• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2023

VATRA priti kryetarin e Komunës së Prishtinës z.Përparim Rama

September 21, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

New York, 20 Shtator 2023 – Kryetari i Komunës së Prishtinës z.Përparim Rama zhvilloi një vizitë zyrtare në zyrat e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA. I shoqëruar nga Këshilltarja e posaçme Jonada Jashari dhe Koordinatori për investime Astrit Panxha, Kryetari i Prishtinës Rama u prit nga Kryetari Elmi Berisha, Kryetari i Nderit Agim Rexhaj, Anëtarë të Kryesisë Besim Malota, Dr. Pashko Camaj, Bashkim Musabelliu e vatranë të tjerë. Në fjalën e mirëseardhjes z. Berisha e foli për rëndësinë e kultivimit të marrëdhënieve dhe forcimin e bashkëpunimit edhe më tutje. Z. Rama, i emocionuar për vizitën e tij të parë në Vatër, falenderoi vatranët për mikpritjen dhe shprehu nderim e mirënjohje për rolin e Vatrës në historinë e kombit shqiptar dhe veçanërisht ndihmën për shtetin e Kosovës. “Synimini i vizitës është konsolidimi i marrëdhënieve me shtetin amerikan,” tha z. Rama. Prishtina është tashmë anëtare e Rrjetit të Qyteteve me Potencë (Strong Cities Network) një nismë me rëndësi për prespektivat ekonomike të Ballkanit Perëndimor.

“Kultivimi i lidhjeve midis Vatrës dhe Prishtinës e Kosovës është dëshmuar në çdo kohë.”

Kryetari i Vatrës Elmi Berisha vlerësoi Memorandumin e Bashkëpunimit me Parlamentin e Kosovës dhe Ministrinë e Jashtme e të Diasporës në Kosovë si nismë që ka ndërmarrë Vatra me qëllim afrimin e mërgatës me shtetin amë.

“Përsa i takon lidhjeve shpirtërore me shqiptaro-amerikanët, ato kanë vend të veçantë,” tha Kryetari i Komunës së Prishtinës. Ai vlerësoi veçanërisht rolin shtetformues të Vatrës në udhëkryqe të historisë së Shqipërisë dhe për Kosovën në momente kyçe. Duke sjellë në mend organizimin e komunitetit në vitet 90-të, ai përmendi përjetimet e para të cilat i ndjen sa herë është në mesin e shqiptaro amerikanëve këtu. “Që nga vizita ime e parë në Nju Jork nga Londra në 1996 kur kam parë tubimin e bashkësisë shqiptare në Amerikë kam besuar për herë të pare se Kosova do arrinte pavarësinë.”

Duke ju referuar tensionimeve të kësaj periudhe dhe situatës së sigurisë në Kosovë si edhe ngërçit në dialogun me Serbinë, z. Përparim Rama tha “Sfidat na tregojnë se nuk duhet të ndalen përpjekjet për konsolidimin e shtetit, “dhe në këtë kontekst parësore janë siguria, sundimi i ligjit dhe ekonomia”.

Z. Agim Rexhaj, Kryetar Nderi i Vatrës tha se e çmon kulturën qytetare të Kryetarit të Komunës së Prishtinës si “shembull i ecurisë për shqiptarët,” pavarësisht aderimeve politike e partiake. Anëtari i Kryesisë Dr. Pashko Camaj ju tha mysafirëve se VATRA është shtëpia e shqiptarëve ku ata priten me derën hapur.

Vizita e parë në Vatër e Kryebashkiakut Rama dhe ekipit të tij do të pasohet nga takime të tjera gjatë javës së qëndrimit në Nju Jork, ku po mbahet Asambleja e Pergjithshme e OKB-së.

Filed Under: Featured Tagged With: Rafaela Prifti

Presidentja Vjosa Osmani dekoron me Urdhrin e Lirisë, ish-kongresistin, Joe DioGuardi dhe aktivisten Shirley Cloyes DioGuardi

September 21, 2023 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, në një ceremoni të mbajtur në Konsullatën e Kosovës, ka dekoruar me Urdhrin e Lirisë, ish-kongresistin, ish-kreun e Ligës Shqiptaro-Amerikane, mikun e madh të Kosovës, kontribuesin për lirinë dhe pavarësinë tonë, z. Joe DioGuardi dhe aktivisten Shirley Cloyes DioGuardi.

Sipas Presidentes Osmani, Urdhri është falënderim i qytetatëve të Kosovës ndaj punës së palodhshme së tyre, për konributin e jashtëzakonshëm dhe angazhimin e pandërprerë për lirinë, demokracinë, dhe pavarësinë e Kosovës dhe si avancimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.

“Ju keni qenë zëri ynë në kohë të errëta! Ju keni qenë shpresa jonë në kohën e pashpresë. Ju keni qenë katalizator të afirmimit të kërkesave tona kudo në botë, ndaj liria jonë bartë edhe firmën tuaj”, ka theksuar Presidentja Osmani në këtë ceremoni.

Dekorimi i Joe DioGuardi ka përkuar me ditëlindjen e tij të 83-të, të cilin e uroi Presidentja Osmani dhe theksoi se “Joe personifikon Amerikën, aleatën tonë të përhershme, ashtu siç na la amanet presidenti historik dr.Ibrahim Rugova”.

Sipas Presidentes Osmani, Joe dhe Shirley janë kontribues të jashtëzakonshëm dhe miq të mëdhenj të Kosovës.

“Ju të dy keni nga nje vend të posaçëm në zemrën e secilit kosovar! Ju na përkujtoni sa e zorshme ka qenë lufta jonë për të drejta, liri dhe pavarësi. Ju na kujtoni se pa mbështetjen e miqve nuk arrihen rezultate, ndaj zoti i bekoftë SHBA-të, zoti e bekoftë miqësinë tonë të përjetshme!”, ka thënë Presidentja Osmani.

Filed Under: Politike

SOT NË ORËN 12.30 PM, ISH-PRESIDENTI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS Z.BEHGJET PACOLLI VIZITON VATRËN

September 21, 2023 by s p

Ish-presidenti i Republikës së Kosovës z. Behgjet Pacolli do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra ditën e sotme në orën 12.30 pm.

Ai do të zhvillojë një bashkëbisedim në Selinë Qendrore të Vatrës me vatranët dhe komunitetin shqiptar në New York e më gjërë.

Ftohen mediat dhe komuniteti që të marrë pjesë.

Filed Under: Opinion

Shqipëria në krye të Këshillit të Sigurimit të OKB-së

September 20, 2023 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Sot Shqipëria është Presidente e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kjo ngjarje e rëndësishme për kombin tonë meriton vëmendje, dhe duhet të shërbejë si një moment krenarie, e duhet të na nxisë të kthejmë kokën pas e të kujtojmë përpjekjet e mëdha, të vështira e të mundimshme të vendit tonë për t’u integruar në këtë organizatë të 193 kombeve të bashkuara.

Që pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, dhe gjatë Luftës së Parë Botërore, shumë patriotë shqiptarë u angazhuan në mbrojtjen e integritetit kombëtar të Shqipërisë duke bërë përpjekjet e tyre të vazhdueshme që Shqipëria të njihej e të pranohej ndërkombëtarisht.

Lufta e Parë Botërore ishte një kapitull vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë, dhe sigurisht Evropës dhe botës, ndaj edhe qendra të shumta pan-shqiptare në diasporë u angazhuan në misionin e ruajtjes të së drejtave kombëtare shqiptare, ndër më të rëndësishmet ishte Federata Panshqiptare Vatra në SHBA, e cila dërgoi Fan Nolin dhe Faik Konicën në Evropë, deri në mbarimin e luftës, për të mbrojtur interesat kombëtare shqiptare.

Roli i patriotëve shqiptarë, i diasporës, i Vatrës, etj, gjatë Konferencës së Paqes në Paris, e mbajtur në vitin 1919, pati ndikim të jashtëzakonshëm në ruajtjen e sovranitetit të Shqipërisë, duke influencuar edhe në vendimin e delegacionit amerikan të kryesuar nga Presidenti Wilson, mikun e madh të Shqipërisë, të cilin Noli e vlerësoi si “një emër që ka fituar mirënjohjen e gjithë zemrave shqiptare,” ndërsa Konica cilësoi se “Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë Presidentit Wilson një monument të pavdekshëm në zemrat e tyre.”

Presidenti Wilson ishte figura më kryesore në bashkimin e kombeve gjatë periudhës së pas luftës, duke propozuar një platformë me 14 pika, të cilat synonin të siguronin paqe ndër shtete, dhe të shërbenin si udhëzues për marrëdhënie më transparente dhe diplomatike midis kombeve. Mbi të gjitha për të krijuar një organizatë ndërkombëtare e cila do parandalonte një Luftë të Dytë Botërore. Kjo organizatë u krijua dhe u quajt Liga e Kombeve.

Përpjekjet e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Ligës së Kombeve ishin të shumta, por tejet të vështira, pasi haste kundërshti nga forca të mëdha evropiane. Pas përpjekjeve të mundimshme e këmbëngulëse të delegatëve shqiptarë vendi ynë u pranua në Lidhjen e Kombeve më 17 dhjetor 1920. Ai akt shërbeu si një moment i kthesës së plotë në të mirë të çështjes së Shqipërisë, pasi kështu vendi ynë u njoh ndërkombëtarisht si një shtet sovran.

Liga e Kombeve dështoi të parandalonte një konflikt të dytë botëror, ndaj pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore lindi e nevojshme krijimi i një organizatë të re botërore, e cila u quajt Organizata e Kombeve të Bashkuara. Ajo u formua në San Francisko, SHBA, më 24 Tetor 1945, me seli kryesore në Nju Jork, SHBA.

Edhe kësaj here rruga e Shqipërisë drejt një organizate të bashkimit të kombeve, në këtë rast OKB-së, ishte e vështirë dhe dukej e pamundur për shkak se vendi ynë kishte marrë drejtimin për një shtet totalitar komunist i cili shkelte rëndë të drejtat e njeriut. Vendit tonë iu deshën gati 10 vjet që të bënte pjesë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Kërkesa e parë u paraqit më 20 dhjetor 1945 ndërkohë që pranimi u mundësua më 14 dhjetor 1955.

Por edhe pas pranimit, Shqipëria pati marrëdhënie shumë të kufizuara me OKB-në për shkak të mungesës së marrëdhënieve normale me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, sikurse edhe me shumë vende të tjera demokratike perëndimore.

Vetëm me rënies e regjimit komunist Shqipëria i normalizoi marrëdhëniet me OKB-në dhe shtetet anëtare. Dhe vetëm në vitin 2022, pas afro shtatë dekadash që nga anëtarësimi në OKB, për herë të parë Shqipëria u votua për të qenë anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për vitet 2022-2023.

Dhe hera e parë që Shqipëria mbajti presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së gjatë mandatit të saj në Këshill ishte 1 qershor 2022. Dhe më 1 shtator 2023 Shqipëria mori për herë të dytë Presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila do ta mbajë deri në fund të këtij muaji.

Kësisoj, për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen, flamuri i kuq me shqiponjën e zezë dy krenare, përçon edhe më shumë krenari teksa valëvitet në selinë e Kombeve të Bashkuara, ndër 193 flamuj të tjerë, por kësaj here në krye të tryezës së Këshillit të Sigurimit.

Filed Under: Opinion

NJË VEPËR ESESH DINAMIKE

September 20, 2023 by s p

Dr. Zenun Gjocaj/

Jo vetëm ndër ne është i rrallë çifti i bashkëshortëve mësimdhënës të fakultetit e punëtorë me gradë të lartë shkencore e veprimtari të bujshme mësimore-shkencore, siç është çifti BALIU (Prof. dr. Myrvete DRESHAJ – BALIU dhe Prof. dr. Begzad BALIU), që të dytë tani pedagogë të Fakultetit të Edukimit dhe studiues të frytshëm të albanologjisë, e para në fushën e letërsisë, ndërsa bashkëshorti i saj në fushën e gjuhësisë. Të dytë deri më tani kanë publikuar punime shumta e vepra shkencore. Kjo është vepër e punimeve të tyre të përbashkëta me karakter eseistik, varësisht nga natyra letrare dhe gjuhësore e tyre të ndërlidhur me dinamikën orientuese të albanologjisë së sotme bashkëkohore, si vazhdimësi e asaj të deritashme.

Vepra “Pesha e komunikimit”, e botuar këto ditë, është përmbledhje esesh, të botuara sidomos në revistën “ARS”, një inkuadrim aktiv në diskutime, me qëllim për të dhënë një kontribut të çmuar në krijimin e raporteve të mirëfillta ndërkomunikuese me kulturën, historinë e bashkëkohoren në rrjedha harmonike të mirëfillta shkencore kombëtare në rrafshin gjithëkombëtar..

Siç thuhet në parathënie, esetë janë punime dialoguese në mes krijuesve, studiuesve e publicistëve për çështje aktuale të kulturës e shqiptare, të trajtuara në planin dinamik të punës shkencore kombëtare. Ndërhyrja e këtyre studiuesve në dialog të tillë është bërë nga shkaku se është parë e nevojshme për të qitur një gur me vlerë shkencore në rrjedhat e zhvillimit jo aq të kënaqshme e të mirëfillta të vështruara, qoftë edhe në dioptrinë alternative toleruese bashkëkohore të kulturës sonë kombëtare. Aq më tepër, këtu fokusohen dukuritë që po sillen në rrethin vicioz shkencor e publicistik pa ndjenjën e mendimit kritik të mbetura në konceptet e së djeshmes, tashmë të tejkaluara.

Vepra fillohet me eseun “Arbërorët filluan të flasin”. Preket një plagë e ndjeshme politike e kombëtare, deri më tani pothuaj e harruar, por e intensifikuar në kohën e vlimeve të reja politike ndërballkanike, sidomos brenda vetë kombit shqiptar.

Problemet i ngrit A. Belushi, prift e punëtor i shquar i kulturës italo-arbëreshe, i cili, si thuhet në vepër, është futur në mesin e ishujve etnikë arbëresh të Greqisë me veladonin fetar për të nxjerrë informacione kulturo-kombëtare. Nga punimi marrim vesh se ky veprimtar i kulturës shqiptare kishte arritur t’i shënojë rreth 500 vendbanime shqiptare. Kuptojmë se, ndryshe nga lëvizja italo-arbëreshe që ka të drejta pak a shumë të nivelit evropian, pa komplekse të së kaluarës nga kombi italian, ajo greke “niset në fillim të sh. XIX, atje ku ishte ndaluar procesi i ngritjes kombëtare,” (f. 23). Megjithatë, çështja arvanitase greke ka një rrugë tjetër historike tronditëse, deri në shkallën “krra-krra” të shpërbërjes kombëtare, kur dihet se janë robëruar, shpërngulur e shpërndarë me dhunën më të egër nga trolli i tyre, përkundër fatit italo-arbëresh, të cilët janë vendosur në trojet italiane dhe të pritur mirë nga vendësit, nga shkaku i kundërshpërblimit të kombit italian për çlirimin e sjellë nga Skënderbeu me armatën e vet.

Artikulli vë në shënjestër mungesën e vullnetit grek për njohjen e mbrojtjen e identitetit, kulturës dhe trashëgimisë etnike të shqiptarëve atje. Nga studiuesit është vënë në spikamë se hapësira gjuhësore-etnike arvanitase është veç një “krra-krra” brenda një gjuhe e një populli tjetër, sa do kudo ruhet një shenjë që ka të bëjë me përmasa të brendshme psiko-gjenetike. Për ngjalljen e identitetit kulturo-arvanitas, shpresa është orientuar në aktivitetin e kosovarëve.

Eseu lidhet edhe me javën e Kulturës Arvanitase të mbajtur në Prishtinë, pos tjerash me një ekip dijetarësh arvanitasë të përmasave kulturore europiane, si Aristidh Kola, i cili edhe kulturës greke i kishte sjellë frymën evropiane të lirisë së fjalës dhe të mendimit. Nga arvanitasit ishte dëgjuar të krahasohet me Nënë Terezen e Adem Jasharin. Dinamizimi i këtij eseu jo vetëm nga autorët, qëndron në hedhjen e idesë së vënies së Kosovës në funksion të Besës së Re për zgjidhjen e fatit të gjakut të pashuar të arbërorëve grekë e italianë, si reliktë etnike e popullit shqiptar, që lidh gjakun e gjuhën e pashuar të shpirtit arbëror me kombin amë.

Autorët i preokupon kafshimi qençe i viseve skajore shqiptare nga lakmuesit e uritur përreth, ku më dhunë, ku me teza pseudoshkencore edhe sot e kësaj dite. Në eseun “Komunikimi i përulur ndërballkanik” luftohet fushata pseudoshkencore e paargumentuar e Akademisë së Shkencave maqedone kundër gjuhës dhe kulturës shqiptare, ku haptas bien në sy përpjekjet për zhdukjen e gjurmëve të historisë autoktone shqiptare ku janë sot, pa ditur se me urrejtje ndaj shqiptarëve, maqedonasit nuk mund të shkojnë sot në Evropë. Porositet të mos humbet kohë për këtë, sot në kohën e integrimeve evropiane, kur çështja shqiptare ka marrë rrugë e pikëpamje të mirëfillta ndërkombëtare.

Në vijim (Riciklimi i debatit letrar, f. 38).trajtohen nevojat për një organizim të ri institucional, letrar dhe estetik, përgjithësisht kombëtar me prirje të reja bashkëkohore gjithëkombëtare me baza unike, sepse nuk qiten molla të shëndosha mbi ato të kalbura. Punimi kërkon kriteret kronologjike, kombëtare e historike, prirjet dhe shijet estetike letrare-artistike në prizmin e orientimeve bashkëkohore letrare, për t’u shkoqur nga amullitë e vjetra

Interes të veçantë zgjon eseu sarkastik “Kafeneja kulturore”, një si dramë në tri akte e tri pamje, aty ku pijnë, bisedojnë e diskutojnë Barbarusi, Poeti i vetmisë së madhe, Kopili i eposit / Bali Katravella/, pastaj Ajnishahe / Hanemshahja / Shahadija, të cilët vdesin pa dhënë shpirt e pa ditur si e kë ta sulmojnë. Njëri ndër ta,. poeti i pa futur në histori të letërsisë, pa pasur mundësi kurrë të shkoqet nga simpatitë e vjetra politike e letrare ndaj “marshall Titës n’kali t’bardhë”, la testament të varroset pranë stëgjyshërve të tij në fshat, por e varrosën pranë personazheve të tij titistë, ashtu si e meritoi. Këto personazhe të kafenesë janë të paemra, sepse “nomina sunt odiosa!”. Shkrimi i tillë ka vlerë e ngjyrime cinike, sarkastike, ironike, përgjithësisht kritike me retushime artistike ndaj pseudoshkrimtucëve të kohës së sotme me botëkuptime të djeshme, që defilojnë mjerueshëm dhe përbaltueshëm në patosin e fildishtë të letërsisë së sotme.

Në anën tjetër, autorët e këtyre eseve demaskojnë jo vetëm pseudovlerat e disa veprave letrare, por të krijuesit sipas çejfit, diku tjetër, jo të krijuesit, por të qendrës urbane, jo të qendrave, por të krahinave familjeve, barqeve fiseve dyerve prej kah ka ardhur krijuesi, Sot, “në kohën e lëvizjeve të mëdha kulturore, në kohën e konkurrencës së madhe planetare të dijeve e vlerave, bien në sy përpjekjet për përjashtimin e disa shkrimtarëve”, qofshin të burgosur dikur, si Adem Demaçi, Kasem Terbeshina, Bilall Xhaferi, etj (f. 107) apo disa të sotëm me prejardhje të ndryshme politike e sociale të prejardhur nga regjionet e tjera kombëtare, nga Presheva e Ilirida e Shqipëria perëndimore në Kosovë dhe anasjelltas. Në këtë kontekst, edhe së brendshmi, është i çuditshëm anatemimi i ndonjë nga veprat e J. Gervallës (Dy florinj të një dashurie), M. Ramadani (Romani pa kornizë), A. Demollit, S. Rrustemit, E. Kabashit, Z. Gervallës. Mes tjerash, autorët i mundon iritimi i ndokujt për prejardhjen e akëcilit krijues, si “i importuar”, nga një tjetër regjion etnik!

Ndryshe nga kjo dukuri negative intelektuale, në mese të veçanta, mbivlerësohen figura letrarësh të periudhës titiste, si Hivzi Sulejmani e ndonjë tjetër, madje caktohen edhe çmime vjetore në emër të tij, dhe jo vetëm të tij. Fundja, “kemi një histori aq të thjeshtë sa nuk kemi pse ta kompleksojmë, as të kompleksohemi prej saj”, shprehen autorët.

Letërsia shqipe e përbën tërësinë e saj, autorët godasin pikën e dobët të letërsisë studimore, etnikisht të krahinarizuar: si letërsia shqipe (e shtetit shqiptar londinez), letërsi e shqiptarëve në Jugosllavisë, (kur tanimë nuk i gjendet mbi kokë as pushtuesi, as shteti jugosllav) dhe letërsia arbëreshe. Andaj studiuesit Baliu nuk e pëlqejnë sintagmën “Letërsia shqipe” të prezantuar ndaras tani e pesëdhjetë vite për shkaqe ideo-politike e ndërshtetërore, përkundër aspiratave shekullore për njësinë e gjithanshme kombëtare.

Autorët – çifti Baliu të veprës ngacmojnë dhe nevojën e mundësinë e hapjes dhe moshapjes së dosjeve të shkrimtarëve. (A ka dosje të shkrimtarëve në Kosovë, Pse duhet të hapen dosjet në Kosovë, Cilat dosje mund të hapen, por edhe Pse të mos hapen disa dosje). Janë pjesë të debatit të hapur në revisëen letrare “ARS” të kundruara nga konceptet politike, psikologjike e kulturo-arsimore të kohës sonë, të mbetura nën plaf, e që kanë nevojë për hapje e shqyrtim. Është i pranueshëm pohimi se mund të hapen dosjet e krijuesve të vdekur e të gjallë, që kanë ndërruar gëzofin sipas politikës ditore ndër sisteme, klanore si dhe në shërbim të huaj, të cilët sot e kësaj dite nuk kanë kërkuar falje. Por nuk ka mundësi të hapjes së dosjeve të rrëmbyera nga sigurimi serb e programimi i tyre i hapjes, deri në një të ardhme të largët në rrethana politike të tyre kombëtare të dëshirueshme, apo ndërkombëtare si donë ata. Por ajo verë më kurrë nuk do t’i trokasë në derë, sepse historia s’dimë se ka pasur kthim prapa.

Dy shkrimet e fundit Neveria dhe Dyshimi godasin jo vetëm foto-retushimet e bëra në emër të ideo-politikës ditore, në emër të shtetit / Partisë, të veprave me rëndësi kombëtare, ku shkelen, përdhosen e fyhen të drejtat e njeriut, në anën tjetër, nënvlerësimi, i përkthimeve kosovare, sidomos të E. Sabatos e R. Ismajlit, që e prishin sadopak vijimësinë kombëtare, intelektuale letrare-shkencore e njerëzore të saj.

Vepra përbëhet prej tre kapitujve. I pari trajton kryesisht jetën e kafenesë letrare, i dyti trajton (mos) komunikimin tonë në rrafshin e pashallëkut (Letërsia e pashallëqeve letrare), pastaj të hapësirës mozaike intelektuale-letrare (Mbi komunikimin tonë) dhe, në rrafshin mbarëkombëtar, eseu “Letërsinë shqipe e përbën tërësia e saj). Ndërkaq, kapitulli i tretë trajton kryesisht çështjen e dosjeve të shkrimtarëve e disa vepra të tyre letrare.

Autorët trajtuan disa nga çështjet më të ndjeshme të kulturës komunikuese letrare, disa të trajtuara për herë të parë jo si artikuj, por si probleme jetike, mjaft aktuale në planin kombëtar, kulturor e letrare-shkencor.

Mbështetur në të gjitha sa u thanë, çifti Baliu kanë arritur të botojnë një vepër me vlera të çmueshme shkencore gjuhësore, letrare esesh të ndryshme dinamike, të përmasave gjithëkombëtare, disa nga këto, problemesh të sapo filluara në formë debatesh të kulturës gjuhësore-letrare me qëllim të përvijimit të mirëfilltë të çështjeve aktuale të Kulturës gjuhësore, letrare, e përgjithësisht kombëtare, si dhe eliminimin e devijimeve që e pengojnë mirëvajtjen e këtij procesi.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT