• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2024

Po punojmë që Presidenti Historikë i SHBA-së, Bill Clinton të vizitojë Luginën e Preshevës!

January 13, 2024 by s p

Intervistë ekskluzive me z. Agim Rexhepi, kryetar i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”

Intervistoi: Dashnim HEBIBI, Cyrih, Zvicër

“Lobimi është fahu ynë, ashtu si deri më sot, do të tentojmë, që me aktivitetet tona të sjellim sa më shumë poena shtetit/eve e kombit tonë. Nuk e njohim formulën e bajraktarizmit! SHBA ka qenë tradicionalisht aleate e shqiptarëve dhe është. Këtë e ka dëshmuar Presidenti Woodrow Wilson e Institucionet amerikane për Shqipërinë. SHBA është sponzorizues i shtetësisë së Kosovës, i shëndrrimit të FSK në ushtri, futjes së ushtrisë sonë nëpërmes IOWA në misione paqeruejtëse të NATO, kjo nënkupton pjestar defakto ende jo de jure të ushtrisë e shtetit tonë, pjesë e NATO, por mendoj, që ne nuk po punojmë sa duhet në ruajtjen dhe avancimin e kësaj miqësie“, na tha ndër të tjera, z.Rexhepi.

Cyrih/ Zvicër, 12 janar

Është e ditur, se modestia tregon, klasin, veprimtarinë e merituar tek personi, por tek ne, sidomos te një grup rrahjagjoksish, edhe pse po dua, që të jem edhe gabim, por nuk respektohet sa duhet. Ndoshta, do të duhesh të jesh i ngjyrosur politikisht, të kesh „kostumin“ e partisë e të rekrutohesh në parti, ose të jesh shumë i pasur e pastaj për të ecur drejt hapësirës së kufizuar të suksesit. Janë ata veprimtarët e merituar, që kurrë nuk dorëzohen, shkojnë me mundësitë e veta deri në mbështetje në mur, por jo në murin e dorëzimit për të ecur te para, për të përcjellur mesazhin e paqes, falënderimit, miqësisë e besë-besës. Sa i sinqertë, aq edhe emocional, sepse çdo gjë buronte nga shpirti. Shumë e lehtë është të ndalesh dhe ta studiosh edhe formën e bashkëpunimit. Është një lloj psikologjie edhe forma e të folmes, të paktën e kemi lexuar edhe psikologjinë e shkrimit, psikologjinë e veshjes…Është bashkëbiseduesi ynë, një personazh I njohur për të gjithë shqiptarët kudo që janë. I pathyeshëm, nuk e di se çka është dorëzimi. E njeh mirë veten, e njeh mirë misionin e tij. Sa fjalë e madhe, që të shëron edhe shpirtin, Miqësi. Miqësia është e shenjtë. Te ne shqiptarët, miku është në zemër të konakut, shtëpia është e mikut. Pata nderin, që të bashkëbisedoj në një intervistë të gjatë, por me shumë kuptim, me veprimtarin, z.Agim Rexhepi. Shpirti i tij vlonte. Fjalët e tija ishin si uji i kronit, që ta freskon shpirtin. Njih veten e pastaj të tjerët. Mos mirënjohësi është sëmundje e tokës. Falënderimi është copë shpirti i të drejtit. Folëm gjerë e gjatë, pa e ditur, në shumë raste, se cili ishte në rolin e gazetarit, sepse edhe vetë z.Rexhepi e njeh dhe e ka punuar këtë profesion të gazetarit. Bashkëbisedimi ynë dallon nga bisedat e porositura apo bisedat për klikime, krekosje apo për honorare. Intervistë për lexuesit dhe thirrje për bashkëpunim. Jemi në një kohë, që pak po lexohet, ose më mirë titull lexohet dhe brendësia e shkrimit jo, sidomos kur shihet, se është gjatë, por ia lëjmë lexuesit besnikë, që të ndahet nga përditshmëria e zhurshme dhe të drejt. E intervista të mbetet në kujtesë brez pas brezi, se miqësia shqiptaro amerikane ishte e do të mbetet e trashëguar brez pas brezi. Aty ku po na dhemb zemra edhe mendja e dora shkon, pra Lugina e Preshevës. Se ajo trevë i ka sytë e zemrën nga Kosova e Shqipëria, nuk ka dyshim. Të paktën, në çdo takim me ndërkombëtarë, të përmendet me fakte, se po përjeton një gjendje acari politikë të shtypjes edhe ate në mes të Evropës Juglindore. Ka ditur e do të dijë ti mbijetoj edhe shekujve, por tani, kemi situatën tjetër, kemi Kosovën e pavarur të mbushur me miq ndërkombëtarë e një Shqipëri në NATO, të jetë më afër me ate etni shqiptare. Pa e zgjatur më shumë, edhe pse do të doja të përshkruaja, se si e priti intervistën protagonisti i kësaj interviste, por dua të rrumbullaksoj me një fjali, se i ai që ka nderë e vlera, njeh nderin dhe vlerën. Se çka na tha ndër të tjera, ju ftoj ta lexoni këtë intervistë, lexues të respektuar.

Përshëndetje z.Rexhepi. Fillimisht, ju urojmë vitin e ri 2024 dhe njëherit, urime edhe për 20 vjetorin e Shoqatës “Miqtë e Amerikës”. Sigurisht, se është intervista e parë e këtij viti. Na thoni, cili është urimi juaj për miqtë e Amerikës gjith- andej shqiptarisë?

Përshëndetje edhe për ju i nderuar. Ju faleminderit për unimin e vitit të ri 2024 e posaçërisht faleminderit për urimin e jubileut të Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, 20 vjetori i themelimit / veprimit. Më vjenë shumë mirë, që keni gjetur kohë edhe pse jetoni në Zvicër për të bashkëbiseduar në lidhje për shoqatën. Urimi im për 2024, për ju dhe bashkëkombasit tanë kudo që janë ata është: “Zoti e bekoftë kombin tonë! Zoti i bekoftë SHBA-në! Zoti i bekoftë aleatët tanë! Paqe gjithandej. Të jemi më unikë nëmes veti! Ti japim hapësirë meritorëve! Shëndet, punë dhe dashni.

Kësaj here, do ju marrim kohë më shumë, se sa zakonisht, që praktikohet nëpër intervista. Sepse, kemi një datëlindje të veçantë të shoqatës, jo më pak se 20 vite. Po besoj shumë, se do të kemi mirëkuptim nga ju dhe nga lexuesi.
Me shumë kënaqësi, si edhe herave të tjera, jam i hapur për të bashkëbiseduar e bashkëpunuar me të gjithë ata që kanë punë më shumë e më pak fjalë.

Si ishte viti 2023 për Ju si kryetar i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”?

Faleminderit për nderimin që keni ndaj meje dhe shoqatës.Viti 2023 ishte plot me sfida e aktivitete. Them me sfida, sepse u vazhdua tradita, që ne të zhvillojmë aktivitete pa përkrahje materiale (nuk po ankohem ngase e kam zgjedh këtë formë të rrugëtimit), e them këtë ngase, unë nuk kam qenë, jam e as që do të jem pjesë e ndonjë partie apo grupacioni… Nuk kam asgjë ndaj partive apo grupeve të fuqishme politike, ngase janë të Kosovës, por kam qenë i vetëdijshëm, që në momentin, që do të jem pjesë e tyre, aktiviteti do të merr karakter tjetër dhe do shihet ndryshe nga syri i qytetarit tonë e institucioneve ndërkombëtare. Kur jam apolitikë, besoj se do të veproj e kam vepruar më mirë në shoqatë.


Mendoni, se 90% e projekteve ju kanë realizuar gjatë vitit që sapo e kaluam?

Jo 90% por 100% të projekteve i kam realizuar. Nuk bëj projekte nëse nuk mundem me i realizu. Jam komplet në punën time edhe e bëjë me shumë dashamirësi. Shpesh herë, ka ndodhë, që vetëm mos me dalë keq në opinionin vendor e ndërkombëtar, institucionet tona qendrore e komunale i kam shkurtuar aktivitetet (nëse e kam parapa për një datë të caktuar me zhvillu 4,5,6 aktivitete i kemi zhvilluar vetëm 3 apo 4, jo pse nuk kemi qenë të përgaditur. Prandaj e thash edhe më lartë, dua që punët tona, që bëhen në shoqatë të reflektojnë me pozitivitet dhe të shërbejnë për të mirë.


Këtë vit, po mbushen 20 vite, që kur është themeluar kjo shoqatë. Cili është suksesi më i madh që keni arritur?

Dua të jem i shkurtë dhe i saktë. Nuk e kam për qefi të flas për veten time, por më duhet ta them kësaj here, për hirë të opinionit dhe duke pasur mirëkuptim te të gjithë lexuesit tuaj për shkak të modestisë. Kemi aq suksese kulminate, sa që një ministri, nëse jo një qeveri, do të krenohej pa problem. I kisha lutur lexuesit e intervistës, që mos ta marrin për krekosje (normalisht jam shumë krenar me të arritura).

Në vitin 2009 e kam sjellë në Kosovë Presidentin Bill Clinton (normalisht me dëshirën e tij), së bashku me Institucione tona.

Por e veçanta e vizitës është se nuk e kanë ditë Presidenti, Shkëlqesia e Tij, Prof.dr. Fatmir Sejdiu, Kryeministri, Hashim Thaçi e as Ambasadori i SHBA-së në Kosovë Christopher Dell. Tek mbas 10 viteve kam filluar me potencuar këtë fakt. Më 2009 më është dashtur me shfrytëzu një personalitet/mik timin, që ta bind Kryeministrin Thaçi, që është informacion i sakt vizita e Billit ngase nuk e besonin. Poashtu, Ambasada Amerikane më ka thirrë e ka kërkuar emrin e kontaktit tim në SHBA për me verifiku këtë fakt. Pasi është verifikuar informata, se do të vie Presidenti u shty inaugurimi i shtatores, që ishte i parapar 1 muaj para vizitës së tij.


Keni bashkëpunim me institucionet e Kosovës?

Po kemi bashkëpunim të shkëlqyer me FSK, Policia e Kosovës, Zjarrfikësat, AME, Qendrën e Mjekësis Emergjente, Shkolla e Institucione të ndryshme dhe jam shumë falenderues për këtë. Të rralla janë Institucionet që nuk i kanë përkrahë idet tona për ndonjë aktivitet (moralisht e me pjesëmarrje fizike të pjestarëve ushtarakë e policor e stafit civil).

Po me institucionet e kaluara, keni bashkëpunuar?

E them me përgjegjësi që në të kaluarën e kam pasë një bashkëpunim më të mirë. Në vitin 2009 ish kryeministri I Kosovës, z.Hashim Thaçi më ka dërguar në SHBA si përfaqësues të qeveris së Kosovës, të flas apo ta bindi Presidentn Bill Clinton që të vije në inaugurimin e shtatores së tij në Prishtinë. Ai e ka ditur bashkëpunimin tonë tonë dhe respektin që kemi si shoqatë me SHBA. Kjo është bërë kuptohet në të mirë të shtetit. E di, që ai apo shumë pak qytetarë nuk e kanë besur faktin që do ta sjell në inaugurim, por unë ia kam arritur me shumë sukses. Një personalitet, që do e potencoj me shumë respekt që e ka përkrahë çdo projekt (ama çdo projekt me konotacione pro amerikane e properëndimore), që kam kërkuar nga ai ka qenë ish Kryeparlamentari, z. Kadri Veseli.

Me cilën shoqatë më së shumti bashkëpunoni?

Edhe pse kam respekt për të gjitha shoqatat në Kosovë dhe jo vetëm do ta potencoja bashkëpunim me shoqatën “Bet Israel Kosova”, “Organizata e Familjes Biden”, etj.

Keni pasur takime me disa presidentë të SHBA-së. Cila ishte fjala jote parë, që ia ke thënë për Kosovën?

Po. Është e saktë, kam pasur shumë takime me personalitete me pozicione të larta shtetërore si ish president, congressman, zv/ndihmës secretar e zyrtar të lartë të SHBA e shteteve tjera mike.
Fjalia e parë ka qenë falënderim për ate që ata kanë bërë, populli e institucionet e tyre shtetërore për shtetin e kombin tim atëherë kur kemi pasur nevoj për miq, më shumë se çdo herë. Posaçërisht atëher kur qenja jonë nacionale në Kosovë Shqipëri e teritore tjera ka qenë në rrezik. Poashtu, kam kërkuar, apo më mire me thënë i kam lutur që ata ta vazhdojnë ketë respekt e angazhim për shtetin/tet e kombin tonë me përkrahje politiko diplomatike, të ndikojnë tek miqtë e institucionet e shtetit të tyre dhe tek aleatët e tyre edhe në të ardhmen. Miqësia duhet ushqyer me sinqeritet që të jetë e përjetshme. Ne jemi miq të sinqertë me SHBA-në dhe shpirtërisht.

Sa anëtarë i ka për momentin shoqata?

Shoqata nuk është formuar për promovime e poena politikë të individëve, grupeve apo partive, andaj as që kemi tentuar me bë antarë. Çdo person, që ka respekt apo që e don SHBA-në e aleatët ka mujt e mundet me llogarit që është pjesë, aktivist i shoqatës. Pra, dyert janë të hapura për të gjithë ata që i janë mirënjohës SHBA-së. Deklaroj pa frikë që mbi 90% e pjestarëve të kombit shqiptar por edhe të disa komuniteteve tjera dhe ate jo vetëm të Kosovës por Shqipërisë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi janë pjesë e shoqatës.

Për të qenë pjesë e shoqatës, pra nuk është patjetër, që të jesh shtetas i Kosovës?

Ky parim nuk ka vlejt e as që do të vleje asnjëherë. E përsëris edhe një herë, çdo person kudo që jeton e vepron, që ka respekt apo që e don SHBA-në e aleatët e tyre (tonë), mundet lirisht me llogarit që është pjesë e shoqatës.

Përkrahje nga diaspora shqiptare?

Fatkeqësisht shumë e dobët. E kam potencuar gjithmonë, që jam i hapur për bashkëpunim ngase koordinimi i aktiviteteteve sjell më shumë efekte politike andaj realisht i sjell më shumë poena politikë shtetit/eve e kombit tonë.

Si është bashkëpunimi juaj me veprimtarët shqiptaro amerikanë, që jetojnë e veprojnë në SHBA?

Edhe në këtë rrafsh nuk është i kënaqshëm. Është shumë i zbehët. Unë jamë i hapur për bashkëpunim. Isha e do të jem. Një gjë duhet theksuar, se asnjëherë dhe asnjë rrethanë nuk duhet anashkaluar rolin e madh të lobit tonë të mrekullueshëm në SHBA e Europë. Unë jamë rritur dhe edukuar me të bëmat e “Vatrës”, së Nolit e Konicës.

Me ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, bashkëpunoni?

Po kemi pas bashkëpunim shumë të mirë dhe për këtë u jam falenderues edhe pse këtë që do ta them për herë të parë, ata ndoshta pa dashje nuk e kanë kuptuar apo edhe nuk kanë pritë që ne do ti arrijmë këto rezultate kulminante dhe se do të kemi njē imazh e ndikim shumë të fuqishëm posaçërisht tek bashkombasit tanë dhe ate jo vetëm në Kosovë por kudo që ata jetojnë e veprojnë.
Sa për informacion neve nuk na ka themeluar Ambasada Amerikane, andaj edhe pse nuk kemi pas këshilltarë, logjistikë e mjete sipas të tjerëve ne jemi shëndrruar në 1-sh, për aktivitete me efekte të fuqishme politike dhe ate jo vetëm në Kosovë..


Çfarë mendoni, që kjo shoqatë të ketë nëndegën e saj edhe në Luginën e Preshevës. Ju parashtrova këtë pyetje, duke e ditur situatën në ato troje shqiptare?

Pyetje shumë e mirë. Fatkeqësisht, pasi ne kemi pas shumë pak buxhet sa që me mjetet e grumbulluara është dashtë ta mbyllim shoqatën minimum para dhjetë viteve ne nuk kemi hap asnjë degë apo nëndegë por megjithate deklaroj me krenari se në shumë e shumë takime e kam potencuar çështjen e shqiptarëve në Serbi, Luginë të Preshevës (jo rastësisht po e përdori këtë term është më i gjërë), p.sh. me rastin e festimit të 10 vjetorit të shoqatës në vitin 2014, programi zhvillohej drejtpërdrejt në RTK, përpos musafirëve elitar vendor e ndërkombëtar e pata ftuar edhe z. Ragmi Mustafa, kryetar i Komunës së Preshevës, që të merr pjesë, të del në foltore ti prezentoj problemet e shqiptarëve nga kjo pjesë. Me rastin e inaugurimit të Presidentit, Shkëlqesisë së Tij, z.Joe Biden, President i SHBA-së, kam organizuar aktivitet respekti edhe pse ishte kohë pandemie, ku pjesëmarrja duhej të ishte shumë e vogël prap, ishte i ftuar dhe mori pjesë, z. Ragmi Mustafa dhe u prononcua për media lidhur me problemet që kanë bashkombasit tanë atje. E them me plot goj e me shumë respekt, që kjo pjesë zë vend shumë të rëndësishëm në agjendën tonë. Do të vazhdojmë e nuk do të ndalemi. Sepse, ne jemi me të drejtën.

Sigurisht, se jeni duke punuar për planet e shoqatës gjatë këtij viti. Na thoni ju lutem, ku do të përqendroheni më së shumti?

Lobimi është fahu ynë, ashtu si deri më sot, do të tentojmë, që me aktivitete tona të sjellim sa më shumë poena shtetit/eve e kombit tonë. Nuk e njohim formulën e bajraktarizmit, jemi të sinqertë dhe punojmë e kemi punuar për të mirën e përgjithshme. Nuk e duam rolin e trumbetuesit.
Do të tentojmë, që ta vazhdojmë një iniciativë të filluar para më shumë se dy viteve, që t`i nxisim dy Akademitë Shkencore që i kemi, Shqipëri dhe Kosovë, që të takohen dhe më në fund ta krijojnë një strategji nacionale së paku për 100 vitet e ardhëshme.

Ta vazhdojmë ciklin e ligjëratave me nxënës të ciklit të lartë e studentë nëpër shkolla fillore të mesme, kolegje e fakultete me temën orientimi perëndimorë. Është shpêtimi i kombit tonë. Deri më tani i kemi zhvilluar më shumë, se 100 ligjërata të tilla. Hapjen e klubeve të “Miqëve të Rinj të Amerikës”, nëpër shkolla. Deri tani i kemi hap gjashtë klube të tilla. Tash kam regjistruar Institutin për Siguri Media dhe Arsim, shpresojmë që do të arrijmë të pozicinohemi e shtrihemi mirë në Europën Juglindore. Poashtu, kemi me zhvilluar aktivitetet tradicionale: 17 shkurti, 4 korriku, 19 gushti, datëlindja e Presidentit Clinton, 11 shtatori etj.

Do të ketë ndoj manifestim special kushtuar 20 vjetorit të Shoqatës në Kosovë?

Besoj që po, për dhjetë vjetor kemi pas aktivitet të fuqishëm, por vetëm nëse arrijmë të sigurojmë mjete. Jemi të hapur për bashkëpunim nga zemërmirët, nga miqtë e SHBA-së. Nga miqtë e lirisë.

Njiheni si veprimtarë i madh, modest i fjalës dhe me përkushtim që të ruhet miqësia e përjetshme shqiptaro-amerikane. Ka ftohje mes këtyre raporteve, sidomos mes Kosovës dhe SHBA-së?

Faleminderit, jam i nderum me vlerësimin. Ky është mision i imi që ia kam parashtruar vetit në kohë lufte. Nuk do të dorëzohem, sepse misioni është i shenjtë. Ne u jemi falënderues deri në përkulje kontributit të SHBA-së që e ka dhënë për lirinë e Kosovës. Mendoj, që ka ftohje të raporteve, por jo në mes të SHBA-së e Kosovës, por në mes të SHBA e individëve. E individët, sigurisht janë pak. Mos mirënjohësit. Ata nuk munden të kenë emër tjetër, që nuk ia duan të mirën vetes e shtetit.

SHBA ishte dhe do të mbetet mikja më besnike e shqiptarëve?

E sakt. SHBA ka qenë tradicionalisht aleate e shqiptarëve. Këtë e ka dëshmuar Presidenti Woodrow Wilson e Institucionet amerikane për Shqipërinë. SHBA është sponzorizues i shtetësisë së Kosovës, i shëndrrimit të FSK në ushtri, futjes së ushtrisë sonë nëpërmes IOWA në misione paqeruejtëse të NATO, kjo nënkupton pjestare defakto ende jo de jure të ushtrisë e shtetit tonë, pjesë e NATO, por mendoj, që ne nuk po punojmë sa duhet në ruajtjen dhe avancimin e kësaj miqësie.

Dihet, se keni miqësi të mirë me ish presidentin e SHBA-së, z. Bill Clinton dhe disa kongresmen. Do të ketë ndoj vizitë të tyre brenda vitit 2024 në Kosovë?

Jam i nderum nga jeta, që kam pasë mundësi të bëj veprime respekti për Presidentin Bill Clinton (kam pesë takime, sa herë kamë kërkuar jam takuar me te), dhe jo vetëm për te.
Ta them me sinqeritet, që për këtë vit, pasi është jubileu i shoqatës kam pasur objektiv organizimin e një Konference Ndërkombëtare, ku do ti ftoja ish Presidentët Clinton dhe Bush dhe shumë musafirë të tjerë, por për shkak të veprimeve të Institucioneve tona të larta (sipas meje jo në nivel të duhur politik dhe jo në momentin e duhur kohor), e kam ndërprerë iniciativën, ngase besoj, që edhe po ti ftoja nuk do vinin. Sa për iniciativat e të tjerëve në këtë drejim nuk kam informacion.

E ju, do ta vizitoni SHBA-në së shpejti?

Sa për informacion, vetëm gjat fundvitit të kaluar e këti fillim viti kam marrë shumë ftesa për evente ku kanë marrë pjesë njëkohësisht edhe shumë senatorë, kongesmen e zyrtar të lartë të SHBA-së. Vetëm pak vetë e kanë këtë privilegj dhe ate jo vetëm nga Kosova. Beso,j që më së largu deri në fund të muajit maj do ta vizitoj SHBA-në dhe do të kem takime të rëndësishme.

Presidenti Clinton është në zemrat e çdo shqiptari, ai ishte në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut. Ju ka shkuar mendja, që t`ia bëni një ftesë për ta vizituar Luginën e Preshevës, ate tokë të shtypur me shekuj, por që ka rritur patriotë, akademikë e veprimtarë të çështjes kombëtare si z. Xhim Xhema dhe të tjerë?

Po e them sinqerisht nuk e kam menduar, dhe nuk e besoj, që do mund të realizohej së paku në këtë kohë, ngase dihet botërisht, që Presidentin Clinton nuk e dojnë në Serbi për shkak të Kosovës. Ka pas lajme nër media serbe, se është ngritur edhe kallëzim penal ndaj tij e disa të tjerëve për shkak të bombardimeve nga ana e NATO. Edhe pse në politikë ndrrojnë gjërat. Por do ishte mrekulli një vizit e tillë e Presidentit në Preshevë, Bujanoc e Medvegjës. Të jeni të sigurt ju e gjithë bashkombasit tanë shqiptar në Serbi se do ta analizoj këtë ide dhe do ta bisedoj me miq të fuqishëm shqiptar e amerikan në SHBA…Do të punoj shumë, që Presidenti Historikë i SHBA-së, Bill Klinton të vizitoj Luginën e Preshevës!

Keni pasur ndojnjë ofertë nga ndoj subjekt politikë në Kosovë, që ti bashkohesh?

Po kam pas ftesa, por me gjithë respektin nuk kam pranuar të jem pjesë e asnjë partie. Mendoj se në këtë formë, jap kontribut më shumë.

Shoqata që drejtoni ju i nderuar, është e veçantë. Nuk besoj, se një shoqatë e tillë është në botë, kjo tregon, se ne shqiptarët, u jemi mirënjohës brez pas brezi SHBA-së?

Faleminderit për vlersimin e tillë të shoqatës (besoj që shoqata është sui generis- e llojit të veçantë), ngase në këtë formë veprimi: kohëzgjatja, mos financimi, peripetit gjatë rrugëtimit 20 vjeçar e shumë faktor tjetër. Është e vêrtet, kjo qê keni thënë, se ne shqiptarët u jemi mirnjohës dhe dëshiroj, që ky elan respekti ndaj mikut e aleatit tonë strategjik SHBA-së ti përcjell edhe gjeneratat e reja, ngase shumë gjëra po ndodhin në kohë e hapsirë, shumë faktorë po punojnë, që kjo miqësi të zbehet. Edhe pse e kanë të pamundur. Është domosdoshmëri, që Institucionet tona qendrore të veprojnë më fuqishëm me të rinjët në këtë drejtim.

Padyshim, se kemi edhe për shumë tema të bashkëbisedojmë, por duke e kuptuar, se kemi të bëjmë me një media online e të shkruar, besoj shumë, se deri diku kemi shtjelluar disa pyetje, që nuk i keni pasur gjatë intervistave tua.

Faleminderit për interesimin e shfaqur për intervistim. Shpresoj të kem arritur të jap përgjigje adekuate në pyetjet e juaja shumë të formuluara mirë e me domethënje. Mirë e përmendët, se kemi patur për çka të bisedonim edhe me orë të tëra ngase ne kemi zhvilluar aq shumë aktivitete brenda këtyre 20 viteve, sa që edhe me tre apo katër orë bisedë nuk do të mund ta mbyllnim intervistën. Por i kisha lutur lexuesit, që përgjigjet ti lexojnë edhe nga këndi shumë dimenzional, ngase ka edhe shumë gjëra që mund të kuptohen në mes rreshtave. Juve edhe si gazetarë mbi dy dekada dhe tani edhe president i Institutit Shkencorë që e keni themeluar në Zvicër, në ate shtet mikë poashtu të kombit tonë, ku jetojnë e veprojnë shumë bashkëkombas që e kanë treguar dhe po e tregojnë dita ditës, se atdheun e duan shumë, ju priftë e mbara dhe përshëndetje të sinqerta për të gjithë atdhetarët që jetojnë edhe në Zvicër! Më lejoni, që ti pëshëndes të gjithë bashkombasit tanë kudo që gjenden nëpër botë (posaçêrisht në Luginë të Preshevës, ngase atje është gjendja politike dhe e sigurisë më e rëndë se gjithkund).

Edhe një herë, shumë faleminderit për kohën dhe e keni derën e hapur të bashkëpunimit edhe me diasporën shqiptare në Zvicër e konkretisht me Institutin Shkencorë Helvetikë të Evropës Juglindore me qendrën e saj në Zvicër. Suksese e mirupafshim!

Ishte nder dhe kënaqësi edhe për mua për kohën që edhe ju rezervuat për këtë bashkëbisedim. Shpresoj, se do të shihemi e takohemi herave të tjera.
Intervistoi: Dashnim HEBIBI, Cyrih, Zvicër

Filed Under: Ekonomi

#SiSot, më 13 janar 1871, lindi Mihal Grameno

January 13, 2024 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Ishte një ndër veprimtarët më të zëshëm të çështjes sonë kombëtare, luftëtar me çetën e Çerçiz Topullit, gazetar, botues dhe shkrimtar. Mësimet e para i mori në vendlindje, në Korçë. Në vitin 1885 mërgoi drejt Rumanisë, ku u lidh me lëvizjen kombëtare shqiptare në Bukuresht.

Në vitin 1907 iu bashkua çetës së Topullit. Si gazetar bëri të mundur raportin e përleshjes së çetës në Mashkullorë. Po atë vit në nëntor përfaqësoi Klubin e Korçës në Kongresin e Manastirit. Në vitin 1909 themeloi në Korçë Lidhjen orthodokse dhe redaktoi të përkohshmen e përdyjavshme me të njëjtin emër, që botohej gjatë viteve 1909–1910. Grameno u arrestua në vitin 1910 nga autoritetet osmane për punën e tij në gazetën “Bashkimi i Kombit”.

Gjatë kryengritjeve të vitit 1911 kryente ndërlidhjen mes grupeve të çetave ndër viset shqiptare dhe prijësve të lëvizjes kombëtare në Stamboll për të koordinuar kryengritjet. Më 1 shkurt 1911 nisi të botojë një tjetër gazetë, të përjavshmen “Koha” (shih dokumentin), të cilën edhe e redaktonte, së pari të botuar në Korçë dhe më pas në Jamestown, New York, ku jetoi nga 1915 deri më 1919. Pas një viti u kthye në Shqipëri.

Për meritat të posaçme në në dobi të atdheut dhe çështjes shqiptare, i është dhënë titulli “Hero i Popullit”. Bashkëlidhur, paraqitet edhe vjersha “Mallkimi i gjuhës shqipe”, shkruar nga Grameno.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#MihalGrameno

Filed Under: Politike

Kollaret e bardha të krimit

January 13, 2024 by s p

Alfons Grishaj/

1- Narcisizëm apo pushtet demokrat ?

Në përendim, abuzimi qeverisës quhet “white-collarcrime”, duke nënkuptuar udhëheqësit që shpërdorojnë pushtetin në mandatet e tyre. White-Collar Crime, përfshin krimin ekonomik, korrupsionin publik, krimin e organizuar etj. Watergate scandal është një nga treguesit tipik të abuzimit të qeverisjes dhe krimit të organizuar. Presidenti Nixon, kishte një listë për eleminimin e atyre që e kritikonin, bash si Adolf Hitler. Ai u përpoq të vriste me helm kolumnistin, Jack Anderson. Nixon, për eleminimin e gazetarit porositi, Charles Colson, i cili urdhëroi E.Houard Hunt, që t’a kryente këtë akt të shëmtuar, që fatmirësisht mbeti në tentative ngaqë ndodhi skandali i Watërgate. Presidenti Ford e fali Presidentin Nixon, duke mbydhur një kapitull të turpshëm në historinë e presidentëve të Amerikës.

Ai që ka lexuar biografitë dhe historitë e zhvillimit të lindjes dhe perëndimit duhet të ketë vënë re që janë me gishta pushtetarët që nuk abuzuan me pushtetin, duke nisur nga Mbretër, Princër, Presidentë, Kryeministra, Kryetarë Bashkie etj. Nëse do bëja një listë…do ia filloja nga George Washington e deri tek Boris Jelcin e më pas. Abuzimi i pushtetit mbetet mekanizmi i të fortit, sepse i dobëti nuk e ka atë privilegj. Pushteti pakufi krijon artificialisht unin mbi ligjin. Jo pse ligji është i dobët, porse natyra superiore e lartësisë karriges në shumtën e rasteve ndërton mite. Dhe kur ndërtohet miti është e vështirë që t’a gremisësh kurorën e mitit me një të rënë lapsit, sepse qe vullneti i shumicës.

Disa lidera kanë pasur dhe vese të dobëta p.sh. Mbreti Henri VIII, njihet për gjashtë martesat që sollën si pasojë shkishërimin e tij nga Papa Klementi VII. Winston Çhurchill, shpesh herë fjalimet e tija ia diktonte sekretares kur hante mëngjezin në shtrat apo kur bënte banjo. John Kennedi, kaloi pothuajse të gjithë femrat e stafit në shtratin e tij. Stalini, ndizte llullën ulur mbi kurrizin e kujdoqoftë që ishte në zyrën e tij, etj. Aktualisht, në fund të çerek shekulli XXI, abuzuesi më i madh në historinë moderne është Presidenti Vladimir Putin, i cili mund t’a çojë botën në luftën e tretë botërore.

-Kollaret e bardha të krimit shqiptar

Pas shumë përpjekjesh e mundimesh qeverishë të dështuara, Mbreti Zog bëri një shtet modern. Por rrethanat e sollën që ai të abdikonte përballë fuqisë imperiale Italiane, dhe të largohej nga Shqipëria. Enver Hoxha krijoi diktaturën e proletariatit, armën më të shëmtuar në historinë e njerëzimit pas SS të nazizmit. Enveri izoloi Shqipërinë, dhe ekzekutoi një e nga një pothuajse të gjithë shokët e vet. Ai e bëri Shqipërinë një burg të madh prej 28 mijë kilometra katrorë. Ramiz Alia nuk qe në gjëndje t’a ndalte shkarjen e komunizmit dhe në ikje e sipër, nëpërmjet ministrit Gramoz Ruçi, derdhi gjak në protestën e 2 Prilli, Shkodër. Gramoz Ruçi, në telegramin famëkeq drejtuar Degës Punëve të Brendshme Shkodër, ndër të tjera shkrojti: “Goditni ashpër qysh në fillimet e grumbullimeve. Për të paralizuar ata që nga turmat mund të goditin me armë forcat tona, zini lartësitë dominuese me qitës të përgaditur. Forcat tona që përleshen me turmat të mos shkojnë të armatosura.”

Demokracia e gjeti popullin shqiptar të dërrmuar. Fytyrat e lodhura dhe veshjet tregonin sfilitjen e një populli i vjetër sa njerëzimi, që ish abuzuar nga keq qeverisja. Telat e kufirit u mbushën më të vrarë. Dhe pse ligji për tradhëti të lartë ish “zbutur”, “Kalim i paligjshëm kufiri”, pati një urdhër verbal që veshi nënat më të zeza. Për këtë krim të shëmtuar, gjoja u dënuan me denime qesharake, Simon Stefani dhe Veiz Haderi, të cilët duhet të dënoheshin për gjenocid.

Fatos Nano akuzohet për“shpërdorim pushteti” dhe futet në burg me ca letra të turpshme fallso. Joprofesionalizmi dhe urrejtja e pozitës e transformuan Nanon nga një udhëheqës të shkuarës në një udhëheqës modern të shekullit XXI. Gjyqi turpshëm për kafe ndaj abuzuesve të pushtetarëve të diktaturës qe një skifo dhe gabim infantil i pushtetit demokrat. Sali Berisha dhe stafi që ai udhëhiqte, me gjithë vullnetin e mirë ballafaqohej me shpirtin kontravers të kohës së kaluar, e cila reflektoi vranshëm dhe në vitet e para të pushtetit demokrat, duke e çuar Partinë Demokratike në gabime të njëpasnjëshme. Megjithatë, në kohë relativisht të shkurtër, shqiptari u çlirua nga vargonjtë e burgut prej 28 mijë kilometra katrorë. Por ikja biblike e popullit në moshë më të re në Europë, vuri në dilemë dhe qeverinë demokrate dhe qeveritë tjera më pas. Shkodrani i zgjuar, Ndoc Gaci pat thënë, “Poqese hapen kufinjtë, unë kam me hyp n’maje pems mos me m’shtyp turma”.

Ikja e rinisë dhe shumë të shkolluarve 87-91, që ishin të pa indoktrinuar, krijuan një boshllëk në rigjenerim e kuadrit. Në një mungesë të tillë bëri që të shartohej kozmetika e të shkuarës me një klasë të kundërt që solli impaktin e 1997, gjë që gjunjëzoi dhe shkërmoqi qeverinë demokratike si kullë rëre. Qeveria lirisë, me një përvojë empirike ra prehë e një strategjie të mirëfilltë mashtruese e korruptive që u aktrua mjeshtërisht nga opozita. Ligësia e gjarpërit nën gurë shformoi rrobën ushtarake dhe solli tradhëtinë lartë, deep state, duke montuar gjithçka që ish ngritur prej 52 vitesh në mëshirën e rrugës, banditizmit dhe agjensive të huaja që donin një Shqipëri të copëtuar për ta pasur më të lehtë t’a gjunjëzonin Dardaninë. Sali Berisha, Pjetër Arbnori, Leka Meksi e disa patriotë të djathtë e të majtë që e donin Shqipërinë qëndruan fort dhe pse tradhëtia e lartë kish molepsur atdheun. Amnistia e 97, mbetet njolla më e errët dhe e turpshme historike e pafytyrësisë dhe hipokrizisë së zjarrvënësve dhe atyre që nuk përtuan t’a hedhin në aventurë pjesën tjetër të Shqipërisë.

Politika amnistoi veten! Ata ishin të frikësuar se në një formë apo tjetër do t’a paguanin çmimin e shkatërrimit të shtetit dhe gjakun e derdhur të tremije e shtatëqind shqiptarëve, 80%demokratë dhe 20% viktima të krimit. Viti 97 ka qenë forma më flagrante abuzive e pushtetit politik në historinë e Europës moderne. Për çudi askush nuk u përgjigj për këtë shkatërrim total. Politikanët kriminelë buzëqeshnin sikur të mos kish ndodhur asgjë. U vranë Arben Broci, Azem Hajdari etj dhe anjë shtytës nuk u dënua !!

Vota që i dha populli Leka I, u shkel dhe nëpërkëmb nga krimi dhe pafytyrësia politike.

Pushteti i fituar me kallashnikolvë frymzoi klasën e ardhur në pushtet që u gjuajt në plaçkë si skifteri në prehë. As më pak nuk kishin bërë demokratët më parë që privatizuan pronën shtetit sikur t’ua kishin lënë baballarët. Abuzimi i pushtetit lexohej kudo dhe në fytyrat e gjithësecilit që nga asgjëja u pasuruan pa pasur kompani të veta, por duke vjelur përqindjen e parave nga privilegjet që u bënin kompanive familjare ose kompanive fantazma të krijuara nga vetë pushtetarët. Një kërdi e tillë s’ish parë e dëgjuar apo lexuar në asnjë histori botërore. Nga asgjëja kleptokracia politike krijoi klasën oligarke. Pati ca arrestime qesharake anësore dhe ato me presionin e të huajve që përfunduan si gjyqet e kafeve të byrosë politike.

Tani ne shohim sforcimin e pandershëm të ushtrisë së hienave që sulmojnë Berishën, se ai paskësh vënë një firmë për një tokë si privilegj për familjen e tij. Po sa toka janë vjedhur e plaçkitur deri tani nga klanet e pushtetit dhe kriminelët e ordinerë që punojnë për politikën e turpit. Po marr një shembull të thjeshtë: Bregdeti i Velipojes, sipas hartës së Rusit dhe hartës Mbretit Zog, njihte tre pronarë: Zef Prekë Matusha, një person tjetër që nuk dua të spekolloj dot se nuk ia mbaj mend emrin, dhe shteti.

E di këtë fakt se, deri në moshen 14 vjeçare kam veruar në familjen Matushlekaj, sepse familjet tona ishin te lidhura ngushtë miqësisht shumë e shumë vite. Në shenjë miqësie, Zefi ia pat’ dhuruar ca tokë gjyshit tim, Luket Marash Grishaj. E mbaj mend Velipojen si Xhungël, mbaj mend dhe kohën e shpyllëzimit. Bisedojmë shpesh me miq për tragjedinë se si u plaçkitën pronat e shtetit dhe private të Matushlekajve. Velipojës i dolën dhjetëra pronarë, biles dhe nga malet që nuk kishin pasur ide se Shkodra kish bregdet. Sikur të ringjallej Enver Hoxha dhe njëherë, do hapte të paktën dy burgje të reja vetëm për masakrën e tokave të bregdetit të Velipojës. Tokave të fabrikave u dolën trashëgimtarë njerëz që nuk e kishin parë asfaltin e Shkodrës derisa erdhën ditët e demokracisë. Shteti heshte sepse ishte bashkëpunëtor me krimin e çdo qelizë degjeneruese të plaçkitjes, ku një përqindje shkonte në xhepat e pushtetarëve lokal dhe qëndror.…Po çfarë u bë me të gjithë bregdetin dhe tokat e Shqipërisë? E di dhe budallai .

Siç theksova me lart, Berisha doli i korruptuar për një firmë që paskësh vënë. Dam i madh ndaj ekonomisë shqipëtare ? Po ka gjë më qesharake se kjo? Plaçkitet, vidhet e digjet Shqipëria askush në burg!! Vidhen pronat e shtetit dhe tokat e pasanikëve që i shpronsoi diktatura, askush në burg!! Shtetarët, vjedhin me laps, firmosin për gradaçela… askush në burg ? Futet në burg vetëm ndonjë që ka thyer ligjet e “Cosa Nostra” dhe kjo për t’i bërë presion anëtarëve tjerë që mos dalin “privat”, në kokën e tyre, por të ndjekin porositë e kupolës brenda rrethit dhe ciklit.

Atëherë përse është në arrest shtëpie ish-Kryeministri dhe ish-Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha? Ua them unë…, konspiracion ! Deep state play !

Shkatërrimi i Opozitës Shqiptare. Sali Berisha ka gabimet e veta si një personalitet që shkapercei influencën e PP-së, dhe në demokraci u udhëhoq nga masa e popullit dhe jo nga shkollat juriko-politike e politikanëve perëndimorë, që ata (përendimorët) nuk kanë bërë më pak gabime se, Sali Berisha, duke përfshirë dhe djalin e Presidentit të Amerikës, Biden.

Unë mund të sjell qindra ilustrime kombëtare dhe perëndimore se, Sali Berisha duhet të jetë në listë i fundmi politikan në planet për tu arrestuar apo dënuar apo për të qënë në listën e “White – Collar Crime”. Ai i shërbei Dardanisë dhe Shqipërisë si askush tjetër, si një hero lirie.

Ndërsa, oponenca politike asfaltoi rrugë për të fituar elektorat, Sali Berisha, bëri rrugën e Kombit për të bashkuar popullin shqiptar, çfarë tregon diferencën lidershipit kombëtar me lidershipin e mëhallës.…

Dhe pse në këto rrethana, detyra imperative e Berishës është të kalojë vetveten dhe të bashkojë opozitën qoftë dhe me sacrificë. Ai duhet të sikterisë menjëherë “eminencat gri” që fusin hundët kudo dhe dizinformojnë për qëllime dashakeqëse e meskine. Duhet të largohet nga klani i konsumuar për të ndërtuar një të ardhme të sigurtë të opozitës shqiptare.

Mendoj se, forca e lidershipit për të timonuar në kohë të vështira është vizioni për të ardhmen që sjell momentum!

Politika shqiptare duhet ti vejë gishtin kokës, se do të vijë një ditë që do të paraqitet në ring një Tayson i ri për t’ia marr hakun, Muhamet Ali.

Ata që fërkojnë duart si shtriga dhe fallxhore do të kenë një fund të palavdishëm, sepse, Zoti punon në mënyra misterioze. Çdo të bësh do e pësosh !

Po e mbyll me fjalët e Krishtit: “ Të çojë dorën dhe të gjuajë me gurë ai që nuk ka bërë asnjë mëkat!

Filed Under: Komente

Dokumente amerikane për Kosovën

January 13, 2024 by s p

“Studiuesi, Lulzim Nika, ka kohe qe eshte afirnuar si emer, si hulumtues i zellshem i dokumentave te arkivave amerikane per ceshtjen shqiptate. Ai, permes trajtesave shkencore, monografive dhe librave ne fushen e studimeve historike ka shpalosur burime, deshmi, nota dhe kabllograme diplomatike, te cilat deshmojne per qendrimet e vazhdueshme te Qeverive amerikane per ceshtjen shqiptare, mbeshtetjen e Departamentit te Shtetit Amerikan per kauzen tone kombetare. Nga ato deshmi, nga ato burime arkivore te dores se pare, lexuesi shqiptar ka mundesi te njihet per historine dramatike te intetesimit te shtetit amerikan ne mbrshtetje te ceshtjes sone kombetare. Ne kete konteksr, lobri me i ri i Prof. dr. Lulzim Nika, Dokumentet amerikane per Kosoven eshte kontribut i vlefshem i autorit per historiografine shqiptare. Per me teper, studiuesit shqiptare, te cilet e kabe specializim te ngusht temen perkatese, do te kene mundesi qe, mbi keto te dhena te arkivave amerikane ti thellojne hulumtimet, kerkimet e tyre. Gjithsesi, analizuar nga distanca historike, studimi Prof. dr. Lulzim Nika, Dokumente amerikane per Kosoven paraqet arritje shkencore, nxitje per hulumtime te reja sj dhe, per ndricimin e kontekstit historik, politik, diplomatik te rruges se popullit te Kosoves per clirim nga subdimi serb dhe themelimin e shtetit te pavarur te Kosoves. Dokumentet e arkivave amerikane per Kosoven, te shpalosura ne kete monografi, jane baze e shkelqyer per studime, per analiza ovjektive per temen perkatese” -Prof dr. Agim Zogaj.

“Studiuesi i zellshëm Lulzim Nika, pas hulumtimve të tij në arkivat amerikane sjell para lexuesve një libër të veçantë me dokumente tashmë të deklasifikuara ku paraqitet politika amerikane dhe qëndrimet e Dtej Departamentit për çështjen e Kosovës. Ky libër ka një rëndësi të veçantë për historinë më të re të Kosovës në veçanti dhe historiografinë shqiptare në përgjithësi. Botimi i faksimileve të këtyre dokumenteve në gjuhën origjinale-angleze e të shoqëruara edhe me përkthimin nē gjuhën shqipe është burim i mirë reference për të gjithë ata që merren me studimin e historisë së Kosovës dhe qasjen e diplomacisë amerikane ndaj saj”-Jusuf Osmani Dr. i Arkivistikës.

Filed Under: Politike

Aventura shqiptare e Alain Mahuzier

January 12, 2024 by s p

Luan Rama/

Alain Mahuzier është mjaft i njohur në Shqipëri. Është një miqësi 60 vjeçare e nisur që në vitin 1964, kur i ati i tij, Albert Mahuzier, një bohem, udhëtar i botës dhe pinjoll i Herodotit, vendosi të shkojë në Shqipëri dhe të zbulojë këtë vend të panjohur nga Perëndimi. Kështu, hipur në një makinë, dhe me gjithë familjen e tij ai zbarkoi në vendin tonë ku gjeti një tokë me histori të lashtë dhe njerëz të mrekullueshëm. Në kthim, ai botoi një libër mbi Shqipërinë dhe siç e kishte zakon, realizoi dhe një film me xhirimet në tokën e shqiptarëve, pa hyrë në politikë por duke fiksuar veçantinë e jetës shqiptare. Pikërisht ky udhëtim, do ta nxiste birin e tij, Alain, të vazhdonte këtë aventurë shqiptare dhe gjatë viteve në vazhdim duke shkuar vazhdimisht në Shqipëri. Madje ishte Apollonia arkeologjike që e nxiti të diplomohet në Sorbonë si arkeolog me ëndrrën për të ringjallur misionin arkelologjik franko-shqiptar të nisur nga Léon Rey që në vitin 1923.

Para disa ditësh isha në shtëpinë e tij në Boulogne, në periferi të Parisit, dhe habia ishte e madhe me tërë objekte shqptare që krijonin aty një muze të botës shqiptare dhe ku qilimat e vegjël ishin nëpër kolltukët e shumtë. Ai ka shumë miq shqiptarë si dhe një bibliotekë të tërë për Shqipërinë edhe pse profesioni i tij si arkeolog dhe konferencier e ka çuar në shumë ekspedita në vende të ndryshme të botës. Miqtë e tij janë arkeologë, historianë, personalitete të kulturës dhe artit. Shumë artikuj të tij ai ia ka kushtuar kulturës shqiptare dhe trashëgimisë tonë kulturore. Mund të themi se e ka shkelur Shqipërinë nga jugu në veri. Është një kënaqësi e veçantë ta dëgjosh kur të flet për mbresat e tij shqiptare, çka ne na shtyu ta ftojmë në “Maison de l’Albanie” për një bisedë sa intime aq dhe publike, pasi ai ka shumë për të treguar mbi këtë miqësi 60 vjeçare duke filluar me kujtimet e tij personale në udhëtimin e parë në Shqipëri, nga Shkodra, Durrësi e Tirana e gjer në fshatrat e thella mes njerëzve të popullit, udhëtim që do ta çonte madje dhe në Boboshticë. Ja pse ne i jemi mirënjohës këtij personaliteti që ka ecur në gjurmët e atit të tij, një njeri gjithashtu i Rezistencës franceze, të cilin Gjenerali Eisenhauer, pas çlirimit të Francës, e dekoroi atë me medalje për kontributin e tij në luftën e aleatëve kundër Gjermanisë hitleriane.

Ju presim ta dëgjoni këtë mik besnik të Shqipërisë dhe të shihni pjesë të atij filmi, ku aventura shqiptare për të është nga më të bukurat e jetës së tij.

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 52
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT