• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2023

Kongresi i Manastirit, si nisi udha e mundimshme e alfabetit shqip, pengimet dhe prapaskenat

November 14, 2023 by s p

Albert Vataj/

Shqipja ishte në portat e mëdyshjeve dhe dilemave të mëdha. Shoqëri dhe grupime intelektualësh vullnetmirë kishin endur me përkushtim dhe përgjegjësi patriotike germat e shqipshkrimit. Sekush po rrekej të shkruante këtë gjuhë të të parëve, por pa mundur të rroki gjithë shqiptarët në këtë ligjërim dijetues. Fati i shqipes dhe këndimit shqip, i kombit dhe historisë tij duhet me doemos të tubohej në një kuvend zemrash të flakëruara për arbër. Dhe ishte ai, Kongresi i Manastirit, ose i ashtuajturi Kongresi i Alfabetit, njaj kuvend, ishin njata burra fort të dishëm por ma fort të kurajshëm që do të merrnin mbi vete barrën e rëndë të mëvetësimit të gjuhës, si paraprijës së Shqipërisë së mosvarme. Ky Kongres ishte dhe mbeti një prej akteve me rëndësi historike për ardhmërinë e kombit shqiptar, për rivlerësimin e të drejtës së vetvendosjes për legjitimimin e hyjnores, gjuhës shqipe. Bota, por jo më pak edhe shqiptarët e përpirë nga murtaja osmane, duhet të përballeshin mbi këtë akt të pashembullt të nismëtarisë së fateve të kombit, që zëfillin prejnga dija.

Ardhja e Kongresit në një vendim dakordësues për njësimin e shkronjave, për krijimin e alfabetit, nuk ishte dhe aq sfidë e lehtë. Që t’i jepej fund kaosit të alfabeteve që përdoreshin si nga shqiptarët ashtu edhe nga albanologët e huaj, Klubi i Manastirit “BASHKIMI” e mori mbi vete të organizojë një Kongres kombëtar, do të thosha një parlament gjithëshqiptar. Në Kongresin e Manastirit që u mbajt prej 14-22 nëntor 1908 nuk u morën vetëm qëndrimet për shkronjat shqipe, por u bisedua për një program operativ për t’i realizuar kërkesat shekullore të shqiptarëve. Dhe kështu gjatë ditëve të Kongresit u hartuan kërkesat në 18 pika dhe u autorizua Shahin Kolonja që t’i dërgojë për realizim te deputetët shqiptarë në Stamboll.

Vendimi me te cilin doli Kongresi i manastirit per alfabetin shqip

Armiqët e shqiptarëve, qoftë të bredshmit apo të jashtmit, me të dëgjuar se po përgatitet të mbahet një Kongres, menjëherë morën inisiativa për ta ndalur atë. Sipas disa burimeve nga shtypi i kohës, kuptojmë për lajmërimin e qeverisë turke që të mos japë leje për përdorimin e germave latine dhe për hapjen e shkollave shqipe. Sipas një dokumenti nga arkivi i J. Jovanoviqit kuptojmë se si përgjigjet qeveria turke ku thuhet: “Problemi i hapjes të shkollave shqipe është çështje që duhet të diskutohet në parlament, e sa u përket germave ajo është çështje e shtypshkronjave”.

Patriotët shqiptarë punuan në këtë drejtim me një mjeshtri shumë të madhe. Nëpërmjet Kongresit u trajtuan dy anë të të njëjtit qëllim që kishte karakter politiko-shoqëror, ngase nëpërmjet shkronjave shqipe mori hov të madh përhapja e arsimit si dhe lëvizja kombëtare në përgjithësi.

Jehona e mbajtjes së Kongresit mori përmasa të gjëra ashtu siç njofton prof. Kristaq Prifti, jo vetën në tokat shqiptare, por edhe jashtë. Për këtë Kongres shkruan gazetat frënge, italiane, zvicerane etj. “se shqiptarët do të mblidheshin në Kongres për qëllime politike ose kishin ndërmend të diskutonin çështjen e pavarësisë, se Kongresi mund të shndërrohej në një bashkim politik”.

Nga 14 deri më 22 nëntor 1908 u mblodh Kongresi i Manastirit për të vendosur për problemin e ndërlikuar të alfabetit shqip. Ky tubim u organizua nga shoqëria “Bashkimi” dhe u propagandua nga Mid’hat bej Frashëri, i cili e drejtoi këtë mbledhje, ku morën pjesë delegatë të të gjitha besimeve nga mbarë Shqipëria dhe kolonitë shqiptare jashtë. Ai në revistën e tij “Lirija”, ndër të tjera shkruan “… ardhi një ditë e pëlqyerë për istorinë tonë, që të nisim liruar’ e papengim të punojmë për mbrodhësin’ e lumtërin’ e kombit tonë, jo me barut edhe me armë, po me kartë e pëndë, andaj kjo çështje e Abecesë lipsetë të jetë fillim, që pa atë nuku do mundim të harijmë qëllimetë tona të lartëra për mbrodhësi të gjuhësë.”

Ndër pjesëmarrësit e shquar qenë atë Gjergj Fishta, dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Luigj Gurakuqi dhe Hilë Mosi nga Shkodra; Shahin bej Kolonja dhe Petro Nini Luarasi nga Kolonja; Thoma Abrami nga Korça; Sotir Peci nga Bostoni, dhe Bajo Topulli e familja Qiriazi nga Manastiri.

Kongresi zgjodhi një komision prej njëmbëdhjetë anëtarësh nën kryesinë e Atë Gjergj Fishtës për të studiuar problemin e alfabetit e për të dalë me propozime. U arrit menjëherë në mendimin e përbashkët që alfabeti t’i shërbente kryesisht forcimit të unitetit kombëtar. Nismëtar i kësaj fryme qe françeskani Atë Fishta i cili shpjegoi se sido që ishte i dërguar prej shoqërisë Bashkimi, s’ ishte aty thjeshtë për të mbrojtur abece-në, por për të gjetur një rrugë që çonte në bashkimin e përgjithshëm.

Tre alfabetet kryesorë që u morën në shqyrtim qenë: alfabeti i shoqërisë letrare Agimi të Shkodrës i propozuar nga dom Ndre Mjeda; alfabeti i shoqërisë letrare Bashkimi të Shkodrës, i hartuar nga imzot Prenkë Doçi dhe alfabeti i Stambollit, i hartuar nga Sami bej Frashëri. Toskët ishin më fort për alfabetin tradicional të Stambollit, kurse gegët zakonisht pëlqenin alfabetin e Bashkimit, i cili ishte më praktik për botimet, sepse nuk kishte shkronja jolatine.

U shqyrtuan gjithashtu edhe dy alfabete të tjerë, alfabeti grek i përdorur nga Kostandin Kristoforidhi, dhe alfabeti arab, të cilin shumë myslimanë të devotshëm, sidomos në Maqedoni e Kosovë, vazhduan ta shohin si të vetmen zgjidhje edhe për shumë kohë pas Kongresit. Komisioni vendosi të pranojë variantet e modifikuara të alfabeteve të Bashkimit e të Stambollit.

Të dy mund të përdoreshin në shkolla e në botime. Pranimi nga të gjithë i vendimit të komisionit do të donte ende shumë kohë, por, me vendimin për të mbështetur një zgjidhje kompromisi, kongresi shtroi rrugën për kalimin shkallë-shkallë nga alfabeti i respektuar i Stambollit, te alfabeti i tanishëm i shqipes i bazuar në shkronja latine, duke mënjanuar kështu polemika e kundërshtime e duke hedhur bazat për formimin e gjuhës letrare shqipe.

Më 22 Nëntor 1908 përfundon punimet Kongresi i Manastirit, vendimi me i rëndësishëm i të cilit ishte miratimi i alfabetit të njësuar të gjuhës shqipe – prandaj shpesh quhet edhe Kongresi i Alfabetit. Por ky kongres, kishte në plan edhe çështje të tjera të arsimit. Historianët përmendin një takim të fshehtë mes delegatëve, që u zhvillua në një nga dhomat e ndërtesës ku mbahej kongresi. Është fjala për një propozim që Shahin Kolonja kishte përgatitur për t’a paraqitur në parlamentin osman. Sipas këtij propozimi, mësimet në të gjitha shkollat duhej të zhvilloheshin në gjuhën shqipe, ndërsa turqishtja si gjuhë e perandorisë duhej të hynte në këto shkolla vetëm pas klasës së katërt fillore. Shkollat, si edhe më parë, duhej të financoheshin nga shteti (në prag të kongresit të Manastirit, në trojet shqiptare funksiononin vetëm 15 shkolla). Në propozim, hidhej edhe ideja e krijimit të shkollave të larta. Në buxhetin e perandorisë duhej të caktohej një fond vjetor për arsimimin e studentëve shqiptarë në Evropë ose Amerikë, ku ata të përgatiteshin për të dhënë mësime në universitetet shqiptare. Për të shmangur ndërhyrjen e Italisë, Greqisë a Austrisë në këto çështje, në mbledhjen e fshehtë në Manastir u propozua që priftërinjtë katolikë e ortodoksë të paguheshin nga shteti osman. Ky ishte një projekt i guximshëm, ndikuar edhe nga entuziazmi që rilindësit provonin në prag të Kongresit Manastirit. Propozimi, që sot pasqyron vizionin e atdhetarëve të asaj kohe për arsimin, kurrë nuk u paraqit për diskutim në parlamentin osman. Ai mbeti brenda dyerve të mbyllura, ndoshta në pritje të kushteve kombëtare kur ideja për pavarësi të ishte e mirëpritur, ashtu si u deshën disa vite derisa alfabeti i miratuar në Manastir të pranohej pa kundërshtime nga të gjithë në mbarë trojet shqiptare. Në gjithë këtë zhvillim, një veçori vihet re, se në një kohë kur shqiptarët të përçarë e pa një shtet të vetin, arritën brenda pak ditësh të binin dakord mbi një vendim kaq monumental, siç është Alfabeti.

Prof. dr. Avzi MUSTAFA, në një material studimor rreth këtij eventi historik ndër të tjera shkruan: Xhonturqit dhe aleatët e tyre nëpërmjet disa deputetëve tradhtarë dhe disa feudalëve dhe fanatikëve fetarë përsëri e shtruan problemin e çështjes së alfabetit në Parlamentin e Turqisë. Këta dolën me tezën se popullsia myslimane “gjoja ka qenë dhe janë për alfabetin turko-arab, i cili njëherazi është dhe alfabet i Kur’ anit, kurse alfabeti latin e prish fenë myslimane dhe se me te nuk shkohej në Qabe”. Kështu xhonturqit nuk lanë gurë pa lëvizur për të sjellë huti e përçarje te shqiptarët nëpërmjet të propagandës antikongresiane dhe antishqiptare. Ata i arritën qëllimin që më 23 korrik 1909 përgatitën dhe organizuan Kongresin e Dibrës ku dolën me tezën se “në këtë Kongres u mor vendimi që ky të lihej në pëlqimin e vetë popullatës së çdo krahine”.

Për ta justifikuar këtë mendim luanin në kartën e fesë, se shqiptarët e besimit mysliman janë kundër alfabetit latin. Në këtë kohë dallkaukët e kishin vënë në shënjestër pjesëmarrësin me të drejtë vote në Kongres, delegatin nga klubi i Shkupit, Emin Beun se gjoja i ka tradhtuar parimet myslimane dhe Perandorinë Osmane. Pas disa kërcënimeve nga turkofilët, Emin beu kishte deklaruar haptazi se në “Kongres nuk erdhi në shprehje asnjë alfabet turko-arab, diskutimet ishin vetëm rreth shkronjave që i paraqesin më së miri tingujt e gjuhës shqipe. Edhe shqiptarët kanë të drejtën e tyre të shkruajnë si të duan ashtu siç kanë serbet, grekët, bullgarët etj”.

Kjo deklaratë, si dhe mllefi i akumuluar i merimangave turke në Shkup, nëpërmjet të një shoqërie që mbante emrin “shoqata për të shkruar gjuhën shqipe me germa osmane”, organizuan një mbledhje, të cilën e quajtën “Kongres” për të cilin shumë pak dihet, për arsye se nuk bëri jehonë në masat e gjëra, sepse ky ishte vetëm një mendim ose kërkesë e një deputeti nga Shkupi Seid Efendisë, duke trumbetuar se myslimanëve me Kur’an u është ndaluar të shkruajnë nga e majta në të djathtë.

Shqiptarët e Shkupit, pasi i dëgjuan këto marifetllëqe, u prononcuan me një artikull “Nga një zemër shqiptare”. Në të thuhej: “Dje u mbajt këtu një kongres prej ca nga të parët e vendit, të cilët vendosën ta përdorin alfabetin me shkronja arapçe për shkollat e Shqipërisë… Atë alfabet që vendosën të përdorin këta zotrërinj, le ta mbajnë për vetën e tyre, asnjeri s’e njeh, as do ta njohë, s’e di, as do ta dijë. Shqipërija e tërë ngrihet në këmbë për me thanë: Turp i math për këta njerëz! ( Po themi njerëz për mos me thënë ndryshe!)”.

Propagandat e ndryshme, si nga xhonturqit ashtu edhe nga fanatikët e klerit fetar, nuk kishin të ndalur. Ata filluan të agjitonin me të madhe pa zgjedhur mjete, duke organizuar peticione, mbledhje e mitingje për t’i dërguar kryeministrit të Perandorisë Osmane që shqipja të shkruhej me germa turko-arabe. Edhe pse ministri i arsimit turk, më 6 shkurt 1325 sipas Hixhrës lajmëron se qeveria turke ndaj alfabetit të arnautëve mbetet neutrale.

Sikur nuk donin të kuptonin se çështja e alfabetit kishte marrë fund pikërisht në Manastir. Ata përsëri thirreshin në nenin e 16-të të Kushtetutës Turke se gjuhë zyrtare është turqishtja dhe se përdorimi i gjuhës shqipe rreptësishtë ndalohej. Këtë e shohim nga deklarata e kryeministrit turk Ibrahim Hakki Pashai që pa droje pat deklaruar: “Se çështja e alfabetit shqiptar ka karakter politik dhe kombëtar dhe qeveria nuk do të lejojë të ndahet Shqipëria nga shteti Osman”.

Që ta bindin qeverinë turke, shumë gazetarë të paguar shkruanin se gjoja tek arnautët myslimanë dominon një pakënaqësi dhe urrejtje e madhe ndaj germave ” të kaurëve”. Dhe, në shumë qytete, si në Kaçanik, Shkup, Pejë Janinë, Shkodër si dhe në vetë Manastirin dominon një pakënaqësi. Ata e mashtronin qeverinë turke dhe opinionin botëror se gjoja në Kaçanik është organizuar një miting kundër shkronjave latine dhe se është sjellë një rezolutë se “germat latine janë në kundërshtim me Sheriatin dhe se banorët e kësaj ane kërkojnë që të mbyllen të gjitha shkollat në gjuhën shqipe dhe të ndalohen librat të shkruara me alfabetin latin”.

Gjithashtu në Gjilan shkruanin se gjoja janë djegur orenditë shkollore dhe se janë rrahur dy mësues pse kanë përdorur shkronjat latine. Nga të gjitha vendbanimet shqiptare gazetat turke informonin se gjoja dëshpërimi është shumë i madh te banorët shqiptarë me fe myslimane.

Ndërkohë simpatizuesit e shkronjave turko-arabe nga klubi i Ak-Sarajit “Mahfel” dërguan njëfarë Arif Hiqmeti nga fshati Llojan i Kumanovës ta studiojë gjendjen dhe të kontaktojë me Rexhep Vokën për të krijuar një abetare me shkronja turqisht dhe nëpërmjet të Xhemijetit ta shpërndajë atë nëpër shkollat shqipe .

Derisa po zhvillohej një luftë rreth këtij problemi, patriotët shqiptarë filluan pa leje që të hapin shkolla në gjuhën shqipe jo vetëm nëpër qytete, por edhe në mjaft fshatra. Dhe, kështu, u çelen shkolla në viset e Korçës, Elbasanit, Beratit, Manastirit, Janinës, Prishtinës, Shkupit etj.

Çështja e alfabetit dhe shkollës shqipe sipas vendimeve dhe veprimeve që ndërmerrte qeveria dhe shërbëtorët e tyre po bëhej serioze. Ato vepronin jo vetëm me propagandë, por edhe me metoda shtypëse për ndalimin e alfabetit shqip. Kësaj propagande antishqiptare iu bashkëngjit edhe kisha ortodokse edhe pse nuk i interesonte drejtpërsëdrejti alfabeti turko-arab, por dëshironte që nëpërmjet të kësaj kishe t’i përçante shqiptarët. Kësaj propagande iu bashkëngjitën edhe austriakët dhe italianët. Por, populli shqiptar pa dallim feje e kishte kuptuar fare mirë qëllimin se ç’kërkonin turqit e të tjerët. Por, populli, nuk qëndronte duarkryq.

I tërë populli u orientua në mbrojtje pa dallime fetare e krahinore. Të parët që i dhanë forcë vendimeve të Kongresit ishin nxënësit e Idadijes së Korçës, më pastaj ish-nxënësit e shkollës së Janinës, Manastirit, kurse nxënësit e Elbasanit e braktisën tërë shkollën dhe bashkë me popullin ku protestuan mbi 7000 veta. Drejtori i Idadijes së Shkupit pse e ndërroi qëndrimin, e pushuan nga puna. Në Berat e ndoqën shembullin e elbasanasve dhe dolën për t’i mbrojtur vendimet e Kongresit mbi 15.000 veta.

Nuk ngeli pa jehonë edhe Kongresi i Manastirit edhe nga shumë intelektualë që në mënyrë individuale e mbronin ABC-në shqipe. Kështu ndodhi në rrojtoren e kasabës së Kërçovës ku Rexhep Fasku iu hodhi shkumën e sapunit në sy berberit turkofil duke i thanë se “harfat shqipe do t’i shkruajë në ballë se ne jemi shqiptarë”.

Këto veprime patriotike të nxënësve si dhe të shumë patriotëve qartë i treguan pushtetit osman dëshirën e zjarrtë të popullit shqiptar për gjuhën dhe shkollën shqipe. Pas kësaj dëshire nuk qëndronin vetëm nxënësit, patriotët, intelektualët, por tërë populli shqiptar pa dallim feje. Me veprimet e tyre qartë treguan se mbrojtja alfabetit dhe gjuhës shqipe me të vërtetë shënon një faqe të lavdishme të historisë sonë dhe është një mësim i qëndresës në momente vendimtare.

Cilët ishin delegatët e Kongresit te Manastirit që janë edhe në foto?

Pjesëmarrësit po i radhitim, ashtu siç paraqiten në fotografi duke shënuar dhe klubin, shoqërinë apo qytetin që përfaqësonte: Rreshti i parë (nga lart-poshtë majtas): Sami Pojani (delegat i Korçës), Zenel Glina(i Leskovikut), Leonidha Naçi (i Vlorës), Simon Shuteriqi (i Elbasanit), Dhimitër Bruda (i Elbasanit), Azis Starova (i Starovës),Adham Shkaba (i Sofjes), Mati Logoreci (I Shoqërisë “Agimi”). Rreshti i dytë”: Rrok Berisha Gjakova (I Shkupit), Bajo Topulli (i Gjirokastrës), Grigor Gilka (i Korçës), Sotir Peci (i Amerikës dhe i Bukureshtit), Shefqet Frashëri(i Korçës), Luigj Gurakuqi (i Shkodrës), Shahin Kolonja (i Kolonjës), Ahil Eftim Korça (i Konstancës), Hil Mosi (i Shkodrës). Rreshti i tretë: Nyzhet Vrioni (i Beratit), Dhimitër Mole (i Filibesë-Bullgari), Gjergj Qiriazi (i Manastirit), At Gjergj Fishta (I Shoqërisë “Bashkimi”), Midhat Frashëri (I Klubit të Selenikut dhe Janinës), Don Nikollë Kaçori (i Durrësit), Don Ndre Mjeda (I Shoqërisë “Agimi”), Fehim Zavalani (i Manastirit). Rreshti i katërt: Refik Toptani (i Tiranës), Çerçiz Topulli, Mihal Grameno (i Korçës), anash dy patriotë jo delegatë.Nga Mihal Gramenoja, në kujtimet e tij, përmenden si pjesëmarrës, por që mungojnë në këtë fotografi: Parashqevi Qiriazi (delegate e Shkollës së Çupave Korçë), Havez Ibrahimi dhe Emin Beu (të Shkupit), Rauf Beu (i Gjirokastrës) dhe Selahedin Beu (i Manastirit).

May be an image of 2 people and text

Filed Under: Histori

Fitore dhe humbje

November 14, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Tani që Shqipëria në futboll është kryesuese në grup, a mos ka ardhur koha të bëhet edhe kampione e Evropës? Si Greqia dikur që i befasoi të gjithë dhe mori kupën. Jeta është lojë; me fitues dhe humbës, në periudha të ndryshme. Në fund të fundit, edhe skuadrat me yje kanë ditët e tyre të humbjeve.

E bukura e fitores dhe humbjes, megjithatë, është se të dyja paraqesin mundësi për të mësuar dhe për t’u rritur. Kur humbasim, na jepet mundësia të njohim dhe adresojmë dobësitë tona. Dhe kur fitojmë, mund ta përmbajmë gëzimi për të ndjerë ndjeshmëri për palën kundërshtare, sepse e dimë se sa dërrmuese mund të jetë ajo humbje.

Pavarësisht nëse e gjejmë veten në një garë miqësore, ia vlen të tregohemi të mëshirshëm kur fitojmë, të përmbahemi nga tundimi për të gëzuar ose për t’i përbuzur kundërshtarët. Ne mund të shkojmë një hap më tej duke i falënderuar ata që na sfiduan dhe investuan kaq shumë kohë dhe energji në garên kundër nesh. Të fitosh nënkupton edhe dhënien e meritave për ata që na kanë bërë të mundur fitoren. Ajo që shkon rrotull vjen me të vërtetë dhe shpresa është që kur e gjejmë veten në një vend të keq, të tjerët do të na ofrojnë hirin dhe inkurajimin e tyre gjithashtu.

Në fund të fundit, ndikimi që lë tek një person tjetër ka të ngjarë të jetë më i madh se çdo trofe e fituar.

Të fitosh është e mrekullueshme, sigurisht, por nëse vërtet do të bësh diçka në jetë, sekreti është të mësosh se si të humbasësh. Askush nuk mbetet i pamposhtur gjatë gjithë kohës.

Ne luajmë një sport. Është një lojë. Në fund të fundit, kjo është gjithçka. Nuk të bën më të mirë apo më keq se kushdo tjetër. Pra, duke fituar një lojë, nuk jem më mirë. Duke humbur një lojë, nuk jemi më keq. Duke mbajtur këtë mentalitet, me të vërtetë i mban gjërat në perspektivë që t’i trajtoj të gjithë njësoj.

Gjithmonë ka sfida të reja, më madhështore për t’u përballur dhe një fitues i vërtetë do të përqafojë secilën prej tyre.

Mos kërko të jesh lojtari më i mirë në histori.

“Mendoj se jam një tjetër futbollist. Kur fillon ndeshja gjithmonë përpiqem të përmirësoj veten. Synimi është që kur të dal në pension, të mbahem mend si një person i mirë, shprehet”, Lionel Mesi.

Nëse mund të reagoni në të njëjtën mënyrë ndaj fitores dhe humbjes, kjo është një arritje e madhe. Kjo cilësi është e rëndësishme sepse qëndron me ju gjatë gjithë jetës suaj. Përulësia përbën bazën e nderit, ashtu si toka e ulët përbën themelin e një lartësie të lartë.

Një njeri që praktikon aftësi sportive është shumë më mirë se 50 që e predikojnë atë.

Filed Under: Sport

Ismail Bej Vlora: Prijësi i idealistëve

November 14, 2023 by s p

Çelo Hoxha/

Gjatë udhëtimit të tij për në Vlorë, Ismail Bej Vlorës i ra në dorë telegrami i komandantit të përgjithshëm së ushtrisë në Janinë, i cili kërkonte që Ismail Beu, së bashku me shokët e tij, të shtiheshin në dorë, të gjallë apo të vdekur. Duke e marrë seriozisht rrezikun dhe nga dëshira për ta shpëtuar, Azis Pashë Vrioni e këshilloi Ismail Beun, përmes korrierit, që të strehohej në konsullatën e austriake. Ismail Beu u mendua dhe dha këtë përgjigje: “Në qoftë se unë kthehem prej këndej e hyjë në konsullatë ose iki e shpëtoj vehten t’ime, ideja ime për shpëtimin e Atdheut fluturon e ikën me mua.”

Ai nuk e mori parasysh fatin e Ismail Beut. Tashmë ai nuk ekzistonte më. Ismail Beu ishte Shqipëria.

Ismail Bej Vlora lindi në janar 1844, në Vlorë, në një nga familjet fisnike shqiptare më të vjetra, e cila, falë prejardhjes së lashtë dhe karakterit të veçantë gjeografik të vendit ku kishte influencë, ka ushtruar në të gjitha kohërat një ndikim të madh në punët dhe fatin e Shqipërisë. Mes Vlorajve dhe Ali Pashë Tepelenës pati një rivalitet të madh. Gjyshi i tij, Ismail Bej Vlora, u vra pabesisht në Janinë, së bashku me 500 ushtarë. Reshid Pasha e ftoi në Janinë me pretekstin se e kishin emëruar guvernator të përgjithshëm të provincës.

Hakën e Ismail Bej Vlorës, të vjetrit, e mori vite më vonë Zenel Gjoleka, një nga udhëheqësit e kryengritjeve kundët tanzimatit. Gjoleka vrau kryemjeshtrin e Ceremonive të Reshid Pashës, kur ai tregoi me mburrje se kishte prerë kokën e Ismail Beut.

Babai tij, Mahmud Bej Bej Vlora, dhe tre xhaxhallarët e tij të mitur u mbyllën në kalanë e Beratit. Sipas Ismail Beut, në këtë periudhë qeverisja e Beratit iu dha familjes Vrioni, “vetëm e vetëm për të asgjësuar influencën e familjes sonë”.

Pas shtypjes së kryengritjes së Tanziamtit, Mahmud Beu dhe vëllai tij, Selim Pasha, u arrestuan dhe u shpunë në Manastir. Dy vëllezërit e tjerë të tyre u arrestuan kur ushtria turke, e ardhur me anije me avull, mori kontrollin e Vlorës. Kështu nisi mërgimi i parë i Ismail Bej Vlorës, i cili, së bashku me nënën, gjyshen, vëllanë dhe motrën, ende fëmijë si dhe ai, u larguan nga Vlora. “Pas 15 ditësh qëndrimi në Manastir, dhe pasi lamë aty një pjesë të shoqëruesve e të plaçkave që na ishin bërë barrë, u larguam nga ky qytet dhe i lamë lamtumirën Shqipërisë,” shkruan Ismail Beu në kujtimet e tij.

Fëmijët nuk i dinin, sigurisht, arsyet e udhëtimit. Ishin shumë të vegjël të kuptonin “përse na qëllonte gjithmonë të dëboheshim nga vendi e shtëpia jonë.”

Në Selanik gjetën përzemërsinë e konsullit francez, mik i Mahmud Beut, nderimet e pakursyera të të cilët ngjallën kureshtje te popullsia turke e qytetit, të cilët nuk e kuptonin dot se si ishte e mundur që një familje të ishte myslimane dhe të mos fliste turqisht, ose si ishte e mundur që një familje myslimane të kishte lidhje aq të ngushta me konsullin e krishterë. Zoti Grasset u tregua vendimtar në ndihmë të familjes Vlora, e cila përbëhej veç nga fëmijë dhe e ëma e tyre në moshë të re, kur kreu i kabinetit të Guvernatorit të Përgjishëm të Selanikut deshi t’i nxirrte nga shtëpia dhe të futej vetë në të, dhe kur Hedie Hanëmi, e ëma e Ismail Beut, u sëmurë nga tifoja dhe u pandeh se kishte vdekur. Aty Ismail Beut i vdiq vëllai i tij të vogël, Sulejmanit dhe, më vonë, sa herë që ai shkonte në Selanik, nuk e linte pa e vizituar varrin e tij në xhaminë Ortaj.

Përfituan nga një amnisti dhe u kthyen në Vlorë.

Në Vlorë u kthyen në një shtëpi të shkatërruar, gjatë mungesës së tyre kishte jetuar në të qeveritari i qytetit, i cili kishte marrë vete çdo gjë të çmuar. Pritja e popullit ishte e përzemërt. Ata që dikur i kishin blerë në ankand mobiliet e shtëpisë së Vlorajve, tani i kthyen në formë dhurate.

Në Selanik Ismail Beu shkoi në shkollën fillore, në gjuhën turke. Pas kthimit në Vlorë, ai vazhdoi studimin e turqishtes dhe mori mësime në italisht nga një emigrant italian. Mësimet e tjera i mori në shqip nga prindërit, sidomos e ëma, e cila e kishte merak të madh që i biri të bëhej shqiptar i përkryer. Babai i tij, një poliglot me arsimim evropian, diçka e jo e zakonshme për shqiptarët atë kohë, kishte një merak tjetër: të ushqente te i biri zell dhe shije për kulturën evropiane. Sigurisht, edhe i ati e kujdesej që i biri të pajisej me shprehi të mira kombëtare, pikërisht për këtë arsye, gjatë një vizite në Janinë, ai e mori të birin me vete, ku e paraqiti te Guvernatori i Përgjithshëm, te zyrtarët e tjerë të lartë dhe konsujt. Në Janinë, më vonë, Ismail Beu hyri në gjimnazin Zosimea. Në maj 1860, në moshën 16 vjeçare, djaloshi me një të ardhme të shquar në shërbim të perandorisë u largua nga Janina për në Stamboll.

Ministri i Jashtëm i perandorisë, Fuad Pasha, i dha një punë në zyrën e përkthimeve të ministrisë së Jashtme. Aty vazhdoi studimet për drejtësi.

Më vonë Ismail Beut iu dha posti i atasheut në ambasadën e Parisit, por në prag të nisjes i vdiq e motra. Shkoi në Janinë dhe familja nuk e la të largohej.

Në Janinë filloi punë si ndihmës-drejtor për çështjet politike pranë Guvernatorit të Përgjithshëm, Aqif Pasha. E mbajti këtë detyrë deri në 1964. Aty u martua me një vejushë nga Konica, e cila vdiq në vitin e parë të martesës, pasi lindi një vajzë.

Pas detyrës në Janinë, Ismail Beu shkoi në Larisa (Greqi) ku mori postin e shefit të kabinetit të Guvernatorit të Përgjithshëm të Thesalisë, Ismail Rahmi Pasha, ungji i tij. Një vit më vonë, 1865, ai shkoi në Stamboll, i cili ishte goditur nga kolera, dhe filloi punë në zyrën e përkthimeve të Portës së Lartë. Në Stamboll shkoi dhe babai i tij, por qëndrimi i tij ishte pafat, ai vdiq aty në moshën 44 vjeçare. Një vit më pas, Ismail Beu u largua nga Stambolli me një detyrë të re në vilajetin e Danubit (Bullgaria e sotme), me propozim të Mid’hat Pashës, Guvernator i Përgjithshëm.

Në Rusçuk, qendra e vilajetit të Danubit, Ismail Beu u martua për herë të dytë, me vajzën e një fisniku grek nga Edreneja. Dashuria e tyre ishte një ngjarje nga ato që më vonë, me lindjen e kinemasë dhe televizorit, u kthyen në filma. Një temë që e magjeps spektatorin: një djalë mysliman bie në dashuri me një vajzë të krishterë; nëna e vajzës (në këtë rast njerka) e kundërshton martesën në mënyrë kategorike; djali bie në ujdi me vajzën që ta rrëmbejë, babai i vajzës bëhet palë me ta duke heshtur; ngjarja bëhet objekt diskutimi për qytetin, përfshi konsujt e huaj; konsulli belg merr pjesë si dëshmitar në ligjërimin e martesës; konsulli britanik e tejkalon vështirësinë të pranojë faktin që dashnori (Ismail Bej Vlora) hyri në shtëpinë e vajzës për ta rrëmbyerën të dashurën e tij, por në fund pajtohet me realitetin dhe i shtron dashnorit trim një drekë. Në fund drama ka fund të lumtur: dashnorët u plakën së bashku dhe rritën katër vajza dhe gjashtë djem.

Në 1870, Ismail Bej Vlora mori detyrën si guvernator i Danubit të Poshtëm dhe president i Komisionit Europian për Danubin.

Në 1973 Ismail Beu hoqi dorë nga angazhimet publike, duke u kthyer në jetën private. Që nga largimi prej Shqipërisë në moshë të mitur, jeta aktive që kishte bërë nuk i kishte lënë hapësirë të merrej me interesat vetjake. Kështu që ai refuzoi detyrën e guvernatorit të Nishit, detyrën e kryetarit të gjykatës së krimeve penale në Pera si dhe një detyrë në ambasadën e perandorisë në Uashington.

Së bashku me konsullin britanik në Varna, ai hapi një minierë linjiti në ishullin Imbros, kur, për më shumë se një vit kaloi pjesën më të madhe të kohës, duke këqyrur punimet. Jeta në ishull ishte një arratisje nga bota e zhurmshme e politikës: as telegrame, as gazeta, as korrierë, asnjë lloj komunikimi tjetër që mund t’i prishte paqen. Këngët e të rinjve grekë dhe vallet popullore ishin i vetmi argëtim në ishullin që qeverisej nga një shqiptar.

Në korrik 1875, Ismail Bej Vlora ndërmori një udhëtim për në Europë, stacionet më të rëndësishme të të cilit ishin: Vlorë-Romë-Milano-Paris-Londër e kthim. Në ai u takua me ministrin e Jashtëm, me qëllim të shpjegonte situatën në perandorinë osmane dhe të studionte organizimin financiar të qeverisjes lokale britanike. Në kthim ai ndenji në Paris duke vazhduar studimin mbi të njëjtën çështje. U kthye në Vlorë të merrej me shfrytëzimin e bitumit të Selenicës, për të cilën kishte fituar koncesionin.

Pas kërkesave të përsëritura të Mid’hat Pashës, mik i vjetër i tij, Ismail Beu u kthye në Stamboll, ku u emërua Sekretar i Përgjithshëm për çështje gjyqësore në ministrinë e Jashtme.

Mid’hat Pasha që e kishte ndihmuar Ismail Beun të ngjitej në karrierë, e tërhoqi zvarrë, dhe ishte e natyrshme, kur filloi rënia e tij e lirë nga pushteti. Me dëbimin e tij nga Stambolli dhe perandoria, Ismail beu u syrgjynos në Kytahja. Aty jetoi i ruajtur me xhandarë, në një shtëpi me qira, të cilën e paguante vetë. Faktin që një i burgosur paguante qira për burgun e tij, ai e konsideroi diçka të pazakontë dhe në Lindje.

Shtatë viteve në syrgjyn u erdhi fundi me një ftesë për të marrë detyrën e guvernatorit në Mardin, Mesopotami. Largimi nga Kytahja dhe kalimi në mes të shkretëtirës bashkë me familjen ishte një sipërmarrje më e rëndë e se syrgjyni. Ai e pranoi, në mungesë të një zgjidhjeje tjetër. Pas një vizite në kryeqytet, Ismail Beu e rregulloi të linte detyrën në Mardin dhe të merrte postin e guvernatorit të sanxhakut të Bolusë.

Në Bolu mbërriti në maj 1884. Dy ditë pas mbërritjes mori lajmin e vdekjes së Mid’hat Pashës. Ai humbi dëshirën për punë, iu zbehën shpresat për të ardhmen e Perandorisë, u zhyt në trishtimin më të thellë për javë të tëra, kumbi besimin te gjithçka – jeta, e ardhmja, njerëzit. Vdekja e mikut të tij dhe reformatorit të vërtetë të Perandorisë e tronditi nga themelet. Gjithë dëshpërimin e përmblodhi në një pyetje: “Kur një njeri kaq i shkëlqyer, me një jetë aq altruiste e pa interesa për vetveten, që kishte bërë aq shumë për njerëzit dhe vendin e tij, arrinte të pësonte një trajtim të tillë në duart e atyre, që ia kishin borxh nderimin dhe mirënjohjen e në fund arrinte të pësonte një fat të tillë tragjik – çfarë mund prisnin a të shpresonin vdekatarët e tjerë të kësaj toke?”

Në shenjë nderimi për punën e tij në mposhtjen e kusarisë në Bolu, Sulltani e nderoi me dekoratën e Mexhites. Kurse grada civile më të lartë, gradën Bala, e barabartë me atë të Vezirit, iu afrua si pjesë e joshjes që ai të pranonte, kohë më vonë, detyrën e guvernatorit të Galipolit.

Në 1890, Ismail beu iu kthye edhe një herë jetës private, duke u marrë me biznes. Peripecitë e jetës së tij vazhduan, intrigat e njerëzve të vegjël në pallat nuk kishin të sosur. E akuzuan kishte përfituar shuma financiare të konsiderueshme nga dy koncesione dhe më e keqja, ato para do të përdoreshin për përmbysjen e Sulltanit. Ky ishte një incident që Ismail Beu e mbylli personalisht me sovranin, të cilit i vendosi përpara kontratat.

Kundër dëshirës, ai shkoi guvernator në territorin e parë evropian të pushtuar prej osmanëve, i cili vazhdonte të ishte në shumicë i krishterë: Galipoli. Aty bëri dy gjëra: u preu rrugën shpërdorimeve përmes kanaleve ligjore dhe, duke kujtuar një kërkesë të Sulltanit për rosa të egra, në fshatin Kavak bleu një tufë rosash të egra të cilat ishin zbutur. Falënderimet nga Pallati nuk vonuan, së bashku me shpresën e Sulltanit që herë tjetër t’i siguronte sovranit lloje më të rralla rosash të egra.

Pas Galipolit shkoi guvernator në Bejrut, në kufi me Libanin, i cili qeverisej nga patrioti i tij shquar, Vaso Pasha. Në të njëjtin vit, 1892, Vaso Pasha u largua nga jeta, kurse Ismail beu nga Bejruti.

Pas kthimit në Stamboll, Sulltani i kërkoi Ismail Beut të përgatiste një raport për reformat e përgjithshme në Perandori dhe reformat që duheshin ndjekur. Ai raport, raporti për Egjiptin më vonë dhe shpjegimet analitike që ka bërë përgjatë rrëfimit të kujtimeve akoma më vonë, shfaqin përmasën reale të tij si politikan dhe shpjegojnë gjithashtu faktin pse ai ishte një figurë aq e respektuar dhe me lidhje aq të forta në Europë, të cilat i shfrytëzoi për realizmin e pavarësisë së Shqipërisë. Miku i tij, koloneli Gordon, i cili e kishte pikasur madhështinë e këtij njeriu kur ai ishte një zyrtar i nivelit të mesëm, duhet të ketë qenë gjeni i një natyre tjetër.

Në prill 1900 Ismail Bej Vlora u emërua guvernator i përgjithshëm në Tripoli, por nuk shkoi për t’iu shmangur ndonjë eliminimi të mundshëm. Ai kërkoi strehim politik në një anije britanike dhe në 1 maj, së bashku me tre nga djemtë e tij, u largua trojet e Perandorisë. Tetë vitet që pasuan jetoi në qytete të ndryshme të Europës, duke punuar tashmë për çështjen shqiptare. Në korrik 1908, pas fitores së revolucionit xhonturk, ai u zgjodh deputet i sanxhakut të Beratit në Parlamentin Osman. Në 1910 u zgjodh kryetar i Partisë Liberale.

Në shtator 1912, Ismail Beu shkoi dhe një herë të fundit në Stamboll, me shpresën se kryeqyteti i perandorisë do të tregohej më i arsyeshëm në trajtimin e çështjes shqiptare, por bisedimet me zyrtarët e lartë, pjesa më e madhe miq të tij, nuk dhanë rezultat. Ndërkohë shpërtheu Lufta e Parë Ballkanike. Veziri i madh, Qamil Pasha i ofroi postin e ministrit të Jashtëm, por ai zgjodhi t’i hipte trenit dhe 25 tetor 1912 u nis për në Bukuresh. Njërin prej djemve, Qazim Beun, e mori vete, kurse Et’hem Beun e nisi në Vlorë për të koordinuar veprimet e babait të Pavarësisë me Komisionin përgatitor për shpalljen e saj.

Dy javë veprimtari diplomatike e politike mes Bukureshtit dhe Vjenës, në takime me personalitet të larta të fuqive të mëdha, çuan në telegramin e 9 nëntorit 1912, drejtuar parisë së Vlorës: “Me vaporin e parë po mbërrij. E ardhmja e Shqipëniës âsht sigurue.”

Ai nuk mbërriti me vaporin më të parë, por me vaporin që i vunë në dispozicion mbretëria Austro-Hungareze.

Në 21 nëntor, themeluesi i ardhshëm i shtetit shqiptar zbriti në Durrës, i rrethuar nga kujdesi i vendasve. Për të qenë i mbrojtur, për sa kohë që do të qëndronte në Durrës, do të qëndronte në shtëpinë e Dom Nikollë Kaçorrit, kurse ushqimi i tij do të gatuhej në shtëpinë e Hamid Toptanit.

Udhëtimi për në Vlorë ishte i rrezikuar nga moti dhe ushtritë e huaja në tokën shqiptare. Komanda osmane e Janinës kishte lëshuar një urdhër që Ismail Bej Vlora, me gjithë shokë, të kapej gjallë a vdekur. Për të shmangur rrezikun, dashamirësit e këshilluan Ismail Beun të kërkonte strehim në konsullatën austriake, por ai nuk pranoi, i vetëdijshëm që fati i tij ishte njësuar me atë të Shqipërisë. Tërheqja e tij nga misioni do të thoshte që Shqipëria të zhdukej ende pa u krijuar.

Vazhdoi rrugën, mbërriti në Vlorë, ngriti flamurin, dhe misioni i tij mori fund: u realizua. Ai bëri gjënë më të vështirë, bëri realitet konceptin e shtetit shqiptar, kurse për të ndërtuar shtetin, brezat e shqiptarëve kishin gjithë kohën e perëndisë përpara. Ismail Bej Vlora ishte shumë qartë, 14 muaj më vonë, kur u largua nga Shqipëria për të mos u kthyer më i gjallë: “Djemtë e mi, nuk bëra pasuri t’ja lë trashëgim Shqipërisë. Po ju lë një Atdhe amanet. Lamtumirë!”

Foto: wikipedia.org

Shenja/ 2012

May be an image of 1 person

Filed Under: Histori

FEDERATA VATRA FTON TË GJITHË SHQIPTARËT NË FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR

November 14, 2023 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA” me rastin e 111 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë fton të gjithë shqiptarët në festën e Flamurit Kombëtar.

Flamuri i kombit tonë bashkon të gjithë shqiptarët anembanë botës. Pavarësia është ditë e shenjtë dhe e shtrenjtë e lirisë së një kombi e populli, është dita më e shënuar në histori.

Ju ftojmë të bëheni pjesë e festës historike të të gjithë shqiptarëve.

Komisioni i Organizimit të Darkës për 111 vjetorin e Pavarësisë përbëhet nga:

Kryetar: Ilir Cubi, anëtarë: Besim Malota, Paulin Mrnaçaj, Bashkim Musabelliu, Drita Shala, Dr. Pashko Camaj, Anton Raja, Ylli Dosku, Sokol Paja.

Darka e Pavarësisë do të organizohet ditën e Martë, 28 Nëntor 2023, Ora 7:00 PM, Adresa: Villa Barone Manor, 737 Throggs Neck Expy, Bronx, NY 10465.

Pjesëmarrja në Darkën e Pavarësisë kushton 150 usd për person, me të gjitha të përfshira.

Për çdo informacion, personat përgjegjës të kontaktit janë:

Ilir Cubi cel: 9143108355, Besim Malota cel: 917 418 3392, Paulin Mrnaçaj cel: 3865850999 dhe Anton Raja cel: 646 594 4747.

JU MIRËPRESIM TË GJITHËVE.

Filed Under: Opinion

SHQIPTARËT – KOMB I ALFABETIT

November 14, 2023 by s p

Duke qenë të ndarë në përkatësi të ndryshme fetare, dialektore e krahinore, në mungesë të një njësie politike që do t’i bashkonte, u bë pikërisht alfabeti dhe gjuha indi lidhor i këtij kombi që po lindte.

Nga Skender ASANI

Kur jemi mbledhur sot, në hapjen e manifestimit kulturor-shkencor “Ditët e alfabetit”, që tradicionalisht, çdo vit, organizohet nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, nuk mund të mos e shpreh ngazëllimin tim që ky edicion sivjet po hapet në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që paraqet një mirënjohje jo vetëm për neve si institut që e organizon këtë ngjarje, por njëherazi është edhe nderimi më i lartë që i bën kjo qeveri kulturës shqiptare dhe, në përgjithësi, angazhimit shkencor albanologjik në vendin tonë.

Të nderuar të pranishëm, duke qenë në hapje të këtij edicioni, gjithnjë e kam në mendje çastin se 14 nëntori i vitit 1908 ishte një ditë e ftohtë vjeshte në Manastir, siç përshkruhet në literaturë, por ajo ishte edhe një ditë kur kombi ynë mori përpjetën dhe të mbarën pranverore. Para 115 vjetëve rilindësit tanë më të mirë u mblodhën aty dhe punuan për një javë rresht për ta dakorduar një alfabet me të cilin do të shkruhej gjuha shqipe. Dhe, kur ta mendosh se Fishta, Mjeda, Shahin Kolonja e Mithat Frashëri po i përgjigjeshin ftesës së Gjergj Qiriazit për të vajtur në Manastir për ta bërë alfabetin, të bën të mendosh se ata mund të mos e kenë ditur as vetë se në fakt ashtu po niseshin drejt rrugës së dizajnimit të kombit. Krijimi i alfabetit të gjuhës shqipe nuk ishte vetëm një ngjarje teknike e temës së grafisë, me të cilën do të shkruhej shqipja, por ishte më shumë se kaq. Në atë kongres u vendosën kornizat e orientimit kulturor të shqiptarëve. Duke dalë nga një perandori orientale, shqiptarët – përmes këtij kongresi – po e përvijonin të ardhmen e tyre oksidentale. Dhe, këtë nuk e themi vetëm për shkak të kontekstit të sotëm, por ne e dimë mirëfilli se ndër sponsorizuesit më të mëdhenj të këtij alfabeti që e kemi sot ishin pikërisht shoqëritë biblike angleze, amerikane si dhe vet qeveria austrohungareze, që duke e frymëzuar familjen Qiriazi të Manastirit, po e projektonin edhe identitetin e kombit shqiptar.

Andaj, në frymë të aktualitetit tonë shoqëror, ashtu siç dikur i pranuam këshillat e aleatëve tanë perëndimorë për alfabetin e për gjuhën, shqiptarët edhe sot e dinë mirëfilli se kjo aleancë nuk ka pushuar. Janë miqtë tanë amerikanë dhe, në përgjithësi, perëndimorë, që na ftojmë që këtë përpjekje ta kurorëzojmë në këtë kohë, duke e hapur rrugën për integrimin europian, kur edhe këta kufij politikë do të bëhen të parëndësishëm dhe të pavërejtshëm.

E derisa jemi te tema e identitetit tonë kombëtar, duke e lidhur drejtpërdrejt me alfabetin dhe gjuhën shqipe, sot nuk është kurrfarë zbulimi kur themi se shqiptarët janë komb gjuhësor ose, shprehur në kontekstin e ditës së sotme, janë komb alfabetik. Duke qenë të ndarë në përkatësi të ndryshme fetare, dialektore e krahinore, në mungesë të një njësie politike që do t’i bashkonte, u bë pikërisht alfabeti dhe gjuha indi lidhor i këtij kombi që po lindte. Thënë ndryshe, shqiptarët me këtë alfabet nuk e shkruan vetëm gjuhën e tyre, por e shkruan edhe identitetin e tyre etnik.

Prandaj, sa herë që vjen nëntori i alfabetit, nuk mund të mos e pohojmë se për identitetin shqiptar janë tri pika si ngjarje dhe tri qytete si strumbullarë të ndërtimit të identitetit tonë. Është Prizreni i Lidhjes së Prizrenit të vitit 1878, kur për herë të parë lindi ideja e një kombi shqiptar dhe e një njësie politike shqiptare, është Manastiri i Kongresit të Alfabetit, kur ekzistenca e këtij kombi u garantua përmes shkrimit dhe gjuhës dhe është Vlora e Flamurit, kur ky komb ia doli të mëvetësohet. Por, pa Lidhjen e Prizrenit e pa Manastirin e Alfabetit sigurisht nuk do të ndodhte as Vlora. Kështu është krijuar trekëndëshi barabrinjës i kombit tonë.

Së këndejmi, nëse në Kosovë madhërohet Lidhja e Prizrenit e në Shqipëri Dita e Flamurit, ne në Maqedoninë e Veriut i kemi “Ditët e alfabetit”, përmes të cilave e dëshmojmë jo vetëm praninë, por edhe peshën, meritën dhe rëndësinë që ka areali ynë shqiptar në raport me historinë e ndërtimit të kombit.

Të dashur të pranishëm, po e përfundoj fjalën time duke i shpallur të hapura “Ditët e alfabetit”, me ç’rast do të ketë një varg aktivitetesh shkencore, promovime, takime mes studiuesve dhe këmbim të ideve e të literaturës, në mënyrë që 22 nëntori të jetë jo vetëm festa e alfabetit, as vetëm festa e përfundimit të manifestimit “Ditët e alfabetit”, por të jetë edhe një kremte kur ne do të jemi të bindur se edhe në këtë 115-vjetor i kemi përsëritur dhe i kemi përvetësuar leksikonet e etërve të kombit tonë se janë shkronjat, është gjuha, është arsimi dhe është kultura ajo që, siç thoshte rilindësi ynë i madh Naim Frashëri, “përpara do të na shpjerë”.

Unë e falënderoj qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e vazhdueshme, i falënderoj tre akademitë e shkencave dhe institucioneve të tjera shkencore e kulturore, që janë bërë bashkëpjesëmarrësve në këtë manifestim, dhe i uroj punë të mbarë edicionit të sivjetmë “Ditët e alfabetit”.

(Fjalë rasti në hapjen solemne të manifestimit “Ditët e Alfabetit)

Shkup, 14 nëntor 2023

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT