• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2022

GRUPI “GJERGJ KASTRIOTI”, AKTIVITETE MADHORE PËR KOMUNITETIN SHQIPTAR TË MIÇIGANIT

January 18, 2022 by s p

Joli Agolli Paparisto: Hapet Jon Channel në Miçigan, përcjellës i diasporës kudo në botë, një zë më shumë për shqiptarët

Intervistoi: Eneida Jaçaj

Prej shekujsh, intelektualët e rangut më të lartë politiko-kulturor të diasporës kudo nëpër botë jashtë trojeve të vendit amë, kanë qenë një zë shumë potent dhe i rëndësishëm për shqiptarët dhe Shqipërinë. Shqiptarët e diasporës kanë qenë gjithmonë të bashkuar dhe asnjëherë nuk i kanë shkëputur rrënjët nga toka mëmë, atje ku lind gjuha, traditat, zakonet, folklori, atje ku merr kuptimi ekzistenca e një kombi dhe formësimi i individit qytetar. 

   Kjo traditë e lënë trashëgimi nga e kaluara, vijon edhe në ditët e sotme. Intelektualët e diasporës vijojnë të ecin në hapat e personaliteteve të shquara të atdhetarisë, duke u bërë një zë i fuqishëm për shqiptarët kudo ku janë, duke promovuar vlerat dhe traditat kulturore, sidomos duke mbajtur të ndezur pishtarin e gjuhës shqipe, si e vetmja provë më e madhe për të mbajtur në këmbë ekzistencën e kombit tonë. 

   Joli Agolli Paparisto, me profesion koreografe, drejtuese e grupit artistik “Gjergj Kastrioti” në një bashkëbisedim për gazetën “Dielli”, jep lajmin se në Miçigan sapo është hapur Jon Channel, një produksion mediatik, i cili do të përcjellë veprimtarinë e shqiptarëve jashtë trojeve të Shqipërisë. Do të jetë një zë më shumë i diasporës për Shqipërinë, një produksion krijues, i përjavshëm, i përbërë me 2 shou, Fenomen dhe me Jolin. Duke u ndalur në aktivitetet kulturore, Joli shprehet se grupi “Gjergj Kastrioti është i angazhuar si çdo vit për të përcjellë vallet dhe folklorin shqiptar, duke mbajtur gjallë traditat e vendit. 

-Përshëndetje Joli! Jemi sërish së bashku pas një periudhe gati njē vjeçare, në një bashkëbisedim të ngrohtë, ku në qendër të bisedës do të kemi projektet tuaja pēr komunitetin shqiptar në Miçigan. Fillimisht doja t’u pyesja, si ka nisur ky vit për ju? A mendoni se do të jetë më i mirë see viti që lamë pas, si në aspektin personal, profesional, por edhe në rang botëror, pasi kaluam një pandemi shumë të egër dhe pasojat ende ndihen edhe sot?

Viti 2022 ka nisur i mirë, punëtor do të thoja, me projekte të reja. Jam shumë e lumtur të prezantoj hapjen e Jon Channel, një zë më shumë në diasporë, që do përcjellë kudo botën e madhe shqiptare jashtë Shqipërisë. Është një produksion krijues, i përjavshëm, i përbërë me 2 shoë, Fenomen dhe me Jolin. Këtu përfshi dhe aspektin personal, duke qenë se jeta ime kryesisht prihet nga puna, e cila më jep një kënaqësi të madhe. Uroj që ky vit të nisë normal dhe plot të mira për ju dhe të gjithë lexuesit tuaj, në fakt mbarë njerëzimi. Të lëmë mbrapa sa më shpejt trazirat e këtyre 2 viteve që kaluam.

-Në memorien e publikut, ju keni mbetur ajo vajza çapkëne, energjike hipur mbi motor, në rolin episodik të filmi “Edhe kështu, edhe ashtu”, me regjisor Bujar Kapexhiu. Çfarë ka ndryshuar sot, të ajo vajza çapkëne?

Asgjë s’ka ndryshuar, përveç moshës; jam po ajo, gjithmonë e gatshme për të provuar gjithçka të re, tunduese. Më pëlqejnë të paarritshmet, sepse më motivojnë dhe më ngacmojnë ambicjen për t’i përvetësuar.

-Ju jeni drejtuese e grupit artistik “Gjergj Kastrioti”, si koreografe, i cili promovon vlerat dhe traditat kulturore shqiptare. Çfarë projektesh dhe risi të reja do të sillni për këtë vit sa i takon aktiviteteve për vallet shqiptare?

Grupi “Gjergj Kastrioti” është gjithmonë burim folklori i artit koreografik, aktiv çdo vit, gjithmonë i angazhuar në aktivitete komunitare, por dhe në rang vendas, duke qenë se kultura, folklori, kostumet e bukura tona nëpërmjet performancave të grupit “Gjergj Kastrioti” janë bërë shumë të njohura dhe ndër amerikane në Michigan.

-Komuniteti shqiptar i Amerikës u organizua për festën e Flamurit dhe Ditën e Çlirimit tē Shqipërisë. Çfarë aktivitetesh u organizuan në Miçigan me komunitetin tuaj, në këto data të shënuara historike për ndërtimin e shtetit shqiptar dhe çlirimin përfundimisht nga zgjedha e huaj?

Komuniteti ynë shquhet për patriotizëm, art dhe aktivitete të shumta. Festuam si çdo vit festën e zemrës, 28 Nëntorin, do veçoja atë më të madhen, e cila zhvillohet në Komunitetin e Kishës Katolike të Shën Palit, ku festimi merr përmasat e vërteta të një feste kombëtare.

-Unë dua t’i rikujtoj publikut se ju jeni edhe producente e emisionit “Kafe me Jolin dhe Benin”, ku e zhvilloni me aktorin e humorit, Arben Dervishi. Si ka nisur për këtë vit emisioni dhe çfarë risish do të sillni për publikun shqiptar në Miçigan dhe jo vetëm?

Projekti “Për Kafe” ishte një punë fantastike dhe plot krijimtari, por tashmë ka stopuar. Kam hyrë sikur e thashë më lart, në një hapësirë më të madhe mediatike, me përgjegjësi dhe prodhimtari më të madhe, pra tashmë jam krijuese dhe producente e Jon Channel.

–Gjuha shqipe është një vlerë e patjetërsueshme për ekzistencën e kombit tonë shqiptar. A vijojnë përpjekjet për ruajtjen e gjuhës të brezat e rinj?

Pa gjuhën e bukur shqipe, pa e folur dhe transmetuar brezave tanë këtu në diasporë, do të thoja ne nuk do kishim vlerë. Po përpjekjet vijojnë dhe shpresoj te mos shterojnë kurrë. Faleminderit të gjithë atyre qendrave që ofrojnë programin e mësimit të gjuhës shqipe.

-A keni njē mesazh përmbyllës për komunitetin tuaj shqiptar në Miçigan në veçanti dhe Shqipërinë në tërësi?

Unë i uroj të gjithë shqiptarëve “Gëzuar 2022”, qoftë i begatë, plot realizime. Paqe, Dashuri, Sinqeritet. I dua shumë këto 3 komponentë, ta veshin vitin, jetën në përgjithësi me ngjyra të bukura. Faleminderit nga zemra për këtë intervistë! Punë të mbarë dhe suksese!

Filed Under: Opinion

“KUSH RRON DUKE SHPRESUAR…”

January 17, 2022 by s p

Nga Ramadan Pasmaçiu

C:\Users\Agim\Desktop\Ramadan Pasmaçiu.jpg

Atë e prunë në spital natën. Me autoambulancën e urgjencës. Gjetën një krevat të lirë pranë meje dhe e shtruan aty. Ishte me temperaturë dhe rënkonte lehtë. Gjer në mëngjes nuk mbylla sy as unë. U ngrita dhe nisa t’i sillesha rrotull, pa ditur si t’i vija në ndihmë. Dy herë shkova dhe thirra infermieren.

Herën e parë ajo m’u përgjigj me të qeshur:

– Uh, hahahaaa! Mos kij merak, se ia lexova anamnezën! As ndonjë gjë që të dhemb fort s’ka, e as ndonjë gjë me rrezik! Por, duket, qenka tip zevzek! Do e bën gurgulenë! Shko e këputja gjumit ti! Atë bëj! 

Herën e dytë infermierja m’u përgjigj e nxehur:

– E di që po më mërzit shumë? Nuk dëgjove ç’të thashë qëparë!? Hajt, shko e fli tani dhe lëmë edhe mua t’i pulit pak qepallat!

Kur zbardhi dita, i sëmuri i ardhur rishtas sikur u qetësua.

Kishte ballë të gjerë anëve dhe flokë të thinjur me onde. Fytyra e tregonte të mbajtur. E lëmuar, thuajse pa asnjë rrudhë. Sytë – të mëdhenj, të kaltër. Ishte i afrueshëm, i sinqertë. Fliste me një zë të butë, të urtë.

– Ju lashë pa gjumë edhe juve, të thuash të vërtetën! – më tha me keqardhje. – Më falni shumë!

– Ç’është ajo! – ia ktheva buzagaz. – Nga qejfi s’rënkon njeriu! 

Më tregoi si me turp shqetësimin e tij.

I paskësh dalë qysh dy – tri javë më parë një si puçër e kuqe, e vockël, tepër e vockël, poshtë, te testikula e majtë, po nuk i kishte dhënë rëndësi. Më tej, ditë pas dite, ajo i qenkësh zmadhuar, i digjte e i përvëlonte. I jepte dhimbje, që i ngërthenin tërë pjesën e fundit të barkut. Pati provuar lloj – lloj melhemrash, por më kot! E kish lyer me jodio, alkool, pudër, të verdhë veze të skuqur, rifocinë, gjer edhe i kishte vënë sipër qepë e sapun, me shpresë se mos i shërohej, por përsëri kot!

Tunda kokën. “Ç’bën injoranca! – thashë me vete. – E kërkon ndihmën e mjekësisë, kur e sheh që nuk ka nga t’ia mbajë! Dhe jo si njerëzit me shkollë, që sulen te mjeku me shqetësimin e parë!” Po ç’faj kish i ziu, në ishte njeri i pashkolluar! Nga t’ia dije rrethanat jetësore, që e kishin lënë të atillë!

Në këto e sipër më erdhi keq për të dhe kërkova të merrja me mend se cili ish profesioni i tij. Herë më ngjante si berber, herë si kamerier, si banakier… Por, nga berberi anonte më shumë, gjersa ishte gjithnjë i rruar dhe fliste me mirësjellje. Kush e ka mirësjelljen e berberëve! A nuk të lodhin, kur të rruajnë a të qethin, me njëqind pyetje! Si i keni nga shtëpia? Si shkoni me punë? Si ashtu e si kështu? Dhe s’e reshtin atë buzëqeshjen e shpëlarë fillim e mbarim!

– Si nuk shkove menjëherë te doktori, or burrë i dheut!? – e pyeta serioz.

Ai, përsëri si inferior para meje, se sigurisht e ndiente se kishte të bënte me një djalë të arsimuar e jo me një si veten, m’u përgjigj ëmbël – ëmbël:

– Më vinte edhe një çikë zor, të thuash të vërtetën, se është në vend ters puçra e uruar! 

– Gabim! – i dhashë mend unë. – Burra jemi, s’jemi gra! Edhe gratë, tek e fundit, kur kanë sikletet e tyre, pa doktorë s’bëjnë dot!

– Po, po! Ashtu është! Ndaj shkova në ambulancën e lagjes, të thuash të vërtetën, veç para katër – pesë ditësh, ama, si m’u mblodh keq.

– Aaaa! Vonë! Shumë vonë!

– Vërtet, djalë! Eee, ku e pata fjalën? Më dhanë ca gjilpëra atje, po hiç, një vërë në ujë, të thuash të vërtetën! Kësisoj, u katandisa të thërrisja në shtëpi urgjencën. Dhe ja, tek më sollën këtu, në kirurgji! Tani të shohim! Vëntë dorë natyra, se, të thuash të vërtetën, frikë të madhe kam! Ja, kështu, djalë!

– Shtyje frikën tutje, – i thashë, – se s’ka sëmundje pa ilaç! Tani je në duar të doktorëve! Apo s’janë shpuzë këta të kirurgjisë! Artistë fare janë! Atë që ke ti s’e kanë për gjë! Ta dish prej meje! Çrëk – frëk do të të shërojnë! Dëgjon? Dhe kij besim më shumë! Po më bëjnë njeri mua, që erdha në spital me një këmbë në varr! – Desha t’i tregoja diçka për vete, që ta qetësoja mirë, t’i jepja zemër, po s’arrita. Hyri papritur mjeku i dhomës, një kirurg djalosh, i gjatë e trupngjeshur, që ta mbushte syrin.

– Mirëmëngjesi! – na tha të dyve dhe iu drejtua atij: – Hë, profesor, si u gdhitë?

– Ja, mo, Berti djali, të thuash të vërtetën, – iu përgjigj ai, – s’kam fjetur gjithë natën! Ç’qe kjo që më zuri!?

– Oooo, ju lutem! – buzëqeshi kirurgu. – Ju të flisni kështu!? Kaq me pesimizëm!? Ju që na keni mësuar!? E përse? Për ca punë çikërrimash!

Dhe vazhdoi t’i thoshte se së shpejti do të bindej që gjithçka do të kalonte për bukuri. Qysh atë mëngjes do t’i bënin ca analiza, por do t’i fillonin paraprakisht edhe njëfarë mjekimi. Ai pa orën.

– Ja, pas pak, do të jemi këtu për konsultë tërë mjekët e pavionit. 

Kur mbetëm vetëm, si mora vesh i befasuar se pranë meje ishte profesori e jo i pashkolluari, berberi, kamerieri a banakieri, që të mos dukesha i pagdhendur, e ndryshova menjëherë formën e komunikimit. I tregova emrin e mbiemrin. Nisa t’i flisja me “ju”. I tregova ç’punë bëja e nga se vuaja. Dhe ai më tha se e quanin Sotiraq, se ishte pedagog në Shkencat e Natyrës, e të tjera, e të tjera.

– E keni titullin profesor, besoj!

– E kam, e çë! Ç’peshë ngre titulli! Puçra, kur do, të del atje tek s’thuhet, qofsh makar president i Amerikës!

Unë nuk qesha. E vështrova i heshtur, i menduar. Profesori shtoi se merrte vesh nga ato soje puçrash, s’ishte profan, ndaj qe i shqetësuar. Ca më tepër, që s’i kishin bërë efekt turli mjekimesh në shtëpi!

– Ja, kjo është! Së paku, gjer tani s’më ka dhënë të kuptoj gjëra të mira. Për më pas nuk di ç’të them! S’dal dot mbi natyrën, të thuash të vërtetën!

Këtë shprehje e përdorte shpesh, veç si rrjedhë logjike të atyre që thoshte. Ndaj ajo nuk m’i vriste veshët dhe ai nuk bëhej i rëndë në bisedë. Përkundrazi! Mbetej tërheqës.

Mjekët i morën dy – tri herë gjak për analizë, i morën urinën në orë të ndryshme të ditës dhe kampion për biopsi. I regjistronin temperaturën rregullisht si çdo të sëmuri, por edhe kurat ia nisën menjëherë. Antibiotikë në formë gjilpërash e hapash dhe barna të tjera. Megjithatë, ditët kalonin dhe gjendja ngelej përsëri e errët. Aty – këtu vërehej ndonjë përmirësim i vogël, po që shuhej shpejt. Dhe më e keqja ish se po fillonte enjtja, një enjtje me ngjyrë të frikshme, mavi në kàfe, që, siç ma shpjegonte profesori, po shtrihej nga e majta në të djathtë, duke përfshirë edhe testikulën tjetër e duke ia shtuar dhimbjet.

Tashmë ai nuk fliste shumë, madjé rrinte orë të tëra me kokën nën batanie. Shtirej sikur flinte. Por, isha i bindur se me atë mbyllje në vetvete, u dorëzohej mendimeve të tij të kobshme. Hidhej e pritej prej tyre si një gogël, duke u përplasur nga një çast në tjetrin nëpër paretet e ftohta metalike të fundit tragjik.

Erdhi me një shiring në dorë infermierja, së cilës i kisha kërkuar ndihmë qysh natën e parë të ardhjes së tij.

– Ç’bën profesori, vetëm fle!? – më pyeti mua si e habitur dhe ia tërhoqi batanien ngadalë. – Kthehuni përmbys, profesor! Do t’ju bëj gjilpërën! – Po, tek vërejti se fytyra e tij ishte tjetërsuar nga tmerri, mbaroi punë duke psherëtirë dhe i tha: – Asgjë s’keni! Asgjë fare! Kot bëheni merak! Sa kam parë unë këtu! Por, është më keq me ju që jeni me kulturë shumë e me shkollë të madhe, se kujtoni që i dini të gjitha dhe vetëm tek e keqja ju vete mendja. Kurse ata që janë me tri – katër klasë, e stakojnë trurin që séfte, s’e vrasin kokën fort, dhe e shtyjnë në qetësi e me shpresë. – Pastaj ajo qeshi, por lehtë dhe ëmbël.

Profesori ia ktheu:

– Të thuash të vërtetën, kanë një proverb italianët: “Chi vive speranto, lui more cacando!” – Dhe çuditërisht, ia dha gazit së pari herë.

Infermierja m’u afrua dhe unë ia përktheva në vesh. U shqye së qeshuri edhe ajo pas profesorit, njësoj si asaj nate, me hahaha-ra të zgjatura. Tek largohej, u ndal te pragu i derës dhe shtoi duke tundur gishtin:

– Ne i kemi proverbat tona shumë më të mira, profesor! “As guri nga thika, as burri nga frika!” – Dhe doli.

Profesori i thirri nga pas:

– Eja prapë, eja prapë, se qenke ilaç! – Dhe nuk e mbuloi më kokën. Ndenji për pak si i menduar e m’u kthye mua:

– E zgjuar, grua e zgjuar, të thuash të vërtetën! Neve, që, demek, kemi ca gramë, ku nuk na shkon mendja dhe bëhemi një dorë. E unë, jo se kam frikë nga vdekja, se njeri jam e njeriu një herë vdes, po doja që më parë t’i kisha mbyllur ca halle. Një vajzë të vetme që kam, për shembull, është ende e pafejuar. S’dua t’ia nxij zemrën, pa e çuar në rehatinë e saj. Po ime shoqe? Në moshën që ka, vetëm të mbetet?… Janë edhe gjëra të tjera, të thuash të vërtetën, plot gjëra të tjera janë, që…

Ai s’vazhdoi dot. Zëri iu pre e iu mbushën sytë. Pra, e paskësh ndarë mendjen se ishte me… S’ma bën goja ta them!

Dhe ja, u duk në mesditë mjeku i dhomës, Berti. Ai vinte shpesh aty. Ulej pranë profesorit dhe bisedonte me të miqësisht. Jo veç për sëmundjen, por për tema të ndryshme. Vinte jo vetëm si mjek, po edhe si mik e vizitor, t’i largonte shqetësimin, ta ushqente me humor. Kurse këtë radhë atij vetë i mungonte humori. Erdhi pak si me druajtje. U kuptua edhe nga hapat që bëri tek hyri. Të ngadalëshme, si në majë të gishtave.

– Hë, profesor, si shkojnë punët? – e pyeti duke iu ulur pranë e duke ia fërkuar dorën.

– Di unë! Ju, mjekët, ç’thoni?

– Po ju, si ndjeheni?

– Ç’të ndjehem! Gur në rrokullimë, të thuash të vërtetën!

– Aaaa, ju lutem, ç’është kjo fjalë! S’keni aspak të drejtë! A nuk ju kam thënë qysh në fillim se gjithçka do të shkojë mirë!?

– Po ku është e mira, ku është!? Unë, Berti djali, çdo ditë bëj tatëpjetë, të thuash të vërtetën! Siç duken bathët e priftit, s’ka pashkë sivjet!

– Ka, ka! Si s’ka! – ia ktheu kirurgu. U përkul mbi të dhe tundi kokën si me qortim. Pastaj u prapësua dhe mblodhi buzët. Sikur pengohej të thoshte diçka. Më në fund, i tregoi profesorit se të gjithë mjekët në konsultë kishin menduar që ekziston një mënyrë e shpejtë për shërimin e tij, një mënyrë fare e shpejtë. Dhe ajo do të ishte rruga më e mirë, më oportune, e jo duke pritur gjatë efektin e mjekimit.

– Po, hë, more, Berti djali! Ta marrim vesh, të thuash të vërtetën!

Mjeku iu përgjigj se ishte fjala për një operacion të thjeshtë.

– Përse, mo, përse the!?

– Duhet t’jua heqim testikulën e majtë, profesor, duhet patjetër t’jua heqim!

Profesorit iu ndal fryma.

– Vetëm të majtën?

– Po, po! Vetëm të majtën!

Profesori piu një gllenjkë ujë dhe pastaj prapë e pyeti kirurgun me gjysmë zëri:

– Je i bindur, biri im?

– Qind për qind!

– Dhe më pas ç’ngjet me mua?

– Kurrgjë e keqe! Dy ditë, tri, le të themi katër, do të rrini këtu në observacion pas operacionit. Pastaj do të jeni i aftë të ktheheni shëndoshë e mirë në shtëpi, si kokrra e mollës, për të vazhduar jetën dhe punën normalisht.

– Të të besoj, Berti djali?

Kirurgu qeshi paksa.

– Si jo! 

Profesor Sotiraqit nuk po i vinte fytyra në vend. Ai heshti për disa çaste, u mbush me frymë dhe iu afrua kirurgut disi më shumë.

– A t’ju them diçka në vesh? Se, të thuash të vërtetën, s’dua të më dëgjojë ky i riu!

– Jo, jo! Asgjë s’keni ç’të më thoni! Ju kuptoj fare mirë. Funksioni i organit do të vazhdojë të jetë, si gjithmonë, i rregullt.

– Edhe për këtë të të besoj, Berti djali?

– Patjetër!

– Mos duhet konsultuar edhe me ndonjë mjek të këtij specialiteti?

– Aspak!

– U bëftë, de! Të thuash të vërtetën, për operacionin e kam fjalën!

Kirurgu e përqafoi profesorin, i shtrëngoi dorën dhe e porositi që, ndonëse ai i tij nuk qe operacion plot goja, rregulli e kërkonte të mos hante ushqim në darkë. Pra, të pinte vetëm çaj. Dhe u largua.

Bashkë me mbrëmjen, si ta dërgonte dreqi vetë, erdhi në dhomë infermierja tashmë e njohur. Ajo iu qas edhe më atij dhe i foli si e gëzuar: 

– A ju thashë që s’keni gjë? Ja, një bisturi nesër dhe do të shkoni prapë te plaka!

Profesori, edhe pse nënqeshi, ia ktheu i prekur:

– Aaaa, ju lutem! Mos flisni ashtu! E kam të re gruan! Po edhe vetë plak s’jam, të thuash të vërtetën!

Infermieren sikur ta kishe shpuar befas nga pas me ndonjë majë gjilpëre! Ajo u vërvit përpjetë dhe i tha përmes një të qeshure të papërmbajtur:

– Uh, hahahaaa! Do të shohësh tani, që do t’jua heqin! Uh, hahahaaa! – Dhe doli duke rrahur gjunjët me pëllëmbë.

Profesorit sa s’i ra të fikët.

– Moj shoqe, moj motër, moj zonjë, ju lutem, kthehuni pak! – nisi të thërriste me zë të mekur. – Kthehuni pak, se, të thuash të vërtetën, vetëm një pyetje kam, vetëm një pyetje!

Po infermierja tashmë ishte larguar dhe as që e dëgjonte. Atëherë ai m’u drejtua mua dyllë i verdhë:

– Ç’tha ajo ashtu, mor djalë? Se, të thuash të vërtetën, ma bëri gjakun ujë!

– Më vjen keq, profesor, që i besoni asaj! – u përpoqa ta qetësoja. – Nuk e shihni ç’llafazane është!? 

Po ai nuk u qetësua.

– Këtu diç los, se, të thuash të vërtetën… – S’po dinte ç’të shtonte. Mezi merrte frymë. Pas pak, m’u lut: – Bertin desha, vetëm Bertin! Ai e shkoqit këtë punë! Ai! A ma gjeni dot? Hë? Si?  

Dola, e kërkova nëpër pavion. S’dukej kurrkund. Pyeta mjekun e rojes. Më tha se ishte në shtëpi. Iu luta t’i telefononte e të më lidhte me të, se kisha një problem të ngutshëm. I telefonoi pa ma zgjatur dhe më dorëzoi receptorin. I thashë Bertit se e priste profesori të vinte sa më parë. E tillë ishte puna. Po të mos vinte, zor ta gdhinte natën pa ndonjë pasojë të rëndë! 

Ai ia mbërriti qull në djersë, jo më vonë se pas njëzet minutash. E kishte bërë rrugën me biçikletë. Vrapoi drejt profesorit, i preku pulsin dhe e pyeti:

– Ç’është!?

Dhe ky i tregoi duke iu mbajtur goja gjithë ç’kish ndodhur. Berti u nervozua.

– Po pse, ju lutem, me shakatë e infermieres shkoni ju, profesor!? Hajt, pa di unë ç’i bëj! – U nis të delte, por profesori e ndali. Atëherë kirurgu i përsëriti, duke theksuar mirë çdo fjalë, tërë çfarë i pati thënë atë mesditë.

– Pra, Berti djali, vetëm të majtën, hë?

– Po, po, po! Dhe asnjë pasojë s’do të ketë për vitalitetin tuaj! Më lejoni t’jua them më hapur?

– Ashtu, ashtu! Më hapur, më hapur!

– Do të jeni si më parë në marrëdhëniet intime me bashkëshorten!

Profesorit iu mbush fytyra me gjak.

– Të mundova, bir! – i tha dhe e puthi në ballë. – Po, të thuash të vërtetën, ajo e marrosura më luajti mendsh!

– Lëreni atë! Apo të shkoj ta marr e ta sjell t’ju kërkojë të falur?

– Bah! Ç’më duhet pendesa e saj! Mua, të thuash të vërtetën, vetëm këto që më the ti më duheshin. Kthehu në shtëpi tani, kthehu e çlodhu!

Kirurgu e përqafoi profesorin dhe u largua, duke na tundur dorën nga pragu i derës.

… Operacioni i profesor Sotiraqit shkoi mirë. Orëve të para ai nuk ankohej më për dhimbje e as për temperaturë, veçse ndjente ca djegie atje poshtë, po ato qenkëshin të lehta e s’u jepte rëndësi. Ishte i kënaqur dhe gjithë besim. Gruan, vajzën dhe tërë të afërmit i largoi shpejt, se, sipas tij, të thoshje të vërtetën, nuk kishin përse bëheshin merak.

Të pasnesërmen, kur erdhi kryeinfermieri dhe po e mjekonte, ai i shkeli syrin dhe e pyeti si me shaka:

– Rakip, ju lutem, sa shikoni aty, një apo asnjë?

– Është njëra, profesor, është! Ja, t’jua prek!

– Oooo, ç’bëni ashtu, mor i uruar! Më dhembka ca, të thuash të vërtetën! Shumë e shtrënguat!

Qeshi bashkë me kryeinfermierin. Dhe ishte i lumtur. Sa s’fluturonte! I pëlqente të fliste pareshtur, të tregonte gjëra gazmore, të shkrihej gazit vetë, po edhe të tjerët të qeshnin. Atë humor tashmë ia kisha zili. 

– Të thuash të vërtetën, shtatë më vanë kësaj radhe! 

Më vuri te komodina nja dy pako llokume, biskota, ca mollë Korçe të kuqe flakë, e ku di tjetër çfarë…

– Profesor, mjaft!

– Hajt, hajt, se të thuash të vërtetën, ju kam pasur djalë, shok e vëlla në orë të vështira! Por, më njohët keq këtu! Nuk e dini ju se ç’është Sotiraqka! Ka një zemër floriri, të thuash të vërtetën, dhe do që të gjithë njerëzit e botës të jenë pa halle! Pooosi! 

Prej operacionit patën kaluar gjashtë ditë. Profesori ndihej si jo më mirë. Shkonte vetë në banjë, shëtiste nëpër korridor, u afrohej të sëmurëve të tjerë, i pyeste, u jepte forcë. Dhe kur përpiqte me ndonjë, që nuk ishte me familje në Tiranë, shkarkonte në komodinën e tij të gjitha ç’i kishin sjellë. Një çast më tha:

– Mo, po, atë Bertin s’na e zunë sytë fare sot! Ç’është kjo punë!

– Ka qenë gjithë ditën në kirurgji! – ia ktheva. – Do të jetë lodhur shumë dhe do të ketë shkuar në shtëpi të shtrihet.

– Ashtu thoni?

Të nesërmen, sa erdhi, profesori e pyeti:

– Edhe sot nuk do të dal!? Të thuash të vërtetën, jam mirë, bre, fare mirë! Ç’më mbani më këtu!?

– Të shohim nga dreka, profesor! Mund edhe të dilni!

Por Berti djali u kthye më herët te ne, pa vajtur ora dhjetë. Ishte tym. Me një fytyrë – sterrë. Ballin – të rrudhur dhe buzët – të mbërthyera. U ul pranë profesorit si me përtim.

– Ah, mor profesor! – tha befas. – Kam një lajm… kam një lajm… Po, s’e them dot!

– Çfarë lajmi, mo Berti djali!? Thuaje shpejt, se të thuash të vërtetën, po më bie pika!

– Thashë që s’e them dot, se s’është lajm i mirë!

– Është i keq!? – pyeti profesori syshqyer.

– Po! Siurdhëron! I keq! Veç mos u shqetësoni! S’ka asgjë për t’u shqetësuar, po për t’u nervozuar, për të protestuar, për të thirrur e sharë!

– Aaaa, tani më shushate! S’po të marr vesh, të thuash të vërtetën!

Po kirurgu s’e la më gjatë në agoni. Ai i shpjegoi se sapo kishin dalë përfundimet e biopsisë. Dhe ato tregonin që…

– Unë s’mund t’jua fsheh, se jeni shok i tim eti, po edhe se ju kam pasur pedagog! Pra, do t’jua them, sido që ta prisni!

– Po, hë, mo Berti djali, se po më zihet fryma! Mos duhet hequr edhe tjetra? Fol, de, se po më ngrin zemra!

– Jo, jo! Përkundrazi! Në rastin tuaj s’kishim të bënim me kurrfarë elementi kanceroz, as meninj e as beninj! Pra, edhe testikulën e majtë jua hoqëm gabimisht. S’kishte asnjë arsye që t’jua hiqnim. Puçra do të kalonte me mjekim.

Sa dëgjova këto fjalë, u drodha i tëri. U rrënqetha. Mishi m’u bë kokrra – kokrra. Kërceva përpjetë mbi shtrat. Isha gati t’i hidhesha Berti djalit në fyt. Ç’kirurgë qenkëshin ata!  Si i bënin ato punë pa gàle fare! Edhe me kafshët duhej më shumë maturi e jo më me njerëzit! Prita që profesori ta mbërthente Berti djalin për leshrash. Prita që ta pështynte, ta kafshonte, ta gricte me thonj… por… ah!

Ai… Zot, ku je! As u mërzit e as protestoi! Veç ngriti grushtet lart, si ata që triumfojnë në ring! Dhe thirri i qeshur:

– Fitore! Fitore!

Pastaj iu hodh kirurgut në qafë me mirëdashje. E puthi në ballë, siç e kishte puthur aty ca ditë më parë. E puthi edhe te faqet. Doli nga shtrati, u ngrit në këmbë e u sul drejt meje.

– Më lejoni t’ju përqafoj e t’ju puth edhe ju! – më tha. – Se, të thuash të vërtetën, kjo është fitorja më e madhe, që kam korrur në jetë! 

Unë ngriva syhapur. Po edhe Berti ngriu syhapur. E pyeti i trembur dhe me një zë si të zvargur:

– Ndjeheni mirë, profesor? Për çfarë fitoreje flisni!? Ç’gëzoni kështu!?

– Si të mos gëzoj, Berti djali! Kam shpëtuar për një qime! Mund të m’i kishit hequr të dyja! Ashtu, gabimisht! Me ç’sy e faqe pastaj, do t’i dilja bashkëshortes përpara, të thuash të vërtetën!

Filed Under: LETERSI

Cen Gjokaj, daja i kryetarit të Vatrës humbi betejën me Covid-19

January 17, 2022 by s p

Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha ka njoftuar familjarët, miqtë dhe të afërmit se është ndarë nga jeta daja i tij Cen Gjokaj. Ai nuk e fitoi betejën ndaj Covid-19. Në njoftimin e shpërndarë thuhet:“Lamtumirë daja CenMe hidhërim dhe dhimbje njoftojmë familjarë, miq, shokë dhe dashamirës se sot më 17 Janar 2022 në Neë York ndërroi jetë daja im i dashur dhe i shtrenjtë Cen Gjokaj i datëlindjes 10 mars 1948. Ai luftoi fort me jetën për ti shpëtuar vdekjes. Ai nuk e fitoi betejën me virusin global duke na lënë shumë trishtim dhe dhimbje tek të gjithë ne. Ai na deshi shumë dhe ne u rritëm më dashurinë dhe përkujdesjen e tij të veçantë. Daja Cen e dorëzoi shpirtin te Krijuesi i gjithësisë duke na lënë në kujtimet e bukura që kishim me të.Qofsh i parajsës i shtrenjti ynë.I paharruar përjetë Dajë.Lamtumirë.Shënim: Për detaje rreth ceremonisë mortore do ketë njoftim nga familja.”Vatranët dhe komuniteti shqiptar i shpreh ngushëllimet më të thella familjes, miqve dhe të afërmve të familjes së Cen Gjokajt.

Filed Under: Komunitet

HESHTJE E SHKATRRIM PAFUND: KUSH E SHEMBI MONUMENTIN KU U KUNORZUE GJERGJI MADH?

January 17, 2022 by s p

ANd9GcQW96wU2oy2KJS4qU6s1jRV2Vcv8y_Q1k2JpLVafYq18DqaAgiNnA

KISHA E VAUT T’ DEJËS 1361

Pergatiti Fritz RADOVANI:

Kjo ishte Kisha Monumentale e vitit 1361, në Vaun e Dejës, pranë Shkodres, ku ishte kunorzue Heroi Kombtar i Popullit heroik Shqiptar, Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe Donika…

Ndoshta edhe sot vazhdon me u dridhë toka e Shqipnisë së 1967, kur “anadollakët” e shekullit të XX, u kujtuen se në ata Troje të lavdishme dhe të lame me gjak, duheshin shembë të gjitha Ato Kisha Monumentale shekullore të Shqipnisë Martire! 

Mbasi u fundosën në liqenin e hidrocentralit të Vaut të Dejës, mbi 32 Kisha Monumentale, “duhej hjedhë në erë edhe Kisha e Vaut të Dejës…”, dhe per këte veper terroriste u gjet monstra e anadollakut në PPSh e Shkodres nga Ramiz Alia, Fadil Ymeri. 

“Askush” në “pseudo-Akademinë Shkencave” të Tiranës, as sot “nuk e di se kush urdhëroi me i shembur Kishat Monumentale në Shqipërinë socialiste të turkoshakut terrorist Ever Hoxha!” 

Europa vazhdon me “heshtë”! Shqiptarët heshtin… Heshtja e turpi e kanë mbulue atë vend! “Rilindja” u ka sigurue pa triska “buk’ e marre”, sa po do, madje, dhe me eksportue. Me kusht: “Vetem të shfarosni e shkatrroni Shqipninë e Gjergj Kastriotit –  Skenderbeut dhe Nanë Terezes !” A doni edhe dokumenta? 

Edhe dokumentat ja ku i keni: 

JA TESTAMENTI I ANADOLLAKUT TIRAN EVER HOXHA: 

Tiranë, më 27 SHKURT 1967: 

letra kleriket

Shenim F.Radovani: Falnderoj botuesin e letres së plotë të diktatorit:http://www.panorama.com.al/zbardhet-letra-sekrete-e-enver-hoxhes-kleriket-me-perjashtim-te-katolikeve-jane-injorante-dine-lutje-permendesh-si-hoxhallaret-por-do-i-rrafshojme-nga-faqja-e-dheut/Melbourne, 16 Janar 2022.

Filed Under: Ekonomi

PARLAMENTARIZMI DHE SHQIPTARËT NË MAL TË ZI (1990-2020)

January 17, 2022 by s p

Nail  Draga/

Periudha tridhjetëvjeçare në lidhje me skenën politike në Mal të Zi(1990-2020), përkatësisht parlamentarizmin  është e mjaftueshme për analiza e përfundime  për zgjedhjet parlamentare, pjesëmarrjen e partive politike, pozitën, opozitën e sidomos partitë politike të pjesëtarëve të popujve pakicë. Janë pikërisht këta parti të cilat kanë luajtur rol të rëndësishëm në demokratizimin e skenës politike në këtë mjedis multinacional e multikulturor. Në veçanti do të trajtohen modelet e sistemëve zgjedhore të cilat janë miratuar sipas shijës së shumicës parlamentare, duke mos përfillur vërejtjet dhe propozimet nga partitë politike të popujve pakicë. Dhe nga  një qendrim i tillë dëshmon se kemi të bëjmë me një mjedis të pakonsoliduar, çështje e cila mbetet gjithnjë e hapur për të gjetur zgjidhje të pranueshme për të gjithë. Në këtë aspekt do të trajtohet pjesëmarrja e shqiptarëve në jetën parlamentare në Mal të Zi sipas pesë modeleve zgjedhore,  përkatësisht sfidat e tyre në skenën politike në favor të barazisë qytetare e nacionale në këtë mjedis multinacional, sipas standardëve ndërkombëtare. Po ashtu jepen edhe propozime për modelin zgjedhor që do të ishte ma i përshtatshëm dhe i pranueshëm për shqiptarët, përkatësisht përfaqësimin e tyre autentik në Mal të Zi.

Nga monizmi në pluralizëm

Për ta pasë të qartë këtë periudhë tridhjetëvjeçare e kemi ndarë në tre faza të cilat kanë veçoritë e veta, në sajë të ngjarjeve politike të cilat kanë qenë me ndikim në Mal të Zi. Kemi të bëjmë me kohën e shkatërrimit të shtetit të ish-Jugosllavisë, formimin e bashkësisë së re shtetërore RFJ e përbërë nga Serbia e Mali i Zi dhe së fundit me pavarësinë e Malit të Zi, në sajë të refrendumit të mbajtur me 21 maj 2006. Nga ajo kohë e deri më tash proceset politike në Mal të Zi dëshmojnë se kemi të bëjmë me një mjedis të pa konsoliduar, sepse qytetarët të cilit ishin kundër pavarësisë  se Malit të Zi, vazhdojnë me qasjen e tyre, që është dëshmuar në mënyrë praktike disa herë deri më tash, dhe së fundit në zgjedhjet parlamentare(30.8.2020). 

1.Faza e parë(1990-1997)

Kjo fazë ka të bëjë me kohën posmoniste e cila në sajë të papërvojës në shumë aspekte  i ngjasonte kohës së monizmit. Dhe nuk kishte si të ishte ndryshe sepse në pushtet e qeverisje ishin ata që ishin më parë, ndonëse deklaroheshin të moderuar të paktën në retorikën e përdorur, duke mos reflektuar se kemi të bëjmë ne demokracinë pluraliste. 

Në këtë kohë kishim në praktikë  dukuritë paradoksale, sepse të gjithë ata të cilët deklaroheshin së janë për pavarësinë e Malit të Zi cilësoheshin si armiq(!) ku bënin pjesë pjesëtarët e popujve pakicë(pakicat kombëtare) kryesisht shqiptarët e boshnjakët, e nga ata malazias ishin anëtarët e Partisë Liberale të Malit të Zi(LSCG). Një qendrim i tillë nga ana e pushtetit ishte dëshmi se ata ishin në mbeshtetje të politikës serbomadhe, ku bënte  pjesë partia e DPS-it si dhe të gjitha partitë tjera serbe e proserbe në Mal të Zi.

Në këtë kohë me shpalljën e pavarësisë së Sllovenisë e Kroacisë me 25.6.1991 përfundoj së ekzistuari shteti i ish-Jugosllavisë.Deri në prill të vitit 1992 edhe dy republikat tjera Bosna e Hercegovina dhe Maqedonia kanë miratuar deklaratën për pavarësi, duke lënë në federatë vetëm Serbinë dhe Malin e Zi. Në lidhje me këtë çështje në Mal të Zi është mbajtur referendumi me 1 mars 1992, për të përfillur disponimin e  qytetarëve se a janë  së bashku me Serbinë për të formuar shtetin me emrin Republika Federative e Jugosëlavisë. Dhe pas një referendumi të tillë i cili ishte për një shtet të përbashkët me Serbinë, me  me 27 prill  1992  formuan  Republikën Federative të Jugosllavisë(RFJ). Në këtë krijesë shtetërore ishte edhe  Vojvodina dhe Kosova, me status pothuaj kolonial, në sajë të eliminimit të autonomisë në vitin 1989.

Në aspektin politik partia kryesore(DPS) deri në vitin 1997 ishte unike në të njëjtin kurs politik sikurse partia e S.Millosheviqit në Serbi. Por, në këtë vit ndodhi distancimi nga politika e tillë nga ana e M.Gjukanoviqit, që ndikoj në ndarjën e kësaj partie(DPS) në dy pjesë ate promalazeze e disatncuar nga politika serbe në Beograd dhe partia tjetër(SNP) që ishte mbeshtetëse e politikës serbe në Beograd. Një ndarje e tillë  ishte në favor të rrjedhave dhe të skenës politike në Mal të Zi, duke eliminuar monopolin e një partie politike, sikurse në monizëm. Kjo periudhë kohore veçohej me krizë ekonomike dhe inflacionin të panjohur deri më tash në prëmasa botërore. Nga një situatë e tillë dhe rrezhanave shoqërore dhe mbeshtetjës ushtarake të politikës serbe nga ana e pushtetit të Malit të Zi, një numër i konsideruar i shqiptarëve emigruan  në botën e jashtme. Ishte ky vazhdimi i një pastrimi i heshtur etnik, që ndikoj në rënin e numrit të popullsisë shqipre si dhe shpopullimin e vendbanimeve të tyre. 

Në sajë dekompozimit politik të partisë–shtet(DPS), në vitin vijues u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe u formu qeveria e re me pjesëmarrjën e përfaqësuesve të popujve pakicë(shqiptarët e boshnjakët). 

2. Faza e dytë(1998-2005)

Kemi të bëjmë me një periudhë dinamike, sepse gjatë kësaj kohe në Mal të Zi  kemi qeverinë pluraliste sepse për të parën herë marrin pjesë partitë politike të popujve pakicë duke ndikuar në avancimin e pozitës dhe statusit të tyre. Enkas në lidhje me këtë çështje u formu Ministria e popujve pakicë dhe të drejtave të njeriut e cila fillimisht dhe kryesisht është udhëhequr nga shqiptarët. Në këtë kohë kemi edhe ngjarjët rreth Kosovës dhe shpërthimi i luftës aty nga piushteti neofashit serb i S.Millosheviqit. Duke filluar nga shtatori 1998 e deri në qershor 1999, kur përfundoi lufta në Kosovë me ndërhyrjen e NATO-s, në Mal të Zi janë strehuar rreth 80.000 refugjatë nga Kosova, të cilët kanë qendruar këtu nga Rozhaja në veri e Ulqini në jug, të cilët një pjesë e madhe e tyre më pas janë vendosur në vende të ndryshme të botës.

Po ashtu duhet cekur se në këtë  kohë ndryshoi  edhe statusi shtetëror nga RFJ  në Bashkësia Shtetërore Serbia e Mali i Zi(4.2.2003). Emërtimi i bashkësisë shtetërore nga dy ish republikat ishte sinjal i mjaftueshëm për të kuptuar së në Mal të Zi ndjenja e pavarësisë ishte në rritje, ndërsa mbajtja e referendumit për pavarësi ishte bërë temë dominuese të qytetarët në Mal të Zi.

3. Faza e tretë(2006-2020)

Në sajë të Deklaratës kushtetuese të Bashkësisë Shtetërore Serbia e Mali i Zi  të miratuar me 4.2.2003, ku  së cili shtet mund të kërkojë pavarësinë  përmes referendumit, dëshmon se në këtë shtet së shpejti do të kemi ndryshime konstitucionale.. Pikërisht  duke marrë parasysh këtë mundësi  dhe disponimin e qytetarëve u bënë  përgatitjet për mbajtjën e referendumit për Pavarësinë e Malit të Zi që  është mbajtur me 21.5.2006. Në sajë të rezultatëve të referendumit ku për pavarësi janë deklaruar 55.5% e qytetarëve, ndërsa kundër ishin 44.5% e tyre. Kemi të bëjmë me ndarje të qytetarëve në dy blloqe politike, pro malazias e pro serb dukuri kjo që është e pranishme .edhe në vitët në vijim. 

Në referendumin për pavarësinë e Malit të Zi rolin vendimtar e kanë pasur popujt pakicë, shqiptarët e boshnjakët, sepse pa mbeshtetjën e tyre nuk do të realizohej pavarësia nga Serbia. Mali i Zi e shpalli pavarësinë me 3.6.2006, ndërsa  edhe Serbia e shpalli me 5.6.2006, ku mori fund Bashkësia Shtetërore Serbia e Mali i Zi.

Në vitin 2007, Kuvendi i Malit të Zi miratoi Kushtetutën e cila është e para në shtetin e pavarur, ndërsa në aspektin e mbrojtjës   pranohet në NATO(5.6.2017). 

Në këtë periudhë kohore pas pavarësisë ndarjës politike në Mal të Zi kanë mbetur konstante, që është dëshmuar përmes zgjedhjeve lokale e atyre parlamentare, duke dëshmuar se kemi të bëjmë me një mjedis të pakonsoliduar politikisht. Zgjedhjet parlamentare të mbajtura me 30.8.2020, pas tre dekadave të udhëheqjës së pushtetit nga ana e DPS-it në koalicion më parti tjera, kësaj here opozita ia arriti qellimit duke arritur  fitore në zgjedhje. Kemi të bëjmë me një koalicion heterogjen i përbërë nga shumë parti politike ide dhe programe të ndryshme, të cilat i ka bashkuar energjia për të larguar nga skena politike pushtetin e DPS-it që ishte vazhdimësi e monizmit edhe në pluralizëm si  në asnjë vend tjetër ne ish kampit socialist në Evropën Juglindore. Se si do të funksionojë pushteti i ri përkatësiht qeverisja e re  a do të ofrojë risi  apo do të jetë identike si pushteti i mëparshëm mbetët të shihet  në të ardhmën.

(Pjesë nga kumtesa e paraqitur në Konferencën shkencore “Pluralizmi  dhe shqiptarët ndër vite” në organizim të Fakultetit Filozofik të UP, mbajtur në Prizren më 10.6.2021)

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT