• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2021

Kolonel Dritan Demiraj: Mirënjohje dhe respekt për Forcat e Armatosura

December 4, 2021 by s p

Te nderuar miq!

Me rastin e 109 vjetorit te Forcave te Armatosura të Republikes se Shqipërisë deshiroj ti shpreh mirenjohjen dhe respektin më të lartë çdo kolegu burrë dhe grua në uniformë me te cilet kaluam se bashku 35 vitet me te bukura te jetes tone. Forcat e Armatosura kane ne gjirin e tyre njerezit me te ndershem, dedikuar, profesioniste dhe kombetare, te cilet edhe pse me te keqpaguarit ne raport me institucionet e tjera te vendit gjate te gjitha qeverive, kane shërbyer me devotshmëri, profesionalizem dhe kane bere sakrificat me sublime në mbrojtje të Atdheut, Pavarësisë, Sovranitetit dhe Sigurisë Kombëtare, garantimit të lirisë, paqes e stabilitetit në rajon dhe ne botë nën Flamurin Kombëtar.Profesionalizmi dhe sakrifica juaj ka shfaqur cilesite te mire te Kombit Shqiptar te cilat jane pasqyruar ne vazhdimesi ne misionet paqeruajtese ne Bosnje, Gjeorgji, Çad, Mali, Irak, Kosovë, Liberi, Bregun e Fildishte, Estoni, ne misionet luftarake ne Afganistan dhe jo vetem duke sakrifikuar edhe jetet tuaja. Me kete rast kujtojme heronjte tane te cilet rane ne krye te detyres kolegun tone Kapiten Feti Voglin por edhe koleget e tjere. Qofte i paharruar kujtimi i tyre. Qeveria Shqiptare duhet te vazhdoje më me intensitet mbeshtetjen e forcave te armatosura, te rrise buxhetin per mbrojtjen, te permiresoje pagesen e tyre, te modernizoje me tej infrastrukturen e stervitjes, punes, jeteses ne menyre qe te rriten me tek aftësite trajnuese dhe kapacitetet operacionale, te rrisin me tej bashkepunimin me FSK-ne për të qenë gjithmonë të gatshëm në përgjigje të misionit, situatave dhe sfidave që parashtron koha, si dhe detyrave të cilat burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe angazhimet në kuadër të NATO dhe SHBA-ve.Si perfundim, do deshiroja qe me kete rast te falenderoja per mbeshtetjen e jashtezakonshme qe kane dhene SHBA-te per FA Shqiptare ne vazhdimesi qe nga anetaresimi ne NATO dhe deri tek modernizimi i vazhdueshem i tyre. Te nderuar kolege! Zoti ju bekofte ju dhe familjet Tuaja. D.D. Michigan.

Filed Under: Featured

Grupi i Lobimit për Rrugën e Arbërit: “Punimet nuk duhet të rrezikojnë jetën e punëtorëve dhe udhëtarëve”

December 4, 2021 by s p

Derguar per botim ne Diell nga Gezim Alpion.

Grupi i Lobimit përshëndet nisjen e parakohshme të qarkullimit në Rrugën e Arbërit. Ne nje pjese te letres derguar per gazeten Dielli nder te tjera ata kerkojne: “Lajmi i nisjes së qarkullimit të pjesshëm në këtë aks të rëndësishëm rrugor është një lajm i mirë. Siç kemi deklaruar në nisje të peticionit, qëllimi është që Rruga e Arbërit të ndërtohet sa më shpejt dhe më standarde, dhe për këtë ne do të vazhdojmë të jemi vëzhgues të paanshëm deri në metrin e fundit.

Qeveria ka njoftuar se në fazën e ndërtimit të Tunelit të Murrizit kanë dalë problematika në lidhje me strukturën gjeologjike. Ne nuk e kemi parë këtë të ilustruar në terren. Deri më sot, asnjë media apo organizatë tjetër nuk është parë të hyjë në tunel dhe të bëjë publike pamjet. Po kështu, nuk kemi parë të ketë as ndonjë debat mes gjeologëve dhe specialistëve përkatës.

Megjithatë, ne shpresojmë dhe urojmë që punimet të vazhdojnë. Po kaq i rëndësishëm është edhe ndërtimi e një tuneli me standarde bashkëkohore.

Rruga e ndërtuar deri më tani vëmë re se është sipas parametrave të njoftuar më parë. Shpresojmë se punime e pambaruara do të jenë cilesore dhe se do të përmirësojnë cilësinë e rrugës dhe sigurinë e saj.

Nga informacionet e botuara deri më tani, nuk është e qartë se përse qeveria vendosi ta hapë rrugën për qarkullim tani. Duke qenë se rruga është akoma një kantier ndërtimi, siguria e punëtorëve, drejtuesve të automjeteve dhe kalimtarëve është më e rëndësishme se nisja e qarkullimit të përshpejtuar, pavarësisht dëshirës së mirë.

Kemi vënë re se në të gjitha segmentet janë vendosur sinjalistika të përkohshme që tregojnë vazhdimësinë e punime në rrugë. Shpresojmë dhe u bëjmë thirrje udhëtarëve dhe drejtuesve të automjeteve t’i respektojnë ato.

Hapja e parakohshme për qarkullim krijon lehtësira për qytetarët dhe ne urojmë që ky veprim të mos cënojë punimet në rrugë për dorëzimin në kohë dhe me cilësi në afatin e kontraktuar.

Segmenti nga Ura e Vashës deri në Qafë të Buallit konstatuam se është i pambaruar. Ky segment, së bashku me segmentin tjetër në dalje të Tiranës, pranë Qafës së Tujanit, përbën rrezik për kalimtarët, pasi nga skarpatet e larta dhe të thepisura mund të ketë rënie gurësh. Ne shpresojmë se në këtë fazë të ndërtimit të rrugës, kompania të ecë me ritme më të shpejta për të garantuar sigurinë e udhëtarëve.

Në kemi konstatuar se standardi C2 i rrugës i reklamuar nga qeveria shqiptare mbyllet në Maqellarë. Ne i kërkojmë qeverisë shqiptare që këtë standard ta vazhdojë edhe në drejtim të pikës doganore të Bllatës si dhe të negociojë me qeverinë e Maqedonisë së Veriut që ky segment të vazhdojë sa më parë drejt lidhjes me Shkupin.

Gjatë këtyre ditëve ne kemi vënë re përmes shtypit se qeveria po përpiqet që me hapjen e plotë të rrugës vitin e ardhshëm, të vendosë edhe një taksë kalimi. Ne shpresojmë që këto lajmë të jenë jo të vërteta. Ne e konsiderojmë vendosjen e një takse kalimi në këtë aks një vendim të padrejtë.

Nisja e qarkullimit të makinave përmes Rrugës së Arbëit është një rast i mirë për drejtuesit e automjeteve dhe qytetarët që të shohin ecurinë e punimeve dhe të raportojnë problematikat që hasin gjatë udhëtimit. Kritikat dhe sugjerimet e tyre duhet të merren parasysh nga specialistet në mënyrë që ato të korrigjohen sa më parë.

Faktori politik shqiptar në Maqedoni duhet të angazhohet pa vonesë që punimet për këtë vepër të fillojnë sa më parë. Grupi i Lobimit është në kontakt për këtë vepër me përfaqësues lokal dhe qëndror të politikës shqiptare në Maqedoni që nga viti 2014, dhe do ta vazhdojë lobimin në këtë drejtim.

Grupi i Lobimit do të ketë kënaqësinë të marr pjesë në përurimin e rrugës kur ajo të ndërtohet jo vetëm deri në Bllatë po edhe në Peshkopi sipas standardeve ndërkombëtare.

Deri sa te vij ajo ditë, peticioni për këtë vepër, që deri tani ka mbi 20,000 përkrahës, nga te cilet me shume se 18,000 online, do të qëndroj i hapur dhe mund të nënshkruhet këtu: https://bit.ly/3poy8r7” – thuhet ne letren derguar per botim ne Diell.

Filed Under: Ekonomi

Simon Mirakaj: Simbolet e diktatures jane te denueshme ne cdo kohe

December 4, 2021 by s p

Kam ndjekur dhe jam shprehur ne tv per Bujar Celen qe vendosi foton e diktatorit prane flamurit ne dt.28 Nentor. Gjesti i tij eshte i denushem aq me teper per nje deputet i parlamentit Shqiptar qe paguhet nga taksa paguesiit.Atij nuk i intereson fyerja qe i ben nje pjese te mire te popullsise qe vuajten ne burgje u ekzekutuan u internuan si kundershtare te rregjimit diktatorial te enver hoxhes,pergjegjesi kryesor per tragjedine qe ju shkaktoie mijra,mijra familjeve Shqiptare. Desha ti them ketij nostalgjiku te diktatorit se enveri nuk ikshte respekt as per luften sepse ekzekutoj apo syrgjynosi ne burgje gjithe ata qe drejtuan luften si Gjin Markun, Dali e Liri Ndreu(Gega), Bedri Spahiun, Xhavit Qesen, Petrit Dumen, Rahman Parllakun Hulusi Spahiun, Beqir Alin, Beqir Ballukun etj se nuk po me kujtohen. Le te thote se cilen betej udhehoqi enver hoxha apo mori pjes ne luftime. Shikoja ftyren si i shkelqen kur hyri ne Tirane. Hyri ne Tirane si triumfator e vrau me urdherin e tij njerz krejtesisht te pa fajshem i vrau ne dyert e shpive. Vetem nje i smure mendor ben te tilla deklarata glorifikuse per diktatorin me gjakatar mbas Hitlerit qe ka njoft Europa. Te renet ne lufte kundra pushtuesit duhen vlersuar e nderuar zoteri. Une them kur ndergjegjia nuk ekziston duhet te flasi ligji. Kur shkelet ligji ka penalitete per ate qe shkel ligjin. A kemi nje ligj te till qe te ndaloj simbolet e komunizmit a te perdorimit te portretit te diktatorit ne mjediset publike ? Jo nuk kemi, atehere cfar mund ti themi Bujar Celes? Jemi vertet ne demokraci ,demokracia ecen e zhvillohet, konsolidohet nga ligjet e jo nga ndjenjat.Une di qe per ndalimin e simboleve te komunizmit eshte pregatitur nje ligj i till qe ne 2015 .Dekomunistizimi fillon me kethimin e prones te i zoti, arrihet duke bere memoriale, duke bere muze e ajo me e rendesishmja duke futur ne curicula shkollore. Ato do deshmojne se cfar ka ndodhur ne Shqiperi gjate rregjimit diktatorial te enver hoxhes. Nese pyet sot nje Gjimnazist a mund te thoni dy fjale per kryengritjen ne burgun e Spacit, Qaf-Barit? A din ata student se moshataret e tyre ne burgun e Spacit ngriten flamurin pa yllin e kuq,flamurin e sajuan vet. Sigurisht do ngrej supat, te tjerat jane parole, parole. Dekomunistizimi arrihet kur te krijohet nje tryez qe te marrin pjes pervec partive politike edhe pales se interesuar, shoqeria civile, akademija shkencave, historjanë etj. Dekomunistizimi sipas mendimit tim arrihet vetem atehere kur ta shohim si nje e keqe e perbashket qe depersonalizoj njeriun e shkaterroj ekonomin. Nje nder presidentet me medhenje te USA qe mposhti perden e hekurt te komunizmit Ronald Regan thote: “Komunist eshte ai qe ka lexuar Markesizem-Leninizmin. Anti komunist eshte ai qe e ka kuptuar Marksizem-Leninizmin”.

Filed Under: Ekonomi

KTHIMI I BABAIT

December 4, 2021 by s p

Adil Olluri, shkrimtar

            Sa i papeshë qenke bërë, baba! Asnjëherë nuk më ka vajtur mendja se do të mund të të bartja vetëm në njërin krah e vetëm me njërën dorë. Mbi këtë qese ngjyrë korbi qenka e varur një letër e bardhë, në të cilën i paskan shënuar disa numra që të takonin ty, të vetmet gjëra që tashmë të dallojnë nga të tjerët, që patën fatin tënd të ktheheshin kaq të lehta në atdheun, që tashmë nuk u duhet gjë.

            Fol, baba, fol! Ma thuaj të paktën një fjalë! Nxirre një zë dhe më trego ç’t’u desh atdheu për të cilin u bëre kaq i lehtë e i pamish?! Nuk të mjaftuam ne?! Nuk të mjaftoi nëna, që u përkujdes për ty, simurgesha për tempullin e saj të shenjtë, nëna që t’u bind sikurse më e devotshmja besimtare një profeti, duke t’u përulur, sikurse më kokulura robëreshë një prijësi shpirtëror?! Nuk të mjaftova unë, që të kisha yrnek në çdo gjë që bëja, në çdo fjalë që flisja?! Nuk të mjaftoi qyteti që i hapi dyert për ty, rrugët e të cilit t’i puthnin hapat  çdo të lumin mëngjes e çdo muzg vetullngrysur të mbrëmjeve?! A nuk ishim ne për ty atdheu, apo ai gjendej diku në katet e epërme dhe të padukshme të qiellit, të cilat unë nuk mund t’i shihja, e të cilat nuk mund t’i shoh as tash?!

            Gjersa të bart mbi supe, më vijnë ndërmend kohët kur ti më mbaje në krahë e më shëtisje rrugëve e parqeve të qytetit apo edhe fushave të blerta të fshatit tënd të lindjes apo rreth e rreth oborrit të shtëpisë së gjyshit. M’i fshije buzët dhe faqet sa herë që zhytesha nga ëmbëlsirat që m’i blije vazhdimisht, edhe atëherë kur unë nuk doja. Më ndiqje sa herë që unë arrija të të ikja nga dora. Ah, sa më pëlqente kur të shihja duke vrapuar pas meje. Ngazëllehesha, shkrihesha në gaz, kur nuk arrije të më zije, edhe pse më afroheshe aq afër sa me një zgjatjeje dore mund të më kapje. Unë hareshëm u gëzohesha fitoreve të mia, që krenarisht ia kumtoja nënës dhe gjyshit, që më donin po aq sa ti. E mbaj mend që, fill pas një viti, nuk më pëlqenin më ato ndjekje, meqë nisa të ndiej se ti mund të më zije sa hap e mbyll sytë, por me kast bëje kinse nuk më arrije, vetëm e vetëm që ta nxirrje të qeshurën time. Më pëlqente të më mbaje në krahë çdo kund që shkonim, pos në rrugën që dërgonte te mjeku, veçmas te ai syzemadhi, pamja e të cilit më ishte bërë si gogol nate. E urreja jo vetëm atë, por secilin mjek. Nuk mund ta duroja atë aromë ilaçesh që kishin ato vende. Nuk mund t’i duroja ato gjilpëra të pashpirta, që aq me gjakftohtësi ma shponin trupin. Më ishin bërë ëndërr tmerri ato shiringa dreqi, që më thernin thuajse për çdo ditë. Nëna më ka treguar se dy herë më kishe menduar për të vdekur në atë kthinë të ngushtë ambulante, që për mua ishte shndërruar në një kënd truptherës, këndqë nuk doja ta shihja me sy, por ti vazhdimisht më dërgoje aty, sepse urreje të më kapte edhe më e vogla grimcë e ndonjë sëmundjeje.

            Më pëlqenin çastet, kur ti më merrje në kafene me miqtë e tu. Më nxisje t’ua tregoja emrin kur ata më pyesnin se i kujt isha, emrin tënd, të cilin unë e thosha me mburrje. Ua ktheja fjalët dhëmb për dhëmb, kur ata thoshin se ti nuk ishe ashtu siç mendoja unë. Sa shumë qeshnin kur u thosha se të tillë ishin vetë, se e kishin hundën të shtrembër, se e kishin barkun tëmadh sa koshi i gjyshit në fshat, se djemtë e tyre ende shurronin në shtrat, ndërsa unë dilja vetë në tualet. Sa bukuri kishin e sa lumturi ngjallnin ato ditë me ty, të cilat nuk do t’i harrojë kurrë.

            Çdo gjë u prish në një ditë kur ti u ktheve më herët se zakonisht në shtëpi dhe i the nënës se më nuk do të shkoje në punë, jo pse më nuk doje, por pse nuk të linin më aty. I the që do të niseshe, qysh në javën e ardhshme, në një vend të largët, në të cilin askush nuk do të thoshte që të mos punoje. Unë nuk të pashë duke u nisur, sepse ti kishe marrë udhë në orët e vona të natës dhe nuk doje të ma prishje gjumin. Nëna nuk e mbante mend në më kishe puthur në ballë, sepse miku yt me veturë nuk guxonte të të priste gjatë, por i kujtohej se kishe hyrë në dhomë dhe më kishe mbuluar me të portokalltën e të trashën batanije mua, shpinëzbuluarin, dhe se i ishe lutur asaj, edhe pse ishte natë fillimshtatori, të më ruante nga të ftohtit e mbrëmjes.

Na vinin shpeshherë letrat e tua me bukurshkrimin tënd, të cilin përpiqesha ta kopjoja me javë të tëra. Isha i fiksuar ta shkruaja secilën germë si ti. Na vinin kartolinat e zbukuruara, ngjyrëndezura, të cilat i ruaja pranë fletoreve kopertinëtrasha që m’i kishe dërguar, e që dallonin nga ato që bliheshin në qytetit tonë. Krekosesha me to para shokëve të mi të klasës së dytë. Na vinte edhe zëri yt nga telefoni i bardhë i xhaxhait, me numra gjysmë të fshirë, që e mbante ngjitur në murin e korridorit të banesës së tij, që ishte dy herë më e madhe se jona. Na vinte çdo gjë nga ti, por vetë nuk na erdhe asnjëherë, baba.

Ishin mbushurtetë vjet pa trokitur në derën e banesës sonë. Unë isha bërë katërmbëdhjetë vjeç. Ti nuk pate mundësi të më shihje duke u rritur. Na thanë se ishe kthyer në vendin tonë dhe rrije në një fshat të thellë malor, sepse nuk guxoje të vije në qytet. Na thanë se kishe vendosur të na sillje lirinë dhe të na hiqje frikën nga të uniformuarit që nuk flisnin si ne. Doje t’u hakmerreshe atyre që nuk të lanë të punoje, që të ndoqën e të larguan nga ne. Nëna nuk mund të besonte se ti, aq i qetë e zemërbutë, mund të kapje armë dhe t’ia drejtoje atë dikujt, ndërsa unë për çdo ditë e torturoja veten, duke thurur plane në mendjen time se si të vija në atë fshat e të të shihja ty tok me të gjithë lirisjellësit.

Lufta mbaroi. Unë dhe nëna kishim marrë rrugën e ikjes, që sillte më kollajshëm shpëtimin. Liria erdhi, por ti nuk u duke gjëkundi. Të pritëm rreth dy muaj pas përfundimit të luftës që të shfaqeshe në banesën tonë dhe të gëzoheshim për këto ditë ngadhënjimi, por ti nuk u bëre i gjallë, nuk na dhe asnjë shenjë, derisa e morëm vesh që ti ishe zënë rob dhe nuk dihej se në ç’burg ishe a se në ç’vend të kishin degdisur.

Për çdo natë të shihja në ëndërr të varur kokëposhtë në tavanin e një dhome të errët, këmbë e duar lidhur me një litar të pazgjidhshëm, që e mbante një tra i vjetër, si dhe tre policë shëmtakë që të godisnin pamëshirshëm. Sa herë që t’i ofshaje dhimbshëm nga goditjet e tyre të fuqishme, ata binin në një ekstazë kënaqësie, duke qeshur me zë deri në kupë të qiellit. I gëzoheshin triumfit, meqenëse kishin robëruar dikë që kishte guxuar t’ua kthente plumbin. Ata, për të bërë edhe më të kënaqshëm argëtimin e tyre, të zhvishnin të tërin dhe të godisnin edhe më vrazhdë, me tërë fuqinë që e kishin. Të ishte gjakosur tërë trupi dhe buzët e tua nuk kërkonin gjë tjetër pos ujit, por të pamëshirshmit as që donin të dëgjonin dhe etjen mund ta shuaje vetëm me pikat e gjakut tënd nga balli dhe vetullat e shqyera. Pikonte trupi yt në atë dhomë të errët, duke e mbuluar ngjyrën e saj të zezë me njolla të së kuqes. Ato net ishin të mbushura me përplot ëndrra makthi, që po të mos ishte nëna afër, do ta merrja malin.

Unë dhe nëna të kërkuam me vite. Nuk lamë njeri pa pyetur, nuk lamë gjurmë pa ndjekur. Donim ta dinim se në ç’vend të kishin zhdukur. Edhe pse kaloi një dhjetëvjeçar lirie, së cilës ti iu bëre fli, ne ende kishim shpresë se një ditë do të ktheheshe i gjallë, se një ditë krejt papritmas do t’i bije ziles së banesës, ose pa bërë zhurmë do të hyje brenda në orët e vona, mu ashtu siç kishe dalë nga ajo, për të mos u kthyer më kurrë. Shpresonim dhe vetëm shpresonim, derisa një ditë morëm një lajm se e kishin gjetur trupin tënd. Tash po i bart eshtrat e tu, të mbështjellë me këtë qese të zezë. Tash po të dërgoj në shtëpi.

Filed Under: LETERSI

Dimensioni tjetër i një artisteje të madhe

December 4, 2021 by s p

Rita Loloçi


Dua Lipa, artisja me famë ndërkombëtare, në jo pak raste në dalje publike ka vënë në pah se është shqiptare, se ajo nuk është e vetme po ka edhe të tjerë me origjinë nga kombi më i vjetër dhe shteti më i ri në Europë, pra nga Kosova që janë bërë pjesë e universializmit planetar.Pak kohë më parë ajo u nderua me çmimin për rol të shquar udhëheqës në trajtimin e çështjeve të rëndësishme sikurse të drejtat e grave, ndarë nga Këshilli i Atlantikut, në 60-vjetorin e themelimit të tij. Dua Lipa u vlerësua për përfshirjen e saj aktive në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në veçanti të viktimave të luftërave të Ballkanit, për ndihmesën e saj për fuqizimin e shtetit të ri të Kosovës, humanizmin, frymëzimin dhe krijimin e mundësive të reja për gjeratat e reja.Në një prononcim për ‘Zërin e Amerikës’, Dua Lipa tha ndër të tjera se “jam shumë e nderuar të jem këtu sot, të pranoj këtë çmim. Në emër të të gjithë të rinjve të Kosovës dhe faktit se ne jemi shtet kaq i vogël për vetëm 13 vite me një mundësi që ndoshta një ditë të bëhemi pjesë e Evropës. Kjo vërtetë është pjesë e rrugëtimit, betejës sime dhe arsyes pse jam këtu. Prandaj jam shumë mirënjohëse të jem këtu dhe të flas për diçka që është në zemrën time”. Gjithashtu ajo foli për filmin “Zgjoi”, që është propozuar të jetë një nga filmat kandidatë për çmimin prestigjioz Oscar.Dua shfrytëzoi ardhjen e saj në Uashington për të ndihmuar promovimin e filmit emocional nga Kosova që ka tërhequr vëmendje të madhe ndërkombëtare. “Ishte mrekulli. Jam prekur shumë nga rrëfimi i Fahrije Hotit, gruas në historinë e së cilës bazohet filmi. Tregon se sa shumë këmbëngulëse dhe të fuqishme janë gratë e Kosovës, sidomos në një kohë kur ndonëse kanë humbur shumë arritën të gjejnë një mënyrë për të vazhduar dhe luftuan që të arrijnë diçka që ndjenin se ishte e drejtë për to. Ishte shumë frymëzuese dhe isha shumë e nderuar të isha në shfaqjen e filmit me shumë gra tjera të fuqishme dhe të mrekullueshme. Pres me padurim dhe shpresojmë që të sigurojë nominimin për Oscars”, tha ajo.Dua dhe babai i saj muzikant, Dukagjin Lipa, drejtojnë fondacionin ‘Sunny Hill’ dhe festivalin me të njëjtin emër që mbahet në Prishtinë, nëpërmjet të cilit Kosova është futur në hartën botërore të kulturës. Artistja paralajmëroi rikthimin e fuqishëm të festivalit pas një pauze për shkak të pandemisë. Tetë herë e nominuara dhe tri herë fituesja e çmimeve ‘Grammy’, Dua Lipa foli për vendlindjen e saj dhe apeloi për heqjen e vizave ndaj qytetarëve të Kosovës.Rasti i Dua Lipës nuk është i vetëm. Ndryshe nga shumë shtete dhe kombe të tjerë, shqiptarët kanë një pasaportë që i bën krenarë kudo që ndodhen dhe kjo është pasaporta e Shën Trerëzës, nobelistes së Paqes. Një pasaportë tjetër po aq e madhe është ajo e personalitetit të shquar Ismail Kadare që falë artit të tij të magjishëm i ka bërë shqiptarët të njohur në çdo skaj të botës. Ka edhe artistë të tjerë si Inva Mula, Ermonela Jaho e shumë të tjerë, brenda dhe jashtë kufijve natyrorë, që famën e tyre artistike e bashkëshoqërojnë me mesazhe shqiptarie e qytetarie për një botë më të drejtë, më të zhvilluar, pa luftra e konflikte.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • …
  • 60
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT