• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2021

SHQIPTARËT DHE PËRMBYSJA E SISTEMIT TË VLERAVE

December 29, 2021 by s p

????????????????????????????????????

Prof. Xhelal Zejneli  

– Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe janë një ndër popujt më të lashtë të gadishullit;

– Gjuha shqipe është bijë e ilirishtes dhe është një ndër gjuhët më të vjetra të Evropës;

– Shqipja i takon familjes së gjuhëve indoevropiane (indogjermane) dhe është gjuhë e veçantë, d.m.th. nuk ka motër. Të tilla janë edhe greqishtja dhe armenishtja;

– Shqiptarët janë popull autokton i gadishullit;

– Shqiptarët janë popull autokton në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit.

*   *   *

– Periudhë më historike e popullit shqiptar është qëndresa çerekshekullore përballë inkursioneve osmane;

– Hero kombëtar i shqiptarëve është Gjergj Kastrioti (1405-1468);

– Periudhë politike e shqiptarëve është ajo e Rilindjes Kombëtare, që fillon më 1832 me Naum Veqilharxhin (1797-1846), që arrin kulmin me ngjarjen politike – Lidhjen e Prizrenit (1878); e përfundon me shpalljen e pavarësisë më 1912;

– Figurë e njohur e njohur e Lidhjes së Prizrenit ishte Abdyl Frashëri (1839-1892); (ka qenë edhe anëtar i Parlamentit Osman);

– Ideolog i mendimit politik shqiptar në periudhën e Rilindjes Kombëtare ishte Sami Frashëri (1850-1904);

– Ngjarje politike më e madhe e shqiptarëve në shekullit XX është shpallja e pavarësisë, më 1912 në krye me Ismail Qemalin (1844-1919); 

– Personalitet i njohur i çështjes shqiptare në trojet e pushtuara nga serbosllavët ishte Adem Demaçi (1936-2018) – simbol i qëndresës shqiptare në Jugosllavinë e Titos; 

– Ngjarje politike e madhe e kombit në vitet ’90 të shekullit XX është qëndresa politike e shqiptarëve në Kosovë, me në krye Ibrahim Rugovën (1944-2006), përballë pushtuesve serbë; 

– Ngjarje historike e kombit në fund të qindvjeçarit XX është lufta heroike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë, me në krye komandantin legjendar Adem Jasharin (1955-1998); 

– Ngjarje politike e madhe e kombit në fillim të qindvjeçarit XXI është shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008. 

*   *   *

– Vlerë letrare dhe kulturore të shqiptarëve janë humanistët shqiptarë: Gjon Gazulli (1400-1465); Marin Barleti (rreth 1450-1512), autor i veprave të shkruara në latinisht “De obsidione Scodrensi”, Venedik 1504 (Rrethimi i Shkodrës), “Historia de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum Principis”, Romë rreth 1508-1510 (Historia e jetës dhe bëmave të Skënderbeut, princit të Epirit); Mikel Maruli (1453-1500); Leonik Tomeu (1456-1531); Maksim Greku (rreth 1480-1556); Marin Beçikemi (1468-1526);

– Vlerë letrare, kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve janë autorët e letërsisë së hershme shqiptare, si: Gjon Buzuku (shek. XVI) – autor i librit të parë të shkruar në shqip “Meshari” (1555); një kopje e vetme ruhet në Bibliotekën e Vatikanit; arbëreshi Lekë Matrënga (1567-1619) – autor i së parës poezi në gjuhën shqipe, njëherazi i pari dokument i shkruar në dialektin e jugut (toskërisht) – “Canzona spirituale” (Këngë e përshpirtshme); Pjetër Budi (1566-1622); Frang Bardhi (1606-1643) – autor i veprës “Dictionarium latino-epiroticum, una cum nonnullis usitatioribus loquendi formulis”, Romë 1635 (Fjalor latinisht-epirotisht, me disa shprehje tëprditshme); është e para vepër në leksikografinë shqiptare; përmban 5640 zëra latinisht të përkthyera në shqip, plus një shtojcë me pjesë të ligjëratës, proverba dhe dialogë; Pjetër Bogdani (rreth 1630-1689), kryepeshkop i Shkupit;

– Vlerë letrare, kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve janë shkrimtarët e letërsisë arbëreshe të shekullit XIX, si: poeti i parë i romantizmit në letërsinë shqiptare Jeronim De Rada (1814-1903); në vitin 1848 themeloi gazetën dygjuhëshe, në shqip dhe në italisht, “L’Albanese d’Italia” (Shqiptari i Italisë); ishte i pari periodik që botohej në gjuhën shqipe; Françesk Anton Santori (1819-1894); njihet si autor i së parës dramë origjinale në gjuhën shqipe “Emira”; disa pjesë u botuan më 1887 në revistën “Fiamuri Arbërit” të De Radës; Gavril Dara i Riu (1826-1885); poeti lirik Zef Serembe (1844-1901);

– Vlerë letrare, kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve janë poetët e letërsisë së Rilindjes, si: poeti kombëtar Naim Frashëri (1846-1900) etj.;

– Personalitete të rëndësishme letrare, kulturore dhe kombëtare shqiptare janë: Faik Konica (1875-1942); në vitet 1897-1902 botoi në Bruksel revistën “Albania”; në vitet 1902-1909 revistën e boti në Londër; studimet i përfundoi në Universitetin e Harvardit; Fan Noli (1882-1965), figurë poliedrike (e shumanshme); kreu Universitetin e Harvardit; më 1908, mbajti në Boston për herë të parë liturgjinë në gjuhën shqipe; ky akt përbënte hapin e parë drejt njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale; në vitet 1909-1911 botoi në Boston gazetën “Dielli”; më 28 prill 1912, bashkë me Konicën, themeloi Federatën Panshqiptare Vatra në Amerikë; Gjergj Fishta (1871-1940), autor i 37 botimeve letrare, midis tyre i poemës epike historike “Lahuta e Malcis”,e quajtën Homeri shqiptar;       

*   *   *

– Bota njeh shumë personalitete shqiptare, sidomos Gjergj Kastriotin, Nënë Terezën (Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, 1910-1997), laureate e çmimit “Nobel” për paqe (1979) dhe Ismail Kadarenë (1936-); mjekun dhe farmacistin amerikan me prejardhje shqiptare, nga fshati Llakavicë i Gostivarit, Ferid Murati (Ferid Murad, 1936-), laureat i çmimit “Nobel” për fiziologji dhe mjekësi (1998).

*   *   *

– Shqiptarët janë popull i ndarë në gjashtë pjesë: Shqipëri, Kosovë, Kosovë lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), Maqedoni, Mal të Zi dhe Çamëri; një copëtim i këtillë i trojeve etnike historike të një populli s’është parë dot në historinë e botës;

– Nga Jugosllavia e Nikolla Pashiqit dhe e karagjorgjeviqëve, shumë shqiptarë u detyruan të shpërngulen prej vatrave të veta; në Klubin kulturor serb në Beograd, më 7 mars 1937, akademiku serb Vasa Çubrilloviq (1897-1990) promovoi elaboratin e tij “Iseljavanje Arnauta” (Dëbimi i shqiptarëve); shumë shqiptarë u dëbuan për në Turqi;    

– Trojet shqiptare mbahen të pushtuara nga Serbia, nga Maqedonia, nga Mali i Zi dhe nga Greqia;

– Copëtimi i tokave shqiptare fillon në Kongresin e Berlinit (1878), për të vazhduar në Konferencën famëkeqe të Ambasadorëve në Londër, më 1912-1913; 

– Pushtimin e trojeve shqiptare, gjatë historisë politike të kohës më të re, d.m.th. prej vitit 1850 e këndej, e ka mbështetur Rusia; ndërsa në Konferencën e Ambasadorëve, përpos Rusisë, edhe Franca me Anglinë; 

– Sot e kësaj dite, Rusia punon me të madhe për Serbinë dhe kundër shqiptarëve; 

*   *   *

– Shqiptarët kanë një flamur, flamurin e Gjergj Kastriotit; kanë një gjuhë; normat e gjuhës letrare shqipe janë atë të Kongresit të Drejtshkrimit të mbajtur në Tiranë në vitin 1972; kanë një histori; një gjuhë, një histori, një komb; 

– Pikëpamja se krahas gjuhës letrare standarde shqipe, ekziston edhe gegërishtja letrare, është pikëpamje antikombëtare dhe antishqiptare; një pikëpamje të tillë, shumë kohë më parë, e kanë mbështetur fuqimisht akademikët serbë;

– Pikëpamja se krahas kombit shqiptar ekziston edhe kombi kosovar nuk është veçse pikëpamje antikombëtare dhe antishqiptare; mbrojtja e një pikëpamjeje të tillë është tradhti e lartë;

*   *   *

– Çështja shqiptare në Ballkan nuk është çështje, as fetare dhe as ideologjike; çështja shqiptare në Ballkan është çështje kombëtare dhe është e vetmja çështje e pazgjidhur e gadishullit; 

– Të lidhësh miqësi me Beogradin dhe Josip Brozin (1892-1980) apo me Josip Visarionoviç Xhugashvili Stalinin (1879-1953) dhe  Moskën dhe t’i shpallësh luftë ideologjike Amerikës dhe Perëndimit, do të thotë të mos kesh vizion politik; gabimet në histori mund t’i kushtojnë një populli, një shekull, mund ta lënë një popull njëqind vjet pas;

– Shembja e monizmit dhe ardhja e pluralizmit u mundësoi shqiptarëve të bëjnë kthesë historike; tani miq të shqiptarëve janë Fuqitë e Mëdha të Perëndimit;

– Shqiptarët duhet të dëshmojnë se janë popull politik dhe se posedojnë aftësi për të ndërtuar shtet ligjor, shtet demokratik; të dëshmojnë se posedojnë aftësi për të qeverisur shtetin;

– Shqiptarët janë popull perëndimor dhe populli më proamerikan në botë; mirëpo, s’mjafton dot të thuash jam properëndimor dhe proamerikan; për të qenë properëndimor dhe proamerikan duhet t’i respektosh parimet themelore të demokracisë dhe të funksionimit të shtetit të së drejtës; shtetin që udhëhiqet nga politikanë që shndërrohen në milionerë, Perëndimi nuk e mbështet, madje pavarësisht edhe nga interesat strategjikë që mund t’i ketë ndaj atij; 

– Shqiptarët kanë miq në të katër anët e botës; midis tyre janë Vatikani, ShBA-ja, Gjermania, Italia, Austria, Kroacia, Londra etj.; shqiptarët janë ndër popujt e rrallë në Evropë, në mos i vetmi, të cilët gjatë Luftës II Botërore nuk ia dorëzuan Gestapos as edhe një hebre të vetëm;    

*   *   *

– Periudha e tranzicionit që kalon Shqipëria që prej vitit 1991 e deri më sot, është një periudhë e përgjakshme, e paparë ndonjëherë në historinë e kontinentit të vjetër; çdo vrasje dhe vdekje në qarkullimin rrugor;

– Për problemet me të cilat ballafaqohen, shqiptarët nuk duhet t’i fajësojnë faktorët e jashtëm, siç janë sundimi osman, politika antishqiptare e Beogradit, e Athinës dhe e Moskës; sundimi osman mbi shqiptarët ka marrë fund qysh në vitin 1912; pra, më shumë se një shekull; fajin për fatkeqësinë e vet, njeriu duhet ta kërkojë në vetvete; 

– Kosova zë vendin e pestë në botë me linjit; megjithëkëtë, ka sasi të pamjaftueshme të energjisë elektrike; të thuash se politikës shqiptare i mungon aftësia për ta qeverisur shtetin, do të ishte e tmerrshme dhe e dhimbshme; shtetin e varfër mund ta udhëheqin vetëm idealistët dhe jo tregtarët apo tyxharët; qëllimi i tyre është të pasurohen dhe t’u lënë pasuri marramendëse fëmijëve, nipave dhe mbesave të veta; akulli i trashë një metër nuk është krijuar për një natë – thonë kinezët; problemet që kanë të bëjnë me energjinë elektrike në Kosovë burojnë nga e kaluara; 

– Ndër politikanë ka edhe të tillë që hiqen aristokratë të politikës dhe të intelektualizmit; ata pandehin se po qe se vishesh mirë dhe në televizion flet ngadalë, do të tregosh se je aristokrat, edhe i politikës, edhe i intelektualizmit; këta politikanë apo politikane, nuk janë veçse aristokratë të mashtrimit, të manipulimit, të abuzimit, të gënjeshtrës, të vjedhjes, të hajdutërisë, të imoralitetit; aristokratë të mashtrimit dhe të hajdutërisë, brenda një populli të varfër?! Turp dhe mëkat!

– Kjo farë klase politike ekziston në saje të inteligjencies oportuniste dhe konformiste, shumë prej tyre tregtarë flamujsh; kjo kolonë poltronësh fare nuk çanë kokën se Shqipëria zë vendin e dhjetë në botë me ikjen e trurit; të ikësh prej një vendi me pozitë në Evropë, me dy dete, me pasuri dhe me bukuri natyrore, kjo është e dhimbshme; shqiptarët një ditë mund të ballafaqohen me vdekjen e bardhë, d.m.th. me shkallën e vdekshmërisë, më të madhe se të lindshmërisë, me mortalitet më të madh se nataliteti; 

Anës detit i palarë,

Anës dritës i paparë,

Pranë sofrës i pangrënë,

Pranë dijes i panxënë.

Noli

– Aristokratët e politikës dhe të intelektualizmit, i kanë edhe shërbëtorët e vet. Këta janë analistët politikë, ekonomikë dhe socialë – që të gjithë mercenarë. Shërbëtorë janë edhe kalemxhinjtë që shkruajnë me porosi dhe që hiqen se po kritikojnë dikë apo diçka. Në shërbim të këtij dance macabre ku mjerimi migjenian pasqyrohet si një metarealitet, janë edhe një pjesë e madhe e mediumeve, e gazetave, e revistave, e studiove televizive, e të ashtuquajturave debate televizive, e portaleve. Në këtë ferr dantesk gjen gazetarë, redaktorë, kryeredaktorë, moderatorë, udhëheqës programesh, debatesh. Asnjëri nga sa më sipër nuk çanë kokën për shpopullimin e trojeve, që shpesh i quajnë ilire dhe arbërore. 

– Shqiptarët nuk duhet të lejojnë përmbysjen e sistemit të vlerave; kur i dobëti dhe i paafti del e bëhet udhëheqës dhe administrues, të aftit dhe të ndershmit s’i mbetet tjetër pos të marrë rrugët pa kthim të botës;  

– Me reality programe ku mbizotëron zbavitja e lehtë dhe amoraliteti, tregtarët e politikës kanë gjetur edhe mënyra për ta amortizuar pakënaqësinë e shoqërisë. Kaq larg nuk kanë shkuar as edhe perandorët e lashtësisë. 

– Pa një Shqipëri të konsoliduar, nuk mund të pritet përparimi i kombit shqiptar në Ballkan. Derisa shqiptarët merren me vetveten, armiku i tyre po forcohet. Derisa shqiptarët merren me mikrovlera, armiku i tyre ndërton makrosisteme.  

Prof. Xhelal Zejneli      

Filed Under: Opinion

Një shkrim me shkas

December 29, 2021 by s p

Mhill Velaj

Me rastin e Ikjes në amshim në moshen shumë të re te njëpinjolli të kësaj familje, Rrustem Shala Familja e Sadri Shales nga Barani i Pejës është një nga familjet më të shquara të kombit tonë gjithëandej trojeve tona e cila ishte kala Shqipërie, dhe halë në sy për regjimin vrastar Titos dhe Rankoviçit ku kujtojmë lexuesit e nderuar se Sadri Shala mbajti vite të tëra burg dhe u torturua si familje vetem pse nuk u pajtua kurrë me regjimin pushtues jugosllav.

Si shkrimtar vendas dashamir i kësaj familje tejet të nderuar dhe si koleg i dikurshëm i z.Smajl Shala gjithmonë kam ushqyer ndjenjat më te larta ndaj kesaj familje me taban kombëtar liridashes e arsimor me civilizim e emancipim . Kjo familje nuk u thye kurrë as në vitet 50-ta e as në vitet e 90-ta e gjerë sot duke qëndruar konsistent. Familja e mikut shokut vëllaut tim Smajl Shales në vitet e 90-ta ishte pjesë e rëndesishme e organizimit të shtetit paralel ishin aleat besnik të Presidentit Ibrahim Rugova, dhe bartes funksionesh të LDK -së duke organizuar referendumin e 1991 , mandej zgjedhjet dhe funksionimin e sistemit arsimor e shëndetsor në Lug të Baranit dhe me gjerë.

E terë kjo familje u shkollua dhe u edukua me njemije peripeti dhe Vëllezerit Shala siç i njohim ne u bastisen dhjetra herë vitet 90-ta , dhe në një atentat mizor në maj 1998 vritet Rifat Shala dhe plagoset vëllau Smajl Shala i cili mandej vuajti burgjeve serbe një kohë të konsiderushme. Të gjithë familja janë intelektual Zeneli jurist, Rrustemi ekonomist e afarist i nderuar ishte, Smajli historian, Xhema ekonomist, Rifati tashmë dëshmor martir ishte kimist dhe Sali Shala kimist. Udhën e nderit dijes atdhedashurisë e vazhduan dhe nipërit e mbesat e familjes të cilët shquhen në çdo pore jete.

Kur u bë e domosdoshme lufta e lavdishme e UÇK-Së kjo familje nderoi emrin e babes Sadriut dhe nderoi lart flamurin kuq e zi të Gjergj Kastriotit Skenderbeut ku Xheme Shala dhe Rrustem Shala i cili na la keto ditë vdiq duke na pikëlluar ne këtu në Amerikë dhanë kontribut epokal. Përkundër zemres së thyer per vëllaun Rifatin Vëllezerit Shala nuk u ndalen ne shtetëndertim dhe pavaresi të Kosoves, ku me vite Smajli ishte zv kryetar i Pejës së djegur nga okupatori serb ku dha kontribut meritor ne shume fusha.

Për kontributin e kësaj dere te madhe te kombit nuk mjaftojne artikujt e librat e terë botes andaj bashkëndjej me ju dhe jam pranë juve në këto dite merzie dhe pikëllimi.

Mhill Velaj -SHBA

Kryetar i SHSHSHA,

Stamford, Dhjetor 2021

Filed Under: Komunitet

Jetë pa frikë

December 27, 2021 by s p

Astrit Lulushi/

Është për të ardhur keq kur sheh se si njeriu humbet përpara televizorit. Edhe për atë që i reziston indoktrinimit, ndërrimi i kanaleve nuk ka efekt. Të gjitha stacionet janë njësoj pavarësisht nga temat. Ulesh për t’u qetësuar dhe ngrihesh i dërmuar nga fjalët boshe që ke dëgjuar, nga emisionet bajate, nga opinionet dhe idetë e manipuluara që pak nga pak zënë vend në kokë. Kështu, qeveria ndjehet më e fortë, njeriu bëhet i trullosur, dhe mes palëve varet frika.Mos besoni asgjë thjesht sepse e keni dëgjuar, apo sepse flitet e përflitet nga shumë njerëz; mos besoni asgjë thjesht sepse gjendet e shkruar në gazeta ose internet; mos besoni asgjë bazuar në ato që u thonë mësuesit e të moshuarit; madje mos u besoni as traditave sepse ato janë transmetuar për shumë breza.Por pas vëzhgimit dhe analizës, kur zbuloni se çdo gjë përputhet me arsyen dhe është e dobishme për të mirën e të gjithëve, pranojeni. Volteri thoshte se njeriu që nuk beson, nuk jeton sipas besimit, dhe rruga më e sigurt për ‘të është të mos bëjë asgjë kundër ndërgjegjes. Me këtë sekret, mund ta shijojë jetën pa frikë, të ndjehet i qetë, dhe njëkohësisht të bëjë mirë a të sfidojë të keqen.

Filed Under: ESSE

Vatra dhe Dielli ftesë publike anëtarëve dhe abonentëve

December 27, 2021 by s p

Arkëtari i Vatrës z.Marjan Cubi në përmbushje të detyrave dhe përgjegjësive të ngarkuara nga Komisioni Përgatitor i Kuvendit të Përgjithshëm Zgjedhor të Vatrës, fton të gjithë anëtarët e Vatrës dhe abonentët e gazetës Dielli që të shlyejnë detyrimet e prapambetura deri më datën 31 Dhjetor 2021.Lutemi në mirëkuptimin tuaj.

Festa të bukura dhe të gëzuara.

Me respekt për secilin nga ju.

Arkëtari Marjan Cubi

Cel: 9143160045

Email: mcubi52@aol.com

Filed Under: Featured

NJË PËRKUJTIMORE KUSHTUAR KLERIKËVE GAZULLORË GJATË SHEKUJVE

December 27, 2021 by s p

“Një komb që nuk nderon heronjtë e vet, do të zhduket” (Abraham Linkolni)

Nga Frank Shkreli
See the source image

Jo më shumë se pas nja dy javësh nga inaugurimi në Leezhë i bustit të Mons. Dr Zef Oroshit, klerikut të njohur, atdhetarit dhe anti-komunistit të shquar të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – ja këtë javë merr jetë një vepër tjetër përkujtimore me shumë rëndësi, jo vetëm për hapësirat e veriut të Shqipërisë, por edhe për historinë dhe trojet e mbarë Kombit. 

Koordinatori dhe realizuesi i kësaj vepre përkujtimore — ashtu siç ishte edhe për bustin kushtuar Mon Zef Oroshit — është i njëjti, ai i palodhëshmi, kleriku i njohur tanimë për vepra tilla të mëdha fetaro-atdhetare,  Dom Nikë Ukgjini — Frank Shkreli: Lezha legjendare nderon Monsinjor Dr. Zef Oroshin | Gazeta Telegraf –

Kësaj radhe, fjala është për një përkujtimore që Dom Nika me bashkpuntorët e tij entuziastë e atdhetarë, të njëjtit mendim e qëllim — por edhe të vendosur për të realizuar qëllimet e tyre për vepra të mëdha, përballë të gjitha vështirsive në të cilat kanë ndeshur gjatë procesit — ia arrijtën, më në fund, ta përfundonin dhe të inaugurojnë me 30-dhjetor, 2021, veprën e tyre të dytë, të madhe — në fshatin Dajç të Zadrimës, Bashkia Lezhë: “Përkujtimoren Kushtuar Klerikëve Gazullorë gjatë Shekujve”. 

Po kush janë klerikët gazullorë dhe cili ishte roli i tyre në historinë e Kombit shqiptar.  Roli i klerikëve katolikë të fisit gazullor gjatë shekujve, bazuar në trinomin – “Për Zot, Për Atme e Përparim” – fillon me figurat e rëndësishme të Kombit që nga koha e Kryetrimit të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skenderbe. Duke filluar nga personalitetet e hershme të këtij fisi, si Gjon e Pal Gazulli — diplomatë dhe besnikë të Skënderbeut — e deri te Gjon Gazulli i kohërave “moderne”, i varur nga mbreti Zog në vitin 1927, e tek gjuhëtari i njohur Dom Nikollë Gazulli, i pushkatuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, në famullinë e Shkrelit, në vitin 1946.

Sipas njoftimit të shpërndarë nga Dioqeza e Sapës dhe Bashkia Lezhë, zbulimi i Përkujtimorës do të zhvilohet të ënjtën më 30 dhjetor, 2021 në Qendër të fshatir Dajç – Zadrimë në ora 11:00 para dite. Në njoftim thuhet tekstualisht, se “Përkujtimorja në Dajç të Zadrimës”, është një monument jo vetëm dajçasor por mbarëkombëtar që simbolizon njerëzit më të shquar të Shqipërisë në shekuj, siç ishin vëllëzërit klerikë në kohën e Skënderbeut, Gjon Gazulli (1400-1465), astronom, fizikan, matematicien dhe shkencëtar i famshëm evropian. Pal Gazulli, (1405-1470), diplomat, dijetar i shquar, themelues i Bibliotekës së Raguzës (Dubrovnikut të sotëm), dhe i disa biblioteketave në Padova të Italisë”. 

Ndër priftërinjët gazullorë të tjerë, të kësaj familjeje nga më të vjetrat dhe më fisnike të Shqipërisë, e njohur dhe kontribuese në historinë dhe kulturën shqiptare ndër shekuj, përfshihen edhe klerikët katolikë, të persekutuarit e shekullit XX, si Gjon Gazulli i ri, (1893-1927) — deputet në qeverinë e Nolit, bashkpuntor me Ernest Koliqin, Avni Rrustemin, Luigj Gurakuqin e Hasan Prishtinën – por të cilin e vari regjimi zogist në Shkodër.  Dhe më në fund edhe Dom Nikollë Gazullin, albanologun e njohur (1895- 1946), vëllai i Gjonit, që u varë nga regjimi zogist – e ky Dom Nikolla i shekullit XX u vra nga forcat e ndjekjes komuniste në Shkrel të Malësisë së Madhe, në vitin 1946.

See the source image

Dom Nikë Ukgjini, ideatori dhe koordinuesi i ndërtimit të “Përkujtimores Kushtuar Klerikëve Gazullorë gjatë Shekujve”                     

                                  Image result for dom nikoll gazulli imageDy prej klerikëve gazullorë, Dom Gjon Gazulli dhe Dom Nikollë Gazulli – njëri u varur nga Ahmet Zogu, e tjetri i vrarë nga Enver Hoxha – Kur politikanët e sotëm shqiptarë nuk çajnë kokën për rigjallërimin e këtyre figurave – të jeni të sigurt se një shtet dhe një komb që nuk kujton figurat historike të identitetit kombëtar, do të zhduket!   

Graphical user interface, website

Description automatically generated

Porosia e jugosllavëve për Ahmet Zogun dhe Enver Hoxhën: lani hesapet me klerin katolik shqiptar

Dom Gjon Gazulli, martir e atdhetar, në përvjetorin e vdekjes

Dom Gjon Gazulli (26 Mars 1893 – 5 Mars 1927) u var nga mbreti Ahmet Zogu, pasi kundërshtoi marrëveshjen e tij me serbët, për të ashtuquajturin, “bashkim personal të Shqipërisë me Jugosllavinë”.  Ai, që hapi shkollën e parë të përzier djem-vajza, myslimanë e të krishterë, deputet i opozitës kundër Ahmet Zogut.  Dom Gjon Gazulli u akuzua se kishte organizuar kryengritjen e kishte shpërndarë armë nëpër male e madje, dhe se kishte prerë telin e telefonit!? U dënua me varje nga regjimi i Zogut.  Qe një kundërshtar i vendosur i qeverisë së mbretit Zog, që diskriminonte zonat e Dukagjinit, të Pukës dhe të Mirditës. Insistimi i Dom Gjon Gaullit për të dënuar dhe kundërshtuar regjimin zogist pati pasoja. Më 26 dhjetor 1926 u arrestua. Mjaft shpejt, saktësisht më 2 janar 1927, Dom Gjoni u dënua me vdekje dhe u varë më 5 mars 1927, në Shkodër.  Dom Gjon Gazulli (26 Mars 1893 – 5 Mars 1927) u varë nga mbreti Ahmet Zogu, pasi kundërshtoi marrëveshjen e tij me serbët për të ashtuquajturin “bashkim personal të Shqipërisë me Jugosllavinë”.   Ekzekutimin e tij e ka përshkruar në një intervistë me revistën gjermane “Korrespondenz des Priestergebetsve”, oficeri i ngarkuar me varjen e dom Gjonit, Xhemal Dibra – transmetuar nga Radio Vatikani, marrë nga shkrimi i Daniel Gazullit një pasardhës i familjes Gazulli, botuar në “albemigrant”: Daniel Gazulli: Martiri i Atdheut – Dom Gjon Gazulli | EuroEmigrant (wordpress.com) 

          See the source image. See the source image

Dom Nikollë Gazulli, “ma i dijshmi…”, në foto me Prekë Calin, trimin e maleve tona, të dy i ka vrarë regjimi komunist i Enver Hoxhës

20-vjetë më vonë, një pasardhës tjetër i familjes Gazulli, Dom Nikollë Gazulli i ri, “Ma i dijshmi që ka pasë ndonjiherë Biblioteka Françeskane”, (sipas At Zef Pllumit, O.F.M) – (në foto me Trimin e Maleve Prekë Calin) – të dy të pushkatuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.  Por, Daniel Gazulli –1944-2012, edhe ky i trungut të familjes së famshme Gazulli, në artikullin, “Gjuhëtari Dom Nikollë Gazulli”, botuar në portalin “Radi and Radi”, shkruan se, paraadhësi i tij, “Dom Nikolla nuk zmbrapsej prej thirrjes së Atdheut në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit të kombit, prej ankesimit fashist apo atij sllavo-komunist të Beogradit”.  Ai shton se me 9 prill, 1939, Ditën e Pashkëve, në Kishë të Rrjollit, gjatë predikimit Dom Nikollë Gazulli iu drejuar besimtarëve: ‘Mos i lëshoni armët! Këta pushtuesit italianë, skotë e mbrapshtë si janë, duen me na shkombtarizue. Prandaj, si dikurë bijtë e Kastriotit, t’i bajmë ballë pushtimit fashist.”  Të njëjtat fjalë, sipas autorit Daniel Gazulli, “Dom Nikollë Gazulli ua tha malësorëve të Shkrelit me 1945, kur Shqipnia faktikisht ishte këthyer në një republikë të shtatë jugosllave: lirinë e fitueme me gjak, këta duen me e lëshue pa gjak në dorë të shkjaut, në emën të ideologjisë së tyne çnjerëzore komuniste. Pra, o burra, armët për syni”, citohet të ketë bërë thirrje Dom Nikolla. 

I varën, i vranë, i mohuan dhe i harruan këta burra të fisit e të rrënjve të thella të trungut Gazulli — ndër më fisnikët e kombit — gazullorët e Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar, të cilët gjatë shekujve i kanë dhënë aq shumë, jo vetëm Kombit shqiptar, në fushë të ndryshme të shkencës e diplomacisë, por edhe qytetërimit evropian.  Të vrarë, fizikisht, nga regjimet zogiste e komunisto-enveriste, për hir të miqësisë së regjimeve të tyre me Beogradin sllav dhe me qëllim për të çuar në vend amanetin e jugosllavëve, “lani hesapet me klerin katolik shqiptar”. Të mbuluar me “pllakën e rëndë të harresës” për dekada e shekuj, madje deri në ditët e sotëme – ndërtimi i përkujtimores kushtuar, “Klerikëve gazullorë gjatë shekujve”, e lëviz sadopak pllakën e rëndë të harresës ndaj tyre duke kujtuar jo vetëm sakrificën, por edhe kontributin e tyre ndër shekuj, për kombin e vet dhe më gjerë, për qytetërimin evropian.  Kjo është meritë e realizuesve të kësaj vepre të madhe, në krye me koordinatorin Dom Nikë Ukgjinin,që duhet të jenë krenarë pasi ia dolën të mbulojnë shpenzimet, krejtësisht, me fonde private, pa asnjë ndihmë nga qeveria shqiptare.  Si të tillë, planifikuesit dhe realizuesit e Përkujtimores Kushtuar Klerikëve Gazullorë gjatë Shekujve — një ndërmarrje kjo sa madhështore aq edhe patriotiko-fetare — meritojnë mirënjohjen dhe falënderimet e të gjithë shqiptarëve vullnetmirë kudo që janë në botë, për këtë vepër të madhe kombëtare, në kujtim të familjes Gazulli – njërës prej familjeve më të njohura të fisit iliro-arbëror!U lumtë!

Frank Shkreli

“Përkujtimorja Kushtuar Klerikëve Gazullorë gjatë Shekujve”, në fshatin Dajç, Zadrimë, Bashkia Lezhë – vepra të tilla na bëjnë krenarë të jemi shqiptarë!

Dom Gjon Gazulli, astronom dhe diplomat, njihet edhe si “i pari humanist shqiptar” – njëri prej figurave më të shquara të shkencës evropiane të shekullit XV.

    Palë Gazulli, Diplomat dhe bashkpuntor besnik i Gjergj Kastriotit – Skenderbe


Foto nga punimet në Monumentin e gazullorve ne Dajç të Zadrimës, që do të përurohet me 30 dhjetor, 2021, që përkon edhe me 75-vjetorin e pushkatimit të albanologut të njohur të Dom Nikollë Gazullit, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

KLERIKËT GAZULLORË GJATË SHEKUJVE:

MATIA 1404, GJONI I 1465,  PALI  I 1470,  ANDREA I 1450,  

IMZOT GJONI II 1753,  NIKOLLA I 1640,  MARINI 1640,  PALI II  1703,  ABAT ANDREA II 1813,  

MEHILLI 1819,  SHTJEFNI 1850,  SIMONI 1864, 

ZEFI 1872,   GJON III  1893 – 1927,  NIKOLLA II 1894-1946,   JAKU 1913-1971

Dom Nikë Ukgjini me grupin e tij të bashkpuntorëve në fillim të punimeve për ngritjen e Përkujtimores kushtuar gazullorëve ndër shekuj

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 60
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT