• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2023

Shkencëtari që u bë i famshëm pa rendur pas famës

July 10, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

John Goodenough, (Xhon Gudinaf) i cili fitoi çmimin Nobel në vitin 2019 në moshën 97 vjeçare, mposhti shumë vështirësi në jetë dhe arriti të jepte aq shumë për shkencën dhe njerëzimin. Shpërblimin nuk e kërkoi kurrë në reklamimin e vetes dhe marrjen e çmimeve, por vetëm te arritjet shkencore. Në kohën e sotme kur vetëreklama dhe marketingu nuk njohin kufi, ai është shembulli që tregon se reklama dhe madhështia e njeriut janë dy gjëra të ndryshme. Edhe nëse nuk ju kanë rënë rasti ta njihni apo nuk e keni dëgjuar emrin Xhon Gudinaf, produktet e punës së tij i keni në duar për çdo ditë.

Bateritë mund të jenë një artikull të cilit nuk i kushtojmë shumë vëmendje por pa to jeta jonë e përditshme dhe e gjithë bota moderne nuk do të ekzistonte. Ato janë në qendër të kërkimeve dhe hulumtimeve shkencore në laboratorë të firmave të mëdha industriale, universiteteve dhe natyrisht sektorit komercial. Qysh nga viti 1800 kur Alessandro Volta shpiku baterinë e parë, njerëzimi ka qenë në kërkim të baterive që janë të sigurta, të fuqishme, të lehta, punojnë shpejt dhe nuk janë të kushtueshme. Materialet e përdorura për anodën, katodën dhe elektrolitet përcaktojnë sasinë dhe shpejtësinë e joneve që përbën në thelb fuqinë e baterisë. Roli i John Goodenough (Xhon Gudinaf) në përditshmërinë tonë është i pakontestueshëm. Nobelisti për baterinë me jone litiumi ndërroi jetë në moshën 100 vjeçare. Në 2019 John ishte bashkëfitues i Çmimit Nobel në Kimi për rolin kyç në arritjen e shpikjeve që çuan te bateritë e rikarikueshme të cilat janë të kudogjendura në pajiset elektronike dhe hibride. Atë vit ai ishte 97 vjeç dhe hyri në histori si njeriu më i moshuar që ka fituar çmimin prestigjioz. Përpara se të përzgjidhej si laureat, Dr. Goodenough ishte relativisht i panjohur në qarqet akademike dhe nga gjigandët komercial që e shfrytëzonin punën e tij. Në laboratorin e Universitetit Oxford ai pati sukses në krijimin e baterisë që më vonë pushtoi botën me telefonat e dorës, dhe tableta kompjuterike, veç pajisjeve që shpëtojnë jetë si defibrilatorët kardiologjik dhe automjeteve elektrike si Tesla, që çojnë në zbutjen e efektit të ndryshimit të klimës.

Për sa i takon historikut të baterive, ecuritë teknologjike kanë ndodhur hap pas hapi dhe në sajë të një numri të madh shkencëtarësh dhe teknikësh për vite me radhë. Por Dr. Goodenough është ai që ka krijuar hallkën lidhëse në kimi, fizikë dhe inxhinieri në shkallën molekulare. Ai nuk mori përqindje të pagesave për punën e tij në fushën e Teknologjisë së baterive veç rrogës së gjashtë dhjetëvjeçarëve si shkencëtar dhe pedagog në MIT ( Instituti i Teknologjisë Masaçusets) në Oksford dhe Universitetin e Teksasit. Ai madje nuk rezervoi as të drejtat ekskluzive dhe ua jepte patentat e shpikjeve kolegëve si dhe i dhuronte donacionet që fitonte për kërkime dhe bursa. Edhe pasi arriti moshën 90 vjeçare Goodenough ishte aktiv në punën e tij për një “superbateri”. Ai thoshte se kjo do të bënte të mundur ruajtjen e energjisë së erës, atë diellore dhe bërthamore që do të revolucionalizonte rrjetin elektrik dhe transportin.

Jetën e tij e përshkruan në librin me kujtime “Dëshmitar i Madhështisë” “Witness to Grace” (2008) I ardhur në jetë si fëmi i padëshiruar i një profesori të teorisë së fesë në Yale University dhe një nëne me të cilën nuk e pati kurrë lidhjen mëmë-bir, atë e dërguan në një shkollë private në moshën 12 vjeçare. Vuante nga disleksia, dhe iu desh që më shumë durim dhe punë të jashtëzakonshme të kapërcente vështirësitë për të lexuar. Studioi Latinisht, Greqisht dhe u specializua në shkencat matematikore në Yale dhe pastaj në fushën e meteorologjisë prej nga vazhdoi në degën e fizikës ku u doktorua nga University of Chicago (Universiteti i Çikagos) 1952. Gjatë atij dhjetëvjeçari ishte pjesë e ekipit të MIT – nismëtar për memorien kompjuterike (RAM), shkruhet në nekrologjinë e tij. Në vitet 70 shkoi në Oksford ku jepte mësim dhe njëherit filloi hulumtimet për teknologjinë e baterive në laboratorin e kimisë. Duke përmirësuar vetitë e baterive me litium si elektroda negative, ai arriti të përdorte me sukses jonet e litiumit duke krijuar bateri të rikarikueshme që mundësonte përdorimin e tyre në sfera të reja dhe më shtrirje të gjerë që nga pajisjet elektronike e mjekësore deri te automjetet dhe rrjeti i komunikacionit.

Shkencëtarët e quajtën “bateria që shpëtoi botën”. Sipas nekrologjisë të publikuar në shtyp, për këtë shpikje nuk pati interesim fillimisht, madje Oksfordi nuk pranoi të lëshonte patentën për këtë zbulim të tij. Por ndërkohë në Japoni dhe Zvicër po dilnin me sukses teknologji që kombinonin litiumin me grafit karboni. Në 1991 Sony ishte kompania e parë që e kuptoi vlerën fitimprurëse dhe potencialin për shumë aplikime të zbulimit të Goodenough. Laboratorët e zvogëluan madhësinë e baterisë rimbushëse e cila hyri në prodhim masiv duke sjellë një revolucion në telefonat mobilë si edhe në rrjetin e komunikacionit.

Xhon Gudinaf u lind në Gjermani në 25 Korrik 1922. Ishte i dyti nga katër fëmijët e Ervin dhe Helen Goodenough. Kur Xhoni ishte foshnjë, familja u kthye në Amerikë pasi babai përfundoi studimet në Oxford dhe filloi punë si pedagog në Yale. Në nekrologjinë e tij thuhet se marrëdhëniet me prindërit ishin të ftohta. Për shkak të problemeve nga disleksia, Xhon konsiderohej nxënës i dobët. Studimet rigoroze dhe standardet e larta mësimore në Groton School në Masaçusets dhe Yale i dhanë një bazë të fortë disipline në jetë. Doli me rezultate të shkëlqyera në shkollën e mesme dhe fitoi bursë për Yale. Në 1943 u mobilizua në Forcat Ajrore Ushtarake. Pas luftës, iu dha bursë nga qeveria amerikane për të studiuar fizikë në Universitetin e Çikagos. Mori shkallën e parë shkencore në 1951 dhe një vit më vonë doktoraturën. Ka shkruar tetë libra dhe mbi tetëqind artikuj në revista dhe buletine shkencore. Ai ishte 100 vjeç kur ndërroi jetë në 25 qershor në Austin, Teksas.

May be an image of 1 person

See Insights and Ads

Create Ad

All reactions:

44

Filed Under: Opinion Tagged With: Rafaela Prifti

Fotoreportazh nga Biel Bienne i Zvicrës eveniment sportiv i organizuar nga Unioni i Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër dhe FC Besa mikëpritese

July 10, 2023 by s p

UKSHFZ dëshmoi, se të bashkuar, do të jemi më të fort edhe më të suksesshëm

Nga Kosova kishin ardhur enkas për këtë ngjarje të madhe sportive, z.Agim Ademi, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, drejtori sportiv nga FFK Muharrem Sahiti si dhe Lulzim Berisha. Përpos musafirëve nga Kosova, në këtë ditë sporti, kishin ardhur edhe sportistë të sporteve të tjera. Legjenda e futbollit të shqiptarëve në Zvicër, z.Milaim Rama, futbollisti i parë shqiptarë në kombëtaren e Zvicrës dhe shumë musafirë të tjerë.

Biel/Bienne, 10 korrik

E diela e datës 09 korrik, do të mbahet në kujtesën e secilit veprimtarë, që jeton e vepron në Zvicër. Ata sportistë, musafirë nga Kosova, dashamirës të sportit dhe bashkatdhetarë nga katër anët e Zvicrës, që ishin prezent në një eveniment sportiv edhe ate me të gjitha ngjyrat sportive në futboll, dëshmuan, se me një unitet ia dalim mbarë. Në fillim të këtij reportazhi, duhet theksuar dhe është për të vlerësuar edhe ate shumë, se thuajse në çdo lojë që është zhvilluar, nuk ka pasur rrahje mes veti apo edhe sharje. Pak me rezerva thuajse çdo dashamirës i sportit ka pritur, që gjysëmfinalet apo finalja do të jetë pak më e ashpër, siç jemi mësuar të shohim, apo normal që ndodh nëpër shumë turnire, por vërtet ishte për mrekulli, pas çdo ndeshje, ekipet u ndashin duke u përshëndetur. Edhe pse ishte e diele, ditë pushimi, edhe pse ishte shumë nxehtë, mbi 30`C, edhe pse ishte ditë që veçse në disa kantone të Zvicrës kanë filluar pushimet verore, ekipet janë përgjigjur pozitivisht, dashamirës të sportit, për ta përcjellur dhe përkrahur këtë ngjarje të madhe sportive. Jemi mësuar të shohim turnire të ndryshme në Zvicër, por kjo ishte diçka më tjetër, edhe pse ishin që të gjitha të mira, por kjo ishte medalje e organizimeve në futboll, sepse mbante një emërtim të veçant e shumë të nderuar, Union, bashkim të klubeve shqiptare. Siç dihet, në këtë union janë bashkuar 26 klube të futbollit të shqiptarëve në Zvicër dhe kanë krijuar Unionin e Futbollit Shqiptarë në Zvicër. Për këtë historikë nuk do të ndalem, sepse është e njohur thuajse nga çdo sportë dashës. Kësaj here, garuan 11 ekipe, prej 14 sa ishin paraqitur.

E diela e 9 korrikut në fushën e FC Besa në Biel Bienne u zhvillua me shumë sukses Kupa e Diasporës për Klubet e Futbollit Shqiptar në Zvicër. Ndeshjet u zhvilluan në stadium të madh me nga 11 lojtarë. Dashamirësit e futbollit patën rastin të shihnin klubet e ligave të ndryshme, duke filluar nga liga e parë FC Kosova Zürich, FC Besa Liga e 2 interregjionale, Dardania Lausanne, FC Prishtina Bern, FC Iliria Solothurn dhe shumë klube të tjera. Është për të përshëndetur, se ky Union po gjenë përkrahje edhe nga Federata e Futbollit të Kosovës. Nga Kosova kishin ardhur enkas për këtë ngjarje të madhe sportive, z.Agim Ademi, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, Drejtori sportiv nga FFK Muharrem Sahiti si dhe Lulzim Berisha. Përpos musafirëve nga Kosova, në këtë ditë sporti, kishin ardhur edhe sportistë të sporteve të tjera. Legjenda e futbollit të shqiptarëve në Zvicër, z.Milaim Rama, futbollisti i parë shqiptarë në kombëtaren e Zvicrës, Erzen Rrustemi kampion i peshave të rënda në boks, Luan Rudaj, Ridvan Murati, aktor me përmasa ndërkombëtare dhe shumë të tjerë.. Edhe nga të parët e futbollit të Kosovës, por edhe nga të pranishmit u vlerësua se Unioni i Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër dhe FC Besa mikëpritëse dëshmuan për organizim shembullor, që do ja kenë lakmi edhe në atdheun tonë. Duhet falënderuar edhe ate maksimalisht shtetin pritës, Zvicrën, që po na mundëson të organizohen edhe aktiviete sportive në fusha profesionale. Ky besim para shtetit zviceran ka ardhur, padyshim, nga imazhi i mirë i shqiptarëve që jetojnë në Zvicër dhe Zvicra siç dihet për thuajse të gjithë shqiptarët është ardheu i tyre i dytë. Në këtë rast, ju lumtë FC Besa për organizimin dhe pritjen e musafirëve. Ku kishte pije të freskëta dhe ushqim cilësor. Në çdo detaj ishte për tu vlerësuar dhe kishin fjalët më të mira të mundshme nga të pranishmit. Evenimentin sportiv e nderuan edhe disa personalitete që ishin prezent dhe ne siguruam nga një prononcim të shkurtërt nga ata:

Gjenis Haxhimehmeti, sekretar i Ambasadës së Kosovës në Zvicër:

„Falënderova në emrin tim dhe të ambasadorit dhe gjithë stafit tonë për ftesën që na kanë bërë. Këto organizime janë shumë të mira. Diaspora shqiptare e ka treguar veten dhe po e tregon edhe sot e kësaj dite, se është shumë e lidhur me vendin e të parëve dhe kurrë nuk do të shkëputen. Gjthashtu, falënderojmë edhe shtetin mikëpritës Zvicrën e cila na ka dhënë mundësi, që të ushtrojmë çdo të drejtë në këtë shtet. Padyshim, se çdo mërgimtarë i është falëndeues Zvicrës dhe popullit të saj. Ky takim sportiv i organizuar nga UKSHFZ është për të përshëndetur me fjalët më të mira të mundshme dhe duhet edhe më shumë të përkrahet, sepse është një bashkim i klubeve. Aty ku ka bashkim, kurrë nuk do të mungojnë sukseset. I përgëzoj të gjithë që kanë kontribuar në këtë eveniment shumë të rëndësishëm.

Agim Ademi, kryetari Federatës së Futbollit të Kosovës:

„ Me shumë kënaqësi kemi ardhur nga Kosova. Ne kemi një mërgatë të fuqishme. Kemi një mërgatë që e ka dëshmuar veten nëpër periudha të ndryshme, se është gjithmonë afër atdheut. Kemi talentë të shumtë edhe në futboll. Edhe ne si federatë u kemi dhënë hapësirë e do ti japim edhe në të ardhmen të gjithë talentëve që të kontribuojnë në përfaqësuesen e Kosovës. Kam fjalët më të mira për këtë organizim. Mezi se po presim, që të luhet edhe ndeshja kryesore mes fituesit të ekipeve nga Zvicra dhe asaj nga Gjermania me të parin e Kosovës në Prishtinë brenda këtij viti. Kemi parë ndeshje të mira dhe shiheshin edhe lojtarë shumë cilësor. Respekt për organizatorët“.

Feti Demolli kryetar i UKSHFZ:

„Ju falënderoj juve dhe gjithë ata që kanë kontribuar për t`u organizuar kjo ngjarje e madhe e futbollit. Falënderoj stafin e FC Besa për të gjitha dhe gjithë stafin tim. Është nder dhe kënqësi për ne që të kemi edhe musafirë nga Kosova, të parin e futbollit të Kosovës, z.Agim Ademi si dhe drejtorin sportiv të FFK-së, z.Muharrem Sahiti. Falënderoj sponzorët, sportistët, tranjerët, referët, mediat, me një fjalë që të gjithë. Padyshim, një falënderim i përzemërt shkon edhe për miqtë tanë zviceran, që na kanë mundësuar që të gjitha kushtet, që të zhvillohet turniri ashtu si do të duhej. Jemi munduar e do të mundohemi edhe në të ardhmen, që të jemi edhe më të organizuar. Kemi punuar shumë dhe ja arritëm që ta përfundojmë këtë turnir të sivjetëm shumë mirë. Ekipi nga Zvicra dhe ai nga Gjermani do të luajnë në tetor në Kosovë, konkretisht në Prishtinë dhe po besoj se do të kemi përkrahje edhe nga Kosova, që ate ditë ta kemi festë. Mërgata ishte e do të mbetet gjithmonë me atdheun. Një respekt i veçantë për gjithë drejtuesit e ekipeve si dhe futbollistët, që treguan lojëra super të mira dhe mbi të gjitha fer play. Kjo është kulmi i suksesve”.

Rini Dauti, zëvendës kryetar i Unionit:

Ne mundemi, jemi dhe do të jemi të bashkuar. Mendojmë për gjeneratat e reja që po vijnë, sepse po jetojmë në shtetin e mundësive, që nuk na pengojnë në suksese, por përkundrazi, na ndihmojnë. E dijmë, se sa futbollistë shqiptarë luajnë nëpër klube të Zvicrës, por edhe në kombëtare. Respekte.“

Musli Saiti, sekretar dhe editor i Syti Tv:

“Ju falënderoj edhe juve që keni ardhur nga Cyrihu. Të falënderoj edhe për punën që e ke dhënë në fushën e gazetarisë edhe ate profesionale jo më pak se mbi 20 vjet. Kam pasur rastin të takoj e të lexoj shkrime e shkrime për diasporën tonë. Të nderuam edhe me një mirënjohje për punën që e ke bërë. Shumë faleminderit. Ka pasur shumë punë, por jemi krenarë se ia dolëm mirë. Kishim musafirë nga Kosova, të parin e federatës së futbollit të Kosovës dhe drejtorin e përfaqësueses së Kosovës në futboll, ku i falënderojmë përzemërsisht për ardhjen e tyre por edhe për mbështetjen. Falënderoj që të gjithë që kanë kontribuar që të dalim të gjithë së bashku mirë. Falënderoj edhe Feti Demolli kryetar i UKSHFZ, stafin e FC Besa me kryetar Petrit Krasniqi, përfaqësues të ambasadë së Shqipërisë dhe të Kosovës, yllin e futbollit shqiptarë, z.Milaim Rama, babain e futbollistëve të mëdhenj që na kanë krenuar e po na krenojnë të Granit dhe Taulant Xhakës, z.Ragip Xhaka. Falënderoj edhe stafin e TV Syri me qendër në Solothurn të Zvicrës, që gjithë ditën me kamera e fotoaparata kanë qëndruar, për të përcjellur çdo detaj në këtë turnir të madh dhe të veçant. Ishte një ngjarje e madhe sportive dhe besoj se nuk do të harrohet nga të gjithë të pranishmit. Jemi munduar që t`ia dalim mirë dhe me ndihmën e të gjithëve ia dolëm mirë dhe kjo tregoi se të bashkuar dijmë dhe mundemi. Siç e patë edhe vet, nuk ka patë sjellje jo sportive. Emocionet janë normale, por të del nga binaret e mirësjelljes nuk kemi pa. Kjo është për të përshëndetur. Ju lumtë djema për lojrat që i keni treguar. Urime ekipit fitues. Shihemi në tetor në Prishtinë. Emision të gjatë dhe për më shumë detaje do të shihni së shpejti në TV Syri ku kemi siguruar edhe bashkëbisedime me shumë personalitete që ishin prezent. Nder edhe njëherë, që ishe në mesin tonë dhe shpresoj, se edhe përvoja jote, do na duhet për vitin tjetër“.

Drejtori sportiv nga FFK Muharrem Sahiti:

„Me shumë kënaqësi kemi ardhur në këtë ngjarje të madhe sportive. Përshëndes dhe uroj organizatorët që të mos ndalen. Kam fjalët më të mira të mundshme. Gjithashtu, pash shumë të rinjë, që kishin vullnet për futboll, fëmijë që janë lindur e po rriten në Zvicër, por që po i njohin futbollistët dhe neve që kishim ardhur nga Kosova. Kjo më gëzoi shumë, se prindërit shqiptarë, po punojnë shumë, që të mos ketë shkëputje nga vendi i të parëve. Zoti e bekoftë diasporë tonë.

Milaim Rama, ish futbollisti i parë shqiptarë që ka luajtur për kombëtaren e Zvicrës:

„Siç e keni parë edhe vetë, kishte lojëra shumë të mira dhe shiheshin edhe talentë të rinjë. Kjo të gëzon shumë, se mërgata jonë kishte e do të ketë talent. E përgëzoj organizatorin, vërtet ishte një organizim shumë i mirë. Të gjitha ekipet mbi të gjitha treguan lojëra cilësore dhe fer play. Zvicra si gjithmonë na ka dhënë mundësi që të jemi si në atdhe. Besoj shumë, se këto organizime edhe në të ardhmen, do ti motivojnë edhe më shumë të rinjtë tanë që të merren me sport. Ky unitet i klubeve shqiptare është për të përshëndetur dhe përkrahur. Kam fjalët më të mira të munshme. Suksese e ju lumtë.“

Ragip Xhaka, babai i Granit e Taulant Xhakës:

„Falënderoj përzemërisht presidentin e Unionit të Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër dhe stafin që më kanë ftuar. Me shumë kënaqësi erdha. Takova shumë miq nga Kosova dhe gjithë Zvicra. Pamë ndeshje të mira. Kemi një diasporë të fuqishme. E përgëzoj organizatorin dhe mikëpritësit nga FC Besa“.

Skender Thaqi, ish menaxher FC Besa për dy mandate dhe njëherit veprimtarë i dalluar:

„U dëshmua edhe njëherë, se i gjithë stafi i FC Besa dinë të pres musafirët për një ngjarje të madhe sportive. E përgëzoj stafin e Unionit të Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër për organizimin. Kemi kaluar një ditë shumë të mirë. Duke takuar shumë miq që moti si kisha takuar dhe duke përcjellur edhe ndeshje të mira futbolli. Këto organizime dhe shumë të tjera i duhen diasporës sonë, sidomos brezit të ri. Kemi një diasporë të fuqishme dhe fati është i joni që jemi në Zvicër, në këtë shtet që na ka mbështetur me të gjitha mundësit. Ne u jemi mirënjohës. Mu kujtua, kur pata filluar në FC Besa, duke kontribuar që kishim vetëm një ekip dhe ngadal e sigurt korrëm suksese. Sigurisht se kishim vështirësi, por ia dolëm që ti japim shumë forcë. E sot, kemi një FC Besa shumë të fortë dhe që ka reputacion të mirë edhe para miqve tanë zviceran. Po shihet edhe mikëpritja e gjithë stafit të FC Besa. Për çdo lavdëratë. Vlerësoj shumë edhe prezencën e të parit të FFK-së, pastaj edhe të babait të Granit e Taulant Xhakës dhe shumë veprimtarëve të tjerë. Kështu të bashkuar kemi mundësi të realizojmë edhe shumë projekte të tjera të mira, sepse kemi profesionistë të fushave të ndryshme“.

Petrit Krasniqi, kryetar i FC Besa:

„ Ju falënderojmë që keni gjetur kohë për t`na nderuar. Falënderoj kryetarin e UKSHFZ dhe gjithë stafin e tij, që sivjet na besuan neve që ti mirëpresim për këtë organizim. Më lejoni t`ju jem mirënjohës gjithë stafit të FC Besa, që vërtet janë angazhuar që të gjithë, që të dalim me sukses. Besoj, se edhe ia kemi dalur. Falënderoj edhe miqtë tanë zviceran, që gjithmonë i kemi afër dhe falë tyre, ne kemi suksese. Jeni duke e parë edhe vet, na kanë mundësuar të gjitha kushtet. Ishte një ngjarje e madhe sportive dhe shpresoj se edhe në të ardhmen, sikur këtu të kalojmë edhe nëpër kantone të tjera. Ne kishim një ekip të mirë që shkoi në finale, por fati nuk ishte në anën tonë që të fitojmë sivjet këtë kupë. Mbi të gjitha si ekipi jonë, por edhe të gjith ekipet treguan se dijmë të luajmë dhe dijmë të respektohemi. Do të jemi së bashku edhe në organizime të tjera“.

Rafet Ademi, veprimtarë i kahershëm i kauzës kombëtare;

„ Shkurt e shqip jam kënaqur. Edhe pse ishte shumë nxeht, kur shihja këtë organizim të bukur, më vinte freski shpirtërore. Plot e plot ekipe, plot e plot, sportistë, sa rini të mirë që kemi. Më la shumë përshtypje që nuk dëgjova sharje. Se shpesh nëpër turnire nga nervoza edhe shahen futbollistë, apo edhe rrahen. Kjo ishte ditë e madhe. E përgëzoj mikëpritsin dhe stafin e UKSHFZ, që kishte organizuar perfekt. Kemi një mërgat të artë dhe presim suksese. Nuk është koha e gjeneratës sime, që punonim e jepnim për tu bërë shtet. Tani kemi dy shtetet tona dhe me përkrahjen e tyre, do të jemi edhe më të fortë. E ky shtet ku po jetojmë, na ka dëshmuar se e kemi mikun e përbetuar. Ne u jemi falëndeues Zvicrës dhe popullit të saj. Bashkatdhetarë të të gjitha trevave shqiptare, sepse na bashkon flamuri. Të punojmë për gjeneratë e re edhe ma shumë“.

Adi Hebibi, 9 vjeçar që donte të luante edhe ai ku kishte marrë topin për të luajtur dhe bënte foto me shumë personalite që ishin prezent:

“Pse nuk po muj me lujt edhe unë? A guxoj ta bëj shqiponjën aty te flamuri kuq e zi? Pse nuk po organizohet një turnir edhe për neve që jemi ma të vegjël? Sa mirë shqip po dëgjoj këngë për Adem Jasharin. A krejt shqiptarë janë këta që po luajnë a? Sa mirë që po luajnë. Shqiptarë paska plot Xherdan Shaqira e Granit Xhaka. A i shohim edhe këta nëpër televizione? Si mundem ta mar edhe unë një T-shirt të ekipit Kosova, Albania dhe Luginës së Preshevës? Unë po du me e përcjell ekipin e Luginës së Preshevës, sepse Albania e Kosova janë më të mëdhaja, Lugina e Preshevës nuk është edhe aq e madhe. Po du me fitu Lugina e Preshevës dhe pastaj me u përmend ma shumë edhe në Zvicër. U kënaqa sot. Ma dhanë edhe mua një medalje në qaf. Mora edhe nënshkrime nga presidenti i FFK-së, nga futbollisti i mirënjohur, Muharrem Sahiti, Milaim Rama legjenda, babai i Granit Xhakes, nga presidenti i UKSHFZ. A shkojmë me e pa finale në Kosovë? A organizohet edhe vitin tjetër?. Shumë e shumë pyetje të tjera na bëri Adi. Adi dhe shumë të rinjë të tjerë, falë edhe këtyre organizimeve, po i japin edhe më shumë energji shpirtërore për krenarinë se jemi shqiptarë. U ndanë edhe disa mirënjohje, ku në mesin e tyre u nderua edhe Dr.sc.Dashnim HEBIBI, për kontribut në art, kulturë dhe sport, që mbi 20 vjetë ka përcjellur dhe shkruar për shumë aktivitete të ndryshme për të mirën e kombit tonë, jo vetëm në Zvicër, por edhe në gjithë diasporën tonë. Edhe shumë e shumë të shkruash, prap është pak, nga ajo që pamë në këtë ditë të shënuar sportive. Edhe gjysëm finalet ishin të mira dhe me shumë meritë, në finale u takuan FC Kosova/ Cyrih dhe FC Besa/ Biel. Fjalë të mira meritojnë edhe referët që ndajtën drejtësi në fushë në mënyrë shumë profesionale dhe me një mirëkuptim të veçant. Pas një ndeshje shumë të mirë dhe me shumë emocione, fitues doli FC Kosova nga Zürich, duke e mundur FC Besa me rezulat 2:1. Loja ishte fer play dhe la mesazh të mirë për të gjithë, se triumfoi futbolli. Kampione e Kupës së Diasporës 2023 dhe më e mira nga ekipet shqiptare të futbollit në Zvicër, FC Kosova, pranuan kupën dhe medaljen nga i pari i FFK-së, z.Agim Ademi. Krejt në fund ekipet fituese morën edhe foto kujtimi. Vlenë të përmendet edhe kontributi nga Shoqëria Kulturo Artistike Albakult me qendër në Bern, që me disa valle me veshje kombëtare i dhanë hijeshi artistike këtë evenimeti sportiv. Kryesia e Unionit të Klubeve Shqiptare të Futbollit falënderoi, musafirët nga Kosova të parin e FFK, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, stafin e klubit Besa, ekipet pjesmarrëse, mediat, sponsorët dhe të gjithë të pranishmit. Ky eveniment sportiv vërtet le për të dëshiruar dhe besuar, se edhe në vitet që do të vijnë, do të jetë mirë e më mirë dhe jetëgjatësia e saj do të jetë, sa të jetoj shqiptaria në Zvicër.

Përgaditi: Dashnim HEBIBI

Foto: Adi HEBIBI

Filed Under: Sport Tagged With: Dashnim Hebibi

Format klasike të pedagogjisë

July 10, 2023 by s p

Viliem Kurtulaj

Universiteti Qiriazi/

Leksioni dhe seminari janë dy nga format më të spikatura dhe më të njohura të mësimdhënies. Në thelb, leksioni mund të cilësohet si pedagogji jo-ndërvepruese, ndërsa seminari si pedagogji ndërvepruese. Në pamje të parë, leksioni është jo i ndërsjellë, asimetrik dhe i pabarabartë për sa i përket komunikimit dhe marrëdhënieve të pushtetit. Seminari, nga ana tjetër, tenton të jetë më i barabartë, më simetrik dhe i ndërsjellë. Në seminar, mësimdhënësi ushtron më pak pushtet mbi nxënësit/studentët sepse kjo formë e mësimdhënies bën të mundur që pushteti të qarkullojë dhe të ushtrohet te të gjithë në mënyrë më të barabartë. Nga ana tjetër, në leksion, folësi i vetëm është mësuesi/pedagogu, ndaj pushteti përmes diskursit/ligjërimit ushtrohet vetëm në një drejtim, nga mësuesi te nxënësit. Në fakt, po të bazohemi tek idetë e filozofit francez Michel Foucault, vëmë re se marrëdhëniet reale të pushtetit në klasë ose auditor funksionojnë ndryshe. Sipas Foucault, leksioni është më i sinqertë dhe më pak “dinak” se seminari për sa i përket marrëdhënieve të pushtetit sepse nuk përpiqet të fshehë apo kamuflojë pushtetin që ka mësimdhënësi, dhe pushtetin që ushtrohet në klasë/auditor. Për të qenë të qartë, në të dyja format e mësimdhënies ka në mënyrë të pashmangshme marrëdhënie dhe ushtrim pushteti. Dallimi në marrëdhëniet e pushtetit fshihet pas pretendimeve të secilës nga dy metodat e mësimdhënies.

Studiuesi Roger Deacon argumenton se leksioni, i cili është një tentativë rreth pretendimeve të veta për të vërtetën, dhe që ekspozohet ndaj kritikave, mund të neutralizojë marrëdhëniet e pushtetit duke i bërë ato më të dukshme; ndërsa liria dhe reciprociteti i supozuar i seminarit mund të maskojë marrëdhëniet e pushtetit deri në atë masë që nxënësit/studentët të absorbojnë në mënyrë jokritike atë që është vetëm opinioni i informuar i mësuesit/lektorit.

Kur nxënësi apo studenti merr pjesë në leksion, ai është i vetëdijshëm për pushtetin e mësuesit/pedagogut. Duke qenë i ndërgjegjshëm për këtë, nxënësi/studenti përgatitet – ndonjëherë edhe pa vetëdije – të përballet me pushtetin e ushtruar nga mësuesi/pedagogu. Rrjedhimisht, duke qenë i vetëdijshëm dhe i përgatitur, ai është më pak i ekspozuar ndaj këtij ushtrimi pushteti mbi të. Nga ana tjetër, nxënësit/studentët marrin pjesë në seminar me mendimin se aty do të jenë pjesë e një procesi komunikimi ku të gjithë janë të barabartë dhe të lirë të flasin, dhe për rrjedhojë nuk ushtrohet pushtet mbi ta.

Në parim, seminari u jep të gjithëve mundësinë të flasin dhe të shprehen. Nga ana praktike, ai e bën mësimdhënësin më të barabartë me studentët. Në këtë mënyrë, seminari pretendon se aty ushtrohet më pak pushtet, pasi figura e pushtetit, pra mësuesi/pedagogu, bëhet pjesë e diskutimit me studentët. Kështu, studentët, duke parë formën e seminarit ku pedagogu nuk flet gjatë gjithë kohës, por bisedon me ta, instinktivisht bëhen më pak të vetëdijshëm për pushtetin që ushtrohet në seminar, dhe për këtë arsye janë të papërgatitur për të. Duke mos qenë të përgatitur për pushtetin që mund të ushtrohet mbi ta, nxënësit/studentët janë më të ekspozuar dhe më të prekshëm ndaj një pushteti të “fshehur” që mund të vijë nga mësuesi/pedagogu, por edhe nga vetë nxënësit/studentët e tjerë. Në seminar, nxënësit/studentët janë të lirë të flasin, por, edhe në këtë aspekt, mbi ta ushtrohet pushtet. Nxënësi/studenti ndjen trysninë e pushtetit që ushtrohet mbi të sa herë që ai duhet të flasë; kur kërkohet të jetë aktiv në klasë; ose në situata të tjera të mundshme që mund të lindin gjatë procesit mësimor ndërvepruese në seminar.

Përveç faktit që të qenit të pavetëdijshëm dhe të papërgatitur për ushtrimin e pushtetit i bën nxënësit më të prekshëm ndaj marrëdhënieve të pushtetit, ka, të paktën, edhe dy arsye të tjera pse në seminar trysnia dhe ushtrimi i pushtetit nuk zhduken apo dobësohen, edhe pse supozohet se të gjithë janë të barabartë dhe secili ka të drejtë të flasë ose të shprehet.

Arsyeja e dytë ka të bëjë me vetë natyrën e pushtetit. Ai nuk ushtrohet vetëm nga mësuesi/pedagogu. Në marrëdhënie, pushteti mund të vijë nga kudo dhe çdokush mund të jetë subjekt i ushtrimit të pushtetit. Kështu, në seminar, pushteti mund të ushtrohet nga mësuesi/pedagogu dhe nga secili nxënës/student. Çdo student që flet në seminar ushtron pushtet mbi studentët e tjerë, madje edhe mbi vetë pedagogun. Për më tepër, për shkak se studentët, në seminar, duhet të flasin dhe të jenë aktivë, ata ndjejnë një trysni për ta bërë këtë edhe kur mund të mos kenë asgjë për të thënë. Është pushteti i mësuesit/pedagogut dhe i nxënësve/studentëve të tjerë në klasë që ushtrohet mbi nxënësin/studentin sa herë që ai merr vendimin për të folur ose jo. Nxënësi/studenti është nën pushtetin e reagimeve jo vetëm të mësuesit, por edhe të nxënësve/studentëve të tjerë. Pra, në seminar, nuk ka ulje të nivelit të pushtetit të ushtruar në klasë, por diversifikim dhe, mbase, rritje të tij. Ndoshta ka një ulje të dominimit të mësuesit/pedagogut, por dominimi është një koncept i ndryshëm nga pushteti.

Në seminar, pushteti i mësuesit/pedagogut mbi nxënësit/studentët nuk humbet, por vetëm kamuflohet. Marrëdhënia e mësuesit/pedagogut me nxënësit/studentët në seminar mund të bëhet më e ngushtë dhe më miqësore sesa marrëdhënia e mësuesit/pedagogut me nxënësit/studentët në leksion. Në fakt, kjo mund të jetë e vërtetë. Megjithatë, sado miqësore apo informale, gjatë procesit mësimor në institucionet e arsimit, marrëdhënia mbetet hierarkike dhe zyrtare. Kjo do të thotë se statuset e pjesëmarrësve në klasë/auditor nuk ndryshojnë. Nuk ndryshon as statusi apo natyra e marrëdhënies së tyre. Marrëdhënia mund të ndryshojë formën, por statusi i pjesëmarrësve në këtë marrëdhënie mbetet i njëjtë. Rrjedhimisht, nuk ndryshon as thelbi dhe as funksioni i marrëdhënies. Edhe në seminar, mësuesi/pedagogu është ai që ka statusin e personit që mëson të tjerët, paçka forma e mësimdhënies mund të jetë e ndryshme. Për më tepër, për sa kohë që statusi i pjesëmarrësve në seminar nuk ndryshon, mësuesi/pedagogu mbetet autoriteti që vlerëson nxënësit/studentët. Pra, mësuesi/pedagogu, duke përdorur notat, ka ende fuqinë për të “ndëshkuar” nxënësit/studentët që nuk performojnë mirë ose për të “shpërblyer” ata që performojnë mirë. Nxënësit/studentët janë vazhdimisht nën trysninë e vlerësimit, ndaj, për pasojë, janë deri diku nën pushtetin e atij/asaj që i vlerëson për atë që ata thonë ose nuk thonë. Pra, do të ishte naive të pretendohej se pushteti i mësuesit/pedagogut në seminar zhduket apo minimizohet.

Argumentet e parashtruara më sipër, në lidhje me ushtrimin e pushtetit brenda klasës apo auditorit në institucionet arsimore, tregojnë se ndryshimi i teknikës së mësimdhënies nga leksioni në seminar nuk e zvogëlon detyrimisht ushtrimin e pushtetit. Seminari, si formë pedagogjike, mund të jetë më i përshtatshëm për t’u përdorur për trajnime rreth metodave; mësime dhe trajnime profesionale e teknike, sesa për të nxitur apo zhvilluar mendimin e lirë dhe kritik. Nga ana tjetër, leksioni, i cili i jep nxënësit/studentit më shumë hapësirë dhe liri për të menduar – pa ushtruar trysni rreth nevojës për të folur shpesh dhe shpejt siç ndodh në seminar – mund të jetë më i përshtatshëm dhe më i vlefshëm për t’iu mësuar nxënësve/studentëve lëndë teorike që kërkojnë një mendim më të thellë për t’u kuptuar dhe përvetësuar.

Filed Under: ESSE Tagged With: Viliem Kurtulaj

Kryebashkiaku i New York-ut Eric Adams takoi bizneset shqiptare në “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” way

July 9, 2023 by s p

Halil Mula/

Në “Arthur Avenue” në Bronx, lagje kjo ku veprojnë shumë biznese me pronarë shqiptarë, në Bato Caffe and Wine në Gjergj Kastrioti Skenderbeu way, kryebashkiaku i New York – ut Eric Adams takoi biznesmenë dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar me të cilët bisedoi për qasjen dhe koordinimin bizneseve me Zyrë e tij për të lehtësuar veprimtarinë e tyre. Me këtë rast kryebashkiaku Adams tha se e vlereson shumë komunitetin shqiptaro-amerikan. Mark Gjonaj është mik i mirë dhe përfaqësues i mirëfilltë i komunitetit shqiptaro amerikan në New York, tha Adams. Komuniteti shqiptaro amerikan është komunitet puntorë, vazhdoi ai, që beson në ëndrën amerikane, në familje, në bizneset e vogla, ne sigurinë publike, virtyte këto që e rreshtojnë me shumicën e njujorkasve dhe Amerikaëve. Ndihem mirë kur jam mes shqiptaro-amerikanëve që më kanë përkrahur gjithmonë dhe unë i vleresoj ata shumë. S’do mend se ka arsye që më quajnë mayor-i shqiptar i New York-ut përfundoi kryebashkiaku Adams.

Filed Under: Politike Tagged With: Halil Mula

Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha u takua me kryetarin e Komunës së Vitisë z.Sokol Haliti

July 8, 2023 by s p

New York, 7 Korrik 2023- Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA z.Elmi Berisha u takua me kryetarin e Komunës së Vitisë z.Sokol Haliti. Në takimin e përzemërt e vëllazëror, së bashku me z.Berisha në takim ishin personalitete të shquara të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si z.Harry Bajraktari, Musa Dakaj, Halil Mula etj. Temë kryesore e diskutimit ishte situata e tensionuar në veriun e Kosovës, sfidat me të cilat ndeshen institucionet në Kosovë, sfidat e qeverisjes vendore në Kosovë, roli i shqiptaro-amerikanëve në ngjarjet vendimtare dhe historike ku ka kaluar Kosova e kombi shqiptar etj. Kryetari i Komunës së Vitisë z.Sokol Haliti ftoi miqtë dhe shtroi idenë e rritjes gjithnjë e më të madhe të investimeve të shqiptaro-amerikanëve për zhvillimin dhe fuqizimin e ekonomisë, zhvillimin e punësimit dhe tregjeve në Kosovë. Z.Haliti u shpreh falënderues dhe mirënjohës për gjithçka që mërgata e Amerikës ka bërë për Kosovën duke filluar nga Vatra e çdo individ apo shoqatë patriotike që ka mbështetur Republikën e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike dhe popullin e Kosovës në përballje me sfidat e përditshme për mirëqenie e progres.

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT