• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2022

“Bazat e Kanunores së Këshillës së Naltë” alias “Statuti i Lushnjes 1920” – Kushtetuta e I Shqiptare

January 4, 2022 by s p

Nga JURISTI* Kevin HAXHIU

Shteti Shqiptar pas shpalljes së Pavarësisë në 28 nëntor 1912 do të kishte vetëm në vitin 1914 ligj themeltar të shtetit pra një kushtetute e cila quhej “Statuti Organik”.Ky Statut për nga renditja e Kushtetutave shënon të I kushtetutë në historinë e shtetit Shqiptarë por kjo është vetëm për nga renditja pasi ky Statut u hartua dhe u vendos nga një organ ndërkombëtar i huaj pra nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit – (KNK).

Konferenca e Ambasadorëve në Londër 1913,Traktati i Fshehtë i Londrës – (TFL) 1915,Konferenca e Paqes në Paris 1918 si dhe vendet fqinje përbënin rrezik për pavarësinë dhe integritetin territorial të shtetit Shqiptar ndaj dhe u organizua Mbledhja Kombëtare e Lushnjes e njohur në histori si Kongresi i Lushnjes 21-31 Janar 1920.Në këtë kongres u morën vendime tepër jetike për shtetin shqiptar të cilat sanksiononin qartë sovranitetin e plotë të shtetit shqiptar.Pas vendimeve të Kongresit të Lushnjes Shqipëria ishte e lirë dhe jo më e rrezikuar për t’u copëtuar territori i saj nga fuqitë e mëdha.Shqipëria tashmë kishte institucionet e saj të ligjshme,demokratike,sovrane si dhe ligjin themeltar të shtetit kushtetutën e cila u emërtua “Bazat e Kanunores së Këshillës së Naltë” por që njihet ndryshe si “Statuti i Lushnjes-1920”.

Statuti ose kushtetuta e parë e shtetit Shqiptarë është “Bazat e Kanunores së Këshillës së Naltë” e njohur ndryshe si “Statuti i Lushnjes 1920”.Ky Statut përfaqëson kushtetutën e parë Shqiptare për faktin se ky ligj themeltar i shtetit u hartua dhe u miratua nga një Mbledhje Kombëtarë siç ishte Kongresi Kombëtarë i Lushnjes (21-31 Janar 1920) ku delegatët që merrnin pjësë në këtë mbledhje të rëndësishme për fatet e shtetit Shqiptarë ishin përfaqësues të zgjedhur nga populli shqiptarë në çdo Prefekturë të Shqipërisë.Statuti i Lushnjes ishte i përkohëshëm pasi Statuti përfundimtar do të miratohej nga Asambleja Kushtetuese.Statuti i Lushnjes qëndroi në fuqi rreth dy vite pasi më pas Këshilli Kombëtarë (Parlamenti) në dhjetor 1922 do ta zgjeronte këtë statut dhe statuti i ri do të emërtohej  “Statuti i Zgjeruar i Lushnjes”.

Statuti i Lushnjes kishte një përmbajtje të shkurtër vetëm me 6 nene si dhe ishte i përkohshëm por ai ka vend të veçant në historin e të drejtës kushtetuese në Shqipëri.

Në Nenin 1 të këtij Statuti sanksionohej detyrimi i Këshillës së Naltë që të jepte aprovimin për çdo vendim që paraqitej nga qeveria dhe të vërtetuar nga parlamenti.

Në Nenin 2 parashikohej një e drejtë për Këshillën e Naltë që në kohë krize qeveritare të zgjidhte një kryeministër për formimin e qeverisë së re dhe ky vendim do të hynte në fuqi pasi të pëlqehej nga parlamenti (senati).

Në Nenin 3 sanksionohej së në rast se të zgjedhurit e kryeministrit për të qënë ministra në qeveri nuk do të pranoheshin për trë hërë rradhazi nga Senati atëherë Këshilla e Naltë kishte për detyrë të mblidhte Mbledhjen e Kombit.

Në Nenin 4 sanksionohej se edhe në rast kundërshtimesh midis Këshillës së Naltë dhe Senatit kjo e para nuk kishte të drejtë që të shpërndante senatin.Si Këshillën e Naltë po ashtu edhe Senatin  i shpërndante vetëm Mbledhja e Kombit.

Në Nenin 5 parashikohej se në rast dorëheqje te një prej anëtarëve të Këshillës së Naltë atëherë tre anëtarët e tjerë vazhdonin detyrën por në rast se dorëheqjen e jepnin dy anëtarë atëherë Senati kishte të drejtë të zgjidhte dy anëtarë të tjerë.

Në Nenin 6 dhe të fundit të këtij Statuti sanksionohej forma qeverisëse e shtetit pra ndryshe nga Kushtetutat e tjera të cilat zakonisht formën qeverisëse e sanksionojnë në Nenet në fillim të tyre.Forma qeverisëse parashikonte se me ardhjen e mbretit në fron atëherë Këshilla e Naltë njihej pa ndonjë vendim si e rrëzuar.

Në një kohë shumë të shkurtër në vetëm pak vite shtet i pavarur (1912) Shqipëria nisi të përparonte përsa i përket hartimit të legjislacionit.Kushtetuta për Shqipërinë ishte një arritje madhore për faktin se Shqipëria kishte kaluar një pushtim shekullor osman si dhe pas shpalljes së pavarësisë në 1912 shqiptarët përsëri ishin përballur me rrezikun për copëtimin e territorit nga fuqitë e mëdha në favor të vendeve fqinje  por të gjitha këto plane grabitqare morën fund pas vendimeve të Kongresit Kombëtar të Lushnjes ku përfaqësuesit e zgjedhur prej shqiptarëve si delegat ja dolën të ngrinin themelet e institucioneve sovrane të shtetit shqiptar mbi ligje dhe rregulla.

Zhvillimi i legjislacionit në Shqipëri duket tepër qartë që në vitin 1920 ku shteti shqiptar do të kishte për herë të parë një kushtetutë të miratuar nga një Mbledhje Kombëtare.“Statuti i Lushnjes-1920” në vitin 1922 u zgjerua dhe statuti i ri u emërtua “Statuti i Zgjeruar i Lushnjes” por edhe ky i fundit ishte në fuqi përkohësisht pasi Statuti përfundimtar do të vendosej nga Kuvendi Kushtetues.Forma qeverisëse që sanksionohej në “Statutin e Lushnjes-1920” dhe “Statutin e Zgjeruar të Lushnjes-1922” ishte e njëjtë Monarki por që vendin e Mbretit përkohësisht e zinte Këshilli i Naltë.“Statuti i Lushnjes-1920” dhe “Statuti i Zgjeruar i Lushnjes-1922” përbëjnë arritje madhore si dhe përfaqësojnë themelet e historisë të së drejtës kushtetuese në Shqipëri.

*KEVIN HAXHIU I DIPLOMUAR NË DREJTËSI (BACHELOR) NË FAKULTETIN E DREJTËSISË-UNIVERSITETI I TIRANËS.TEMA E DIPLOMËS:-“STATUTI I LUSHNJES 1920 (KUSHTETUTA E PARË SHQIPTARE) DHE ZGJERIMI I TIJ NË VITIN 1922”.

Filed Under: Analiza

ROLI PARËSOR I KULTURËS SË NJË VENDI NË LIDERSHIP DHE PAK FJALË PËR RASTIN SHQIPTAR

January 3, 2022 by s p

IRIS HALILI

“Sjella dhe teoritë e lidershipit janë jofunksionale nëse nuk marrin parasysh kulturën (tiparet dhe cilësitë) e ndjekësve.” Geert Hoftede.

Përse shqiptaret asnjëherë nuk kanë mundur t’I imponohen lidershipit që kanë pasur në krye apo të jenë pjesë integrale në të? Përse në disa vende diktaturat lindin dhe mbijetojnë suksesshëm e në disa të tjera ato nuk e kanë jetën të gjatë? Përse pothuaj të gjitha ligjet e të drejtave të njeriut e kanë burim prej vendeve nordike të Europës? Përse shqiptarëve apo lidershipit shqiptar u parapëlqen më shumë buja dhe fama sesa shërbimi dhe modestia? Përse liderët shqiptarë i gjejmë më shumë në konflikt sesa në konsensus? Përse nuk kemi pasur asnjëherë lidership efektiv? Këto, apo dhjetëra e dhjetëra pyetje të përafërta i kemi bërë shpesh dhe po kaq shpesh nuk kemi mundur t’u japim zgjidhje deri në fund. Ka dhe mund të ketë shumë përgjigje por njëra duket se i përmbledh të gjitha: “Kultura e një vendi është dimensioni kryesor që përcakton llojin e lidershipit”, thënë ndryshe, lidershipi është shprehje e qartë e kulturës së një shoqërie apo vendi. Studiuesi më i shquar që arriti të analizojë lidhjen midis formave të lidershipit dhe kulturave përkatëse, është holandezi Geert Hofstede. Studimi i tij zgjati gati një dekadë dhe mori në shqyrtim rreth 52 kultura të ndryshme të prezantuara nga punonjës të kompanisë globale IBM. Në përfundim, ai evidentoi katër dimensione të ndryshme kulturore që ndikojnë direct në formën e çdo lidershipi. Ato janë:

1. Distanca me pushtetin

2. Individualizmi përkundrejt kolektivizimit

3. Maskiliteti kundër feminilitetit.

4. Shmangia e paqartësisë.

DISTANCA ME PUSHTETIN

Studimi i Hofstedes arriti në përfundimin se distance mes pushtetit dhe individit është e ndryshme në kultura dhe vende të ndryshëm. Sipas tij, në disa kultura individi e sheh veten shumë afër pushtetit, ndërsa në disa kultura të tjera, apo në vende të ndryshme, kjo distancë është shumë e madhe dhe individi e sheh veten jo vetëm aspak pranë pushtetit, por e sheh këtë të fundit si të paprekshëm, gati hyjnor ose krejt të paarritshëm. Sa më e lartë distanca me pushtetin aq më të pafuqishëm janë individët për të marrë pjesë në vendimmarrje, aq më e madhe hierarkia dhe, si përfundim, aq më të pakta shanset e një shoqërie demokratike dhe shumë më të larta shanset për lidership autoritar apo diktatorial. Në të kundërtën, në vendet me distancë të vogël me pushtetin, barazia apo mundësia për çdokënd është prioritet. Atje pushteti shihet si pjesë integrale e shoqërisë dhe individi është i lirë të ndërhyjë apo të përcaktojë ndryshimet. Britania apo Shtetet e Bashkuara janë shoqëri me një distancë të vogël me pushtetin. Nuk është rastësi që edhe modelet më të arrira të lidershipit na afrohen nga këto vende. Shqipëria i takon cultures ku distanca e individit me pushtetin është shumë e madhe dhe mjaft e dukshme. Këtu gjejmë edhe përgjigjen pse shoqëria shqiptare ndër shekuj ka qenë e nënshtruar nga çdokush që ka qenë në krye. Këtu e gjejmë edhe arsyen pse modeli amerikan i lidershipit është shumë i vështirë të aplikohet në vendet ku ka një hendek e largësi në mes të pushtetit e njerëzve të zakonshëm.

INDIVIDUALIZMI PËRKUNDREJT KOLEKTIVIZMIT

Ky është një tjetër dimension kulturor i teorisë së Hoftedes. Në shoqëritë kolektiviste grupi apo klani kanë peshë të madhe. Në këto kultura individi e gjen forcën dhe suksesin e tij kur i bashkon interesat me ato të klanit. Individët brenda grupit kujdesen për njëritjetrin dhe fuqizohen brenda tij. E kundërta ndodh në shoqëritë individualiste ku individët kanë pak lidhje mes tyre dhe veprimet e secilit shfaqen përtej grupit. Në këto shoqëri, individi është më shumë i orientuar ndaj vetes dhe rrethit të ngushtë familjar e nuk del përtej tij. Vendet me shkallën më të lartë të individualizmit janë sërish Shtetet e Bashkuara, por edhe Australia, Britania e Madhe, Holanda, Kanadaja dhe Italia. Ndërsa kulturat më të spikatura kolektiviste janë në vendet e Amerikës Latine, disa vende të Europës Lindore, të Lindjes së Mesme, të Azisë Konfuciane dhe të Azisë Lindore etj. Shqipëria i takon grupit të shoqërisë me culture kolektiviste ku klani bën fuqinë. Në këtë vend mendimi i lirë apo i pavarur është shkak përjashtimi, ndërsa përfaqësimi nëpërmjet mendimit të klanit të jep famë, sukses dhe privilegje. Edhe pas vdekjes suksesi apo mohimi, harresa apo glorifikimi do të të ndjekë vetëm nëse kujtimi yt do t’i shërbejë klanit që sundon për momentin. Këtu e gjen shpjegimin fakti që shumë mendje të hapura shqiptare nuk kanë mundur të kenë sukses në vendin e tyre, pikërisht se nuk janë bërë pjesë e klaneve dhe në kërkim të suksesit ata kanë emigruar jashtë vendit.

MASKILITETI PËRKUNDREJT FEMINILITETIT

Ky është një tjetër dimension kulturor që dallon shoqëritë. Një shoqëri quhet maskiline nëse është e orientuar te suksesi, pavarësia, karriera, këto apo dhe shumë vlera të tjera të njohura të seksit mashkull. Nga ana tjetër, nëse një shoqëri është e dominuar nga vlerat apo tiparet arketipa feminilë të tilla si: kujdesi, shërbimi, modestia, apo edhe tendenca për bashkëpunim, atëherë ajo quhet feminile. Në vendet me tipare maskiline, është mashkulli që merr përparësi në shoqëri dhe femra mbetet më shumë në misionin e saj klasik të kujdesit për fëmijët dhe familjen. Japonia është vendi me shifrën maksimale të dimensionit maskilin. Suedia, e pasuar nga të gjitha vendet nordike të Europës radhiten, me shifrat më të larta ndër shoqëritë feminile. Këtu gjejmë edhe përgjigjen përse të gjitha ligjet e të drejtave të njeriut e kanë burimin nga këto vende. Shtetet e Bashkuara apo Gjermania janë shoqëri maskiliste. Shqipëria është po gjithashtu një shoqëri maskiliste. Ky dimension kulturor i bën shqiptarët dhe liderët e tyre të shfaqin mungesë modestie të theksuar, kanë maninë e madhështisë, të bujës e rrëfimit të forces edhe kur nuk kanë asgjë për t’u mburrur.

Shmangia e paqartësisë


Ky është dimensioni i katërt kulturor, por mbetet edhe një ndër më të ndërlikuarit. Në shoqëritë që kanë shifër të lartë në këtë dimension, individët synojnë të kenë një jetë sa më të kontrolluar dhe sa më të parashikuar. Çdo fenomen ndryshe merret si i rrezikshëm dhe ndalohet me çdo kusht, ndryshimi në vetvete shihet si i frikshëm. Këto janë përgjithësisht shoqëri konservatore dhe aspak të hapura ndaj një opinioni të dytë. Kjo i bën liderët e kësaj kulture dhe të këtyre vendeve, që të kenë mungesë të theksuar përshtatjeje apo të mos pranojnë bashkëpunimin, konsensusin. Interesante është se individët e kësaj shoqërie kanë natyrë ekspresive dhe i shprehin hapur emocionet, inatet apo edhe reagojnë pa komplekse. Ata e shohin konfliktin si pjesë të jetës. Përpiqen për një jetë më të mirë brenda disa konvencioneve, pa tentuar ndryshimin. Kur shohin se nuk arrijnë të kontrollojnë plotësisht fatin e tyre, e vendosin atë “në dorë të Zotit”. Greqia mban shifrën rekord në këtë grup kulturor, ndërsa Shqipëria mbetet në kuota vërtet të larta. Pikërisht me anë të këtij dimensioni kulturor mund të shpjegojmë pse në Shqipëri konfliktet nuk
rreshtin kurrë apo marrëveshjet sot nënshkruhen si historike, nesër harrohen apo tradhtohen. Në luftë të
vazhdueshme me këdo, në konflikt të pandërprerë mes vetes dhe të tjerëve. Shqiptarët kanë qenë gjithmonë të paqartë në rrugën e tyre; edhe kur e kanë gjetur orientimin e duhur shumë shpejt kanë përhumbur në harresë. Konsensusi është parë si dobësi, marrëveshja si tradhti dhe bashkëpunimi si nënshtrim. E kundërta ndodh me shoqëritë që kanë tregues të ulët në këtë dimension kulturor. Në këto kultura dhe në këto vende, individët janë më të paqshëm dhe më të hapur. Për to bashkëpunimi dhe dialogu janë pjesë e pandarë e ekzistencës. Singapori mban rekordin për shkallën më të ulet të këtij dimensioni kulturor.


Konkluzione


Falë studimit të Hofstedes jemi në gjendje të kuptojmë pse lidershipi i një vendi është i ndryshëm nga ai i një vendi tjetër. Bindemi se asgjë nuk përbën forcë më të madhe në lidership, se kultura e vendit nga vjen. Në rastin shqiptar, sepse i takojmë një kulture me shkallë shumë të lartë distance me pushtetin, gjejmë përgjigjen pse kemi qenë gjithmonë të nënshtruar ndër shekuj dhe ndaj kujtdo që kemi pasur në krye.
Në faktin që jemi kulturë maskiliste, gjejmë edhe përgjigjen pse jemi udhëhequr dhe vazhdojmë të
udhëhiqemi nga liderë që drejtojnë mes arrogancës dhe forcës, më shumë për bujë dhe famë sesa për shërbim. Sepse jemi shoqëri e modelit kulturor kolektivist ndaj dhe çdo mendje e pavarur nuk ka mundur të mbijetojë jashtë klanit. Kur vepron brenda klanit, je në fuqi dhe ke sukses, kur je jashtë klanit në dështim apo emigrim! Sepse është një shoqëri që i shmanget paqartësisë dhe gjithmonë e ka pranuar me vështirësi ndryshimin, por edhe kur e ka pranuar, e ka tradhtuar atë në mes të rrugës. E shkuara është pranuar si nostalgji, e ardhmja si e frikshme, as andej as këndej, gjithmonë në një tranzicion që nuk rresht kurrë. E gjithë historia e lidershipit shqiptar është pasqyrë e qartë e kulturës së këtij vendi ku fatkeqësisht janë pleksur në një formulë të paekuilibruar të katër dimensionet kulturore më të pafavorshme dhe që fatkeqesisht të çojnë te lidershipi i pasuksesshëm!

Filed Under: Politike

Kalendari i (de)komunistizimit gjatë vitit 2021

January 3, 2022 by s p

Dr. Jonila Godole/

Të dashur miq, le t’i hedhim një sy në këtë fundvit ngjarjeve më të rëndësishme në fushën e kujtesës dhe mënyrën se si shoqëria dhe politika shqiptare (nuk) i trajtoi ato. Mund të shtoni natyrisht edhe data apo ngjarje të tjera që ju kanë bërë përshtypje, këtu kam shënuar ato momente kyçe që mua më kanë bërë përshtypje. 20 Shkurt 2021Në 30-vjetorin e rrëzimit të statujës së diktatorit Hoxha nuk pati asnjë ceremoni zyrtare shtetërore në përkujtim të kësaj dite që shënoi thyerjen e frikës dhe goditjen përfundimtare të regjimit. Të vetmet aktivitete u zhvilluan në kuadër të Memory Days organizuar nga IDMC dhe KAS. Ende nuk dihet nga publiku i gjerë se data 20 shkurt është caktuar si Dita e Përkujtimit të Viktimave të Regjimit Komunist në Shqipëri, dhe është flagrante që nuk pati asnjë ceremoni për të nderuar mijëra të vrarë, të burgosur dhe të internuar.11 Mars 2021Kandidatja për deputete në Tiranë, Luljeta Bozo, deklaroi në RTSH24, emisionin televiziv “Dekalog” të gazetarit @Roland Qafoku se “koha e Enverit” kishte pasur më shumë të mira se të këqija. Platforma Europiane e Kujtesës përmes një deklarate i kërkoi lidershipit të PS të distancohet nga deklarata dhe ta rivlerësojë kandidimin e saj në kryeqytet. Por asgjë nga këto nuk ndodhi; kryeministri e mori në mbrojtje kandidaten duke i akuzuar të përndjekurit politikë që reaguan, si dhe institucionet shqiptare dhe ato ndërkombëtare si “baltaxhinj”. 30 Prill 2021U dëmtua me grafiti memoriali ne hyrje te Bllokut ne Tirane, i quajtur „Postblloku“ qëi simbolizon terrorin e regjimit komunist dhe eshte vendosur ne kopshtin e viles ku ka jetuar dikur Mehmet Shehu, vepër e publicistit Fatos Lubonja dhe artistit Ardian Isufi (2013). Pas denoncimit të bërë në media dhe rrjetet sociale, dhe sidomos pas angazhimit të institucioneve ndërkombëtare në rrugë formale dhe joformale, Memoriali u rehabilitua nga Bashkia e Tiranës, në heshtje dhe jashtë vëmendjes mediale.Maj 2021Shqipëria u prezantua në Biennalen e Venecias me konceptin e fqinjësisë së mirë gjatë komunizmit përkundër të huajtjes dhe ftohtësisë gjatë ditëve të sotme duke e ilustruar këtë me skena të filmit “Në shtëpinë tonë”, prodhim i Kinostudios i vitit 1979 dhe filma të tjerë. Ministria e Kulturës që e mbështet këtë projekt nuk bëri asnjë deklaratë për kritikat që erdhën nga shoqëria civile për mungesën e reflektimit kritik mbi kontekstin dhe referencat e asaj kohe. Për analogji, do të ishte e paimagjinueshme që të ashtuquajturit “filma kulturorë” (Kulturfilm) të propagandës naziste gjatë viteve 1930, si “Der Kampf um den Himalaya” (Beteja për Himalajën), “Der Berg des Schicksals” (Mali i fatit), “Olympia” etj, të përdoreshin sot si referencë e besueshme për të treguar epërsinë fizike të gjermanëve!!24 Korrik 2021Pa asnjë debat publik dhe diskutime me grupet e interesit, qeveria del se ka ngarkuar arkitektë britanikë të kthejnë vilën e ish diktatorit Hoxha në një „qendër kulturore dhe një vend për imagjinatë dhe debat“. Vila përdoret edhe sot e kësaj dite për pritje të zyrtarëve të huaj dhe për aktivitete promovuese qeveritare. Rast flagrant ishte festimi i 30-vjetorit të UNDP në Shqipëri, në një ceremoni madhështore, ku nuk u përmend asnjë herë të vetme se në cilin truall po festohej dhe me cilën histori lidhet shtëpia. Nga ana tjetër, edhe Piramida, e ndërtuar si një lloj mazoleumi i diktatorit pas vdekjes së tij, u vendos të kthehet në një qendër për teknologjinë e informacionit, pa debat publik dhe përfshirje ne diskutime të grupeve të interesit. https://exit.al/…/enver-hoxha-villa-to-be-turned-into…/30 Gusht 2021Kryeministri Rama deklaroi se ndihej krenar për vëmendjen që qeveria e tij u ka kushtuar ish të përndjekurve të diktaturës duke i dëmshpërblyer plotësisht ata që vuajtën në burgje. Këtu bëhej fjalë për një informacion të pavërtetë: Qeveria Rama 1 dhe 2 vendosën të japin shpërblime vetëm për ish-të burgosurit politikë që jetojnë bazuar në listat që gjetën nga qeveria e mëparshme më 2013, por përjashtuan kategoritë e tjera si të internuarit, etj. Dy muaj më vonë, ish-kreu i KLSH, Bujar Leskaj, do të deklaronte në fjalën e tij në parlament, se detyrimi ndaj të përndjekurve politikë është shlyer në masën 40%, ndërkohë që ngelen ende 60% për t’u shlyer (31 miliardë lekë) që me ritmin e tanishëm do të thoshte 31 vjet të tjera.21 Tetor 2021Aranit Çela, një nga prokurorët më famëkeq të regjimit komunist, i përfshirë personalisht në mbi 650 gjyqe politike, u nda nga jeta në moshën 98-vjeçare në shtëpi dhe jo në burg, ku do duhej të kishte qendruar pas dënimit të tij të parë. Çela qe dënuar me vdekje për “krime kundër njerëzimit”, por më 24 korrik 1996 dënimi i tij dhe i dy personave të tjerë (drejtori i fundit i Sigurimit, Zylyftar Ramizi dhe ish-prokurori i përgjithshëm Rrapi Mino) u anullua dhe u kthye në 25 vjet burg. Pas kthimit të socialistëve në pushtet më 1997, gjykatat rishqyrtuan pretendimet paraprake për krime kundër njerëzimit dhe Gjykata e Apelit vendosi më 20 tetor 1997 të heqë akuzat kundër Ramiz Alia dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë pasi ata “nuk mund të dënoheshin për veprime që nuk ishin të paligjshme në kohën kur u kryen”. Ndërkohë të gjithë kishin dalë nga burgu gjatë trazirave të vitit 1997, ca qenë fshehur brenda apo jashtë vendit.18 Nëntor 2021Në vilën e diktatorit Hoxha promovohet libri “Të lirë” i Lea Ypit me iniciativë të qeverisë dhe në prani të trupit diplomatik. Ndërsa tre javë më vonë, 9 Dhjetor 2021, dokumentari „Diktatori“ i gazetarit dhe autorit Blendi Fevziu shfaqet në Kinema për përfaqësuesit e trupit diplomatik, me ftesë të Ministrisë së Jashtme. Në këto raste del dukshëm në pah një politikë e kahershme e restaurimit estetik të socializmit që po ndiqet nga qeveria socialiste. Synimi është së pari, promovimi i veprave që qeveria mendon se duhet të përcaktojnë narrativën e re si duhet të mendojmë për diktaturën: si një fatkeqësi që na ra, por që pllakosi edhe gjetiu, dhe që sidoqoftë nuk ishte aq kriminale, për sa kohë njerëzit ishin „të lirë“ të jetonin dhe ndiqnin ëndërrat e tyre (fabula e përmbledhur e librit „Të lirë“). Këtu nuk ka si mos të të bjerë në sy që veprat e intelektualëve dhe shkrimtarëve të njohur si Fatos Lubonja „Jetë burgu“ apo Agron Tufa „Ngjizja e papërlyeme“, botuar në të njëjtën kohë, por me qasje krejt të ndryshme ndaj diktaturës sesa libri i prezantuar më sipër, nuk morën asnjë jehonë në media. Dhe së dyti, angazhimi maksimal i qeverisë për t’u treguar ndërkombëtarëve një PS moderne, e cila nuk është trashëgimtare e PPSH dhe krimeve të diktaturës. Kjo strategji ka edhe një arsye tjetër, më afatgjatë, pasi synon indirekt t’i „vjedhë“ kauzën e të përndjekurve politikë PD-së, e cila siç u shpreh kryeministri Rama më 30 gusht 2021, „do duhej të kishte qenë kali i betejës së PD për një shtet më demokratik, dhe që nuk ia doli“ dhe që ai dhe PS po ia dilte ta përmbushte edhe këtë boshllëk. Natyrisht dënimi i krimeve të komunizmit u përket të gjitha partive politike ta bëjnë, dhe pikërisht këtë PS nuk e ka bërë asnjëherë seriozisht deri më sot.28 Nëntor 2021Deputeti socialist Bujar Çela uron festën kombëtare duke evokuar figurën e diktatorit Hoxha dhe nuk tërhiqet nga kjo deklaratë as në ditët në vijim megjithë presionin e opinionit publik. Sipas tij, E.H. “ka kontribute, nuk është nul”. Partia Demokratike reagon kundrejt kësaj deklarate duke premtuar së shpejti propozime konkrete për ligjin e dekomunistizimit dhe dënimit të simboleve komuniste.29 Nëntor 2021Teatri Kombëtar njofton leximin skenik të veprës „Prefekti“ shkruar nga Besim Levonja, ku denigrohet dhe shtrembërohet figura e Qazim Mulletit, kryetar i bashkisë së Tiranës në vitin 1939-1940 dhe prefekt në vitet 1942-1944. Kjo ngjarje provokoi debat të madh në opinionin publik se si duhen trajtuar figurat historike nga këndvështrimi i të dhënave të reja që disponojmë këto 30 vjet për ta. Familja Mulleti u shpreh se do ta ndjekë çështjen ligjërisht, në mënyrë që të ndalojë shfaqjen apo leximin publik të kësaj vepre sa kohë prishet imazhi dhe denigrohet emri dhe kujtimi i të afërmit të tyre.13-15 Dhjetor 2021OSBE organizoi konferencën ndërkombëtare me titull: „Zhdukjet me forcë dhe në mënyrë të pavullnetshme në kohën e diktaturës dhe të kaluarës autoritare…“, ku morën pjesë studiues të njohur të drejtësisë tranzitore brenda dhe jashtë vendit, historianë e familjarë të familjeve të prekura. Tema e konferencës hapi debat mes disa studiuesve vendas në aspektin terminologjik, nëse termi „të zhdukurit“ mund të përdorej për të pushkatuarit me apo pa gjyq gjatë diktaturës, eshtrat e të cilave nuk gjenden, por krimi ndaj tyre është i njohur publikisht. Diskutime hapi edhe çështja e numrit të personave që janë ende pa varr, prej shumë vitesh qarkullon shifra 6,000 persona, por sipas studiuesve kjo shifër nuk është e saktë. Nga ana tjetër, gjatë konferencës u kritikuan iniciativa parimisht pozitive si ajo e ICMP, por që në fund dështoi duke mos dhënë rezultat, dhe duke e përdorur shumën e akorduar për identifikimin e ADN-së së eshtrave, tekefundit për projekte ndërgjegjësuese akorduar shoqatave dhe individëve. Vetë ICMP dhe institucionet shqiptare partnere ia kanë hedhur fajin e dështimit mungesës së vullnetit të prokurorisë për të dhënë leje për zhvarrimet. Deri më tani opinioni publik nuk është njohur me asnjë listë të familjarëve që kërkojnë eshtrat, me asnjë listë totale të atyre që rezultojnë të pagjetur, si dhe me asnjë listë të plotë të vendvarrimeve pranë ish-burgjeve dhe kampeve të punës gjatë diktaturës. Ndërkohë, gjatë vitit që lamë pas u ndanë nga jeta shumë të burgosur politikë, si Uran Kostreci, Sherif Merdani, Qani Beqo Sadiku, etj, vepra e të cilëve meritonte nderim të veçantë në këto 30 vjet. I paharruar qoftë kujtimi i tyre!!

Filed Under: Opinion

Nostalgjia feminore!

January 3, 2022 by s p

Alma N. Lico/

Nostalgjia feminore eshte nje rrugëtim qe ndalet dhe rikthehet ne menyre spontane, sa here e ftoj!… Pertej përkufizimit te bere nga psikologet, e perceptoj fare thjeshte ate!Nostalgji…per cdo kujtim me përjetime te bukura qe mallëngjejnë, qe rikthejne situata, mbresa te pashlyeshme, shoqëruar nga persona te dashur. Nostalgji…per perrallat e treguara nga gjyshja me fantazi, nderkohe qe me perkedhelte e me bënte te ndjehesha heroina e saj.Nostalgji…edhe per gershetat qe thurja me flokët e gjyshes, teksa ajo i lëshonte enkas qe te zbavitesha me to.Nostalgji…per gështenjat qe se bashku nxirrnim nga prushi i mangallit te bakërt. Cveshja e lëvoreve te tyre me vinte ne gare me vëllane. Sa lumturohej kur fitonte! Nostalgji…edhe per vrapin e shpenguar ne rrugicën me kalldrëm dhe kafshatat e bukës qe ndaja me fëmijët e tjerë. Sa hareshem ndiqnim fluturimin e balonave prej gazete te bera me duart tona.Nostalgji…per shëtitjen me karroce te motrës se vogël, sytë e kaltër dhe te ëmbël te se cilës pasqyronin mrekullinë e qiellit.Nostalgji…edhe per detin ndërsa im ate përpiqej te me mësonte notin. Frika dhe kënaqësia ndërthureshin ne nje ekzaltim dhe triumf feminor…dhe lot qe bënin bashke te qeshurën dhe te qarën. Madje as qe i kuptoja. Nostalgji…per ndonjë zenke ne klase, si dhe pajtimin e përqafimin qe vinte me pas.Nostalgji…edhe per ndonjë gënjeshtër te vogël, te pafajshme, artikuluar me ze te dredhur. Eh…lipsej “sakrifice” per te dale nga ndonjë situate e papëlqyer. Faqet e skuqura tradhetonin. Nostalgji…per këshillat e prindërve, shpesh here te perserituara, qe aso kohe kokfortesisht i ndjeja te tepruara…sot i konsideroj thesar qe me shtruan rrugën e pashkelur te jetës. E shume, shume te tjera…sa nostalgji…

Filed Under: ESSE

Shqipëria nis mandatin e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB

January 3, 2022 by s p

PANORAMA/


Shqipëria nis mandatin dyvjeꞔar në Këshillin e Sigurimit të OKB. Në vëmendje të saj do të jetë konsolidimi i paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor si dhe procesi o njohjeve të Kosovës. Nga janari 2022 deri në fund të 2023, Shqipëria së bashku me Brazilin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gabunin dhe Ganën janë anëtare jo të përhershme në organin më të fuqishëm të OKB-së, në Këshillin e Sigurimit. Shqipëria synon që gjatë mandatit të saj 2-vjeꞔar të punojë për stabilitetin dhe paqen në rajon, për të konsoliduar arritjet e dekadës së fundit dhe mos e lënë atë të rrëshqasë drejt destabilizimit dhe tensioneve. Progresi në procesin e njohjeve të Kosovës dhe anëtarësimeve të saj në organizata ndërkombëtare do të jetë një tjetër prioritet i mandatit të Shqipërisë si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Këshillit i Sigurimit të OKB-së përbëhet nga 15 anëtarë, prej të cilëve SHBA, Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Kina janë pesë anëtaret e përhershme me të drejtë vetoje, ndërsa 10 vendet e tjera janë anëtare të përkohshme me mandate dyvjeꞔare. (Marrë me shkurtime nga gazeta Panorama)

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT