• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2022

Të kujtojmë atdhetarin, mësuesin, gjuhëtarin, Ilia Dilo Sheperi

May 1, 2022 by s p

Botue me rastin e 175-vjetorit të vdekjes.

Nga Anton Çefa

Lindi në vitin 1872, në Sheper të Zagorisë, në atë trevë të begatshme atdhetarizmi, plot vlagë ideali, ndjenje dhe vullneti patriotik. Jetoi në periudhat më kyçe të historisë sonë, vlerësoi me zgjuarësi detyrat parësore të secilës prej tyre dhe i ndriçuar nga ato, përcaktoi rrugën e vet të jetës e të punës, duke u rreshtuar gjithnjë në krahun më përparimtar të shqiptarizmës dhe, me përkushtim fisnik, nuk kurseu asgjë në dobi të Shqipërisë.

Në periudhën e parë të jetës, duke ndjerë jehonën burrërore të Lidhjes së Prizrenit, u bë shërbestar i gjuhës. Tek dituria, që fillon me gjuhën e ëmbël të nënave, ai vendosi altarin tek i cili do të lutej dhe edhe do të flijohej, po qe nevoja, për lirinë dhe begatinë kombëtare. Vetëm kultura do të davariste mjegullat e iniorancës që kishte endur robërimi shekullor, do të dritësonte ndërgjegjet e tulatura dhe do të ndizte zjarrin e shenjtë të dashurisë për atdheun. Kështu, që në moshë të re, Ilia zuri vend në llogoret e arsimimit të popullit, edhe pse e dinte fort mirë se atje ai do të ndeshej, për jetë e për vdekje, me armiqtë e kombit: pushtuesit osmanë dhe Patrikanën e Stambollit.

Patrikana, armiku më i egër i gjuhës e i shkollës sonë- një nga armët më të rrezikshme në sendërtimin e qellimeve djallëzore të greqizimit të krahinave tona të Jugut- e ndoqi dhe e përndoqi me të gjitha mënyrat që dinte e që përdorte ajo dhe në të gjitha shtigjjet e liga dhe rrugët kriminale, që përshkonte ajo tinëzisht e haptas; por burri nuk jepej. Atëherë ajo vendosi ta zhdukte. A nuk kishte dënuar e ekzekutuar në mënyrat më barbare sa e sa kolegë të shkollës e të idealit të Ilias?

Nën padinë se “mësonte gjuhën shqipe dhe se shkollën greke të fshatit e kishte kthyer në shkollë shqipe, Patrikana e dënoi me vdekje. Padia qe më se e vërtetë: megjithse, shkolla shqipe në Sheper u hap në vitin 1917, Ilia e pati kthyer shtëpinë e vet në shkollë, ku mësohej gjuha shqipe, që në vitin 1907.

Dënimit kapital të Patrikanës, mësuesi i urtë iu përgjegj me stoicizmin e idealistit të vërtetë: “Edhe kur të më prisni kokën, në grykën time do të gjeni një “a”, një “b’ dhe një “c”. Nuk di ndonjë shkollë tjetër kombëtare që të jetë ndërtuar mbi themele të tilla të lavdishme vetëflijimi e heroizmi, por këtë dukuri kaq të thjeshtë e kaq të faktuar nuk e kanë pranuar dhe nuk duan ende ta pranojnë kojshitë tanë, të cilët edhe sot e kësaj dite, na e mohojnë gjuhën dhe shkollën amtare në Çamëri dhe gjithandej nëpër Greqi.

Mbas shpalljes së Pavarësisë, Ilia Dilo Sheperi e afirmoi veten si personalitet i fuqishëm në fushën e arsimit e të shkollës shqipe, duke bërë një punë të madhe për hartimin e teksteve dhe programeve mësimore të shkollave të shtetit të ri shqiptar, në përshtatje me kushtet e reja të krijuara në vendin tonë.

Idealin e përvojën e tij për ngritjen e shkollës kombëtare shqipe, ai e dëshmoi, gjithashtu, si pjesëmarrës aktiv i Kongresit Arsimor të Lushnjës (1920) dhe Kongresit Arsimor të Tiranës (1922). 

Gjatë këtyre viteve, ai punoi pa u lodhur, si mësues në shkollat e mesme dhe si inspektor arsimi në zonat e Gjirokastrës e të Vlorës, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë zgjërimit të rrjetit shkollor, pa lënë mbas dore përmirësimin cilësor të mësimit  e të edukimit.

Veprimtarinë e frytshme në fushën e shkollës dhe të arsimit, Ilia, gjithnjë e shoqëroi me një aktivitet të dendur, në fusha të tjera në shërbim të çështjes kombëtare. 

Në vitin 1919, më 23 nëntor, në prag të Kongresit të Lushnjës, ai qe në radhën e parë të atyre intelektualëve patriotë gjirokastritë, që themeluan shoqërinë “Vëllezëria”, në Gjirokastër, e cila zhvilloi një veprimtari të dendur “për mbrojtjen e kufijve të Atdheut, për njohjen e të drejtave tona kombëtare nga Fuqitë e huaja,… si edhe në drejtim të përhapjes së arsimit në gjuhën amtare. Shoqëria shënoi, gjithashtu, disa arritje sidomos në fushën kulturore-artistike, sportive, etj.” (Shefik Osmani, “Fjalor i pedagogjisë”, Tiranë, 1983, f. 705).

Dashuria e flaktë për gjuhën shqipe, aftësitë e shquuara intelektuale dhe përvoja e tij e gjatë si mësues u jetësuan në një hulli të veçantë të veprimtarisë së Ilia Dilo Sheperit, në atë të shkencës gjuhësore. Në vitin 1927, ai botoi tekstin: “Gramatika dhe sindaksa e gjuhës shqipe”, i vlerësuar si një nga tekstet më të mira të gramatikës sonë për arsimin e mesëm. I ndërtuar mbi kritere të rrepta shkencore, ky tekst ndikoi mjaft për të konsoliduar shumë pikëpamje deri atëherë të pastabilizuara. Për vlerat shkencore të kësaj vepre, prof. Enver Hysa ka shkruar: “Gramatika e tij plotësonte një zbrazti, dhe vinte një gur themeli në gramatologjinë shqipe. Kjo gramatikë është një burim me rëndësi për historinë e zhvillimit të gjuhës letrare e të terminologjisë shkencore gjuhësore të përdorur në të, ajo shërben edhe sot në punën e gramatikanëve si një vepër me vlerë të madhe që nuk mund të mos merret parasysh për idetë dhe mendimet e reja, për zgjidhjet shkencore që ka dhënë për probleme të veçanta, sidomos të morfologjisë, të fjalëformimit e të gjuhës letrare në veçanti.” (“Zagoria”, gazetë e shoqatës atdhetare-kulturore “Çajupi”, nr. 2, prill 1997, f. 3).

Mbas daljes në pension, në vitin 1933, ai iu kushtua punës shkencore. Me politikën, Ilia merrej kur atdheu dhe politika kishin nevojë për personalitetin e tij. Pavarësia qe fituar, shteti shqiptar i 1913-ës i shpëtoi copëtimit të plotë, sado që një pjesë e mirë e trojeve mbetën nën robërinë e fqinjve. Kongresi i Lushnjës dhe Lufta e Vlorës i rivendosën themelet e Shqipërisë. Gjatë gjithë kësaj periudhe, ai kishte dhënë ndihmesën e vet, ndihmesën e vyer të një patrioti të madh. Për Shqipërinë e robëruar i qante zemra dhe i dhimbte shpirti, por e mbante shpresa. Një ditë qe shprehur: “Shqipëri pa Kosovë nuk ka, ashtu siç nuk ka Kosovë pa Shqipëri”.

Pushtimin fashist e priti me fyerjen dhe urrejtjen e një atdhetari. Ftesën “e politikës” me shkue në Romë për t’i vënë Viktor Emanuelit kurorën e Skënderbeut, e priti me përbuzje dhe e hodhi poshtë në mënyrë të prerë. Jetoi, duke u gëzuar për luftën kundër pushtuesit dhe i kënaqur që djali i tij, Jani, pa u lajthitur si shumë të tjerë nga propaganda pansllaviste me lëvozhgë internacionalizmi e demokracie, qe rreshtuar në krahun e drejtë të atdhetarëve të vërtetë, në krah të Mithat Frashërit; por e pau, e ndjeu dhe e paralajmëroi rrezikun e madh komunist që po i kërcënohej Shqipërisë.

Në vitet e luftës përjetoi edhe një fatkeqësi: djegien e bibliotekës nga gjermanët, me hjekësinë tinzake të Dushan Mugoshës. Pau aty të digjet e të bëhet shkrumb puna shkencore e sa e sa viteve: botimi i dytë i përpunuar i Gramatikës, përfunduar që në vitin 1935, një tekst stilistike për shkollat e mesme, punën e nisur për një fjalor të gjuhës shqipe, shënime dialektologjike, materiale folklorike e etnografike të mbledhura me mund nëpër fshatrat e Zagorisë, një libër të përkthyer nga greqishtja dhe një tjetër të përkthyer nga anglishtja dhe, sidomos, dy vëllime me fjalimet e tij, letra dërguar Patrikanës, Papës së Romës, personaliteteve të ndryshme evropiane, albanologëve, etj., shumë dokumenta të historisë sonë – një pasuri e vërtetë kombëtare e pa zëvendësueshme.

Vdiq në vitin 1945 dhe u varros në fshatin e tij të dashur, në Sheperin e sofrës së madhe patriotike, i nderuem prej të gjithëve.

Fatkeqësitë do ta ndiqnin edhe pas vdekjes. Fanatizmi komunist, me veprime të huaja për natyrën dhe zakonet shqiptare, të huajtura nga sllavët, simbas mësimeve të Miladinit dhe Mugoshës, nuk mjaftoi që i varrosi gjithë vlerën e veprimtarisë patriotike të një jete të tërë, por i dhunoi edhe kufomën dhe varrin.

Në vitin 1979, me urdhër nga qarqet më të larta të diktaturës, i thyen varrin dhe mbasi i zvarritën kockat rrugëve të katundit, i hodhën në humnerë. Ky procesion i llahtarshëm u krye në sytë e banorëve të Sheperit, nën mbikqyrjen e forcave të sigurimit. (Sipas dëshmisë së Foni Dilos, nip i Ilias).

Demokracia bëri përpjekje për vlerësimin e figurës së tij dhe i dha titullin “Mësues i Popullit”. Me jetën dhe veprën e tij atdhetare e shkencore, ai qe dhe do të mbetet mësuesi i të gjitha breznive të ardhshme shqiptare. Lapidari i tij, i ngritur me afsh dashurie e dhimbjeje, në zemrën e popullit të thjeshtë, që di të vlerësojë më shumë se të gjitha organizmat shtetërore dhe akademitë, pret një të ardhme më të qetë të atdheut, për t’u ngritur i mermertë mbi truallin për të cilin shkriu jetën.

Filed Under: Analiza Tagged With: Anton Cefa

Komisioni i Organizimit të Festës së 110 vjetorit mblidhet në Vatër më 4 Maj

May 1, 2022 by s p

Komisioni i Organizimit të Festës(Darkës Solemne) të 110 vjetorit të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA do të mblidhet në Selinë Qëndrore në Vatër më 4 Maj 2022 në orën 6.30 PM. Komisioni i Organizimit të Darkës Solemne për 110 vjetorin e Vatrës përbëhet nga Besim Malota- Kryetar, Nazo Veliu, Mondi Rakaj, Bashkim Musabelliu, Anton Raja, Agustin Mirakaj, Tasim Ruko – Anëtarë. Kryesia e Vatrës në mbledhjen e fundit të datës 26 Prill 2022 autorizoi z.Besim Malota që të shtojë anëtarë të rinj dhe ekip me të rinj e të reja për një organizim energjik e dinjitoz të festës Gala. Për anëtarët jashtë New Yorkut takimi mundësohet në zoom. Kërkohet pjesëmarrje dhe angazhim serioz për të përmbushur një angazhim patriotik e vatran për të dalë faqebardhë në festën e Vatrës së të gjithë shqiptarëve.

Filed Under: Analiza

Eduart Aranitasi solli në Vatër “amanetin” e Bedri Blloshmit

May 1, 2022 by s p

Sot në Bibliotekën Shkencore të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA mbërritën librat e Bedri Blloshmit mbi persekutimin komunist të familjes Blloshmi e Leka dhe një korrespondencë personale të shkrimtarit të pushkatuar prej komunistëve Vilson Blloshmi dhe Lumturi Blloshmit. Anëtari i Këshillit të Vatrës dhe Nënkryetari i Degës së Vatrës Manhattan Eduart Aranitasi dorëzoi në Bibliotekën e Vatrës këtë trashëgimi historike për persekutimin dhe qëndresën antikomuniste dhe krimet e terroristëve komunistë mbi popullsinë civile shqiptare të pafajshme. Këto libra autentikë janë një burim i shkëlqyer referimi për studiuesit e historisë e albanologjisë dhe studentët shqiptarë në Universitetet Amerikane. Ekspozimi i krimit dhe terrorit komunist mbi elitën shqiptare, familjet e mëdha dhe klerin fetar është një domosdoshmëri në çdo kohë e shoqërisë, institucioneve dhe mediave.

Filed Under: Vatra Tagged With: eduart aranitasi

Shën Tereza dhe Prof. Gëzim Alpion në Vatër

May 1, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në selinë e Federatës Pan Shqiptare Vatra u organizua një takim mbresëlënës midis komunitetit shqiptar dhe Prof.Gëzim Alpion. 

Prof.Gezim Alpion mbajti leksionin “Mother Teresa and the Illyrian Foundations of Western Civilization”.

Tubimin e hapi z.Elmi Berisha kryetar i Vatrës i cili i përshëndeti plot përzemërsi pjesëmarrësit dhe iu uroi mirëseardhjen Prof.Gëzim Alpion.  Editori i Diellit z.Sokol Paja moderoi këtë aktivitet të rëndësishëm.  

Prof. Alpion gjatë studimit të tij shpjegon me fakte historike se Iliria i hapi dhe ndriti rrugën qytetërimeve greke dhe romake, ashtu si vitet e formimit të Nënë Terezës qe janë jetike për të kuptuar figurën e jashtëzakonshme fetare.  

Në leksionin e tij ai pohoi se figura e madhe e planetit Shën Tereza kërkon midis studiuesve shqiptarë dhe te huaj një bashkëpunim për të arritur në përfundime të sakta shkencore.

Me një elekuencë në të folur dhe tejet bindëse ai foli për rrugëtimin dhe punën e tij studimore për 20 vjet rreth Nënë Terezës.  E dhimbshme ishte kur solli tragjedinë që kishte pësuar Nënë Tereza kur ishte fëmijë e cila ngeli që në moshën nëntë vjece pa baba.  Babai i saj Kolë Bojaxhiu ishte nje figurë e njohur dhe me emër në Shkup, ai e donte arsimimin shqip të fëmijëve, ishte një burrë i ditur, dhe pikërisht atdhetarizmi i tij ishte vënë në shënjestër të sllavëve ndaj dhe ata e helmuan derisa sa vdiq.  Aq shumë helm i kishin hedhur në trup saqë kur e varrosën, arkivolin ia ndërtuan me alumin me qëllim që të mos infektonte të tjerë përreth.  Duke e spjeguar në anën psikologjike, sociologjike ai tha se babai i saj pati një ndikim të fuqishëm ne jetën dhe në formimin e saj.  

Ai solli portretin shpirtëror të Nënë Terezës në Shkup ku jetoi fëmijërinë, plus vdekjes së babait ajo ndjeu dhimbjen nga afër të gjashtë personave të familjes.  Ai argumentoi se dhimbja që ndjeu bëri të dëgjojë thirrjen e Zotit si babai hyjnor i saj.  Me krenari tha se Shën Tereza ka frymëzuar njerëzimin se cfarë është mirësia, shpirtgjerësia, shërbimi dhe dashuria për njeri tjetrin.  

Prof.Albion ishte i ftuar nga Universiteti “Georgetown” dhe Universiteti i Harvardit universitete shumë të mirënjohura në botë.   

 Prof.Alpion është një nga autorët më autoritare në botë dhe të besueshëm të studimit rreth veprës së Nënë Terezës. Ai me fakte shkencore, historike, ka ditur ta sjellë shenjtoren shqiptare dhe të gjithë botës si një nga humanistet më të mëdha dhe më të përkushtuara në botë.

Profesor Gëzim Alpion punon në Universitetin “Birmingham” të Anglisë, si dhe që nga viti 2002 është anëtar i Departamentit të Sociologjisë.  

Nënë Tereza është perëndeshë e frymëzimit, bamiresise, ndihmës së tejskajshme të të braktisurve, të sëmurëve, është sinteza e një popullit të lashtë sa vetë njerëzimi.

E shtuna e fundit e prillit në New York u bë dhe më pranverore ngase midis nesh ishte Shën Tereza, prof. Alpion dhe Vatra e Nolit dhe e Konicës.

30 Prill, 2022

Bronx, New York

Filed Under: ESSE Tagged With: Kozeta Zylo

“Shën Tereza” bashkoi shqiptarët në VATËR

May 1, 2022 by s p

Sokol Paja/

Shënjtorja e kombit shqiptar “Shën Tereza” bashkoi shqiptarët në Selinë e Vatrës në një leksion dhe bashkëbisedim vëllazëror të Dr. Gëzim Alpion me komunitetin shqiptar. Nën prezantimin e Editorit të Diellit, kryetari i Vatrës Elmi Berisha uroi mirëseardhjen dhe vlerësoi e shpalosi punën voluminoze të Prof. Gëzim Alpion si biograf i Nënë Terezës. Në leksionin që Dr. Gëzim Alpion paraqiti para pjesëmarrësve u ndal te roli dhe personaliteti i jashtëzakonshëm të Nënë Terezës për mbarë njerëzimin. Dr. Alpion tregoi se në vitin 2002 filloi të mësojë dhe studiojë rreth figurës dhe personalitetit të Nënë Terezës ku u ndal te biografët e Nënë Terezës të cilët kanë pasur pasaktësi dhe neglizhimi nga rrënjët etnike të saj pasi fakti se nga vinin njerëzit e Nënë Terezës shumë e rëndësishme. Dr. Gëzim Alpion ka 20 vjet që punon për Nënë Terezën një figurë që duhet të studiohet thellësisht nga akademikët. Nënë Tereza është një figurë komplekse që kërkohen studiues shumë seriozë për të nxjerrë në pah vlerat e saj, këmbënguli Dr. Alpion. Keqtrajtimi i katolikëve të Shkupit dhe Vdekja e babait të Nënë Terezës ishte pikënisje për nisjen e librit të parë për Nënë Terezën shkruar nga prof.Gëzim Alpion. Ai u ndal te babai i Nënë Terezës, Kolë Bojaxhiun dhe rolin e tij si poliglot dhe shqiptar i veçantë në Shkup i cili thuhet se u helmua nga sllavët si atdhetar i fuqishëm dhe veprimtar i arsimit shqip.Dr. Gëzim Alpion në Vatër shpalosi rrugëtimin e Nënë Terezës nga Shkupi deri në Kalkuta, rrugëtimin fetar, misionar e shpirtëror. Misioni i Nënë Terezës ka pasur si pikësynim ndihmën ndaj të varfërve, të braktisurve, të sëmurëve e të pamundurve, u shpreh prof.Alpion i cili shpjegoi dhe rolin e Kishave Dardane e Kishave Ilire e deri te Shqipëria komuniste e vizita e Nënë Terezës para shembjes së komunizmit në Shqipëri. Sipas Dr. Gëzim Alpion shqiptarët duhet ta respektojnë Nënë Terezën dhe të heqin dorë nga hipokrizi kombëtare shtetërore kur përmendin Nënë Terezën si emra rrugësh e spitalesh nga politikanët. Politikanët duhet të vënë në zbatim parimete Zotit e Nënë Terezës: mos vidhni, mos abuzoni, bëni vepra të mira. Shqiptarët sipas Dr. Alpion duhet të udhëhiqen nga parimi për të falur, siç Nënë Tereza thirri gjatë gjithë jetës për të falur për të dashur dhe mbi të gjitha për pranuar e ndihmuar të tjerët. Shqiptarët duhet të ndjekin spiritualietin e Nënë Terezës, veprat e mësimet e saj, rrugëtimin e saj, ne duhet ta ndjekim jetën dhe shembullin e Nënës Terezë, tha Dr. Alpion. Nënë Tereza dhe Papa Gjon Pali II-të i dhanë dimension tjetër katolicizmit dhe Nënë Tereza besonte në anën pozitive të gjithsecilit njeri dhe udhëhoqi me shembullin e saj personal mbarë njerëzimin, përfundoi leksionin dhe bashkëbisedimin vëllazëror në Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA, biografi i Nënë Terezës, Dr. Gëzim Alpion.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Çështja shqiptare preokupim politik e kombëtar
  • Lentja Filmike e Kosovës Përtej Ekranit – Hulumtim nga studiuesit Jeta Abazi Gashi dhe Juan Manuel Montoro
  • Lufta e Gjeneratës së Pestë
  • Komisioni Përgatitor i Kuvendit të Vatrës njofton degët, vatranët dhe publikun mbi afatet dhe veprimtarinë përgatitore të Kuvendit të Vatrës që zhvillohet në New York më 25 Prill 2026
  • Inteligjenca Artificiale, Manipulimi i Realitetit dhe Kapja Digjitale e Shtetit Shqiptar
  • GJEOGRAFIA IMAGJINARE DHE PERANDORIA LETRARE NË PROZËN E ISMAIL KADARESË
  • KONGRESI I LUSHNJES NË EMISIONIN E  PULLAVE : “100 VJET PARLAMENTALIZËM SHQIPTAR”
  • Mbështetja Shqiptare për Hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • DITA NDËRKOMBËTARE E HOLOKAUSTIT DHE KRIMET E REGJIMIT KOMUNIST TË ENVER HOXHËS
  • Vorea Ujko (1931- 26 JANAR 1989)
  • Vatra në Boston ju fton në ngritjen e Flamurit të Kosovës më 14 Shkurt 2026
  • Arritje e rëndësishme në studimet albanologjike: Shefkije Islamaj “Ligjërimi, gjuha, stili në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes”
  • Grupet shoqërore me civilizim të vonuar…
  • Marin Barleti, personaliteti më i shquar i humanizmit shqiptar dhe një ndër më të rëndësishmit të humanizmit evropian
  • Arbërishtja – një gjuhë pa shtet që mbijeton mbi 500 vjet në diasporë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT