• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2024

Kryetari i Komunës së Istogut z.Ilir Ferati vizitoi Vatrën

March 1, 2024 by s p

Sokol Paja/

New York, 28 Shkurt 2024 – Kryetari i Komunës së Istogut z.Ilir Ferati vizitoi Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Z.Ferati shoqërohej nga z.Ali Nimanaj nënkryetar i Komunës së Istogut, z.Kushtrim Buleshkaj, drejtor i inspektoriatit dhe z.Shpetim Qorraj aktivist i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Delegacioni nga Kosova u prit nga sekretari i Vatrës Dr.Pashko Camaj dhe këshilltari i medias në kabinetin e kryetarit të Vatrës z.Dritan Haxhia. Në fjalën e mirëseardhjes Dr.Camaj u shpjegoi miqve rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Vatrës për çështjen kombëtare dhe komunitetin shqiptar në mërgatën e Amerikës, ndërsa z.Haxhia pyeti kryekomunarin e Istogut rreth bashkëpunimit më mërgatën dhe çështje të edukimit në komunë. Kryetari i Komunës së Istogut z.Ilir Ferati pasqyroi punën 2 vjeçare në krye të komunës, ekspozoi pika të veçanta të zhvillimit ekonomik e demografik në Istog. Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra në nderim dhe respekt të politikanit të shquar shqiptar në Kosovë, babait të z.Ilir Ferati, e nderoi me mirënjohje z. Fadil Ferati (Pas vdekjes) si ish Nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kryetar i Komunës së Istogut dhe veprimtar i çështjes kombëtare për kontributin e jashtëzakonshëm për lirinë, pavarësinë dhe procesin e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës, si dhe për bashkëpunimin në vazhdimësi me Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA” dhe për avansimin e aspiratave tona kombëtare”. Miqtë zhvilluan biseda historike për çështjen kombëtare ku Vatra ka pasur rol përcaktues dhe historik.

Filed Under: Vatra

Jeronim De Rada, poeti i kumbimeve profetike, shqipkumtuesi i zëshëm i vlerave evropiane

March 1, 2024 by s p

Albert Vataj/

Jeronim De Rada do të ndërmendet në detyresën e gjeneratave si një personalitet që tejkaloi çdo përkufizim. Ai diti dhe mundi të jepej me mish dhe me shpirt të epërmeve virtyte, të shenjtave obligime. Gjithçka përmbledhtazi përbën aktin e tij si kontributor i atdhetarizmë është thelbësisht misioni i një shenjtori. Edhe pse ai nuk ishte i shuguruar si i tillë, kujtesa e vlerave dhe veprës që la trashëgim i ngritën atij një altar, një predikuese të shqiptarizmës, një gjunjëzore përtëritjesh shpirtërore. Ai luajti një rol dritonjës në historinë e letërsisë shqiptare. Ishte nistori i veprës letrare me frymë kombëtare. Ndikimi i tij mbi shkrimtarët arbëreshë bashkëkohës ishte i madh. Tradita poetike e shkruar prej tij vijon të jetojë e përtërirë edhe në letërsinë e sotme arbëreshe. Jeronim De Rada ishte poeti i kumbimeve profetike brenda panteonit të letërsisë botërore, shqipkumtuesi i zëshëm i vlerave evropiane, dritëlëshuesi mbi terrin e kahershëm të kumteve shpirtërore të arbrit. Jeronim de Radës (Girolamo de Rada), poeti, publicisti, folkloristi, filologu dhe mësuesi, themeluesi i letërsisë dhe i kulturës arbëreshe u lind më 19 nëntor 1814 dhe vdiq më 28 shkurt 1903.

Jeronim De Rada“Mësues i Popullit” jetoi dhe kontribuoi kësisoj. Rrugëtimi i gjatë iveprimtarsë së tij të paepur pikënisi në vitin 1834, asokohe kur De Rada ndodhej në Napoli me studime. Më 1848, nxori të parën gazetë shqiptare, të titulluar “L’Albanese d’Italia”. Kjo gazetë u bë tribun i mendimit dhe pikëpamjeve të tij për ngjarjet e kohës. Dështimi i revolucionit më 1848, shënon një krisje të thellë në themelet e kësaj shtatoreje të idealeve të mëdha. Asokohe mbyll “L’Albanese d’Italia”. Me një barrë të rëndë zhgënjimi u tërhoq në fshatin e tij të lindjes, deri në fillim të viteve ‘60 të shek. XIX. Një erë e re për De Radën nis më 1861, periudhë kur ai shfaqet i përtërirë dhe me energji të mëdha, një zë jehues i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Pas traktatit “Parimet e estetikës” më 1861, ai rivjen me një vepër po kaq të zëshme, “Lashtësia e kombit shqiptar”, 1864 dhe “Rapsodi të një poeme arbëreshe” 1866, kumte të cilat luajtën një rol të rëndësishëm për propagandimin e çështjes kombëtare shqiptare. Hyri në korrespondencë me patriotët shqiptarë dhe me personalitetet kulturore evropiane, dashamirës të Shqipërisë dhe vlerave të saj të patëdyta. Ndoqi me interes të gjallë ngjarjet në Shqipëri. Pikë kulmore për rolin e këtij veprimtari atdhetar është përkrahja që ai i dha më 1878-ën Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke ngritur zërin fuqishëm kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë. Një ndihmesë të çmuar gjithashtu mëtoi për interesat e epërme të çështjes kombëtare nëpërmjet revistës “Flamuri Arbrit”, botuar prej tij në jetësimin ndërvitas, 1883-1885. Në “Testamentin politik” të 1902-it shprehu optimizmin për të ardhmen e Shqipërisë dhe pakënaqësinë e tij ndaj politikës së Italisë ndaj atdheut të të parëve.

De Rada gjithashtu ka një kontribut të çmuar në fushën e studimeve gjuhësore. Gjurmët e tij janë të plazmuara fuqishëm në mendimin e kohës për prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, duke kumtuar dhe mbrojtur energjikisht zanafillën e lashtë të tyre. Jeronim De Rada është nga të parët studiues vendas të strukturës gramatikore të shqipes. Në të dyja veprat gramatikore që hartoi më 1870 dhe 1894 vuri në dukje aspekte të patheksuara më parë nga dijetarë shqiptarë dhe albanologë dhe dukuri gjuhësore të pastudiuara ose të panjohura deri asokohe. Në veprat e tij gjuhësore jepen të dhëna me interes për të folmet arbëreshe. Bëri përpjekje të vijueshme për një alfabet të përbashkët të shqipes që të jepte një sistem sa më të plotë dhe të përshtatshëm për shqipen me karaktere latine, të plotësuara me shenja diakritike. Në veprimtarinë gjuhësore të De Radës duhet përmendur edhe organizimi i dy kongreseve gjuhësore të shqipes, i pari 1895 në Koriliano Kalabro, i dyti 1897 në Lungro. Dha me vetëmohim mësimin e shqipes në Kolegjin arbëresh të Shën-Mitër Koronës për dhjetëvjeçarë të tërë, gjersa vdiq u shua për të mbetur një “Mësues i Popullit, një Rilindas i madh i çështjes Kombëtare Shqiptare.

Mjaft e gjerë është edhe veprimtaria poetike e De Radës. Nisi të botojë që herët, por shkrimi që i solli famën si poet me talent të shquar është poema lirike-epike “Këngët e Milosaos” (1836), vepra e parë e letërsisë sonë me vlera të mëdha artistike. Në qendër të veprës është historia e një çifti të ri që bashkohet pas shumë pengesash. Autori nuk kufizohet me dënimin e paragjykimeve klasore që pengonin lumturinë e të rinjve; në vepër kumboi ideja e detyrës ndaj atdheut dhe e gatishmërisë për të luftuar për mbrojtjen e tij. Historia e dashurisë fatkeqe midis dy të rinjve nga rrethet aristokratike të Shqipërisë së shekullit XV është edhe në qendër të poemës “Serafina Topia”, mbi të cilën poeti punoi në vitet 1839-1843. I pakënaqur nga puna e tij, De Rada këtë subjekt e rimori në poemën “Pasqyra e një jete njerëzore” (1898) duke e zgjeruar dhe duke trajtuar në të një problematikë më aktuale për kohën, luftën kundër pushtuesit otoman. Vepra më e rëndësishme e De Radës është “Skënderbeu i pafan”, të cilën e mbajti në duar një kohë të gjatë (1837-1896). Në vepër janë shkrirë mjaft nga këngët dhe poemat që kishte botuar më parë. Aty u shpreh në mënyrë më të plotë dhe më të qartë patosi kombëtar që kishte frymëzuar veprën e De Radës. Ndonëse nuk ka njësi veprimi dhe vazhdimësi, poema jep një tablo të gjerë të Shqipërisë në shek. XV, të bëmat e lavdishme të popullit, dashurinë e tij të flaktë për jetë të lirë dhe të pavarur, gjallërinë e mahnitshme që shfaqi përballë sulmeve të egra të armiqve. Në qendër të veprës është konflikti midis shqiptarëve dhe osmanëve, dhënë me anë skenash ku paraqiten beteja të ashpra e të furishme, që shquhen nga ngjyresa e theksuar historike dhe imtësitë shprehëse. Heroi kombëtar shfaqet në vepër si burrë shteti i shquar dhe trim i rrallë, që diti me mençurinë dhe me heroizmin e tij të ngrejë popullin e vet në luftë çlirimtare të pashoqe. Në karakteret e personazheve të tjera mishërohet heroizmi dhe trimëria e shqiptarëve. “Skënderbeu i pafan” është kryevepra e De Radës dhe në të u dukën në mënyrë të qartë veçoritë kryesore të talentit të tij, si mjeshtër i tablove të gjera historike dhe i përshkrimit me zotësi të botës së brendshme të heronjve, të mendimeve e të ndjenjave më të thella e më të fshehta të njeriut. Si poet, sidomos në “Këngët e Milosaos”, De Rada u çmua lart edhe nga rrethet letrare evropiane.

At Zef ValentiniZef Valentini për Jeronim De Radën

“Te De Rada ia vlen të shënohet ai lloj fluturimi pindarik, tipikisht mistik, që e lidh lajmin e një mirësie të kryer jo me sensin e një mirësie personale, por të një vizioni të gjerë teologjik të gjithë-atësisë së Zotit.

Unë do të rrëfej gjithmonë veç për suksese të vërteta, edhe pse e di shumë mirë se i flas një gjenerate shumë kryeneçe, që ka për divizë shprehjen “Quid est veritas? (Ku është e vërteta?) të Ponc Pilatit

Megjithatë e vërteta është se ky njeri mistik duhet të ketë ndjerë e besuar të ketë për rilindjen e Shqipërisë një mision të atillë me atë që pat besuar të kishte Dantja për të gjithë italianët jubileun e vitit 1300. Ai s’u shpreh kurrë qartësisht në lidhje me këtë mision, ndoshta për arsye modestie, duke menduar të mos jetë i denjë për një gjë të tillë. Por, në vëllimin e periudhës së parë të ‘Autobiologjisë’ së tij, autori do të shkruajë: ‘Në vetvete, ngjarjet e jetës sime nuk kanë kurrfarë vlere për të tjerët, as kurrfarë vlerësimi prej tyre. Vlerësimi i takon lartësimit ‘të bërjes dhe pasjes’ së një gjuhe kombëtare, mbrojtëses së vërtetë të kombit shqiptar’. Ndoshta teologët nuk e kanë kaq të lehtë të pohojnë ekzistencën e misioneve profetike të poetëve, ashtu siç nuk janë të lehta të pohohen zbulesat e tyre të vërteta mistike e të mbinatyrshme, me pretendimin e drejtë për të mos i dhënë Zotit përgjegjësi që nuk janë të tijat”

Doreshkrim i Jeronim De RadesVepra dhe vlerat

Biografia e tij liston deri në 43 vepra, të gjitha të ndryshme nga njëra-tjera për nga gjinia, por tek të gjitha vetëm diçka kumbon njëlloj, patriotizmi i lartë, për t’i shfaqur kështu si “fragmente zemre”; ja pse me plot të drejtë rrëfehet se ai diti të shfrytëzojë edhe gramatikën e ftohtë të gjuhës, si fushë-betejë për të sfiduar armiqtë e Shqipërisë. Edhe atëherë kur për disa zakone a doke të caktuara kishte ide shumë të vagullta, De Rada nuk u interesua shumë të informohej; rregullohej e ambientohej lirisht në çdo fushë falë bindjes se vula e etnicitetit shqiptar ishte para së gjithash gjuha, religjioni antik i atdheut, kujtimet e Skënderbeut dhe ideali i rifitimit të pavarësisë, e, mbi të gjitha, rikthimi në qytetërimin e humbur. Pjesa tjetër mund të qe edhe e përafërt, ajo s’prishte punë.

Në thelb, që në rini De Rada shfaq mbresat e ekzistencës së një bote të vet poetike, përtej asaj të fituar nga leximet. Këngët popullore i afruan një fushë të re ku të mund ta jetonte këtë botë, e një gjuhë të re, më të freskët e më arkaike, për ta bërë atë më interesante.

E ai u krodh në të pa shumë shkujdesje, duke zbukuruar shumë prej motiveve të shkollës romantike, përtej atyre tassiane apo të këngëve tradicionale. Rezultati qe një përshtypje e thellë dhe e lumtur e lexuesve tashmë të mësuar me fantazinë e tassianëve dhe romantikëve, e që të shtyrë prej parimeve të kësaj rryme, prisnin me festë gjithçka që mund të tingëllonte si një epikë autentike popullore. “Megjithatë, nuk besoj, nënvizon Valentini, se një lexues shqiptar i epokës do të kish njohur, përtej gjuhës dhe frazeologjisë, shumë prej botës së tij në poetikën e autorit”. Nuk mund ta themi nëse De Rada ishte apo jo i ndërgjegjshëm për një gjë të tillë; e nëse qe, nuk mund të shtojmë nëse kjo ndërgjegjshmëri do ta kishte shmangur vallë nga mënyra e tij e të shkruarit (nisur nga bindja se, nëse do të donte, ai fare lehtë mund të shkruante edhe ndryshe). Ajo çka mund të themi me siguri është fakti se me poemat e tij ai s’ndihej kurrë plotësisht i kënaqur, pavarësisht se ish i ndërgjegjshëm se bëhej fjalë për diçka të madhe. Ja pse shumica prej tyre, edhe pse të ripunuara shpesh, mbetën për të në gjendjen e tentativave të pakënaqura asnjëherë.

Shtepia e Jeronim De RadesFundi i tij i trishtë

Jeronim De Rada, njëri prej përfaqësuesve kryesorë të elitës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, inspiruesi kryesor e autoritar i intelektualëve arbëreshë të kohës, kumtohet se u nda nga jeta trishtueshëm në një varfëri që “guxoi” ta persekutonte në vitet e tij të vështira të moshës së thyer. Mbamendet se atij i erdhi vdekja duke e gjetur të mbërthyer përbindshëm nga një skamje lemerisëse. Ai mbylli sytë si një virtuoz i mendimit dhe kontributit atdhetar, anipse nën hijen e mrrylët të asaj skamje që duket se ia afroi më shumë varrin shtratit ku tretej ai kurm i shterrun mishi, por zemërzjarr e pendëmprehtë.

Njerëzit që iu ndodhën më pranë ditën që iu “shua qiriu i jetës”, shtangën të habitur kur në xhepat e këtij intelektuali të spikatur, në vend të të hollave, u gjet vetëm një cironkë e tharë në tym. Një absurditet që mund të matet vetëm me vetveten, sepse me personalitete si De Rada mund të nderohet e krenohet çdo komb, në mos për patriotizmin e kulluar që ai shpalosi, së paku për majat e larta që arriti si poet, si gjuhëtar, si pedagog e jurist.

Filed Under: Kulture

Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip e Stambollit dhe roli i saj në lëvizjen kombëtare shqiptare

March 1, 2024 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Perandoria Osmane nuk i lejoi shkollat në gjuhën shqipe edhe pas dekretit perandorak (Hatt-i-Humayun, 1856), kur me ligj, të gjithë popujt e Perandorisë kishin trajtim të barabartë në arsim. Portës së Lartë dhe Patrikanës së Stambollit iu interesonte t’i mbante shqiptarët të përçarë fetarisht (Skëndi, 2000: 26-27). Perandoria Osmane nuk i lejoi shkollat në gjuhën shqipe edhe pas dekretit perandorak (Hatt-i-Humayun, 1856), kur me ligj, të gjithë popujt e Perandorisë kishin trajtim të barabartë në arsim. Portës së Lartë dhe Patrikanës së Stambollit iu interesonte t’i mbante shqiptarët të përçarë fetarisht (Skëndi, 2000: 26-27).

Sulltan Abdul Hamidi II ishte nën presionin ushtarak, politik dhe ekonomik të shteteve perëndimore, për të njohur shkollat jomuslimane të përfshira në aktivitete kundër sistemit. Ai u përpoq të merrte masa për të parandaluar hapjen e shkollave të tilla, por nuk ishte në gjendje të arrinte sukses. Perandoria Osmane në shek. XIX ra nën ndikimin e plotë të kulturës perëndimore dhe i hapi dyert për edukimin perëndimor, duke lejuar shkolla në gjuhët evropiane Deringil, 1998: 95). Gjatë periudhës së Abdylhamidit në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane dominionin shkollat në gjuhën frënge (127), italiane (22), angleze (60), gjermane (22), austriake (11) dhe ruse(Shaw and Shaw, 250). Ndikim veçanërisht negative luanin shkollat në gjuhën greke, serbe dhe bullgare. Në vitin 1892, në të katër vilajetet shqiptare kishte më shumë se 1000 shkolla greke, 40 shkolla vllahe, 200-300 serbe dhe bullgare dhe vetëm 2 shkolla shqipe (Ditërrëfenjësi, 1900: 153-154). Kishte dhe një numër të madh shkollash turke. Sipas statistikave të viteve të fundit të shek. XIX, në të katër vilajetet e atëhershme kishte 1187shkolla turke, nga të cilat 1125 shkolla fillore, 57 shkolla qytetëse (ruzhdije) dhe 5 shkolla të mesme (idadije) (Buda etj., 2002: 247; Hoti-Dani, 2014:41). Të përfshira në betejat midis perandorisë dhe rivalëve të saj (d.m.th., Britania, Franca, Rusia dhe më vonë Italia), shkolla të tilla u përdorën nga bashkëfetarët, në shtetet konkurruese, si pretekste për ambiciet territoriale dhe gjeopolitike të këtyre shteteve në sferën osmane në rënie. Kërkesat që ata i bënin perandorisë për të përmirësuar kushtet e bashkëfetarëve të tyre i lanë vendin frikës dhe mosbesimit jo vetëm ndaj fuqive evropiane, por edhe ndaj komuniteteve jomuslimane brenda Perandorisë (Evered, 2012:18).

Në periudhën e sundimit të Abdyl Hamitit II, shkollat e ndërtuara nga shteti, apo shkollat e hapura nga komunitetet patën një rol aktiv në formësimin e lëvizjeve nacionaliste: bullgarët në shkollat bullgare, grekët në shkollat greke ortodokse; serbët në shkollat serbe (Doja, 2009:155-156).

Përballimin a presionit të shteteve shoviniste fqinje që hapën shkolla në trevat shqiptare, Abdyl Hamiti II mendoi ta përballonte me hapjen e shkollave turke për të formuar vetëdijen osmane të popullësisë myslimane, duke u gjendur kështu dhe nën presionin e shqiptarëve që me të drejtë kërkonin shkolla në gjuhën e tyre. Në interes të Perandorisë, Sulltani e kishte bërë të detyrueshëm arsimimin në gjuhën turke ose arabe te myslimanët, pavarësisht nga prejardhja e tyre kombëtare. Shpresohej se një frymë e njëtrajtshme feje dhe gjuhe shtetërore do të mund të krijonte një barrierë ndërmjet elementëve të krishterëve e myslimanë (Jevalich, 2004: 209-210; Skëndi, 2000, 129).

Mosnjohja nga Porta e Lartë e së drejtës për t’u arsimuar në gjuhën amtare dhe përhapja në Shqipëri e shkollave turke, greke, sllave etj. e bënin domosdoshmëri arsimimin në shqip, për t’i ruajtur shqiptarët nga asimilimi kulturor dhe etnik që u kanosej atyre në shek. XIX (Historia e Popullit Shqiptar, II, 2002: 247). Problemi i arsimit shqip ka qenë një shqetësim i madh i udhëheqësve atdhetarë shqiptarë në periudhën mbas Lidhjes së Prizrenit, si në çështjen e gjuhës dhe atë të alfabetit. Sami Frashëri e ka shprehur përmbledhurazi këtë shqetësim në librin e tij mbi Shqipërinë që u botua nga fund i shek. XIX: “Shqipëria nuk do të mund ta shpëtonte kombësinë dhe gjuhën e saj, po qe se Turqia do të vazhdonte t’i ndalonte shqiptarët të themelonin shkollat e tyre amtare, ndërsa i lejonte kombësitë e tjera, armike të saj dhe të Shqipërisë të vepronin si t’u pëlqente. Po të vazhdonte sundimi turk, me kohë nuk do të mbetej gjurmë Shqipërie” (Skëndi, 2000:127). Samiu shtron çështjen e mësimit të gjuhës amtare, si shenjë dalluese e kombit, dhe shkrimit të saj me një alfabet të ri etj., sepse, “sot është dita, -shkruante Samiu,- q’edhe Shqipëtarët të zënë të shkruajën’ e të këndojënë gjuhën’e tyre, që të mundinë të ruajnë kombinë” (Kazazi, 2014:51).

Në fillim të gjysmës së dytë të shekullit XIX ishin të rëndësishme përpjekjet për kultivimin e gjuhës shqipe si dhe hapjen e shkollave. “Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim është bërë në vitet e 50-ta me rastin e krijimit të një shoqërie kulturore në Stamboll, qëllimi i së cilës ishte grumbullimi i mjeteve të nevojshme për shtypjen e librave dhe funksionimin e shkollave. Nuk ka të dhëna që cila shoqëri ishte dhe cila ishte veprimtaria e saj konkrete. Më vonë, nga vitet 1858-1875, në skenën politike kombëtare u shfaqën Vaso Pasha, Konstantin Kristoforidhi, HoxhaTahsini, Ismail Qemali, Jani Vreto, Abdyl, Sami dhe Naim Frashëri, të cilët secili veç e veç apo së bashku synonin të formonin një alfabet të përbashkët të shqipes si dhe një shoqëri kulturore (Shabani, 2017: 39).

Sipas gazetës osmane “Muneyiz” u krijua një komision për hartimin e alfabetit të shqipes që në vitin 1869, do të thotë dhjetë vjet përpara “Shoqërisë për Botimin e Shkrimit Shqip”. Në bazë të gazetës osmane “Muneyiz” u krijua një komision për hartimin e alfabetit të shqipes që në vitin 1869, do të thotë dhjetë vjet përpara “Shoqërisë për Botimin e Shkrimit Shqip”. Veziri i Madh i asaj kohe, Ali Pasha, duke ndjekur një politikë të afrueshme me shqiptarët, për të mos shtuar armiqësinë ndaj Perandorisë Osmane, “autorizoi dhe inkurajoi komisionin të vazhdonte mbledhjet e tij”. Por shumë shpejt ai ndryshoi mendje dhe filloi t’u krijonte pengesa anëtarëve të komisionit, kështu që më vonë ndaloi veprimtarinë e grupit (Shabani, 2017:40). Bazuar në këto të dhëna dhe dëshmi për bashkimin e patriotëve shqiptarë për zgjidhjen e problemit të alfabetit të përbashkët, mendohet se ka qenë një përpjekje në fund të vitit 1869 dhe që ka vazhduar deri në fillim të vitit 1870, por që ka përfunduar pa sukses. Në vitin 1871 vihet re një prirje tjetër në funksion të krijimit të një organizate atdhetare kulturore shqiptare (Domi, 1971:9-10).

Historia e viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u kishte bërë të ditur shqiptarëve nevojën e ngutshme të një alfabeti të njësuar të gjuhës shqipe, detyrimin për të marrë përsipër organizimin e përpjekjeve për ngritjen e shkollave shqipe në të gjithë vendin, për të zhvilluar me ritme më të shpejta letërsinë shqiptare, botimin e librave, teksteve shkollore, veprave letrare, broshurave shkencore dhe organeve periodike shqipe. Nismën për të zgjidhur këto detyra e mori përsipër Komiteti i Stambollit. Anëtarët e atij Komiteti Abdyl Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto, Sami Frashëri, Zija Prishtina etj., ishin edhe figurat më të shquara të Lidhjes së Prizrenit( Historia e Popullit Shqiptar, II, 2004: 212). më 12 tetor 1879 dhanë kontributin e tyre të madh për themelimin e “Shoqërisë të Shtypurit Shkronja Shqip”, e cila thirrej shkurt edhe “Shoqëria e Shkronjëzave”, ose “Shoqëria e Stambollit”. Miratimi i alfabetit të Stambollit më 1879, do të shënonte një hap të rëndësishëm përpara në rrugën për vendosjen e një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe.

Qëllimi i shoqërisë ishte krijimi i një gjuhe standarde e cila do të çonte në botimin e librave, revistave dhe gazetave që do të përdoreshin dhe kuptoheshin nga të gjithë (Jevalich, Jevalich, 2012: 225). Gjatë debateve, pashallarët që merrnin pjesë në komision dhe inkurajoheshin nga Porta e Lartë ishin shprehur për alfabetin arab, por u kundërshtuan nga shumica e anëtarëve të komisionit. U sollën argumente shkencore, politike, praktike dhe gjeografike për të mose pranuar alfabetin arab, pasi shqiptarët ishin evropianë dhe ata duhet të kishin një alfabet nga Kontinenti i Vjetër (Shabani, 2017:40-41).

Kjo shoqëri filloi të hartonte abetare shqipe dhe tekste për gramatikën dhe gjeografinë me shkrim latin (Somel, 1997:453). Edhe pse qëndrimi osman ndaj kësaj shoqate nuk dihet, ka të dhëna se gjatë periudhës së Tanzimatit, prirja zyrtare osmane ndaj botimeve në gjuhën shqipe apo ndaj veprimtarive kulturore shqiptare nuk ishte kategorikisht armiqësore (Somel, 1997: 452). Shteti osman fillimisht shfaqi një politikë të moderuar kundër kërkesës për arsim shqip. Edhe pas shfuqizimit të Lidhjes së Prizrenit, Ministria e Arsimit sugjeroi që librat e leximit dhe gramatikës në gjuhën shqipe, ndoshta të shkruara me shkronja arabe nga Daut Boriçi, të shtypeshin dhe të shpërndaheshin në shkollat shtetërore të rajoneve ku jetonin shqiptarët (Gençoğlu, 4922). Por, sulltani Abdyl Hamiti II e lejoi shkollimin shqip aq sa i nevojitej dhe në ato vende ku i duhej. Në kushtet e veprimtarisë së ethëshme të Patriarkanës së Stambollit dhe të shtetit grek në jug të vendit, Sulltani ishte i nteresuar për zhvillimin e nacionalizmit shqiptar në trevat jugore, por kurrësesi nuk e lejoi në trevat veriore. Në një realitet të tillë politik, Veziri i Madh Safet Pasha, pasi kishte theksuar rëndësinë e shqiptarëve për dominimin osman në rajon, kishte argumentuar se “shteti duhet të hapë shkolla në fshatra dhe qendra administrative” (Somel, 1997: 452, 453).

Për të kundërshtuar veprimet e ethëshme greke për greqizimin e shqiptarëve, që ishin kërcënuese për Perandorinë, në viset jugore të krahinës së Janinës dhe në krahinën e Manastirit, ku vepronte kultura ortodokse greke, u lejuan të ngriheshin disa shkolla shqipe. Por, Porta e Lartë nuk mund të përballonte shfaqjen e një zhvillimi kulturor kombëtar dhe laik midis shqiptarëve myslimanë, duke krijuar bashkësi me shqiptarët e krishterë dhe, si rrjedhojë, shfaqjen e një interesi të veçantë kombëtar (Somel, 1997: 452).

Sigurisht, Traktati i San Stefanit provokoi nacionalizmin shqiptar dhe farkëtoi lëvizjen e Rilindjes Kombëtare Shqiptare (Sotoroviç, 2016:32). Që nuk i shkonte për shtat politikës hamidiane ndaj shqiptarëve, prandaj pas shpërndarjes së Lidhjes së Prizrenit, mësimi i shqipes në shkollat publike, si dhe përdorimi i së njëjtës gjuhë në korrespondencën zyrtare u ndalua kategorikisht. Edhe përkthimet e hutbeve të së premtes nga arabishtja në shqip në xhamitë e Shkodrës mund të bëhen shkak për hetime zyrtare. Para vitit 1908 çdo korrespondencë private në gjuhën shqipe si dhe posedimi i librave të përpiluar në këtë gjuhë ishte i paligjshëm. (Somel, 1997: 452).

Në kushtet e terrorit osman, pas shpërbërjes së Lidhjes së Prizrenit, veprimtaritë kulturore shqiptare vazhduan në Rumani (Bukuresht, Konstancë), Bullgari (Sofje), Austri (Klagenfurt, Vjenë) dhe Egjipt (Kairo). Në Bukuresht, shoqatat si: Drita (“Drita”), Dituria (“Dituria”) dhe Shpresa (“Shpresa”) ishin të rëndësishme në përpjekjet e tyre për të ofruar mbështetje materiale për veprimtaritë arsimore shqiptare në krahinat osmane (Somel, 1997: 453). Por përpjekjet e shqiptarëve për të fituar të drejtat kulturore si popujt e tjerë të Perandorisë vazhduan. Ata krijuan një Komitet Shqiptar të Reformave, i cili i dërgoi një memorandum Vezirit të Madh në korrik të 1896-s, në emër të krishterëve dhe të myslimanëve, duke protestuar kundër ndarjeve që ekzistonin në Perandorinë Turke, sipas të cilit të krishterët ortodoksë shqiptarë konsideroheshin grekë ose sllavë, sipas vendit ku kishin lindur, në jug apo në veri. Një vit më vonë, drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare iu drejtuan Sulltanit me një letër, ku kërkonin që “të merren masa për njohjen e shqipes si gjuhë kombëtare, për miratimin dhe mbrojtjen zyrtare të kishave dhe shkollave, siç është aplikuar me kishat dhe shkollat bullgare dhe serbe dhe për lehtësimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe shqiptarëve që jetojnë në Itali” (Batir, 2012: 213). Në nëntor të vitit 1898 në Bukuresht, u mbajt një kongres kombëtar kushtuar shkollave shqipe dhe në përfundim i kërkohej Sulltanit, që të shpallte një dekret për të futur mësimin e detyrueshëm “të gjuhës shqipe në të gjithë shkollat e Shqipërisë pa përjashtim”. Mirëpo, ashtu si kërkesat e memorandumet e mëparëshme edhe kërkesa e Kongresit të Bukureshtit ra në veshë të shurdhër (Historia e arsimit, 2003:158-159).

Në kushtet e ndalimit të arsimit shqip, për interesa të shtetit osman, nga autoritetet u lejuan dy shkolla shqipe të Korçës, për djem dhe ajo për vajza. Por rezultatet e këtyre shkollave për ngritjen e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, si dhe veprimtaria e shkollave të fshehta shqipe, të hapura me shumicë në jug, e kishin shtuar shqetësimin e autoriteteve osmane dhe të Patriarkanës së Stambollit. Si rrjedhim, në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, shpërtheu një fushatë ndjekjesh, burgimesh dhe internimesh të mësuesve dhe veprimtarëve shqiptarë (Historia e arsimit, 2003:167-168). Autoritetet osmane arritën deri aty sa të mbyllin edhe dy shkollat e Korçës, që i kishin lejuar vetë vite më parë. Në qeshor të vitit 1902, pas 15 vjet pune, ishte mbyllur Mësonjtoria Shqipe për djem. Vështirësi po kalonte edhe shkolla shqipe e vazjave në Korçë. Pas urdhërit të Stambollit që ndalonte vijimin e kësaj shkolle nga nxënëset myslimane në vitin 1904, Porta e Lartë ndaloi përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhës mësimi në këtë shkollë dhe në fillim të vitit 1907, u lëshua urdhëri nga Veziri i Madh për mbylljen e saj (Historia e arsimit, 2003:169-171).

Dekada e fundit e shekullit dëshmoi një kërkesë gjithnjë në rritje për autonomi administrative dhe shkolla kombëtare shqipe nga fisnikët vendas. Këto kërkesa u shprehën nga mbledhjet në Manastir dhe Elbasan në vitin 1896, si dhe në Pejë dhe në Dibër midis viteve 1897 dhe 1898. Veprimtaritë e tilla shqiptare u bënë veçanërisht më intensive kur kryengritja në Kretë e viteve 1896-1897 rezultoi në një konfrontim greko-osman. Një “Komitet Shqiptar” nën udhëheqjen e Sami Frashërit u themelua në vitin 1897 në Stamboll, duke shprehur të njëjtat kërkesa. Reagimi i shtetit osman ndaj këtyre aktiviteteve dhe kërkesave ishte shtypja e çdo lëvizje kulturore shqiptare deri në vitin 1908 (Somel, 1997:454).

Filed Under: Opinion

Shprehje që mbesin

March 1, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Ndikimi i William Shakespeare në teatër, letërsi dhe gjuhën angleze është vështirë të nënvlerësohet. Ai shkroi rreth 39 drama dhe 154 sonete dhe konsiderohet gjerësisht si shkrimtari më i madh në gjuhën angleze. Një shkrues i komedive, historive, tragjedive dhe romancave, ai mbuloi një sasi të madhe territori, duke ekzaminuar gjendjen njerëzore duke krijuar personazhe ikonë si Hamleti, Makbethi, Otello, Romeo dhe Zhuljeta.

Shekspiri shkroi dramat e tij për t’i shijuar të gjithë dhe turmat e tij përmbanin njerëz nga të gjitha sferat e jetës. Në Teatrin Globe, të ndërtuar nga kompania e teatrit të Shekspirit në 1599, njerëzit më të varfër do të qëndronin në zonën qendrore, të zbuluar. Ndërkohë në galeri ishin ulur fisnikëria dhe qytetarë të tjerë të pasur, të mbrojtur nga moti dhe turma e zhurmshme poshtë. Aftësia e Shekspirit për të tërhequr një audiencë të përzier ishte pjesë e suksesit të tij dhe gjithashtu një nga arsyet pse fjalët dhe frazat e tij depërtuan në të gjithë shoqërinë.

Në kohën e vdekjes së tij në vitin 1616, në moshën 52-vjeçare, shumë prej frazave dhe idiomave të tij kishin fituar një bazë në gjuhën e zakonshme. Aq shumë, saqë ende përdoren disa prej tyre sot – shpesh pa e kuptuar se janë shpikur nga Shekspiri. Nëse po përpiqeni të “thyeni akullin” në një festë, ju jeni duke cituar Shekspirin.

“Dashuria eshte e verber”

Shekspiri e përdori këtë frazë në tre nga dramat e tij, duke iu referuar mënyrës se si dashuria mund të na bëjë të anashkalojmë të metat e atyre që duam (për mirë dhe për keq). Në “Tregtari i Venecias”, Xhesika thotë: “Por dashuria është e verbër dhe të dashuruarit nuk mund të shohin marrëzitë e bukura që bëjnë vetë”. Mbetet një frazë e zakonshme sot.

“Përbindësh me sy të gjelbër”

Kur Iago i keq mbjell farën e dyshimit në mendjen e Otello-s për besnikërinë e gruas së tij, ai i thotë: “O, kujdes, zotëria im, nga xhelozia! Është përbindëshi me sy të gjelbër që tallet me mishin me të cilin ushqehet.” Ne ende përdorim “përbindësh me sy të gjelbër” në lidhje me xhelozinë në të gjitha format e saj.

“Gjak të ftohtë”

Kur Konstanca shpreh zemërimin e saj ndaj aleatëve të saj të supozuar, ajo u kundërvihet atyre me “Ti skllav gjakftohtë, a nuk ke folur si bubullimë nga ana ime?” Shekspiri përdori “gjakftohtësi” përpara se të përdorej në një kuptim biologjik (për zvarranikët dhe peshqit), për të shprehur një veprim të pandjeshëm, të pashpirt ose qëllimisht mizor. Sot përdoret shpesh për t’iu referuar “vrasësve gjakftohtë”.

“Ditët e sallatës”

Kleopatra i referohet marrëdhënies së saj të mëparshme me Jul Cezarin si ndodhi gjatë “ditëve të mia të sallatës, kur isha e gjelbër në gjykim”. Ditët e sallatës i referohen një kohe pafajësie të shkujdesur dhe papërvojë rinore (sallata është jeshile, si në të papjekur). Ne e përdorim shprehjen në një mënyrë të ngjashme sot, megjithëse mund t’i referohet gjithashtu një kulmi ose “viteve të arta”.

“Thye akullin”

Kur Tranio flet me Petruchion-n se si të joshë Katerinën zemërgur, ai i thotë atij që “…thyeje akullin dhe bëje këtë punë, arrije të moshuarin, liro të riun”. Thye akullin, në këtë kuptim, është një metaforë për Katerinën e ftohtë. Sot ajo ka një përdorim më të përgjithshëm, që do të thotë për të lehtësuar tensionin ose për të nisur bisedën në një festë ose mbledhje të tjera shoqërore, ose kur njerëzit takohen për herë të parë.

“I vdekur si një gozhdë dere”

Kjo shprehje ka qenë në përdorim që nga shekulli i 14-të dhe ishte e zakonshme në kohën e Shekspirit. Por mbijetesa e saj deri më sot ka të bëjë shumë me paraqitjen e saj në dramën e Shekspirit, kur udhëheqësi rebel Jack Cade thotë: “…eja ti dhe pesë burrat e tu dhe nëse nuk ju lë të gjithë të vdekur si një gozhdë, I lutem Zotit që të mos ha më kurrë bar.”

“Mizor të jesh i sjellshëm”

Pasi e vrau Poloniusin më herët në skenë dhe duke qortuar nënën e tij Gertrudën, Hamleti thotë:

“Duhet të jem mizor vetëm që të jem i sjellshëm.” Ai i thotë Gertrudës se duhet të jetë mizor ndaj saj për të mirën e saj – në të njëjtën mënyrë në të cilën ne përdorim shprehjen sot.

“Përfundim i paramenduar”

Pasi Othello pa një ëndërr në të cilën e dashura e tij Desdemona e tradhtoi, ai u bind se ishte e vërtetë: “Por kjo tregonte një përfundim të paramenduar”. Fraza ka mbetur që nga viti 1604.

“Bota është guaska juaj”

Gratë e Gëzuara të Windsor

Kjo frazë ka ndryshuar pak gjatë shekujve. Fillimisht u shfaq në një rresht nga personazhi Pistol: “Pse atëherë guacka ime e botës, të cilën unë me shpatë do ta hap”. Në kontekstin e shfaqjes, ajo kishte një konotacion të dhunshëm, pasi Pistol donte të hapte me forcë guackë deti metaforike për të marrë para. Tani ne e përdorim atë në një mënyrë shumë më pozitive, për të përcjellë se gjithçka është e mundur dhe gjithçka mund të arrihet.

Photo by: fineartamerica.com

Filed Under: Analiza

ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONI – STATUSI POLITIK

March 1, 2024 by s p

Prof. Xhelal Zejneli/

Çështja shqiptare në Maqedoni duhet të shtrohet në rrugën politike demokratike dhe paqësore. Ajo mund të zgjidhet me realizimin e kërkesave të poshtëshënuara:

1. Të krijohen në Maqedoni dy entitete: entiteti shqiptar dhe entiteti sllavo-maqedonas. Kufijtë e entitetit shqiptar do të shtriheshin deri aty ku flitet gjuha shqipe, e ajo flitet në pjesën veriperëndimore të Maqedonisë: në Kumanovë, në Shkup, në Tetovë, në Gostivar, në Dibër, në Kërçovë, në Strugë. Shqiptarët jetojnë në trojet e tyre etnike edhe në Ohër, në Prespë, në Resnjë, në Manastir, në disa fshatra të Velesit dhe të Prilepit; ose

2. Të krijohet në Maqedoni njësia politiko-territoriale shqiptare në të cilën do të përfshiheshin qytetet e sipërthëna, prej Kumanove deri në Strugë;

3. Federalizmi i Maqedonisë;

4. Të krijohet një Maqedoni dykombëshe, përkatësisht binacionale;

5. Shqiptarët të jenë popull vendimmarrës;

6. Zyrtarizimi i gjuhës shqipe në mbarë territorin e Maqedonisë;

7. Nxënësit maqedonas ta mësojnë shqipen si lëndë detyruese, që nga klasa e tretë e arsimit fillor, njashtu siç e mësojnë edhe nxënësit shqiptarë maqedonishten;

8. Themelimi i një parlamenti dydhomësh: dhoma e qytetarëve si dhe dhoma e dy bashkësive etnike, në të cilën ligjet dhe aktet e tjera normative do të miratoheshin njëzëri apo me konsensus. Me fjalë të tjera, bashkësitë etnike do të kishin të drejtën e përdorimit të vetos;

9. Të bëhet denacifikimi i Maqedonisë, ngase është shteti më i nacifikuar në Evropë;

10. Ndryshimi i flamurit të shtetit, për arsye se me të identifikohet bashkësia etnike sllavo-maqedonase;

11. Ndryshimi i himnit të shtetit, për arsye se me të identifikohet bashkësia etnike sllavo-maqedonase;

12. Ndryshimi i stemës së shtetit, për arsye se ajo nuk përmban asnjë karakteristikë të bashkësisë etnike shqiptare;

13. Lufta e 2001-shit të zërë vendin e merituar në historinë e Republikës së Maqedonisë dhe të përfshihet në tekstet shkollore dhe universitare të këtij vendi;

14. Të zgjidhet statusi i dëshmorëve të luftës së 2001-shit;

15. Të zgjidhet statusi i invalidëve të luftës së 2001-shit;

16. Të zgjidhet çështja e ndërrimit të emrit në mënyrë që Maqedonisë t’i hapet shtegu i integrimit euro-atlantik;

17. Sllavo-maqedonasit janë popull me identitet të diskutueshëm;

18. Sllavo-maqedonasit nuk mund të jenë mbartës të vetëm të shtetësisë;

19. Sllavo-maqedonasit nuk mund të jenë trashëgues të vetëm të shtetësisë;

20. Të bëhet regjistrimi i popullsisë sipas standardeve evropiane;

21. Buxheti i shtetit të ndahet në mënyrë proporcionale si dhe në bazë të kontributit ekonomiko-financiar të shqiptarëve në krijimin e tij, duke përfshirë edhe mjetet financiare të diasporës shqiptare që derdhen çdo vit në Maqedoni;

22. Investimet e huaja të realizohen në pjesën veriperëndimore të Maqedonisë, në përputhje me potencialin demografik të shqiptarëve si dhe me kontributin e tyre ekonomiko-financiar;

23. Të intensifikohen marrëdhëniet e gjithanshme midis Maqedonisë dhe Shqipërisë si dhe Maqedonisë dhe Kosovës;

24. Studentët e dalluar shqiptarë në ngarkim të buxhetit të shtetit, të dërgohen për ngritje profesionale dhe për specializime në botën e jashtme;

25. Pjesa shqiptare e mjeteve, e harxhuar për projektin “Shkupi 2014”, t’u kthehet shqiptarëve;

26. Të themelohet Gjykata Speciale e cila do të merrej me procedimin e rasteve që burojnë nga përgjimet;

27. Të zgjidhet statusi i ish të burgosurve dhe i të përndjekurve politikë shqiptarë në Maqedoni që kanë vuajtur dënime nëpër burgjet jugosllave, që nga viti 1944 e këndej;

28. Të lirohen nga burgjet e Maqedonisë të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë;

29. Një pjesë e të dënuarve shqiptarë t’i nënshtrohen rigjykimit, në mënyrë që e vërteta të dalë në shesh;

30. Të ndërtohen në pjesën veriperëndimore të Maqedonisë zona të lira ekonomike;

31. Të ndërtohen vija hekurudhore moderne me të cilat Maqedonia do të lidhej me Shqipërinë dhe me Kosovën;

32. Të bëhen investime infrastrukturore kapitale në pjesën veriperëndimore të Maqedonisë, duke ndërtuar autostrada moderne në vijat:

– Gostivar – Qafa e Thanës;

– Tetovë – Glloboçicë, deri në kufirin me Kosovën;

– Tetovë – Prizren, duke çelur tunel nëpër malin Sharr;

– Shkup – Prishtinë;

– Të ndërtohen rrugë automobilistike në fshatrat e rrethit të Kumanovës që lidhen me Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë);

* * *

Refuzimi i kërkesave, nga pala sllavo-maqedonase, për një status shtetformues të shqiptarëve, mund t’i shtyjë ata:

– të veprojnë politikisht – jashtë institucioneve të shtetit;

– të zbatojnë politikën e mosbindjes civile pasive;

– të ndjekin politikën e mosbindjes civile vepruese;

– të krijojnë sistem paralel;

– të realizojnë të drejtën për vetëvendosje.

Zgjidhja e çështjes shqiptare në Maqedoni është në interes të paqes dhe të qëndrueshmërisë së shtetit.

Zgjidhja e çështjes shqiptare në Maqedoni është në interes të qëndrueshmërisë së rajonit.

Pa u zgjidhur çështja shqiptare, Maqedonia kurrë s’ka për të qenë shtet i qëndrueshëm dhe demokratik.

Pjesa veriperëndimore e Maqedonisë paraqet vazhdimësi të pashkëputur etnike, gjuhësore, historike, kulturore dhe etnografike të trojeve kombëtare shqiptare në gadishull.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT