
Një spektakël për fëmijë e të rritur…
Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by s p

Një spektakël për fëmijë e të rritur…
by s p

Sokol Paja/
Euro 2024- Kombëtarja shqiptare e futbollit zhvilloi një ndeshje shumë dinjitoze përballë gjigantit të futbollit evropian Kroacisë. Një ndeshje e dominuar në pjesën më të madhe të saj, me pak fat Shqipëria mund të kishte marrë 3 pikë të arta ndaj një Kroacie të plakur e në përfundim të ciklit të yjeve të saj. Ndryshe nga ndeshja me Italinë, kundër Kroacisë u paraqit një Shqipëri agresive, e organizuar, e etur për fitore, e shpejtë, elegante, potente në qendër e freskët nga krahët. Shqipëria kishte shumë personalitet dhe dinjitet në një përballje shumë të vështirë. Shqipëria luajti si ekip i madh. Shqipëria paraqiti shumë cilësi dhe qëndrueshmëri. Morali i lartë, ndërlidhja e reparteve, përgatitja e fortë psikologjike bënë që Shqipëria të paraqitej mjaft mirë në një moment delikat dhe atmosferë jo të favorshme shkaktuar nga humbja me Italinë. Shqipëria hodhi gjithçka pas krahëve dhe kënaqi tifozët në stadium e miliona shqiptarë që e ndjekin nga sheshet dhe ekranet. Një Shqipëri që rrit ekuilibrin dhe qetësinë. Teknikë, forcë dhe taktikë. Kombëtarja e kombit është gëzim e frymëzim për çdo shqiptar.
Një pikë morali që do të thotë shumë për vazhdimësinë. Hutimi për disa çaste te golat e pësuar dhe vonesat në ndërrimet e Sylvinhos e zbehën pak paraqitjen e shkëlqyer të Shqipërisë që rritet nga ndeshja në ndeshje. E ardhmja duket e ndritur…forca luanët kuq e zi.
by s p

Nga Frank Shkreli
Gjatë viteve më ka pëlqyer të sjell, nga koha në kohë, shkrime dhe artikuj të fillim shekullit të kaluar si për shembull nga At Gjergj Fishta, Faik Konica, Fan Noli e të tjerë, Frank Shkreli: Paralajmërimi i At Gjergj Fishtës: Kujdes nga rreziku i brendshëm! | Gazeta Telegraf ), të cilët ndonëse kanë jetuar dhe zhvilluar veprimtarinë e tyre në fillim të shekullit XX – mendimet dhe qëndrimet e tyre të shprehura atëherë, janë mjaft aktuale edhe në ditët e sotëme përball zhvillimeve politike në Shqipëri, Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Sot e ka radhën një shkrim i Andon Zako Çajupit që mban datën 22 Shkurt, 1922 shkruar në Kairo – si parathënje në krye të dramës, “E Thena” të Milo Duçit – ribotuar në numrin e parë të revistës “Shejzat” të Ernest Koliqit (Viti i Parë, Gusht -1957) në Romë me mbishkrimin, “Zane të Kalesës”.
Artikulli i Çajupit, që po e sjellim të plotë, është shkruar prej tij një shekull më parë, në formën e një parathënjeje të dramës “E Thena”. E përzgjodha këtë shkrim të Çajupit, ndonëse ka kaluar një shekull nga botimi (1922), sepse sjellë edhe sot një freski të gjëndjes politike dhe kulturore që mbretëronte në atë kohë, anë e mbanë trojeve shqiptare, por sikur të ishte shkruar sot, pasi pasqyron me mjaft përpikmëri, sidomos gjëndjen e sotme politike në Shqipëri, por jo vetëm. Në atë shkrim, Çajupi shpreh zhgënjimin dhe trishtimin e tij mbi gjëndjen dhe mungesën e zhvillimeve letrare e kulturore të gjuhës shqipe, në përgjiithsi, në Shqipërinë e 1920-ave. Ndërkohë që “shqiptarët janë të lindur për politikë” sipas Çajupit, “Për njëmënd, ndë Shqipëri gjënden plot ministra, qeveritarë, depytenj, diplomatë të fortë. Mbijnë sikurse kërpudhat nga dhéu…Përkundra, shkronjëtorët, vjershëtorët, janë fort të pakët.”
Megjithse kanë kaluar mbi 100-vjet nga botimi – fjalët e Çajupit pasqyrojnë edhe sot shqetsimet dhe trishtimet e patriotëve të vërtetë të asaj kohe në lidhje me gjëndjen politike dhe kulturore të shqiptarëve atëherë, por që përputhen aq përpikmërisht me gjëndjen e sotëme politike dhe kulturore në marrëdhëniet e shqiptarëve me njëri tjetrin dhe me të tjerët.
Andon Zako ÇAJUPI At Gjergj Fishta
“Për shumicën e Shqiptarëve, politika është një punë fort e lehtë dhe u vërtetoj se, për me fitu bukën, në këtë botë të reme, zanati m’i lehtë është të bënesh ministër. S’ke nevojë të dish asnjë punë, asnjë mjeshtëri me themel.” Çajupi
———————–
Lexoni, pra, (në origjinalin e shqipës së atëhershme) parathënien e Andon Zako ÇAJUPIT për dramën e Milo Duçit, “E THËNA”, Kairo, 1922.
“Bashkatdhetarëve:
S’është neovoja t’u prezantoj unë autorin e këtij libri, që pata naflakë me lëçit i pari në dorëshkrim. Mjafton t’u kallëzoj se, Zoti Milo Duçi është vetë Lulo Malsori, që ka pas botue “Gjakun”, një fjalor shqip-italisht, dhe plot vjersha të bukura e artikulla ndë gazeta dhe të përkohëshme, në kohë të shkuara. Se duet me dit se Z. Milo Duçi, sido që ala trim i ri, është nga Shqiptarët e vjetër që kanë punuar për letraturën shqipe dhe për liri t’Atdheut qysh në kohë të tiranisë, kur Turku s’ka dashur të dëgjojë as emrin Shqiptar.
Sot, që cilido mund të thotë e shkruajë çka të dojë, pa asnjë farë reziku, na kanë dalë disa Shqiptarë të lashtë, aty ku s’i pandenim, dhe këta njerëz të guxuashim përmenden tani si atdhetarë të vërtetë, sido që herët kanë vepruar kundra Shqipërisë. Një faktum i tillë nuk e dëshpëroi Z.Milo Duçi, dhe mori prapë pëndën e shkroi një dramë tjetër fort origjinale, “E THËNA”, që ka me u pëlqye të tërve kur ta këndoni e kur ta shikoni të luhet në theatro.
Tani disa vjet, kemi rënë tepër pas politikës. Jemi mërzitur, jemi lodhur pa dobi, duke u grindur me bisedime të politikës që nukë mbarojnë kurrë. Politika! Formirë. Po na duet dhe letratura, për Zonë! Kemi nevojë të dëfrejmë e të çdëfrejmë dopak, të jetojmë dhe me ëndërra. Pastë të mirë pra Z.Milo Duçi, që na mbushi dëshirën e zemrës, se “E THËNA”, do të na zbavitë mjaft sa të harojmë, një orë a dy, mendimet e mundimet e jetës, ndë këtë botë ku hollësitë, kodhelet dhe lodrat e politikës gadi na prishin trutë në ditë të sotme.
Do të më thuani se jam në gabim, se politika për Shqiptarët është si buka që hamë; janë të lindur për politikë. Për njëmënd, ndë Shqipëri gjënden plot ministra, qeveritarë, depytenj, diplomatë të fortë. Mbijnë sikurse kërpudhat nga dhéu.
Përkundra, shkronjëtorët, vjershëtorët, janë fort të pakët. Në këta 3 a 4 vjet të fundit, Shqipëria ka mundur me pas më tepër se 300 a 400 ministra, diplomatë, depytenj të çkëlqyerë! Po, qysh 40 vjet e tëhu, s’ka mundur me na dhënë veç 4 a 5 shkronjëtorë e vjershëtorë që meritojnë të përmenden në letratyrë…
Si shpjegonet kjo pasunië në pikëpamje të politikës? Unë, që jam krejt budallë në këtë pikëpamje, them se, për shumicën e Shqiptarëve, politika është një punë fort e lehtë dhe u vërtetoj se, për me fitu bukën, në këtë botë të reme, zanati m’i lehtë është të bënesh ministër. S’ke nevojë të dish asnjë punë, asnjë mjeshtëri me themel. Ministri i bujqësisë, bie fjala, tokon të mos çquaj qepët nga prasët; ministri i luftës tokon të mos ketë marë një pushkë në dorë; ministri i financës tokon të mos ketë fituar asnjë grosh, veç me të grabitur; ministri i arsimit tokon të mos dijë as shqip, veç të mundi të shkruaj një ë me dy pika mbi krye; ministri i punëve të përjashtëme tokon të jetë prift a hoxhë…., dhe puna të vejë mbarë gjithmonë…
Një herë në një kohë, populli lypte nga qeveritarët të jenë sidomos atdhetarë të vërtetë. Jo, sot s’është nevojë. Ndë Shqipëri, një turkoman, një grekoman, një sllavoman, një intrigant, një tradhëtor, tokon të bënet, pa vesvese, regjent, ministër, depytet, prefekt, faqe me nder dhe mbret.
S’ka pra m’i lehtë zanat se politika, o vëllezër shqiptarë. Përkundrë, letratyra është një punë fort e rëndë: shkronjëtor, vjershëtor, s’bënet kushdo. Dhe në daltë dokush, s’ka si jeton, se librat shqip nukë shiten. Shqiptarët s’janë budallë me tret kot pare duke blerë libra e gazeta. Më mirë është me pi se me lëçit. . .Prandaj shkronjëtorët shqiptarë janë të rrallë dhe nuk nderonen aspak. Shkojnë gjithë barabar, si i miri dhe i ligu, dhe ky përmëndet më tepër se ay. Po, kam uzdajë se një shkronjëtor, si Z. Milo Duçi do ta mërgojë këtë rezik. S’kam dyshim se “E THËNA”, kur të lëçitet a keq, i lutem autorit të mos dëshpëronet, por të kujtonjë fjalët e plakut La Fontenë: “Kurkush s’mund të kënaqij tërë botën dhe babanë”. (Botuar në Kairo, shkurt 1922. A. Zako Çajupi, ribotuar në revistën Shejzat, Viti i I, Gusht 1957, Romë) –
———————
Ka disa vite që — të dëshpëruar me politikën aktuale shqiptare – ashtu siç ishte i dëshpëruar edhe Çajupi me politikën shqiptare të fillim shekullit të kaluar – shumë veta bëjnë pyetjen, nëse mund të bëhet Shqipëria!?
“Nuk ashtë mjaftë që të jetë ba Shqypnia; duhet ta mbajmë”, ka paralajmëruar At Gjergj Fishta duke thenë se nëse duam të shohim se “Çfarë rreziku mund t’i kërcënohet atdheut nga s’përmbrendi…simbas parimeve të etikës së popujve të qytetnuem” duhet të shohim, “natyrën e pëmbrendshme të autoritetit dhe rregullat simbas të cilave duhet përdorue financat e shtetit, e mandej të ndajmë elementin ma të rrezikshëm për autoritetin dhe financat…” Frank Shkreli: Paralajmërimi i At Gjergj Fishtës: Kujdes nga rreziku i brendshëm! | Gazeta Telegraf — I tmeruar me politikanët e kohës së tij, ashtu siç ishte edhe Çajupi në atë kohë, Fishta i shikon ata që i quan “sundimtarë” të shtetit, qofshin ata “princë, bajraktarë, pashë a beg”, jo si të preferuarit e shoqërisë me privilegje, të drejta e pasuri, në krahasim me njerëzit e thjeshtë, por si të barabartë me të gjithë të tjerët, sepse “gjaku i gjithë njerëzve ashtë një.” Si rrjedhim, Fishta paralajmëron në artikullin e Hyllit të Dritës se, “Ditën, pra, që nji sundimtar i shtetit zen ta përdorojë autoritetin shtetnuer, jo për dobi të shtetit mbarë, por për qëllime vetjake ase për interes të ndonji kastës në shtet, qëllimi i të cilës mos të ketë kurrnjë të përpjekun me lehtësimin e gjallnimit të njeriut mbi tokë e me të përmirësuemit e tij individual e kolektiv, atë ditë fillon shkatërrimi i atij shteti, e sundimtari bahet mikrobi-gjaks i kombit të vet, pa qenë nevoja që armiku prej së jashtmi të harxhojë fishekë në të…”.
Prandaj, ja vlen që të merren parasysh mësimet dhe parlajmërimet e vyera nga e kaluara — aktuale edhe sot — nga personalitete historike si Fishta e Çajupi për ndërtimin e një të ardhme më të mirë për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. “Të mësojmë nga e djeshmja, të jetojmë të sotmen dhe të shpresojmë për të ardhmen”, ka thenë Albert Einstein-i.
Frank Shkreli
by s p

Prof.Dr. Sylë Ukshini/
Ambasador i dashur, unë jam i vetëdijshëm që ju transmetoni qëndrimin zyrtar të Berlinit zyrtar, të një vendi që e ka njohur pavarësinë e Kosovës 16 vite më parë. Sigurisht ne vlerësojmë kontributin e madh ndër dekada për lirinë e Kosovës dhe për procesin e shtetndërtimit. Por, ka edhe disa gjëra që duhet të thuhen hapur mes miqsh, koncesionet që po i kërkohen Kosovës janë bërë të tepërta para dhe sidomos pas pavarësisë, përkatësisht nga 6 pikëshi i Ban Ki-moonit në dhjetor 2008 e deri me të ashtuquajturën çështje e dinarit serb.
A nuk është tallje dhe përçmuese për Kosovën të dëgjojë fjalë të tilla nga një ambasador i cili vjen nga vendi që 35 vjet më parë rrënoi Murin e Berlinit. A nuk është tallje që një barrikadë e tillë mbi lumin e tillë nga strukturat kriminale dhe mbetjet e regjimit të Milosheviqit të justifikohet nga ambasadorët e vendeve të BE-së.
Zoti Ambasador
Ju keni qenë me detyrë konsulli, ndërsa unë të zëvendësshefit të misionit diplomati, kur 9 vite më
parë, në tetor 2015 ishte arritur Marrëveshja e Brukselit për heqjen e barrikadës dhe revitalizimin e urës së Ibrit, e cila kishte nisur zbatimin më 17 tetor 2015. Bashkimi Evropian, përkatësisht Zyra e BE-së në Kosovë, që është kompetent për zbatimin e kësaj marrëveshje, kishte nisur punimet e revitalizimit të urës e cila ishte parashikuar se do të zgjasë deri në qershor të vitit 2016, kur ura e Mitrovicës duhej të hapej për lëvizje të plotë të lirë, për këmbësor dhe automjete. Asokohe zyrtarët e Qeverisë së Kosovës e kishin vlerësuar lartë nismën e zbatimit të kësaj marrëveshjeje duke theksuar rëndësinë e saj politike dhe të sigurisë për vendin tonë. E tash jemi në qershor të vitit 2024, ndërsa Ju flisni se “zgjidhja për Urën e Ibrit është në Bruksel”!
Zoti Ambasador,
Me këtë dinamikë breshke nuk ecet askund, nëse OKB-së i ishin të nevojshme dy vite për adresimin e statusit final të Kosovës (2006-2007), BE-ja që 13 vite po merren a duhet të paguajnë serbët rrymën e shpenzuar, a duhet të bartin targat e Kosovës apo ato të lëshuara nga një shtet tjetër!
Po te aplikohej modeli i negociatave të Brukselit pas Luftës se Dytë Botërore Franca dhe Gjermania do te mbërrinin ne vitin 1970 dhe do te arrinin marrëveshje që makinat me targat e Berlinit te hynin ne Paris dhe ato të Parisit te hynin ne Berlin dhe kështu 25 vite do te kalonin ne mes te Franceze dhe Gjermaneve qe te arrinin marrëveshje për kalimin nga një vend ne vendin tjetër me targat e tyre. Dhe po ashtu ne vitin 1970 do te bisedonin për Strasburgun apo Alsass Lothringen-it a është territor i Gjerman apo Francez dhe cilat targat të makinave duhej të vlenin, franceze apo gjermane.
Prandaj, ka pak vend për krekosje edhe në Bruksel, ashtu si edhe në Kosovë, e për Beogradin të mos flasim, pasi atje akoma akuzohet pse Milosheviqi nuk arriti të krijonte Serbinë e Madhe.
Nuk e kam të qartë përse kërkoni nga Kosova diçka që nuk kërkohet as në vendet tjera evropiane apo të rajonit.
Është e vërtetë që na keni ndihmuar të çlirohemi nga një e keqe e madhe në rajon, nga regjimi i Milosheviqit. Por, mos harroni se edhe Evropën, edhe vendin tuaj, Gjermaninë, e ndihmuan aleatët perëndimor nën drejtimin e SHBA-së (D-Day) që të çliroheni nga keqja hitleriane. Krejt historia evropiane dhe rajonale ka qenë e shoqëruar nga histori të tilla, pra nuk është se vetëm Kosova e gëzoi me shumë vonesë një përkrahje të drejtë dhe të duhur në momentin kur po kërcënohej me zhbërje nga një regjim hegjemonist dhe me një doktrinë gjenocidale. Por, për dallim nga Gjermania, Serbia u bombardua, por doktrina serbomadhe mbeti e padënuar.
Zoti Ambasador
A nuk do ishte mirë të na thoni ku mbeti Marrëveshja Gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbia.
A do të ishte mirë të na thuhet se cilat është politika e jashtme e përbashkët dhe e sigurisë e BE-së në kohën disa vende të BE-së bashkohen me pozicionin rus, iranian, kubanez, koreane veriore ndaj Kosovës, por BE-ja vazhdon të jetë fasilituese e dialogut të Brukselit.
A do të ishte mirë nëse pesë vendet e injorojnë vendimin e GJND-së për pavarësinë Kosovës shkon në favor të etablimit të të Perëndimit në rajon apo favorizon qëndrimin rus në rajon.
A nuk është fyese që edhe 25 pas çlirimit të Kosovës të kërkohet rikthimi në qarkullim i monedhës serbe, pasi aplimi i Euro-së së BE paraqet “rrezik për krizë humanitare” në veri të vendit. Si na qenka e pranueshme EURO-ja për pagat dhe privilegjet e Listës Serbe, por rrezik për qytetarët e thjeshtë. Një pyetje, ndihmat dhe bonuese që merr regjimi serb i Beogradit nga BE-ja janë në EURO apo në dinar? Ndalni këtë stil përçmues të bërjes politikë, sepse edhe nëse jemi ballkanas, na pëlqeni kur dëshironi të na merrni pa asnjë investim mjekët, ekspertët e It-së si dhe punëtorët e krahut! Edhe pse jemi ballkanas fëmijët tanë janë po aq kreativ dhe po aq të shkathët sa fëmijët tuaj në Evropë, por vonesa jonë është edhe për fajin e evropianëve, të cilët nuk hezitonin ta njihnin shtetin e Milsheviqit(1996) edhe atëherë kur shqiptarëve u mohohej e drejta për përdorimit të gjuhës shqipe, kur u ndalohej shkollimi në gjuhën amtare, edhe kur u mohohej e drejta për media në gjuhën shqipe, edhe atëherë kur u mohohej e drejta për punë, për kujdes mjekësor, dhe e drejta për jetë. Pra, nuk jeni krejt pa faje për katër luftërat dhe katrahurën që bëri Beogradi në vitet 1989-199!
Pra, në vend të deklaratave boshe, Kosova ka nevojë për përkrahje të sinqertë dhe jo për trupa që minojnë bazamentin e shtetësisë, siç është Gjykata Speciale e Hagës, e cila jashtë çdo standardit evropian ka marrë mision që spastrimin etnik, vrasjet masive dhe përndjekjen e shqiptarëve për shumë dekada ta barazoj me vrasjet e pretenduara individuale.
Zoti Ambasador, JU e dini që pas Luftës së Dytë Botërore nga Evropa Lindore u dëbuan dhe u përndjekjen 15 milion gjermanë, pati edhe vrasje edhe përdhunime në zemër të Berlinit, madje edhe Dresdeni u bombardua deri në themel, dhe aleatët antifashistë nuk thanë se duhet të formohet në Gjykatë Speciale në Nyremberg dhe aty të gjykoheshin liderët e vendeve të koalicionit antifashist. U tha se këto krime ishin pasojë e luftës dhe jo qëllimi i luftës.
Ndërkaq, ndaj Kosovë ka patur një qasje shumë të padrejtë dhe asimetrike, ka pasur një dëshirë të zjarrtë për të krijuar një simetri mes krimit shtetëror serb dhe krimeve dhe disa vrasjeve eventuale, kryesisht të ndodhura pas lufte, në kohën kur pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv e kishin OKB dhe NATO.
Zoti Ambasador, ju mund të thoni çfarëdo, por një gjë duhet ta dini, normalizimin i marrëdhënieve nuk mund të bëhet me një dialog të tillë të Brukselit, as duke e amnistuar Beogradin si në rastin e agresionit ushtarak në Banjskë. Normalizimi arrihet në Bruksel dhe në Washinton. Vetëm hapja e perspektivës së anëtarësimit të Kosovës në BE dhe në NATO mund të ndërtohet paqja dhe stabiliteti rajonal. Prandaj, BE-ja, nëse dëshiron të jetë një ndërmjetës i paanshëm, atëherë duhet të kërkojë nga 5 vendet e BE-së njohjen e Kosovës mbi bazën e dokumentit të Ahtisaarit dhe të opinionin të GJND-së.
by s p

Astrit Lulushi/
Më 14 prill 1865, John Wilkes Booth vrau Presidentin e SHBA Abraham Lincoln në Teatrin e Fordit, një ngjarje që do ta gdhendte përgjithmonë presidentin e 16-të në histori. Ky akt ndodhi vetëm disa ditë pas përfundimit të Luftës Civile Amerikane, një epokë kaotike për vendin. Është interesante se në kohën e vrasjes së tij, Lincoln kishte disa sende të çuditshme në xhepat e tij.
Vrasja e Abraham Lincoln mbetet një nga ngjarjet më kritike në historinë amerikane. Presidenti kohët e fundit e kishte udhëtuar në të gjithë kombin nëpër Luftën Civile, një kohë me vështirësi të pashoqe. Ai ishte shumë i dashur, veçanërisht nga komuniteti afrikano-amerikan për rolin e tij të madh në heqjen e skllavërisë.
Ndërsa ndoqi Teatrin e Fordit në Uashington, DC me gruan e tij Mary për të parë një shfaqje, Lincoln, i zhytur në shfaqje, nuk ishte në dijeni të afrimit të vrasësit të tij, John Wilkes Booth. Booth, një figurë relativisht e njohur në atë kohë falë karrierës së tij të suksesshme skenike, arriti të hynte në lozhën e presidentit.
Duke kapur momentin, Booth iu afrua Linkolnit nga pas, duke e kapur atë në befasi dhe qëlloi një goditje të vetme në pjesën e pasme të kokës së presidentit me një pistoletë Derringer të kalibrit 44. Më pas, vrasësi bëri një arratisje dramatike, duke u larguar nga teatri dhe duke ikur me kalë. Të nesërmen në mëngjes, Lincoln u shpall i vdekur, duke shënuar fundin tragjik të një prej presidentëve më të nderuar të Amerikës në moshën 56-vjeçare.
Ndërsa vrasja e Lincoln pati pasoja të thella për historinë amerikane, një detaj intrigues, por i zakonshëm qëndron në përmbajtjen e xhepave të presidentit në atë kohë.
Presidenti amerikan Abraham Lincoln kishte një sërë sendesh në xhepat e tij natën kur u vra.
Ai kishte një thikë të vogël xhepi, dy palë syze dhe një ore xhepi; mbante gjithashtu një portofol lëkure dhe një shami prej liri me shkronja të kuqe “A. Lincoln”. Çuditërisht, një nga palët e syzeve tregonte dëshmi të një riparimi të vogël të bërë nga vetë presidenti.
Përtej sendeve të zakonshme, Lincoln posedonte një koleksion të copëzave të gazetave që përmbanin lavdërime për veten e tij. Megjithatë, ndoshta sendi më intrigues atë natë, ishte një kartëmonedhë 5,00 dollarësh e Konfederatës që u gjet në portofolin e tij.
Prania e monedhës armike ngre pyetje se pse presidenti do të mbante një artikull të tillë. Ndërsa përgjigja e saktë nuk dihet, studiuesit në Bibliotekën e Kongresit propozojnë një teori.
Clark Evans, në Divizionin e Librave të Rralla dhe Koleksioneve të veçanta, sugjeron, “Ne nuk e dimë me siguri qind për qind, por vetëm disa ditë më parë, Richmond kishte rënë dhe Lincoln në fakt udhëtoi për në Richmond dhe kjo ka të ngjarë që zyryarët e qytetit t’i kenë dhënë kartmonedhën si një suvenir.”
Ruajtja e jashtëzakonshme e pasurive të mbajtura nga Lincoln natën e vrasjes së tij është e jashtëzakonshme. Pas vdekjes së tij, sendet iu besuan djalit të tij të madh, Robertit, dhe mbetën në posedim të familjes për shtatë dekadat e ardhshme. Aktualisht, këto artefakte të paçmueshme mund të shihen në Bibliotekën e Kongresit.
Photo: biography.com