• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2022

Gëzuar Krishtëlindjet!

January 7, 2022 by s p

Robert Dako -Qiriazi


Në këto ditë feste për komunitetin Ortodoks Shqiptar familja Dako (Qiriazi) që është pjestare e këtij komuniteti dëshëron t’i bëjë urimet më të mira të gjithë besimtarëve ortodoksë, të kalojnë një Krishlindje në paqe e në harmoni. Në periudha të ndryshme historike nuk ka qëne aspak e lehtë të qënit ortodoks shqiptar o një besimtar/e ortodoks/e dhe familja jonë me historinë e saj transgjeneracionale ka dëshmuar këtë aspekt të historisë kombëtare. Shprehja e identitetit ortodoks shqiptar gjatë periudhave të ndryshme është përjetur duke gërshetuar sferën individuale e familjare me fatin e kombit. Mbi të gjitha, në një periudhe të caktuar, ka qënë shprehje e një angazhimi të gjatë për themelimin e një kishe ortodokse kombëtare shqiptare që, nga fjalët e gjyshes time Sevastisë, ka rrënjë të hershme:“My father was a born leader, so it was but natural that he should become the head of the Albanian Orthodox community of Monastir. At that time in Monastir, the Christian Albanian families were few but prominent and had a big share in the improvement of the Christian community, but they were called Greeks because they belonged to the Eastern Orthodox Church. Monastir was a cosmopolitan town, and we used many languages there. Because our tongue was not yet reduced to writing, we read Greek, or we transliterated Albanian into the Greek letters.”Babai im ishte një udhëheqës i lindur, kështu që ishte e natyrshme që ai të bëhej kreu i komunitetit ortodoks shqiptar të Manastirit. Në atë kohë në Manastir, familjet e krishtera shqiptare ishin të pakta, por të shquara dhe kishin influencë të madhe në zhvillimin e komunitetit të krishterë, por ata i thërisnin grekë sepse i përkisnin Kishës Ortodokse Lindore. Manastiri ishte një qytet kozmopolit ku përdornim gjuhë të ndryshme. Duke qenë se gjuha jonë nuk kishte ende një sistem shkrimi, lexonim greqisht ose përdornim shkronja greke për të transkriptuar shqipen.The mania of the Eastern Orthodox Church to consider every Orthodox to be Greek without regard to his nationality is five centuries old. This has been the cause of deep hatred, many conflicts, and much bloodshed. Its history, briefly stated, will help to show clearly many of the aspects of the Balkan tangle. Strange as it may seem, the immediate results of the Turkish conquest in 1453 had been beneficial to the Greek Patriarchate. Mohammed II, the conqueror of Constantinople, taking advantage of the hatred that existed between the Pope and the Patriarch, was delighted to teach the Eastern Orthodox Church to regard him as her benefactor and protector…Mania e Kishës Ortodokse Lindore për të konsideruar çdo ortodoks si grek, pa marrë parasysh kombësinë e tij, ka zgjatur pesë shekuj. Kjo ka shkaktuar urrejtje të thellë, shumë konflikte dhe gjakderdhje. Kjo histori, e përshkruar me dy fjalë, tregon qartë shumë aspekte të ngatërresave ballkanike. Sado e çuditshme të duket, pushtimi turk më 1453 dha menjëherë rezultate të dobishme për Patriarkanën greke. Muhamedi II, pushtuesi i Kostandinopojës, duke përfituar nga urrejtja që ekzistonte midis Papës dhe Patriarkanës, ishte mëse i kënaqur të konsiderohesh nga Kisha Ortodokse Lindore si bamirës dhe përkrahës i saj…The spiritual despotism of the Patriarchate was worse than the political tyranny of the Turks. Those who dared to defy it were boycotted, anathematized, excommunicated, and denounced to the Turkish authorities as seditious rebels against the Turkish government. They were liable to imprisonment or exile, for the Turkish authorities cooperated openly with the bishop in repressing the national spirit of the Christian Albanians and in keeping them under the religious yoke of the Patriarchate.Despotizmi shpirtëror i Patriarkanës ishte më keq se tirania politike e turqve. Ata që guxuan t’a sfidonin u bojkotuan, u përjashtuan, u shkishëruan dhe u denoncuan tek autoritetet turke si rebelë kryengritës e kundërshtarë të qeverisë turke.Ata kishin përgjegjësi në masat e burgimit ose mërgimit, sepse autoritetet turke bashkëpunonin hapur me peshkopin për të shtypur frymën kombëtare të shqiptarëve të krishterë dhe për t’i mbajtur nën zgjedhën fetare të Patriarkanës.In spite of this, the Albanians proved that they could not be assimilated, and when the time came, they did show the patriotic feeling which was burning in their hearts.Pavarësisht nga kjo, shqiptarët, në fakt, nuk u asimiluan dhe kur erdhi koha, ata treguan ndjenjën patriotike që vlonte në zemrat e tyre.”Sot bashkohemi komunitetit ortodoks dhe Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare që festojnë lindjen e Krishtit me devotshmëri e me liri të plotë.
Gëzuar Krishtëlindjet!
Robert Dako -Qiriazi

Filed Under: Analiza

LASGUSH PORADECI, POETI I MAGJISË SË YJEVE DHE I HESHTJES BUZË LIQENIT

January 7, 2022 by s p

Lasgush Poradeci | Shkodra Daily

Lasgush Poradeci

Nga Agim Xh. Dëshnica

Shumë vetëve, teksa zbresin nga Qafë Thana  e sodisin liqenin e Pogradecit, u shfaqet   si mirazh Lasgush Poradeci  në moshë të re, poeti  i dashurisë dhe i magjisë së yjeve,    buzë liqenit teksa sodit  liqenin. Mandej  në moshën e pleqërisë, duke ecur i menduar me shkop në dorë e barsolinën e vjetër, në kërkim të kohëve të humbura të rinisë,  kur në çaste frymëzimi krijonte vargje plot harmoni për muzgun e heshjen në liqen e në qytet, për fluturimin e shtërgut, për krojet, lundrat e zambakët mbi ujë, për shqiponjën, Malin e Thatë, Shën Naumin e Drinin e kaltërt. 

Emri Lasgush na sjell ndërmend hiret e lirikut romantik e simbolist, ndërsa caku Poradeci ka thyer një emërvend të huaj. Aso kohe i njohur si poet romantik kudo, dallohej jo vetëm për adhurimin ndaj natyrës, por edhe për   dashurinë ndaj njeriut, miqëve  e krijuesve të tjerë. të moshuar apo të rinj si  Fishta, Mjedja, Asdreni, Noli,  Kuteli,  Koliqi, Buharaja etj

Jeta dhe krijimtaria e poetit

Llazar Gusho,  u lind  më 27 dhjetor 1899 në Pogradec  në një familje atdhetarësh, por deri në mbarim të jetës, do të njihej në botën letrare vetëm me emrin Lasgush Poradeci. 

Qysh në moshën dhjetë vjeç, Lasgushit ndryshe nga çdo poet tjetër, hapësira përqark  e vendlindjes, i fali atij frymëzmin poetik. Aso kohe në brigjet rreth liqenit, nga Pogradeci  në Strugë, Ohër e Shën Naum, jetoninin thuajse vetëm shqiptarë, që flisnin toskërisht  në të njejtin dialekt.  Poeti i ardhshëm mësimet e para i mori në qytetin e lindjes. Shkollën e mesme e nisi në Manastir. Ishte një kohë me tronditje të brendëshme, me rebelimin e vitit 1914 kundër Qeverisë së Vlorës e me rrezikun  e Luftës së parë Botërore, kur pavarësia humbi paqen e qetësinë. Shkollat u mbyllën dhe Llazari u kthye në Pogradec. Pas mbarimit të luftës, i ati e nisi për në Athinë të mësonte në Liceun Francez arumun. Mësimet i mbaroi në vitin 1921 në Silistra, asokohe qytet bregdetar i Rumanisë e sot i Bullgarisë. Po atë vit vajti në Bukuresht për të ndjekur studimet e larta në Akademinë e arteve dhe të letërsisë. Gjatë asaj kohe iu desh të punonte dhe njëherazi të studionte. Në ato vite mori pjesë në lëvizjen atdhetare të Kolonisë Shqiptare, krahas me Asdrenin dhe atdhetarët e  tjerë dhe u zgjodh sekretar i përgjithshëm i saj. Në vitin 1924, me bursën e Qeverisë së Nolit kreu studimet në Grac-Austri në Fakultetin e Filologjisë Romano – Gjermane. Në mbarim, mbrojti temën: “Eminesku dhe poezia popullore rumune.” Me ndihmën bujare të Kutelit dhe bashkatdhetarëve në Rumani. u botuan në Bukuresht dy vëllimet poetike të Lasgushit “Vallja e yjeve” në 1933,  dhe “Ylli i zemrës” në 1937. Atëherë Lasgush Poradeci  shkruan  edhe një histori për lëvizjen kombëtare të shqiptarëve të Rumanisë dhe jetëshkrimin e veteranit të asaj  lëvizjeje, Nikolla  Naço.  Me këto vepra ai u bë i njohur në Shqipëri e jashtë saj. I kthyer në atdhe në 1934, dha mësim në Liceun e Korçës dhe në Gjimnazin e Tiranës.

Lasgush Poradeci jetoi në kohën e luftrave e kryengritjeve të mëdha për liri, ndaj në krijimtarinë e tij ndihet shqetësimi për kombin, sipas ideve të Rilindjes kombëtare, si edhe e  ëndrrave për përparimin e mëtejshëm demokratik. Ai ishte dhe mbeti një nga lirikët tanë më të mëdhej, i shquar për ndjeshmërinë dhe ëmbëlsinë e vargjeve si rrallëkush, Në vitet e para të jetës krijuese ai u këndoi luftëtarëve të lirisë e të pavarësisë, bukurive të vendlindjes me vargje të përkryer plot tinguj e ritme të larmishëm. Ja si shprehet Lasgushi për poezinë: “Pse shkruaj, pse parapëlqej të shkruaj vargje dhe jo prozë? Kur them vargje, kuptoj që duhet të jenë të përsosur nga arti. Vetëm vargjet e përsosur rrojnë (dhe mezi edhe këta).”  Më tej: “Nuk ka poezi të madhe ose të vogël, të mirë ose të keqe, por vetëm që i përshtatet plotësisht potencialit jetësor dhe poezi që s’i përshtatet. Ajo që i përshtatet, është POEZIJA…” 

Jemi në mbarim të vitit 2021 dhe vargjet  magjike të Lasgushit rrojnë, të freskëta, me një gjuhë të kulluar shqipe, me ritme e rima të përpikta, me simbole të kuptueshme. Janë poezi për të gjitha moshat, që i “përshtaten plotësisht potencialit jetësor”. Ja, tek na vijnë ndër mend vargje prej poezisë “Poradeci”: 

 “Në katund troket një portë, 

në liqen hesht një lopatë,

 një shqiponjë e arratisur 

fluturon në Mal të Thatë…

 Tërë fisi, tërë jeta, 

 ra…u dergj …e zuri gjumi…”. 

Dëgjojmë fërfërimën e flatrave të shqiponjës në kërkim të burimeve në Shën Naum, mbrëmjen e qetësinë e natës, shushurimën e valëve, që shtrohen buzë  liqenit. 

Gjatë viteve ’30 – ‘40, poezitë e Lasgushit u botuan në librat shkollore, në gazeta e revistat letrare.  Pas mbarimit të luftës, Lasgush Poradeci nuk iu nënshtrua kërkesave të letërsisë soc.realiste dhe pothuaj e theu penën. Arti i vargjeve të veta dhe mendimet e tij filozofike binin ndesh me ideologjinë e mohimit të vlerave demokratike, ndaj i mbyllur në vetmi, në gjendje të vështirë ekonomike, jetoi me punën e lodhshme të përkthimeve. Gjuha e bukur popullore e përdorur me mjeshtëri nga Lasgushi në poezi, u hijeshua me ngjyrime plot art.  Me vargjet e krijuar ai e pasuroi gjuhën shqipe dhe letërsinë me fjalë e frazeologji të reja. Duke trajtuar çështjen e gjuhës shqipe, ai shkruan: “Përsa i përket toskërishtes, kjo siç duket, njëherë mund të mënjanohet prej gjuhës “së mesme”, që s’është veçse një gegërishte e zbutur, nga influencimi armonioz i toskërishtes. Gegërishtja ka energji fizike, toskërishtja ëmbëlsi shpirtërore. Dyke bashkuar gegërishten me toskërishten, gegërishtja gjith dyke mos humbur forcën, energjinë, fiton dhe harmoni, e ëmbëlsi, si gjuhë e “mesme” me karakter geg. Lufton, pra, forca fizike me harmoninë  shpirtërore, trupi me shpirtin. Sa më e fortë, më e fuqishme, më e shumanëshme të jetë toskërishtja në harmoninë e saj, aq më shumë do të ndjehet fryma mirëbërëse që ajo ka në gegërishten e “mesme.”  Me këtë bindje ai mori pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit – 1972. Në çastet fatale të vendimit, ai u largua nga mbledhja pa u ndjerë e pa e nënshkruar dokumentin e standartit të shqipes të diktuar nga lart. 

 Lasgushi jetoi i shqetsuar si gjithë njerëzit me kulturë  e të  përndjekur. Shihej tek ecte  ngadalë gjatë trotuarit bri sheshit Skënderbej dhe hipte me vështirësi në autobusin e Kombinatit, që ndalonte edhe pranë Shtëpisë Botuese Naim Frashëri,  i mbushur përplot me njerëz. Poeti i zbardhur dhe i dobësuar mezi mbahej  ndërmjet turmës, që shtyhej para e prapa. Herë-herë  ndonjë dashamirës i poetit  e merrte në mbrojtje. Edhe  burgu i librave të dënuar, Biblioteka Kombëtare shpalli një fletë rrufe qesharake kundër poetit  të  liqenit e yjeve me shpirt artisti.

 Në vetminë e studios së varfër, Lasgushi krijoi edhe poemat “Eskursioni teologjik i Sokratit”,”Mbi ta”, “Kamadeva”. Të gjitha u botuan, kur poeti ishte larguar nga jeta në 1989 dhe gjemia e zyrtarëve të lartë pa kulturë,  po fuste ujë e pak nga pak po fundosej.  Do të vinte një ditë dhe kumti i poetit në vargje do të jetonte: “Kur të mos jem në jetë vetë, do të jetë zemra ime.”

 Lasgush Poradeci dhe vlerësimi i veprës së tij


Lasgush Poradeci la një krijimtari nga më të këndëshmet të poezisë shqiptare.  Poezia e tij lexohet me ëndje brenda e jashtë Shqipërisë. Veprat e tij  u vlerësuan  nga njerëzit e shquar të kulturës, si Eqrem Çabej, Mitrush Kuteli, Skënder Luarasi, Sabri Hamiti, Rexhep Ismajli etj. Meqë  dikur Lasgush Poradeci renditej krahas Fishtës, Mjedës e Prennushit, Nolit e Konicës, Kutelit e Koliqit, ai u la në hije nga shtypi i mefshtë i kohës së mbrapshtë. Në librin Historia e Letërsisë Shqiptare – 1983, krijuesi i poezive mahnitëse “Poradeci”, “Dremit Liqeni”, “Zemra e Liqenit” “Mbarim Vjeshte” e të tjera si këto, trajtohet si poet i mbyllur në vetvete, herë popullor e herë kontradiktor, i ndikuar nga poezia dekadente… E kush se, përkthyesi mjeshtër i Gëtes e Hajnes, e Brehtit, Hygoit e Mysesë, Bajronit e Shellit, Bërnsit, Pushkinit e  Lermontovit! 

Dijetari i madh Çabej ndër të tjera shkruante:

”Lasgush Poradeci na hap portën e një jetë të re në poezinë shqiptare; një frisson neuf, siç pat thënë Victor Hugoi për vjershat e Baudelaireit, lind e rritet në lëmën e këngës shqiptare, një stil i ri, të cilin do ta kërkosh më kot ndër poetët e tjerë shqiptarë, po më kot dhe ndër shkrimtarët e huaj nga shkaku i origjinalitetit që e shquan këtë poet djalosh.

 Lasgush Poradeci deri në fund të jetës, sado në moshë të thyer, si një poet i zgjuar nga ëndrrat e rinisë, kthehej i përmalluar në Pogradec, te liqeni i tij, pranë lundrave, zambakëve e krojeve. 

Pas shembjes së diktaturës, Lasgushi në kohë demokracie,  kujtohet me nderim. Çmimet letrare, shkollat, rrugët në qytete të ndryshme, mbajnë emrin e tij. Librat me krijimet e tij poetike botohen e ribotohen me ngjyra nga më të larmishmet. Në vitin 2009, me financimin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, u botuan veprat e tij. Një shtatore e poetit në Pogradec  duket sikur sodit liqenin e malet tona, shqiponjën, që kthehet nga Mali i Thatë.  Edhe ata që nuk e lanë të qetë, tani vrapojnë të shkruajnë për të, ndryshe për ndryshe. Me përkthimin e krijimeve  të Lasgushit në anglisht nga Robert Elsi, bota u njoh me artin e poezive të përkryera e një poeti shqiptar, të panjohur më parë. 

Kujtimet na kthejnë mbrapsht në kohë, kur diktatura ende s’kishte hyrë aq thellë në mjediset e kulturës. Në një rreth letrarësh të rinj në sallën e Bibliotekës së Vjetër Kombëtare, një poet me njohuri të cekta, teksa trajtonte poezinë shqipe, krahasoi disa poezi të paraluftës, epikën e Fishtës me lirikën e Lasgushit. Me ato njohuri  sigurisht ai s’mund të arrinte në përfundime të sakta,  se këta poetë në kohën e tyre i shërbenin një qëllimi, njëri këndonte për lirinë, tjetri me ëmbëlsinë e vargjeve u këndonte bukurive të atdheut. Të dy poetët Fishta e Lasgushi shpesh shkëmbenin përgëzime, duke çmuar krijimet e gjuhën e njeri – tjetrit. Dy foto të asaj kohe dëshmojnë për këtë të vërtetë.

File:Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, At Gjergj Fishta and Asdreni.jpg

Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, Gjergj Fishta, Asdreni.

lasgush poradeci - Community | Facebook

Në këmbë- Kasëm Bajrami, Luigj Krasniqi,

 Kel Marubi, Gjergj Canco, Shuk Sheldia.        

Ulur-LasgushPoradeci, Gjergj Fishta, Asdreni, Ernest Koliqi

Statue of Lasgush Poradeci - Pogradec

Shtatorja e Lasgushit në Pogradec.

Disa nga poezitë e përjetëshme

të Lasgush Poradecit

Zog i qiejve

Këng’ e lasht’ e vjershërisë më pëlqeu aq fare pak…

Do t’ja marr që sot e tutje si bilbill parëverak

Që nga fund’ i vetëvetes do këndoj një mall të ri:

Brenda tufës së junapit që mbleroj me kaq stoli,

Kur po shoh ndaj ryn bilbili e sakaq zë qan nër fletë,

Këng’ e ti më ngjan kulluar posi këng’ e Zotit Vetë.

E prandaj, dyke filluar, ay Lart  i shpije kryet 

Dh’ i ngreh sipër- e më-sipër, gjersa qafa ment i thyet.

Asoherë e ndjej si foli: Të jam falë, o Zoti im!

E pastaj i ulet gusha më përposh- e- më- përposh,

I venitet me-nga-dale syri-i qarë- e bukurosh.

Ay sheh që nëpër fletë me vështrimin e çuditur

Ndaj çkëlqen nër mijë ngjyra Vëndi’i ti ku pati zbritur,

E pra ja q’i mbylli sytë, e që gojëzën e hapi:

Tungjatjeta! tungjatjeta! Vënd, o Vënd, ku çel junapi!

Haj! Bilbil, se Vëndi jonë ka liqere – e anë detesh,

Nëpër bimëzat e tyre po vërej si qan e tretesh;

Po dëgjoj prej largësire, si nër male – e si nër fusha,

Si nër kopshte jargavanësh dhemshurisht të fryhet gusha;

E çdo lis që mban të gjelbër e çdo pemë e çdo rakitë,

E çdo bar i lulëzuar ças-për-ças t’i ndjen çuditë… 

 ______________  

Viti 1921

Poradeci

Perëndimi i vagëlluar mi Liqerin pa kufir

Po përhapet dal-nga-dalë një pluhurë si një hije.

Nëpër Mal e në Lëndina shkrumb’ i natës që po bie,

Dyke zbritur që nga qielli përmi Fshat po bëhet fir…

E kudo krahin’e gjerë më s’po qit as pipëtim:

Në katund kërcet një portë… në Liqer hesht një lopatë,

Një shqiponjë e arratisur fluturon në Mal të Thatë…

Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit tim.

Tërë fisi, tërë jeta, ra…u dergj…e zuri gjumi…

Zotëroj më katër anët errësira…

                                                 Po tashi:

Dyke nisur udhëtimin mes për mes nër Shqipëri,

Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi.

Dremit liqeri

Mi zall të pyllit vjeshtarak

Dremit liqeri pa kufi,

Aty nga fundesh u përflak

Posi me zjarr e me flori.

Posi me flakë u ndez e kroj,

E vetëtit plot magji,

E yll’ i ditës perëndoj

Në qetësi dhe dashuri.

Tashi po shuhet nënë mal,

Qytet’ i ngrysur në të zi.

Pa ndizen yjtë  dal-nga-dal

Plot bukuri! Plot fshehtësi!

Në këtë ças perëndimor,

Ndaj po më dehen sytë e mi,

Kuptoj si shpirtin vjershëror

M’a frymëzon një mall i ri.

Vallja e yjeve

Yjtë e ndezur si fingjill,

Që vërtiten palë – palë,

Prej mosgjëje zunë fill

Plot me mall të valë.

Zunë fill me dashuri 

Që kur bota zu të ngjizet, 

Pa sikush për shok të ti

Përvëlohet edhe ndizet.

Ndizet ças edhe për ças

E si kurrë s’ka të shuar,

Pa pushim i vete pas

Me një sulm të llaftaruar.

E si kurrë nuku mund

Ylli yllin që t’a kapë,

Rrotull qiejve pa fund

Venë e vinë e venë prapë.

Mbarim vjeshte

Fluturoj dhe shtërg i  fundit, madhështor, 

                                       me shpirt të gjorë

Dyke shkuar që me-natë sipër malesh me dëborë…

Iku rëndë e i përmallshëm, dhe me sqep të ti të fortë 

Zotëriut q’i la folezën i trokiti mun në portë…

Pra, më s’duket shpes’ i fatit prapa bujqish edhe plorësh,

Prapa brazdës së rëxuar hap-me-hap prej qe malorësh;

Më s’dëgjohet nër ugare të kërcasë miu i  hirtë,

Vdiq nëpërka pikëlore ndaj blatish’ e shkretëtirë.

Dheri i mardhur prej thëllimi dirgjet heshtur nënë brymë

Fryn veriu në pyll të thatë me zembrim  e me fërtymë    

E si shtohet  cingërima…ja! se ku dinak  dh’i   voçër  

Nëpër gardhe- e nëpër ferra dërdëllet gazmor një çoçërr.  

                                                           ,                                                                                                                                                                                                                                                     

                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                            …   

O! sa hir që kishte shtërgu, aq fisnik me shtat të gjorë.

Kur bariste dal-nga-dale- posi dhëndër me kurorë.!…

E kur pranë vinte krilla, që shëndrij në kraharuar,

Me sy lart, me hap të matur – posi vashë e nusëruar.!…

Kroi i fshatit tonë

Kroi i fshatit tonë, ujë i kulluar,

Ç’na mburon nga mali dyke mërmëruar.

Venë mbushin ujë vashat an’e-mbanë

Cipëzën me hoja lidhur më-një-anë;

Cipëzën e bardhë, cipëzën e kuqe,

Gushën si zëmbaku, buzët si burbuqe.

E si mbushin ujë! bubu! ç’m’ju ka hije

Ndaj kthehen prapë me hap nusërije,

Ndezur yll’ i ballit si yll shëntërie.

                     II   

Kroi i fshatit tonë, – ngjyr’ ergjënd i lyer

Që nga rrëz’e malit ç’na mburon rrëmbyer.

Venë pijnë ujë trimat an’-e-mbanë,

Takijen me lule përmi sy më-nj’-anë.

Takijen e dlirë, takijen e nxirë,

Buzën më të qeshur…më të psherëtirë…

Mbrëmave kur uji mërmëron nga-dalë,

Vjen t’i thotë trimi vashës nj’a dy fjalë:

Vashëzën bujare që po vij në krua 

Seç e përshëndeta, seç’ m’u turpërua

Papo ula kryet e shkova si grua. 

                      III

Kroj i fshatit tonë, tetë sylynjarë,

Në tetë krahina qenke kroi i parë;

Qenke një në botë, s’paskërke të dytë

Ç’na shëroke plagët, ç’na shëroke sytë.

Kroi i fshatit tonë, n’atë mal me fletë,

Derdhet aq i egër, derdhet aq i qetë.

Posi malli i zemrës, mun në gjit të shkretë:

Derdhet aq i egër, derdhet aq i qetë,

Posi mall’ i vashës, që djeg më të fshehtë .

Posi mall’ i trimit, që buçet përpjetë,

Obobo! Si malli, që nuk vdes përjetë. 

Lundra dhe flamuri

Që larg po vi.., që larg.

Më turren valët varg-e-varg,
Un´ ik dh´ hepohem mund si harg…
      
    E sipër tyre shkas,
    Valoj me sulmë-e gas,
    I le tallazet pas:
      
    …Kur val´ e egër ze më tund,
    E s´mund të mpruhem asgjëkund
    Prej gjeratoreve pa fund, —
      
    Dënimi im s´më tremb aspak!
    Dënimi im nis e m´i lak
    Fingjijtë-e shpirtit varfanjak:
      
    E si më mbyt i tmershmi det.
    Pushon ah! zemra që buçet,
    Mbaron ah! zjarri që më tret.
      
    E s´duket gjë kur humb,
    Veç pluhurës si shkrumb
    Lart mi katart si thumb:
      
    Flamur i pastër që m´u nxi
    Në sulm të lumtur për liri,
    Qëndron gazmor në lartësi!…
      
    Tashi katarti-u çduk në det
    Tashi flamuri-u ngrit përpjet,
    Valon lirisht si shpirt i let.

                       ——–

Poezi nga autori i shkrimit kushtuar  Lasgush Poradecit:

Përskuqen retë…

Përskuqen retë

 në atë vetull mali,

përmbi Qafë-Thanë,

përzihen e shkasin në liqen.

Qiell e ujë ndaluan pranë,

brigjet humbën e mbrëmja vjen.

 Kotet në lundër peshkatari,

 harroi koran, rrjetë e lopatë,

rreth  zambakësh nosit me pendë ari,

 Shqiponjë e arratisur në Mal të Thatë.

Sodit  i vetëm  në vagëllim,

yjet e ndritur numëron,

mbi valë dhe efirin pa mbarim.

Malli djeg e shpirtin zgjon.

Në Shën Naum burimet gjen,

lanë sytë e ballin e menduar,

me ujët e Drinit të bekuar

dhe pyet yjet, për ç’ka po vjen.

Pa shuan etjen ndër sylynjarë

 e me luleshtrydhe, thellë në pyll.

Fton zanën me sytë e shkruar pranë, 

t’i rrëfejë, për liqer e yll.

________________________               

Pogradec,  1989      

Liqeni          

Sa më pëlqen të eci qetë

  n’ajrin e pastër, lehtë e lehtë

me hapa, si të Lasgushit,

kur edhe s’ka mërguar gushti.

Të eci bregut  dal ngadalë

atje, ku psherëtijnë valët

 e shtërgu  niset në udhën e largët.

Ku zambaku pushon, dremit mbi fletë

 e dridhet lehtë në ujin blu 

teksa arratiset, te rrjedhë e Drinit,

këputur nga vargonj kufiri

U iki hijeve të ftohta, 

për te rrezet e  ngrohta

ranishteve  e ujrave  rreth e rreth

e kthehet kënaqësi e thellë.

Mbi shkëmb me myshk e gurë 

kur llokoçitej uji nën drurë 

e sillej qark ndër shtylla.

 si në ëndërr sytë mbylla.

Afrohet valë – valë 

dhe më fton liqeni i dlirë,

kur retë  digjen  sipër në mal,

mbulohem  i tëri me kaltërsirë. 

Pogradec 2021

Filed Under: Kulture

Baza Amerikane në Shqipëri, dëshmi e mbështetjes Amerikane ndaj Kombit Shqiptar

January 7, 2022 by s p

Colonel (Ret) SF Dritan Demiraj, Ph.D.

Ish Komandant i Forcave Speciale 2007-2013.

Lajmi i publikuar dje nga Komanda e Operacioneve Speciale Amerikane (SOCEUR) në Komandën Supreme Amerikane në Europë për vendosjen e shtabit pararojë të forcave të operacioneve speciale (SOF) në Shqipëri është një lajm shumë i rëndësishëm për vendin tonë, i cili tregon edhe një herë për mbështetjen e madhe që ushtria Shqiptare vazhdon të marrë nga aleati jonë i vetëm strategjik SHBA-të. Në shtesë të këtij lajmi të shkëlqyer, do ta vlerësoja si shumë të rëndësishme vendimin e qeverisë për rritjen e buxhetit të ushtrisë me 30 % (ngelet për tu parë nëse do të bëhet realitet), rritjen e rrogave të personelit ushtarak pasi personeli ushtarak në Shqipëri ka patur shpërblimin financiar më të ulët dhe rritjen më të vogël të pagave gjatë 20 viteve të fundit, rritjen e buxhetit për modernizimin e ushtrisë dhe krijimin e kapaciteteve të qënësishme për luftën kibernetike (megjithëse ky investim kërkon shumë mjete, pajisje, fonde dhe vite për të arritur në kapacitetet e duhura). Ky vendim është një vendim historik, pasi jo vetëm që do të rrisë prestigjin e forcave tona speciale në aleancë, por do të rrisë ndjeshëm ndërveprueshmërinë midis forcave të operacioneve speciale në rajon, do të përmirësojë procedurat e vendimarrjes, planizimit dhe ekzekutimit të misioneve speciale, do të rrisë kapacitetet operacionale, të inteligjencës, do të rrisë më tej fuqinë për tju kundërpërgjigjur të gjithë ndikimeve ruse, aleatëve të tyre dhe ndikimeve të tjera antiperëndimore në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë. Në të njëjtën kohë, shpresoj që me këtë rast Ministri i Mbrojtjes z. Niko Peleshi një pjesë të buxhetit të ushtrisë ta kalojë për modernizimin e Forcave të Operacioneve Speciale Shqiptare (pasi tek plani vjetor nuk u përmendën investimet tek Forcat Speciale), në të cilat që nga viti 2013 dhe deri më sot nuk është bërë asnjë investim (përveç investimit të Mimi Kodhelit që hoqi nga puna gjithë efektivët më të mirë të njësisë, shkatërroi krejtësisht këtë njësi model të NATO-s dhe tërmetit në vitin 2019 që ka rrëzuar të gjitha godinat). Ky është një lajm shumë i mirë pasi konfirmon në vazhdimësi rëndësinë që SHBA-të i kushtojnë ushtrisë Shqiptare, por në të njëjtën kohë edhe mbështetjes së Kombit Shqiptar në përgjithësi, duke e kthyer vendin tonë në një qëndër ekspertize të sigurisë rajonale në drejtim të kapaciteteve SOF në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ky është pikërisht momenti më i mirë që në rolin e vëzhguesit në këtë komandë të ftohen edhe një grup oficerësh nga FSK-ja, qeverive të së cilës prej disa vitesh u kam bërë thirrje se duhet të fillojnë përgatitjen për krijimin e njësisë së Forcave të Operacioneve Speciale. Por si erdhëm deri këtu? Integrimi i plotë i Republikës së Shqipërisë në NATO, përmbushja e detyrimeve dhe angazhimeve që rrjedhin nga anëtarësimi, veçanërisht ato të Forcave të Armatosura, prezenca me kontingjente luftarake të forcave speciale në zona operacionesh në kuadër të komandave operacionale të NATO-s në Afganistan, Irak apo dislokime të mundshme të ardhshme të Task-Forcave Tokësore të Forcave të Operacioneve Speciale (SOLTG), reformimi i tyre drejt një force të armatosur tërësisht profesioniste, të gatshme dhe të përgatitur ushtarakisht për realizimin e misionit të tyre kushtetues, reduktimi i kontributeve sasiore dhe rritja e atyre cilësore në NATO, etj i vendosin Forcat Speciale Shqiptare në një rol të ri organizimi dhe angazhimi.Nëpërmjet një qasje konceptuale të forcave speciale, si forca më e suksesshme në kohën e luftës asimetrike, rolit të tyre në mjedisin e ri të sigurisë në kushtet kur rreziqet dhe kërcënimet nga ushtritë jo miqësore me NATO-n dhe SHBA-të, ISIS-it, al-Qaedës, Talebanët Afganë, Fronti al-Nusra, Boko Harami, al-Shababi, etj janë rritur ndjeshëm, forcimi i këtyre forcave synon të identifikojë kërkesat aktuale dhe të perspektivës të përdorimit të forcave speciale, të vendimmarrjes politiko-ushtarake në përballimin e sfidave aktuale të ardhshme në ambientin e ri të sigurisë. Duke analizuar aktorët dhe faktorët që ndikojnë në procesin e përdorimit të Forcave Speciale në tërësi, gjykoj se duhet sa më shpejtë të konturohet një plan i mirëfilltë investimi, një përqasje më e mirë konceptuale, strukturore dhe e vartësisë operacionale të Forcave të Operacioneve Speciale Shqiptare (ROS), e parë si pjesë e një mozaiku më të gjerë në mjedisin e ri strategjik të sigurisë dhe të mbrojtjes, të rreziqeve dhe kërcënimeve rajonale dhe globale, në mbështetje të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në realizimin e misionit të tyre kushtetues dhe përmbushjes së angazhimeve dhe detyrimeve si anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO).Shpresoj që ky angazhim/vlerësim i pari i këtij lloji në rajon dhe jo vetëm, të kontribojë në reformimin e strukturës së forcave speciale shqiptare, me rekomandime për një strukturë më operacionale dhe të ndërveprueshme me forcat speciale të NATO-s, mbi një arkitekturë të re, përmirësime konceptuale, strukturore, infrastrukturore, modernizimi, informative, inteligjence dhe analitike, e parë në shkallë më të gjerë e ndërthurur me komandat dhe forcat e tjera të ushtrisë, për një prioritarizim strategjik dhe kontribut kombëtar cilësor, të harmonizuar në sigurinë kombëtare dhe strukturat e forcave speciale të NATO-s. Nisur edhe nga ky vlerësim, gjykoj se roli i Komandës së Regjimentit të Operacioneve Speciale (ROS) duhet vlerësuar më shumë nga Presidenti, Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes, duke e parë për herë të parë këtë komandë si një element të rëndësishëm të Sigurisë Kombëtare, si një aset strategjik të Republikës së Shqipërisë në një shoqëri demokratike, si aseti më i suksesshëm në Luftën Kundër Terrorizmit (LKT), larg backgroundit politik dhe historik. Dua të theksoj se gjatë viteve 2007-2013, Komanda e Forcave Speciale Shqiptare bazuar në mbështetjen e jashtëzakonshme të SHBA-ve, në ekspertizën e grumbulluar në shkollat dhe kurset më të mira të NATO-s dhe SHBA-ve, së bashku me stërvitjet e përbashkëta të intensifikuara gjatë atyre viteve me njësitë më të mira speciale të SHBA-së, me eksperiencën e shkëlqyer të misioneve luftarake “Eagle 1-8”, me vlerësimet dhe rekomandimet e NSHQ, USSOCOM-it, SOCEUR-it, SOCOM-it dhe DoD-së për zhvillimin dhe strukturimin e tyre, me mbështetjen e madhe të qeverisë Shqiptare dhe të tre ministrave të mbrojtjes, arriti të krijonte një njësi model e cila deri në vitin 2013 ishte kryefjala e të gjitha takimeve, konferencave dhe vlerësimeve të administratës më të lartë të SHBA-ve, Pentagonit, ISAF-it dhe NATO-s. Në rast se Shqipëria dhe kryeministri Rama në të vërtetë e vlerësojnë këtë si një super lajm, me këtë rast do të dëshiroja t’u paraqes disa rekomandime, të cilat gjykoj se duhet të shërbejnë si “Way Ahead” mbi të cilat duhet të zhvillohen Forcat Operacionale Speciale Shqiptare:1. Përfundimi i përcaktimt të plotë dhe përfundimtar të rolit dhe vendit të forcave speciale Shqiptare në dokumentat e Strategjisë të Sigurisë Kombëtare. Këto forca, duke qenë një aset strategjik për shkak të veçorisë së përdorimit të taktikave dhe teknikave jo konvencionale, për arritjen e objektivave me rëndësi të madhe politike, ushtarake, strategjike duhet të kenë në të ardhmen një përcaktim të qartë në dokumentat e Strategjisë Kombëtare. 2. Rishikimi i infrastrukturës ligjore që rregullon funksionimin e tyre, ripërcaktimi i detajuar i misionit dhe detyrave që kryejnë këto forca brenda dhe jashtë vendit, në përputhje me definicionet e strategjisë që do të hartohet për forcat speciale. 3. Zhvillimi i forcave speciale duhet të jetë i orientuar drejt integrimit dhe arritjes së ndërveprueshmërisë së plotë me ato të forcave speciale të NATO-s. Parësore është vendimmarrja për krijimin e kapaciteteve të një Task Force për Operacionet Speciale (SOTG) brenda vitit 2022.4. Hartimi i një plani afatmesëm dhe afatgjatë të zhvillimit të forcave speciale, i ndarë në faza me qëllim krijimin dhe deklarimin në NATO të SOTG-së si plotësisht operacionale (FOC) deri në fund të vitit 2022.5. Rishikimi i strukturës së komandim-kontrollit dhe strukturës së tyre. Mbështetur në rekomandimet e NSHQ-së, SOCOM-it dhe eksperiencat e forcave speciale të vendeve aleate, rekomandoj si të detyrueshme që ato të jenë nën vartësinë e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe rekomandoj krijimin e një zyre për forcat speciale në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.6. Krijimi i një krahu mbështetës ajror në dispozicion të Regjimentit të Operacioneve Speciale (ROS). 7. Duhet realizuar sa më shpejtë shtrirja e sistemit BICES në garnizonin e Zall-Herr-it.8. Stërvitja e personelit të ROS-it në kurset e ofruara nga NSHQ në Monx. 9. Kompletimi i ROS-it me pajisje operacionale moderne të ndërveprueshme me NATO-n (veshmbathje multicam, armatim modern, pajisje shikimi nate, etj). 10. Rritja e menjëhershme e pagesës së vështirësisë së forcave speciale dhe komando, rifillimi i procesit të seleksionimit pasi kjo do t’i hapë rrugë rekrutimit cilësor të të rinjve që duan t’i bashkohen këtyre forcave. Sot shumica e efektivit është jashtë gjendjes së duhur fizike, taktike dhe motivimit që kërkohet në këto forca për shkak të shumë arsyeve. Padyshim që ky proces nëse fillon sot do të kërkojë të paktën 3-4 vite për tu përmbyllur. 11. Ndërtimi i menjëhershëm i ndërtesave të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019, përmirësimi i kushteve të jetesës, punës dhe stërvitjes, pasi që nga viti 2019 efektivi vazhdon të punojë dhe jetojë në çadra. 12. Ndërtimi i një shtëpie moderne taktike dy katëshe me shumë dhoma, ndërtimi i një godine moderne për izolim (ISOFAC) me të gjithë elementët e saj, pasi ky projekt e kërkon urgjentisht këtë ambient për planizimin dhe ekzekutimin e operacioneve speciale gjatë stërvitjeve të përbashkëta me njësitë e huaja speciale. Me këtë rast dëshiroj të falënderoj nga zemra të gjithë operatorët e forcave speciale Shqiptare “ROS” dhe të shprehja mirënjohjen më të thellë për familjen e Kapiten Feti Voglin, “Dëshmor i Atdheut”, Rreshter Ibrahim Bashës “Dëshmor i Atdheut” dhe Rreshter Marenglen Bramatit.Kushdo që është i interesuar për rolin, misionet, strukturën, stërvitjen, pajisjet, mësimet e nxjerra etj mund të gjeni një analizë të hollësishme për operacionet speciale nga muaji tetor 2001 në Afganistan, Irak, Afrikë, etj deri tek konflikti në Nagorno-Karabakh në datën 10 nëntor 2020 gjatë konfliktit Azerbaxhan-Armeni, mund ti lexoje tek libri:”Forcat Speciale dhe Lufta Asimetrike”, Tirane, 2021. Colonel (Ret) SF Dritan Demiraj, Ph.D.Ish Komandant i Forcave Speciale 2007-2013.

Filed Under: Opinion

“El Platini del proletariado”

January 7, 2022 by s p

Saimir Z. Kadiu/

Nje kafe pas shume vitesh me shokun tim te femijerise Sulejman Demollarin… ” El Platini del proletariado” siç do ta konsideronte nje reviste sportive spanjolle… Me fat qe e kemi ndjekur “live” yllin e shndritshem te futbollit shqiptar…Talenti i tij i jashtezakonshem, vizioni i lojes, teknika e rafinuar dhe shenimi i golave e bejne Demollarin lojtarin me te madh shqiptar te viteve 80-90’. Ndoshta mund te jete edhe me i madhi i te gjitha koherave. Por kjo e fundit eshte pak e veshtire te pranohet nga tifozeria kryeqytetase e Partizanit apo e Tirones…Po te ishte lojtar i Tirones… do te kishte monument ne qender te Tiranes…E kam ndjekur talentin e tij te dukshem qe kur ishim femije, kur luante me klasat sportive.Kemi qene me pas shoke ne gjimnazin “Qemal Stafa” ne Tirane. Kam patur fatin qe edhe kam luajtur si amator me Demollarin ne vitet e gjimnazit. Nje njeri model, shume i thjeshte dhe shume modest megjithese ishte nje yll futbolli qe ne moshen 15 vjecare.Vite me pare, ne Ministrine e Shendetesise kisha zyren perballe nje keshilltari te OBSH qe ishte rumun. Dr. Havriluk, nje personalitet ne Rumani, ishte njeri shume i gjalle dhe me shume interesa edhe jashte mjekesise. Bisedonim shpesh per letersine, kinemane rumune apo edhe per “karikaturat” e politikes rumune te kohes se Causheskut qe ai i tregonte me shume art…Me permendte emra rumunesh te medhenj me origjine shqiptare si Dora D’Istrian dhe familjen e saj shume te famshme Gjika, historianin e madh rumun Nikolla Jorga, aktorin e madh Jon Karamitru (qe u be minister I Kultures ne vitet 1996-2000) apo Viktor Eftimiun, dramaturgun e madh rumun, te lindur ne Boboshtice te Korces…por vinte veton kur e “ngacmoja” per origjinen e Emineskut.Kuptohet edhe futbolli kishte vendin e vet ne bisedat tona. Nje dite pasi ishte kthyer nga Rumania, gjate kafes se mengjesit me foli per Demollarin… Kishte pare nje ndeshje derbi midis Dinamo Bukuresht –Steaau ne prill 1993. “Eternul derbi” kishte perfunduar ne barazim… “Demollari po eklipson Dumitraken” ( lojtarin me te madh te historise se Dinamos se Bukureshtit) me thote. “Eshte nje fenomen, po te ishte pak me i ri patjeter do te ishte ne ligat me te mira evropiane.”Me solli edhe nje gazete rumune sportive ku ishte fotoja e Sules sone duke shenuar kunder Steaua ne tetor 1991 ne fitoren e Dinamos 1-0, si dhe parrullat e tifozerise se Dinamos: “Demollari omoara militarii” (“Demollari mbyti ushtaret”). Ate sezon (1991-1992) Demollari ishte shenuesi i dyte me i mire i Kampionatit rumun me 18 gola, pas shokut te tij te skuadres Gábor Gerstenmájer ( rumun me origjine etnike gjermane si ish portieri Helmuth Dukadam).“Nuk kam pare lojtar te tille mesfushor ne kampionatin rumun, shprehej dr. Havriluk… Eshte me i mire se Nikolae Dobrin, me i mire se Ilie Balaci… Vetem Hagi eshte me i madh se Demollari… por e dua shume Demollarin… ai eshte Viktor Eftimiu i futbollit rumun…”

Filed Under: Sport

Dega Qëndrore e Vatrës njoftim për Anëtarët e Degës

January 6, 2022 by s p

Dega Qëndrore e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA njofton të gjithë Anëtarët e Degës Qëndrore të regjistruar në Selinë e VATRËS për mbledhjen që do të zhvillohet më 8 Janar 2022 ditën e shtunë në orën 3 pm, për zgjedhjen e Delegatëve për në Kuvendin e Përgjithshëm Zgjedhor.Ftohen të gjithë anëtarët e Degës Qëndrore për pjesëmarrje aktive.

Kryetari i Vatrës

Elmi Berisha

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT