• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2021

“Në shtëpinë e librit shqip”

October 5, 2021 by s p

Java e dytë e ekspozitës së librit shqip organizuar nga 

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

Arjeta Ferlushkaj

Stamford, Connecticut

3 Tetor, 2021

Ditën e diel, më 3 tetor 2021, në Stamford të shtetit të Connecticut-it, u hap ekspozita e librit shqip në Amerikë, në javën e saj të dytë tashmë. Ky aktivitet organizohet nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë me rastin e 20-vjetorit të saj dhe, siç është lajmëruar, është programuar të zhvillohet përgjatë harkut kohor 25 shtator-10 tetor 2021.

 

Në javën e parë të ekspozitës patëm rastin të njiheshim më gjerësisht me krijimtarinë e shkrimtarëve si: Yllka Filipi, nënkryetare e Shoqatës, me botimet: “Dante-Kadare”, “Eternitas”, “Me ipsum ames”, etj.; Sabije Dervishi Veseli me botimet: “Pse u dashurove tek unë?”, “Dangerous Road”, “The cheater and Prostitute in my bed”, etj.; Mëhill Velaj me mbi njëzet botime nga ku përmendim: “Kodi i parajsës”, “Unë e solla Doruntinën”, “Lotët e pengut”, etj; si dhe Bora Balaj me botimet “Zogu pa çerdhe”, “Veshje tradicionale shqiptare në Kosovë”, “Heshtja”, etj.

Në aktivitetin e sotëm ishin të pranishëm presidenti i SHSHSHA-së z. Adnan Mehmeti dhe kryetari i saj z. Mëhill Velaj; anëtarë të shoqatës si, Gjeto Turmalaj, Bexhet Asani, Veneta Callpani, Arjeta Ferlushkaj, Luz Thaçi, Sabije Dervishi Veseli, Ramiz Mulaj, Bora Balaj, etj.; editori i gazetës “Dielli” z. Sokol Paja, aktivistë dhe lexues e dashamirës të librit shqip në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Aktivitetin e kësaj dite e hapi kryetari i SHSHSHA-së, z. Velaj, i cili mbasi bëri përshëndetjet e rastit, dha një panoramë të shkurtër të ditës së parë të ekspozitës, që u zhvillua me 25 shtator. Në fjalën e tij, z. Velaj shprehu falenderimet për angazhimin serioz të presidentit të Shoqatës, z. Mehmeti për t’u finalizuar siç duhej një sipërmarrje e tillë dhe shprehu mirënjohjen ndaj editorit të ri të gazetës “Dielli”, z. Sokol Paja, për punën e palodhur në kushtim të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara. 

Z. Velaj, gjithashtu, përcolli përshëndetjet e marra nga themeluesi i kësaj Shoqate, shkrimtari dhe studiuesi Gjekë Marinaj. 

Fjalën e radhës e mori presidenti i Shoqatës, z. Adnan Mehmeti, i cili, mbasi i uroi mirëseardhjen të pranishmëve, mori përsipër të bëjë një historik të shkurtër të botimeve të Shoqatës, që ishin të ekspozuar në qendër të zyrës së përkohshme të SHSHSHA-së, ku dhe po zhvillohet ky aktivitet. 

Ndër pikat më të rëndësishme dhe shënjuese të prezantimit të z. Mehmeti, do të veçonim: 

  • Koleksioni i revistës “Pena”, me datë nistore vitin 2001, organ i SHSHSHA-së, e cila deri tani ka dalë në 8 numra. Në këtë revistë botohen kryesisht shkrime dhe materiale nga anëtarë të Shoqatës por kryesia e saj është e hapur të pranojë edhe shkrimtarë të tjerë që lëvrojnë gjuhën shqipe në SHBA. 
  • Viti 2017 kur një shtëpi botuese amerikane shfaq interes për letërsinë shqipe që bëhet në SHBA dhe pikërisht shkrimtarja Diane Durant përgatiti për botim antologjinë “Rozafa’s Milk. A Poetry Anthology”, libër që përfshin krijime (në anglisht) nga 19 anëtarë të Shoqatës dhe lexuesi i interesuar mund ta gjejë në Amazon.
  • Botimi i dy antologjive: “Zemra prindërore”, që lidhet krejtësisht me motivin e nënës dhe antologjia më e plotë “Perëndim i mallur. Antologji me poezi të shqiptarëve në Amerikë”, ku janë të përfshirë thuajse të gjithë anëtarët e Shoqatës.
  • Suksesi më i arrirë i Shoqatës është botimi i monografive: në vitin 2016 është botuar libri “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Aktivitete dhe krijimtari”, ku përfshihen të gjitha aktivitetet e Shoqatës. 

Në vitin 2020 është botuar libri “Autorë dhe vepra”, ku lexuesi mund të gjejë biografinë e bibliografinë botuese për të gjithë anëtarët e Shoqatës. 

Në vitin 2021 u botuan dy libra që përfshijnë përkatësisht dy dekadat e Shoqatës: “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. 2001-2011” si dhe “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro. 2012-2021”, ku futen të gjitha aktivitetet që lidhen me historikun e SHSHSHA-së. 

  • Përmendja e anëtares së nderit, znj. Carrie Hooper, profesoreshë në New York, e cila është dashamirëse e pastër e gjuhës shqipe dhe është pjesë e kësaj Shoqate përmes librit me poezi shqip-anglisht “Piktura në fjalë”, botuar në Kosovë, në vitin 2018, libër i cili iu promovua nga SHSHSHA-ja.
  • Angazhimi i shtëpisë botuese “Adriatic Press” për të përfaqësuar sa më shumë e sa më denjësisht shkrimtarët shqiptaro-amerikanë dhe kjo shtëpi botuese ka nxjerrë libra nga autorë si Gjekë Marinaj, Besim Muhadri, së fundmi Sami Repishti, etj. 
  • Dhe çfarë përbënte ekskluzivitetin e kësaj dite ishte prezantimi i botimit më të ri nga profesori, shkrimtari dhe studiuesi Sami Repishti: “In the shadow of Rozafa Castle. A Lived Narrative”, botim në gjuhën angleze nga Shtëpia Botuese “Adriatic Press”, 2021. Me këtë rast, z. Mehmeti i rikujtoi të pranishmëve dhuratën e çmuar që ky autor i ka bërë Shoqatës: bibliotekën e tij të plotë, ndaj dhe, kushdo që ka interes për ta studiuar këtë autor, z. Mehmeti u tha se e kanë derën e hapur të vijnë tek Shoqata për të hulumtuar. 

Në fjalën e tij të mbylljes, z. Mehmeti ftoi autorët e pranishëm që të bënin secili prezantimin e veprave të tyre para lexuesit, duke i shoqëruar me informacione të shkurtra. 

Vetë z. Mehmeti si autor prezantohet para lexuesit të tij me mbi dhjetë vepra të botuara, nga ku përmendim: “Leave the door open”, “Deti në mes”, “Ndajfoljet e vendit”, “Amidst”, “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Aktivitete dhe krijimtari”, “Simfonia e udhëtimeve”, etj. 

Kështu, në këtë javë të dytë të ekspozitës, u prezantuan tek lexuesit këta autorë:

  • Arjeta Ferlushkaj me dy librat e saj studimorë: “Pasqyrat e postmodernitetit” (2012) dhe “The Old Bridge-Ura e vjetër” (2020).
  • Sabije Dervishi Veseli vjen tek lexuesi me një krijimtari letrare prej më se 10 veprash, thuajse të gjitha në anglisht, nga ku përmendim: “Mysterious Secret” (2005), “Dangerous Road” (2013), “I live in hell” (2016), etj. 
  • Bexhet Asani prezantoi kontributin e tij, i përqëndruar kryesisht në tre fusha: arsim-shkencë-letërsi, nga ku përmendim: “Nuse përtej detit” (1994, 2012), “Lirika popullore shqiptare në Maqedoni” (2011), “Studime letrare” (2015), “Hyjnia e syve” (2017), etj.
  • Gjekë Turmalaj përmendi shkurtimisht botimet e tij, si: “Fjala si fillim” (2002), “Borxh për nesër” (2009), “Ditënetët e jetës” (2018), etj.
  • Në mbyllje, shkrimtarja Bora Balaj përcolli tek të pranishmit momentet e frymëzimit që ngjizin krijimtarinë e saj, nga ku kemi disa tituj, si: “Zogu pa çerdhe” (1997), “Loti në sy” (2003), “Heshtja” (2020), etj.

Përmendim se, bashkëshoqëruese të ekspozimit të librit u bënë edhe fotografitë-piktura me bojëra uji, të realizuara nga z. Sergio Bitici, nga ku kishte ideuar një mini-ekspoze të përbërë nga 7 të tilla, kryesisht të punuara viteve të fundit. Në prezantimin e punës së z. Bitici, kryetari i Shoqatës z. Velaj nuk harroi të përmendte një detaj interesant: ka qenë pikërisht z. Bitici ai që i ka hapur dyert e restorantit të tij për takimin e parë dhe ka mbështetur nismëtarët e parë të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe sot në 20-vjetorin e saj, ai sërish vazhdon me kontributin e vet të pandalur.

Në fillim të kësaj ekspozite, kryetari i Shoqatës z. Velaj, u kujdes që të “ndante” në një hapësirë më vete anëtarët e pranishëm të SHSHSHA-së, në mënyrë që lexuesit dhe dashamirësit e librit të kishin mundësi t’i njihnin nga afër, pra jo më vetëm përmes emrit, dhe në këtë mënyrë, ata mund të krijonin një bashkëbisedim (pse jo edhe bashkëpunim në të ardhmen) për çfarëdo teme a projekti që ata mund të jenë të interesuar, apo qoftë edhe vetëm për një autograf apo fotografi që mbeten kujtim nga kjo ditë e veçantë. Nën këtë ideim, takimi u zhvillua tejet i ngrohtë e miqësor mes të pranishmëve, me mjaft pyetje e përgjigje dhe sidomos me shumë plane e dëshira për të ardhmen, për të shtuar numrin e takimeve të tilla si dhe për të pasuruar kolanën e botimeve në gjuhën shqipe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Arjeta Ferlushkaj

Stamford, Connecticut

3 tetor, 2021

Filed Under: Politike Tagged With: Arjeta Ferlushkaj

5 Tetor, Dita Botërore E Mësuesit – October 5, World Teacher’s Day

October 5, 2021 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo

BETIMI I MËSUESIT

  • Do ta kryej detyrimin tim me ndërgjegje dhe krenari.
  • Nxënësit e mi nuk do të jenë vetëm nxënës, por edhe fëmijë dhe kurrë nuk do t’i harroj që për fatin e tyre edhe vetë mbajë një pjesë të përgjegjësisë.
  • Do ta mbrojë me të gjitha mjetet ekzistuese nderin e profesionit të arsimtarit.
  • Kolegët e mi çdo herë do të jenë edhe miqtë e mi.
  • Në bashkëpunim me ta do të përpiqem që vazhdimisht ta përkryej veprimtarinë e shkollës në kuptimin efikas të njohjes së të gjithave të drejtave në edukimin dhe barazinë sociale në arsim.
  • Këtë betim solemn e jap plotësisht në mënyrë të lirë dhe me nder.

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO, në vitin 1994, ka përcaktuar 5 tetorin si Ditën Botërore të Mësuesit.  Betimi solemn i mësuesit quhet ndryshe edhe Betimi i Hipokratit (i pedagogjizuar ) të cilin në vitin 1966 për nevojat e UNESKO-s e përpiloi pedagogu zviceran, Robert Dottrens 1893 – 1984.

Pak reflektim

Brezi im dhe brezat e mëparshëm janë rritur me figurën e shenjtë të mësuesit. Betimin e mësuesit, mësimdhënësit shqiptarë ndonëse e kanë pasur të pashkruar si dokument, ata ishin të betuar në misionin e shenjtë, sepse kishin bazë shembullin e mësuesëve martirë të Kombit, të cilët dhanë jetën në mbrojtje të Gjuhës Shqipe.  Brezi im dhe brezat e mëparshëm figurën e mësuesit e kishin gati si perëndi, ngase vetë mësuesit ishin frymëzim dhe shembull ideal për nxënësit e tyre.  

Natyrisht është e pafund të trajtosh këtë temë profesionalisht, por duke qenë nxënëse dhe mësuese midis dy kontinenteve sjellë përvojën e madhe dhe dashurinë për dijen që na ngulitën mësuesit tanë heronj dhe vizionar.  Ka shume gjëra që kanë ndryshuar në botë, në arsim etj, por ajo që uroj të mos ndryshojë kurrë është si: “Mësuesit jane misionarë.  Nxënësit e mi nuk do të jenë vetëm nxënës, por edhe fëmijë dhe kurrë nuk do t’i harroj që për fatin e tyre edhe vetë mbajë një pjesë të përgjegjësisë.”

Kam krenari të ligjshme që këtë status e prek dhe e ndjeje në rrembat e gjakut tek mësuesit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në gjithë Nju Jorkun.  Kur ata i jane bashkuar programit të mësimit të Gjuhës Shqipe ndër shkollat “Alba Life” si në Staten Island, Brooklyn, Queens, Manhattan, Bronx, Online, e kanë pranuar me kënaqësinë më të madhe gjatë intervistes se: “T’ju mësosh nxënësve në Diasporë Gjuhën Shqipe nuk është punë për të mbajtur familjet, por eshte një shërbim humanitar, është mision kombëtar.”  

5 Tetor, 2021

New York

Filed Under: Kulture Tagged With: Keze Zylo

Nëse besojmë në OBSH (Organizatën Botërore të Shëndetësisë)

October 5, 2021 by s p

Dr. Zekri Palushi (MD)

Nuk due që të shkruj vazhdimisht rreth COVID-it, -por skandalet e lidhura me c’far na sërviret rreth këtij problemi janë duke u rritur vazhdimisht.

Autoritetet internacionale, media, dhe politikanët tonë, po na gënjejnë vazhdimisht. Fakti që versioni zyrtar i këtij eventi ngelet ‘tabu’, dhe i pa-diskutueshëm, -tregon se dicka s’është në rregull. Është një shenjë, që tregon se ka gjëra që ne, -populli i thjeshte, s’duhet ti dimë.

Të njëjtën strategji shofim të ndiqet, edhe në lidhje me fabrikimin e shkencës që i vishet “Ngrohjes Globale (Global Warming). Gënjeshtra ma e madhe në këtë drejtim, ngelet deklarata e tyre ku thuhet se: “97% e shkencëtarve pajtohen me atë që ndryshimi i klimes,(Climate Change), shktohet prej njerëzve”.

 Ndërkohë, në vitin 2010, -në Konferencën e Klimës në Cancun te Meksikës, (organizuar prej OKBs), -gjermani Ottmar Edenhofer, një nga ekspertet-aktivist më të njoftun në botë, ka thanë se: “Nuk është një Konferencë Klime, por është një nga konferencat ma të mëdha ekonomike, qysh prej Luftës së Dytë Botrore, -ne duhet të ç’lirohemi prej iluzionit se strategjia internacionale e klimës është një strategji environmentale, (pra e lidhur me ambjentin), -tashma Samiti i Klimës s’ka te beje pothuaj hiqfare, me strategji environmentale, por me transformimin e pasurise”.

Ndërsa, në lidhje po me kete teme, ish-ministrja e Ambientit të Kanadase, Christine Stewart, ka thëne se: “S’ka rëndësi, nëse shkenca rreth Ngrohjes Globale, është e gjitha fallc (jo e vërtetë), -Ndryshimi i Klimës na jep oportunitetin ma të madh, për të sjellë barazi dhe drejtësi ne botë”.

Një tjetër personalitet, – Maurice Strong, -ish zevenës-sekretar i përgjithshëm i OKBS, -(miliarder Kanadez), -ne vitin 1992 ka deklarue se: “Ne, ndoshta mund të shkojmë në atë pikë kur e vetmja rrugë për të shpëtuar botën, do të jetë që cilivizimi industrial të shkatrrohet plotësisht.“

Ndërsa shkencëtari i njohur dhe activist, -biologu Daniel Botkin, ka deklarue se: “Rruga e vetme për të ba njerezimin të ndryshojë vërtetë, është friksimi i tyre me një katastrofe të mundëshme”.

Rëndesinë dhe vertetësinë “shkencore” te “Ndryshimit të Klimës” e kuptojmë më së miri, -kur shofim se ndër “ekspertët” kryesor në kto konferenca, mbetet suedezia autistike 18 vjecare, -Greta Thunberg, -një nxënese shkolle, që megjithse pa asnjë kualifikim formal, -ftohet të japë leksione ne forumet ma t’larta organizative,(përfshi dhe OKBn), për problemet e  “Ndryshimit të Klimës”, dhe të COVID-19.

Po ky grup elitist, – do të mblithet me 31 Tetor, në Skoci (COP26), -nga ku do t’vazhdohet me gënjeshtra e kërcnime t’mëtejshme,-duke perdore COVID-19, si pretkst për ti dhënë një shtytje t’fuqishme, e përfundimtare, strategjise së “Ndryshimit të Klimës”.

Është pre-llogaritur që perfundimi i këtij plani, -do ti mundësoj ksaj elite, që të grumbulloje 300 miliard, e deri në 50 trilion dollar, -vetëm Australisë do ti kushtojë rreth 100 miliard dollar në vit.

Fatkeqësisht, shumë njerez dhe shtete mendojnë që pa-tjetër do te kenë pjesë në kto triliona, -në të vërtetë, ata gabohen rëndë. Unë mundë t’ju garantoj se nga kto triliona, as njerezimi, dhe as “Ndryshimi i Klimës”, nuk do të përfitojnë as edhe një cent. Premtimi i tyre për një ri-shpërndarje, do të mbetet si një nga premtimet e dikurshme të komunistëve shqipëtar,- se do të hanim me “lugë t’florinjta”.

Le të ri-kthehemi tek strategjia covidjane,-ku siq thashe, ndeshemi me të njëjtat gënjeshtra,-si në lidhje me vaksinat, ashtuedhe me mjekimin alternative. Guxo psh. t’përmendësh ivermectinen, dhe ju do ta shifni se social media do t’ju bllokojë menjëherë, -ndërsa Elita politike dhe media tradiconale (mainstream media), do t’ju etiketojnë me emra nga ma poshtruesit.

Ndërkohë, faktet tregojnë se ivermectina ka qenë në përdorim për ma teper se 30 vjet, -4 miliard doza janë përdorur me rrezultate të shkëlqyera, është në listën e ilaceve esenciale të OBSHs, dhe një nga ilacet ma t’përdorshme, dhe toleruse në botë. Zbulimi i invermectines i dedikohet professor Satoshi Omura, dhe biologut William Campbell, që në vitin 2015, moren çmimin Nobël. Ndërkohë, “elita mjekësore” -(s’mundet ta prononcoj as emrin e ktij ilaci), -porper te friksuar njerzit, i referohet si: “ilac krymbash per kuaj”.

Kjo tingëllon tepër qesharake,-sidomos kur mendon se gënjeshtrat e tyre, dhe/ose injoranca e tyre, rreth ivermectinës, -me dashje ose pa-dashje, është duke u ekspozuar nga vete Organizata Botërore e Shëndetesise, (OBSH).

Kohët e fundit, ne website-in e kësaj organizate thuhet se janë në Uttar Pradesh te Indise, – nje shtet me 210 milion banore.

Aty, ç’do mëngjes, nje grup/team prej dy vetësh, shkojnë ne fshatra te largeta të këtij shteti, duke trokitur derë-më-derë, për të testuar me Rapid Antigen Test Kits, ç’do njeri me shenja covidi. At’herë, t’gjithë ato që dalin positiv, izolohen menjëherë, dhe pastaj, së bashku me këshillat e tjera mjekësore, u jepet edhe një ‘Paketë Iaçesh’.

Por ç’farë ka në këtë paketë?

Quditërisht, -aty sëbashku me paracetamolin, Vitaminën C, Multivitaminën, Zinc, Vitaminën D3,-përfshihen edhe DOXYCYCLINA 100 mg, (10 tableta), dhe IVERMECTIN 12 mg, (10 tableta).

Si rrezultat i këtij mjekimi, Uttar Pradesh, -(pamvarësisht përqindjes së ultë të vaksinimit) praktikisht ka eleminuar infeksionet e COVID-19. Kjo mund të verifikohet fare lehtë, nëse krahasojmë këtë shtet, me një shtet tjeter Indian, -Karala, me një popullsi prej 35 milon banorësh, -ku megjithse 25% e popullsisë është e vaksinuar, -rraporton c’do ditë afërsisht 31,445 raste te reja infektimi, -arsyja? nuk lejojnë përdorimin e kësaj Paketë Mjekimi! Ndersa, Uttar Pradesh, -(që e perdorë këtë Paketë Mjekimi), megjithse ka një përqindje shumë ma të ultë vaksinimi, rraporton ç’do ditë rreth 22 raste të reja infektimi. (keni para-syshë dhe ndryshimin e madh të numërit të popullsisë, në mes dy shteteve).

Pra, vetëm nga ky shembull, gjithkush mund ta gjykojë vetë efektivitetin e lartë të këtij ilaçi, që vazhdon të jetë nën persekutimin e elitës, -kuptohet, – per interesat e sajë.

Prap-se-prap, -pavarësisht ktij konkluzioni tepër llogjik, -kjo Paketë Ilaçesh, nuk lejohet të përdoret as në Australi, e as në shumë vende të tjera të botës.Po pse ? -Ne dimë që globalistët, dhe big-farma, kane shume perfitime prej angazhimit me vaksinat. Janë qindra milliard dollar, (‘free money’), për ti ndarë n’mes tyre. Po kështu, ata jo vetëm që janë të ç’veshur nga çdo përgjegjësi ligjore, por kanë fituar edhe kredibilitet politik, duke friksuar njerëzit, në emër të “mbrojtjes së tyre” nga covidi.

Dhe për sa-kohë covidi do t’vazhdojë të jetë n’mes nesh, (përgjithmonë), -ata do t’vazhdojnë të pasurohen. Ne kete rast ja vlen t’përmendi edhe një anti-viral me emrin MOLNUPIRAVIR, që megjithëse mund të vijë vitin tjetër në qarkullim, -propagandimi i tij ka filluar që tani, -një kuro e tij, konsiston në 10 tableta, -(1tab, dy herë në ditë, për 5 ditë), -kushton 700 dollar Amerikan,-ndërsa një kuro me Monoclonal antibodies, (Sotrovimab), kushton rreth 2.100 dollar. -Në kontrast me kto ilaçe, qëndrojnë ivermectina dhe hydroxychloroquina, qe s’janë aspak inferjor, dhe kushtojnë jo ma shumë se 50-60 dollar per kuro. Mos harroni se fabrika ma e madhe, (e dyta ne bote), për prodhime farmaceutike, (ndër to, Hydroxychloroquine), në Tajvan, mori zjarr, dhe u dogj krejt, në Dhjetorin e shkuar!!!

Nga ana tjetër, -qytetarve ju ofrohen stimuj tëndryshem në nxitje të bërjes së vaksinave, -një stimul të tillë e shofim edhe në Australi, -ku organizata “Milion Dollar Vaccine Alliance” -ofron 1.000.000 dollar -llotary, që mund të fitohet nga t’vaksinuarit. Kjo taktikë na detyron të ri-perserisim fjalet e Mark Twain, “Mijtë bien në kurthin e mijëve, mbasi s’arrijnë të kuptojne pse aty djathi është falas”.   

Me këtë, une s’dua të them se covidi s’është rreal. S’kam asnjë dyshim se covidi është një virus,-natyrisht i rrezikshëm. Rrezikshmëria e tijë mund të krahasohet me një gjëndje gripale të rendë,(influenza), -veçanërisht për ato të sëmurë me rrisqe të ndryshme. Për të ilustruar këtë, po permendi të dhëna statistikore të freskta, të Byrosë Australiane të Statisikave, -ku analizohen vdekjet, dhe shkaqet e tyre për vitin 2020. Aty thuhet se: vitin e shkuar, në Australi kanë vdekur nga shkaqe të ndryshme 161.300 njerez, -nuk po ndalem në detaje te numrit të vdekjeve sipas shkaqeve, -por, nga COVIDI rraportohen vetem 898 vdekje, (ndersa nga Influenza/gripi i zakonshem, rraportohen 2.287 vdekje, -dhe nga rrëximet aksidentale rraportohen 3.395 vdekje, -e kështu vazhdohet me rradhë),….ku del se vdekjet nga COVID-19, rrjeshtohen në vendin e 38.

Ndërkohë ja vlen t’permendim Melburnin, (me një qeverisje tepër te majte,-të tipit socialist), që sot, (4 tetor), “festoon” shpalljen e kampionit botëror për lockdowns, (246 dite, dhe prap vazhdojnë të jete në lockdown), -ktu kanë ndodhur 89% të vdekjeve nga covidi. 

Një lajm optimistik vjen prej zv.presidentit të Komisionit të Barazisë/të së drejtës në Punë, (Fair Work Commision),- Lyndall Dean, -i cili me 27 Shtator 2021, -ndër të tjera thotë se: “Australiant duhet të kundershtojnë me vigorozitet censorizimin e vazhdueshëm të c’do pikpamje që vë në pik-pyetje strategjitë e deri-tanishme në lidhje me covidin. Shkenca s’ështe ma shkencë, nqs njerezit s’lejohen ta diskutojnë atë”.

Situatat e krijuara deri m’tani, -si për “Ndryshimin e Klimës”, ashtu dhe për “Pandeminë Covidjane”, duhet t’na zgjojnë ndërgjegjen tonë, -vecanërisht në dritën e thënjes së Bertolt Brecht, (1898-1956) -i cili, edhe pse ishte me ide komuniste, formuloj shumë mirë thënjen e tijë: “Kush nuk e dinë të vërtetën, është thjeshtë një budalla, por kush e dinë të vërtetën dhe e quan atë gënjeshter, është një kriminel”, -kjo një thënje tepër aktuale për ditët e sotme, -kur njerëzit e kanë shumë të vështire të dallojnë t’vërtetën nga gënjeshtra.

Dr. Zekri Palushi (MD)

Bashkpunëtor i gazetës Dielli, për rubrikën Këshilla Mjekësore

Australi, 4 Tetor 2021

Filed Under: Komunitet Tagged With: Vatra, Zekri Palushi

SHUHET KOSTA GRILLO, UNIONI I GAZETAREVE MESAZH NGUSHËLLIMI

October 5, 2021 by s p

Pas 55 ditësh, në gjendje të rëndë dhe nën regjim të fortë intubimi, gazetari i shquar sportiv Kosta Grillo 59 vjeç, mposhtet nga COVID-19.Ndahet në moshën e energjisë së madhe, profesionisti i mikrofonit dhe komentit sportiv, gazetari që ndau mbi dy dekada emocione dhe raportime speciale për sportdashësit dhe audiencën shqiptare. Birii i vetëm i shkrimtarit të famshëm Odise Grillo nga Vunoi i Himarës, ndërroi jetë mëngjesin e ditës së sotme në Stamboll, në një nga spitalet e njohura.Largimi i parakohshëm nga jeta i Kosta Grillos është humbje e pazëvendësueshme për bashkëshorten e tij Ledi dhe dy djemtë, si dhe për motrën e vetme Ani Grillo.Kosta Grillo do të mbahet mend si kolegu i dashur, energjik, i sinqertë dhe i drejtëpërdrejtë. Kosta Grillo ishte qytetari që me kurajo dhe çiltërsi u përball me rryma të ndryshme në jetë. Ai refuzoi qytetarisht çdo tendencë dhe shfaqje anti-humanizmi, nacionalizmi. Qytetaria e tij shfaqej shpesh si vlerë e njeridashjes. Cilësitë dhe virtytet që mishëronte ishin të pakrahasuara. Në mediat audiovizive shqiptare, Kosta Grillo la një zë të fuqishëm, me timbër dhe ngarkesë të përhershme emocionesh si dhe solli për vite të tëra një raportim të rrjedhshëm, të sigurt dhe pasionant. Ai u ushqye me shkollën italiane të artikulimit radiofonik dhe pasuroi më shumë cilësitë e veta prej profesionisti duke iu referuar përvojave fqinje greke, serbe e më tej franceze e spanjolle. Komentet e tij radiofonike dhe televizive për kampionatet e futbollit, si ato kombëtare ashtu edhe ato europiane dhe ndërkombëtare në përgjithësi, përbëjnë një aset të traditës sonë të re në gazetarinë sportive. Gazetari Grillo ishte koleg dhe mik I dashur me gjithë komunitetin e gazetarëve sportivë dhe më gjerë në Shqipëri dhe në shumë vende të ndryshme të botës. Ikja e parakohshme e tij nga jeta sjell një moment pikëllimi për gjithë miqtë e kolegët e tij, por veçanërisht për familjen e tij të dashur.U prehsh në paqe miku dhe kolegu ynë I shtrenjtë Kosta!

Ngushëllime familjes Grillo!

Zyra informuese

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Filed Under: Opinion Tagged With: Kosta Grillo, Unioni i Gazetareve

Ligjvënësit amerikanë i bëjnë thirrje Presidentit Biden të angazhohet për zgjidhjen e tensioneve Kosovë-Serbi

October 5, 2021 by s p

VOA

Grupi i Çështjeve shqiptare në Kongresin amerikan u bëri të hënën thirrje Presidentit Joe Biden dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, që të dyfishojnë vëmendjen e Shteteve të Bashkuara në zgjidhjen e tensioneve Kosovë-Serbi si edhe i kërkuan administratës të shtojë angazhimin për një zgjidhje përfundimtare mes dy vendeve.

Kërkesa e bërë përmes një letre dërguar zotit Biden dhe zotit Blinken, vjen si rezultat i atij që ligjvënësit e quajnë përshkallëzimin e fundit mes Kosovës dhe Serbisë.

“Javën e fundit u shfaq një situatë shqetësuese si rezultat i një mobilizimi ushtarak në kufi, duke kërcënuar stabilitetin e pasigurt në rajonin e Ballkanit. Duke pasur parasysh forcën joproporcionale të forcave të armatosura të Serbisë, ne ju bëjmë thirrje që të ripërtërini angazhimin e Shteteve të Bashkuara për t’u siguruar që aleati ynë Kosova të marrë trajtim të drejtë dhe njohje si vend i pavarur”, thuhet në letrën e ligjvënësve amerikanë.

Ata shtojnë se të dielën, tensionet u përshkallëzuan kur avionët luftarakë serbë fluturuan pranë kufirit Kosovë-Serbi.

Duke iu referuar zbatimit për reciprocitetin e targave, grupi për çështjet shqiptare, që ka si bashkëkryetarë anëtarët e Kongresit Ritchie Torres the Jim Hines, thotë se masa e Kosovës u mor pas dhjetë vjetësh që Serbia e ka ndërmarë këtë veprim.

Qeveria e Kosovës kishte vendosur se që nga 20 shtatori, makinat që hynin nga Serbia në Kosovë, duhet të merrnin targa të përkohshme, njësoj sikundër veprohej në Serbi me makinat nga Kosova. Ajo dërgoi atje njësitë e posaçme për të siguruar zbatimin e vendimit.

“Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008, Serbia ka refuzuar ta njohë Kosovën si një komb të pavarur. Kjo reflektohet në një marrëveshje, në të cilën Serbia lejoi vetëm automjetet që shfaqnin targa me “KS” (Kosovë) dhe refuzoi hyrjen në automjetet që tregonin targa me “RKS” (Republika e Kosovës)”, thuhet në letrën e ligjvënësve.

Pas vendosjes së kësaj mase, tensionet përfshinë veriun e Kosovës pasi serbët lokalë dhe Beogradi reaguan me zemërim. Protestuesit serbë vendosën barrikada në rrugë, duke bllokuar dy pikëkalime kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, ndërsa Beogradi ngriti shkallën e gatishmërisë ushtarake.

Forcat policore dhe ushtarake serbe u mobilizuan përgjatë kufirit Kosovë-Serbi.

“Shumica, nëse jo të gjitha pajisjet ushtarake serbe të përdorura u siguruan nga Rusia, aleati më i ngushtë i Serbisë. Ambasadori rus në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko, vizitoi kufirin më 26 shtator 2021, së bashku me ministrin serb të mbrojtjes Nebojša Stefanović dhe shefin e shtabit të ushtrisë serbe Milan Mojsilović, çka shihet si një përligjie dhe mbështetje e mëtejshme e taktikave të Serbisë”, thuhet në letër.

Më 30 shtator, palët arritën në Bruksel një marrëveshje trepikëshe, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, pika e parë e së cilës parashihte atë që edhe ndodhi gjatë të shtunës– largimin e barrikadave dhe njësive të posaçme të policisë nga vendkalimet kufitare.

Nga mëngjesi i së hënës, shenjat shtetërore të targave të makinave që hyjnë nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas, mbulohen me letër ngjitëse, duke shënuar edhe fillimin e zbatimit të pikës së dytë të marrëveshjes së javës së kaluar.

“Ne jemi të inkurajuar nga marrëveshja e përkohshme për parandaloni një shpërthim tjetër, por kërkojmë që ju dhe Administrata juaj të bëni gjithçka që mundeni për të mbështetur përpjekjet që mund të çojnë në një paqe të qëndrueshme midis Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në letrën e anëtarëve të Kongresit.

Ata nënvizojnë se Serbia ka kërkuar vazhdimisht të minojë legjitimitetin dhe sovranitetin e Kosovës dhe bëjnë thirrje që Shtetet e Bashkuara “duhet të vazhdojnë të qëndrojnë me aleatin tonë Kosovën”.

“Ne ju bëjmë thirrje që të dënoni përshkallëzimin e fundit të tensioneve dhe mobilizimin ushtarak serb, si dhe inkurajojmë administratën tuaj që të bashkohet me partnerët tanë në BE dhe NATO, për të mbështetur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një zgjidhje paqësore dhe përfundimtare”, vazhdon letra.

Përveç bashkëkryetarëve të grupit të çështjeve shqiptare Torres dhe Himes, letra është nënshkruar edhe nga anëtarët e këtij grupi: Elissa Slotkin, Joe Courtney, Mondair Jones, Carolyn B. Maloney dhe James P. McGovern.

Filed Under: Featured Tagged With: Biden, USA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT