
100 vjetori i marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane – Bashkëbisedim në Vatër / Ftohet komuniteti shqiptar në New York e më gjërë që të marrë pjesë

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by s p

by s p

by s p
IMZOT ERNESTO ÇOBA
(1913 – 1980)
Pergatiti Fritz RADOVANI:
Jo larg nga Shkodra në Vaun e Dejës, asht kenë Kisha ku asht kunorzue i madhi Gjergj Kastrioti, e njohun Kisha monumentale e Vaut të Dejës. Kur Shkodra ishte e rrethueme në 1912, aty kishin shkue prindët e Imz. Çobës. Asaj Kishë Ai i ka qendrue besnik deri në vdekje dhe pa ju tutë syni.
Asht kenë viti 1913, me 16 Shkurt, kur në Vaun e Dejës u le Ernesto Luigj Çoba, atëherë kur Katedralia e Shkodres rrahej në top nga Mali i Zi.
Ka vazhdue shkollen tek Jezuitët e Shkodres, dhe vendosi me u ba Meshtar.
Me datën 11 Shkurt 1936, Imzot Gjon della Pjetra SJ., e shuguron meshtar në Kishën e Shën Jozefit, pranë Jezuitve, ku Don Ernesto vazhdoi me kenë mësues. Mbas shugurimit të Imzot Gaspër Thaçit, me datën 19 Mars 1936, Don Ernesto asht ndihmës famullitar i Shkodres, deri me datën 30 Prill 1946, kur emnohët Zv. Famullitar në Shkoder.
Prej datës 16 Dhetor 1946 e deri me 1 Janar 1952 asht sekretar i Arkidioçezit të Shkodres, kohë në të cilën vdes Imzot Gaspë Thaçi, arrestohet Don Mikel Koliqi dhe kështu, Don Ernesto, merr titullin e Famullitarit të Shkodres. Me datën 20 Prill 1952 shugurohet Ipeshkev nga Imzot Bernardin Shllaku, Ipeshkëv i Pultit dhe tue kenë i vetëm Ipeshkëv në Shqipni. Imz. Çoba mban detyren e Sekretarit të Pergjithshëm të Kishës Katolike.
Nga data 9 Nandor 1956 kur vdes Imzot Bernardin Shllaku, dhe deri me 21 Mars 1957, pret miratimin nga qeveria e Tiranës, e cila simbas Statutit të Kishës Katolike që ishte aprovue në vitin 1951, e aprovon si Kryetar i Kishës Katolike në Shqipni. Menjëherë u gjet para një prove të madhe dhe shumë delikate, mbasi me datën 7 Prill 1858 ishte dita e vumjes së gurit të parë të Kishës Kathedrale të Shkodres, kështu Imzot Çoba fillon detyrën pikërisht në pragun e 100 vjetorit të Asaj Kishë, që gjithmonë asht thirrë Kisha e Madhe. Merita e pregatitjes së asaj festë i përket Imzot Çobës, i cili me punën e madhe të Tij dhe kujtimin që ka lanë në historinë e Shkodres, thohet pa mëdyshje se ka mbetë i paharrueshëm në zbukurimin e Kishës dhe zhvillimin e ceremonive të Festës. Imzot Çoba ka dy merita për punën artistike që u ba në ndertimin e ri t’ Elterit të madh simbas projektit të arkitektit, piktorit dhe skulptorit Kol Idromeno, që ishte dhe daja i nanës së Imzot Çobës, vepër e cila kompletonte edhe tavanin e mbrekullueshëm të Kathedralës që ishte punue nga vetë Kola. Njëkohësisht sfondi i Elterit i punuem nga piktori At Leon Kabashi, ndersa kuadri i madh i vendosjes së gurit të parë nga piktori Simon Rrota plotsojnë anen estetike. Punimi i katekizmit në shtyllat e Kishës, në mungesë të teksteve se nuk mund të botohej asgja për me mësue besimin fëmijët, janë vepra që meritojnë me u quejtë dinjitoze po, edhe shumë të guximshme tue dijtë luftën e madhe që i bahej Kishës dhe Klerit nga shteti fanatik antikatolik komunist i Tiranës.
Por Imzot Çoba nuk mjaftohet me kaq, Ai njëkohësisht pregatitë në kushte private, përndjekjet dhe survejimi disa klerikë të rijë, në një kohë rekord që nuk ka as seminar, as profesora dhe as tekstet e nevojshme që duhen për atë qellim, megjithate ia arrinë me shugurue: Don Simon Jubani, Don Matish Lisna, Don Martin Trushi, Don Ernest Troshani, Don Zef Simoni, Don Ndoc Nogaj, Don Luigj Kçira, Don Ndoc Volaj, Don Kolec Toni etj., si dhe dy Martirët e Kishës Don Marin Shkurti e Don Mikel Beltoja, që u pushkatuen nga komunistët barbar, tue lanë vetën e Tyne të perjetshëm në Historinë e persekucionit të Kishës Katolike në Shqipni.
Imzot Ernesto Çoba vazhdon hapjen e rrugës së ipeshkvijve të rijë, mbasi parasheh edhe përmbytjen e vendit nga diktatura. Nuk ka një familje në Shkoder katolike apo muslimane që ia ka mësye derës së Argjipeshkvisë dhe nuk e ka ndihmue Imzot Çoba, kur ishte fjala për me i çue dishka të nevojshme një të burgosunit apo të interrnuemit, në burgje e kampe të shfarosjes. Porsa u mbyllën Kishat, sigurimi kerkoi me gjetë shpifës në Shkoder, kundër Imz. Çobës. Besoj se shkodranët nuk e harrojnë fjalën e Burrneshës muslimane Adile Ashikja, në mbledhjen e lagjes së saj, kur i kërkohej me shpifë kundër Imz. Çobës: “Unë kam shkue me lypë tek Ai paret e bukës dhe Ai, më dha ma shumë se i kerkova. Ju sot, kerkoni që Buken që Imz. Çoba më fali, unë me ia shperblye me shpifje!
Ai asht kenë dhe mbetët për mue gjithë jeten, një Meshtar i Nderuem i Fesë Katolike në Shkoder!”
Përpjekjet e Imz. Çobes janë të vazhdueshme për gjallnimin e besimit, forcimin dhe përhapjen e Tij, kryesisht me fëmijët dhe të rinjtë. Imzot Çoba thonte meshë e sakramend, rrëfente, predikonte fenë dhe gjindëj kudo në rrugicat e qytetit tue shkue me kungue të sëmurët apo, të pamujtunit me shkue ndër Kisha që survejoheshin, ndonse, Ai luftohej pa pikë mëshire. Kjo luftë sa vjen dhe bahet ma e rrebtë me “Revolucionin Ideologjik dhe Kultural”, që merr edhe pamjen e plotë të diktaturës barbare komuniste me 19 Mars 1967, ku shteti i merr edhe çelsat e Kishës Kathedrale të Shkodres, tue i mbyllë të gjitha Kishat e vendit me dhunë nga Ever Hoxha.
Kjo ditë asht fundi tragjik edhe i Imzot Çobës, i cili ndodhët përballë Sigurimit të shtetit që përfaqsohet me komunistin servil dhe hipokrit Angjelin Kumrija, që shkon në kontrollin që ushtrohet në Argjipeshkvinë Metropolitane të Shkodres. Ky komunist dallkauk e spijun arrinë deri aty sa kur kontrollon dhomën e punës së Imzot Çobës, kërkon me ushtrue në mënyrë të paturpëshme kontroll në trupin e Imzotit të Nderuem Çoba, tue e detyrue me çveshë pantollonat, se mos ka mshef gja dhe, me të drejtë Don Mark Hasi i ka thanë ato ditë Nanës seme: “Ate që na ka ba atë ditë Angjelin Kumrija, nuk na e ka ba as Sigurimi i shtetit!” Por, kjo nuk ishte vepra e parë e Angjelinit që tregonte “besnikrinë” e tij ndaj Sigurimit të shtetit.
Po komunistët a u mjaftuen me kaq? – Jo, jo, se porositë e skiles tjetër Ramis Alisë në Shkoder, duheshin çue deri në fund e sidomos, kur bahej fjalë për katoliçizmin kuptohet që nuk kishte asnjë lëshim deri në zhdukje të plotë dhe të dhunshëm të Klerit dhe të Kishës Katolike në Shqipni.
Organizohet një mbledhje në vitin 1967, mbas arrestimit të Sekretarit të Kishës, Don Mark Hasit me 7 Prill 1967, tek shkolla Pyjore për demaskimin e Imzot Çobës. Si kudo ndër ato mbledhje nuk mungojnë as shpifsit, as llafazanët dhe as spijunët ordiner që, ishin altoparlantët e PPSH në ato salla, ku mbas “duertrokitjeve” të tyne, klerikve iu venin prangat xhelatët e Sigurimit të shtetit. Por, krejt ndryshej ndodhë me Imz. Çoben, ku asht pregatitë terreni për arrestim në atë mbledhje, çohet në kambë shoferi trim Dedë Gjushi dhe deklaron: “Sot njëkëtu, nuk guxon kush me i vue prangat Imzot Çobës!” dhe, me të vërtetë “nuk guxoi askush!”. Akti i Dedës tronditi edhe ideatorët e arrestimëve, ndonse “ky emën Hero!”, asnjëherë nuk zehet me gojë. (F.R. “Një Monument nën dhé”, fq. 304, v. 2004)
Në shfletimet e proceseve të viteve 1957, 1958 e prap ma vonë, nga deponimet false të At Rrok Gurashit, Don Ndoc Sahatçisë etj., dhe një letrës së shkrueme nga Ndoc Nogaj e Gjon Shllaku, në vitin 1958, kur këta dy largohen nga Argjipeshkvia, (letër e cila ruhet në Arkivin e Shtetit Tiranë e jepet lirisht për me u lexue për “përmbajtjen e saj”), mbi këta akte të turpëshme Sigurimi i shtetit krijon mundësinë e arrestimit të Imzot Çobës, dhe “fajsia e Tij” formulohet mbi bazën e sa shpifjeve e trillimeve, kështu, edhe flet arresti lëshohet me datën 3 Prill 1976, por arrestimi bahet me datën 24 Prill, tue u akuzue për “trathti ndaj atdheut dhe agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.” Bashkë me Ate ato ditë arrestohen edhe disa priftën tjerë.
Një ndër to asht Don Lec Sahatçija, ish Sekretar i Imz. Frano Gjinit dhe ruejtës i dy letrave të Tija, të cilat me këte rasë zhduken, mbasi Don Leci nuk doli ma nga burgu, vdiq i dënuem 25 vjet, por duhet theksue se Ky prift mbajti një qendrim burrnor edhe ndaj Imzot Çobës, gja të cilën meshtarët të tjerë edhe pse ishin shugurue nga duert e Tija, në gjyq nuk e bane, madje, gjatë zhvillimit të gjyqit me dyer të mbylluna edhe e randuene Imzot Çoben me akuza false, për të cilat Ai u dënue 25 vjet burg të randë, por edhe vdiq i pafajshëm i shtrimë ndër çimentot e birucave të qelive të Sigurimit të shtetit. Të tjerët pa përjashtim edhe pse dolën nga burgu endè sot nuk kanë ba asnjë rrëfim publik dhe as, nuk kanë kërkue asnjë falje për ata vepra ndaj Imzot Çobës, tue u nisë ndoshta, se ishim nën tortura dhe nuk mujtëm me qëndrue. Ndonse pesha e shpifjeve asht shumë e randë.
Ata duhet me dijtë se ma shumë nën tortura asht kënë Imzot Çoba, për me e detyrue me pranue akuzat e tyne falso, por Ai e ka pasë burrninë sa me qendrue dhe me deklarue edhe para gjyqit fals se: “Jam kenë gjithmonë kundër komunizmit, as nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin, kam punue me shpirtë me e zhdukë dhe do të vazhdoj me kenë kundër deri në vdekje!” (Dosja 3359/1 Arkivi i Min. Mbrendshme Tiranë, 1998).
Ky ishte Imzot Ernesto Çoba përballë disa hetuesve kriminel si Ali Xhunga, Xheudet Miloti, etj., dhe, me po aq Burrni asht i patundun në bankën e t’akuzuemve para Kryetarit Sheuqet Muçi, anëtarit Xhemal Gramshi dhe prokurorit të “Revolucionit Kultural 1967”, të njohtunit Faik Minarolli.
Ja qendrimi i vërtetë i Martirit Ernesto Çoba, i cili nuk akuzon asnjë njeri, nuk fyen me asnjë fjalë asnjë nga shpifsit, nuk randon asnjë qytetar nga dëshmitarët e rremë dhe nuk denoncon asnjë nga veprimet jo të mira ose të dobta të shokve të vet klerikë, për të cilët akuzohet se “ka heshtë ose nuk ka marrë masa ndeshkimore.” Asnjë qytetar apo fshatar i Shkodres nuk asht viktimë e Tij, sëpse Ai gjenë forca me rezistue dhe mos me folë për asnjë njeri e, mos harroni se zyra e Tij asht kenë e hapun për katolik e musliman të të gjitha monstrave e modeleve të Shkodres, që nuk i kanë mungue.
Ai asht i vetdijshëm se ndodhët në atë bankë i akuzuem vetem pse asht Klerik Katolik dhe armik i vëndosun i komunizmit, me të cilin asnjëherë nuk ka ba asnjë kompromis në asnjë kohë. Ai asht i pastër moralisht dhe shpirtnisht para shokve, miqve, armiqve dhe mbarë Popullit Shqiptar, të cilve iu ka sherbye si fetar dhe Shqiptar, prandej edhe me gjakftohtësi pret vendimin e “pafajsisë së Tij”, tue Ju nënshtrue vullnetit të Zotit, me 25 vjet heqje lirie, tue kenë edhe me një gjendje shëndetsore shumë të randë.
Terroristët e sigurimit shtetit si gjithnjë, edhe pse e dinin gjendjen e Tij, si pasojë e vuejtjeve të randa me datën 8 Janar 1980, e mbytën edhe Këte Martir si shumë të tjerë, në një nga repartet e Spitalit Civil të Tiranës.
Në vitin 1992, më ka tregue oficeri i zjarrfiksave Augustin Sheshi: “Njëditë më tha një shok se do të shkonte në gjyqin e mbyllun të Imzot Ernesto Çobës, ku, më ftoi edhe mue. Shkova. Porsa e pashë më bani një përshtypje të madhe pergjysmimi i trupit të Tij të shkurtë dhe lodhja e madhe nga hetuesia. Përnjëheresh mu kujtue kur ishim fëmijë në rrugë të Luigj Gurakuqit, dhe kur luenim me topa leckash që porsa kalonte Imzot Çoba, ndalonim lojen dhe vraponim me i puthë unazën.
Ai na bekonte dhe mandej kalonte në punën e Tij. Ndaj Atij Kleriku që i donte aq shumë fëmijët e shokët e Tij, disa dëshmitarë nuk lane gja pa thanë për Tè por, që më ka ba ma shumë përshtypje sesi u shpreh ashtu kundër Tij, asht kenë Gac Cepi, që as sot nuk dij me e kuptue atë sjellje. Ai më ka mbetë në mend n’atë kohë!”
Në librin “Çinarët”, At Konrrad Gjolaj shkruen: “Tregonte radiologu i spitalit të Shkodres, sesi njëditë erdhën dy oficera me një thes në radiologji. I kishin thanë me ba një radiografi. Kishte pregatitë aparatin e po priste radiologu se cili don me e ba prej tyne. Kur i ka thanë: “Jam gati”, ata kanë hapë thesin e kanë nxjerrë një fëmijë me fytyrë të plakun. E kanë vue ate tek aparati dhe, mbasi asht krye radiografia, e kanë futë prap në thes. Mbasi i kanë lidhë grykën, kanë kërkue filmin për me e çue në Tiranë. Radiologu e ka pregatitë filmin shpejtë e ka kërkue me i shkrue emnin e të sëmurit, edhe pse filmi ishte i lagun. Oficerat kanë ngurrue me i diftue emnin radiologut.
Ky ka kambëngulë, mbasi, simbas rregullit, nuk lejohej që filmi me u dorëzue pa emen. Ata tue pa kambënguljen e këtij, i kanë thanë emnin: “Imzot Ernesto Çoba”. E shkrova, thonte radiologu, e kishte njohtë ma përpara, por kurrë nuk do ta kishte besue se asht Ai, po të mos ia kishin thanë vetë ata emnin e Tij. Për sa kohë nuk m’asht hjekë nga mendja sesi e kishin ba gjatë hetuesisë Imzot Çoben.”
Në vitin 1998, kur ishe tue dalë nga Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme në Tiranë takova një oficer që kishe njohtë para disa vitësh në Shkoder, YH, por as sot nuk jam i sigurt për emnin e tij. I tregova se po shoh disa dosje në Arkiv dhe se, ato ditë kishe lexue dosjen e Imzot Çobes. Më ndërpreu dhe, më tregoi: “Një natë dimri të ftohtë isha dezhur në degën e mbrendshme në Shkoder. Aty nga ora 11.00 e natës, një polic i birucave më njoftoi se Imzot Çoba dridhet shumë dhe duket sikur nuk po e arrinë mengjezin. Shkova tek biruca ku ishte Imzot Çoba, po, Ai, nuk po jepte as merrte nga të ftohtit, i shtrirë në çimento pa asnjë mbuloje as shtroje, veç me rrobat që kishte veshur. Mora një batani në dhomen time dhe ia çova, hapa deren dhe ia holla sipër. Shkova aty nga ora 3 e mengjezit, por dukej se ishte i gjallë nga frymëmarrja e thellë. Në ora 5.30’ shkova e mora bataninë që i kisha çuar dhe, e pashë, Ai me mirënjohje më buzqeshi, e pyeta se, a kishte fjetur dhe m’u përgjigjë, se po. I thashë: “Imzot, ti je i dënuar, pse të mbajnë këtu? – Nuk e di, m’u përgjigjë. – Po, ke bërë kërkesë për arësyen e mbajtjes këtu? – Jo, më tha, – jam tue pritë çdo ditë me pa fytyrën e Përendisë, Ai vetëm asht Shpëtimtari im. E pyeta: Po, këto vuatje nuk të largojnë nga Perëndia? – Jo, jo, Ate jam i sigurt se do ta shoh shpejtë, perkundrazi vuajtjet m’ afrojnë!
E mbylla derën dhe ika në dhomën time. Kanë kaluar sa vite dhe nuk e harroj kurrë sigurinë e Atij Njeriu të shtrirë në çimento, duke pritur për të parë Përendinë! Ata Klerikë kishin një forcë të pakuptueshme për të përballuar vuajtjet më ekstreme të atyre vitëve!”. Ishte per t’u çuditur sesa besim të palëkundur kishin tek Perëndia!
Fjala e fundit e Tij në gjyq ishte: “Do të vazhdoj me kenë kundër deri në vdekje”, sigurisht, kjo thanje ishte tiposë në kokat e katilave që vazhdonin me e torturue e masakrue si pak njerzë nder ata kushte të mnershme:
Ja, pra, kjo asht arësyeja pse Imzot Ernesto Çoba, Ipeshkvi i Shkodres, që nga data e arrestimit u mbajt pa asnjë batani i shtrimë për 3 vjet e 8 muej në çimento, derisa një ditë me të vërtetë Ai e pau Fëtyren e Zotit!
Fatkeqsisht, vuejtjet dhe torturat ishin pafund, po asnjë shkaktarë i tyne nuk e gjeti asnjë moment kjoftë edhe mbas 1991, të pakten me na dhanë me kuptue se, asht pendue per shpifjet e bame kunder Imzot Çobës. E kurr mos harroni se, “ato shpifje” i moren edhe jeten në vuejtje e mjerim të pashoq.
Jeta gjithmonë ka një cak të padijtun. Mos harroni se mbas atij cakut vjen edhe një Gjyq tjeter, që nuk ju lejon ndoshta pergjithmonë, me u pendue per të gjitha ato që i keni sjellë tjerve në këte jetë me shpifjet tueja!
Po më kujtohet tashti: Një prift i rinj i shuguruem nga Imzot Çoba aty nga viti 1962, që takon në rrugë At Pjetër Mëshkallen dhe, i tregon se ato ditë do të hynte përherë të parë me ba Ushtrimet e Shpirtit me Imzot Çoben, i cili i kishte mësue priftit edhe gjashtë arësyet që njeriu duhet me heshtë.
At Mëshkalla i thotë atij priftit të rinj: “Shko e thuej Imzot Çobës me të mësue gjashtë arësyet që duhet me folë, se, s’asht koha me heshtë ma!”
Kur e pata ndigjue këte ngjarje aty nga viti 1964, njëditë unë ia kujtova At Mëshkallës në një bisedë që po banim me Té, sigurisht qeshëm pak dhe vazhdueme bisedën tonë. At Pjetër Mëshkalla më ka thanë këto fjalë: “Ai e përfundonte bisedën me respektin ma të madh për Imzot Ernesto Çoben, e kryesisht për mos tolerancën e Tij në çeshtjet dogmatike dhe, e mbyllte bisedën me mendimin se: “Vetëm Imzot Çoba asht fakt, që asht kenë adapt për këte kohë, se asnjë tjetër nuk do të kishte dijtë as muejtë me veprue si Ai, në kushtet që janë kenë në Shqipni nga shtypja e diktatura komuniste!”
***
Lexues i nderuem! Labirintet e Sigurimit të shtetit terrorist komunist, janë kudo plot me mistere dhe procese që ndoshta, edhe nuk besohen! Tek na në Shqipni ata ia kalojnë edhe fantazisë së terroristit, sepse vrastari asht i paknaqun me vdekjen e viktimës mbasi e ka torturue. Ai kerkon me i zgjatë vuejtjet e masakrat e tij derisa, njeriu i shkrryem pertokë të dishprohet.
Fatmirsisht, kur Klerikët tanë, nuk mujshin as me u ngritë ma nga vuejtja e as nga torturat e bame mbi trupin e Tij, Ata forcoheshin Shpirtnisht, gja që edhe sot mbetet një mister i madh ajo forcë e pathyeshme e Shpirtit Tyne.
Ma mirë se kudo, mosdorzimin e viktimës në tortura ju, do ta kuptoni këtu:
Në mbyllje po persërisë fjalët e daltueme në gurt e Kishës së Vaut të Dejës, daltue nga vet Martiri Imzot Ernesto Çoba, kur ishte pa u rrenue në 1969:
“Jam kenë gjithmonë kundër komunizmit, as nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin, kam punue me shpirtë me e zhdukë dhe do të vazhdoj me kenë kundër deri në vdekje!”. (Dosja 3359/1 Arkivi i Min. Mbrendshme, 1998). Vetëm Ky ishte Imzot Ernesto Çoba, Zamak i vertetë i Flamurit Kastriotit!
Melbourne, 22 Prill 2022.
by s p

Monografi për myxherred baba BEKTASH ALIAJ.
Prof. Fejzulla ABDULLAI/
Dervishi i Teqesë së Baba Rexhebit në Detroit, Eliton Pashaj, edhe pse me moshë të re, veç çështjeve fetare që i kryen me sukses në këtë qendër fetare të tarikatit bektashjan, merret edhe me kërkime fetare/shkencore duke u përpjekur që të nxjerrë në dritë veprimtarinë fetare dhe kombëtare të klerikëve bektashjanë në trojet shqiptare.
Në kohën e fundit paraqitet me një libër të ri të publikuar në Tiranë (2021) me titull: “DËSHMI E TRISHTË E NJË SHENJTORI (Monografi kushtuar baba Bektash Aliaj, Golimbas). Me këtë vepër me përmbajtje fetare, dervish Elitoni, duke pasur përgatitje solide fetare/shkencore, me njohje të duhura të metodoligjisë kërkimore – shkencore, dhe me një afinitet të veçantë për të nxjerrë në dritë të vërtetën objektive në fushën e kërkimeve shkencore, objekt studimi të cilin e ka jo vetëm në këtë studim monografik, por edhe më gjerë, duke iu referuar një literature të mirëfilltë, dhe duke kërkuar dokumenta nëpër Arhivat e Shtetit Shqiptar, në Selinë e Shenjtë Bektashiane në Tiranë dhe në arkivat e Stambollit, para publikut paraqet të vërtetën mbi aktivitetin fetar e kombëtar të një figure të shquar të bektashizimt për të cilën gjer tani është ditur fare pak, baba Bektash ALIAJ.
Materiali i shkruar në këtë libër, është përfshirë në 222 faqe. Në fund të shkrimit autori paraqet një shtojcë ku bëhet fjale mbi të thënat e autorëve të tjerë për baba Bektashin. Madje, paraqet edhe një tregues të lëndës, të renditur sipas alfabetit shqip. Për të pasur një pasqyrë më të mirë, aty janë nxjerra emrat e personave dhe vendeve që përmenden në tekst. Përmbajtja e tekstit është përfshirë në dhjetë tituj dhe të nëntë autorëve të tjerë të cilët i japin përshtypjet e tyre mbi baba Bektashin. Kapitull të veçantë dhe pjesën më të madhe të këtij vëllimi, autori ja kushton figurës së shquar të bektashizmit, baba Bektash Aliaj, gjë që dëshmon edhe titulli i këtij vëllimi.
Përdorimi i literaturës dhe të dokumentave të ndryshëm, citohen brenda në tekst, kurse sqarimet dhe mendimet e veta janë të paraqitura në fusnota. Kjo dhe stili i të shkruajturit, i jep mundësi lexuesit që më lehtë ta kuptojë përmbajtjen e tekstit dhe me kënaqësi ta lexojë.
Ç’i paraqet autori lexuesit me këtë vepër?
Pasi e lexova me vemendje librin, nga përshtypjet që më bëri, e pash të arsyeshme që të shkruaj diçka lidhur me përmbajtejn që aty na ofron autori.
Në fillim ai fillon me paraqitjen e islamit/tarikatit bektashjan në trojet shqiptare e më gjerë në Ballkan. Bektashizmi që lindi në shekullin e XIII nga Haxhi Bektash Veliu, duke pasur si parim themelor tolerancën fetare, urtësinë dhe humanizmin njerëzor, shumë shpejt filloj të depërtojë në masën e njerëzve në vendin e Azisë së vogël ku u paraqit përherë të parë. Prej aty filloj vazhdimisht të zgjerohej edhe në vendet e Ballkanit. Por parashtrohet pyetja: në cilën kohë ky tarikat vjen në Rumeli/Ballkan, para se të depërtojnë turqit osmanlinj, apo pasi Ballkani okupohet prej tyre? Autori duke iu referuar autorëve të ndryshëm dhe dokumentave arkivore, me mendimin e të cilëve në të shumtën e rasteve pajtohet edhe vetë, vjen në konstatim se ky tarikat në këto vise pat ardhur para se të bëjë ekspanzion Perandoria Osmane në trojet në fjalë. Sipas tij, kultura arabe/islame në trojet tona është e dëshmuar qysh në shekullin e VIII. Këtu i referohet Franjo Ruçkit, i cili duke cituar Mehmet Haxhiq-in nënvizon: “Arabët kanë kaluar nëpër Siujdhesën Ballkanike dhe kanë provuar përhapjen e fesë, veçan duke shpërndarë libra”. Përhapja e hershëme e Islamit në vendet shqiptare, padyshim qe kushtëzuar edhe nga faktorët natyrorë-gjeografikë të Ballkanit. Kjo mund të shihet në rrugët detare e tokësore që kanë mundësuar lidhjen papengesë me trojet të Azisë. Sipas Ekrem Vlorës, në periudhën paraosmane, në trojet shqiptare patën ardhur si misionarë disa dervishë shëtitës që nuk ndaleshin në një vend, por paskan bërë “përgatitje për pushtimin ushtarak të Turqisë”. Misioni i këtillë, personalisht vë në dukje dervish Elitoni, ka qenë i pamundur për dervishët e këtillë të asaj kohe, sepse interesat e fuqive kristiane ishin të dukshme me forca ushtarake mjaft solide. Ndoshta do të ishtë më mirë të mendohej se këta dervishë si mision të vetëm patën përhapjen e Islamit, pohon dervishi. Këtu duke përshkruar traditat e dervishëve dhe shenjtërimin e tyre me frymën e Haxhi Bektashit qenë mundësuar të shërbejnë si element bazë në jetën e shqiptarëve.
Në këtë kontekst autori me një vemendje të posaçme, kujdes i kushton edhe të dërguarit special të Pirit të bektashizmit, misionerit Sari Salltikut për përhapjen e një tarikati të ri në trojet e Ballkanit/Rumelisë. Ky misionar vjen në këto troje, kur aty në jetën e përgjithshme ndërthureshin dhe hakeroheshin ndërmjet tyre interesat të identitetin etnik të bizantinëve, sllavëve, bullgarëve, mongolëve, turqëve e tjerë. Për kryerjen me sukses të këtij misioni dhe humanizmit të lartë njerëzor e shpirtëror, në shumë vende të Ballkanit paraqiten tyrbe të këtij misionari të lartë të Haxhi Bektashit. Të tilla janë: tyrbja e Kaliogrës në Bullgari, në Ohër/ Maqedonia e sotme Veriore, Babadog në Rumani, Krujë në Shqipëri, Bllagaj në Bosnjë e Hercegovinë, Korfuz në Greqi e vende të tjera. Veç kësaj aty mund të shihen edhe disa mekame të tjera me emrin e këtij shenjtori.
Pas këtij, në trojet shqiptare e më gjerë në Ballkan, paraqiten edhe shumë dervishë e kalanderë të dërguar nga Teqeja qendrore e Haxhi Bektrsh Veliut.
Këtu autori nuk e anashkalon edhe udhëpërshkruesin e kohës duke e përmendur në disa vende, Evlija Çelebi-un, i cili, sipas tij, pat qenë indiferent ndaj bektashinjve. Madje me një vemendje të veçantë citon të thënat e baba Ali Tomorit: “Nga Haxhi Bektashi gjer tek Ballëm Sulltani, trashëgimia ka ecur atë pas ati e bir pas biri, por i shkëlqyeshëm shenjtori Ballëm Sulltani me madhërinë e dieninë dhe shenjtërisë që pati, solli një evolucion të madh ndaj klerit bektashjan…”.
Si përfundim në këtë kontekst, autori vëren se autorët e huaj dhe shqiptarët janë të mendimit që bektashizmi si tarikat i fesë islame në trojet shqiptare fillesën e lulëzimit të vet e pati në kohën e Ali Pashë Tepelenës.
Përkujdesjen e këtij qeveritari e patën ndjerë ndjeksist e këtij tarikati në Çamëri, Janinë, Kostur, Katerinë, Konicë dhe Follorinë. Kujdesi i tij qe shtrirë edhe në teqenë e Farsallës, në Greqi. Në këtë teqe, prej vitit 1807 dhe gjer në vitin 1972 postëmbajtës patën qenë vetëm dervishë e baballarë me prejardhje shqiptare nga trojet e Shqipërisë.
Me një kujdes të veçantë, këtu autori na bën në dije se pas vitin 1826 bektashizmi identifikohet gabimisht me alevizmin, i cili nuk i ka tiparet e këtij të parit. Po në këtë vit, fillojnë edhe ditët më të zymta të bektashizmit nga lufta e hapur që i shpallet nga autoritetet e Portës së Lartë. Këtu përmendet autori F. Maden , i cili jep një analizë të detajuar mbi shkaqet, mendimet dhe veprimet represive që bartën në mbylljen e faltoreve të Pirit të bektashizmit, Haxh Bektash Veliut. Në këtë kohë të errët mjaft klerikë bektashjanë u vranë dhe u syrgjynosën në vende të huaja, vetëm për t’u zbatuar urdhërat e sulltan Mahmudit të Dytë.
Bektashizmi nuk ka luajtur vetëm rol fetar në përhapjen e ideologjisë fetare, por edhe kombëtar. Këtu autori na njofton me angazhimin e klerikëve bektashjanë në mbrojtjen e çështjes kombëtare. Sipas tij, në historiografinë shqiptare vend i veçantë i është vënë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për të cilën inicuese qe teqeja e Frashërit e baba Alush Frashërit, udhëhequr nga Abdyl Frashëri. Në këtë kontekst për rolin kombëtar përmendet baba Meleq Shembërdhenji, i cili në vitin 1896 pat shkuar në teqenë të Merdiven Qojit në Stamboll, ku i mblidhte shqiptarët me qëllim që t’jua mësonte gjuhën shqipe dhe tek ata të zhvillonte sa më tepër ndjenja kombëtare. Kështu kanë vepruar edhe shumë dervishë të tjerë. Aty përmendet edhe baba Hysen Melçani, i cili mbi dyzet vite që shërbeu si postëmbajtës i teqesë së Melçanit (Korçë), qe shndërruar në udhëheqësin e lëvizjes kombëtare në atë anë.
Në kontekstin e këkij shkrimi, autori na jep një shikim më vete mbi trevën e Vlorës dhe teqenë e Golimbasit. Kjo trevë e njohur si Aulona e lashtë përmendet qysh në shekujt e tretë e të katërt para Krishtit. Rëndësi të veçantë treva e Vlorës morri në kohën e mesjetës për shkak të luftrave midis bizantëve , sllavëve, arbëreshëve e raguzjanëve.
Në këtë libër mund të shihet edhe aktiviteti i Sami bej Frashërit, i cili në kohën e tij duke mbledhur të dhëna në arkivat osmane, për nënprefekturën e Vlorës na njofton se përbëhej prej 64 vendbanimesh fshatare dhe me një popullsi prej 30 mijë frymësh. Si qytet bregdetar dhe me një vijë të gjatë kufitare me detin Adriatik dhe Jon, qytetit i jepej një rëndësi gjeostrategjike. Pikërisht kjo qe arsyeja që qe bërë si epiqendër e perandorisë në Rumeli. Këtu në interes janë edhe të dhënat e Evlia Çelebiut në vitin 1670 kur e pat vizituar këtë anë. Sipas tij, në mëhallën e Tabakëve të Xhamisë së Hynqarit të Hysen Agës, të Mumxhuzades, të Gjykatës dhe të Çarshisë, thuhet se në çdo mëhallë ka pasur edhe nga një teqe.
Ndër klerikët e kohës përmendet edhe Sinan Pasha i Vlorës themeluesi i teqesë bektashjane të Kaninës e njohur si Teqeja e Sinan Pashës. Kjo teqe qe e njohur në mbarë Turqinë, Arabinë e Persinë, njofton E. Çelebiu në udhëpërshkrimet e tij.
Për rolin e teqeve në rritjen e bashkëpunimit ndërfetar dhe vëllazëror në mes myhibanëve, autori paraqet aktivitetin e disa teqeve të kësaj ane. Të tilla në atë kohë qenë teqeja e Smokthinës, Gjormit, Shkozës, Gorishtit, Dukatit, Kuçit, e disa të tjera. Këto teqe patën mundësi në mejdanet e tyre të mblidhnin një numër të konsiderueshëm myhibanë, jo vetëm në predikimin e riteve fetare, por edhe në ndërtimin e marrëdhënieve vëllazërore, e humane dhe raporte bashkëpunimi të sinqertë me bashkëkombësit e tyre ortodoksë.
Megjithatë, në kontekstin e këtij lulëzimi të tarikatit bektashjan në Shqipëri e më gjerë, këtu autori na njofton edhe me akcionet e marra nga kundërshtarët e egër të bektashizmit për rënimin e teqeve dhe për persekutimin dhe përndjekjen e klerikëve bektashjanë. Në këtë kontekst ai përmend tri rrebershe më të egër që i shkaktuan dëme të paparashikuara këtij tarikati dhe tentimin për rrënimin dhe kompromitimin e kultit bektashjan. Shprehimisht thotë: “Përndjekja madhore në qeverisjen e Sulltan Mahmudit të Dytë, më 1826, diegja e teqeve të jugut të Shqipërisë në vitin 1912-1915 nga andartët grekë dhe sanksionimi me kushtetutë i ndalimit të fesë në vitin 1967…”.
Në gjysmën e parë të shekullit 19 në trevën e Vlorës ndërtohet teqeja e Golimbasit. Personalisht autori gjukon se kjo teqe është hapur gjatë viteve të 1840-1850.
Sfidat e jetës së dervish Bektashit
Mbi fëmijërinë dhe rininë e klerikut të ardhshëm, dervish Elitoni flet me një vemendje të veçantë. Këtu ai na njofton në mënyrë të detajuar të kaluarën e tij, duke përshkruar edhe sfidat e vështira që i pat kaluar ky klerik i ardhshëm i tarikatit bektashjan në Shqipëri.
Bektashi i vogël qe djali i vetëm në familje, ndaj qe rritur nën kujdesin e veçantë të prindërve. Si fëmijë i vogël duke u edukuar në frymën e denjë të bektashizmit në kohën kur teqeve filloi t’u rritet lavdia, si në Shqipër dhe në Ballkan e Turqi, mund të kuptohet lehtë pse qe paisur me ndjenja fetare që dallonin nga moshatarët e vet. I ati, Shuaipi, qysh në moshën të njomë filloi t’i japë njohuri nga gjuha perse. Bashkë me shokun e tij, Rakipin, të dy të moshës dymbëdhjetë vjeçare, kohën e kalonin në teqenë e Golimbasit. Aty recitonin vargje të autorëve të vjetër të Firduseut të Madh, Xhelaledin Rumiut, dhe Attatarit.
I ati, duke parë aftësitë edhe njohurit e birit të vet, e dërgon në Egjypt për të vijuar mësimet fetare në Medresenë e famshme të Kajros.
Pas kthimit në vendlindje në vitin 1900, Bektashit do t’i realizohej ëndrra që të vishej dervish. Në këtë kohë aty si baba i ardhshëm dekretohet baba Sali Matohasanaj me shërbim në teqenë e Golimbasit. Vendosja e baba Saliut në këtë teqe, u mundësua që aty të krijohet vatër e lëvizjes kombëtare që përfshinte krejt fshatrat e Lumit të Vlorës. Në teqe shkonin edhe baballarë të tjerë, si: baba Ahmedt Turani, baba Ali Tomorri, baba Hajdër Gjirokastra, baba Medin Gllava etj. Për veprën dhe aktivitetin fetar e kombëtar të baba Saliut flet edhe baba Rexhebi në veprën e tij Misticizma Islame dhe Bektashizma.
Për aktivitetin kombëtar që kishte baba Sali Matohasanaj, bashkë me Bektashin 15 vjeçar, autoritetet turke duke cilësuar si veprimtari antishtetërore, në vitin 1902 i bukgosin. Më vonë pas internimit të baba Saliut, Bektashin e lirojnë nga burgu i Vlorës duke e këshilluar që të mos merrej më tepër me shpërndarrjen e librave shqip. Mirpo, dy vjet më vonë, duke shkuar rrugës për në teqenë e Smokthinës, pas një kontrolli të bërë, autoritetet turke përsëri e burgosin. Me intervenim të shpejtë, me dhënien të një ryshfeti, Bektashin e lirojnë. Ndoshta kjo do të ketë qenë arsyeja, mendon autori i këtij libri, që baba Shuaipi e largon Bektashin nga teqeja e Golimbasit. Prej aty shkon në teqenë e Kurorës së Malit.
Aktiviteti patriotik i dervish Bektashit shihet edhe në kohën e shpalljes së pavarsisë së Shqipërisë. Në natën e shenjtë të 27 Nëntorit të vitit 1912, dervish Bektashi u gjend në teqenë e Kuzum Babajt në Vlorë të mbushur me klerikë dhe dashamirës nga Vlora, Mallakastra e Tepelena. Të nesërmen më 28 Nëntor, baba Sali Matohasanaj bëri bekimin e flamurit kuqezi.
Pas okupimin osman, Shqipërisë i kërcënohej rrezik edhe nga okupimi istaljan. Zbarkimi i trupave italjane në truallin shqiptar ndodhi në vjeshtën e vitit 1914. Në kushte të vështira të kësaj kohe, aktiviteti i dervish Bektashit nuk mungoj. Në teqenë e Golimbasit , italijanët patën edhe disa “shërbëtorë” shqiptarë të cilët u ndeshën me qëndrimet stoike të baba Shuaipit, dervish Bektashit dhe dervish Rakipit. Në këtë kohë për aktivitetin e tij antiitaljan, xhandarmëria italjane dervish Bektoshit i komunikon arestim, duke i kërcënuar se nëse vazhdon do të dërgohet në burgjet e Italisë. Me intervenim, lirohet nga burgu, por me kusht që të mos merrej më tej me aktivitet antiitaljan.
Megjithatë, dervish Bektashi vazhdon me aktivitetin e tij kombëtar, ndaj në vitin 1916 bashkë me dervish Rakipin të teqesë së Golimbasit, sërish arestohet. Tani që të dy internohen në Sicili të Italisë. Për internimin e të dy dervishëve, autori Eliton iu referohet të thënave të disa autorëve. Këtu përmend nacionalistin Nj. Çarçani mbi përshtypjet e tij gjatë vizitës në Sicili me qëllim që t’i takonte dy të internuarit dhe të shihte se në ç’kushte gjendeshin atje.
Kthimi nga Sicilia e të dy dervishëve ndodhi në vjeshtë të vitin 1918, por fatkeqësi për dervish Bektashin ishte se baba Shuaipi nga meraku që kishte për birin e tij, ndërron jetë një vit më parë. Tani me kalimin e baba Shuaipit, për teqenë kujdesej baba Ahmet Turani.
Baba Ahmet Turani, duke parë cilësitë fetare dhe njerëzore të dervish Bektashit, propozon që ky ta merr detyrën e postmbajtësit në teqenë e Kuzman Babajt në Vlorë. Në këtë post dervish Bektashi shkon edhe me miratimin e Sali Niazi Dedeit. Këtu tani ai dukshëm e dha kontributin e vet në zhvillimin e marëdhënieve fetare, kombëtare/patriotike e humane, sidomos edhe atyre ndërfetare. Është fakt se kur shërbente në këtë teqe, pati rast të japë kontributin e tij në ndërtimin e kishës së Shën Thanasit.
Emri i dervish Bektashit jo vetëm që qe i ndëgjuar e respektuar në Shqipëri, por edhe gjer në Amerikë, në teqenë e Baba Rexhebit. Këtu autori tregon një rast të vizitës së peshkop Nolit në këtë teqe. Këtë takim të dy klerikëve të besimit të ndryshëm, njërit islam/bektashjan e tjetrit ortodoks, dervishit ja përshkrun baba Arshiu (ish dervish i kësaj teqeje në atë kohë). Shperihimisht ja se çka thotë: “Fan Noli kish pyetur babanë për mua, sepse tek hanim, më pyeti: Po dervish Bektashin e Golimbasit si e kam? Mua sa s’më ra luga nga dora hejvalla. M’u zu në grykë. I thash që baba Bektashi kishte vrarë veten dhe pash Nolin në sy. Ç’më the kështu, tha Noli, më mirë të mos kisha pyetur. Pastaj Noli e ktheu shikimin nga baba Rexhipi duke i thënë se me atë vetëm një natë kishte llafosur. Ishte bekim për gjithë Vlorën”.
Më vonë në vitin 1927 në teqenë e Golimbasit, shkon edhe dervish Arshi Bazaj. Këtu ai nuk shkon rastësiht. Për këtë teqe të bekuar ka pasur një histori mjaft të gjatë qysh në fëmijërinë e tij. Myrshidit të tij, baba Bektash Alijas, dervish Arshiu i mbeti besnik gjithë jetën e tij.
Në këtë kohë bektashizimi në shqipëri predikohej më një frymë të lartë shpirtërore e kombëtare dhe pranë gjirit të vet kishte mbledhur mjaft dashamirës. Kryegjysh botëror i bektashizmit me seli në Turqi, ka qenë Sali Niazi Dedei, shqiptar nga Kolonja. Me mbylljen e teqeve në Turqi në vitin 1929, kryegjyshi në konsultim me klerikë të lartë bektashinj të Stambollit, Irakut, Egjyptit, Rumelisë, vendosi që selia e tij të jetë në Shqipëri. Për këtë vendim paraprakisht u njoftuan të gjitha gjyshatat bektashiane në Shqipëri.Vendosja e Sali Niazi Dedeit në Shqipëri, nuk qe e lehtë nga fakti se ai e pati mjaft të vështirë edhe ndarjen nga erenlerët/baballarët e tjerë që mbetën në Turqi. Këtë dhimbje të tij mund ta shohim edhe me letrat që jua shkruante dashamirësve të tij si besimtarë të devotshëm të bektashizmit, që me vendosmëri e ndiqnin rrugën e Hakut.
Kur jemi këtu, duhet kujtuar edhe dekretimi i selisë bektashjane në Shqipëri nga ana e mbretit. “Mbreti Zog , dekretoi më 21 Mars 1930, birin e Kolonjës, në postin më të rëndësishëm të bektashinjve. Po me urdhër të Mbretërisë Shqiptare, Selia e parë e qendrës botërore bektashjane u emërtua teqeja e Turanit në Korçë…”.
Kërkesa për të konsakruar dervish Bektashin për baba.- Kjo kërkesë nga ana e myhibëve dhe klerikëve të Lumit të Vlorës, vë në dukje dervish Elitoni, qe firmosur qysh në vitin 1932. Megjithatë, Sali Niazi Dedeja qe mjaft principiel dhe i vendosur kur duhej të lëshonte ixhazetnamenë. Për dervish Bektashin, Dervish Elitoni citon të thënat e Sali Niazi Dedeit, ku shprehimisht thuhet se Sali Niazi Dedei, u kishte thënë të pranishëmve: “Dervish Bektashi e ka meritur me kohë titullin e babait, por sot i erdhi dita t’ia vendos unë taçin në kokë. E meriton evladi im se janë 20 fshatra të Lumit të Vlorës që nuk të heqin nga goja”. Tani baba Bektashi me porosi të Sali Niazi Dedeit, në këto vite nisi të organizojë ceremoninë e zisë së matemit dhe ditës së ashures, në teqenë e Kuzum Babait në Vlorë.
Madje, autori i këtij vëllimi na njofton edhe për shkuarjen nga kjo jetë të Kryegjyshit Botëror, Sali Niazi Dedeit, më 28 Nëntor të vitit 1941. Ceremonia mortore e tij qe bërë më 1 Dhjetor, 1941. Aty morri pjesë baba Bektashi dhe shumë baballarë, myhibanë, personalitete dhe dashamirës të tjerë të bektashizmit nga mbarë Shqipëria.
Përndjekjet dhe persekutimet e klkerikëve
bektashjanë në vitet e “çlirimit” e më vonë
Gjatë luftës nacionalçlirimtare në Shqipëri, ka pasur edhe mosmarrëveshje në mes organizatorëve të kësaj lufte. Këtu autori vë në dukje se, edhe pse në këtë kohë paraqitet organizim për rezistencë, mospajtimet suallë edhe në një luftë vëllavrasëse. Megjithatë, sipas tij, shihet se sot me kalimin e më shumë se tre dekadave, në mes studiuesëve, politikanëve dhe të tjerë që merren me ketë çështje, ekziston një ndarje e vazhdueshme në lidhje me ekzistimin e një lufte vëllavrasëse gjatë viteve 1943-1944. Kjo mund të shihet në mes nacionalçlirimtarëve (këtu autori aludon në kokmunistët) dhe nacionalistëve (Ballit Kombëtar). Mirpo, sipas dokumentave arkivore dhe fakteve të tjera, vë në dukje autori, një gjë e tillë pat ekzistuar.
Ideologjia komuniste në atë kohë synonte që me çdo kusht në hynte edhe në komunitetin bektashjan. Në përpjekjet për transformimin e këtij komuniteti, komunistët besimin ia patën dhënë baba Mustafa Xhanit. Më vonë ata patën mundësi që në rradhët e tyre të përfshijnë edhe disa baballarë të luhatshëm që treguan se nuk i qenë besnikë rrugës së Hakut. Kjo solli që edhe në mes klerikëve bektashjanë të paraqiten mosmarrëveshje. Kundër atyre që devijuan nga rruga e Haxhi Bektashit, menjëherë paraqitet një reagim i ashpër në rradhët e klerikëve të këtij tarikati. Reagime paraqiten kundër baba Fajës, i cili ndër të parët qe që po merrte një rrugë të dëmshme për tarikatin e tij. Këtu autori i referohet një të thëne vizionare të dervish (baba) Rexhebit, ku mund të kuptohej e vërteta e kësaj ideologjie famëkeqe që po ndërhynte tek populli shqiptar. Pra, sipas këtij vizionari bektashi “komunizmi nuk pajtohet me fenë”. Këtë të thënë më vonë do ta paguanin ata që do t’i përsëritnin fjalët e tij. Aty mund të shihet edhe e thëna e baba Bektash i Golimbasit: “Po të të jemi një, si gishtat e dorës, s’ka parti në botë të na përçajë…”. Në këtë kohë kërcënime paraqiten edhe për dervish Arshinë. Për qëndrime të paluhatshme që patën, në vitin 1945, pa gjyq, pushkatohen baba Qamil Gllava dhe Bedri Cakrani. Pati edhe të tillë klerikë që u pajtuan me ideologjinë komuniste. Në kë deformim ideologjik dallonin baba Faja e baba Fejza. Kryegjyshi Botëror, dede Abaz Mërtiri në një drekë që pat shtruar, i kishte ftuar edhe këta të dy. Në bisedat që bëheshin ata vazhdimisht flisnin me ironi dhe përbuzje ndaj rrugës së Hakut që kishin zgjedhur edhe vetë. Për qëndrimin e këtillë, dede Abazi disa herë jua tërhoqi vemendjen. Duke mos i duruar dhe duke qenë përballë fjalëve tejet të rënda, “vetëm disa minuta më pas, dede Abaz Mërtinji, me një revole me mulli që e mbante qysh në rininë e tij, qëlloj për vdekje dy “reformatorët” dhe më pas veten”.
Lufta e ashper në mes partisë së padëshiruar në pushtet dhe tarikatit bektashjan vazhdoi edhe më tutje. Në vitin 1952 baba Bektashin e “ftojnë” në degën e Bredshme në Vlorë, të jepte disa informacione në lidhje me krimet që kish bërë Shahin Nuredini dhe në rrethanat që kanë bashkëpunuar në mes tyre. Mirpo, babaj duke kuptuar kurthin e tyre, u pat thënë se atë e pat takuar 3-4 herë, pa e pyetur kah shkonte e kah vinte. Kështu i pat pritur edhe komunistët Mehmet Shehun, Kadri Hazbiun e të tjerë. “Ftesa” të këtilla nga organet e brendshme, baba Bektashi pati edhe më vonë, por kuptohet qëndrimin e pati të vendosur. Shpifje ndaj këtij tarikati vazhduan pandërprerë. Kështu ka pasur për baba Rexhebin, dervish Arshi Bazaj e shumë të tjerë.
Së fundi ideologjia komuniste hyri edhe tek Kryegjyshi. Në kohën e tij Kryegjyshi Botëror, Iljaz Fehmiu, nisi të zbatojë porositë e partisë. Nëpër takimet që mbaheshin nëpër gjyshata, ose festa fetare, me urdhër të partis, nuk duhej të merrnin pjesë komunista, apo anëtarë të familjeve të tyre. Shembull i këtillë dhe mjaft trishtues për baba Bektashin ishte festa e Sulltan Nevruzit në vitin 1961, kur me një porosi nga Komiteti i Partisë në Vlorë, kërkohej që aty të mos merrte pjesë asnjë komunist dhe anëtar i familjeve të tyre në takime të këtilla.
Vetëfliojimi i bana Bektashit.- Baba Bektashi, gjithë jetën e vet i pat qëndruar besnik rrugës së Hakut. Çdo të keqe dhe tortura që i pati nga organet shtetërore e partiake komuniste, i mbante në shpirtin e vet të pastër pa i treguar askujt. Mundimet e këtilla dhe ato që i bëheshin komunitetit bektashjan, përkatësisht rrugës së Hakut, ai s’pati dot mundësi që t’i përballojë më tepër. E vetmja rrugë për të ishte vetëflijimi i tij. Ndaj ai në qershor të vitit 1961 në teqenë e Golimbasit, me një revole i morri jetë vetëvetes, duke u ndarrë nga kjo botë e mallkuar që e kaploi popullin shqiptar, kurse shpirti i tij shkoj në parajsën e përhershme, atje ku pushojnë shpirtrat e shenjtorëve të cilëve iu përkiste edhe vetë.
Për figurën e shquar të këtij kleriku bektashjan, dervish Eliton Pashaj, në shkrimin e këtij libri, përmend përshtypjet e disa ndjekësve të bektashizmit mbi këtë figurë të shquar të tarikatit bektashjan në Shqipëri, i cili vetëflijoi për rrugën e perënidsë dhe idealin e shenjtë të Haxhi Bektashit.
Me publikimin e këtij libri, dervish Eliton Pashaj nxjerr në dritë aktivitetin fetar e kombëtar të tarikatit bektashjan. Jo vetëm kaq, por edhe të një figure të shquar të këtij tarikati. Me këtë mundësohet që me leximin e librit, lexuesi do të jetë sa më afër shpirtërish ndaj këtij besimi fetar, i njohur mbarë botës myslimane. Me këtë rast dervish Elitonit, i cili me paraqitjen e kësaj vepre dëshmoj se posedon aftësi të duhura shkencore/fetare për t’u marrë me kërkime në fushën e historisë fetare/bektashjane, i dëshirojmë sukses të mëtutjeshëm në punë dhe në përsosjen e tij fetare/shkencore.
Po citoj disa të thëna nga përshtypjet e dashamirësve të teqesë për baba Bektashit:
Dy dashamirës të moshës së re, për vizitën që ja patën bërë teqesë në kohën para fillimit të vitit shkollor, me kënaqësi i përmendin fjalët e baba Bektashit. Duke drejtuar dorën nga piktura e një burri në oxhakun e një dhome të teqesë, ja se ç’u thotë baba Bektashi: “Ai aty është prijsi i bektashizmit, Haxh Bektash Veliu. Ai nuk e ka ndarë asnjëherë dashurinë e Zotit dhe dashurinë e dijes. E dini si u thosh dervishëve të tij? Po të erdhi dallga e lumit, s’të mbyt dot se e pret me trup dhe me gjoks. Ama dallga e padijes të fundos, të lë përjetë në llum e barishta të egra. Prandaj ta doni familjen, atdheun por edhe bektashizmin që përcjell dije”.
Një tjetër dashamirës me kënaqësi përmend vizitën që ja pat bërë baba Bektashi. Në kohën e darkës, ai përmend këto fjalë: “Kur erdhë dy sofrat e mëdha, në të dy krahër e oxhakut, unë isha bërë sy e veshë nga baba Bektashi, Ai priti sa ato u mbushën plot dhe kur burrat u rrethuan, i tha dikujt, “Afrohuni më afër Manxharit të mos futet shejtani në mes”! Më vonë mësova se kjo fjalë ishte devizë e bektashinjve, për të qenë gjithmonë sa më afër njëri-tjetrit edhe nga ana shpirtërore e nga ana fizike. Madje babaj këndoj duanë e bukës…”
“Historia e baba Bektashit nuk mbaron ditën që ai u largua nga kjo botë”, shprehet një tjetër dashamirës, dhe vazhdon: “Për mua, për brezin tim, ajo histori ka vazhduar dhe vazhdon. E di ç’më ndodhi përpara disa viteve? M’u bë në ëndërr baba Bektashi, sikur më erdhi pranë shtëpisë dhe nuk hyri brenda, por më pyeti për veten time dhe për fëmijët, mbesa e nipër. Kaq. Sa do t’i flisja unë, më humbi”.
Këto ishin disa të thëna nga kujtimet e dashamirësve të teqesë dhe baba Bektashit.
Në sajë të materialit të paraqitur më lartë të nxjerrë nga ky libër, po sjell disa përfundime:
1. Me këtë vepër/monografi me përmbajtje fetare, por me vlerë të lartë shkencore, autori duke iu referuar një literature të autorëve të mirëfilltë në studimet fetare dhe dokumentave arkivore, para lexuesit shqiptar nxjerr në diritë jetën e një figure të shquar të bektashizmit, që vetëflijoi për idealin fetar e kombëtar.
2. Aty me fakte tregohet koha dhe depërtimi i bektashizmit në Ballkan e në Shqipëri dhe misionarëve që përhapën këtë ideologji të shenjtë fetare të Haxhi Bektash Veli-ut.
3. Në trojet shqiptare roli i klerikëve bektashjanë nuk ka qenë vetëm fetar, por edhe kombëtar. Në këtë drejtim dallon Teqeja e baba Alushit në Frashër mbi organizimin dhe përkrahjen që iu dha Lidhjes së Prizrienit.
4. Gjerësisht bëhet fjalë mbi jetën dhe veprimtarinë fetare e kombëtare të baba Bektashit:
kthimit në Shqipëri;
Shqipërisë;
5. Aty autori vend të posaçëm i kushton likuidimit të dy klerikëve bektashjanë që tradhëtuan rrugën e Haxhi Bektashit dhe u lidhë me partinë famëkeqe komuniste, nga ana e Kryegjyshit Botëror dede Abaz Mërtinji, i cili pas kryerjes së këtij akti që ka mbetur shembull i paharuar në historinë bektashjane e më gjerë, bëri vetëvrasje.
Prof. Fejzulla ABDULLAI
by s p

PRISHTINË, 22 Prill 2022-Gazeta DIELLI/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim senatorët e Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeanne Shaheen, Chris Murphy dhe Thom Tillis, të cilët mbërritën dje në Prishtinë. Pas këtij takimi presidentja Osmani ka shkruar: Kënaqësi të mirëpres senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chris Murphy dhe Thom Tillis në Kosovë. Senatorët i informova mbi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon. Përderisa Evropa po përjeton luftën në mes të demokracisë dhe tiranisë, Kosova, si gjithnjë, ka zgjedhur demokracinë. Avancimi i Kosovës në trajektoren e lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit është dëshmia më e fortë se populli jonë është i përkushtuar në rrugëtimin euro-atlantik. Kosova është më e fortë me aleatët e saj dhe jemi me fat të kemi mbështetjen e vazhdueshme të miqve tanë amerikanë.