• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2024

ARSHI PIPA SI SHEMBULL I ARTISTIT TË PATHYESHËM

July 26, 2024 by s p

Prof. Milazim Krasniqi/

Vëllimi “Libri i burgut” i Arshi Pipës (1921-1997), përbëhet nga nëntë cikle, prej të cilave autori thotë se vetëm i pari dhe i nënti u krijuan jashtë mureve të burgjeve e të kampeve, ndërsa të tjerat, që të gjitha u krijuan atje. Pipa arsyeton vendimin që të shkruante në poezi për atë temë: “Vargu asht për natyrë të vetën më synthetik, edhe atëherë kur asht përshkrues. Ose, me fjalë ma të shkoquna: xen vend ma pak dhe ruhet ma mirë. Prandaj, Libri i burgut u shkruejt në varg”. Edhe kjo rrethanë, pra e zgjedhjes së poezisë si mjet më i përshtatshëm në kushtet ekstreme të jetës, nuk ka si të mos ketë ndikimin e vet në vetë tensionin e vargjeve dhe në komunikimin e lexuesit me to. Një poezi që është shkruar nga nevoja konkrete se zë vend më pak, sepse kërkon më pak letër dhe mbahet mend më lehtë, detyrimisht e orienton lexuesin e vet që ta përjetojë më fort emocionalisht.

Vëllimi “Libri i burgut” është i ndarë në nëntë cikle a kapituj. Edhe kjo ndarje është bërë e diktuar nga faktorë të jashtëm, për të cilët autori shkruan: “ Zhvillimi u paraqit në radhë kronologjike. Libri u nda ndër aq kapituj sa qenë vendet e ndryshme ndër të cilat u shkruen vargjet. Ndër kta kapituj vetëm i pari dhe i fundmi nuk u shkruejtën në burg. Të shtatë tjerët janë si suaza të mëdha të jetës dhjetë vjelare të burgut dhe të kampit, gjatë gjithë kohës së jetës sime n’atdhe nën sundimin komunist (1944- 1957) Edhe ky shpjegim i autorit i ndihmon lexuesit në orientimin e tij gjatë leximit të këtij vëllimi, në mënyrë që të mos shkëputet nga përjetimi fillestar se po lexon një poezi të krijuar në kushte të jashtëzakonshme dhe e cila edhe në natyrën e vet ka marrë tiparet e rrethanave në të cilat është krijuar, pra është bërë edhe vetë një poezi e jashtëzakonshme. Aksidenti jetësor i Arshi Pipës sikur ka dashur që të krijojë një precedent në artin letrar: definicioni i Aristotelit për dallimin ndërmjet poezisë e historisë, në këtë rast nuk funksionon. Poezia e Arshi Pipës nuk tregon atë që ka mundur të ndodhë, po atë që ka ndodhur vërtet, poezia e Pipës nuk tregon gjëra të përgjithshme po gjëra konkrete dhe të vërteta, duke ia eklipsuar ashtu natyrën edhe vetë historisë.

“Kanali” – papërsëritshmëria e artit

Kapitulli i IV i vëllimit “Libri i Burgut, Kampi Vloçishtit, Korçë, (Korrik B nanduer, 1948)” paraqet një objekt të jashtëzakonshëm studimor lidhur me sonetin në poezinë shqipe. Në këtë kapitull është përfshirë cikli prej njëzet e katër soneteve me titull të përbashkët “Kanali” dhe një sonet me titull “Tingëllim i këputun”. Njësitë e ciklit “Kanali” janë të shënuara me numra rendorë dhe numërimi i vargjeve është bërë ashtu që ato të paraqesin një tërësi prej treqind e tridhjetë e gjashtë vargjesh. Kësisoj ky cikël paraqet një tërësi unike tematike dhe artistike, të papërsëritshme në poezinë shqipe.

Poeti Arshi Pipa në shënimet me të cilat e ka shoqëruar vëllimin “Libri burgut”, lidhur me ciklin “Kanali” ka lënë këtë dëshmi: “ Ato u shkruejtën gjatë intervalit të ndenjës sime në Spitalin e Korçës dhe në burgun e Korçës.” Pra, ky cikël i jashtëzakonshëm i soneteve të Arshi Pipës, është shkruar pothuajse me një frymë, ngase periudha e “pushimit” në spital zakonisht ishte e shkurtër dhe pasonte rikthimi në punën e rëndë në kamp. Mirëpo, autori ka arritur që ti hedh në letër këto sonete për një kohë të shkurtër për arsye se ai më parë i kishte krijuar në mendjen e vet, për çka ai ka lënë dëshmi konkrete. Nga kjo pikëpmaje, pra nga rrethanat në të cilat krijoi poeti, ai mbase mund të krahasohet me Dante Aligierin, i cili një pjesë të “Komedisë Hyjnore” e pati krijuar në shpellë, ku qe fshehur, për të shpëtuar nga ekzekutimi i dënimit me vdekje, që i ishte shqiptuar nga kundërshtarët politikë. Nuk është e mundshme të argumentohet se a e ka pasur ai vetë këtë shëmbëllim para sysh, kur ka vendosur që të krijojë në formën e sonetit një pjesë të poezisë së tij, por kjo pa dyshim është një koincidencë e habitshme.

Cikli i soneteve “Kanali” është një rrëfim poetik tronditës dhe i nuancuar me detaje të shumta, për jetën e të burgosurve në burgjet dhe në kampet e punës në periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri. Në secilën njësi sonetike shpaloset një pikturë e jetës së këtyre njerëzve në zgripc të ekzistimit, në vorbullin e rrëmbyeshëm të vuajtjeve e të torturave të tmerrshme. Këta njerëz janë shumë, edhe kolektivitet i gjendur në një fatkeqësi të përbashkët, po edhe individë konkretë, të cilët goditen nga fati i keq. Arshi Pipa ka lënë edhe shënime të shumta si prova dëshmie lidhur me ngjarjet që përshkruan në sonete, duke përmendur edhe vende, ngjarje e emra njerëzish, si viktima po edhe si ekzekutorë të dhunës së shfrenuar. Edhe kjo natyrë mikste e poezisë së tij të vëllimit “Libri i burgut”, duke përfshirë edhe ciklin “Kanali”, e bën këtë poezi të jashtëzakonshme në tërësinë e saj dokumentare dhe artistike.

Që në sonetin e parë të ciklit “Kanali”, Arshi Pipa ka pikturuar ( po të huazojmë e ta modifikojmë një shprehje të tij nga shënimet përcjellëse), gjendjen e të burgosurve në barrakën ku nuk kishte as kushte elementare të jetës, po ku ata jetonin dhe luftonin për t’i shpëtuar shfarosjes. Vuajtja e njerëzve të lodhur e të drobitur nga puna e rëndë e nga kushtet e këqia atmosferike e të strehimit, sëmundja vdekjerurëse që herr njerëzit, pastaj degradimi moral i disave, në kushtet e skëterrshme të jetës, dhe dhuna që ushtrohet mbi ta nga njerëzit e pushtetit, madje harxhimi i të gjitha energjive dhe përpjekja për të shpëtuar nga shfarosja, janë kuadri i kësaj pikture të jashtëzakonshme poetike:

Nga Korça bumbullon. Currila shiu

Rrjedhin prej mushamas mbi krena e shtroje.

Pështillen, struken gjindja ndër mbuloje:

Një lamsh ku qelben recka e mish njeriu.

Mbramje. Dikush përbri qet gjak për goje.

Këndon letas mbatanë nji fmi arixhiu.

Ky grindet për pak uj qi shoku i piu:

Ai shan se i vodhën bukën. Hin nji roje.

Shkopinj e shqelma. Britma. Frin bilbili.

Pushim. E dergjet lodhja, pranë secili,

E flen kush mundet për atë natë me fjetë.

Si lazaret rënkon e fshan baraka.

Nesër të gjithë i pret kanali, brraka,

Veç atyne qi pret një vorr i shkretë.

Pas dy vargjeve të para, ku fiksohet atmosfera dramatike e motit të keq, ligjërimi poetik në dy katrenat fokuson gjendjet dhe situatat tragjike të njerëzve të burgosur. Ndërsa ne tercetën e parë menjëherë ndodh një dendësim i hatashëm i ligjërimit, ku vargu i parë i kësaj tercete ndërprehet tri herë me pikë, duke shpërfaqur gjendje të ndryshme, secila më dramatike se tjetra, (Shkopinj e shqelma. Britma. Frin bilbili). Leksiku më i dallueshëm i këtij soneti është i sferës së mjerimit social (shtroje, mbuloje, uj, bukën, baraka, kanali, brraka), ndërsa tortura që përjeton njeriu i privuar nga liria, shpaloset me një seri sintagmash interesante: (gjak për goje, shkopinj e shqelma, dergjet lodhja, vorr i shkretë). Kjo denduri e fjalëve dhe e shprehjeve që shprehin kuptime e nuanca kuptimore të jetës në zgripc ekzistencial, i jep sonetit një tension më të fortë ligjërimor dhe ritmik.

Shihet se aktivizohen më shumë fjalë të shkurtëra, dyrrokëshe, e më pak fjalë kumbuese tri a katër rrokëshe. Në kontekst të rrëfimit poetik, kjo përzgjedhje fjalësh të shkurtëra, aspak kumbuese, më shumë gjason me një pëshpëritje, të folur nën dhëmbë: e flen kush mundet për atë natë me fjetë.

Është me interes të vërehet edhe gradualiteti kohor në të cilin ndodh kjo vuajtje e dhunë, sepse ky gradualitet kohor shndërrohet edhe në një konstituent të përjetimit estetik. Në katrenën e parë nuk ka një saktësim të kohës, por nga konteksti ( të burgosurit janë në barrakë, mundohen të rimarrin veten), del se është një pasditje. Në katrenën e dytë saktësohet koha që na vargun e parë, gjë që edhe retroaktivisht e saktëson kohën e paemërtuar në katrenën e parë. Në tercetën e parë, tashmë përftohet nga kohë më e thellë e natës ( e flen kush mundet për atë natë me fjetë), ndërsa në të dytën përfytyrohet dita e nesërme (Nesër të gjithë i pret kanali, bërraka). Kështu, poeti ka bërë një zbërthim gradual të kohës në të cilën të burgosurit vuajnë e torturohen, dergjen e vdesin, duke e sugjeruar përsëritshmërinë, totalitetin e saj, si kornizë të vuajtjes njerëzore.

Në pajtim me këtë gradualitet të zbërthimit kohor të vuajtjes njerëzore, dhe të nuancimit të saj, është edhe autonomia sintaksore e katrenave dhe e tercetave. Asnjëra prej tyre nuk bartet në njësinë pasuese, velse funksionojnë si të mbyllura në vete. Në katrenën e parë përftohet emri Korça, për të dhënë idenë e ambientit konkret, Kampit të Vloçishtit dhe një pamje e përgjithshme e gjallimit në barrakë. Në katrenën e dytë, nuancohen pamje konkrete të vuajtjes së njerëzve konkretë. Në tercetën e parë, e cila duket pak më e ndëlidhur me katrenën e dytë, që në vargun e parë: “shkopinj e shqelma. Britma. Frin bilbili”, skicohet shprishja, dhuna dhe mandej agonia që pason. Ndërsa, në tercetën e dytë, është më shumë një përfytyrim i subjektit poetik për mjerimin kolektiv, vuajtjen që i pret ata njerëz dhe për vdekjen si një fat i rezervuar për disa nga bashkëvuajtësit.

Skena e dhembshme ku të burgosurit përpiqen të mbijetojnë urinë, duke ngjyer bukën në kripë, duke qëruar ndonjë qepë, a duke u vërsulur drejt kazanit për të rrëmbyer një fundërrinë në të, është shpalosur me efekte të habitshme në sonetin e dytë të ciklit “Kanali”. Torturat ndaj të burgosurve, jo vetëm me punë të rëndë fizike, po edhe me shkaktimin e urisë kronike, kanë arritur që ata njerëz tçi shndërrojnë në qenie që vetëm kanë figurën njerëzore. Dhe në sonetin e tretë, vargu i parë është në formë të pyetjes dhe të ftesës që të shikohet ajo gjendje e mjerimit të parrëfyeshëm: “A mund të quhen njerëz? Qe, shikoi.” Gjysma e vargut e ballafaqon lexuesin me dhënien e vlerësimit për gjendjen në të cilën janë katandisur qeniet njerëzore nga dhuna, ndërsa gjysma e dytë e vargut zbulon pozicionin e poetit: ai bën ftesë për dëshmi e për dëshmitar.

Përshkrimi i gjendjes së mjerë të të burgosurve shtrohet në katrenën e parë dhe në tri vargjet e katrenës së dytë, ndërsa gjysmëvargu i tretë i katrenës së dytë, sërish shndëerrohet në pyetje, në kërkesë për vlerësim të identitetit njerëzor të atyre qenieve të shkatërruara nga dhuna. Më tutje, në dy tercetat e sonetit, ligjërimi merr një intonim më racional, më të qetë, duke u shndërruar në vlerësim logjik të subjektit poetik:

Njerëz kanë qenë. Sot janë zhele mishi,

Automa kockash. Një bërsi, nji pleh,

Ku veç prej emnave dallojn e njeh

Bujkun nga beu, tregtarin nga dervishi,

Kusarin, simahorin, lakanderin

Prej atdhetarit qi luftoi për nderin.

Radhitja e katër metaforave brenda dy vargjeve të para, ku shpërfaqen gjendje të rënda të katandisjes njerëzore, është një shembull i rrallë i koncentrimit të kaq energjie poetike në vetëm dy vargje. Është një koncentrim që buron nga përjetimi dhe njohja e thellë e asaj gjendjeje, e atyre përfarimeve figurative e jetësore dhe një aftësi e jashtëzakonshme krijuese, për ta kontrolluar ligjërimin poetik. Pastaj shfaqet pamja absurde e rrafshimit negativ social e moral të njerëzve, të shresave sociale e intelektuale, nga një doktrinë dhe nga një praktikë lnjerëzore. Barazia në mjerim, në shkatërrim të identitetit dhe në fakt në procesin e shfarosjes së racës njerëzore, ta kujton detyrimisht historinë e dhembshme të kampeve naziste e staliniste të shkatërrimit në masë të njerëzve. Mbetja e mundësisë që njeriu të njihet vetëm nga emri i tij, është dëshmi se ata njerëz janë shkatërruar, janë vrarë. Këtë nivel të përjetimit poetik, pra të gjetjes së dimensioneve të shumta të ideve të vargut, e gjejmë të shtresuar në këto vargje të Arshi Pipës.

Në sonetet pasuese, IV e V, poeti ka fiksuar pamje konkrete të dhunës që shkakton puna e rëndë, puna e detyrueshme në kanal. Këto sonete janë në nivel të përshkrimit krejt autentik të përjetimeve, ku poeti ka arritur të operacionalizojë rrëfimin poetik me disiplinën e tij të njohur. Në sonetet VI, VII, VIII e IX, është shpalosur dhuna shtesë, që e bënin policët kundër të burgosurve, ku dhuna në fakt ishte një lloj argëtimi sadist i përfaqësuesve të diktaturës komuniste. Edhe në gjendje ekstreme jetësore si ato që rrëfen, poeti Arshi Pipa është një poet plotësisht racional, i cili lë dëshmi për absurditetin e diktaturës. Në tercetën e parë të sonetit VI, leksiku i përdorur tregon më shumë se gjithlka tjetër absurditetin e natyrës së asaj dikature dhe të zbatuesve të saj. Ata e quajnë të burgosurin “këlysh i Carit”, me lka zbulohet fuqishëm natyra prej plagjiati e asaj diktature. Këlysh i carit mund të quhej dikush në Rusi, ku kishte një regjim carist, po jo në Shqipëri, ku nuk ka sunduar ndonjherë carizmi. Pra, është fjala pë një plagjiat nga praktika staliniste, gjë që zbulohet edhe nga fjalët e përdorura në nivel denoncimi e ndëshkimi. Arshi Pipa, si rrallë ndonjë poet tjetër që ka shkruar për diktaturën, promovohet si poet që ka aftësi të mëdha zhbirimi në këto humbella të ideologjisë lnjerëzore dhe të sadizmit që ushqehet prej saj. Tortura ndaj të burgosurve, e shndërruar në argëtim për rojat, përshkruhet me një vijë dramatike në dy tercetat e sonetit VII :

Nji babaj zhgulin mjekrrën, e pështijnë.

“pa shih, derri! Akoma bark më ka!

Ngre kambët sqap!… Mos ki merak baba!

Ta heqim ne” mandej në hendek e shtijnë.

E i këqyrë nji idiot me gojën hap… i kllasin

Befas nji grusht me dhe… mandej gajasin.

Arshi Pipa është poet i vrojtimit të nuancuar dhe i gjykimit të ftohtë, edhe në raste kaq dramatike, të cilat nuk janë produkt i imagjinatës së tij, po produkt i dhunës ndaj tij dhe njerëzve të afërt për nga fatkeqësia. Pipa jep dëshmi se tortura është gjithëpërfshirëse, totale, si ndaj një udhëheqësi shpirtëror ( babaj), si ndaj një idioti, që nuk e ka aftësinë e gjykimit kritik për tmerrin që sheh.

Në sonetet X, XI e XII zbërthehet poetikisht enigma e veprave të mëdha që bën robërit, të burgosurit shqiptarë të diktaturës së egër komuniste. Fillimisht kjo punë e llahtarshme zbërthehet në truallin konkret, aty ku robërit e kohës moderne lanë eshtrat e tyre për hapjen e kanaleve me punë të detyrueshme. Edhe pse poeti thotë se vetëm proza do të mund ta thoshte të vërtetën, janë po vargjet e tij që e thonë atë të vërtetë, sa ta bëjnë njeriun t’i çohen flokët përpjetë e t’i dridhet shtati:

Proza, jo vargu i mallëngjyem lyrik,

T’i thotë me rend të gjitha sa ktu pati:

T’i çohen flokët përpjetë, t’i përqethet shtati

Kujdo lexon kanalin satanik.

Shtatë muej me radhë kjo punë e poshtër zgjati.

Kanali i Klosit, tjetri n’ Libonik,

Dhe Dunaveci i namun, për anmik:

Njizet mijë kilometra me Devollin mati.

E nuk besojshim qysh i kishim ba.

Gjithë kët fuqi ku, vall, e patën trupat,

Kufomat tona t’shtrydhuna si shtupat?

Ligjërimi poetik shtrihet mes paradoksesh kuptimore: vepra të mëdha të punës në vende konkrete, ( Klos, Libonik, Dunavec, Devoll), janë kryer nga kufomat e shtrydhuna si shtupat. Po kjo linjë e ligjërimit poetik shpaloset edhe në sonetin XI, ndërsa në sonetin XII zgjerohet dimensioni kuptimor i këtij paradoksi jetësor e historik, duke sjellë në kujtesë të lexuesit edhe ngritjen e piramidave egjiptase, të Koloseumit romak dhe të kanaleve ndërmjet Moskës e Vollgës, që të gjitha këto vepra të miliona skllevërve.

Vuajtja e të sëmurëve në infermierinë e kampit, meditimi për ngjashmërinë e kampit me ferrin, janë tematizuar në sonetet XIII, XIV e XV, me një ton më të qetë, me meditativ.

Në sonetet XVI, XVII e XVIII shpaloset një dimension i dhembshëm i natyrës së njeriut të gjendur në mjerim, kur degradon në mënyrë të frikshme në një qenie pa dinjitet e pa moral. Ky aspekt i tematizimit poetik të Arshi Pipës, na i kujton tregimet e Shalamovit, në të cilat përshkruhet ai nivel i degradimit njerëzor, kur të burgosurit gëzohen për vdekjen e ndokujt, me shpresë se do të mund të plaçkitin diçka prej tij. Madje edhe në varrezë shkojnë natën dhe i heqin të vdekurit rrobat e trupit, në mënyrë që t’i veshin vetë e ta përballojnë të ftohtit siberian.

Tematizimi kaq identik i këtyre gjendjeve të dhembshme të degradimit të njeriut, është rezultat i përvojës së njëjtë, ndërmjet Pipës e Shalamovit. Këtu edhe mund të kuptohet çështja e ndikimit të përvojave personale në krijimin e veprave me tematika të afërta ose edhe të ngjashme, që nuk janë rrjedhojë e ndikimeve direkte të një autori te tjetri.

Por, Arshi Pipa si njeri dhe si poet racional, me fuqi të madhe morale, nuk lë pa i thur edhe një lavd miqësisë ndëmjet njerëzve, edhe në atë fatkeqësi të parrëfyeshme ku gjenden. Bile ai thotë se “ nuk harrohet kurr shoku i mjerimt”, duke e nxjerrë atë lloj miqësie ta lidhur në mjerim, si kulmin e sinqeritetit e të dëlirësisë njerëzore. Pipa nuk lë pa fiksuar edhe momente meditimi për ngrohtësinë e vatrës, për ditët e humbura të rinisë dhe për zbulimin e enigmave të së kaluarës në thellësitë e kanaleve, për kampet naziste të përqendrimit, si Buhvaldi, Majdanpeku e Dahau, dhe duke e përqasur me kampet shfarosëse të diktaturës komuniste në Shqipëri.

Duke iu afruar përmbylljes së kësaj kryevepre të vet, Arshi Pipa, fillon e krijon edhe disa konkluzione poetike. Kësisoj, në sonetin XXII, pasi kërkon shkaqet e barbarisë së ushtruar mbi të burgosurit shqiptarë nga regjimi që i thotë vetes shqiptar, ai sajon këtë konkuzion poetik:

Qysh pra vëlleznit tanë punuen mbi ne

T’atillë një dhunë qi s’banë as Turq as Shqe?

Nga trolli i vendit duel e u rrit kjo farë?

Nji djall e mbolli te nji vend i verbën.

Shqiptarë ata qi e pollën? Queji Serbën,

Bullgarë e Grekë e Rusë!… Por jo Shqiptarë!

Pas gjithë atyre mundimeve, pas gjithë atyre torturave të përjetuara, sërish poeti dhe njeriu Arshi Pipa është shumë racional, gjakftohtë dhe njerëzor. Ai nuk shqipton ndonjë urrejtje iracionale dhe as kërkon ndonjë hakmarrje. Ai vetëm kërkon që torturuesit e tij dhe të shokëve të tij, te emërtohen me lfarëdo emri tjetër, po jo me emrin shqiptarë, sepse këtë emër ai e do të pastër, të pa asnjë njollë. Dhe si kurorë e këtij ligjërimi të dhembshëm, por gjithnjë të kthjellët, është soneti i XIV, në të cilin poeti i thur një lavdi forcës së besimit të njeriut. Ai argumenton se “besimi i ngultë, forca e shkakut” i ka ndihmuar atij dhe disa të tjerëve që të mbijetojnë në ato kushte , për të cilat shkenca nuk ka përgjigje se si është e mundur të shpëtojë njeriu. Pas argumetnimit të shpëtimit me forcën e besimit në veten, Pipa shpalos besimin në atdheun, në të ardhmen e tij:

Se nuk dyshuem na kurr qi shpejt a vonë

Nga tyranija e randë atdheu do t’ shkundesh,

Dhe si nji perlë e nxjerrun thellë prej fundesh

Ma e bukur do t’ shkëlqente besa jonë.

Vuej por qëndro! Merr zemër te burrnija!

E vdis tue brohoritun: Rroftë Shqipnija!

Kështu, përmbledhja e fijeve kryesore të ideve poetike të kësaj kryevepre të Arshi Pipës, bëhet me poteza të shpejtë, në disa vargje gjithsej. Poeti thotë se nuk është dyshuar se tirania do të shkundej dhe se atdheu sërish do të dilte në dritën e lirisë, se besa për të qëndruar do të shkëlqente atëherë më shumë se kurrë, se vuatja duhej të mundej nga qëndresa dhe se forca e ka burimin te burrnija dhe mbi të gjitha, si një formulë e përjetshme poetike dhe atdhetare, njeriu shqiptar duhet të vdes duke brohoritur “ Rroftë Shqipnija”. Pra, një urim dhe një urdhër i përjetshëm i zemrës dhe shpirtit të çdo atdhetari të pamposhur.

Një botë e strukturuar

Soneti është një formë poetike e njohur për karakterin e vet lirik dhe për dominimin efekteve metrike e eufonike në varg. Në rastin e soneteve të Arshi Pipës, veçmas të ciklit “Kanali” dhe të varianteve të tij, ne ballafaqohemi me një fenomen interesant: soneti ka një fuqi të jashtëzakonshme të bartjes së informatës, të faktografisë dhe të narracionit. Poeti Arshi Pipa ka lënë dëshmi se vargun, në këtë kontekst edhe sonetin, e ka përdorur për arsye se zinte vend më pak dhe mund ta mbante mend më lehtë, përndryshe ai thotë se kësaj teme më shumë do t’i shkonte mbarështrimi në prozë. Por, me koncentrimin, talentin dhe dijen e tij, ai ka arritur që vargut të sonetit tçi ngarkojë një energji të jashtëzakonshme të informacionit, të faktografisë dhe të naracionit poetik, që besoj se rrallë mund të gjendet edhe një shembull tjetër në letërsi. Pipa ka adoptuar ritmin e vargut në narracionin që është më i afërt me prozën dhe ashtu krijuar një bashkëdyzim të jashtëzakonshëm artistik.

Duke qenë të krijuara në kujtesë, me synimin që të mbahen mend, këto sonete domosdo kanë përjetuar një seleksionim të fuqishëm në trurin e poetit dhe pasaj në gjuhë, në mënyrë që të krijohen vargje që mbahen mend më lehtë. Kjo do të thotë se vargjet i janë nënshtruar një procedure të shndërrimit të tyre në vargje sa më ekspresive, sa më shprehëse në planin semantik, sa më emocionale në planin leksikor dhe sa më informuese në planin e komunikimit.

Lexuesi i ciklit të soneteve “Kanali”, mund të mbledh informacion të madh për mekanizmin e diktaturës kundër të burgosurve, për mënyrën e punës dhe të torturave në ato burgje dhe kampe, për vuajtjet e njerëzve, për degradimin e një pjese të tyre dhe për madhështinë morale të disa të tjerëve, pa pasur as më të voglën vështirësi nga fakti se këtë rrëfim e shijon në vargje. Pipa ka arritur që të gjejë pikën e artë të ekuilibrit ndërmjet formës poetike, natyrës së vargut dhe potencialit të tij për të bartur narracionin poetik. Rrjedhimisht, ai ka inkuadruar në tekstin poetik më pak figuracion e më shumë informacion, më shumë fakte e më pak fiksion, më shumë biografi e më pak imagjinatë poetike.

Pipa ka gjetur zgjidhjen e artë ndërmjet ligjërimit të drejtpërdrejtë, leksikut adekuat që shpreh gjendje e situata të qarta, sintagmave mbresëlënëse, figuracionit që deshifrohet lehtë në kontekst të realitetit dhe përgjithësisht të vargut që është me shkallë të lartë të komunikativitetit. “ Zgjedhja nga ana e shkrimtarit, e zhanrit, stilit ose drejtimit artistik, gjithashtu është zgjedhje e gjuhës në të cilën ka synim të flet me lexuesin.”

Në rastin e ciklit “Kanali” të Pipës, sikundër është thënë më herët, zgjedhja është e imponuar nga faktorë të tjerë jashtë krijues. Pra, zgjedhja e vargut si zhanër dhe e sonetit si formë është bërë me motive praktike e jo vetëm artistike. Mirëpo, poeti Arshi Pipa e ka zotëruar këtë rrethanë të papërshtatshme, falë talentit të tij të jashtëzakonshëm. Ai ka arritur që në një zhanër joadekuat, sipas tij, megjithatë të realizojë konceptin e tij poetik dhe ta krijojë një vepër me ngarkesë të madhe semantike e artistike, duke e përdorur gjuhën me mjeshtri të rrallë. Sonetet e Arshi Pipës të ciklit “Kanali”, kanë thyer disa konvenca të ngulitura, lidhur me aftësinë e vargut në përgjithësi dhe të sonetit në velanti. Ato kanë dëshmuar se fuqia e vargut është shumë më e madhe nga sa perceptohet rëndom.

Një libër poetik si “Libri i Burgut” i Arshi Pipës dhe cikli “Kanali” brenda saj, i krijuar në rrethana aq të pazakonshme, ku jeta e autorit ishte e mbështjellë në mundimet e vuajtjet për të cilat rrëfen, dhe për më tepër, ku jeta e autorit ishte në rrezik, e ka më shumë se çdo vepër tjetër brenda vetes sistemin e shenjimit të asaj drame personale dhe të atij rreziku. Kjo është edhe më e qartë kur vetë autori thotë se i krijoi ato vargje për të lënë një dëshmi për tmerrin që përjetoi ai dhe shokët e tij nëpër kampet dhe burgjet e dikaturës komuniste. Rrjedhimisht, leksiku i poezisë së Pipës dhe veçanërisht i ciklit të soneteve “Kanali”, i cili është tematizim direkt i atyre vuajtjeve e i atij rreziku, buron nga realiteti jetësor e social, të cilin e aktualizon poetikisht. Në vargjet ku dëshmohet terrori dhe tortura, ku fiksohet vuajtja dhe shfarosja e njerëzve, është e pashmangshme një prezencë maksimale e fjalëve që shprehin më besnikërisht ato gjendje e ato situata ekstreme jetësore. Në këto vargje ka më pak figuracion, e më shumë të folur direkt, sepse intenca e autorit është që të dëshmojë. Prandaj, në vargjet e ciklit të soneteve “Kanali”, më së shumti frekuentojnë fjalët si: baraka, brraka, lluca, arna, patkonj, pleh, moçali, spitali, krrut, tabut, knetën, tuberkuloz, kërbisht, kamxhik, komanda, tel, handraku, xhiriza, kllasin, gajasin, lakajt, krymtë, Faraoni, Neroni, Moskova, hendekë, djerrë, lak, tmerri, Ferri, baltë, krraba, iriq, lakuriq, zhaba, dhuna, spijuna, majmuna, vejushë, kanalit, Dahau, vrau, dosa, Shqe, Serbën, skelet, torturë, mokën, skëterrë, etj. Këto fjalë dhe shumë të tjera, që më të shumtën janë vënë edhe në pozicion të rimave, për të marrë sa më shumë koncentrim kuptimor mbi vete, shprehin situata e gjendje konkrete jetësore e jo projeksione imagjinare poetike. Pra, krejt në pajtim me temën e ciklit të soneteve Kanali, këto fjalë shprehin gjendjen e rëndë, mjerimin dhe rrezikun që i kanoset autorit dhe njerëzve të tjerë si ai, me çka këto vargje bëhen jo vetëm dëshmi konkrete po edhe argument artistik i asaj vuajtjeje dhe i asaj mbijetese.Ndoshta rasti i Pipës mund të kuptohet më mirë brenda vlerësimit teorik se “ poeti më nuk na paraqet një botë të vlerësuar, po një botë të strukturuar. Në këtë kuptim poezia sot i afrohet shkencës, ndërsa ndahet nga magjia.” Poezia e Pipës vërtet paraqet një botë të strukturuar, shumë komplekse dhe mënyra si na e paraqet është më afër faktit, më afër dokumentaritetit, e pse jo edhe më afër shkencës. Pipa e ka pasuruar poezinë e vet edhe me një fjalorth, i cili i jep mundësi lexuesit që të plotësojë informacionin e vet me kuptimet e nuancuara të fjalëve. Poashtu Pipa ka lënë edhe shënime faktografike për rrethanat konkrete në të cilat është gjendur dhe të cilat kanë motivuar krijimin e poezisë së tij. Këto shënime janë dokumentare, me emra personash e me emra vendesh, me data e me fakte të tjera historike e politike. Të dyja këto anë të veprës së tij, pra fjalorthi dhe Shënimet, janë një kontribut i dobishëm për lexuesin që ta pasurojë shkallën e komunikimit dhe të përjetimit të kësaj vepre artistike.

Struktura metrike, rimat dhe

bartjet në ciklin “Kanali”

Sonetet e ciklit “Kanali” janë të krijuara në njëmbëdhjetërrokësh dhe në tërë shtrirjen e tyre e ruajnë si zotërues këtë metër, kejt në pajtim me natyrën klasike të sonetit. Duke pasur para sysh mënyrën e krijimit të tyre, është gati e pabesueshme se si ka arritur autori të ruajë atë saktësi metrike në vargjet e tij të këtij cikli. E drejta, Arshi Pipa ka një prirje të theksuar për vargun e lidhur, gjë që shihet gati në tërë veprën poetike të tij.

Për dallim nga shumë poetë të tjerë shqiptarë, të cilët për të arritur njëmbëdhjetërrokëshin, kanë përdorur dendurisht apostrofin, elizionin dhe procedura të tjera intervenimi në varg, Arshi Pipa, krejt natyrshëm e realizon njëmbëdhjetërrokëshin, madje me një elegancë të dukshme. Kombinimi i rrokjeve të theksuara dhe të patheksuara si dhe i theksave ritmikë në varg është elastikë, i lëvizshëm, në pajtim me natyrën e versifikacionit shqip. Duhet të thuhet se tërë procedurat krijuese të Pipës, pra edhe këto të nivelit metrik në sonetet e ciklit „Kanali“, janë në funksion të rritjes së fuqisë informuese të vargut, të komunikimit sa më të plotë dhe më emocional të informatës poetike. Por, edhe në situatat kur dominon ky koncepcion krijues, ruhet me sukses të madh autonomia e fjalëve në varg, përfshirë këtu edhe natyrën e theksave tonikë të tyre.

Njëmbëdhjetërrokshi i soneteve të Arshi Pipës tregohet i aftë që të bartë një ngarkesë të jashtëzakonshme kuptimore dhe poetike, si në shembujt më të spikatur të poezisë sonë kombëtare dhe të asaj botërore.

Sa i përket rimës, ajo edhe në sonetet e ciklit “Kanali”, është njëra nga nyjat ku lidhen kuptimet poetike dhe efektet eufonike e ritmike. Arshi Pipa e zotëron aftësinë e krijimit të rimave që të shprehin nuanca të ligjërimit poetik të tij dhe të mesazheve që i adreëson lexuesit. Është interesant se në sonetet e ciklit “Kanali”, Arshi Pipa krijon një model të kombinimit të rimave, i cili nuk është koncvencional. Natyrisht është fjala për kombinimet e rimave në katrena. Poeti Arshi Pipa, në shumicën e soneteve të ciklit Kanali, në katrena përdor skemën e rimave: abba/baab. Këtë skemë e përdor në njëzet sonete, ndërsa skemën: abba/abba në katër sonete. Prandaj, Arshi Pipa në fakt paraqitet si një risimtar në këtë plan, veçmas në kombinimin e rimave në katrena.

Kombinimi i rimave sipas skemës:abba/baab, në vargjet e Pipës krijon edhe një lidhje shtesë të rimave, me çka lidhjet tërësore eufonike dhe kuptimore të vargut bëhen më komplekse.

Sa u takon rimave në terceta, ato janë në kombinime të ndryshme:

ccd/eed ( në dhjetë sonete),

cdd/cee (në pesë sonete),

ccd/eed (në tri sonete),

cdd/cee (në dy sonete)

cdd/ece, cdc/ede, edc/cde, ced/eed (në nga një sonet).

Në pozicionin e fjalëve të rimuara më së shumti janë vënë fjalë që shprehin gjendje të njeriut dhe disponime të tij, në vorbullën e vuajtjeve e të torturave, nën të cilat gjendet, qoftë subjekti krijues, qoftë dhe personat e tjerë, bashkëvuajtësit e poetit. Pra, Arshi Pipa më së shumti i ka kushtuar vëmendjen e vet krijuese theksimit të gjendjeve e situatave në të cilat është gjendur ai dhe bashkëvuajtësit e tij, e më pak theksimit të emërtimeve. Si ilustrim mund të shihet soneti i parë i ciklit “Kanali” ( i cituar më herët), ku në pozicion rimash janë fjalët: shiu/shtroje/mbuloje/njeriu/ (gjak për) goje/ arxhiu/ i piu/ (Hin nji) roje/ (frin) biblibi/(pran) secili/ (me) fjetë/ (e fshan) baraka/ brraka/ (vorr i ) shkretë. Kështu, është tematizuar gjendja e mjerë e të burgosurve, të cilët i rrah shiu edhe në barrakë, ndërsa ata janë të sëmurë, ndokujt madje i rrjedh gjak për goje. Për më tepër, ata janë të uritur e të etur dhe zihen për një pikë ujë. Pastaj skicohet situata kur fillon dhuna e rojeve ndaj të burgosurve, më tutje gjendja e qetësisë së dhunshme dhe në fund një përgjasim i situatës me atë të një varri të shkretë. Pra, Arshi Pipa edhe në përdorimin e rimave dhe në komnbinimet e tyre, aspiron që të dëshmojë gjendjet dhe situatat dramatike të njeriut të goditur nga vuajtja e nga dhuna. Ky koncepcion krijues ndiqet edhe në rastet kur dominon rima-emër edhe në ato kur dominon rima-folje. Edhe nga kjo anë provohet uniteti i poezisë së Pipës, si një krijim që ka në themel informatën, komunikimin sa më të plotë dhe sa më dëshmues.

Bartjet janë në funksion të ruajtjes së rimës dhe të shtrirjes së ligjërimit poetik në një gjerësi më të madhe, kur këtë e kërkon nevoja e informatës poetike. Për ndryshim prej ndonjë autori tjetër, si Ndre Mjedja, ku bartjet janë procedura poetike që e pasurojnë kompleksitetin e shprehjes dhe të figuracionit poetik, në rastin e Pipës, ato janë vetëm domosdoshëmri, për ta realizuar komunikimin, pa e prishur konvencën e formës poetike. Bartjet gjithsesi fusin një dinamikë shtesë në ritmin e poezisë, duke bërë ndërrimin e skemave të theksave ritmikë në varg, duke e pasuruar nuancimin e poezisë me sintaksën poetike dhe duke i dhënë vargut ndiesinë e aktivizmit estetik.

Filed Under: Kulture

JOIN US FOR ALBANIAN HERITAGE NIGHT AT POLAR PARK!

July 26, 2024 by s p

Dear Parishioners and Friends of St. Mary’s,

We wish to announce to you the upcoming Albanian Heritage night at Polar Park which will take place Wednesday, July 31 beginning at 5:30pm. We understand that this announcement is somewhat short notice, but all the pieces just came together over the last week to make this happen. Please support this event and the Albanian culture and heritage by attending the game next Wednesday. We will also honor and recognize members of our community that evening.

We have set aside seating as we did last year so that our group can sit in the same location. Also, if you purchase your ticket HERE (https://fevo-enterprise.com/event/Stmarys2024) a portion of the proceeds will go to support St. Mary’s Albanian Orthodox Church. Please see the flyer below. PLEASE consider purchasing tickets and spending a night out at the ballpark with family and friends!! We look forward to seeing you next Wednesday. Spread the word!

The Albanian Festival Committee

Filed Under: Komunitet

NË 6 VJETORIN E NDARJES NGA JETA – PROZA E RIDIMENSIONIMIT INTELEKTUAL DHE KRIJUES E ADEM DEMAÇIT

July 26, 2024 by s p

Prof.Myrvete & Prof.Begzad Baliu/

Zbulimit i tekstit dhe konteksti i botimit të parë

Prej vitesh kemi dëgjuar për zbulimin e këtij dorëshkrimi nga hulumtuesi i përkushtuar i jetës dhe veprës së Adem Demaçit, z. Selatin Novosella dhe prej vitesh kemi pritur që ai të botohet jo si një vepër e zakonshme e tregut tonë të botimeve, po si një botim tekstologjik, i shoqëruar nga të gjithë përbërësit e një botimi të veprës monumentale të tij, të panjohur deri më tash. Kemi pritur që botimi të ketë një paraqitje të karakterit historik dhe rrethanave në të cilat është shkruar ajo, me dëshmi të drejtpërdrejta e të tërthorta dhe pjesë dokumentesh që kanë të bëjnë me sekuestrimin e veprës nga sigurimi jugosllav. Pastaj, të kemi një botim paralel të tekstit në dorëshkrim (fototip i tekstit të shkruar me stilolaps) dhe tekstit të radhitur, me një fjalorth të plotë shpjegimesh në fund të veprës dhe anëshkrime të tjera, anëshkrime në margjinë të botimit dhe sqarime për lexuesin e zakonshëm, me komente të nevojshme për lexuesin akademik etj.

Duke pritur botimin e këtij vëllimi, në të vërtetë kemi menduar se si zbuluesi i saj, këtë botim do t’ia besoj një institucioni shkencor, i cili do të investonte gjithë përvojën e sotme kombëtare e ndërkombëtare të botimeve tekstologjike e filologjike, sado për fatin tonë të keq, institucioneve tona ju mungon kjo përvojë, ndërsa filologëve tanë ju mungon kjo dëshmi, dhe për më keq, ju mungon ky vullnet.

Nuk është e rastit prandaj, pse ky botim i parë i romanit të Adem Demaçit, Drithë e miell bashkë, “i radhitur nga dorëshkrimi dhe i korrigjuar” nga dr. Shqiptar A. Demaçi, nuk e ka asnjërën prej kërkesave tona të theksuara më lart. Dhe i ka munguar kjo sepse librin e ka përgatitur dora akademike e skalpelit, po jo edhe e filologut.

‘Horizonti’ i pritjes

Kur kemi dëgjuar për zbulimin e dorëshkrimit të romanit të Adem Demaçit, Drithë e miell bashkë, na janë krijuar disa përfytyrime për këtë dorëshkrim, përkatësisht vëllimin e tij, disa ide për temën etnografike a politike të tij, dhe madje disa koncepte për strukturën moderne të përbërësve letrarë të tij.

Në të vërtetë, duke menduar për këtë dorëshkrim romanor, kishim parasysh faktin se Adem Demaçi para tij kishte shkruar tregime kryesisht të shkurtra dhe dy romane, njërin të botuar, Gjarpijt e gjakut, e tjetrin të sekuestruar nga policia serbe, S’ka paqe ndër kasolla, dhe këto përmasa do të duhej të kishte edhe ky roman i papërfunduar, në të vërtetë i prerë në mes nga sigurimi serb; duke menduar për temën etnografike, në të vërtetë antropologjike, sociale apo politike, kishim parasysh titullin e tij, Drithë e miell bashkë, dhe titullin e dramës së shkruar disa vjet më vonë në burg Pushka dhe politika (1969); dhe së fundi kemi menduar gjatë, si do të duket rrëfimi romanor dhe cila do të ishte poetika e këtij teksti, pas disa tregimeve e romaneve realiste e strukturës moderne, të tyre të shkruara apo të botuara në vitet ‘50.

Dhe, na vjen mirë që, thënë me konceptin e filologëve, këtë përbërës të tretë e kishim ubifikuar saktë. Madje, që në fillim mund të themi se romani i papërfunduar i Adem Demaçit, Drithë e miell bashkë, përfaqëson të gjithë përbërësit e poetikës së prozës së tij të shkruar deri atëherë, tregimeve dhe romaneve, përkatësisht romanit të botuar dhe romanit të sekuestruar të tij.

Pse mund të thuhet kështu?

Sepse, deri më tash kritika letrare e ka theksuar gjatë faktin që me veprën e tij letrare të periudhës së parë, Adem Demaçi ka dëshmuar për njohjen e thellë shpirtërore të popullit të tij, por nuk e ka theksuar faktin se Adem Demaçi në këtë kohë ka dëshmuar për njohjen e gjerë të letërsisë botërore, filozofisë së saj, teorisë së romanit, duke përfshirë këtu edhe diskutimin ndërmjet fenomenologjisë së Hegelit dhe teorisë së romanit historik të Lukaqit (Pol de Man, 1975: 115), si dhe temave të mëdha sociale e realiste të kësaj letërsie, që në këtë rast kurorëzohen jo vetëm me strukturën, motivin e temën po edhe me diskursin dhe gjuhën posaçërisht të pasur etnografike, e cila identifikon në këtë roman personazhet, jo vetëm në kontekst të prejardhjes etnografike dhe dialektore, sikur jemi mësuar t’i lexojmë në letrat shqipe, po edhe moshat, grupet sociale dhe madje gjinore, sikur mund t’i gjejmë për herë të parë në këtë vepër të letërsisë shqipe.

Tek jemi këtu, po e bëjmë një digresion. Na ka rënë të dëgjojmë shumë herë mendimet dhe diskutimet e Adem Demaçit për letërsinë, gjatë viteve kur ai ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës e ne anëtarë të kryesisë së saj, dhe na ka rënë të bisedojmë shumë herë e të marrim mendimet e tij për ligjëratat e profesorëve të njohur në Universitetin e Beogradit mbi letërsitë e mëdha nacionale po edhe shkrimtarë të veçantë të letërsisë së përbotshme. Po i theksojmë këtu dy vlerësime të tij: Adem Demaçi kujtonte me respekt ligjëratat për letërsinë gjermane e sidomos diskutimet për Gëten dhe Faustin e tij, dhe ishte i bindur, që atëherë, se ajo ishte letërsia më e madhe nacionale, në të cilën gërshetoheshin të gjitha dijet dhe të gjitha vlerat që ka krijuar njerëzimi, nga trashëgimia shpirtërore e letërsisë popullore deri te majat e filozofisë dhe estetikës të mendimit të përbotshëm; ndërsa shkrimtarin më të madh të të gjitha kohëve e konsideronte autorin e Vëllezërve Karamazov, Dostojevskin.

Identifikimi paravajtës i Rexhep Qosjes

Duke shkruar për tregimet dhe romanin e tij Gjarpijt e gjakut, Profesor Rexhep Qosja, vite më parë ka theksuar një përbërës shumë të rëndësishëm historiko-letrar dhe politik të kohës, tek tërhiqte vërejtjen se romani “është shkruar dhe është botuar në kohën kur në Shqipërinë shtetërore mbretëronte doktrina e realizmit socialist dhe kur në Kosovë mbretëronte konformizmi partiako-shtetëror jo vetëm në politikë, por edhe në krijimtari. Adem Demaçi edhe si intelektual edhe si krijues është mohues i realizmit socialist dhe i konformizmit partiak e pushtetor”. (Qosja, 2013: 438).

Në qoftë se në rastin e parë, këtë konstatim e thekson Profesor Qosja në kontekst të poetikës së tregimeve dhe romanit, në rastin e dytë, këtë e theksojnë, e identifikojnë dhe e konkretizojnë personazhet e njërit prej kapitujve të romanit Drithë e miell bashkë, derisa diskutojnë për letërsinë dhe stilet letrare të shkrimit të saj.

Le t’i referohemi përzgjedhjes paravajtëse të Rexhep Qosjes nga romani i Adem Demaçit Gjarpijt e gjakut, në kontekst të referencave deri më tash të panjohura të përzgjedhjes së Adem Demaçit nga romani i Azem Shkrelit Karvani i bardhë.

Profesor Rexhep Qosja: “… dëshmi e kësaj që thuhen janë edhe gjuha e stili i Adem Demës. Nuk është i madh numri i shkrimtarëve që në prozat e tyre mund të përdorin aq përpiktë, aq fuqishëm, aq figurshëm, stilistikisht aq ngjyrosshëm fjalën krijuese si Adem Dema në Gjarprinjtë e gjakut dhe jo vetëm në Gjarprinjtë e gjakut. Duhet të jesh i padenjë për fuqinë dhe bukurinë e gjuhës dhe të stilit në qoftë se nuk të bëjnë përshtypje përvetësuese fjalitë si këto, aq të shpeshta në Gjarprinjtë e gjakut.

Lexoni: 1. Dielli puthte horizontin e perëndimit dhe me predhat e veta të fundit të dritës gjuante majën e Maçekllavës. Shikoni çfarë shprehjeje!

Fjalia tjetër: 2. Hija qiti nasgjëshëm me dorë dhe ende pa zbrazur tymin e duhanit gapërroi sytë e kaltër matanë përroit të thatë.

Fjalia e tretë: 3. Do shtëllunga të bardha resh, thuajse zgërdhiheshin me diellin përcëllues.

Fjalia e katërt. 4. Mustafën e përpiu kureshtja, prandaj goja iu bë lutje. (Qosja, 2013: 438)

Adem Demaçi, përkatësisht personazhi a shkrimtari i ri, Hajriz Lulaku gjatë diskutimit për veprën e Azem Shkrelit thekson:

“Në bazë të Karavanit të Bardhë, gjuha e Azem Shkrelit âsht mjaft e lavrueme, fjalit i ka shume elastike, funkcionale dhe plot kuptim. Qe nji shembull kësisoji:

“Kur flitte Dyli, flitte lahuta, dhe ec e lueja, i ngulej guri punës”. (Demaçi, 2020: 91)

(…)

Qe edhe një fjali lakonike e Azemit: “Urtija e t’urtëve âsht kjo: Mos dil i pari se e nxen të keqen. As i fundit mos rri se të nxen ajo ty”. (Demaçi, 2020: 92)

(…)

– A po na kuptoni tash? Neser keni me i kuptue të gjitha, mos u ngutni. Shteti i jep tapit, por vet nuk ka kurr tapi…”. (Demaçi, 2020: 92)

Në të vërtetë, kulturën e gjerë të tij, filozofinë e tij, njohjet teoriko-letrare të tij, më parë se sa në veprat e mëparshme do të vihen re në romanin Drithë e miell bashkë, në të cilin personazhet e tij maturantë, do të diskutojnë duke identifikuar a komentuar filozofë, ekonomistë, teoricienë e historianë të letërsisë, shumë me ndikim në kampin komunist të kohës, si dhe duke i pranuar a kundërshtuar mendimet e tyre mbi çështje të filozofisë, sociologjisë, letërsisë e kulturës përgjithësisht.

“…mandej dikush tha: Mos më tregoni ju mua se çka mendon Dobrolubovi, Bijelinski, Çernishevski, Meringu, Timofijevi, Ipolit Teni ose dikush tjetër, por ju çka mendoni vetë…” (Demaçi, 2020: 22), – i pyet profesori nxënësit e tij.

Prirjet intelektuale e politike dhe kundërshtimi i realizmit socialist

Romani i Adem Demaçit Drithë e miell bashkë, është vepër e dialogut dhe komunikimit mbi aspekte të ndryshme të jetës, kuptimit dhe vlerave më të rëndësishme materiale e shpirtërore të saj. Subjekti përqendrohet në historinë e familjes Lulaku, të parë në tri rrafshe, por boshtin kryesor të këtyre zhvillimeve e përbënë jeta e një klase maturantësh.

Maturantë e kësaj klase me emra dhe pseudonime të ndryshme diskutojnë për Çernishevskin dhe Dobrolubovin, të cilët Marksi dhe Englesi i quanin “Lesingë socialistë, që kritikoheshin nga Bakunini dhe studentë të papjekur, me fraza bombastike”. (Marks-Engels, 1976: 388). A nuk kishte në klasën e profesorit të gjuhës Feriz Teja, disa nxënës të cilët e kritikonin ashpërsisht dramën e Hajriz Lulakut, ‘duke u fry si bretkosa’ (tamam si studentët e Bakuninit), dhe që me fraza etnografike, shumë herë, kritikonin e gllabëronin njëri-tjetrin.

Maturantët e kësaj klase, në romanin e Adem Demaçit, flasin për Çernishevskin, që Marksi e konsideronte “dijetar i madh rus”, i cili në artikujt e tij kishte studiuar çështjen nëse duhet të fillojë Rusia shkatërrimin e komunës fshatare për të kaluar në rendin kapitalist,…” (Po aty., 389-390). A nuk ishte koha kur në ish-Jugosllavi, pas vitit 1958, diskutohej për ndryshimet ekonomike dhe shoqërore, ndërsa prej këtyre ndryshimeve, të cilat do të ndodhin pas vitit 1966, varej shumë fati i zhvillimit politik dhe ekonomik të Kosovës dhe perspektiva shoqërore e popullit shqiptar.

Në klasën e tyre, maturantët diskutojnë edhe për Timofejevin, i cili në Këshillimin e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, më 28 shtator 1946, ishte vlerësuar si një nga personalitetet më me ndikim jo vetëm në letërsi po edhe në publicistikë, sepse thuhej në orientimet e këtij këshillimi: “njeriu i ri i shoqërisë socialiste paraqitet para se gjithash si luftëtar, si krijues i një bote të re”. (R. Petkoviq, 1986:20-30).

Ata diskutojnë në të vërtetë për Çernishevskin, Dobrolubovin dhe Timofejevin, tre prej teoricienëve më me ndikim në literaturën e realizmit socialist në Rusi, të cilët ishin bërë personalitete të obligueshme referimi, ndërsa vepra e tyre metodë teoriko-letrare për një kohë të shkurtër në ish Jugosllavi (1945-1952), si dhe në Shqipëri, fatkeqësisht, për një kohë shumë më të gjatë (1945-1990).

Maturantë e kësaj klase flasin me mjaft kompetencë për Franc Merningun (1846-1919), një nga filozofët me dije të jashtëzakonshme poliedrike dhe stil të jashtëzakonshëm komunikimi, i cili luftoi për humanizmin si koncept në radhë të parë, edhe atëherë kur qëndroi brenda grupeve socialiste e socialdemokrate, edhe atëherë kur u bë pjesë e grupeve marksiste, gjatë periudhës më të madhe të angazhimeve të tij.

Maturantët e këtij romani diskutojnë edhe për një nga studiuesit më me ndikim në studimet historiko-letrare, francezin Ipolit Ten (1828-1893), themeluesin e historicizmit në letërsi, sikur diskutojnë edhe për ‘formën’ dhe ‘përmbajtjen’ në poezinë e Migjenit dhe të Lasgush Poradecit.

Nëse, në rastin e parë, arsimtari i gjuhës shqipe kërkon që në hartimin e tyre nxënësit të mos shkruajnë çfarë kanë thënë teoricienët e lartpërmendur, në rastin e dytë kërkesat e tij zgjerohen edhe me emrin e Aristotelit, Zhan Pol Sartrit dhe Mitrush Kutelit (34). A nuk mjafton kjo për të kuptuar se Adem Demaçi në këtë kohë, jo vetëm e njihte filozofinë, teoritë letrare dhe kritikën, po edhe i kundërshtonte ato duke i diskutuar mendimet e bardëve të tyre, duke përfshirë këtu madje edhe konceptet e Maksim Gorkit dhe sikur e thekson “të ashtuquajturën letërsi të realizmit socialist”(45). Ata diskutojnë e flasin për zhdanovizmin në Rusi dhe e kundërshtojnë atë në kontekst të zhvillimeve që lidheshin me shkrimtarin Pasternak, duke mbrojtur njëkohësisht filozofinë e ligjshmërisë së kundërthënieve, kudo dhe në cilin do prej sistemeve shoqërore, në të cilat jetohet.

Dialektika hegeliane dhe filozofia e refuzimit

Në këtë kontekst, personazhet e romanit të Adem Demaçit Drithë e miell bashkë, diskutojnë gjerë e gjatë për ligjet e dialektikës, si koncepte shoqërore, filozofike dhe madje ndikimin e tyre në letërsi. Ata flasin për dialektiken dhe ligjësitë e saj si shkathtësi, si zbulim dhe madje si zgjidhje e kundërthënieve të tyre të brendshme; ata diskutojnë për ligjet e dialektikës si kusht i argumentimit të koncepteve të tyre për zhvillimin e mendimit shoqëror, teoriko-letrar dhe kulturor. Dialogët e tyre të kujtojnë Sokratin e lashtësisë dhe Didëron e modernitetit; Platonin e përkushtuar ndaj sintezave e koncepteve të mëdha të lidhura ngushtë me vërtetimin dhe zgjidhjen e kundërthënieve; Kantin dhe konceptet e tij mbi kritikën e arsyes dhe mendjes; dialektikanin më të shquar të mendimit botëror, Hegelin dhe koncepteve të tij për dialektikën si rrugë e kundërthënshme e zhvillimit progresiv të idesë absolute dhe e formave të tjetërsimit të saj. Në të vërtetë, me gjuhën e tyre, kryesisht etnografike ata dialogojnë, diskutojnë, komunikojnë dhe madje polemizojnë, sikur të ishin bashkuar filozofët themelues të saj: Zenoni, Herakliti, Sokrati, Platoni e kundërshtarët e tij, dhe sikur të ishin bashkuar në diskutim filozofët e kohës së re: Dëni Didro, Kanti, Fihte, Hegeli etj.

Le t’i kthehemi edhe njëherë Profesor Qosjes dhe diskutimit të tij mbi realizmin socialist, si doktrinë politike dhe letrare-artistike, në të vërtetë kundërartistike në Shqipëri dhe konformizmit partiako-shtetëror në krijimtarinë letrare në Kosovë. Kjo çështje është e pranishme edhe në këtë roman, tani jo si koncept teoriko-letar po si pasuri tematike dhe si një realitet historik e artistik, tek sa maturantët dhe mësuesi i tyre lexojnë shembuj të romanit të Azem Shkrelit Karvani i bardhë dhe diskutojnë pasurinë gjuhësore, duke vënë theksin vetëm në diskursin etno-filozofik të komunikimit, por duke e ‘djegur’ pjesën tjerë, pikërisht ashtu sikur digjet duhani, të cilin ‘njerëzit e pinë për çejfi, edhe pse ka pasoja të mëdha për shëndetin e tyre’.

Citojmë:

– Po ti, shoqo, a vetëm margaritarët e prozës së Shkrelit na i paske mbledhë? Nuk pat n’at prozë edhe shibla, mushla e kërçabla?

– Sita ime nuk zuni kurrfarë shiblash.

– E paske sitë n’atë t’kollomojten, por nejse…

(…)

Po, shok profesor, tash mbasi ra zilja po ju pyes se çka mendoni për duhanin? – Pyeti ‘Pula’. (Demaçi, 2020: 93).

A nuk janë këta shembuj të mjaftueshëm, për të dëshmuar qëndrimin e Adem Demaçit përball realizimit socialist, theksuar më parë nga Profesor Qosja dhe tani të artikuluar në romanin e tij të lënë në dorëshkrim.

Struktura e veprës: nga novela te romani i papërfunduar

Romani Drithë e miell bashkë përfaqëson një frymë të re shkrimi në letërsinë shqipe të atyre viteve, madje jo vetëm në Kosovë, sado si strukturë e rrëfimit romanor duket shumë më i thjesht se sa romanet që botoheshin nga shkrimtarët shqiptarë me një përvojë të gjatë shkrimi, madje që në vitet ’30. Struktura e romanit sado lineare në pamje të parë, zhvillohet në tri rrafshe të rrëfimit – si strukturë e brendshme e poetikës së tij. Për gjykimin tonë, atë e përbëjnë tri pjesë, tri aktet e një drame familjare, tri situata të një sage, të njohura gjerësisht në letërsinë europiane, njohje të cilën autori padyshim e kishte nxënë gjatë studimeve për letërsinë botërore.

Në shikim të parë, ky roman është një Sagë familjare, që hapet me përditshmërinë në Familjen e Rrahman Lulakut. Më tej, si në sfond, jo shumë të dukshëm rishfaqet kjo Sagë, tash me dimensione të brendshme shpirtërore, në tekstin dramatik Tregtari i kafshatave të dreqit, të të birit Hajriz Lulakut, përkatësisht shfaqjen e tij në shkollë, e cila shpreh njëkohësisht dramën e madhe të familjes shqiptare. Dhe së fundi, ajo ridimensionohet, si rrafsh i tretë, në ‘prozën familjare’ të Hajriz Lulakut, që në të vërtetë përfaqëson një nga faqet e para (të filluara, po jo edhe të përfunduara të saj) në letërsinë shqipe. Megjithëse, romani nuk është e thënë të përfundojë në këtë mënyrë, ne mendojmë se kapitulli i leximit dhe i interpretimit të tekstit dramatik të Hajrizit dhe diskutimi mbi përbërësit letrarë, tematikë dhe madje estetikë të tij, përbën njëkohësisht edhe fundin e variantit të parë në përmasa të një novele, duke plotësuar kështu jo vetëm “egon” e kolegëve të tij të klasës, po edhe premtimin e arsimtarit të gjuhës shqipe, Feriz Teja, se “kjo klasë doemos do ta nxjerrë një a dy shkrimtarë”. Si strukturë e tekstit, ndërkaq, kjo vepër merr përmasat e një romani, për faktin se hapet edhe rrafshi i tretë, me leximin e prozës familjare të Hajriz Lulakut, e cila nuk përfundon së shkruari nga autori, përkatësisht mbetet në fillimet e saj, sepse me arrestimin e Adem Demaçit, i merret edhe fletorja ku po e shkruante romanin e tij.

Gjuha etnografike si bazë e ndërtimit të dialogut dhe strukturës së romanit

Gjuha, në të vërtetë pasuria gjuhësore, leksikore dhe frazeologjike, si dhe dialogu, përkatësisht diskursi i komunikimit romanor, janë disa prej përbërësve më të rëndësishëm të kësaj proze. Dhe jo vetëm kaq.

Në radhë të parë, do theksuar këtu, diskutimi i personazheve për vetë gjuhën shqipe, parë në kontekstin e drejtshkrimit të saj, stilit të ligjërimit, logjikës së përkthimit etj. Në një kohë, që prej një dekade po diskutohej në Shqipëri e në Kosovë mbi shqipen standarde, përkatësisht drejtshkrimin e saj, arsimtari i gjuhës shqipe në romanin e Adem Demaçit, shënon në tabelë temën Bisedë mbi frymën e gjuhës shqipe, dhe hap disa çështje, për të cilat bardët e rregullave të drejtshkrimit të shqipes standarde do të diskutojnë dyzet vjet pas Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972), sikur është drejtshkrimi i emrit Vashington në vend të trajtës Uashington, apo Evropë në vend të Europë, për të cilin, njëri prej personazheve shprehet: “Përveç, ndikimit të serbokroatishtes, prej kah përkthehen artikujt, nuk ma merr mendja se ekziston ndonjë arsye tjetër…” (77).

Bisedat në këtë tekst letrar marrin kahje nga më të ndryshmet, mbi mundësinë e shqiptimit në origjinal të emrave të huaj; mbi traditën standardizimit të gjuhëve të popujve të mëdhenj dhe shembullin e gjermanëve; mbi stilet e përkthimit të frazeologjisë dhe pamundësisë së përkthimit fjalë për fjalë etj. Bisedat, si edhe në raste të tjera, përfundojnë jo edhe pa simbolikën e tyre. Premtimi i arsimtarit se do të lexojmë fragmente të romanit të Azem Shkrelit nga romani Karvani i bardhë, shkruar në gegërisht, përfundon me leximin e një fragmenti të prozës së Vedat Kokonës, shkruar në toskërisht.

Në radhë të dytë, dalin me interes pseudonimet e personazheve: ‘Pasqyli‘, ‘Sheqeri‘, ‘Mamamushi‘, ‘Etna‘, ‘Pula‘, ‘Katili‘, ‘Cufi‘, ‘Zhani‘, ‘Rrebeli‘, ‘Strajca‘, ‘Xhezi‘, të cilët as me pamjen e tyre, as me sjelljen e tyre, as me komunikimin e tyre, madje as me idetë a konceptet e tyre filozofike nuk ju përgjigjen pseudonimeve të tyre. Pra, pseudonimet e tyre nuk përfaqësojnë karakterin e tyre, sikur i gjejmë zakonisht në letrat shqipe të kësaj periudhe.

Në radhë të tretë, do theksuar, në mënyrë të veçantë, leksiku, frazeologjia e pasur, përkatësisht rrëfimi a diskursi shumëplanësh i komunikimit, i ndërtuar mbi këto veçanti. Prej kësaj proze romanore, jo shumë të gjatë, mund të bëhen analiza të jashtëzakonshme gjuhësore, në rrafshin leksikor, dialektor, frazeologjik, stilistik dhe sociolinguistik e etno-linguistik. Le të sjellim këtu disa shembuj të leksikut a frazave dialektore shqipe, fjalëve e shprehjeve orientale e sllave në kontekst të stilit të ligjërimit: rrëmoqe, cegmim, u bëftë deti kos, fjalë të buta, ia binte diellin mbi krye, shiqim i mefshtë, çantë e lëkuçme, përskithje, djalosh hollak, kakalana, djalosh vishkullor, rrum, i mërdhezun si lafsha e gjelit, tferrim, bylyk notash, topërllamë, pykë, shamak, u ba tym, shtrij kamët sa e ke plafin, abej, bac, mutfak, lefterica e shehrit, llullaxhitë e shehrit, m’i marrsh pleshtat, oj banxha e thiut, pasha katër qitapet, kanxhallozi thiut, govençka e thiut, na i marr t’ligat, shahpërpjetja, faqet e galme, dallpallja, qelpazja, ai që s’e ngon nanen e ngon njerkën, u flug, mprimje, tu rrit mendja, bleni i flokëve, okrugllo pa na çoshku – po ç’po sillet rrethit të laknorit, me çue në pyka, edhe në mulli ka ni rend, kult liçnosti etj. Edhe sot është vështirë të gjejmë vepra të kësaj dendurie filozofike, ligjërimore e stilistike, si dhe të këtyre përmasave gjuhësore në letrat shqipe.

Personazhet, qytetarë të moshuar të gjinisë mashkullore, kryesisht të ardhur nga fshati, po edhe qytetarë të tjerë, shquhen për përdorimin e gjuhës etno-linguistike, përkatësisht togfjalëshave dhe frazeologjisë kombëtare; gratë flasin me fjalë e leksik të përmbytur oriental, ndërsa prej gjuhës së tyre mund të flitet edhe për të folmet gjinore; brezi i ri në shkollë identifikohet edhe për funksionalizimin e fjalëve dhe shprehje serbe, ndërsa gjuha e narratorit sjell jo vetëm leksik të pasur e togfjalësha të nxënë nga letërsia shqipe e viteve ’30 (kryesisht nga proza e Ernest Koliqit), po edhe fjalë të reja, terma letrare e filozofike, shprehje sociale e nocione konceptuale, të cilat letrave shqipe, në të vërtetë, letërsisë, kritikës, socilologjisë së kulturë dhe antropologjisë do t’i mungojnë deri në vitet ’70, kur nocionet, termat, konceptet dhe diskutimet e tilla bëhen objekt të eseve dhe trajtesave kryesisht të Profesor Qosjes. Në të vërtetë, narratori flet për snobizimin, për modën, për dogmatizmin dhe dukuri të tjera shoqërore, kulturore, letrare e estetike, në përmasat që vetëm në vitet ’70 do t’i diskutojë gjerësisht, përmbajtësisht dhe në kontekstin socio-kulturor para se gjithash Profesor Qosja. (Me onomastikën dhe leksikun, përkatësisht gjuhën e këtij romani do të merrem në një sprovë tjetër).

Dorëshkrimi si bazë e një ridimensionimi intelektual

Me këtë vepër, megjithëse të papërfunduar, në të vërtetë të prerë në mes nga sigurimi jugosllav, biografia e Adem Demaçit, e periudhës së parë të jetës së tij, merr dimensione të reja, për të mos thënë ridimensionohet në shumë drejtime: politike e intelektuale, teorike, krijuese, letrare e estetike, filozofike, konceptuale e perceptuese. Kjo vepër, si e tillë, sjell pamje të re në jetën dhe veprën e tij, në të vërtetë, në bëmat dhe përvojën e tij jetësore e letrare. Kjo vepër, njëkohësisht, përplotëson letërsinë shqipe, madje jo vetëm të kësaj periudhe.

(Tekst i përgatitur për tryezën kushtuar dy vjetorit të vdekjes së Adem Demaçit)

Adem Demaçi, Drithë e miell bashkë (1962), Prishtinë, NGB Grafoprint, 2020, f. 153.

Filed Under: Politike

MARTIN CAMAJ: RRËFEN

July 26, 2024 by s p

Duke u marrë me disa studime të botuara për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, te revista famëmadhe “Shejzat” e vitit 1968 (vjeti XII, nr. 7-12 Korrik- Dhetuer) lexova një tregim të Martin Camajt f. 331-339, në të cilin autori shkruan me një gjuhë të pasur, të saktë dhe shumë të ëmbël, duke ruajtur muzikalitetin e dialektit verior, për një ngjarje shumë interesante, të cilën e kisha dëgjuar në Malësi të Gjakovës, në vitet e ’70 të shekullit të kaluar, në “Odat e burrave”, si një ndodhi të vërtet. Nuk e di, nëse autori Martin Camaj, e ka dëgjuar të njëjtin variant, në Malësi të Gajkovës, apo ka marrë ndonjë motërzim diku tjetër? Porosia që Camaj sjell te lexuesi i tij, si në atë kohë ashtu edhe sot, është mjaft domethënëse, përmbajtësore e aktuale, duke rikujtuar virtytet e larta së bashku me traditën shqiptare që nuk u zbeh në shekuj. Lexuesi i nderuar i “Dielli-t”, shpresoj të përjetoi nga afër tërë “dramacitetin” e rrëfimit, fjalorin e rrallë, me fjalë e shprehje bukura, që Martin Camaj i përdor me mjeshtri, duke mbajtur në tension, emocionet dhe ndjenjat gjatë leximit, që të vjen keq, që përfundoi shumë shpejt. (Ne nuk kemi bërë asnjë ndërhyrje gjuhësore, drejtëshkrimore apo tjetër, nga teskti i botuar nga vetë Camaj, por kemi ruajtur me besnikëri origjinalitetit e autorit duke respektuar të gjitha format e të shprehurit të kohës së botimit të parë).

Përgatiti për botim

Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies

Budapest

*************

BESTYTNIA

Nga Martin CAMAJ

Kishte mbetë e vetmueme dardha në atë vetull mali, me krahë të thatë pos njenit ndër ta, në të cilin vareshin disa fletë gjethi të zbehtë si leskra dylli dhe dy tri kokrra fryti të vogla në dedé me ra poshtë për çdo frymjeje ere. Dardha dikur e trashë sa dy mjeta burri âsht tash e shpartallueme në njenën anë të trupit, kështu që i âsht hapë zguri prej rranjeve deri te grykca si të kishte dalë nga toka zjarmi dhe përpî krejt zemrën. Ky zgur ta shkon mallin e nji sheke së qitun batall e hjedhë nën oborr që të kalbet vetvetiu ndër hidha e lorinishta. Të epte përshtypjen e nji sheke, pra, që dikur bante cik e djathë të pamazitun. Ajo ashtu e thatë nuk i hyn në punë askuj mâ. Kështu e mërgueme prej jetës vegjetale e lanë ende, si për ndëshkim, atje në kambë të luftojë me erna ngjante si nji surrat, diçka orgurzeze. Mbi tê ulej me andje asgjamangut ndonji sorrë e vetmueme, edhe ajo ogurzezë, e shpulishej ase rrinte pa lëvizë si të ishte pjesë e dardhës.

Nji grue veshë me tesha të zeza duel nji paradite atje në atë sukë dhe e vrejti dardhën e vjetër me dhimbje. Ka njerëz që u pëlqejnë sendet e vjetra sepse nëpërmjet atyne sendeve kthejnë në të kaluemen sepse me të tashmen nuk janë të kënaqun. Edhe Zoga kishte mbetë me zemër në të kaluemen dhe kishte frigë se në të parin dimën e para erë e fortë do ta thente dhe do ta plandoste currave teposhtë. Atëherë sukës ka me i mungue diçka dhe ka me mbetë e vetmueme si sot dardha pa gjethin e kokrrat e dikurshme, që kur piqeshin, mirrshin ngjyrën e qelibarit. Atëherë fëmija e fëqinjve vishin zdathë në ndonji zheg dite dhe si cuba pa bâ zhurmë kapeshin për trup të saj dhe mbasi kishin mbushë gjijt me fryte, ikshin pa i pasë diktue kush. Kjo dardhë ishte e Kolë Çukut, që e kishte shtëpinë aty mbas asaj vetull mali, në streherë. Vetëm kur gjeshin për tokë rrembat e thyem, u kujtoshin të Kolë Çukut se dikush i huej kishte hypë në tê e marrë kokrrat e pjekuna, por kur ata ngritshin sytë nalt e vreshin se kishin mbetë mjaft tjera, atëherë thoshin: ”S’ka gjâ! Le të hajë njerëzia në tê!”. Të zotët e dardhës mandej kishin frigë të presin ndokend në tê, sepse të parët e kishin lanë me fjalë : “Mos të pritet kush në atë pemë! Ajo âsht jashtë dore, në shmang, larg pasunisë dhe plangut. Çdo shtegtar, kur ka për të ngjomë gojën me kokrrat e saja, ka për t’i urue dritë e diell asaj dorë që e ka vu në këtë vend!”.

Në ato kohna, mbasditeve të pranverës, ndonji nuse e shtëpisë Çukut ulej nën hijen e saj, hapte bezet e prume prej Shkodre dhe i prente për këmisha. Ajo vetull mali përballë bjeshëve, lugjeve e shpatijeve, dardha me giethe të shëndetshme dhe nusja me bezen e bardhë nën hije ishte nji lule mes qinda majesh e sukash, që njena mbas tjetrës varg humbshin në krahun e lindjes në pakuft. Këta janë momentët /331/ mâ te bukur të dardhës dhe atëherë s’i shkonte kuj nëpër mend se nji ditë do ta quente ndokush ogurzezë. Mandej vishin stinët e shinave dhe ngrija e shpejtë në vjeshtën e vonë. Ajo lëshonte gjethet e mbetej picak. Lagshtina i hynte për pale, nësa era i thente krahëte rij. Sigurisht në nji ndër asi momentësh, kur i pari cirk uji depërtoi thellë në zgurin e saj, dardha do té ketë nemë. Dhe njerëzit e ndien ogurin e zi atë vjet kur nisi të rrallonte frytet, të cilat piqeshin parakohe prej krymbave né zemrën e tyne. Atëherë dhe fëmija u ndanë prej saj e asnji udhëtar nuk e uroi mâ, mun ndonji tue pasë kafshue kokrrën e parë, prej së cilës duel krymbi i çamë për gjymës, e nemi me gjithë zemër. Stinë mhas stine, nemë mbas neme iu dha kështu dardhës në atë vetull mali me të vertetë e mbrapshta!

Grueja âsht e shoqja e Kolë Çukut, me të cilin âsht martue para tri vjetësh dhe quhet Zogë. Kola e pati njofi rastësisht para shumë kohe, si vajzët mjerisht, të fejueme. Thonë se ai ka shtjerrë shumë këpucë mbas saj, por ajo nuk e përfilli as si vajzë, as kur u martue. Zoga ishte e hollë dhe e gjatë, me nji qindrim të egër dhe me shikim të sigurtë. Bukurinë ia miratoshin dhe gratë, gjâ e rrallë kjo, së pakut ndër gratë e malit. Në të vertetë ndoshta e levdoshin vetëm pse Zoga nuk përfillte asnji burrë të tyne dhe pse ishte kryenaltë prej natyre. Gojtare, skishte burrë që e munte me arsye: edhe kjo cilësi u pëlqente shoqeve të saja.

Burrin e parë Zogës ia vranë për gjak dhe mbeti vejë. Mbasi s’kishte pasë fëmijë, Kolë Çuku e martoi mbrenda nji vjeti. A ishte e lumtun Zoga me burrin e dytë? mund të pyetet tash mbasi jemi tue u marrë me historinë e saj. Si tregojnë duhet të jetë qenë e lumtun me Kolën mbasi nuk mund të jetonte as nji javë pa tê, prandej edhe ndër vera, kur të gjitha gratë e shtëpisë së madhe që gjindet në streherë mbas asaj vetull mali, ku ishte dardha, ngjiteshin në bjeshkë me tufat e gjasë së gjallë, Zoga rrinte në vërri me të shoqin. Nga ana tjeter ajo ishte nji grue me shumë fëtyra sikurse do ta tregojë dhe ngjarja mbi tê dhe gjithë çka flitet prej banorëvet të malit që e patën njoftë. Prandej për sqarimin e fëtyrave të shumta të Zogës duhet të mbështetemi dhe në tregimet e tjerëve edhe pse mund të na çojnë në trillime të pathemelta.

Në atë kand të tretun të malësisë, duhet ditë se dhe ngjarjet mâ të thjeshta mund të marrin nji ngjyrë legjende, papritmas, sepse atje jetojnë ende njerëz që u kanda të të besojnë në orë e zana, që drejtokan fuqitë e mëshefta të natyrës. Mun atje gjinden mâ shumë se kudo ngjeti dhe asish që besojnë me ngulm në trillimin e mendes së vet, prandej me lehtësi bâjnë që këto trillime të besohen dhe prej tjerëve. Pra, ngjarjet atje janë motive, mbi të cilat thuren imtësina të panjehuna që mund të krahasohen me bulët e bimëve në pranverën e parë, të cilat mandej zhbërthejnë në fletë e fije të shumfillta. Brijat e thata të malit me nji blerim kaq të bujshëm njomen e zbukurohen. Kështu dhe bota e njeriut të malit pasunohetme ato trillime të mbështetuna mbi ngjarje të verteta dhe mbasi jeta dhe atje âsht e pajisun me anë të mira e të këqia edhe ngjarjet e mira ase të këqia tiren tortë në drejtime të ndryshme. /332/

Edhe zhdukja e Zogës pati atë fat të çdo vdekje të jashtazakonshme tue kalue gojë në gojë. Mernje me mend se ç’tollovi mendimeshe ndienjash kurse çdo gojë thonte: “Ashtu âsht, por jo krejt ashtu!”.Tue qenë krejt i bindun se tregimi im âsht mâ i afërti me të vertetën, e kam vendosë ta paraqes kështu si vijon me shkrim.

Në luftën e parë botnore kishte ra kolera në malësi. Pjesa mâ e madhe e arave nuk u mbuell atë vjet, prandej zia filloi shumë heret, pikrisht në të hymit e korrikut në kohën e grunit e të theknës. Shtëpia e Çukut kishte mbjellë arat me kohë dhe në thellsinë e ahrit ishin tri sheka plot e përplot me drithë të shimë, gadi për mulli. Kolë Çuku javë për javë bluente katër pesë shosha drithë dhe iau niste njerëzvcttë vet për në bjeshkë, ku ata ruejshin bagëtitë e korrshin sanë për dimën. Zoga i ndihmonte rreth punëve të vërrinit, në ujitjen e kollomboqit, në ruejtjen e bletëvet, që lëshoshin pa prâ çdo ditë nga nji, në mbledhjen e zogjve të pulave në mbramje.

— More Kolët — i tha Zoga njiherë nësa ngranshin darkë — kolera âsht tue bâ dame të mëdha në fis!

— Në dashtë Zoti me ra nji shi! A e din si kishte me u shkri kjo lëgatë? Si nji grusht krypë në ujë.

E shoqja heshtoi. Ne nesre nësa hashin prap darkë, si në vijim të bisedës së mbramjes së kalueme, tha Zoga:

— Në katër anët kam ndigjue sot gjamë burrash. Në jeté teme nuk e mbaj në mend se kam ndigjue kaq shumë gjamë të vdekunsh!

— Ku i ke ndigjue?

— Kur dal te dardha, mbas kapërcyellit në kohën e vapës së ditës.

— Pse del te dardha?

— Del njeri me pa dhen. Këtu në këtë lug âsht si me kenë njeri në fund të nji gavixhit, i damë prej botës.

— Në këtë kohë ndoshta âsht mâ mirë kështu.

Mandej tue ndjekë fillin e mendimeve të veta Kola vijoi:

— Lëgata s’ka si me ardhë këndej, megjithëse ajo âsht frymë: del prejngojës së njirit dhe ec e ec dhe era e shpërdan. Dje ishem tue fjetë në zheg të ditës nën hardhin e mendoshem: s’ka si me ardhë lëgata kur je i shtrimë për tokë pse era prek vetëm majet e gjethëve ndër disa. Nji pemë, e cila s’ka gjethe si dardha mbas kapërcyellit bie vetëm ogur të zi.

— E ke kaq frigë légatën?

— Kola heshtoi.

— Çudi, more burrë, unë nuk ia kam drojen. Mue më vjen keq qi jemi të damë prej dheut e për atë punë dal për ditë mbas kapërcyellit e shikoj dhen për së gjanit e për së gjatit. Me bâ e me më lanë ti, kishem me u turrë vrap e me hi në të parën shpi, ku ka ra kolera e me u ndimue tjerve.

— S’kishe se çka me bâ. Me i shëndoshë nuk kishe, po ta siguroj. Këtu ndimon vetën shiu… ase kur bie në nji shpi… zjarmi.

— S pakut me u bajtë ujë, ujë të ftoftë kronit qi të shuejn etjen. /333/

— Uji i ftoftë u bân keq. Ti kishe me i mbytë ashtu! Mue me vjen mire qi plangu ynë âsht disi në shmang.

— Ne gratë jemi ndryshej. Ti e di se kam pasë nji fëmij kur kjeshë martue së parit, e më vdiq mbas tre muejsh. S’mujshem me fjetë natë as ditë pse më dhembte gjitë. S’më del mendsh ajo punë: ishim në bjeshkë tue korrë bar e mue më çuen për ujë te nji krue qi ishte në rrugë të madhe. Pranë kronit më ra në sy nji fëmijë në djep. Me bie në mend si sot: iu avit e e ama me i dhanë gji të shterrun si zhangë. Ishem tepër e re e e fuqishme atëherë. E s’di si m’u dha, por ta kam kapë nanën-shkretën e si kurgjâ send e kam largue prej djepit e jam ulë me i dhanë atij fëmijë gji.

— A bân grueja ashtu?

— Grueja bân aq e mâ tepër. Aty për aty u shlirova, por mâ zi më ndodhi mandej pse nuk m’u hoq mendje ai fëmijë i unshëm.

— E çka do me më thanë ma?

— Diçka më ngreh si atëherë kah ai fëmij te kroni, kah ata njerz të ligj prej kolere.

— Nuk je mirë në mend, moj grue!

— Si nuk je ti mirë në mende kur sheh atë vejushën e re, Makën e zezë, thue ti, por në mende tande të duket shumë e bardhë kur e sheh ashtu të dishrueme!

Kola hapi të dy sytë e mëdhaj dhe mbeti i shtanguem për njiherë, mandej plasi në gaz: goja iu hap sa nji çarap, vesh në vesh dhe iu panë të gjithë dhambët e shëndoshët si të ishte njizetvjeçar. I pëlqeshin befasimet Kolës, të cilat e gëzoshin si fëmijën dhuntinat e paprituna. Njeri shtatmadh e i fuqishëm përpinte çdo gjâ që i binte në dorë, prandej shtangohej para çdo femne të pashme. Por nuk ishte kjo çiltësi në sjellie me gra tjera që e përkujdesonte Zogën. Faza e dytë ishte e rrezikshme për Kolën, kur ndonji niste t’i ngulej në mende. Atëherë heshtonte e s’hapte gojën njiherë në qeshje, kështu që mirrte pamjen e nji egërsie së varrueme. Atëherë kishte frigë e shoqja se mund ta çonte epshi “në ndonji rrugë të rrezikshme”. Kola i madh e i fuqishëm kishte dhe nji ndezë tjetër që i mbante drejtpeshimin e jetës. Ai dashunonte edhe nji gjâ tjetër, ndoshta mâ tepër se jetëne vet: atë luginën me arë e livadhe, me ujë të mjaftë për krye, plangun e trashiguem, prej të cilit nuk mund të largohej nji ditë. Njifte në këtë tokë çdo dru, çdo pemë e çdo gur. Kur ndonji bagëti e huej, edhe nji edh me qenë, prekte kufijt e asaj toke, ai çonte zânin e vet të fuqishëm, që dridhte luginat :

— Aao! pritni berret në vend të huej, bree! A kujtoni se ka mbetë shkret, more kjo tokë?

Mbas të shoqit edhe Zoga qeshi me zemër:

— Por rueju! — i tha ajo — mos u sjell ndër anat e vejushës, se unë e ti nuk dahna shëndosh!

— He, çka bân ti? — E pyeti të shoqen tue shikue me nji djegie ndër sy, që e frigësonte si dikur, kur nuk ishte grueja e tij.

— Po kje se më bie ndonji berr në mali të saj, më duhet me shkueme e marrë! Si thue? A me ia falë berrin tonë? — Qeshte përsëri /334/

Bisedat mes Kolës e Zogës nuk zgjatshin kurr shumë, por asgjamangut grueja e ndiente praninë e e tij në të tanë qenien e vet në çdo moment dhe e kishte të ngulun në krye se ajo ishte rob i tij në kuptimin e plotë të fjalës. Kjo gjâ e egërsonte dhe shi nga nji ndienje e tillë rridhte dëshira e saj të takohej me njerëzit e kolerës për të dalë prej këtyne vargojve skllavrues. Mbasi secili kishte purnët e veta të caktueme, gjatë ditës ndesheshin vetëm disa herë dhe Zoga e vrente dhe mundohej të diktonte mendimet e tija, por nuk ia dilte.

— A mendon ndojherë për mue? — E pyeti ajo në nji takim të rastit në arë.

— Çka kam mendue për ty? Ti je këtu: punojmë bashkë, hamë bashkë e flejmë! — Mandej e shikoi me sytë që digjeshin gjithmonë nga ajo flaka e përmbrendshme, prej të cilës Zoga kishte frigë. Mbas nji dite tepër të nxehtë për atë anë, uleshin kadalë hijet e gjata e të zbehta të mbramjes mbi shpatijei e thata përballë, ndërsa dendësia e gjelbrimit rreth e rreth plangut të Kolës përmbante në vetvete ngjyrën e territ të vertetë. Prej mureve që rrethoshin tokën në krahun e lindjes nisej grupi i xhixhillojave të para për në mbrendësirié e këtij blerimi té dendun. Freskia e fundit të ditës, shkëndijat e xhixhillojavet për nën pemë dhe zânet e rralla të bujqvet bâshin që prej çdo bime të dilte nji prehje pushtuese që do të kishte mundë të qetësojë mendjen e zemrën e çdo njeriu, por jo të Zogës. Asaj shi kjo qetësi i binte në çdo mbramje nji turbullim në krejt qenien, prandej dilte te dardha e vjetër mbas kapëreyellit për të ndigjue për së largu kumbonët e bagëtive, që ktheshin nga kullotat e largëta kah grupet e lagjeve të vogla pesë a gjashtë shtëpish. Ndigjonte me andje edhe ushtimën e erës në ashtën e pakufi, që mbulonte bjeshkët gjithkund në krahun e veriut. Ajo ushtimë nganjiherë i përngjante krizmës së shiut të rrebët që niset rendomët kah filiimi i pranverës prej asaj bjeshke, dhe riga riga, me madhësinë e valëve sa kodrat, ulej me vrull dhe shkonte e u përplaste për shpatijet e thata e shkambijt e bardhë e të naltë në jug. Në viset e erra të rrëpinave të jugut çoheshin mandej prroje e buena me ujna të bardha e të pastra në të nisun, që tue u ulë turbulloheshin e mirrshin ngjyrën e botës së kuqlemët. Prej degëzimeve të vogla e të shkurta në fillim trajtoheshin prrojet e mëdha dhe mbushëshin me ujë lumin për fund, arterien kryesore.

Grueja rrinte atje vetëm në pritje të nji uji të tillë nga bjeshka, i cili do ta këndellte tue pru në jetë, në lumin e madh e të lëvizshëm të nji bote tjetër, sidomos të ndryshëm nga bota e mbrendshme e saj.

Deri këtu pajtohen të gjitha të dhanat mbi luginën e Çukut si dhe mbi Kolën, Zogën e kolerën. Pikrisht me fillimin e ngjarjes, e cila âsht thalbi i këtij tregimi, nisën dhe trillimet e ndryshme si valë te shkaktueme në zemrën e nji uji të qetë që zanë njena tjetrën dhe mbrrinë të bashkueme në katër a pesë valë të mëdha në breg. Prej këtyne katër a pesë variantave zgodha atë që âsht me siguri ajo që ipërgjigjet së vertetës. Në nji muzg, nësa Zoga ndigjonte erën e ashtës, i duel përpara nji hije./335/

— Kolë, — bzani ajo e habitum — si âshi puna qi edhe ti ke dalë sonte te lisi ogurzi? A ke ardhë me me marre, a si? Pse nuk me ke thirrë pse kishem ardhë vetë.

— Pse me të thirrë, nuk kishe ardhë. — Ia priti hija që nuk ishte i shoqi. Ai duel përpara e ia zuni krejt pamjen mbi male e lugina.

— Jam koçak — vijoi ai — e më thonë Zekë Murreci. Jam ardhë kesh se më nepni nji kashatë bukë.

Zoga heshtonte.

— Nuk rri gjatë në këto ana. Jam për kalim se kam diku punë!

U kull, shpërlau fytin me langun e gojës e mandej pështyni dhe heshtoi për t’i lanë kohë me mendue Zogës se ç’punë mund të kishte nji koçak aq i drashtun si Zekë Murreci. Tue u ulë të rrinte maje nji guri, tringlluen nji mori hekurash: qystekët e sahatit rrokë rrokë në parzëm tue u përplasë për dorcë të livores dhetëshe turke, vargoni i gjatë për të cilin lidhej livorja ndeshi për pushkën e gjatë, që Zeka me kreni e vuni për tërthuer në prehën. Ndër këto rasash kur Zeka ulej të rrinte, epte përshtypjen e nji njeriu të hekurt dhe të nji trimi që brente hekur me dhambë. Zoga ende nuk e kishte hapë gojën. Vrente njeriun e papritun e as nuk mendonte ende se çka duhej të përgjigjte. Pau se dhe xhamadani dhe nji xhaketë ushtrie ishin mbushë me pulla të metalta. Mbas do kohe heshtjeje, Zeka humbi çdo kontroll dhe kaloi në nji gjendje emocionale dhe nisi të fliste haptas:

— Në kje se nuk u qillon gjâ në shpi, tumirë mbetshi! Bota âshte gjanë e bukë e mish e tëlyen ka gjithkund për Zekë Murrecin. U asull, asull s’jam nisë me ardhë me marrë bukë këtu, por erdha për punë tjera. Mirëpo tash më duel nji punë tjetër dikund këtu afër qi keni me ia ndie kumtin për së shpejti e, thashë, po e lamë njiherë këta çka kam në mend. Po lypi bukë për me i thanë atij yt shoq se u jam këndej pari. E ai e di pse! Paj, ai e di se na të dy gjallë jemi si pak tepër në kët tokë dhe e se të dy-dy-dy — iu muer goja — s’mun t’ecim mâ mbi kët tokë të Zotit se i bâjmë randë. E për otin mjaft mirë ki’ me m’ardhë mos me ma dhanë asnji kashatë e mos me jetue as dy orë në bukë të tij… se atëherë s’kam s’i bâj kurrqysh.

Fjalë të mëdha je tue folë more burrë! Nji trim si ti nuk flet por bân… e shpin ia din Çukut! — Ia priti grueja me acarim.

— Burrnisht je tue folë! Por edhe pa bukë nuk jetohet e kolera ka mbyllë dyert e dheut e s’din njeri se ku me hi! Mandej buka e mikpritja âsht nji punë tjetër e deri sa të zgjasin këto nuk ndodh gjâ mes nesh.

— Çka të ka bâ im shoq?

— E, pvete ti. Ai e di se disa punë nuk harrohen… e as u nuk kam harrue!

— Mire — ia priti grueja ftoftas. Shko e rri tek ata verra atje poshtë në prrue e prit aty. Në kje se vjen im shoq me bukë, mos druej… ndose…

— Po kush dreqi âsht tue drashtë? /336/

—U jam grue e si di punët e burrave, por mos me drashtë dikend me duket mâ shum marri se trimni.

— Thuej se sonte vi pa mendime hesapesh. Por si do qi vjen e pres.

Rrugës tue kthye Zogës i shkuen njimijë mendime nëpër krye e sidomos si me i thanë Kolës se Zekë Murreci e prêt te Verrat. Sa mbrrini shtroi tryezën dhe mbas tri katër kafshatësh, e pyeti të shoqin:

— S di çka më ke pasë thanë njiherë se ke pasë nji ngatrresë menji farë Zekë Murrecit: me kenë se vjen këndej, çka kishe me i bâ? Kola uli kokën e mendoi: s’i binte në mend se i kishte folë të shoqes ndojherë për atë njeri.

— Njiherë ke pasë përmendë emnin e tij në gjumë — i ndihmoi e shoqja me sherri që t’i nxirrte ngjarjen.

— Kështu kenka — tha Kola — pse çka ka kenë mes nesh, s’ia kam thanë njirit të gjallë, kurr.

Zoga kishte ulë lugën në tryezë e priste tregimin e ngjarjes:

— Në gjumë ke folë për te: më difto si ka kenë puna! Mandejunë jam grueja jote e kur të më thuesh mos me folë, bâhem vorr!

Kola fshiu djerëst. Zoga e vrejti me frigë sepse pati përshtypjen se i shoqi e dronte Cubin e përmendun; e nji malësore i fai burrit çdo të metë, por jo ligështinë.

— sht kështu puna — filloi Kola. — Zeka âsht fjalmadh. Ai fjalëts di me i matë. Kjo âsht e keqja e tij. Para shum vjetësh dosha me pa botë dhe pata shkue me te në Rafsh të Dukagjinit. Kudo qi shkoshim si mâ të vjetër e laç me pri, ndër miq e qita gjithmonë në kryet të vendit. Mbas do kohe, nisi me i hi vetja në qefë: u hapte tue ndejënë kryet të vendit në shpi të huej e shitte mend e trimni me fjalë. Deri këtu e durova, por i thashë qi mos të hallakatej tepër se âsht marre e bota s’han bar e i kujtohet krenisë së tij. Ai muer huj në mue për këto fjalë dhe në të parën rasë, nisi me më poshtnue me fjalë para tjervet. Mendova e shmendova çka me i bâ: me vra s’ kishem sesi: ishem me tê e çka do me i ndodhë, mue m’u dote me qindrue me te. Ndejme sa ndejme, mandej po ktheshim në Dukagjin t’epër bashkë. Në bjeshkë: e kam ndalë, e shtina në nji tban, i hoqa armët, e lidha, kapa nji hû të fortë edhe e kam rrahë mirë e mirë. Mandej e kam zgjidhë e i kam dhanë armët. Edhe i kam thanë qi mos t’i thojë njerit të gjallë se as u s’i thom kuj për mos me shti në ngatrresa as ai njerzit e vet as u njerzit e mij. Tue ecë rrugës, më suell pushkën me më vra. Shpejt e shpejt e kam kapë dhe pushka u shpraz për tokë e s’ varroi kurrkend. Prap më mbushi me huj: e kam kapë edhe e kam rrachë edhe njiherë aq fort, sa m’âsht dashtë me e bajtë në krah deri këtu te shpia. Këtu e kam mbajtë nja nji javë deri sa âsht shëndoshë. Tash âsht në mal e njifet si trim në zâ.

— A ke frigë prej tij?

— Jo! — tha Kola. — Ai mund të vrasë të tanë botën, por jo mue.Në kjoftë burrë e di se u s’i kam thanë kuj e ia kam mbajtë fjalën. As ai s’i ka thanë kuj deri në sot.

— Po me bâ e me u mbushë me huj kundra teje, si ti kundra tij atëherë? /337/

—S’mund te më vrasi pse ia kam hangër orën. Mandej e di semik i del mirë me u kapë edhe nji herë me mue.

— Çka i bân?

— Nuk e vras. E rrahi pra, dhe e lâ gjallë, pse me e mbytë i bâj nderë!

Zoga nuk e çoi mâ gjatë, por ishte e bindun se i shoqi gënjeheje se ishte në rrezik, prandej vendosi të ndërhynte për të largue të keq dhe derdhje gjaku. Në kësollën e kapun për shtëpi, ku mbaheshin në verë gjanat ushqimore, Zoga muer nji gjysëm buke dhe nji copë djathë dhe u nis kah Verrat, ku priste Zekë Murreci.

Mbasi mbrijti në vendtakim, mbeti shtang prej habie: cubi ishte pështetë për trungun e nji verri dhe flente. Tue ndigjue hapat u zgjue, vrejti me habi gruen, shkundi kokën dy tri herë dhe si erdhi në vet, pyeti:

— Ku âsht yt shoq? Pse s’ka ardhë ai vetë ai… tutës?

— Merr këta bukë e nisu! — Ia priti grueja tue i hjedhë strajcën, nji strajcë të vjetër dhe t’arnueme.

Zeka tue u përmbajtë, pyeti prap :

— A i ke thanë gjâ tand shoq dhe çka të ka thanë ai?

— Merre bukën e nisu se të del mâ mirë!

Cubi dridhej si thupra në ujë tue mbledhë çaklat për rreth. Grueja e vrente me neveri:

— Ke frigë? — I tha. — Mbasi kishe frigë pse fleshe? Por edhe ti e di se im shoq nuk vret kend në gjumë: këta don me thanë ti!

Për së fundit Zeka ia ngjiti bukës dhe muer me u nisë; mandejkthej, ia ngjiti Zogës për krahut dhe e ngrehi rrëshanë mbas vêtit malit përpjetë, që ishte veshun me verra. Kur ajo përpiqej të lirohej, ai iu kërcnonte:

— Në kje se bertet, bâhet gjaku deri në gju!

Kola i lodhun prej punëve të ditës flente në atë kohë, por cubit iu ngjanie se mbas çdo çube ase druni po e sheh tue dalë. Kur u kap nalt në mal, u qetësue pakëz sepse kurrkund për rreth nuk shihej lis as dru dhe mund t’i lante me sy anë e kand brijat e pjerrta. Atëherë lëshoi dhe dorën e grues. Megjithatë ai mirrte frymë ngulshueshëm tue shikue gjithënji në katër anët. Edhe pse ishte aq i unshëm, nuke preku bukën. Tashti hijet e lagëta të natës e trazoshin, ndër të cilat mundohej të diktonte lëvizjen e nji njeriut që pa frigë drejtohej kah ai. Mande iu suell grues e i tha :

— Ham dreq shpirtin! Mirë bân qi s’bertet pse ndryshej bâhet gjaku deri në gju!..

Zoga megjithëse e lirë, nuk iu dha té largohej: e ndiente veten sinji copë dru, si njeriu që andrron se âsht në rrezik dhe prap se prap s’mund të ndrrojë asnjë hap. Kur nisi të vinte në vete, ndieu nji kënaqesi te pamase, thellësisht në zemrën e vet, tue pa se si Zeka dridhej nga friga. Ky ishte shperblimi për tërheqjen përdhunë nëpër mes të çubave te shihte nji burrë të drashtun prej gjithkuj, pos prej të shoqit, se si dridhej nga friga. Vrente çdo lëvizje të tij, si i sillej kryet në /338/ katër anët si krye shpendi në lis e si e hidhte pushkën prej nji dore në tjetrën me shkathtësi të papritshme. Mirrte pjesë thellësisht në dramaticitetin e shenës. Çka dronte ai njeri ashtu? Vdekjen? Sigurisht jo, por përuljen dronte ai: me qenë i rrahun dhe i shkallmuem si qen i zanun në kurthë.

Tash Zogës i vishin mendimet rradhë e rradhë, logjikisht dhe njikohësisht çlirohej nga apatia që e kishte rrokë. Friga e tmerrshme nga përulja iu duk fare e arsësyeshme, por megjithëtë pafuqia e cubit të qindronte ishte ligështi që s’i falej nji burri, mun as nji grueje. Kjo gjâ i suell në mend se nji frigacak i tillë e kishte ngrehë rrëshanësi zhele nëpër çuba e gurë. Për mâ tepër njeriu i drashtun ishte i shoqi i saj. Edhe kjo ishte nji përulje. Mblodhi të gjitha juqitë dhe ishpërthyen nga goja nji mori të shamesh:

— Tutës, tutës! Grue e keq! Lepur… — dhe me nji lëvizje i kapi pushkën nga dora e ia hjedhi larg, mandej përmbledhi me vështirësi pak pështymë prej fytit të thamë e ia lëshoi në parzëm.

Burrit të botës iu përdrodh fëtyra, mandej plasi në vaj mâ me vrull se nji fmijë i llastuem. Dridhej në të tanë trupin dhe bashkë me tê dhe sendet e metalëta tue lëshue nji tingllim të mjerueshëm. Nga kjo pamje Zoga u shtangue mâ tepër se në pyllin e Verrave. U lëshue ndejun e lodhun mbi nji gur dhe s’mundi të çonte kryet të vrente nji faqe aq të zezë. Tue pa se nuk pushonte së vajtuemit i thasi nëpër dhambë:

— Im shoq flen tash, more t’u thaftë krahi, si t’u ka tha!

Në atë gjendje të dëshprueshme, në të cilën kishte ra, Zekës iu duk se shi në gruen e ndjekësit të tij gjendte nji mbrojtës. Por nji ngushllim i tillë nuk ia preu vajin, mun ia shtoi. Ra në gjuj para sajdhe pështeti kokën në prehnin e grues.

Mbas nji ore Zoga u skapullue prej tij e neveritun për çdo gjâ. Mbas gjithçka kishte ndodhë, dëshironte që ta përpinte dheu. “Ku âsht kolera tash me më marrë!“. Fshani dhe u nis brijave teposhtë. Në kthim u ndal te dardha e vjetër mbas kapërcyellit u pështet për tê e këputun dhe e ndieu veten të vjetër dhe të kalbun në zgur si dardha. Në atë gjendje e kapi nji kllapi.

Në atë vend e gjeti i shoqi ne nesëre në mëngjes me shqise të humbuna dhe danga danga në fëtyrë. Mbas dy ditësh Zoga vdiq dhe nuk âsht e sigurtë në se sëmundja e saj qe kolera.

Njerëzia e bestytnishme e asaj kohe thonte se për çdo gjâ që mund t’i ketë ndodhë Zogës âsht faj i dardhës së vjetër, që paska pasë namën në zgur. Prandej Kola në vjeshtën që erdhi e preu dardhën e vjetër dhe e bâni dru zjarmi. /339/

Filed Under: LETERSI

Z.Glauk Konjufca mirëpriti në Kuvendin e Kosovës themelues dhe mësues të Shkollave Shqipe “Alba Life”, New York

July 25, 2024 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo

Faleminderit z.Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës!

Stafi i Shkollave Shqipe “ Alba Life” Ambasador i Kombit në New York dhe në Online u mirëprit në Kuvendin e Republikës së Kosovës me ftesë nga Kryetari i saj z. Glauk Konjufca. Në këtë takim ishin z. Qemal Zylo themelues dhe drejtues i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life”, mesuese e nderuar plot pervoje, kulture midis dy kontinenteve Fatlinda Bajcinca Gashi, mesuese Kozeta Zylo, të cilët u shoqëruan nga znj. Megi Gjoni bashkëpunëtore për TV në Tiranë. Zoti Konjufca falenderoi përzemërsisht themeluesit, mësuesit, nxënësit, prindërit për këtë punë atdhetare dhe nga më të çmuarat në Diasporë. Gjuha Shqipe tha z. Konjufca eshte identiteti yne kombetar. Ajo eshte e pasur dhe nder me te vjetrat ne bote ndaj duhet te ruhet si e shenjte. Ne do ju mbeshtesim vazhdimisht dhe do te krijojme lidhje dhe me te aferta me Shkollat Shqipe qe femijet e Diaspores te mos harrojne rrenjet nga vine. Diaspora gjithmone ka qene prane Kombit dhe Kosoves dhe vazhdimisht e ka mbeshtetur fuqimisht ndaj ne I shprehim respektin maksimal. Ju premtoj se nese do te vije ne New York do te gjej kohen per te vizituar Shkollat Shqipe.

Zoti Qemal Zylo falenderoi z. Glauk Konjufca dhe shprehu mirenjohjen e pakufishme per mikpritjen e tij si dhe te z. Albin Kurti qe kane qene te vemendshem per Misionin Kombetar. Gjithashtu cmoi se tepermi mbeshtetjen dhe vizionin e tij per Gjuhen Shqipe dhe Kombin. Zoti Zylo pershkroi punen e palodhur te stafit, mesueseve dhe te asistenteve I cili tha se pa kontributin e tyre nuk do te kishim keto arritje te suksesshme si shkolla. Mesuese Fatlinda Bajçinca Gashi vleresoi lart kontributin e z. Glauk Konjufca per Kosoven, nderkohe shohim si rritet nje politikan vizionar ne cdo aspekt si lider. Jam krenare qe punoj prane Shkolles Shqipe ne Brooklyn duke ju mesuar femijeve te Diaspores Gjuhen Shqipe. Ne vertete jemi larg, por Gjuhen Shqipe e kemi ne palcen e gjakut dhe ate do jua transmetojme brezave. Eshte emocion te jem sot ne keto mjedise te Kuvendit qe edhe pse e lindur dhe rritur ne Prishtine nuk i kishja vizituar me pare. Ne punojme fort institucionalisht, ndaj dhe Alba Life ka nje histori te merituar suksesi. Zoti Glauk Konjufca ne fund te vizites sone dha nje interviste per TV “Alba Life” ne New York. Elekuenca e folur e tij ne Gjuhen Shqipe ishte per t’u admiruar. Takimi me Zotin Konjufca ishte frymezues, atdhetar, plot kulture dhe miresi. Kryetari I Kuvendit te Kosoves zoti Glauk Konjufca sherben si Kryetar i Kuvendit të Kosovës, ka qenë Ministër i Punëve të Jashtme në Kosovë dhe deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Ne emer te gjithe stafit, mesueseve, prinderve dhe nxenesve te Shkollave Shqipe “ Alba Life” i shprehim mirenjohjen e thelle Zotit Konjufca dhe i urojme pune te mbare ne Kuvend.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT