• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2024

Fotoreportazh nga Morcote e Zvicrës ku pushon përjetësisht, Aleksandër Moisiu

March 27, 2024 by s p

Në Zvicrën mike, sheshi, busti dhe shtëpia muze e Aleksandër Moisiut?

U nisëm nga Cyrihu e të ftuar nga drejtori i shkollës së aktrimit IFTP, Prof. Adem Kicaj. Nga Cyrihu ishim Prof. Adem Kicaj, Musa Sylejmani, Pal Daka, Kol Rapaj, Giorgia Alexia, Anife Shaqiri, Shqipe Hasaj dhe Skender Hasani (kameraman dhe fotograf). Rruga ishte e gjatë, por mezi se prisnim, që të jemi me kohë në vendin e caktuar ku na priste me zemërbardhësi, z.Sylë Mujaj me veprimtarë të asaj ane, si: Fitore Haklaj, poete e artiste, Mimoza Elshani, edukatore e mësuese, Fatmir Veseli, atdhetar e krijues, Remzi Durmishi, aktorë e veprimtarë, Luljetë Dragidella- Tigani, shkrimtare e poete, Redon Durmishi, student, Kolë Repaj, student e krijues, Hanife Shaqiri, poete e krijuese dhe Xhemile Veseli.

Morcote, 24 mars

Nga tituli me një pikëpyetje, tregon se ende nuk është jetësuar, por ka lindur e do të rritet e jetësohet ky projekt. Gjithandej Zvicrës, gjuha e ëmbël shqipe po dëgjohet. Edhe Enti Federal i Statistikave zvicerane, ditë më parë, doli me lajmin, se gjuha shqipe, pas gjuhëve vendore dhe pas angishtes është e para. Kjo nuk do dyshim, sepse gjuha shqipe flitet e përflitet gjithandej dhe numri i shqiptarëve në Zvicër thuhet se po i a frohet 300.000. Mërgata shqiptare ka filluar të orientohet edhe në projekte të mëdha jetike për brezin e ri që do të rritet e jetoje në Zvicër. Tashmë, kemi gjeneratën e katërt dhe padyshim, se vizioni i gjeneratave të reja është më ndryshe. Gjurmët e të parëve nuk do ti humbin, qoftë në diasporë apo edhe në tokat shqiptare. Kanë kaluar kohërat, kur mërgata jonë është dashur, primare të shikoj për në atdhe, para luftës, gjatë luftës, sepse tashmë kemi shtetin tonë, Kosovën e pavarur. Fati është i madh, se veprimtarët e dëshmuar, së bashku me veprimtarët e rinjë, po marrin nisma jetike edhe në shtetet ku po jetojmë. Edhe pse nuk dëgjuam ndoj lajm diku në atdheun tonë për përvjetorin e 89 të ndarjes nga jeta për aktorin e madh të skenës evropiane në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX. Edhe pse as në diasporë nuk dëgjuam, ka artistë, dashamirës të artit që nuk e harrojnë. Nuk duan vetëm foto të kenë, por përgaditje disa mujore për t`ia kushtuar gjithë ditën aktorit të madh me gjakë shqiptari që pushon në përjetësi në Morcote të Zvicrës. Mosiu mbante lidhje me studentët shqiptarë në Austri. Më 28 nëntor 1930, u prit ngrohtësisht prej tyre në një darkë, me rastin e Ditës së Flamurit. Për shkak të mbiemrit, qarqet antisemite gjermane dyshonin mos është hebre dhe e përndiqnin. Në vitin 1932 u largua nga Gjermania dhe u vendos në Zvicër.

Po atë vit korri sukses nëpër skenat e Evropës në shfaqjen jubilare të “Faustit” të shkrimtarit gjerman Johan Volfgan Gëte (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832). Rolin e Fedjas nga drama “Kufoma e gjallë” e Tolstoit e interpretoi 1200 herë duke dhënë me mjeshtri të lartë ankthin ekzistencial të njeriut përballë vdekjes. Aleksandër Moisiu vdiq në Vjenë më 23 mars të vitit 1935, në kulmin e veprimtarisë së tij skenike. U varros në varrezat Morkote (Morcote), mbi liqenin e Luganos, në kantonin Tessin të Zvicrës.

Madhështinë e Aleksandër Moisiut e kanë vlerësuar personalitete të mëdha të botës së artit. Midis tyre:

Shkrimtari austriak me prejardhje hebraike Franc Kafka (Franz Kafka, 1883-1924) thotë: “Zëri, mimika dhe gjestet e Moisiut shfaqin diçka unike, diçka e cila nuk ishte parë asnjëherë në skenën botërore të artit”;

Shkrimtari i shprehjes gjuhësore gjermane, me prejardhje hebraike, i lindur në Pragë Maks Brod (Max Brod, 1884-1968) thotë: “Hamleti është shkruar për Moisiun dhe Moisiu ka lindur për të interpretuar vetë ai Hamletin”;

Regjisori dhe reformatori i skenës gjermane Maks Rajnhard (Max Reinhard, 1873-1943) thotë: “Unë gjeta te Moisiu aktorin e vërtetë që kërkoja”;

Aktori dhe reformisti i teatrit francez Andre Antuan (André Antoine, 1858-1943) thotë: “Me interpretimin e rolit të Hamletit, Moisiu fitoi dashurinë e publikut francez”.

Duke i ditur të gjitha këto dhe shumë të tjera, ku edhe sytë e tanë e panë realitetin se një buqetë me lule nuk ishte mbi varrin e tij, por lulet e freskëta po i vijnë e do ti vijnë deri sa të jetë gjallë, Moisiu i diasporës sonë, aktori, regjisori, skenografisti, drejtori i shkollës së aktrimit IFTP me qendër në Zvicër, Adem Kicaj, i shoqëruar nga ish studenti i tij aktorë, z.Musa Sylejmani dhe i madhi, Sylë Mujaj, ish kryetar i Shoqatës Kulturore Shqiptare me emrin “Aleksandër Moisiu”, që ishte themeluar në vitin 1993 dhe regjistruar në kantonin Tiçino si shoqatë kulturore e cila ka realizuar edhe ngjarje të tjera shumë të rëndësishme në vitet 1994-1995. Z.Adem Kicaj dhe z.Mujaj, janë një kombinim i mrekullueshëm, që e njohin mirë historinë e Moisiut. Njëri nga arti figurative dhe tjetri nga ai artistikë e duke luajtur edhe rolin e tij nëpër shumë takime por edhe sot. Është interesant fakti, se sot më 24 mars, në anën e Zvicrës gjermane ishte një mot i lig, por duke shpresuar se në Morcote do të ketë rreze dielli, sepse edhe qëllimi ishte i bardhë dhe fisnikë. Zakonisht në reportazhet e mia ka fjalë përshkrimi nga ajo që kam parë me sy, ndoshta edhe syri i kamerës nuk ka mundur ti kape. Prandaj, janë paksa të gjata, por me rëndësi se shkruaj për ata që lexojnë. U nisëm nga Cyrihu e të ftuar nga drejtori i shkollës së aktrimit IFTP, që para disa muajve kremtoi edhe 20 vjetoin e themelimit. Nga Cyrihu ishim Adem Kicaj, Musa Sylejmani, Pal Daka, Kol Rapaj, Giorgia Alexia, Anife Shaqiri, Shqipe Hasaj dhe Skender Hasani (kameraman dhe fotograf). Rruga ishte e gjatë, por mezi se prisnim që të jemi me kohë në vendin e caktuar ku na priste me zemërbardhësi, Sylë Mujaj me veprimtarë të asaj ane, si: Fitore Haklaj, poete e artiste, Mimoza Elshani, edukatore e mësuese, Fatmir Veseli, atdhetar e krijues, Remzi Durmishi, aktorë e veprimtarë, Luljetë Dragidella- Tigani, shkrimtare e poete, Redon Durmishi, student, Kolë Repaj, student e krijues, Hanife Shaqiri, poete e krijuese dhe Xhemile Veseli.

Ora 11.08 min në Morcote

Pas një bashkëbisedimi me miqtë tanë në pjesën e kantonin e Tiçinos, menjëherë iu drejtuam Morcote për te varri i Aleksandër Moisiut dhe bashkëshortes së tij për të vazhduar me sukses përvjetorin e të madhit Aleksandër Moisiut me moton tashmë të njohur ndër vite: “LULE PËR MOISIUN”, lule që kishte siguruar, aktori dhe veprimtari, Remzi Durmishi. Këtë organizim, padyshim, se do ti kishte lakmi edhe institucionet tona shtetërore sepse ishte punuar me muaj nga drejtori i IFTP, z.Adem Kicaj. Morcote me rrezet e diellit dëshmoi sigurisht edhe shpirtin e Moisiut sepse ai kudo që shkonte dielli e Ilirëve e mbante me vete. Ishte Profesor, z.Kicaj ai që kishte barren kryesore të organizimit me studentët e tij. Kam pasur nderin që edhe nëpër disa përvjetore të jem edhe unë, por vërtet ishte një gjallëri e veçantë dhe përjetova sikur ta njoha Moisiun edhe fizikisht. Z.Sylë Mujaj kishte marur një numër të madh të fotografive të Moisiut nëpër role, foto nga shtëpia e tij dhe secili që ishim në këtë ditë mbanim një foto dhe një lule të freskët në dorë. Kaluam shkallët e larta dhe iu afruam varrit. Z.Kicaj kujtoi edhe disa personalitete që këtyre shkallëve dikur sa ishin të gjallë fizikisht i kishin kaluar si Dr.sc.Llukman Halilin. Foto kujtimi dhe kameramani e fotografi, z.Skender Hasani mundohej të regjistronte gjithçka e duke e drejtuar Adem Kicaj që nuk i ikte asgjë, sepse e kishte bërë regjinë me shumë përkushtim. Pas pak minutash, Adem Kicaj, siç dinë ai vetë me shumë mjeshtri ishte veshur si Moisiu dikur nëpër skenat e ndryshme të botës. Ai ndër të tjera na tha: „Tani jam në botën e Moisiut tim. Ftoj PhD.Dashnim Hebibi për një fjalë rasti. PhD.Dashnim Hebibi, njëherit gazetar, poetë, publicist dhe që e ka përcjellur edhe këtë përvjetor, pasi përshëndeti z.Kicaj për ftesën ndër të tjera tha: „ Shpirti im është oqean fjalësh, por për çudi më humbën. Më humbën në këto momente emocionale, kur po flas para varrit të Mosiut dhe bashkëshortes së tij që janë afër njëri tjetrit. Po flas para kësaj bukurie, që ngjyrat e liqenit dhe qiellit po bashkohen me njëri tjetrin, po kujtoj kohën se se e lamë në Cyrih dhe me zemrat tona me plot diell, erdhëm ta kujtojmë njeriun që e merrte diellin me vete ngado. Moisiu nga ajo që kemi lexuar dhe kemi dëgjuar, ishte një yll i ndritur. Ju kujtoj, se vetë roline Fedjas nga drama Kufoma e gjallë“ eTolstoit e interpretoi 1200 herë. Sado që të flas është pak për te. Gjithmonë në zemra tona. Do të doja, që në vitin tjetër ti kemi edhe institucionet tona ti bashkangjiten Adem Kicaj bashkë me studentët e tij dhe Sylë Mujaj bashkë me ne të tjerët. Të nderuar të pranishëm, unë sot, ju them me shumë emocione, para nesh e kemi Moisiun tonë të diasporës dhe t`ia japim fjalën atij“. Pas z.Hebibi foli edhe z.Sylë Mujaj që është njohës i mirë i jetës dhe veprës së Moisiut ai kujtoi shumë gjëra interesante dhe tregoi edhe për shtëpinë e tij që e ka këtu në afërsi.

Fjalën e mori edhe me një përshëndetje, por edhe me një poezi edhe Fitore Haklaj, poete e artiste, pastaj Musa Sylejmani, aktor e artist me një pjesë artistike të mrekullueshme, Pal Daka, aktor, Remzi Durmishi, aktorë e veprimtarë, pastaj zonja.Shqipe Hasaj, poete e kontribuese me disa fjalë dhe lexoi edhe një poezi të saj si dhe zonja.Mimoza Elshani, edukatore e mësuese, falënderoi të gjithë dhe vlerësoi lart edhe veprën e jetën të aktorit me gjakë shqiptari, Aleksandër Moisiu. Aktorja rumune, studente dhe bashkëpunëtore e Profesor Adem Kicaj, znjsh.Giorgia Alexia në rolin e bashkëshortes të Aleksandër Moisut me një pjesë të shkurtërt teatrale na dhanë emocione të pashlyera.

Pasi mbaruam me programin e paraparë, z.Kicaj dha një monolog siç dinë ai mjeshtërisht, ku e kishte përgaditur ditë më parë enkas për këtë përvjetor. Mes rreshtash e pash edhe veten e tij, duke përmendur fjalët e duke bërë krahasim me Moisiun që nuk e kishte shtetësinë e Shqipërisë. Po përshkruaj disa fjalë të recitalit të z.Kicaj: „Pse more nuk po më pranoni? Pse more po thuani nuk e njeh gjermanishten, kur ai luan në teatrin zviceran. Pse more e mundoni me përgojime dhe mundoheni ta shkelni mundin, respektin e modestinë. Kujt ja lyp për mëshirë një copë letër për atdhesim? Në skenën gjermane ja çifuti. Hajt pra, se unë e kreva rolin tim. Nuk i mungonte edhe loti në sytë gjatë aktrimit, sepse ishte i tëri në rolin e Moisiut. Brilante. Z.Kicaj me veshjen e tij aristokrate por në rol të Moisut me bostunen (shtagën) e bardhë e dorëzat e bardha përmendi edhe disa emra të veprimtarëve në diasporë për kontributin e tyre në çështjen kombëtare që nuk i kemi fizikisht por shpirtërish gjithmonë, si z.Rrustem Selca, PhD.Llukman Halili, bëmirësin, Bexhet Sallahu, artistin Naski Abdixhiku, veprimtarin Lan Avdiu, aktorin e madh Skender Tafa, Agron Bajrami, drejtorin e shkollës së vallëzimit Shota, Agim Mala ish drejtorin e RTP, Shpend Gashi aktorë, Nuhi Hoxha aktorë, etj. Kjo është madhështore. Modesti e klasit të parë. Duke cakërruar gotat, z.Kicaj, së bashku me z.Sylë Mujaj, me studentët e shkollës së aktrimit IFTP dhe të gjithë të pranishmit, cakërruan gotat dhe aty në mënyrën më të bukur artistike, z.Kicaj luajti edhe rolin e Moisiut kur i fliste studentëve të tij në gjuhën e bukur shqipe. Me të përfunduar i gjithë ky takim përkujtues, u vendos nga z.Adem Kicaj, drejtor i shkollës së IFTP me qendër në Cyrih, së bashku me z.Sylë Mujaj dhe Phd.Dashnim Hebibi e të përkrahur nga të gjithë që ishin të pranishëm dhe duke pritur edhe përkrahjen e institucioneve tona gjithandej tokave shqiptare, që ta jetësojmë një projekt që do ti bëj nder edhe neve si shqiptarë, Zvicrës dhe gjithë botës, artëdashësve. Z.Mujaj theksoi se do të punojmë të gjithë kush sa të mundet që të kemi një shesh me emrin e Aleksandër Moisiu, një bust për Moisiun si dhe që shtëpia e Aleksandër Moisiut të kthehet në qendër kulturore internacionale për kulturë në mes popujve t`i destinohet kulturës /ashtu që ishte edhe vetë testamenti i Aleksandër Moisiut, që kjo shtëpi ti kthehet kulturës së popullit /, dhe fjalën e fundit do ta thotë gjaku im”.

Z.Sylë Mujaj na njoftoi edhe me veprën e një miku të madh të shqiptarëve dhe një njohës i mirë i Moisut, z Antonin Adriano i cili kishte ndërruar jetë në vitin 2011 dhe pushon përjetësisht shumë afër Aleksandër Moisiut, i cili për simpoziumin e vitit 1994 për Aleksandër Moiisun kishte dhënë 1500 aperitiv të gjithë të pranishmëve për respektin që kishte për Moisiun dhe shqiptarët. Nderime të përjetshme!

Ky projekt do të jetësohet dhe u nënshkrua nga të pranishmit, që ishin në këtë përvjetor të 89 të ndarjes nga jeta të Aleksandër Moisiu dhe më pastaj kërkesa ti drejtohet Komunës së Morcotes, Paradisos e Luganos.

Aleksandër Moisiu ose Alexander, Alessandro Moissi ose Moisi, lindi më 2 prill të vitit 1879 në Triste dhe vdiq më 23 mars të vitit 1935 në Vjenë.

Prej vitit 1910 e deri më 1935 mori pjesë në 10 produksione të filmave, 8 prej tyre ishin filma pa zë. Në vitin 1935, pak kohë para vdekjes së tij, Moisiu kërkoi shtetësinë e Shqipërisë si dhe atë të Italisë. Shqipëria refuzoi këtë kërkesë, kurse Italia ia dha shtetësinë Moisiut, kur ai ishte i shtrirë në shtratin e vdekjes. Ai është i varrosur në varrezat e komunës së Morcote-së, pranë qytetit Lugano në kantonin e Tessinit në Zvicër. Krejt në fund të kësaj dite, miqtë e z.Kicaj u ndanë me miqtë e z.Mujaj me shpresë se do të takohen përsëri dhe të vazhdohet tradita e nisur që moti “Një lule për Moisiun” të vazhdoj përjetësisht dhe projekti të jetësohet që u nis sot sa më shpejt të jetë e mundur. Gjatë ceremonisë funerale, aktori me famë Albert Bassermann nxori nga gishti unazën Iffland të cilën tradicionalisht e mban aktori më i mirë i kohës, dhe e vendosi mbi gjoksin e Moisiut të vdekur duke i thënë: ….ty të përket unaza Iffland-it…Sargun me hirin e Moisiut, Johanna Terwin e varrosi në Tessin të Zvicrës, në varrezën e Morcote-s pranë viles së tij mbi liqenin e Luganos. Aty gjendet një pllakë mermeri me mbishkrimin Alessandro MOISSI, 1879 – 1935, po në këtë vend (1962) do varroset edhe bashkëshortja Terwin.

Dëshiroj të mbyllë reportazhin me një thënie të vet Moisiut në vëren e vitit 1927, në Wansee të Berlinit në fjalimin që mbajti në varrimin e kolegës Agnes Sorma, fjalë të cilat më vonë do të kishin të njëjtën pasojë edhe për të: AKTORI I TEATRIT NUK ARRIN TA SHOHË KURRË PUNËN E TIJ. AI NUK MUNDET TA SHFLETOJË ATË SI NJË LIBER APO NUK MUNDET TË SHIKOJË ATË NË KANAVACË E NË GURË….. / Teksti Dashnim HEBIBI, Foto: Skender Hasani

Filed Under: Reportazh

Rezistenca e myftiut të Prizrenit Rrystem Shporta kundër pushtetit serb gjatëve viteve 1917-1924

March 27, 2024 by s p

Prof. Muhamed Mufaku/

Me rastin e 100 vjetorit të burgosjes.

Viti 1924 kishte domethënie për dy qytete me traditë, Prizrenin dhe Shkupin, pra qendra e parë dhe e dytë e Vilajetit të Kosovës, që ishin cak për ndryshime urbanistike dhe demografike të pushtetit të ri serb që i shpallte dy qendra të Serbisë mesjetare, që tani u quajt “Serbia e jugut”. Me këtë frymë, pushteti serb godiste e rrënonte simbolet e kulturës vendase në emër të planeve të reja urbanistike, gjë që i shtynte shqiptarët të bënin rezistencë politike e juridike për mbrojtjen e objekteve të tyre. Kështu, viti 1924 shënoi në Shkup rrënimin e Xhamisë së Burmalisë ,ose “Bukuroshen e Shkupit”, buzë Vardarit për ta ndërtuar në vendin e saj “Shtëpinë e oficerëve” që sa më shpejt të ndryshohet pamja e Shkupit.

Sa për Prizrenin, që vuajti shumë gjatë Luftës Ballkanike (1912-1913) dhe Luftës I Botërore (1914-1918), popullsia shqiptare u sfidua shumë në ato vite duke e përjetuar shumë keq fatin e monumenteve kulturore. Kështu, Noel Malcom në librin e tij “Kosova, një histori e shkurtër” citon një raport të konsullit austriak nga janari 1914 që tregon se nga 32 xhami të qytetit, 30 sosh u shndërruan në baraka ushtarake, depo municioni dhe stalla. Kuptohet, ky pushtim dhe keqtrajtim i xhamive të Prizrenit i preku thellë ndjenjat e popullsisë shqiptare.

Nga ana tjetër, në emër të urbanizimit të ri të qytetit, që filloi qysh nga 1913, tani u rrezikuan shumë shtëpitë tradicionale dhe monumente të kulturës në qytet. Kështu, pushteti serb me nxitim shkatërroi kompleksin e Mahmut Pashë Rrotllës me gjithë konakët, xhaminë dhe medresenë, si dhe shumë monumente të tjera duke përfshirë Shkollën e Mesme dhe Normalen që ishin në oborrin e Xhamisë së Sinan Pashës.

Beteja në mbrojtje të Xhamisë së Sinan Pashës

Xhamia e Sinan Pashës (e ndërtuar më 1615) ishte perla e Prizrenit dhe monument shumë simbolik për popullsinë vendase, ndaj u bë cak i pushtetit serb, sepse me shkatërrimin e këtyre simboleve të qytetit thyhej shpirti i popullsisë dhe shtyhej për t’u shpërngulur për në Turqi.

Megjithatë, rezistenca kundër rrënimit të xhamisë u shndërrua në një betejë juridike pasi që Kisha Ortodokse Serbe kërkoi të rrënohej Xhamia e Sinan Pashës dhe t’i kthehej trualli Kishës gjoja se kjo xhami u ndërtua me gurët e Manastirit të Arkangjelit të shenjtë afër Prizrenit. Kjo betejë juridike vazhdoi deri në fund të vitit 1940, kur Gjyqi i Qarkut në Prizren shpalli vendimin e prerë për rrëzimin e xhamisë pasi që u konsiderua pronë e Kishës serbe. Mirëpo, procedura vonoi pak deri në prill të vitit 1941 kur u shpartallua Mbretëria e Jugosllavisë dhe Prizreni u ngjall në kuadër të Shqipërisë etnike 1941-1944 dhe,kështu,Xhamia e Sinan pashës shpëtoi.

Në të vërtetë për këtë betejë rreth Xhamisë së Sinan Pashës, që në saje të Hasan Kaleshit u demaskua më 1972 legjenda serbe për shkatërrimin e manastirit që të ndërtohej xhamia, kam botuar diçka në këtë m; parë. Por tani është rendi të prezantohet figura e myftiut të Prizrenit, Rrystem Shporta, i cili doli në krye të demonstratave për të mbrojtur Xhaminë e Sinan Pashës dhe u burgos shumë vjet nëpër burgje në Kosovë, Serbi dhe në Bosnjë.

Një jetë nëpër burgje

Rrystem Shporta (1864-1937) mund të konsiderohet një ndër figurat më të shquara të Prizrenit gjatë sundimit serb e jugosllav 1918-1941 qoftë si patriot ose si njeri i kulturës që dinte disa gjuhë dhe la një bibliotekë të pasur që përfshinte disa vepra të tij. Ai, si i tillë, meriton që sivjet të përkujtohet 160-vjetori i lindjes nga Arkivi i Kosovës, që posedon disa vepra të tij origjinale.

Vërtet, të dhënat për këtë figurë ishin të pakta deri më 2010, kur Resul Rexhepi dhe Sadik Mehmeti botuan librin e tyre “H. Rrystem ef. Shporta: Jeta dhe vepra (1864-1937)”. Por mund të thuhet se edhe ky libër nuk u hetua dhe nuk u prezantua sa duhet saqë Rrystem Shporta të përfshihet në elitën patriotike dhe kulturore në Kosovë gjatë viteve 10-30 të shekullit XX.

Rrystem Shporta u lind në Prizren në një familje me origjinë nga rrethi i Kukësit, që kishte një han të njohur në Qafë Pazar, saqë ajo rrugë u quajt “Rruga e Shportajeve”. Në Prizren kreu mësimet e para te mësuesi Abdulhalimi efendiu, i cili u internua nga administrata osmane, kurse studimet do të kryente në Medresenë e Mehmet Pashës në Prizren më 1896. Po atë vit shkoi në haxh dhe u kthye me një bibliotekë të pasur në gjuhët arabe, turke dhe perse, që do të pasurohej më vonë duke treguar nivelin e tij kulturor me ato vepra që i shkroi qoftë në liri ose në burg.

Ai më vonë do të fillonte punën në Medresenë e Mehmet Pashës si ligjërues i gramatikës arabe. Ndër studentët e tij ishte poeti Vejsel Xhelaludin Guta (1905-1986), i cili ruajti traditën e poezisë shqipe me alfabet arab në Kosovë deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Më 1917 u emërua myfti i Prizrenit, që e vazhdoi me ndërprerje deri në arrestimin e tij më 1924. Pas arrestimit të tij, një nga ish-studentët e tij (Nysret Galibi) u bë myftiu i Prizrenit.

Rrystem Shporta u bë myftiu në kohën kur Prizreni ishte nën pushtimin bullgar, i cili mbahet mend në popull si “vitet e zisë së bukës” kur njerëzit vdisnin prej urisë, kurse më 1918 u kthye pushtimi serb me mbulesë të Mbretërisë së SHS-së. Pushteti i ri tregoi dhëmbët menjëherë në emër të modernizimit të qytetit duke përgatitur një plan të urbanizimit të Prizrenit që do të ndryshonte pamjen e tij. Për këtë qëllim, pushteti angazhoi dy arkitektë serbë, arkitektin ushtarak, toger Momir Kuronoviq dhe arkitektin Dushan S. Milosavleviq, të cilët e hartuan planin e ri urbanistik të Prizrenit deri në fillim të 1924-tës. Ndërkohë, para së të aprovohej plani u aktivizua edhe inxhinieri nga Beogradi Ivan Vangelov për ta rrënuar Xhaminë e Sinan Pashës. Aksioni për shkatërrimin e xhamisë filloi me rrënimin e hajateve të xhamisë në praninë e inxhinierit Vanglelov, për çka shpërtheu një protestë në rrugë në krye me myftiun Rrystem Shporta. Në saje të rrëmujës në rrugë para xhamisë u vra inxhinieri Vangelov.

Si pasojë, autoritetet serbe arrestuan myfti Rrystemin me akuzë që ai e pagoi për vrasjen e inxhinierit Vangelov, për çka më 25 korrik 1924 u dënua me 20 vjet burg dhe konfiskim të pasurisë, gjë që u ndie keq në popull pasi ajo ditë qe fundi i Ramazanit dhe nata e Bajramit të Madh. Megjithatë, kjo protestë në rrugë para xhamisë vlente, sepse rrënimi i xhamisë u ndal dhe kaloi konflikti tani në gjyq.

Dënimi i myfti Rrystemit ishte i rëndë, sepse ai jetoi nëpër burgje të ndryshme, por kurrë nuk u thye. Kështu, së pari u dërgua në burgun e Prizrenit, ku mbeti 1.368 ditë sipas fjalëve të tij, kurse më pas u dërgua në burgun e Shkupit, për të kaluar atje 277 ditë, e prej andej në burgun e Nishit, ku qëndroi 893 ditë. Më në fund, pjesën më të madhe e kaloi në burgun e Zenicës në Bosnjë, ku mbeti atje deri në fund të marsit 1935, kurse u kthye i rraskapitur në Prizren më 1 prill 1935. Kuptohet, pas asaj jete nëpër burgje, myfti Rrystemi nuk qëndroi shumë dhe vdiq më 5 tetor 1937.

Qëndresa e myfti Rrystemit nuk ishte vetëm në jetën publike, por edhe në këto burgje, duke pasur kujdes që ta ruante dinjitetin dhe të vazhdonte me shkrime të ndryshme. Punimi i tij i parë “Trajtesë për durim” ishte në burgun e Prizrenit, ku qëndroi 1.368 ditë siç shënoi në fund të trajtesës, pra duke treguar durim të madh në përballje me pushtetin që e burgosi. Megjithatë, ai u trajtua dhe respektua vetëm në ato vjet të burgut në Zenicë. Kështu, ai vazhdonte atje profesionin e tij si mësimdhënës, por tani duke mbajtur mësim besimi për myslimanët në burg. Me punën e tij, si dhe me njohjen e tij me imamin e xhamisë së Sejmanit, Osman Shestiqi, ai u bë emër i njohur në Bosnjë. Në ditën e lirimit ai u prit te porta e burgut nga një grup në krye me imam Osmanin, prej nga shkoi në Sarajevë dhe u prit atje prej figurave të njohura të Bashkësisë Islame. Siç duket, ai la në mesin e tyre përshtypje të mira, saqë me vdekjen e tij u botua në Sarajevë një nekrolog nga Mehmet Hanxhiqi, një nga figurat më të njohura boshnjake të asaj kohe, në të cilin thuhet: “Me vdekjen e tij, Prizrenin dhe rrethinën i ka gjetur një humbje e pakompensueshme”.

Respekti për myftiun Rrystem Shporta, në 100-vjetorin e burgosjes së tij ose me 160-vjetorin e lindjes, do të ishte rast që të theksohet kontributi i autorëve të monografisë “Rrystem Shporta: jeta dhe vepra” dhe të mendohet për një ekspozitë me veprat dhe biblioteka e tij personale me dorëshkrime të vlefshme, si dhe me ribotimin e monografisë me përditësimin e saj në bazë të dokumenteve dhe të shtypit të kohës në lidhje me rezistencën e shqiptarëve kundër pushtetit serb për ta ruajtur Prizrenin e vjetër që e kemi tani.

Filed Under: Interviste

Një reflektim dhe urim në festën e Pashkëve

March 27, 2024 by s p

Prend Ndoja/

Udha e Kalvarit e banorëve të Becit të Gjakovës në vitin 1999

Festat na largojnë për një kohë nga jeta rutinë dhe na sjellin lumturi dhe harmoni në familje dhe shoqërinë tonë. Përmes urimeve dhe përgatitjeve shpirtërore, ne ia falim gabimet dhe zënkat njëri – tjetrit. Dashuria dhe respekti ndaj njëri – tjetrit afrohet edhe për disa hapa, sepse ato janë virtyte të larta njerëzore që e prangosin urrejtjen dhe i hapin dritaret e shpirtit për ta freskuar me dashuri jetën e tyre. Në ditët festive gëzimi dhe hareja më së shumti reflektohet në fytyrat e fëmijëve. Ata i rrëmben ndjenja e gëzimit dhe e ndjejnë më së shumti praninë e festave dhe kënaqësinë që ato sjellin. Ata me një kënaqësi të veçantë vazhdojnë traditën vendore dhe ashtu të tubuar me plot gëzime, me të qeshurat dhe lojërat e tyre, si për Bajram dhe Pashkë, trokisnin në dyert e Markut, Ibrahimit, Pjetrit, Hajdarit…Me shportat e tyre të stolisura kërkonin vezë të ngjyrosura e dhurata tjera, ndërsa të rriturit bënin vizita nga njëra shtëpi në tjetrën, duke ia uruar festën njëri – tjetrit. Sa e bukur do të ishte jeta me ato tiparet vëllazërore, të kultivuara ndër shekuj me dashuri dhe respekt ndaj njëri – tjetrit. Çdo gjë do të rridhte këndshëm në fshatin tim, sikur Djalli mos të ekzistonte. Por fatkeqësisht, ai ekzistonte e qarkullonte me tërë dinakërinë e tij rreth popullit tim. Në çdo shteg vendoste kurthin e vdekjes. Ai kishte shumë kohë që vriste dashurinë dhe jetën e lirë të popullit tonë. Si në shumë ditë tjera të jetës sonë, ashtu edhe atë ditë prilli të vitit 1999, ai e shndërroi në ditë hidhërimi dhe zie. 4 prilli ishte dita kur festohej festa e Pashkëve. Kjo ditë nuk do të harrohet kurrë nga banorët e fshatit Bec. Toka gjëmonte nga zhurma e tankeve dhe ushtrisë serbe që kishte vërshuar nga të gjitha anët. Burrat e pushkës kishin dalur në male, ndërsa një pjesë tjetër ishin nisur drejt kishës për lutjet dhe mëshirën e Zotit. Kisha ishte mbushur përplot besimtarë, pjesa më e madhe fëmijë, gra e të moshuar. Prifti e kishte filluar meshën dhe të gjithë së bashku i luteshin Zotit për popullin tonë që luftonte për jetë a vdekje. Papritmas u hap dera e Kishës dhe Djalli hyri brenda. Ai djall quhej Millutin Prashqeviq. Ishte i njohur për zullumin e tij në ato treva. Ishte i armatosur deri në dhëmbë dhe shoqërohej me një grumbull policësh. Në dorë e mbante një revole. Duke ecur ngadalë drejt priftit filloi të shante në gjuhën e tij të ndytë. Prifti e vazhdonte predikimin në shenjë proteste ndaj asaj që po ndodhte. Në një moment, ai e ngriti zërin duke iu drejtuar priftit: Ndale lutjen, se unë e kam fjalën! Nuk thuhet më mesha në gjuhën shqipe këtu! Nga rreziku dhe për t‘i dhënë krahë njëri – tjetrit, në ato kohëra kritike qëndronin të bashkuar nga dy e tri familje në një shtëpi, pa marrë parasysh bindjet e tyre fetare. Andaj edhe në meshë ishin të bashkuar pjesëtarët e të dy besimeve fetare. Të gjithë mendonin se gjatë kohës së lutjeve nuk do të ndodhte ndonjë e keqe. Në kishë, Millutini e shtyri priftin nga altarit dhe doli përballë fshtarëve. Duke përdorur metodën e tij, filloi të bënte ndarjen e popullit. Prifti, nga një kënd larg Altarit, tha: Zoti ju bekoftë dhe ju ndihmoftë juve dhe mua! Nuk jemi aspak gabim! Qëndroni së bashku dhe kështu së bashku e keni bekimin e Zotit! Vetëm djalli me mallkimin e tij i ndan të afërmit në mes vete. Dy policë e morën priftin, si të ishte andonjë kriminel dhe e nxorën nga Kisha. Nga hidhërimi që populli nuk ndahej nga njëri – tjetri, urdhëroi: Brenda pak orësh të gjithë duhet të largohen nga fshati. Ai që do të gjendet në fshat pas kësaj kohe, do të vritet ose do të digjet brenda shtëpisë së tij. E diela e Pashkëve u shndërrua në ditë zie. Tërë fshati ishte mbushur me ushtarë e policë. Fshatarët u organizuan që të niseshin të gjithë së bashku dhe mos të ndahen nga vargu, por të qëndrojnë së bashku kudo që të shkojnë dhe çkado që të ndodhë me ta. Ashtu, nën përcjelljen dhe torturat e ushtrisë dhe makinerisë ushtarake serbe, i morën gjërat më elementare nga shtëpitë e tyte, sepse koha nuk priste. Disa me makina, të tjerët me traktorë e disa këmbë, me dhembje të madhe e braktisën fshatin. Ajo ishte dita më e vështirë në historinë e fshatit, dita kur u renditën udhës në ikje nga fshati, i cili mbeti i braktisur. Çdonjëri me lot në sy kishte mbetur me kokën pas duke shikuar fshatin dhe shtëpitë e tyre. Ashtu të lodhur e të rraskapitur, ndaleshin maleve, gatuanin ndonjë bukë për të mbijetuar, gjersa pas shumë ditësh udhës së Kalvarit arritën në shtetin Amë, ku i priste me barëra dhe ushqime aktivisti dhe bamirësi, Zef

Ndoja. Ai i strehoi të gjithë banorët në fshatin Shën Kollë. Banorët e fshatit Bec nuk do t’ua harrojnë kurrë nderën dhe mikpritjen vëllezërve të tyre nga Shqipëria. Populli ynë përjetoi momentet më të vështira që kanë mundur të ndodhnin ndonjëherë gjatë historisë kombëtare, më flijime, tortura fizike, psikike, morale… Por edhe armikut ia dha goditjen që e meritonte. Në duelin me Millutinin doli përballë stërnipi i Lekë Dukagjinit, Kanuni. E ekzekutoi me disa plumba në ballë Djallin. Ne, sot, kemi arsye të mburremi me qëndresën, unitetin dhe solidaritetin e vëllezërve dhe motrave tona në atë kohë. Qëndrimi i popullit si një familje e përbashkët ishte arma më e fortë kundër armikut. Sot, vërtet kemi shumë arsye të gëzohemi, sepse jetojmë të lirë e celebrojmë të lirë. Ne e zotërojmë tokën tonë. Të gjejmë, pra, forcë të falim, që të çlirohemi nga urrejtja, por mos të harrojmë se, armiku kurrë nuk fle!

Filed Under: LETERSI

TRAGJEDIA E URËS SE BALTIMORES

March 27, 2024 by s p

Në orën 1:30 të datës 26 mars 2024 u shkatërru e përfundoi në lum, ura e Baltimores në Shtetin e Maryland-it. Ajo ishte ndërtuar në vitin 1977 dhe ishte e gjatë 2.5 kilometra, në të cilën nga të dy anët kalonin jo më pak se 30 mijë automjete në ditë. Ura u shkatërru nga një goditje që mori në një nga shtyllat qëndrore mbajtëse nga anija e mallrave “Doli” me flamur të Singaporit. Ura kishte katër korsi dhe ishte 56 metra mbi nivelin e ujit të lumit.

Autoriteti portual i Baltimores, bëri me dije se gjatë daljes nga porti, pak para se të ndodhte përplasja dhe shkatërrimi i urës, kishte marrë një sinjal nga ekuipazhi i anijes për një defekt në motorrin e anijes. Pamjet e transmetuara në masmedia, dukshëm shprehin se kishte hapsirë të bollshme për të kaluar anija , por ajo u përplas drejt e në shtyllë, dhe ekipazhi nuk pësoi asgjë.

Nga Merylandi njoftohet se u mbytën 7 automjet ku 6 persona konsiderohen të humbur, dy të shpëtuar (e nën mbykqyrjen shëndetsore). Po ashtu thuhet se ka patur punonjës riparimi të urës në kohën e aksidentit, madje dhe të FBI-së.

Ura e Baltimores ka qenë një objekt shumë i rëndësishëm i infrastrukturës jo vetëm për Merylandin por për gjithë pjesën lindore të SHBA-së. Ajo do të dojë vite që të rindërtohet, do të kushtojë miliarda si objekt dhe deri në rindërtim do të shkaktojë qindra miliarda dollar humbje ekonomisë amerikane.

Që nga Presidenti Biden, autoritetet e Maryland-it, Baltimores dhe FBI-së deklaruan se ishte aksident. Dakort ashtu qoftë, dhe unë jam i prirur ti besoj ata. Por duke i hedhur një shikim më zhbirilues zhvillimeve të 25 viteve të fundit, një ndiesi e brendëshme (qoftë edhe e vogël) më shtynë të them se një hapsirë e vogël lypset të mbahet e hapur edhe për ndonjë veprimtari qëllimkeqe.

Kështu le të rikujtojmë 11 shtatorin e 2001 ku me aeroplanë të transportit civil u sulmu Pentagoni dhe qendra botrore e tregtisë në NY. Në fundvitin 2019 nga një laborator i virologjisë së Uhanit në Kinë (aksidentalisht apo qëllimisht askush se din) bota u ul në gjunjë nga koronaviruesi ku humbën jetën mbi 8 milion njerëz. Madje disa simptoma të kësaj sëmundje po shihen në praninë e gripeve sezonale. Disa balluna “meteorologjike” që kishin dalë “jashtë kursi të palifikuar kinez” përfunduan para pak muajsh në hapsirën amerikane madje afër vend dislokimit të raketave balestike ndërkontinentale. Qindra tonelata Fantanyl prodhim kinez u kapën jo shumë kohë më parë në kufirin toksor SHBA- Meksikë, kimikat ky narkotik dhe shumë i rrezikshëm për jetën e njerëzve. Nga emigrantët e ardhur dy vitet e fundit në kufirin me Meksikën shumica janë: kinez, afgan, rus, sirian, irakian etj. A mendohet se të gjithë ata janë nevojtarë ekonomik, apo mund të ketë në to edhe spiunë, terroristë, të sëmurë psiqik etj që janë të prirur ti bëjnë keq këtij vendi? Shtoj këtu se në janar të këtij viti një senator tha se në të ardhmen ndoshta do të ballafaqohemi me goditje në infrafrtukturë nga Kina (ose dikush tjetër).

Këto dhe shumë të tjera më shyjnë të them hapur mendimin tim, se SHBA është aktualisht nën sulme të vazhdueshme e të shumanëshme nga Kina, Rusia, Irani, Koreja e Veriut etj. Parë nga ky kënd shikimi pse të mos kemi një farë dileme (qoftë edhe fare të vogël) se pas shembjes së Urës Baltimores nuk është opsioni vetëm i aksidentit.

Ndjehem tërësisht i hidhëruar për jetët e humbura dhe dëmin kolosal ekonomik në Baltimore. U prehshin në paqe e përjetësi ata njerëz krejt të pafajshëm. Shpresoj e dëshiroj të qartësohet se ka qenë thjeshtë aksident, por autoriteteve nuk u lejohet të dalin me përfundime në publik pa u sqaruar të gjitha rrethanat dhe opsionet e mundëshme.

ASLLAN BUSHATI

Filed Under: Komente

#SiSot, më 27 mars të vitit 1866 u lind dramaturgu atdhetar, Andon Zako Çajupi

March 27, 2024 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Për hir të së vërtetës, quhej Andon Çako, ndonëse identifikohet gjerësisht si “Çajupi”. Me këtë emër mundi të mbarte në krijimtarinë e tij gjurmë të pashlyeshme të vendlindjes, Zagorisë, ku gjendet mali prej nga derivon pseudonimi i tij letrar.

Pas shkollimit bazë, do ta linte Zagorinë për t’iu bashkuar të atit, Harito Çakos, veprimtar në lëvizjen atdhetare. Atje do të ndiqte një kolegj francez, prej të cilit kultivoi njohuri të larmishme. I pajisur me botëkuptim europian, do t’i drejtohej Gjenevës, ku në vjetët 1887-1893, kreu studimet për drejtësi.

Më tej, u vendos në Kajro dhe nisi të ushtronte profesionin e avokatit. Do të hiqte dorë nga kjo detyrë për t’iu përkushtuar lëvizjes patriotike të shqiptarëve të ngulimeve të Egjiptit. U bë figurë protagoniste e shoqërisë atdhetare e kulturore të atjeshme, përmes përpjekjeve për të siguruar mbrojtjen e interesave të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar.

Përmbledhja poetike “Baba Tomorri” (1902) që përfshin edhe komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr”, veçohet si vepra e tij kryesore. Në gjallje, u botuan “Përrallat e La Fontenit” (1921) përshtatur prej tij në shqip, “Lulet e Hindit” (1922), një sërë vjershash të letërsisë sanskrishte. Pena e tij u vlerësua edhe në rrafshin e publicistikës të kohës, sidomos me pamfletin “Klubi i Selanikut” (1909).

Ndërkaq, la në dorëshkrim pjesën më të madhe të veprave të tij, sikurse mund të përmendim poemën “Baba Musa lakuriq”, tragjedinë “Burri i dheut” dhe komedinë “Pas vdekjes”.

Çajupi ndërroi jetë në Kajro, më 11 korrik 1930.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT