së bashku për të njëjtën çështje: Tërësinë tokësore dhe pavarësinë e Shqipërisë, jo vetëm që nuk kanë pranuar pushtimin e Shqipërisë nga trupat greke, por sapo kujtojnë genocidin e tyre të pashembullt mbi shqiptarët, kryer gjatë vitit 1914, u dridhet zemra nga tmerri.”

Vatranët kanë meritë të madhe sepse i ofruan për herë të parë delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris të drejtën për të dëshmuar në Komitetin e Mardhënieve me Jashtë në Senatin Amerikan. Prezantimin para Senatit e ka bërë njëri ndër antarët aktivë të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, Konstandin Çekrezi (antar i Kolegjiumit të Universitetit Kolumbia) i cili pasi paraqiti shkurtimisht Historinë e Shqipërise iu kërkoi senatorëve që të përqëndroheshin veçanërisht në Shqipërinë e Jugut. Ai e akuzoi Unionin Pan-Epirot për fallsifikim të nënshkrimeve në memorandumin që kjo organizatë i kishte dërguar Konferencës. Ai akuzoi pjesëmarrësit në Konferencë se çështjen e Shqipërisë po e përdornin si një objekt kompensimi për çështjet e tyre.

Kristo Dako po ashtu akuzoi Greqinë për gjithçka që kishte bërë duke dëshmuar për masakrat e kryera ndaj shqiptarëve dhe kërkoi komision hetimi në vend, i cili të vendoste për fatin e Shqipërisë. Merita e “Vatrës” qëndron tek fakti se ajo arriti të bënte që ShBA të bllokonte vënien në jetë të Traktatit të Fshehtë të Londrës. Pra vatranët arritën ta bindin presidentin Willson për drejtësinë e kauzës së tyre.

Idetë e “Vatrës” për orientimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve janë shprehur më së miri nëpërmjet të kryetarit të atëhershëm të Vatrës, Fan Noli, i cili kërkonte një komision amerikan si i vetmi i paanshëm për të ndihmuar shqiptarët për krijimin dhe vënien në efiçiencë të një shteti ku çdo shqiptar besnik të ndjehej i kënaqur. Noli ishte i sigurtë se shumë shqiptarë që ishin detyruar të emigronin në Amerikë kishin dëshirë të ktheheshin në atdhe dhe të jepnin ndihmesën në zhvillimin e tij dhe “me futjen e koncepteve amerikane të lirisë, ekonomisë dhe zhvillimit politik” ta fusnin Shqipërinë në rrugën e rilindjes ekonomike dhe kulturore. Institucionet arsimore amerikane, sipas mendimit të Nolit, do të ishin: “shpëtim për Shqipërinë, duke patur parasysh se kultura anglosaksone i përshtatet më mirë shpirtit puritan të racës shqiptare“.

Bie pra në sy se çfarë orientimi donte që t’i jepte “Vatra” zhvillimit të ardhshëm politik e ekonomik. Shqiptarët e Amerikës nën drejtimin e saj arritën që të kenë një influencë të jashtëzakonshme tek përfaqësuesit amerikanë në Konferencë. Ata luftuan për ta patur Amerikën një mandatore. Në mënyre të veçante ra në sy roli i amerikanit Çarls Telford Erikson i cili insistoi shumë për një mandat të tillë amerikan.

Vatra dhe Dielli kanë qënë të pamëshirshëm ndaj çdo tradhëtie. Në mënyre të veçante spikat qëndrimi i përfaqësuesve shqiptarë të Amerikës ndaj Esat Pashës dhe lojërave të tij ndaj çështjes shqiptare. Kështu, në një memorandum për presidentin Willson, vatranët e kundërshtojnë takimin e tij me Esat Pashën duke e konsideruar këtë të fundit një njeri që “nuk përfaqëson askënd tjetër përveçse veten e tij”.

3.- Edith Pierpont Stickney, edhe kjo një autore amerikane, e cila ka doktoruar në shkencat historike me librin: “Shqipëria e Jugut ose Epiri i Veriut në çështjet Europiane Ndërkombëtare nga viti 1912 deri me 1923”, botuar më 1925 nga Standford University Press. Autorja e ka eksploruar materialin e jashtëzakonshëm të Bibliotekës së Hooverit në ShBA (Koleksioni më i madh në botë rreth Shqipërisë për periudhën në fjalë) dhe ka sjellë tek ne një studim i cili ndonëse nuk mund të thuhet me entuziazëm se është pro-shqiptar për shkak të ftohtësisë së trajtimit të fakteve, prapëseprapë duhet çmuar për shumë të vërteta që janë thënë aty.

Në morinë e fakteve të trajtuara nga Stikney do të desha të ndalem tek përshkrimi që ajo i ka bërë rolit që luajti “Vatra” jonë si kundërshtare e denjë dhe bindëse ndaj propogandës greke ne Konferencën e Paqes. Ajo çfarë duhet nënvizuar është fakti që rreth 31 organizata Pan-epirote nga ShBA-ja, Anglia, Australia e gjetkë, kishin ndërmarrë një fushatë të ethshme shpifjesh e mashtrimesh mbi të drejtën historike dhe legjitime, që sipas tyre, gëzonin grekët mbi Epirin e Veriut ose mbi Shqipërinë e Jugut.  Autoria thotë se në përbërje të këtyre organizatave bënin pjesë gjithfarë pseudohistorianësh, pseudogazetarësh, fallsifikatorësh, pamfletistësh, karikaturistësh, fotografësh, të cilët mbushnin çdo rrugë kryesore të Parisit me fletushka të cilat shprehnin gjoja padrejtësinë e madhe që u ishte bërë grekëve të Epirit të Veriut. Kësaj lukunie greke i bënte ballë me dinjitet Federata – Pan Shqiptare “Vatra” si dhe organi i saj “Dielli”. Ndërsa nga Anglia një grup intelektualësh të shquar anglezë të drejtuar nga e njohura Edith Durham punonte pareshtur sa me Foreign Officin anglez aq edhe me mjetet e atëherëshme propagandistike për të bindur opinionin publik mbi drejtësinë e kërkesave të shqiptarëve.

Stikney nënvizon faktin se Federata Panshqiptare “Vatra” e Amerikës që nga formimi i saj më 1912 e deri më 1919 kishte arritur të ndërtonte 72 degë anë e mbanë ShBA – s dhe Kanadasë si dhe të botonte gazetën e saj “Dielli” dhe një revistë mujore të quajtur “Adriatic Revieë.”

Federata Panshqiptare “Vatra” e Amerikës pati një delegat në Paris më 1919, Rev. C.Telford Erikson, misionar amerikan në Shqipëri. E dyta për nga rëndësia thotë Stikney, ishte Shoqeria Anglo – Amerikane e themeluar pak para sesa të përfundonte lufta e që kishte si qëllim njohjen e pavarësisë së Shqipërisë. Kjo shoqëri luftonte në dy fronte: atë të botimeve dhe të komunikimit me shtypin dhe Dhomën e Komunave. Nga më të shquarit prej tyre ishte i nderuari Aubrey Herbert, si president dhe Edith Durham, të dy miq të flaktë të Shqipërisë. Përkrah përfaqësuesit të Federates Pan – Shqiptare “Vatra”, ishin edhe delegacione të tjera të përbëra prej delegatësh nga kolonitë në Stamboll, Rumani dhe nga territoret e Korçës.

Rëndësinë e veprimtarisë së Vatrës në dobi të çështjes shqiptare e ka shprehur më mirë se kushdo një ndër armiqtë më të mëdhenj të Shqipërisë, Kryeministri i atëhershëm grek Venizellos kur deklaronte:

 “Ishte Vatra ajo që ma hoqi nga dora Vorio Epirin.”

“Vatra” është nga ato organizata shqiptare që ka vulosur në historinë e Shqipërisë një emër të artë dhe kjo pikërisht sepse korifejtë e kulturës tonë kombëtare, Noli e Konica, e sa e sa bij të tjerë të Vatrës kanë vënë çdogjë në shërbim të atdheut. Në këtë pamje, le ta kujtojmë historinë e Vatrës që ajo të përsëritet tek brezat e rinj qofshin të lindur, qofshin të ardhur së voni në Amerikë.

Delegati i Vatrës, Ch.T. Erikson deklaronte në Kongresin Amerikan në vitin 1919 si më poshtë:

“Tek shqiptarët gjen virtyte të cilat do të ishin të dëshirueshme për shumë popuj të përparuar. Propaganda sistematike i ka paraqitur si armiq të qytetërimit dhe plaçkitës por kjo është vetëm një gënjeshtër. Une kam jetuar disa vite në mes të shqiptarëve dhe për këtë ndjehem i detyruar të them të vërtetën. Ata janë intelegjentë, fisnikë, punëtorë, e duan jetën familjare, seriozë, mikpritës, besnikë deri në vdekje. Për të tillë popull e kam njohur popullin shqiptar dhe jam krenar që po e përfaqësoj sot këtu”.

Pikërisht në këtë traditë të “Vatrës” u zhvillua lufta për Kosovën nëpërmjet përfaqësuesve të popullit amerikan në Kongres, Senat e administratë. E nëse i nderuari Bob Doll u angazhua kaq shumë në çështjen tonë për Kosovën të mos harrojmë se ishin shqiptarët e Amerikës ata që e njohën, bindën dhe vunë në veprim një figurë kaq të nderuar. Kjo është beteja për kauzën tonë kombëtare. Henry Kisinger, vetëm disa ditë përpara fillimit të bombardimit në Jugosllavi deklaronte hapur se ishte kundër një ndërmarrje të tillë. Por kur Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane, në sallën e Kongresit Amerikan i dorëzoi atij librin “Shpëtimi në Shqipëri” botuar nga kjo Ligë dhe kur i thanë se tek ky libër do të gjente një histori të madhe të nje kombi që sot rrezikohet si hebrejtë dikur, nuk vonoi dhe doli mbrojtësi më i flaktë i bombardimeve dhe përpjekjeve amerikane për çlirimin e Kosovës.

Në një cikël emisionesh të drejtëperdrejta televizive të Kanalit CN8 Nju Xhersi kam patur rastin të debatoj me shumë shikues. Një prej tyre më tha:

“Ju shqiptarët po na goditni ne serbëve me dorën e Bob Dollit i cili është shqiptar nga origjina.”

Edhe pse kjo nuk ishte e vërtetë, prapëseprapë tregon sesa afër janë ndjerë shqiptaro – amerikanët me heroin American, të nderuarin Senatorin, Robert Doll.

Por përkrah tij kanë qenë miq të tjerë të shqiptarëve, miqtë e “Vatrës” dhe të organizatave te tjera shqiptare siç jane Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane e drejtuat nga ish – Kongresmeni me origjinë arbëreshe, i nderuari Joseph DioGuardi dhe kongresmenët Benjamin Gilman, Eliot Engell, Sue Weisenbarger Kelly, të gjithë si dhe shumë të tjerë në administratë të cilët janë angazhuar në çështjen shqiptare falë përpjekjeve të shqiptaro – amerikanëve. Kjo përbën pjesën më të shkëlqyer të asaj që “Vatra” dhe vatranët si dhe shqiptaro – amerikanët në përgjithësi kanë bërë për Kosovën deri tek presidenti amerikan.

*Studjues dhe diplomat-Kumtese ne 110 Vjetorin e Gazetes Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: Mal Berisha, Qeveria ne Mergim, Vatra

“Vatra” dhe “Dielli” në vitet ‘30

July 10, 2021 by dgreca

Nga Idriz Lamaj/ Në këtë kumtesë do të sjellim në mënyrë kronologjike zhvillimin historik të Fedetarës Vatra gjatë viteve ‘30. Burimet e kësaj kumtese kryesisht mbështetën në gazetën “Dielli”, organ i “Vatrës”. Gazeta “Dielli”  besoj se është burim i mirë dhe i saktë për pasqyrimin e historisë së “Vatrës” për arsye se aty është regjistruar e gjithë veprimtaria e saj. Natyrisht për këtë shkrim kam konsultuar edhe burime të tjera dhe kam kthye kujtesën time për shumë biseda me Refat Gurrazezin, Petro Kolonjën dhe Qerim Panaritin, të cilët i kam njohur nga afër dhe shpeshherë kam dëgjuar të flisnin për periudha të ndryshme të “Vatrës”. Këtu kam sjellur edhe një letër të Faik Konicës, të pabotuar më parë, drejtuar Abdurahman Matit. Konica gjatë përiudhës për të cilën do të flas  ishte ambasador i Shqipërisë në Washington dhe kryetar nderi i “Vatrës”. Letra ka të  bëjë me ftohjen e Konicës ndaj Mbretit Zog, në vitet e fundit të sherbimit të tij si ambasador. Në fund është dhe konkluzioni im lidhur me periudhën që bëhet fjalë.

            Viti 1930  shënon për Federatën Vatra suksesin më të madh në botimin e organit të vet. Gjatë atij viti dolën në qarkullim 82 numra të gazetës “Dielli”, dhe është vëllimi më i pasur i të gjithë dekadës. Në secilin numër ka të dhëna për zhvillimet e brendshme e të jashtme të Shqipërisë, Ballkanit, Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Në gazetën “Dielli” zhvillohen polemikat më të ashpra me Nolin, Çekrezin, Koço Kotën e Mihal Xoxën, i cili botonte një gazetë antizogiste në Konstancë të Rumanisë. Lavdërimet për mbretin Zog, monarkinë dhe Konicën janë kulmore.

Në fillim të vitit 1930, “Vatra” kishte një shtëpi që atëherë e quanin binaja e “Vatrës” dhe në katin e poshtëm të saj, në bodrum, kishte makinerinë e shtypshkronjës ku botohej “Dielli”, d.m.th. kishte dhe shtypshkrojën e vet. Mirëpo, me thellimin e krizës ekonomike në Shtetet e Bashkuara, në maj të vitit 1930 “Vatra” e humbi shtëpinë për arsye se kishte hyrë borxh dhe nuk arrinte të paguante morgiçin. Atë shtëpi vatranët e kishin blerë vite më parë për 22.500 dollarë. Kur “Vatrës” i konfiskoi banka shtëpinë, Vasil Pani, kryetar i “Vatrës” dhe George Prifti, konsull i Shqipërisë në Boston, e blenë nga banka shtëpinë për 15 mijë dollarë. Natyrisht ata e blenë për fitim personal, por u zotuan që bodrumin ku ndodhej shtypshkroja, do t’ia jepnin “Vatrës” pa qira.

Më vonë gjendja ndryshoi, Vasil Pani shiti pjesën e vet dhe George Priftit kërkoi qiranë mujore për zyrat, 40 dollarë për bodrumin, borxhet që i kishte “Vatra” plus fajden gjashtë përqind. Të dhënat mbi këtë çështje janë kontradiktore. Konica, në dy letra dërguar George Priftit, thotë se z. Prifti e kishte shpëtuar disa herë “Vatrën”.

“Vatra” gjatë atij viti nuk zhvilloi ndonjë veprimtari të dukshme. Herë pas here bëri përpjekje për të mbledhur anëtarësitë e papaguara. 25 degë nuk paguan anëtarësinë vjetore. “Vatra” i dërgon telegram urimi Musolinit për fejesën e vajzës së tij, Edda Musolinit me Kontin Çiano, (“Dielli”, 18 shkurt, 1930). Po atë vit, botohet në faqën e parë të “Diellit” një fotografi e madhe e Musolinit dhe shkrime lavdruese për të. (“Dielli”, 28 tetor, 1930). Thjesht, “Vatra” ndjek politikën zyrtare të Shqipërisë ndaj Italisë. 

            Në maj të vitit 1930 kthehet Noli nga Evropa. Pa humbur aspak kohë, “Vatra” fillon fushtën e ashpër kundër tij. Artikull pas artikulli, editorial pas editoriali botohen shkrime kundër Nolit. “Dielli” e cilëson Nolin si bolshevik të rrezikshëm dhe kërcënon mbështetësit e tij: “Fan Noli me arritjen e tij në Amerikë do të marrë në qafë shumë shqipëtarë që kanë familjet e tyre në Shqipëri dhe që duan të kthehen prapë në shtëpitë e tyre: se kemi frikë Guverna e Shqipërisë mund të marrë masa kundër gjithë atyre njerëzve që janë pasonjës të një njeriu i cili bënë propagandë bolshevike dhe do të derdhet prapë gjak”.(“Dielli” 16 maj, 1930). 

            Noli nuk rrin duarkqyq. Fillon vizitën nëpër kishat e tij dhe bën fushatë kundër bejlerëve, agallarëve, turkomanëve e të gjithë atyre, që sipas tij kishin shkatërruar Shqipërinë. Ai zotohet se do të vazhdonte luftën deri në fund.

            Në një fjalim, Noli thotë: “Një gjeneral freng i tha ushtrisë: Po të vete përpara, pasomëni, po të gjunjëzohem, ndihmomëni, po të kthehem prapa, vramëni.” (“Dielli”, 6                                                qershor, 1930). Kjo thënie e Nolit botuar në gazetën “Dielli” i jepte shkas “Vatrës” për ta akuzuar atë si luftënxitës.

Viti 1931. Gjatë vitit 1931 botohen 54 numra të gazetës “Dielli”. Organi i “Vatrës” merret me të gjitha zhvillimet e brëndshme dhe të jashtme të Monarkisë Shqiptare, ashtu si vitin e mëparshëm. Në shkurt 1931, bëhet atentat kundër mbretit Zog në Vjen, nga Aziz Çami dhe Ndokë Gjeloshi. “Dielli”  merret gjerësisht me këtë çështje. Dërgon telegrame urimi për shpëtimin e Mbretit. Denoncon atentatorët si kriminelë dhe spiunë të huaj. Përpiqet të ndërlikojë Fan Nolin drejtpërdrejt me këtë çështje, duke shkruar se disa ditë para atentatit Noli u largua fshehurazi nga Shetet e Bashkuara për në Evropë, etj. Ndërkaq, Fan Noli i quan atentatorët heronj që bënë atentatin thjejsht për pikëpamje patriotike dhe mbledh të holla për t’i nxjerrë ata nga burgu. “Dielli” shkruan se gjatë fushatës në New York, peshkop Noli mblodhi më shumë se 3000 dollarë për këtë çështje.

Më 29 deri 12 korrik, mbahet Kuvendi i XIX i “Vatrës”, pa shënuar ndonjë veprimtari konkrete me përjashtim të jehonës së “Diellit”. Noli e quan Vatrën kufomë mbi gropën e varrit dhe Kuvendin e saj të dështuar. Editori i “Diellit”, Refat Gurrazezi, i inatosur nga vlerësimet negative të Nolit, kalon çdo kufi intelektual me të shara kundër Peshkopit. Megjithatë detyrohet të pranojë se në Kuvend kishin  marrë pjesë vetëm pesë delegatë. Ai pohon se, nga papunësia dhe kriza e ekonomike, delegatët nuk mund të përballonin shpenzimet e udhëtimit për në Kuvend.

Dihet se Gurrazezi ishte një prej kundërshtarëve më të fortë të Nolit. Në “Dielli” shkruhet: “Kur e ndien  shumë thellë kamxhikun e Gurrazezit, Fan Noli do që ta nxjerë inatin gjetkë: sulet si qen i tërbuar dhe atakon pahësisht Faik Konicën.” (“Dielli”, 7 korrik, 1931).

Shkrimet e Nolit kundër “Vatrës” dhe Konicës, botuar në gazetën e tij “Republika”, e detyrojnë Faik Konicën t’i përgjitgjet personalisht atij. Në një intervistë me Gurrazezin, Konica thotë: “Fan Noli kur më mohon të drejtën e shvillimit dhe të ndryshimit të mendimeve politike të mia në dritë të shvillimeve dhe të ndryshimeve që u bënë në Shqipëri në shtatë vjetët e fundit, çfaqë sa poshtë është unjur fuqia e gjykimit tij. Të mohuarit e një të drejte të tillë çfaq një mendje fshataraku të pagdhendur, që ka vetëm një llustër të jashtme; nuk çfaq mendjen e një ‘intelektuali’ të vërtetë. Një intelektual nuk interesohet në ndryshime mendimesh së ndryshme; interesohet në arsyet për të cilat bënë ato ndryshime, do të dijë në ishin arsye të mira a të liga, të shëndosha a të dobëta, për dobin’ e Kombit a për dobin’ e armiqëve të huaj ”. (“Dielli”, 2 tetor, 1931).

Në fund të vitit, “Vatra” njofton degët me një shkresë se “Dielli” pushon botimin për disa kohë për arsye të gjendjes së rëndë ekonomike.

Viti 1932 është i njëjti avaz për “Vatrën”: polemika, fushatë mbas fushate për mbledhje të hollash, ndërrime telegramesh me Mbretin Zog dhe luftë kundër Çekrezit e Nolit, megjithëse këta dy të fundit, kishin pikëpamje të kundërta për çdo gjë. Atë vit numri i parë i “Diellit” del në qarkullim më 11 mars. Gurrazezi sulmon me helm e vrer Nolin e Çekrezin.  Sipas tij ata ishin gëzuar dhe kishin festuar mbylljen e “Diellit”.

Sekretari i “Vatrës” shkruan: “Me rastin e pushimit të Diellit, hapsaniku i falur, spiuni i denuar për tradhëti, Kost Çekrezi, së bashkut me revolucionarët e arratisur dhe bolshevikët pa fe dhe pa kombësi, u gëzuan për mbylljen e Diellit.” (Dielli 11 mars 1932).

Në prill, vdes patrioti i njohur Sotir Peci. “Vatra” e përkujton Pecin më një mbledhje zyrtare. Në gazetën “Dielli” botohen artikuj për veprimtarinë e tij kombëtare. Ndërkaq, Konica e vlerëson në këtë mënyrë mikun e tij të ngushtë Gurrazezin, për punën e shkelqyeshme që bënte në gazetën “Dielli”: “Gëzohem kur marr Diellin se në çdo numër shoh që ju i mbani kurdoherë përpara syve të mendjes fjaët që i çkembyem, dhe përdorni një shqipe e cila ka kthiellsinë, ngjyrën, tingëllimin e gjuhës së gjallë të gjyshërve t’anë. Lavde më të madhe se këte s’kam”. (Dielli, 9 shtator, 1932).

            Konica flet disa herë në radio stacionin WOL, i ftuar prej gazetës, The Washington Times. Bisedat e tij mbi gjendjen në Shqipëri, ribotohen në gazetën “Dielli”. (Dielli, 27 tetor, 1932).

Viti 1933. Atë vit botohen 38 numra të “Diellit”. Kryetari, Vasil Pani shkon për vizitë disamuajshe në Shqipëri. Në gazetë pasqyrohet në imtësi kriza ekonomike në Amerikë, siç ishte mbyllja e bankave dhe papunësia. Aty shkruhet edhe mbi shoqërinë “Miqtë Amerikanë të Shqipërisë”, (“Dielli”, mars 1933). Kjo organizatë meriton një studim të veçantë për arsye se ka zhvilluar një lloj lobizmi për mbrojtjen e të drejtave të Shqipërisë për një kohë të gjatë. Për herë të parë në “Dielli” botohen edhe shkrime në dialektin gegërisht, të marra nga botimet që dilnin në Shkodër. Gjatë atij viti botohen edhe përshtypjet e kryetarit të “Vatrës” mbi Shqipërinë. Kryetari, Vasil Pani, flet me nostalgji për katundin e tij, Dardhën, dhe takimet që kishte pasur në Tiranë me personalitete të larta shtetërore.

            Ngecja e aktivitetit të “Vatrës” përsëri i atribohet gjendjes ekonomike në Amerikë. “Dielli
 vënë në dukje: “Po bëhën katër vjet qëkur se nisi kriza ekonomike në Shtetet e bashkuara të Amerikës. Në këtë përiudhë të keqe me qindra shqiptarë humbën punët e tyre e qindra të tjerë humbën tregtitë e vogla që kishin, ose shtëpitë që kishin blerë. Një shumicë tjetër, me të paktat kursime ose me ndihmën e bashkë atdhetarëve u kthyen në Shqipëri. Pra nga moskamja, shumë vatranë të sinqertë u shtërnguen të hiqen nga shoqëria e tyre e famëshme”. (Editorial: “Vatra dhe kriza”, “Dielli”, 14 korrik, 1933).

Edhe Kuvendi  XX i “Vatrës”, që ishte planifikuar të mbahej në korrik, shtyhet për vitin tjetër, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike.

            Në gusht (1933), vritet në Selanik Hasan Prishtina. “Dielli” njofton mbi vrasjen dhe ndjek politikën e shtetit shqiptar, duke e cilësuar si vrasje pa rëndësi politike. “Dielli” shkruan se “Hasan Prishtina i kishte bërë Shiqpërisë shumë të liga”. (“Dielli”, 15 gusht,1933). Qëndrimi politik i “Vatrës”  për çështjen e Kosovës është i njejtë me qëndrimin e qeverisë së Tiranës. “Vatra” thotë se kosovarët nuk duhet të përzihen në problemet e Shqipërisë, ata duhet të çlirohen vetë nga pushtimi serb. Ndërsa, çështjen e Çamërisë, “Vatra” e trajtonte ndryshe. Për çështjen çame protestohej në formë të organizuar dhe shkruhej shpesh. Por, lë të mos të harrojmë, Kosovës i dilte zot Noli. Ai e kritikonte ashpër “Vatrën” për qëndrimin e saj negativ ndaj çështjes së Kosovës.

            Në dhejtor (1933), ndodh diçka e dhimbshme. Peshkop Noli sëmuret rëndë në Boston.  Ai i shkruan këtë letër Faik Konicës:“I dashur Usta – Munt të vini dorën në zjarrë që jam hequr nga politika me një mënyrë të përfuntme, – pneumonia i vuri kapakun tërë punës sime. Jam akoma në shtrat, dhe plaga e mëlçisë është akoma e hapur. Tani e dini tërë historinë dhe munt ta merrni me mënt që s’kam më as nge as qef as takat për politikën. U zgjata mjaft në këtë pikë, se dua që t’a dini mirë punën dhe kështu të muntni t’a shiguroni qeverinë tonë që këllëçi im politik është varur në muze, dhe nuk del s’andejmi kurrë më. I jap funt letrës, se u lodha. Bile kam frikë se ju kam lodhur ca më tepër. Shtoj vetëm këto fjalë: Përpiquni të më ndihni, se jam keq mga të gjitha pikëpamjet – Me të fala. Juaji me besë, F.S. Noli.” (Dielli, 28 shkurt, 1974).

Viti 1934 e karakterizon veprimtarinë e “Vatrës” me botimin e 40 numrave të gazetës “Dielli”. Të kthehemi përsëri te letra e Nolit dërguar Konicës dhe rezultatet e saj. Me 6 janar 1934, Noli i shkruan prapë Konicës dhe i thotë se mori përgjegje nga mbreti Zog dhe Mbreti i dërgoi një ndihmë prej 3000 frangash ari. Me atë ndihmë Noli pagoi doktorin, vajti në spital dhe u sherua nga sëmundja. Këtu dua të shtoj se miqësia personale midis Nolit e Konicës vazhdoi gjatë gjithë jetës së tyre, qëkur u njohën për herë të parë. Megjithëse lufta e fjalëve mes tyre vazhdoi për më se shtatë vjet, takimet e fshehta nga publiku shqiptar dhe letërkëmbimin e vazhduan gjithnjë. Për këtë çështje mund të shkruhet gjer e gjatë, por të kthehemi përsëri te “Vatra” e vitit 1934.

Me 25 maj (1934), vdes në Dardhë të Korçës, patrioti i njohur Josf Pani, babai i Vasil Panit, kryetart të “Vatrës”. Kryetarit i drejtohen telegrame ngushëllimi nga të gjitha degët e “Vatrës” dhe nga Faik Konica, i cili shpreh hidhërimin e thellë për humbjen e mikut dhe bashkëpunëtorit të vjetër. Josif Pani erdhi në Shtete të Bashkuara më 1904. Ai ishte një prej themeluesve dhe drejtuesve të parë të shoqatës “Besa Besën”. Përveç shkrimeve në gazetën “Dielli”, kur ishte organ i asaj shoqate, botoi  në Uster, më 1917, gazetën  Sazani dhe, më  1920 në Watertown gazetën, Drejtësia.

Gjatë atij viti “Vatra” nuk zhvillon ndonjë veprimtari përveç fushatave nëpër degë për mbledhjen e anëtarësive. 

Viti 1935 fillon për “Vatrën” me përpjekje intensive për mbledhje të hollash për arsye se borxhet po i shtoheshin përherë e më shumë. Nga mesi i viti “Vatra” bën Kuvendin Ekstraordinar. Në kuvend caktohen konferencierët dhe menjëherë fillojnë udhëtimet e gjata nëpër koloni. Kristo Thanas ishte një prej konferencierëve më të suksesshëm. Ai çdo herë i bënte udhëtimet me shpenzimet e veta. Gjatë vitit botohen 39 numra të “Diellit”. Çdo numër është i mbushur me lajme nga Shqipëria, me komente dhe artikuj rreth Kryengritjes së Fierit dhe shtypjes së saj. Si më parë, lavdërohet Mbreti, vihen në dukje përparimet në Shqipëri, lavdërohet Konica, dhe shahen pa mëshirë kundërshtarët e Monarkisë, si Kost Çekrezi, të cilin “Vatra” e cilësonte armikun më të rrezikshëm të Shqipërisë dhe ndërlikues të drejtpërdrejtë të Kryengritjes së Fierit. Bëhet thirrje për një bashkim me forcat pronoliste, por atyre nuk u lihet rrugë tjetër vetëm pranimi i gabimeve politike. Me përjashtim të një kritike të lehtë kundër Nolit, i cili nuk kishte thënë një meshë përshpritjeje për vdekjen e Nënës Mbretëreshë, ai nuk ngacmohet.

Me 29 dhe 30 qershor, “Vatra” zhvillon Kuvendin XX. Në kuvend zgjidhen të njëjtit zyrtarë: Vasil Pani, kryetar; Refat Gurrazezi, sekretar dhe editor. Kuvendi Ekstraordinar bëhet më 27 tetor. Konferencierët, Kristo Thanas dhe Nevruz Starja riaktivizojnë disa degë dhe mbledhin ca të holla.

Me 31 gusht vdes miku i madh i shtetit shqiptar dhe i shqiptarëve të Amerikës, ambasadori Herman Bernstein, i cili kishte shërbyer në Shqipëri si ambasador nga shkurti i vitit 1930 deri në shtator të vitit 1933.  Më 13 shtator, shqiptarët humbën një mik tjetër të madh, që patën para Luftës së Dytë Botërore, gjeneralin Willim Edward Horton, një nga themeluesit dhe udhëheqësit e shoqatës “Miqtë Amerikanë të Shqipërisë”. Të dy këta ishin miq të ngushtë të Konicës. Sipas Konicës, ushtaraku i lartë amerikan, gjenerali Horton, ishte zotuar me kohë se sa të ishte ai gjallë, kufijtë e Shqipërisë nuk do t’i cenonte kush. “Vatra” i përkujton me nderime të larta këta dy miq të ngushtë të popullit shqiptar. Gazeta “Dielli” shkruan rreth jetës dhe veprimtarisë së tyre.

Ndërkaq, Dr. Andrea Ilia shkruan një seri artikujsh me titull: Shenime Shëndetësie. Në “Dielli” botohen edhe disa artikuj mbi gjendjen e vështirë të shqiptarëve në Greqi. Lufta kundër Çekrezit vazhdon si më parë, i shtohet edhe akuza si spiun i serbëve. Thënë të vërtetën, edhe Noli e Konica, e sulmuan vazhdimisht Çekrezin. Çështja Çekrezi mbetet për t’u studiuar.

“Vatra” dhe “Dielli” shprehin hidhërim të thellë dhe zemërim edhe për vrasjen  gjerneral Gjiraldit në Kryengritjen e Fierit. Gjenerl Gjiraldi ishte hungarez i lindur në Kroaci. Sipas “Diellit”, ai i kishte shërbyer çështjes shqiptare mbasi ishte vendosur në Shqipëri për mëse 20 vjet.  Gjeneral Gjiraldi kishte përcjellur Zogun në Jugosllavi me 1924, kur forcat e Nolit morën pushtetin. (Dielli, 23 gusht, 1935).

Në “Dielli” ribotohet  përgjegjja e Konicës gazetës amerikane The Times,  kundër një artikulli ku thuhej:“Do të ishte në interes të Shqipërisë, deklarimi si shtet neutral nën mbrojtjen e shteteve të mdha të Evropës, dhe largimi i saj sa më parë  nga kthetrat e politikës italiane”.

            Konica i përgjigjet: “… Shqiptarët besojnë se gjëja e mbarë për ta është t’i shtrohen punës, duke marrë si kryefjalë: Të rrojmë dhe të lëmë të tjerët të rrojnë. Nga ana tjetër fqinjtë e Shqipërisë jane raje ose skllav të çliruar, të cilët kanë shpirtin e rajait ose të skllavit të bërë zot, një shpirt të cilin e dinë mirë të gjithë ata që janë marrë me historinë e Romës. Ky soj njerzish kanë sëmundjen se kanë fituar fuqi, edhe atëherë kur interesi e tyre i vërtetë u thotë të rinë urtë e të punojnë në paqe.” (“Dielli”, 18 shkurt, 1935).

Sipas Koncisë Shqipëria ishte e detyruar të mbetej e lidhur ngusht me Italinë për arsye se vazhdimisht i kërcnohej rreziku i Greqisë dhe Serbisë dhe se shtetet e mëdha të Evropës nuk i garantonin Shqipërisë asnjë lloj mbrojtjeje nga këto dy vende fqinje.

Viti 1936. Nga mesi i janarit, policia mbyllshëtpinë ku ndodheshin zyra e “Vatrës” dhe shtypshkronja e “Diellit” me kërkesë të pronarit të ndërtesës, z. George Prifti, konsull i Shqipërisë në Boston.Gazeta “Dielli” nuk botohet nga data 10 janar deri më 15 maj të atij viti. “Vatra” është e mbytur në borxh; z. Prifti kërkon parat e qirasë bashkë me fajden, editori dhe radhitësi i gazetës nuk ishin paguar për shumë kohë. Përçarja në gjirin e “Vatrës” merr përmasa serioze. Midis George Priftit dhe Refat Gurrazezit hyn pyka e armiqësisë së përbetuar. Kishte kohë që këta nuk e shikonin me sy të mirë njëri-tjetrin.

Me mbylljen e zyrës e të shtypshkrojës dhe me konfiskimin e arkivit të “Vatrës”, Gurrazezi nuk sheh tjetër rrugë, vetëm atë të fushatës më të egër dhe më të papërmbajtur kundër konsullit Prifti dhe sekretarit të konsullatës, Hito Sadikut. Ai del nëpër degët e Midlle West-it ku kishte mbështetje të fortë, bën 2500 mila udhëtim nëpër kolonitë e atjeshme, për të njoftuar vatranët se “Vatra” po mbyllej përgjithmonë. I inatosur, i raskapitur fizikisht dhe i dërmuar moralisht, Gurrazezi shkruan disa muaj më vonë: “ Kur u nisa nga Bostoni për në kollonit e Middle Westit, e ndjeva vetën si një njeri i mundur në luftë, dhe m’u duk sikur me ndiqte armiku! At çast shkova nër ment luftën e viteve 1912-1913 dhe m’u çfaq përpara syve një ushtar shqipëtar i asaj kohe, – i mundur nga armiqtë, i këputur si mos më keq nga lufta, dhe i vënë përpara prej Grekut, Bullgarit dhe Serbit”. (“Dielli”, 15 maj, 1935).

            Ndërkaq, burri i urtë dhe patrioti i vjetër, Vasil Pani, ndjek një rrugë shumë më të arsyeshme se Gurrazezi. Punon intensivisht me shokët e tij për mbajtjen e kuvendit. Me 4 Korrik fillon punimet Kuvendi XXI i “Vatrës”, i cili zgjati shtatë ditë. Në kuvend morën pjesë delegatët e 15 degëve. Kryetari i kuvendit zgjidhet Theodore Kotelly, sekretar Hamit Stermolli dhe reporter Shefqet Bença. Zgjidhen edhe drejtuesit e komisioneve të ndryshme siç ishte ai i shqyrtimit të financave dhe komisioni për hetimin dhe zhdukjen e konflikteve. Me gjithë gjendjen e tensionuar, Kuvendi po zhvillohej në mënyrë normale, sipas udhëzimeve që përmbante kanunorja.

            Ditën e tretë të kuvendit arrin telegrami i urimit i ministrit Konica. Teksti i telegramit është ky: “Lutem paraqitni delegatëve urimet e mia për mbarëvajtjen e Vatrës si një institut nacionalist për mbrojtjen dhe përparimin e Kombit jashtë çdo fryme të huaj dhe ngatrronjëse – Faik Konica.” Siç shihni Konica shquan pikën, fryme të huaj dhe ngatronjëse, do të thotë, ai ishte i informuar mirë rreth konfliktit serioz në gjirin e Vatrës.

            Katër ditët e para dukej se kuvendi po arrinte njëfarë kompromisi për mbylljen e konfliktit: Përjashtohet për jetë nga “Vatra” George Prifti.Gurrazezi propozon për kryetar të “Vatrës” z. Kristo Thanas, veteran i organizatës, burrë i respektuar nga të gjithë dhe njeri që kishte bërë shumë sakrifica personale financiare. Emërimi i tij si kryetar ishte e vetmja alternativë për zgjidhjen e konfliktit. Mirëpo, Kristo Thanas nuk pranoi kryesinë. Më në fund, pas shumë debatesh, kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit” emërohet dr. Andrea Ilia, kurse sekretar  i Federatës emërohet, Refat Gurrazezi.

            Mbas zgjedhjes së kryetarit, shtrohet për bisedim problemi më i madh dhe më konfliktuoz, transferimi i “Vatrës” nga Bostoni në Detroit. Shumica e delegatëve e mbështetën transferimin. Duhet të vëmë në dukje se shumica e delegatëve ishin nga Middle West-i, përkrahës të flaktë të Gurrazezit. Për t’i dhënë një zgjidhje këtij problemi, vendoset që me këtë çështje të mirrej një komision i veçantë. Grupi i Bostonit, këmbëngulte se transefrimi i “Vatrës” nuk mund të bëhëj në Detroit për arsye se vatranët e Middle West-it nuk kishin intelektualë për ta drejtuar “Vatrën” dhe pohonin se Bostoni ishte kryeqyteti i shqiptarëve të Amerikës. Diskutimi i ashpër rreth kësaj çështjeje solli “fatalitetin”. Një vatran i besimit ortodokës, e fyen Gurrazezin në sedrën kombëtare dhe fetare. Fyerja fetare kurrë nuk u shqua në shtyp as në dokumenta të asaj kohe, por personat që i kanë njohur protagonistat e asaj periudhe, janë mirë të informuar rreth kësaj çështjeje. Si reagim ndaj fyerjes së Gurrazezit, Fazlli Panariti me shumicën e delegatëve largohet nga salla e kuvendit. 

            Në atë kohë, fyerjet e natyrës fetare ishin mjaftë sensitive. Vatranët ishin të padjallëzuar dhe besimtarë të mirë. Ata ndikoheshin shumë edhe nga kryeustallarët e tyre, nga Noli e Konica. Këtu kam sjellur dy shembuj për të qeshur.

Në një intervistë me gazetarë të huaj, Noli kishte thënë: “Me nxorën nga Shqipëria myslimantë anadollak të cilët përbëjnë shumicën”. Pak kohë më vonë, Konica ishte “hakmarrë” për këtë lloj fyerjeje, me një fyerje tjetër po të kësaj natyre: “Asnjë shqiptarë i krishterë nuk është politikanë i mirë. Politikan të mirë janë vetëm shqiptartë myslimanë.” Këto ngacmime fetare për Nolin e Konicën nuk kishin asnjë rëndësi, por kshin rëndësi për shumë vatranë të padjallëzuar.

Tani kthehemi përsëri të kuvendi i “Vatrës”. Ai përfundon me fyerje e polemika. Konflikti kryesor, transferimi i Vatrës, mbetet pezull. Këtu nuk mund të kaloj pa përmendur edhe një herë përpjekjet që bëri Vasil Pani për shuarjen e mosmarrëveshjeve. Ai mbajti një fjalim shumë të prekshëm me rastin e dorëheqjes nga posti i kryetarit të “Vatrës”.

Kush ishte Vasil Pani?Vasil Pani lindi në Dardhë të Korçës, më 1896, dhe erdhi në Amerikë me 1907. Këtu, menjëherë iu afrua lëvizjes kombëtare. Me 1912, shkoi në Shqipëri si vullnetar për çlirimin e Toskërisë nga sundimi grek. Në fillim të shekullit të kaluar shumë shqiptarë të Amerikës vepruan si Vasil Pani, ngjeshën armët për mbrojtjen e atdheut nga pushtuesi grek. Historia përsëritet: edhe në fund të shekullit të kaluar, shumë shqiptarë veshën uniformën në Shtete të Bashkuara të Amerikës, ngjeshën armët dhe shkuan në mbrojtje të Kosovës nga sulmet barabare të Serbisë.

Pasi u kthye në Amerikë, Vasil Pani shërbeu disa herë në komisionin qëndror të “Vatrës”. Për vite me radhë qe kryetar i shoqërisë Dardhare “Mbleta”. Me 1929-1936 qe kryetar i “Vatrës”. Ai vinte nga një familje me tradita të larta kombëtare. Babai i tij, Josif Pani, kishte qenë këtu në Amerikë kryetar i shqorisë së njohur patriotike “Besa Besën” e cila botonte gazetën “Dielli”, para se të bëhëj organ i “Vatrës”. Ai botoi këtu edhe dy gazeta tjera që predikonin bashkim dhe luftë për fitimin e pavarësisë kombëtare. I biri i këtij patrioti të shquar, Vasil Pani, përveç veprimtarisë kombëtare ishte edhe punëtor i madh dhe  kishte arritur sukses në tregëtinë e restauranteve. Ai i dha mbështetje të fortë financiare “Vatrës”, në kohën më kritike të rënies ekonomike në Amerikë.

Pas kuvendit, dr. Ilia dhe Gurrazezi filluan bashkëpunimin. Gurrazezi nxori një numër të “Diellit” në Boston. Por, bashkëpunimi nuk zgjati shumë. Vatranët e Middle West-it, me kryeqendër Detroitin, e kishin bërë mendjen top. Ata nuk e njihnin më “Vatrën” e Bostonit, si “Vatrën” e tyre. Me 13 tetor 1936, del numri i parë i gazetës “Dielli” në Detroit, nën drejtimin e Gurrazezit. “Vatra” tanimë është defacto e ndarë dysh. “Vatra” e Detroiti ka kryetarin e vet, Fazlli Panaritin, dhe sekretarin e editorin e vet, Refat Gurrazezin. Kurse “Vatra” e Bostonit, ka për kryetar dhe editor, dr. Andrea  Ilinë.

Më 30 tetor, “Vatra” e Detroitit nxjerr numrin e parë të gazetës “Dielli”. Edhe “Vatra” e Bostonit nxjerr gazetën “Dielli”. Deri në vitin 1939, kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, këtu kemi dy “Vatra” dhe dy gazeta “Dielli”, që grinden si mos më keq. Secila palë, këmbëngul mbi legjitimitetin udhëheqës, si “Vatra” e vetme. Dy “Vatrat” dhe gazetat e tyre “Dielli” janë besnike të Monarkisë e të mbretit Zog. Ndjekin politikën e brendshme dhe të jashtme të shtetit shqiptar. Faik Konica përkrah “Vatrën” a Bostonit dhe ftoh marrëdhëniet me Refat Gurrazezin.

            Viti 1937. Gjatë atij viti nuk shënohet ndonjë veprimtari e dukshme nga asnjëra “Vatër”. Dy gazetat “Dielli” polemizojnë mes tyre gjithë vitin. Në korrik të atij viti, “Vatra” e Detroitit mbajti kuvendin e vet dhe zgjodhi një komision prej tre vetash për të bërë marrëveshjen me “Vatrën” e Bostonit. Nga ajo përpjekje nuk doli gjë. Të dielën, më 28 Nëntor 1937, ndodh një kthesë e re për shqiptarët e Amerikës. Faik Konica shkoi në Kishën e Shëngjergjit në Boston për të festuar Ditën e Pavarësisë Kombëtare, të organizuar nga peshkop Noli. “Dielli” i Detroitit shkruan me cinizëm:“Vajtja e tij pa ftuar dhe pa pandehur çuditi të gjithë. Ceremoninë e festimit e hapi Noli dhe pas përshendetjes paraqiti ministrin Konica i cili tha disa fjalë. Në cermeoni Faiku nuk ndej gjatë. Disa pohojnë se ai doli i zemruar për arsye se aty mbajti një fjalim qortues për guvernën shqiptare, Qerim Panariti, i cili është kundërshtar i njohur i Konicës dhe i Monarkisë.  Koncia e quajti Qerimin “xhandari i Panaritit”. (“Dielli”, 9 dhjetor, 1937).

Viti 1938 fillon me njëfarë zbutjeje të tensioni mes dy “Vatrave”. Qeveria shqiptare angazhohet për pajtimin e vatranëve dhe bashkimin e tyre. Përpjekjen e parë e bëri Abdurahman Mati, gjatë një vizitë në Amerikë. Fill  pas tij dërgohet një delegacion i veçantë nga Tirana për këtë çështje. Delegacioni i posaçëm i Tiranës, kolonel Aqif Permeti dhe z. Kristo Kirka, ishin personalitete me influencë tek shqiptarët e Amerikës. Kolonel Aqif Permeti kishte qenë managjer i “Diellit”, konferencier i “Vatrës” dhe organizues i trupave vullnetare të shqiptarëve të Amerikës për çlirimin e Shqipërisë së Jugut nga pushtimi grek. Ndërkaq, Kristo Kirika kishte qenë një prej themeluesve dhe udhëheqësve të shoqërisë “Besa Besen”. Ai mori pjesë në themelimin e “Vatrës” dhe shërbeu si zyrtar i lartë, konferencier dhe kryetar i saj.

Me 12 mars 1938, arritën në Detroit Aqif Permeti dhe Kristo Kirka, për të pajtuar vatranët dhe mundësisht për të thirrur Kuvendin e Bashkimit Kombëtar. Me të arritur në New York, ata shkuan në Detroit për të shikuar gjendjen e atjeshme. Pas tre ditë bisedimesh me udhëheqësit e Detroitit, shkuan në Boston për të zhvilluar bisedimet me zyrtarët e “Vatrës” tjetër. “Dielli” i Detroitit shkruan për ardhjen e tyre:“…Nuk tregohet dot gëzimi i vatranëve edhe gjithë shqipëtarëve të këtushmë kur panë këta dy shokë edhe udhëheqës të vjetër, të cilët punuan me besnikëri edhe pa rreshtur për lëvizjen kombëtare vjet me radhë kur ishin në Amerikë…” (Dielli, 25 mars, 1938).

Më 19 mars (1938), bëhet një marrëveshje për bashkim, në praninë e Abdurahman Matit, i cili ndodhej për vizitë në Amerikë, dhe dy delegatëve të tjerë të dërguar nga Tirana. Më 28 mars, në prani të Aqif Permetit dhe të Kristo Kirkës, përfaqësuesit e dy “Vatrave” nënshkruan këtë marrëveshje: 1) Kuvendi i dy “Vatrave” do të mbahet në Boston më 24 prill. 2). Organet e tyre “Dielli”, në numrin e parë që do të dalin do të botojnë vendimet e komisionit të bashkimit dhe do të pushojnë botimin e tyre gjërsa të vendoste Kuvendi se ç’do të bëhet në të ardhmen. 3).  Vasil Pani, në emër të “Vatrës” së Bostonit, dhe Kristo Thanas, në emër të “Vatrës” së Detroitit, ngarkohen prej komisionit të bëjnë përgatitjet për të zënë vendin ku do të mbahet kuvendi.

Më në fund arrti 24 prilli, delegatë e përfaqësues të dy “Vatrave” tubohen në Boston. Të dy palët, shkelin marrëveshjet e nënshkruara. Gjatë bisedimeve tensioni midis tyre ishte shumë i lartë. Përfundimisht, të gjitha përpjekjet për të bashkuar “Vatrën” dështuan. Me kthimin e përfaqësuesve të qeverisë shqiptare në atdhe, gjendja acarohet edhe më tepër.

Ndërkaq, Konicës përditë vinte duke iu shtuar konflikti me qeverinë e Tiranës. Me 1 korrik (1938), atij i shkruan nga Durrësi, Abdurahman Mati: “Para se të mirsha letrën tuaj kam pas niet me të shkruem nji letër dhe me të lajmruem un privatisht se N.M.Tij Mbreti ka vendos për interesa eprore të Shtetit me dërgue Zotnin tane si përfaqësues fuqiplot në Londër. Un e dij fort mirë se ti je nji njeri me vleft, dhe sidomos për Shtetin tonë, por e prish vehten kur të hyp damari yt. Pra lajmin e sipër po ju a ap qi të jeni i përgatitun por sa të ju vijë njoftimi i transferimit tuaj si Ministër Fuqiplot i joni pran Mbretit Imperator të Ingliterës. Dhe vet N.M. Tij Mbreti na tha se ket po e bon se situata politike e sotme e kërkon qi ju të jeni në Londër si përfaqësues i joni. Ju e kuptoni mirë punën tash dhe nuk asht nevoja me u zgjanue mbi ket çeshtje.

      Ju përshendes miqsiht miku juaj, Adrurahman Mati.”

Konica i përgjegjet Abdurahman Matit, me 14 korrik, 1938:

I dashur mik,

            Letrën t’uaj, me datën 1 Korrik 1938, e mora sot në mengjez, edhe po shpejtoj të ju përgjigjem.

            Lajmin që me jipni, se do t’me transferojnë në London, e kam ditur që me kohë, me që Legata e Jugosllavisë këtu ka një mot që po përhap nër Amerikanët se do t’me heqin nga Washington-i; nga ana tjetër, të dy kodoshët që Mbreti dërgoj në Mars të trazojnë punët e Vatrës, duke thyer kanunet e Amerikës (po asnjë prej jush nuk ësht i zoti t’a kuptojë), u mburnë se kanë në dorë të më largojnë nga Amerika.

            Mbreti ka shumë zotësira të larta; po si çdo njeri ka edhe ca mungesa. Një nga mungesat etij është se atë që thotë sot e harron nesëra. N’at letër që me prutë me dorë, Mbreti me thosh se, duke marë në sy trazimet që mund të bëhen në botë dhe rolin që do të lozë Amerika, e do interesi i Shqipërisë që të jem ministër në Washington, me që jam i vetmi që e di vendin. Pa shkuar tre muaj, e paska ndruar mendjen, dhe tani dashka të më dërgojë në London. Në i do qejfi, le të dërgojë këtu si përfaqësonjës të tij Osman Gazepin ose ahçin’ e Koço Kotës. E ka në dorë, dhe le të bëjë si të j’a dojë nderi.

            Unë ju thashë arësyet për të cilat nuk largohem dot nga Amerika. Regimi në Shqipëri tronditet se ka themele të dobëta, dhe nesër munt të rëzohet; pastaj Mbreti është njeri që intrigat e Toskëve nuk është aspak i zoti t’i marë vesh, dhe sot të do, nesër të shkelmon pa shkak. Po të jem në London, mundet nonjë qërhanëxhi grek e kuçovllah t’i mbush mendjen Mbretit të më heqë: aherë unë, njeri i lashtë, me mallin dhe shtëpinë në Greqi, pa mjete, ç’munt të bëj? Po të jem n’ Amerikë është ndryshe: se këtu kam lidhje të shuma dhe zë një udhë. Jo, miku im; të heqim dorë nga intrigat, dhe të flasim hapta.

            Mbreti munt të bëjë tre gjëra për mua:

1). Munt të më lejë këtu si përfaqësonjësin e tij;

2). Munt të me heq me një pension t’arsyeshëm që të mbaroj ditët me vepra letrare;

3). Munt të me heqë pa pension dhe pa çpërblim. Që të tria këto i gjëj t’arsyeshme dhe i pranoj.

              Nonjë udhë të katërt s’di. Të fala shumë – Faik Konitza

Vitit 1939, si për “Vatrën” e Bostonit ashtu edhe për “Vatrën” e Detroitit, fillon si çdo vit tjetër, me grindje të zakonshme, me polemika sarkastike dhe kërcnuese kundër njëra-tjetrës, pa asnjë parashikim për mundësinë e pushtimit të Shipërisë. Dy organet e tyre, gazetat “Dielli”, botonin lajme të vonuara nga Shqipëria. Lajmet që merrnin nga Shqipëria dhe botoheshin në faqet e gazetave “Dielli” janë pa rëndësi, por pasqyrojnë si më parë besnikërinë e “Vatrës” ndaj Mbretit Zog dhe Monarkisë.

“Vatra” e Detroitit  botoi pesë numra të gazetës “Dielli”, nga 13 janari deri me 12 maj të vitit 1939. Në editorialin e “Diellit” të Detroitit, 13 janar 1939, lexojmë: “Ngjarjet e vitit 1936 dhe vazhdimi i luftës vjetët e tjera 1937-1938 kundër Vatrës prej përfaqësonjësve të Guvernës s’onë në Amerikë dhe të një grupi të vogël njerzish të pabindur në Boston, vunë një njollë të zezë në historinë e shkelqyer të kësaj shoqërie dhe të Shqiptarëve të Amerikës.”

Më 31 janar 1939, “Dielli” i Bostonit boton një artikull, ku propozon t’i bëhet Faik Konicës një monument në Boston. “Dielli” i Detroitit i përgjigjet artikullit me një gjuhë të ashpër kundër Konicës, duke e akuzuar atë “për veprime antikombëtare” dhe shton me sarkazëm: “Po do të ish mirë që monumenti të zbukurohesh edhe me këta shokë që i kanë mbetur sot. Abdul Abazi ti pastroj këpucët, Shefqet Bença t’i japë dorën, Hito Sadiku t’i shkruaj vjershë. Nelo Drizari t’i shkruaj historinë, Dr. Andrea Ilia t’i thotë se  ç’duhet të hajë, Vasil Pani t’i gatuaj ëmbelsira, Mehemt Korça t’i lajë enët dhe Petro Kolonja t’i këndoj ungjillin e pseudoprotestanëve”.  Në artikull thuhet se do të ishte mirë që monumenti i Konicës të bëhëj sa më parëdhe në fund të monumentit të shkruhej epitafi: “Monumenti i çkatrrimtarit të shqiptarve dhe i prishsit të Vatrës”.

Papritmas, shpërthen si bombë lajmi i pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Këtë lajm tronditës sëpari e sjell shtypi amerikan. Gazetat e njohura si New York Times, Christian  Science Monitor,etj., botojnë artikuj e analiza rreth pushtimit; kurse gazetat më pak të njohura e kritikojnë pushtimin dhe disa prej tyre i bëjnë thirrje qeverisë amerikane për ndërhyrje ushtarake.

Një gazetë e vogël e Filadelfisë, në artikullin e vet redakcional i bënte thirrje qeverisë amerikane t’i shpallte luftë Italisë, pasi akuzonte botën perëndimore për heshtje ndaj pushtimit të Shqipërisë. Artikulli ka një paragraf shumë të prekshëm: “ Tosktë dhe Gegtë trima, bijtë e një prej kombeve më të lashta të Evropës, do t’i nxjerrin nga varret e stërgjyshëve të vet  të lavishëm armët e ndryshkura nga gjakui tyre, dhe do t’a lirojnë Shqipërinë. Ata kanë turpruar në fushën e luftës hordhitë e Sulltanëve të Azisë, ata do t’a nxjerrin Italinë fashiste me turp nga atdheu i tyre.” ( The Morning Star, 10 prill, 1939).

Shkrimet e botuara në gazetat “Dielli” rreth qëndresës së forcave shqiptare kundër forcave italiane janë sa kontradiktore aq edhe emocionuese. Thirrjet për bashkim tingëllojnë si kushtrimet e dikurshme tradicionale: “Sot shqiptarët kudo që jetojnë mbi faqe të dheut, këtu në Amerikë apo në shtete të tjera të botës, duhet të bashkohën dhe të organizohen  ashtu siç e thrret nderi ynë kombëtar për çlirimin e atdheut nga Italia fashiste”.(“Dielli” i Detroitit, 12 prill, 1939).

            Kryetari i “Vatrës” së Bostont, Dr. Andrea Ilia, bën hapin e par për bashkim, duke i dërguar një letër private, Fazlli Panaritit, kryetarit të “Vatrës” së Detroitit. Pas fërkimeve të vogla që dukën në faqet e “Diellit” të Detroitit, delegacioni i “Vatrës” së Bostonit shkon në Detroit dhe arrihet marrëveshja për bashkimin e “Vatrës”. Në të dy gazetatë “Dielli” botohet ky njoftim:

                                    Kuvendi i Bashkimit Rreth Federatës Vatra

                                                            Deklaratë

1. Sot, më 8 të majit 1939, të mbledhur këtu në 2035 Temële Str., Detroit, Michigan, Zyrtarët e Vatrës me Qendrën në Detroit, Mich., edhe Përfaqësonjësit e Vatrës me qendër në Boston, Mass., pas shumë bisedimeve, deklaruan bashkimin e dy palëve të Vatrës.

2. Duk parë rrezikun e Shqipërisë, dhe për hirin e shpetimit të Atdheut t’onë nga robëria italiane, ky Kuvend vendosi të thërritet një Kuvend i Përbashkët për të bashkuar gjithë vatranët dhe Shqiptarët e Amerikës rreth Federatës Vatra.

3. Ky Kuvend vendosi që Kuvendi i Përbashkët i Vatrës të mbahet në Boston, Mass., të dielën me 4 të Qershorit 1939.

Gjith’ ashtu ky Kuvend vendosi që Kuvendi i Përbashkët të përfundojë se ku duhet të jetë Qendra e Vatrës, të zgjedhë zyrtarët e saj për vititn 1939-1940, dhe të caktoj programinë e Shoqërisë.

Nënshkruar: Përfaqësuesit e Vatrës me Qendër në Boston, Mass: Vasil Pani, Nelo Drizari. Zyrtarët e Vatrës me qendër në Detroit, Mich: Kryetar Fazlli Panariti, Sekretar Refat Gurrazezi.

            Kuvendi i përbashkët zhvillohet, “Vatra” e bashkuar emëron udhëheqjen e re dhe vazhdon veprimtarinë e vet për çlirimin e Shqipërisë me anë  protestash, memorandumesh dhe letrash dërguar personaliteve të ndryshme botërore, në radhë të parë, presidentit amerikan dhe zyrtarëve të lartë të këtij vendi.

Vështrimi im për veprimtarinë e “Vatrës” gjatë asaj dekade përfundon këtu për arsye se rrjedha e historisë së Shqipërisë dhe i fatit të shqiptarëve ndryshon, ashtu siç ndryshon edhe forca e veprimtarisë së “Vatrës”. Sytë e shqiptarëve të Amerikës për çlirimin e atdheut drejtohen nga Noli e Konica. Këta dy vigaj të shqiptarizmës ulen edhe një herë së bashku dhe bëjnë planet e tyre të veprimit politik, por veprimtaria e tyre del jashtë kornizës së temës sime. Ajo i takon një dhjetëveçari tjetër.

Konkluzioni im

Deri këtu kemi ndjekur zhvillimin kronologjik mbi veprimtarinë e “Vatrës” në vitet 30 të shekullit që kaloi. Tani dëshiroj të dëgjoni mendimin tim për atë periudhë.

            Gjatë asaj periudhe 10-vjeçare “Vatra” kaloi nëpër shumë vështirësi, por tri janë më dallueset: 1). Kriza e thellë ekonomike në Amerikë ndikoi shumë në bllokimin e veprimtarisë së “Vatrës”, ku numri më i madh i degëve nuk arrinte të paguante antarësitë vjetore. 2). Ndërlikimi i thellë i konsullatës së Shqipërisë në Boston në punët e “Vatrës”, shkaktoi përçarjen  dhe ndarjen e “Vatrës” në dysh.  3). Qëndrimi strikt i Refat Gurrazezit, me një grup të fortë vatranësh, në mbështetje të pakompromis ndaj Monarkisë Shqiptare dhe mbretit Zog, nxiti urrejte të madhe në mesin e antarëve të moderuar të “Vatrës”.

            Konsulli i Shqipërisë në Boston, George Prifti, duke pasur edhe mbështetjen e Konicës, kishte ardhur në përfundim se Gurrzezi duhej larguar nga posti i editorit të “Diellit”, thjesht për arsye të qëndrimit të tij intrasigjent kundër vatranëve moderues dhe peshkop Nolit. Nga fundi i vitit 1934, Konica kishte filluar të tregonte njëfarë ftohësie ndaj mbretit Zog. Një prej arsyeve që kishte shkaktuar ftohjen ishte se shpenzimet e  Legatës vinin duke u shtuar, siç ishte qiraja, dhe buxheti që vinte nga Tirana zvogëlohej për herë e më shumë; rroga personale dhe i gjithë buxheti  i vinte me vonesë të madhe, nganjëherë kalonin edhe gjashtë muaj. Lidhur me këtë mund të bisedohet gjer e gjatë, mbështetur vetëm në letrat private të Konicës.

Nga mesi i viteve 30, bëhej fjalë edhe për mbylljen e “Vatres”. Dy gazeta në Shqipëri dhe një letër e Konicës drejtuar z. George Prifti, lënë të kuptohet se po bëheshin plane për mbylljen e “Vatrës” nën pretekstin se ajo e kishte përfunduar misionin e vet kombëtar.

Plani për mbylljen e “Vatrës” tingëllon edhe si një mesazh presioni i Konicës për të detyruar mbretin Zog t’u përmbahej zotimeve financiare dhe dërgimit në rregull të buxhetit për Legatën e Shqipërisë në Washington. Me këtë masë, ai i sillte në mend Mbretit se këllëçi politik i Nolit nuk ishte varur në muze për përgjithmon. Qeverisë së Tiranës nuk i interesonte mbyllja e “Vatrës”, përkundrazi, ajo ishte e intersuar që “Vatra” të jetonte dhe të vazhdonte vijën  e saj politike ashtu siç e kishte ndjekur qysh nga viti 1925.PeshkopNoli dhe opozita vazhdimisht pohonin se “Vatra” ishte kufomë dhe mbahej vetëm nga paratë që jepte guverna shqiptare. Në këtë plan përfshihej edhe largimi i Refat Gurrazezit nga posti i editorit të “Diellit”. George Prifti i shkruan Konicës se Hito Sadiku, sekretar i Konsullatës, ishte personi më i mirë për editor.

            Konsulli i Shqipërisë i kishte në dorë çelësat e “Vatrës”. Ndertesa ku ishin zyrat dhe shtypshkronja ishin pasuri e tij. Atij “Vatra” i kishte para borxh dhe nuk mund t’ia paguante aty për aty. Më në fund, konsulli i mbylli dyrtë e “Vatrës” me polici, por Gurrazezi nuk u gjunjëzua para faktit të kryer.

Koncia u ftoh në Gurrazezin dhe mbajti anën e “Vatrës” së Bostonit, e cila ishte më tolerante në veprimtari politike se “Vatra” e Detroitit. Si miq të ngushtë që ishin, ata nuk e sulmuan në shtyp personalisht njëri-tjetrin. Duket se pritnin ditën e pajtimit. Pajtimin e tyre publik e solli vetëm pushtimi i Shqipërisë nga Italia.

Kur shkruan për “Vatrën” e atyre viteve, studiuesi është  i detyruar të shkruajë për Nolin e Konicën. Kur shkruan për Nolin e Konicën në kontekst të zhvillimit historik të “Vatrës”, natyrisht, ai është i detyruar të shkruajë edhe për Gurrazezin, Panaritin, Kolonjën e protogonistë të tjerë të asaj kohe. Edhe në vitet 30, gadi si në çdo kohë tjetër të “Vatrës”, epiqendër janë Noli e Konica dhe lufta klasike e mendimit të lirë midis vatranëve, për t’i dalë zot sa më mirë Shqipërisë. Fërkimet politike në atë kohë duken aq serioze sa do të thoje se Noli e Konica do të vrisnin njëri-tjetrin. Shqiptarët, në përgjithësi, qoftë edhe dishepujt e tyre, si Gurrazezi, Kolonja dhe Panariti, i shikonin ata si dy kundërshtarë të poleve më ekstreme politike dhe si armiq, që nuk mund të pajtoheshin. Por, dokumentat provojnë të kundërtën. Ata ruajtën miqësinë dhe respektin për njëri-tjetrin në çdo kohë, ata ndejtën bashkë, shkëmbyen mendime dhe ndihmuan njëri-tjetrin sipas nevojës dhe takatit.

Në fillim të viteve 30, botimi i gazetës “Dielli” është financuar nga qeveria e Tiranës. Në vitet 30, protogonistë kryesorë të “Vatrës” janë: Faik Konica, Vasil Pani, Refat Gurrazezi, Kristo Thanas, Dr. Andrea Ilia, George Prifti, Hito Sadiku, Petro Kolonja, Qerim Panariti dhe Nelo Drizari. Ka edhe shumë veprimtarë  të tjerë të cilët bien nën hijen e këtyre të parëve.

Sot, me rastin e këtij seminari, e kujtoj me nderim të veçantë Kalorësin Klasik të Federatës Vatra, Refat Gurrazezin. Dhe ja pse: Gurrazezi ishte gazetar i shkëlqyer, polemist i ashpër, konferencier tribunal dhe një ndër personat më dinamikë të “Vatrës” në vitet 30. Megjithëse e kishte Konicën udhëheqës shpirtëror, ai nuk i nënshtrohej as mjeshtrit të vet, kur mendonte se i përkitej sedra e besimit politik e atdhetar. Shkrimet e tij të vëllimshme publicistike i njoh mirë. Atë e njoha edhe nga afër, në vitet 70, natyrisht kur ishte i thyer nga pleqëria e i këputur nga varfëria. Gurrazezin e njoha atëherë kur ishte editor i “Diellit” dhe shkruante e redaktonte, duke iu dridhur duart. Këtë vatran të madh e njoha atëherë kur kishte nevojën e ndihmës dhe pak kush e ndihmonte.

  • Dielli Arkiv

Filed Under: Politike Tagged With: Idriz Lamaj, Vatra-Dielli

A RREZIKON DELTA RI-DIZENJIM TË VAKSINËS?

July 10, 2021 by dgreca

VARIANTI DELTA I SARS-COV-2, A RREZIKON RI-DIZENJIM TË VAKSINËS NDAJ CORONAVIRUSIT/

Xhoela Bame, kërkuese shkencore në një nga institutet Ivy Leage në SHBA, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, dëmtimet neurologjike te njerëzve të prekur nga covid, situatën aktuale të covid në SHBA dhe globalisht, rëndësinë e zbulimit të origjinës së virusit, mbrojtjën nga varianti delta dhe variante të tjera më problematike, sfidat e neuroshkencës dhe teknologjitë më të fundit të imazherisë intravitale. Me Xhoela Bame bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

SFIDAT E NEUROSHKENCËS

Së pari, neuroshkenca ndan me shkencat e tjera sfidat e të kryerit punë kërkimore. T’i përgjigjesh një pyetjeje të cilës deri tani askush nuk i ka dhënë përgjigje është në vetvete tejet sfiduese. Për të arritur deri tek përgjigjja, një studiuesi/e shkencor/e i duhet të sjellë ide inovative, mësojë dhe dizenjojë teknika të reja, modelojë metoda për të testuar idetë e tij/saj dhe interpretojë korrektësisht rezultatet. E gjitha kjo kërkon përpjekje të vazhdueshme dhe vullnet të fortë për të mos u dorëzuar gjatë përballjes me të panjohurën. Parë nga këndi i neuroshkencës, sfidat lindin nga misteret mbi bazat e veprimtarisë intelektuale, si ne mësojmë, si formojmë memorien, si marrim vendime apo si ndërveprojmë me të tjerët. Truri është një organ kompleks dhe ashtu si fizikani Emerson Pugh ka thënë, nëse truri ynë do ishte aq i thjeshtë për tu kuptuar, ne do të ishim aq të thjeshtë sa nuk do mund ta kuptonim atë. Ky kompleksitet shtrihet edhe tek sëmundjet neurodegjenerative. Janë të shumtë faktorët ndërveprues që i shkaktojnë ato për të cilat ne ende nuk kemi informacion të mjaftueshëm, dhe pa ditur të gjitha shkaqet, e kemi edhe më të vështirë t’i trajtojmë ato. 

 DËMTIMET NEUROLOGJIKE TE NJERËZVE TË PREKUR NGA COVID

Të dhënat studimore mbështesin idenë se me shumë gjasa ky virus nuk infekton trurin në mënyrë direkte, por si rezultat i inflamacionit, mungesës së oksigjenit dhe pasojave të tjera të infektimit, janë raportuar një sërë dëmtimesh neurologjike tek të infektuarit që variojnë nga stadet e lehta deri tek ato më të rëndat. Pasojat e hasura më shpesh janë dhimbja e kokës, humbja e shijes dhe e nuhatjes, lodhje, dobësim i muskujve, marrje mendsh dhe mungesa e vëmendjes. Të pranishme kanë qenë dhe gjendjet e delirit (çrregullim akut i aktivitetit mendor që rezulton në fragmente konfuzioni dhe çorientimi) veçanërisht në pacientët e infektuar rëndë. Në raste më të rralla, infektimi me SARS-CoV-2 ka qenë faktor risku për goditjen cerebrale, encefalitin (inflamacion i trurit ) apo sindromën Guillain-Barré.

 SITUATA E COVID NË USA DHE GLOBALISHT

Në SHBA duket të ketë një përpjekje për t’iu rikthyer normalitetit me 67% të popullsisë të vaksinuar edhe pse pritshmëritë e shifrave të vaksinimit kanë qenë më të larta. Shfaqja e variantit Delta, që është dhe varianti dominant në SHBA, ka bërë që shifrat e të infektuarve që deri tani kishin qenë në ulje, të fillojnë të rriten veçanërisht në komunitetet me shkallë vaksinimi më të ulët. Pabarazia në shpërndarjen e vaksinës e cila ka qenë e përqëndruar më së shumti në vendet perëndimore e ka rënduar situatën në vende të tjera në botë që vuajnë nga shifrat e larta të shtrimeve në spital dhe humbjeve të jetës. Kjo e rrit më shumë nevojën për të vazhduar të jemi të kujdesshëm dhe vigjilentë ndaj këtij virusi derisa të kemi arritur synimet e vaksinimeve në botë.

MBROJTJA NGA VAKSINA DHE KOHËZGJATJA

Deri tani kemi parë se vaksina është efektive për të na mbrojtur nga hospitalizimet dhe mortalitetet por ende nuk dihet shkalla e mbrojtjes ndaj infektimeve të lehta ose asimptomatike. Ende nuk kemi të dhëna të mjaftueshme për kohëzgjatjen e efektit mbrojtës të vaksinave, por sipas konstatimeve të Pfizer dhe Modernës dhe së fundmi të Johnson & Johnson, përgjigjja imunitare pas vaksinimit duket të zgjasë për të paktën 6-8 muaj. Kjo nuk përjashton faktin që mund të zgjasë edhe më shumë se kaq, madje pritet të zgjasë më shumë, por për këtë duhet të kemi prova klinike të grumbulluara në kohë, pra na duhet të presim. Për më tepër, kohëzgjatja e mbrojtjes nga vaksina mund të variojë nga një person tek tjetri.

 MBROJTJA NGA VARIANTI DELTA DHE VARIANTE TË TJERA MË PROBLEMATIKE

Varianti Delta ka patur një shkallë të lartë infektiviteti, por megjithatë vaksinat kanë rezultuar të kenë efekt mbrojtës ndaj tij edhe pse me një efektivitet pak më të ulët se ndaj varianteve të tjera. Antitrupat e prodhuar prej vaksinës Johnson&Johnson janë raportuar në një studim të lançuar së fundmi të kenë një aktivitet të fortë neutralizues ndaj variantit Delta. Ky studim i bashkangjitet studimeve të tjera që raportojnë efektin mbrojtës të vaksinës së Phizer-it and Modern-ës ndaj këtij varianti. Në varësi të ecurisë dhe rrezikshmërisë të varianteve, mund të lindë nevoja e ri-dizenjimit të vaksinës për ta bërë më specifike ndaj variantit më ”kërcënues”, proçes i cili është bërë më pak kompleks falë teknologjisë së re të ARN-së mesazhere. Megjithatë, për momentin, prioritet duhet të jetë rritja e numrit të të vaksinuarve me vaksinat që janë në qarkullim, të cilat kanë qenë të suksesshme për të na mbrojtur nga fatalitet e çdo lloj varianti të deritanishëm.

 RËNDËSIA E ZBULIMIT TË ORIGJINËS SË VIRUSIT

Raportet e OBSH-së favorizojnë faktin se ky virus është transmetuar në mënyrë zoogjenike, pra nga kafshët, që shërbejnë si gjallesa të ndërmjetmje, tek njerëzit. Duke ditur origjinën e virusit, arrijmë të njohim versionin origjinal të tij, pra cilat kanë qenë karakteristikat e tij para se të kalonte tek njerëzit. Gjithashtu, kuptojmë më shume mbi marrëdhënien evolucionare midis virusit dhe gjallesës së ndermjetmje, çfarë adaptimesh kanë fituar ndaj njëri-tjetrit. Ky informacion na ndihmon të kuptojmë se si ta trajtojmë dhe mbrohemi më mirë nga ky virus. Për më tepër, na përgatit më mirë për të parandaluar situata të tilla emergjente të shkaktuara nga koronavirusi ose viruse të tjera në të ardhmen.

TEKNOLOGJITË MË TË FUNDIT TË IMAZHERISË INTRAVITALE

Në laboratorin e Dr. Hill,ku po kryej doktoraturën, studiojmë bazat molekulare dhe qelizore të sistemit nervor qendror, me fokus rigjenerimin e trurit në situatat e vdekjes qelizore. Përmes një metode inovative, kemi arritur të replikojmë vdekjen qelizore që ndodh në sëmundjet neurodegjenerative si skleroza multiple ose gjatë proçesit të plakjes në një model para-klinik. Duke përdorur teknologjitë më të fundit të imazherisë intravitale për të vizualizuar trurin, kemi mundur të ndjekim në kohë proçesin e ndërveprimeve qelizore të sistemit nervor dhe jemi nga të paktët laboratorë në botë që kryejnë këto studime kronike. Kjo na ka bërë të kuptojmë më shumë mbi neuroplasticitetin dhe fuqinë regjeneruese të qelizave mbështetëse të njohura si qelizat gliale dhe momentalisht jemi duke testuar efektin e një medikamenti mbi aktivitetin e këtyre qelizave. 

KUSH ËSHTË XHOELA BAME

Unë e kam nisur rrugetimin tim në fushën e shkencës prej gjimnazit Preka në Shqipëri dhe më tej në Universitetin Teknik të Stambollit, Turqi, ku jam diplomuar në degën e Biologjisë Molekulare dhe Gjenetikë,me një minor në Ekonomik, si e para e fakultetit të shkencave dhe literaturës. Gjatë studimeve universitare më është akorduar Bursa e Ekselencës dhe Bursa e Suksesit respektivisht nga qeveria shqiptare dhe ajo turke si dhe dy bursa të njëpasnjëshme për praktikën profesionale nga programi Erasmus+. Në laboratorët e biologjisë molekulare në Stamboll kam investiguar mbi rolin mbrojtës të hormonit të estrogjenit në sëmundjet neurodegjenarative, vecanërisht në sindromën e rrallë të njohur si Kufor-Rakeb. Më tej, gjatë praktikës profesionale në departamentin e neuropsikofarmakologjisë në Spanjë kam studiuar mbi bazat molekulare të epilepsisë në modelet para-klinike që shfaqin kriza audiogjenike. Gjithashtu, gjatë një vizite kërkimore në një nga institutet prestigjoze Max Planck në Gjermani, jam marrë me studimin e mënyrave se si metabolizmi ndihmon në mbrojtjen nga infeksioni i toksoplasmozës. Këto eksperienca më shërbyen për të fituar bursën doktoratoriale në një nga institutet Ivy Leage në SHBA. Në Dartmouth, kam eksploruar departamentet e biokimisë dhe gjenetikës ku respektivisht jam marrë me studimin e ndarjes qelizore dhe trashëgiminë e sjelljeve biologjike dhe më tej ju bashkova laboratorit të neuroshkencës. 

Filed Under: Featured Tagged With: Delta, Ridizajnim, Sokol Paja, Vaksina, Xhoela Bame

SIMON SIMONLACAJ, BAMIRËS DHE AKTIVIST I DALLUAR I KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN

July 9, 2021 by dgreca

          Nga Frank Shkreli/

NJË SHËNIM PERSONAL — Me 2 Korrik ndërroi jetë, papritmas, në moshën 80-vjeçare, Simon Simonlacaj, njëri prej bamirësve dhe aktivistëve më të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan i disa dekadave të fundit. I lindur në një fshat të rrethit të Ulqinit, Simoni emigroi në Shtetet e Bashkuara, si shumë bashkatdhetarë të tij të atyre krahinave nën Malin e Zi, në fillim të 1970-ave, për arsye që dihen. Simon Simonlacajn e kisha njohur në vitet 1960-ave kur të dy ne – pa ditur për njërin tjerin — gjendeshim në qytetin Rijekë të Kroacisë. Ai i larguar nga vendlindja për të gjetur punë në Kroaci, pasi punësimi ishte i pakët dhe pothuaj i pamundur për shqiptarët në trojet tona dhe shqiptarët e atyre viseve detyroheshin të kërkonin punë, çfardo pune, anë e mbanë ish-Jugosllavisë. Kështu kishte ndodhur edhe me Simonin. Ai kishte gjetur punë në Rijekë ndërsa unë në vitin shkollor 1964-1965 isha regjistruar për të ndjekur mësimet në seminarin katolik në atë qytet larg vendlindjes dhe familjes. Ndërkaq, Simoni kishte zbuluar, nepërmjet famullitarit të Kishës Shën Gjergji në breg të lumit Buena, Dom Simon Filipaj — përkthyesin e Biblës në shqip — që ishte edhe famullitari ynë i përbashkët — se në seminarin  klasik katolik të Rijekës gjëndej një student nga famullia e Shën Gjergjit në rrethin e Ulqinit.  

Ishte viti 1966 kur Simoni, megjithse nuk e njihja, pasi ai ishte nga një fshat tjetër i Ulqinit por edhe 10-vjeç më i moshuar se unë — erdhi të më takonte në seminarin salezian të Rjekës. Ishim dy shqiptarë prej të njëjtin vend por në dhe të huaj, pasi Kroacia megjithse ishte pjesë e të njëjtin shtet që quhej “Jugosllavi” – për të dy ne ishte vend i huaj, me gjuhë dhe zakone ndryshe, por një vend ku shqiptarët trajtoheshin pak më mirë se në pjesët e tjera të ish-Jugosllavisë komuniste. Takimet tona u bënë të rregullta me Simonin i cili vinte shpesh të më takonte në seminar, për tu çmallur për vendlindjen derisa të dy vendosëm në mbarim të dekadës së 60-ave që, më në fund, të largoheshim nga ai vend dhe të merrnin rrugën e mërgimit për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Me të ardhur në Amerikë, Simoni u vendos me familje në Nju Jork ku me mundë e djersë ndërtoi një jetë shumë të mirë dhe të begatë për vetën dhe familjen, duke u bërë më vonë edhe njëri prej shqiptaro-amerikanëve më të suksesshëm në fushën e pronave të paluajtëshme. Unë pas dy tre vitesh në Nju Jork shkova në Washington për të punuar për Zërin e Amerikës dhe lidhjet tona, për arsye të distancës, ishin të pakëta. Por si aktivist i dalluar që ishte në komunitettin shqiptaro-amerikan,  Simoni vizitonte Washingtonin, nga hera në herë, për të qarë hallet e shqiptarëve, nën ish-Jugosllavi, sidomos të shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve nën Malin e Zi.  Ai ishte shumë aktivë në organizimet e komunitetit dhe veçanërisht dallohej — për vite me radhë — për veprimtarinë e tij të pa kursyeshme në Kishën Katolike shqiptare në Nju Jork, “Zoja e Shkodrës”. 

Me këtë rast të dhimbshëm të kalimit në amshim të Simon Simonlacajt, dëshiroj të përmendi vetëm një prej kontributeve të Simonit me shokë, që ndihmuan në organizimin e Seminarit për Imzor Pjetër Bogdanin në Universitetin Fordham të Nju Jorkut në tetor të vitit 1989.  Një veprimtari kjo me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit – e cila është përjetësuar në librin  “Imzot Pjetër Bogdani në New York”, kushtuar kësaj ngjarjeje historike, botuar nga një tjetër aktivist i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe njëri prej protagonistëve kryesorë të kësaj ngjarjeje, Tonin Mirakaj. 

Them historike sepse ishte hera e parë që në Shtetet e Bashkuara mbahej një seminar i tillë në përkujtim të vitit jubilar kushtuar Pjetës Bogdanit – një vigani të fesë dhe të letërsisë shqipe — me një pjesëmarrje të disa prej figurave më të shquara të kulturës dhe letrave shqipe në mërgim dhe të trojeve shqiptare.  Në atë seminar dalloheshin At Danjel Gjeçaj, kryekapelani për shqiptarët jashtë Atdheut. Profesor Arshi Pipa dhe profesor Martin Camaj.  Por, ajo që e bëri këtë seminar historik ishte pjesëmarrja nga Kosova e Profesorëve të Institutit Albanologjik  të univresitetit të prishtinës, Dr. Ibrahim Rugovës dhe Profesorit Engjëll Sedaj. E përemndi këtë rast sepse një orgnaizim i tillë mund të bëhej i mundur vetëm nga   individë si Simon Simonlacaj me shokë, i cili nuk mungonte kurrë të merrte pjesë dhe të sakrifikonte për vepra të tilla të rëndësishme kombëtaro-fetare.  Pas seminarit në Universitetin Fordham Simon Simonlacaj, në kapacitetin e tij si anëtar i Komisionit Përgatitës i këtij seminari, më telefonoi dy ditë përpara se të niseshin  duke më thenë se kishte në plan të shoqëronte Dr Ibrahim Rugovën dhe Dr. Engjëll Sedajn për një vizitë në Washington. Në kryeqytetein amerikan, kaluam dy ditë të mrekullueshme me vizitorët e çmuar nga Kosova të cilët gjëndeshin për herë të parë në Amerikë, por duke marrë parasyshë se si u zhvilluan punët, kjo vizitë  vërtetë ishte e para  në Washington për Dr. Ibrahim Rugovën, Presidentin e ardhëshëm legjendar të Republikës së Kosovës së Pavarur – por jo e fundit. Pas kësja vizite edhe Simoni vinte shpesh në Washington dhe kurrë nuk këthehej për Nju Jork pa kaluar të pakën një natë në shtëpinë tonë.

Ka shumë veprimtari kombëtaro-fetare dhe akte bamirësie në të cilat Simon Simonlacaj merrte pjesë dhe kontribonte, përshir ndihmën për Urdhërin e Motrave të Nenë Terezës, por edhe për projekte në vendlindje. Po përmendi vetëm rastin e kontributit të tij në organizimin e seminarit të Pjetër Bogdanit, si diçka tepër me vend dhe e drejtë, 30-vjetë më parë në Nju Jork, një ngjarje kjo që unë besoj se me pjesëmarrjen e Dr. Ibrahim Rugovës në 300-vjetorin e vdekjes së Pjetës Bogdanit – mund të ketë ndryshuar rrjedhën e historisë për shqiptarët, sidomos për ngjarjet e mëvonshme në Kosovë. 

Për shumë arsye sot e kujtojmë me mendje e me zemër Simon Simonlacajn, mikun tim të dashur prej viteve, që nga viti 1966 kur e njoha në Rijekë të Kroacisë ku na kishte hedhur fati të dyve, larg familjes dhe venddlindjes sonë, për tu bashkuar disa vite më vonë këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Së bashku me familjen e tij të ngtushtë e kujtoj me dhimbje Simonin ashtu si e kujton me mall i mbarë komuniteti i gjërë shqiptaro-amerikan, të gjithë shqiptarët që e njohën në Ulqin, Kosovë e Shqipëri, por edhe të huajt që patën rastin ta njihnin dhe të punonin me Simon Simonlacajn.  Kur ndahet nga të gjallët një njeri kaq zemër mirë, patriot e fetar, jo vetëm familja e tij por të gjithë miqtë e Simon Simonlacajt dhe të familjes së tij, jetojnë përgjithmonë me ndjenjen e një humbjeje të madhe.  Ndarja e papritur nga kjo jetë e Simon Simonlacajt me të vërtetë le një zbrasti të pazevendsueshme për familjen e tij fisnike si dhe një mungesë të madhe në gjirin e komunitetit shqiptaro-amerikan, në përgjithësi.

Ngushëllimet e mia më të thella bashkshortes Santës dhe mbarë familjes e farefisit të Simonit me respektin më të sinqert për ta dhe për jetën e veprimtarinë e të dashurit të tyre më të shtrejntë dhe mikut e shokut tonë due të gjithë atyre që e njohën due punuan me të.

Ulur ga e majta: I ndjeri Simon Simonlacaj, Dr Ibrahim Rugova, Dr. Engjell Sedaj në shtëpinë e autorit në Falls Church, Virxhinia, afër Washingtonit, Tetor, 1989.

            Marrë nga libri “Imzot Pjetër Bogdani në New York”, me botues Z. Tonin Mirakaj

NJOFTIM NGA FAMILJA:

Our Lady of Shkodra

July 6 at 11:38 AM · 

Lajmërim Mortor

Simon Zefi Simonlacaj
12 Shkurt 1941 – 2 Korrik 2021

Me hidhërim njoftojmë se me 2 Korrik, papritmas u nda nga jeta atdhetari dhe bamirësi Simon Zef Simonlacaj në moshën 80 vjeç.

I ndjeri do të pushojë në shtëpinë mortore, Yorktown Funeral Home 945 East Main Street, Yorktown, NY 10588, të Dielën me 11 Korrik 2021, nga ora 2pm – 9pm.

Mesha e Dritës dhe salikimet e fundit do të kremtohen të
Hënen me 12 Korrik 2021, në orën 11:00am në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës” prej ku mbas meshës trupi i të ndjerit do të përcjellët në varrezat “Gate of Heaven”, 10 West Stevens Ave, Hawthorne, NY.

Famullija “Zoja e Shkodrës” i shpreh ngushllimet e sinqerta Familjes dhe gjithë Farefisit.
Simoni, pastë dritë në amshim, dhe të gjallëve u dhashtë Zoti forcë.

Jepja o Zot pushimin e pasosur, e i shëndritë drita e pambarueme. Pushofte ne paqe. Ashtu Kjofte.

                                                       SIMON SIMONLACAJ

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, nderroi jete, Simon Simolacaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 39
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT