• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2021

TË SJELLËSH KOHË DHE TË PARALAJMËROSH…

December 27, 2021 by s p

– Në Kosovë del romani “Funerali i pafundmë” i Visar Zhitit – 

C:\Users\User\Downloads\IMG_2565.jpg

“Botimet KOHA” sjell një roman të pazakontë, i nxjerrë nga e harruara, “Funerali i pafundmë”. Roman i shkruar nga Visar Zhiti për një funeral surreal që ngërthen metafora histroike, rrëfime tragjikomike, cinike e groteske, që të gjitha në funksin të luftimit të diktaturës nëpërmjet letërsisë. Me një stil jashtë të zakonshmes, Zhiti shkrin gjithë talentin lirik për ta sjellë një roman shumë të veçantë.”

Kështu shkruan në lajmin e vet enti “Botimet KOHA” në Prishtinë në publikimin që i bën romanit “Funerali i pafundmë” të shkrimtarit Visar Zhiti. Ky roman del në kohë pandemie dhe i bën jehonë të zymtë edhe pandemisë, por asaj ideologjike. Romani është një përballje letrare me dikaturat, cilatdo qofshin dhe ngado që mund të vijnë. 

Pas botimit të parë në Tiranë, nga “Omsca-1” 2003, romani u botua dhe në Itali me përkthim nga prof. Elio Miracco.

Më pas doli dhe në Rumani, me përkthim të Dr. Luan Topciut. Botimi i tij i dytë në vitin që shkoi, pati disa shtesa, me të cilat doli së fundmi në Prishtinë.

Ndërkaq romani është në process pune për botim dhe në gjuhë të tjera Kritika vendase dhe e huaj e sheh “Funeralin e pafundmë” si vepër postkafkiane dhe postmoderniste, Po rendisim disa pjesë prej tyre, nga shkrimtarë dhe kritikë letrarë.

Funerali i pafundmë.JPG


NJË RRËFIM PËR ECJEN NË ASKUND

Nga Aliu Aliu

Kritik arti, Kosovë


…eshte porosi dhe paralajmerim, eshte rrefimi per ecjen askund te nje kohe, te nje hapesire, te nje rrethi, te nje shoqerie, te nje kolektiviteti qe s’di prej ku eshte nisur dhe pse eshte nisur dhe, me tragjikja akoma, qe s’di per ku udheton ne formen e nje funerali, pse udheton dhe ke perciell. 

lexuesi ne fund pyet: pse gjithe ky trishtim, sikur te paskesh qene paluar neper shekuj, e per t’u shpaluar pastaj ne faqet e romanit “Funerali i pafundme”? 

Dhe na vjen vazhdimisht te pyetemi: c’eshte gjithe ky vizion tragjik, permasash apokaliptike? Enderr, parandjenje e paralajmerim, loje e imagjinates buze humnere, te imagjinates qe pluskon dhe deperton pertej te imagjinueshmes? 

Nga Dr Gëzim Alpion, Universiteti i Birminghamit, Mbretëria e Bashkuar.

Po qe se akoma nuk e keni lexuar romanin e Visar Zhitit “Funerali i Pafundmë”, nxitoni të gjeni nje kopje. Po qe se libri nuk ështe më në qarkullim, i shkruani botuesit menjëherë që të botojë kopje të tjera, mundësisht sa më shumë. Po qe se ribotimi do të marr kohë, më shkruani që t’iu dërgoj kopjen time. Sa më herët që ta lexoni këtë vepër, aq më shumë do të përfitoni. Si çdo vepër me vlerë, ky roman ju ofron lexuesve nje trajtim terapik që do t’i ndihmojë ata ta njohin vetveten ndoshta më tepër se nga çdo libër tjetër që kanë lexuar deri tani. Si nje Froid letrar, Zhiti e drejton lexuesin me mjeshtëri, simpati, por disa herë edhe me insistim në turneun e vështirë nëpër labirinthet e errëta të koshiencës dhe subkoshiencës. Me Zhitin, letërsia shqiptare ka gjetur nje stil te ri rrëfimi që u përsos nga James Joyce dhe Virginia Woolf.

Zhiti ka shkruar një vepër origjinale sa moderniste po aq edhe postmoderniste për nga konceptimi dhe ekzekutimi artistik si dhe mesazhi filozofik. Ky roman mund të krahasohet denjësisht me disa nga veprat më të mira të autorëve si Kafka, Orwell, Salinger, Heller dhe Solzhenitsi. Duke pasur parasysh historinë e romanit shqiptar, Funerali i Pafundmë është një arritje për letërsinë dhe kulturën shqiptare. 

NË ITALI

VALLE E ÇMENDUR FERRI

https://images-na.ssl-images-amazon.com/images/I/51yLT5y07HL._SX304_BO1,204,203,200_.jpg

Nga Prof. Elio Miracco

Visar Zhiti ndërton një mozaik marramendës, ku duket se janë vënë të gjitha me ngjyrat e ndjenjave : dhëmbja dhe ironia, seksi dhe ëndrra, vuajtja dhe bukuria, gjëmimet e luftrave në Ballkan dhe fantazmat, realja e përzier me jorealen duke u bërë më reale, përditshmëria e shpërndarë nëpër kohë, me një dënduri dhe harmoni që e arrijnë vetëm mjeshtrit.

Nga Davide Brullo 

Funeralin e pafundmё, roman i jashtzakonshёm, qё kashtis ankthin uajtnian tё kёngёs me marramёndjet e Mario Luzi-t  Nё fakt, romani-poemë nё 66 odat e tij kundёr – Nerude, ёshtё varrimi, 100 vjet mbas Revolucionit rus, tё “mendimit tё njёsuar” (nga ana tjetёr, “tё mendosh ndryshe tё ndёrlikohet jeta”), tё Shtetit si “varrmihёs”, tё diktatorit si proletariati i bashkuar (“Nё vdekjen e diktatorit mbretёron njё hije e rёndё nё tё gjithё Shtetin dhe njё angёshti, duket sikur ka vdekur edhe vendi. A do tё gjindet mё njё tjetёr shtypёs kaq i suksesёshёm ?”)

  Nё kёtё valle tё çmendur ferri megjithatё shpёrthen dashuria epshore (“ Qё njё ditё do tё vdisja, e dinja, por qё tё bёnja dashuri nё njё funeral, nuk m’a ka marrё mendja kurrё), madje nё “formё piramidale”. Megjithёse i prashitur nga pushteti, poeti gjithёnjё ulurin “po”-nё e tij mizore jetёs.

Nga Alessandro Zaccuri

Ёshtё njё valle e veçantё vdekёsore ajo qё poeti shqiptar  Visar Zhiti vё nё skenё nё kёtё Funeral tё pafundmё, i pёrkthyer mrekullisht nga Elio Miracco nё njё italishte qё ruan ashpёrsinё dhe guximin e sprovёs sё origjinalit: kapërcimet e papritura qё ngrenё krye nga njё kapitull nё tjetrin… qё pёrmblidhen nё epigrame… dhe rrokullisje dramatike, njё faqe e bardhё pёr tё lёnё tё kuptohet se pragu i tё pathёnёshmes ёshtё arritur.   

I konceptuar si alegoria e totalitarizmit, Funerali i pafundmё kthehet nё njё pёrsiatje mё tё gjёrё mbi gjёndjen njerёzore, ndёrmjet instiktit tё mbijetesёs dhe fatit tё pёrbashkёt : “Ne i pёrkasim tё gjithё vdekjes e mbi tё gjitha nё njё funeral”, shkruan Zhiti, duke bёrё tё depёrtojnё nё bashkёkohёsinё fjalёt e dashura tё Etёrve tё shkretёtirёs.

POROSI EVOLUTIVE ME VLERA UNIVERSALE

Nga Dr. Viktor Marko Solomon

Izrael

Funerali është një dekodifikim jashtëzakonisht simbolik i një procesi që fillon atje ku fillon edhe vetë historia e jetës dhe vazhdon, pambarimisht, i pasuruar me cilësitë, karakteristikat, vlerat dhe vetë domethënien e ekzistencës së saj. 

Vetëm një operacion i mirëkuruar ermeneutik në planin psiko-antropo-sociologjik mund të zbërthejë jo vetëm simbolikën e fuqishme prehomerike të Funeralit të Zhitit, por edhe pasurinë gjuhësore aq të favorizuar nga shqipja në të cilën romani është shkruar, 

Funerali surreal që përshkruan Zhiti përballon temën më shumë se aktuale të konfliktit  Vetvete – Ego, që dominon shoqërinë e sotme postmoderne, temën e domosdoshmërisë së shembjes së skemave të konsoliduara antropologjike, që i japin njeriut të sotëm disa  përsigurime, por jo siguri të vërtetë.

NË RUMANI 

https://telegraf.al/wp-content/uploads/2021/10/03-3.jpg

NJË EVENIMENT KULTUROR

Nga Dr. Luan Topçiu

Romani „Funerali i pafundmë” popullohet jo nga karaktere, por nga personazhet-maska, personazhet zëra ose thjesht personazhet hije të paforma që krijojnë kortezhin e pafund. Funerali është torturë e ngadaltë shumëvjeçare, gjë e shton dramacitetin, dhe jo rroposje e beftë. Ky kortezh i pandemive ideologjike shkon paralelisht me pandeminë COVID-19. Është marshimi i shumicës drejt një varri të nevojshëm, duke mbajtur një arkëmort enigmatik që nuk mbërrin në asnjë destinacion. Poeti i madh rumun Cezar Ivanescu lexoi dorëshkrimin e këtij romani, duke e përshkruar shkrimtarin Visar Zhiti si “një shkrimtar origjinal me forcë të madhe dhe dramatizëm të rrallë”.

Nga Aurel Maria Baros

Libri i Visar Zhitit, “Funerali i pafundmë” është një epope e vërtetë e kalvarit të një shoqërie që i është nënshtruar “një marshi funebër” diktatorial, drejt një ideali të sëmurë. Në thelb, një histori e rëndë, por plotësisht reale, një histori e marshimit te verbër, një histori përberë prej evenimentesh domethënëse, tragjike dhe tragji-komike, një metaforë e jashtëzakonshme e “turmës” e tërhequr në mënyrë obsesive ne një rrugë që nuk gjen fundin. 

Ne tekstin e Zhitit, siç sugjeruam më lart, bashkekzistojnë lumturisht, me domethënie te thella, sekuenca te tmerrit dhe poezisë se ndjeshme, komikja me absurdin, grotesku dhe meditimi serioz, patetizmi dhe fatalizmi më gjunjëzues. “Funerali i pafundmë” i autorit te talentuar dhe te thelle Visar Zhiti duke u publikuar në Rumani, përbën një eveniment te vërtetë kulturor.

         Nga Liviu Lungu

Përmes një gjetjeje krejt origjinale, arrin t’i induktoje lexuesit hidhërimin, grinë dhe tmerrin e një intelektuali në fundin e mijëvjeçarit të dytë.

         Teksti, relativisht i shkurtër: kujtime, memento, metaforë me referime historike të qarta, historia e drejtuar dhe përmes metaforash, rrëfime me thekse tragji-komike dhe, vende-vende, cinike, grotesk, që dëshmon thellësi dhe frymë fine vëzhgimi, seri obsedante me ndodhi nga të cilat bien në sy disa, përsosmërisht të integruara, nga një lirikë e shkëlqyer…

Filed Under: Opinion

KRIZA TURKE DHE ZJARRI NË KUFIJTË TANË

December 27, 2021 by s p

Nga FEDERICO FUBINI – “Corriere della Sera”, 17 dhjetor 2021   E përktheu: Eugjen Merlika 

Sot Rexhep Taip Erdogan nuk është më thjesht presidenti iTurqisë. Është një diktator në labirintin e tij, i mundur nga realiteti, i burgosur në një krizë që nga financiare po bëhet shoqërore e ndoshta shpejt mërgimtare e gjeopolitike. Erdogani ka pushuar nga puna një sërë guvernatorësh e funksionarësh të lartë të bankës qëndrore, sepse ata kanë guxuar t’i kujtonin parimin e së vërtetës: ikja e kapitaleve e kthen  një Vënd në zhvillim në një anije pa timon në një det me stuhi. Përgjigja është vetëm ngritja e treguesve të interesit për të frenuar inflaksionin, duke treguar se kuptohen ligjet bazë të një ekonomie me 83 milion banorë.

Erdogani bën të kundërtën. Kundërvepron ndaj zjarrit financiar që ai vetë e ka ndezur si një jo vax i vendosur të kurohet nga Covidi me një shurup magjik. Inflaksioni është tashmë përmbi 20 %, por diktatori vazhdon të detyrojë uljen e përqindjes së interesit. Ka vendosur katër të tilla rrjesht dhe lira turke në 2021 është fundosur me 56 % kundrejt dollarit. Tani rënia vetëm mund të shpejtohet mbas uljes për të satën herë të diktatorit të enjten. Dje monedha ka pësuar një tjetër humbje, një rënie prej 6% kundrejt dollarit në pak orë. Do të rriten çmimet e energjisë, të ushqimeve e të gjitha mallrave të importuara. Inflaksioni do t’I kalojë 30 %. Kursimet e shtresës së mesme po kthehen në pluhur, shtimet e pagave më të ulta nuk do të mjaftojnë për të patur bukë në tryezat e milionë të varfërvet. Në të kundërt, do të ushqejnë shtjellën infernale të çmimeve.

Gjëndja rrezikon të shpëtojë nga duart e nuk mund t’a urojmë atë. Në kufijtë e saj Evropa ka kërcënimin bjellorus, atë të Moskës mbi Ukrainën, fuçinë e barutit libiane. Shfaqja e milionë të mërguarve të ikur nga Venezuela na kujton se njerëzit e varfër largohen nga mbi-inflaksioni, kur mundin. Sot rreziku është në dyert tona, por ne po bëjmë të pamundurën për të kthyer vështrimin nga ana tjetër.

“Corriere della Sera”, 17 dhjetor 2021   E përktheu: Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza

RILEXIMI I FISHTËS NË LIRI

December 27, 2021 by s p

Frano Kulli/

C:\Users\User\Desktop\Foto F (Paolo)\Frano_color_2 (2).jpg

Gjergj Fishta, qe i exkomunikuar për një gjysëm shekulli. Leximi i veprës së tij lirisht qe i pamundur, madje rreptësisht i ndaluar. Një rast unikal ky, krejt i veçantë që i ndodh një autori. E çfarë autori ! Poetit tonë Kombëtar. Leximi i mbramë i lejuar e i papenguar “Post mortum”, ka vijuar edhe jo më shumë se pesë vite, nga 1940 deri në 1945-ën. Në ndërkohë janë dy botime përkujtimore; “At Gjergj Fishta-Botim perkujtimuer” i vitit 1941, përgatitur nga bashkëvllau , At Benedikt Dema dhe tjetri i së njëjti koncept e format dhe i po të njëjtit vit, botim i revistës “Shkëndija” në Tiranë. Janë dy momente përndritjeje përreth tij e veprës së tij, por masandej mbas shumë pak kohe gjithçka zbehet e venitet. Ndoshta qe kjo mirakandja e fundme që pasoi preludin trishtues për atë pluhnajen që do të vinte më mbas, terratisja e tij deri në mospërmendje. Mospërmendja ra vetëm me rikthimin e lirisë së fjalës e të shprehjes, atëherë kur rendi ynë shoqëror, si rregjim refraktar dhune u përmbys. Ndër të parat gjëra rreth të cilave filloi të flitej ishte edhe evokimi e rikthimi i Fishtës së ndaluar. Një bërthamë intelektualësh në zë të fushës së letrave e të artit; Ndrekë Luca, Aurel Plasari, Rudolf Marku zatesin shpejt në Shkodër. Në qytetin ku poeti kish ndërtuar lavdinë e vet. Përreth këtij “nukli” u mblodh mjaft qytetarí e etur për liri. Kërkohej rivarrimi human i eshtrave të të çvarrosurit, por njëherësh qe imperativ ripërtëritja e emrit dhe e veprës, strukur nën atë pluhnajen e frikëshme gjysëm shekullore. Duhej “thyer veshi”, më së pari me ripërmendje. Ndaj evokimi, ringjallja e filluar në vitin ’90, pati shumë kumte e fjalë. Fjalë, fjalë, fjalë. Në Shkodër, në Lezhë, në Tiranë… Dhe kjo çmohej si më e duhura asohere. Për disa vite rresht kështu, gati për një dekadë. Dhe mirë është bërë. Ka qenë nevojë jetike rikthimi. Madje, është  proces, ende i papërfunduar. Ndërkohë u ribotuan në mënyrë sporadike një pjesë e veprave… Gjithçka e botuar në gjallje të tij, kishte mbetë e shpërndarë. Nuk u arrit të përmblidhej në një kolanë, ashtu siç e kishte ëndërruar vetë ai. Dhe siç kish porositur në bisedë me njërin prej bashkëvëllezërve, At Viktor Volajn (6.12.1910 – 5 nëntor 1995), gjuhëtar ekselent. Kjo gjë nuk mundi të arrihej prej tij edhe pse ai, fizikisht jetoi gjatë mbas autorit. Në vitin 1941 ai ribotoi të komentuar prej tij “Mrizi i Zanave”. Me këtë botim që ishte i katërti i veprës (i pari daton në vitin 1913 nga shtypshkronja “Nikaj”) ai vijonte bashkëpunimin e tij me Fishtën tashmë të ndjerë, prej aty ku e kishin lënë.“N’ortografi u mbështeta mbi njato kritere-dëshmon Volaj-mbas të cillash, dy muejë para deket qortuem bashkë me poetin trembëdhet kangët e para të “Lahutës…”. Ndersa me ndrrime të vogla qi bani aty këtu i zhduku edhe disa trajta nëndialektare sidomos të Zadrimës, si kjoshna per kjoshim, jena për jemi etj., si edhe trajtat e sinkopueme,(k’in për kishin) kur s’e lypte nevoja, tue kenë mendimi mbi nji botim definitiv me i zhduk do trajta nendialektare, qi nuk kishin nji arsye të posaçme shprehjeje 

Kështu, letërsia e tij, gjalloi vetëm në klandestinitet, shpesh me rrisk e rrezik për lexuesin e leximin fshehtas, ose… si letërsi orale, gojore. Lahuta, kryevepra kështu. Për shkak të strukturës së saj stilistiko-letrare dhe se qe bërë shumë familjare, një vepër homerike e cila komunikonte lehtësisht edhe në mënyrë orale.(Kam njohur jo një po disa ithtarë që recitonin pa u ndalur me qindra vargje nga ajo, njësoj si vargje të eposit të kreshnikëve.) 

Eqrem Çabej, ky albanolog i pa qasje me të tjerë, i pakrahasueshëm, që rrezatonte kulturë evropiane, jo vetëm për shkak të gjithë ciklit të studimeve të veta; të mesme, të larta dhe ata doktorale, që kishte kryer në Austri, porse gjithë jetën e vet studimore më pas e çoi në këtë frymë e në këtë rrugë, shprehet:“Fishta arriti të ngrejë kështu veprën (“Lahuta e Malcis”) në sferën kombëtare… vepra e tij ka marrë karakterin e një eposi kombëtar. Te ky[Fishta] e kaluara dhe e ardhmja e këtij kombi janë pjekur fatalisht në një pikë simbolike me njëra-tjetrën.Ai madje shton se:“nuk mund ta përflasim poetin që ka marrë për lëndë të poemit të tij një trevë njerëzore gjeografikisht kaq të ngushtë; sepse te kjo botë e përshkruar prej tij njohin vetveten jo vetëm Malësorët e Veriut, por gjithë banorët e maleve shqiptare, ata të Verilindjes (Kosovë), të Lindjes (Dibër) e të jugperëndimit (Labëri)”  

Po më përtej, është shfaqë edhe synimi shvleftësues, në ndonjë analizë stilistikore, po krejt të sipërfaqëshme, buruar prej ndjesive të xhelozisë, më tepër se prej arsyeve të tjera, besojmë. Arti i Fishtës është përçmuar si folklorizant. Duke i vënë përballë vargun e lirë e modernitetin e tij, për kohën, tek Migjeni; duke krahasuar të pakrahasueshmet. E duke mënjanuar faktin që vetë Fishta nuk qe aspak përjashtues por veçse vlersues e inkurajues për talentet e shkrimtarisë së kohës së vet. Sidomos për më të rinjtë. E jo veç i Koliqit, bie fjala, por edhe i Migjenit, të cilin ai e çmonte “djaloshi i talentuem”. Kur ndër biseda me të, bashkëvllazën françeskanë i shfaqnin mospranim për idetë a poezitë e tij e madje  e cytnin duke i thënë: “Pader, duhet me ju pergjegjë këtij Migjenit..”. E poeti pati dhënë atëherë, në vijim të konsideratës së tij për të, këtë përgjigje për bashkëvllaznit:“Lenie rahat djalin e Gjushit [Gjergjit] se asht  ende i ri… “, pohojnë bashkëkohës se u thoshte Fishta për të.  

Po me letërsinë tjetër të tij ç’u bë ? … Ç’u bë me dramaturgjinë e tij ? Me dramat e melodramat, po edhe me përshtatjet nga fondi më i mirë i dramaturgjisë botërore, shumicave e të cilave qe inskenuar po prej tij. Fishta pati sjellë për së pari komunikimin në shqip të saj. Veprimi i tij për teatrin zë fill që më 1902. Asokohe, salloni në Kuvendin e Françeskanëve në Shkodër, ku ishte edhe “rezidenca krijuese e shkrimtarísë së Fishtës” u kthye edhe ndër sallat e para në atë qytet e më përtej, sallë shfaqjesh ku filloi të kumtohej shqip. Dhe vetëm shqip. (Pak më vonë, me 1919, në Gjuhadol, në oborrin e shkollës fretnore u ndërtua një sallë tjetër, një sallë me 300 ndenjëse për spektatorë). Këtë pati kurajë ta bënte Gjergj Fishta, i cili, edhe kur përdorimi i shqipes ende qe i ndaluar nga Perandoria Osmane e futi atë si gjuhë mësimi në shkollat françeskane (liceun françeskan “Illyricum” dhe në shkollën e motrave stigmatine) kur ishte drejtor i këtyre shkollave. Studiuesi Tonin Çobani na kumton se: “Aty [në sallonin e fretënve] mendohet se u shfaqën dy skeçet origjinale të Fishtës (“Autori, Shtypshkronjësi” dhe “Përpara derës së Parrizit”), komeditë “Mjek përdhuni“(1905) dhe “I ligu për mend” (1908), të dyja sipas Molierit, si dhe dy pjesë origjinale me karakter didaktik: “Gjuha e Mësimit” (1907) dhe “Nevoja e mësimit” (1907). 

E fundit vepër e tij dramaturgjike që vihet në skenë është melodrama “Juda Makabé”, në vitin 1945, me 28 nëntor, në një vjetorin e çlirimit nga pushtuesi.(Zef Zorba ishte rregjisori, Prek Jakova muzikanti. Preka, i izoluar për arsye biografike, në një shtëpi burg aty në Shkoder, ditën e çonin nga aty, në teatrin e jezuitëve ku bëheshin provat për shfaqjen e në darkë e kthenin përsëri në shtëpinë burg). Ajo qe shfaqja e fundit e “Judës…” dhe e fundmja shfaqje me tekst nga veprat dramaturgjike të Fishtës. Këtu e këndej gjithçka venitet e struket. Ende sot, Fishtën e citojnë dhe e përmendin rrallë si dramaturg. Ani pse ai është autor i 40 dramave e melodramave, të shkruara a të përshtatura. Me shkrimtarinë e vet në gjininë dramaturgjike(që kryesisht është e shkruar në vargje), por dhe me vënien në skenë, thuajse të shumicës së veprave të këtij zhanrri, Fishta u shenjua vetëdijshëm si themeluesi i teatrit shqiptar. Kurse Faik Konica, në esenë e tij të gjatë “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës juglindore” shkruan: “At Fishta është marrë me secilën gjini letrare dhe në të gjitha ka qenë i suksesshëm” 

Po me satirën? Satira qe përmbledhë në “Anzat e Parnasit” që me 1907-ën…Shkruan At Pashk Bardhi një bashkëvëlla françeskan: “Në vjetë 1907, nuk më bje në mend se në ç’muej, nëpër liqe të Shkodres kthete prej nji udhëtimi qi kishte bâ në Vjenë Abâti i Mirditës, Emzot Doçi. At Fishta, At Benardin Shllaku e unë i duelem përpara  ku ndaloi vaporri. Kur hime n’lunder për me ardhë në qytet[Shkoder] e thirri Fishten me ndjejë bri tij e i kallxoi se në Vjenë të gjithë, profesorë e studenta e të gjithë qi u merrshin ndopak me gjuhë shqype ishin t’entuzjasmuem per “Oso Kuken”[Kënga e dytë e Lahutës] e lavdet qi i kish ndie prej sish nuk dijte me i shprehë. Atë Fishta e pveti:”Po per “Anza t’Parnasit”, monsinjore, shka thojshin… “… Është i vetëmjaftueshëm edhe pohimi i kësaj bisede për të ndaluar te vendi që zinte satira në aspiratën krijuese të Fishtës, që heret. Madje, njihet deri më tani se publikimi i parë i Fishtës është një vjershë satirike “Zoti Anselmo Lorecchio në Vienë”, e botuar në nëntorin e vitit 1899, në “Albania” të Konicës, që asokohe dilte në Bruksel.

 “Gomari i Babatasit” qe shkruar, inskenuar edhe botuar në 1923. Në kohën kur doli ajo tronditi skenën shkrimore e intelektuale, por atë politike mbi të gjitha, me thellësinë e mendimit e forcën e satirës që fshikullonte dallaveret e shumta të politikës e mbartësve të tyre, kryesisht. Edhe “Visku…” që për “arsye prudence”, siç autori na pohon, mbeti e pabotuar…

Mbas ndalimit të tij edhe satira mbeti e transmetuar heshtazi e frikshëm vetëm si…lexim anekdodik. Në vend të satirës së tij, që në bashkëkohësí kishte pasë arrit majat , “lexohej”, transmetohej Fishta hokatar. Pra qarkullonin gojë më gojë anekdotat e tij dhe përreth tij sidomos, herë të thëna bukur e herë jo bukur. Ishte pra, aspak më shumë se vulgaritet me zëvendësue satirën e kulmeve të arritura deri atëhere me hoka. Siç është vërejtur, “Gomari i Babatasit dhe “Visku i Babatasit”, janë shenja të larta emancipimi mendor e shoqëror të shqiptarëve, të cilët nuk na kanë lënë, për fat të mirë pa dëshmi dinjiteti për të përballuar të vërtetën. Në këtë pikpamje, kjo vepër mund të krahasohet, siç është krahasuar me “Udhëtimet e Guiliverit” tek anglezët, me “Shpirtrat e vdekur” tek rusët, me “Gjermania-një përrallë dimri” te gjermanët etj.-shkruan studiuesi Stefan Çapaliku. Edhe tani, para tri vjetësh, kur u vu në skenë “Gomari i Babatasit”, në Shkodër salla e teatrit qe plot për disa netë, po nga zyrat u patën shigjetuar me turivarje…

Po me prozën: publicistikën, eseistikën ç’u bë ? Ndoshta përkufizimi i Lasgushit “meditans e militans”[ëndërrimtar dhe luftarak] do t’i shkonte më shumë se çdo perifrazim tjetër produktit të shkrimtarisë së tij në këtë fushë. Si stil shkrimtarie e si problematikë sociale. Që intonohet e shërben edhe në të sotmen. Në të vërtetë, asnjë personalitet shqiptar i kulturës, rezident i përhershëm në truallin ku lindi, nuk ka marrë nderime e vlerësime të pafundme superiore sa At Gjergj Fishta, në gjallje të vet, i rrethuar me lavdi si askush deri atëherë në Shqipëri. Njëri syresh, Luigi Federzoni, shkrimtar, publicist dhe politikan i rëndësishëm i kohës,[Ministër i fashizmit], një ditë pas vdekjes së Fishtës shkruan: Në të [Fishten] kemi pá se gjallonte e rrahte zemra e shpirti i kombit fisnik shqiptar me të gjitha bukuritë e miteve origjinale, të traditave mistike e kalorse, të dokeve besnike të vjetërsisë, të ndjenjave heroike. Secili nesh ka kuptue se Gjergj Fishta kishte me të vërtetë lartësinë e Poetit Kombëtar. Tashti e dijmë se vepra ka për të mbetë në mende e në nderim të shqiptarëve. Ndoshta më shumë se çdo vlerësim tjetër është ky, sa për notat e larta, po aq edhe sepse rrëzon qëndrimet e herëshme, që rishfaqen ende sot, herë pas here si akuza të tërthorta të shërbesës a bashkëpunimit me fashizmin. Po ka edhe një pohim të vetë autorit akademik që na vjen nga At Danjel Gjeçaj, si dëshmi në mbështetje të arsyetimit tonë e si drojë largpamëse e keqkuptimit e vetë Fishtës: …Ndoshta ndokush, tash apo ma vonë, kur unë s’kam për me mujtë me u mprojtë ka për të më fajisë [bërë me faj] për këtë “kokardë”[stemë] që báj…se unë i jam shitë italianëve apo, çka do të ishte edhe ma zi, se unë jam bá fashist: dije se Akademitë, edhe pse cilësohen me emen të atij kombi e të asaj qeverie prej së cilës mbahen, janë gjithnji e përherë katedra të përbotëshme për dije e art. Svedia [Suedia]- shtonte- u ep çmimin “Nobel” të gjithë dijetarëve e letrarëve në shenj të botës dhe kurrkush s’thotë se i shpalluni “Nobel” asht ba svedez [suedes]. Kështu e argumentonte Fishta para studentëve të vet kurreshtarë, momentin e shënuar të jetës së vet.

Kurse sa i takon  polemikës, një shkollë në vete, ende e munguar tek ne, Fishta qe zotëruesi “par exellence” i saj në bashkëkohësinë e vet; një model për t’u ndjekur edhe sot, për kthjellësinë e ideve, për principialitetin e pa lëkundshëm asnjë fije, por edhe për kulturën e bashkëbisedës e dialogut. Janë shembëlltyra të paarritëshme ende sot shkrime  polemike si “Gabove Hilë” apo “Për nji fjalë të pavend të zotni Mehdi Frashërit” Por edhe në fushë të estetikës me esetë: “Poetët e m’dhaj t’ Italisë” apo “Shenime estetike”, të cilave ke pse t’u kthehesh edhe sot.

  Rileximi në kohën e lirisë

Sot vepra e Fishtës, rezulton të jetë e plotë në duart e lexuesit të dëshiruar. Në dy variante; një botim i transiletruar i ardhur sivjet dhe një tjetër që në 2012-ën , i plotë, integral gjithashtu, i paisur me aparat filologjik e gjuhësor. I arsyetuar kështu si një mënyrë më e lehtë komunikimi me  lexuesin. Edhe një “Fjalor i veprës së Fishtës” , sapo ka dalë nga shtypi, një muaj më parë. Mendojmë se është   një çelës i nevojshëm leximi. Për të kuptuar e shijuar më mirë e më plotë veprën. Se, më së pari, risjell  atë pjesë të leksikut, prezent në veprën e autorit, por të stopuar atje prej suspancës së mospërdorimit e mungesës së kontaktit me lexuesin. Dhe për së dyti edhe për të mënjanuar sa të jetë e mundur pretekstin e moskuptimit të veprës e të autorit,  për shkak të këtij leksiku “të vjetërsuar”, që ka shërbyer gjithherë këto kohë si vjegzë për të varur në të vjetërsinë, anakronizmin, për ata që e duan Fishtën atje në cepat e harresës prap tani e përjetësisht. 

Por janë gjithashtu edhe katër prej veprave përfaqësuese të gjinive letrare (“Mrizi i Zanave”, “Lahuta…”,  ”Juda Makabé e Jerina ase mbretnesha e luleve” dhe “Gomari i Babatasit “) si botime të veçanta, paisur edhe këto me shpjegimet filologjike të sipërpërmendura, prezenca e të cilave  e ka dhënë një efekt, sado të pakët në mardhënien  e nevojshme të autorit klasik me brezin më të fundit. Tani, imperativ mbetet hyrja meritueshëm e klasikut në shkolla, gjë të cilën, autoritetet përgjegjëse të këtij vendi nuk po duan e nuk po duan ta bëjnë… E jo vetëm burokracia shtetrore e kalbur, por për më shumë edhe raporti i faktorit letrar me Fishten, që ende ruan  sot domenin e dikurshëm të “parësisë”, me qëndrimin  e vet e  prekin thelbin e leximit të autorit klasik, poetit kombëtar të shqiptarëve.

Ende vijon të jetë i pakthjelluar, i pazgjidhur ngërthimi ndërmjet “mitit” dhe “antimitit” që e bashkëshoqërojnë tash një shekull Fishtën. Dikush e don me patjetër edhe “arkitekt” të madh, (MITI) sikur të mos mjaftojë madhështia e gjithdimensionaliteti letrar e publik i tij e kualiteti i epërm i konfirmuar i shkrimtarisë së tij. Që, në mënyrë të tërthortë e dëmton atë, mendojmë. Ndonëse edhe në këtë fushë ende sot ruhen skica origjinale e përmenden prej bashkëkohësve bashkëpunime me arkitektë të zot të kohës si ing. Ludovik Zojsi. Por më e rëndë, shumë më e rëndë është tjetra; dikush e don ende të sfmumuar, të mënjanuar, të anatemuar si dikur; fashist e tjetër gjë këso dore. Janë kryesisht “rrota e burma” nga mekanizmi i ndryshkur i aulave propagandistike të partisë ku për dyzet e kusur vjet flitej me mllef asgjësues për letërsinë e autorëve reaksionarë. E dikush tjetër me heshtim, e pohon ende si “folklorizant” molepsur prej sindromit të të bërit hije. (ANTIMITI). Pengesa jo të vogla këto në hullinë e leximit e të shijimit të veprës së klasikut të shkrimtarisë, Poetit tonë kombëtar.

Filed Under: Politike

10 këshilla strategjike për Autoritetet Shtetërore dhe faktorët politik në Tiranē dhe Prishtinë

December 27, 2021 by s p

Gjeneral* Piro Ahmetaj/

Ndërsa bota mbetet e shtangur me sytë nga llogoret e prag-pushtimit nga Rusia të Ukrainës, komuniteti sigurisë/kolegë në Washington, Bruksel, Moskë, Stamboll, Zagreb, Lubjanë, sigurisht në Tiranë, Prishtinë, Podgoricë, Sarajevë, Shkup, Beograd, japin alarmin mbi  “rrezikun e një Lufte të Re Ballkanike”. 

Në përmbledhje, adresohen disa pikëpyetje kritike, që mbeten ende pa përgjigje, të tilla si: 

Përse armatoset deri në dhëmbë, nga kush rrezikohet dhe kë kërcënon ushtarakisht Serbia ?!   

Kush qëndron mbas përpjekjeve për të formuar ushtrinë e Serpska, çka jo vetëm do fuste në kolaps institucionet e Bosnje Hercegovinës por do rrezikonte  të riciklonte një konlikt të Ri të armatosur në rajon ?

A po përpiqet Moska të përdori Beogradin, Z. Dodik, etj “mëndje të ndryshkura”, të shmang vëmendjen strategjike nga Ukraina, për qëllime gjeopolitike në Rajon dhe dalje në Adriatik/Mesdhe ? 

Me BE “pa timon” si dhe me SHBA-të e fokusuar në Ukrainë, a do t’i leverdiste Kremlinit një front i ri lufte, pra opsioni i përplasjes ushtarake në Rajon ?

Kësaj situate, Beogradi dhe Moska zyrtare, i përgjigjen me 1 Zë: “Fitili i luftës ballkanike janë ultranacionalistët shqiptarë & preçedenti Kosovës” !?

Por në këtë “aromë baruti”, u realizua vizita e Ndihmës Sekretarit të Shtetit, Z.Escobar (8-10 Nëntor), fillimisht në Bosnjë-Hercegovinë më tej në Mal të Zi, ku konfirmoi: “vendosmërinë e SHBA-ve për mbrojtjen e marrëveshjes së Dejtonit, parandaluar kolapsin e institucioneve në B&H dhe për të mos lejuar një luftë të Re në Rajon”. Ndërsa pas një muaji në MV dhe Shqipëri mori garanci nga autoritetet vendase për: “përmbushjen e detyrimeve në NATO dhe të BE-së”! 

Siç u përshëndet me “garë fotografike”, Mbretëria e Bashkuar, ka ngarkuar të dërguar të posaçëm për Ballkanin, një ndër strategjistët elitar, Gjeneralin ®, Sir, Stuart Peach ish-SHSHP, Kryetar i Komitetit Ushtarak të NATOs, çka fatmirësisht demostron vëmendjen dhe interesat konstante të UK për rajonin. 

Shkimtari M. Glenny, pasi hetoi rrënjët e gjakderdhjes, zbulon një mesazh shprese: “vendet e rajonit i mendojmë si armiq të paepur, gjatë shekujve kanë krijuar aleanca të pamundura”!

Vendet e Ballkanit kanë dhe do të jetojnë për shumë shekuj të tjerë fqinjë që ndajnë kufij, histori të përgjakshme por edhe vlera të përbashkëta! 

Kështu, përtej tunelit te errësirës së urrejtjes dhe gjakderdhjes shekullore,  besoj se DRITA e PAQES, bashkëjetesa demokratike dhe axhenda e integrimit Euro-atlantik do na ndriçojnë edhe Ne ballkanasve për të punuar çdo ditë në interes të mirëqënies së qytetareve, të shoqërisë dhe vendeve tona. 

10 këshilla strategjike për Autoritetet Shtetërore dhe faktorët politik në Tiranē dhe Prishtinë: 

10 Këshilla Strategjike Ramës dhe Kurtit: “Në gjunjë për interesat mbarëKombetare”.

Së pari, me statusin e eksperiencës në peshimin e rreziqeve dhe oportuniteteve të sigurisë kombētare, rajonale dhe NATO-s, do të këshilloja faktorët institucionalë të Tiranēs dhe Prishtinës që të angazhohen si 2 shtete sovrane por një komb i vetëm në përpjekjet për paqen, sovranitetin teritorial dhe  integrimin euro-atlantike të 2 vendeve”!  

Së dyti, ndërsa aktorët me peshë politike të dy vendeve, do ju sygjeroja që për interesa jetike kombëtare (p.sh kufijt shtetëror = interes jetik Nr. 1), të: “shmangin ethet për pushtet, fasadat populisto-elektorale, axhendat e ekstremistëve, privatizimin politik dhe inatet primitive”. 

Së treti, kryeministrave aktualë Z.Rama dhe Z. Kurti, e njëjtë për ata/ato që do i pasojnë do i këshilloja: “të përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme dhe përgjegjësive shtetërore  duke jetësuar Patformën “Dy Shtete një Komb” dhe konceptin “Smart/mënçur” mbi sovranitetin, mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave mbarëkombëtare. Në rajon, USA, BE dhe NATO, do duhet konfirmuar se kjo “përqasje e vonuar” nuk kërcënon askënd, përkundrazi do të kontribuojë si balancë racionale për paqen afatgjate të rajonit. 

Së  katërti, për marrëveshjen e “Ballkanit të Hapur, Proçesi i Berlin, Tregu i Përbashkët Rajonal, CEFTA apo me çdo emërtim tjetër”, të fokusuara në interesat ekonomike (lëvizjen e lirë të qytetarëve, mallrave, tregjeve, investimeve, eti) ta para kushtëzojnë me një paketë me 10 Masa të Mirëbesimit Reciprok (CSBM) nëpërmjet të cilave 6 vendet tē angazhohen se:

  1. Nuk kanë qëllime zyrtare, nuk  planifikojnë dhe nuk zhvillojnë kapacitete ushtarake që kërcënojnë vendet ndërkufitare; që respektojnë Marrëveshjen e Dejtonit, angazhimet e UN, NATO-s & BE në Rajon. 
  2. Do të zbatojnë standartin e NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes (deri 2% të GDP-së) si dhe do të ndërpresin programet e armatimit (Mig-29, Raketa S-400, etj) që kërcënojnë balancat e fuqisë ushtarake (në ajër, tokë dhe det) jo vetëm midis vendeve të rajonit.
  3. Nuk do të vendosin instalime dhe as do të zhvillojnë aktivitete ushtarake, në përkatësisht 25 km distancë ajrore dhe 10 tokësore,  në kufijtë shtetërorë të vendeve nënshkruese (të ngjashme me Marrëveshjen Ushtarake të Kumanovës, mes NATO-s (palë fituese) dhe Serbisë (palë humbëse), që i parapriu ndërhyrjes tokësore të 38.000 trupave nga 36 shtete në Kosovë !  
  4. Nuk do të lejojnë që teritoret e tyre (ajrore, tokësore & detare) të shërbejnë si rrugëkalime të armatimeve të vendeve potencialisht kundërshtare të NATOs (Rusia & Kina), por do të   shkëmbejnë informacione mes angjensive  të inteligjencës në lidhje me trafiqet e armëve, ADM, krimin e organizuar, grupet radikale, terroriste, etj!
  5. Ngritjen e strukturave, kapaciteteve dhe një Momerandum Bashkëpunimi (MoU) për reagime të përbashkëta në rastet e emergjencave civile, epidemive mjekësore, etj.
  6. Marrëveshja t’i nënshtrohet një diskutimi gjithëpërfshirës me qytetarët dhe grupet e interesit si  miratimi i saj do të realizohet me konsesus të gjerë mes partive politike.
  7. Ngritjen e një Bordi Ekspertësh, për të draftuar marrëveshjen si dhe matricën e zbatimit me përgjegjësitë e vendeve nënshkruese. Mbas miratimit, ngritjen e një “Regional Steering Committee” për të monitoruar dhe informuar në kohë reale mbi përmbushjen e detyrimeve nga institucionet respektive sipas matricës që do e shoqërojë marrëveshjen finale.
  8. Vendet antare të Rajonit të EJ-L (Kroacia, Sllovenia, Mal i Zi, Shqipëria, MV, Bullgaria, Rumania), t’i paraqesin peshimin e rreziqeve si dhe ti kërkojnë zyrtarisht NATO-s përgatitjen e planeve operacionale (Contingency Plans) me skenarët e reagimit të përbashkët, nëse kërcënohet cilido nga vendet ose statuskuoja gjeopolitike në rajon.
  9. Ciladoqoftë marrëveshja, përfshi edhe këtë paketë parakushtesh të mirëbesimit reciprok, mbetet e hapur për të ftuar Kroacinë, Sloveninë, Bullgarinë, Rumaninë si dhe para miratimit do të duhet domosdoshmërisht të konsultohet me USA dhe NATO-n, të cilat mbeten faktor kritik për paqen, axhendën e integrimit Euratlantik, që kanë përgjegjësi dhe interesa gjeopolitike në Rajon dhe Mesdhe.
  10. Marrëveshja, përfshi këtë paketë me 10 parakushte, do të miratohet nga parlamentet e 6 vendeve (Shqipëria, Bosnja, Mal i Zi, MV, Kosova, Serbia), por mbështetur në parimin e vetëvendosjes, mund të nënëshkruhet edhe vetëm mes vendeve që bien dakord me këto 10 parakushte. 

Në përmbledhje, paqja mbetet opsioni dhe misioni vetëm për Rajonin. Thënë këtë, besoj se kjo paketë me 10 MMR (Masa të Mirëbesimit Reciprok), do të shërbejë si nje platformë besimi shtesë për bashkëjetesën paqësore, bashkëpunimin dhe mirëqenien ekonomike, forcimin e demokracisë funksionale, dhe axhendën e integrimit eurotlantik të vendeve dhe popujve të rajonit. 

Së fundmi,  si edhe në 36 vjet nën uniformë, ri-konfirmoj edhe më fort se mbetem “më i përkushtuar, më i përulur dhe më i përgjegjshëm  për të kontribuar për mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave mbarëKombëtare” !  

Gjeneral ® Piro AHMETAJ,

Ekpert për SK, Rajonin & NATO,

Zv/Pesident i Këshillit të Atlantikut & Ish:

Këshilltar Ushtarak i Presidentit të RSh;

Zv/ShShPFA & Përfaqësues i RSh në NATO.

Filed Under: Komente

Hiqet kërkesa per tu paraqitur personalisht në intervistë, për disa aplikante per viza jo-emigruese deri në fund të vitit 2022

December 27, 2021 by s p

Av. Hasan Metuku/

Javës që shkoi, Sekretari i Shtetit, në konsultim me Departamentin e Sigurisë Kombëtare, ka autorizuar oficerët konsullorë deri në fund të vitit 2022 që mund të heqin dorë nga kërkesa për intervistë personale të disa aplikantëve për viza joemigruese për punësim të përkohshëm, të cilët kanë një peticion të miratuar nga Shërbimet e Shtetësisë dhe Emigracionit të SHBA-së. Ky autorizim i ri zbatohet për punonjësit e përkohshëm që aplikojnë për viza H-1, H-3, H-4, L, O, P dhe Q të cilët plotësojnë disa kushte, duke përfshirë atë që po aplikojnë për vizë në shtetin e tyre të kombësisë ose vendbanimit.Përveç kësaj, Sekretari i Shtetit zgjati afatin e politikave te miratuara më parë për të hequr dorë nga intervista për vizë për disa studentë, profesorë, studiues hulumtues, studiues afatshkurtër ose specialistë (kërkuesit për vizë F, M dhe akademike J) deri në fund të vitit 2022. Një ndryshim në politikat e mëparshme është se aplikantët që kualifikohen për te mos u narre ne interviste janë dhe shtetasit ose qytetare të një vendi pjesëmarrës në VWP (Visa Waiver Program) dhe duhet të kenë udhëtuar më parë në Shtetet e Bashkuara duke përdorur një autorizim të marrë nëpërmjet ESTA për t’u kualifikuar.Burimet konsullore dhe kufizimet e qeverive të vendeve ndryshojnë shumë, dhe çdo seksion konsullor, rishikon vazhdimisht kapacitetin e tij për të gjykuar aplikimet për viza gjatë kësaj pandemie mbarëbotërore dhe teksa trajtohen çështjet globale dhe prioritetet konkurruese. Inkurajohen aplikantët të kontrollojnë faqen e internetit të ambasadës ose konsullatës përkatëse të SHBA për të konfirmuar nivelin e shërbimeve të ofruara aktualisht dhe për të gjetur udhëzime për aplikimin për vizë pa intervistë. Ambasadat dhe konsullatat mund të kërkojnë ende paraqitjen në intervistë, rast pas rasti dhe në varësi të kushteve lokale.Pandemia COVID-19 rezultoi në reduktime të thella në kapacitetin e përpunimit të vizave nga Departamenti i Shtetit. Ndërsa udhëtimet globale po rimëkëmben, Departamenti po merr këto hapa të përkohshëm për të çuar më tej angazhimin e qeverise për të reduktuar në mënyrë të sigurtë dhe efikase kohën e pritjes së vizave duke ruajtur sigurinë kombëtare si prioritet. Lista e plotë e kategorive të vizave në të cilat takimi tani mund të hiqet mund të gjendet këtu poshtë:https://travel.state.gov/…/News/visas-news/important-ann ouncement-on-waivers-of-the-interview-requirement-for-certain-nonimmigra nt-visas.html.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 60
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT