• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2022

Dimensioni ushtarak i Isa Boletinit

January 10, 2022 by s p

Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ/


Strateg i veçantë popullor


Isa Boletini, në historinë e popullit shqiptar është padyshim ndër figurat më të spikatura dhe të vlerësuara për shpirtin e flaktë atdhetar, protagonizmin e shquar dhe të veçantë në rrugën e gjatë për formësimin, çlirimin, pavarësinë kombëtare dhe krijimin e shtetit shqiptar. Ai përshfaqi në të gjithë veprimtarinë e tij të gjatë dhe të pasur luftarake edhe një dimension tjetër të veçantë, të njohur por, gjithsesi, pak të rrahur dhe analizuar, në të cilën spikatin cilësitë e rralla si një lider, strateg, komandant dhe takticien krijues dhe i suksesshëm, ndonëse nuk ishte aspak një ushtarak i mirëfilltë i karrierës. Ky dimension përfshin cilësitë e tij prej prijësi dhe lideri ushtarak të lindur e popullor, natyrisht me dukuritë dhe të veçantat e veta.Isa Boletini, siç dihet, nuk kishte studiuar art ushtarak dhe nuk ishte diplomuar në ndonjë shkollë apo akademi ushtarake, për rrjedhojë as nuk kishte marrë njohuri të kultivuara për historinë, mendimin dhe teoritë ushtarake, arsye për të cilën ai nuk kishte pasur mundësi të lexonte klasikët e mendimit ushtarak. Megjithatë, me zgjuarsinë dhe intuitën natyrale, ai arriti të bënte pjesë të arsenalit të pasur të njohurive, një numër te madh elementësh të artit të drejtimit, komandimit, dhe të të lufuarit, të cilat i zbatoi në mënyrë krijuese, në fushëbetejat ku mori pjesë. Dhe ia doli për mrekulli që, duke i përpunuar më tej në laboratorin e tij analizues dhe krijues, t’i gërshetonte ato mjaft mirë me mendimin dhe artin luftarak tradicional të popullit shqiptar në kushtet e teatrit luftarak karakteristik dhe të ushtrive jo të rregullta, të përbëra nga luftëtarë vullnetarë, që dinin të përdomin perfekt taktikën e luftës popullore, të trashëguar nga paraardhësit e tyre. Në to ai kishte pasur shpesh suksese me rrjedhoja historike dhe jehonë evropiane, duke përvijuar kështu një fizonomi dhe dimension të vetin. Për këto arsye tek çdo shqiptar, por jo vetëm, për Isa Boletinin ruhet, përveç imazhit burrëror dhe luftarak, edhe ai i liderit dhe strategut të veçantë popullor, pa veshje dhe spaleta ushtarake, por natyrisht me njëfizionomi të vetën!Dhe ishin pikërisht përmasat dhe cilësitë që përfaqësonte kjo figurë e madhe, të cilat e shtynë njerin ndër politikanët dhe intelektualët e njohur shqiptarë, Eqerem bej Vlorën t’a portretizonte Isa Boletinin si, “…njera nga figurat më të fuqishme dhe të kompletuara të Shqipërisë së atëhershme”. Dhuntitë dhe aftësitë luftarake e drejtuese prej prijësi, komandanti dhe takticieni të talentuar të Isa Boletinit ishin të lindura e natyrale, por ato u përpunuan dhe perfeksionuan si rrjedhojë e përvojës së pasur, të mbledhur nga njera ngjarje në tjetrën dhe nga beteja në betejë, ku ai pati fatin të merrte pjesë! “Pagëzimin” e zjarrit e mori në moshë të re, si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në betejën e njohur të Slivovës kundër forcave osmane. Më pas, në vitet 1901-1902, ai vihet në krye të qëndresës popullore të Kosovës kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi dhe Austro-Hungarisë në Shqipëri.


Udhëheqës i përmasave të mëdha


Isa Boletini u shqua veçanërisht si organizator dhe udhëheqës i përmasave të mëdha, në Kryengritjet e Mëdha shqiptare kundërosmane të viteve 1910-1912. Sipas vlerësimeve të autoriteteve dhe shtypit të kohës, ai ishte vetë “shpirti i këtyre kryengritjeve”. Në këtë kuadër ai udhëhoqi dhe drejtoi me aftësi të veçanta dhe të suksesshme disa nga betejat në përballjet e armatosuara me forcat e ushtrisë osmano-turke, sidomos në vitin 1910. Më pas, ai mbështeti fuqishëm Kryengritjen kundërosmane të Malësisë së Madhe, të vitit 1911, si dhe u vu në ndhëheqjen e forcave kryengritëse shqiptare në zonën Drenicë-Mitrovicë dhe Podujevë-Prishtinë, në vitin 1912. Gjatë Kryengritjes së Madhe të Përgjithshme të vitit 1912, që çoi në shpalljen e Pavarësisë dhe krijimin e shtetit të parë të pavarur shqiptar, Isa Boletini gjendej në udhëheqjen e forcave luftarake për mbrojtjen e territoreve shqiptare kundër shovinistëve serbo-sllavë. Kurse, me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, ai vihet përkrah Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, për organizimin e Forcave të Armatosura dhe mbrojtjen e shtetit të parë të pavarur, por të vogël dhe ende të brishtë shqiptar.Betejat e përgjakshme dhe heroike e Ceralevës dhe, pas saj, ajo e Kaçanikut, përbëjnë thelbin dhe boshtin e Kryengritjes shqiptare të vitit 1910. Prandaj na lejoni që,në këtë kumtesë modeste, për efekt të kohës së kufizur, të ndalemi kryesisht në to për ilustrimin e përfundimeve me karakter ushtarak, që përbëjnë thelbin e kumtesës sonë.Veprimet luftarake nisën që më 28 prill 1910, së pari me mësymjen e forcave ushtarake osmane kundër kryengritësve që mbroheshin në Grykën e Kaçanikut. Luftimet qenë tejet të ashpra dhe të përgjakshme, të mbështetura me zjarrin e armëve të rënda të artilerisë, për dy ditë me radhë dhe arritën deri në luftim të afërt trup me trup, ku u përdorën edhe thikat! Por, edhe pse mbrojtësit e Kacanikut u tërhoqën nga luftimet, për shkak të intensitetit të tyre dhe, sidomos prej epërsisë së armikut në forca dhe armatime, lufta vijonte! Përpara osmanëve qëndronte ende një nyje tjetër e vërtetë strategjike, Gryka e Caralevës të cilën, siç vërtetuan ngjarjet dhe koha, do t’a mbronin me heroizëm të rrallë forcat kryengritëse të drejtuara nga Isa Boletini. Komandati i lartë i forcave ushtarake osmane të operacionit e dinte fort mirë dhe vlerësonte se Isa Boletini, që i drejtonte forcat kryengritëse përballë ishte, në të vërtetë, vetë “shpirti i kryengritjes”. Vetëm nga asgjësimi i tyre varej përparimi i forcave të ushtrisë së tij, prandaj urdhëroi mësymjen kundër nyjes strategjike të Ceralevës me të gjitha forcat që komandonte!Në këtë betejë, raportit klasik i forcave dhe mjeteve luftarake i të dy palëve pjesëmarrëse në të, fliste në dobi të mësymësve osmanënë, në treguesit kryesorë të tij. Përballë 3.000 luftëtarëve këmbësorë shqiptarë, të përbërë tërësisht nga vullnetarë të armatosur vetëm me armë supi dhe brezi, pritej të mësynin 8.000 ushtarë osmanë, të armatosur më së miri me pushkë, mitralozë dhe artileri malore, që me municionet e furnizuara, mund të godiste me predha vazhdimisht pozicionet e forcave kryengritëse shqiptare përballë. Nisur nga të dhënat e kohës, raporti tërësor i forcave ishte pothuajse në shifrat 2-3 me 1 (2-3:1), kurse në mitralozë dhe artileri ky raport paraqitej tërësisht në favor të trupave osmane. Duket se për këtë arsye, në ndryshim me strategjinë dhe taktikën e përdorur më heret nga mbrojtësit e Kaçanikut, në betejën e Caralevës, Isa Boletini së bashku me prijësit e tjerë përkrah, vuri në zbatim një “skemë taktike” të ndryshme, atë të mbrojtjes aktive ose të manovrueshme. Kjo taktikë i dha zhdërvjelltësi dhe manovrueshmëri të lartë forcave kryengritëse në pengimin dhe dëmtimin qysh në nisje të forcave ushtarake osmane, të cilat lëviznin me disa kolona nga venpërqëndrimet e tyre për në vijën e nisjes, të përcaktuar për mësymje.Në një vështrim analitik të betejës heroike të Caralevës, mund të vërehet qartë se, plani dhe drejtimi i forcave kryengritëse ishin konceptuar dhe realizuar me zgjuarsi dhe mjeshtëri nga drejtuesit e tyre kryesorë. Në të u ndërthurën me sukses veprimet mbrojtëse me ato sulmuese, që i dhanë lëvizshmëri, manovrën e duhur dhe efektivitet mbrojtjes, duke bjerrur dhe kapërcyer kësisoj skemat shabllone të taktikës së mbrojtjes së palëvizshme e cila, përveçse thyhet shpejt, detyron tërheqjen, shpesh me humbje të ndjeshme! Kjo dukuri, i kishte shtyrë oficerët turq të besonin tek alibija se luftëtarët kryengritës drejtoheshin me siguri nga ushtarakë të shkolluar dhe specialistë të zot që, sipas tyre, nuk mund të ishin shqiptarë! Ndërsa, konsulli francez në Shkup, në një raport të asaj kohe do të bënte një vlerësim më të sinqertë dhe realist, kur shkruante se:“…kryengritësit luftonin sipas një plani të përcaktuar e të parapërgalitur, sipas një taktike mjaft të përparuar”.Në përfundim të zhvillimit të veprimeve luftarake, në të dy betejat, të cilat zgjatën për disa ditë, duke u shtrirë në një gjerësi dhe thellësi të madhe, mund të thuhet se, plani strategjik i përpiluar nga Isa Boletini, Idriz Seferi dhe “shtabi” i tyre ishte rezultativ. Duke nisur nga grumbullimi, armatosja, lëvizja dhe afrimi i forcave vullnetare kryengritëse nëpër vendqëndrimet, deri tek lëvizja e shpejtë dhe e fshehtë për në rajonet apo pozicionet e përcaktuara për mbrojtje, ishin të ideuara dhe realizuara mjaft mirë. Edhe përzgjedhja dhe zënia e dy grykave, të Caralevës dhe Kaçanikut, nga luftëtarët kryengritës, si dy rajone me rëndësi strategjike, si dhe shpërndarja e pozicionimi i forcave në pikat më kyçe në tërë hapësirën midis dy grykave, ashtu si dhe qëndresa luftarake shumëditëshe për të përballur një mësymje nga forcat superiore turke, të një ushtrie me përvojë luftarake, të mbështetura nga zjarri i fuqishëm i artilerisë malore dhe fushore, si dhe zjarri kositës i mitralozave, dëshmuan se strategjia e përdorur nga drejtuesit e kryengritjes ishte e ndërtuar me mençuri dhe mjeshtëri luftarake.


Njohës i skemave taktike të luftimit


Për këto aftësi, Isa Boletini njihej dhe vlerësohej së tepërmi nga bashkëprijësit, nga shtypi evropian i kohës, madje edhe nga vetë kundërshtarët e përhershëm turq, krahas cilësive të tjera veçanërisht si një njohës dhe përdorues i shkëlqyer i skemave taktike të luftimit, për të cilat çmohej si një takticien i dorës së parë, dhe mjeshtër i vërtetë. Këto aftësi spikatën si në luftimet me karakter mbrojtës, edhe në ato mësymëse. Për këto aftësi, në arsenalin e pasur të taktikave, formave dhe metodave luftarake që përdorën forcat luftarake shqiptare në suazën e luftimeve apo betejave që u përkasin sidomos kryengritjeve popullore të viteve 1910, 1911 dhe 1912, krahas prijësve të tjerë të shquar, ndikim të dukshëm pati Isa Boletini, me idetë, gjetjet dhe zgjidhjet e tij racionale dhe rezultative edhe të sferës taktike. Ndër to bien në sy disa veçori dalluese, që u vunë re pothuajse ndër të gjitha veprimet luftarake ku ai mori pjesë dhe drejtoi. Përmes këtyre metodave luftëtarët vullnetarë shqiptarë, duke u përpjekur të kompesonin numrin shumë më të pakët të forcave, të armëve, municioneve dhe mjeteve luftarake të kohës, mungesën e një ushtrie të rregullt, ia dolën që t’a përballonin shpesh kundërshtarin duke zbatuar një taktikë tejet racionale, të zgjuar dhe efektive, në të cilën gërshetoheshin mirë elemente të taktikës tradicionale me ato të luftës me front të rregullt. Nëpërmjet saj, ata i lodhnin, raskapitnin dhe dëmtonin forcat e ushtrisë kundërshtare, duke u përhapur sa herë që kjo ushtri sulmonte me forca më të mëdha. Ndërkohë, luftëtarët shqiptarë shfaqeshin papritur dhe u binin armiqve që nga pritat ku ishin pozicionuar, ndërsa forcat armike gjendeshin në lëvizje për t ’u afruar dhe pa e ditur se çfarë i pristelPikërisht lidhur me taktikën e përdorur nga forcat luftarake shqiptare gjatë luftimeve, disa gazeta evropiane, të përshkruar nga shkrimtari dhe studiuesi i mirënjohur Skënder Luarasi, do të shkruanin, …shqiptarët përdorën taktikën që e lodhte shumë ushtrinë turke. Ata shpërndahen sa herë që ushtria turke mësyn me forca shumë më të mëdha se ato shqiptare. Paskësaj ata i bien ushtrisë armike nga pritat, kur ushtria osmane është duke marrshuar në rrugët e afrimit për në rajonet ose vijat e mësymjes; ata u suleshin befas asqerëve që bëjnë roje përgjatë nyjeve rrugore, në gryka apo në garnizonet e qyteteve të vendit… sulmojnë natën viset ku janë ngulur tendat ushtarake, vrasin sa më shumë kuaj që bartin topat.


Figurë madhështore e atdhetarit


Pikërisht lidhur me cilësitë dhe dukuritë e përmendura më herët, Isa Boletini ka fituar dhjetëra epitete dhe vlerësime të merituara nga shqiptarët dhe të huajt. Njeri prej tyre, shqiptari i shquar Fan S. Noli, në një miting të mbajtur në Boston të SHBA, do të theksonte: “…Isai din të hidhet në mes të topave të një ushtrie turke përmbi 20.000 vetësh, ta mundë dhe, në kohë paqe, të heshtë, është një trim që do të kishte turp ta baraziste veten e tij me gjeneralët e djeshëm e të sotëm të Ballkanit… po të rronte Uashingtoni, do të vinte t’i zinte dorën Isa Boletinit dhe t’a njihte për trim sa veten e tij!” Për shqiptarët e Kosovës, të Shqipërisë dhe kudo tjetër ku ata jetojnë, Isa Boletini përfaqëson padyshim figurën madhështore të atdhetarit dhe luftëtarit të rrallë në teatrot e luftërave për liri dhe pavarësi të atdheut tone të përbashkët, siç e ëndërronte ai dhe bashkëlujiëtarët e tij.Por, përtej cilësive të veçanta, të rralla, të padiskutueshme ai ishte dhe u shqua midis bashkëluftëtarëve si një prijës ushtarak, me cilësi natyrale të lindura, të pakultivuara, të përmasave të mëdha, në organizmin dhe drejtimin me efektivitet dhe sukses të forcave luftarake jo të rregullta shqiptare, gjatë veprimeve luftarake të shumta çlirimtare, të karakterit mbrojtës apo mësymës. Në to ai shkëlqeu si një gjeneral i vërtetë popullor, paspaleta! Për të gjitha këto, për rolin e tij të veçantë në çlirimin dhe pavarësinë e trojeve shqiptare, për formësimin dhe bashkimin kombëtar, Isai çmohet dhe nderohet shumë nga shqiptarët, arsye për të cilat ai është bërë pjesë e kahershme e historisë sonë kombëtare. Njëherëshi dhe padyshim, ai është bërë ndërkohë pjesë e rëndësishme dhe e përhershme e historisë ushtarake shqiptare, për të veçantat e tij, për të cilat duhet të vijojnë studimet dhe analizat shkencore në auditoret e shkollave dhe akademive, si dhe në veprat e studiuesve tanë ushtarakë, edhe në vitet e ardhshëm.

Filed Under: Politike

URAT DHE DYERT JANË SIMBOLE TË BASHKIMIT E FUQISË

January 10, 2022 by s p

Nga URSULA VON DER LEYEN/

Kanë kaluar tashmë njëzet vite që ne, evropianët, mbajmë Evropën në xhep. Euro nuk është vetëm një nga monedhat më të fuqishme të botës. Është para së gjithash një simbol. Mbi kartëmonedhat janë vizatuar ura dhe dyer, sepse këto dy shëmbëllesa tregojnë përsosmërisht se ç’është euro. Euro ndërton ura ndërmjet evropianëve dhe na hap dyert e botës. Euro është fuqia e jonë.

Kujtoj ende ndijimet e saj dite të njëzet viteve më parë: përshtypjen e të jetuarit të një fillimi të ri, një Evrope më të lidhur e më të bashkuar. Ende sot, mbas kaq kohe, është gjithmonë një kënaqësi të kuptosh se ke në dorë një euro të një tjetër  Vëndi. Italianët janë familiarizuar me fytyrën e Mozartit nga eurot austriakë, Sagrada Familja të kartmonedhave spanjole, me Marianën e atyre franceze. Më pëlqen shumë kur duke e kthyer nga ana tjetër kartmonedhën gjej burrin vitruvian të Leonardos apo Venerën e Botticellit. Në këtë kalim dorë më dorë arti italian ka arritur në çdo cep t’Evropës. Këto monedha vlejnë më shumë se vlera e tyre monetare. Janë shenja të një kulture të bashkëndarë e të një përkatësie të përbashkët. Euro e ka bërë më të prekëshm bashkimin tonë evropian.

Veç kësaj vlere simbolike dhe të ndjeshme, euro ka ndihmuar edhe në fuqinë ekonomike t’Evropës. Italia që është fuqia e dytë industriale e Evropës, ka patur mirësi të mëdha nëpërmjet shkëmbimeve tregtare në brëndësi të zonës euro. Në sajë të euros ndërmarrjet mund të besojnë në furnizues e klientë të huaj, pa pasigurinë e urdhëruar nga luhatjet e tregjeve valutore. Euro ka pakësuar koston e parasë: i ka bërë të kursejnë familjet që kanë marrë një financim dhe ndërmarrjet që kanë kërkuar një hua. Ka dhënë ndihmesën për t’i mbajtur të qëndrueshëm çmimet për ndërmarrjet dhe konsumatorët. Me një fjalë euro ka mbrojtur kursimet e evropianëve. Është një siguri për t’ardhmen tonë. Nëse euro ka luajtur një rol vendimtar për ekonominë evropiane, rëndësia e tij në nivel ndërkombëtar është e padiskutueshme. Qëndrueshmëria dhe besueshmëria e kanë kthyer euron në një valutë ndërkombëtare faturimi, një rezervë vlere dhe një vlerë rezerve. Sot euro përdoret në gati 40 % të pagesave ndërkombëtare dhe në më shumë se gjysmën e eksportimeve të Bashkimit evropian. E sot po punojmë për të përforcuar akoma më shumë rolin e tij ndërkombëtar. E kemi bërë euron valutën më të përdorëshme për investimet e gjelbëra: gjysma e “green bond” të lëshuara botës është në euro, një e dhënë në rritje në sajë të obligacioneve të reja me të cilët po financojmë NextGenerationEU, planin tonë për rimëkëmbjen. Sot euro është monedha e atyre që kanë në zemër planetin, një rezultat për të cilin jemi krenarë.

Euro është monedha e s’ardhmes, e në vitet që do të vijnë do të bëhet edhe një monedhë dixhitale – sepse ndërmarrjet dhe konsumatorët evropianë kërkojnë siguri e qëndrueshmëri edhe në pagesat e tyre online. Euro online do të jetë i sigurtë, i besueshëm dhe besimdhënës.

Po hyjmë në një epokë të re për monedhën tonë të përbashkët. Është e natyrshme që euro duhet të ndërrojë veshjen. Kartmonedhat e reja do të vijnë në vitet e ardhëshme dhe qytetarët mund të thonë fjalën e tyre mbi pamjen e eurove të rinj. E di se sa italianët janë të dashuruar me fytyrat familiare të kartmonedhave të lirave të vjetra, nga Maria Montessori tek Caravaggio. Jam i bindur se edhe brezi i ri i euros do të dijë të tregojë më të mirën e historisë evropiane, dhe të jetë burim frymëzimi për t’ardhmen. Eurot që kemi në xhep janë dëshmitarë të ecjes që kemi kryer deri tani, dhe janë premtimi që kemi ende shumë për të ndërtuar së bashku.

“Corriere della Sera”, 31 dhjetor 2021 – Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Ekonomi

Kujtesa e pashlyer e anëtarit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Luigj Çekaj

January 10, 2022 by s p

Nga Adnan MehmetiPresident i Shoqatës së Shkrinmtarëve Shqiptaro-AmerikanëNju Jork, 9 dhjetor 2022/


Të nderuar familjarë të poetit Luigj Çekaj!Të nderuar anëtarë të Shoqatës, miq të poetit!
Sot përkujtojmë emrin e veprën e Luigj Çekaj në atë univers kujtimesh të famijarëve të tij, të afërmëve të tij, të mbresave që na dhe jeta e tij e vështirë, e bukur, e jashtëzakoshme, sfiduese.Çfarë largpamësie kishte poeti Luigj? Mbase kur të lexojmë atë do të shohim frymën e tij, ëndrrat e tij, dhimbjet e tij. Ishte pjesa e bukur e kombit në mërgimin e detyruar.
Do të vijnë prap mbrëmjet, por unë s’jam më atje!Dhe ti, si gjithmonë do të kujtoshDuraluminin e ftohtë të ikjes…——-Por do të vij edhe një mbrëmje tjetër…
Ç’të themi më parë për Luigjin? Do të donim ta kishim atë në tribunat me fjalët e mençura që i takonin jetës së tij të mbushur me kaq sakrifica, me kaq pasione të bukura. Me atdhetarizmin e papërshkruar para të cilit ne do jemi si një shkollë e dobishme. Luigj Çekaj ishte dhimbja e forca jonë.Një jetë gati e ndarë përgjysëm mes Shkodrës dhe Bronxit.Ah, mos harrojmë se 2 vitet e jetës së tij foshnjore ai i kaloi në Shkrelin e mbushur me kaq histori, legjenda, këngë në Malësinë e Madhe. Ishte një djep që do i jepte krenarinë e malësorit, urtinë e odave, forcën e zemrës së tij. E Shkodra do mençurohej edhe më shumë nga një bir malësori me atë konbtribut të madh që ai dha në gazetat që drejtonte.Ai që kërkonte shkallë jete po jeta e tij do të merrte tatëpjetën tragjike. Diktatura do ia vyshkte e priste filizët e ëndrrave të tij djaloshare.
Gjeti një mundësi të vazhdonte për inxhineri po shumë shpejt e përjashtojnë. Donte të merrej me letërsi po për shtetin e kohës ishte i papërshtatshëm.Jeta e tij do të merrte frymë vetëm në Amerikë, si emigrant politik. Vendoset në Bronx, ku gjatë viteve 1994-1998 punon në revistën “Trojet tona” ndërsa në vazhdim në revistën “Jeta katolike” organ i Kishës Katolike Shqiptare “Zonja e Shkodrës”. Në Nju Jork, ku jetoi mjaft vite familjarisht, ka botuar dy librat me poezi: “Vjeshta në aeroporte”, dhe “Nënë, hije e kaltër prej loti”, “Unë vij nga Shkodra” 2004, ku ka përmbledhur mbresat e kujtimet e tij nga jeta në Shqipëri dhe Amerikë, si dhe librin e fundit “Një shkrelas në Manhattan”.
***
Vetëm gati para një muaji në këtë qytet ne përkujtuam 20-vjetorin e Shoqatës sonë. Një përurim simbolik kur kujtuam ata që kanë kontribuar për Shoqatën e Shkrimtarëve. Midis tyre kujtuam dhe Luigjin për botimin e librave të tij që edhe sot lexohen me mjaft ëndje, respekt për artin që ato përcjellin.Ai ishte sekretari i parë i Shoqatës sonë atëherë kur ne kishim kaq shumë nevojë për përvojën e tij.
Përvoja jetësore dhe njohja e krijuesve të Amerikës nga ana e tij e bënë të domosdoshme atë për të marrë këtë detyrë, krejt vullnetare po dhe mjaft të dobishme. Edhe më vonë ai ishte dhe mbeti një aktivist i devotshëm.Mjaft natyrshëm ai ishte në çdo hap të Shoqatës.Jo vetëm në vitet kur ai ishte sekretar, por dhe në vitet e mëpasmë ai ishte shkrirë me jetën e saj. Ishte lidhur shpirtërisht me secilin aktivitet që bënim ne. Dhe nuk ishte fjala vetëm për Nju Jorkun, Stamfordin po dhe më larg.Ishte një nder i merituar për të dhe që ai na e dërgoi më larg emocionin tonë. Ai erdhi me autobus në Boston. Atë ditë shkrimtarët vizituan Kishën e Nolit në Boston. Akoma e kam para sysh emocionin që ai kishte. Vinte vazhdimisht në takime. Ishte në 10-vjetorin. Në 15-vjetorin e Shoqatës ne ndamë çmim për të. Në 20-vjetorin na mungoi fizikisht, por e patëm fatin ta kishim me 4 veprat e tij të botuara dhe anëtarët e familjes.
Në të gjithë botimet që ka bërë Shoqata jonë në vite në formën e antologjive ka qenë dhe krijimtaria e tij që mbetet shembull frymëzimi për poetët më të rinj. Kjo është bërë në të dy vëllimet “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë”, në librin “Autorë dhe vepra” si dhe në numrat e revistës PENA.Edhe numri i fundit i Penes, që po prezantohet sot para lexuesve është me portetin e poetit shkodran.Nuk ishte rastësi që në aktivitetin e 20-vjetorit të Shoqatës për të ndahej dhe një Çmim “Luigj Çeka “. Katër veprat e tij gjenden në Bibliotekën e Shoqatës së Shkrimtarëve.
Një monografi do ta nderonte edhe më shumë figurën e tij. Dhe Shoqata jonë ka mjaft forca letrare për ta bërë një gjë të tillë. Do të ishte nder për Shkrelin e tij, për Shkodrën, e për mbarë komunitetin shqiptar të Amerikës. Gazetat e shqiptarëve si ajo “Dielli”, “Illyria” kanë botuar shkrime të gjata për vlerat jetësore pastriotike dhe letrare të Luigjit. Me majft pasion do të shkruanin itelektualët e rëndësishëm të Diasporës si Gjekë Marinaj, Mëhill Velaj, Dalip Greca, Frank Shkreli, Kolec Traboini, Agron Fico, Kozeta Zylo, Arjeta Ferlushkaj, etj.
Në këtë ditë përkujtimore kemi shumë ç’të themi për Luigjin tonë të mirë.Kanë shumë ç’të kujtojnë famljarët e tij që e patën mes tyre si një visar të rrallë të shpirtit njerëzor.
Kanë kaq shumë ç’të kujtojnë krijuesit shqiptarë që e kishin që në vitet e para të Shoqatës në krah një njeri të mençur, human dhe mjaft vizionar.
Kanë shumë ç’të tregojnë miqtë që patën fatin t’ia dëgjojnë zërin, të dëgjonin saktrificat e tij e së bashku ata dhe në të falenderojmë demokracinë amerikane që ia bëri të lehtë rrugën këtij njeriu.
Besoj se është bërë riti i përkujtimit dhe në një kishë diku në Shkrel, në Shkodër apo edhe në SHBA. E meriton një meshë ky njeri që e lidhi jetën me letërsinë, por edhe me besimin ndaj zotit.
Këtu nuk jemi ballë një këmbane po këmbana e kujtesës dhe e nderimit për të do të bjerë e do të bjerë në kohëra…E ne krenarë që e patëm në gjirin tonë e do të përulemi me nderim para tij.

Filed Under: Kulture

TUE E PERKUJTUE GJENERAL ABAZ KUPIN

January 10, 2022 by s p

Tomë Mrijaj/

Tue e perkujtue Gjeneral Abaz Kupin, strategun e shumë luftëtarëve dhe takimeve në nivele kombëtare, mbahet gjallë fryma e Levizjes së Legalitetit, të cilës i prini i pari qysh në ditët e para të themelimit të saj.

Gjeneral Kupi ishte gjithmonë njëri i BASHKIMIT. Më kujtohet një takim në shtëpinë e Kapidanit të Mirditës Ndue Gjonmarku ku ishin të pranishëm mons.dr.Zef Oroshi, prof.Zef Nekaj, i cili udhëton cdo vit nga Kalifornia per t’i kalue pushimet me miqtë e tij këtu në Nju York. Profesor Nekaj ia drejtoi një pyetje Kapidan Ndues, si u bë kështu që as në mërgim s’mund u bashkuem?!

Kapidani u përgjigj:- “Të gjitha partitë ishim të bashkuara përpos Ballit Kombëtar, i cili na theu krahun, këtu veçoi Hasan Dostin, i cili nuk ra dakort me neve. Para shumë vitesh Mbreti Zog nga Aleksandria e kishte derguar Abaz Kupin që të ndërmjetësoi për BASHKIM. Baba im Kapidan Gjoni I tha: “Na jemi të bashkuem sin ë atdhe edhe këtu pos Ballit, që drejtohet nga Hasan Dosti, nuk e kishim këtë problem ma parë me Mithat Frashërin.

Profesor Nekaj u gëzue kur Kapidani i tha: “Abaz Kupi ishte gjithmonë njeri i BASHKIMIT, njeri me orë, sepse ai kishte gjithmonë kandarin e drejtësisë, iu parapriu shumë luftëtarëve ku doli fitues, sepse më vehte kishte drejtësinë dhe ndihmen e Zotit.”

Lavdi vepres së tij !

Filed Under: Emigracion

NË PËRKUJTIM TË GJENERAL ABAZ KUPIT

January 10, 2022 by s p

Leonora Laçi

Ndjehem e nderuar nga ftesa juaj në përkujtimin e figurës së Gjeneral Abaz Kupit si pararojësi i parë që i bëri ballë pushtuesve italianë në Durrës me 7 prill 1939. Historia e ka bërë pjesë të pandashme të saj veprimtarinë e tij dhe të shumë nacionalistëve të tjerë që nuk u kursyen për hirë të atdheut. Duan apo nuk duan historianët shqiptarë atyre i duhet dhënë haku. Unë ndjej krenari që në gjirin tonë familjarë kemi pasur një figurë intelektuale që i përket mërgatës së vjetër si kolonel Xhemal Laçi.  

Është e pashmangshme të mos emocionohem teksa ndodhem në vendin ku ata gjetën lirinë. Ky vend i dha lirinë e munguar, edhe pse ishte liri e cunguar sepse shumë nga ata shqiptarët e vjetër fituan lirinë personale por familjet e tyre provonin torturat e regjimit komunist në Shqipëri. 

Para disa kohësh në një intervistë gazetari i Botës Sot z.Beqir Sina në një nga pyetjet që më bëri ishte se pse zgjodha pikërisht diasporën politike shqiptare në studimet dhe shkrimet e mija?!

Përgjigjen që i dhash dua ta ripërserisë sepse:-“Ka shumë arsye se pse unë kam zgjedhur pikërisht diasporën. Dita ditës më mundon fakti se si diaspora është shkrirë për atdheun, intelektualëve më të zotë të pas Luftës së Dytë Botërore i pushojnë eshtrat jo të qetë nëpër dhena të huaja. Personalitete të ndryshme të diasporës patën kundër, një sistem të tërë dhe mekanizmat e tij, e nga ana tjetër patën kundër përplasjet e jetës nëpër botë e nganjëherë dhe bashkatdhetarët e vet, por sërisht nuk u demoralizuan, shkruan, botuan revista, libra, krijuan organizata, ngritën zërin në diplomacitë e huaja për gjendjen e Shqipërisë.

Kam plotë personalitete frymëzues për mua. Këto ditë pata në dorë numra të ndryshëm të Revistës Jeta Katholike e botuar në Nju York që filloi publikimin që në fund të viteve ’60, ku përmes artikujve të Mons. dr. Zef Oroshit arrita të kuptoj se sa e vështirë ishte për te të ngrinte Kishën e Parë Katolike Shqiptare. Në sediljen e mbrapme të makinës udhëtonte me të dhe makina e tij e shkrimit sepse nuk kishte zyrë për të shkruar artikujt, studiot e zyrat e para të përpunimit të revistës iu bënë bodrumet e dashamirësve. 

Mons. dr. Zef Oroshi shkroi në disa numra rreshtë të revistës listen e emrave që kontribonin për ngritjen e kishës shqiptare, ku kishte dhe vëllezër myslimanë që nuk u kursyen, ai shënoi çdo qindark që jepej, madje e vlerësoi së tepërmi kontributin e vëllezërve myslimanë, të cilët kishin filluar nga ana tjetër të bënin përpjekjet për ngritjen e Xhamisë së Parë në Nju York (e ngritur nga Imam Salih Myftija), dhe ai shpreh mërzi për faktin se shqiptarët katolik nuk po ishin në gjendje t’i mbështesnin ata për ngritjen e xhamisë. Dhe kur sheh figura të tilla si Mons. dr. Zef Oroshi apo Imam Salih Myftia që ndonëse familjarët e tyre dergjeshin burgjeve dhe internimeve këta kontribuonin për të mbajtur gjallë frymën kombëtare.

A nuk e meriton Mons. dr. Zef Oroshi një monument në oborrin e Kishës Zoja e Shkodrës në Nju York si vlerësim për kontributin e tij ?! A nuk e meritojnë nderimin këto figura të diasporës si; Mons. dr. Zef Oroshi, Dom Anton Kçira, Imam Salih Myftija, Fuad Myftija, Fran Sokoli, kolonel Xhemal Laçi, familja Mulosmanaj, Nderim Kupi, Baba Rexhepi, prof. Arshi Pipa, Imam Vehbi Ismaili, Imam Isa Hoxha, Ndrec Gjergji, Zef Berisha, Ramiz Dani, etj, ?! 

Ju sot po nderoni veten tuaj duke nderuar figuren e Gjeneral Abaz Kupit, po i mësoni fëmijëve tuaj historinë e Shqipërisë dhe se ç’është kujtesa historike e rendësia e saj.Faleminderit ! Lavdi figures se tij.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT