• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2022

Shënime nga vizita ime e fundit në Shqipëri

October 17, 2022 by s p

Tasim Ruko/

Jam larguar nga Shqipëria 33 vjet më parë. Jetoj e punoj në Florida të Amerikës. Shkoj përherë në Mëmëdhe për të vizituar vendlindjen dhe njerëzit e mi të dashur. Edhe kur nuk jam në Shqipëri, ndjek me fanatizëm lajmet në rrjetet sociale, sidomos këto vitet e fundit, lexoj komentet e përshtypjet pozitive të turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë. E po thashë në mëndje, sivjet dashkam të kënaqem në Mëmëdheun me tërë këto lëvdata e tërë këto ndryshime të mëdha që janë bërë. Linja e udhëtimit ishte “Austrian Airlines”. Rruga me vajti birinxhi mirë. Si gjithmonë, kur hyn në tokën shqiptare dhe shikon malet, kodrat e bukura, detin, shtëpitë si kuti shkrepse, të pushtojnë emocionet e brendshme dhe nuk ke sesi të mos përlotesh. Zbret në tokën mëmë, emocione të papara, të bëhet mishi kokrra-kokrra, të mpihet trupi e gati të zihet fryma nga malli. Kryen formalitetet sipas rregullave në hyrjen e doganës, merr vulën në pasaportë, pastaj drejtohesh tek bagazhet. I merr ato dhe bën një përshëndetje lamtumire me bashkëudhëtarët që u prezantove gjatë udhëtimit me aeroplan. Këmben dollarët me lekë shqiptare, me të holla e me të trasha, do të hyjnë në punë. Pastaj merr rrugën për në dalje, ku janë ngujuar një numër i madh njerëzish; disa presin të afërmit e tyre, të tjerët janë taksixhinj që të shohin në kokërdhok të syrit. Kësaj here nuk kisha njoftuar njeri nga të afërmit e mi të më prisnin në aeroport. Nuk doja t’i vija në siklet. As makinë me qira nuk mora. Vendosa të lëvizja me taksi deri në qendër të Tiranës. Thashë të qëndroj disa ditë në Tiranë, për t’u çlodhur dhe për ta vizituar atë.

⁃ Hajde vëllaçko, – i them taksistit që kisha më afër, deri në Tiranë në filan hotel. – E kam rezervuar në internet.

Shoferi, nj burrë zashkan, i hollë si skërfyell, rreth të 50-tave, nga dialekti dukej që ishte verior, tha:

– Po, e di ku është adresa.

Pa më pyetur vendosi cantat në bagazhin e makines, tip fjati, edhe u nisem drejt Tiranës. Trafik, vapë e madhe, gati po më zihej fryma, pavarësisht dritareve që ishin të hapura. I them shoferit:

– Zotni, nuk ju punon airkondicioneri? Po nuk ju punon më ler të zbres e të gjej ndonjë makinë tjetër që është më e kompletuar, se vdiqa nga të nxehtit.

– Prej nga po vjen or tej? – më tha.

– Nga Amerika, – iu përgjigja.

– Po mirë or tej, nuk ke pyetur para se të vije këtu?! E di ti sa ka vajtur nafta? Unë po të hap ajrin e ftohtë, dal si rruar qethur, s’më mbetet gjë për vete, makina me ftohje harxhon dyfishin!

– Aman t’u bëfsha, or mik, – i them – hape se do ta paguaj unë tepricën.

– Oo, në rregull, -tha i kënaqur Jonuzi, kështu quhej, i cili më shumë ngjante si një bujk sesa taksist.

– Nga dialekti dukesh si nga Jugu, – tha Jonuz taksisti i buzëqeshur. Ndërkohë hapi kondicionerin dhe unë pas pak u qetësova. Ndjeja kënaqësi që po kuvendoja shqip. E pyes:

– Ç’kemi këndej, si kaloni, si i keni punët?

– Keq shumë, – ma ktheu flakë për flakë, – s’ka punë, kjo qeveri është hajdute, këta janë të korruptuar. Jo, mor jo, nuk bëhet ky vend. Ju jeni me fat që ia keni mbathur, ngelëm ne qyqarët këtu.

– Ne na ra fati të ikim, ju u ra fati të jetoni këtu e ta ndërtoni këtë vend kaq të bukur, ne ndihmojmë farefisin sa mundemi – iu përgjigja.

– Jo, or jo, ky vend nuk bëhet, ka mbaruar, – filloi Jonuzi përsëri avazin.

E ndërpremë bisedën sepse kishim arritur në hyrje të hotelit. I zgjata pak më shumë të holla sesa më kërkoi. Hapi gojën vesh më vesh i kënaqur. Më ndihmoi me bagazhet gjer në dhomë. Kur u ndamë, më tha:

– Më fal shumë zotni, nuk e kuptova që ishit nga Jugu, më fal shumë, më thirr në çdo orë.

Kështu u ndava me taksistin. Hoteli ishte shumë i mirë, personeli i komunikueshëm e i respektuar, dhoma e pastër dhe dushi me ujë të ngrohtë. Bëra një dush. Të parin që mora në telefon, ishte Meti, shoku im i fëminisë i cili prej kohësh jeton në Tiranë ku ka një aktivitet privat. Nuk vonoi shumë. Erdhi menjëeherë, më mori në makinën e tij dhe shkuam në një lokal luksoz në periferi të Tiranës. Duke ngrënë darkë i them:

– Met, – i them – sa bukur është bërë Tirana, mor burrë, me duket se nuke jam në Shqipëri kur shikoj, këto gjëra të bukura, pallate, lokale të reja, hotele, njerëzit duken shumë tëe lumtur.

Meti kërceu përpjetë:

– Jo, mor mor byrazer, çdo gjë këtu është fallco, populli po vuan, s’ka punë, kjo qeveri me të gjatin në krye, është e korruptuar, janë të gjithë hajdutë. Ju jeni me fat që keni ikur, Ky vend nuk bëhet.

Çfarë t’i thoshja, edhe ky si Jonuz taksisti! Këmbyem temën e bisedës deri sa erdhi koha të shkoja tek hoteli sepse isha edhe i lodhur nga rruga.

U ula në një kolltuk të rehatshëm në hollin e hotelit, kur si hije më afrohet një djalë i ri si nja 25-30 vjeç, mbasi më përshendet me një zë si nga nënëdheu, më thotë:

– Mos do gjë ndonjë kafe?

– Shumë faleminderit, por unë s’mundem të pi kafe në këtë orë se nuk më zë gjumi.

– Jo nga ato kafe që mendon ti, – tha – kafe tjeter – dhe buzeqeshi.

– Nuk po të kuptoj, o vëlla, – i thashë dhe për momentin m’u kujtua kafja e elbit që pinim në komunizëm.

Djaloshi m’u afrua tek veshi e më thotë me zë të ulët:

– Kështu është parrulla, tek ne kafe, duhet ta kuptosh mos do ndonjë femër për sonte se me sa shoh ti je vetëm, i pashoqëruar.

– Kjo na paskish qenë kafja? Jo, or vëlla, faleminderit. Nuk jam unë për këto lloj kafesh.

– Sidoqoftë, po ndërrove mendje, mua këtu më ke, – tha djaloshi dhe nuk mora vesh se nga shkoi e ku u fut.

Të nesërmen, midis disa kushërinjve, erdhi të më takojë edhe Luljeta. E kam si motër, jemi rritur së bashku. Ajo qëndroi e fundit. E pyeta sesi e kishte gjendjen ekonomike. Ajo ia nisi me një breshëri të sharash:

– Qeveri e poshtër, hajduta të gjithë, maskarenj, ky vend nuk bëhet.

Të nesërmen u nisa për në vendlindjen time. Duhet të prisja hensin një njeri të familjes sime, nënshtetas perëndimor, i huaj, po me gjak shqiptari nga i ati. Edhe ai, vinte pëer herë të parë në Shqipëri. Ndenjëm së bashku rreth dhjetë ditë. Shërbeva edhe si përkthyes i tij ngaqë ai nuk dinte shqip. Hensit i pëlqeu shumë ai vend, malet, deti, ushqimet tradicionale, mikpritja e njerëzve! Ne të huajin e duam dhe e respektojmë shumë, tonin ta pjekim në saç. Hensi më ndiqte me vëmendje. Të afërme të mi u dhuroja lekë, më pyeti: “Ua ke pasur borxh”? Si t’ia shpjegoja? Kjo nuk ndodh në vendin e tij. Dhe më e bukura, njerëzit e mi, i merrnin me mospërfillje lekët, i futin në xhep dhe nuk thonin asnjë fjalë, as faleminderit, Kur Hensi kuptoi se lekët i lëshoja për bamirësi, tha:

– Ti paske zëmër të madhe? Nuk kam parë në ndonjë vend tjetër të ndodhë kështu.

Unë si gjithmonë u flisja dhe mundohesha t’u jepja këshilla njerëzve të mi, si shkoni në shkollë, mësoni profesion, zanate. Po nuk u pëlqu shkolla, ka shumë profesione të ndryshme, po t’i zotërosh ato bën një jetë të mirë… Më vinte shumë keq për ta, më këputej shpirti tek i shikoja ashtu, të papunë. Disa të rinj të fuqishëm e muskulozë, 25-30 vjec, bënin roje nate, këtë e quanin punë, duke mos meduar për të ardhmen e tyre? U fola aq shumëe sa m’u mërzitën. Njeri prej tyre ma ktheu i xhindosur:

– Ik ore ti, ty të paska lajthitur Amerika, dil nga këta imamët tanë se paske shkuar për lesh nga tepeleku? Na jep ndonjë dollar ti, atë punë bën se ne nuk jemi budallinj, kemi mendje më shumë nga ti, s’kemi nevojë tëe na shesësh ti. Dije, nuk bëhet ky vend.

Ngela si i shastisur për përgjigjen që më dhanë. Me ironi u kërkova falje, më falni u them, nuk do t’u lodh më menderen, ju kërkoj shumë falje.

Më tepër më bënë përshtypje njerëzit e mi më të afërt, ata që ishin prezent në atë moment e nuk reaguan fare për incidentin. Faji më mbeti mua duke u munduar të zbrazja kokën time e të mbushja kungujt e tyre. Nuk fjeta gjumë atë natë. T’u flasësh për të mirën e tyre e të të bëjnë armik?! Ç’bëhet kështu? Ku shkon kjo shoqëri pa një të ardhme? Çfarë po ndodh me këtë brez dembelësh? Si do t’i vejë halli këtij vendi?! M’u kujtuan fjalët e atyre që kisha takuar më perpara: “KY VEND NUK BEHET”. Sidoqoftë Hensi që ishte prezent në bisedë u largua shumë i kënaqur nga Shqipëria, nuk e kuptonte çfarë ndodhte. Ai nuk mund të kuptonte se grindeshim apo duheshim, se pohonim, apo kundërshtonim, sepse të gjithë flasim me zë të lartë, kështu nuk na kuptojnë te huajt. Ndërsa unë qëndrova akoma më gjatë për të shijuar pushimet.

Kisha dëgjuar për nje bujtinë me emer te madh, në zonën e Labërisë. Një ditë, me disa miq të mi, vendosa të shkoja në Nivicë. Rruga ishte e gjatë,e pa mbirëmbajtur. Arritëm atje. Unë e kisha parë në ekranet e televizioneve. U ulëm në një nga tavolinat. Na vjen kamerieri për të marrë porosinë, (ushqime tradiconale). “Kemi çfarë të doni” na tha. Mori porosinë. Ushqimi që solli nuk ishte fare i freskët. I bëmë vërejtje dhe e pyetëm “Pse kështu”? “Oo, na përgjigjet ai, ju duhet të porositni që më parë që ta keni të freskët”. Kur dëgjoi përgjigjen, një nga shoqëruesit e mi përsëriti: “Me këto mendje, nuk bëhet ky vend”. Ndoshta kishte të drejtë. Afër tavolinës sonë ishin ulur disa barinj, pinin raki dhe këndoin labçe. Gati ishin të dehur. Ata sillnin qumështin e deleve. Bujtina ishte edhe baxho. Me zhurmën që bënin me zë të lartë dhe këngët, nuk na jepnin mundësi të dëgjonim njeri-tjetrin. I themi kamarierit ankesën. Po ku donin t’ia dinin ata, vazhdonin sikur ne të mos ishim të gjallë. Meazalla se luanin nga vendi. Afër bujtinës, nga krahu tjetër kishin lidhur mushkat. Njerit nga shokët e mi i shkon ndërmend një djallëzi. I thotë një të riu aty pranë: “Të kam rixha, shko e zgjidhu mushkat këtyre çobanëve se nuk hanë pykë fare”. Ai u bind menjëherë. Barinjtë sa panë që po u iknin mushkat, u ngritën të alarmuar dhe vrapuan pas kafshëve. Kjo ishte bujtina me emër të madh që u bënte reklamë turistëve…

Njëherë tjetër takova Bajon, shokun tim të fëmijërisë. U ulëm të pinim ndonjë birrë. Kur unë u ngrita tek banaku dhe po prisja për meze, Bajua uli kokën mbi ekranin e celularit dhe po shkruante. “Kushedi, mendova, do ketë gruan xheloze dhe e lajmëron që është për drekë me mua”. E lashë të mbaronte i qetë. Pas ca, tamam kur në tavolinë na erdhi mezja, ia behën dhe tre-katër të tjerë. Të gjithë më flisnin me emër, megjithëse nuk i mbaja mend. U detyrova të porosis edhe për ata meze. I pyeta se nga e morën vesh që isha aty. “E kush nuk ta di ty namin nga që je xhyrmet e dorëlëshuar, që nga Amerika na ka ardhur lajmi, me celular”, më thanë gati në një gojë. Ah, mendova, celulari i Bajos. Porosita edhe për ta meze dhe pije.

– Ore ju çfarë pune bëni? – i pyeta. Toni ishte shofer me furgon, e dija. “Pa punë”, tha i pari. Krisi: “Punoja në rruga-ura, më hoqën këta komunistat që janë me pushtetin”. Po me çfarë rron? “Gruaja shkon për sherebel në mal, e kam shumë punëtore’’. Po ti pse nuk shkon me gruan ta ndihmosh? “Unë e shes, tha, e bëj punën time, s’e duroj dot vapën”, Po ti tjetri? “Unë, tha ai, kam ca kohë që kam dalë nga burgu, më futën për hashash, 7 vjet, më spiunuan, kisha mbjellë ca në pyll”. Ou, po ti tjetri? “Unë roje, po nuk bëhet ky vend”. Nga këta të pestë që ndenjëm atë ditë, vetëm Bajua më pelqeu, kishte një aktivitet privat së bashku me gruan. Ankohej se nuk gjente punëtorë. “Këtu kanë mbetur vetëm dembelët”, më tha.

Filed Under: Fejton Tagged With: Tasim Ruko

GAZETA DIELLI NJOFTON VATRANËT, ABONENTËT DHE KOMUNITETIN

October 17, 2022 by s p

Gazeta “Dielli” – Organ zyrtar i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, njofton vatranët, abonentët, komunitetin dhe dashamirësit e Diellit dhe të Vatrës rreth Numrit Special të gazetës Dielli me rastin e Festës së Flamurit Kombëtar:

Çmimet për publikim të njoftimeve, urimeve, reklamave, mesazheve sensibilizuese, botimeve specifike, shpalljeve të ndryshme në gazetë do të jenë si më poshtë:

1 Faqe me ngjyra – 550 Usd

½ Faqes me ngjyra – 350 Usd

¼ Faqes me ngjyra – 200 Usd

1 Faqe pa ngjyra – 350 Usd

½ Faqes pa ngjyra – 250 Usd

¼ Faqes pa ngjyra – 150

Gazeta “Dielli” fton të gjithë patriotët shqiptarë në Amerikë, Kanada e më gjërë, organizatat, shoqatat, grupimet atdhetare, shkollat shqipe, shoqëritë kulturore, klubet patriotike, rrjetin e bizneseve në mërgatë e mëmëdhe që ti bashkohen kësaj fushate për forcimin e gazetës Dielli dhe promovimin e identitetit, vlerave e historisë sonë kombëtare.

Çdo njoftim duhet të vijë në gazetën Dielli përpara datës 5 Nëntor 2022.

Të gjitha njoftimet duhet të dërgohen në adresën elektronike zyrtare të gazetës Dielli: gazetadielli@gmail.com dhe pagesat përkatëse të postohen në Adresën e Vatrës: 2437 Southern Blvd, The Bronx, NY 10458.

Mirënjohje dhe falenderim të përzemërt për të gjithë ata që do i bashkohen kësaj fushate.

Filed Under: Opinion

ZVICERANËT QË VIZITUAN BURGUN E SPAÇIT. KTHIMI I POEZIVE ATJE KU DOLËN, NË VENDIN E KRIMIT…

October 17, 2022 by s p

– Nga Lajmëtari i së Mirës –

Një grup intelektualësh të shquar zviceranë në kulturë, politikë dhe ekonomi, të organizatës “Helvetas members”, shkuan të vizitonin burgun e largët të Spaçit, nëpërmjet tij donin të njihnin historinë e trishtë të shqiptarëve që kaluan kalvarin e vuajtjeve në ferrin e diktaturës më të egër dhe qëndresën e tyre, atje ku u bënë dhe revoltat e vetme në të gjitha burgjet e perandorisë komuniste.

Kishin ardhur nga Zvicera drejtorët e bordit “Helvetas’ projects”, zotërinjtë Peter Niggli dhe René Holenstein me bashkeshortet e tyre si dhe përfaqësuesi për Shqipërinë, z. Stephan Joss, i shoqëronte Znj. Valbona Karakaci, këshilltare strategjike për Ballkanin Perëndimor.

Dhe ajo na bën me dije se zgjodhi pikërisht poetin Visar Zhiti, të burgosur për poezitë e tij në Spaç, që vazhdoi të shkruante fshehurazi dhe atje, që nëpërmjet tij dhe estetikisht, me estetikën më të zymtë, të preknin Spaçin, të kuptonin të burgosurit shqiptarë që i bënë ballë si njerëz përbindëshit të së keqes.

Thjeshtë dhe bukur u krijua një “Booklet” me tre poezi të Visarit, “Ikonat e arrestuara”, që tregon se cilët ishin të burgosurit, “Vdekja vazhdon” që shpalos gjendjen çnjerëzore të burgut dhe “Faleminderit, ylber”, poezi e shpresës, që kapton telat me gjëmba dhe lidh shpirtërisht njeriun me botën, mistershëm përtej çdo vuajtje.

Triptiku, i shkruar atje, në Spaç, në kushte tmerri të pabesueshëm, iu dha vizitorëve zvicerianë në faksimile të origjinalit të tyre, nxjerrë nga libri “Dorëshkrime të fshehta të burgut” si dhe përkthimi anglisht, marë nga përmbledhja me poezi, botuar në SHBA, “The condemned apple”, përkthyer nga albanalogu më i madh i fundit të shekullit XX dhe fillimeve të shekullit XXI, Dr. Robert Elsie.

Dhe ndalën atje ku lindën këto poezi, në ato shkallë dhe mure, në atë ankth të mbetur në ajër.

Rrëfimet për Spaçin erdhën tronditëse dhe të dhimbshme nga bashkëvuajtësi I Visarit, ish i burgosuri politik, Gjergj Lekaj.

Ekipi në fund recitoi në grup anglisht poezinë më me dritë, atë të metaforës së ylberit, duke përshëndetur dhe autorin Visar Zhiti sikur ai të ishte përtej në një ëndërr.

Në “Librin e Mbresave” zviceranët i drejtonin një letër popullit shqiptar, falenderonin që ndanë histori me ta, akte tmerri dhe heroizëm dhe i luteshin që vuajtjen e tyre t’ia tregonin dhe popujve të tjerë…

Po qeveritarëve shqiptarë, institucioneve, akademive, katedrave, intelektualëve, kujtesës kolektive?

Gjithsesi letra mbaronte me një urim dhe me bekimin si të Shenjtes tonë Nënë Tereza: “God bless you!”

Filed Under: Politike

VATRA MIRATOI KOMISIONET E ORGANIZIMIT TË DARKËS GALA DHE SIMPOZIUMIT TË 110 VJETORIT TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

October 16, 2022 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra në mbledhjen e Kryesisë së Vatrës mbajtur sot më 16 Tetor 2022, miratoi Komisionet e Organizimit të Darkës Gala dhe të Simpoziumit Shkencor me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Simpoziumi Shkencor do të organizohet në Selinë Qëndrore të Federatës Vatra në adresë: 2437 Southern Blvd, The Bronx, NY 10458, më 27 Nëntor 2022 ditën e Diel, ora 2pm. Darka e 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë do të organizohet më 27 Nëntor 2022 ditën e Diel, ora 6 pm në: Restorant Villa Barone Manor në adresën: 737 Throggs Neck Expy Bronx, NY.

1.Komisioni Përgatitor i Darkës së 110 vjetorit të Pavarësisë:

Gezim Nika – Kryetar, Anton Raja, Agustin Mirakaj, Adem Malellari, Dr. Skender Myrtezani, Milaim Tahiri, Ylli Dosku, Drita Vushaj, Marjana Bulku, Dr. Pashko Camaj, Ilir Cubi, David Balaj – anëtarë. I gjithë komisioni do të ndihmohet posaçërisht nga kryetari i Vatrës Elmi Berisha dhe Kryesia e Vatrës.

2. Komisioni për përgatitjen e Simpoziumit Shkencor me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë:

Dr. Paulin Marku – Kryetar, Idriz Lamaj, Frank Shkreli, Marjana Bulku, Sokol Paja, Dr.Pashko Camaj.

3. Komisioni për sistemimin e Bibliotekës Shkencore të Vatrës:

Elmi Berisha – Kryetar dhe të ngarkuarit e tij.

Çmimet për publikim të njoftimeve, urimeve, reklamave, mesazheve sensibilizuese në Numrin Special të Gazetës Dielli për 110 Vjetorin e Pavarësisë do të jenë:

1 Faqe me ngjyra – 550 Usd

½ Faqes me ngjyra – 350 Usd

¼ Faqes me ngjyra – 200 Usd

1 Faqe pa ngjyra – 350 Usd

½ Faqes pa ngjyra – 250 Usd

¼ Faqes pa ngjyra – 150

Filed Under: Analiza

NJË DELEGACION NGA PRESHEVA DHE BUJANOCI VIZITON NESËR VATRËN

October 16, 2022 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra do të presë nesër më 17 Tetor 2022 ora 6 PM në Selinë Qëndrore të Vatrës në adresë: 2437 Southern Blvd, The Bronx, NY 10458, një delegacion nga Presheva dhe Bujanoci. Në përbërje të delegacionit do të jenë: Z. Shaip Kamberi, Deputet në Parlamentin serb, z. Ragmi Mustafa, ish-kryetar i Komunës së Preshevës dhe kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, z.Nagip Arifi – kryetar i Komunës Bujanoc, z. Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe Ph.D. Faton Bislimi nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

Ftohen mediat dhe komuniteti që të marrë pjesë.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT