• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2023

NËSE EDHE DEMOKRATËT E SHBA NUK  BESOJNË MË NË DEMOKRACINË

October 24, 2023 by s p

Nga MASSIMO GAGGI – Përktheu: Eugjen Merlika – “Corriere della Sera”, 19 tetor 2023

Për 38 % të republikanëve është e pranueshme t’u kundërshtohet me dhunë teprimit të kundërshtarëve të tyre politikë: demokratëve, të parë si radikalë skajorë. Nuk është një risi ajo që del nga hulumtimi i fundit i Universitetit të Virxhinias (një mostër prej dymijë zgjedhësish të regjistruar): që kur, mbas votimeve të 2020, Donald Trump ka filluar të flasë për zgjedhje të vjedhura, për shumë përkrahës të tij dhuna është kthyer në një vegël politike të ligjëshme. Risia qëndron, veç rritjes së adhuruesve të kryengritjes, në faktin se edhe demokratët janë të gatshëm të rebelohen, e në një masë edhe më të madhe (41%) teprimeve të një regjimi konservator skajor (pra të një fitoreje të re të Trumpit që ka thënë se është i gatshëm të shtrijë pushtetet e tij, duke shtypur autonominë e institucioneve të pavarur).

Hulumtimet, dihet, kanë një vlerë relative, por edhe të tjera kërkime (si ai i të besueshmit Pew Research Center: tashmë vetëm 16% e amerikanëve mendon se qeveria po bën gjërat e duhura) tregojnë se në Shtetet e Bashkuara, një vit para presidencialeve, ai votim bëhet gjithënjë e më shumë një afat dramatik për qëndresën e demokracisë më të hershme të botës: ajo shëmbëlltyrë e demokracisë liberale pragmatiste dhe të efektëshme që studjuesi politik Alexis de Tocqueville zbuloi dy qindvjetorë më parë e i a propozoi një Evrope të qeverisur nga mbretëritë, regjime autoritare e shkundje revolucionesh. Presidenca Biden duhej të shënonte kthimin në një dialektikë demokratike dhe në një rikthim të besueshmërisë së institucioneve republikane, duke mbyllur një parantezë prej katër vitesh të revolucionit populist të Trump-it. Nuk qe ashtu për polarizimin skajor të politikës së SHBA, për dobësitë e Bidenit (aspak karizmë, moshë e thyer) që kanë lënë në hije përfundimet pohenike të qeverisë së tij e,veçanërisht, për mos njohjen nga një pjesë e madhe e së djathtës së ligjëshmërisë së zgjedhjes së tij. E gjitha kjo e shumëzuar e shpejtuar nga përdorimi i çoroditur i rrjeteve sociale. Kështu sot edhe Rick Hasen, drejtori i Projektit për mbrojtjen e demokracisë në Universitetin e Kalifornisë flet për piskamë kur lexon se 31% të mbështetësve të Trump-it e 24 % t’atyre të Bidenit e quajnë sistemin e sotëm demokratik jo më të përdorëshëm: duhet të kërkohet, simbas tyre, një sistem alternativ.

Përktheu: Eugjen Merlika – “Corriere della Sera”, 19 tetor 2023                

Filed Under: Ekonomi

NJË EMËR I RI NË FILADELFIA QË PO KONTRIBUON PËR VENDLINDJEN

October 24, 2023 by s p

EDUARD E. ZENELAJ RINGRITI KUJTESËN E MASAKRËS NË TEQEN E RABIJES

Nga: Tajar DOMI

Tashmë dihet se historia shqiptare e kontributeve më të mëdha ndaj vendit, vecanërisht që nga rilindasit e pas tyre, përfaqësohet nga emra e figura kombëtare të larguar e të shkolluar jashtë tij. E lista e tyre është e pa mbarimtë. Kjo, për arësye të ndryshme, por më kryesorja është se largësia nga vendlindja e mungesa e saj në cdo hap në vendin e ri, të rrit dashurinë e nostalgjinë  për të, duke u shoqeëruar më deshirën e zjarrtë për ta parë  Atdheun, vendin tënd të lindjes e njerëzit e atjeshem të një gjaku, të jenë sa më mirë e të lumtur, mundësisht të përparojnë aq sa të mund të udhëheqin jo vetëm veten por edhe të tjerët.

Për hir të së vërtetës koha e sotme shohim që po jetohet e po udhëhiqet gjithnjë e më pak nga idealistët e patriotët. Sot kjo shtresë megjithëse jo e shumtë në numër e kësaj shoqërie, ulen e ngrihen, bien e zgjohen me llogarinë e fitimeve të të ardhurave të tyre të shumta nëpër banka, duke mos treguar asnjë pikë interesi për të tjerët përfshi edhe për vëllazerinë e tyre dhe jo më për vendlindjen . Kjo pjesë lëshon vetëm  “ gurë pas “, por nga ana tjetër me statuset “ patriotike “ të tyre në FB, në mediat e sotme të shumta, pretendojnë se këto mendime apo orientime janë të vlefshme e meritojnë të zbatohen sa hap e mbyll sytë. Shpesh këto lloj sugjerimesh kanë të bëjnë me plane fitim prurëse të mëdhaja financiare, duke rrëshqitur deri në tradhëti apo marrëveshje jo të drejta për kombin.

Krahas këtyre njerëzve, në Diasporë jeton pjesa tjetër e saj më e shumtë në numër, që ka më pak  pasuri por të fituar ndoshta më me shumë mund se të parët, ndërsa  zemra e tyre, tik-taku i saj dhe mendja, janë gjithnjë atje, në vendin e lindjes të cilin e kanë lenë për një jetë më të mirë diku tjetër.

Për bashkatdhetar të tillë këtu në Filadelfia, kemi shkruar e evidentuar vlerat e kontributet  e tyre në komunitet, ndërsa në këtë shkrim do të prezantojmë një tjetër emër i cili për pak vite në Amerikë, e ka bërë të lexueshem e të respektuar veten e tij . 

Eduardi ka lindur në fshatin Rabije të Tepelenës më 10 shkurt 1967, por shpejt pas kësaj familja e tij u cvendos në Patos të Fierit, ku ai u rrit mbaroi edhe arsimin e mesëm në Teknikumin e Naftës. Përfundoi në vazhdim shkollën ushtarake dy vjecare të Zall – Herrit në Tiranë, ndërsa pas viteve ’90 – të kreu Universitetin “ Eqerem Cabej “ – dega Administrim Publik, në Gjirokastër.

Si shumica e brezit të tij , jeta e Eduardit dhe e familjes do të ishte në emigracion , për rreth 15 vite në Greqi e që nga 2015– ta  cvendoset në Amerikë për të qenë edhe afër vëllait të tij i ardhur vite më parë këtu në Filadelfia. Sic tregon ai, në Greqi kemi punuar fort duke harxhuar kohën e duke konsumuar moshën tonë në gjithanshmërinë e saj , për të tjerët.  Por Edi kujton dhe nuk i harron kurrë vitet 1998 – 1999  kur në Athinë e qytetet e tjera të Greqisë shqiptarët organizonin protestat në mbështetje të shqiptarëve të Kosovës e kundër genocidit serb të Miloshevicit. Në këto tubime nuk mungonte edhe kontributi i bashkatdhetarit Eduard Zeneli.

Kështu , atdhetar i zjarrtë , kontribues në komunitet e dashamirës i bashkimit , u prezantua ai që në takimet e para  në Filadelfia . Dëshiron që shqiptarët të jenë bashkë , falë kësaj mundësie që na krijon edhe shoqata atdhetare-kulturore “ Bijte e Shqipes “ këtu , me jetën e saj aktive e me shkollën ” Gjuha Jonë “  ku shumë nga fëmijtë tanë mësojnë gjuhën e bukur shqipe. Prandaj i shpërndan mendimet e vlerësimet e tij në biseda me grupe bashkatdhetarësh , duke theksuar se në Greqi nuk e kemi pasur në asnjë kohë një Qendër të tillë bashkuese të shqiptarëve.

Shpejt pasi u vendos në Filadelfia , Eduardi , u angazhua ne bisnesin e pasurive të paluajtshme , ndërsa së bashku me zonjën e tij Monika , administrojnë një shërbim për Home Care duke u ardhur në ndihmë edhe moshave të treta të bashkombësve të tyre.

U anëtarësua në shoqatën “ Bijte e Shqipes “ dhe u angazhua në shtimin e radhëve të saj me anëtar të rinj. Nga rrethi i tij shoqëror e miqësor kryesisht të rinj në moshë ,  shumë shpejt do ti kalonin 30 vetat që iu bashkuan numërit të madh të anëtarëve të kësaj shoqate. Në zgjedhjet e reja të këshillit të ri drejtues që u zhvilluan në prillin që kaloi , Eduardi së bashku me 5-6 emra të rinj nga komuniteti , intelektual e bisnesmen , u zgjodhën anëtar të këtij këshilli , duke i dhënë një hov të ri punës të kësaj strukture drejtuese të shoqatës .

Pra plot zell e dëshirë angazhimi i Edit për të bashkuar shqiptarët në “ Bijte e Shqipes” , duke iu bashkuar qëllimit e misionit të përbashkët që të trashëgojmë shumëçka nga historia , gjuha e kultura jone.

KOKA PAS , DREJT VENDLINDJES

Një atdhetari të tillë , vendlindja i rri varur si një torbë me kujtime por edhe duke e vëzhguar me shpirt e zemër se ku mund të jap sadopak kontribut . Gjatë kësaj kohe ai hodhi shikimin tek Obelisku qe i kushtohet masakrës në Teqen e Rabijes , në fshatin e tij të lindjes.

Në një bisedë me të pak kohë para se të nisej për në Shqipëri këtë verë , Edi më tregon disa foto nga celulari i tij , të një obelisku thuajse të shkatërruar e varrezat e të rënëve të rrafshuara . Nuk ka rrugë për të shkuar atje , dhe ai vend duket “ i vdekur për së gjalli “  bashkë me historinë e tij – thotë ai , pa e fshehur merakun e madh për këtë . Kam biseduar me kryetarin e ri të bashkisë Memaliaj dhe unë do të bëj financimin e kësaj historie , rehabilitimin e Obeliskut e të varrezave . Bashkia do të bëjë dicka për të hapur rrugën dhe së bashku tu japim sa më shumë jetë gjërave në atë vend . Ndihesh shumë keq , vazhdon Edi bisedën , kur shikon fshatin tënd të lindjes , dikur me mbi 200 shtëpi e rreth 1.500 banorë me një jetë të gumëzhimëshme , me rrugë , shkolla e kopshte, shërbim shëndetësor etj , të jetë kthyer në një vend pa jetë , ku edhe ata 100 frymë që jetojnë  janë në një skamje të skajshme. Kështu mund të jenë shumë nga fshatrat periferik në Shqiperi , por secili qan të tijin  dhe secili duhet të ktheje kokën andej nga vjen.

Keshtu gjithë vrull e deshirë , niset për të realizuar atë cfarë mendonte . Korriku 2023 e gjen në vendlindje. Organizohet puna dhe brenda 2-3 javësh , gjithcka ishte ndryshe : Obelisku i ngritur në përkujtim të të rënëve në masakrën e vitit 1943 në  Rabije dukej madhështor tani pas restaurimit , ndërsa pllakat e varrezave ku ishte shënuar emri i cdo të rëni dukeshin sikur kishin jetë. Në traditën e përkujtimit të kësaj historie , edhe këtë vit qe ishte 80 vjetori i saj , ky përkujtim do të zhvillohej por më i zgjeruar e më me shumë krenari .  Ishte bashkëfshatari i tyre , vëllai e miku , shqiptaro-amerikani Eduard Zenelaj që u solli emocione të shumta . Mbi 200 pjesëmarrës u mblodhën aty kokë lartë e të gëzuar , për ta falenderuar Edin e tyre, duke përkujtuar për të mos e harruar historinë e tmerrshme   të ndodhur në atë vend 80 vite më parë . Kishin ardhur në këtë veprimtari bashkëfshatar nga fshatrat e zonës së Buzit e nga Mallakastra , pjesëtar të familjeve të dëshmorëve , drejtues të pushtetit vendor e shoqatave  si kryetari i Bashkise Memaliaj z. Albert Malaj , kryetari i Bashkise Tepelene z. Termet Peci , prefekti i Fierit z. Lefter Shehaj , kryegjyshi boteror bektashian z. Haxhi – Dedej Edmond Ibrahimi , përfaqësuesi i shoqates “Deshmoret e Atdheut” z. Gjergji Velaj etj. Ishte aty edhe nipi i Ismail Qemalit , z. Qamil Vlora që ishte ftuar për të marrë pjesë , i cili i bën surprizën Edit me një takim të vecantë në Kaninë të Vlores , ku përvec pritjes me shumë pjesëmarrës , i dhuron për shoqaten “Bijte e Shqipes” një flamur  kombëtar me histori të vecantë , në respekt të punës e përkushtimit të antarëve të saj për Atdheun.

PAK RRESHTA PER MASAKREN NË TEQEN E RABIJES

Ishte një vend ku predikohej bektashizmi , një teqe që kishte marrë emër dhe  frekuentohej gjërësisht nga banorët e zonës . Ajo kishte disa dervishë dhe drejtohej nga kryedervishi Baba Abaz Memushi ( Rabija ) . Në vitet e luftes për clirimin e vendit gjatë pushtimit fashist e nazist të Shqiperisë ( 1939-1944) ajo ishte shëndruar në një qendër aktive të propogandës e pjesëmarrjes në këtë luftë clirimtare. Si pasojë e kësaj lidhje me luftën , pushtuesit italiane  ndërmorën me dt 23 Korrik 1943 sulmin ndaj këtij objekti fetar duke kryer një nga masakrat me të mëdhaja në zonë si pasojë e të cilës , mbeten të vrarë 5 dervishë dhe 26 persona të tjerë . Ata ( pushtuesit ) dogjën e plackitën fshatin Rabije , duke lënë pas edhe viktima të tjera gjatë këtij operacioni fashist.

Përvec informacionit që më dha Edi rreth kesaj historie të përgjakshme , lexova për të edhe në disa artikuj , libra e biseda në mediat e ndryshme .

Kur mësova se Baba Abazi nuk pranoi të ndahej nga të tjerët në momentin e pushkatimit , mu kujtua edhe një masakër e tillë në fshatin tim të lindjes Ceren teë Dibres , 110 vite më parë , ku serbët dogjën e bastisën shtëpitë dhe morën prej tyre të gjithë burrat të cilët i pushkatuan së bashku në vendin që sot quhet    “ Varret e Shehitëve “. Para se ti vrisnin , njëri prej tyre ( Ismail Hafuzi ) iu lut serbit katil që të lironin nipin ( djalin e vellait ) meqenëse ishte djalë i vetem dhe të sillte aty në vend të tij ,njërin nga djemtë , por breshëria e armës i hodhi në tokë të gjithë.

Pra , armiqtë e pushtuesit e këtij vendi , kanë qenë mizor e të njëjtë në sjelljen barbare ndaj shqiptarëve në cdo kohë e në cdo cep të trojeve tona. Ndërsa shqiptaret nuk i janë trembur kurrë vdekjes , kur ajo ka ardhur për mbrojtjen e atdheut , por aty kanë shprehur edhe njëherë krenarinë shqiptare dhe dashurinë , ndihmën e humanizmin për njëri tjetrin .

Lidhja e klerikeve te Rabijes me formacionet e luftes per clirimin e vendit e shëndrroi , këtë vend të shenjtë në një vatër atdhetare në një  qendër mobilizuese të shumë banorëve të zonës që luftuan kundër bishës fashiste.

Sigurisht për meritat e tij , emri i Baba Abazit , u përjetësua në formacionin e rëndësishëm luftarak që u quajt “Batalioni Baba Abazi” për të cilin historia do të shkruante me bëmat e tij.

“TUNDE O MALIQ RABIJA, KENDOJNE DJEMTE NGA LABERIA”

Këto janë vargjet e këngës qe i janë thurur një emri e figure te rëndësishme të këtij fshati e të gjithë zonës së Buzit , gjyshit të mikut tonë Eduardit , të pa harruarit MALIQ ZENEL ZENELI . Shumë  emocione u përjetuan me datën 10 gusht 2023 në Donie të Kalivacit , në festimin e 80 vjetorit të krijimit të  Batalionit “ Baba Abazi “, dhe në përkujtimin e shumë atdhetarëve që kontribuan në mbrojtjen e Atdheut një pjesë prej të cilëve ranë heroikisht në këtë luftë.

Maliq Zeneli ishte një ndër organizatorët e krahinës së Buzit në tre luftërat , por në luftën e Vlorës të 1920 -ës ishte komandant i luftëtareve të kësaj krahinë , ndërsa në vitet e pushtimit fashist  1939 – 1944  ishte Komandant Vendi ku dha një kontribut të rëndësishëm atdhetar. Familja e tij i përkiste një shtresë jo të varfër të asaj kohe , por kishte një ekonomi të mirë , që përbënte një faktor jo të vogël për tërheqjen e banorëve në lëvizjen për clirim. Maliqi lindi në Rabije në  vitin 1986 dhe vdiq në qytetin e Patosit më 2 Maj 1882 , duke lënë pas veprën e tij të lavdërueshme , dy herë i dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor , me datën 22 Mars 1950 me “ Medaljen e Kujtimit “ dhe me datën 31 Gusht 1970 me Medaljen “ Për veprimtari patriotike “.  Ndërsa këtë vit ( 23 korrik 2023 ) , Bashkia e Memaliajt e shpalli Maliq Zenelin “ Qytetar Nderi “ të saj.

Jeta e tij , u jep trashëgimtareve të kësaj familje , midis tyre edhe Eduardit , krenarinë e ligjshme dhe detyrimin për ta vazhduar kontributin për vendin e lindjes . Eshte kjo trashëgimi e këtij trungu , që e bën pra bashkatdhetarin tonë në Filadelfia të jetë një emër i vlerësuar nga komuniteti , pasi tek ai janë formuar  e demonstruar cilësi e aftësi , me një motivim atdhetar e bashkues , por edhe human e krenar , që së bashku më shumë të tjerë mundohen ti japin jetë një “Shqipërie të vogël “ në Filadelfia, dhe pa harruar asnjehere nga kemi ardhur.

Të lumtë Eduard Zeneli.

*Autori është ish Kryetar i Shoqatës Bijtë e Shqipes – Filadelfia

Filadelfia , 20 Tetor 2023

SHKOLLA SHQIPE “ARBËRIA”, GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE NË LUKSEMBURG

Benarda Agolli Thanasi mësuese në shkollën shqipe “Arbëria” në Luksemburg, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, Neë York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Luksemburg, nëpërmjet mësimit të gjuhës, kulturës shqipe dhe historisë kombëtare. Me mësuesen Benarda Agolli Thanasi bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE “ARBËRIA” NË LUKSEMBURG

Diku në vitin 2016 është hapur shkolla EAGLE nga shoqata Iliri asbl. Shkolla funksionoi deri në vitin 2017 dhe pastaj në mungesë të fondeve, nxënësve, dhe pjestarëve shoqata Iliri asbl i dorëzoi organizimin  prindërve të fëmijeve të mbetur në shkollë në atë kohë. Pas këtij momenti vetë prindërit themeluan shoqatën “Arbëria” dhe e emëruan Shkolla “Arbëria”, me betimin që shkolla të mbahet dhe të vazhdojë me mësimin plotësues. Shkolla Arbëria që nga fillimi i saj deri më sot ka ofruar dhe ofron mësimin dhe librat falas. Shkolla është themeluar në fillimet e saj nga z.Faton Agolli, z.Patriot Behrami dhe z.Izet Shkupolli. Sot shoqata përbëhet nga z.Faton Agolli, z.Izet Shkupolli, znj.Rudina Zhara Gruda. Shoqata“Arbëria” dhe Shkolla “Arbëria”, nuk është financuar  nga shteti apo ndonjë organizatë tjetër. Ne si shkollë kemi nga shteti Luksemburgez dhe Ministria e Arsimit vetëm klasat e ofruara pa pagesë. Dhe nga dy ambasadat respektivisht asaj të Shqiperisë dhe Kosovës, pajisjen me libra dhe fletore pune. Po ashtu nga të dyja ambasadat kemi disa rroba, veshje kombëtare. Në këtë vit shkollor janë rregjistruar 30 fëmijë të  moshave  4-14 vjeç. Mësimin e zhvillojmë ditën e shtunë 2 orë të ndara në dy klasa bashkë me kolegen time Besjana Gerco.

KURRIKULA E MËSIMIT PLOTËSUES TË GJUHËS SHQIPE DHE TË KULTURËS SHQIPTARE NË DIASPORË

Ne si shkollë përdorim kurrikulën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporė. Kurrikula shtjellohet përmes pesë tematikave, të cilat konceptohen në mënyrë të integruare komplementare njëra me tjetrën:

ldentiteti im,

Shqiptarët në hapësirë dhe në kohë,

Kultura dhe shoqëria,

Një botë për të gjithë,

Mësimi, puna, loja e koha e lirë

Qëllimet e kësaj kurrikule janë: zhvillimi dhe ruajtja e identitetit kombětar pëmes mësimit të gjuhës, kulturës së prejardhjes, si dhe njohja me trashëgiminë dhe thesarin kulturor, natyror dhe historik kombëtar: Bashkëpunimi me prindërit e kominitetit ka qënë dhe ngelet për tu vlerësuar.Vitin e kaluar kur festuam festën e 28 -29 Nëntorit prindërit kanë qëne një mbështetje shumë e madhe. Grupe prindërish bashkë me fëmijët e tyre  prezantuan para komunitetit traditat, kulturën , kulinarinë e krahinës apo qytetit nga ata vijnë.Gjithashtu dhe këtë vit jemi duke punur përsëri sëbashku për të fëstuar pavarsinë edhe më bukur se një vit më parë. Thirrja ime është që të gjithë sëbashku, ne si staf mësimor dhe prindërit pavaresisht vështirësive të ndryshme, kohës së limituar, ne duhet të vazhdojmë pa u dekurajuar të kultivojmë, identitetin, kulturën, traditat tona.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË LUKSEMBURG

“Pra Mallkue njai  bir Shqyptari,

Qi këtë gjuhë të Perëndis,

Trashigim, që na la i Pari,

Trashigim s’ia lën ai fmis,

 Edhe atij iu thaftë, po,goja,

Që e përbuzë këtë gjuhë hyjnore

Qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,

 flet e t’vetën e len mbas dore..!!                          (Gjergj Fishta)

I mbaj mend shumë mirë këto vargje kur i kam mësuar ne fëmijrinë time. Janë vargje  që shkrimtari i madh Gjergj Fishta ka mundur ta shprehë shqetësimin për gjuhën tonë. Këto vargje vlejnë dhe sot më shumë se kurrë. Mësimi i një gjuhe është thelbësor dhe i rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kombëtar. Gjuha shërben si një pasqyrë e kulturës, historisë dhe traditave, duke përmbledhur në një, thelbin unik të kombit tonë. Kur ne i mësojmë gjuhën e vendlindjes së tyre , ata lidhen me rrënjët dhe nxisin ndjenjën e përkatësisë dhe krenarinë trashëgimisë së tyre. Kjo ruajtje gjuhësore siguron që  pasuria e një kombi dhe identiteti i tij të mbetet i paprekur, duke promovuar kulturën, diversitetin, komunikimin dhe të kuptuarit të vlerave të përbashkëta, te cilat lidhin popullin tonë së bashku ndër breza.

LUKSEMBURGU ËSHTË NJË SHEMBULL I PRANIMIT DHE BASHKËPUNIMIT MIDIS KULTURAVE TË HUAJA

Për ata që nuk e njohin, Luksemburgu është një shembull i pranimit  dhe bashkpunimit midis kulturave të huaja. Ndoshta përshkak të vendodhjes gjeografike e cila e mundëson të jetë në zemër të Europës, Luksemburgu është i rrethuar me kultura të ndryshme në cdo cep të tij. Përdorimi i shumë gjuhëve në Luxemburg, me Luxemburgishten, Frengjishten,Gjermanishten, Anglishten dhe prezenca e 170 kombësive reflekton se sa e hapur është shoqeria kundrejt gjuheve të huaja dhe këtë e kemi ndjerë e jetuar vetë ne, jo vetëm nga komuniteti por edhe nga instucionet qeveritare. Kemi të paguar nga shteti Luksemburges dhe ministria e Arsimit të dyja klasat per të zhvilluar mësimin falas çdo të shtunë.

MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË, VËSHTIRËSITË NË MËSIMDHËNIE ME FËMIJËT ME DISA GJUHËSI

Ne jemi të pajisur me dy salla ku zhvillojmë mësimin e gjuhës Shqipe. Sallat janë pjesë e një prej shkollave ndër më të mirat në Luksemburg. Janë të pajisura me teknologji bashkëkohore të cilat na ndihmojnë  të ndërthurim njohuritë teorike me video, filma, këngë për ta bërë mësimin sa më interaktiv dhe të kuptueshëm për fëmijët. Por nuk mund të heshtim ndaj vështirësive që fëmijët hasin gjatë zhvillimit të mësimit të Gjuhes Shqipe. Luksemburgu ështe një shtet i vogël, shumë i bukur por ka tre gjuhë zyrtare Luksemburgisht, Frëngjisht dhe Gjermanisht, në shkolla fëmijet mësojnë dhe Anglisht. Një fëmijë i ndodhur përballe gjithë këtyre gjuhëvë ne shkollë e ka shumë të vështirë të përvëtësojë gjuhen e nënës pavarësisht këmbnguljes së prrindërvë në shtëpi apo orëve të mësimit që zhvillohen në shkollë çdo të shtunë. Këto përpjekje nga prindërit dhe nga ana e stafit të shkollës tonë nuk mjaftojnë dhe kjo shpeshherë na trishton.

KUSH ËSHTË MËSUESE BENARDA AGOLLI THANASI

Kam lindur dhe jam rritur në një fshat shumë të bukur në Cangonj të rrethit Devoll. Familja ime ështe nje familje e thjeshte, me dy prindër të mrekullueshëm, nje moter dhe nje vëlla. Një familje që ka rruajtur traditat, kulturën e atij vendi. Studimet e larta i kam kryer në Tiranë, në vitet 1998-2002 në Universitetin e Shkencave, ku jam diplomuar për mesuesi dega Fizikë. Për tre vjet kam punuar si mesuese e gjuhës shqipe për misionare te huaj që vinin në Shqipëri në ato kohë. Nga  viti 2005 deri në vitin 2018 kam punuar në Gjimnazin “Myslym Keta”. Jam shumë krenare për ato vite që kam punuar aty sepse kam njohur kolegë dhe fëmijë të mrekullueshëm, të cilët sot vazhdojnë kontribojnë për shoqërinë, vendin tonë apo në dhé të huaj. Në nëntor të vitit 2018 u zhvendosëm me familjen time, bashkëshortin Dhimitrin, vajzën Abigelën dhe djalin Aleksin në Luksemburg. Për dy vjet me duhej të integrohesha me gjuhët, kulturën e vendit. Ishtë shumë vështirë në fillim, më mungonte çdo gjë dhe ajri i Shqipërisë por shumë shpejt në Janar të vitit 2021 fillova të punoj si mësuesë në Shkollën Shqipe Arbëria këtu në Luksemburg. E falenderoj shumë Perëndinë sepse e quaj veten shumë të bëkuar më fëmijët, prindërit dhe çdo gjë tjetër që më ofron ky profesion. 

Filed Under: Komunitet

“NËNA TEREZE, DASHURIA NË VEPRIM”, NJË UDHËTIM I SHKURTËR JETËSHKRIMOR I DOM LUSH GJERGJIT

October 24, 2023 by s p

Libri “Nëna Tereze, dashuria në veprim” e risjell autorin Dom Lush Gjergji në një rrafsh më të gjerë komunikimi gjuhësor dhe për rrjedhojë Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore në Shkup si dhe Revista “Drita”, si botues të këtij libri, shpalosin para një publiku tregjuhësh një grusht margaritarësh në formë reminishencash jetësore të Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze, të latuara nga dora mjeshtërore e teologut, shkrimtarit, biografit e filozofit Dom Lush Gjergjit.

Autori na e risjell figurën e Nënës Tereze në një trajtë të përpunuar të rrugës jetëshkrimore të saj, duke ndarë këtë rrugë në katër pjesë: a. Gonxhe Bojaxhiu – jeta familjare (1910-1928); b. Motra Tereze (1929-1948); c. Nëna Tereze Bojaxhiu (1948-1997); d. Përshpirtëria e Nënës Tereze.

Një liber si ky nuk mund të shkruhet pa dashuri dhe përkushtim dhe kur këto dy komponenë kombinohen, atëherë gërmimi në shtresat e dukshme dhe të padukshme të një botë komplekse brenda trupit të një gruaje me shpirt të madh, është më shumë se një aventurë hermenutike e filozofike.

Që në kapitullin e parë të kësaj aventure (Nëna e botës së mjerimit, Nëna Tereze (1910-1997), autori as pas tridhjetë vjetëve të hulumtimit, të njohjes dhe të miqësisë me Nënën Tereze, nuk mjaftohet me pyetje shtesë të karakterit biografik, filozofik, teologjik, gnoseologjik që ndërlidhen me fillimin dhe mbarimin e jetës tokësore të kësaj shenjtoreje.

Duke shtruar pyetje, Dom Lush Gjergji e sporovon veten në ballafaqimin më qenësor me të thënat dhe të pathënat e korpusit të madh tematik e përmbajtësor të jetës dhe veprës së Nënës Tereze.

Nëse për shumëkënd, si edhe për shumë gazetarë, shkrimtarë, Nëna Tereze ishte dhe mbeti një “kështjellë” e mbyllur, enigmatike, që nuk ka paraplqyer shumë të flasë për vetveten dhe të kaluarën e saj, ajo megjithatë para Dom Lush Gjergjit, siç e thotë edhe vet ai, ishte paraqitur krejt ndryshe: e hapur, miqësore, si një nënë e vërtetë.

Për një lexues me njohuri të pamjaftueshme mbi jetën e Nënës Tereze, sidomos mbi fëmijërinë dhe vendlindjen e saj, ky libër është një minienciklopedi që ofron të dhëna autentike dhe përmbledhëse mbi jetën familjare të Gonxhe Bojaxhiut brenda periudhës së viteve 1910-1928.

Duke filluar nga shpjegimi i emrit të saj të fëmijërisë, autori jep shpjegime etimologjike, duke sqaruar se Gonxhe apo edhe Anjeze, është emri familjar dhe i pagëzimit për Nënën Tereze, dhe si i tillë ky emër ka një kuptim simbolik – lulja në “zbërthim” apo edhe në “lulëzim”, ndërkaq Bojaxhiu është mbiemri i Nënës Tereze, duke u ndalur në zbërthimin treshtresor të kuptimit të këtij mbiemri.

Në vazhdim të librit, autori na e paraqet portretin e Kolë Bojaxhiut (1873-1919), duke sjellë edhe një kujtim të Nënës Tereze për babanë e saj: “Baba Kolë më thoshte: “Bija ime, mos e merr e mos e ha asnjë kafshatë të gojës pa e ndarë me të tjerët”. Ose: “Egoizmi është një sëmundje shpirtërore, që të robëron dhe nuk të lë të jetosh dhe t’u ndihmosh të tjerëve!”.

Saga familjare e Bojaxhinjëve në këtë libër do të ishte e paplotë pa Dranen, nënën e Gonxhes, plasticiteti shpirtëror e njerëzor i së cilës na bëhet më i qartë përmes vetë gojës së Nënës Tereze: Nëna Tereze tregonte: “Kurrë nuk e harroj nënën time. Ajo ishte tërë ditën e zënë me punë, por pastaj, në mbrëmje, pasi t’i kryente të gjitha punët, e kishte zakon ta priste babanë tim… Ne, atëherë nuk e kuptonim, nganjëherë edhe qeshnim, bënim hoka me të. Sot, nuk mund të mos e kujtoj atë takt madhështor, të cilin ajo e përdorte për trajtimin e tij. Çfarëdo që ndodhte, ajo ishte e gatshme ta priste me buzëqeshje…”.

Gonxhe Bojaxhiu u lind në Shkup më 27 gusht 1910, si fëmija i tretë i kësaj familjeje, dhe të njëjtën ditë qe pagëzuar nga Dom Zef Ramaj në kishën e “Zemrës së Krishtit” në Shkup. Thuhej se këtë emër e kishte zgjedhur baba Kolë, shkruan autori në pjesën mbi Fëmijërinë dhe rininë e Gonxhe Bojaxhiut.

Duke shkuar gjurmëve të jetës së Nënës Tereze, autori nxjerr në pah dimensionin e saj shpirtëror, teksa na e bën më të përfart Farën e thirrjes përmes vetë Gonxhes, e cila autorit i kishte treguar: “Isha ende shumë e re, kisha afro 12 vjet, kur në rrethin familjar e kam hetuar për herë të parë dëshirën për t’iu kushtuar tërësisht Zotit. Kam menduar dhe jam lutur gjashtë vjet! Ndonjëherë më dukej se nuk kisha fare thirrje. Së fundi u binda se më kishte ftuar vetë Zoti. Në këtë kërkim, më ka ndihmuar shumë Zoja e Letnicës, apo si e quanim ne me shumë dashuri në gjuhën shqipe “Zoja Cërnagore”.

Vendimin përfundimtar e mori në Letnicë, para Zojës së Bekuar, natën e

festës, më 14 gusht 1928, shkruan autori.

Gonxhe Bojaxhiu po bëhej gati shpirtërisht të nisej për mision në Indi dhe kjo do të bëhet e mundur pasi që ajo kishte arritur t’i shndërrojë në aksioma shenjtërie tri shprehje: Të dalësh – të shkosh – të nisesh, të cilat, siç e thotë autori, për Gonxhe Bojaxhiun kishin kuptimin e realitetit të ri të thirrjes misionare, sepse ajo po e ndiqte thirrjen e Zotit, për t’u bërë motër misionare e rregullit “Motrat e Loretos” me seli në Irlandë.

Përshkrimin më autentik që i atribuohet formimit të Gonxhe Bojaxhiut në vitet e saja fëmijërore dhe rinore, autori na e pikturon përmes një skalitje brilante fjalësh që i përshaten karakterit të personazhit të tij: “Gonxhja e kishte “kryer shkollën e “mirësisë” në rrethin familjar dhe famullitar, sepse kishte lindur dhe ishte rritur në një familje ku jetohej dhe ushqehej dashuria, bamirësia, bujaria dhe kujdesi për të afërmin”.

Dom Lush Gjergji me këtë libër ka arritur të kondenzojë në pak faqe një rrugëtim të gjatë të Nënës Tereze, duke përzgjedhur për lexuesit segmente më të domosdoshme të veprimtarisë së saj, pa e lënduar autenticitetin e linjës biografike.

Në vazhdim do të shohim se kjo linjë kalon brigje e oqeane, sidomos pas largimit nga vendlindja e saj, përmes Zagrebit, ku Gonxhe Bojaxhiu bën një jetë të rishtarisë, një përgatitje kjo për misionin rregulltar, për punën dhe jetën misionare.

Stacioni i saj i radhës ishte Dublini, aty ku ajo kishte qëndruar tre muaj për të mësuar anglishten. Më pas Gonxhja kishte udhëtuar për Kalkutë dhe mbërrin më 6 janar 1929. Më pas e kishte bërë edhe një udhëtim Kalkutë – Darjeeling, sepse duhej të vazhdonte rishtarinë. Këtu emri i saj pëson transformim – nga Gonxhe në Maria Teresa, të cilën tashmë e thërrisnin, thjesht Motra Tereze e Krishtit Fëmijë.

Puna e parë për Motrën Tereze, shkruan autori, ishte shërbimi si motër medicinale, përkujdesja për të sëmurët. Ajo ishte tejet e lumtur për t’i ndihmuar dhe shërbyer të tjerët. Më vonë, Motra Tereze ishte e angazhuar në studime, dhe njëkohësisht ishte edhe mësimdhënëse në shkollën e njohur St. Mary të Kalkutës.

Në shiritin e kohës, Nënën Tereze e shohim të lëvizë sipas vullnetit të Hyjit, sepse vetëm atij ajo i përkulej, pa harruar edhe punët dhe shërbimet e përditshme që ajo i kryente. Për rrjedhojë motra Tereze e kishte vazhduar punën në mësimdhënie dhe së shpejti ishte bërë edhe drejtoreshë e shkollës. Midis viteve 1937 e 1938, ajo ikishte shkruar një letër nënës dhe motrës në Tiranë si vijon: “Më vjen keq që nuk mund të jem pranë jush, por je e lumtur, nënë e dashur, sepse Gonxhja jote e dashur është e lumtur… Kjo është një jetë e re. Jam mësimdhënëse, dhe kjo punë më pëlqen. Jam edhe drejtoreshë e tërë shkollës dhe këtu të gjithë më duan shumë…”.

Nënë Tereza duke qenë Misionare e Dashurisë, gjithë përkushtimin e saj ndaj të vetmuarve, të pastrehëve e të sëmurve e kishte përqëndruar në Indi, apo siç thoshte ajo në “tokën e ëndrrave”. Duke zbërthyer misionin e Nënës Tereze, autori na e bën të përafërt edhe historinë e Indisë si dhe peripetitë politike, sociale e ekonomike nëpër të cilat kaloi ajo.

Rruga e shenjtërimit të Nënës Tereze kishte kaluar nëpër momente e sprova nga më të ndryshmet. Duke përshkruar këtë proces, autori na jep disa detaje mbi një udhëtim me tren të Nënës Tereze, e cila ishte nisur për ushtrime shpirtërore në Darjeeling, me ç’rast pati një përvojë të thellë shpirtërore. Pas ushtrimeve shpirtërore, autori transmeton fjalët e Nënës Tereze: “O atë, e tëra ndodhi kështu: duke udhëtuar në tren për Darjeeling… e dëgjova zërin e Zotit. Ishte “thirrja në thirrje”, thirrja ime e dytë. Porosia ishte e qartë: duhej ta lija kuvendin e Loretos që të isha në gjendje t’u përkushtohesha plotësisht, me tërë jetën time, të varfërve”.

Koncizitetin përmbajtësor të këtij libri e bëjnë edhe disa detaje interesante nga jeta dhe vepra e Nënës Tereze, të cilat autori me pedantëri i sjell, duke mbajtur llogari për ato më të qenësishmet, siç ishin: Shpërblimet kombëtare e ndërkombëtare, Dëshmitë për Nënën Tereze, Përshpirtëria e Nënës Tereze, Urata, Eukaristia, Të ftuar në shenjtëri, Përshpirtëria mariane, Lumturimi i Nënës Tereze.

Përmbylljen e librit autori e bën përmes një urate të vetë Nënës Tereze, nga goja e së cilës del një mesazh kuptimplotë:

“Ti e di, o Zot, se unë i urrej armët.

Unë dua të jem vetëm arma jote

Për ta sjellë paqen në botë…”

Shkup, tetor, 2023

Prof.dr. Skender ASANI

Filed Under: Kronike

Vjosa Osmani në Këshillin e Sigurimit: Ekziston vetëm një e vërtetë, Kosova ishte viktimë e agresionit të Serbisë

October 24, 2023 by s p

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka thënë se Kosova më 24 shtator ishte viktimë e agresionit nga Serbia.

Osmani ka thënë se sulmi terrorist në Banjskë ishte akt i pastër agresioni i Serbisë ndaj Kosovës.

“Është vetëm një e vërtetë. Kosova ishte viktimë e aktit të agresionit nga Serbia. Serbia po terrorizon serbët që jetojnë në Kosovë, për ta penguar integrimin e tyre. Serbia do territorin e Kosovës, të cilin s’do ta marrë kurrë. Kosova është palë konstruktive në dialog, e lista e moszbatimit të marrëveshjeve të Serbisë është shumë e gjatë. Duam zbatim të plotë e të shpejtë të gjitha marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel në shkurt, dhe atë në mënyrë fer e të balancuar”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se Kosova kërkon përgjegjësi për sulmin, por Serbia vazhdon ta mohojë.

“Serbia tregoi më 24 shtator se dëshiron luftë, por s’do t’ia ofrojmë këtë. Demokracia e liria gjithmonë ngadhënjejnë. S’ka asgjë që mund t’i qëndrojë para një vendi që e do lirinë. Njerëzit e Kosovës kurrë s’do të heqin dorë nga liria e vetë”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë gjithashtu se sulmi terrorist më 24 shtator në Banjskë nuk ishte vetëm sulm ndaj Kosovës, por ishte plan për destabilizim të Ballkanit Perëndimor.
Gazeta Panorama.

Filed Under: Opinion

PEJA SHЁNOI 55-VJETORIN E DEMONSTRATAVE TЁ VITIT 1968  

October 24, 2023 by s p

Zymer Neziri/

Në Pejë u shënua 55-vjetori i demonstratave në këtë qytet, më 19 tetor 1968, ku rreth shtatë mijë demonstrues kishin kërkuar Republikë, Ku­­shte­tutë dhe Vetëvendosje për Kosovën dhe viset e tjera shqiptare, që ishin rreth tre milionë banorë. Organizuese e këtij për­vje­tori ishte Sho­qata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, Dega në Pejë, kurse drejtues i programit ishte dr. sc. Dardan S. Lajçi. Tubimi u mbajt në sallën e mbushur përplot të kinoteatrit ‘’Jusuf Gër­valla’’, që me një minutë heshtje i nderoi pjesëtarët e brezit ‘68 që nuk janë në jetë. Të pranishëm pati edhe prej viseve tona të largëta: Kraja, Ana e Malit, Ulqini, Tuzi, Plava e Gucia, Struga, Kërҫova, si dhe nga viset e ndryshme të Kosovës.   

Fjalë përshëndetëse kanë mbajtur Ali Lajҫi, kryetar i Degës, Shefik Sadiku, kryetar i Kryesisë së Shoqatës, Gjergj Camaj, nga Grupi i Prizrenit, më 1968. Janë pritur me duartrokitje edhe telegramet përshëndetëse, të dërguara prej kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, z. Albin Kurti, si prej prof. Meriman Brahës, nga kreu i Lëvizjes Studentore të Demonstratave të tetorit 1968 në Rrafshin e Dukagjinit: Prizren, Therandë e Pejë.  

Referat për Pejën ‘68 dhe për demonstratat e saj më 19 tetor të atij viti mbajti Rexhep Ferizi, anëtar i Grupit të Normales së Pejës, që ishte grupi më aktiv ndër grupet e vogla të këtij qyteti, ku bënin pjesë edhe Gjimnazi, Ekonomikja, Kapeshnica, Shkolla e Lartë Komerciale. Në krye të tyre ishte Grupi i qytetit të Pejës: studentët Zy­mer Neziri, Xhemajl Gashi e Ramadan Blakaj, si dhe Isa De­m­aj, koo­rdinator, nga Grupi i Rrafshit të Du­kagjinit.  

Prizreni, Theranda e Peja, ne tetor 1968, me demonstarta për republikë, kushetutë e vetëvendosje për rreth tre milionë banorë të të gjitha viseve shqiptare në ish – Jugosllavi, kanë hapur rrugën aspak të lehtë edhe për demonstratat e nëntorit në Prishtinv, Ferizaj, Gjilan, Besianë, Mitrovicë, si dhe pak më vonë edhe në Tetovë me Ulqin.  

Në  fjalën e mbylljes, Zymer Neziri përmendi emrat e atyre të brezit 1968, që nuk jetojnë e që ishin nga grupet e Prizrenit, të Therandës e të Pejës: Isa Demaj, Salajdin Braha, Rafet Rama, Pashk Laҫi, Haxhi Maloku, Haxhi Bajraktari, Mikel Kuzhnini, Xhemajl Gashi, Riza Smaka, Sa­­dri Kelmendi, Murat Gorani, Rexhep Berisha, Ali Azem Lajҫi, Mi­ftar Tishuku, Hasan Ma­k­suti, Hajrije Ahmetgjekaj. Nderim i për­je­t­shëm dhe lavdi e përhershme!  

Prizreni, Theranda e Peja, në tetor 1968, me demonstrata për republikë, kushtetutë e vetë­ven­do­sje, për rreth tre milionë banorë të të gjitha viseve shqiptare në ish – Jugosllavi, kanë hapur rrugën aspak të lehtë edhe për demonstratat e nëntorit në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan, Besianë, Mitrovicë, si dhe pak më vonë edhe në Tetovë e Ulqin. 

Demostratat e vitit 1968 ishin shumë të drejta e të domosdoshme, por edhe të përgjakshme. Në Prishtinë u vra i riu Murat Mehmeti, nxënës i Shkollës e Mesme Teknike të Prishtinës. Aty pati edhe dhjetëra të plagosur, por shumica u shëruan fshehurazi nga policia. Pra, rinia, studentët, zejtarët e bujqit, ishin ata që i ҫuan përpara kërkesat gjithëpopullore shqiptare, kur klasa jonë po­li­tike u ndal bashkë me disa intelektualë që kishim. Republika nuk u fitua, por fitorja nuk ishte as e vogël. U krijua edhe një hallkë e re e përpjekjeve për liri e bashkim. Në radhë ishin demonstratat shumë të përgjakshme të vitit 1981 dhe të viteve në vijim, deri te formimi i Ushtrisë Çlirimtare dhe të fitores së saj më 1999, me ndihmën amerikane dhe të vendeve të NATO-s.     

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT