• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2024

#SiSot, më 20 janar 2010, vdiq shqipëruesi i “Komedisë Hyjnore”, Pashk Gjeçi

January 20, 2024 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Ndoqi shkollën dhe gjimnazin jezuit në vendlindje, në Shkodër, ku mësoi italishten, greqishten e vjetër dhe latinishten. Qysh se ishte nxënës, Gjeçi sprovoi penën duke përkthyer disa poezi të poetit italian Xhakomo Leopardi. Në vitin 1938, me gjysmë burse të mbuluar nga qeveria e kohës, nisi studimet e larta në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë në Romë. Më 15 korrik të vitit 1942, mori titullin “Doktor” në letërsi.

Pas kthimit në atdhe, më 4 shtator 1947, u ndalua me akuzën “pjesëmarrje në grup kundër pushtetit”. Shoqërimi me profesor Ernest Koliqin i la gjurmë të pashlyeshme në kujtesë, edhe pse do t’i kushtonte 5 vjet burg nga regjimi komunist. Pas lirimit, u transferua në Fushë Krujë, ku punoi i përkushtuar për përkthimin e kryeveprës “Komedia Hyjnore”. Menjëherë pas botimit të “Komedisë Hyjnore” të Dantes, nisi të përkthente një tjetër klasik të letërsisë botërore, “Odisenë” e Homerit. Shqipërimin e përsosi edhe më me “Fausti”-n e Gëtes dhe “Hamleti”-n e Shekspirit.

Shoqata italiane “Dante Alighieri” në vitet ’70 e vlerësoi ndërkombëtarisht shqipërimin e Gjeçit, si njërin ndër tre përkthimet më të mira në botë të “Komedise Hyjnore”. Për përkthimin e Dantes, Gjeçi u dekorua nga Presidenti Italian Çampi më 2004 me titullin “Ordine della stella, della solidarietà italiana”.

Bashkëlidhur, një artikull përkujtimor i Gjeçit me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

Filed Under: Kulture

DRAMA E ETËRVE DHE NJË LETËR PRESIDENTIT AMERIKAN…                                                

January 20, 2024 by s p

– Po ai triptik në 104 vjetorin e Kongresit të Lushnjës –

Nga Visar Zhiti

Kongresi i Lushnjës është një dramë e madhe në skenën e Shqipërisë, një triumf kombëtar, ndërkaq dhe për këtë ka një dramë tjetër, të shkruar po në Lushnjë, që mbart atë frymë e kohë dhe atë udhëkryq në historinë së re, ku shqiptarët ditën të ecnin. 

1- KUVENDI SHPËTIMTAR

Nisi në 21 janar 1920, pra 8 mote pas shpalljes së mëvetësisë nga perandoria otomane… Në Lushnjën e vogël u mblodh një kuvend mbarëkombëtar, u arrit “Pavarësia e dytë”, pra, ruajtja e atdheut nga një copëzim tjetër fatal e përfundimtar, bë histori kombëtare, që të vazhdonte historia e Shqipërisë.

Gjëndja, kur do të mbahej Kongresi jetik, ishte dramatikisht e rëndë, plot me rreziqe, përçarje dhe varfëri, e paqartë brenda; kurse jashtë, rrëmujë ndërballkanike, ende nxinin gërmadhat dhe plagët e Luftës së Parë Botërore, ndërsa kërcënimet shtoheshin për ta zhbërë Shqipërinë… 

Ndërgjegjia e kombit dha kushtrimin skenderbejan. Përfaqësues, të përzgjedhur apo të vetëcaktuar, se nuk kishte kohë, nga të gjitha trevat, kush e ndjente e mundëte nga paria, nga ata që kishin bërë emër, kryengritës a nëpunësa, që kishin qenë në Vlorë në ngritjen e Flamurit, që kishin punuar në perandorinë otomane apo kishin studiuar nëpër Europë, që kishin mërguar deri në Amerikë, nga ata që kishin sakrifikuar për vendin, duke lenë pasuri dhe gjak, u nisën për në Lushnjë, me ndonjë makinë, nga ato të paktat që ishin atëhere, të ngadalta gati sa qerret, me kuaj, në këmbë, me flatra, me ëndrra, kaptonin male, çanin borën dhe baltën e dimrit, rreziqet e natës ballkanike, nëpër shtigjet ku mund të gjendeshe befas mes ushtrive të huaja, që hazdisnin trojeve tona.

Qeveria heroike dhe hallemadhe e Ismail Qemalit ishte shprishur. “Të mblidhemi në Lushnjë!” ishte thirrja. E si u lajmëruan shqiptarët të mblidheshn në Lushnjë? Si u përcoll lajmi në vendin më të varfër në Europë, ku mungonin postat, çentralet, trenat, institucionet, universitetet, kuvendi, shteti vetë? Si shkoi lajmi nëpër erë, fushëtirave dhe kaptoi luginat e malet si në balada, me ç’lajmëtarë?

Dh era dëshmori i parë, Abdyl Ypi. Por u bashkuan burrat, të palodhur nga lodhjet. Teksa i priste një lodhje tjetër madhështore, duhej kapërcyer. Urdhër i historisë. S’i caktoi kush delegatë, veçse ndjenë thirrjen e brendshme, vinte nga shekujt, nga thellësitë e katakombeve të Kombit, të ndërgjegjeve dhe përgjegjësive. Pa vota dhe emërime, pa e blerë besimin, vazhdo b:emat e nisura, përkushtimin, pasionin, atdhedashurinë… 

U mblodhën si “oligarki morale”, jo për të bërë pasuri, por përkundrazi, duke lënë nga e tyrja, veç “të bënin Shqipëri”, siç po buçiste kjo këngë atëhere.

U mblodhën në Lushnjën, që ende ngjante me një katund, në sarajin më të shquar, atë të Fugajve. Qëllimi ishte jo vetëm të gjykonin kohën, por të vendosnin se ç’duhej bërë në ato rrethana të rënda e me rrezikun e përbashkët mbi krye, halli i Shqipërisë dhe duhej të vepronin menjëherë, me qendresë e guxim, me diplomacy e mençuri, edhe me luftë, duheshin bërë sërish gati. 

A kemi që na duan të mirën? Nga shtetet në Europë e më përtej? Duheshin përcaktuar aleatët përreth e deri përtej oqeanit, ku të ishin, pra ata që do të mund të ndihmonin në shpëtimin e Vëndit. Se gjysma e trojeve ishte shkulur… Po të mbahej dhe të mbrohej ajo që kishte mbetur mëma Shqipëri. 

Ku t’i gjenin forcat që të siguronin mbrojtjen e Kongresit? Një emër po dëgjohej gjithandej, Sulë Zdrava me luftëtarët e tij, po me atë pushkë që kishte qenë dhe në Rrethimin e Shkodrës, që kishte mbrojtur Beratin nga andantët grekë…

Në 10 ditët e punimeve të tij, Kongresi i Lushnjës çuditërisht ishte fare i qartë dhe i vendoaur: ribëri shtetin shqiptar, Qeverinë dhe Kryeministrin, Institucionet dhe detyrat,ideale u bënë program dhe veprim. U caktua kryeqyteti: Tirana. Shqipëria po shpëtonte sërish. Mrekullia po arrihej. Nga ai kushtrim që vinte nga legjendat dhe fushëbetejat, nga kullat e varret, nga pragjet e brigjet,  frynte e ardhmja… 

Dhe duket se ka mbi një shekull që ecin delegatët e atij kuvendi, mbërrijnë në ditët tona, ndërsa parlamentit dhe qeverive të tanishme u del si detyrë jo vetëm që t’i njohin dhe t’i përkujtojnë, jo thjeshtë si histori, por si përvojë e mësime, frymë e frymëzime. 

Ta kthejmë Shtëpinë e madhe të Kongresit në Lushnjë në tempull të patriotizmit, ku të bëjnë pelegrinazh gjeneratat e reja… 

Kongresi i Lushnjes (1920) - Ngjarje e Madhe Historike

                    Delegat:e të Kongresit të Lushnjes (1920)

2- LETËR NGA LUSHNJA NË WASHINTON

         Duket e çuditëshme! Si fantazi. Po ja që ndodhi… Kryetari i Katundarisë së Lushnjës, kështu quhej ajo pozitë, gati një muaj pas mbarimit të Kongresit, më 17.3.1920, dërgon një letër. Nga ku? Nga balta e halleve, nga Ballkani, nga vendi më i vogël, që po vuante më shumë, s’e linin të ishte vend, nga Lushnja buz:e kënetës. Dhe ku donin ta çonin letrën? Në Washington. Në Washington, po kujt? Presidentit të SHBA-së, Wilsonit. E habitshme! Sa e bukur! Sa largpamëse! Të thuash aventurë? Lushnja përzgjedh shpëtimtarin, aleatin e Shqipërisë. Si e gjetën? Ç’letër të mrekullueshme e të qartë që bënë, të sinqertë, me fjalë të zgjedhura, të shkoqitura mirë, ndjeshëm, pa ato stërhollimet kancelareske e dinake, të urtë, me dije… sa vizionare për të ardhmen! 

Gjyshërit tanë do jenë mbledhur rreth atij që po bënte letrën. Me çfarë shkruante, me pëndë pate? Lushnja kishte pata plot, të bardha si ogur. A kishte makinë shkrimi? “Frëngu” e kishte shpikur. Cili ishte që i thoshte fjalët i pari, me zë? Të tjerët ndërhynin: shto këtë, këtë hiqe, po si t’i drejtoheshin Presidentit? Kujdes këtu, mos e zgjat shumë llafin, “e lale, se ish më i madhi i botës ai, rej, opo qy ë”, etj, etj. I kërkonin atij, Amerikës, njohje të Shqipërisë, mbështetje dhe ndalim të planeve cmirzeza të copëtimit të mëtejshëm. Ia kishin kërkuar vetes më parë dhe ishin gati të linin dhe jetën…

  Letra është e shkruar shqip, sigurisht, po kush e përktheu në anglisht? Gjendet në Arkivin e Shtetit, e transkriptuar më pas, mbase, E shkurtër si porositë në luftë. E vetëdijshme. Historike dhe me histori brenda. Q:e thërriste të ardhmen. 

Duhet bërë e njohur kjo letër sa më shumë. Meriton vëmendjen e mëtejshme të studiuesve, të konferencave, të parlamentit, të lidershopit, të politikës kombëtare në përgjithësi dhe të kuptojë aty të  të sintetizuara strategjinë  dhe taktikat në veprim… Orientimi i drejtë i shqiptarëve mes atij kaosi drejt SHBA-së ndrit si Yll Polar. Ndjesia e fuqishme e atdhedashurisë, Shqipëria quhet Mëmë dhe dhimbja therëse për Kosovën dhe Çamërinë, për tokën dhe detin, alarm dinjitoz për të mos na copërluar edhe më. Ndjehen thikat… Ja, teksti i plotë I letrës, pa asnjë ndryshim dhe në drejtshkrim. Me një shqipe të qarta si e njësuar me të folursës e përbashkët. Shëmbullore si letër!

Shkëlqesisë së Tij Wilson, kryetar t’Amerikes

i Shteteve të Bashkuem Vashington.

Shqiptarët që kanë mbështun tanë shpresat e gjallnisë mbi shtyllën apostole të parimevet fisnike të Sh. S’Uaj, sot iu luten të të pranoni falenderjet e paraqituna përkundrejt zanit të nalt e mëshir madh që jeni tye kryer për shpërtimin e atdheut tyne.

I nalti kryetar, shpëtoni nji popull që asht m’i Vjetri në Ballkan e që ka drejtu vështrimet e shpëtimit t’Ekselenca Juaj dhe mo i lini me derdhë gjakun e me vdek përpara lakmimevet imperialiste të fqinjëvet veç sigurimin e kufijvet 1913-es, ju lutem me fuqinë e shpirtit mos pëlqeni as pak krasitje të pa arsyeshme si mbi Kosovë e Çamëri, mbi kufite natyrale ethnografike të sh. s’uej nuk munde me kjen të ndara nga Mëma e tyre Shqipni.

Ju lutemi në emër të popullit pranoni nderimet tona krejt besnike. 

Kryetari Katundaris së Lushnjës

                                                    Lushnjë, më 17.3.1920

     https://www.voal.ch/wp-content/uploads/2019/01/wilsoni-1.jpg                                             Presidenti i SHBA, Wilson

http://3.bp.blogspot.com/-BSkYHQzLj6Q/UP2yJVnF5fI/AAAAAAAAHD8/iMRB71URTdg/s1600/Letra.jpg

                               Letra e Lushnjes për Presidentin e SHBA

Po si ia çuan atë letër historike Presidentit Wilson? Kujt ia dhanë, nga ç’shtet ai nisën apo besonin se dorazi do të ishte më mirë? 

Po ç’donte të thoshte ‘Kryetar i Katundarisë’? A, qenka Kryetari i atëhershëm i Bashkisë, zoti Besim Nuri. Mes atij analfabetizmi të madh, varfërisë e malarjes e trallisjes kombëtare, si iu arrit kësaj largpamësie, me ç’mister dhe ç’engjëll mbrojtës që po i printe? 

Le të shohim një nga kronikat e kohës, shih, ç’thuhet: 

 “…në fillim të vitit 1920, Wilsoni i irrituar refuzoi ta pranonte propozimin britanik, francez e italian për ndarjen e Shqipërisë në tri pjesë: Jugosllavia do të merrte veriun, Greqia jugun, kurse italianët do të kishin mandatin për ta qeverisur një shtet të vogël shqiptar që do të mbeste pas kësaj rrudhjeje. Vlora do të bëhej pjesë e Italisë. Britanikët dhe francezët po përpiqeshin ta arsyetonin planin e tyre duke thënë që ‘populli shqiptar kurrë s’ka qenë në gjendje ta themelojë një qeveri të veten’. Wilsoni fuqishëm refuzoi, siç tha vetë ai, ‘padrejtësinë’ ndaj popullit shqiptar.” 

Ai prej njerëzve vlerësohet që vetë i dha fund idesë së ndarjes dhe një mandate italiane që ka qenë në zemër të negociatave në Versajë. Bile edhe në atë kohë, përfaqësuesi i Qeverisë së Përkohshme Shqiptare në Shtetet e Bashkuara, shkruante në gazetën “New York Times” të 11 marsit: “Shpëtimi i vendit tim i mbetet borxh tërësisht veprimit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara.”

Në Tiranë, në kryeqytetin që caktoi Lushnja, kur vendi u hap dhe mori udhën e demokratizimit, u ngrit shtatorja e Presidentit Wilson në sheshin që iu dha emri i tij në 2012, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, por po në atë bronz meriton të derdhet dhe kjo letër-institucion dhe të vihet si memorial në Lushnjë, në sheshin para Bashkisë a para Shtëpisë së Kongresit, në Muzeun Kombëtar në Tiranë, në Parlamentin Shqiptar. Në kujtes:e, në ndërgjegje. Dhe të bëhen kongrese për Kongresin e Lushnjës.

3- DRAMA ME FRYMËN  KONGRESIT

Hekuran Zhiti - Autor i Drames
https://b3c4r2f7.stackpathcdn.com/18637-thickbox_default/te-mblidhemi-ne-lushnje.jpg

       Dramturgu dhe aktori Hekuran Zhiti dhe drama për Kongresin e Lushnjes

  “Të mblidhemi në Lushnjë” u shkruajt nga aktori dhe dramaturgu Hekuran Zhiti në Lushnjë, në një dhomë të vogël në një apartament modest, që është dhe sot, kur do të festohej 50 vjetori i Kongresit dhe donin një dramë që ta vinin në skenë…

  Të tre aktete e dramës ndodhin në Lushnjë dhe nis me personazhe vendas, të trilluar dhe realë si Vath Plugu dhe Xha Bami i Haxhiajve, Bajrami korrier i Kongresit dhe kulmon me delegatët, përfaqësues të krahinave të vendit, me figura historike si Sheh Karbunara, Plaku i Butkës, Delagati i Matit, më i riu që bëhet minister e brendshëm e deri te Kryetari i Kongresit, Elbasan Pasha, kështu quhet në dramë, etj. Milicë shqiptarë e ushtri të huaja aty, ushtarë e oficerë italianë, ndokush filogrek, etj, etj. Si një mister në dramë ndjehet mbështetja amerikane, fryn si një fllad shpresëdhënës. Fundi i dramës është një magjistrale patriotike. Çahet rrethimi për të mbërritur në kryeqytetin e ri, në Tiranë, për të shkuar në ardhmëri…

Drama “Të mblidhemi në Lushnje” u botua vonë, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit dhe u ribotua me rastin e 100 vjetorit të Kongresit të Lushnjës nga editori “Uegen”, shoqëruar me një studim nga botuesi, historiani Xhevair Lleshi. Në gjimnazin e Lushnjës nxënësit e vunë në skenë dramën dhe priten skena të tjera të mëdha. 

Si një vazhdim plot emocion, po sjellim këtu pak nga fryma e dramës, nga akti i tretë dhe i fundit.

Në Kongres:

(Salla me 10 ose 12 sërë karrikesh. Në krye një tryezë e madhe, në anë të saj një flamur kombëtar me shtizë dhe një portret i Skënderbeut në njërën dhe i Ismail Qemalit në anën tjetër. Kongresistët, disa me veshje karakteristike të Veriut dhe të Jugut dhe disa me kostume europiane, barsolina e gravata e çanta, janë shpërnarë në grupe, dy e nga tre, duke biseduar…

Lushnjarë e bashkë me ta e të tjerë të armatosur, Vathi, Bajrami, Vrenozi, Thimiu, etj., si roje rrinë pak larg, hyjnë dhe dalin.

Zëra:

– …kam ardh mes borës, ujqve dhe ushtrisë serbe…

– E madhe shtëpia… e mblodhi Shqipërinë…

– …nuk kanë mbrritë të gjithë…

– …ku ishit mbrëmë?

– Këtu afër. Na kanë pritur me këngë. Këndonin me rradhé dhe dilnin bënin roje me pushkë jashtë shtépisé…

– …kush e kishte Korçën, grekërit apo fracezët?

– Francezët për grekërit…

– Shiko Plakun e Butkës… legjendarin…

– … sa kohë që s’jemi parë? Qysh në Vlorë,

– …atë ditë kur u ngrit flamuri…

– A fillojmë, burra? Koha nuk pret…

– I përndershmi Sheh Karbunara do t’i bëjë një lutje Zotit, që të na bekojë… ogur i mirë… në mbrojtje nga të papriturat e shumta… ka kaq trazira…

(Të gjithë pa lëvizur nga vendi ngrijnë në heshtje dhe secili, sipas menyrës së vet, luten, dikush me kokën lart, me duart e bashkuara, me kryet ulur, ndonjë gjunjëzohet, mërmërisin, etj., në mes tyre Sheh Karbunara i statujtë duke krijuar kështu një si grup skulpturor sugjestionues, suprem…

-Përfaqësuesi i Lushnjës ta marrë fjalën… Zoti Vokopola nise…

Përfaqësuesi i Lushnjës – Në emër të Prefekturës së Lushnjës, Beratit e Skraparit ju uroj mirëseardhjen në Kongres. Nuk jemi këtu vetëm në shtëpinë e mikut tonë bujar, lushnjarit të nderuar Kaso Fuga, por dhe brenda mureve të historisë. Po nisim një betejë, sot më 21 Janar 1920, e mërkurë, që nuk do të harrohet, e ndjej… (emocionohet) Zini vendet… në këtë sallë… por dhe në ngjarjet që na presin…

Ia jap fjalën patriotit të flaktë, veprimtarit të palodhur kundër pushtimit otoman, mbështetësi kryesor i Ismail Qemalit, ministër në qeverinë e parë, Elbasan Pashës, i zbardhur në përpjekjet për çështjet e më mëdheut. Urdhëroni!

Elbasan Pasha (I moshuar, me pak mjekërr të bardhë, i hollë, i thatë, me kravatë e qylaf, me zë të ngadaltë e pak të ngjirur.) Të dashur qytetarë, delegatë nga i gjithë vendi, ju që keni ardhur dhe ata që nuk kanë arritur ende, por dhe ata që nuk do të vijnë dot kurrë se janë vrarë për ideal, (duartrokitje të forta), luftëtarë, burra që më bëtë nderin ta çel këtë kuvend, vazhdim i atij të Lezhës me Skënderbeun dhe i atij të Prizrenit me Abdyl Frashërin me shokë, duke ju falenderuar me shpirt, shpall të hapura punimet. Së bashku të hapim udhën që do të ndjekim. Nëpër vazhdën e gjakut do të shkojmë ku na e do zemra e plasur që të arrijmë te ëndrra, atje ku na e do puna, sipas amanetit të të parave. Shqipëria është bërë një herë dhe nuk ka pse zhbëhet!

Duartrokitje.

Zotërinj, jeni të lodhur, e di, keni ardhur rrugë e pa rrugë, mespërmes pushtonjësve të Shqipërisë, kjo na ka vrarë më shumë se sa të tatëpjetat e shtigjet e humnerat, se nata me erë e bora, kemi ecur me mjete që prisheshin, kështu e lanë atdheun tonë, me karroca e kuaj e më këmbë, po u shplodhëm që gjetmë sho-shoqin e do të bëhemi me flatra kur të gjejmë dritën që na duhet.

Kam kërkesën që të nderojmë dëshmorin e kësaj ideje, bashkëpunëtorin tonë të ngushtë, Abdyl Ypin, që e vranë ca ditë më parë për të mos qënë këtu ai dhe të gjithë ne e ky Kongres të mos mbahej. Nëpërmjet tij duam të përulemi para gjithë të rënëve dhe martirëve të Kombit…

Të gjithë ngrihen më këmbë. Heshtje e thellë…

Pas përfundimit të Kongresit të Lushnjes

Kryetar (i porsazgjedhur) – Të vazhdojmë më tej… të formojmë komisionet, që tani, të ndahen përfaqësonjësit në grupe dhe… Po emërojmë Sekretarin e Kuvendit, zotin Vokopola dhe për të këqyrur letërpërfaqësimet e delegatëve, pra një komision të posaçëm prej 5 vetash… Hë, të presim… për të mos pritur…

Delegati i Matit – (ngrihet) Unë jam për sulm, i përndershmi Sheh!

Zëra – Me shka, me çfarë?

Delegati i Matit  – Me armën e diplomacisë, me diplomacinë e armëve.

Delegati i IV – Konkretisht: burra, gra, djem e pleq, me spata e me hunj, me armët që kemi, të përzëmë armiqtë nga toka jonë. Të hedhim si leckë qeverinë e sotme, që nuk bën për sot. (Duartrokitje)

Kryetari – Traktatin e Fshehtë të Londrës… Kongresi e hedh poshtë me vendosmëri duke përgatitur një protestë energjike për Konferencën e Parisit.

Kjo bëhet në emër të Asamblesë së Kombit në Lushnjë, kundra vendimeve të Francës, Anglisë, Italisë për copëtimin e Shqipërisë ndërmjet Italisë, Greqisë, Sërbisë e Malit të Zi. Rezolutën, na vjen një kërkesë, përfundoje kështu (lexon): Shqiptarët janë gati të bëjnë çdo lloj sakrifice dhe me e derdh pikën e fundit të gjakut të tyre kundra çdo veprimi, që mundet me vue në rrezik pamvarësinë dhe tërësinë e saj tokësore…

Ndizen drita ngadalë, salla e kuvendit, përfaqëuesit nëpër vende, kongresi vazhdon punën…

Sheh Karbunara – Të tregojmë që dimë të qeverisim. Shteti i pavarur shqiptar është realitet. Kështu kanë bërë dhe disa shtetet të tjera të robëruara, zotërinj, kështu Çekosllovakia, Finlanda, Polonia, Lituania… Edhe ne. Shtet i vjetër, qeveri e re!

Rojet e Armatosura – Rroftë Qeveria e re!… (Duartrokitje)

Nënkryetari – Të përgatiten tekstet që do t’i dorëzohen Konferencës së Paqes në Paris dhe Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sugjerime!

Plaku i Butkës – T’i drejtohemi Parlamentit italian, por jo me ton të butë, kështu m’u duk se dégjova, me lal e me lule ose me tryla si thotë myzeqari. Me spatët dardharit siç e përdorin nga Korça…

Përfaqësuesi i Matit – Shkronjat duhet të bjenë erë barut!….

Vrenozi – Zoti ka urdhëruar këtë Kongres për të shpëtuar Shqipërinë.

Delegati IV – Populli është mbret vetë dhe s’ka nevojë për mbretër, sulltanë e perandorë.

Kryetari – Të gjykojmë situatën ku ndodhemi.

Delegati II – Kongresi do përballet dhe do krijojë situatë vetë. Ne na shkon republika, republika, zotërinj dhe asgjë tjetër.

Zëra: republikë, po, po republikë… THOMAJ- Mbështetur nga shumë pëlqime, mendoj të kemi kryeministër zotin Sulejman Delvina.

Delegati I – Tani ai ndodhet jashtë shtetit, në Konferencën e Parisit, pra askush këtu nuk mendoi tjetrin pranë a vetveten.

Delegati II– Gjithmonë më i mirë është ai që mungon… (Të qeshura)

Kryetari – S’është ashtu gjithmonë. Ne i dimë vlerat e mëdha të zotit Delvina, rrjedh nga një familje ndër më të njohura dhe më të famshme në të gjithë Jugun. Ka kryer gjimnazin e Janinës dhe mandej në Stamboll. Fakultetin e Mylqijes në kryeqendrën e Perandorisë Osmane dhe pas marrjes së diplomës, siç e dini, ai u caktua menjëherë atasheut në Ministrinë e Brendshme të Turqisë dhe më pas si sekretar në zyrën e dekreteve të Kryeministrisë. Po në ato vite, ai shërbeu si profesor i literaturës në Gallata Saraj, etj. Në Bibliotekë gjithmonë e gjeje me libra francezë, të kulturës dhe shkencës perëndimore, dihen dhe interesi i tij e adhurimi dhe mirënjohja për Amerikën…

Delegati II- Ai të vijë sa më shpejt.

Ministër i Punëve të Mbrendshme Delegatin e Matit, Zogun e maleve, trimin 25 vjeçar… po, po…

Ministër i Punëve të Jashtme z. Mehmet Bej Konica…

Ministër i Arsimit z. Sotir Peci…

Ministër i Drejtësisë z. Hoxhë Kadri Prizrenin… Zëvendës z. Hysen Bej Virjoni… Ministër Finance Z. Ndoc Çoba… Zëvendës z. Idhomen Kosturi…

Votohen. Duartrokitje…

Kryetari – Tani nuk na mbetet gjë tjetër, veç të bëjë betimin Këshilli i Naltë dhe Qeveria e re dhe të gjithë delegatët për ato që marrim përsipër. (Heq flamurin me shtizë e del para tavolinës duke e mbajtur në dorë.) Urdhëroni, zotërinj, të bëjmë betimin më të lartë para Kombit.

Delegatët ngrihen në këmbë ndërsa të zgjedhurit afrohen para flamurit.

Sekretari – (Lexon me zë të lartë) “Betohem n’Emën të Perëndis, tue dhanë besën shqiptare e fjalën e nderit përpara Mbledhjes së Kombit, se do t’i shërbej popullit dhe shtetit shqiptar drejtësisht dhe mproj ligjet dhe indipendencën e plotë të atdheut të shenjtë!”

Të zgjedhurit  – (Një zëri) Betohemi! Duartrokitje. Kryetari u jep dorën. Delegatët ulen.

Një zë – Dua të shtoj dhe poetin e madh Gjergj Fishta! Le ta kenë si sekretar më vonë…

Një zë tjetër: – Rroftë Poeti! Duartrokitje prapë.

Kryetari – Kongresi i Lushnjës është Pavarsia e Dytë e Atdheut!

Sekretari – Si kujtim nga ky Kongres kemi ca flamurë të vegjël si lulkuqet e fushave me grurë të Muzeqesë, vërini nga ana e zëmrës. Këta do t’i shpërndajmë kudo.

Shpërndan flamujt e vegjël.

Njëri nga delegatët – Ja, kështu dua ta kem plagën në gjoks në luftë për atdhe…

Zëra të ashpër – Jeni të rrethuar… ndalni!… Kongres i paligjshëm… Dorëzohuni… do ju shpërndajmë me forcë…

Jehona e kërcënimeve përsëritet në gjuhë të tjera, italisht, greqisht, serbisht: ndalni… të rrethuar…

Ministëri i Punëve të Mbrendshme – Largohuni! Kongresi shqiptar është mbledhur si vullnet i popullit dhe jo në mëshirë të ndokujt, ushtri qoftë a qeveri e huaj. Po ju them që mos u përzieni në punët tona, përndryshe do ju godasim. Ne nuk duam armiq, por bëni mirë të largoheni nga Lushnja… dhe nga Shqipëria. Ndryshe do ju përzëmë dhe me luftë. Unë, bashkë me forcat e mia të armatosura do të marrshojmë drejt Tiranës!

Një zë i ashpër – Kush jeni ju?

Ministër i Punëve të Mbrendshme  – Ministri i Brendshëm i Qeverisë së vendit tim. Hapnu udhën!

Zëri – Mos lëvizni.

Ministër i Punëve të Mbrendshme – Unë nuk njoh tjetër autoritet, përveç Kongresit të Lushnjës. Ju përdorni armët që keni në dorë, në guxofshi. (Të vetëve.) Përpara me mua! Hingëllima kuajsh, trokëllima… Bie perdja.

* * *

Kështu mbyllet kjo dramë dhe duket sikur zhurmat e shqetësuara të kohës, ushtrive, rrethimeve, ato hingëllima kuajsh të ngjarjeve vazhdojnë mitike dhe ndryshe, në kohë të tjera, pa ata kalorësa dhe pa ato barra mbi shpinë, ndërsa trokëllimat ngjajnë si të shndërruara në trokitje në dyert e Europës. 

Kongresi lavdimadh na thërret vazhdimisht t’i rikthehemi atij betimi si para “Mbledhjes së shenjtë të Kombit” për të qenë si pjesë e natyrshme e saj, e familjes Europiane, ndërkaq si me atë misterin që ndihet në frymën e dramës së atij Kuvendi, të bëjmë që të na vijë vazhdimisht e më fuqishëm ai zëri i mbrojtjes dhe nga përtej oqeanit, nga shteti më i fuqishëm në botë, SHBA. 

Duke u shtuar dhe Republika e Kosovës, duke u bërë dy shtete shqiptare në Ballkan, së bashku me të gjithë shqiptarë kudo në trojet e tyre dhe në diaporë nëpë botë, të shkojmë drejt ardhmërisë. Me vepra dhe art!

Filed Under: Politike

SHTĒPIA E POETIT EDGAR ALLAN POE ĒSHTĒ POEZIA E TIJ…

January 19, 2024 by s p

Nga Visar Zhiti

Ne shkuam nē shtēpinē e tij nē New York… ēshtē poet i madh amerikan, – Edgar Allan Poe, – sa bukur i kumbon emri si poezia e tij, qē Fan Noli u ka bērē shqipērime tē shkēlqyera… “Korbi”… “Annabel Lee”… – kēshtu po thoshim rrugēs me bashkẽqytetarin tim, gazetarin Dalip Greca, kryredektor i “Dielli”-t atēhere, kur po mē çonte nē atē shtēpi… e bardhē, tipike amerikane, me çati, me verandē, e ēndērrt, e rrethuar me kangjella si me vargjet… Ka shkruar dhe tregime tē shkurtra plot mister dhe llahtar… si jeta – po vazhdonim bisedēn, – i ke lexuar? Edgar Allan Poe ēshtē figurë qendrore e romantizmit nē SHBA, e fiksionit gotik, i fantashkencẽs, ēshtē shpikësi i zhanrit të letērsisē detektive, shkrimtari i parë amerikan që mundi ta sigurojē jetesēn vetëm duke shkruar, por pati jetē tē vēshtirē… s’mjaftonin paratē, etj, etj, – dhe heshtēm, teksa i binim rrotull shtēpisē.

– Do na dalin fantazmat e tij? – buzēqesha.

M’u nēpērmendēn tē gjitha kēto sot, nē 19 janar, qē ēshtē dita kur lindi Edgar Allan Poe 215 vjet mē parē…

Dhe nē nderim tē atij qē mē çoi te ajo shtēpi, pērktheva njē poezi nga origjinali, paksa çlirēt. Se shtēpia e vērtetē e poetit ēshtē poezia e tij.

ĒNDĒRR BRENDA ĒNDRRĒS

Nga Edagar Allan Poe

Merre kētē puthje nē ballē

Dhe duke ikur nēpēr shkallē

Premtoj qē jam i gjallē.

Tē besoj, tē kam nē zemēr,

Qē ditēt e mia ishin ēndērr.

Dhe nēse shpresē kemi pak,

Nē njē ditē a nē njē natē,

Nē njē vegim ose jo,

S’ēshtē zhdukur kurrē ajo.

Gjithē ç’jemi e shohim me ēndje

Ēshtē ēndērr brenda njē ēndrre.

Qēndroj i vetēm mes zhurmave

Bregut tē ftohtē tē torturave.

Me rērē mbush dorēn time, –

Kokrriza ari gjithē vezullime.

Sa pak! Nga gishtrinjtē pastaj

Nē ç’thellēsira mund tē çajnē,

Ndērsa unē qaj, – ndērsa unē qaj.

O Zot! Do arrij tē kuptoj?

A ka njē kapse ta shtrēngojē?

O Zot! Ç’mē shpēton vallē

Nga e tẽ pamēshirshmes dallgē?

Gjithē ç’jemi e shohim me ēndje

A ēshtē ēndērr brenda njē ēndrre?

____________________

Nē shqip nga Visar Zhiti

Filed Under: LETERSI

Pjetër Arbnori, i mbijetuari i kaluarit komunist, politikani i dinjitetshëm dhe shkrimtari i paepur i “luftës për të mbetur njeri”

January 19, 2024 by s p

Nga Albert Vataj/

Një burrë shtatshkurtër, me kokën që e mban ulur sikur numëron hapat që hedh, kalon hyrjen kryesore të godinës trekatëshe; sendërgjon një përshëndetje që merr formë përmes zërit që i kumbon prej zhguallit të një timbri paqtues, teatralitetit të dorës dhe buzëqeshjes që shkruhet me shumë dëlirësi në portretin e tij. Pëshpërit ata hapa të lehtë në korridoret e selisë së Partisë Demokratike për t’u shterur nga shikimi në kthinat ku e shtegton për në zyrën e tij, gjysmëdrita e zvargët. Ky ishte rituali i përditësuar i politikanit, demokratit, themeltarit dhe drejtuesit të PD-së, Pjetër Arbnori. E ndërsa rrekemi të ravijëzojmë nëpërmjet një ndërmendje të vagullt portretin e këtij burri të pashoq, këtij fisniku që erdhi dhe u fik ndër ne si një pishtar, këtij intelektuali qëndrestar, kësaj pene të mendimit disident, këtij shpirti të kurajshëm e zemre delikate, veçse një mirënjohje e përunjur, kurrçka tjetër nuk bën fajde. Ai si erdhi iku, për të mbetur, jo një Shën Pjetër, por një dishepull i tij.

Ai është ndoshta nga të vetmit politikan që erdhi dhe iku pa marrë asnjë privilegj apo favor, pa kërkuar dhe pa u ankuar. E donin dhe e respektonin të gjithë, dhe kjo nuk ju ofrua si një privilegj por si një meritë, sepse diti të ishte i ndershëm dhe i paanshëm dhe kaq i mjaftoi të ishte i mirë deri në fund sepse nuk u përlye dhe nuk bëri pakte.

Sot 89 vite më parë, më 18 janar të vitit 1935 u lind në Durrës, Pjetër Arbnori, për t’u shuar në moshën 71-vjeçare më 8 korrik 2006 në një klinikë në Napoli, pas një sfide të pamundur me zemrën, e cila pushoi për t’ia ndalur rrugën për më tej, pas një hemoragjie cerebrale.

Tek Pjetër Arbnori, Partia Demokratike kishte të mishëruar udhëheqësin dhe themeluesin e saj të mençur, të vendosur, të shquar; letrat shqipe tek ai ngulmonin njërin prej kalorësve më të zëshëm të disidencës; shoqëria shqiptare, humanistin e madh, bashkëvuajtësin, simbolin e qëndresës dhe sakrificës së mbinjerëzores, “Mandelën” e Ballkanit.

Pjetër Arbnori, përkarshi krejt kësaj shpërfaqje mbetet i ngulmët si përfaqësuesi i denjë i letërsisë shqipe, asaj letërsie të shkruar në kushtet e terrorit. Ai do të mbetet një ikonë e historisë së re të pluralizmit shqiptar, përfaqësues dhe zëdhënës i shtresës më të nëpërkëmbur të shqiptarëve gjatë 50 viteve të diktaturës. Si politikan, ai formësoi një figurë dinjitoze në politikën e zallamahishme shqiptare, e vlefshme për t’u respektuar për ekuilibrin, tolerancën dhe vetëpërmbajtjen, derimsot e mbetur vetanake në mbamendjen e gjeneratës. Si deputet i plejadës së parë politike të viteve ’90, ai ishte dhe mbeti deri në fund pjesë e filozofisë liberal-demokrate, me frymë të theksuar sociale. Ndërsa, si kryetar i Parlamentit, ligjvënës, ai do të mbetet në kujtesën e të gjithëve si një personalitet që të kujton figurat më të ndritura shtet-formuese shqiptare.

Sa jetoi ia doli të mbushte me një densitet të lartë kumtues, golgotën e tij të mundimshme me shëmbëllimit më të përkorë të një vullneti lirie. Në këtë kalvar të stërgjatë që gjarpëronte nëpër skutat më të terrta të ferrit komunist dhe vërshimet e përbindshme të llavës së ngadhënjimit, ai mbeti shpirtshëlbyer. Prej nistores deri në të mbramë, Pjetër Arbnori mundi të sillte në jetë veprimtarin politik të zellshëm dhe të apasionuar, një krijues plot sqimë dhe dritëkungues, një njeri të ndershëm dhe të urtë. Jetoi fatin e tij tragjik pa u ankuar asnjëherë dhe pa lypur ndere dhe favore.

Rrugëtimi i korifeut

Rrugëtimi i Pjetër Arbnorit si korife i veprimit dhe mendimit, i zërit dhe kushtrimit nisi që kur ishte 14 vjeç, moshë që ndërmendet të jetë angazhuar në grupet ilegale të asokohëshme. Dy vjet e gjysmë studime në Fakultetin e Filologjisë dhe rezultatet e shkëlqyera, e përcaktojnë qartë pritshmërinë e tij dijetuese. Më tej, ai u hedh supeve të njoma barrën e rëndë të krijimit të një organizate social-demokrate, programin e së cilës e hartoi vetë. Prej këndej, i shkruhet me thëngjill të kuq fati i tij tragjik. Më 1961, arrestohet dhe dënohet me vdekje për agjitacion e propogandë. Pas njëfarë kohe, dënimi i zbret në 25 vjet burg. Si pasojë e aktivitetit të pas hekurave e nën zgjedhë, i shtohet dënimi edhe me dhjetë vjet për agjitacion e propagandë. Në gusht të vitit 1989 lirohet, duke mbajtur mbi vete 28 vite e gjysëm heqje lirie në burgjet famëkeqe të diktaturës. Merr pjesë që në fillimet e para të lëvizjes antikomuniste në Shkodër, e cila daton 25 vite të shkuara, më 14 janar 1990, kohë kur u shtri përdhe torsi prej betoni i diktatorit. Ajo kacafytje me komunizmin që përpëlitej në agoni shënon shkënditë e para të flakadanit të lirisë në qytetin verior. Ishte në grupin themelues dhe zgjidhet kryetar i degës së PD-së për Shkodrën gjatë periudhës 1991-1992. Veprimtarinë e tij politike e pasuron besimi i vullnetit të sovranit, zgjedhja deputet në kohështrirjen 1991- 2001, kulmim i së cilës është detyra e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, 6 prill 1992- 24 korrik 1997. Përgjatë gjithë kësaj periudhe, Pjetër Arbnori dëshmoi vlerat më të epërme të një politikani bashkëkohor. Ai shquhej si rrallëkush për sensin e humorit dhe maturinë, tolerancën dhe urtësinë.

Nderet dhe vlerësimet

Përgjatë 71 viteve të jetës, Pjetër Arbnori është nderuar me titujt “Mësues i Popullit”, “Pishtar i Demokracisë”, “Qytetar Nderi” i qytetit të Vaut të Dejës. Gjithashtu, Asambleja parlamentare e vendeve frëngjishtfolëse, i ka akorduar titullin “Oficer i Madh i Urdhrit të Plejadës”. Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, i ka dhënë medaljonin e argjendtë, “Nënë Tereza” dhe prerjen e artë “Georgus Castriotus-Scanderbeg” 27.11.1996. Instituti Biografik i Kembrixhit dhe Instituti Biografik Amerikan kanë futur biografinë e Pjetër Arbnorit në “Who is Who” të intelektualëve dhe në Fjalorin Biografik Ndërkombëtar botimi 26-27. Ka marrë medaljen e shekullit XX për merita. Akademia Kulturore, Romë i ka dhënë medaljen “Scodrinon” dhe diplomën 2001. Me Urdhrin “Nderi i Kombit”, dekorohet (pas vdekjes) më 28.10.2011 nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi me motivacionin: “Personalitetit të shquar të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë, simbolit të sakrificave mbinjerëzore nën persekutimin komunist, politikanit paqësor dhe shkrimtarit të talentuar, intelektualit vizionar e qytetarit fisnik, që gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij ia kushtoi idealeve të mëdha të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të përparimit kombëtar”.

Galeria krijuese e Arbnorit shkrimtar

Profili i këtij personaliteti do të ishte i paplotë nëse nuk do të kumtohej krejtçfarë përbën galerinë e kreativitetit letrar të Pjetër Arbnorit, të cilën megjithëse ai do ta rendiste si sekondare, pas politikës, mbetet më e qenësishmja veprimtari. Tharmi i atij shpirti krijues mëtohet për veçantinë e vet te ditari sekret”Lufta për të mbetur njeri”, të cilin ka mundur ta mbajë larg flakëve të ferrit dhe makthit të qelive për 28 vite. Veprimtaria e botimeve e zgjatur në kohërendjen 1992-2000 nis me “Kur dynden vikingët”, novelë, 1992, për të vazhduar me romanin “Mugujt e mesjetës”, 1993; novelën “Bukuroshja me hijen”, 1994; “E bardha dhe e zeza” roman, 1995; “E panjohura” – Vdekja e “Gebelsit” novela, 1996; “Shtëpia e mbetur përgjysmë”, roman 1997; për të cilin Pjetër Arbnorit iu shtuan dhjetë vjet burg. Kolanën e tij krijuese e pasurojnë: Romani “Vorbulla”, 1997; “Letër nga burgu”, “Nga jeta në burgjet komuniste”, studime historike 1992; “Brajtoni, një vetëtimë e largët”, roman 2000; “Lufta për të mbetur njeri” – intervista 1990-2000 dhe “Andre Morua, Historia e Anglisë”, përkthim 1996. Shtresohet më tej ky humus i përtëritjes së vlerave të letërsisë dhe kumtimit me “10300 ditë e netë në burgjet komuniste”, 2003, (botuar në shqip dhe në anglisht); “Martirët e rinj në Shqipëri – i nuovi Martiri in Albania”, 2004, (botuar në shqip dhe në italisht); “Martirët në Shqipëri – The New Martyrs in Albania”, 2004, botuar në shqip dhe në anglisht). Për ta përmbyllur këtë punë vetëmohuese me përkthimet; Andrea Morua “Historia e Anglisë”, 1998; William Shirer “Ngritja dhe rënia e Rajhut të tretë” në dy vëllime, përkthyer në burg, në vitin 1988. Në ditën e lamtumirës, Dritëro Agolli shprehet se vlera e Pjetër Arbnorit, i cili vuajti 28 vjet burg në kohën e diktaturës, qëndron në radhë të parë tek vlerat e tij njerëzore. Ndonëse me një jetë tejet të vështirë, ai nuk i maste kurrë njerëzit me metrin e përkatësisë partiake, por me vlerat e tyre njerëzore dhe morale. Pjetër Arbnori është shkrimtari dhe figura e mbijetesës së intelektualit në kohëra të vështira. Eshtë vërtet e pamundur të ndash figurën e tij si shkrimtar me atë të njeriut human dhe të butë. I tillë ishte dhe mbeti, atëditë e sot. Ne e kujtojmë dhe i shprehim mirënjohjen më të thellë për krejtçfarë ai bëri.

Epilogu

Sot e përkujtojnë të gjithë ata, tek të cilët mungesa e tashsavitshme e këtij personaliteti ka lënë një bosh të thellë, por në veçanti, bashkëshortja dhe dy fëmijët. Arbnori duke u rikthyer nëpërmjet kësaj “In memoriam” ysht në vetëdijen e politikës pendimin për harresën, me të cilën ata e ndëshkuan. Por emri dhe vepra e Pjetër Arbnorit do të mbetet e gjithmonshme në kujtesën e atyre që guxojnë edhe sot të besojnë në idealet, të cilave ai iu dha me mish e me shpirt. Sepse ai besoi te vlerat si në të veçmet cilësi që e përkatësojnë dinjitetshëm vendin në përfaqësim dhe kujtesë.

Filed Under: Komente

“Are Albanians the descendants of the Pelasgians?”

January 19, 2024 by s p

Shkolla Shqipe Arizona (ACCA), Qendra Kulturore Shqiptaro-Amerikane “Shqipe e Arizonës”(AACC), Shoqata Shqiptaro-Amerikane e Grave të Arizonës(AAWAA), Albanian American Community of Illinois(AACI), Albanian American Organization of SW Florida (AAOSWFL), Albanian Heritage Foundation of Tampa Bay, Florida (AHFT) do të organizojnë simpoziumin e tretë të diasporës shqiptare në Amerikë me temë:

“Are Albanians the descendants of the Pelasgians?”

Zbuloni misteret e Historisë së Lashtë Shqiptare!

11 studiues të shquar do të prezantojnë punimet e tyre novatore, që I japin përgjigje dhe pyetjes intriguese: “A janë shqiptarët pasardhës të pellazgëve?”

Mos e humbisni këtë mundësi për një udhëtim në vazhdimësinë pellazgo-iliro-arbërore-shqiptare.

Uncover the mysteries of Ancient Albanian History!

Zoom webinar on Jan 20, 2024, at 9 AM MST, 10 AM CST

https://us02web.zoom.us/j/86780336798

11 distinguished scholars will explore groundbreaking research, including the intriguing question:

“Are Albanians the descendants of the Pelasgians?”

Don’t miss this chance for an enlightening journey through time.

Me respekt grupi organizator

1) Dr.Ardian Kraja, Albanian Heritage Foundation of Tampa Bay, Florida (AHFT)

2) Genti Arifi, Albanian American Community of Illinois,(AACI)

3) Bjondi Dervishi, Albanian American Community of Illinois, (AACI)

4) Gentian Puro, President of Albanian American Organization

Southwest Florida, (AAOSWFL)

5) Eni Xhoxhi, Secretary of Albanian American Organization

Southwest Florida, (AAOSWFL)

6) Florim Ymeri, AACC Eagle of AZ

7) Elira Canga, Albanian Civic Center of AZ (ACCA)

8)Dr. Elonia Lasku, Albanian Civic Center of AZ (ACCA), Albanian-American Women Association of AZ (AAWAA)

9) Prof.Dr. Arben Lasku, AACC Eagle of AZ

10) Diellza Hoti-Shkodra, AACC Eagle of AZ

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 52
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT