

Në këtë ditë përkujtimi e nderimi të gazetarit Bedri Sadiku edhe me çmimin “Naim Frashëri” nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e kujtojmë edhe për vlerësimet e mirënjohjet më të larta për punën e tij të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja.
Bedriu për Rilindjen punoi në Prishtinë, në Tiranë, në Shkup, në Gjilan…, duke qenë reporter edhe nga ngjarje historike në trojet etnike shqiptare.
Ishim me fat historik që bashkë me Bedriun hymë në Kosovë nga Maqedonia me kolonën e tankeve të para të forcës më të madhe ushtarake planetare NATO-s në Ditën e Lirisë – 12 Qershor 1999.
Raportimi dhe fotografitë e Bedriut për gazetën Rilindja që doli botim special për ditën e parë të hyrjes së NATO-s në Kosovë do mund të bëheshin edhe libër…Shkrimet-raportimet e Bedriut janë histori edhe për shumë ngjarje të tjera në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Luginë të Preshevës, përfshirë luftërat e shqiptarëve për të drejta, liri e pavarësi…
Është i paharrueshëm edhe udhëtimi im i parë bashkë me Bedriun në Shqipëri më 1 e 2 Maj 1992. Në Shqipëri shkuam pa pasaportë duke kaluar kufirin e hapur për dy ditë në Dibër-Peshkopi…
Behlul Jashari
Kryeredaktor i gazetës Rilindja nga fillimet e vitit 2002 deri në numrin e fundit








