• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2024

Qëllimi i mirë bashkon emblemën e afarizmit shqiptar, Lazim Destani me diplomatë, bëmirës dhe shkenctarë

April 1, 2024 by s p

“Po shoh ambasadorin, shefin e konsullatës, imamë, e shkenctarë edhe të besimit, patriotë dhe ju vëllezër që me djersën tuaj e fitoni pasurinë. Të vazhdojmë së bashku. Të investojmë më shumë në arsim, shkencë, kulturë dhe sportë, sepse janë faktorë vendimtarë për përparimin e një shoqërie apo për zhvillimin e gjithanshëm të një vendi. E konsideroj si detyrë humanitare dhe patriotike mbështetjen e vazhdueshme dhe progresive të aktiviteteve e projekteve nga këto sfera“, tha ndër të tjera z.Destani.

Emmenbrücke, 31 mars

E dijmë, se gjuhën e shpirtit nuk ka mjet që e lexon. Është alfabet i posaçëm, që nuk e njohin të gjithë. As kamera, as fotoaparati, as shkrimi, as piktura apo skulptura nuk i njeh shkronjat e saj si duhet shpirtin e bardhë, sepse është personale është në tik takun e zemrës. Shpirti varet se si e ndjenë veten nëpër vende të ndryshme dhe shpesh here edhe ndoshta e maltretojmë pa dashje, por ai dëshiron të ushqehet me gjëra të mira, sepse ai jeton në përjetësi mes neve, qoftë me trupin tonë apo pa trupin një ditë drejt qiellit të shtatëkateve. Edhe tryezat e takimeve kanë gjuhët e tyre të arsyes, por takimi ku shpirti të qetësohet dhe e ke në paqe është në besimin e plotë te krijuesi. Në botën e besimit të gjithë jemi të njejtë dhe aty ushqehemi për mirësi dhe paqe në përditshmëri. Në këtë kohë të pakohë që po e jetojmë dhe secili nuk ka garancion se sa do të jemi gjallë fizikisht mbi këtë tokë që një ditë të shtrihemi përjetësisht me trup në tokë dhe shpirt në përjetësi, atëherë do të kemi konton tonë të kësaj bote për botën e përjetshme, se çka do të marrim me vete dhe ajo që dihet, janë veprat e mira dhe ato do të jenë pasaporta jonë më e mirë e përjetësisë. Atëherë kur bëhen gara, se kush do të fitoj më shumë mirësi është muaji i bekuar i Ramazanit. Edhe kohërat kanë ndryshuar, por përsëri aristokratët e shpirtit janë ata që reflektojnë dhe duan bashkim që të fitojnë në konton e përjetësisë mirësi. Ti bësh 2000 km rrugë me të vetmin qëllim, që ti bashkohesh një takimi të mirë në një natë të veçantë edhe kjo është plus një shenjë, se je bëmirës me plot kuptimin e fjalës. Këtë e bëri mbrëmë, emblema e afarizmit shqiptarë, z.Lazim Destani.

E bëra këtë hyrje të këtij reportazhi duke ta bërë me dije lexues i nderuar, se ate që e pashë me sy mbrëmë dhe e përjetova me shpirt është e vështirë ta përshkruaj çdo detaj. Kur është i kompletuar shpirti i bardhë, zemra e pastërt dhe mendja e ditur, nuk ka më mirë, aty ka rezultate pozitive. E di se reportazhi do të jetë i gjatë për ta lexuar, por nuk mundemi ta kapërcejmë me pak fjalë, sepse tekefundit nuk është qëllimi për përfitime në klikime, por ajo më kryesorja, që të lexohet nga lexuesi i rregullt nga ai që dëshiron të shoh se e mira jeton. Nuk ka më mirë se të jemi vetja. Nuk ka më mirë që të mos fshehemi nga ajo që e kemi. Nuk ka më mirë se realiteti e sinqeriteti. Nuk mundemi të fshehim ate që e kemi kur të gjithë e dijnë se kush jemi e si jemi. Bujaria është traditë profetike, moral i njerëzve fisnikë dhe cilësi e besimtarëve të mirë. Muaji i Ramazanit është padyshim “stina” e shpalosjes së bujarisë. Dhënia ushqim agjëruesit është një vepër e begatë, shpërblimi i së cilës është i madh. Profeti e ka thënë: “Kush i ofron ushqim agjëruesit, do ta ketë shpërblimin njësoj si ai, pa u pakësuar asgjë nga shpërblimi i agjëruesit.

Shtrimi i iftareve për agjëruesit është traditë dhe praktikë e lavdëruar e muslimanëve. Dijetari i mirënjohur Ibn Shihab Ez-Zuhri thoshte: “Gjatë muajit të Ramazanit spikasin dy adhurime: Leximi i Kuranit dhe ofrimi i ushqimit për agjëruesit.”

Ramazani është muaj që kultivon paqen, mirëqenien, dashurinë e respektin. Ramazani është muaj i pendimit e reflektimit, parime këto për të cilat bota e njerëzimi sot kanë nevojë më shumë se kurrë. Duke i ditur gjitha këto mirësi dhe shumë të tjera që i ka ky muaj i Ramazanit, besimtarët, bëjnë gara se kush do të fitoj të mira.

Gjatë gjithë këtij muaji të bekuar nëpër shumë xhami shqiptare ka pasur ligjërata nga dijetarë të njohur nga tokat shqiptare, pastaj janë shtruar iftare nëpër xhami e restaurantd nëpër gjithë Zvicrën nga ajo që kemi parë dhe dëgjuar. Kur na kanë mbetur edhe 10 ditë agjërim, shtatë afaristat shqiptarë që veprojnë në Zvicër si z.Florim Useini, Visar Robelli, Shaqir Alushaj, Meti Krasniqi, Nadi Zendeli, Ibrahim Çekaj dhe Kastriot Basha, si rrjet i miqësisë dëshmuan mirësinë e tyre edhe mbrëmë në xhaminë “Drita” në Emmenbrücke duke shtruar edhe një darkë për musafirë të shumtë. Që në fillim duhet përshëndetur nismën e z.Florum Useini njëherit kryetar nderi i Rrjetit të Biznesve shqiptare në Zvicrë Qendrore me shoktë e tij dhe me një bashkëpunim edhe me drejtuesit e xhamisë me kryetarin z. Fadil Asani një veprimtarë i njohur për të gjithë që organizuan iftarin që do të mbahet në kujtimet tona ndër më të mirat. Ky grup afaristësh me zemër bujare e të bashkuar me rrjet miqësh të vetmin qëllimin për të zgjeruar miqësin në mes nesh dhe duke vizituar edhe shumë xhamia të ndryshme gjatë agjërimit për të mbajtur dhe krijuar miqësi të re me shqiptar kudo që janë në Zvicër. Jeta pa miqë nuk jetohet i vetëm na thotë, z.Useini. Drita ky emër me shumë kuptim të jetës e mbanë emri i xhamisë shqiptare në Emmenbrücke të Zvicrës, ku i njeh dritat, i gjenë ato dhe i bashkon, z.Lazim Destani, filantropin, veprimtarin, bëmirësin, afaristin e mirënjohur, z.Rexhep Demiri, Ambasador i Republikës së Maqedonisë Veriore në Zvicër, z.Vigan Berisha Shef i Misionit në Konsullatën e Kosovës në Cyrih, Teologun e mirënjohur, Prof.dr. Zekerija Bajrami i cili kishte ardhur nga Shkupi, Dr.sc. Dashnim Hebibi, president i Institutit Shkencorë Helvetikë të Evropës Juglindore (Helvetisches Südosteuropa Studieninstitut) me qendër në Cyrih, z.Rafet Ademi, kryetar i Shoqatës Kulturore Fricktal në Frick të Argaus, Selami Huruglica veprimtarë e shumë të tjerë.

Si shkoi iftari?

Kontributi madhor edhe i xhamive shqiptare në Zvicër dhe jo vetëm për çështjen kombëtare dihet se ka qenë i madh, është dhe do të jetë. Për çdo natë në xhami në namazin e Taravive janë mbi 500 e më shumë, varësisht prej hapësirave që kanë xhamitë. Llogaritet që në Zvicër janë jo më pak se 86 xhami dhe thuajse të gjitha janë prona të shqiptarëve, pra pronë e xhamisë. Mërgata shqiptare Zvicrën e sheh si atdhe të dytë dhe padyshim se edhe shteti zviceran dhe populli i saj i ka mirëpritur dhe respekton besimin e secilit. Gjithmonë besimtarët u janë falënderues Zvicrës dhe luten për të mira këtij shteti mik të dëshmuar të kombit tonë dhe model i së mirës. z.Fadil Asani, kryetari i xhamisë me emrin e bukur Drita, së bashku me kryesinë dhe anëtarë të tjerë të xhamisë pritnin musafirët e shumtë që vinin të ftuar nga rrjeti i miqësisë, z.Florim Useini, Visar Robelli, Shaqir Alushaj, Meti Krasniqi, Nadi Zendeli, Ibrahim Çekaj dhe Kastriot Basha. Florim Useini me miqtë e tij janë për tu përshëndetur se vërtetë po e dëshmojnë, se bashkë mundemi. Florimi së bashku me shoktë e tij flasin me një zë e kanë një mendim. Kur flet njëri prej tyre është e kryer, sepse e dijnë se çka mendojnë, shkurt e shqip janë me besa besë, se qëllimi i tyre final është se mundemi dhe kemi suksese atëherë kur jemi bashkë. Duke respektuar njëri tjetrin. Është vërtet për të përshëndetur këta afaristë që drejtojnë edhe Rrjetin e Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qëndrore. Puna e tyre dhe vizioni është që të nderojnë secilin në profesionin e tyre dhe të bashkuar na do e ardhmja e pafundme. Pak kujt i ka shkuar mendja, apo më mirë prindërve tanë, që kanë ardhur në Zvicër, dikush në vitet 60 e shumica nga 76 e 80 dhe 90-ta, se një ditë do të kemi xhami shqiptare, do të kemi biznesmen të njohur dhe veprimtarë të devotshëm e intelektual që krenohet edhe Zvicra. Zvicra ky shtet i mundësive, padyshim, se do të jetë i dashur për të gjithë shqiptarët edhe ashtu secili bashkëkombas e donë si sytë e ballit, ashtu edhe na thanë disa të moshuar që bashkëbisedonin me musafirët e ftuar. “Po kush e ka menduar se do të kemi xhamitë tona në Zvicër. “Po kush e ka menduar, se do të kemi firmat tona shqiptare, mjekë shqiptarë, juristë, prokurorë etj, etj. Ne vinin punonim një sezon dhe ato të holla që i kishim investonim menjëherë në atdheun tonë. Tash kanë ndryshuar gjërat. Këtu jemi si në atdhe. Kudo që shkon dëgjon shqip”.

Kryetari i xhamisë, z.Fadil Asani, modest, fjalë pak por me shumë kuptim me dorë në zemër i mirëpritke musafirët në krah të Florim Useini e z.Visar Robellit dhe miqëve të tjerë, duke dashur ti nderoj ata që vinin dhe ju thonte: “ Mirësekeni ardhur, jeni në shtëpinë tuaj”. I njoftonte me të ariturat e xhamisë dhe falendëroi kryesinë, anëtarët e xhamisë si dhe miqtë: Florim Useini, Visar Robelli, Ibrahimin, Meti Krasniqi, Shaqir Alushaj, Kastriot Basha për ftesën, se shtrimin e këtij iftari në xhami dhe nuk fshinte emocionet duke thënë se na dha hijeshi prezenca e të gjithë këtyre personaliteteve. Ramazani po na bashkon, dhe mirësitë e tij janë të pafundme. Falemenderit të gjithëve, sa mirë kur jemi bashkë. Kur afrohej ora e iftarit, shihej se vinin vetura me targa diplomatike.

Ambasadori i Maqedonisë së Veriut, z.Rexhep Demiri, pastaj z.Vigan Berisha Shef i Misionit në Konsullatën e Kosovës në Cyrih. Pas disa minutave edhe z.Lazim Destani, filantropi, veprimtari, bëmirësi, afaristi i mirënjohur, emblema i afaristëve shqiptarë. Pas një bashkëbisedimi vëllazëror, falënderimeve dhe foto kujtimeve, afrohej edhe koha e iftarit. Me të hyrë në xhami, pamë një organizim të shkëlqyer nga kryesia dhe stafi i kësaj xhamie. Që të gjithë bashkatdhetarët donin të thonin një fjalë, sytë e tyre me plot pozitivitet, fytyrat e tyre të qeshura, ku reflektonte jeta e pastërt dhe disa bashkatdhetarë të moshuar ku ju shiheshin edhe rrudhat e tyre, rrudha të viteve, me duar të bardha e disave edhe të krisuara nga puna që kanë bërë dhe me djersën e tyre kanë ndihmuar çdo proçes që ka kaluar e po kalon atdheu ynë. Jeta e mërgimtarit është me plot vuajtje e mall, por me krenari e kanë mbajtur kokën lartë e do ta mbajnë sepse kanë kontribuar sa here që është dashur e kërkuar. Në ballë të kësaj sofreje ishin musafirët e ftuar. Sa kombinim i mirë, diplomat, afaristë, shkenctarë e teolog. Një natë e madhe e paharruar për të gjithë. Momenti i iftarit na pasuroi shpirtin edhe muezini nga një djal i ri me një zë të mrekullueshëm. Sofra ishte e përmbushur me ushqimet tona tradicionale. Me ujë Rugove nga Dardania, nuk mungoi as flija, pitja, buka dhe mbi të gjitha pastërtia dhe buzëqeshja e mirëseardhjes. Njëzëri për një moment, që të gjithë kishin ushqimin para vetes dhe nuk hanin deri sa erdhi sekondi i iftarit, kjo tregon dhe dëshmon besën e dhënë se do të agjëroj. Në mesin e 70 personave që ishin në ate iftar, shumica ishin të rinjë.

U dëgjua zëri i teoologut doktorit të shkencave që kishte ardhur nga Shkupi I ftuar nga kryesia e xhamisë me fjalët e mjalta: “Vëllezër, ai që është bërë shkaktarë që të jemi të bashkuar në këtë iftar, zoti i dhashtë të mira dhe ju që na hapët derën në këtë xhami sukseset mos ju ndalshin. Agjërim të pranuar e lutje te zoti. Dashtë zoti dhe lutemi në gjuhën tonë të bukur shqipe që të jemi të bashkuar si sonte gjithmonë. Në krahun tim të djathtë kam biznesmin më të njohur shqiptarë, z.Destani, ambasadorin dhe shefin e konsullatës e në të majtin Florim Useinin me shokë dhe përballë juve të dashur bashkatdhetarë që atdheun e keni kudo që shkoni. Ju keni kontribuar shumë dhe po kontribuoni e nuk po e harroni ate tokë të bekuar që quhet mëmëdhe.

Faleminderit Zvicrës që u ka mundësuar të ruajmë edhe besimin tonë. Nuk do ta harroj për jetë këtë natë. Do ta shkruaj me fjalët më të mira në kujtimet e mia. Ju bëftë mirë darka. Pas iftarit miqtë që kishin organizuar këtë iftar ia kishin besuar, z.Florim Useini që të përshëndes të gjithë dhe si zakonisht, me pak fjalë por me copa shpirti, ai në emrin e tij personal në emër të shokëve të tij që e organizuan këtë iftar, por me përkrahje edhe të kryesisë së xhamisë dhe të të gjithëve që iu përgjigjët pozitivisht ftesën sonë falënderoi secilin veç e veç me fjalët më të bukura që dalin nga një shpirt diell. Florimi edhe kësaj here me shoktë e tij me fakte tregoi, se ne nuk harxhojmë lekë kotë e kotë, por harxhojmë atu ku duhet e ku ka mesazhe bëmirëse, uniteti e bese. Sepse ai ndër të tjera tha: “Na duhet bashkimi. Na duhet të punojmë edhe më shumë që të lëjmë vepra të mira te rinia. Të ecim te para vëllezër”. Florimi tha se dua të flas shumë, por po ia jap fjalën të pranishmëve.

Ambasadori i Maqedonisë së Veriut, z.Rexhep Demiri me disa fjalë modeste pasi falënderoi organizatorët, kryesinë e xhamisë, z.Lazim Destani, z.Vigan Berisha dhe të gjithë që ishin prezent, shtoi:

“Vëllezër ta nderojmë njëri tjetrin edhe ma shumë. Është fati jonë i madhe e meritë e mërgimtarëtve të parë që ishin shumë të mirë, kanë punuar me ndërshmëri dhe kanë imazh të mirë edhe para miqëve tanë zviceran. Ambasada e Republikës së Maqedonisë Veriore ka një ekip shumë të mirë, ishim e do ju jemi afër për Ju. Ju e meritoni respektin. Gëzohemi se kemi një diasporë shumë të fuqishme. Diaspora ka kontribuar shumë për të mirën e kombit, perendia ju ruajt e ju bekoftë”.

Pas z.Demiri, fjala iu dha z.Lazim Destani, që vetëm emri me ju përmend e mbiemri mjafton, sepse veprat e tij flasin më shumë se gjithçka. Ai edhe pse është personalitet i njohur, modestia e tij e bënë shumë të dashur nga të gjithë, sepse respekton të gjithë dhe sa me pedantërti dëgjonte çdo bashkatdhetarë që fliste. Lazim Destani është sipërmarrës, investitor, filantrop, si dhe mbështetës entuziast i popullit shqiptar dhe i vendeve të Ballkanit në përgjithësi. Ai është gjithashtu një personalitet i njohur për mbështetjen e iniciativave që synojnë avancimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor si pjesë integrale e idesë europiane.

Ai ndër të tjera para të pranishmëve u ngrit në këmbë dhe tha pasi përshënderi ambasadorin, konsullin, teologun dhe të tjerët: “

Faleminderit e përshëndetje Florim dhe ju së bashku që shtruat këtë iftar dhe kryesinë e xhamisë për mikëpritje. Jam shumë i lumtur që në mesin tuaj po shoh më shumë të rinjë. E ardhmja jonë është rinia. Na duhet të punojmë edhe ma shumë dhe të jemi të bashkuar. Kujtoj kohërat e hershme se si ishte muaji i Ramazanit në tokat tona. Ajo kohë e artë shumë e bukur. Ishim të gjithë së bashku. Prindërit tanë shtronin iftare të shumta. Ishim çdo natë së bashku me familjarë e miq. Tani jemi në mërgatë, por edhe këtu nuk po mungojnë ato kujtime, sepse po sonte mu kujtua ajo kohë. Sa bukur që po ju shoh të bashkuar. Po shoh ambasadorin, shefin e konsullatës, imamë, e shkenctarë edhe të besimit, patriotë dhe ju vëllezër që me djersën tuaj e fitoni pasurinë. Të vazhdojmë së bashku. Të investojmë më shumë në arsim, shkencë, kulturë dhe sportë, sepse janë faktorë vendimtarë për përparimin e një shoqërie apo për zhvillimin e gjithanshëm të një vendi. E konsideroj si detyrë humanitare dhe patriotike mbështetjen e vazhdueshme dhe progresive të aktiviteteve e projekteve nga këto sfera. Të kemi arritje e rezultate sa më të larta. Besoj fort se komunitetet dhe familjet janë më të fuqishme kur për qëllime të përbashkëta punojnë së bashku. Kam ndjekur e ndjeki rrugë të ndryshme për t’i bërë bashkë njerëzit dhe institucionet duke synuar partnerizimin dhe avancimin e zhvillimit ekonomik e shoqëror. Në shërbim të këtij misioni marr pjesë në mënyrë aktive në evente kombëtare e ndërkombëtare për promovimin dhe ngritjen e ndërgjegjes rreth bashkëpunimeve të kësaj natyre. Ju pafsha bashkë të dashur vëllezër“. Siç e dijmë edhe modestinë e z.Destani, se një pjesë nga të ardhurat e tyre dhe familja e tij për çdo vit e ndajnë për bamirësi si dhe për mbështetjen e iniciativave nga sfera e arsimit, shkencës, artit, sportit, e të aktiviteteve të ndryshme kulturore.

Fjala iu dha z. Dr.Zekerija Bajramit, teologut që kishte ardhur nga Shkupi dha ai ndër të tjera tha:

“ Vëllezër të dashur, besimtarë të devotshëm, Ambasador i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Demiri, Shef i konsullatës së Republikës së Kosovës, z.Berisha, z.Lazim Destani afarist e bëmirës i mirënjohur që kam pasur rastin ta takoj edhe herë të tjera, me pak fjalë e me shumë dashamirës duke e lutur zotin që ai që u bë shkaktarë që në këtë natë të madhe të Ramazanit të jemi bashkë, zoti i dhashtë gjitha të mirat e tij, por edhe ju të nderuar kryesi e xhematë i kësa xhamia ju jam falënderues shumë, që më keni ftuar. Përbesë nuk do ta harroj kurrë. Me shumë kënaqësi kam ardhur para jush. Kujtoj herën e parë kur pata ardhur në Zvicër në vitin 1989 nuk kishte xhami shqiptare. Tani, ka ardhur koha, që të kemi mbi 80 xhami shqiptare, kjo është madhështore. Prej Australisë e deri nëpër shtetet të ndryshme të evropës shoh plot xhamitë edhe ate më shumë me të rinjë. Xhamitë e dijmë se kanë dhënë kontribut të madh edhe në çështjen kombëtare edhe ate historikisht nëpër periudha të ndryshme dhe do të japin. Ne jemi shqiptarë. Feja dhe kombi për mua janë si sytë e ballit. Xhamitë nuk janë vetëm për tu falur e lutur, por edhe për tu organizuar për të mirën e kombit. Këtë e kanë bërë xhamitë tona dhe po e bëjnë. Sonte në mesin tonë kemi z.Lazim Destani, filantropin dhe sipërmarrësin me përmasa ndërkombëtare në fusha si Industria e shërbimeve dhe Infrastrukturës, patundshmërisë, energjetikës shërbimeve financiare dhe teknologjisë etj, është nder i madh për mua, që ka ardhur nga një rrugë e gjatë. Më pastaj do të kemi edhe ligjëratën para jush dhe të mos ju marrë shumë kohë sepse sigurisht edhe të tjerët do të flasin. Ju faleminderit e zoti ju dhashtë gëzime“. Florim Useini fjalën përshëndetëse ia dha edhe z.Vigan Berisha, shefit të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih i cili po gëzon autoritet vërtet të veçantë në gjithë Zvicrën, ku po e mbanë diasporën të bashkuar. Menjëherë pas këtij iftari, do të shkoj edhe në meshën e organizuar nga Misioni Katolik shqiptarë me qendër në Luzern me rastin e festës së Pashkëve nga bashkëkombasit tanë të besimit katolik.

Z.Berisha pasi falënderoi organizatorët e iftarit, kryesinë e xhamisë ai ndër të tjera tha:

„ E vlerësoj shumë këtë takim, këtë iftar në mesin e shumë personaliteteve. Kam nderin vërtet të jem afër z.Destani, një burrë i unitetit, afarist i suksesshëm, bëmirës i dëshmuar, pastaj afër vëllaut tim, Ambasadorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, z.Rexhep Demiri, Dr.Zekerija Bajrami, PhD.Dashnim Hebibi, dhe të gjithë jush që jeni prezent. Ju të dashur bashkatdhetarë e di se na respektoni shumë, sepse e keni pritur me dekada që një ditë të keni edhe ambasadën e konsulatën e Kosovës në Zvicër. Keni kontribuar shumë. Ne u jemi mirënjohës. Sepse kontributi juaj ka qenë padyshim i madh. Neve na duhet të jemi edhe më të bashkuar nëmes veti. Të punojmë edhe shumë që të ruajmë gjuhën shqipe, traditën tonë kombëtare. Dërgoni fëmijët në shkollën plotësuese shqipe në kuadër të LAPSH-it. Unë e di se shumë prej jush i kanë dërguar fëmijët edhe në shkollën plotësuese shqipe, por ti dërgojnë edhe ata që nuk i kanë dërguar. Sa më të angazhuar të jenë fëmijët aq më mirë do të jetë. Ky bashkim i vëllezërve tanë, Florimi me miq, që na bënë të mundur të takohemi e të bëjmë iftar së bashku është për tu vlerësuar. Ju lumtë vëllezër. Ju falënderoj shumë dhe ne do të jemi në shërbim të bashkatdhetarëve tanë. Keni shtetin tuaj, Kosovën e pavarur, shtet që keni kontribuar të gjithë. Të investoni edhe në Kosovë, sepse tani është patriotizëm të invesotjmë andej. Shumë prej jush kanë investuar, por të investohet edhe ma shumë, që ta bëjmë edhe më të fortë shtetit tonë. Zoti ju bekoftë“.

Fjala përshëndetëse iu dha edhe PhD. Dashnim Hebibi ku edhe si gazetarë, që ka përcjellur aktivitetet e shumta të diasporës tonë, pasi përshëndeti dhe falënderoi organizatorët e këtij iftari, përshëndeti dhe nuk fshehu edhe emocionet që kur sheh z.Destani, ambasadorin, konsullin dhe teologun e njohur, ku fjalët e tij peshojnë fortë me aromë të këndshme besim dhe kombëtarizëm, ai ndër të tjera tha:

„Nuk dua të flas shumë, sepse kam para meje, z.Destani dhe juve të dashur bashkatdhetarë që një jetë ia dhatë atdheut. Megjithate do të mundohem të përmendi edhe kontributin siç theksoi edhe z.Vigan Berisha, shehfi i konsullatës së Kosovës në Cyrih, se diaspora shqiptare ishte aorta kryesore e të mirës në atdhe. Është kjo diasporë që dha dëshmorë për Kosovën, por edhe në aspektin material ishte dhe është në çdo kohë. Ti kujtojmë vetëm remitencat se sa janë brenda një viti, jo më pak se mbi një miliard. Na duhet të organizohemi edhe në forma të tjera, sepse kemi një diasporë të fuqishme. Kujtoj gjatë punës sime të tezës së doktoratës që kisha për diasporën tonë, se edhe kontributi i xhamive shqiptare ishte i madh dhe është edhe sot e kësaj dite. Ne shqiptarët bashkëjetojmë me të gjitha besimet tjera. Ishim e do të jemi bashkë. Ta ruajmë gjuhën tonë të bukur shqipe brez pas brezi“. Edhe kryetari i xhamisë „Drita“ z.Fadil Asani, pasi falënderoi organizatorët dhe musafirët ai me disa fjalë modeste tha se: „Kryesia e xhamisë me anëtarët e saj është e nderuar sonte, që në mesin tonë kemi personalitete, duke filluar nga diplomacia, afarizmi, kultura dhe shkenca. Të kemi në mesin tonë, ambasadorë, konzull dhe ikonën e afarizmit shqiptarë është vërtet kënaqësi e nder i papërshkrueshëm. Të nderuar, sonte me ftesë nga Rjeti Miqsisë ( një grup shokësh, të cilët janë edhe antarë të xhamisë), isha i nderuar të isha në iftarin e shtruar nga xhamia Drita. Unë kisha nderin dhe mundësin që të komonikoja drejtpërdrejt me këto personalitete ku edhe i njoftova me të ariturat e xhamisë tonë në periudhën që ne po udhëheqim këtë institucion. Ramazani po na bashkon dhe mirësitë e tij janë të pafundme. Faleminderit të gjithëve, ishe kënaqësi të ishim bashkë. Më lejoni, që një dhuratë modeste falënderimi në emër të kryesisë dhe anëtarëve tanë ti ndajmë grupit të miqëve apo rrjeti i miqësisë që na bënë të mundur të bashkohemi. Pasi përfundoi iftari dhe përshëndetja, ashtu edhe siç e doni rregulli, filloi edhe një ligjëratë në xhami ku të gjithë musafirët ishin në rend të parë dhe ishte e përmbushur.

Ligjërata e Prof.dr. Zekerija Bajrami ishte si zakonisht shumë e këndshme dhe ai shtjelloi rëndësinë që të punojmë të gjithë me mundësitë që kemi për ruajtjen e gjuhës, traditës sonë kombëtare e padyshim edhe besimin tonë. Ai shtoi se: „

Ramazani është muaji më i veçantë i vitit. Myslimanët në çdo vend e presin me ngazëllim ardhjen e tij. Agjërimi i muajit të Ramazanit është sa ushtrim mendor, po aq edhe fizik që fisnikëron zemrën dhe forcon vullnetin. Ai e kalit agjëruesin për t’u ballafaquar me sprovat e jetës. Muaji i bekuar i Ramazanit është muaji i agjërimit, i bindjes, i adhurimeve dhe i bekimeve, i veprave të mira dhe i mirësive, i qëndrimit në këmbë Është muaji i dhikrit, i kërkimit të faljes, i dëlirësisë, i lutjes dhe i pendimit, muaji i bujarisë, i sakrificës dhe i solidaritetit. Ai është muaji i dashurisë së zemrave dhe i përafrimit të myslimanëve, që siguron shpëtim dhe lumturi në botën e pasosur. Në të shpirtrat gjejnë prehje, zemrat gëzohen, gjokset hapen dhe veprat e drejta dhe të mira shtohen, duke u larguar nga ligësia dhe e keqja. Dhe nëse shpirtrat nuk pendohen dhe nuk kërkojnë falje te Zoti për mëkatet gjatë këtij sezoni të shenjtë dhe të bekuar, atëherë kur do të pendohen? Prandaj, ardhja e Ramazanit është një mundësi e dhuruar për të fisnikëruar shpirtrat, për të pastruar zemrat dhe për të bashkuar besimtarët për t’iu bindur Zotit të Lartësuar. Gjatë Ramazanit kalitet shpirti dhe trupi prandaj ai konsiderohet një shkollë hyjnore ku individi dhe shoqëria pajisen me mësimet e tij të vlefshme sikurse janë: bindja, vullneti, këmbëngulja, qëllimi fisnik, pastrimi i vetes dhe sinqeriteti. Agjërimi mënjanon brengat e zemrës dhe ndikon në shpirtin dhe psikikën e njeriut”. Dr. Zekerija Bajrami përmendi gjithashtu, se duhet ti japim hapësirë shumë shkollimit. Ti japim edhe ma shumë hapësirë edhe femrës shqiptare. Xhamitë nuk duhet të jenë vetëm si faltore, por edhe takime për të mirën e gjuhës e kombit. Si gjithmonë xhamitë e kanë luajtur edhe këtë rol. Ligjërata ishte një orë e 15 minuta dhe të gjithë e mirëpritën me interesim të madh. Nuk munguan që herë pas here, që të përmend, se kjo natë do të jetë e veçantë e paharruar, kur po sheh këtë numër të madh personalitetesh dhe numër kaq të madh të rinjësh. Krejt në fund iu nda edhe një mirënjoje hoxhës nga kryetari i xhamisë, z.Fadil Asni i cili me shumë fjalë të bukura tha: “ E di se keni plot mirënjohje, por të jetë në raftet tua me plot mirënjohje e diploma edhe kjo e jona, që të kujtosh se ishe në mesin tonë. Të duam dhe do të duam. Shëndet e mos na harro edhe herave të tjera. Dr. Zekerija Bajrami, Dr. Zekerija pos punës ligjeruese-predikuese nuk e harroi as penën. Është autor i disa librave si: “Agjërimi pse dhe si”, etj si dhe përktheu librat: “Le ta dijë rinia”, “Fjala e bukur”, etj. Pasi përundoi ligjërata filloi edhe falja e namazit të teravive. Krejt në fund, pas një nate të gjatë dhe me plot mirësi u përshëndetëm me kryesinë e xhamisë dhe anëtarët e saj me dëshirë që të takohemi edhe herave të tjera. Rrjeti i miqësisë, së bashku me z.Destani dhe me Ambasadorin e Maqedonisë së Veriut në Zvicër, z.Rexhep Demiri vazhduan bashkëbisedimin në një lokal me pronarë shqiptarë në Luzern deri në orët e vonshme edhe me afarist të Rrjetit të Biznesve Shqiptare në Zvicrën Qëndrore që diskutuan dhe u sygjeruan për format nga më të ndryshme për në të mirën e shoqëris dhe në veçanti në Zvicër. Ndeja ishte shumë miqësore dhe që të gjithë elaboruan para z.Destani projekte konkrete për të ardhmen. Ku z.Destani u nda shumë i kënaqur dhe tha se “Nuk do ta harroj përbesë kurrë këtë takim. Mos u ndalni, vazhdoni. Duhet filluar çdo projekt me njerëz të besueshëm, që e duan punën dhe nuk dorëzohen pavarësisht sfidave. Do të takohemi përsëri dhe dua që herën tjetër kur të shihemi të shoh edhe më shumë afaristë. Bashkë, mos harroni, bashkë dhe vetëm bashkë duke e respektuar njëri tjetrin në profesione të caktuara”. Po besoj se kjo fjalë e z.Destani, simbolit të afarizmit është fjala më e mirë e mundshme të përfundoj këtë reportazh të një natë të gjatë, shumë të pasur e të paharruar se: “Besim, punë, duke e respektuar njëri tjetrin e të bashkuar drejt sukseseve të garantuara”. / Dashnim HEBIBI

Filed Under: Emigracion

KUR FAIK KONICA VIZITONTE GJEÇOVIN NË GOMSIQE

April 1, 2024 by s p

Frano Kulli/

“A i vemi mysafirë At Gjeçovit ndonjë ditë të kësaj jave?”- më pyeti një herë At Fishta, me të cilin piqesha çdo ditë në Shkodër.

Faik Konica, për së pari gjëndet në Shkodër në vitin 1883. Ka qenë 8 vjeç atëhere, kur prindërit e kishin shoqëruar te e motra Xheva, e cila, asokohe, banonte me familjen e vet në Shkodër. Mbasi kishte marrë mësimet e para në Konicë, hyn në Seminarin Papnuer, shkolla e Jezuitëve dhe bën aty dy klasë (1883-1885). Përjetimet e qëndrimit në Shkodër, lanë gjurmë të shënuara në formimin e adoleshentit Konica: “Më 1883 më rastisi që vajta në Shkodër me prindërit, të cilët më çuan në shkollën e Jezuitëve. Mjegulla e kohës s’ma ka hequr ende larg kujtesës atë rrugë të ngushtë e të shtremtë që, duke filluar tek ajo udhë e gjerë që shkon te Kopështi i Kombit (Milet Bahçe), mbaron në shkollë të Jezuitëve. Shkollë e gjerë dhe e ajrosur tej e tej, me oborre të mëdha e me lodra, ku rinia shqiptare mëson të jetojë një jetë më të butë, më të urtë e më vëllazërore. Mësimet, italisht, latinisht, frëngjisht e gjermanisht, jipen prej Etërve Jezuitë, me atë dije, që as armiqve të tyre s’ua mohojnë.

Artet e bukura, si muzika e piktura, si dhe fesat e shpeshta, e lehtësojnë trishtimin e mësimeve të rënda. Javë për javë, djemtë dalin e shëtisin në fusha, e janë jashtë mbi blerime: zakoni i mirë që ua bën mendjen të gëzuar e të shëndoshë për të filluar mësimet e javës. Me këto dhe me të tjera, kjo shkollë mbahet në një shkallë të lartë, e gjithë ata që kanë parë shkollat e Francës e të Europës, munden të dëshmojnë se ajo e Shkodrës është e zonja për shumë punë të barazohet me to”.

Këto shënime janë shkruar mjaft më vonë, mbas ardhjes së herës tjetër në Shkodër, në vitin 1913, në kohën e luftës ballkanike tashmë si njeri i kompletuar me dije e njohje të mëdha e i thirrur nga vetëdija e tij për të shërbyer kauzën e kombit. Kurse me mendjet e ndritura të shqiptarisë aty në Shkodër , me “françeskanët e mëdhaj”ai krijoi miqësinë e fortë intelektuale e të pandame asnjëherë. Në “Albania” e tij në Bruksel , Fishta boton poezinë e tij të parë me 1899, dom Ndoc Nikaj , me ndërmjetësinë e tij shtyp “Histori e Shqypnis’ ”…

“CA KUJTIME MBI AT GJEÇOVIN”, Faik Konica e botoi për herë të parë në gazetën “Dielli” të Bostonit, më 1930. Kurse , në “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, që botohet më 1933, botuesi-provinca françeskane i riboton me shënimin: E perdorem ket artikull me të cillin Ekselenca e Tij Ministri Shqypnis në Washington Z. Faik Konitza na e paraqet aq gjall Françeskanin Shqyptar A. Shtjefnin Gjeçov e me nji stil aq të rrjedhshëm, sa, tuj na u dukë ky artikull si nji kunorë e çmueshme letratyre, qi z. Konitza desht të véte mbi buca të njoma të vorrit të të përvajtueshmit A. Shtjefen, na u duk si detyrë t’a biejshim edhe në ket kryevepren e tij.

At Gjeçovin e pata njohur me anë letrash dissa vjet përpara Luftës Ballkanike. Më 1913 shkova në Shkodër dhe atje, në Kuvent të Franciskanëve, nji ditë u njohmë me sy e me fjalë të gjalla. Mendimet nderimi, që kisha patur për At Gjeçovin për së largu, m’u shtuan ca më tepër që kur u poqmë. I mesmë nga gjatësia e trupit, pak si i thatë, me një palë sy të zez ku çkëlqente mendja dhe zemërmirësia, At Gjeçovi fitonte menjëherë besimin dhe dashurinë. Fjalët i kish të pakta po kurdoherë në vend. Vetëm kur në të kuvënduar e sipër takohej ndonjë pikë mbi të cilën kish dituri të veçantë , si për shembëll Kanuni i Lek Dukagjinit ose vjetëritë greko-romane , At Gjeçovi çelej ca më gjatë dhe atëhere ish gëzim ta dëgjonte njeriu.

Aso kohe, At Gjeçovi ish “famulltar”, domethënë prift i ngarkuar me shërbimin e një fshati ose rrethi, dhe rronte në Gomsiqe, i pari katunt i Mirditës në udhë nga Shkodra në Orosh. “A i vemi mysafirë At Gjeçovit ndonjë ditë të kësaj jave?”- më pyeti një herë At Fishta, me të cilin piqesha çdo ditë në Shkodër. Mendimi i një vizite At Gjeçovit më pëlqeu pa masë. Ashtu, pa humbur kohë, u nismë. Një gjë për të vënë re dhe që mbushte me habi dhe trishtim, është se nga Shkodra gjer në Gomsiqe, një udhëtim shtat’ a tet’ orësh me kalë, nuk gjetmë as katunt, as shtëpi, veç një hani të varfër, ku qëndruam për të pirë kafe, s’pamë gjëkundi ndonjë shënjë gjallësie: një vend i zbrazur e i shkretë, si i harruar nga Perëndia dhe nga njerëzit. Po mërzia e udhëtimit na u çpërblye përtej shpresës, posa arritëm në Gomsiqe, ose, që të flasim më drejt, në famulli të Gomsiqes, – katundi vetë i shpërndarë tutje-tëhu, një shtëpi këtu, një shtëpi nj’a dy milje më tej, as që dukej.

Famullia – një biná prej guri, e ndritur dhe e pastër, gjysm’ e zbrazur nga plaçka po e mbushur dhe e zbukuruar nga zemra e madhe dhe nga buzëqeshja e të zotit të shtëpisë – qëndronte, mirë-pritëse dhe e qetë, anës një lumi. Këtu rronte At Gjeçovi. Këtu e shkonte jetën, në mes të lutjes e mësimeve, një nga njerëzit më të lartë që ka patur Shqipëria: një lartësi e përulur, në mund t’ afroj e të lidh dy fjalë aqë të përkundërta; një lartësi shpirti dhe mendjeje e panjohur nga njeriu vetë, i cili, bir i vërtetë i të Varfërit të Assisit, në pastëri e në vobësi të zemrës së tij e dinte veten të vogël. Famullia, shkollë dhe vend këshillash të mira, u jipte fëmijëve themelet e stërvitjes, u përndante fjalët e urta dhe ngushëllimet njerëzve në nevojë. Kohën që i tepronte, At Gjeçovi ia kushtonte studimit.

Merrej ahere me institutat e vjetra të Shqipërisë, nga të cilat një që arriu gjer në ditët tona është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Askush nuk mund t’i afrohej At Gjeçovit në diturin e këtij Kanuni. Na tregoi një dorëshkrim nj’a dymijë faqesh, studim i palodhur e i hollë ku kish mbledhur, radhitur e ndritur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë në Kohën e Mesme, mendime të cilat ngjan t’i kenë rrënjët shumë përtej Kohës së Mesme.

Në kat të sipërm të famullisë, përmbi një tryezë të madhe, ishin shtruar një tok vjetërirash greko-romane, të zbuluara e të mbledhura një nga një, me një fatbardhësi të rrallë dhe me një shie të mbaruar, nga dora vetë e At Gjeçovit. Mbaj mend, veçan, një enë të vogël, të qojtur “lacrumatorium” lotore, asosh që të vjetërit, në besim se të vdekurit qajnë të shkuarit e jetës së tyre, i mbulojnë në varr bashkë me të vdekurin, që ky të kish se ku t’i mblidhte lotët. Nuk më shkonte ahere kurrë ndër mend se pas ca vjet secilit prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë që në gjallësi për nga një lotore, ku të mbledhim lottë t’ona për At Gjeçovin…

Bir i përulët i Shën Franciskut, i ditur me një dituri pa tingëllim, po dhe shqipëtar i kthiellët, At Gjeçovit, që i përkiste çdo mirësi, nuk i mungoi asnjë hidhërim, asnjë çpifje, më e çuditshmia e të cilave ndoshta është të mohuarit se ai ish shqipëtar. Sepse ish lindur në një kufi gjuhërash, në një kufi ku sot mbaron shqipia dhe nis një gjuhë tjatër. Ca mendje të klasës së katërt, të pazonjat të kupëtojnë se folësit e shqipes në vijën më të përparuar janë stërnipërit e atyre, që me qëndrimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj ndaluan të mprapsurit e vijës më tëhu, ca mendje të klasës së katërt e përmbysin të vërtetën dhe e kthejnë në të sharë atë që është një lavdi.

Po At Gjeçovi është përmi çdo sharje. Emëri i këtij njeriu të rrallë do të vejë duke u rritur dhe një ditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e shëntëruar të Shqipëtarësisë.

Filed Under: Histori

15 VJETORI I ANËTARËSIMIT TË SHQIPËRISË NË NATO, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

April 1, 2024 by s p

“Data e 1 prillit të vitit 2009 jetësoi vizionin Euroatlantik të shqiptarëve për të qenë pjesë e Aleancës politiko-ushtarake më të fuqishme të kohës sonë. Ky anëtarësim realizoi aspiratën e kahershme të popullit shqiptar, duke e kthyer atë te përkatësia e vet perëndimore, e mishëruar që në filozofinë e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, si strateg i aleancës së parë politiko-ushtarake me Perëndimin.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një ndër datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.

Mirënjohës ndaj popullit shqiptar, SHBA-ve dhe aleatëve, të cilët mundësuan realizimin e këtij anëtarësimi. Shqipëria në këto 15 vite në NATO ka sjellë më shumë siguri për vendin, rajonin dhe hapësirën Euroatlantike. Krenar për efektivët e Forcave tona të Armatosura, si dhe vajzat e djemtë shqiptarë në misionet paqeruajtëse dhe operacionet e NATO-s, si: Afganistan, Irak, Bosnjë, Kosovë, Bullgari, Letoni dhe Deti Egje. Shqipëria do të vijojë të jetë e palëkundur që, së bashku me aleatët, të mbrojë lirinë e të kontribuojë për një botë në paqe”.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 59
  • 60
  • 61

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT