• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2023

111 vjetori i lindjes së biologes, martires Sabiha Kasimati

September 15, 2023 by s p

Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo”/

E VRANË PA GJYQ SHKENCËTAREN SABIHA KASIMATI

Uran Butka

Sabiha Kasimati, një nga gratë e shquara intelektuale, shkencëtarja e parë shqiptare, u pushkatua nga regjimi komunist vetëm pse ishte e tillë. Ajo vjen jo rastësisht nga një familje e njohur intelektuale libohovite. Sabiha Kasimati lindi në Edërne (Adrianopojë) të Turqisë më 15.09.1912. Atje kaloi fëmijërinë, e ushqyer nga prindërit me dashuri për Shqipërinë, por edhe për kulturën evropiane. Kur u kthye familja në atdhe, ajo u vendos në qytetin e Korçës, ku filloi studimet në Liceun Francez të këtij qyteti. Ajo qe e para femër që e mbaroi këtë shkollë perëndimore, në vitin 1930. Qysh nxënëse, ajo zotëronte disa gjuhë të Perëndimit dhe të Lindjes, në mënyrë të shkëlqyer frëngjishten, aq sa habiste edhe profesorët francezë të Liceut.

Vajzat korçare, por edhe qytetarët e Korçës e kujtojnë edhe sot Sabihanë si dallëndyshen e parë të Liceut, si çupën e emancipuar, të kulturuar dhe me temperament burrëror, që mbeti si një shëmbëlltyrë e pashlyer për vajzërinë dhe djelmërinë shqiptare.

Mbas mbarimit të Liceut të Korçës, ajo punoi disa kohë në si mësuese në shkollën normale femërore të Korçës, duke dhënë lëndët e Edukatës morale dhe të gjuhës frënge. Më vonë u transferua si pedagoge në shkollën shqiptaro-amerikane në Kavajë, ku jepte biologji.

Në vitin 1936 mundi të plotësonte dëshirën e zjarrtë për studime të larta. Shteti shqiptar i akordoi bursë studimi në Universitetin e Torinos, në Fakultetin e Shkencave Biologjike, të cilin e përfundoi me sukses me notat 30’/30’, me lavdërim ( trenta su trenta con lode). Në verën e vitit 1941 mbrojti edhe doktoraturën dhe u kthye në atdhe.

Në Shqipëri punoi me entusiazmin e një vajze të re e të kulturuar, por edhe me vullnetin e një shkencëtareje të re që kërkonte t’i shërbente vendit të saj në nevojë. U emërua pedagoge në Institutin Femëror “ Nëna Mbretneshë” në Tiranë. Mbas disa vjetësh pune me pasion, u detyrua të shkonte në Itali për kurë shëndetsore në një sanatorium të Torinos. Pas shërimit, aty nga viti 1945, u rikthye.

Nisi punën në Institutin e Shkencave, siç quhej atëherë bërthama e parë shkencore, që drejtohej nga prof. Selaudin Toto, i cili më pas u pushkatua nga regjimi komunist.

Sabihaja punoi me zell dhe përkushtim në specialitetin e ihtiologjisë ( disiplinë shkencore që studion peshqit). Për rezultatet e saj për studimin e peshqve në ujrat e vendit tonë si edhe për vlerën ushqimore dhe ekonomike të tyre, ajo punoi 10 vjet me radhë dhe përfundoi monografinë ”Peshqit e Shqipërisë”.

Sabihaja ishte një intelektuale e kompletuar, që kishte studiuar në Perëndim, një filozofe dhe biologe që e njihte mirë thelbin dhe shfaqjen e panatyrshme e çnjerëzore të sistemit totalitar komunist, i cili po vendosej në Shqipëri. Ajo u dëshpërua thellësisht nga goditjet e rënda që po u jepeshin intelektualëve të vendit, veçanërisht atyre që kishin studiuar në Perëndim, mjaft nga të cilët ishin kolegët e saj. Gjyqet ushtarake dënonin me pushkatime dhe burgime të rënda elitën shqiptare. Ajo u trondit veçanërisht nga pushkatimi i drejtorit të saj, shkencëtarit Selaudin Toto si edhe i intelektualëve opozitarë Gjergj Kokoshi, Suad Asllani, Sulo Klosi, Shefqet Beja, prof. Stanislav Zuberit etj, veçanërisht nga dënimi i shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari. Kështu Sabihaja filloi të shprehte pakënaqësinë për regjimin dhe për Enver Hoxhën, shokun e saj të klasës në Liceun e Korçës.

Këto pakënaqësi të saj, si edhe prejardhja nga një familje e madhe, tërësisht intelektuale dhe demokratike, bënë që emri i Sabihasë të futej në listat e zeza të Sigurimit të Shtetit si “kundërshtare e regjimit”.

Dr. Namik Kasimati, rrëfen: “Duke qenë se Sabihaja kishte mbaruar Liceun Francez bashkë me Enver Hoxhën dhe e njihte mirë, i kërkoi një takim.

Sabihaja: Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me këpucarët?

Enveri: Boll lexove iluministët francezë, të këshilloj të lexosh Marksin dhe Leninin.

Sabihaja ishte e çiltër, e shkujdesur dhe nuk mendonte se i ishte qepur pas vdekja. Ajo kishte kurajon t’ia përplaste të vërtetën në sy Enver Hoxhës, por, nga ana tjetër, të takonte pa droje edhe shoqet, shokët e miqtë që ishin goditur pa të drejtë nga diktatura. Një herë ajo shkoi në kampin e internimit në Jubë, ku punonin si të burgosur shokët e saj Tika Tezha, Felatun Vila etj. Mirëpo Tika i tha: “Sabi, mos shkel më këtu, sepse je në rrezik.”.

Në fakt, terrori masiv komunist në vitin 1951 mori edhe kokën e Sabihasë.

Vendimi për të realizuar këtë masakër, u mor jo në sallën e gjyqit, por në Byronë Politike e PPSH, saktësisht në mbledhjen e datës 20.02.1951, me pretekstin e hedhjes të një sasie të vogël dinamiti në oborrin e Ambasadës Sovjetike, që theu vetëm disa xhama në mbrëmjen e datës 19.02.1951, ora 19.15. Urgjentisht u mblodh kupola e partisë-shtet dhe me propozim të ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehut, u vendos të merreshin masa të jashtëzakonshme represive “pa marrë parasysh ligjet në fuqi”.(Të gjithë anëtarët e Byrosë, përfshirë edhe E. Hoxhën : Jemi dakord me këto masa. ( Proces verbali i mbledhjes së Byrosë Politike, 20 shkurt 1951)

Shfaqet lakuriq një pushtet kriminal terrorist, që nuk respektonte as kushtetutën dhe legjislacionin që kishte hartuar e miratuar vetë. Ministri i Brendshëm kërkoi nga Byroja Politike që arrestimet të bëheshin qysh atë natë. “Një masë të tillë e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba, dmth kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi. Listat i kemi gati. Po të jeni dakord ju, veprojmë që sonte”. Ai kërkoi që të arrestoheshin menjëherë 100 ose 150 vetë, nga të cilët 10 ose 15 më të rëndësishmit, të pushkatoheshin pa gjyq.

Pra, ishte vetë Partia, vetë pushteti politik, me Enver Hoxhén në krye, që shkelnin ligjet dhe urdhëronin një krim shtetëror, një terrorizëm shtetëror, një genocid shtetëror me përmasa të mëdha, për motive politike e pushtetore. Në vendimin e Byrosë politike, përveç pushkatimeve e burgimeve pa gjyq, u vendos që të bëhej një operacion masiv spastrimi, të persekutoheshin e të internoheshin persona e familje “reaksionare” në tërë hapësirën shqiptare.

Shqipëria komuniste ishte në një kapërcyell kohësh, po kalonte nga dominanca jugosllave në atë sovjetike, ndaj duheshin kurbanë të tjerë për të mbajtur pushtetin si edhe kurbanë të rinj në themelet e miqësisë me BS dhe në vijën staliniste të PPSH. “Duhen vrarë njerëz të tjerë për të mbajtur pushtetin” -thoshte Mehmet Shehu.

Arrestimet që u bënë menjëherë sipas vendimit të Byrosë Politike më datën 20-23 shkurt 1951, ishin të paligjshme, sepse u kryen pa ndonjë urdhër-arresti té prokurorit dhe pa ndonjë vendim gjykate. (Vetëm më vonë u plotësuan urdhër-reshtimet dhe procesverbalet e “gjykimit”)

Arrestimet u bënë mbi listat e vdekjes, të parapërgatitura nga Sigurimi i Shtetit në Ministrinë e Brendshme.( Arkivi i Ministrisë së Brendshme)

Sabihaja u arrestua më 20.02.1951 me pretekstin e “bombës” nw Ambasadwn Sovjetike.

Ajo bënte pjesë në listën e Sektorit të Dytë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, të përpiluar nga kapiten Rasim Dedja. Përbri emrit të saj ishte vënë një kryq, që do të thoshte se ajo do të pushkatohej. Përpilues i listave të zeza, rrëfen: “Vlerësimi për personat që do të pushkatoheshin dhe që janë pushkatuar në fakt, është bërë direkt nga udhëheqja e Ministrisë, që në atë kohë ka qenë Mehmet Shehu me zëvendësministrin e tij – Kadri Hazbiu, që mbulonte Sigurimin e Shtetit”.

Enver Hoxha i miratoi të gjitha veprimet dhe emrat e viktimave, që ishin përzgjedhur, duke iu vwnw nga njw kryq pwrpwra. Por Enveri shtoi nga ana e tij emrat e Sabiha Kasimatit, Reiz Selfos, Manush Peshkëpisë, Qemal Kasoruhos, të cilët ishin nga treva e Gjirokastrës dhe ai i njihte personalisht, por që edhe ata ia dinin mirë horrllëqet E. Hoxhës. Për pushkatimin e saj dhe njëzet e dy intelektualëve të tjerë kishte vendosur Byroja Politike e KQ të PPSH, me vendimin e datës 20 shkurt 1951. Nuk ka shembull në gjithë vendet e Lindjes komuniste, që të vendoste për të vrarë njerëz Byroja Politike e Partisë, madje, pa gjyq dhe duke shkelur edhe ligjet e asaj kohe!

Të akuzuarit, nuk kishin asnjë lidhje apo bashkëpunim me njëri tjetrin; nuk ishin pjesëtarë të ndonjë organizate politike apo terroriste të cilësuar, asnjërit nuk i përmendet në akuzë pjesëmarrja në hedhjen e bombës në Ambasadën Sovjetike – për shkak të së cilës ata u arrestuan! Siç dihet botërisht, ata persona që hodhën dinamitin, si Qazim Laçi, Hysen Lulla etj, anëtarë të organizatës “Bashkimi Kombëtar”, u arrestuan po ato ditë, u mbajtën fshehtas në hetuesi për tetë muaj dhe u dënuan për hedhjen e dinamitit në Ambasadën Sovjetike me vdekje dhe burgime të rënda. Pra ishin të tjerë ata që e hodhën dinamitin si një akt antisovjetik, antistalinist.

Siri Çarçani dëshmon: “Për dijeninë time, Gjykata e Lartë Ushtarake nuk ka zhvilluar gjyq ndaj këtyre të pandehurve.” Po ashtu, drejtori i Sigurimit té Shtetit, Rasim Dedja, dëshmon: “Për pushkatimin e këtyre personave, nuk është bërë gjyq dhe këtë e them, sepse nga zyrat e Ministrisë së brendshme ata janë çuar direkt në vendin e pushkatimit” (Proces-verbal i mbajtur nga Prokuroria e Përgjithshme, v.1992)

Me qenë se ekzekutimi pa gjyq bëri bujë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, atéhere Gjykata e Lartë Ushtarake në bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit, pasi ishin pushkatuar 22 të arrestuarit, nisën procedurat përpilimit të procesverbaleve të rreme, fiktive, sikur gjyqi ishte zhvilluar. Ekzistojnë dy procesverbale gjyqësore të falsifikuara të Gjykatës së Lartë. Njëri mban datën 26.2.1951:

“Gjykata Ushtarake me kryetar nënkolonel Shuaip Panariti, anëtar kapiteni i parë Vangjel Kocani dhe kapiten i parë Nonda Papuli, e sekretar Hidaji Bejo e ka filluar shqyrtimin e çështjes më 26.02.1951 dhe është shprehur për dënimin e të gjithë të akuzuarve me vdekje – me pushkatim, duke u bazuar në ligjin 372 datë 12.2.1946. Ky vendim gjykate është i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm menjëherë.” Në fund ka firmosur kryetari i gjykatës së Lartë Ushtarake Shuaip Panariti dhe anëtari Vangjel Kocani; nuk është firmosur nga anëtari tjetër Nonda Papuli dhe sekretari Hidaji Bejo. ( Procesverbali i datës 26.02.1941)

Anëtari i trupit gjykues të Gjykatës së Lartë Ushtarake dhe nënkryetar i saj, Vangjel Kocani, dëshmon:

“E kujtoj mirë se në vitin 1951 ka ndodhur një ngjarje në Tiranë dhe konkretisht u fol se ishte hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike…Pas ca ditësh të kësaj ngjarjeje, apo me kalimin e një jave, unë jam thirrur nga kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, Shuaip Panariti dhe më tha se ti e di që është hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike, sigurimi ka arrestuar dhe një pjesë nga të arrestuarit, 22 veta janë pushkatuar pa u bërë gjyq, prandaj duhet që të firmosim një vendim gjyqësor penal formal , pasi gjyq nuk mund të bëjmë, se Sigurimi i ka pushkatuar pa gjyq personat… Shuaipi më tha se vendimi i gjykatës është formal, nuk ka asnjë pasojë dhe duhet ta bëjmë këtë pasi është urdhër i udhëheqjes së shtetit dhe në atë kohë kryeministër ishte Enver Hoxha. Shuaipi më tha: “Ti, Vangjel mos u shqetëso, derisa vendimi është formal dhe ne në fakt nuk gjykojmë njeri”. Më porositi që për këtë vendim penal fiktiv, “duhet të mbyllësh gojën e të mos i thuhet asnjë njeriu se është sekret i madh shtetëror”. Pas kësaj kemi shkuar me Shuaipin në zyrat e Ministrisë së Brendshme. Shuaipi më paraqiti vendimin gjyqësor të daktilografuar dhe unë e kam firmosur. Kur ma dha vendimin për ta firmosur , Shuaipi nuk më ka treguar ndonjë dosje hetimore , nuk kam parë asnjë lloj materiali hetimor”.( Procesverbal i mbajtur në Prokurorinë e Përgjithshsme, v.1992)

Sekretari i Gjykatës së Lartë, Hydai Bejo, dëshmon: “Nuk e firmosa kur ma sollën vendimin, sepse nuk mora vesh, u bë apo nuk u bë gjyq. S’mund të hidhja firmë, pa qenë në gjykim Po ashtu, refuzoi të firmoste edhe Nonda Papuli, S’kishim si të bënim ndryshe.” (Dëshmi e Hydai Bejos, sipas proc.verbalit)

Por nuk mungojnë vetëm firmat e anëtarëve të trupit gjykues, mungojnë edhe të dhënat e tjera që shënohen zakonisht në procesverbalet, gjithashtu datat janë ngatërruar, pra, gjithçka është kundërthënëse, hartuar në nxitim e sipër. Njëri procesverbal i falsifikuar mban datën 27.2.51, kur të akuzuarit nuk ekzistonin më, ata ishin vrarë në mesnatën e datës 26.2.1951 dhe ishin varrosur. Madje, njëri prej tyre, Jonuz Kaceli ishte vrarë nga torturat në birucat e Sigurimit të Shtetit dhe e kishin hedhur nga dritarja, duke thënë se kishte bërë vetëvrasje!

Të gjitha këto manovrime e shkelje juridike, nuk e mbuluan dhe nuk e fshehën dot masakrën e kryer pa gjyq dhe pa asnjë fajësi të provuar.

Sabihaja nuk e pranoi akuzën për akte terroriste, për pjesëmarrje në organizata terroriste, për vënie në shërbim të agjenturave të huaja, por pranoi me burrëri se, si intelektuale, ishte kundër pushtetit totalitar dhe ideologjisë së tij komuniste:

“ Kam qenë kundër pushtetit popullor, sepse nuk pajtohet me ideologjinë time. Unë nuk kam qenë kurrë e mendimit se me akte revolucionare të arrihej në socializëm. Jam lidhur me një grup shokësh, të cilët edhe ata kanë qenë armiq të Partisë Komuniste…”

Sabihaja ishte një demokrate e vërtetë evropiane.

Zonja Didi Biçaku, nga familja e Aqif pashë Elbasanit, e cila u arrestua në një kohë me Sabihanë dhe qëndroi në një birucë me të në burg, ka dëshmuar: “Më kujtohet çasti kur Sabihaja u kthye nga hetuesia. Ishte e qetë. Hë? – e pyeta shkurt. – Më akuzuan si terroriste, m’u përgjigj ajo. U thashë: Unë kam studiuar për biologji dhe jam evolucioniste. Evolucioni është në natyrën e gjërave. Me dhunë nuk shkohet dot as në socializëm, as në demokraci ; shkohet drejt shkatërrimit.»

E vranë pa gjyq intelektualen, pedagogen, shkencëtaren, demokraten e shquar, martiren Sabiha Kasimati! Në mesnatën e datës 26 shkurt 1951, të lidhur me tela me gjemba, bashkë me 21 burra nga e gjithë Shqipëria, i pushkatuan dhe i hodhën në një gropë të përbashkët, pranë Urës së Beshirit. Fshatarët kanë dëgjuar britmat e saj, deri sa dha shpirt. Eshtrat e saj sot prehen në varrezat e dëshmorëve të kombit, në një varr të përbashkët me 22 martirët e pushkatuar atë natë të përgjakshme.

Xha Kadriu nga Mëniku, që zbuloi varrin, rëfen: “Më vonë , kur ai vend, ku u pushkatuan, filloi të shpyllëzohej, një traktoristi që po punonte aty, i ra të fikët tek pa që traktori tërhiqte zvarrë një kufomë gruaje, të cilën e mbuluan përsëri. Ishte trupi i patretur ende i Sabiha Kasimatit!”

Filed Under: Analiza

STATUTI I LIDHJES SË DYTË TË PRIZRENIT

September 15, 2023 by s p

Adil FETAHU/

Dokumente 

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, sidomos në vitin 1943/44, në trojet shqiptare të cilat ishin ‘’çliruar’’ nga okupimi sllav, por ishin pushtuar nga okupatorë tjerë: italian, bullgar e gjerman, u zhvillua aktivitet i ngjeshur politik dhe ushtarak, me qëllim të çlirimit dhe bashkimit kombëtar. U bënë përpjekje për bashkimin e rrymave dhe forcave të ndryshme politike për t’i dalë zot Atdheut e Kombit. Në këtë frymë janë mbajtur mbledhje të rëndësishme, si: Mbledhja e Mukjes (1-3 gusht 1943); Lidhja e Dytë e Prizrenit (16-20 shtator 1943), Kuvendi Kushtetues Kombëtar i Tiranës (16 tetor  deri më 5 nëntor 1943); Konferenca e Bujanit (31 dhjetor 1943 e 1-2 janar 1944). Të gjitha këto kishin për synim çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet etnik, sado që kishin pikëpamje të ndryshme për arritjen e këtij qëllimi.  

Për aspektin politik dhe historik të këtyre tubimeve të rëndësishme shqiptare, është folur e shkruar shumë, madje me plot kontraverza e vlerësime disonante, sidomos për personalitetet më të përkushtuara dhe më të angazhuara kombëtarisht. Unë këtu, në këtë përvjetor (80-vjetorin) e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, do të paraqes vetëm aspektin juridik të organizimit të asaj Lidhjeje, sepse prej dispozitave të Statutit shihet karakteri, qëllimi, struktura e organizimit, financimi dhe funksionimi i organizatës. 

Ditën e parë të hapjes së Kuvendit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit (16 shtator), ishte miratua propozimi i rendit të ditës prej 6 pikash. Në pikën 5 të rendit të ditës, ishte paraparë përpilimi dhe miratimi i Statutit të organizatës kombëtare ‘Lidhja e Dytë e Prizrenit’. Statuti u miratua në mbledhjen e dytë të Lidhjes, që u mbajt më 21 janar 1944, ndërsa e Dekretoi Këshilli i Naltë i Shtetit Shqiptar, më 14 mars 1944. 

Siç shihet, Lidhja e Dytë e Prizrenit nuk ishte një organizatë e thjeshtë politike, por kishte edhe karakter shtetëror, me qenë se Statutin e saj e miratoi Qeveria dhe e dekretoi Këshilli i Naltë Shtetëror, i cili përkohësisht kishte   rolin dhe kompetencat e Mbretit të Shqipërisë.

Për lexuesit e interesuar, të cilët nuk kanë pasur rastin të njihen me përmbajtjen e Statutit, këtu më poshtë po e botojmë të plotë tekstin e Statutit, bashkë me Dekretin e Këshillit të Naltë të Shtetit, marrë nga libri i Tahir Zajmit: ‘Lidhja e II-të e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit pçr mbrojtjen e Kosovës’, Bruksel 1964).  Nuk do bëjmë asnjë korrigjim gjuhësor a drejtshkrimor, përveç ndonjë presje sa për qartësim   të fjalive. 

S T A T U T I

i Organizatës

‘’LIDHJA E DYTË E PRIZRENIT’’

I.Themelimi

Në bazë të vendimevet, që nxorri kongresi i Prizrenit më 16-19 shtatuer 1943, ku u përfaqësuen tokat e lirueme si edhe të tokat e tjera t’ish mbretnis jugosllave, themelohet organizata ‘LIDHJA E DYTË E PRIZRENIT’.

II.Qëllimi

Kjo organizatë ka për qëllim mbrojtjen e tokave të lirueme si edhe të tokave tjera t’ish Jugosllavis. Si mjet për kët qëllim do të përpiqet të mbledhi dokumenta për Shqiptarësinë e viseve në fjalë dhe t’organizojë popullin fizikisht e moralisht për mbrojtjen e këtij thëzi.

III.Kompetenca toksore

Kompetenca toksore e kësaj organizate shtrihet mbi të gjitha tokat e sipërshenueme, dmth. mbi Kosoven e lirueme, mbi qarkun e Dibres, si edhe mbi viset tjera Shqiptare t’ish Jugosllavis.

Malsinat mbrenda kufijve të 1913-tës që ma parë vareshin prej qyteteve të Gjakovës, Prizrenit dhe Dibrës s’Madhe, me qenë se ekonomikisht dhe gjeopolitikisht janë fare ngushtas të lidhuna me qytetet në fjalë, mund të përfaqësohen në Kuvend vullnetarisht dhe mund të marrin pjesë në organizatën e ‘LIDHJES SË II TË PRIZRENIT’.

IV.Organiyimi, kompetencat dhe funksionimi

Organizimi i Lidhjes së Prizrenit përfshinë:

  1. Kuvendi i Lidhjes, me qendër në Prizren, përbahet prej antarvet nga një delegat për çdo rreth administrativ (Qendra e Prefekturavet dhe n/Prefekturavet).
  2. Komiteti Qendruer, me seli në Prizren, përbahet prej katërmbëdhjetë (14 anëtarësh. Kryetari, dy N/kryetarët dhe gjithë antarët tjerë të Komitetit Qendruer zgjidhen prej Kuvendit.

Kryetari dekretohet prej Këshillit të Naltë mbi proponimin e Kryeministrisë.

  1. Komiteti Qarkuer, me seli në kryevendin e çdo Prefekture përbahet prej shtatë (7) vetvet, të cilët zgjidhen simbas procedurës së caktueme prej qarkores së Komitetit Ekzekutiv të Tiranës të datës 24.IX.1943 mbi rregullimin e  zgjedhjes s’ Asambleistëvet.

Po kjo proçedurë ndiqet edhe për zgjedhjen e antarve të Komitetit Rrethuer. Antarët e komitetit komunal zgjidhen prej Kryepleqsive të katundeve të komunës me seli-qendra e komunës, kurse kryetari caktohet prej Komietit Qendruer në mes t’antarve të zgjedhun si ma sipër. 

  1. Komiteti Rrethuer, me seli kryevendin e çdo N/Prefekture,  përbëhet prej pesë (5) vetësh, të cilët zgjidhen si ma sipër, kurse Kryetari caktohet prej Komitetit Qarkuer.
  2. Komiteti komunal, me seli në kryevendin e çdo komune, përbahet prej tre (3) vetvet, të cilët zgjidhen si ma siër, kurse Kryetari caktohet prej komietit Rrethuer.
  3. Komiteti katunduer,me qendër katundin, përbahet prej pleqsisë së katundit.

V

Nënpunëst, në shërbm t’organizatës emënohen prej Komitetit Qendruer mbi proponimin e Komietit përkats.

Në qoftë se nuk gjinden nëpunsa në numër të mjaftueshëm për kryemjen e shërbimeve t’organizatës, me lejen e kryetarit t’administratës së vendit, mund të ngarkohen me detyra përktëse sekretarët Bashkijak ose komunal, kundrejt nji shpërblimi prej arkës s’oranizatës.

VI

Në marrëveshtje me Komandën e përgjithshme të Mbrojtjes kombtare, oganizata merr në shërbim si instruktorë oficerë dhe n/oficerë të cilët mbas gradës, vehen në dispozicion të komiteteve të ndryshme.

Inspektorët pranë Komitetit Qendruer përbajnë Shtabin e Komitetit.

VII

Funksionet e kësaj organizate dhe kompetencat e organeve të saj rregullohen simbas dispozitavet që pasojnë:

  1. Kuvendi i Lidhjes, i zgjedhun prej popullit, përfaqson vullnetin e këtij dhe mblidhet tri herë në mot. Jashtzakonisht Kuvendit mblidhet kur thirret prej Komitetit Qendruer, në rasë nevoje për me marrë vendime me  randësi, ase mbi kçrkesën e shumicës s’anëtarve të Kuvendit.
  2. Komiteti Qendruer i zgjedhun prej Kuvendit si ma sipër, ësht auktoriteti ma i naltë ekzekutiv i ksaj Organizate; përfaqëson organizatën, komunikon vendimet e Kuvendit, jep udhëzime dhe urdhna komiteteve të ndryshëm sipas hierarkisë, kontrollon komitetet ase urdhëron hijerarkisht kontrollimin e tyne; plotëson organizimin e Lidhjes; organizon stërvitjet, emnon funksionarë të çdo natyre dhe çdo kategorije t’organizatës, merr masa diciplinore e ndëshkimore kundër këtyne dhe harton  buxhetin e organizatës. 
  3. Komitetet janë auktoritete t’organizatës; këto përfaqësojnë në vendin e vet Komitetin Qendruer dhe veprojnë simbas dhëzimeve dhe urdhnave të tij, që jepen e transmetohen hierarkisht.

Komitetet eprorë kanë të drejtë inspektimi e kontrolli mbi komitetet inferiorë. Hierarkija e komiteteve asht analoge me ato t’auktoriteteve civile të shtetit. Kompetenca toksore e tyne konçidon me atë t’auktoriteteve civile të Shtetit. 

VIII

Funksionet e mbrendëshme të Kuvendit dhe zgjedhja e Parisë së tij rregullohen me vendimet e këtij Kuvendi.

IX

Funksionet e mbrendëshme të Komitetit Qendruer e të komiteteve të tjera të varuna prej tij, zgjedhja e antarvet, zëvendës t’atyne, që për arsyena të randa largohen prej Komitetit, themelimi i komiteteve ku ende s’janë themelue, plotësimi i organimit simbas këtij Statuti, rregullohen me vendimet e Komitetit Qendruer.

X

Emnimi, transferimi, gradimi dhe pushimi i nëpunsave të kësaj organizate kryhet me vendimet e Komitetit Qendruer simbas normave ligjore në fuqi për nëpunsat e shtetit. Emnimet diciplinore kundër nëpunsave t’oganizatës zbatohen prej Komitetit Qendruer simbas ligjeve të shtetit mbi procesin e Komitetit Qendruer ose komiteteve të ndryshëm, sipas ligjeve të shëtit. 

Në rast se nëpunsat në fjalë kryejnë nji faj që hyn në rrethin e ndëshkimeve penale, me procesverbalin përktës çashtja i referohet gjyqit përkatës për veprim. 

                                                         XI

Organizata e LIDHJES ii TË PRIZRENIT ka tagër:

  1. Me organizue propagandë intensive me qëllim të që të përgatisë shpirtnisht, materjalisht dhe fizikisht popullin për mbrojtjen e tokës së vet,
  2. M’u pregatitë për luftën dipllomatike në konferencën e paqes, me organizue mbledhjen e dokumentave provuese të karakterit shqiptar t’atyne visevet,
  3. Me organizue aparatin e vet administrativ, simbas këtij statuti, ndër të gjitha viset e kompetencës së saj tokësore me organe të çdo prefekture, komune e bashkie dhe katundi,
  4. Me organizue stërvitjen paraushtarake të djelmoshave ende të pa rekrutuem, në konformitet me ligjën rreth organizimit të paraushtarakve qi asht në fuqi,
  5. Me iu përveshë organizimit për stërvitjen e të gjitha mashkujvet deri në 60 vjeç, veç atyne nën armë,  tue i inkuadrue simbas organizimit të përshtatshëm. Pjestarët e këtyne grupevet nuk mbahen në stërvitje të vazhdueshme, por regjistrohen, betohen dhe qëndorjnë ndër shtëpijat e veta dhe thërriten herë pas here për ushtrime ase veprime të tjera,
  6. M’u kujdesë për sigurimin e mjeteve të transportit, t’ushqimit dhe të tjera pajime të nevojshme për veprimin e organizatës,
  7. Me kërkue prej autoritetevet shtetnore e parashtetnore ndihmën dhe përkrahjen e tyne, të cilët për sa të jetë e mundun ua akordojnë,
  8. Me kërkue dhe me marrë në dispozicion oficerë dhe nënoficerë prej ushtrisë e xhandarmërisë dhe rrogat e këtyne do ë vazhdojnë të paguhen prej arkës së shtetit.

XII

T’ardhunat e kësaj organizate, për me u ba ballë shpenzimeve të saj, janë:

  1. T’ardhuna nga ndihma të ndryshme të dhurueme prej patriotve, emrat e të cilvet do të regjistrohen e do të shpallen. Këta shënohen edhe si antarë nderi, kur dhurata e tyne asht e konsiderueshme,
  2. T’ardhunat nga shitja e pullavet fakultative, të cilat do të jenë postare, prej pesë (5) qindarka dhe për lutje zyrtare prej njizet (20) qindarka,
  3. T’ardhunat nga fushata të hapuna herë pas here, me vendim të Komitetit Qendruer,
  4. T’ardhunat nga pasunija e ish organizatës serbe ‘’SOKOL’,
  5. T’ardhunat nga kontributi i bashkive dhe i komunave të tokave të lirueme, kontribut i cili do të jet dhetë për qind (10%) mbi të gjitha t’ardhunat vjetore bruto të tyne. Bashkitë dhe komunat në fillimin e çdo vjeti financiar, kur pregatisin buxhetin e tyne, janë të detyrueme me caktue në pjesën e shpenzimeve përqindjen e ma sipërme të sajueme në favorin e kësaj organizate dhe shuma qi do të rezultojë do të derdhet n’arkën ma t’afërme të financës së shtetit, në llogaritë arkës së Komitetit Qendruer,
  6. T’ardhunat nga shitja e shejeve (distinkteve) t’organizatës.

XIII. Dispozita të posaçme

Shka nuk parashifet në këtë statut dhe që nuk asht në kundërshtim me dispozitat e tija, me qëllimin dhe misionin e kësaj organizate rregullohet me vendimet e Komitetit Qedruer.

XIV

Marrëdhënjet e ksaj organizate me qeverin kryhen nëpërmjet Kryesisë së Këshillit Minstruer.

XV

Organizata ka vulën e vet, ku shënohen fjalët: ‘’LIDHJA e II E PRIZRENIT’ dhe emni i zyrës. Po ashtu ka edhe shejën (disktinktiven) dhe pullat e veta, ku shënohen fjalët: ‘LIDHJA E II-të E PRIZRENIT’.

XVI

Organizata ka zyrat e veta në qendër ashtu edhe nëpër krahinat ku janë themelue komitetet. Këto gëzojnë përjashtimin nga taksat postare, telegrafike dhe telefonike, simbas ligjës autorizuese.

XVII

Organizata asht person juridik dhe i gëzon të gjitha të drejtat përkatëse ligjore.

XVIII

Vendimet, rregulloret, qarkoret dhe urdhrat e kësaj organizate të daluna prej komiteteve dhe organeve të saj kompetente, dhe në konformitet me këtë statut, kanë fuqi obliguese si për organet e veta edhe anëtarët e vet.

XIX

Kur e lyp nevoja Komiteti Qendruer i organizatës ka tagër me i tërhjekë vërejtjen qeveris mbi sjelljet e nëpunsave të shtetit për të cilët kujton se u nxjerrin pengime aktivitetit t’organizatës.

XX

Mosmarrveshtjet eventuale midis autoriteteve lokale shtetnore dhe kësaj organizate zgjidhen në marrëveshtje midis tyne dhe, në rasë dështimi, në marrëveshtje midis Kryetarit të Këshillit Ministruer dhe të Kryetarit të Komitetit Qendruer.

XXI

Organizata e lartëpërmendun vazhdon deri në kryemjen e plotë t’aprovimit të sajë. Në mbarim të këtij qëllimi organizata syprimohet me dekret të Pushtetit Sovran dhe pasunitë e saj destinohen në favor të shtetit.

XXII

Ky Statut i paraqitet Qeveris për aprovim dhe hyn në fuqi prej ditës së shpalljes të Dekretit aprovues.

Prizren, më 21 Kallnuer 1944

Vërtetohet se asht nji me origjinalin,

Kryetari i KQ i L.II-të TË PRIZRENIT

Bederi Peja, d.v.

SHTETI SHQIPTAR

KËSHILLI I NALTË

Mbi aprovimin e bamun me shkresën Nr.324 datë 14.II.1944 të Kryeministrisë,

Si ndigjoj dhe pëlqeu vendimin Nr.96 datë 12.II.1944 të të Kishillit Ministruer,

DEKRETON

Aprovimin e Statutit t’Organizatës ‘’LIDHJA E II-të E PROIZRENIT’’, dhe urdhnon zbatimin e tij.

Tiranë,më 14 Mars 1944 K R Y E T A R I

Mehdi Frashëri, d.v.

  K R Y E M I N I S T R I

 A N T A R Ë: Rexhep Mitrovica, d.v 

P.Anton Arapi, d.v.

Lef Nosi, d.v.

* * *

Statuti  (neni 11) në një mënyrë përcakton edhe Programin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, duke përcaktuar: organizimin, masivizimin, rolin dhe detyrat e segmenteve të ndryshme të Lidhjes, zhvillimin e propagandës (përmes gazetës e mjeteve tjera), mobilizimin, stërvitjen dhe aktivizimin e forcave luftarake të popullsisë,  mbledhjen e të dhënave për viset shqiptare, për t’i prezantuar në Konferencën e Paqes; çlirimin, bashkimin, pavarësinë; etj.

Shtrirja territoriale e luftës për çlirim e bashkim, përfshinte vetëm viset e banuara me shqiptarë në ish-Jugosllavi, pa pretendime ndaj territoreve tjera të shteteve fqinje (dispozita e nenit 2 dhe 3).

Organizimi, organet, zgjedhja, funksionet, raportet hierarkike të niveleve të ndryshme (të qendrës, të rretheve, qarqeve, komunave, bashkësive, katundeve) janë përcaktuar hollësisht në dispozitat e neneve: 4, 7, 8, 9, 10). Në nenin 12 janë përcaktuar burimet e financimit të aktivitetit të Organizatës, duke marrë përqindje të caktuar nga taksat e shtetit dhe të hyrat vjetore të bashkive dhe  komunave.

Në nenet 5, 6, e 11, janë përcaktuar raportet e organizatës me organet e shtetit të nivelit qendror dhe atij lokal (ndihma me nëpunës të shtetit, me instruktorë  e oficerë  profesionalë nga ushtria dhe xhandarmeria e shtetit). Emërimi, gradimi, pushimi nga puna, përgjegjësia disiplinore dhe penale e nëpunësve të organizatës bëhet sipas mënyrës dhe procedurës së caktuar me ligjet e shtetit (neni 10). Në nenin 19 është paraparë mospengimi i aktivitetit të organizatës nga nëpunësit e qeverisë (lokale a qendrore), e në rast të ndonjë mosmarrëveshje eventuale, zgjidhja bëhet midis autoriteteve të shtetit dhe atyre të Organizatës (neni 20).

Përcaktimi në nenin 17, që Statuti i organizatës hyn në fuqi pasi ta miratojë Qeveria dhe ta dekretojë Këshilli i Naltë i Shtetit, organizatës i jep karakterin e një organizate shtetërore. Në nenin 21 është përcaktuar karakteri i përkohshëm i organizatës, që nënkupton se ajo do të veprojë vetëm deri në çlirimin, bashkimin, konsolidimin dhe stabilizimin e organeve të viseve të çliruara. Kur organizata ta ketë arritur qëllimin e saj, ajo do të suprimohet me dekret të Pushtetit Sovran, kurse pasuria e saj i cedohet shtetit. 

Shikuar nga të gjitha aspektet dhe krahasuar me Kararnamën dhe Vendimet Plotësuese të Lidhjes së Prizrenit (të vitit 1878), Statuti i Lidhjes së II-të të Prizrenit është shumë më i avancuar, më i detajuar, më demokratik, më bashkëpunues me Shtetin Shqiptar, dhe nuk ka asnjë konotacion fetar as urrejtje shoviniste, as pretendime territoriale të tokave të hueja, përveçse çlirimit  e bashkimit të viseve shqiptare të cilat kanë qenë të okupuara nga Jugosllavia. Ajo organizatë veproi prej gjysmës së shtatorit 1943 deri në gjysmën e nëntorit 1944, kur pushtetin e muarën komunistët edhe në Jugosllavi edhe në Shqipëri,  të cilët vranë, masakruan e pushkatuan dhjetra mijëra nacionalistë-patriotë shqiptarë të Kosovës dhe viseve tjera, po edhe të Shqipërisë londineze.  Përpjekjet dhe luftimet e çetave nacionaliste vazhduan edhe në vitin 1945 e diku-diku deri në vitin 1947. 

Historia duhet t’i vlerësojë realisht qëllimet, veprimet dhe sukseset e Lidhjes, në dritën e fakteve e dokumenteve, në kontekst të kushteve e rrethanave të kohës; as me gjuhën e glorifikimit as të mohimit të meritave e sakrificave të veprimtarëve e patriotëve të rreshtuar në atë Organizatë. 

Lidhja e Dytë e Prizrenit aktivitetin e saj e kishte përcaktuar e shtrirë në hapësirën e viseve shqiptare të okupuara nga ish-Jugosllavia, prandaj në Statut nuk bëhet fjalë për Çamërinë, e cila gjithashtu ishte (dhe është) tokë shqiptare e okupuar nga Greqia. 

Adil FETAHU

Filed Under: Histori

Goditja e rradhës për Beogradin nga Capitol Hill!

September 15, 2023 by s p

Faton Bislimi/

Kam argumentuar me vite të tëra se çelsi i zgjidhjes së sfidave me minoritetin serb në Kosovë është Lugina e Preshevës! Sot, jam më shumë se krenar të ndaj me ju letrën e bashkëkryesuesëve të Grupit për Çështje Shqiptare në Senatin e SHBA-ve, Senatorës Joni Ernst (Republikane nga Iowa) dhe Senatorit Gary Peters (Demokrat nga Michigan) drejtuar Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, z. Blinken, për Luginën e Preshevës dhe kauzën e drejtë të shqiptarëve etnikë atje!

Letra vije si rezultat direkt i punës sime dhe Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane bashkë me delegacionin nga Lugina e Preshevës, me të cilët më 28 shkurt 2023 mbajtëm edhe një brifing në zyrat e Senatorëve Peters e Ernst në Senatin e SHBA-ve!

Në letrën e tyre, Senatorët i kërkojnë Sekretarit të Shtetit që të ngrisë temën e çështjes shqiptare në Luginë në secilin komunikim apo takim me autoritetet serbe. Letra potencon faktet tanimë të vërtetuara ndërkombëtarisht — qoftë përmes Raporteve të vet Departamentit të Shtetit apo edhe Rezolutës së Parlamentit Evropian të Majit 2023 — për diskriminimin shtetëror ndaj shqiptarëve në Luginë, me theks të veçantë, pasivizimin e adresave si metodë administrative e spastrimit etnik.

Tutje, në letër kërkohet realizimi i Planit Shtatëpikësh për të drejtat shqiptare në Luginë i pranuar edhe nga Serbia qysh më 2013. “Që nga ajo kohë, qeveria në Beograd ka bërë progres të limituar në implementimin e këtij plani. Asnjë nga pikat prioritare të planit nuk është realizuar në tërësi, e tek përfaqësimi në institucione qeveritare, nuk ka pasë aspak progres,” thuhet në letër.

“Ky plan është rruga diplomatike përpara për një komunitet që ka vuajtur kaq shumë nga të gjitha konfliktet e viteve të 1990-ta e tutje,” dhe përderisa Senatorët përkahin procesin e dialogut (në mes Kosovës e Serbisë), ata po ashtu besojnë se “zgjidhja e drejtë e kërkesave legjitime të shqiptarëve etnikë në Luginë të Preshevës është çelësi për stabilitet dhe paqe afatgjatë në rajon,” përfundojnë letrën e tyre Senatorët Peters dhe Ernst!

Letra senatoriale vije pak muaj pas letrës kongresionale të Kongresistëve Himes e Torres, po ashtu për Luginën, drejtuar Sekretarit Blinken.

Vazhdojmë tutje…

Filed Under: Opinion Tagged With: Faton Bislimi

Jeta e Aleksandër Xhuvanit sipas kronologjisë së ngjarjeve

September 15, 2023 by s p

Ledio Xhoxhi, Historian/

Aleksandër Xhuvani lindi më 14 mars të vitit 1880 në Elbasan, në familjen e priftit të fshatit Shtërmen, Papa Janit. Në vitin 1883 i vdes e ëma në moshë të re. Për rritjen e Xhuvanit kujdeset e motra. Më 1887 nis mësimet në shkollën fillore 4-vjeçare të lagjes Kalà në Elbasan. Në vitin 1891 fillon shkollën qytetase me tri klasë në gjuhën greke. Këtu merr mësime nga Tush Pina (Dhimitër Andrea Pina), njeri me ndjenja të flakta patriotike, përhapës i shkrimit shqip dhe ideve kombëtare. Prej tij, për herë të parë në klasë merr mësim në gjuhën shqipe. Më 1894 mbaron qytetasen dhe po këtë vit i ati i Aleksandrit kujdeset t’i japë të birit ndonjë zanat për të siguruar jetesën. Në verën e vitit 1895, ndonëse dëshira e tij ishte të shkollohej më tej, me këmbënguljen e të atit dhe i bindur prej tij, Xhuvani filloi punën si çirak orëndreqës tek Anastas Dodbiba.

Më 1898, në moshën 18 vjeçare, Xhuvani i frymëzuar nga atmosfera patriotike e krijuar në Elbasan, bashkë me disa shokë vendos rrugën e dijes. Në gusht të këtij viti, bashkë me Josif Haxhimimën dhe disa shokë të tjerë, me paratë që i dha e motra u nis për në Manastir të Maqedonisë për të vazhduar studimet në gjimnaz. Në vitin 1899, meqenëse i ati nuk e mbante dot me shpenzimet e veta, Xhuvanit iu dha bursë prej Patrikanës së Stambollit për të vazhduar studimet në gjimnazin e fshatit Çotil. Zjarri i lëvizjeve kryengritëse që ishte përhapur në Maqedoni (sot Maqedonia e Veriut) mundi të depërtojë edhe në gjimnaz. Xhuvani dhe shokët e tij njihen me idetë e lëvizjes kombëtare nëpërmjet revistave dhe librave që qarkullonin fshehurazi.

Më 1901 mbaron për tre vjet shkollën e mesme katërvjeçare. Në vitin 1902 shkon në Stamboll me shokun e afërm të klasës Frederik Antoriadhi, me origjinë greke, i cili me miratimin e prindërve e mban në shtëpinë e tij disa muaj për të kaluar pushimet verore. Në fund të verës, sipas këshillës së babait të Frederikut, Xhuvani bashkë me shokun e tij, shkon në Athinë për të vazhduar universitetin. Aleksandër Xhuvani i ndihmuar nga shqiptarët që jetonin në Athinë siguron bursën nga një mirëbërës grek i quajtur Varika, i cili kishte lënë testament që pasuria e tij të përdorej për zhvillimin e arsimit. Xhuvani u regjistrua në Fakultetin e Filologjisë. Më 1905 dalin në shtyp artikujt e parë. Shkrimi i parë i Aleksandër Xhuvanit është “Mendime mbi çështjen e ‘ë’-së”. Në të trajtohen probleme që lidhen me kulturën e gjuhës letrare. Ndonëse student, problemin e vështirë të gjuhës letrare shqipe e trajton me frymë kombëtare dhe me objektivitet në artikullin e dytë të botuar “Për themelin e një gjuhe letrare”. Këta artikuj i boton në “Albania” me pseudonimin Dok Sula. Që në bankat e universitetit nis interesimin për problemet e gjuhës shqipe.

Në Athinë, gjatë vitit 1906, takohet me Luigj Gurakuqin e me shqiptarë të tjerë dhe njihet me Ismail Qemalin. Xhuvani i drejton dy lutje Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë; njërën për të ndjekur kurs normal pranë Kolegjit “Korsini” dhe tjetrën për të dhënë mësimin e gjuhës shqipe gjatë nëntorit të vitit 1906. Ministria kërkoi mendimin e Prof. Batinjatit që ishte Rektor i Institutit. Ky iu përgjigj ministrisë duke lavdëruar kulturën e Xhuvanit. Gjatë këtij viti vazhdon të botojë shkrime gjuhësore në “Albania” dhe në “La Nazione Albanese” me pseudonimet Dok Sula dhe Castrensis.

Në janar të vitit 1907, me ndihmën e Luigj Guarkuqit dhe pas miratimit të lutjeve nga Ministrija e Punëve të Jashtme të Italisë, Xhuvani fillon për herë të parë punën si mësues i gjuhës shqipe në kolegjin arbëresh të Shën Dhimitër Koronës. Në këtë kolegj më parë kishte dhënë mësim poeti i madh arbëresh Jeronim De Rada.

Më 1908 punon për të përfunduar një gramatikë të gjuhës shqipe si dhe mëson gjermanishten. Më 22 tetor të vitit 1909 shkolla e mesme e Shën Dhimitër Koronës lëshon një certifikatë për punën e mirë të Xhuvanit si mësues i gjuhës shqipe në kolegjin arbëresh. Më 1 dhjetor po të këtij viti, kur nis punën Normalja e Elbasanit, Xhuani i përgjigjet me kënaqësi ftesës për t’u bërë mësues i shqipes në shkollën e parë të mesme të Shqipërisë. Përveç gjuhësisë ai u ngarkua të zhvillonte historinë dhe gjuhën frënge. Në vitin 1910, pas përfundimit të vitit shkollor, Aleksandër Xhuvani niset për në Korçë për një marrëveshje me shoqërinë “Përparimi”, për financimin dhe shtypjen e teksteve shkollore të cilat duheshin për vitin e ri shkollor. Në janar të vitit 1911, në faqet e gazetës “Shkrepëtima” ku punonte si redaktor dhe mbante barrën e kësaj gazete, boton artikullin “Nevojat shkollore”. Në këtë vit fillon me Fan Nolin, me të cilin lidhet miqësisht, polemikën për probleme gjuhësore. Në mesin e vitit 1911, për qëndrimin luftarak ndaj çështjeve kombëtare, xhonturqit e detyrojnë qeverinë egjyptjane të mbyllin gazetën “Shkrepëtima” nga e cila dolën vetëm 21 numra.

Në janar të vitit 1912 Xhuvani pajtohet si sekretar i shoqërisë “Vëllazëria” të kolonisë shqiptare në Aleksandri, shoqëri e krijuar për të mbrojtur të drejtat kombëtare të Shqipërisë. Më 1913, Xhuvani, i cili ndjek situatën e krijuar në Shqipëri pas Shpalljes së Pavarësisë, vendos t’a lërë detyrën e sekretarit të shoqërisë “Vëllazëria” dhe të kthehet në atdhe për të punuar në Shkollën Normale si drejtor i saj (1913-1914), e cila rihapet, gjithashtu këtë vit martohet.

Në vitin 1915 emërohet anëtar i Këshillit Arsimor te Durrësit bashkë me Sali Cekën. Më 1917, me rihapjen e Normales emërohet përsëri drejtor i saj (1917-1920). Thirret të punojë për disa muaj në Komisinë letrare të Shkodrës, krijuar me iniciativën e Luigj Gurakuqit për problemet e njësimit të gjuhës letrare. Më 1918 zgjidhet kryetar i shoqërisë kulturore–letrare “Qarku letrar i Elbasanit” si dhe kryetar i Komisionit letrar.

Gjatë vitit 1919, bashkë me popullin e Elbasanit proteston kundër veprimtarisë së delegacionit të Durrësit që ishte në dëm të integritetit kombëtar. Boton “Libri i gjuhës gramatike”, pjesa e parë për klasën e tretë të shkollës fillore. Më 1920 merr pjesë në Kongresin arsimor të Lushnjës me cilësinë e kryetarit të Komisionit organizues e drejtues. Më 2 tetor me dekret të Këshillit të Epërm, Aleksandër Xhuvani emërohet kryetar i Komisisë Letrare që funksiononte pranë Ministrisë së Arsimit. Boton “Libër i gjuhës shqipe”, pjesa e dytë për klasën e katërt të shkollës fillore.

Më 10 korrik të këtij viti i dërgon letrën e parë albanologut të shquar austriak Norbert Joklit. Nis kështu midis tyre një letërkëmbim i gjatë i cili vazhdon deri në vitin 1940. Po këtë vit Xhuvani njihet personalisht me Norbert Joklin në takimin që pati në hotelin “Huberthof” të Vjenës.

Më 1922, për të tretën herë caktohet drejtor i Normales (1922-1929) dhe boton të parën sintaksë të gjuhës shqipe për klasat e larta të fillores. Boton abetaren për shkollat fillore. Në vitin 1923, nën kujdesin e Xhuvanit ngrihet pranë shkollës Normale “Shkolla Ushtrimore”.

Në gusht të vitit 1924 merr pjesë në Kongresin Arsimor Kombëtar që u mbajt në Tiranë, ku merren vendime për forcimin e karakterit demokratik dhe kombëtar të arsimit. Gjatë vitit 1925 vazhdon të punojë si drejtor i Normales. Boton artikujt “Kujtesa”, “Fantazia” etj. Pas mbarimit të vitit shkollor thirret në Tiranë në Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit ku punon për shtatë javë bashkë me të tjerë për hartimin e ligjeve, rregulloreve dhe programeve mësimore.

Më 1926 boton “Fillime të pedagogjisë për shkollat normale e për mësuesit e fillores”, pjesa e dytë, për klasën e tretë të Shkollës Normale. Më 16 shkurt 1927, në Konferencën e mbajtur në Shkollën Ushtrimore të Normales në Elbasan, me rastin e 100–vjetorit të vdekjes së J. H. Pestalocit, Aleksandër Xhuvani flet mbi jetën, veprat dhe pedagogjinë e tij.

Gjatë vitit 1928 boton shkrime gjuhësore, letrare dhe për probleme të arsimit. Më 1929 fillon punën si sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit ku punon për 4 vjet.

Gjatë vitit 1931 vazhdon krijimtarinë botuese, boton rreth 14 shkrime dhe tekste shkollore. Më 1933 boton “Fillime të pedagogjisë”, pjesa e parë, psikologji për Shkollat Normale. Fillon punën përsëri si drejtor i Normales (1933-1938). Më 1938 punon në Ministrinë e Arsimit si anëtar i Komisionit Teknik. Pushtimin fashist të vitit 1939 e pret me urrejtje. Ai shprehet kundër politikës dhe synimeve italiane për fashistizimin dhe italianizimin e shkollës shqiptare, kundër depërtimit të ideologjisë dhe kulturës fashiste në shkollë. Më 1940 Ministria e Arsimit e dërgon Aleksandër Xhuvanin në gjimnazin e Shkodrës me cilësinë e inspektorit për të hetuar gjendjen e shkaktuar nga revolta patriotike e nxënësve dhe mësuesve. Ai vihet në krye të kësaj revolte. Për qëndrimin antifashist më 16 tetor, Ministria e Arsimit e pushon nga puna. Aleksandër Xhuvani kthehet në Tiranë. Për qendrimin antifashist, gruaja e tij internohet në Porto Romano dhe burgoset në burgun e Burrelit. Me krijimin e Partisë Komuniste në Elbasan, djali i madh i Xhuvanit, Ptolemeu, bëhet anëtar i saj.

Më 16 korrik 1943 bie heroikisht në luftën e Pjoskës, Ptolemeu, djali i madh i Aleksandër Xhuvanit. Në vitin 1944, i ndodhur në Tiranë, përjeton nga afër luftën për çlirimin e saj. Heroizmin e kësaj lufte ai e përshkruan në letrën që i dërgon më 30 nëntor Sotir Koleas. Në vitin 1945 bëhet anëtar i Komisionit Iniciator për formimin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Merr pjesë dhe flet në konferencën për krijimin e Lidhjes së Shkrimtarëve. Zgjidhet nënkryetar i Komitetit drejtues të Lidhjes së Shkrimtarëve.

Më 1946, Aleksandër Xhuvani emërohet pedagog në Institutin pedagogjik 2-vjeçar që hapet më 20 dhjetor në Tiranë. Zhvillon lëndën histori e shkrimit dhe e letërsisë shqipe dhe arbëreshe. Më 28 janar 1947, me Vendim të Këshillit të Ministrave, Aleksandër Xhuvani emërohet shef i Seksionit të Gjuhës e të Letërsisë në Institutin e Studimeve të quajtur më vonë Instituti i Shkencave.

Më 1949 merr pjesë ne Kongresin Botëror të partizanëve të paqes që zhvilloi punimet në Francë. Me rastin e 40–vjetorit të Shkollës Normale, në dhjetor dekorohet nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me “Urdhrin e Punës të Klasit të dytë”. Më 1950, me propozim të kryetarit të qeverisë, Kryesia e Presidiumit të Kuvendit Popullor i jep Aleksandër Xhuanit titullin e lartë “Mësues i Popullit”. Në korrik të vitit 1950, në legjislacionin e dytë të Kuvendit Popullor zgjidhet Nënkryetar i Presiumit të Kuvendit Popullor.

Më 1953 mban fjalën e hapjes në sesionin e pestë të Asamblesë së Institutit të Shkencave. Komisioni i lartë i atestimit, duke vlerësuar kontributin e Aleksandër Xhuvanit ne fushën e gjuhësisë, i jep atij gradën “Doktor i Shkencave” dhe titullin “Profesor”. Në vitin 1954, Xhuvani jep ndihmesë për hartimin e “Fjalorit të gjuhës shqipe”. Me rastin e 45-vjetorit të themelimit të Shkollës Normale, Aleksandër Xhuvani nderohet me titullin “Urdhrin e Flamurit”.

Më 14 mars 1955 festohet 75-vjetori i ditëlindjes së Aleksandër Xhuvanit. Në këtë përvjetor Aleksandër Xhuvanit i dorëzohet “Urdhëri i Lirisë i Klasit të Dytë”. Gjatë vitit 1956 boton librin “Për pastërtitë e gjuhës shqipe”. Harton bashkë me E. Çabej punimin “Prapashtesat e gjuhës shqipe”.

Më 14 mars 1960, në Universitetin e Tiranës organizohet mbledhja me rastin e 80-vjetorit të ditëlindjes së prof.dr. Aleksandër Xhuvanit. Xhuvanit i dorëzohet “Urdhëri i Lirisë i Klasit të Parë”. Në vitin 1961 nxjer botimin e dytë të sistemuar shkencërisht të Fjalorit shqip-greqisht të Kostandin Kristoforidhit.

Më 22 nëntor të vitit 1961 pushon së rrahuri zemra e Aleksandër Xhuvanit. Më 24 nëntor, në Tiranë zhvillohet ceremonia e përcjelljes së arkivolit me trupin e Aleksandër Xhuvanit. Varrimi u bë në Elbasan.

p.s. Shkëputur nga botimi i autorit Ledio Xhoxhi, me titull “Aleksandër xhuvani dhe kontributi i tij në arsimin shqiptar”, botim i vitin 2016.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ledio Xhoxhi

15 shtatori – Dita Ndërkombëtare e Demokracisë

September 15, 2023 by s p

Bujar Leskaj/

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, kemi detyrën dhe detyrimin të kujtojmë me respekt 8 Dhjetorin, të kujtojmë me respekt e përulje Studentët e Dhjetorit ’90, që me vetmohim, guxim, ëndrra e idealizëm luftuan për Demokracinë; duhet të përulemi me respekt përpara Dëshmorëve të saj, Arben Broci, Azem Hajdari, etj; duhet të përulemi me respekt përpara qëndrestarëve antikomunistë shqiptarë; përpara themeluesve të Partisë Demokratike, e cila bëri ndryshimin në Shqipëri, solli pluralizmin e Lirinë me mbështetjen e pakursyer në gjithë këto vite të partnerit tonë strategjik, kampionit të Demokracisë në botë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Por sot kjo ditë duket sikur e ka humbur simbolikën dhe kuptimin e saj.

Aktualisht në Shqipëri kemi një kufizim total të demokracisë dhe modeli autoritarist dominon.

Sot, pas tri dekadash “demokraci” Shqipëria është peng i korrupsionit, mafies politike dhe jo vetëm, i mentalitetit përçmues e kriminal, autoritarizmit të një sekti që i ka mbërthyer shqiptarët për gryke, peng i një sekti që është i paaftë të ofrojë ndryshime në zhbërjen e vlerave demokratike.

Partia- shtet ka kapur gjithçka, shtetin, pushtetin, ekonominë, politikën, Drejtësinë…

Ndaj Shqipëria e sotme, vazhdon të jetë vend i ikjes masive të popullit e i elitave intelektuale, i ikjes së të rinjve, i ikjes së atyre që kanë potencial ndryshimi të vërtetë, dhe njëherësh është vendi ku pushteti kthehet kundër e përballë qytetarëve dhe vlerat janë krejt të përmbysura.

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, duhet të reflektojmë përpara së gjithash tek vetja dhe të kuptojmë që brezi ynë është fajtor për këtë gjendje dhe për atë ç’ka po u lëmë trashëgim fëmijëve tanë.

Të rinjtë kanë mundësinë të na korrigjojnë, kanë mundësinë që potencialet negative që po u lëmë trashëgim t’i përmbysin, t’i ndryshojnë e t’i korrigjojnë, në mënyrë që kjo Ditë e Demokracisë të ketë vërtet kuptim.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT