• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2023

15 vjet më parë ëndrra u bë realitet

February 17, 2023 by s p

Kur e nisëm punën në Washington, gati askush nuk dinte emrin Kosovë – lavdi e respekt për ata që punuan pa u lodhur e ata që sakrifikuan gjithshka që të vinte kjo ditë e madhe e pavarësisë

Nga Harry Bajraktari

Isha djalë i ri kur bashkë me familjen u detyruam të ikim nga Kosova dhe pas një qendrimi të shkurtër në Itali, u vendosëm përfundimisht në SHBA.

Kosova në atë kohë ishte pjesë e Jugosllavisë dhe shqiptarët ishin të diskriminuar. 

U rrita në Amerikë, formova familjen time, hapa biznesin tim, por mendjen e kishim gjithmonë te Kosova. Prindërit, Metë dhe Zisa Bajraktari, na kishin rritur me dashuri për atdheun e asnjëherë nuk u ndamë me zemër nga vendlindja.

Ëndërronim se një ditë Kosova do të bëhej e lirë dhe e pavarur, por ishte vetëm ëndërr.

Në fakt, situata në Kosovë vetëm sa po keqësohej. Dhuna e vitit 1981, heqja e autonomisë në 1989, largimi nga puna e gati gjithë popullsisë shqiptare. Shqiptarët e Amerikës nuk mund të rrinin duarkryq.

U bashkova me përpjekjet e disa miqve shqiptaro-amerikanë si vëllezërve Bitici, Prof. Sami Repishti, Jim Xhema, e të tjerë që po lobonin bashkë me kongresistin Dioguardi në Washington. Kishim zbuluar se Kosova pothuaj nuk njihej fare si emër. Por kishim gjetur edhe miq që ishin gati të na dëgjonin dhe ndihmonin, si Senatori Bob Dole, Senatori Al D’Amato, kongresisti Tom Lantos. 

Zona ku punoja kishte zgjedhur një kongresist të ri dhe shkova ta takoj. Quhej Eliot Engel. I fola për Kosovën dhe më dëgjoi e më premtoi se do të na ndihmonte. Më kërkoi më shumë informacion dhe ia dërgova. 

Shpejt u bëmë miq të ngushtë e filluam një bashkëpunim që vazhdoi më shumë se tre dekada.

Në vitin 1991, bashkë me partnerin në biznes Rrustem Gecaj themelova gazetën “Illyria” që ta ndihmonim edhe më shumë Kosovën dhe çështjen kombëtare.

Presidentin Rugova sa herë që vinte në SHBA e mbaja si mik në shtëpi dhe e shoqëroja në takimet në Washington. Po ashtu edhe me shumë miq të asaj kohe si Dr. Alush Gashi e plot të tjerë.

Themeluam degën e LDK-së në SHBA, më pas Këshillin Kombëtar Shqiptaro Amerikan etj.

Gjatë atyre viteve të vështira shumë herë jemi zhgënjyer e mërzitur. Por asnjëherë nuk e kemi humbur besimin se liria dhe pavarësia do të vinin.

Kur babai vdiq në 1998, më la amanet që ta vazhdoja punën për Kosovën deri në fund. Në varrimin e tij, kongresisti Engel premtoi se liria për Kosovën po vinte. Engel ishte nga ata miq të rrallë që asnjëherë nuk hoqi dorë nga kërkesa për pavarësi e Kosovës, edhe kur zyrtarët amerikanë na thonin se nuk mund të ketë ndarje.

Pa qëndresën e madhe të popullit shqiptar në Kosovë, pa udhëheqjen e urtë dhe të mënçur të Presidentit Ibrahim Rugova, pa luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa ndihmën dhe lobimin e diasporës, dhe pa ndihmën e miqve tanë të mëdhenj në Washington, nuk do të kishte as liri dhe as pavarësi të Kosovës.

Jam krenar që më dha Zoti mundësinë të jetoj në Amerikë e të jap kontribut për Kosovën dhe kombin shqiptar.

15 vjet më parë kur pavarësia u bë realitet dy njerëz të rëndësishëm për mua nuk jetonin më. Babai im Metë Bajraktari dhe miku im Presidenti Ibrahim Rugova. Është i vetmi peng që kam që ata nuk jetuan ta shohin ngjarjen e madhe.

Sot, me rastin e këtij përvjetori i falenderoj të gjithë miqtë e mi shqiptaro-amerikanë dhe nuk kursyen asgjë për kauzën e kombit tonë shqiptar. Falenderoj familjen që më ndihmoi që të angazhohem për Kosovën dhe për kombin. Falenderoj miqtë e ngushtë amerikanë, sidomos mikun tim ish-Kryetarin e Komitetit të Punëve të Jashtme në Kongres, Eliot Engel, për këmbënguljen dhe dedikimin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Gëzuar popullit të Kosovës. Urime 15-vjetori! Mos e harroni rëndësinë e lidhjes me komunitetin shqiptar në Amerikë dhe me aleaten tonë të madhe Amerikën.

Zoti e bekoftë Republikën e Pavarur të Kosovës!

Harry Bajraktari është themeluesi dhe ish-botues i gazetës “Illyria” (1991-1998). Ai është një veprimtar, biznesmen dhe filantropist shqiptaro-amerikan, i nderuar me shumë çmime mes tyre edhe Nderi i Kombit nga Presidenti i Shqipërisë, Medalja Presidenciale e Kosovës për Merita si dhe Dekorata e Thirrjes Presidenciale për Shërbim nga Shtëpia e Bardhë në SHBA.

Filed Under: Komente Tagged With: harry bajraktari

Presidenti Biden e uron Presidenten Osmani për Ditën e Pavarësisë: ShBA-të mbështesin integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike

February 17, 2023 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letër urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuar atë Amerikës, Joe Biden, me rastin e 15 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

“Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju dërgoj urimet tona më të mira për ju dhe popullin e Kosovës, gjersa shënoni 15 vjetorin e pavarësisë së vendit tuaj. Përgjatë viteve të fundit, Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë forcuar institucionet demokratike për të ofruar në mënyrë të barabartë efektive qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe mundësi për qytetarët në të dy vendet tona”, ka thënë Presidenti Biden.

Ndër të tjera, Presidenti Biden ka shprehur mbështetje për integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike, si dhe për dialogun me Serbinë.

Filed Under: Opinion

XHIM XHEMA DHE SENATORI BOB DOLE PËR KOSOVËN

February 17, 2023 by s p

                      ME RASTIN E 15-VJETORIT TË SHPALLJES SË

                       PAVARËSISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

                                    Prishtinë, 17 Shkurt, 2023

                                           Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidenceTë dashur vllëzër e motra, të nderuar miq, pjesëmarrës në këtë tubim  festiv të 15-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Është nder dhe privilegj i veçant të jem midis jush. Mirë se u kemi gjetë!

Në këtë ditë të shenjtë të 15-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe të 25-Vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës– të pasqyrimit të vullnetit të lirë të popullit shqiptar për liri, demokraci e pavarësi – kemi ardhur të jemi me ju — një delegacion shqiptaro-amerikanësh, në krye me vëllain tonë, aktivistin, mbështetsin dhe promovuesin e madh të drejtave të njeriut për shqiptarët dhe të çeshtjes shqiptare, në përgjithësi. Kemi ardhur në Kosovë nga Amerika e largët – e largët, gjeografikisht, ndoshta — por jo e largët nga zemra jonë. Larg, por afër për të gjithë ne dhe sidomos për Xhim Xhemën mikun tim dhe të shumë shqiptarëve kudo, me të cilët ai ka punuar e bashkpunuar për një gjysëm shekulli, për një Kosovë të lirë, demokratike e të pavarur, me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e saj.

Unë e kam njohur Xhim Xhemën për disa dekada dhe jam i vetdijshëm se atij nuk i pëlqen të flasim për të, për arritjet e tija dhe për rolin që ai ka luajtur dhe vazhdon të luaj në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kosovën – përpara dhe pas pavarësisë – por edhe për rolin në lidhjet midis dy popujve tanë, në përgjithësi. Është e pamundur të flasim për Pavarësinë e Kosovës në këtë 15-vjetor dhe të mos flitet për rolin e Xhim Xhemës dhe mikut të tij të vjetër, Senatorit Bob Dole, në këtë histori. Shpresoj që të më kuptojë miku im i nderuar, Xhimi.

“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë…”.  Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, 17 Shkurt, 2008 në Prishtinë. Për realizimin e këtij ideali ka punuar gjithë jetën Xhim Xhema – për një Kosovë të pavarur e sovrane, të lirë, me udhëheqës të zgjedhur nga populli, në mënyrë demokratike, siç thekësohet në deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. 

Në fillim të këtij muaji, Xhim Xhema organizoi në Washington një ceremoni përkujtimore për mikun e tij të madh, Senatorin Bob Dole, në 1-vjetorin e varrimit të tij.   Për Xhim Xhemën Senatori Dole – miku i tij i ngusht në Washington prej disa dekadash, ishte – “Një hero dhe një burr-shtetas i madh amerikan. Senatori Dole ishte një udhëheqës politik i respektuar… Ai ishte një mbështetës i fortë i të drejtave të njeriut, i cili luftoi pa pushim për lirinë e shqiptarëve në Kosovë, për më shumë se 30-vjet. Ai ishte një figurë thelbësore në ngjarjet që çuan në rilindjen e Kosovës si shtet dhe do të mbahet mend gjithmonë për kontributet e tija ndaj kauzës së lirisë dhe drejtësisë.  Trashëgimia e Senatorit Bob Dole vazhdon të na frymëzojë. Brezat e ardhëshëm të Kombit shqiptar do të jenë përgjithmonë mirë njohës për punën dhe përpjekjet e tija”, ishin fjalët e Z. Xhema, pranë varrit të mikut të tij të shtrenjtë, por edhe mikut të madh të shqiptarëve, në përvjetorin e parë të varrimit dhe në vigjilje të 15-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Për Bob Dole, bashkpuntorin e tij të ngushtë e të gjithkugjendur në krah të lirive dhe të drejtave të njeriut për të gjithë njerzit anë e mbanë botës, por sidomos, kur vinte puna tek mbrojtja e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Kosovë dhe në mbarë trojet shqiptare – Bob Dole ishte i drejt për drejt dhe i pa kompromis. Kështuqë, duke e njohur si të tillë, Xhim Xhema kishte bindur mikun e tij Senatorin republikan, Z. Bob Dole që të shkonte në Kosovë dhe të vlerësonte situatën tragjike atje dhe shikonte për veten e tij krimet serbe kundër shqiptarëve. Senatori Dole vizitoi Prishtinën në Shtator të vitit 1990 me 5 senatorë të tjerë amerikanë. 

Shumë i shqetësuar për gjendjen që kishte parë në Kosovë, me të kthyer në Washington nga vizita e delegaconit të lartë amerikanë, Senatori Bob Dole alarmoi Washingtonin zyrtar dhe bindi botën mbarë se diçka e tmershme dhe kriminale po ndodhte kundër shqiptarëve në Kosovë. “Tmeri i Kosovës” e kishte cilësuar ai gjëndjen këtu në atë kohë. Aty për aty, Senatori Dole, ka kërkuar veprimtari të menjëhershme dhe lëvizje serioze diplomatike nga ana e Washingtonit zyrtar, nga aleatët perendimorë të Amerikës dhe nga mbarë bota, për të ndaluar tragjedinë dhe masakrat në rritje e sipër.   

“Tani është koha për të vepruar.  Tani është koha për të marrë një qendrim të fortë në mbështetje të drejtave të njeriut dhe demokracisë në Jugosllavi. Tani është koha për të marrë një qendrim vendimtar – jo kundër ndonjërit prej kombeve që përbejnë Jugosllavinë – por kundër një tiranie komuniste”, është shprehur Senatori Bob Dole me të kthyer në Washington nga vizita në Prishtinë, Shtatorin e vitit 1990.  

Sipas shumë analistëve, atëherë dhe sot, me vizitën e tij në Kosovë, të kërkuar me këmbngulje nga miku i tij Xhim Xhema, Senatori Dole zgjoi ndërgjegjen amerikane dhe botërore ndaj tmerit që po ndodhte në Kosovë. Ndërkohë që ai, paralajmëroi edhe fundin e Jugosllavisë si një shtet federativ. Ishte mesazhi i Senatorit Dole, me atë rast, që bindi Washingtonin zyrtar të shikonte, me një sy dhe qendrim tjetër abuzimet kundër shqiptarëve dhe të fliste hapur dhe me vendosmëri për tragjedinë që po ndodhte në Kosovë.

Në dhjetor 1992, George H. W. Bush nxori të ashtuquajturin “paralajmërim të Krishtlindjeve”, një letër drejtur diktatorit të Serbisë Sllobodan Millosheviç, në të cilën thuhej se në rast të një konflikti në Kosovë të shkaktuar nga veprimi serb, SHBA do të jenë gati të përdorin forcën ushtarake. Historia do shënojë rolin, në këtë histori, të ushtruar nga Xhim Xhema dhe Senatori Dole.

Ështe e pa imagjinueshme influenca e Senatorit Dole që më vonë atë dekadë, i siguroi Presidentit Bill Clinton mbështetjen dypartiake për ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara, ushtarakisht, për çlirimin e Kosovës në 1999, që në Kosovë të mos “përsëritej ajo që ndodhi në Bosnje”. Senatori roli ka luajtur një rol kritik edhe në Rambuje, ka rrëfyer Sekretarja e Shtetit Madeline Albright.   Kur serbët refuzuan marrëveshjen në Rambouillet, Dole me Xhim Xhemën siguruan në Senatin Amerikan, mbështetjen e Senatorëve John McCain, John Warner, Joseph Lieberman, Christopher Dodd e të tjerë për siguruar mbështetjen nga të dy partitë politike amerikane për ndërhyrjen e NATO-s. Kjo mbështetje nga Kongresi e bindi Presidentin Clinton që të jepte urdhërin për çlirimin e Kosovës. Xhima Xhema dhe Senatori Dole kanë vazhduar mbështetjen për Kosovën edhe pas Çlirimit, duke kundërshtuar deri në fund ndarjen e Kosovës. Jam i bindur se Senatori Dole po të ishte gjallë do të kundërshtonte edhe krijimin e të ashtuquajturave “zajednica serbe”.

Për të pakën 4 dekada, Xhim Xhema, përveç me Senatorin Dole, ka bashkpunuar me një numër të madh zyrtarësh amerikanë e ndërkombëtarë, të niveleve të ndryshme, sidomos në Washington dhe në Nju Jork, për të mbajtur të gjallë dhe aktual interesimin e zyrtarëve më të lartë amerikanë për çeshtjen e Kosovës.  Vinte aq shpesh në Washington gjatë 1980-ave dhe 1990-ave sa që me shaka e pyesja nëse e kishin dëbuar nga Nju Jorku dhe po kërkonte strehim në Washington. Por e dinim se lidhjet dhe miqësia, veçanërisht, me Senatorin Dole kanë qenë të veçanta dhe të pakrahasueshme me asnjë politikan tjetër amerikan, gjatë atyre viteve 

Xhim Xhema dhe Senatori Robert Dole, por edhe të tjerë udhëheqës amerikanë me të cilët ka bashkpunuar ngusht Z. Xhema, por edhe komuniteti shqiptaro-amerikan në përgjithësi, vepronin nga një këndveshtrim i përbashkët që përmbante idenë kryesore të drejtave të njeriut, lirisë dhe demokracisë, bazuar në lirinë konstitucionale amerikane dhe të drejtat e natyrshme që duhet të kenë njerzit kudo dhe pa dallim.

 “Ne besojmë se këto të drejta janë të natyrshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se Krijuesi u ka dhënë atyre disa të drejta të patjetërsueshme, si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Ne besojmë se për të siguruar këto të drejta njerëzit krijojnë qeveri, të cilat i marrin fuqitë e tyre me pëlqimin e të qeverisurve, se sa herë që një formë qeverisjeje i minon këto qëllime, është e drejta e popullit ta ndryshojë, apo ta heqë atë”.

Ky ishte edhe mesazhi i Xhim Xhemës dhe Senatorit Bob Dole që resononte në zyrat dhe nepër korridoret e Kongresit dhe dikastereve të tjera të qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara dhe jo vetëm.  

Miq të nderuar, është e pamundur të flitet për frytet e bashkpunimit të Xhim Xhemës, jo vetëm me Senatorin Dole, por dhe me Washingtonin zyrtar në përgjithësi, pa përmendur mikun e tyre të përbashkët dhe mikun e gjithë neve, Presidentin historik të Republikës së Kosovës, Dr Ibrahim Rugovën. 

Z. Xhim Xhema dhe Dr. Ibrahim Rugova kanë bashkëpunuar ngusht me njëri tjetrin për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës gjatë viteve 90-a dhe më vonë, jo vetëm këtu në Amerikë, por edhe anë e mbanë botës. “Presidenti Rugova”, ka thënë Xhim Xhema, për Zërin e Amerikës disa vite me parë, “ishte një udhëheqës largpamës, një njeri, që mbronte idenë e mjeteve paqësore, por edhe i vendosur në udhëheqjen e shqiptarëve drejt pavarësisë. Është vërtetë një tragjedi”, ka shtuar ai, “që Presidenti Rugova nuk jetoi të gëzonte pavarësinë e Kosovës”.  Presidenti Rugova na mungon shumë edhe sot — të gjithë ne që e kemi njohur — në këtë ditë të shenjtë të 15-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Zonja e Zotëri, Kosova është sot 15-vjet shtet i pavarur dhe për jetë, falë sakrificave të mëdha të këtij populli këtu – një histori kjo më shumë e shkruar me gjak se me penë — por nuk guxojmë të anashkalojmë edhe rolin si përfundim i punës së madhe dhe bashkpunimit të Xhim Xhemës me mikun e tij të ngusht, Senatorin Bob Dole dhe shumë bashkpuntorëve të tjerë amerikanë dhe të diasporës shqiptaro-amerikane, gjatë dekadave. 

Siç duket, Beogradi dhe Moska mund të endërrojnë gjithnjë se Kosova dhe Mali i Zi, sipas tyre, janë një “projekt i përkohëshëm” në këtë rajon, por realiteti është, “një dhe i vetëm”,  siç është shprehur gjatë vizitës së fundit në Podgoricë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, e cila ka theksuar se

Kosova dhe (Mali i Zi) janë, “shtete sovrane, të pavarura, demokratike, liridashëse dhe të përkushtuara për paqe të qëndrueshme, me të ardhme të qartë në Bashkimin Evropian, e të tilla kanë për të qenë përherë”, ka thenë e para e shtetit të Kosovës.

Prandaj, në këtë 15-vjetor të Pavarësisë së Republikës së Kosovës – megjithë arritjet e shumta të këtij vendi mbrenda një kohe të shkurtë, na mbetet të urojmë, të shpresojmë, por edhe të lutemi për suksese të reja, për një, “Kosovë në NATO e në BE dhe në miqësi të përherëshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Kjo ishte edhe dëshira e të ndjerit Presidentit historik  të Kosovës, Dr Ibrahim Rugovës. Njëkohësisht, kjo mbetet edhe një prej idealeve madhore i të gjithë neve dhe i mbarë Kombit shqiptar. Për ta parë shtetin e Kosovës si anëtar të denjë, me të drejta dhe përgjegjësi të barabarta, në të gjitha organizatat euro-atlantike. Kjo ishte e mbetet edhe ideali i Xhim Xhemës për Kosovën, sepse ai dhe të gjithë ne e dimë se, “Shtëpia pa miq nuk mbahet”, ka pas thënë dikur Ibrahim Rugova.

Në përmbyllje të nderuar Zonja e Zotëri – megjithë sfidat serioze me të cilat përballet sot Kosova dhe Kombi shqiptar – kemi shumë arsye që sot të festojmë dhe të falënderojmë Perëndinë, pikëspari, për sukseset e deritanishme, por edhe të kujtojmë të gjithë ata heronjë që benë sakrificën sublime duke dhënë jetën e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.  Por, njëkohësisht, të iu jemi gjithashtu mirënjohës edhe patriotëve aktivistë si miku ynë, shqiptaro-amerikani i shquar, Xhim Xhema – bir i këtij trolli. Ai nuk harroi kurrë se ku i ka rrënjët dhe origjinën – por që dijti të bëjë miqë për Kosovën, për komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara dhe anë e mbanë botës – ndoshta në periudhën më të vështirë të ekzistencës historike të trojeve Dardane. 

Kjo pritje madhështore që po i bën këto ditë Republika e Kosovës, birit të saj Xhim Xhemës, është një testament se ky popull nuk e harroi kurrë birin e vet, as mundin as djersën, as përpjekjet e mëdha të tija për Atdheun e vet — nga Amerika e largët. Kuvendi Komunal i Prishtinës ka vendosur që rrugën kryesore A të kryeqytetit ta emërtojë me emrin e Heroit të gjallë të shqiptarisë, Z. Xhim Xhema – të këtij “Heroi Kombëtar të kohërave moderne” siç e cilësoi Kryetari i Prishtinës, Z. Përparim Rama në njoftimi e tij për të emërtuar rrugën A në nderim të Xhim Xhemës, duke përjetësuar përgjithmonë emrin e tij në historinë e këtyre anëve dhe trojeve dardane:  “Xhim Xhema një patrioti i yni që me punën e palodhshme la gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë moderne. Ai dha kontribut të madh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Emri i tij është Xhemajl Xhema, por për shkak se jetoi në Amerikë u njoft si Xhim Xhema. Rruga “A” është një projekt i madh dhe në mendimin tonë, ky është një mesazh për t’ua përcjell brezave të reja se njeriut tonë ja sigurojmë përjetësinë në historinë tonë”. Ky propozim i Kryetarit të Prishtinës është miratuar me 45 vota në favor dhe asnjë kundër nga Kuvendi Komunal i kryeqytetit të Republikës së Kosovës.  Është me vend që të zhvillojmë këtë ceremoni për një individ, i cili ka kontribuar aq shumë, jo vetëm për komunitetin tonë, por dhe për Shtetet e Bashkuara dhe për Atdheun tonë”, ka thenë i pari i Prishtinës, Z. Përparim Rama.

 Me të drejtë, se shkurt me i ra muhabetit:c “Pa Senatorin Dole, Kosova nuk do të ishte e pavarur sot”. Dhe pa Xhim Xhemën nuk do ta kishim patur as ndihmën e Senatorit Dole e të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Frank Shkreli

Prishtinë, 17 Shkurt, 2023

  A picture containing text

Description automatically generated  .. Text

Description automatically generated                                                 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

KOSOVA 15 VJET SHTET, FESTË MADHËSHTORE NË NEW YORK

February 17, 2023 by s p

Sokol Paja/

New York, 16 Shkurt 2023 – 15 vjetori i shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës bashkoi në një festë madhështore në New York dhjetëra patriotë shqiptarë, aktivistë të shquar të komunitetit, diplomatë, drejtues të organizatave e shoqatave patriotike në Amerikë, gazetarë e veprimtarë të komunitetit shqiptar në përkujtim të ngjarjes më të shënuar të popullit e shtetit të Kosovës, pavarësia. Në fjalën e mirëseardhjes Ambasador Blerim Reka ndër të tjera tha se: “Kjo Republikë siç e dini është një rrugëtim i gjatë, me shumë sakrifica gjeneratash e brezash për çka i përkulem gjithë atyre bijve e bijave të kombit që këtë e bënë realitet me mund dhe sakrifica, me mençuri dhe me dije, por mbi të gjitha me luftën çlirimtare të UÇK-së dhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Zoti e bekoftë Kosovën dhe Zoti e bekoftë Amerikën” tha në mesazhin e tij Ambasador Reka. Ambasador Lisa Carty përcolli për të gjithë të pranishmit në festë fjalët e ngrohta të Ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kombet e Bashkuara Ambasador Linda Thomas-Greenfield. “Ne emër të Ambasadores Greenfield, të misionit në UN, të shtetit tonë, ju përcjellim urimet më të ngrohta popullit e shtetit të Kosovës për 15 vjetorin e Pavarësisë” tha në mesazhin e saj Ambasador Carty ku ndër të tjera theksoi rëndësinë dhe rrugëtimin e shtetit të Kosovës deri në pavarësi. Mbrëmja vazhdoi nën tingujt e muzikës klasike, koktejl dhe biseda mes miqsh që përkujtuan me respekt dhe nderim betejat dhe sakrificat për lirinë e pavarësinë e Kosovës.

Rroftë përjetë Republika e Kosovës.

Nder dhe lavdi luftëtarëve, çlirimtarëve, dëshmorëve dhe heronjve të lirisë.

Mirënjohje përgjithmonë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Paja

VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT ME RASTIN E 15 VJETORIT TË PAVARËSISË SË KOSOVËS

February 17, 2023 by s p

Me rastin e 15 vjetorit të Pavarësisë së Republikës Kosovës, në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, të të gjithë vatranëve dhe shqiptaro-amerikanëve uroj qytetarët e Kosovës në vendlindje dhe në mërgim, liderët politik, dhe të gjithë shqiptarët: Gëzuar Pavarësinë e Kosovës!

Të dashur bashkëkombas,

Më lejoni që përmes këtij mesazhi të përzëmërt të ju shprehë urimet më të sinqerta për këtë ditë kaq të shënuar në historinë e shtetit të Kosovës.

Në këtë datë të shënuar ndër më të rëndësishmet në historinë e kombit tonë, uroj që Republika e Kosovës të prosperojë dhe të zhvillohet në të gjitha fushat si shtet demokratik, ku sundon rendi dhe ligji, ku respektohen vlerat universal dhe me orientim të qartë euro – atlantik.

Në këtë përvjetor kujtojmë me respekt dhe nderim arkitektin e shtetit të pavarur të Kosovës Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova, komandantin legjendar Adem Jashari si dhe sakrificën e të gjithë dëshmorëve dhe martirëve që u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA” zotohet që do të vazhdojë mbështetjen e gjithanshme për institucionet e shtetit dhe popullin e Kosovës dhe do vazhdojë të lobojë dhe avokoj fuqishëm në institucionet shtetërore të SHBA-ve që të jenë si gjithmonë aleati kryesor i aspiratave të popullit të Kosovës për paqe, stabilitet, zhvilllim ekonomik dhe dhe një të ardhme të ndritur për brezat e ardhshëm.

Zoti e bekoftë SHBA-në,

Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj,

Zoti i bekoftë shqiptarët,

Me gëzim të veçantë

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”

Elmi BERISHA

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT