• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2022

SPECIALE/ Në Kosovë mbërriti Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey M. Hovenier

January 11, 2022 by s p

-Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu pranoi letrat kredenciale nga Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey M. Hovenier/

-Ambasadori i ri i emëruar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës më Kosovë, Jeffrey M. Hovenier në Dhjetor 2021 është pritur në takim në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA nga Kryetari Elmi Berisha/

-Në 5 Qershor 2022 bëhen 26 vjet nga dita historike e të mërkurës së 5 Qershorit 1996 kur u bë hapja në Prishtinë e Zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës – vendit të miqësisë së përjetshme dhe raporteve të veçanta, të parit nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë dhe që shtetin kosovar e ka njohur që në ditën e parë pas shpalljes së pavarësisë para 14 viteve në 17 Shkurtin historik 2008/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

 PRISHTINË,  10 Janar 2022/ Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës më Republikën e Kosovës, Jeffrey M. Hovenier ka mbërritur në kryeqytetin Prishtinë dhe sot mori zyrtarisht detyrën. Hovenier është nominuar për Ambasador në Kosovë në muajin Korrik 2021 nga Presidenti Amerikan, Joe Biden. Ambasada Amerikane në Prishtinë ka njoftuar më 28 Dhjetor 2021 se Hovenier është betuar si Ambasador i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë para Nënsekretares Amerikane e Shtetit për Çështje Politike, Victoria Nuland. Ambasadori i ri i emëruar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës më Kosovë, Jeffrey M. Hovenier në Dhjetor 2021 është pritur në takim në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA nga Kryetari Elmi Berisha.

Sot në Prishtinë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, ka pranuar letrat kredenciale nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Jeffrey M. Hovenier.

Presidentja Osmani i ka uruar mirëseardhje Ambasadorit Hovnier, i cili sipas saj është shumë i afërt me Republikën e Kosovës, sepse ka shërbyer këtu më herët dhe i kupton shumë mirë dinamikat në vendin tonë.

“Kosova sot është shumë ndryshe nga Kosova të cilën e kujton ambasadori Hovenier, sepse ka ecur përpara, mirëpo një gjë ka qëndruar konsistente gjatë gjithë kësaj kohe, kjo është marrëdhënia dhe partneriteti e miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne jemi rritur e zhvilluar si vend, si dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë sepse jemi të bekuar të kemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës pranë nesh në çdo hap të rrugëtimit tonë”, ka theksuar Presidentja Osmani. 

Ajo ka thënë se roli i Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë është thelbësor, për të garantuar që marrëdhënia jonë do të vazhdojë të lulëzojë. “Kam kënaqësinë e veçantë të hap këtë kapitull të ri të bashkëpunimit dhe Partneritetit me Ambasadorin Hovenier. Në këtë kapitull të ri të bashkëpunimit shpresoj të forcojmë edhe më tej marrëdhëniet tona dypalëshe, por edhe të shtyjmë përpara në rajon e në rrafshin ndërkombëtar idealet dhe vlerat demokratike në të cilat ne besojmë bashkërisht”, ka theksuar Presidentja. 

Sipas Presidentes Osmani pavarësisht sa i madh apo i vogël mund të jetë një shtet, të gjithë mund të japin kontribut të rëndësishëm për paqen dhe sigurinë në rajon dhe në botë.

“Vendi ynë, Republika e Kosovës beson dhe i promovon vlerat të cilat i përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dy popujt tanë besojnë në liritë demokratike dhe ne jemi të vendosur t’i mbrojmë ato gjithmonë meqenëse i kemi fituar me shumë mund e sakrificë. Kam besim të plotë se duke punuar ngushtë me ju zotëri Ambasador ne mund të arrijmë qëllimet tona të përbashkëta. Dua t’ju siguroj se nuk do të gjeni asnjëherë aleat më të përkushtuar dhe më besnik sesa Republika e Kosovës”, ka thënë Presidentja Osmani.

Pas takimit dhe konferencës së përbashkët, Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier, kanë vendosur kurorë lulesh te Shtatorja e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Presidentja Osmani ka thënë se si themeltar i shtetit të Kosovës Presidenti historik Rugova diti të ndërtojë jo vetëm hapat drejt shtetit tonë të pavarur dhe sovran, por të ndërtojë miqësi të sinqerta, miqësi të forta të cilat i kanë rezistuar kohës dhe do të vazhdojnë të ujiten dhe të lulëzojnë edhe më tej nga ana e gjithsecilit prej nesh. 

“Në nderim të këtij njeriu të madh të kombit tonë, i cili dha shumë për Kosovën e pavarur dhe sovrane, dhe për miqësitë që ne sot i gëzojmë së bashku me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës deshëm që sot si simbolikë e kësaj miqësie të fortë ta vendosim këtë kurorë këtu së bashku”, ka thënë Presidentja Osmani.

Ambasadori Amerikan në Kosovës, Jeffrey M. Hovenier, vizitën te Shtatorja e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova e paralajmëroi pasi dorëzoi letrat kredenciale te Presidentja Vjosa Osmani, duke u shprehur se “e kam ndier se ky është veprim që si Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës duhet ta bëjë për këtë personalitet në historinë e Kosovës”.

 “Kam nderin të jem këtu për ta njohur kontributin dhe historinë e Presidentit Rugova. Desha ta bëj këtë në ditën time të parë si Ambasador i SHBA në Kosovë. Për shkak të respektit për Presidentin Rugova, atë çfarë ai ka përfaqësuar. Pata nderin ta njoh atë në procesin e Rambujesë”, citohet Ambasadori i SHBA, Hovenier.

Në 5 Qershor 2022 bëhen 26 vjet nga dita historike e të mërkurës së 5 Qershorit 1996 kur u bë hapja në Prishtinë e Zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës – vendit të miqësisë së përjetshme dhe raporteve të veçanta, të parit nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë dhe që shtetin kosovar e ka njohur që në ditën e parë pas shpalljes së pavarësisë para 14 viteve në 17 Shkurtin historik 2008.

Më parë,  në 12 Janar 1996, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e atëherë Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm Amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, theksonte Rugova dhe shfaqëte shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapnin zyra në Kosovë.

Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 Maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.

Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë  në 5 Qershor 1996 u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum. Në hapjen solemne ishte edhe Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova bashkë me familjen.

Gazeta e rezistencës “Bujku” e ditës së enjte të 6 Qershorit 1996 në ballinë  shkruante:

Dje në Prishtinë u hap Zyra e Agjencisë Informative Amerikane

“Jemi zotuar për të ardhem dhe lirinë tuaj”

-tha ambasadori Xhon Kornbllum, ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, i cili zyrtarisht e hapi zyrën, duke shtuar se kjo është një provë e interesimit të vazhdueshëm amerikan e një kontribut për nxitjen e dialogut. – Dr. Ibrahim  Rugova: “Kjo është ditë historike për Kosovën”.

Raportimi vijonte në faqen 2, ku botohej e plotë deklarata që e kisha marrë nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova:

“Deklaratë e Presidentit Rugova

Ditë historike për Kosovën

Në deklaratën e tij me rastin e hapjes së Zyrës së USIS në Prishtinë, presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, tha se kjo është një ditë historike për Kosovën, për çështjen madhore të Kosovës, për popullin e Kosovës, për një zgjidhje paqësore dhe politike të çështjes së Kosovës në bazë të vullnetit politik të popullit. Falënderoj SHBA-të, presidentin Klinton, nënpresidentin Al Gor, sekretarin e Shtetit Kristofer, Kongresin Amerikan dhe të gjithë miqtë tanë në SHBA për këtë dhuratë të madhe për Kosovën dhe për rajonin në përgjithësi.”

Në faqen e parë botohej edhe raportimi  me mbititull “Kryetari i Republikës së Kosovës  Dr. Ibrahim Rugova priti Xhon Kornbllumin” dhe me titull e nëntitull: “SHBA-të do të angazhohen për të drejtat e popullit të Kosovës – tha Kornbllum duke ia përcjellë kryetarit Rugova zotimin e presidentit amerikan Bill Klinton.

E në faqen 3 të gazetës së rezistencës  “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha e që dilte nga 18 Janari 1991 me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik e që ishte pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi dhe sfidonte ndalimin e dhunëshëm nga Serbia okupatore të gazetës tradicionale Rilindja, atëherë të vetmen të përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë, me titullin dhe nëntitullin

“Flamur i shpresës për Kosovën

(Kronikë e viteve që i paraprinë hapjes së Zyrës Amerikane në Prishtinë)”, shkruaja mes tjerash:

“Amerika në Kosovë, nga kjo e mërkurë, është e pranishme edhe me Zyrën e USIA-s.

Kjo për Kosovën ka shumë rëndësi e domethënie, prandaj shpesh quhet përfaqësi e mision diplomatik. Kështu, prezenca amerikane në Kosovë mori një formë institucionale dhe vlerësohet se kjo është shumë e rëndësishme për njohjen dhe afirmimin edhe më të madh të çëshjtes së Kosovës.

Flamuri amerikan, i shtetit më të fuqishëm në botë, vendit mik, dashamirës e përkrahës të shqiptarëve, prej dje valon në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, i ngritur lart e solemnisht në selinë e Zyrës së USIA-s, në një godinë të bukur të lagjes së Dragodanit, duke sjellë mesazhet më të mira të aspiratave të zgjidhjes e të paqes për Kosovën e rajonin.

Zyra e USIA-s në Prishtinë shënon edhe një hap përpara në konkretizimin e interesimit të vazhdueshëm amerikan për Kosovën dhe të pranisë së SHBA-ve në këtë zonë të rrezikshme të konflikteve politike dhe jo vetëm politike në Evropën Jugore….

Flamuri amerikan në Prishtinë, që valon prej dje, është flamur i shpresës për Kosovën. Deri tash të gjithë flamujt e vendeve të huaja janë ngritur si flamuj të okupatorëve.”

Në ceremoninë festive të hapjes së Zyrës Amerikane në Kosovë, në 5 Qershor 1996,  isha edhe për të raportuar për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare, korrespondent i cilës isha që nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë. Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja atëherë nga Prishtina në Tiranë…

Pas 24 vjetëve – në 4 Korrik 2020, raportoja për Gazetën DIELLI të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, se Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, dhe Zonja Alison Kosnett, ishin nikoqirë të pritjes për nder të Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, kur u zhvillua edhe  ceremonia e përurimit të ndërtesës së re të Ambasadës Amerikane në Kosovë.

E në 1 Korrik 2009 Prishtina ndau truall për ndërtimin e objektit të ri të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, ndërsa në 5 Maj 2015 u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit.

Ndërsa, në mëngjesin e pas mbrëmjes historike të 24 Marsit 1999 të ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s  prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kosovën e popullin e saj, kam raportuar edhe se, forcat serbe gjatë natës kishin bërë sulme dhe vrasje të tjera në familjet dhe vendbanimet shqiptare, kishin djegur edhe zyrat që ndodheshin në një shtëpizë shkrimtarësh që ishte bërë seli e Presidencës dhe e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, dhe Zyrën Amerikane në Prishtinë.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) filloi të punojë në shtator të vitit 1999.

USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.

Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, para 13 viteve, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 Prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 Korrik, Tina Kaidanoë është betuar si ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.

Pak ditë pasi u konfirmua nga Departamenti Amerikan i Shtetit si ambasadore Kaidanoë solli letrat kredenciale të emërimit e pritur në takim në 25 Korrik 2008 atëherë nga Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.

Ndërkohë, ushtarët amerikanë mbështesin KFOR-in qe 23 vjet. Trupat amerikanë kontribuojnë në misionin e NATO-KFOR-it për të garantuar mjedis të qetë e të sigurtë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Në 17 Maj 2021 është prezantar projekti për sheshin dhe shtatoren e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden në fshatin Sojevë të Ferizajt, pranë Kampit Ushtarak Amerikan “Bondsteel” në Kosovë.

Tradicionalisht në Kosovë festohet 4 Korriku, Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës…

Në Prishtinë – kryeqytetin e Kosovës janë ngritur tre shtatore të personaliteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është edhe Bulevardi me emrin e Presidentit Amerikan George Bush, te Katedralja Shën Nëna Terezë.

Në 1 Nëntor 2009 është përuruar  Shtatorja e Presidentit Amerikan Bill Clinton në bulevardin me emrin e tij.

Në 12 Qershor 2019 në festimet e 20 vjetorit të lirisë së Kosovës u bë edhe përurimi i Shtatores së Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeline Albright në sheshin me emrin e saj.

Shtatorja e Senatorit Amerikan Bob Dole është përuruar në sheshin me emrin e tij në 30 Gusht  2020 në 30 vjetorin e vizitës historike në Kosovë të delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës…

Filed Under: Politike

DEGA QËNDRORE E VATRËS ZGJEDH DELEGATËT PËR KUVENDIN E PËRGJITHSHËM ZGJEDHOR

January 10, 2022 by s p

Dielli

Dega Qëndrore e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA zgjodhi delegatët për në Kuvendin e Përgjithshëm Zgjedhor të datës 26 Shkurt 2022. Në mbledhjen e mbajtur në Selinë Qëndrore të Vatrës u votua për propozimet e të pranishmëve dhe Delegatët e zgjedhur janë: Elmi Berisha, Agim Rexhaj, Nazo Veliu, Asllan Bushati dhe Marjan Cubi.

Filed Under: Analiza

LUIGJ ÇEKAJ DHE LIBRI I TIJ I DHIMBJES

January 10, 2022 by s p

“Unë vij nga Shkodra” (Në 1-vjetorin e kalimit të tij në amshim) 

                                               Nga Frank Shkreli 

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidenceShoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (SHSHSHA) organizoi takim letrar për veprën e Poetit dhe shkrimtarir Luigj Çekaj, (Postmortem), me rastin e 1-vjetorit të kalimit të tij në amshim. Takimi u mbajt me 9 Janar, 2022, në Qëndrën Nënë Tereza, pranë Kishës Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale të Nju Jorkut. Sipas Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, takimi në kujtim të ndjerit Luigj Çekaj, mbahet në kuadër të nismës së Shoqatës për, siç thuhet, “dinamizimin e veprimtarive me qëllim të afirmimit të vlerave letrare të shkrimtarëve shqiptarë që punojnë dhe krijojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”  Ndër folësit, në këtë takim, i ftuar nga (SHSHSHA) të fliste për vlerat personale dhe artistike të poetit/shkrimtarit Luigj Çekaj, ishte edhe autori i këtij shkrimi — bashkvendas i tij me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe — i cili, e kujtoi poetin me këto fjalë: 

Përshëndetjet e rastit…

Ishte, pikërisht, në këtë ditë të 9 Janarit, 2021, në këtë kishë, “Zoja e Shkodrës”, ku u celebrua mesha për shpirt të dashurit tonë, kolegut dhe mikut të shumë shqiptarëve që e kanë njohur atë gjatë viteve e dekadave — të ndjerit poet e shkrimtar, Luigj Çekaj.  Me të ardhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fillim të 1990-ave, Luigj Çekaj, si edhe shumë shqiptarë të tjerë para dhe pas tij, ishte i lidhur me këtë qëndër, me këtë kishë, jo vetëm si antar dhe besimtar që frekventonte cermonitë fetare, por edhe si shkrimtar e poet dhe për disa vite si redaktor i organit të Lidhjes Katolike Shqiptaro- Amerikane, revistës “Jeta Katolike Shqiptare”.  Me këtë rast, me mall kujtoj fillimet e mia gazetareske me këtë revistë, në kohën e Mons. Dr. Zef Oroshit, në fillim të 1970-ave.  Duket se, pjesën më të madhe të veprimtarisë së saj, revista e “Jeta Katolike Shqiptare”, është drejtuar nga përfaqsues të fisit të Shkrelit, përfshir Mark Koliqi Shkreli, i cili për një kohë të gjatë tashti vazhdon si kryeredaktor i saj.

Para do kohe kam shkruar një artikull të gjatë për Luigj Çekaj, kështuqë nuk dëshiroj të zgjatem – duke mos dashur të testoj as durimin tuaj — jo se nuk e meriton Luigj Çekaj — por dua që edhe të tjerët të kenë mundësi të flasin për Luigjin, sidomos për vlerat poetike të tij, një fushë në të cilën unë jam i mangët.  


Luigj Çekaj me origjinë ishte nga Shkreli i Malësisë së Madhe të mbi-Shkodrës nga fshati Bzhetë, nga rrjedhë edhe familja ime. “Në Shkrel, te shtëpia e prindërve të mi”, është një ndër poezitë e Luigjit, dedikuar vendlindjes. Atje ku, “Te muri, në vend të lahutës, bimë vjerrëse varen. Atje ku piqej buka, tani zogu ndjen uri.”

Kur Luigji ka qenë në moshën 3 vjeçare, në vitin 1953, babai i tij Kolë Çekaj, për t’i shpëtuar dënimit të sigurt me vdekje nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ishte arratisur në Jugosllavi, ku ka qëndruar për disa vite.  Për një kohë, edhe në shtëpinë e familjes time në fshatin Amull. Me Luigjin ishim moshatar.  Më kujtohet kur babai i Luigjit, Kolë Gjoka, në shtëpinë tonë më përkëdhelte duke shprehur mallin për djalin e tij Luigjin, ndërsa më thoshte “e kam lenë një djal sa ti në Shqipëri, e më ka marrë malli shumë për të”.  Sidoqoftë, i ati i Luigjit, eventualisht, vendoset në Amerikë, ndërsa Luigj i vogël, në moshën 2-3 vjeçare njolloset nga regjimi komunist shqiptar me etiketimin absurd të një të prekuri politik. Vet Luigji, me nënën dhe motrën do të jetonin nën tmerin e persekutimit, burgosjes dhe diskriminimit nga diktatura komuniste.  


Luigji, gjithmonë e ka pasur pasion letersinë, por mundësia për të botuar ju dha vetëm pas shembjes së Murit të Berlinit.  Fillimisht, (1991-1993) ai ka kontribuar si redaktor i poezisë në gazetën e pavaruar “Besa” në Shkodër. Pastaj, ai si shumë të tjerë, do të vinte këtu në Nju Jork si emigrant politik, duke realizuar, “Endërrën që u zgjat sa jeta…nga Shqipëria në Amerikë më kishte zgjatur rrugëtimi rreth 40 vjet, pa ndërprerje…”, ka shkruar Luigji në librin e tij, ‘Unë vij nga Shkodra’, atje, “ku kam provuar thikën e luftës së klasave”, në brinjë.  

Vendoset në Bronx të Nju Jorkut, ku duke filluar nga 1994 gjëndet pranë dhe bashkpunon me mediat e diasporës, ndërsa ishte i angazhuar edhe me punë të tjera për të mbajtur gjallë familjen. Më vonë i bashkohet revistës, “Jeta Katolike”, organ i Kishës Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, Nju Jork.

Përveç këtij aktiviteti Luigji ka botuar disa vepra me poezi, por edhe librin me prozë, “Unë vij nga Shkodra”, nga ku ka përmbledhur mbresat dhe kujtimet e tij nga jeta dhe takimet e shumta në Shqipëri dhe Amerikë — përfshir një numër personalitetesh si Dom Pjetër Popaj, Dr. Rexhep Krasniqi, Profesor Peter Prifti, Dr Agim Lekën, Z. Tonin Mirakaj, e të tjerë shqiptaro-amerikanë të rëndomtë që kishte takuar në jetën e përditëshme. 

Titulli i librit, “Unë vij nga Shkodra”, mund të përcjell idenë se është një vepër kushtuar vet autorit, por në të vërtetë është një libër, kryesisht, për të tjerët, kushtuar personave dhe personaliteteve me të cilët është takuar gjatë jetës së tij, ose me të cilët kishte punuar, përpara dhe pas shpërnguljes së tij në Amerikë. Ndonëse jetoi në Amerikë për tre dekada dhe megjithëse u largua nga Shkodra, “I pezmatuar”, sipas fjalëve të tij — Luigji nuk harroi kurrë se nga vinte. 

Thuhej dikur për Luigj Gurakuqin se, “Ku ish Luigji, ish përfaqësue Shkodra”.  Edhe për Luigjin tonë mund të thuhet se ku ishte Luigj Çekaj, ai aty përfaqësonte dhe mbronte Shkodrën. Megjithë vuajtjet e tija dhe të familjes, ai ishte krenar për Shkodrën dhe për Shqipërinë, atje ku kishte kujtimet e tija.

 “Shqipëri, asgjë në botë veç nënës,
Nuk kam dashur më shumë se ty.”, shprehet ai.

Vërtetë, i tillë ishte poeti e shkrimtari Luigj Çekaj, kurrë nuk nuk e humbi dashurinë për Shqipërinë — nuk ankohej për vuajtjet dhe kalvarin e gjatë nëpër të cilin kishte kaluar ai dhe familja e tij nën regjimin diktatorial të Enver Hoxhës. As nuk qahej për ndonjë dhembje shpirtërore ose shëndetësore, as për sëmundjen që më në fund i mori jetën para kohe, në moshën 70-vjeçare, në Nju Jork. 


Në Nju Jork, Luigj Çekaj është shquar dhe vlerësuar nga komuniteti shqiptaro-amerikan në përgjithësi, por në veçanti, nga komuniteti i intelektualëve shqiptaro-amerikanë, si një kontribues i vyer ndaj kulturës shqiptare këtu në Amerikë dhe më gjerë.

Luigj Çekaj simpatizohej nga të gjithë, pa dallim, me të cilët ai vinte në kontakt: respektohej për sjelljet e tija prej një zotërije të vërtetë, për fisnikërinë e natyrës së tij prej malësori, si dhe për njerëzinë dhe çiltërinë e përzemërt, duke bërë shumë miq këtu në Shtetet e Bashkuara, shqiptaro-amerikanë nga të gjitha trojet shqiptare, por edhe të tjerë. 

Vini re folësit sot këtu, të renditur në programin e kujtesës për Luigj Çekajn, por edhe pjesëmarrësit në sallë — përfaqsues nga të gjitha trojet shqiptare, duke filluar nga Presheva,  Kosova, Malësia e Madhe e deri në Vlorë.

Luigji ishte në harmoni të plotë me të gjithë, pa dallim krahine, feje, ose profesioni. Prandaj edhe respektohej dhe nderohej nga të gjithë, sepse ashtu i trajtonte të gjithë: me respektin dhe me nderimin që meritonin njerëzit me të cilët punonte e bashkpunonte. Veti të rralla këto, por jo të pa dëgjuara për bashkvendas tanë, të atyre anëve.

Luigji fliste dhe shkruante për të tjerët.  Shkrimet e tija dallohen për dashurinë dhe për respektin e tij për njeriun, për të tjerët, por edhe në shenjë mirënjohjeje, për ata që e kishin ndihmuar, sidomos, në fillim kur, si të gjithë ne, edhe ai ishte përballur me vështirsitë e adaptimit në këtë vend. 

Me prozë dhe me poezi dedikuar të tjerëve, ai i ngritë shqiptarët por edhe të tjerët, që ai ka takua gjatë jetës, sidomos ata që ka njohur dhe me të cilët është takuar këtu në Shtetet e Bashkuara, qoftë edhe për një kohë të shkurtër, por që kanë lenë mbresa të forta njerëzore dhe atdhetare tek poeti Çekaj. 

Duke lexuar librin, “Unë vij nga Shkodra”, të Luigj Çekaj, njeriu pyet veten, sa shumë shokë paska pasur.  Fjala e urtë, “Trimi i mirë me shumë shokë”, i përshtatet shumë Luigjit.

Lajmi, një vit më parë, se Luigji ishte ndarë prej nesh, përgjithmonë, erdhi në kulmin e përhapjes së mjeruar të COVID-19.  Mungesën e tij nuk e ndjejmë hiç më pak sot se një vit më parë. Shkuarja e parakohëshme në amshim e poetit dhe shkrimtarit, Luigj Çekaj, mjeroi familjen e vet në radhë të parë, të afërmit e tij, por varfëroi edhe shumë dashamirës të letërsisë dhe kulturës shqiptare. 

Komuniteti shqiptaro-amerikan në Nju Jork ka humbur një aktivist dhe mbështetës të papritueshëm, ndërkohë që bota e jonë shqiptare këtu në Amerikë, mbeti pa një organizator dhe frymëzues aktivitetesh, në favor të lartësimit të gjuhës dhe kulturës kombëtare në këtë vend të bekuar, ku të gjithë gjetëm strehim dhe mundësi për të ushtruar dhe zhvilluar talentet tona që na ka falë Perëndia.

Me jetën plot vuajtje të rënda dhe me veprat e tija të vlerësuara nga intelektualët e dalluar shqiptaro-amerikanë me të cilët bashkëpunoi ngusht pas vendosjes së tij në Amerikë, Luigj Çekaj si njeri, si poet e shkrimtar, nderoi veten dhe familjen e tij të ngushtë, fisin e origjinës dhe më gjerë.  Shkodra dhe Shkreli janë krenarë me ‘të, ndërsa komuniteti shqiptaro-amerikan është përgjithmonë mirënjohës për kontributin e tij të vyer që ka dhënë për vitet sa jetoi dhe punoi në gjirin e komunitetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara. 

Me jetën dhe veprimarinë e Luigjit, është krenare, sidomos, familja e ngushtë e Luigjit, bashkshortja Violeta dhe fëmijt e tyre, ashtu si edhe rrethi më i gjerë familjar. Por, jemi krenarë edhe ne që kemi pasur fatin ta njohim, sado pak, Luigjin dhe familjen.  Jemi krenarë për të — se megjithë travajët, mundimet dhe sakrificat e tija edhe të familjes së tij nën regjimin diktatorial çnjerëzor komunist të Enver Hoxhës, Luigj Çekaj nuk humbi asnjëherë dashurinë për Shkodrën dhe Shkrelin, as nuk ndërpreu kurrë veprimtarinë e tij për forcimin dhe lartësimin e vlerave të vërteta të malësorit, të shqiptarit dhe të Atdheut –Shqipëri!

Me ndiesi miqësije vëllazërore për të dhe familjen e tij, në këtë 1-vjetor të ndarjes së tij prej nesh — Luigji pastë dritë në amshim! Familjes së ngushtë dhe më të gjerë, dashamirësve, miqëve dhe kolegëve të tij të shumtë u dhashtë Zoti forcë.  I përjetëshëm qoftë kujtimi i tij.

Frank Shkreli

May be an image of 2 people and people standing

May be an image of 5 people and people standingDom Pjetër Popaj, famullitari i Kishës Zoja e Shkodrës në Nju Jork duke përshnëdetur pjesëmarrësit. 

May be an image of 14 people and people standingBashkshortja e të ndjerit Luigj Çekaj dhe djali Terenc Çekaj duke pranuar dekoratën postmortëm në emër të dashurit të tyre nga Nën-Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, Dr. Pashko Camaj 

*Fotot e mësipërme nga aktiviteti në Qendrën “Nënë Tereza”, Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, janë marrë nga Facebook e Gazetës Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra

A person in a suit and tie

Description automatically generated

Luigj Çekaj, 1950-2021 — “Për herë të parë e të fundit në moshën dy vjeç, më arrestuan”.

Text, whiteboard

Description automatically generated
A group of people posing for a photo

Description automatically generated with medium confidence

       Autori me familjen e ngusht të ndjerit poet Luigj Çekaj

Filed Under: Komente

31 VITE PA PATRIOTIN TOMË GJOKAJ

January 10, 2022 by s p

Sokol Paja/


Sot mbushen 31 vite pa patriotin e madh të kombit shqiptar Tomë Gjokaj. Në janarin e ftohtë të vitit 1991 një dorë e zezë e pa besë do të na ndante përjetë fizikisht me Tomë Gjokajn, por asnjëherë shpirtërisht. Ai kaloi në përjetësi për tu kujtuar përgjithmonë e për tu mos u harruar kurrë për kontributin, shpirtin dhe veprimtarinë e tij në dobi të çështjes kombëtare. Tomë Gjokaj ishte një shtyllë kryesore e veprimtarisë patriotike në diasporën shqiptare të Amerikës në vitet 70-80-të. Tomë Gjokaj do të kujtohet me respekt e nderim për gjithë kontributin e tij si veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare në mërgatën shqiptare të Amerikës e jo vetëm. Tomë Gjokaj në veprimtarinë e tij atdhetare kishte miqësi të veçantë me Bob Doll, me kongresistët amerikanë, si Tom Lantosh, Benjamin Gilman Jozef Dioguardin, Wiliam Broomfild, Alfonse Damato etj. Në shtëpinë e tij qëndruan shumë veprimtarë të çështjes shqiptare, si Ibrahim Rugova, Gjergj Gjokaj, Lekë Lulgjuraj, Tomë Berisha, Martin Camaj, Arshi Pipa e të tjerë patriotë që shpenzuan çdo energji, njohje, lobim e miqësi në dobi të çështjes kombëtare. Nga shqyrtimi i literaturës dhe intervista më familjarë rezulton se Tomë Gjokaj është shqiptari i parë i ftuar në Darkën e Inagurimit të Presidentit Amerikan Bush, darkë ku marrin pjesë vetëm 1000 veta. Një vlerësim ky si pasojë jo vetëm e miqësisë e njohjeve me Presidentët Regan dhe Bush por edhe si një shenjë vlerësimi për kontributin e tij politik e diplomatik. Toma si atdhetar i flaktë dhe intelektual aktiv shpërndau me pasion dhe përkushtim rrezet e dijes dhe të arsimit shqip, të vetëdijes kombëtare tek brezat e rinj, dhe shërbimi ndaj kombit ishte kryefjalë e veprimtarisë së tij sublime. Tomë Gjokaj ishte një veprimtar i spikatur dhe shumë aktiv edhe në Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra dhe anëtar i grupeve shoqëroro-politike e kulturoro-fetare të komunitetit shqiptar në New York e më gjërë duke lënë gjurmë të pashlyeshme në memorien e të gjithë atyre që e njohën nga afër përkushtimin, punën dhe shpirtin e madh të Tomë Gjokajt. Toma si patriot dhe veprimtar aktiv, organizoi komunitetin dhe përkrahi me çdo mjet dhe çdo formë demonstratat antikomuniste kundër sistemit Stalinist që sundoi në Shqipëri për afro 50 vjet. Tomë Gjokaj ishte pa dyshim ndër figurat më të spikatura dhe mendjet më të ndritura të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e më gjërë. Tomë Gjokaj do të kujtohet gjithmonë si një shqiptar i dalluar, intelektual, vizionar dhe atdhetar i përkushtuar për kombin dhe komunitetin. Ai dha gjithçka për çështjen kombëtare, deri edhe jetën e tij. Ai luftoi fort për kombin e tij dhe armiqtë e kombit shqiptar e vranë pabesisht për ta mbajtur të gjallë në memorien dhe altarin e lirisë së kombit shqiptar. I përjetshëm qoftë kujtimi dhe nderimi për këtë patriot të shquar të çështjes kombëtare në diasporë.

Filed Under: Komunitet

ATY KU E KËRKONTE INTERESI I KOMBIT, ATY GJENDEJ GJENERALI ABAS KUPI

January 10, 2022 by s p

Shpëtim AXHAMI

Kryetar i PLL

Te nderuar pjestarë të familjes Kupi e të gjithë ju të pranishëm të tjerë, kam nderin që në emrin Tim personal dhe në emër të Kryesisë së PLL të ju pershëndes në këtë tubim të përvitshëm të organizuar prej jush në nderim të figures të heroit tonë kombetar, udhëheqësit të rezistences antifashiste me 7 Prill 1939, krijuesit të OKLL dhe besnikut për gjithmone te Mbretit Zog I, Gjeneral Abas Kupit.

Paraardhësit tanë nacionalist, mbretëror, legalist të organizuar nëpërmjet Partisë Lëvizja Legaliteti në Amerikë kanë mbajtur gjalle frymen mbreterore-zogiste dhe kanë kontribuar jo pak për çeshtjen kombëtare pēr vite me radhë  gjate diktaturës më të egër komuniste të vendosur ne Shqiperi pas vitit 1944.

Sot, përsëri duket qartë se ne, pasardhësit e atyre siç ishte edhe Abas Kupi, duke i kujtuar këto figura kombëtare jemi ata që mendojmë dhe të bashkuar mund e duhet të kontribojmë që ideali dhe kauza e tyre të bëhet realitet, e për këtë mundësitë dhe hapsirat tani janë më të mëdha.

Jemi ne ata, si pjesa më e shëndoshë e së djathtës, pjesa e trashigimnisë më fisnike, patriotike dhe intelektuale që nëpërmjet programit dhe kausës tonë kemi ditur të qeverisim e të bëjmë shtet.

Prandaj, sot, më shumë se kurdoherë tjetêr duhet të bashkojmë çdo potencial tonin për të i ardhë në ndihmë vendit dhe kombit për ta nxjerrë nga kolapsi dhe tranzicioni i gjatë që e ka mbërthyer jo vetëm me një nivel të ulët ekonomik e të pa integruar, por më fatkeqja eshtë se Shqipëria po zbrazet dhe po plaket e bashkimi kombtar po duket larg.

Ajo që ju organizoni çdo vit duke perkujtuar figuren e Gjeneral Abaz Kupit, na nderon të gjitheve, na bën optimist, na jep kurajo dhe na motivon në punën tonë të përditshme për të bërë atë që ne na takon sot në ditë paqe e jo në ditë lufte e diktature si edhe të parët tanë e bënë me nder e sakrificë.

Kjo merr vleta të vecanta, aq më teper duke ditur se kush ishte Abaz Kupi dhe roli ka luajtur Ai përgjate gjithe jetes së Tij, në interes të kombit shqiptar.

Aty ku e kerkonin intersat e kombit, aty gjendej gjeneral Abaz Kupi.

Deri ne 1924, gjatë viteve më të turbullta ku vendi ynë gjendej, Abaz Kupi mori pjese aktive në të gjithë luftrat kundër okupatoreve që donin tjetersimin e trojeve tona kombtare.

Deri ne 1939 sherbeu si komondant xhandarmarie duke u berē besnik në vendosjen e rendit dhe shtypjen e kryengritjeve antikombetare me frymë bolshevike e të iniciuara nga qarqe të errta antishqiptare, organizuara këto kunder qeverisjes të Mbretit Zog.

Me 7 Prill 1939 nën besimin e Mbretit Zogu I organizoj rezistencën ndaj okupatorit fashist, duke treguar se kush ishte në të vertete qendrimi i mbretërisë shqiptare ndaj këtij pushtimi të zi që ndryshoj për keq fatet e Shqipërisë e të shqiptarve.

Gjate LDB bashkë me forcat e tij kerkonte nje bllok të perbashket antipushtues kombetar kjo duke qenë fillimisht një ndër organizatirët kryesorë të Konferencës së Pezës e më vonë organizatir dhe ndermjetës kryesor i Marreveshjen e Mukjes.

Tradhetia që ju bë kesaj marreveshje prej komunistëve  me nderhyrjen e jugusllaveve duke e kthyer luftën çlirimtare në luftë civile kunder nacionalistëve e kjo vetëm për pushtet, beri që Abaz Kupi të vazhdonte luften nen direktivat e focave aleate.

Duke u nisur nga kjo, nën frymen e Triumfit tē 1924, Abas Kupi, s’bashku me shumë nacionalist e patriot të tjerë, krijoj në Nentor të vitit 1943 formacionin politiko-ushtarak OKLL sot PLL.

OKLL kërkonte, veç të tjerave, në programin e saj një Shqipëri etnike me Kosovë e Çamëri, mbret e mbeshtetje tek forcat perendimore aleate.

Pas LDB, dihen pasohat dhe si rrodhën ngjarjet, Abaz Kupi në ekzil i ka qendruar gjithmonë besnik Mbretit Zog dhe filozofise zogiste, ku gjithe kontributin dhe mundin e Tij ja kushtoj “Levizjes Legaliste” dhe programit të saj.

Abas Kupi mbetet me të drejtë kryetar  i perhershem i PLL, Ai ishte aktivist i Komitetit “Shqiperia e Lire “ dhe president i projektit “Valualba” etj .

Familja e Abaz Kupit, u persekutua e u internua nga regjimi komunist, por qëndroj e fortë e me dinjitet pa i’u nënshtruar asnjëherë ndaj këtij  regjimi antikombetar diktatorial serbo-sllav.

Me mirkuptimin tuaj, po e mbyll këtë përshëndetje për ju pasi sado dhe çfardo  të themi në lidhje me figurën e Abas Kupit përsëri ngelet shume pa thenë për kush ishte dhe çfarë vlerash kishte Abaz Kupi, si atdhetar e nacionalist dhe sa e rendesishme ishte figura e Tij si mbreteror-zogist-legalist.

Respekte dhe mirënjohje për organizatorët e këtij tubimi dhe gjithashtu falenderime për punen dhe ndihmën tuaj si drejtues dhe përfaqêsues të Partisë Lëvizja e Kegalitetit SHBA.

I përjetshëm kujtimi i Gjeneral Abas Kupit.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT