• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2024

Roland Bimo: Rusia, kërcënim për SHBA dhe BE, Shqipëria dhe Kosova të rrisin buxhetet ushtarake

May 31, 2024 by s p

Flet ambasadori i parë shqiptar në SHBA pas rënies së komunizmit

Bashkëbisedoi: Eneida Jaçaj/New York

Rruzulli tokësor rrezikon të shndërrohet në “fuçi baruti” ashtu siç ndodhi në Luftën e Parë Botërore, pasoja e së cilës solli shkatërrime të mëdha dhe një numër të lartë humbje njerëzish. Situata politike ndërkombëtare paraqitet shumë e tensionuar dhe e nxehtë, për shkak të mosmarrëveshjeve mes shteteve, të cilët po legjitimojnë luftën dhe jo konsensusin. Lufta Rusi-Ukrainë, Israel-Palestinë, konflikti i SHBA-ve kundrejt Kinës dhe Rusisë, konflikti i kahershëm në Lindjen e Mesme dhe tensionet në Ballkanin Perëndimor, duket se do të ndryshojnë rrjedhën e politikës ndërkombëtare dhe mentalitetin e shteteve të botës. Duket se bota po i afrohet më shumë se kurrë Luftës së Tretë Botërore. Politika e jashtme mes shteteve ndryshe mund të quhet “biznes me interesa të larta”, por ata që vuajnë pasojat janë popujt. SHBA dhe Perëndimi, si dy gardiane të sigurisë dhe paqes në botë, po përpiqen të vendosin rregullin dhe qetësinë, por, në fund të fundit do të triumfojnë interesat e shteteve më të fuqishme, ashtu siç e ka treguar historia me Shqipërinë, e cila u përdor “mish për top” për të kënaqur shtetet që morën pjesë në Luftën e Parë Botërore. Nëse shpërthen një luftë botërore, Shqipëria dhe Kosova hyjnë te shtetet që mund të preken, dhe duhet të marrin masa për shkak të rrezikut të jashtëm. Rreth zhvillimeve politike në arenën ndërkombëtare flet ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, ambasadori i parë shqiptar në SHBA, Roland Bimo, i cili, si njohës i mirë i fushës së diplomacisë dhe politikës së jashtme, jep një qasje apo një reflektim mbi mosmarrëveshjet që gjenden shtetet sot mes tyre. 

-Marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-SHBA kanë nisur zyrtarisht në vitin 1922, pas mbështetjes së çështjes shqiptare që i dha Presidenti Woodrow Wilson, në Konferencën e Paqes së Parisit, 1919-1920, ndërsa gjatë periudhës së komunizmit nuk shkeli asnjë këmbë amerikani në Shqipëri, dhe ata që ishin u dëbuan. Mbi çfarë kriteresh u ngrit kjo marrëdhënie diplomatike, dhe si u shndërrua SHBA nga një shtet armik, në një shtet kaq të dashur për shqiptarët?

Marrëdhëniet e popullit shqiptar me ShBA janë shumë të veçanta, jo pa shkak jemi quajtur një nga kombet më pro amerikane në botë. Përgjigja ndaj pyetjes kërkon reflektim për një periudhe më shumë se 100 vjeçare, dhe më duket e vështirë të përmbledh në pak rreshta gjithë sa mendoj se ka ndodhur. Por, parë nga larg e lart dhe në “hindsight”, dalja në skenë si fuqia më e madhe botërore e gjigantit SHBA në fillim të shekullit të 20, koinçidon edhe me kurorëzimin me një fitore gjysmake të luftrave shekullore të popullit shqiptar për liri e pavarësi. Them gjysmake, sepse Kosova mbeti jashtë kufijve politikë të Shqipërisë në vitin 1912. Epërsia amerikane në shfronësimin e fuqive të mëparshme shfaqej në dominimin ushtarak, ekonomik dhe politik, por edhe si fuqia më emancipuese në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo u duk qartë në parimet e reja që do të duhej të rregullonin marrëdhëniet ndërkombëtare, të koncentruara në të famshmet 14 pika paraqitur nga Presidenti Wilson, së pari në Kongresin Amerikan dhe më pas në Konferencën e Paqes në Paris. SHBA shpalosën idetë më përparimtare për kohën lidhur me vetvendosjen e popujve dhe konsideronte politikat imperialiste të fuqive evropiane si shkakun kryesor të luftrave. Nga ai moment, Shqipëria e populli shqiptar, në përpjekjet e tij për liri e pavarësi, kanë gëzuar mbështetjen e SHBA. Edhe në Luftën e Dytë Botërore, përpjekja për liri e popullit shqiptar ishte e integruar fort me aleancën antifashiste, pjesë e rëndësishme e të cilit ishin SHBA. Por, vitet e akullit në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe vetizolimi total i Shqipërisë, pasuan vendosjen e komunizmit në Shqipëri. ShBA janë konsideruar për më shumë se gjysëm shekulli armiq, nga regjimi komunist në Shqipëri, por në asnjë rast nga populli shqiptar. Kujtim i mbështetjes së SHBA për pavarësinë e Shqipërisë, vlerat themelore amerikane të lirisë e demokracisë, mënyra amerikane e jetesës, muzika, letërsia, filmi e gjithshka që hyn në kategorinë “fuqi e butë” kanë luajtur rol në ruajtjen e dashurisë e respektit të shqiptarëve për SHBA dhe rezistencën kundër e deri në rrëzimin e komunizmit. Sa sipër nuk do të kishte kuptim pa përmendur ndikimin e jashtëzakonshëm që ka patur në Shqipëri suksesi i diasporës në ShBA. Adhurimi i presuar e i heshtur ndër vite, gjeti rastin e shpërtheu në mikpritjen e treguar ndaj ish-Sekretarit të Shtetit Baker, gjatë vizitës së tij në Tiranë, më 21 qershor 1991. Në themel të marrëdhënieve qëndron mbështetja parimore e SHBA për luftën e një populli të vogël për liri e pavarësi, mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë nga lakmitë e vendeve fqinjë dhe fuqitë e mëdha mbështetëse të tyre, si dhe përpjekjet e përbashkëta për paqe e zhvillim bazuar në demokracinë dhe liritë e njeriut. Thirrja e z. Baker në Tiranë “Freedom ëorks”, rezonoi fuqishëm te një popull i ndrydhur dhe i dërrmuar nga diktatura komuniste. 

-Cili ka qenë roli i SHBA-së në këto 32 vite demokraci, në politikën e brendshme, por sidomos në atë të jashtme?

ShBA kanë luajtur rol vendimtar në çrrënjosjen e komunizmit, demokratizimin e vendit, funksionimn e shtetit ligjor dhe avancimin e pozicionit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. 

Elitat politike shqiptare, në mungesë të një tradite demokratike dhe të një ekonomie të zhvilluar, shumë shpesh gjatë të 32 viteve të funksionimit të demokracisë, jo rrallë e klasifikuar nga institucione të ndryshme ndërkombëtare, si “hibride” apo me probleme, kanë shfaqur dukshëm tendenca autoritarizmi dhe prirjen për të kufizuar të drejtat e opozitës, lirinë e fjalës, të shtypit, të grumbullimit etj. Shoqëruar me mungesa të dukshme në efikasitetin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këtë e dëshmojnë një numër raportesh të Organizatave Ndërkombëtare si dhe raporte të specializuara të Departamentit Amerikan të Shtetit. Në këtë këndvështrim, ndonëse me interesa politike e gjeostrategjike shumë të përafërta ose edhe të njëjta, SHBA nuk kanë munguar në asnjë moment të shprehin kritikat e tyre ndaj autoriteteve shqiptare për korigjimin e praktikave që bien ndesh me parimet demokratike. Kjo mund të ketë çuar edhe në episode të pakëndshme personale për politikanë shqiptarë, por kanë rritur më tej besimin e shqiptarëve te SHBA. Mbeshtetja e SHBA për Shqipërinë, është e gjithanshme. Vështirë të thuhet se Shqipëria do të kishte bërë ndonjë hap serioz drejt anëtarësimit në BE pa nxitjen dhe mbështetjen e SHBA. Vetë ekzistenca dhe suksesi i deritanishëm i Bashkimit Evropian i dedikohet mbështetjes që SHBA i kanë dhënë Evropës gjatë gjithë periudhës së Luftës së Ftohtë. Suksesi më i madh i bashkëpunimit në politikën e jashtme është mbështetja e SHBA për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, moment i cili për nga rëndësia është i krahasueshëm me vetë datën e pavarësisë. Së fundi, mbështetja amerikane për reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit kanë rritur më tej pozitivitetin dhe respektin e popullit shqiptar për ShBA.

-A është sot diaspora shqiptare po aq e zjarrtë dhe aktive në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit shqiptar dhe adresimin e çështjeve pikante në instancat më të larta të shtetit amerikan, sa ajo e viteve 20-30 kur lobonte për çështjen e kombit shqiptar?

Nuk është i njëjti efikasitet i punës, por kontributi i saj mbetet domosdoshmëri. Që nga koha kur imzot Fan Noli lëshonte thirrjen drejt Shqipërisë “mbahu Nëno, mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë” ka kaluar shumë kohë, jo vetëm si vite por edhe si zhvillime. Është një periudhë ku revolucioni teknologjik e në mënyrë të veçantë ai në fushën e informacionit dhe komunikimit ka kthyer përmbys shumë raporte dhe mënyra pune. Nga ana tjetër, gjatë kësaj kohe edhe Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në të gjithë drejtimet dhe reputacioni i saj ndërkombëtar është forcuar ndjeshëm. Ndërkohë në diasporë janë forcuar kapacitetet profesionale e organizative me breza të rinj. Bazuar në sa sipër do të duhet të bëhet më tepër për të gjetur e përdorur rrugë e mënyra të ndryshme organizimi e komunikimi, që të arrihet efiçenca e dikurshme e ndikimit të diasporës shqiptare në ShBA. Shqiptarët mbeten të lidhur me atdheun dhe shprehin një dashuri e dhimbsuri të veçantë për vendin dhe të afërmit e tyre. Ajo që ndoshta duhet përshtatur në kushtet e reja, është që ky aktivizim individual e parokial të harmonizohet e koordinohet në një shkallë më të gjerë, me pjesëmarrje më të madhe, pa dallime krahinore apo partiake. Modelet e organizimit aplikuar edhe nga kombe të tjerë, janë nga më të ndryshmet. Para shumë vitesh, SHBA përmes USAID kanë ndihmuar projekte të organizimit të Diasporës Shqiptare në ShBA dhe Evropë, kryesisht në formën e nxitjes së bashkëpunimit të entiteteve ekonomike në diasporë. Këto eksperienca mund të analizohen dhe përsosen më tej. Mendoj se duhet të piqemi më tej politikisht për të dalluar ndryshimin ndërmjet interesave afatshkurtër politike të momentit dhe të partive dhe atyre afatgjatë të kombit dhe komunitetit. Situatat ndërkombëtare pritet të jenë aspak të qeta e të qarta. Ndihma e diasporës mbetet më e nevojshme se asnjëherë për të mbështetur vendlindjen. 

-Dihet tashmë se pa rolin e SHBA-së, Kosova nuk do të arrinte pavarësinë. Politika aktuale e Kosovës gjendet shumë e tensionuar për shkak të projektit europian për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kryeministri Albin Kurti ka vendosur disa kushte për realizimin e këtij projekti, ndërsa po has në presionin e SHBA-së për të nxituar në themelimin e asociacionit. A do të krijohej një Serbi e vogël në Kosovë nëse ky projekt do të realizohej, dhe si do të ndikonte më pas Beogradi në politikën e brendshme dhe të jashtme të Kosovës?

Nuk ka shqiptar në vendlindje apo diasporë të mos shqetësohet për pozicionime të ndryshme të faktorit shqiptar apo pjesëve të rëndësishme të tij, në raport me SHBA. Është pothuaj e pamundur të kujtojmë se çfarë kemi menduar deri sa filloi fushata ajrore e NATO-s për zmbrapsjen e agresionit serb në Kosovë, mbrëmjen historike të 24 mars 1999. Serbët e Millosheviçit me siguri nuk e kanë besuar se do të ndodhte angazhimi i fuqisë më të madhe botërore dhe aleancës më të sukseshme të mbrojtjes dhe sigurisë, NATO, në mbrojtjen e një populli dhe të parimeve të së drejtës ndërkombëtare. Por historia nuk është deterministe. Fati nuk është i paracaktuar. Rrallë herë në historinë e ndërhyrjeve ushtarake ka patur një përputhje të imperativit moral, (ndalimi i spastrimit etnik) dhe interesi i fuqisë së madhe SHBA për të forcuar sigurinë europiane. Kombinim që nuk besoj se do të shfaqet në një rrethanë tjetër. Duhet shumë mençuri e largpamësi për të parë në të ardhmen. Se si mund të funksionojë Kosova me asociacion apo pa të, është e pamundur të parashikohet me saktësi. Por mund të flitet për pasojat negative që vijnë për Kosovën dhe popullin shqiptar prej mosmarrëveshjeve me SHBA. Aktualisht, situata e faktorit shqiptar në rajon është përtej zenithit, më pak i bashkuar se para disa vitesh. E ardhmja është e pasigurt me armatimin e vazhdueshëm të Serbisë, rritje tensioni, provokime si ai në Banjska, mosmbajtje premtimesh apo mosrespktim të marrëveshjeve nga ana e Serbisë. Në çdo rast do të duhet të mbajmë parasysh se për mirë apo keq, nacionalizmi do të vazhdojë të jetë forcë shtytëse në marrëdhëniet ndërkombëtare në të ardhmen e parashikueshme dhe se SHBA nuk janë superfuqia e pasfidueshme sikurse 20 vite më parë. Në këtë proces të lëvizjes së pllakave tektonike të sigurisë botërore, të konfigurimit të aleancave antiamerikane dhe antiperëndimore, nuk do të ishte i tepërt një debat ndërshqiptar për këputjen sa më shumë të një varësie nga Serbia, si në transport, tregti, energjetikë dhe shqiptarët të orientohen më shumë drejt Detit Adriatik.

-A po e dobësojnë marrëdhëniet diplomatike me SHBA-në deklaratat nacionaliste të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në një kohë kur shteti më i fuqishëm i kërkon të avancojë me asociacionin e komunave me shumicë serbe?

Marrëdhëniet diplomatike Kosovë-SHBA janë dukshëm të influencuara negativisht për shkak të mosrealizimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Të thuash ndryshe është të mos shikosh realitetin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përgjegjësi të jashtëzakonshme për paqen dhe sigurinë në botë. Shqiptarët si aleatë të ngushtë do të duhet të mbështesin sa të kenë mundësi Shtetet e Bashkuara në këtë pjesë të vogël të rruzullit ku jetojnë. 

-OKB votoi rezolutën për përkujtumin e genocidit në Srebrenicë. A është ky një ogur i mirë për njohjen e genocidit serb mbi popullin e Kosovës?

Rezoluta ishte një hap i mirë në drejtimin e duhur dhe ndoshta pak i vonuar. Para dhe pas miratimit të kësaj resolute, ata që duket se nuk duan të njohin realitetet e pasojave të hidhura të politikave të tyre, tentuan politizimin e skajshëm të rezolutës. Nuk ishin Kombet e Bashkuara, përkundrazi, ishin autoritetet e Serbisë që insistuan të identifikoheshin me autorët e genocidit në Bosnie Herzegovinë, Srebrenicë. Rezoluta nuk dënon kombe apo etni, por thjesht ata që kryen genocid. Përballë një politizimi të skajshëm të çdo veprimi në arenën ndërkombëtare, nuk besoj se dënimi i genocidit serb në Kosovë mund të ndodhë së shpejti, por gjthsesi do të duhet të mbetet në prioritetet e punës të diplomacisë së të dy shteteve shqiptare dhe diasporës aktive. 

-Për shkak të lëvizjeve demografike, popullsia e Kosovës është tkurrur me 8 për qind. A mendoni se populli kosovar nuk ka besim te politka aktuale, dhe, kjo tkurrje, a është në favor të Serbisë?

Tkurrja e popullsisë është problem në të gjithë Ballkanin, madje edhe më gjerë në Evropë. Serbia vuan ndoshta edhe më shumë këtë fenomen. Disa projeksione të Kombeve të Bashkuara bëjnë fjalë se brenda 20 vjetësh, Serbia do të ketë pak më shumë se 5 milionë banorë.

Largimi nga vendi i të rinjve është problem shumë i mprehtë edhe në Shqipëri, dhe objekt i një debati të ashpër politik. Është evidente se cilado forcë politike që të ishte në pushtet do të ndeshej me të njëjtin fenomen. Mendoj se shqiptarët besojnë se kjo është një çështje themelore e interesit kombëtar dhe që meriton një debat përtej ndarjeve partiake, për të identifikuar shkaqet dhe adoptuar politikat e përshtatshme. Nevoja për fuqi punëtore e vendeve të Bashkimit Evropian është një magnet i fuqishëm, i cili mund të neutralizohet vetëm me politika të përshtatshme nga Kosova dhe Shqipëria. Nuk kam shumë besim se elitat politike në Kosovë apo në Shqipëri do të mësojnë të reagojnë më shpejt se sa realitetet në terren.

-Situata në arenën ndërkombëtare paraqitet shumë e tensionuar, sa i takon luftës Rusi-Ukrainë në njërën anë dhe në anën tjetër lufta Israel-Palestinë. SHBA-të i kanë refuzuar mbrojtjen ajrore Ukrainës, ndërsa kanë rrëzuar raketat dhe dronët mbi Israelin, për të cilin po shkojnë miliarda dollarë në armë dhe municione. Si e shihni rolin e SHBA në këto dy situata lufte?

Tmerret e luftrave, vkitimat e pafund të civilëve të pafajshëm, shkatërrimet e paimagjinueshme që është në gjendje të shkaktojë makineria ushtarake sot, si pasojë e tekonologjive moderne të vrasjes, ushqejnë tek opinioni botëror një ndjesi të papërgjegjshmërisë së elitave për të mbajtur nën kontroll reflekset politike. Gjykatat Ndërkombëtare, si Gjykata e Krimeve apo Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë po mundohen të japin kontributin e tyre, duke bërë përgjegjës për krime lufte liderat si Putin në Rusi apo Netanjahu në Izrael. Shtetet e Bashkuara janë në një pozicion delikat dhe përpiqen me gjithë sa munden të ruajnë paqen dhe rendin botëror bazuar në rregulla dhe ligjin ndërkombëtar. Njihen nevojat e Ukrainës për mbrojtje kundërajrore dhe një pjesë e konsiderueshme e ndihmës amerikane prej 61 miliardë dollarësh miratuar nga Kongresi Amerikan pak javë më parë, do të shkojnë pikërisht në këtë drejtim. 

-A do të ishte kërcënim për SHBA-në fitorja e Rusisë mbi Ukrainën? 

Varet shumë nga definicioni i fitores, çfarë quhet fitore për Rusinë. Humbja e kaq shumë njerëzve në front nga ana e Rusisë, pothuaj një gjeneratë të rinjsh, futja e ekonomisë ruse në binarët e ekonomisë së luftës, izolimi ndërkombëtar, varësia nga Kina, etj, vështirë se mund të kualifikohen si fitore të Rusisë. Imponimi nga ana e Rusisë i mentalitetit të saj për Rendin Botëror dhe mënyrën se si zgjidhen problemet ndërkombëtare, është kërcënim serioz për paqen dhe rendin botëror, natyrisht dhe për SHBA që janë garantorët e këtij rendi. Kërcënim për SHBA dhe gjithë Bashkësinë Ndërkombëtare demokratike është shkelja e ligjit ndërkombëtar nga ana e Rusise dhe legjitimimi i përdorimit të forcës për zgjdhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare.

-Rusia dhe Kina po i shesin armë Serbisë. A mendoni se po Rusia dhe Kina po vijojnë përgatitjet për të shtrirë ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor, dhe sa do t’ia arrijnë?

Përdorimi i armëve në Ballkan do të ishte çmenduri, por provokacionet si ai në Banjska, Kosovë, tregojnë se provokatorët nuk mungojnë. Siguria erdhi nga veprimet profesionale të policisë së Kosovës, ndërkohë që reagimi i Bashkësisë Ndërkombëtare ishte i vakët dhe ende nuk ka një qëndrim zyrtar për ngjarjen. Siguria më e madhe vjen nga prezenca e NATO-s në Kosovë dhe trupave të BE në Bosnje-Herzegovinë. Kosova dhe Shqipëria do të duhet të mendojnë më seriozisht për mbrojtjen, çka duhet të reflektohet në buxhetet e tyre ushtarake. 

-Si e shihni përballjen në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, mes Xho Baiden dhe Donald Trump?

Si një admirues i SHBA, ndjej keqardhje që në këtë kompeticion mungon e ardhmja, në kuptimin e moshës së pretendentëve në përballjen politike më të rëndësishme të SHBA në çdo 4 vjet. Pronari i përkohshëm i Shtëpisë së Bardhë është padyshim njeriu më i rëndësishëm dhe i pushtetshëm në botë, por besoj se demokracia dhe zbatimi i ligjit janë më të fuqishme në SHBA se sa instinktet politike të kujtdo që do të donte të deformonte parimet demokratike.

-Çfarë roli pritet të ketë Amerika në dy frontet e luftës, Ukrainë-Rusi, Israel Palestinë, nëse zgjedhjet i fiton Trump?

Mendoj se në mbrëmjen e 5 nëntorit 2024 merr fund debati dhe pasiguria se çfarë do të ndodhë në të ardhmen me pozicionimin e SHBA për problemet më të mprehta që shqetësojnë botën dhe për të cilat pretendentët kanë opinione të ndryshme. Është një praktikë e njohur që diferenca midis premtimeve elektorale dhe realiteteve është shpesh jo e vogël. Ndoshta kufijtë e Jugut të SHBA do të marrin më shumë vëmendje. Me shumë keqardhje, por për momentin nuk duket asnjë kuadër marrëveshje, për të cilën palët në konflikt si në agresionin e Rusisë kundër Ukrainës ashtu edhe të Luftës së Izraelit në Gaza të kenë ndonjë kuadër marrëveshjeje, për të cilën palët të jenë disi afër. Europianët janë në trajektoren e eskalimit dhe Izraeli nuk po tregon ndonjë projekt politik se si do të zgjidhë çështjen Gaza. Kushdo që të jetë në Shtëpinë e Bardhë do të ndeshet me sfida të vështira dhe do duhet të mbështetet nga një bashkëpunim sa më i gjerë ndërkombëtar.

Filed Under: Interviste

Mos harro Çamërinë!

May 31, 2024 by s p

VATRA, dega në Boston, në bashkëpunim me Shoqatën “Çamëria”, organizon një konferencë përkujtimore për 80-vjetorin e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve autoktonë të Çamërisë!

Bashkohuni pranë VATRËS për të kujtuar një prej tragjedive më të rënda ndaj popullit shqiptar!

I gjithë komuniteti shqiptar është i ftuar të kujtojë ata që u masakruan dhe u dëbuan nga tokat e tyre, duke dëgjuar rrëfimet tmerruese nga të mbijetuarit e asaj kohe dhe familjet e tyre!

Takimi mbahet më 9 qershor 2024, nga ora 1pm deri 3pm në adresen:

40 Washington st. Quincy MA 02169 ose ndryshe “Thomas Crane Public Library”!

Filed Under: Opinion

At Noli Film Festival, Curtain Goes Up Today with Movies and more on the Program

May 31, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Twenty seven productions, three days, one roof – Noli Film Festival is a free event with registration, that is presented in a historic landmark, Saint George Albanian Orthodox Cathedral, South Boston.

The opening ceremony will take place outdoors at the newly curated garden on side of the Cathedral’s buiding from 5:30 to 6:20. During this time, guests will be greeted in and partake some refreshments. The acclaimed Albanian actress Mariana Kondi will give her opening remarks there.

The curtain goes up on the first Albanian Film Festival at the upstairs auditorium that is especially fitted for the movie experience in terms of sound and visual quality. Appropriately, the festival honoring Fan Noli opens with the world premiere of a short documentary on Bishop’s Noli first years in the US that paints a picture of his inner drive and purpose during a tumultuous period for the country.

Whether you come for the documentary which is only a part of the evening or wish to get the full experience of the Friday lineup, there is a lot in store that will keep you engaged and entertained on the first night and the whole weekend.

On-screen you will ‘meet’ Albanian filmmakers from the US, Albania, Kosova, Northern Macedonia, while off-screen, at the Cathedral, there are a handful of artists and some members of the jury that will be participating in questions and answers sessions with the audience, and who can also take you for a behind the scenes view of the movies and productions shown at the venue.

Take a few moments to check out the list of films, including features, shorts, documentaries, and animations, the screening dates and times at nolifilmfestival.com

Watching the movies at the Noli Film Festival is only part of the experience. While there. you will make new memories for yourself, your friends and family.

The three day film festival is all about our accomplished community that takes pride in its history and cultural heritage. Most importantly, Noli Film Festival manifests how the vitality of the past at St. George Cathedral enriches the life of the present. You are a part of it!

Filed Under: Opinion

Shqiptarët dhe partitë politike në Mal të Zi

May 31, 2024 by s p

Nail Draga/

Ndonëse kemi të bëjmë me një vend të vogël për nga sipërfaqja e numri i banorëve Mali i Zi veçohet me numër të madh të partive politike(51) qe marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare e ato lokale si të vetme apo përmes koalicionëve, që është dëshmi se marrja me politike paraqet mundësi për përfitime si për individët dhe grupet e ndryshme të interesit, dukuri e cila është e pranishme kudo në vendet e ish kampit socialist, ku as Mali i Zi nuk paraqet përjashtim.

Me përjashtime të veçanta, nuk kemi të bëjmë me subjekte politike të cilat angazhohen për përmirësimin e kushtëve shoqërore të qytetarëve, por përfitojnë individët dhe klanët e tyre nga del qartë se partitë politike nuk veçohen me programet e tyre dhe me përfaqësim me kuadra të dëshmuara ku vlerësohen vlerat dhe meritokracia, por e kundërta andaj nuk duhet të na befasojnë deformimet shoqërore.

Partitë politike-grupe të interesit

Në zgjedhjet parlamentare të cilat u mbajtën vitin e kaluar të drejtë vote kanë pasur 543.599 votues, ndërsa sipas regjistrit të partive politike në vitin 2023, në Mal të Zi ishin 51 parti politike. Nga një e dhënë e tillë del së përafërsisht kemi një parti politike në 10.000 votues. Në ato zgjedhje kemi pasur 15 lista zgjedhore, ndër 9 prej tyre kanë fituar mandate të deputeteve.

Nuk ka dilemë se Mali i Zi si vend i vogël me sipërfaqe dhe numër të banorëve veçohet me numër të lartë të partive politike, madje kjo sasi nuk ofron ndonjë cilësi të ofertës për qytetarët, sepse të gjithë jemi dëshmitarë se një veprimtari e tillë është për interesa personale apo të grupeve të ndryshme të interesit.

Politika si mundësi për përfitime

Skenës politike si në nivel lokal e ate shtetëror i janë bashkangjitur edhe partite politike të popujve pakicë(shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve).Një dukuri e tillë ka pasojat e saja sepse qytetarët në shumë raste kanë shprehur paknaqësi, sepse nuk kemi të bëjmë me programet e partive politike por me individët të cilët politikën e kanë si mbulesë për të realizuar përfitimet material e shoqërore.

Një numër i lartë i partive politike del qartë se nuk kemi të bëjmë me profilizimin e tyre programor apo ate ideologjik, sepse në rend të pare janë individët dhe grupet e interesit që është dëshmi se nuk kemi sistem politik të konsoliduar si në aspektin lokal dhe ate shtetëror.

Numër i madh i partive politike në zgjedhjet lokale

Opinioni është i informuar se zgjedhjet lokale të parakohshme do të mbahen në dy komuna; Budva me 26 maj ndërsa në Andrijevicë me 2 qershor Por, e veçanta e tyre zgjedhjeve është se do të marrin pjesë numër shumë i madh i partive politike, që për njohësit e rrethanave nuk paraqet ndonjë befasi, sepse politika ofron mundësi të përfitimeve të ndryshme.

Kështu për zgjedhjet lokale në Budva ku janë të regjistruar 19.042 votues janë paraqitur të marrin pjesë 9 lista zgjedhore me nga 19 parti politike dhe grupe të qytetarëve. Ndërsa në Andrijevicë me 3.831 votues marrin pjesë 7 lista zgjodhore me 12 parti politike.

Duke marrë parasysh se Budva paraqet qytetin me investime të mëdha si më parë edhe tash nuk është për tu çuditur interesimi për të gjitha partite politike për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në këtë qytet. Por, se politika është bërë biznes dëshmon edhe numri i lartë partive politike qe do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale në Andrijevicë, sepse të gjitha partite dëshirojnë të përfitojnë nga ndarja e pushtetit lokal në këtë komunë.

Në këtë aspekt, nuk mund të përjashtohen edhe shqiptarët të cilët ndonëse me numër të vogël votuesish, veçohen me numlr të madh të partive politike, që dëshmohet sin ë zgjedhjet locale e parlamentare.Përveç partive politike në pjesëmarrje në skenën politike janë paraqitur edhe grupet e qytetarëve, ku një mundësi të tillë iu ka ofruar ligji zgjedhor.

Reforma zgjedhore nuk iu intereson partive politike

Paraqitja e disa partive politike në zgjedhje vetëm për të përfituar materialisht nuk është dukuri e panjohur, sepse buxheti atyre iu siguron mjete të konsiderueshme financiare. Pra, kemi të bëjmë me një motiv i cili është konstant në të gjitha zgjedhjet dhe një motiv i tillë do të vazhdojë gjithnjë deri sa te vendoset ndryshe ne reformën zgjedhore.

Por, reforma zgjedhore si obligim i partive politike është bërë monotone për qytetarët, sepse ajo cekët vazhdimisht ne çdo përbërje te re parlamentare, por realisht nuk është punuar asgjë edhe pse janë formuar këshilla dhe grupe punuese por për të pasur avancim në këtë çështje mungon vullneti politik i partive politike.

Për të eliminuar deformimet zgjedhore duhet të miratohet reforma zgjedhore siç e kanë vendet demokratike evropiane. Këtu kryesisht mendojmë për zgjedhjet me lista të hapura, për të ia mundlsuar qytetarit të votojë për kandidatin e preferuar dhe jo si deri tash duke votuar subjektin politik. Ky do të ishte hapi i parë demokratik, duke inauguruar demokracinë direkte qe është në favor të demokracisë pluraliste. Me një veprim të tillë do të eliminohej monopoli i partisë politike.

Listat e hapura eliminojnë shtetin partiak

Kujtojmë me këtë rast se ligji për zgjedhjen e këshilltarëve dhe të deputetëve është miratuar në vitin 1998, e deri më tash është ndryshuar 17 herë, por në lidhje me te çdo shumicë e re parlamentare vazhdimisht formon grupin punues për reformën zgjedhore, por pa rezultate konkrete. Edhe pse në lidhje me këtë çështje nga ana e OSBE-s ka rekomandime të vazhdueshme për reformë zgjedhore bllokues janë partitë politike. Ne këtë aspekt si model mund të jenë disa vende siç janë Finlanda,Suedia,Belgjika, Austria, Holanda, Zvicra, Italia etj. Por, për Malin e Zi, model mund të jetë edhe Kosova. Fillimisht, ky model do të përdorej në zgjedhjet lokale e më pas në ato parlamentare.

Por për t´u realizuar ndryshimi i sistemit zgjedhor iniciativa duhet të mbeshtetet nga 2/3 e deputetëve në parlament përkatësisht të ndryshohet Ligji për zgjedhjen e këshilltarëve dhe të deputetëve, në të kundërtën çdo gjë do vazhdojë si deri më tash jo me shtetin .qytetar por ate partiak.

(Maj 2024)

Filed Under: Ekonomi

PSEUDO-AKADEMIKËT SERBË PËR SHQIPTARËT

May 31, 2024 by s p

Xhelal Zejneli/

Për t’u dhënë mbështetje synimeve politike të shtetit serb, akademikët serbë e kanë keqpërdorur shkencën.

Instrumentalizimi i shkencës nga Jovan Cvijiqi

Kryetari i Akademisë Mbretërore Serbe Jovan Cvijiq (1865-1927) ishte një pseudoshkencëtar. Shumë segmente të studimeve të tij, sot e kësaj dite shfrytëzohen si “arsyetim shkencor” i politikës serbomadhe. Cvijiqi angazhohej për zgjerimin territorial të Mbretërisë së Serbisë në drejtim të jugut, në territoret shqiptare dhe maqedonase. Sipas tij, “aneksimi i këtyre territoreve, është kusht për zhvillimin e Serbisë”. Në vitin 1918 Cvijiqi hartoi edhe hartën etnografike të Ballkanit.

“… Për të qenë ekonomikisht e pavarur, Serbia medoemos të ketë dalje në detin Adriatik dhe në një pjesë të bregdetit shqiptar; qoftë me pushtimin e territoreve, qoftë me fitimin e të drejtave ekonomike dhe të drejtave për qarkullim në ato zona. Me fjalë të tjera, kjo nënkupton pushtimin e një rajoni, vërtet të huaj në pikëpamje etnografike, por një zaptim i tillë medoemos të bëhet për shkak të interesave ekonomike tejet të rëndësishme, pikërisht për nevoja jetësore”.

Në kohën e luftës për Maqedoninë, Cvijiqi me mori publikimesh dhe me harta etno-gjeografike synonte ta bindë opinion ndërkombëtar se sllavët maqedonas nuk janë veçse “serbë të jugut”. Midis viteve 1906-1918 hartoi një mori hartash me të cilat pretendimet serbe për këto rajone i arsyetonte duke i shpallur maqedonasit si një grup etno-linguistik serb. Hartat etnografike të Cvijiqit të botuara në vitin 1906, 1909 dhe 1913 dalloheshin ndër vete dhe u përshtateshin nevojave të Serbisë në politikën e jashtme. Në hartën e vitit 1909, krahasuar me hartën paraprake të vitit 1906, dukshëm është pakësuar prania e shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoninë perëndimore. Në hartën e viti 1913, krahasuar me hartën paraprake të viti 1909, prania e të ashtuquajturve “kroatë-serbë” dukshëm është shtyrë kah jugu. Në të njëjtën hartë, prania e shqiptarëve “është reduktuar në mënyrë dramatike”, madje edhe në Shqipërinë veriore. Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, Cvijiqi publikoi hartën e cila duhej të ndikonte në vendimet e Konferencës së Paqes në Paris në vitin 1919. Në këtë hartë serbët dhe maqedonasit janë futur në një kategori. Me këtë, Cvijiqi i dha legjitimitet kontrollit të Maqedonisë nga Serbia.

Memorandumi i Vaso Çubriloviqit

Në vitin 1937, akademiku serb Vaso Çubriloviq (1897-1990) e shkroi memorandumin “Dëbimi i shqiptarëve”. Elaboratin e lartpërmendur e shkroi për qeverinë e kryeministrit Milan Stojadinoviq (Çaçak, Serbi, 1888 – Buenos-Aires). Me shkrimin e tij propozon zgjidhjen “e çështjes shqiptare” me spastrimin etnik total të Kosovës nga shqiptarët. Ai konsideron se është “detyrë imperative” e shtetit të mos lejojë që territorin strategjik të rëndësishëm të tij, ta ketë në dorë “elementi i huaj, që për ne është armiqësor”.

Çubriloviqi e kritikon kolonizimin e deritashëm joefektiv serb të Kosovës dhe propozon metoda më efektive të dëbimeve të dhunshme të popullsisë shqiptare: “Është e pamundur që shqiptarët mposhten vetëm me kolonizim gradual… E vetmja mënyrë dhe i vetmi mjet është forca brutale e një pushteti shtetëror të organizuar. Në këtë pikëpamje, ne gjithmonë kemi qenë mbi ta”.

Çubriloviqi konsideron se e vemja mënyrë efektive e zgjidhjes së çështjes shqiptare është shpërngulja e tyre “en masse”. Ai propozon një sërë mjetesh trysnie me të cilat do të arrihej shpërngulja masive, si: krijimi i psikozës, trysnia e aparatit shtetëror dhe e policisë, me të cilat “do të vështirësohej me të madhe ekzistenca e shqiptarëve te ne”, armatosja e popullsisë serbe, dërgimi i çetnikëve, djegia e vendbanimeve shqiptare, etj.

Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve (ASShA)

Memorandumin e ASShA-së të vitit 1986 e hartoi Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve, si një program strategjik i inteligjencies serbe. Memorandumi bënte fjalë për “pozitën e rëndë dhe pabarazinë e popullit serb në Jugosllavi, e posaçërisht në Kosovë ku zbatohet gjenocid fizik, politik, juridik dhe kulturor ndaj popullsisë serbe”. Demonstratat e shqiptarëve në Kosovë në vitin 1981, akademikët serbë i quajtën “agresion neofashist”.

Në vijim, Memorandumi e kritikon “konfederalizmin si dhe autorizimet e mëdha të krahinave autonome, të mundësuara me Kushtetutën e viti 1974”, duke vlerësuar se me këtë kushtetutë “serbët janë të diskriminuar”. ASShA-ja konsideron se “çështja serbe nuk ka për t’u zgjidhur pa u arritur bashkimi kombëtar dhe kulturor i plotë i serbëve, pavarësisht nga fakti se ku jetojnë ata”. (faqe 70-73)

Për shkak të pikëpamjeve lidhur me çështjen kombëtare dhe kërkesave për riorganizimin rrënjësor të shtetit, Memorandumi shkaktoi reagime të ashpra në Jugosllavinë e atëhershme.

Një ditë pas publikimit të Memorandumit, kryetari i atëhershëm i Kryesisë së Serbisë, Ivan Stamboliqi (1936 – 25.08.2000) e quajti “manifest lufte për komisarët serbë”.

Pas disa viteve, komisioni i ekspertëve i Kombeve të Bashkuara këtë memorandum e vlerësoi si “mjet të përhapjes së ndjenjave antishqiptare”.

Në Jugosllavi dhe në Serbi ka pasur shumë të tillë të cilët këtë dokument e kanë konsideruar si shprehje të nacionalizmit serbomadh. Konsiderohet se Memorandumi i ASShA-së ka luajtur rol kyç në shkatërrimin e Jugosllavisë, duke ndikuar me të madhe në luftën e Serbisë kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinë dhe Kosovës.

Paraardhësi i Milosheviqit, Ivan Stamboliqi besonte se e larguan nga pushteti për shkak të mosmarrëveshjeve të tij me Akademinë dhe kundërshtimit të Memorandumit.

Shënim: Më 25 gusht 2000, Ivan Stamboliqi kishte dalë të shëtiste në parkun e Frushka Gorës. E kishin zënë do njerëz dhe e kishin vrarë me dy plumba. E kishin hedhur në një gropë të çelur paraprakisht, ku kishin qitur edhe gëlqere të gjallë. Me fjalë të tjera, ai ra viktimë e regjimit kriminal të Milosheviqit. Mbetjet mortore të tij u zbuluan më 28 mars të viti 2003.

* * *

Albanofobia e Vladan Gjorgjeviqit

Në përhapjen e albanofobisë në Serbi në fillim të shekullit XIX kryesonte Vladan Gjorgjeviqi (1844-1930). Ishte politikan serb dhe anëtar i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve. Në librin e tij “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha” (Arnauti i Velike sile, Beograd 1913), shqiptarët i paraqet si “njerëz të egër të cilët nuk kanë histori, lëkurëkuq evropianë që flenë nëpër dru, të lidhur për degësh me bishtat e tyre”.

Dobrica Qosiqi për shqiptarët.

Akademiku serb Dobrica Qosiq (1921-2014) shumë herë ka dalë në publik me qëndrimet e tij diskriminuese ndaj shqiptarëve. Për shkak të përhapjes së gjuhës së urrejtjes, kundër tij është paraqitur edhe kallëzim penal.

Ky farë shkrimtari për shqiptarët thotë: “Kjo fundërrinë sociale, politike dhe morale e Ballkanit barbar, tribal, e merr për aleat Amerikën dhe Bashkimin Evropian në luftë kundër popullit më demokratik, më të qytetëruar dhe më të arsimuar të Ballkanit – popullit serb”.

* * *

Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve kurrë nuk është distancuar publikisht prej qëndrimeve të tilla të anëtarëve të saj.

Fizikani bërthamor dhe teoricieni social Stevan Dedijer (1911-2004), në fillim të vitit 2003 i dërgoi letër të hapur kryeministrit të atëhershëm Zoran Gjingjiqit (1952-2003).

Fizikani i sipërthënë i propozonte Gjingjiqit ta shpërndajë Akademinë Serbe të Shkencave dhe të Arteve në mënyrë që të bëhet riorganizimi i plotë i saj.

Sipas këtij dijetari, “Akademia si e këtillë, nuk merret me zhvillimin e forcës kreative të popullit serb në shkencë dhe në teknologji, por merret me ide të prapambetura të nacionalizmit, të shovinizmit, të urrejtjes dhe me marrëzira”.

Posaçërisht i kritikonte akademikët serbë për mbështetjen e idesë së Serbisë së Madhe. “Marrëzia kryesore dhe më e keqe e udhëheqësve të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve është ajo se janë marrë me çdo gjë përpos me atë me të cilën duhet të merret çdo Akademi e Shkencave: me zhvillimin e forcës kreative të popullit të vet, në teknologji, në shpikje dhe në inovacione”.

Stevan Dedijeri konsideronte se shpërndarja e ASShA-së është pjesë e politikës së domosdoshme për zhvillimin e Serbisë në përgjithësi, e sidomos të shkencës dhe të teknologjisë së saj. Ai priste prej Zoran Gjingjiqit që me riorganizimin rrënjësor të këtij institucioni shkencor më të lartë, ta vërë Serbinë në rrugën e një zhvillimi dinamik. Ndërkohë, regjimi kriminal i Serbisë e vrau Gjingjiqin, ndaj edhe fizikani bërthamor s’mori përgjigje për propozimin e vet.

* * *

Lidhur me Kosovën është prononcuar disa herë edhe kryetari i ASShA-së Vladimir S. Kostiq (1953- ). Është neurolog dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd. Në lëmin e mjekësisë është me renome ndërkombëtare. Në vitin 2015 u zgjodh kryetar i ASShA-së.

Në tetor të vitit 2015 Vladimir Kostiqi për Kosovën thotë: “Kosova faktikisht dhe formalisht është e humbur për Serbinë. E vetmja mençuri politike është se si me elemente të dinjitetit ta braktisim Kosovën për arsye se ajo, as de fakto, as de jure nuk është në duart e Serbisë”.

Më 7 janar 2021, në një intervistë në TV N1 ai deklaron: “Askush në Serbi, përfshi edhe Kishën Ortodokse Serbe, nuk kanë tapi për të vërtetën përkitazi me Kosovën”.

Kundër qëndrimit të Kostiqit pati reagime të shumta, nga të katër anët. Kryetari i Serbisë Tomislav Nikoliqi pyeti: “Pas qëndrimeve të tilla për Kosovën, a mund ai të vazhdojë të jetë në krye të Akademisë”.

U prononcua edhe kryeministri i atëhershëm Alekdandar Vuçiqi.

Më 9 nëntor 2018, Vladimir Kostiqi ofroi dorëheqje nga posti i kryetarit të ASShA-së. Më 16 nëntor 2018, dorëheqjen e tij Akademia nuk e pranoi. Në këtë detyrë qëndroi deri në vitin 2023.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT