• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2023

Si e pengoi shteti shqiptar hapjen e bankës jugosllave në Shkodër në vitin 1923

October 18, 2023 by s p

Prof.as.dr. Hasan Bello/

Një nga politikat e shteteve ballkanike për të shtrirë influencën e tyre ekonomike mbi shtetin e shqiptar ishte hapja e bankave. Kështu, më 5 janar 1923, prefekti i Shkodrës Rauf Fico informonte Ministrinë e Brendshme se, nënshtetasi jugosllav Pashko Kraja kishte mbërritur nga Cetina për të hapur një filial me emrin “Harvatska-Jugosllavenska-Albanska-Banka”. Për këtë qëllim, ai kishte marrë me qira një lokal në qendër të Shkodrës.

Pasi kishte qëndruar tre ditë, Pashko Kraja ishte rikthyer në Cetinë për të tërhequr mobiliet e nevojshme, duke lënë si zëvëndës nënshtetasin shqiptar nga Shkodra, Lolko Vuçiniç. Për drejtimin e këtij filiali, ai kishte ftuar edhe Pjetër Bumçin, i cili në këtë periudhë ndodhej në Fiume. Rauf Fico kërkoi udhëzime nga MPB nëse kishte informacion për bankën jugosllave. Kjo e fundit kërkoi mendimin e Ministrisë së Ekonomisë si dikasteri i cili merrej direkt me çështjet financiare.

Në letrën e ministrit të Ekonomisë, Kol Thaçi, drejtuar kryeministrit thuhet se në aspektin juridik ligjet ndërkombëtare nuk e pengonin asnjë shtet për të hapur bankë në një shtet tjetër. Megjithatë, ai kërkoi rregulloren dhe statutin mbi të cilin do të funksiononte dhe do të administrohej filiali i bankës jugosllave. Në përfundim të përgjigjes së tij, Kol Thaçi i sugjeroi kryeministrit se, për momentin hapja e këtij filiali nuk ishte në interes të shtetit shqiptar. Kjo pikëpamje iu bë e ditur edhe prefektit të Shkodrës.

Arsye kryesore ishte se pa u krijuar Banka Kombëtare, nuk mund t`i jepej leje asnjë filiali të huaj që të operonte në sistemin bankar. Kjo për shkak të influencës politike dhe ekonomike që shtete të ndryshme mund të ushtronin nëpërmjet kapitalit të tyre.

Si pretekst për të penguar hapjen e filialit të bankës jugosllave në Shkodër u gjet “kapitali i saj i pamjaftueshëm”.

Që këto tentativa kishin një prapaskenë politike vihet re dhe nga ndërhyrjet e konsullit jugosllav. Kështu, në një letër tjetër për Ministrinë e Brendshme zëvendësprefekti i Shkodrës informonte për takimin me konsullin e mësipërm, i cili i kishte deklaruar dëshirën e disa nënshtetasve jugosllavë për të hapur një filial të bankës serbo-shqiptare me qendër në Cetinë. Kjo, sipas tij, ishte themeluar me miratim të Ministrisë së Tregëtisë dhe Industrisë së Jugosllavisë.

Në vazhdën e kësaj politike, Beogradi kërkoi gjithashtu që nëpërmjet një malzezi të themelonte në Shkodër edhe një agjenci tregtare. Por edhe kjo tentativë u pengua nga Ministria e Brendshme, me justifikimin se, ajo duhej të përmbushte kriteret e parashikuara nga ligji për shoqëritë e huaja.

Pavarësisht problemeve të shumta të Shqipërisë së këtyre viteve, elita politike përpiqej që të ruante sovranitetin ekonomiko-financiar të shtetit të sapo krijuar të shqiptar.

Filed Under: Kronike

Neutraliteti në kohë krize

October 18, 2023 by s p

Prof.Dr. Sylë Ukshini/

Pavarësisht agresionit të Beograd me njësitet paraushtarake kundër Kosovës, ka munguar mbështetja e qartë dhe konkrete për vendin dhe qeverinë: vizitat e zyrtarëve të lartë evropianë dhe amerikanë, përderisa në konfliktin Izrael dhe Hamas (pa dashur t’i krahasojmë në përmasa) ka një qëndrim dhe gjuhë më të qartë si dhe vizita të niveleve më të larta evropiane dhe amerikane. Kjo strategji, sidomos e evropianëve, ka synuar të ruaj ekuilibrat mes Kosovës dhe autoriteteve të Beogradit, duke mos dashur që Serbia dhe Vucic të vendosen në defansiv. Nuk dëshirohet për momentin as të tektë takime mes palëve në Bruksel pasi pala serbe është e lënduar dhe e cenuar në pozicion.

Në vend të vizitave përkrahëse për Kosovën, çdo gjë është reduktuar në thirrjet me një gjuhë neutrale:” palët të tregohen zë përmbajtura dhe t’i rikthehen në dialogut”. Por, BE nuk e thotë asnjëherë se Beogradi me aktin e Bonjakes, por jo vetëm me të, shkeli në formën më brutale pikën 2 të Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (62/298), të 9 shtatorit 2010, sipas BE-ja kishte marrë përsipër për të lehtësuar “një proces dialogu midis palëve”. Sipas kësaj rezolute, dialogu Kosovë-Serbi (BE si gjithmonë kreative shpiku formulimin dialogu Prishtinë-Beograd, për t’i ikur emërtimit Kosovë!) në vetvete do të ishte një faktor për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe se dialogu do të ishte promovim i bashkëpunimit, arritje e përparimit në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe përmirësimit të jetës së njerëzve.

Një qëndrim i flashkët, as mish as peshk, u shpërfaq edhe dje në Tiranë në samitin e Procesit të Berlinit, ku liderët e BE-së dhe të vendeve evropiane evituan një adresim të qartë përmes një dokumenti zyrtar (deklaratë të përbashkët) përmes së cilës do të dënohej pa ekuivokë agresioni i grupeve terroriste dhe paraushtarake serbe, të cilat të papenguara futën nga Serbia në Kosovë armatime më moderne me qëllim agresioni në veri të Kosovë. Përjashto disa fjalë sa për ta bërë zakonin të kancelarit gjerman Scholz, ngjarja madje u eklipsua nga teatraliizmi tradicional serb, shmangia e një fotografie për përbashkët nga kryeministrja serbe. Thënë më së lehti, kjo ishte një shuplakë, si për nikoqirin, kryeministrin Rama, po aq, bile edhe më shumë për BE-në dhe Gjermaninë. Kjo sjellje e lazdruar e Serbisë është e motivuar nga vetë sjellja asimetrike e BE-së, e cila

Në çdo situatë me Serbinë ose hesht ose zgjedhë ndonjë formulim burokratik. E kujtojmë fare mirë kur pikërisht BE-ja kritikonte zëshëm Kosovën për vendimin e hapjes së Ambasadës në Jerusalem, e që më shumë dukej një nervoz për njohjen e Kosovës nga Izraeli, ndërkaq hesht në çdo rast kur ndonjë vend i saj anëtar rreshtohet përkrah Rusisë dhe Iranit apo Venezuelës (siç ishte rasti i GJND-së) dhe minon vetë suksesin evropian në Kosovë.

Edhe pse kanë kaluar pothuajse një muaj prej kur ka ndodhur sulmi në Banjskë, BE dëshiron gjejë mënyra për të mos e ndëshkuar Serbinë, e cila ka bërë të qartë se në rast presioni ajo mund të hidhet në krahët e vëllazërisë ruse dhe kineze. Do të dëshiroja të mos ishte kjo një lloj paragjykimi kulturore dhe fetar e aq më pak ajo që thoshte shkrimtari Ismail Kadare kur në vitin 2011 do të deklaronte se “ka kohë që racizmi antishqiptar ka zënë vend në Evropë, jo veç në lajme çoroditëse, por në libra, filma e në rrëfenja urbane të pafundme. Sigurisht që një pjesë të fajit bije mbi vetë shqiptarët. E keqja jonë është shpërfillja jonë ndaj akuzave krejtësisht të padrejta, por tepër dëmtuese”.

Kështu në vend të adresimit të qartë të përgjegjësisë, liderët evropianë vazhdojnë të bëjë thirrje për hetime të thellsishme qëë të zbardhet çfarë ka ndodhur në Banjskë. Kjo qasje, thënë më së buti, është përpjekje për ta fshehur përgjegjësinë me nëntekstin e bërjes së Serbinë konstruktive. Në heshtje ka një lloj mirëkuptimi për këtë sjellje të Serbisë, e cila e luan rolin e saj të viktimës edhe atëherë kur ndjek agjendën e saj ekspansioniste. Si mund të lexohet ndryshe ky pozicion i evropianëve përderisa Beogradi dhe Vucic krejt hapur dhe në mënyrë transparent e kanë arsyetuar agresionin shtetëror në Banjskë të Kosovës, madje pos kualifikimit se terroristët na qenkan “luftëtarë të lirisë”, për të vdekurit Beogradi bëri nderime shtetërore dhe shpalli tri ditë zie, ani pse Vucic në ndërkohë provoi të hidhet përgjegjësinë mbi supet e serbëve lokal. Fakt tjetër është se Vuciv krejt hapur e ka bërë të qartë se nuk do të bashkëpunojë as me Kosovën dhe as me ndërkombëtarët për lehtësimin e hetimeve apo për dorëzimin e pjesëmarrësve të këtij sulmi kundër Kosovës. Për më tepër, Vucic, ndryshe nga Kisha Ortodokse Serbe (SPC), nuk u distancua asnjëherë nga veprimi i një grupi të armatosur serbësh në Banjskë më 24 shtator Atëherë, nuk di nëse e ka dikush idenë për çfarë hetime po flasin evropianët?

Kjo qaje e BE-së të kujton sjelljen e evropianëve në fillim të viteve 1990-të, kur Brukseli nuk “kuptonte” se kush ishin përgjegjësit e luftërave (“civile”) në Kroaci dhe Bosnjë dhe si duhej zgjidhur problemi. Fryma aktuale e ballkanizimit të BE-së ka filluar të marrë përmasa shqetësuese. Dhe kjo qasje, e cila gradualisht zuri vend që nga momenti i rënies Milosheviqit nga pushteti, ka bërë që sot të kemi në pushtet të gjithë protagonistët e politikës serbe të cilën ishin në pushtet gjatë periudhës së spastrimit etnik dhe vrasjeve masive në Kosovë 1998/1999. Ndërkohë, në emër të drejtësisë ndërkombëtare e gjithë klasa kosovare e luftës është ballafaquar dhe vazhdon të ballafaqohet me drejtësinë ndërkombëtare. Një të huaj që nuk e njeh mirë kontekstin e luftërave në ish-Jugosllavi, do të krijonte bindjen se jo Serbia, por Kosova paska qenë agresori dhe shkaktari i katër luftërave dhe krimeve më të papara që nga përfundimi i Luftës ës Dytë Botërore.

Në momentin aktual, e pakta do të duhej të bëhej, është rivendosej zona 5 km tokësore të sigurisë me Serbinë si masë e domosdoshme sigurie dhe preventiv operimeve ilegale ushtarake dhe paraushtarake serbe në afërsi të kufirit dhe çfarëdo përpjekje për operim brenda Kosovës. Dorën në zemër, për hyrjen e gjithë atij i armatimi modern serb në territorin e Kosovës dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Indikacione ka patur si nga pala kosovare ashtu edhe nga ekspert të huaj!

Realisht pas aktit të agresionit më 24 shtator Qeveria e Kosovës, përtej deklaratave mediale, duhet para normalizimit të raporteve me fqinjin verior, prioritet duhet ta vendos çështjen e anëtarësimet të Kosovës në NATO, madje edhe para anëtarësimit në BE-së. Si hap fillestar do të duhej kërkesa për përfshirjen e Kosovë në programin Partneritet për Paqe. Këtë linjë, pa eufori dhe pa pompozitet, Kosova duhet të rikalibroj politikën e saj të sigurisë, që do të duhej të shoqërohej edhe me ngritjen e gjithë infrastrukturës vetëmbrojtëse të Kosovës, në kohën kur opsioni i invazionit ushtarak serb kundër Kosovës mbetet rrezik permanent. Në këtë drejtim, vendin e veprimeve teatrale ndërmjet dy kryeministrave të Kosovës dhe Shqipërisë, të gjitha energjitë politiko-diplomatike duhet të kanalizohen për paraqitjen e provave dhe fakteve në forumet dhe organizatat ndërkombëtare dhe futjen e rastit të Banjskës si pjesë e gjitha raporteve periodikendërkombëtare.

Shqipëria, e cila është anëtare e shumë organizatave rajonale dhe ndërkombëtare, siç e tha edhe ish-ministri shqiptar Ditmri Bushati, do të duhej të angazhohej për miratimin e një rezolute në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe për emërimin e një raportuesi të pavarur lidhur me agresionin e fundit shtetëror serb kundër Kosovës. Në funskion të normalizimit dhe stabilitetit rajonal, Shqipëria do të duhej të adresonte kërkesën dhe vullnetin e Kosovës për anëtarësim në NATO, pasi ky hap do të evitonte çdo skenar serbo-rus për de stabilizimin e Ballkanit sipas modelit

Ngjashëm si Izraeli që përballet me kërcënimin permanent terrorist nga Hamasi dhe thirrjen për zhdukje nga faqja e dheut nga Irani, ashtu edhe shteti i Kosovës përballet me kërcënimin permanent të Serbisë dhe mohim të pranisë së shqiptarëve në Kosovë (parulla “Kosova është Serbi”, nënkupton një Kosovë të serbizuar dhe pa shqiptar). Në të dyja raste kemi të bëjmë një gjuhë agresive, racistë dhe luftarake, e cila minon paraprakisht çdo mundësi për pajtim apo ballafaqim kritik me të kaluarën kriminale.

Për më tepër, në 24 vitet e fundit, pavarësisht kush ka qenë në pushtet në Serbi, kultura e krimit ka mbetur e padënuar dhe në të njëjtën kohë ka patur një tendencë, fillimisht për krijimin e një lloj simetrie artificiale, sipas së cilës të gjithë jemi agresor dhe fajtor, dhe së fundi edhe luajtja e rolit të viktimës, gjë e cila u fuqizua pas operaconalizimit të punës së Gjykatës Specializuar në Hagë, e cila si asnjë gjykatë në botë drejtësinë e saj ta bëjë vetëm ndaj një përfaqësuesve të një etnie! Për më tepër, kulti i viktimës është bërë pjesë e pandashme e mentalitetit serb dhe ka zënë vend kyç në psikikën kombëtare serbe, prandaj sipas kësaj mendësie, thotë historiania serbe Latinka Perovic, “nuk pranohen krimet serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe ne Kosovë, pra krimet mbi boshnjaket dhe shqiptarët” gjatë luftës së fundit në vitet nëntëdhjetë. Kjo qasje dhe ky diskurs politik e lë të lirë regjimin pasardhës (Vuçiqit) që të ndjekë objektivat gjeopolitike serbe të papërfunduara, që pararendësit e tij nuk arritën t’i realizojnë, me gjithë kryerjen e krimeve çnjerëzore në masë. Kjo është arsyeja përse shteti agresor dhe përgjegjës për krimet e luftës i reziston ballafaqimit me të kaluarën dhe përpiqet që të kaluarën kriminale ta fusin në tepih. Ky diskurs u mundësua edhe për faktin se bashkësia ndërkombëtare u mjaftua me ndëshkimin ushtarak të Serbinë e Milosevicit më vitin 1999, por më pas ajo mbylli sytë ose u tregua indiferente ndaj doktrinës serbomadhe, e cila tani ka marrë forma të reja (“bota serbe”) herë herë në rënie, herë herë në ngritje, që provon të realizohet në forma dhe mjete të tjera, në varësi të rrethanave politike të brendshme dhe të jashtme.

Prandaj, neutraliteti ndërkombëtar që na shfaqet tani lidhur me rastin së Banjskën, i cili jo vetëm se nuk duhet parë si izoluar, por paraqet një agresion ndaj gjithë procesit të negociues të filluar në vitin 2011 dhe është një provë testuese për testuar seriozitetin e reagimit ndërkombëtar, është i dëmshëm jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin, si dhe zbeh kredibilitetin e BE-së në skenën ndërkombëtare. Tingëllon brutale, po është aktuale thënia e mbijetuesit të Holokaustrit, shkrimtari hebro-amerikan Eli Wiesel, “në kohë krizash neutraliteti është marrëzi”

Dhe krejt në fund, nëse një nga objektivat e Procesit të Berlinit është pajtimi i popujve të rajonit dhe ballafaqimi kritik me të kaluarën, atëherë pashmangshëm lind pyetja, çfarë ka qenë rezultati i kësaj nisme në këtë pikë? Nëse Banjska kalohet me kaq lehtësi, dhe nëse Bërnabiq merr guximin sa të tallet keq me evropianët, duke bojkotuar një fotografi të përbashkët shkaku i flamurit të Kosovës, atëherë shkëlqimi i Samitit të Tiranës do të shkrihet se vesa e mëngjesit.

Filed Under: Politike

Prof. Dr. Rifat Latifi në Akademinë Diplomatike të Vjenës: Objektivi im – rindërtimi i sistemit shëndetësor të Kosovës

October 18, 2023 by s p

Prof. Dr. Rifat Latifi ka mbajtur një ligjëratë në Akademinë Diplomatike të Vjenës, me temën: “Transformimi i Sistemit Shëndetësor në Vendet Pas Konfliktit”. Në këtë ligjëratë ai potencoi se “objektivi im ishte dhe është ende shumë i thjeshtë- rindërtimi i sistemit shëndetësor të Kosovës”.

Në ligjëratën e mbajtur në institucionin më kredibil në Evropë, në Shkollën për Studime Ndërkombëtare, apo siç njihet Akademia Diplomatike e Vjenës, Prof. Dr. Latifi trajtoi shumë çështje, duke theksuar se transformimi i sistemit shëndetësor në vendet në zhvillim dhe në ato pas-konfliktit është kompleks dhe multi-dimensional.

“Shumë faktorë janë përgjegjës për mungesën e transformimit. Ndër ta është korrupsioni i gjithëpërhapur, mungesa e vizionit politik, mungesa e ekspertizës dhe dijes solide dhe si të transformohet sistemi shëndetësor”, tha mes tjerash në ligjëratën e tij Dr. Latifi.

Po ashtu, ai trajtoi edhe faktorë të tjerë, duke e marrë Republikën e Kosovës si një shembull i vendit pas-konfliktit dhe atij në zhvillim e sipër.

Duke folur për ndikimin apo pasojat e konfliktit në sistemin e kujdesit shëndetësor, Dr. Latifi përmendi shkatërrimin e objekteve, ndërprerjen e shërbimeve shëndetësore dhe ikjen e trurit të profesionistëve shëndetësor.

Si themelues i Telemjekësisë, fillimisht në Kosovë mandej në Shqipëri dhe në Afrikë, ai përmendi edhe këtë faktor shumë të rëndësishëm, sidomos në kuptimin se si mundet telemjekësia dhe e-shëndeti të transformojnë kujdesin shëndetësor në vendet e tjera.

Kurse, sa i përket procesit të ndërtimit, Prof. Dr. Latifi veçoi ndërtimin e infrastrukturës, ndërtimin e rrjetit dhe komunikimit, të Telemjekësisë dhe të e-shëndetit, përderisa si shumë të domosdoshme ai përmendi edhe programin arsimor dhe krijimin e kapaciteteve njerëzore për të siguruar qëndrueshmërinë, bashkëpunimin rajonal dhe atë ndërkombëtar.

Prof. Dr. Rifat Latifi është Kryetar i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës; Kirurg i Përgjithshëm, Traumës dhe i Kujdesit Kirurgjik Kritik, në Abrazo West Campus, Goodyear (Phoenix), Arizona; Profesor i Kirurgjisë, Universiteti i Arizonës.

Ndërkaq, fjalë rasti në këtë event pati edhe Martina Schubert, zëvendësdrejtoreshë e Shkollës së Studimeve Ndërkombëtare të Vjenës, e cila falënderoi Dr. Latifin për prezencën në këtë institucion ndërkombëtar të diplomacisë, dhe për ligjëratën të cilën ajo e quajti “një mundësi e përkryer jo vetëm për institucionin diplomatik, por edhe për të pranishmit në auditorium, të pranishmit tjerë nga institucionet shtetërore të Austrisë, dhe po ashtu edhe për studentët prezentë”.

“Është një mundësi e mirë që tj’u informojmë për diçka që ju e dini, transformimi digjital është jo vetëm i nevojshëm, por i domosdoshëm për marrëdhëniet ndërkombëtare. Dhe për këtë arsye, ju informoj se Shkolla për Studime Ndërkombëtare e Vjenës ka vendosur që vitin e ardhshëm të filloj me programin dy-vjeçar Master për shkencë në lëminë “Marrëdhënie ndërkombëtare digjitale.

Prandaj, ne jemi të nderuar që ju kemi këtu, dhe jemi me ju Prof. Dr. Latifi, si ligjërues që do të ndani mendimin tuaj nga përvoja, sa i përket temës “Transformimi i Sistemit Shëndetësor në Vendet Pas-Konfliktit”.

Në këtë institucion Prof. Dr. Latifi u prit nga udhëheqësit kryesorë të Akademisë Diplomatike të Vjenës, si nga znj. Martina Schubert, zëvendësdrejtoreshë e Shkollës së Studimeve Ndërkombëtare të Vjenës, z. Andreas Minnich, deputet në Parlamentit Austriak dhe President, i Asociacionit për Miqësi të mirë Austriako-Kosovare: z. Gero Stuller, koordinator Ndërkombëtar i Politikave Shëndetësore dhe OBSH-së, dhe po ashtu përfaqësues nga Ministria Federale e Austrisë, Çështjeve Sociale, Shëndetësisë, Kujdesit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit; nga z. Johannes Zahrl, drejtor i Odës së Mjekëve të Austrisë, dhe nga profesionistë shëndetësor të Vjenës e më gjerë.

Ndërkohë, Prof. Dr. Latifi ishte i shoqëruar nga Prof. Dr. Lumnije Kqiku- Biblekaj, Traumatologe Dentare- në Universitetin e Stomatologjisë në Graz, dhe nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri z. Lulzim Pllana.

Filed Under: Opinion

Pasiguri

October 18, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Shumë njerëz janë më të interesuar për atë që nuk dinë sesa për atë që bëjnë. Nga përvoja, e panjohura duket e madhe: në algjebër, x përfaqëson të panjohurën, ndërsa në biznes, “të panjohurat” janë ngjarje ose rrethana që nuk mund të parashikohen. Pra, pasiguria është e vështirë për t’u përballur, ose “më i forti mbijeton”, thotë Darvini.

Studimet tregojnë se një intolerancë ndaj pasigurisë është shenjë dalluese e ankthit dhe panikut. Stresi i shkaktuar nga e panjohura ose pasiguria mund të ndikojë edhe në shëndet.

Por çfarë ndodh kur shqyrtojmë sferën e mjegullt të pasigurisë dhe fillojmë të rimendojmë se si t’i qasemi? Po sikur t’i shihnim ato frikëra të pafundme si mundësi të pafundme? Një studim i vitit 2015 synoi të reduktonte të menduarit deluzional tek pacientët, duke i mësuar ata të merrnin në konsideratë një numër më të madh të rezultateve të mundshme për një situatë të panjohur.

“Mendimi i mundësisë”, sot term gjithnjë e më i popullarizuar në shkollat e biznesit dhe të jetës, i referohet procesit të ndërtimit të një mendësie më të gjerë që mund t’i ndihmojë njerëzit të zbatojnë aftësi konkrete për një qëllim të caktuar.

Përtej përmirësimit të fleksibilitetit të trurit, edhe të mësuarit për t’iu qasur të panjohurës me kërshëri dhe jo me frikë mund të ndihmojë gjithashtu të ndihemi më mirë. Mund të kapemi pas frikës dhe të ngurtësojmë veten për çdo numër rezultatesh negative, ose mund të presim me durim dhe të kërkojmë shtigje të reja përpara, duke lejuar shpresën të na nxitë gjatë rrugës.

Na tërheq vetëm ajo që është misterioze, e pazbuluar dhe e mbuluar. Vetëm ajo që është e fshehur rrezaton magji që premton mundësi të patreguara.

Larg nga të qenit mallkim, pasiguria mund të jetë një burim shprese. Kjo do të thotë që gjërat që presim me padurim mund të mos jenë aq të mira sa duam të jenë, por gjithashtu do të thotë që gjërat nga të cilat kemi frikë mund të mos jenë aq të tmerrshme sa i imagjinojmë.

E gjithë jeta është se nuk mund të jesh i sigurt se çfarë do të ndodhë më pas. Ndonjëherë ajo që ndodh është e mirë, ndonjëherë jo, por gjithmonë ka surpriza.

E kundërta e sigurisë nuk është pasiguria, por kurioziteti dhe gatishmëria për të përqafuar të befasishmen, të papriturën, paradoksin, si të thuash.

“Synim do të bëhet më i qartë, do të shfaqet ngadalë por me siguri, aq sa drafti i përafërt kthehet në një skicë”, thoshte Vincent van Gogh.

Të mos dish do të thotë të mësosh, të ndryshosh, të marrësh momentin dhe të bësh më të mirën prej tij, pa e ditur se çfarë do të ndodhë më pas.

Hero është dikush që ecën vullnetarisht në të panjohurën, thotë një moto e njerëzve të sukseshëm. Në fakt, është etikë mjaft e mirë për jetën. Nuk dihet se çfarë qëndron pas kthesës, por beso se më e mira është.

Filed Under: Kulture

Llixhat e Elbasanit, një perlë e harruar dhe kujtesë për pushtetarët

October 18, 2023 by s p

Resmi Corbaxhi/

Sapo lame Elbasanin dhe hymë ne rrugën e Cerrikut na bëjnë përshtypje ndërtimet e shumta në të dy anët e rrugës. Para syve tanë shfaqet begatia e vjeshtës, e cila vec ngjyrave të preferuara sjell dhe nje shumëllojshmëri prodhimesh frutore dhe bujqësore. Rrushi i verdhë qelibar e kokërrmadh të shkel syrin, po ashtu fiku i bardhë dhe i zi, molla dhe dardha vjeshtake, pa harruar as shegën e as hurmën qe ka filluar te zverdhet.

– Kemi edhe shume?

Pasagjeri që ndodhej në krah e kuptoi që nuk kisha qenë ndonjëherë në ato anë.

– Pothuajse mbrritëm – u pergjegj ai duke me pyetur: – Nuk keni qenë më pare? -Para 30 vitesh, gruaja vunta nga reumatizma.

– Edhe pak dhe mbrritëm.

Era e ujrave terminale e mbylli bisedën tone si për të na njoftuar që kishim hyrë ne zonën e Llixhave. Vend i gjelbëruar kodra të lidhura njera me tjetrën, dhe mes tyre hotele të shumta njeri më i mire se tjetri. Mes këtij vendi të bekuar hotelet kurative konkurojne njeri tjetrin. Rreth njëqind vjet më pare studimi i bërë nga mjeku cek Ing Dr Benno Wintere nën kujdesin personal të mbretit Zog tregoi se përmbajtja kimike e ujrave termale ishin ndihmuese për shërimin e shumë sëmundjeve të ndryshme sidomos atyre reumatizmale. Në vitin 1932 Grigor Nosi ndërtoi hotelin e pare te quajtur park-llixha “Nosi”. Shoferi, një banor nga Tregani na tregon qe Llixhat ndodhen nē palcën e 35 hektarëve të gjelbëruar ku zotëron më tepër pisha e kultivuar. Para nesh shfaqet hoteli “Nosi” ndërtuar afërsisht 100 vjet më pare, fatkeqësisht tani jashtë funksionit, por me një arkitekturë interesante, e cila. i reziston ende kohës. Më pas para nesh parakalojnë emrat e hoteleve te tjera si “Alfa”, “Jance” “Ylli”, “Miqesia”, “Boci”… Të gjithe janë rreth e rrotull zones së gjelbëruar. Kemi prenontuar ne hotel “Puka”. Që në hyrje të imponohet respekti. Shesh I pastër, lule të shumta, trëndafilë shumë ngjyrash që megjithëse vjeshtë ende ruajne freskinë. Pemë të shumtë dekorative, stola e tavolina për pushuesit. Mbi të gjitha nje personel mikpritës. Nuk e kisha menduar që edhe ne Shqipëri të kishte standarte që u përshateshin atyre europiane. I tregova në telefon mikut tim që më kishte rekomanduar këtë hotel ku ndodhesha. Një histori e trishtë dhe e dhimbshme.kur u njoha me cfarë kishte ndodhur. Ajo godinë me standarte europiane per pak do te kishte pasur të njëjtin fat si “Prestige Resort”..Megjithëse me dokumenta të rregullta, gjatë ndërtimit të hotelit njerëz të papërgjegjshëm mbështjellë me petkun e pushtetarit mbrritën aty për të prishur godinën pothuajse të përfunduar. Kur e pyetëm pronarin e saj se cfarë kishte ndodhur, ai përgjigjet shkurt: – Le tia lemë të shkuarës, me gjithë dëmin moral që krijuan njerëz te vegjël me smirë dhe xhelozi. Gjatë bisedës me të na bëri përshtypje një fakt tjetër. Nuk pranon elozhe, komplimente por shton se e ndihmoj më atë dhe stafin e tij nqs i them në sy atë ku calon puna e tyre.

I them që janë nga më të mirët por ai nuk e pranon.

– Ka edhe të tjerë, nuk jemi vetëm ne në Llixha.Nuk jemi të rënë nga qielli.Kemi edhe ne kusuret tona. Isha nisur me mendimin t’a falenderoja por fjalët e tij nuk lane hapësirën e duhur.

Për ne.befasi ishte edhe guzhina, ku vec tavës tradicionale elbasanase, provuam shumllojshmëri gatimesh të trevës. Të gjitha të shijshme dhe me prodhime vendi. Ishte dëshira e gjithë frkuentuesve të ujrave termale të testonin prodhimet vendase jo vetëm i gatesës nëpër hotele por e jashtë ambienteve të tyre. Dëshmi për këtë ishte tregu i perimeve nëse mund ta quajmë kështu pasi shitej kudo në cdo rrugë që të lidhte me hotetet.Gjeje rrushin e bardhë dhe të zi, fikun, mollën, arrën dhe cdo gjë tjetër që prodhohej në zonën e Lixhave. Nuk mungonte as era e misrit të pjekur, që të ngacmonte nuhatjen dhe nuk mund të rrije pa e provuar atë. Fatkeqësisht mungon një informacion dhe guide për kulinarinë e zones. Një obsion i harruar për zhvillimin e turizmit në këtë zone.

Në hotel banjot bëheshin nën kontrollin e mjekut ndërsa shërbimi shëndetsor nuk mungonte për 24 orë. Gjithcka brenda standarteve shendetsore. Vec ndjeje keqardhje për atë që po ju tregojmë tani. Jo shume larg këtij hoteli ndodhet edhe përroi ku ende ekziston një burim ujrash termale si relike e kohës së diktaturës. Një cadër e ngritur aty ofron shërbimi për njerëz të varfër. Mungojnë si kushtet sanitare ashtu edhe ato higjenike. Për mjek a infermier as që bëhet fjale.Qendrimi dhjetë minuta ne ujrat termale kushton më pak se njeqind lekë të reja. Vijne ata që nuk kanë mundesi të qëndrojnë në hotele.Nuk kanë pretendime për kushtet. I afrohemi një gruaje.

– Përse vini këtu?

– Ku të shkoj? Atje – tregon me kokë – nje hotel- s’ma mbam xhepi. Vij cdo dite nga Elbasani me urban, dymijë lekë të vjetra vajtje ardhje. Vij këtu kur më mbetet ndonjë lekë. Më dhembin këmbët, e kur përdor llixhat, ndihem më mire. Na u kujtua dhe gjesti i Todi Pukës, pronarit të hotel ‘Puka”. Hera herës sheh njerëz qe nuk kanë mundësi ekonomike por gjejne përkrahjen e tij, duke qëndruar falas në hotel.Por këtë fat nuk e kanë të gjithë. Le të kthehemi përsëri në bisedën me gruan në pellgun e mbetur nga llixhat e kohës së diktaturës.

– Nuk ke frikë, këtu ska as doctor?

– Si ta ketë shkruajtur Zoti, kur kujtoj sa më dhembin kockat i harroj te gjitha. Për të ardhur keq që në mes investimesh kaq serioze e të domosdoshme ende gjenden gjurmë – deshmi të së kaluarës.që dhembin, Përroi mbetet edhe një burim papastertie, dhe vend ku derdhen mbeturinat që bëhen burim epidemie gjatë verës. Është e vertetë që ekziston një rrugë e shtruar buzë përroit nga qendra deri në hotelin e vjetër “Nosi”, por është po aq e vërtetë frika ekzistuese e pushuesve nga mbeturinat, papastërtitë dhe era mbytëse e ndonjë kafshe të ngordhur. Mbrëmjeve mungesa e dritave e bën të pamundur qarkullimin në këtë segment. Në qendër ka edhe nje treg i lënë ne mëshirë te fatit. Megjithëse pronarët përpiqen të shërbejnë për pushuesit në mënyrë te kulturuar, paguajnë taksat, kujdesi i Bashkisë e anashkalon dhe le ne mëshirë të fatitkujdesin ndaj tyre dhe mjedisit ku ata shërbejne. Sa here që ka shira të rrembyeshëm gjithë mbeturinat mblidhen në qendër, duke harruar që këtë perle të harruar e vizitojne jo vetem shqiptaret por edhe shtetas të huaj. Dikur kjo qendër ishte rrethuar me lulishte ku mbizotëronin lulet shumëngjyrëshe. Shkëlqente nga pastërtia. Edhe kuajt kishin mbrojtëse për të mos lëshuar mbeturinat nëpër gjithë rrugët e llixhave. Në të kundërtën gjobiteshe. Po sot? Nuk duam të shtojmë më tepër nga sa shkruam më lart. Fatkeqësi të lesh nje bukuri të tillë në ketë gjendje kur ke taksapagues të fuqishem. Po ku shkojnë taksat e tyre?! Nuk ka transparence si menaxhohen ato. Pushtetarët gjatë këtyre dekadave harrojnë që investimet duhet të fillojnë pikërisht në shërbimet e qendrave kurative.Përmirësimi i rrugëve shihet si alternativa më e mire për pushuesit. Pronarët e hoteleve shpesh here janë të detyruar me shpenzimet e tyre të shtrojnë rrugët që lidhëse me rrugën kryesore megjithëse janë taksapaguesit më të mëdhenj. Gjithcka i êshtë lënë spontanitetit. Nuk ka një guide turistike për këtë perle vetëm dhjetë kilometra larg Elbasanit dhe më pak se një orë e gjysëm larg Tiranës. LLixhat te vendosura në qendër te afro tre mijë hektarëve të gjelberuar janë interesante per florën dhe faunën që e rrethojnë. Aq më tepër kushtet aktuale te qendrës dhe zonës rreth tyre lenë shumë për të dëshiruar, dhe një shijë jo të mire për frekuentuesit e huaj të ujrave terminale. Për më tepër pasi Llixhat janë i vetmi vend ku mblidhen shqiptarë nga të gjitha trevat. Mjafton të shikosh targat e makinave në parkimin e hotel “Puka” të bindesh për këtë. Makina nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Danimarka, Zvicra, Gjermania, Greqia, flasin për origjinën e frekuentuesve. Gani Mulliqi nga Vushtrica e Kosovës ka ardhur me nënën e vet.

– Ka edhe vende të tjera, por nana këtu ndihet mire. Është viti i gjashtë që vijmë dhe ndihemi si në shtëpinë tone. Ka edhe autobuz për në Prishtinë.

Të njëjtën gjë na thotë edhe Raufi, një shqiptar që jeton në Filandë.

– Verën e kalojmë në shtëpinë tone në Gostivar,, por nuk harrojmë të planifikojmë një dhjetë ditor këtu në Llixhat e Elbasanit. Është bukur, gjelbërim, por dëshironim që të ishte kështu edhe jashtë hotelit….. Qëndron pak dhe shton: – Nejse, jemi mirë është shumë bukur. Një bashkim të tillë shqiptarësh e gjen vetëm në LLixhat e Elbasanit….

Mbrëmja zbret ngadalë dhe bashkë me të edhe freskia aq e dëshiruar pas një dite të nxehtë. Dritat dhe zbukurimet e gjithe hoteleve krijojnë një bukuri të vërtetë magjepse. Sheshi para hotelit është mbushur plot. Njerëz të njohur dhe të panjohur përshëndeten, bëjnë foto së bashku, shkëmbejnë adresat, numurat e telefonave, dhe presin ritualin e përnatshëm, këngët dhe valletnga gjithë trevat shqiptare. Disa prej tyre largohen dhe të tjere janë të mirëpritur ditën e nesërme.

– Na mungojnë shqiptarët e Malit të Zi. Nuk di cfarë ndodh, mungese informacioni, e ndonje guide, por jam shume i bindur që edhe ata do të jenë një ditë këtu – shton Noldi administrator i hotelit duke tërhequr Ganiun në vallen e Rugovës. Ndërsa jane caste të gëzueshme na tërhoqi vëmendjen ndihmes mjeku Durim Vrapi. E dalluam nga bluza e bardhë. U ndal në tavolinën përballë nesh. Veshi na kapi copëza të shkëputura bisede me një të moshuar. Nje natë më parë ka shpenzuar orë të tëra pranë saj dhe kujdesi nuk mungon as aty ku njerëzit argëtohen. Mbi të gjitha shqiptarët njohin njeri tjetrin, shkëmbejne përvojën e njeri tjetrit dhe të gjithë mendojnë; Sa e madhe është Shqipëria/ Oh sa mire me ken shqyptar.. Dhe te gjitha këto I gjen ne Llixhat e Elbasanit, një perlë e mrekullueshme në afërsi të Elbasanit. Qendra curative me ujra termale, me një klimë ku rrallë temperaturat zbresin ne minus, është bërë tërheqëse për gjithë shqiptarët dhe e harruar për pushtetarët që kujtohen vetëm të vjelin taksat e tyre.

Photo by: https://agroweb.org/…/afer…/ujerat-termale-elbasanit/

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT