• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2021

Fahrije Hoti një model si ndërtohet dhe çohet vendi përpara

December 30, 2021 by s p

Dr. Sadik Elshani

Reflektim

Ka kohë që kam dëgjuar për historinë e dhimbshme të Fahrije Hotit, një grua nga Krusha e Madhe që përjetoi një tragjedi familjare nga forcat barbare serbe, të cilat ia vranë bashkëshortin e saj, ende i pagjetur. Në këtë masakër të tmerrshme forcat serbe vranë e masakruar 241 persona, kryesisht burra e djemë të rinj. Për këtë masakër është shkruar mjaft, prandaj nuk do të zgjatemi më tepër në këtë shkrim, por do të përqëndrohemi në figurën e zonjës Fahrije Hoti, një grua tipike shqiptare, e cila nuk u dorëzua para sfidave, vështirësive të jetës. Edhe pse ajo është viktimë, me forcën e karakterit të saj, këmbënguljen për të ngadhnjyer mbi të keqen, ajo nuk e lejoi veten që të viktimizohet, të përkulet para dallgëve të jetës, të ligësohet, të bie në depresion. Nuk priti që qeveria të kujdeset, të bëjë diçka për të dhe familjen e saj. Iu ppërvesh punës, së pari duke u kujdesur për bletët, por kur kjo nuk mjaftonte, atëherë ajo filloi të përgatiste ajvar, turshi, duke i shitur këto prodhime nëpër qytetet e Kosovës. Fal punës dhe përkushtimit të saj, ajo e ka zgjeruar biznesin e saj, ka punësuar 50 – 100 gra të veja dhe ka krijuar një kooperativë të suksesshme, ku shumë prodhues i sjellin perimet e tyre të kontraktuara më parë.  

Prodhimet e Kooperativës Krusha në supermarketet e ShBA-ve

Prodhimet e saj nuk shiten vetëm në tregun Kosovar, por edhe në shumë vende të botës. Para disa ditësh shkova në një supermarket në Philadelphia (qytet ku unë jetoj) ku herë pas here blej artikuj ushqimorë, dhe aty i pashë edhe prodhimet e kooperativës së Fahrijes, domate turshi. Në raste të tilla nuk ke sesi të mos ndihesh krenar për prodhimet që sjellin erën e vendlindjes dhe mundin e djersën e bashkëkombësve të tu. Po, ndoshta ky është një prodhim i thjeshtë, por megjthatë është një prodhim që është prodhuar në Kosovë dhe ka dëpërtuar në tregun amerikan. Prodhime të tilla di të bëjë Fahrija dhe pse të mos e shfrytëzojë, aftësinë, mjeshtërinë e saj. Bujqësia dhe industria ushqimore janë degë të rëndësishme të ekonomisë. Më kujtohet një artikull me titull: “Tehnologija kiselog zelja” (“Teknologjia e lakrave turshi”) në të përditshmen e Zagrebit, “Vjesnik”, në mesin e viteve të 80-ta të shekullit të kaluar. Ka kaluar tani një kohë e gjatë, por ende më kujtohet thelbi i atij shkrimi: Nëse ne prodhojmë lakra turshi të cilësisë së lartë, atëherë,pse të mos ia shesim këtë teknologji Evropës, pse të mos i plasojmë këto prodhime në tregun evropian – këtë dimë, këtë të bëjmë.

Shpirti sipërmarrës i qytetarit

Të shpresojmë se ndërmarrja e Fahrije Hotit të zgjerohet e të bëhet një kombinat i suksesshëm e prodhimtar. Shumë kompani gjigante amerikane (Macrosoft, Apple, Aldrich e shumë të tjera) janë krijuar nëpër bodrume, garazha. Jnë krijuar nga njerëz këmbëngulës, të përkushtuar e vizionarë. E tillë është edhe Fahrija, një grua me arsim fillor, por që është mjaft e artkuluar, flet qart e me një fjalor të pasur. Nga një viktimë është bërë frymëzim, duke u bërë një forcë e zhvillimit të fshatit të saj. Ka shumë njerëz që mund të bëjnë diçka, por u mungon vetëbesimi, këmbëngulja e përkushtimi. Presin që dikush të bëjë diçka për ta. Shembulli i Fahrijes t’u shërbejë edhe të tjerëve si model suksesi, Ka edhe shumë shembuj të tjerë suksesi anembanë Kosovës. Zoti Avdullah Krasniqi ka krijuar një fermë bio të tipit zvicëran në fshatin malor, Maqitevë,  të Suharekës/Therandës. Ai ka punuar si punëtor i thjeshtë në një fermë zvicërane dhe aty e ka fituar përvojën e tij, aty e ka parë se një gjë të tillë mund ta bëjë në fshatin e tij, në tokën e tij, ku ai do të jetë pronari që punon për veten dhe familjen e tij dhe jo për dikë tjetër. Ai Zvicrën e ka sjell në Kosovë, Janë këta njerëz të përkushtuar me shpirt sipërmarrës (entrepreneurial spirit) që e zhvillojnë e çojnë përpara vendin, prijnë dhe nuk presin asgjë nga dikush tjetër. Qeveria i ka detyrimet e veta: mbrojtjen e vendit, sigurimin e rendit publik, infrastrukturës, energjisë elektrike, krijimin e një klime të volitshme për investime, etj. Por, as në vendet më të zhvilluara qeveria nuk mund t’i bëjë të gjitha, edhe qytetarët i kanë detyrimet, përgjegjësitë e veta. Më 8 mars të këtij viti, 2021, u përurua objekti i ri modern i Kooperativës Bujqësore Krusha, i ndërtuar me ndihmën e BE-së, bizneseve kosovare dhe vetë grave të Krushës. Ky objekt është i pajisur me makineri e teknologji të re dhe ka hapësirë të mjaftueshme për kapacitetet prodhuese të kësaj ndërmarrjeje.

Filmi “Hive” (“Zgjoi”) pasqyrim artistik i historisë së Fahrijes

Historia e Fahrijes, kjo histori e dhimbjes, vuajtjeve, por edhe qëndresës, mbijetesës e ngadhnjimit mbi të keqen është bërë edhe subjekt i filmit të suksesshëm, “Zgjoi” (“Hive”). është një rrëfim që i bën nder Kosovës dhe gruas qëndrestare shqiptare.Gjer më tani nuk e kam patur mundësinë që ta shoh këtë film, por i kam shikuar disa fragmente në YouTube. Fahrija përveç vështirësive të jetës të shkaktuar nga barbaria serbe, ajo ballafaqohet edhe me paragjykimet e kundërshtimet e shoqërisë patriarkale kosovare. Burrat jo vetëm që nuk e ndihmojnë atë, por bëjnë çdo përpjekje për ta penguar në çuarjen përpara të ndërmarrjes së saj. Ata mendojnë se gruaja duhet të ulet në ulësen e pasagjerit (udhëtarit) dhe jo atë të shoferit. është një skenë e këtij filmi ku Fahrija shpërndanë prodhimet e veta me makinë, ndërsa burrat ulur rreth tavolinës në një kafene e shikojnë atë me mëri, urrejtje. Kur i shikon ata burra ashtu, që nuk e çajnë fare kokën për asgjë, në mend menjëherë të vijnë vargjet e Çajupit: “Burrat nën hije, lozën, kuvendojnë”. Emri i filmit nuk lidhet vetëm me faktin se Fahrija merret edhe me bletari, por ai ka edhe simbolikën e vet, lidhet me ndërmarrjen, kooperativën e Fahrijes, që është shndërruar në një zgjua të vërtetë ku duart e vyeshme të grave krushjane përgatisin prodhime cilësore, ajvar e turshi. Për momentin filmi është duke rrugëtuar drejt “Oskarit” dhe të shpresojmë se do ta fitojë këtë çmim prestigjioz, sepse historia e Fahrijes është një rrëhim i kësaj kategorie, këtij niveli: ngerthenë dallgët, sfidat, dramat, tragjditë dhe bukurinë e jetës.

Suksese e punë të mbarë!

Philadelphia, më 29 dhjetor, 2021

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Komunitet

KUJTESË PËR 81 VJETORIN E VDEKJES TË AT GJERGJ FISHTËS

December 30, 2021 by s p

(30 Dhjetor 1940- 30 dhjetor 2021)

Nga NDUE  BACAJ

Me 30 dhjetor të vitit 1940, në  Shkodër  do të perhapej   lajmi i  zi i vdekjes së njerit prej koloseve më të medhenjë të fjales e vepres, At Gjergj Fishtes . “Yndyra” e intelektualizmit , nacionalizmit , por edhe i qytetarisë  së thjeshtë të Shkodrës , Malesisë e  Shqiptarisë do të “vishej” në zi , per  humbjen e  njëres nga mendjet më të ndritura të letersisë , artit , historisë , filozofisë , enciklopedisë , publicistikes , satires , diplomacies e mbi të gjitha të patriotizmit, patriotizmin  e të cilit e gjejmë të memorizuar në çdo hap të jetës , në çdo varg të rreth  50.000 vargjeve të tij poetike dhe në mbi  700 faqe në prozë ,  në mediat  e shkruara  ,  në parlament , në poltiken shqiptare të kohes , në konfernca  e  perfaqësime dinjitoze zyrtare e jozyrtare , kombetare e nderkombëtare  të Shqiperisë… Vlen të shënohet se arkivoli i përmotshëm i At Fishtës ishte mbuluar me Flamurin autentik të Dedë Gjon Lulit të pa shenja robnie, në një kohë kur flamurit tonë kombëtar (pas pushtimit fashist Italian) i  ishin shtuar  dhunshëm simbolet e fashizmit. Pranë arkivolit do t’i  rrinin shumë nga Franceskanët e mëdhenj që bënë epokë…Ndersa fjala e fundit në këtë cermoni mortore u mbajt nga Prof. Aleksander Xhuvani (31 dhjetor 1940). Megjithë këtë unë zgjodha të shoqëroj këtë kujtesë të 81 vjetorit të vdekjes të At Gjergj Fishtës, fjalën e shkëlqyer e domethënëse që mbajti miku i Fishtës, kleriku i nderuem, publicisti e  patrioti HAFIZ ALI KRAJA, fjalë nga e cila citoj: 

“POET KOMBËTAR, O  PATËR GJERGJ.! Një orator, tue dashtë me folë mbi veprat Tueja, rrin shtang e hutohet, sepse ata janë shumë, janë aq të mëdhaja e të madhnueshme, sa asht vështirë me caktue se mbi cilën aso veprash duhet me folë. Vepra Yte o Poet, ka për të formue nji  faqe të shkëlqyeshme në historinë politike të kombit shqiptar, pse, në aktivitetin që ke zhvillue ndër konferencat  politike  ndërkombëtare, nuk kje tjetër veçse me i sigurue kombit tonë të drejtat, qi ai i ka jetike e si ma i vjetri komb në Ballkan. Shkrimtarët e ardhshëm të historisë shqiptare jetën tande politike do ta gjykojnë në bazë të “Lahutës së Malcis”  kryevepra  jote monumentale. Të jesh i bindun o Poet i Madh, se shqiptari me “Lahutën e Malcis” ka për të qenë gjithmonë kryenaltë, siç janë helenët me Iliadën e persianët me Shahnamenë, mbasi, ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psiqikën e karakteristikat ma të ndjeshme të popullit shqiptar. Sot djelmnia intelektuale me “Lahutën…” Tande në dorë të nep besën shqiptare tue t`u betue se idealin Tand të naltë që shprehe për kombësinë shqiptare, do ta ruejnë e do ta mbajnë si gja të shenjtë morale. Gjithashtu edhe populli  mbarë, i fushave dhe i maleve, anë e kand  në Shqipni sot nep besën, se “Lahuta…” e jote në shpirtin e tyne do të sundojë sa të jenë stinë e mote. Trima e gra, djelm e vajza, me fjalën shqiptare të napin besën, se vllaznimi kombëtar, që ti çfaqe në “Lahutë…”, do ta mbajnë me forcë të madhe… Me Ty, patër Gjergj, kombi shqiptar mburret, naltësohet dhe madhnohet para  popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet; djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot në faqe të përcjellim me mallnjim e dhimbje në jetën e pasosun”. (https://telegraf.al/hafiz-ali-kraja-nderi-i-fesë-dhe-krenaria-e-kombit-shqiptar).

SIÇ ËSHTË BËRË TRADITË NË KËSO KUJTESASH , MENDOVA TË CITOJ PAK NGA CURRICULUMI I AT GJERGJ  FISHTËS :

At Gjergj Fishta lindi me 23 tetor te vitin 1871 në Fishtë  të Zadrimes , ose në Sapen e Shenjt historike , në shtepinë plot atdhedashuri e filiza të njomë (femijë) të Ndokë Simon Ndocit  dhe bashkeshortes së tij Prenda Lazri. Femijrinë e parë Zefi i vogel (apo famulltari i ardheshem At Gjergji)  e kaloi në  katundin e vetë Fishtë , në mes  tufave të bagetive dhe luleshqerrave ,në mes tregimeve , prrallave  ,por edhe në mes ninullave dhe kengeve të trimerisë ,që në pergjithsi mesoheshin pranë votrës ,shkollës epike të trashigimisë historike nga njeri brez në tjetrin… Fishten e vogel e futen në seminarin e Shkodres, e pastaj në atë të Troshanit ,që u hap nga austrohungarezet…Kuvendi Françeskan e dergoi Fishtën në vitin 1886 për studime teologjike e filozofike, të cilat i perfundoi në  Manastirin e Livnos e të Sutiskes në Bosnje. Me 25 shkurt 1894 celebron meshen e parë ,dhe njëkohësisht fillon rrugën e bukur, por të veshtirë e me privime të meshtarisë në vendin e tij…Shqipëri.        At Gjergj Fishta sa ishte gjallë botoi mbi 20 vepra origjinale, si dhe ka  lënë në dorëshkrime dhjetra të tjera (që do të botoheshin më vonë). Por një kontribut të çmuar Fishta ka dhënë edhe në publicistikë, ku kjo është e pasqyruar në mbi 50 organe shtypi të kohës, madje disa prej tyre të themeluar e të drejtuar po nga ai vetë me në krye Hyllin e Dritës. Vepra madhore e Fishtës kishte marrë vlerësime të rëndësishme të kohës, ku u përfshin në “fondin e Artë” të leteraturës Botërore, duke vënë epitete “superlative” si për: “Lahutën e Malësisë” – Iliada e shqiptarëve, dhe ungjilli i shqiptarizmës, për “Mrizin i Zanave” e “Vallen e Parrizit” – Gëtja Shqiptar, për “Judën Makabe” e “Jorinën” si Shileri shqiptar, për “Anzat e Pernasit” e “Gomarin e Babatasit” u mbiquajt Juventali… “Lahuta e Malësisë” u përkthye në Italisht, Gjermanisht, Anglisht e tjerë duke u bërë kështu pjesë e pandarë e artit, kulturës e qytetërimit Europian e më gjerë. Duke e konsideruar si të tillë këtë vepër shqiptarie e më gjerë, Fishta nderohet nga institucionet shqiptare e të huaja me një sërë dekoratash, çmimesh e titujsh, kombëtar e ndërkombëtar… At Gjergj Fishta është shqiptari i Parë i propozuar për çmimin Nobel. Në vitin 1939 e bënë anëtar të Akademisë Italiane e tjerë… At Fishta ka qënë kryetari i kongresit të Manastirit 1908, ka perfaqësuar Shhipërinë në konferenca ndërkombëare , ka “ndërmjetësuar” vendosjen e mardhenieve diplomatike (me 1922) të Shqipërisë me SHBA-n, ka qënë deputet dhe njëri ndër zërat më të fuqishëm të parlamentit, dhe më kritik të qeverisë , ministrave të asaj kohe, dhe çdo fenemoni apo çfaqje autokratike e kundër interesave të shqiptarëve… Por për “çudi” kur vepra e Fishtës ndalohej në atdheun e tij që e kishin marrë në dorë dreqnit e kuq (komunistët) 1944-1991, nëpër universitetet e Europës  ajo studiohet përkrah veprave të Homerit, Dantes, Gëtes e tjerë, duke u realizuar kështu edhe fjalët e Gjonit, Apostull e Ungjilltarë që thotë: Vetë Jezusi tha se asnjë Profet nuk Nderohet në Vendin e Vet”… Ndërkohë më e keqja do të ndodhte nga komunistet shqiptar kur perveç  ndalimit të vepres (per tu bërë qjefin Moskës e Beogradit), në vitin 1967 do ti tretnin edhe eshtrat e tij ,(thonë në lumin Drin…) së bashku me eshtrat e trimit të urtë Dedë Gjon Lulit e tjerë.. Në vitet e demokracisë disa pushtete vendore, duke perfshirë ( edhe Bashkinë e Malësisë së Madhe , me rastin e 150 vjetorit të Lindjes  të At Gjergjit) e kanë nderuar (pas vdekjes) me titullin më të lartë vendor “Qytetar Nderi”. Ndersa (ish) presidenti i Republikës së  Shqipërisë (Alfred Moisiu) me 28 nëntor 2002 i ka  akorduar At Gjergj Fishtës , dekoratën më të lartë “NDERI I KOMBIT”… 

  (VOO: Me rastin e 150 vjetorit të lindjes të At’Gjergj Fishtës unë autori i kësaj kujtese , kam publikuar monografinë me 232 faqe me titull: At’Gjergj Fishta, Patrioti i madh pendartë i kombit shqiptar – Në vend të një monumenti nga një malësor. Botimi i kësaj monografia është bërë i mundur nga sponsorizimi i  Shoqatës Atdhetare “Malësia e Madhe”, Michigan-SHBA). 

Filed Under: Kulture

KOSOVË – LIRI E PËRJETSHME NË PREKAZ

December 30, 2021 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

Sot, në 30 vjetorin e sulmit të parë më 30 dhjetor 1991 të forcave okupatore serbe në Prekaz në familjen e Komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari, Gazeta DIELLI e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA risjell nga korrespondenti i saj  në Kosovë reportazhin që ka shkruar në mbrëmjen e 31 janarit 2010, i botuar atëherë  në 1 shkurt  te Agjencia Shtetërore Zyrtare e Lajmeve e Shqipërisë – Agjencia Telegrafike Shqiptare:

REPORTAZH

KOSOVË – LIRI E PËRJETSHME NË PREKAZ

Dëbora, si një bardhësi paqeje, e ka mbuluar Prekazin, fshatin i cili 12 vjet më parë, më 5 mars 1998, u përball me egërsinë emakinerisë luftarake serbe kundër shqiptarëve, familjes së Jasharajve të fortifikuar në kulla për të mbrojtur pragun e shtëpisë dhe Kosovën.

Mbi kullat legjendë valëviten dy flamuj kombëtar shqiptarë si në majën më të lartë të botës, të lavdisë, heroizmit, të sakrificësës e flijimit për liri. Flamuri kuqezi valon edhe lart në një kodrinë, ku prehen në amshim 60 heronj e dëshmorë të rënë në epopenë e Jasharëve, Prekazit, Drenicës, Kosovës dhe gjithë shqiptarëve. Pranë varrezave memorial, ngritur me mermer të bardhë, qëndrojnë në nderim të përhershëm ushtarët e forcës kosovare.

Ky është imazhi i parë nga Prekazi në prag të dyvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, 17 shkurtit.

Historia tregon se Jasharajt e Prekazit janë sulmuar tre herë. Sulmi i parë ishte më 30 dhjetor 1991, ndërsa i dyti më 22 janar 1998. Të dy herët sulmuesit u thyen dhe zmbrapsën para qëndresës heroike.

Sulmi i tretë i forcave serbe ishte ushtarako-policor, luftë kundër një familje.

Gjatë rezistencës, më 5, 6 e 7 mars 1998, plot tri ditë e dy netë, ranë heroikisht 20 anëtarë të familjes Jashari, prej 22 që ishin në rrethimin e forcave serbe. Ndër të rënët ishte edhe komandanti legjendar Adem Jashari. Shpëtoi djali i dytë i Rifatit, Bashkimi, dhe vajza e Hamzës, Besarta. Ndërsa në familjen e gjerë Jashari kanë rënë 56 dëshmorë. Mes tyre nëntë fëmijë dhe disa të moshuar deri 93-vjeç…

Kryefamiljari Rifat Jashari, në odën e tij kujton si i ka përjetuar ato ditë dramatike, i ndodhur atëherë jashtë vendit, në Gjermani, bashkë me të birin, Muratin dhe Lulëzimin e Bekimin, djemtë e Ademit dhe Hamzës.

“Do mbesim veç ne katër, pata thënë atëherë, atë ditë që ka krisë në Prekaz…”, thotë Rifati, i cili tregon se kishte bërë telefonata të shumta në Mitrovicë, Vushtrri, Prishtinë, Skënderaj… dhe kishte marrë versione të ndryshme për luftën e familjes së tij në Prekaz.

“Të vertetën drejt ma tregoi vetëm Sabit Istogu, që ishte shok i Hamzës”, vazhdon Rifati rrëfimin . “Rash në lidhje me Sabitin…Edhe m’u drejtua: Bac, kullat po i bombardojnë. Jemi në rreth të hekurt, tank pas tanku”.

Baca Rifat e vazhdon rrëfimin, flet për përtëritjen e familjes dhe të jetës, për njëmbëdhjetë fëmijtë e lindur pas zjarrit të madh të luftës, të cilët mbajnë emrat e të rënëve.

“Shpëtuan dhjetë anëtarë të familjes. Prej dhjetëve numri shkoi në 25. Që dy orë isha duke luajtur me fëmijët nëpër oborr… E çka po do pasuri më të madhe. Unë për veti pasuri më të madhe nuk di. Njëmbëdhjetë fëmijë i ka falë zoti, cilin ta kqyrësh më i shëndoshë se shoqi”.

Njeriu i familjes që ka dhënë 56 heronj e dëshmorë për lirinë e pavarësinë e Kosovës, thekson nderimin e madh e të gjithmonshëm të kombit.

“E falënderoj këtë popull, prej të gjitha viseve shqiptare, kudo që jetojnë, që kurrë nuk ka lënë vetëm…”, thotë Rifati.

Dhe, në veçanti, kryefamiljari i Jasharëve flet për Shqipërinë.

“Nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, e më duket edhe nga secili fshat i Shqipërisë, kanë ardhë në këtë odë për të na uruar kur Kosova shpalli pavarësinë. Kanë ardhur edhe shumë herë të tjera…”

Rifati i Jasharëve të Prekazit kujton me shumë mirënjohje ndihmën e gjithmonshme të Shqipërisë për Kosovën edhe në kohët më të vështira të luftës, kur strehoi shumicën e rreth një milion shqiptarëve të dëbuar. Nuk thotë kosovarëve, se “komb kosovar s’ka”.

“Po mos të mos ishte shteti amë nuk e di ku do ishim sot. E gjithë Shqipëria i priti vëllezërit e motrat nga Kosova”.

Ai vlerëson lart të gjitha angazhimet e shtetit shqiptar, edhe në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë, edhe tani me mbështetjen e diplomacisë shqiptare drejt njohjeve të reja.

Nga oda e Jasharëve në Prekaz Baca Rifat jep mesazhin se Kosova, edhe udhëheqësit e saj, edhe të gjithë, duhet të punojnë edhe më shumë për Kosovën e kombin.

“I lumi është ai që punon për komb të vet, për vend të vet…”, thotë ai.

Ai jep edhe mesazhin për unitet të shqiptarëve kudo që janë për çështjet madhore, për bashkëpunim mes partive, pozitës dhe opozitës.

Kryefamiljari tregon se në Prekaz dhe në odën e Jasharajve vizitorët e shumtë janë nga gjithë Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina ePreshevës, Mali i Zi e nga shumë anë të botës, mes tyre edhe personalitete të njohura.

Ndërsa, ciceroni i Kompleksit Memoral në Prekaz, Xhevat Imeri, thotë se gjatë 11 vjetëve të pasluftës ka patur më shumë se tetë milionë e gjysmë vizitorë.

Ndër personalitetet më të larta që kanë vizituar Prekazin është edhe Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

“Në Prekaz janë themelet e lirisë së Kosovës”, u shpreh Kryeministri Berisha në vizitën e parë më 16 qershor 2006.

“Vizita në Prekaz është vizita në tempullin e lirisë, flaka e të cilës këtu nuk u shua kurrë. Është vizita në vendin, në shtëpinë e tribunit të lirisë, komandantit legjendar të luftës së shqiptarëve të Kosovës për liri, dinjitet njerëzor, nder, dinjitet kobëtar. Në Prekaz janë themelet e lirisë së Kosovës. Në veprën e Adem Jasharit e familjes së tij, familje që sakrifikoi sa asnjë tjetër në historinë e kombit, për lirinë e Kosovës, mbetet flaka, mbetet simboli i madh i shpresës, i besimit të shqiptarëve tek një e ardhme e shkëlqyer”, u shpreh atëhere Kryeministri Berisha, duke shprehur bindjen se kombi shqiptar në liri do të ndërtojë të ardhmen më të shkëlqyer, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.

Në Prekaz ishte edhe kryeadministratori i parë i Kosovës, Bernard Kushner.

“Dua ta them një të vërtetë të madhe, Prekazi lëvizi të gjithë mekanizmat botërorë që ndikuan për të vepruar konkretisht. Dhe, sikur të kishte pasur Çmim Nobel për Liri, atëherë ai do t’i takonte familjes Jashari”, ka theksuar Kushner, cituar në një nga librat në muzeun e kompleksit memorial.

Ndërsa, mijëra e mijëra vizitorë në Prekaz kanë shkruar e kanë firmosur në librin e përshtypjeve, që është një libër i madh, gjithmonë i hapur dhe i pafund.

Ndër të nënshkruarit në atë libër është edhe shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare.

Dhe, këtë shkrim nga Prekazi, që mund të jetë edhe i pafund, po e mbyllim në mbrëmjen e fundjanarit me një theksim nga ajo që ka shkruar Kadare: “Ndodhem në familjen e Jasharëve, atje ku nisi një flakë e madhërishme, flaka e lirisë që e ndriçoi krejt Prekazin, e pas tij Drenicën, e pas saj mbarë Kosovën. Ajo shkrepëtimë e zgjoi nga gjumi Evropën e botën. Shekujt kalojnë, drita e lirisë, drita e atyre që ranë për të nuk zbehet kurrë”…

Filed Under: Histori

PROMINENT ENTREPRENEUR JIM XHEMA DONATES $ 30,000 TO VATRA

December 29, 2021 by s p

Jim Xhema, a prestigious entrepreneur and major contributor of Vatra, has donated $30,000 to Vatra. The donation supports the funding of one of Vatra’s most important works to document the history of Pan Albanian Federation of America, a broad coalition of Albanians that gave rise to the Albanian national movement and promotes the rights of Albanians.

The project has been under way by a team of academics, researchers led by director of the Institute of History at the Academy of Albanological Studies, Professor Doctor Beqir Meta. It presents the most comprehensive up-to-date account of Vatra. The impact of such work is decidedly significant. Documenting the efforts to promote Albanian interests in a span of over a century is not only part of Vatra’s proud history, it is crucial to building a vision for the future of Albanians on the world stage.

Jim Xhema has been an outstanding supporter of the project that provides a roadmap of how our forefathers pursued their ideals for a country proud of its history, its name and its people. Encapsulating more than a hundred years of our proud history in the United States is a project of incredible magnitude. Vatra is only a few months away from celebrating its 110 anniversary. Its longevity is a testament to the founders’ foresightedness, inspiration and wisdom.

The meticulous recordings and analysis of the publication will serve as a reference for the young generation of Albanians in all Albanian-speaking regions and also for the international body of academia that pursues Albanological studies and historiography. Aside the five volumes of the publication, the project includes multimedia such as a documentary series production on the iconic figures and their involvement in events that have helped shape the history of Albanians in every corner of the globe.

In a time when there is no shortage of good causes in the world, we are extremely grateful that Jim Xhema has chosen to donate to this worthy project that memorializes our path and place in history.

Filed Under: Featured, Opinion

GJEKË GJONAJ – “E MERITOJNË NDERIMIN” (FIGURA SHQIPTARE TË SHEKULLIT XX)

December 29, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli

See the source image Muajt e fundit më kanë arritur në kutinë postale, por edhe me dërgesë elektronike, disa botime me rëndësi historike, kulturore dhe gjuhësore për fushën e studimeve shqiptare në përgjithësi. Një ndër këto libra është edhe një kopje elektronike e veprës së autorit nga Ulqini, me prejardhje nga Trieshi i Malësisë së Madhe, Zotit Gjekë Gjonaj. Përveç përmbajtjes, e përzgjodha këtë libër për t’ia paraqitur publikut, për dy arsye: e para se pse autorët nga trojet shqiptare në Mal të Zi, fatkeqësisht, nuk tërheqin vëmendjen që meritojnë nga Tirana dhe Prishtina dhe e dyta është solidarizimi im me autorin, për faktin se jemi bashkvendas dhe vijmë nga një krahinë krenare e quajtur Malësi e Madhe. 

Libri i autorit Gjonaj — me titullin “E Meritojnë Nderimin (Figura Shqiptare të Shekullit XX), një monografi dokumentuese, botuar nga Art Club në ULqin — është një kontribut tjetër i vyer i autorit të trojeve shqiptare në Mal të Zi, Z. Gjekë Gjonaj.  Është një libër i shënueshëm që i bashkohet 8 veprave të tjera të botuar më heret nga ky autor i palodhëshëm i trojeve shqiptare të Malësisë së Madhe,por që tani jeton e vepron në Ulqin.  Ashtu si edhe librat e mëparëshëm me përmbajtje historike, etno-linguistike dhe kulturore, edhe libri më i fundit i Gjekë Gjonajt, “E Meritojnë Nderimin” (Figura Shqiptare të Shekullit XX), është gjithashtu një vepër shtesë dhe një kontribut i shënuar i historisë kombëtare shqiptare, ku pasqyrohen kontributet nepërmjet profileve të 36 figurave shqiptare të shekullit XX të përzgjedhura nga vet autori për meritat e tyre, sipas vlerësimit të Z. Gjonaj. Ata janë përfaqësues të denjë, kryesisht, nga trevat e banuara me shqiptarë në Malin i Zi, por nuk mungojnë as personalitete të shquara nga Kosova, Shqipëria dhe nga diaspora — të njohura dhe jo aq të njohura për publikun e gjerë. 

Në vend të parathënjes, autori shprehet se “Trojeve tona kombëtare dhe etnike nuk i kanë munguar kurrë figurat historike, kulturore, arsimore, fetare dhe atdhetare që kanë dhënë kontribut të paçmuar në vendosjen e fateve historike të Atdheut. Figura të tilla nga trojet tona kombëtare duhet të shkëlqejnë duke zbuluar nga pluhuri i harresës, jetën dhe veprimtarinë e tyre në shërbim të Atdheut, Kombit dhe lirisë”, shkruan ai, duke arsyetuar pikërisht përzgjedhjen e 36 personaliteteve shqiptare, të cilët, sipas autorit Gjekë Gjonaj, “E Meritojnë Nderimin”, për punën e tyre në fushat e veprimtarisë së tyre përkatëse.  Në këtë vepër, që është një libër i karakterit publicistik, autori trajton personalitete dhe intelektualë (shumica post-mortem të shekullit të kaluar, por disa që ende jetojnë), të fushave të ndryshme të shkencës dhe të dijes: akademikë, gjuhëtarë, punonjës të arsimit, mjekë, gazetarë, autoritete fetare, rapsodë popullorë, biznesmenë dhe mërgimtarë shqiptarë, njerëz, që, sipas autorit Gjekë Gjonaj, me jetën dhe veprimtarinë e tyre kanë lenë gjurmë në historinë e trojeve shqiptare.  Personalitete historike që me potencialin dhe rrethanat e tyre ku kanl jetuar e punuar — në një mënyrë ose në një tjetër — kanë dhënë kontribut të paçmuar në vendosjen e fateve historike të Atdheut”, shprehet autori. 

Është e natyrshme se një përzgjedhje e këtyre 36 figurave të përfshira në këtë libër, që vet autori i ka zgjedhur si të “merituara” për tu përfshir në librin e tij, “E MERITOJNË NDERIMIN (FIGURA SHQIPTARE TË SHEKULLIT XX), mund edhe të ketë ndonjë vërejtës kritik që të thotë se figurat e radhitura në këtë libër përbëjnë një përzgjedhje subjektive se mund të ketë dhe natyrisht që edhe ka, ndoshta, figura edhe më të merituara, por që mund të jenë pasqyruar nga autorë të tjerë.  Por, as vet autori nuk pretendon se kjo listë është një listë gjithpërfëshirse dhe se nuk ka të tjerë të merituar nga kjo zonë.  Ndoshta ia vlen që Z. Gjekaj të marrë parsysh botimin e një villimi të dytë të kësa natyre ku të përfshihen, eventualisht, edhe figura të tjera aktuale dhe nga e kaluara e trojeve të rrethit të Ulqinit e më gjerë.  Por në lidhje me përzgjedhjen e këtyre personaliteteve të merituara, Z. Gjonaj shkruan se, “Me rikujtimin e këtyre personaliteteve të dalluara shqiptare, tentova që vepra dhe kontributi i tyre të mos harrohet kurrë”.  Janë pra këto figura shqiptare që autori ka vlerësuar se, “Meritojnë Nderimin”, për tu përfshir në këtë vëllim, pasi disa prej këtyre figurave të dalluara, mund të jenë hedhur në harresë — me dashje ose pa dashje — nga entet shkencore, kulturore, por edhe nga publicistika aktuale. Kjo është, pikërisht, sipas meje, arsyeja që autori Gjekë Gjonaj ka përzgjedhur për të pasqyruar jetën dhe veprimtarinë e këtyre 36 personaliteteve, përfshir, për shembull, Dr. Athanas Gegaj, intelektualin e përmasave kombëtare, por i pavlerësuar sa duhet, as nga Shqipëria dhe as nga Kosova.

Në shkrimet e mia modeste gjatë viteve, jam munduar që vazhdimisht të ve në dukje krimet e komunizmit anë e mbanë trojeve shqiptare.  Më pëlqen fakti që Z. Gjekë Gjonaj i kushton një vëmendje të veçantë martirëve të diktaturës komuniste në trojet tona, një fakt me të cilin, bota shqiptare ende refuzon të ballaqohet, qoftë me krimet komuniste të Enver Hoxhës në Shqipëri, qoftë me krimet e komunizmit jugosllav kundlr shqiptarëve në trojet e veta, përfshir masakrën e madhe të Tivarit, ku sipas historianëve, kishin gisht dy regjimet komuniste të kohës, ai jugosllav dhe ai shqiptar. Siç më duket shumë me vend edhe fakti se në librin e autorit Gjonaj, nuk mungojnë së përmenduri edhe kontributet e disa figurave të njohura të diasporës.    

Libri i Z. Gjonaj nuk është një libër ku lexuesi mund të mësoj të gjitha të dhënat për jetën dhe veprimtarinë e këtyre figurave të pasqyruara në këtë përmbledhje publicistike, por është një burim kontribues dhe shtesë — si ngacmues për lexuesine interesuar për të kërkuar informacione të mëtejshme për këta kontribues të shkencës, kulturës, arsimit, traditës, besës e burrërisë, e fushave të tjera, sidomos për brezin e ri të shqiptarëve në trojet shqiptare në Mal të Zi, që mund ose jo, të kenë dijeni për këto figura të  kulturës shqiptare dhe si rrjedhim të ndërmirren hulumtime të mëtejshme rreth tyre. 

Libri i publicistit Gjekë Gjonaj, “E Meritojnë Nderimin” (Figura Shqiptare të Shekullit të XX), në vet-vete është një kontribut i vyer ndaj kulturës shqiptare në përgjithësi, përtej trojeve shqiptare në Mal të Zi. Sepse, siç është shprehur, Ernest Koliqi, “Kultura ashtë shpirti i kombësisë. “Kush nuk njeh historinë e vendit të vet, nuk njeh vetveten. Kush nuk ka dijeni për fytyrat e jetës shqiptare që shfaqen në vjersha, në tregime, në përshkrime e përshtypje, në syzime e studime të shkrimtarëve shqiptarë, nuk din me u dhanë zhvillim shkaseve që ndien në gjak të vet. Kush nuk etshohet nga nevoja të dijë shka bluajnë mendjet ma të ndritura të bashkgjakasvet…atëherë ai veçse ka emnin shqiptar, por sa për tjera ai mund të ndjehet i huaj në rrrethin tonë”.  Shqiptarët e trojeve shqiptare në ish-Jugosllavi janë pjesë e një Kombi të vetëm shqiptar, sit ë tillë duhet të trajtohen nga Tirana dhe Prishtina zyrtare — nuk guxojnë të lihen në dorë të fatit – “që të ndjehen si të huaj në rrethin tonë”.  

Kjo, ndër të tjera, është merita e këtij libri.  Se nepërmjet 36 profileve të këtyre kontribuesve të merituar — në fusha të ndryshme të aktivitetit të tyre, të përmbledhur dhe renditur mjeshtërisht nga Z. Gjonaj në shtatë kapituj — lexuesi ka mundësi të mësojë diçka më shumë se çka “bluajnë” disa prej mendjeve më të ndritura të bashkombasve të vet në rrethin e Ulqinit dhe të Malësisë së Madhe. Ashtuqë shqiptarët e atyre anëve të mos ndjehen të huaj në truallin e vet stërgjyshor, sidomos kur është fjala për zhvillimin e kulturës (“shpirtit të kombësisë”, E. Koliqi) dhe ruajtjen e trashëgimisë dhe kulturës shqiptare në trojet tona në Mal të Zi dhe më gjërë.

“Ky libër në vetvete përbën një enciklopedi të figurave shqiptare dhe si i tillë autori ia ka arritur t’i radhisë me një vijueshmëri të ngjarjeve, peshën që zë çdo figurë e shquar e trevave shqiptare në Mal të Zi, Kosovë e Shqipëri”, shprehet recensuesi i këtij libri, Dr. Nexhat Avdiu, intelektuali shqiptar nga Ulqini. Ndërsa, recensuesi tjetër, Msc. Mark LucGjonaj vlerëson librin me këto fjalë: “Autori, Gjekë Gjonaj, nuk do asgjë më shumë me këtë libër, thjeshtë t’i nderojë, t’i vlerësojë e t’i vendosë në “Log” para lexuesve e historianëve. Ai do që vepra e sakrifica e këtyre njerëzve mos të harrohet sepse është i vetëdijshëm se nëse nuk njohim të shkuarën, do të humbasim të ardhmen. Prandaj, autori e vlerëson shumë jetën, veprën e sakrificën e këtyre figurave të larmishme në veprimtari, dhe me gjithë forcën që ka pena e tij, Ju ka kushtuar këtë lapidar”, vlerëson intelektuali shqiptar nga Tuzi.

Libri i autorit Gjekë Gjonaj është një kontribut i rëndësishëm në këtë fushë. Z.  Gjonaj nga Trieshi i Malësisë së Madhe, me punën e tij të vazhdueshme, me vendosmëri dhe ndershmëri kombëtare, vazhdon pa u lodhur, të promovojë dhe të të përhapë përparim kulturor, historik dhe politik, në përpjekje për të ruajtur lavdinë e të parëve tanë në radhët e shqiptarëve në Mal të Zi dhe më gjërë.  

KUSH ËSHTË GJEKË GJONAJ: Jetëshkrim i Shkurtër i Autorit — Gjekë Gjonaj lindi më 20 mars 1958 në Triesh (Malësi), Komuna e Podgoricës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen në Tuz. Diplomoi për gjuhë dhe letërsi shqipe në Kosovë. Tetë vjet ka punuar si mësimdhënës në vendlindje.  Në vitin 1986 angazhohet si gazetar në Radion e Malit të Zi. Është njëri nga themeluesit e emisionit të parë në gjuhën shqipe në Televizionin e Malit të Zi “Kronika e Javës”. Aktualisht punon si gazetar profesionist – korrespondent i rregullt i Programit në gjuhën shqipe dhe i Programit informativ në gjuhën malazeze në Radion e Malit të Zi dhe ndihmës-kryeredaktor i revistës “Buzuku”. Është kryetar i Këshillit Programor të gazetës “Koha Javore”. Është anëtar i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ulqin. Ka qenë redaktor përgjegjës i shtojcës në gjuhën shqipe “Polis” në Podgoricë. Bashkëpunon rregullisht me gazetat “Koha Javore” Podgoricë “Koha jonë” Tiranë, “Bota sot” Prishtinë, “Illyria” Nju-Jork, me shumë portale në gjuhën shqipe brenda dhe jashtë shtetit. Ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit, “Ulqini”.  Deri më tani ka botuar 8 libra. Po ashtu ka përkthyer, redaktuar dhe korrektuar disa libra të autorëve shqiptarë. Jeton dhe vepron në Ulqin.

Frank Shkreli

Gjeka (2)

                             Botime të tjera nga autori Gjekë Gjonaj

See the source image

                                                     Gjekë Gjonaj

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 60
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT