• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2022

Energjia hyjnore e Shën Terezës dhe ndikimi i saj tek shqiptarët

May 4, 2022 by s p

Elmi Berisha/

Si populli më i vjetër i kontinentit të vjetër dhe themelues të qytëterimit antik, në historinë tonë sa të dhimbshme poaq të lavdishme, i kemi dhënë njerëzimit dijetarë, klerikë mendjendritur, kemi udhëhequr selinë e shënjtë, kemi dhënë prijës, strateg dhe luftëtar që i kanë dalur zot kombit dhe civilizimit evropian. Në fortuna historike dhe sfida mileniumesh kombi ynë ndriqoj edhe vuri dritë mbi vlerat civilizuese me emra që kanë zënë themelet e historisë botërore. 

Ne jemi të bekuar dhe krenar që jemi gjak i Buzukut e Kastriotit, Papë Klementit dhe Bogdanit të madh, por jemi krenar dhe të nderuar si komb sepse i dhamë njerëzimit një bijë dhe një nënë të madhe që na bën nderë dhe na e shton krenarinë me veprën e saj bamirëse e misionare, bija e madhe e kombit tonë e Shënjta Nënë Tereze.

Ashtu si shenjёtorёt e tjere, Nene Tereza eshte kudo e pranishme dhe frymezuese, pasi Ajo ka lene testamentin e besimit katolik te paster dhe te ndjerë në shpirt, optimizmin dhe shpresen gjithmonë fitimtare, thjeshtesinë e admirueshme, dashurinë hyjnore për njeriun, forcën, dhembshurinë dhe përkushtimin për të ndihmuar të gjithë të varfërit, të uriturit, të sëmurët, ata që vuanin e që ishin në vështiresi.

Gadishmeria dhe perkushtimi i saj ndaj thirrjes se Jesu Krishtit “Eja, behu drita ime”, e bënë misionare të bamirësisë, nënën e të varfërve, nënën e dashurisë, dëshmitare e dashurisë së Zotit, simbol të humanizmit , per çka populli e ka quajt dhe Nëna e botës.

Veprat sublime të Nënë Terezes janë vlerësuar nga mbarë popujt, që kanë marrë ndihmën, mbështetjen, përkrahjen dhe përkujdesjen e saj shembullore, por dhe nga shumë personalitete të botërore duke e lartësuar kështu edhe qenien dhe kombin shqiptar gjithandej globit.

Papa Gjon Pali II ka thenë: “Nëne Tereza e Kalkutës, bija e popullit shqiptar, i ka dhënë nderin dhe shkelqim kombit të saj, po ashtu dhe Kishës Katolike”.

Në vitin 1985, me rastin e 40-vjetorit të themelimit të OKB, Nënë Tereza u ftua të fliste para Asamblesë së Përgjithëshme. Sekretari i Përgjithëshëm i OKB Perez de Cuellar, e prezantoj Nënë Terezën me këto fjalë:  ”Ketu është salla e fjalimeve. Në këtë tribunë kane folur burrat më të fuqishëm të botës, ndersa tani kemi privilegjin të kemi mes nesh e të dëgjojmë gruan më të fuqishme të botës. Nuk besoj se është e nevojshme  t’u a prezantoj, sepse e njihni te gjithë. Mendoj, se gjëja më e mirë që mund të bëjë unë është ta ftoj te na nderoj me fjalën e saj dhe t’u them, se ajo është më e madhe se unë, Ajo është më e madhe se të gjithë ne së bashku. Ajo është OKB. Ajo është paqëja në botë.”

Kardinali Paskal ka thene: “S’mund te jete i vogel nje popull, qe ka dhene Nene Terezen kaq te madhe”.

Te gjithe shqiptaret ne bote, krenohen me shqiptaren e shquar Nene Tereza, e cila gjithmone dhe me krenari deklaronte perkatesine shqiptare, si e theksoj kur e nderuan me çmimin Nobel me 1979, duke i u pergjigjur pyetjes për origjinën e saj, që i bëri një prift në sallën ku zhvillohej ceremonia: “Me origjinё dhe me gjak jam shqiptare, me shtetёsi hinduse, jam motёr katolike e permes thirrjes time i perkas gjithe botes, por zemra ime i takon vetem Zotit”.

Nje deklarate lapidare, e fuqishme, e shprehur qartesisht e me dashuri, duke i bere të qartë botës, jo vetëm se është me origjinë, por është shqiptare, është me gjak shqiptar.

Nënë Tereza u bë një nga urat ndërlidhëse të njohjes së shqiptarëve në botë. Presidenti i USA Bill Klinton, ne qershor te vitit 2002 u shpreh: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo qe më bëri ta dua kombin shqiptar. E tani ndihem shume krenar, që e plotësova një detyrim moral ndaj saj dhe ndaj vlerave te lirisë”.

Në shkrimin per 100 personalitetet e botes, ne kapitullin e parë me titullin “Shtyllat e Moralit”, asht vendosur dhe Nënë Tereza. Kapitulli fillon me Abrahamin dhe vazhdon me Konfucin, Budën, Sokratin, Platonin, Jezu Krishtin, Shën Palin, Muhametin, Xheladin Rumin, Shën Françeskun, Emmanuel Kantin dhe Nënën Terezën. Ne vitin 2012 Asambleja e Kombeve të Bashkuara, në nderim të kontributit të humanitar e bamirës të Nënë Terezes, diten e ndarjes nga jeta, 5 shtatorin, e shpalli Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë.

Ndikimi i rrezatimit dhe humanizmit të Nënës sonë të Madhe ka pasur dhe ka ndikim të madh te kombi shqiptar gjithandej planetit. Solidariteti, humanizmi dhe dashuria për njëri tjetrin, jetën dhe njeriun janë tradita të lashta të kombit tonë. Vepra e Nënë Terezës është e ngulitur në mendjen dhe zemrën e çdo shqiptari, Shoqata Nënë Tereza ishte sofër e gjysmës së kombit tonë në katrahurat më të mëdha të historisë sonë, nën ndikimin dhe rrezatimin e energjisë dhe dashurisë për paqen, solidaritetin, parimet humane dhe sakrificën njerëzore na mbajti bashkë edhe në kohë të vështira. Ngadhnjeu e mira, e drejta, besimi dhe dashuria për paqe liri dhe prosperitet. Nënë Tereza vazhdon të na frymëzoj dhe të jetë udhërrëfyes për vlerat dhe ecjen përpara në binarët e duhur dhe prosperues si komb me vlera të lashta dhe pjesë e civilizimit perëndimor.

Krenar që jemi pjestar të një gjaku, gjuhe dhe kombi me Shënjtorën e Madhe, Nënë e  Botës.

Vite dhe shekuj do të kalojnë dhe pasardhësit tanë në gjithë globin me siguri do të shprehen me admirim e do të ndjehen krenarë e të privilegjuar para gjithë njerëzimit sepse kanë jetuar në kohën kur Nënë Tereza ishte gjallë. Veçanërisht kombin shqiptar e gjithë bota do ta nderojë dhe respektojë gjithmonë në nivelet më të larta të kohërave që do të vinë, pasi nga gjaku i këtij populli të lashtë lindi Gonxhe Bojaxhiu të cilën Zoti e thirri dhe me misionin e saj ajo u bë Nënë e mbarë Botës.

Filed Under: Politike Tagged With: Elmi Berisha

Në kohën moderne

May 4, 2022 by s p

Anila Nicklos, M.Ed., CDP

Këshilltare për Organizatat Partnere në Kabinetin e Kryetarit të Vatrës/

Ngjarjet e fundit botërore dhe sidomos lufta në Ukraine tregojne qartë se si situatat ndryshojnë menjëherë dhe sa delikate është jeta jo vetëm e një individi por edhe fati i një kombi. Për më tepër këto ngjarje botërore shërbejnë si mësim për mbarë njerëzimin. Por në qoftë se do të mbeshtetësha vetëm tek lufta në Ukrainë do të krijohej ndjesia se konfliktet e tjera nuk kanë rëndësi apo janë më pak të dhimbshme gjë që nuk do qëndronte mirë. Besoj që një individ në dhimbje apo një komb në dhimbje pa marrë parasysh gjeografine e tyre ka te drejtat e veta per menyren se si e perjeton dhimbjen (kualifikimin e dhimbjes sipas shkalles – e ulet, e larte, shume e larte) si edhe deshires (sa ndihme kerkon, pak apo shume) per tu ndihmuar. 

Sot dua te theksoj rendesine qe kane konfliktet boterore, ndikimin e tyre ne vendimet qe marrim ne te gjitha sferat e jetes, dhe sidomos kur bejme krahasimin me historine e popullit tone e njerezve tane ne pergjithesi pa marr parasysh ku jetojme dhe kontribojme.  Si vlere krahasimi ne kete moment eshte Ukraina per faktin e thjeshte se President Volodymyr Oleksandrovych Zelenskyy po fiton respekt mbare boteror per udheheqjen e kombit te tij dhe per menyren e re te udheheqjes qe ai po shpalos.  Shume miq me te cilet flas dhe diskutoj per situaten ne Ukraine flasin per shume aspekte te konfliktit por ne kete shkrim dua te cek dy ose tre aspekte. 

Para se te ndaj me ju mendimet e mia e diskutimet me miq do t’ju lutesha te mendonit per President Zelenskyy(n) …Cfare mendoni per te kur dikush permend emrin e tij ose kur i shikoni imazhin ne media? Ne syte e disa miqve ne rrethin tim, President Zelenskyy perfaqeson nje udheheqes te nje fryme te re e moderne, mbushur me trimeri, dashuri per kombin, dhe vetmohim, nje udheheqes qe komunikon ne nje nivel stelar mesazhin e tij ne arenen kombetare edhe nderkombetare.  

Per shqiptaret qe jetojne ne Amerike kuptohet qarte forca e nje udheheqesi te nje kombi per t’ju drejtuar Kongresit Amerikan ne te cilin ai i pergjerohet Amerikes per te ndihmuar Ukrainen.  Fjalimi i tij dhe videoja qe shoqeroi transmetimin virtual kishin nje kualiteti teper te larte.  Mesazhi ishte krijuar me vizionin e kultures amerikane dhe si perceptohen komunikimet ketu ne Amerike.  Nderkohe qe shkruaj kete artikull President Zelenskyy po i drejtohet Parlamentit Shqiptar (3 Maj, 2022).  Mesazhi pershtatet per Shqiperine dhe shqiptaret duke permendur edhe Shenjtoren Nene Tereza si edhe falenderimin per Shqiperine per mbeshtetjen per Ukrainen dhe per perkujdesjen e Ukrainasve ne Shqiperi.  Ne te dyja rastet respektivisht Kryetarja e Dhomes se Perfaqesuesve te Amerikes, Nancy Pelosi si edhe Kryetarja e Parlamentit Shqiptar, Lindita Nikolla perfundojne viziten virtuale me Presidentin Zelensky duke pershendetur “Slava Ukraini”.

Presidenti Zelenskyy mund te kish zgjedhur nje rruge te lehte dhe te largohej nga Ukraina qe ne fillimin e luftes.  Biles mund te permendet kuota e tij tashme e famshme e cila nuk eshte konfirmuar plotesisht, “Lufta eshte ketu; Une kam nevoje per municion, jo per nje udhetim”.  Ne fakt, jo vetem qe nuk u largua por me stilin e udheheqjes frymezoi popullin e tij dhe boten mbare.  Qendresa heroike, vizioni i lirise, komunikimi i shkelqyer tranformoj perspektiven e lidereve boterore dhe fokusoj vemendjen te Ukraina.   Analistet supozuan qe Ukraina do te dorezohej shume shpejt.  Por jo…  Aktualisht, lideret boterore vizitojne Presidentin Zelenskyy e gjithashtu ecin bashke rrugeve duke takuar njerez me te cilet shkembejne fjale prosperiteti dhe ne fund konkludojne me Slava Ukraini edhe ne muajin e trete pas fillimit te luftes. 

Kur flasim per Ukrainen flasim per nje shtet shume te madh, me nje popullsi prej 44.000.000 banore, nje shtet me nje ushtri te forte, nje nga eksportueset me te medhenj te dritherave ne bote.  Dhe pse nje vend me kete numer popullsije dhe me vitalitet te larte perseri fati i ketij kombi mberriti te vendosej me lufte. 

Shqiptaret kudo neper bote kane shprehur solidaritetin e tyre me Ukrainen dhe Ukrainasit.  Edhe nipi im nepermjet kompanise se tij ka derguar ndihma mjekesore direkt ne Ukraine.  Kush me shume e kush me pak po ndihmon.  Por barra e luftes rendon nga ata vete Ukrainasit.  Pikerisht ky fakt se te kush rendon lufta me ben prezent per historine e kombit tone.  Sot me shume se kurre shqiptaret duhen te mendojne per njeri-tjetrin me shume dashuri dhe te bejne te pamunduren qe te veprojne e te bashkepunojne me njeri-tjetrin.  Per shekuj kombe te tjera jane munduar te na percajne.  Ky fakt i vetem thekson me teper se sa shume pune kemi bere por edhe qe duhet te vazhdojme te bejme per te qene te bashkuar pa dallim feje, krahine e besimi politik.  Historia ka treguar se popujt qe kane perjetuar shkalle te larta tragjedije kane mesuar se ne ditet e veshtira i kane dale per zot vetes duke dashur me shume njeri-tjetrin e duke vendosur besimin tek njeri-tjetri.  Le te bejme te pamunduren per njeri-tjetrin.  

Gjithashtu, po duke u mbeshtetur te konflikti ne Ukraine… sic e permenda me lart, te jesh i pranishem ne Dhomen e Perfaqesuesve te Amerikes eshte fakt shume domethenes.  Eshte pjese e lidhjeve te forta te Diaspores Ukrainase ne Amerike, pjese e perpjekjeve te tyre dhe kontributit te tyre ne emer te bashkekombasve ne Ukraine.  Ndihma kolosale per Ukrainen permbyll nje cikel procesesh brenda dhe jashte Ukraines te cilat kur ekzekutohen ne menyre te shkelqyer e me mencuri prodhojne rezultate te tilla. 

Jam teper krenare per shqiptaret kudo qe jane.  Deshira dhe vizioni im personal per te gjithe ne eshte vazhdimi i perpjekjeve tona me qellim te qarte e te percaktuar, dashuria per njeri tjetrin, komunimikimi preciz, forcimi ekonomik, rritja e kultures tone, ndertimi i nje vendi te bukur jo vetem nga ana shpirterore por edhe vizuale.  Shqiptaret po arrijne maja te larta ne bote e kemi per borxh te kthejme sadopak te ketij potenciali drejt tokes meme dhe drejt njeri-tjetrit.  Ne karrieren time kam takuar njerez nga gjithe bota.  Kombet qe ecin perpara ndjekin parimin kryesor te dashurise per njeri-tjetrin.  Mos harroni do shume kohe te tejkalojme situatat dhe inskenimet e komshinjve.  Le te jemi te ndergjegjshem per to dhe te perqendrohemi e te mbeshtesim njeri tjetrin.  

Kur dikush mendon vetem per nje moment mund te minoj te ardhmen, por kur mendon per te ardhmen e kupton qe duhet te perqendrohesh te nje seri momentesh.  Le te ngreme ndergjegjen e shqiptarit dhe te kuptojme se e ardhmja jemi ne me nje seri momentesh….qofshin keto politike, ekonomike, edukuese, shpirterore, fetare, shendetesore si brenda ashtu edhe jashte tokes Ame.  Respekt per njeri-tjetrin.

Filed Under: Opinion Tagged With: ANILA NIKLOS

DILOIADA-BALADË PËR TMERRIN PA FUND

May 3, 2022 by s p

(Pikëpamje për poemën-baladë të tmerrit pa fund : “DILOIADA” të autorëve Jorgo S. Telo Eduard M. Dilo)

Nga Tonine Hido, studiuese, “Mësuese e Merituar”, “Ambasadore e Paqes “.

Libri “DILOIADA” me autorë Jorgo S. Telo dhe Eduard M. Dilo e pa dritën e botimit në fillimviti (2009), si për të thënë: “Po shkrijnë akujt e dimrit të acartë, nga lotët e paterur të dhimbjeve…”Atë vuajtje të përbashkët, hedhur në mijëra faqe librash e gazetash, në mijëra kujtime përmes ekraneve të televizorit për kohën pa stinë të diktaturës komuniste në Shqipëri, më të mistershmen e globit, ku “dhe vetë Zoti ç’hoqi”, autorët e japin përmes poemës – baladë, krejt të veçantë për nga materiali faktik e shumë origjinale për nga kompozimi…Si poetë autorët përcjellin një muzikë rrënqethëse, një melodi të trishtë, kompozuar mjediseve të blerta të shpirtit, kontributeve, fisnikërisë dhe madhështisë së familjes Dilo në Sheperin e Zagorisë e të Çajupit, pikërisht për “Lisin” me degëshumë, të “Mësuesit të Popullit” Ilia Dilo, gjuhëtarit. albanologut, shkencëtarit… muzikë – përballë goditjeve çnjerëzore, amorale, me të cilat diktatura “shpërblente” vlerat e patriotëve, kontributet e njerëzve të shquar në dituri dhe humanizëm; goditje të “luftëklasës”, ku të “grinin vampirët” për të “vrarë” shpirtin” e për të “ckulur rrënjët” e familjeve fisnike që nderoheshin dhe u dëgjohej fjala me peshë…Mbi këtë shtyllë të fuqishme: heroi, familja, përndjekja – torturë e “djajve të kuq”, “fuksave”, që i bindeshin “timonit – padron”, qëndresa, përcjellja e vlerave në kohët e vështira, siç ishin mëkuar “ të ishin vetvetja” – era e lirisë përtej oqeanit etj. ecnin shtruar, gërshetuar me njëra – tjetrën; shpjegojnë njëra – tjetrën në përqasje e përplasje kohësh, tipash, ngjarjesh reale…ecin për rrugë të drejtë, pa devijime shpifjesh, insinuatash, imagjinate delirante, hakmarrjeje, siç do të pritej natyrshëm prej çdo lexuesi….Me dinjitetin gjenetik të babait të ndritur Ilia Dilo Sheperit dhe nënës së mençur, të dashur, të duruar e largpamëse, Sava Ruci (degë e trimit që mbrojti flamurin kombëtar përkrah Ismail Qemalit në Vlorë më 1912), të dhjetë fëmijët – yje të rrënjës, krijojnë një ansambël drite njerëzore, bëmash, qëndrese, që rrallë gjendet në një portret të vetëm.Pikërisht në prologun mbresëlënës, mpleksur mitikja me realen përmes metaforave mjaft impresionuese, krijohet kuadri lokal e kohor i poemës – baladë me një antitezë të pashoqe që më shumë kuptohet në sintoninë e qëllimit autorial:……………………..“Fillikat vajton shtëpia…
Mbledhur lotët e përgjakur,
Nga çdo rrënjë del një bisk.
Ngjizur bisqet e përflakur
Te kondisma – obelisk.”
Kështu paraqitet tema që do të shtjellojë libri; duke vendosur një përmendore për rrënjët dhe degët e familjes Dilo, që t’i mbetet vend i shenjtë, për t’u lutur para bustit në bronx të mësuesit të madh Ilia Dilo Sheperi, që barbarisht e zhvarrosën pas 30 vjetëve, pasi kish vdekur, por hijerëndë imponohet: “Fali, o Zot, se nuk dijnë ç’bëjnë!”
Nëse libri voluminoz “Rrno vetëm për të tregue” i At Zef Pllumit, “Nder i Kombit” është quajtur “akuzë-skaner” për diktaturën e gjatë barbare 50-vjeçare në Shqipëri, ushtruar prej antinjerëzores, mizorisë, krimeve të paimagjinueshme, gjithë këtë helm e gjejmë të mbledhur për jetën e një familjeje të vetme, të familjes në zë: Ilia Dilo Sheperi: prindër, dhjetë fëmijë me bashkëshortët e tyre e fëmijët, të bukur në shpirt e mendje, të ditur e plot kulturë, krijues e zbatues në fushat përkatëse të diplomimit… por… të përjashtuar, të përndjekur, të gjykuar me dëshmitarë që nuk lexonin dot as shpifjet e porositura, të burgosur e të internuar, të masakruar gjer në djegie së gjalli të nuses – nënë, Kaliopit, mu në prag të shtëpisë (nga vëllezër- hije të nazizmit në krematoriume).
Ç’gjumë bëjnë përbindësha të tillë, kur edhe për dërrasa të arkimortit (se nuk ishte qendra funerale si tani), s’e ndihmoi asnjë nga fshati familjen zemërplazur nga dhimbja, sa që me duart që do t’i mbanin lule – përcjelljeje me lot të ngrirë shpirtërorë, shkulën hunjtë rrethues të oborrit, për të rehatuar trupin e dashur në kuti kaq fyese, primitive. Me se, me ç’alfabet artikulojnë fjalët e buzëqeshjet e shtira këta monstra që përdhosin kodin e jetës e të vdekjes?!!… Kur në vend të fjalës së mirë, që shoqëron tradicionalisht lamtumirën e fundit për këdo, kriminelët “këshillonin” t’i hidhnin gëlqere varrit të Dilenjve, që të mos u gjendej as nami e as nishani për kockat që preheshin qetësisht…
Se krimineli… kthehet në vendin e krimit… (me fjalët, intrigat, vrasjen pas shpine)
Në një paralele m’u kujtua familja JASHARI në Kosovë, masakruar nga forcat serbe. Kështu në Zagori dhe jashtë saj janë masakruar mbi tri duzina dilenj:burra e gra… veç prej shqiptarëve, ndoshta dhe bashkëfshatarëve, sepse krimbat s’e durojnë madhështinë e lisave, rritur në diell vlerash, që dhe kur i presin si Ilia Dilo Sheperin, gjejnë forcën t’i përqeshin kuçedrat mizore, duke thënë para vdekjes:
“Edhe po ma pretë fytin nga inati,
Bindjet dot s’m’i vrisni, vrisni vetëm shtatin.
Fytin do ta kem si “a-ja” e shqipes.
Boll ju kam duruar përmes kërcënimesh…!”
Se heroi ynë, Ilia Dilo Sheperi qe një det diturie që e vuri jetën në shërbim të shkollave shqipe në krahinë e jashtë saj, në përgatitjen e një gramatike plot vlerë në planin shkencor e praktik për mësimin dhe ruajtjen e gjuhës amtare; me “detin e diturisë” Mësuesi i Popullit qëndroi si burrë ndaj Patrikanës, udhëhoqi shoqatën “Kandili” me Petro Hariton e Çerçiz Topullin tok…
Kështu, me vlagën e rrënjës familjare, gjejmë në libër gjelbërimin e hijshëm të dhjetë degëve me gjethe – lule të Dilajve, me ngjyrimet e veçanta personale të secilit, mbledhur në kornizën – flori të fisit, diçiturën e së cilës lexojmë në besimin e madhështisë shpirtërore të Qirjakos, ekonomist, gazetar, që refuzoi postin e ministrit te financave në kohën e pushtimit fashist, sepse…”jeta është e përkohshme dhe e vërteta është e përjetshme…”
E, ndonëse u trajtuan gjatë dekadave të “murtajës komuniste” si “reaksionarë” prej më antikombëtarëve, duruan me thikën për kockë me dinjitet, se pas “vdekjes” do të çelë jeta si lulja xanës së verdhë në Çajupin e ajërit, e ujërave të pastra dhe dilenjtë besuan se do ta shihnin atë pranverë… Dhe e panë të gjymtuar, thotë balada, të rralluar në emra dhe shtëpi, por arritën kohën që prisnin e që e ndienin thellë në parathënien e vuajtjes së tyre…
Nga Zagoria e rrënjës gjer në Amerikë, përtej oqeanit, një ylber jete dhe vdekjeje, shprese dhe ringjalljeje; kujtimet e derdhura në vargjet e baladës do ta mbushnin hapësirën me lot të paterur, me derte të pathëna, me këngë të pakënduara që Rovena – mbesë nuk i përqafon dot të mbledhura në pentagramin e melodisë së mallit…
Prandaj jetë – vdekja, gjenden pranishëm dorëpërdore në poemë ( si në librat e tjerë të Jorgo Telos) dhe ndjehen si etaloni për “një jetë e ardhur së vdekuri” për familjen Dilo, por që s’kërkon hakmarrje edhe kur “djalli” shkon të prishi qetësinë qiellore të “shpirtit – engjëll”, të mësuesit Ilia Dilo Sheperi, duke kërkuar “çertifikatë të përsekutuari”(shënimi im) . Babai i të martirizuarve përcjell inkuizitorin të lajë gjynahet te “tokësorët”…
Kështu autorët me realizëm, larg faljes së krimeve vetëm në qiell, japin mesazhin e vyer se mirësia investohet në jetën e të gjallëve, për t’u ngjitur në pavdekshmërinë e qiellit… edhe në bronxin e shtatoreve hijerënda… E keqja përvëluese shkrumbon së pari zjarrvënësin, qoftë edhe pas shumë viteshthjesht çështje kohe…
Kjo filozofi përcillet natyrshëm si një baladë e kreshnikëve të kohës moderne: me emra të njohur, me ngjarje të jetuara, përmes një gjuhe të pasur në shprehje të krahinës, me figura pikante që vulosin mirë portrete, ide, mesazhe në mënyrë konçize dhe shpesh të lënë pa frymë nga forca sugjestive që mbartin…
Vërtet poema-baladë i kushtohet një fisi të vetëm, Dilajve në Sheper të Zagorisë, por ajo që ka ngjarë dhe përshkruhet artistikisht në libër ka forcë njohëse, përgjithësuese të pallogaritshme për arsyen e thjeshtë, se nuk mund të ketë qetësi shpirtërore dhe paqe në shoqërinë postkomuniste, pa gjetur guri vendin e vlerave apo antivlerave… realisht, jo me ligje pa zbatim, jo përmes shoqatave persekutorësh ndaj ish të persekutuarve, por me drejtësi, me bazën e së vërtetës, që është e përjetshme…
Krahina e Dilajve, gjithë Shqipëria, ka nevojë për libra të tillë, jo për zjarre urrejtjeje hakmarrëse, por të mos harrojmë ç’ka ndodhur, se ndryshe e kaluara përsëritet me forma të reja, në emra të rinj në kohën moderne të demokracisë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Eduard dilo

5-VJETORI I THEMELIMIT TË LAPSH-it NË BAVARI

May 3, 2022 by s p

M.Krasniqi/

Më 23 prill 2022, kryesia e Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) në Bavari, për  nderim të 5-vjetorit mbaji takim pune! Ditë më parë u vendos që për shkak të rregullave të pandemisë të mos organizojë manifestim me masë, por të manifestohet përmes faqes zyrtare, në rrjetet sociale dhe t’u dërgohet mediave elektronike, TV. dhe mediave të shkruara, një video bashkë me shkrimin, për punën dhe suksesin e LAPSH-it, përgjatë këtyre pesë viteve deri te kuvendi i fundit, më 31.03 2022. 

LAPSH-i, gjatë kësaj periudhe 5-vjeçare ka kaluar nëpër një rrugë jo të lehtë, shpesh edhe me sfida të mëdha! Por, falë vendosmërisë dhe vullnetit të lartë, vizioni dhe misioni e tij të pandalshëm arriti objektivat në themelimin dhe ngritjen e shkollës shqipe në Bavari, në saje të punës së madhe që bënë nismdhënëset dhe themeluesi z. Mustafë Krasniqi me grupit e punës – intelektualët: z. Fran Tanushi (tani i ndjerë), z. Fadil Lumi, znj. Donika Zonja, znj. Hateme Morina, z. Isuf Bytyçi, z. Agron Ibrahimi dhe z. Jonuz Veliçi! Që në shtator të vitit 2016, i dorëzohet projekti, për Mësimin Plotësues të Gjuhës Shqipe, konsullatës së Republikës së Kosovës. Projekt, i cili gjeti përkrahjen e konsullatës së Republikës së Kosovës, gjegjësisht të konsullit Hamdi Reçica dhe, me hapjen e Konsullatës së Shqipërisë, përkrahje kishte edhe nga konsulli i Përgjithshëm Arten Hanku dhe Dr. Dashi Ibraj, që më 8 tetor të vitit 2016, themelohet Këshilli Nismëtar me përgjegjës z. Mustafë Krasniqi.

 Gjatë kësaj periudhe, Këshilli Nismëtar dha një deklaratë për media, shpërndau formularin për vitin 2016/17, për regjistrimin e nxënësve dhe hapi disa klasë. Po ashtu arriti t’i mbajë disa takime me bashkëkombësit dhe shoqata të ndryshme, që veprojnë në Republikën e Bavarisë. Njëri ndër takimet e rëndësishme ishte ai me përfaqësuesin e Ministrisë së diasporës, i Qeverisë së Kosovës, drejtori e Departamentit për Arsim dhe Kulturë në Diasporë,  z. Avdyl Lipoveci, me konsullin e Republikës së Kosovës Hamdi Reçica dhe përfaqësuesit e bizneseve, të cilët u zotuan se do ta ndihmojnë këtë nismë. 

Më 23.04.2017, në prani të mësimdhënësve, Këshillit të prindërve, Shoqatave dhe përfaqësueseve të bizneseve, që jetojnë dhe veprojnë në Bavari, LAPSH-i mbajti Kuvendin e parë themelues, që të pranishëm ishin: ish-Ministri i Arsimit, i Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, z. Arsim Bajrami me stafin e tij, ish-Ministri i Diasporës i Republikës së Kosovës z. Valon Murati, drejtori i Departamentit për Arsim dhe Kulturë në Diasporë, z. Avdyl Lipoveci, konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë z. Arten Hanku, konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës z. Naser Idrizi, Këshilltari z. Faket Kajtazi dhe Konsulli Hamdi Reçica. Nga ky Kuvend u zgjodh kryesia prej 19 anëtarësh: z. Mustafë Krasniqi – kryetar, z. Tefik Jaha – nënkryetar, znj. Donika Zonja – nënkryetare, z. Fran Tanushi-nënkryetar, z. Isuf Bytyçi-sekretar, z. Agron Ibrahimi-Arkatar dhe znj. Lorita Ismaili-Zëdhënëse, kurse anëtarë tjerë ishin: znj. Valbona Roçi, z. Anila Xhani, znj. Nerxhivane Qorolli, znj. Minire Gajtani, znj. Nife Arifaj, znj. Xhevahire Sylejmani-Maliqi, z. Fadil Lumi, z. Januz Veliqi, znj. Lule Lokaj, z. Maxhun Smajli, Dr. Edmond Skënderaj dhe z. Sahit Bejta.

Nga kjo kryesi e dalur nga vota e bashkëkombësve u nxorën shumë rregullore, u formuan komisione, Këshilli i Arsimtarëve, u morën vendime dhe u hapën shumë klasa e u pranuan mësimdhënës të rinj, u mbajtën seminare, manifestime dhe kuiz diturie! Kurse, përmes faqes www.uraebashkuar.com dhe facebook-ut, faqes zyrtare  Shkolla Shqipe – Bavari, sensibilizuan çështjen e mësimit plotësues në gjuhën shqipe! Ndërsa Donatori ishte Fondacioni “Besa”, pa i harruar edhe donatorët tjerë, që jetojnë e veprojnë në Bavari, si dhe Shoqatën gjermane “ Morgen e.V.”. 

Kryesia e LAPSH-i në këtë periudhë ndërtoi lidhje të ngushta me MASHT-in dhe MDIS-in, të Republikës së Kosovës dhe organizoi takime me përfaqësues të MASHT-it: nga Instituti Pedagogjik, IPK, Drejtoria e Kompetencës – Skenderaj, AAPAR, etj. Po ashtu kishte vizita në shkollat funksionale në bavari, nga përfaqësuesit institucional, kurse dy Konsullatat shqiptare në Mynih caktuan përfaqësuesit e tyre dr. Dashnor Ibra nga Konsullata e Shqipërisë dhe  z. Faket Kajtazi nga Konsullata e Kosovës. 

  LAPSH-i në Bavari, nga Kuvendi i dytë zgjodhi: z. Milazim Ukaj – kryetar, z. Selim Hoti – nënkryetar, koordinator i Këshillit të Arsimtarëve z. Mustafë Krasniqi; z. Avdi Kolukaj – sekretar dhe z. Rexhep Nikqi – arkatar. Gjatë kësaj periudhe, LAPSH-i në bashkëpunim me konsullatat shqiptare në Mynih, nënshkruan marrëveshjen e përbashkët nga: z. Arten Hanku – konsull i përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë, z. Afrim Nura – konsull i përgjithshëm i Republikës së Kosovës dhe z. Milazim Ukaj – kryetar i LAPSH-it për Bavari, ku LAPSH-i autorizohet të menaxhojë dhe koordinojë mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Landin e Bavarisë. 

Gjatë periudhës 5-vjeçare LAPSH-i me punën e tij të pandalshme, përpos hapjes së klasave, rritjes së numrit të nxënësve dhe të mësimdhënësve u angazhua edhe për mbajtjen e seminareve, të kuizeve të diturisë, mbajtja e manifestimeve e  të datave historike. Kurse në mars të vitit 2021, gjuha shqipe u fut në listën e grupit të gjuhëve të huaja, në periudhën që ishte më sfiduesja, ku përballeshim me pandeminë. 

Vlen të ceket se LAPSH-i me punën e tij të madhe dhe me shumë sfida, e krejt vullnetare (puna e kryesisë) në këtë rrugëtim ka udhëtuar me vizion të qartë; “Ta ndërtojmë dhe kultivojmë bindjen për ruajtjen e gjuhës amtare, për shkollën shqipe”, me qëllim që bashkëkombësit të mos jenë në udhëkryqe, pa fajin e tyre, fëmijët të mos e harrojnë gjuhën amtare. Gjë që për fat të keq, brezi i dytë ka filluar ta belbëzojë shqipen e bukur, kurse brezi i tretë ka dro që dhe do ta harrojë në tërësi! Për këtë, mbi qindëra shkresa e shkrime janë shkruar dhe bërë, nga drejtuesit e LAPSH-it, që jo rrallë janë injoruar, me apo padashje dhe nuk janë marrë me hallin e mërgimtarit, nga vet institucionet tona të atdheut! Megjithatë LAPSH-i asnjëherë nuk ka hequr dorë nga institucionet, por këmbëngulës ishte dhe mbeti që në çdo formë të mbetet i lidhur me  institucionet tona, pavarësisht se sa këto do ta ndiejnë shqetësimin e LAPSH-it. 

Më 27.03.2022, LAPSH-i në Bavari të Gjermanisë, sipas rregullores i mbajti zgjedhjet e legjislacionit të tretë, në prani të 50 delegatëve nga gjithsejtë 64 sa ishin të ftuar. Të pranishëm ishin mësimdhënësit, përfaqësuesit e Këshillave të Prindërve dhe dy Konsullatat shqiptare në Mynih, përfaqësuesi i Fondacionit “Besa” dhe asambleistja komunale e Mynihut, zj. Lendita Musliu. Kuvendin e drejtoi sekretari, Avdi Kolukaj në mbikqyrjen e grupit punues;  Selim Hoti, Mustafë Krasniqi, Rexhep Nikçi dhe Milazim Ukaj deri në zgjedhjen e komisionit zgjedhor të kryesuar nga Nevila Saja dhe anëtarët tjerë të komisionit: Nife Arifaj, Valbona Roçi, Adem Smakiqi dhe Iljaz Alija.  Nga këto zgjedhje u zgjodh kryesia prej 7 vetash: Milazim Ukaj – kryetar, Armend Ismaili – nënkryetar, Avdi Kolukaj – sekretar, Xhemshit Tafa – arkatar, Arif Arifaj – përfaqësues i Këshillave të Prindërve Anila Xhani – zëdhënëse dhe Mustafë Krasniqi – koordinator i Këshillit të Arsimtarëve, i cili e zgjodhi Këshillin Pedagogjik: Lume Daci-Hoti, Valbona Roçi, Nife Arifaj, Nevila Saja, Drenusha Istogu dhe Selim Hoti. (Nga M.Krasniqi)

Ps. Me video. https://www.youtube.com/watch?v=Me8KKFZWvtM

Filed Under: Kulture Tagged With: mustaf krasniqi

Pak fjalë të lirë

May 3, 2022 by s p

Astrit Lulushi/

Liria e shtypit është e garantuar. Kjo nuk do të thotë se shtypi i lirë shprehë ndonjë të vërtetë apo gjë me vlerë. Liria është gjithashtu e garantuar vetëm për ata që i zotërojnë. Por a nuk kemi lirinë ta fitojmë atë me kundërshtime a protesta? Liria e tyre është gjithashtu e garantuar. Ka shumë rëndësi për të folur.
Mendimi vjen përpara se të flasim. Si do t’i quanim mendimet, krime mendimi? Ti u ngrite nga shtrati sot dhe thjesht mendove se do te beje nje krim te menduar? – kjo do të ishte akuza. Mendimi i lirë, lëvizja e lirë, shtypi i lirë, frymëmarrja e lirë, këto janë pikërisht ato që qeveria na i jep si “benefite”apo “dhurata”. Mendimi është fillimi i krijimit dhe përmbushja e mendimit është krijimi. “Liria e shtypit” nënkuptohet si mbrojtje e të gjitha formave të mediave joverbale nga ndërhyrja e qeverisë. Kjo nuk nënkupton garancinë e aksesit apo të pronësisë dhe nuk kufizohet vetëm tek ata që e konsiderojnë veten gazetarë.
Qeveria, pronarët dhe redaktorët do ta modifikojnë lajmin në mënyrë që ata të mund të nënkuptojnë vetëm atë që dëshirojnë. Asnjëherë nuk duhet t’i merrni si të qena të gjitha ato që thonë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT