• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2023

FEDERATA PAN-SHQIPTARE E AMERIKËS “VATRA” DHE FUSHATA PËR SHPËTIMIN E SHQIPËRISË

December 29, 2023 by s p

Dr. Paulin Marku/

Federata Pan-shqiptare e Amerikës “Vatra” u themelua në vitin 1912 falë bashkëpunimit të disa intelektualëve shqiptarë për  bashkimin e disa shoqërive shqiptare nën ombrellën e një Federate Pan-Shqiptare të Amerikës. Që nga themelimi i saj, e në vazhdim zgjeroi veprimtarinë atdhetare në mbështetje të çështjes kombëtare shqiptare. Federata “Vatra” ishte e interesuar dhe i ndoqi me interes të madh Konferencën e Londrës dhe të Parisit si dhe nuk rreshti për të dhënë kontributin e saj dhe për të ndriçuar shqiptarët dhe të huajt që të përkrahej kauza shqiptare. Në konferencën e Londrës (1913) dërgoi në Evropë përfaqësues të vetin që të merrte kontakte me diplomate, politikan dhe me shtypin e kohës. Situata politike në Shqipëri ndiqej vazhdimisht me interes nga vatranët dhe me përpjekje të vazhdueshme për të bashkëpunuar për atdheun.

Nisma e vitit 1917 për mbledhjen e fondeve në mërgatën e Amerikës ishte një gur themeli në vendosmëri të plotë të harmonizimit të veprimtarive patriotike. Kol Tromara ishte kryetar i Vatrës. Ai i drejtohen të gjitha shoqërive shqiptare në Amerikë një thirrje për të kontribuar në fondin për shpëtimin e Shqipërisë. Letra mban datën 21 maj 1917, Boston “Letër qarkore për të gjithë Degët e Federatës dhe për të gjithë shoqëritë shqiptare fshatare, fetare e patriotike”, nga ku i drejtohej shqiptareve dhe informonte se vendimi i komisionit u mbyll me sukses dhe u arrit në përfundim që e diela, më 3 qershor 1917, të emërohet Dita e Shpëtimit të Shqipërisë dhe ftonte të gjithë shqiptaret të ndihmojnë me krejt forcën e tyre që të mblidhen një shumë prej 40.000 dollarësh, që do të përdoren për shpëtimin e atdheut. Dokumenti i kryetarit Kol Tromara shpjegonte mënyrën si do të administrohen të hollat e mbledhura nga iniciativa e Vatres. Ai pohonte se në kuvend do të diskutohen të gjitha çështjet që janë të lidhura me gjendjen në atdhe dhe mënyra si do të investohen të hollat e mbledhura. Qëllimi kryesorë ishte “për të mbrojtur të drejtat tona, për të fituar një Shqipëri të lirë dhe të madhe, për të organizuar atdhenë tonë pas çlirimin”.  

Mbledhja e 20 maj 1917 u hap pas dreke dhe u lexuan raportet e mbërritura në adresë të Vatrës. E para që u lexua para të pranishmëve ishte raporti i Mehmet Bej Konicës. Pastaj vijoi leximi i letrës së dr. Mihal Turtulli dhe dhurata e tij monetare, si nisje e një arke për të përmbajtur një komitet sipas propozimit të delegatëve. 

Komisioni mirëpriti raportet e dërguara dhe shprehu falënderim për dhuratën monetare. U hapen bisedimet për detyrën që kanë shqiptarët e Amerikës përpara atdheut në një kohë mjaft kritike që gjendej Shqipëria.

Vendimi i mbledhjes ishte sa më poshtë vijon, Botuar në Kalendarin e Vatrës të motit 1918, Federata Pan-Shqiptare “Vatra” e Amerikës. E editoi Për. At Fan S. Noli, Boston, Mas: Shtypur në shtypshkronjën e gazetës  “Dielli”, 1918, f. 62.

  1. Të caktohet e diela, 3 qershor, si dita e shpëtimit të Shqipërisë, për të mbledhur shumën prej 40.000 dollarësh të këshilluar prej dr. Mihal Turtullit.
  2. Të ftohen të gjitha Degët e Federatës me anëtarët e tyre, të gjitha shoqëritë shqiptare të veçanta, të gjitha shoqëritë fetare kombëtare dhe gjithë shqiptarët, të organizojnë mbledhje këtë ditë dhe të japin ndihmë e tyre sa më të madhe për shpëtimin e atdheut.
  3. Të ftohen të gjitha gazetat dhe rivistat shqipe të bashkëpunojnë për të mbaruar këtë vepër e cila do t’i nderojnë në syt’ e botës dhe në syt e Shqipërisë atdhetarët e Amerikës dhe do t’u japë një vend në historinë e Përlindjes kombëtare.
  4. T’u lutemi atdhetarëve tanë të ndihmojnë me 10$ e sipër, në duam që të mblidhet shuma e këshilluar prej dr. Turtullit, dhe të bëhet një punë me të vërtetë serioze me rëndësi.
  5. Pikat kryesore të programit me të cilin do të organizohet dhe do të veprojnë Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë janë këto:
  6. Hëpërhë, delegati ynë Mehmed Bej Konica, me bashkëpunim e dr. Turtullit, të marrin masa për të organizuar këtë komitet në bashkëpunim me shqiptarët e Amerikës.
  7. Si shokë të delegatit tonë, të propozohen për votim në kuvend disa atdhetarë të provuar dhe të zotë.
  8. Puna e komitetit do të  jetë të sigurojnë një Shqipëri me kufirit e saj etnografikë në Konferencën e Paqes dhe, pas paqes, të organizojnë një parti kombëtare për të mbrojtur atdhenë nga antikombëtarët dhe reaksionarët e brendshëm.
  9. Hollësitë e organizimit si dhe pjesëtarët e komitetit të shtrohen dhe të vendosen në kuvendin e afërm.
  10. U vendos që këto rezoluta t’i telegrafohen delegatit tonë me anën e z.  Aubrey Herbert.
  11. U lutemi të gjithë atdhetarëve të vënë tërë forcën e tyre që të dalim faqebardhë.

Kryetari, Kol Tromara                             Kontrollorët: Emin Bilibashi,

 Sekretari, Loni Kristo                           Xhevat  Haxhi, Aqif Përmeti, Fan S. Noli

Një artikull i Bahri Omarit shkruan për ditën e 3 qershorit 1917 e cila hyri në historinë si dita e shpëtimit të Shqipërisë, shkruante më 23 maj 1917 sa më poshtë: “Shqiptarët e Amerikës janë shpresat e Shqipërisë e cila, në lëngim dhe me vuajtje, pret një ndihmë, një ilaç të fortë nga djemtë e saj që të fitojnë shëndetin e duhur. S’ka njeri të ketë guximin t’ua mohojnë theroritë shqiptarëve të Amerikës. Po koha është e kritikueshme dhe, përveç ndihmave që kemi bërë, është nevoja për një ndihmë si ajo që na propozojnë të mëdhenjtë tanë dhe na e parashtron Komisioni i “Vatrës”. Ndihma që do të bëjmë këtë radhë është e lidhur drejt për drejt me shpëtimin e Shqipërisë dhe prandaj komisioni vendosi t’a quajnë të dielën 3 qershor që u caktua për këtë qëllim “Dita e shpëtimit të Shqipërisë”.

Nuk do të ketë shqiptar, besojmë, që të mos ketë rrotulluar në përfytyruar e tij ëndrra të bukura të ëmbla atdhesore, se si të ishte i pasur dhe t’i jepte më të shumën e pasurisë së tij për shpëtimin dhe lulëzimin e Shqipërisë. 

Çdo atdhetar e ka përfytyruar doemos ëndrrën e tij, të cilën ndofta e quante të parealizuar nga pikëpamja personale. Po nga pikëpamja shoqërore nuk është kurrë një gjë e parealizuar; një tok që nuk mund t’a bëjnë një dorë, e mbarojnë me njëherë duar të shumta. Detyra dhe nderi që na ka varur më qafë Shqipëria neve të Amerikës, është se përbëjmë një shumicë të madhe, ku mund t’a përballim çdo therori.

Shqiptarë! 

Ne duam në këto çaste kritike të lozim rolin e madh historik që kemi për barë, le t’a bëjmë, si e bënë patriotët francezë, duke zbrazur qeset tona për hir të atdheut; le të japim edhe neve si kundër dhanë francezët unazat dhe sahatet e vyera. 

Neve as na prish as na ndreq, ose një javë ose dy, qoftë edhe një muaj rogë; po Shqipëria me të përmbledhurit e atyre ndihmave nga çdo atdhetar, do të shohë një fitim të madh, do t’i bëjnë ballë çdo rreziku. Nga financa varet çdo gjë.

Të përpiqemi me gjithë fuqi të mbledhim fishekë për t’u bërë ballë armiqve të kombit si të jashtmëve ashtu edhe të brendshmëve.

Të japim shqiptarë! Të japim që të marrim Shqipërinë!(Kalendari i Vatrës i motit 1918. E botoi Federata Pan-Shqiptare “Vatra” e Amerikës. E editoi i Për. At Fan S. Noli, Boston, Mas: Shtypur në shtypshkronjën e gazetës  “Dielli”, 1918, f.65-66.) Bahri Omari.

Fushata e mbledhjes së fondeve ishte për lobimin e mbrojtjes së kauzës shqiptare. Por sipas materialeve të kohës rezulton se thirrje e kuvendit të 3 qershorit 1917 ishte deleguar në të gjithë Amerikën kudo kishte komunitet shqiptar. Kuvendi i Federatës “Vatra” e shpallte këtë thirrje të gjithë Degëve, kolonive, shoqërive kombëtare, fetare dhe fshatare dhe gjithë shqiptarëve. Citoj dokumentin e botuar nga “Vatra” në gazetën “Dielli”, 1918 ““Shqipëria është rrethuar prej armiqsh që duan t’a copëtojnë. Shpëtimin e saj e pret vetëm nga bijtë’ e saj fisnikë të Amerikës. Asnjë i huaj s’mund të na i japë lirinë dhe independencën, të cilat duhet t’i fitojmë me duart tonë, me djersën tonë, me gjakun tonë dhe me delegatët tanë të zgjedhur lirisht me zërin e popullit. Ndihi pra të gjithë me sa mundni e me sa nuk mundni. 

Mos dëgjoni fjalët e gabuara të njërit a të tjetrit, po dëgjoni zërin e delegatëve tuaj të besuar që dërguat në Kuvendin e Federatës suaj të madhe. 

I pamë punët e delegatit tonë Mehmed Bej Konica; i gjetëm të mira me një zë dhe prapë me një zë vendosmë t’i japim dy shokë të tjerë, dr. Turtulli dhe Nikoll Kasneci. Jemi të bindur që këta delegatë do  të bëjnë detyrën e tyre po t’u japim armë të mira edhe sa t’u duhen.

Ndihmoni pra pa kursyer që të shpëtojmë Shqipërinë nga mjerimet dhe t’a trashëgojmë për veten tonë dhe për bijtë tanë, dhen’ e lavdëruar të Skënderbeut. Jepni qesen dhe shpirtin për Shqipërinë’ e lirë dhe të madhe, o burrani!

Chairman-i, Hasan Bitincka.

Sekretari, Ndreko Stavro

Komisioni: Kol Tromara, Loni Kristo, Fan S. Noli, Xhevat Harxhi, Aqif Përmeti, Emin Bilibashi.

Delegatët: Bahri Omari, Kostaq Leçishti, Mina Grameno, Spiro K. Lubonja, Josif Pani, Iljas J. Përmeti, Stire Luka, Shefki Aliko, Mustafa S. Leshnja, D. J. Tushemishti, Foto Dukati, Koto Trebicka, Vangjel Spiro, Qani Bilishti, Sadik Duro, Misto Papa, Vangjel Miller, Duro Tabaku, Niço V. Grabocka, Marko Adams, Veli Hashorva, Matto Tasi, George Luarasi, Anglelo Sotir, Kol Rodhe, Stadhi Suli, Hajrulla Starja, Maliq Picari, Lambi Kreshpani, Andrea Kristo, Shefqet Frashëri, S. Blushi, Kostë Çekrezi, Adem Vishovica, Faik Babani.” (Kalendari i Vatrës i motit 1918. E botoi Federata Pan-Shqiptare “Vatra” e Amerikës. E editoi i Për. At Fan S. Noli, Boston, Mas: Shtypur në shtypshkronjën e gazetës  “Dielli”, 1918, f.68.)

Shqiptarët e diasporës iu përgjigjën pozitivisht kërkesës së Vatres për të mbledhur të holla për Çështjen Kombëtare Shqiptare. Ata shfaqeshin të interesuar për të dhënë kontributin e tyre financiar. Sipas gazetës “Dielli” çdo atdhetarë që dëshironte të ndihmonte duhet që kuota e pjesëmarrjes të fillonte me 10 $ e sipër, në mënyrë që të realizohet me sukses qëllimi i tyre. 

Në letrën e dr. Turtullit, botuar në gazetën “Dielli”, maj 1917, shkrimi i tij hapej me titullin “Çlirimi dhe e ardhmja e Shqipërisë varet nga shqiptarët e Amerikës”. Shkrimi i tij ishte mjaft frymëzues dhe flet me konsideratë të madhe për shqiptaret e Amerikës, citoj: Perëndia na zgjodhi ne, shqiptarët e Amerikës, si shpëtimtarë të Shqipërisë. Shqipëria e pret shpëtimin dhe sigurimin e saj nga ne”. Ai shtonte se duhet të dërgohen delegatë në Evrope për të mbrojtur të drejtat kombëtare.  Delegatët duhet të merrnin pjese në konferencën e Paqes dhe të kërkonin një Shqipëri të lire me kufijtë e saj etnografikë. Por, për të nisur këtë proces kërkohej para, ku sipas dr. Turtullit duhej 40.000 dhe ai do të e ishte një nder ta që do të jepte edhe ndihma monetare për këtë nismë.

Kur komisioni i “Vatres” lexoi letrën e dr. Turtullit dhe mori ndihmën financiare dërduar nga ai, të gjithë u mallëngjye dhe iu përgjigjën një zëri: “Në qoftë se Shqipëria na kërkon 40.000 dollarë për shpëtimin e saj, do të përpiqemi t’i mbledhim këto pará dhe do të nisim pa humbur kohë që sot! Kështu e do nderi dhe detyra e shqiptarëve të Amerikës”.  Mbahu nëno mos ki frikë

Se ke djemtë n’Amerikë!

“Në qoftë se fati i saj varet nga ne, Shqipëria do të çlirohet e do të trashëgohet”. (Shkrimi i referohet gazetës “Dielli” 1918, f.63-65)  

Ne relacionin e Komandës së ushtrisë italiane, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, Romë, 12 gusht 1917, Ushtria M. Italiane – Komanda e Lartë – Shërbimet e informacionit – Seksioni “R” Nr. 7392/S i prot. Tepër rezervat përshkruhet aktiviteti i shqiptareve të Amerikës. Në vijim të materialit informonte se shqipët e Amerikës për qëllime të çështjes kombëtare duan të dërgojnë një delegat në Konferencën e Paqes dhe kanë mbledhur një shumë prej 40.000 dollarësh vullnetarisht. (Ministero degli Affari Esteri, Archivio degli affari politici, Serie ordinaroi e di gabinetto (1915-1918), Albania Pacco 1, në dokumentet “Vatra dhe shqiptarët në Amerikë”, Dokumente historike I, 1912-1944, Beqir Meta, Hasan Bello, Prishtinë 2022.

Filed Under: Politike

IRANI, LUFTA KIBERNETIKE, HIBRIDE DHE JOKONVENCIONALE

December 29, 2023 by s p

Dr. Dritan Demiraj ka shërbyer për 35 vite në Forcat e Armatosura të Shqipërisë, më pas ka qënë edhe Ministër i Punëve të Brendshme.

Në vazhdim të debatit, analizës dhe diskutimit në lidhje me vendimin e qeverisë së Shqipërisë për largimin e menjëhershëm të diplomatëve iranianë nga vendi jonë, një masë e cila nuk është marrë nga asnjë vend tjetër deri tani, mendoj se ishte vendimi në kohën, vendin, forcën e duhur dhe e mbështes atë plotësisht.

Tashmë nuk janë të panjohura faktet e përfshirjes së ‘diplomatëve’ iranianë në operacione të fshehta, klandestine, rrëmbime, vrasje dhe deri tek sulmet terroriste kundër individëve, qytetarëve, institucioneve dhe ambasadave të huaja nëpër botë.

Por në këtë analizë do të përpiqem shkurtimisht të analizoj për interes të lexuesit shqiptar disa prej tyre.

Një nga objektivat kryesore të Iranit gjatë dekadës së fundit ka qënë rritja e influencës së tyre në Lindjen e Mesme duke përdorur të gjitha format e luftës. Deri në momentin sa ishte gjallë këtë mision e drejtonte në mënyrë të fshehtë gjeneral leitnant Kasem Sulejmani. Irani prej kohësh ka krijuar kapacitete të mëdha të luftës së parregullt, luftës hibride, luftës asimetrike, luftës me intensitet të ulët, luftës informative, luftës kibernetike, etj duke përdorur strategjinë e ‘mbrojtjes së përparuar’, e cila përfshin ndër të tjera mbështetjen e grupeve të armatosura, terroriste dhe milicive lokale në Rripin e Gazës, Liban, Siri, Irak dhe Jemen.

Vitet e fundit, Irani i ka rritur ndjeshëm edhe kapacitetet e luftës kibernetike. Sipas agjensive të inteligjencës: “Irani në ditët e sotme përdor teknika kibernetike shumë të sofistikuara për të ekzekutuar operacione inteligjence të sofistikuara. Ai ka planifikuar dhe në disa raste ka ekzekuar sulme kibernetike në shumë vende të botës kundër infrastrukturës kritike, bankave, sistemit financiar, institucioneve qeveritare, etj në vende si SHBA-të, Arabinë Saudite, Bahrein por edhe vendet anëtare të NATO-s përfshirë këtu edhe Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Republikën e Kosovës, por në të njëjtën kohë që nga viti 2010 dhe në vazhdim ka qënë edhe vetë pre e sulmeve të fuqishme kibernetike nga kundërshtarët e tij më të fortë.

Grupet e hakerave të lidhur me Iranin në shumë raste kanë sulmuar institucione shtetërore si në rastin e vendit tonë kundër E-Albania dhe së fundi sipas qeverisë Shqiptare edhe kundër sistemit TIMS, por në disa vende të tjera kanë sulmuar banka, kazino, stacione të rëndësishme elektrike, hidrocentrale, institucione financiare si psh: Bankën e Amerikës, Bankën ‘Chase’, New York Stock Exchange, etj.

Grupet e hakerave që mbështeten nga qeveria e Iranit njihen si APT-33 ose Elfin. Këto grupe në shumë raste bashkëpunojnë me grupet e hakerave që përdoren nga shërbimet sekrete ushtarake ruse GRU, njësia e saj 74455 dhe shërbimin e huja të zbulimit rus SVR, njësitë e luftës kibernetike të Koresë së Veriut por jo vetëm, me qëllim ekzekutimin e sulmeve kundër objektivave të përbashkëta perëndimore veçanërisht atyre Amerikane.

Irani ka ekzekutuar sulme kibernetike të sofistikuara edhe kundër parlamenteve të ndryshme nëpër botë, agjensive qeveritare dhe kompanive të pasura shumë të fuqishme ku po përmend këtu kompaninë e fuqishme saudite ‘Aramco’, duke i shkaktuar humbje të mëdha financiare.

Një fushë tjetër në të cilën Irani ka qënë shumë agresiv, është edhe fushata e dizinformimit kundër platformave dixhitale amerikane në platformat si: Facebbok, YouTube dhe Twitter.

Lufta kibernetike e regjimit iranian drejtohet kryesisht nga komandanti i Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC) Gjeneral Major Hysen Salami, por ka njësi të luftës kibernetike edhe në Ministrinë e Inteligencës dhe të Sigurisë (MOIS) dhe tek forcat e tjera të sigurisë (NAJA). Personi më i lartë që është përgjegjës për luftën kibernetike tek IRGC-ja është Hamit Riza Lashgarian, një asistent profesor në Universitetin ‘Imam Hossein’ në Teheran. Hamiti është njëkohësisht edhe kreu i grupit të inteligjencës 13. Në ekipin e prof Lashgarian janë edhe vëllezërit Muhamed Hysein Shirinkar, Muhamed Bagher Shirinkar dhe dhëndri i tyre Seyyed Mehdi Hashemi Toghroljerdi.

Muhamed Bagher Shirinkari dhe dhëndri i tyre Seyyed Mehdi Hashemi Toghroljerdi janë sanksionuar nga SHBA-të në vitin 2021 me akuzën e përfshirjes së tyre përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Ndërkohë Muhamed Bagher Shirinkar është sanksionuar nga SHBA-të në vitin 2019 me akuzë: “Mbështetjen e tij për njësinë kibernetike të Gardës Revolucionare Iraniane”. Qëndra e luftës kibernetike e Gardës Revolucionare njihet njëkohësisht si baza e luftës kibernetike ‘Ammar’. Organizata e luftës kibernetike ndodhet nën komandën e Organizatës së Inteligjencës të Gardës Revolucionare dhe përbëhet nga 15 anëtarë.

Organizata e luftës kibernetike ndodhet nën komandën e Organizatës së Inteligjencës të Gardës Revolucionare, e cila drejtohet nga Hossein Taebi dhe zëvendësi i tij është gjeneral brigade Hossein Nejat. Kjo qëndër përbëhet nga 15 anëtarë ku mund të përmendim:

Hojjat ol-Islam Alireza Panahian, drejtuesi i organizatave të mendimit universitar tek lideri suprem Ayatollah Ali Khamenei.

Hojjat ol-Islam Mehdi Taebi, profesor universiteti.

Saeed Qasemi, drejtor i Institutit Kulturor në Misagh.

Hojjat ol-Islam Mohammad Mehdi Mangegari, drejtues i bordit të Institutit Kulturor të Martirëve.

Nader Talebzadeh, drejtues dhe prezantues i programit ‘Raz’.

Hassan Abbasi, kryetar i Doktrinës së Sigurisë Pa Kufij.

Mohammad Hossein Rostami, drejtor i bazës së luftës kibernetikë ‘Ammar’.

Personi kryesor që koordinon përpjekjet teknike, logjistike dhe që vepronte me urdhër të liderit suprem Khamenei ka qënë Ministri i Informacionit dhe i Teknologjisë së Komunikaconit Mohammad Javad Ali Jahromi.

Duhet theksuar se pas pushtimit Amerikan të Irakut në vitin 2003, Irani ka rritur ndjeshëm kapacitetet e tij ushtarake, nëpërmjet krijimit të “Boshtit të Rezistencës”, rritjes së arsenalit të raketave balistike, prodhimit të dronëve dhe strategjisë së luftës asimtrike detare të Gjirin e Hormuzit.

Kjo strategji u planifikua dhe zbatua me sukses nga komandanti i forcave speciale Quds gjeneral leitnant Kasem Sulejmani. Në drejtimin dhe mbështetjen e tij, forcat Quds rritën kapacitetet luftarake të Hezbollahut, Hamasit, Xhihadit Islamik Palestinez, Grupeve Paramilitare Shia (PMU) në Irak, duke dërguar disa mijëra raketa përfshirë këtu edhe raketa balistike, shumë dronë luftimi dhe dhjetra milionë dollarë.

Më pas, në momentin kur u rrezikua pushteti i Bashar al-Asadit në Siri, Irani filloi dërgimin e mijëra luftëtarëve të tij nga Garda Ravolucionare, Forcat Kuds, milicitë e Forcave të Mbrojtjes Popullore (NDF) Shia përfshirë këtu edhe luftëtarë të huaj Shia nga Afganistani dhe Pakistani. Mbështetja e Iranit për Sirinë i ka kushtuar qeverisë së tij më shumë se 50 bilionë dollarë dhe mijëra të vrarë.

Edhe në Irak, përfshirja e Iranit ishte vendimtare pasi qeveria e kryeministrit iraken Nuri al-Maliki rrezikohej të rrëzohej nga xhihadistët e ISIS-it. Mbështetja e Forcave Quds për Grupet e Armatosura të Milicive Shia, Peshmergave dhe ushtrisë së Irakut solli largimin e xhihadistëve fillimisht nga Mosuli dhe më pas edhe nga provincat e tjera të Irakut.

Irani është përfshirë shumë aktivisht edhe në mbështetje të rebelimit të Shiave të Jemenit ose siç njihen rebelëve Houthi, të cilët larguan nga vendi në vitin 2015 presidentin e vendit Abed Rabbo Mansour Hadi. Gjatë këtyre viteve, Irani ka mbështetur me raketa balistike, dronë të sofistikuar, mbështetje financiare dhe ekspertizë ushtarake drejtuesit e kryengritjes Houthi.

Pra falë suksesit të strategjisë ushtarake të gjeneral Kasem Sulejmanit dhe zëvendësit të tij Ismail Gani, numri i grupeve militante që veprojnë nën influencën e Iranit në ditët e sotme është më shumë se 200.000 militantë të stërvitur dhe të pajisur, ka rritur arsenalin e raketave balistike, dronëve të zbulimit dhe të sulmit, etj të cilët veprojnë në vende si Gaza, Libani, Siria, Iraku, Jemeni, etj. Për më tepër, Irani ka në dispozicion arsenalin më të madh dhe të sofistikuar të raketave balistike, dronëve të sulmit në rajon dhe kjo për ‘meritë’ të Rusisë, Kinës dhe Koresë së Veriut.

Irani ka të gjitha kapacitetet teknike dhe kibernetike, pasi prej vitesh ka investuar miliarda dollarë në fushën e të ashtuquajturës luftë të parregullt dhe kibernetike, ndërkohë që Shqipëria edhe pse ka filluar të kryejë reformat e duhura në adresë të përballjes me këto kërcënime, ka shumë rrugë të gjatë përpara. Pse e them këtë? Sepse imagjinoni kur sulmohen vende si SHBA-të, Gjermania, Franca, Hollanda, Britania e Madhe, Italia, etj të cilat kanë ekonomi, teknologji, ushtri, diplomaci dhe agjensi inteligjence shumë herë më të fuqishme se ne, kanë investuar shumë në këto fusha dhe përsëri kanë rënë pre e shumë sulmeve kibernetike dhe e vjedhjes së teknologjisë nga vende si Rusia dhe Kina.

Me qëllim realizimin e prioriteve kryesore, njeriu më me influencë në atë kohë ishte gjeneral leitnant Kasem Suleimani, i cili ishte njeriu më i afërt i Ajatollah Ali Kameneit njëkohësisht edhe komandanti i forcave Quds për 23 vite. Thënë kjo, forcat Kuds si komanda që vepron jashtë shtetit i IRGC-së prej vitesh ka marrë në mënyrë efektive kontrollin e politikës së jashtme të regjimit përmes ambasadave dhe personelit të tyre.

Ambasadat e Iranit në Irak, Siri, Liban, Afganistan, Jemen, Bahrein, Shqipëri, Bosnjë dhe Azerbaxhan kanë qënë të përbëra nga personel të forcave Kuds dhe IRGC-së. Në të njëjtën kohë, edhe personeli i ministrisë së jashtme iraniane vepron sipas porosive dhe këshillave të forcave Kuds. Përveç vendeve që përmenda më lart, IRGC-ja ka influencë të madhe edhe në vendet e mëposhtme si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Kuvajti, Bahreini, Omani, Turqia, Rusia dhe Armenia. Në vende si Iraku, Siria dhe Afganistani, ambasadorët e Iranit kanë qënë drejtëpërsëdrejti anëtarë të lartë të forcave Quds dhe miq të ngushtë të Kasem Suleimanit.

Emërimi i ambasadorëve nga forcat Kuds në këto vende, është bërë me qëllim intensifikimin e axhendës për shtrirjen dhe zgjerimin e revolucionit Islamik, njëkohësisht dhe mbikqyrjen e operacionave klandestine duke shfrytëzuar mundësitë e dhëna nga imuniteti diplomatik i ambasadës dhe ambasadori. Që nga koha e pushtimit të Irakut në mars 2003, ambasadori i Iranit në Irak gjithmonë është zgjedhur nga radhët e komandantëve të vjetër të forcave Kuds.

Ambasadori i parë i pasluftës së Teheranit në Irak pas rrëzimit të regjimit të mëparshëm të Sadam Hyseinit, ka qënë gjeneral brigade Hassan Kazemi Qomi. Përpara marrjes së kësaj detyre, ai kishte qënë konsulli kryesor i Iranit në qytetin Herat të Afganistanit.

Në vitin 2011, gjeneral brigade Hassan Danaifar zëvendësoi gjeneral Qomin në këtë detyrë. Gjeneral Danaifari më parë kishte patur detyrën e zv/komandantit të marinës së IRGC-së dhe drejtonte komandën e IRGC-së në Khatam al-Anbia.

Në muajin janar 2017, gjeneral brigade Iraj Masjedi, drejtori i drejtorisë për Irakun në IRGC dhe këshilltar i vjetër i komandantit të forcave Kuds Kasem Suleimani, u emërua ambasador i Iranit në Irak.

Edhe në Siri, ambasadori Mohammad-Reza Ra’uf Ashtiani, mandati i të cilit përfundoi në muajin tetor 2016, ishte i lidhur ngushtë me IRGC-në. Edhe pas largimit të tij, disa komandantë të IRGC-së vazhduan të operojnë në Siri nën mbulesën e statusit të diplomatit.

Këtu mund të përmendim gjeneral brigade Fallahpouri, i cili ishte drejtori i inteligjencës dhe i rrjeteve sekrete të forcave Kuds në Siri dhe kishte status diplomati në ambasadën në Damask, i cili njëkohësisht kontrollonte të gjithë personelin e IRGC-së në Siri. Ndërkohë në këtë ambasadë është i atashuar edhe gjeneralbrigade Alinejad, i cili është atashe ushtarak i Republikës Islamike të Iranit në Siri.

Në muajin korrik të vitit 2018, diplomati i lartë iranian Assadollah Assadi në ambasadën iraniane në Austri, u arrestua në Gjermani me akuzën e planifikimit, drejtimit, mbështetjes financiare dhe logjistike për të ekzekutuar një sulm me bombë kundër takimit që do të organizonte opozita iraniane e Këshillit Kombëtar të Rezistencës (NCRI) në periferi të Parisit në Villepinte.

Në muajin mars të vitit 2018, agjenti iranian i MOIS-it i maskuar si diplomat i Teheranit në Tiranë Mostafa Roudaki, në atë kohë drejtues i stacionit të inteligjencës në ambasadën iraniane në Shqipëri së bashku me ambasadorin përgatitën një kaminë bombë (S-VBIED), e cila ishte planifikuar për përdorej kundër 2500 anëtarëve të MEK-ut në afërsi të Manzës. Ky veprim detyroi qeverinë Shqiptare që në datën 14 dhjetor 2018, të largonte ambasadorin iranian dhe agjentin e MOIS-it Roudaki nga vendi jonë me akuza për terrorizëm.

Në datën 30 tetor të vitit 2018, autoritetet e Danimarkës në bashkëpunim me shërbimet sekrete të Norvegjisë, arrestuan një agjent iraniano-norvegjez i cili po planifikonte vrasjen e një shtetasi nga Danimarka.

Në muajin qershor të vitit 2018, shërbimet e sigurisë së Hollandës larguan nga vendi dy diplomat iranianë për shkak të lidhjeve të tyre me terroristë. Arsyeja ishte vrasja e shtetasit Ahmad Mola Sissi, drejtues i lëvizjes ‘al-Ahvazieh’.

Në datën 16 janar të vitit 2018, me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm Federal të Gjermanisë, forcat speciale gjermane arrestuan 10 agjentë të forcave Quds në disa qytete të Gjermanisë, për shkak të planifikimit të sulmeve terroriste, etj.

Siç e shohim edhe nga këto pak raste të analizuara më lartë, përveç kontrollit të drejtpërdrejtë të ushtruar nga IRGC-ja dhe forcat Quds në shumë ambasada, në shumë prej këtyre misioneve diplomatike oficerët e forcave Kuds janë emëruar si atashe ushtarakë dhe punojnë vetëm për zbatimin e politikave të jashtme të regjimit nën mbulesën diplomatike. Forcat Kuds kanë gjithashtu një njësi aktive të inteligjencës, e cila funksionon paralelisht me ministrinë e inteligjencës së Iranit.

Në këtë linjë, forcat Kuds kanë rrjete të fuqishme inteligjence në të gjithë rajonin. Kjo tregon qartë fuqinë e forcave Kuds dhe IRGC-së në vendimmarrjen politike dhe përplasjen e tyre të vazhdueshme me politikat e Ministrisë së Jashtme të Iranit dhe ministrin e jashtëm Hossein Amir-Abdollahian ose ish ministrin Mohammad Javad Zarif.

Personalisht mendoj se ky vendim ishte vendim i duhur, por në gjykimin tim meqënëse kemi përsëritje të sulmeve kibernetike edhe gjatë ditëve të fundit kundër sistemit TIMS, kjo duhet të bëjë që qeveria jonë të merret më seriozisht me sigurinë kibernetike në vend dhe ky është rasti që Shqipëria së bashku me Republikën e Kosovës të bëjnë një investim të përbashkët në këtë fushë. Është fat i madh që kemi një aleancë të shkëlqyer me aleatin strategjik SHBA-të por jo vetëm, i cili mundëson asistencë, mbrojtje dhe monitorim në kohë rekord.

Shqipëria edhe pse realisht po investon në këtë fushë, duhet të bëjë shumë më tepër sesa propagandë, duke investuar fillimisht tek personeli dhe më pas tek teknologjia. Është bërë zakon që shumica e njerëzve më të aftë profesionalisht hiqen nga puna me akuza qesharake dhe të palogjikshme, duke i bërë dëm të madh buxhetit dhe njëkohësisht edhe sigurisë kombëtare. Qeveria shqiptare duhet të heqë dorë një herë e mirë nga emërimi në detyra të rëndësishme të militantëve partiakë.

Si përfundim, në lidhje me sigurinë kombëtare mendoj se ka një angazhim serioz të të gjitha agjensive të sigurisë në vendin tonë së bashku me agjensitë e zbatimit të ligjit, forcat e armatosura por jo vetëm, të cilat janë mobilizuar në maksimum për të zbatuar misionin e tyre kushtetues. Në rast përshkallëzimi të situatës, vendi jonë ka një bashkëpunim në kohë rekord me vendet e tjera perëndimore, të cilët në çdo moment mund të bëjnë të mundur marrjen e masave dhe përballjen me sukses me këto kërcënime.

Filed Under: Opinion

Çfarë sjell Viti i Ri -Pagat minimale rriten më 1 janar

December 29, 2023 by s p

Përktheu Rafael Floqi/

Punëtorët me pagë minimale në 22 shtete do të shohin më shumë para në pagat e tyre në vitin e ri.

Këto rritje do të prekin rreth 9.9 milionë punëtorë, sipas Institutit të Politikave Ekonomike (EPI), i cili vlerëson se këto paga të rritura do të shtojnë një pagë shtesë prej 6.95 miliardë dollarësh.

Përveç këtyre 22 shteteve, 38 qytete dhe qarqe do të rrisin gjithashtu pagat e tyre minimale mbi minimumet shtetërore më 1 janar.

Sipas Departamentit të Punës, 20 shtete do të ruajnë pagën minimale federale prej 7,25 dollarësh në orë.

Dhe sipas EPI, nga 17.6 milionë punëtorë që fitojnë më pak se 15 dollarë në orë, gati gjysma jetojnë në ato 20 shtete që vazhdojnë t’i përmbahen pagës minimale federale – e cila nuk ka ndryshuar që nga viti 2009.

Megjithatë, kostoja e jetesës është rritur shumë.

Sipas indeksit të çmimeve të konsumit të Byrosë së Statistikave të Punës, një dollar në vitin 2023 mund të blejë afërsisht 70% të asaj që mund të blinte në vitin 2009.

Dhe gjatë vitit të kaluar, inflacioni dhe kostoja në rritje e pothuajse çdo gjëje – nga banesat te sendet ushqimore – ka detyruar shumë amerikanë të shterojnë kursimet e tyre dhe të shkojnë më thellë në borxhe.

Ndërsa ekonomia e SHBA-së po provon të jetë e fuqishme për sa i përket shitjeve me pakicë, numrit të lartë të vendeve të punës dhe një norme të ngadalësuar të inflacionit, ata që fitojnë pagë minimale e kanë pasur më të vështirë të paguajnë qiranë dhe të blejnë mallra shtëpiake thelbësore, duke përfshirë sende ushqimore.

Sipas të dhënave të EPI, afro 58% e punëtorëve që do të përfitojnë nga rritja e ardhshme e pagave janë gra. Nëntë për qind janë me ngjyrë dhe gati 38 për qind janë hispanikë.

Mbi një e katërta e atyre që do të përfitojnë nga rritja e pagave janë prindër, gjë që mund të sjellë një ndryshim të rëndësishëm në standardet e tyre të jetesës, duke qenë se gati 20% e punëtorëve që përfitojnë pagë minimale kanë aktualisht të ardhura nën kufirin e varfërisë.

Së fundmi, demokratët e Senatit prezantuan Aktin e Rritjes së Pagave të vitit 2023 në korrik. Nëse miratohet, do të rriste gradualisht pagën minimale federale në 17 dollarë në orë deri në vitin 2028.

Filed Under: Ekonomi

Vdes i vetmuar në shtëpi Dick Marty, Sllobodani i dytë i Kombit tim

December 29, 2023 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Lajmin e vdekjes e ka përhapur Partia Radikale e qendrës së djathtë që Dick-u e kishte në thelb të zemrës së tij. Ata shkruan për ish senatorin dhe prokurorin zviceran Dick Marty i cili vdiq sot në moshën 78-vjeçare.

Sllobodan Milloshevici i dytë, armiku i Kombit tim, Dick Marty, në bashkëpunim me Rusinë dhe Serbinë punuan fort për ta çuar UÇK-në në Hagë, ta paraqesnin si luftë kriminale.

Rusia ne bashkëpunim me këlyshët e Sllobodanit përgatitën raportin më kriminal kundër UÇK-së dhe u përshendetën nga presidenti i Serbisë: Boris Tadiç. Boris Tadiç ish presidenti I Serbisë i cili shërbeu për 8 vite 2004-2012 ka deklaruar se pas publikimit të raportit të Dick Martit, problemi i Kosovës do të shihet nga një prizm tjetër nga ndërkombëtarët.

Merreni me mend se çfarë lufte dhe çfarë krimi kreu Sllobodani i dytë pas lirisë së Kosovës, ndërsa bossi i tij Hitleri i Ballkanit e kreu me shpopullimin e Kosovës, vrasjet makabre, zhdukjen, rrëmbimet, këlyshi i tij e kreu duke shfrytëzuar podiumet nëpër Europë si anëtar i Këshillit të Europës.

Ja c’thotë ish ambasadori i Serbisë në Zvicër Milan St Protiq në “Televizionin Serb Happy” ai miraton se raporti i Dick Martin është i hartuar me dokumentat e Prokurorisë së Serbisë që ata i konsiderojnë si Prova. Protiq konfirmon se pjesa më e madhe e provave materiale të raportit të Dick Marty janë mbledhur nga prokuroria e Serbisë.

13 vite kishte që luftonte kundër Kombit tim, 13 vite nëpër podiume që bombardonte Kosovën dhe Kombin tim, 13 vite bëri për vehte dhe ca gjakprishur. Së fundi vdiq i vetmuar, por vezët e gjarprit i ka lënë nëpër kancelaritë europiane, nëpër djajtë e shqiptarëve, i ka lënë në folezat e helmëta që duhet të shkatërrohen me drejtësi, me Luftën e drejtë Çlirimtare që bëri Kosova kundër kasapit të ballkanit.

Të vaftë shpirti në hell! Monstrat atje e kanë folenë bashkë me Atin e krimit, hitlerin e ballkanit sllobodan milloshevic.

28 Dhjetor, 2023

Staten Island, New York

Filed Under: Analiza

ASPAK KEQARDHJE PËR VDEKJEN E TIJ

December 29, 2023 by s p

Ne shqiptrët e kemi zakon që nuk flasim keq për njeriun i cili largohet nga kjo jetë. Po ashtu ne kurrë nuk dhunojmë varret e askujt, qofshin ato edhe të armiqve tanë. Në kundërshtim me sa më lart unë sot kur mora vesh nga media se: u largu nga kjo jetë politikani zvicerian Dick Marty, thashë me zë të lartë ”shkoftë në ferr”. Vajzat dhe mbesa, shumë të habitura më thanë se një gjë të tillë nuk e kishin dëgjuar kurrë nga goja juaj. Ju kërkova falje, duke u shpieguar psenë e këtij “mallkim”?

Dick Marty ka lindur më 7 janar 1945 dhe vdiq më 28 dhjetor 2023. Ai në karjerën e tij ka punuar në disa profesione si: profesor në universitet zviceriane, administrator, avokat etj. Në 1998 u zgjodh antar i Këshillit Europian, ku më 14 dhjetor 2010, paraqiti në këtë Këshill një raportë me shpifje shumë të ulta për UCK-në dhe disa personalitete të saj (përfshi dhe Hashim Thacin). Shpifjet pothuaj ishin marrë të gjitha nga shërbimet sekrete serbe ku akuzonin UCK-në dhe drejtuesit e saj se kanë kryer rrëmbime, arrestime, burgosje të paligjëshme, e vrasje me qëllim marrjen dhe trafikimin e organeve njerzore. Madje Marty tha se edhe Shqipëria është implikuar në këto trafikime duke përmendur të ashtu quajturën “shtëpia e verdhë” në një fshat të Matit.

Por, pas verefikimeve të hollësishme ndërkombëtare, doli se jo vetëm Shqipëria nuk ishte e përfshirë në një skandal të tillë të marrjes dhe trafikimit të organeve njerzore, por pohimet e Dick Marty ishin tërësisht false dhe trillime të agjenturës sekrete serbe.

Mbi bazën e këryre trillimeve (dhe të një efekti ndërkombëtar të këtij raporti) u krijua e ashtuquajtura Gjykatë Speciale (gjoja e Kosovës ) me seli në Hagë. Në dhomat e kësaj gjykate janë katër nga drejtuesit kryesor të UCK-së edhe sot pa asnjë argument ligjor. Madje problem i trafikimit organeve nuk është zënë më me gojë, se dukshëm ishte trillim keqdashën duke hedhur baltë mbi luftën e UCK-së e cila ishte nga më të pastërtat e luftrave të shqiptarve.

Në këtë fund viti të 2023-shit Dick Marty u largu nga kjo jetë (ndjesë, por me gjithë shpirtë uroj që në ferr shkoftë). Shqiptarët, në trojet etnike e në diasporë, shpresoj se do ta mirpresim e festojnë gëzueshëm me familjarët e tyre vitin e ri 2024. Por ndiejmë keqardhje se katër udhëheqësit e UCK-së janë pa drejtësisht në birucata e Hagës. Se familjarët e tyre, kolegët, bashkpuntorët, miqt e dashamirët, nuk e gëzojnë natën e ndërimit të viteve me gjithë komponentët e saj.

Urojmë që kjo ndotësi e përhapur nga Dick Marty, të marrë fund sa më parë dhe ata të shkojnë pranë familjarëve të tyre. Pikpamjet tona politike janë të ndryshme, por shqiptaria është një.

ASLLAN BUSHATI

NY, 29 dhjetor 2023.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT