• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2022

Glauk Konjufca: Ballkani Perëndimor duhet të pranohet sa më parë në BE dhe në NATO

March 4, 2022 by s p

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga nënkryetarja Saranda Bogujevci, diplomati Prindon Sadriu dhe këshilltarët e Kabinetit, priti sot në takim një delegacion parlamentar të Maqedonisë së Veriut të kryesuar nga kryeparlamentari Talat Xhaferi. Në takimin e përzemërt dhe përmbajtjesor me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut u diskutuan një mori çështjesh me interes të përbashkët, përfshirë edhe zhvillimet aktuale në rajon e më gjerë, si dhe mënyrat e forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit mes të dyja vendeve në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Kryetari Konjufca u shpreh i nderuar të pres në takim kryeparlamentarin Talat Xhaferi, duke e falënderuar për kontributin e tij të veçantë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut që, siç tha, mund të konsiderohen më shumë se marrëdhënie miqësie e partneriteti.
“Besoj se në Kosovë ndjeheni si në shtëpinë tuaj dhe jeni kurdoherë i mirëseardhur”, tha ai. Kreu i Kuvendit njëherë vlerësoi rolin pozitiv të Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe në rrugën e integrimit evropian, duke shprehur besimin se kjo mbështetje e fqinjit tonë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.“Jemi në një rrugëtim të përbashkët. I gjithë Ballkani Perëndimor duhet të pranohet sa më parë në BE dhe në NATO për të mos lënë hapësira destabilizimi në rajonin tonë”, ka thënë kryetari Konjufca.Të dy homologët ndanë pikëpamje të përbashkëta lidhur me nevojën e thellimit të bashkëpunimit bilateral dhe avancimit të mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy parlamenteve në funksion të realizimit të agjendave të përbashkëta integruese. Në konferencën për media pas takimit, kryetari Glauk Konjufca tha se relacionet e mira midis dy vendeve diktohen prej vet natyrës së lidhjes që e kanë të dy popujt me njëri-tjetrin dhe bashkëpunimit shumë të mirë që institucionet e të dyjave vendeve kanë midis tyre.Duke veçuar këtu rolin e parlamenteve, Konjufca përmendi miratimin në të njëjtën kohë nga Kuvendi i Kosovës dhe ai i Maqedonisë së Veriut të rezolutës, përkatësisht deklaratës, kundër agresionit rus në Ukrainë, e cila, siç tha ai, po sulmohet padrejtësisht nga Federata ruse, duke shkaktuar shumë humbje të jetëve të civilëve të pafajshëm, duke mos kursyer as fëmijët.
“Ne jemi shumë të gëzuar që në të njëjtën kornizë po veprojmë së bashku me Maqedoninë e Veriut për të qenë plotësisht të përcaktuar për sanksionet për të cilat BE-ja, NATO-ja dhe shtetet më të fuqishme demokratike, në krye me diplomacinë më të fuqishme të botës, SHBA-në, po i vendosin Federatës ruse. Pra, edhe Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut janë në të njëjtën linjë të përcaktimit properëndimor, prodemokratik dhe protransantlantik”, tha kryetari Konjufca.
Kreu i Kuvendit shtoi se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO edhe njëherë po e sjell në vëmendje rëndësinë e vet, sidomos pas situatës së krijuar në Ukrainë.
“Të gjithë ata skeptikë që kishin dilema për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, si dhe të Malit të Zi e të Shqipërisë më herët, sot e kuptojnë se sa i rëndësishëm ishte ky anëtarësim dhe e kuptojnë po ashtu se edhe Kosova duhet sa më shpejt të bashkohet me këtë familje të ombrellës transantlantike të sigurisë, aty ku përfundimisht e ka vendin”, tha Konjufca.
Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, Konjufca tha se nuk duhet përjashtuar kurrë mundësia e agresionit serb mbi Kosovën, duke shtuar se raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë më të këqija se ato mes Rusisë e Ukrainës.
“Federata Ruse e ka njohur Ukrainën, ishte pajtuar me shtetësinë e saj dhe prapë e ka sulmuar. Serbia as nuk e njeh Kosovën. Nga ky kuptim unë mendoj se duhet të kemi kujdes të shtuar me Serbinë. Forcat e Sigurisë së Kosovës duhet ta shtojnë nivelin e të drejtës së tyre për llojin e armatimit. Kosova duhet padyshim ta ketë edhe nivelin artilerik të ushtrisë së vet dhe natyrisht që të gjitha këto ne do t’i bëjmë në bashkëpunim me NATO-n”, theksoi kryetari Konjufca.
Ndërkaq, lidhur me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se sipas mënyrës që ato janë mbajtur deri tash, pra ilegale dhe në shpërputhje me praktikat ndërkombëtare, nuk i kontribuojnë stabilitetit të Kosovës. Rrjedhimisht, ai tha, sikurse referendumi Serbisë i cili nuk u lejua të mbahej, edhe zgjedhjet e kanë të njëjtin kuptim dhe ashtu duhet të trajtohen.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, nga ana e tij, tha se ne jemi më shumë se fqinj dhe se të dy vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme bilaterale, që karakterizohen me respekt të ndërsjellë, dialog të hapur dhe konstruktiv.
Ai tha se kjo vizitë është provë konkrete për këtë konstatim, siç ishte edhe mbajtja e mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe asaj të Kosovës, në shtator të vitit të kaluar.
Kryetari Xhaferi e konsideroi tejet të rëndësishme pjesëmarrjen e Kuvendit të Kosovës në një varg institucionesh dhe mekanizmash ndërkombëtarë parlamentarë, në të cilat shtrihet edhe bashkëpunimi midis dy parlamenteve.
Po ashtu ai tha se Maqedonia e Veriut, si anëtarëve e plotfuqishme e NATO-s, mbështet aspiratat euro-atlantike të Kosovës, duke qenë në dispozicion të ndajë njohuritë dhe përvojat e fituara nga rrugëtimi euroatlantik i saj.
“Ne si Maqedoni kemi qëndrim afirmativ sa i përket anëtarësimit të Kosovës në të gjitha nismat dhe forumet multilaterale dhe rajonale dhe do të vazhdojmë edhe më tej mbështetjen e anëtarësimit të saj në të gjitha organizatat dhe nismat ndërkombëtare, në të cilat jemi anëtar me fuqi votuese”, theksoi Xhaferi.
Duke folur në lidhje me dialogun ndemjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, Xhaferi tha se Maqedonia i jep mbështetje të plotë këtij dialogut, i cili duhet të ketë në qendër njohjen reciproke.
Sa i përket agresionit rus mbi Ukrainën, Xhaferi përsëriti qëndrimin se Republika e Maqedonisë e dënon në mënyrën më të ashpër dhe pa rezerva këtë akt të paarsyeshëm, të pandërgjegjshëm dhe të paprovokuar, cili tanimë mori shumë jetë njerëzore dhe i cili, sipas tij, paraqet shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe njëherësh kanosjen më të madhe ndaj sigurisë euro atlantike.
Kryeparlamentari Talat Xhaferi po qëndron për vizitë zyrtare dyditore në Kosovë me ftesë të kryetarit Glauk Konjufca dhe gjatë ditës do ta takojë edhe kryeministrin Albin Kurti. ​

Filed Under: Analiza

GRUAJA, KJO KRIJESЁ MITOLOGJIKE …

March 4, 2022 by s p

Vështrim dhe interpretim psikoanalitik

Dr. Iris Halili

Vetёm tre lloje burrash kanё dёshtuar sё kuptuari gratё: tё rinjtё, pleqtё e mesoburrat. 

Proverb irlandez 

Mitet greke i takojnë periudhës kur partriarkati, si organizim shoqёror, ishte në kulmin e zhvillimit tё tij. Por, a janë në gjendje kёto mite tё na tregojnё nёse para patriarkatit ka ekzistuar matriarkati? Me gjithë ndyshimet e mundshme që mund t’u ketë bërë koha, a janë ato dëshmi e gjallë e ekzistencës së matriarkatit?

Për të arritur në pёrfundime të drejta do të mbështetemi në analizën që bën Jakob Bachofen për matriarkatin. Ai ka parashtruar hipotezën se në fillim të historisë njerёzore marrëdhëniet seksuale nuk u nështroheshin asnjë lloj norme. Vetёm prejardhja nga vija e nёnёs nuk vihej nё diskutim sepse ajo dhe vetёm ajo ishte autoritarja dhe ligjvënësja. Ishte gruaja ajo që qeveriste, si bërthamën familjare, ashtu edhe atë shoqërore. Duke analizuar dokumente fetare të antikitetit grek dhe romak, Bachofen arrin në përfundimin se epërsia e gruas kishte gjetur shprehjen e vet jo vetëm në sferën e organizimit shoqëror dhe familjar, por dhe nё atë fetar. Ai zbuloi prova që tregonin se kulti i Perandorisë së Olimpit ishte paraprirë nga një fe, ku hyjnitë më të lartё qenë Perëndesha, figura që përfaqësonin nënën dhe ato arrinin të bëheshin sundueset e hierarkisë shoqërore. Sistemi patriarkal që u vendos në këtë mënyrë, karakterizohej nga monogamia (të paktën përsa u takon grave), nga autoriteti i babait dhe roli mbizotërues i burrave në një shoqëri të organizuar mbi bazën e hierarkisë. Feja e këtij qytetërimi patriarkal i përgjigjet atij shoqëror. Në vend të perëndeshave nëna, perёnditë meshkuj u bënë zotëruesit e epërm të njeriut, sikundёr babai ishte zoti dhe sunduesi mё i lartë i familjes. 

Bachofen tregoi se ndryshimet midis rendit patriarkal dhe atij matriarkal shkonin më larg se epërsia e thjeshtë shoqërore e burrave ndaj grave, duke sjellë edhe një ndryshueshmëri të parimeve moralo-shoqërore. Qytetërimi matriarkal karakterizohet nga respekti për ligjet e vёna nga njerёzit, nga mbizotërimi i arsyes dhe përpjekjet e njeriut për të ndryshuar dukuritë natyrore. Përsa u takon këtyre parimeve, qytetёrimi patriarkal përbën një përparim të qartë në krahasim me botën matriarkale. Megjithatë, në disa aspekte të tjera, parimet matriarkale qenë më të larta se ato patriarkale, të cilat dolën fituese. Sipas konceptit matriarkal, të gjithë njerёzit janë të barabartë, tё gjithё janë bij nënash dhe bij tё Tokës Mëmë.

Sistemi patriarkal e konsideron bindjen e autoritetit si virtytin kryesor. Në vend të parimit të barazisë gjejmë konceptin e birit të preferuar dhe tё një rendi hierarkik në shoqëri. Zbulimi i Bachofen-it do të vërtetohej edhe nga antropologu amerikan Lewis Henry Morgan. Teoria e tij për sistemin e vlerave në shoqëritë matriarkale është shumë e ngjashme me teoritë e Bachofen-it. Morgan parashikoi hipotezёn se forma më e lartë e qytetërimit do të jetë një përsëritje, por në një nivel më të lartë të parimeve të lirisë, të barazisë, të vëllazërimit, që karakterizonin gensin e lashtë. Si teoria e Bachofen-it, ashtu edhe ajo e Morgan-it, u vunë në diskutim nga pjesa më e madhe e antropologëve. Nga ana e tij, Erich Fromm shkruan se s’ka dyshim që shumë kundёrshti pёr teorinë matriarkale janë të përligjura. Megjithatë, teza kryesore e Bachofen-it, sipas të cilës, nën fenë e re patriarkale të Greqisë ekziston një shtresë më e lashtë e fesë matriarkale, më duket mёse e provuar.  

Vetëm pas këtij vizioni që na ofron teoria e Bachofen-it e kemi të lehtë të fillojmë studimin. Do të përpiqemi të gjejmë gjurmë të matriarkatit në mitet greke duke u ndalur posaçërisht në figurën e gruas qё zë një vend të konsiderueshëm në këto mite. Ka shumë të ngjarë që shumë nga perëndeshat në mitet greke tё jenë marrё nga bota e matriarkatit. Kështu, në fazën e konsolidimit të patriarkatit, kur kemi edhe pёrpilimin e shumë miteve, në Olimp, krahas Zeusit e perëndive meshkuj pati edhe shumë perëndi/ hyjnesha femra. 

Ja disa prej tyre:

Afërdita–   Hyjneshë e dashurisë

Amfitria–   Hyjneshë e detit 

Artemida– Hyjneshë e gjahut

Ada–          Hyjneshë e mashtrimit 

Athina–      Hyjneshë e mençurisë 

Dika–         Hyjneshë e drejtësisë 

Elitia–       Hyjneshë që mundёsonte lindjen e grave 

Eos–          Hyjneshë e agimit

Erida–       Hyjneshë e grindjes 

Eriniet–     Hyjneshat e mallkimit dhe hakmarrjes 

Gea-         Hyjneshë e tokës

Heba-       Hyjneshë e rinisë

Hera-       Hyjneshë e mbrojtjes së martesave

Hestia–     Hyjneshë e vatrës shtëpiake 

Siç shihet, janë të paraqituara pothuaj të gjitha hyjneshat greke të mitologjisë greke që kryenin funksione nga më të vështirat dhe më të rëndësishmet në jetën shoqёrore. Ky fakt tregon, se gjithsesi, patriarkati nuk mundi të mohojë vlerat e gruas, aftësitë e saj për të vepruar në shumë fusha të jetës. Kalimi i këtyre perëndeshave në mite nuk ёshtё rastësi, por tregon hapur pafuqinë e patriarkatit për t’u shkëputur përfundimisht nga matriarkati. 

Teza e Bachofen-it, sipas të cilës matriarkati ka qenë në fillim të shoqërisë njerёzore, vërtetohet me figurёn mitologjike të Geas. Gea, është hyjneshë e tokës dhe vetë Toka që u krijua prej kaosit fillestar. Gea simbolizon nënën e çdo gjëje që rritet dhe vegjeton. Sipas mitit ajo krijoi prej vetvetes, qiellin e yllëzuar të Uranit. Kur Urani mbizotёroi mbi tokë, u bë gruaja e tij dhe lindi dymbëdhjetë trashёgimtarë. 

Pra, sipas konceptit që sjell miti dhe që padyshim s’është patriarkal, ishte Gea (e barabartë me tokën), ajo që nga vetvetja lindi Uranin. Pra ishte gruaja ajo që lindi burrin. Është gruaja që lind njeriun. Vijmë në pikën më të nxehtë të konfliktit tё patriarkatit me matriarkatin, konfliktit ndёrmjet gjinisё femërore dhe asaj mashkullore. Kush u lind nga tjetri? Matriarkati mbron idenë se gruaja lindi burrin, ndërsa patriarkati mbron idenё se burri lindi gruan. Këtë ide të patriarkatit e gjejmë në mitin biblik, ku thuhet se Eva u lind nga brinja e Adamit. Pra burri lind gruan prej vetvetes. Bibla dhe feja që propozon ajo, fjalën e fundit ia ka dhënë epërsisё mashkullore. Me kёtё rast Zoti i thotë Evës se dëshira e saj do të jetë ajo e burrit qё ka pёrkrah dhe do të jetё pikёrisht ai burrё qё do tё sundojë mbi tё. Po kush e shtyu Adamin ta hajë mollën?! Kush e mori nismën e para?! Gruaja Evë. Diçka ka dashur tё na fryjё bibla nё vesh, edhe pse nё mёnyrё tё tёrthortё, diçka ka dashur tё thotё gruaja Evё para Adamit. 

Duhet thënë se miti biblik vjen pas atij babilonas dhe kjo rrëfen se sundimi i gjinisё mashkullore tashmë kishte filluar me kohë. Në mitin babilonas jepet pikërisht fakti se si sundimi i Nënës së Madhe është sfiduar prej bijve meshkuj. Pra, edhe në këte mit, në fund del fitimtar patriarkati. Fitorja e Mardukut, parakupton vendosjen e epërsisë mashkullore. Fakti se kush ka lindur tjetrin është i lidhur pazgjidhshmërisht se cili do të sundojë mbi shokun. 

Por si shfaqet situata në mitet greke që njihen si  shumë më të vjetra se miti biblik? Dilemën se kush ka lindur shokun e zgjidh Zeusi, i cili lindi pa ndihmën e askujt Athinanё nga koka e tij dhe Dionisin nga kofsha e tij. Këtu Zeusi i kundërvihet Geas. Ai pranon parimin patriarkal se mashkulli lind njeriun. Në rastin e lindjeve të Zeusit, miti nuk ka qëllim të tregojë vetëm forcën e  Zeusit si zot suprem, por edhe epёrsinё totale mashkullore, duke përfshirë këtu edhe “shtatzaninë” që, në fakt, mbetet vetëm një ëndërr mashkullore të cilën Freud-i e ka quajtur dëshirë për shtatzani. Nё jetёn reale njё gjё e tillё nuk ndodh dhe kjo mbetet njё fantazi qё njeriu e realizon vetёm falё miteve dhe pёrrallave. Psikologët mendojnë se pamundёsinё për të mos dhuruar jetё, burrat e kompensojnë me forcën e mendimit. Jo me kot Athinaja do të quhej perëndeshë e mençurisë. Nga ana tjetër, Freud-i i vesh gruas dëshirën për penis.  Ky akt në mitet greke e gjen shprehjen e tij tek figura e Aretuzёs. Alfeu tek e pa atë në det e dëshiroi, por ajo nuk kishte nevojë për mashkull, ndaj u shndërrua në burrë. Natyrisht, kjo metamorfozë, përveç kuptimit të epёrsisё që kishte marrë patriarkati, shpreh qartë tezën e Freud-it. 

Duket që edhe në mite kemi një kontraditë tё madhe antagoniste mes burrit dhe gruas, kontradiktë që përbën pikën kryesore të luftës mes dy gjinive. Në mitet greke kemi dy variante të vetme e të mundshme dhe e kemi të vështirë të përcaktojmë se cila është përfundimisht zgjidhja që i dhanë grekët e periudhës heroike kësaj kontradite. Kjo vjen, sepse thamё qё mitet i takojnë periudhës së konsolidimit te patriarkatit, por matriarkati, gjithashtu, kishte lënё gjurmët e tij të thella. 

Për asnjë çast nuk duhet të harrojmë se tek mitet vazhdimisht ka vepruar censura dhe kamuflimi. E janë pikërisht këta faktorë që do të luajnë një rol të rëndësishëm në interpretimin psikoanalitik të tyre. 

Miti i Amazonave 

Një mit interesant që vërteton ekzistencën e matriarkatit para patriarkatit ёshtё miti i Amazonave. Amazonat kanё qenё populli i grave luftarake qё ndodhej në brigjet veriore të Azisë së Vogël në Kaukaz, ose në Krimenë e sotme. Historianët grekё flasin për to, si për një popull historik. Në përshkrimin e organizimit shoqëror, të cilit i jepej një kujdes i veçantë, mund të përcillen gjurmët e rregullimit matriarkal. Sipas Diodorit tё Siçilisё, Amazonat ishin popull në të cilin kanë sunduar gratё. Ai e pёrshkruan mënyrёn e jetës së tyre si tё ndryshme nga jeta jonë. Gratë stërviteshin me shkathtësi luftarake dhe për një kohë ishin të detyruara të shërbenin në ushtri. Gjatë shërbimit ushtarak mbeteshin të virgjëra. Pas demobilizimit, martoheshin dhe kishin fëmijë. Gratë kishin gjithë pushtetin publik në duart e tyre. Meshkujt merreshin me punë shtëpiake. Emri i Amazonave mendohet se rrjedh prej fjalës amazoe që do të thotё pa gji dhe, sipas  gojёdhёnave, një gji e kanё patur të djegur për të mos u penguar në ngritje të harkut. Sunduesi i Amazonave ishte mbreteresha(t). Në trimëri ato nuk mbeteshin pas meshkujve. 

Pa diskutim, miti i tyre është dëshmi e fuqishme për shkallën e zhvillimit të matriarkatit dhe e vendos atë në pozita sipёrore ndaj patriarkatit. Është e rëndësishme të theksohet se ka jo pak mite greke të cilat pasqyrojnë organizimin e njerёzve në rendin matriarkal, pa fshehur dhe elemente interesante të tij. 

Antigona, shëmbëlltyrë e humanizmit matriarkal 

Pёrplasja midis parimeve matriarkale dhe patriarkale ka tërhequr gjithmonë vëmendjen e studiuesve dhe artistëve. Në antikitet, Sofokliu bёn subjekt të njё tragjedie tё tij, Antigonёn qё ёshtё pёrfaqёsuesja mё e denjё e pёrplasjes midis dy botёve. Ajo ёshtё heroina qё do të kthehet në simbol të humanizmit matriarkal pasi e shpalos me tё madhe se ka lindur pёr tё dhёnё dashuri e jo urrejtje. Në kontrast me Antigonën është e motra Ismena, që mbetet simbol i grave që e pranojnë nënshtrimin. Sofokliu vendos, përballë njëri- tjetrit, Antigonën me Kreontin, që përfaqëson patriarkatin. Përgjatë gjithë zhvillimit të tragjedisë Antigona mbron lidhjet e gjakut, si lidhje që mbeten të pashkatërrueshme. Kreonti nga ana tjeter mbron parimin patriarkal, ku lidhjet mes burrit dhe gruas kanë përparësi ndaj lidhjeve të gjakut. Ky është parimi i rendit dhe autoritetit, i bindjes dhe hierarkisë. 

Ndërkohë që motra Ismenë e ka pranuar si normë autoritetin mashkullor dhe është pajtuar me disfatën e grave të cilat nuk mund të rivalizojnë me burrat, Antigona  vazhdon të mos bindet. Ajo kërkon me çdo kusht të zbatohen rregullat e pashkruara morale, njëra prej të cilave është varrosja e të vëllait të vdekur. 

Megjithëse miti, ashtu si tragjedia, mbyllen me vdekjen e Antigonës, të fejuarit të saj Hemonit dhe nënës së tij, vdekjen morale e ka pësuar Kreonti. Hija e Antigonës vjen deri në ditët tona, si për të na treguar se gratё kanë forcё të rebelohen. Shpesh fitojnё edhe ato vetёm me forcën e fjalës. 

Gjuha simbolike, gjuhë e mitit 

Dihet botёrisht qё Erich Fromm-i, deri nё njё farё pike, edhe pse tё largёt, ka shkuar nё vazhdёn e Freud-it. Kёtij tё fundit, i kanё interesuar ёndrrat, mitet, simbolet, e dukshmja, e padukshmja. Tё parit, domethёnё Fromm-it, i kanё interesuar ёndrrat, mitet, simbolet, e dukshmja, e padukshmja dhe Freud-i. Ai shkruan librin Gjuha e harruar dhe ndalet nё nevojёn qё kanё popujt pёr tё krijuar mite dhe pёrpiqet tё analizojё gjuhёn e simboleve me tё cilёn shprehen ato. Nё parathёnien e librit, vё nё dukje se si popuj tё ndryshёm krijojnё mite tё ndryshme, pse edhe ёndrrat i shohin tё ndryshme. Por pavarësisht kёsaj zgjatjeje prej ylberi, mitet dhe ëndrrat kanë një element të përbashkët: simbolin e ky ёshtё çelёsi, sipas Fromm-it.

Për zbërthimin e thelbit të çdo miti është e nevojshme të sqarojmë gjuhën me të cilёn materializohet ai. Në lidhje me simbolin si shfaqje e mitit, Fromm, po nё parathёnie, sqaron se në kёtё gjuhë tё çuditshme, janё tё njёjtat ndjenja, mendime e pёrvoja tё brendshme, qё shprehen nёpёrmjet shqisave qё thithin botёn e jashtme. Por llogjika ёshtё e ndryshme. Nuk ёshtё e zakonshmja, dita, hapёsira e koha qё udhёheqin, por ёshtё forca e mendimit, nata (domethёnё fantazia), perceptimet e njёjta mendore. Kёto e bashkojnё njerёzimin e çdo kohe, e çdo qytetёrimi, nё njё gjuhё tё njёjtё universale.  “Është një gjuhë që ka gramatikën dhe sintaksën e vet, e cila duhet mësuar, nëse dёshiron të kapësh domethënien e miteve, përrallave dhe ëndrrave”, thotё ai. 

Në antikitet, tё mos kuptoje mitet dhe ёndrrat, do tё thoshte tё ishe analfabet e tё mos gёzoje ca prioritete qё tё jep mendja e zgjuarsia. Shekujt e fundit, kultura perëndimore e ndryshoi qёndrimin për këtë problem. Po sipas Fromm-it, nё perёndimin e sotёm, mitet vlerësohen si krijime naive të një mëndjeje primitive. Ato janё filma me ngjyra tё mendjes sё thjeshtё të atij njeriu tё parё qё ende s’dinte si funksiononte bota, natyra, trupi i tij. Kryesisht gjuhën e mitit, Fromm e koncepton si gjuhën e vetme që duhet të mësojë secili prej nesh. Kjo gjuhë na ndihmon të kuptojmë një nivel përvoje që nga përmbajtja dhe forma është thellёsisht njerёzore. Ëndrrat, ashtu si mitet merren si mjete të rëndësishme për të komunikuar me vetveten. 

Në lidhje me simbolin, teoricienët kanë dhënë përkufizime të ndryshme, por pёrfundimi i ka çuar të gjithë pak a shumë në tё njёjtat formulime si Fromm-i qё e sheh simbolin si diçka që i zë vendin diçkaje tjetër. Ndër llojet e klasifikimeve që i ka bërë simboleve, ai dallon: 1.simbolin e  paracaktuar, 2. tё rastёsishёm dhe 3. universal. Ne na intereson ky i fundit, pasi ky është simboli që gjen përdorimin në mit dhe i jep atij trajtën e pavdekshme universale. Fromm-i shprehet: “Simboli universal është i vetmi simbol, tek i cili lidhja midis simbolit dhe asaj që simbolizohet, nuk është e rastit, por e brendshme. Kjo lidhje i ka rrënjët tek përvoja e afërsisë që ekziston midis një emocioni apo mendimi, nga njёra anë dhe një lidhjeje shqisore nga ana tjetër”. 

Ky simbol i ka rrënjёt nё aftësitë e organizimit tonë shoqёror, nё shqisa e nё mendje, që janë të përbashkëta për gjithë njerёzimin e nuk kufizohen në individë a në grupe të caktuara e tё ndara. 

Freud-i e vlerёson simbolin si një rikthim tek stadet paraardhëse të zhvillimit të njeriut, në të cilat disa veprimtari si lëvrimi i tokës apo krijimi i zjarrit, marrin kuptimin e libidosit seksual. Te miti, kjo kënaqësi libidinoze fillestare, që tashmë është larguar, shprehet mes kënaqësisë  kompensuese, që e lejon njeriun të realizojë plotësimin e dëshirave instiktive në mbretërinë e fantazisë. Ashtu si në ëndërr, edhe tek miti, impulset primitive nuk shprehen hapur, por janë të maskuara. Gjuha simbolike konceptohet si një kod sekret dhe interpretimi i ëndrrave dhe miteve është operacioni i deshifrimit të tyre. 

Të gjitha këto arsyetime na shёrbejnё si pikënisje pёr t’iu afruar mitit. Po pёr ta sqaruar mё tej, fillimisht, duhet të zbërthejmë simbolin ose simbolet që ai mbart nё vetvete dhe të përcaktojmë karakterin universal të tij.  

Dashuria në mitet antike greke 

Ekzistojnë ca ndienja që përjetohen njёsoj nga njerёzimi, pavarёsisht kohёs apo vendit. Një ndjenjë e tillë është dashuria. Që në mite, pra që në atë kohë kur instikti dhe dija njerёzore fliste nëpërmjet gjuhës së miteve, njerёzimi krijoi heroin apo heroinën mitike që dashuronte dhe dashurohej. Grekët e lashtë kanë patur një koncept të tyre për dashurinë, qё na e kanё trasmetuar edhe neve. Lindja e dashurisë në mitet greke ishte gjithmonë me shikim të parë. Helena dhe Paridi u dashuruan me shikim të parë. Po kështu dhe dashuria e Glaukës me Jasonin, Erosit me Psiken, Zeusit me të gjitha gratё që deshi apo bëri dashuri jashtë martese. Alfeu hedh dashuri me shikim të parë ndaj Aretuzёs, Apolloni me Kasandrën etj etj. Në të gjitha mitet greke dashuria  është me shikim të parë. Në qoftë se shpjegimi do të merrte një karakter me shumë psikoanalitik sesa historik, do të thonim se sipas teorisë së Freud-it dashuria nuk është gjë tjetёr, veç frut i pavetëdijes, të cilën ai e quan lëndën e parë të shpirtit. Në të vërtetë, e gjallë dhe aktive kjo lёndё e parё vepron mbi mendimet dhe ndjenjat tona. Ndoshta, ajo përfaqëson pjesën mё plastike të ekzistencës sonë psikike. Freud-i thotё se mё shumё nga tё gjitha duhet tё dёgjojmё pavetёdijen, pasi ajo ёshtё grimca e padukshme e tensioneve tona tё brendshme. Sipas kësaj analize Freud-i, na lë të kuptojmë se ekzistenca jonë nuk shtjellohet lirshëm në sferën e racionales, por jepet para trysnisë së pavetëdijes dhe procesi i dashurisё, nuk është vetëm çasti kur ne bëhemi të vetëdijshëm për atë që është fshehur në pavetëdijen tonë. Në rastin e një objekti që shfaqet, ndodh pikërisht ky kataklizëm i përgatitur më parë në botën e thellë të instikteve tona dhe që në një çast të dhënë përmbys papritur fatin tonë. Kështu ra në dashuri Apolloni me Dafinën. Dafina, bija e zotit  ishte më e bukura prej nimfave. Nga ana tjetër Apolloni, më i bukuri mes perëndive nuk i besonte magjisë dhe fuqisë së dashurisë, ndaj Erosi vendosi ta plagosë me shigjetën e tij të plumbtë. Apolloni bie në dashuri me Dafinën, por kjo dashuri mbeti gjithmonë pa përgjigje dhe Dafina pranon të kthehet në pemë vetëm për të mos iu dhënë atij. Ndërkohë, Apolloni nuk rresht kurrë së zbukuruari pemën e Dafinës. Vargjet më të bukura mbështetur në këtë mit i gjejmë tek Ovidi. Sipas frojdizmit dashuria e pareshtur dhe pa përgjigje e Apollonit s’ёshtё gjё tjetёr veçse njё instikt i shtypur qё ngre krye. Kjo do të thotë se sa më shumë Dafina e refuzonte Apollonin, aq më shumë ai bie në dashuri. Po kështu sa më shumë Apollonit i mungonte Dafina, aq më shumë i ndizej dashuria për të, dhe aq më shumë kjo dashuri mbeste e pashuar. Një interpretim pak a shumë të njëjtë merr edhe miti i Kasandrës. Edhe me tё dashurohet Apolloni, edhe nga ajo refuzohet. Fati i Kasandrës njihet nga Iliada dhe Odisea e Homerit si dhe vepra e parë e triologjisë së Eskilit Orestia. Miti na tregon se Apolloni hakmerret ndaj Kasandrёs pikёrisht pёr shkak tё refuzimit. Kasandra zhvishet nga zhguni i profetit. Ishte pikërisht kjo hakmarrje e Apollonit që solli pushtimin e Trojës, sepse askush nuk e besoi Kasandrёn kur shkulte flokёt pёr tradhtinё qё sillte nё bark kali i akejve. Ky akt i Apollonit theksohet si prepotencё hyji dhe Euripidi e rendit si akt tё turpshёm qё rrёzon nga froni perёnditё. 

Por ndërsa në mitet e sipërmendura kemi Apollonin që bie me shikim të parë në dashuri të pafatё, në mitin e Lules së Diellit kemi dashurinë e pafatё të Klitias, nimfёs që ra në dashuri me Heliun, mbretin e Diellit. Thelbi i mitit në dukje është i thjeshtë. Klitia dashuron Heliun por ky dashuron të bijën e Orhaut, Loukatean. Klitia e çmendur nga xhelozia e kallzon Laukatean tek i ati, i cili duke mos e duruar dot këtë turp e varros të bijën të gjallë. Heliu me rrezet e tij tenton tё depёrtojё thellё nё tokё, por ishte vonë, Loukatea tashmë kishte ndërruar jetë. Nga dёshpёrimi dhe hidhёrimi Heliu hakmerret ndaj Klitias duke e kthyer në lule me kërcell të trashë e me kokë të madhe. Është pikërisht lulja e diellit që ne e njohim të gjithë, e cila gjithmonë e kthen kokën nga dashuria e saj Dielli. Edhe këtë mit e gjejmё tek Metamorfozat e Ovidit. Klitia është simboli i gruas që me të gjitha drejtësitë dhe padrejtësitë synon të arrijë objektin e saj dashuror. Por morali i mitit është i qartë. Ajo jo vetëm nuk e gëzon dashurinë e njëanshme, por mbetet pre e vetë ndjenjës së saj. Sheh Heliun, lulёzon, lulёzon, sheh Heliun, lulёzon. Derisa kupton qё lulёzim, jo domosdoshmёrisht, do tё thotё lumturi.

Dëshirat instiktive dhe i dëmtuari i tretë në mite 

Helena mbetet figura më e pёrfolur e miteve antike. Ajo ёshtё aq e bukur, sa edhe vetё Homeri nuk arrin dot t’ia përshkruajё bukurinë. Simbol i feminilitetit, Helena ёshtё bёrё objekt i artit tё sa e sa artistëve, poetëve, piktorёve. 

Bijë e Zeusit dhe të dashurës së tij Leda, Helena mbahej më e bukura nga të gjithë vdekatarët. Odiseu hodhi mendimin që ajo duhet ta zgjidhte vetë bashkëshortin, pasi situata për kërkimin e dorës së saj po e çonte Greqinë në prag të luftës. Ajo zgjodhi Menelaun dhe të dy u bënë trashgimtarë të Spartës, derisa një ditë Paridi, princi i Trojës, i vizitoi dhe më pas e rrëmbeu Helenën që shkaktoi dhe luftёn dhjetёvjeçare të Trojës. Një vështrim psikonalitik i figurës së Helenёs, do ta paraqiste atë si një grua ku mbizotёrojnё instiktet,  të cilat ajo vetë nuk i lufton aspak, nuk pёrpiqet t’i  ndrydhë, por përkundrazi, i stimulon dhe i shpalos sa herё tё jetё nevoja. Freud-i e vendos Helenën në kategorinë e njerёzve qё ushqejnё dёshira tё verbra dhe instikte primordiale, pa asgjё shpirtёrore. Ёshtё rasti tipik i gruas qё epshin e zhvendos sa te njё objekt nё tjetrin, falё energjive tё saj psikike qё i lёvrijnё vazhdimisht. Kjo është Helena, sipas Freud-it. Dikur dashuroi Menelaun e më pas Paridin. Nga ana e tij Paridi e ka të lehtë të bjerë në dashuri me Helenën më të cilёn ishin dashuruar të gjithë meshkujt e Greqisë së lashtë. Përpos kësaj, interpretimin frojdist na e lehtëson edhe arsyetimi se përse Paridi rrëmbeu një femër tashmë të martuar. Sipas Frojdit, në Mbi Psikologjinë e jetës dashurore, kur ndalet tek kushtet dashurore, ai përcakton si kusht të parë atë që ai e quan të dëmtuar të tretë. Sipas tij, burri ka gjithmonë tendencën të zgjedhë si objekt dashurie jo një grua që është ende e lirë, por një femër të angazhuar, ndaj të cilës ka “objektet  pronësie dikush tjetër”. A nuk duket ky si një fakt bindës përse Paridi zgjodhi Helenën, përpos bukurisë së saj? Nё fund tё fundit, brazda ishte hapur. Edhe Zeusi rendte pas vdekatareve tё martuara dhe përdorte gjithë fuqinë e tij prej Zoti t’i shtinte ato në dorë. 

Ndërsa Helena është dhe mbetet një casus belli, në përgjithësi, gratё në mitet greke jepen shumë të dashuruara dhe tё përkushtuara ndaj dashurisë dhe të gatshme të vetёflijohen për tё. Dashuria që fal femra në mitet greke është epike, ajo bën të qajnë edhe heronjtë si Akili. Mitet mundohen t’i japin forcën këtyre dashurive dhe të shfaqin madhështinë e tyre në forma të ndryshme. Për shembull, nëse nuk do të ishte dashuria e Briseidës ndaj Akilit lufta e Trojës ndoshta do të kishte patur tjetër përfundim. Po kështu kemi Alkesidën e cila e dashuruar tmerrësisht ndaj të shoqit, mbretit Adrat, pranon të vdesë fisnikërisht në vend të tij. Ajo njihet si heroina  më bujare në mitet greke. Ndërsa një tjetër heroinë, Alkiona, tek sheh në breg trupin e pajetë të të shoqit, hidhet ta puth e vdes mbi të. Po kështu Etra, hidhet çmendurisht nga shkëmbi kur shikon të shoqin që digjet në turrën e druve. Të gjitha këto raste në mite janë dëshmi e forcës dashurore të gruas përqendruar tek një objekt i vetëm dashuror. Sapo eliminohet ky objekt, ato vetëflijohen. Të mos harrojmë se mitet greke i takojnë periudhës të konsolidimit të familjes dhe kjo familje çdo ditë e më tepër merr ngjyra patriarkale. 

Psika dhe Erosi 

Ndoshta ndër mitet më intriguese dhe më me shumë qasje psikoanalitike, është ai i Psikës dhe Erosit. Ky mit është bërë edhe më i njohur nga versionet e dhëna tek  Metamorfoza e Ovidit si dhe Gomari i artë i Apoleut nga Madaura. Sipas mitit, dikur kish qenë një mbret dhe një mbretëreshë që kishin patur tri vajza. Dy të parat ishin martuar e trashёguar. Vajza e tretë quhej Psika. E bukur si një hyjneshë, ajo ishte pengu i prindërve tё pikёlluar pёr fatin e saj tё vonuar. Një ditë, i ati iu drejtua Orakullit të Delfit, i cili i parashikoi një fat të trishtë: dhëndri do të ishte njё dragua i vrazhdë, me trup të mbushur me hekur. Dhe kur mendohej se asgjë nuk mund të ndalonte dot profecinë, dashuria tregoi fuqinë e saj. Ndërkohë perёndesha Afërditë kishte dëgjuar për bukurinë e Psikes dhe zërat i thonin se ajo i ngjante njё perёndeshe. Kjo e fundit e kishte porositur Erosin ta godiste Psikën me shigjetë. Por Erosi e sheh, mahnitet me bukurinë e saj dhe e sjell në  një shtëpi madhështore dhe vetë kthehet nё hije qё tё mos shihet. Ndërkohë Psika habitet nga shёmbёlltyra pa fytyrё e Erosit. Ky i fundit i thotё të mos kërkojё shpjegime e të mos i rrëfejё askujt për të. Dashuria shpёrthen nё tё gjitha format e saj tokёsore dhe qiellore, derisa një ditë Psika vendosi t’u rrëfente motrave për vizitorin e natës. Motrat e zilepsura, e shtynë që të zgjidhte enigmën. Nën dritën e kandilit, Psika përpiqet të zbulojё fytyrën e burrit qё i mbushte shtratin natё pёr natё. Njё pikё e vajit tё nxehtё i bie nё trup dhe e djeg e kёshtu Erosi zgjohet i tërbuar e braktis Psikën. 

Përpos anës së dukshme të mitit, ku ne gjejmë përpjekjet e njeriut për gjetjen apo rigjetjen e dashurisë dhe vuajtjeve që paguhen në shpёrblim të saj, miti ofron dhe interpretime më të vështira, për zbërthimin e të cilave, sërish na vjen në ndihmë psikoanaliza. Le të shtojmë këtu se me të drejtë, sipas Freud-it, psikoanaliza është kritikuar se nuk pyet për anën më të lartë morale, mbipersonale të njeriut. Megjithatë e vërteta është se ajo shpesh të befason me zgjidhjen që u jep fenomeneve të caktuara, për të cilat njeriu i zakonshëm mund të diskutojë gjatë, ndoshta pa arritur në pёrfundime shkencore. E pra i pari që e bëri këtë, i pari që i tregoi njerёzimit një ishull brenda shpirtit ishte Sigmund Freud-i. Ai do të mbetet simbol i sinqeritetit të gjeniut. 

Ja se si do t’i afrohej psikoanaliza mitit të Psikёs dhe Erosit. Së pari ngjashmëria e madhe në bukuri midis Afërditës dhe Psikës është arsyeja kryesore që sipas interpretimit frojdist e bën Erosin të bjerë në dashuri me Psikën. Kjo zgjedhje, sipas Freud-it, është rezultat i një fiksimi fёmijёror të brishtësisë ndaj nënës dhe përbёn një nga rrugëdaljet e këtij fiksimi. Pra, Erosi dashurohet me shikim të parë me Psikën, pasi ajo është shumë e ngjashme me objektin që ai ka në imazhin e tij, imazh që është ndërtuar mbi modelin e nënës Afërditë. Fakti që edhe pas ndarjes, Erosi rikthehet sërish dhe përfundimisht te Psika, rrëfen se tek ai nuk kemi procesin zinxhir që frojdizmi e quan zëvendësim nëne gjë qё e kthen mashkullin në Don Zhuan gjithmonë në kërkim të imazhit të nënës. Po tek Erosi nëna zëvëndësohet një herë e mirë me Psikën e cila përmbush objektin ideal. Edhe vetë ndarja për disa kohë e të dy dashnorёve mund tё interpretohet me teorinё frojdiane, sipas sё cilёs ndarja kёrkohet kasten si barrierё artificiale.  

Nga ana tjetër, po psikoanaliza do e çonte edhe më larg konceptin e mitit. Me interpretimin e saj ajo do të vërtetonte edhe një herë se njeriu, si ai primitiv ashtu edhe ai modern, priret tё shprehё nëndërgjegjen nëpërmjet mitit, ëndrrave apo artit. Ёndrra, mitologjia, arti rrjedhin të gjitha nga nëndërgjegja. Ato tregojnё e zbulojnë një botë e cila nuk do të shpjegohej ndryshe. 

Duket sikur miti i Psikës dhe Erosit herë merr trajta reale (dy të dashuruar lindin një fëmijë) dhe herë trajta ireale, teksa Erosi i shfaqet Psikës natën si një hije. Vetё miti nuk na jep kurrë njё shёmbёlltyrё të Erosit. Mos është vallë ai një imagjinatë e Psikës për dashurinë, një dëshirë dhe kënaqësi e fshehur e saj? Të shënojmë këtu se Erosi dhe shigjeta e tij është simbol i dashurisë si e tillë. E pra, mos është ndjenja e saj më shumë një pёrfytyrim erotik i Psikёs sesa një realitet? Mos kemi të bëjmë me një ëndërr të Psikёs nё gjumё? Sipas Freud-it, figurat simbolike të ëndrrës, fshehin në shumicën e rasteve dëshira të ndrydhura dhe të paplotësuara, të cilat s’kanë mundur të realizohen gjatë ditës e përpiqen të hyjnë në shpirtin njerёzor nëpër shtegun e ëndrrave. Ёndrra është valvula e ndjenjave tona. Ajo është ndërmjetëse mes botës së ndjenjave të fshehura dhe asaj që i nënshtrohet arsyetimit tonë. Falë saj ne mund të mësojmë shumë gjëra, të cilat nuk pranojmë t’i mësojmë kur jemi zgjuar. Çdo ёndërr, është dëshmi, jo e një vullneti shumë të lartë hyjnor, mbinjerёzor, por shpesh e një dëshire të brendshme e të fshehtë të njeriut. Sigurisht, ky lajmës nuk flet gjuhën e përditshme të sipërfaqes, por atë të humnerës, të natyrës së pavetëdijshme. Sipas këtij shpjegimi, i gjithë miti kthehet në një simbol të fuqishëm, në të cilin njeriu primitiv ka tentuar të depërtojë brenda shpirtit dhe dëshirave të tij, pa mundur ndoshta të sqarojё se kush i stimulon këto dëshira, sa të fshehura aq edhe të dukshme. 

Nё ёshtë shpirti që nxit epshin, apo e anasjellta, këtë mitet e kanё pasur të vështirë ta shpjegojnë. Pёr fatin tonё, ato na e kanë bёrё të qartë, qysh herёt, lidhjen e dashurisë shpirtërore me kënaqësinё fizike. Eros (Dashuri) + Psikë (Shpirt) = Hemonë (Kënaqësi). 

Tradhtia e gruas në mitet greke 

Sa më shumë studion dhe analizon mitologjinё greke, aq më shumë arrin në një pёrfundim: edhe kur gruaja tradhton, miti gjithmonë e justifikon dhe e shfaqëson atë. Le të marrim disa raste që kanë po të njëjtin moral në mit. Alkmena, nëna e Herakliut është ndër më të pёrmendurat për besnikërinë e saj ndaj bashkëshortit, Amfitrionit. Kur i shoqi ndodhet larg, Zeusi merr shёmbёlltyrёn e Amfitronit e hyn në dhomën e fjetjes së Alkmenës, domethёnё, me mendjen e saj Alkmena po flinte dhe bënte dashuri me të. Zeusi e dinte dashurinë e saj për bashkëshortin ndaj zgjodhi kёtё rrugё tё tёrthortё. Nuk  kalon shumë kohë nga kthimi i të shoqit dhe ajo lind dy binjakë. Deri në vdekje, ajo betohet se nuk e kishte tradhtuar Amfitronin. Pra, miti justifikon gruan. Edhe sikur të dalim nga konteksti i mitit e të spekullojmë, sërish kemi tё bёjmё me një shorte që mbetet e dashuruar me shёmbёlltyrёn e shortit tё saj. Nëse edhe për një çast, ajo e kupton që nuk po flinte me të shoqin, sërish mbetet një grua besnike që në zemër ruan dashuri pёr njё burrё tё vetёm. Në fakt ky nuk është rasti i parë kur Zeusi shfaqet me fytyrё tjetër. Ai vazhdimisht merr forma tё ndryshme dhe kthehet nё shi tё artë, dre, dem, mjellmё etj. Të gjitha metamorfozat e Zeusit simbolizojnë transformimin e profilit njerёzor, mashkullor në këtë rast, nё funksion të instiktit dashuror dhe në finalizimin e tij. Nga ana tjetёr, të gjitha gratё që flenë me Zeusin, nuk e dinё se kush është ai, pra mbeten të justifkuara në aktet e tyre, qoftё si dashuri tё para, qoftё si shkelje kurore. Oreski seksual i Zeusit ndizet sa herë sheh objekte të bukura femrash. Si pёrfundim, qёllimi i tij i vetëm është të shuajё epshin dhe të lërë sa më shumë pasardhës. Zeusi eshtë simboli i mashkullit patriarkal. 

Gruaja kriminele nё mitologji

Sipas Lambroso-s, gruaja normale ka shumë karakteristika që e afrojnë me egërsirën, fëmijën dhe kriminelin. Dhe kёto janё inati, hakmarrja, xhelozia dhe kotёsia. Fatmirёsisht, ai shton qё, nё mё tё shumtёn e herёve, ngrejnё krye edhe karakteristika tё tjera, totalisht tё kundёrta, qё neutralizojnё tё parat.

Nga lashtësia deri në ditët e sotme, njeriu ka shfaqur gjithmonё djallin brenda tij dhe krimi ka qenё gjithmonё pjesё e pandarё e jetёs sё pёrditshme. Ernesto Sabato vё re se ka njё humnerё dijesh nga koha e matematikёs sё Arkimedit deri te ajo e Einsten-it, por asnjё ndryshim nga diapazoni i ndjenjave dhe mendjes njerёzore nga koha e Odisesё sё Homerit, te Uliksi i James Joyce-it. Me sa duket, edhe njeriu modern apo postmodern dashuron, vret, tradhton, bën krime apo vepra të bukura për të njëjtat shtysa dhe arsye si njeriu primitiv.  

Fatkeqësisht, mitet dhe legjendat na rrëfejnë se gratё, ashtu sikundёr nuk pritet, jo vetёm nuk e kanё dёnuar krimin si tё tillё, por përkundrazi e kanё stimuluar, orkestruar dhe në shumë raste edhe e kanё zbatuar me zell e pёrkushtim. Nga të gjitha heroinat e lashtësisë, tri figura mitike duket sikur kanë mbetur si simbole të gruas kriminele. Ato janë Medea, Klitemnestra dhe Frida. 

Medea

Mitin e Medeas e ka trajtuar Euripidi në tragjedinë me të njëjtin titull. Ai i ka mbetur besnik deri në fund rrëfimit mitik, por ka vendosur edhe përshkrimet e tij që e përforcojnё jo vetëm emocionin e mitit, por edhe moralin qё do tё pёrçojё. 

Medea hyn dhe del nga ngjarja si një grua pasionante, që në emër të pasionit mund tё bëjë gjithçka. Ёshtё njё magjistare qё praktikon rite tё çuditshme me variacione helmi, urrejtje, zgjuarsie perverse. Fatkeqësisht, në çastin që bie në dashuri, ajo fillon të kryejë edhe krimet e para në emër tё dashurisë. E marrosur pas Jasonit, ajo e ndihmon atё të fitojё nё fillim pёlhurёn e artë. Me këtë akt ajo ka tradhëtuar atdheun, familjen, por ka fituar burrin qё e deshi me epsh. Pёr tё, braktis tё kaluarёn, tokёn, tё parёt, dhe teksa mërgon me Jasonin, me vete merr edhe të vëllanë, që mё pas e vret. Pёr tё mbledhur copat e tё birit, i ati duhet tё ndalet dhe kёshtu humb kohё e s’ka mundёsi tё ndjekё gjurmёt e dy tradhtarёve. Ky ishte plani i Medeas. Duket se ajo, sa më shumë dashuron, aq mё shumë e pranon krimin si tё natyrshёm nё emёr tё njё pasioni të sëmurë. 

Shumë shpejt Jasoni do ta braktisё shtratin e saj, nё emёr tё njё dashuri tё re, me pёrfitime tё tjera, ambicie tё mёdha. Ai fillon t’i shfaqë dashuri Glaukës e synon fronin e atit tё saj. Brenda shpirtit të fuqishëm e inatçor të Medeas fillon të luhet një tragjedi e fuqishme. Kjo grua qё u bё, pa u penduar pёr asnjё çast, tradhtare, vrasëse, mizore, e ndjen rrezikun e mposhtjes nё emёr tё atij arti tё pёrbashkёt, nё emёr tё dashurisё, qё do ta lidhte si zorrё e pёrjetёshme me Jasonin e saj. Braktisja dhe tradhtija bashkëshortore shënojnë fillimin e tragjedisë në shpirtin e Medeas. Euripidi e përshkruan shumë bukur se si ajo nuk flet mё, mbyllet në vetvete, ndërsa buzët i bien poshtë nga pesha e mёrzisё. Mendonte se pasioni e bёnte njё grua tё jashtёzakonshme, ndёrsa nё tё vёrtetё, kur dashuria e saj u shpёrfill, mё nё fund, u shpёrfaq mendja e zakonshme e njё krimineleje tё jashtёzakonshme. Personaliteti i Medeas shkon pёrtej delirit, pёrtej lotёve si humbёse. Ajo nuk pranon viktimizimin, ajo bluan hakmarrjen. Nga një grua që dashuronte thellësisht, shndërrohet nё një grua që urren thellësisht. Freud-i na mёson se urrejtja ёshtё ajo pjesё e errёt, e pandashme, e nёndheshme e psikes njerёzore qё shkon pёrkrah me dashurinё, qё e ushqen shpeshherё, e paralajmёron, e bluan, e gёrryen. Me fjalё tё tjera, urrejtja ndahet nga dashuria nga njё cipё e hollё, e brishtё, e epshme dhe shpesh ndёrthuren me njёra-tjetrёn, pa ditur ku mbaron njёra e ku fillon tjetra. Krahas urrejtjes, tek Medea vihet re një karakter inatçor dhe Euripidi paralajmёron se nё pёrgjithёsi, inati ёshtё më i fortë se gjykimi. Sipas antropologut Giuseppe Sergi (1841-1936) mbi gruan sundon inati mbi ndjenjën. Inati është grada e parë e ndjenjёs, që mund të bëhet ndjenjë përfundimisht, ose të mbetet në formën e saj më të egër dhe të porsafilluar. Sipas këtij arsyetimi pararendësi i urrejtjes sё Medeas ka qenë inati i saj. Në të  gjithë dramën e saj personale, Medea nuk e sheh veten të vetmuar në fatin e saj. Nё çastin final, ajo konstaton me dhembje, mё e kthjellёt se kurrё, se nga tё gjitha krijesat me shpirt e gjykim, mё tё mjerat qёnkёrkan gratё. Patriarkati tashmë duket i pushtetshëm dhe i rrënjosur. 

Në planin e saj mizor për hakmarrje ajo konsiderohet si një vrasëse e përkryer seriale. Hakmarrja duhe të jetë gjithëpërfshirëse, vuajtëse dhe sfiltëse për Jasonin. Kështu ajo së pari helmon Glaukёn, tё dashurёn e tij. Mё pas, vdes i ati i Glaukёs, Kreoni, i cili rreket të përqafojё të bijën dhe helmohet nga pelerina e saj. Akti final i hakmarrjes: Medea vret mizorisht të dy djemtë e saj, fryt i dashurisë me Jasonin. Ky akt barbar është më shtazaraku i kryer nga një grua në të gjitha mitet apo letërsinë botërore. Ndërkohë duke vrarë Glaukën dhe dy djemtë, ajo e ka lënë Jasonin pa pasardhës, gjë që për aristokracinë e antikitetit patriarkal përbënte fatkeqësinë më të madhe.

Jasoni tek sheh djemtё e tij tё përgjakur klith: “Më vrave grua!”. 

Si pёrfundim, Medea është karakteri i femrës kriminele që vret në emёr të pasionit. Ajo është padyshim figura më e errët e gruas në mitologjinë dhe tragjedinë antike dhe jo vetëm. 

Klitemnestra 

Shumë komplekse mbetet figura e Klitemnestrës, gruas së Agamemnonit dhe nënës së Orestit. Figura e saj e ka binjakëzmin e saj me nënën e Hamletit në tragjedinë shekspiriane. Mbretereshë e Mikenës që vrau të shoqin, prej mëse tre mijë vitesh, ajo ka hyrë në histori si simbol i gruas së pabesë dhe kriminele. 

E kishte përgatitur planin e vrasjes me hollёsi, apo e kreu si krim tё çastit, kjo enigmë ende nuk dihet saktësisht. Sipas Homerit, Klitemnestra me të marrë vesh lajmin që Agamemnoni po kthehej triumfator nga lufta e Trojёs, nisi Egistin, të dashurin e saj, të vëzhgonte horizontin nga ku po vinte Agamemnoni me anijet e tij. Posa vuri re sinjalin e Agamemnonit, Egisti shkon ta presё e ta përshëndesë mbretin. Sipas Homerit, Egisti kishte paguar dymjёdhjetё vrasës pёr tё vrarё Agamemnonin gjatë gostisë. Kaq na thotё Homeri. Sipas burimeve të mëvonshme (sidomos të disa pikturave në vazo), nga na vjen konkretisht shёmbёlltyra e Klitemnestrës, ajo e godet të shoqin  me sopatë pas shpine, ndërkohë që ai ishte duke bëre banjë. Lё jetёn pa asnjё lavdi, nё njё vaskё qesharake, nё atё shtёpi tё ёndёrruar aq shumё, pas njё lufte tё tmerrshme, jehona e sё cilёs do t’i mbetej pёrjetёsisё. Mё pas, Klitemnestra martohet me Egistin të cilin e bën trashgimtar të fronit mbretëror të Mikenës. Shumë autorë që nga Homeri, tek Eskili, Euripidi dhe deri tek ata modernёt, janë përpjekur të gjejnë arsyet që e shpunë Klitemnestrën tё kryente  krimin. Sipas Agamemnonit të Eskilit (458 p.e.s), Klitmenestra u hakmorr pёr të bijën, Ifigjeninё e bukur, tё sakrifikuar pёr atё luftё qё ajo ndiente se nuk i pёrkiste. Edhe Euripidi tek Ifigjenia në Aulidë (407 – 406 p.e.s), përpiqet të gjejё shkaqet e krimit. Nëse do të pranonim hakmarrjen për shkak të së bijës, atëherë Klitmenestra do të na shfaqej edhe si një pasardhëse e denjë e matriarkatit ku lidhjet e gjakut janë shumë të shenjta. Këtu Klitmenestra është krejt e ndryshme nga Medea. 

Një tjetër arsye që mund ta ketë shtyrë Klitemnestrën drejt krimit është tradhtia e Agamemnonit. Ai ka sjellë njё robinjё nga Troja, Kasandrën dhe dy fëmijët që kishte me të. Nëse i mbetemi këtij versioni, mund të themi se Klitemnestra nuk e kishte llogaritur krimin fatal, por demoni i sё keqes ngre krye kur sheh rivalen. Duhet tё kemi parsysh se në kohёn kur fuqizoheshin mitet, mashkulli kishte të drejtë të tradhtonte, ndërsa gruaja jo. Ndoshta ky moral patriarkal ishte i papranueshёm pёr Klitmenestrën dhe ajo vepron në kundërshtim të tij. 

Arsye tjetёr mund tё jetё hakmarrja në emër të braktisjes. Shumë vite kaloi nё vetmi, shumё lodhje dhe pёrpёlitje pёr njё luftё për të cilën nuk ishte përgjegjëse, por qё e bёri tё ndihej njёsoj viktimё. Në vend të mallit, ajo grumbulloi hakmarrje, inat, tërbim, xhelozi, mllef dhe neveri për të shoqin. 

Është gati e pamundur që nëpërmjet mitit apo tragjedisë greke të kuptosh nëse akti kriminal i Klitemnestrës është rrjedhojë e dashurisë për Egistin apo i urrejtjes për Agamemnonin. Nuk është çudi që urrejtja për Agamemnonin e ka shpënë në krahët e Egistit. Sido që ta kthejmё, në thelb të krimit të saj ndaj Agamemnonit apo dashurisë për Egistin ka vetëm një shtysë dhe kjo është inati i madh dhe hakmarrja e verbër. Hakmarrja e ka shtyrë Klimenestrën në krim sikundёr  Medean. Sipas shumë studiuesve, gruaja është e prirur të hakmerret dhe në më të shumtën e rasteve hakmarrja është arsyeja kryesore që e çon në krim. 

Në të gjithë këtë analizë nuk duhet të harrojmë se Klitemnestra donte edhe pushtetin mbretëror, se, në të kundërt, si e motra Helena, ajo mund të ishte arratisur me Egistin. Por ajo nuk e zgjodhi këtë rrugë, pasi nëse e motra shkoi të mbretërojë diku tjetër, Kltimenstra me Egistin nuk e kishin kёtё mundësi. Asnjëherë nuk duhet të nënvlerësojmë dëshirën për pushtet tek gruaja dhe tёrheqjen qё ajo ka pёr mashkullin e veshur me pushtet. Nëse nuk gjen mashkull tё pushtetshëm, ajo e kërkon pushtetin në çdo formë dhe me çdo mjet per t’ia dhuruar atij apo gëzuar vetë pushtetin. Klitemnestra e kishte drejtuar Mikenën për dhjetё vjet rresht, ndërsa i shoqi ishte në luftë dhe ndoshta kjo ishte arsyeja tjetër pse ajo e shihte Agamemnonin si pengesë tё superpushtetit të saj. Miti na rrëfen se i biri, Oresti, e vret të ёmën së bashku me Egistin. Përse Oresti zgjodhi të vras të ëmën dhe nuk ndali në dilemën hamletiane, ky nuk është objekt i këtij punimi, por një gjë mund të shpjegohet se edhe ai duke vrarë të ëmën, trashëgon mbretërinë e Mikenës dhe patriarkati tashmë është vulosur.  

Miti i Klitemnestrës dhe ai i Medeas është i pasur me shumë analiza sa psikologjike aq edhe sociale; por ndërkohë nuk mund të rrimë pa vendosur edhe një devizë morale që i përshkon të dy mitet. Si tek njëri, edhe tek tjetri, një krim i lë vendin krimit tjetër, krimi i dytë  bëhet edhe më i rëndë se i pari e kështu me radhë, krimi krijon krim dhe asnjë lumturi që mban ngjyra krimi nuk mund të zgjasë shumë. Ky mesazh është i lashtë sa vetë njerёzimi. Shakespeare-i do e përmbidhte këtë devizë nё tragjedinё e tij Makbeth (1605-1608): “ Çdo gjë e nisur për keq, përfundon për keq dhe për dreq”. 

Ja pra, jemi në fund të analizёs sё figurave femërore më komplekse në historinë e mitologjisё antike. Janë figura të “vjedhura” ndër shekuj kaq shumë nga letërsia dhe arti botëror. Ndërkohë këto figura i gjejmë nё jetёn reale po në forma të ndryshme edhe sot. Gjejmë gruan e fandaksur që vret nga pasioni, gruan e mjerё që dashuron pa kushte e gruan me shtatё koka që hakmerret apo dashuron deri në skaj. Kujtesa e mitit vetëm na rrëfen se në thelb asgjё s’ka ndryshuar në shpirtin dhe ndërgjegjen njerёzore. Të gjitha heroinat e miteve me dashuritë dhe urrejtjet e tyre, me tradhëtitë dhe besnikëritë, me sakrificat dhe bujaritë,  me nënshtrimet dhe rebelimet, me dinjtetin dhe ndershërinë, shfaqin para nesh kompleksin e papërsëritshëm të shpirtit femëror qё ende nuk njihet deri në fund. Lambroso në librin e tij të famshëm Gruaja kliminele (1895), thotё se shpirti i femrës ёshtё njё enigmë e pazgjidhshme. 

Po e mbyllim me Freud-in. Gjeniu qё ndryshoi botёn me intuitёn e tij, deri nё fund tё jetёs, shprehej se mister pёr tё kishte mbetur gruaja. “Kurrë nuk e mësova dot se çfarë duan gratё”, kishte dёshirё tё pёrsёriste. Dhe ne pёrfytyrojmё se, teksa thoshte kёshtu, fёrkonte mjekrrёn e thithte pёrmallshёm puron. Nё fund tё fundit, patriarku Freud e kishte bёrё tё vetёn: e kishte hedhur njё rreze tё fuqishme drite pёr tё shpёrndarё mjegullёn qё, ende sot e kёsaj dite, mbulon mendjet tona patriarkale.  

Filed Under: Opinion

DIELLI ME SHQIPTARËT E ITALISË, SHKOLLA SHQIPE “UDHA E SHKRONJAVE”

March 4, 2022 by s p

Hasan Bulçari, udhëheqësi Artistik i Qendrës së Artit e Kulturës “Margarita Xhepa”, në të cilën bën pjesë edhe shkolla “Udha e Shkronjave”, në një bashkëbisedim me Editorin e Diellit të Vatrës në New York Sokol Paja, rrëfen organizimin e mësimit shqip në Itali, aktivitetet patriotike, kulturore dhe edukative pranë Qendrës së Artit e Kulturës “Margarita Xhepa”, sfidat për ruajtjen e gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar në mërgatën shqiptare të Italisë.


HISTORIKU I SHKOLLËS “UDHA E SHKRONJAVE”


Në fakt shkolla u krijua nga shoqata Assoalbania Piemontesi një kërkesë e kohës, duke parë se komuniteti shqiptar në Asti është shumë i madh, në krahasim me numrin e popullsisë vendase. Në qytetin e Astit, në fillim, në Mars të ’91-shit, u sistemuan rreth 700 shqiptarë. Pra një shqiptar në çdo 100 banorë vendas. Një numër i konsiderueshëm për një qytet si Asti, pa industri. Në vitin 2013 krijuam shoqatën Assoalbania Piemonte, e cila pati një njohje shumë të shpejtë për veprimtarinë e saj, jo vetëm në komunitet, por edhe nëpopullsinë vendase. Në 2015, kur ne vendosëm për shkollën, në Asti ishin pothuajse 900 familje me leje qëndrimi, pa llogaritur ata që kishin marrë nënshtetësinë italiane. Kishim dëgjuar që kishin filluar të hapeshin shkolla shqipe (më saktë ishin kurse të gjuhës shqipe) dhe e kërkuam me këmbëngulje në bashkinë e qytetit të mund të na jepnin mundësinë e shfrytëzimit të ndonjë klase të shkollave shtetërore. U shfrytëzuan të gjitha njohjet e lidhjet miqësore derisa na erdhi propozimi: të hartohej një projekt i përbashket midis shoqatës sonë, bashkisë sëqytetit të Astit dhe qendrës së instruksionit për të huaj, CPIA Asti, projekt të cilin e quajtëm URA. Ura për ne kishte kuptimin e lidhjes midis dy gjuhëve, dy kulturave, dy vendeve, midis shqiptarëve e vendlindjes. Për italianët Una Radice Albanese (Një Rrënjë Shqiptare) Me hartimin e këtij projekti, u firmos menjëherë kontrata, ku sejcila palë kishte pjesën e vet edhe në shpenzime.


ORGANIZIMI I MËSIMIT SHQIP, KURRIKULA, TË VEÇANTAT E SHKOLLËS SHQIPE

U organizuam menjëherë dhe filluam të kërkonim mësues. Patëm patur disa kontakte që dinim tëishin dipolomuar në universitetet tona, apo edhe që kishin punuar si mësues në Shqipëri. U bëme thirrje dhe na u përgjigjën menjëherë. U organizuam e shkuam deri në Shqipëri për të blerë librat, të cilat i sollëm me autobus e që na kushtuan mbi 1.000,00 euro. Nga këto libra, mësueset tona hartuan programet (pasi ne e kishim shkollën në dispozicion vetëm tre ore të shtunave, 9:30 – 12:30 e kështu reduktuan mjaftueshëm tekstet.Po, si do të quhej kjo shkollë, librat së cilës po i vinin me arka nga Shqipëria? Një udhëtim i gërmave shqipe, si ai i Dhaskal Todhrit,por kësaj rradhe, për t’u larguar nga Shqipëria… pra,po vazhdonte “Udha e Shkronjave”. Ishim të ndërgjegjshëm që gjuhën shqipe, nuk mund t’ua mësonim fëmijëve vetëm me dy tre orë në jave, prandaj vendosëm një “sulm” me front më të gjërë, përderisa mundësitë i kishim. Pra sëbashku me gjuhën t’u mësonim fëmijëve edhe këngën, vallet dhe instrumentet popullorë. Të gjitha këto në shërbim të gjuhës dhe rezultatet ishin të menjëherëshme e mjaft të kënaqeshme. Mbi 70 nxënës të regjistruar! Shkuam për përvojë edhe në shkollën “Scanderbeg” të Parmës me drejtor Durim Lika, një djalë i palodhur, dhe kështu filloi me mjaft dashuri e entusiazëm puna për mësimin e gjuhës sonë të bukur. Duke parë seriozitetin e punës në shkollë, patëm shumë oferta për mësuese, por krahas mësueseve, shkollës sonë jua afruan edhe dy instrumentistë popullorë e një balerinë e huaj(lituane), e cila ishte martuar me një nga djemtë e shoqatës sonë… dhe po ta pyesje Irinën (balerinën lituane) se nga ishte me origjine, ajo të përgjigjej menjëherë duke qeshur, nga Korça. Natyrisht duhet pranuar se jo vetëm puna jonëështë per t’u theksuar, por mbi të gjitha dëshira e madhe e prindërve, që fëmijët e tyre të ndiqnin shkollën shqipe e të mësonin gjuhën shqipe.

GJUHA SHQIPE SI FORMË E IDENTITETIT KOMBËTAR


Sëpari për këtë duhej të mendonte shteti. Po cili shtet?! Ai nuk ishte fare përsa i takon kësaj teme. Ishin vetë mësuesit në diasporë, heronj e patriotë të vërtetë qëpreokupoheshin, shqetësoheshin, sakrifikonin për ta realizuar më së miri misionin e tyre fisnik. Shteti i Kosovës ishte shumë më përpara në hartimin e kurrikulave e botimin e librave. Mbanin herë pas here seminare. Një emër i dashur për të gjithë mësuesit e diasporës në Europë, u bë i kudogjenduri, i palodhuri profesor Nuhi Gashi, ose Ndrecë Ndue Gjoka i kohës sonë. Duke parë seriozitetin e punës sonë, nëpërmjet shtetit të Kosovës, Lidhja e mësueseve shqiptare në Itali, organizoi në 2 Qershor 2019 në Asti, Takimin Kombëtar të Diturisë. Rreth 500 shqiptarë, nxënës e prindër, të ardhur nga e gjithë Italia, do të kalonin me autobusa të mbuluar me flamurin tonë në sheshin 1 Maji në Asti, ku, ndërkohë autoritetet vendase po festonin Festën e Republikës. Edhe mikpritja ishte shqiptare e kaloi mrekullisht bukur! E ndërkohë po zgjohej edhe Shqipëria, ose më saktë po zgjohej pjesa burokratike, ajo që do sillte më tepër ngatërresa e pengesa…Tashmë bëhej fjalë që prindërit, të ishin të ardhurit këtu në moshë të vogël, apo edhe në mos, një pjesë të kishin lindur këtu, në Itali, pra ishte disi e vështirë edhe për ta t’ua mësonin vetë gjuhën me shkrim e këndim. Një pjesë tjetër ishte prej atyre që kishin ardhur me bashkim familje, apo mundësi të tjera,pikërisht në një kohë kur në Shqipëri nuk mendohej më për shkollën… prandaj të gjithë e shikoni si një domosdoshmëri ndjekjen e këtyre shkollave, si kusht themeltar, domosdoshmëri për krijimin e ruajtjen e identitetit kombëtar. Elementet e tjerë si kurset e valleve, të çiftelive etj, e bënë edhe më të dashur këtë shkollë e me më interes pjesëmarjen e fëmijeve.


BASHKËPUNIMI PRINDËR NXËNËS DHE E ARDHMJA E SHKOLLËS SHQIPE


Pasi patëm mundësinë të kemi listat e plota të familjeve shqiptare dhe adresat e tyre, hartuam një ftesë të përbashkët edhe me bashkinë e qytetit dhe ua kemi shpërndarë familjeve shqiptare derë më derë. Natyrish ishte fillimi e ndonjëri në mënyrë dështake hiqej sikur ishte italian dhe nuk i interesonte një gjë e tillë, ndonjë tjetër duke thënë se fëmijët e tij nuk kishin nevojë të mësonin shqip, etj.Por për fat të “keq” të tyre, i pamë të trokisnin te porta e shkollës, duke kërkuar të regjistronin fëmijët e tyre. Ishin fëmijët vetë që kishin hapur fjalë, duke folur me njëri tetrin, përsëritur hapat e valleve, apo duke imituar çiftelinë, që ua kishin rritur “zilinë” edhe të tjerëve… Numri ishte përditë e në rritje. Fillimisht ata 20 fëmijë, të cilën ditën e parë rrinin të fshehur, të ndrojtur mbas fustanit të nënave, ditën e dytë diçka më ndryshe, ditën e tretë nu kishte forcë t’i ndante nga njëri-tjetri… dhe numri arriti në shtatëdhjetë…Merrni me mend gëzimin tonë, tashmë 70 fëmijë shqiptarë, qëfillimisht nuk njiheshin fare me njëri-tetrin, tani mezi prisnin orën të ishin bashkë, të flisnin një gjuhë, të këndoni një këngë, të kërcenin një valle. Po kështu u njohën e u lidhën edhe 70 familje, që do të thotë 140 prindër e me gjyshër, motra, vëllezër, teze, halla daja, etj. nuk kishte më vënde në sallën ku do bëhej koncerti i mbylljes së vitit shkollor. Pra ishin me qindra shqiptarët që, tashmë në një formë apo në një tjetër, kishin lidhje me shkollën tonë. Ndërkohë, pas shumëpërpjekjesh e pas suksesit të shkollës, një tjetër lajm i bukur na priste. Pushteti vendor kishte vendosur tën a jepte një ndertese (per t’u ribërë nga e para) e të bënim shkollën tonë. Aty u bëmë thirrje shqiptarëve. Dhe aty pamë respektin për punën tonë e dashurinëpër gjuhën kulturën tonë. Ishin tëshumtë shqiptarëtqëna u përgjigjën. Pati edhe vendas qëdhanë kontributin e tyre në ndërtimin e Qendrës së re, të cilën kishim vendosur ta bënim edhe shkollë edhe Qendër të Artit e të Kulturës. Unë vetë, kisha studjuar.Si fillim kisha një përvojë jo të vogël me veprimtaritë kulturore evija nga një tempull i artit skenik shqiptar, teatri i Skampa Elbasanit. Dhe Qendra u ngrit, u ndërtua dhe… u përurua në 21 shtator të vitit 2019! Një festë e paimagjunuar! Një festë që nuk ka për t’u harruar kurre, jo vetëm për organizimin, por mbi të gjitha për pjesëmarrjen, për përgjigjen që i bënë ftesës sonë, në përurimin e të parës Qendër Arti e Kulture në europë, të ngritur tërësish me kontributin e bijve të shqipes, të gjithë artistët më të mëdhenj të kombit tonë, PA ASNJE PAGESE! Nga Shtetet e bashkuara erdhi Akademia Shqiptaro-Amerikane e Artit dhe e Shkencës, me prof. Doktor Skënder Kodra, bilbili i këngës popullore Merita Halili me të shoqin Raif Hyseni, poetja e madhe e Dashurisë universale Iliriana Sulkuqi, Shoqata “Bijtë e Shqipes” e shkolla “Gjuha Jonë”; nga Kanadaja mbretëresha e valles, Mjeshtër i Madh, Nderi i Kombit, Liliana Cingu;nga Kosova, artisti i merituar i Republikës së Kosovës Ilir Shaqiri; nga Kalabria artisti i paharruar Zef Kakoca; nga Greqia shoqata e shqiptarëve “Emigranti” Patras e shkolla “Naim Frasheri”, shkrimtari, poeti, përkthyesi, eseisti Iliaz Bobaj; nga Gjermania shqiptaromadhi Ismail Hodaj, etj…Nga Shqipëria jonë e dashur emra të mëdhenj, të dashur për të gjithëne, duke filluar nga Mjeshtrat e Mëdhenj Tinka Kurti, Myfarete Laze, Kastriot Tusha, Naim Gjoshi, Minella Kureta,Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarëe pastajFatbardh Marku, Zeqir Sulkuqi, Eduart Cala, e shumë e shumë të tjerë. Nga Italia prof. Ndue Lazri, këngëtari Bahri Rustja, poetët Tonin Nikolli e Skënder Laze, Laureta Lilaj e shumë përfaqesues e drejtues shoqatash e shkollash… Erdhi nga Federata Botërore e Paqes Gaqo Apostoli… Por mbi të gjithë, në krye të vendit ishte Ajo, që me dorën e saj u shkroi urimin e parë nxënësve të shkollës sonë. Ajo,të cilën të gjithëdonim ta kishim sa më pranë nesh, duke e pagëzuar Qendrën tonë me emrin e saj, Artisten e Popullit, Mjeshtër i Madh, Nderi i Kombit, Margarita Xhepa. Këta emra treguan edhe njëherë madhështinë e tyre, tek merrnin pjesë në përurimin e tëparës Qendër Arti e Kulture Mbarëkombëtare. Pra kish ardhur koha që shqiptarët në diasporëtë mendonin edhe për artin e kulturën e tyre, veç gjuhës.


SFIDAT E MËSIMIT SHQIP MES TEKNOLOGJISË, PANDEMISË DHE VËSHTIRËSIA E FËMIJËVE ME DY GJUHË


Mbas përurimit, rruga ishte e gjitha e drejtë, me pak vështirësi, por që do të dinim t’i zgjidhnim. Mbase do të kishte qënë shumë me lehtë, po të mos “gjallosej” ai shqiptari i Fishtës së madh apo i Faik Konices, që kemi brenda vehtes… por tashmë kishim besimin e të gjithëve, të komunitetit e të pushtetit lokal. Ashtu siç u shpreh edhe kryetari i ri i bashkisë:“Dashuria e respekti për komunitetin shqiptar,është pika që bashkon e gjen dakordësi në të gjitha forcat politike.” Falë besimit të fondacioneve, pjesëmarrja e fitimi i garave të ndryshme, Qendra jonë e Artit dhe Kulturës po paisej me mjete të teknologjisësë fundit si komputera, monitorë interaktivë multimedialë të dimensioneve të mëdha, kështuqë detyra ishte të gjenim mundësinë t’i aplikonim, t’i vinim në punë. Mund të duket paradoksale, por shpesh ishin vetë fëmijët, të rinjtë, ata që a arrinin t’u spjegonin mësuesve përdorimin e një platforme apo të njëtjetre. Femijët janë si sfungjeri. Ata thithin shumë e dy gjuhë nuk janë asgjë fare për kapacitetin dhe freskinë e trurit të tyre, aq më tepër që tashmë Qendra jonë ishte kthyer në një akademi të vërtetëArti, me kurse të ndryshme si ai i recitimit, këngës, valleve, gjuhës së shenjave (LIS), violinës, pikturës, çiftelisë…Mësuesi i vizatimit Marco Ribaldone (italian) u shpreh se i kishte bërë përshtypje fakti që fëmijët, sidomos më të vegjëlit, gjëja e parë që vizatonin, sapo merrnin lapsin e letrën, ishte flamuri me shqiponjën… Pra do të thotë qëishim e jemi në rrugë të mbarë!


GJUHA SHQIPE SI TRASHËGIMI SHPIRTËRORE DHE IDENTITARE KOMBËTARE


Vinte nga shumë larg kjo trashëgimi. Edhe pse na ishte thënë që shkolla e parë shqipe u hap në 7 mars 1887, mësuam se kjo nuk ishte dhe aq e vërtetë. Historia mësonte se shumë e shumë kohë më përpara në veri të vendit u hapën shkollat e para e ndërkohe kisha katolike u mësonte të shkruanin në shqip të gjitha lutjet e funksionet. Unë mendoj se bijtë më tëmirë të shqipes, për të cilët historia e emigracionit shqiptar nuk duhet të rreshtë së shkruari, janë ata që iu përveshën kësaj pune, pa asnjë përfitim, madje duke shpenzuar nga xhepat e tyre, duke konsumuar njohjen e kreditet që kishin në vëndet ku ishin sistemuar, duke i hequr familjes kohë, e cila në emigracion nuk mjafton kurrë, dhe duke ia kushtuar qëllimit e misionit të tyre fisnik; mësimit të gjuhës shqipe! Falë kësaj pune kolosale, edhe dashurisë që prindërit u rrënjosin fëmijëve për gjuhën shqipe, dhe nga dokumentat historike, nga historianë të huaj, shpreh bindjen se gjuha shqipe, një ndër më të vjetrat në botë, erdhi deri në ditët e sotme e kalitur nga zjarri i dashurisë, nga flaka e tymi i urrejtjes së armiqëve… dhe se Europa i ka një borxh të madh kësaj gjuhë të natyrës, gjuhe të Perëndisë!


KUSH ËSHTË HASAN BULÇARI?


Këshilli drejtues i shoqatës Assoalbania Piemonte përbëhet nga pesë veta (disa larguar për arësye trasferimi, pune etj. ndonjë edhe larguar përfundimisht në Shqipëri), eshte ai që organizon e ndjek punën e dhejtra e dhjetra vullnetarëve, të cilët shërbejnë si ura lidhëse midis këshillit, stafit pedagogjik e prindërve. Kemi midis tyre vajza të afta e të arta, me plot dashuri, pasion e përgjegjësi për atë që bëjnë, prandaj edhe puna jonë është më e lehtë. Mësueset e shkollës janë të gjitha zonja të dipllomuara në Universitetet tona si ai i Tiranes, Elbasanit, Shkodrës në profile të ndryshme, si mësuës të ciklit të ulët apo mësues të gjuhë letërsisë. Kemi nga ato që edhe kanë patur përvojë shumëvjeçare në shkolla në kryeqytet, madje edhe në gjimnaze të kryeqytetit! Edhe instruktorët e kurseve i kemi të niveleve të larta, të diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve apo në Akademinë e Arteve në Tiranë apo në Torino etj. Natyrisht, instrumentat popullorë na vijnë pas një përvoje jo të vogël në skenat tona. Kursi i shahut është një tjetër prurje me interes. I ndjekur nga nje i ri shqiptar që ka marrë të gjitha liçencat kombëtare e ndërkombëtaretëmësimdhënies e trainimit. Unë jam Udhëheqësi Artistik i Qendrës së Artit e Kulturës “Margarita Xhepa”, në të cilën bën pjesëedhe shkolla jonë “Udha e Shkronjave”.Një vlerësimi i punës sonë, na erdhi së fundmi edhe nga Ministria e Punës së Italisë, e cila nën kujdesin e Regione Piemonte, na akordoi një fond për realizimin e një kursi gazetarie e videomaking. Docentët nëkëto kurse ishin gazetarë të Rai-t (Radio Televisione Italiana) e të gazetave të ndryshme të rëndësishme italiane, si edhe teknikë të studiove të regjisë e montazhit me përvojë pune në RAI. Kursi është në përfundim e sipër e së shpejti do të kemi edhe televizionin tonë. Redaksi të ndryshme kanë filluar nga puna për mbledhjen e materialeve. Kemi në dorë edhe një skenar të plotë, të mirëfilltë filmi artistik, në bashkëpunim me shkrimtaren tashmë të afirmuar, Vita Blloshmi. Nëse e vutë re, unë nuk përmenda asnjë nga emrat tanët. Por i jam, e u jemi mirënjohes të gjithëve atyre që na gjenden pranë, që me punën, pasionin, dashurinë e tyre, po lënë një gjurmë të artë në historinë e gjuhës e kulturës shqipe në diasporë.

Filed Under: Politike

Lavdi përjetë Epopesë së UÇK-së

March 4, 2022 by s p

Sokol Paja/

Në nderim të ditëve të Epopesë së UÇK-së, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju-Jork organizoi ekspozitën me autor, piktorin z. Nazmi Hoxha. Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA u përfaqësua nga Kryetari i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj, vatranët Gëzim Nika e Angelina Nika(Mjeshtër i Madh), Editori i Diellit, vatranë, Gjeneral Gani Shehu nga Batalioni Atlantiku e shumë patriotë e veprimtarë të komunitetit shqiptar në New York e më gjërë. Ekspozita u hap sot të enjten, më 3 mars 2022, nga ora 17:00, në ambientet e Konsullatës. Me dhjetëra pjesëtarë të komunitetit shqiptar në New York e më gjërë morën pjesë në këtë ekspozitë homazhi dhe nderimi ndaj heroit legjendar Adem Jashari, familjes e çdo heroi që u flijua për lirinë e Kosovës.Fjala e Ambasador Frymëzim Isufaj:Të nderuar të pranishëm, Ju faleminderit që keni gjetë kohë të jeni me ne sonte. Jo rastësisht kemi përzgjedhë këtë ditë për të bërë hapjen e kësaj ekspozite të Piktorit Nazmi Hoxha. Sot, më shumë se asnjëherë më parë, duke parë edhe zhvillimet e fundit që po ndodhin në Ukrainë, e kuptojmë edhe më tepër çmimin e lirisë, se sa e shtrenjtë është ajo, dhe sa sakrificë është nevojitur që sot Kosova të jetë e lirë. Datat 5, 6, dhe 7 Mars janë datat e themelit të lirisë së Kosovës. Ajo që ndodhi 24 vjet më parë, në fillimet e marsit të vitit 1998 do të jetë një dëshmi e gjallë për botën e qytetëruar dhe përgjegjësit e saj politik e diplomatik. Në të vërtetë kjo ngjarje kaq e fuqishme për nga përmasat e saj të flijimit unikal, të qëndresës e të masakrimit do ta ngrejë çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore. Fillim Marsi i vitit 1998 ishte i rëndë për familjen Jashari, por edhe gjithë Kosovën, ku 55 anëtarë të kësaj familje, në mesin e tyre mbi 20 gra e fèmijë, u flijuan për Kosovën. Me të drejtë, datat 5, 6 dhe 7 Marsi 1998, janë cilësuar si: • Beteja që përcaktoj të ardhmen e shqiptarëve. Beteja që ua ktheu dinjitetin shqiptarëve. Beteja që frymëzon çdo atdhetar. Në nderim të këtyre datave të rënies heroike të familjes Jashari, ne përmes kësaj kanë frymëzuar edhe autorin e ekspozitës. Ju falënderoj nga zemra edhe njëherë për pjesëmarrjen.

Filed Under: Komunitet

Shqipëria, Kosova dhe nevoja e një strategjie kombëtare mbrojtjeje

March 4, 2022 by s p

Ermal Hasimja/

Pushtimi i Ukrainës tregon se rreziqet nuk janë kurrë aq larg sa duken. Është e vërtetë që Shqipëria mbrohet nga NATO-ja, por kjo nuk duhet të na bëjë të heqim dorë nga një strategji kombëtare mbrojtjeje. Strategji reale, jo thjesht në letra. E vërtetë se nuk kemi mundësitë financiare të një vendi të pasur, por duhet patur parasysh se në ditët e sotme egzistojnë strategji mbrojtëse për çdo situatë. Mbi të gjitha një vend armik nuk i trembet vetëm idesë së humbjes së luftës, por edhe idesë së rezistencës dhe kostove të paparashikuara të saj. Shqipëria ka një rast të ngjashëm në 1920-n kur ushtria italiane u tërhoq nga Vlora jo thjesht prej sulmit shqiptar, por sidomos prej kundërshtimit të hapur që i bëhej luftës në parlamentin dhe opinionin publik italian. Ndërsa për Kosovën është e pafalshme nëse nuk nxjerr mësimet e veta nga kjo situatë. Ajo e ka rrezikun në derë dhe të ardhmen të pagarantuar. Askush nuk të mbron aq mirë sa ushtria jote. Marrëdhëniet ndërkombëtare nuk funksionojnë me logjikë sentimentale, por me logjikë realiste. Në 100 vitet e fundit plot shtete janë bërë kurban për arsye të ndryshme. Minimalisht, shteti i Kosovës duhet të jetë i aftë që ta bëjë tepër të kushtueshme çdo ëndërr të mundshme të Serbisë për të hyrë në territorin e saj. Ky shtet duhet gjithashtu të dëshmojë përpara bashkësisë ndërkombëtare se është shtet serioz, demokratik dhe bashkëpunëtor korrekt i Perëndimit. Një shtet i vendosur dhe serioz mund të mbrojë vendin e tij edhe në situata të vështira kur shanset janë kundër tij. Arma më e mirë për këtë është parashikimi i skenareve të mundshme dhe përgatitja për më të keqen shumë kohë përpara se ajo të ndodhë. Më mirë të përgatitur e të pasprovuar, sesa të papërgatitur e të befasuar.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT