• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2024

BASHKËJETESA  E  MREKULLUESHME  NDËRFETARE , THEMELI  I  QËNDRESËS  TË  MALËSORVE  SHQIPTARË…

September 20, 2024 by s p

NGA  NDUE  BACAJ/

Bashkëjetesa e mrekullueshme  ndërfetare  në  Malesinë  e  Madhe  që e ka falë Zoti , e ndarë  ropi me kufijë politik , ka qënë  themeli i qëndresës së Malësorve e shqiptarë ndër shekuj , qendresë  heroike e historike që i ka “pagëzuar” këto troje  nga më  shqiptaret dhe Europianet  e Shqiperisë Etnike.. Kjo bashkëjetesë e mrekullueshme ndërfetare ndër shekuj e mote ka qënë objekt i syrit dhe pendës të shumë studiuesve , albanologëve  e deri lapsaxhive të ndryshem europian, shqiptar  e më gjërë… Bashkëjetesa e mrekullueshme ndërfetare në Malësi (e Shqiperi) ka  mahnitur  Europen  e  Boten , por shpesh ka zgjuar edhe zilinë e armiqëve të shqiptarëve me në krye fqinjët e “vonë”  sllavë , të cilet me “stilin” hill gurin e fsheh doren janë munduar  të  minojnë ketë themel të qendresës  sonë , por  fatëmirsisht  pa sukses , per  meritë të  burrave trima  e  të urtë  të Malesisë e Shqiperisë.. 

“PAKË  SHEMBUJ” :

RRJOLL 1897…

Në vitin 1897 në varret katolike të Kokpapajve (Rrjoll ,Malesi e Madhe ), ishte thyer një Kryq ,per të cilin “hijena”  antishqiptare hapen fjalë se e kanë  thyer disa Musliman , ndaj duhej që katoliket të hakmerreshin. Per ketë një natë të 27 marsit të vitit 1897  “duar”antishqiptare paguajn disa malsore nga Rrjolli ,të cilet një natë presin një derr në derë të Xhamisë (Shkoder… ).Pas kesaje pritej  nga armiqt e malsoreve  një konflikt  vellavrases ,por perkunder kësaj Krenet ,Bajraktaret dhe Burrat e Urtë në bashkepunim me autoritet shtetrore e menaxhuan shkelqyeshem situaten. Së pari u formua Gjykata e  Xhibalit  e kryesuar nga Serxhedeja me 25 antarë (12 katolik dhe 13 musliman). Kjo gjykatë kerkoi ndeshkimin e fajtorve që ishin zbuluar (nga vetë populli per ti sherbyer paqes dhe harmonisë). Per të realizuar denimin e fajtoreve  u ngritë një ekspedit  ndeshkimore  me forcat Malsore  si me poshtë : Nga Bajraku i Grudes 50 veta,edhe nga Hoti 50 veta   me ne krye bajraktarin Met Çuni .Nga Kelmendi 100 veta me në krye bajraktaret Cana  Luca  e  Turk  Shabi. Nga Kastrati 50 veta  me në krye bajraktarin Nikoll Doda. Nga Shkreli 100 veta me bajraktarin Vat  Marashi, gjithashtu nga Reçi e Lohja 50 veta ,nga Kopliku 50 veta dhe nga vet bajraku i Rrjollit 150 veta. Ekspedita ndeshkimore  ndeshkoi  fajtoret në Rrjoll.. ,duke djegur shtepiat e fajtoreve ,dhe duke arrestuar 17 veta. Duhet theksuar se gjatë ekspedites jo vetem nuk shenohet asnjë kundershtim ,por kishte  një mbeshtetje të gjërë, gjë që bëri  që të vijojë bashkejetesa e mrekullueshme në mes banorve (musliman e katolik ) si vellezer të një gjaku ,pamvaresisht nga rruget që kishin zgjedhur secili per të besuar te  një  Zot…( Fulvio  Kordinjano ,“SHQIPERIA” Permes vepres dhe shkrimeve  të misionarit  madh  italian At Domeniko  Pazi  (1847-1914) vll.II ,fq.367-369). +Kahreman  Ulqini , Bajraku  në organizimin e vjeter shoqerorë  shek. XVII deri  me 1912 ,fq.125). Dikush mund të pyes per emrat e fajtoreve ,të cilet megjithse i kemi nuk ja vlenë per ti shenuar ,veç po kujtojmë se si ata të Rrjollit dhe ata të Shkodres janë të “perzier” u perkasin  të dy besimeve…E ndersa  “sponsorizimi”  kishte ardhur nga fqinjet sllavo-ortodoks…

 NË GRUDË… 

Prekë  Uli  prej Dinoshe , “simbol” i bashkjeteses vllazerore në mes katolikve e muslimaneve të Grudes , i cili per të mos “koritur” katundin  rrezikon  jeten nga ushtaret malazez ,të cilet një ditë  tek e gjejnë  Preken  çoban  me dele së bashku me  çobaneshen Bibe Keqja i thonë : ” Prej ka je ?  , dhe  Preka  u pergjegjet prej Dinoshet. Malazezet e pyesin ,a je musliman apo katolik ? , jam  katolik u thotë Preka. Keta ushtarë deshen me e  vertetuar këtë gja  ,dhe i thonë nese je katolik  ban  kryq !  Prek Uli u thotë : “Nuk  u  duhet ju  kjo gja me m’ba  me ba kryq.  Ata i thonë ose  ban  kryq ose te vrame, pasi ti nuk  na ke  kallxua të verteten ,se ndoshta nuk je katolik , dhe tre ushtarë ja kthejne pushket. Çobanesha  Bibe Keqja i thote  Prekë  ban kryq se të vranë ,se ti  perditë banë  kryq  disa herë. Por  ai  ja  kthen ,le të më  vrasin  nuk  baj kryq ,që të mos thonë se e bame  një musliman me ba kryq  (pasi në Dinoshë janë shumica musliman ,me perjashtim të pak shtepiave  katolike). Tre ushtaret malazez e panë që nuk po mujshin  me e detyrua  me ba  kryq  ketë grudas ,ndaj  ulen armet e shkuan…(Anton Çeta ,Nga folklori yne  III ,Prishtine 1995 ,fq.151-152).                                                                                                   SI U VENDOS FESTA FETARE E TË GJITHË GRUDES (ZOJA E GRUDES)..  

Duke qene se pas vitit 1870   Grudasit (si  të gjithë malesoret e shqiptaret) kishin nevoje  të ishin më të bashkuar se kurrë në rrugen  e tyre të qendreses  ndaj pushtuesve osman dhe  klysheve të rusisë sllavëve të jugut , ndaj edhe në Grudë lindi nevoja e një feste fetare të perbashket (pasi deri atehere çdo  katund i Grudes kishte festen e vete..)..Per të pasur  një festë të perbashket i gjithë Mali  apo Bajraku i Grudes (pa ndaluar festat e veçanta të katundeve), meshtari  i Grudes i asajë kohe u propozoi një kuvend historiko- fetare. Kuvendi i Grudianeve u bë pranë lumit Cem ,në breg të shpelles historike  Farkë ,në Grykellukë. Në krye të ketije  kuvendi padyshim ishte  bajraktari  famemadh i Grudes Smajl  Martini ,por edhe  Haxhi Ahmet Nikaj që perfaqesonte  banoret musliman të Grudes..Shpella  Farkë  vazhdimisht kishte qënë  vendi i kuvendeve të rendesishme së  Malit të Grudes  ,ku prej vitesh per të nderuar kuvendaret  Haxhi Ahmeti i Haxhajve  të Kesheves  pjekte ferliqe , por takimi që u bë  naten e 14 gushtit  të vitit 1871  kishte një kuptim të veçante bashkimi e gezimi per të gjithë grudasit e më gjërë. Thuhet se  atë natë historike kur Smajl Martini e Haxhi Ahmeti,kerkuan çobanet e tyre per të marrë  bagetin  e imte per ferliqe ,ata kishin ikur shumë large duke  u mahnitur në freskin e nates ,por keta dy burra  nuk u koriten pasi  në Ubel të Mileshit takuan  lopet e  Haxhi  Ahmetit  , i cili mori një viç (mzore) dhe e pjeku ferlik  në breg të Shpelles Farkë ,ku u festua    kjo natë dhe në nesre dita e 15 gushtit , duke mbetur në histori si festa e Zojes së Grudes, që vijon të festohet me madheshti edhe sot.. …(Lulash N.Palushaj ,Malesia  dhe Fiset e Saj ,pj.I., fq.254-255).                                                                                                                                NJË TRASHIGIMI PËR (RI)NDERTIMIN E KISHES SË SHKRELIT (BZHETË)

Një gojëdhënë që vjen nga qindra vite më parë  na tregon se per ndertimin e Kishes së Bzhetës kishte pasur mosmarëveshje në mes perfaqesuesve (katolik) të fshatrave dhe katundeve të Shkrelit ,të cilet  kerkonin secili ta  kishin famullinë apo kishen  në katundin e tyre..Per zgjidhjen e kesajë mosmarreveshje “nderhynë” si vëllezerit musliman të Zagores , të cilet me urtesinë e tyre u thanë perfaqesuesve katolik të fshatrave të Shkrelit se Kisha – Famulli është një vlerë madhore e shpirterore e të gjithë shkrelasve ,duke perfshirë edhe ata musliman ,ndaj per ketë  duhet të zgjidhet një vend që është i barazlarguar per të gjitha katundet dhe fshatrat e  Malit apo Bajrakut  të Shkrelit. Vëllezrit musliman të Zagores propozuan si vendin më të pershtatshem per ndertimin e Kishes-Famulli të Shkrelit , Bzheten (pikrisht aty ku është edhe sot…) ,gjë që e miratuan pa hezitim të gjithë perfaqesuesit e Shkrelit..(Fulvio Kordinjano ,SHQIPERIA ,permes vepres dhe shkrimeve  te misionarit te madh Italian At Domeniko  Pazi ,1847-1914 ,po aty..)

KUR KISHEN E BAJZES E (RI)NDERTOJNË KATOLIKËT DHE MUSLIMANET   

Në vitin 1887 kisha e Bajzes kishte pasur nevojë të rindertohet (ku disa disa shkrues apo studiues e shenojnë gabimisht si ndertim të ri). Kjo Kishë kishte  gati një shekull që ishte ndertuar  dhe banoret halleshumë nuk kishin pasur mundesi ta rikonstruktonin gjatë kesaj kohe. Mirpo kishte ardhur një moment dhe banoret e Bajzes e më gjerë po pergatiteshin  të punonin në kishen famëmadhe të Bajzes , pa deshiren e pushtetit osman i cili me “levat” e veta të dukshme dhe të padukshme kerkonte ta pengonte..(Lovro Mihaçeviq , Neper Shqiperi…1883-1907 ,fq.77-79).                    Në keto kushte banoret katolik të Bajzes e Kastratit ju kerkuan ndihmë vëllezerve të tyre musliman të Aliajve ,të cilet pa perfillur pushtetin osman në Shkoder u treguan të gatshem jo vetem të ndihmojnë me punë në rindertimin e kishes ,por mbi të gjitha burrat e urtë e trima të Aliajve me në krye Zenel Shabanin u organizuan  me armë  në dorë per të  mbrojtur puntoret e Kishes nga sulmet e mundeshme të zaptive osman që kerkonin të mos rindertohej kisha e Bajzes..

NJË MUSLIMAN SHQIPTAR VRET NJË TURK PËR T’I MARRUR GJAKUN  ‘VËLLAIT’ KRISTIAN 

Murat Agë Ganiqi nga Fushëbardha ,që e konsideronte veten me origjinë nga Kuçi (atehere tërsisht shqiptare..N.B.), një ditë mori vesh se një turk kishte vrarë dikë në Kuç dhe më pas i kishte prerë koken. Kur turqit i shkuan per urimet e Bajramit  ,Murat Aga e thirri turkun dhe e pyeti se çfarë i kishte thënë djali (katolik) nga Kuçi perpara se ai ti priste koken. Turku tërë mendjemadhësi i tregoi  se i kishte thënë : Mos më pre o turk  se do të dalë ndonjë vëlla prej Kuçi që do ma marrë hakun , e do të vdesësh edhe ti kështu si unë..Murat Aga duke ju drejtua turkut i tha: tamam të ka kuvendë, si per vëllanë ashtu edhe per vdekjen tënde . E pra unë jamë vëllai i tij ,dhe ja zbarzi dy koburet në ballë turkut të cilin e la të vdekur…(Mark  Milani , Jeta dhe Zakonet e Shqiptarëve ,fq.83..).

NjË NGARJE NË DINOSHË…  

Dinoshjanet i akuzuan tek fuqitë e mëdha se rrënuan kishen e cila gjendej në lamë të Beqit (fisi Beqaj), me ç’rast aty pranë në lindje të  fshatit ndertuan xhaminë , keshtu që perfaqesuesi i fuqive të mëdha i dergon protestë  kadisë në Potgoricë dhe kerkon pergjigje. Kadia  akuzoi dinoshjanet dhe per problemin e nxitur  filloi ti denojë duke u djegur  katër shtepia.  Shaban  Smajli Dukaj ishte trim ,guximtarë e shumë i zgjuar , dhe dinoshjaneve u ankon: “T’kisha  krahë , Dinoshen pata me ditë me e mbrojtë”. Tur  Sufi  Beqaj trim i rrallë e rrufe e gjallë i tha: “Ti  Shaban mbroje Dinoshen , e shkojmë te kadia  me ditë se desim t’tanë “. Kur  mberrinë në Podgoricë , Shabani hipi naltë në katin siper ,ndersa percjellesit  e armatosur mbeten duke pritur në fund të shkalleve. Kadia sapo e sheh Shabanin e pyet ,pse e rrezuat kishen e ndertuat xhaminë pa pyet ,se na shkaktuat probleme ? Shabani i pergjigjet , kishën në lamë të Beqit e kanë punua të paret tanë , me guret tanë e punen e tyre. Por pasi kisha filloi me u rrezua e na u islamizuam me ata gurë tanë e me punen tonë ndertuam xhaminë ,e as na ka e as i kem kujt gja borxh…(Sokol P. Lulgjuraj ,Malesia eMadhe Ndër Shekuj ,fq.69-70). Pra kjo ngjarje nese mundemi ta quajmë kështu tregon se grudasit dhe malësorët janë së pari vellezer të të një gjaku e një kombësie , ndersa besimet që ndryshuan ndër mote e shekuj janë “thjeshtë” rrugë që të çojnë te besimi në një Zot që është lart në qiell per të gjithë…

ZGJEDHJA E PARISË SË BAJRAKUT (FLAMURIT) TREGUES I QARTË I HARMONISË DHE BASHJETESËS SË MREKULLUESHME NDERFETARE TË MALËSORËRVE 

Mali ,Bajraku apo Flamuri i Hotit me perjashtim të një shtepie të gjithë ishin Katolik , bajraktarin e zgjedhin nga kjo shtepi muslimane që nuk i zhgënjeu kurr.. Fama e deres të bajraktarëve të Hotit njihet të pakten që nga  Çun  Mula e ketej… Gruda me shumë popullsi të besimit musliman (me në krye Dinoshen),bajraktarin e  zgjedhin gjithnjë nga një shtepi katolike , nga Ivezajt . Smajl Martini është simboli i bajraktarit apo flamurtarit të Grudeës ..

 BASHKË TË GJALLË E BASHKË TË VDEKUR… 

Malesoret (por edhe shqiptaret) ndonse historia i detyroi të marrin shpesh rrugë të ndryshme besimi ndër shekuj ata mbeten në përjetësi vëllezër të një gjaku , gjuhe e kombësie. Trashigimia është e mrekullueshme. Janë shembuj të shumtë që tregojnë se malësoret kanë festuar bashkë si festat e katolikeve dhe të muslimanëve . Ata respektonin njeri tjetrin jo vetem në  ditë festash e gezimesh ,por edhe në ditë detyrimesh ndaj besimit..Mua që po shkruaj keta  rrjeshta më kujtohet se si të paret e mi më tregonin per miqesi , probatini e  kumari me muslimanet . Ata më tregonin se si në ditet e agjerimit të Ramazanit, katoliket ruheshin të mos hanin , pinin ujë apo duhan në sy të shokeve të tyre musliman. Gjithashtu më tregonin se kur vinin per gosti shoket e miqtë e tyre musliman , në shtepiat e katolikëve kishin enet e veçanta  në të cilat gatuheshin dhe u servireshin ushqimet miqëve musliman. Po kjo traditë e mrekullueshme respekti ruhej nga familjet muslimane ndaj miqeve të tyre katolik… Ata ishin pra bashkë jo vetem në ditë festash e gezimesh ,por edhe në ditet e veshtira të luftes mbrojtese të trojeve tona nga shovenet fqinjë e pushtuesit aziatik..Ata luftonin  bashkë ,vdisnin bashkë ,por shpesh në kushtet e luftrave edhe hinin në dhe bashkë. Ata nuk i ndante asgjë… E bashkë  e vetem bashkë gjallë e të vdekur do të jemi “DIKUSHI” ,ndersa të ndarë e perçarë vetem “askushi” ,gjë që nuk e dëshirojnë Malesoret dhe Shqiptaret e vertet…Vijimësia e kesaj bashkëjetese  sa vjen dhe forcohet edhe per  brezat  e ardhëshem , ketë e tregojnë dhjetra  martesa të vajzave muslimane me djem katolik  apo të vajzave katolike me djem musliman, martesa të cilat tashma janë bërë të  zakoshme , pa paragjykime dhe  të pranueshme si nga familjet perkatëse dhe shoqeria malësore dhe shqiptare…

Filed Under: Reportazh

NË 90-VJETORIN E LINDJES SË ARBËRESHIT TË MADH ATË NDON BELUSHIT

September 20, 2024 by s p

Vilma Proko

Studiuese

QENDRA E STUDIMEVE DHE PUBLIKIMEVE PËR ARBËRESHËT/

Më 15 shtator të këtij viti u përkujtua 90-vjetori i lindjes së Atë Ndon Belushit (Antonio Bellusci), një nga Patriarkët e fundit të mëdhenj të Botës Arbëreshe dhe një figurë e veçantë kombëtare. Me plot kontribute të jashtëzakonshme si rrallëkush Papas Belushi do të mbetet jo thjesht një udhëheqës shpirtëror për Arbëreshët në Itali e gjetkë, por edhe për Arvanitasit në Greqi, për të cilët la pas të dhëna thelbësore. Papas Ndoni ishte një dijetar, kërkues e studiues me zemër e shpirt të madh! Si prift famullitar, mësues, shkrimtar, publicist, etnolog, gazetar dhe historian prej më shumë se gjysmë shekulli, me urtësi, pasion dhe përkushtim kontribuoi për njohjen, ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës, historisë, gjuhës dhe zakoneve të popullit arbëror dhe u shqua për veprimtarinë e paepur në përçimin dhe forcimin e identitetit kombëtar shqiptar.

Kam pasur fatin që të komunikoj personalisht me të nderuarin Zoti Belushi dhe kolegen e tij, Znj. Ornela Radovicka gjatë periudhës përgatitore për realizimin e Kuvendit të Parë të Studimeve Arbëreshe, që nga fundviti i 2020-ës e deri në ditët e fundit para zhvillimit të punimeve të Kuvendit, si edhe më 27 dhe 28 shtator të 2021-it (data në të cilat u mbajt ky Kuvend i organizuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA).

Gjatë një seance Papas Belushi e përshëndeti Kuvendin dhe të pranishmit përmes kamerave, pasi në atë periudhë të vështirë pandemie nuk e pati të mundur të merrte pjesë fizikisht. Citoj më poshtë studiuesin Kristaq Jorgo në statusin e tij të face book-ut më 20 qershor 2024, me rastin e ndarjes nga jeta të Atë Belushit (19 qershor 2024), i cili na mundësoi tanskriptimin e fillimit dhe të fundit të përshëndetjes së mrekullueshme të Papas Belushit dhe së Motrës, znj. Rina, që nisi e u mbyll me këngë e ngjalli emocione të rralla tek të pranishmit në sallën e Muzeut Kombëtar në Tiranë ku organizohej ky kuvend i parë arbëresh.

———-

Papas Antonio Belushi:

Faleminderit të gjithëve juve, vëllezër të dashur!

Ju kam në zëmrë e ju falënderoj shumë-shumë për këtë nderim të madh që më jipni sot. Fatkeqësisht nuk pata mundësi të vij në Tiranë.

Po këtu, te shpia ime, bashkë me motrën time fillomi kështu këtë bisedë me ju:

Është kënga e mërgimtarëve të Diasporës që një prift, Pietro Kamodeka nga Kastërneçi më 1890 bëri për ne Arbëreshët, për ne Arbëreshët:

“Me vërté të mirat tona,

Na i kemi te Korona.

Ësht’ një vend e mirë me ne,

Moj e bukura More.

Dhe unë pjas me lot në sí

Oj Arbresh, oj Arbëri.”

Kjo këngë vë kështu përpara sívet vendet tanë, varrezat e Atërve tanë të paharruar, atje në tokën e Moresë…

………………….

Na jemi gjallë!

Ju përshëndesim e ju urojmë shëndet të gjithëve dhe me motrën time ju lshomë (ndahemi prej jush – K.J.) me një këngë:

Eja mblidhuni këtu, këtu, këtu,

Eja mblidhuni këtu, këtu, këtu,

Eja mblidhuni këtu, këtu, këtu,

Bashkë me ne.

Eja mblidhuni këtu, këtu, këtu,

Eja mblidhuni këtu, këtu, këtu,

Eja mblidhuni këtu, këtu, këtu,

Bashkë me ne…

Rroftë Shqipëria e Zëmrës! Për shumë vjet!

Mirupafshim!

Mirupafshim!

Shumë të mira!

[Duartrokitje]

Ndoshta fjala e fundit publike e Tij, apo amaneti i Tij drejtuar Botës Shqiptare”.

Atë Antonio Belushi do të kujtohet si një atdhetar i madh, i cili, edhe pse i lindur në një ditë shtatori të vitit 1934, në një vend të bukur rrëzë Malit Pulin, në Frasnitë (Frascineto) të Kozencës dhe i rritur në Kalabri, me gjuhën e bukur shqipe, të përzier edhe me variantin e vjetër të saj, arbërishten, dha njoftime për historinë e këtij kombi të ndarë, duke pasur në mendje sidomos arvanitasit. Më 1962 Atë Belushi kreu studimet për filozofi dhe teologji në Universitetin Pontifik Gregorian të Romës dhe në vitet 1965–1973 shërbeu si famullitar në fshatin arbëresh Shën Kostandin (San Costantino Albanese) në krahinën e Potencës (në Jug të Bazilikatës), ndërsa në vitet 1973–1979 në Fallkunarë (Falconara Albanese), duke e rikthyer këtë Kishë Arbëreshe nga riti latin në ritin bizantin. Prej vitit 1979 deri në vitin 2000 shërbeu si famullitar në kishat arbëreshe të Kozencës dhe prej vitit 2000 në Kastrovilari. Krahas angazhimit baritor, Atë Belushi u përkushtua gjatë gjithë jetës për mbrojtjen, promovimin dhe vlerësimin e trashëgimisë arbëreshe. Duket se dëshira e Tij më e madhe ishte të rilidhte Arbëreshët e shpërndarë nëpër botë. Atë Ndoni është autor i 25 veprave shkencore mbi kulturën, etnografinë dhe historinë arbëreshe, ndët të cilët: “Këngë fetare arbëreshe” (“Canti sacri tradicionali albanesi”) 1971; “Magjia, mite dhe besime popullore” (“Magia, miti e credenze popolari”) 1983; “Fjalor Frazeologjik i Arbëreshëvet në Itali dhe Arbërorëve në Greqi” (“Dizionario fraseologico degli Albanesi d’Italia e di Grecia”) 1989; “Blegtoria e Frasnitës në tekstet origjinale arbëreshe” (“La Pastorizia a Frascineto nei testi originali arbëreshë” (“La pastorizia: – Ricerca etnografia tra gli albanesi di Frascineto”, 1991; “Arbërorët-Arvanitë” (“Gli Arbërori-Arvaniti–Un popolo invisibile–Ricerche etnografiche nell’Ellade (1965-2000), 2004; “Kërkime dhe studime ndër arbërorët e Helladhës”, 1994, 2005; “Antologji arbëreshe” (Prozë dhe poezi gojore/Tekste në të folmet arbëreshe), 2009 etj.

Interesi i hershëm i Papas Belushit për punë kërkimore në terren vihet re qysh nga vitet e shënimit kur janë mbledhur këto vlera etno-folklorike dhe katundet ku janë regjistruar. Në bibliotekën e QSPA-së gjenden një numër i konsiderueshëm i librave të Atë Belushit si edhe dhe botime të autorëve të ndryshëm në nder të Tij, dhuruar nga biblioteka e Tij personale.

Atë Belushi qe nismëtar e luftëtar i betejave që kanë shenjuar një hulli të fortë: ruajtjen e vlerës unike të trashëgimisë arbëreshe. Në vitet 1966–1970 themeloi dhe drejtoi revistën e parë arbëreshe në krahinën e Bazilikatës “Vatra jonë” (“Il nostro focolare”); që nga prilli i 1980-ës themelues i revistës periodike “Lidhja” (L’Unione)-organ gjashtëmujor informativ, kulturor e shoqëror i qytetit të Kozencës dhe drejtues i saj. Me 4 vëllimet (Nr. 1, 1980 – nr. 20, 1988; nr. 21, 1989–nr. 36, 1996; nr. 36, 1998–nr. 54, 2005 dhe nr. 56, 2066–nr. 60, 2009) revista përbën një pasuri kulturore me vlerë të përhershme për gjithë Arbërinë, për Diasporën, për Shqipërinë, për Kosovën dhe për vëllezërit arbërorë-arvanitë në Elladhë. Në faqet e saj gjen informacione për të gjitha udhëtimet dhe reportazhet shqip të Papas Belushit me takimet dhe bisedat e tij me personalitetet më të shquar shqiptarë në botë. Në këtë vështrim kjo revistë shërben si një arkiv historiko-kulturor-etnografik e gjuhësor për t’u hulumtuar. Belushi është autor i artikujve e shkrimeve me tematikë të gjerë edhe në periodikë të ndryshëm: “Zgjimi”, “Katundi ynë”, “Studime filologjike”, “Përparimi” etj. Si mik, sivëlla e bashkëveprimtar i Ernest Koliqit kontribuoi me materiale arbëreshe në pasurimin e përmbajtjes së revistës albanologjike “Shêjzat”, e cila që nga themelimi (1957) shërbeu si tribunë dhe si dritare informimi mbi aktivitetet shkencore albanologjike në botë, duke vijuar traditën kulturore të Rilindjes dhe sidomos të revistave të periudhës mes dy luftërave botërore në Shqipëri.

Atë Belushi që nga viti 1962 ka kryer udhëtime, studime dhe kërkime etnografike në vende të ndryshme dhe ka marrë pjesë në veprimtari shkencore në kuvende, kongrese në Itali, Shqipëri, Kosovë, Itali, SHBA e Australi. Ishte i vetmi pjesëmarrës arbëresh në Kuvendin I të Studimeve Ilire që u mbajt në Tiranë më 15–20 shtator 1972, (edhe pse u ndalua të hynte në Shqipëri me avion, udhëton me traget për në Tivar e prej andej hyn në kufirin shqiptar përmes Hanit të Hotit).

Arkivi i Atë Belushit përmban me dhjetëra kaseta të incizuara tek Arvanitasit (parapëlqente t’i quante Arbërorë të Greqisë) dhe rreth 2500 foto gjatë hulumtimeve në terren për pothuaj 40 vjet tek Arvanitasit e Greqisë. Është autor i listës së 920 fshatrave arvanitase (arbërore) me toponimet e tyre origjinale, ku janë regjistruar dhe incizuar më tepër se 3000 vetë. Ai ka bashkëpunuar me studiuesit Aristidh Kola (Kollja), Vangjel Ljapis, Jorgo Mihas Marougas e shumë arvanitas të tjerë në përpjekjet për ruajtjen e identitetit të tyre arbëror. Për kontributin e Belushit në mbledhjen e lëndës etno-kuturore ndër Arvanitas Aristidh Kola do të shprehej: “Për studiuesin shkencor të ardhen, materiali që ka “fotografuar”, Papas Ndoni (siç e thërrisnin) do të jetë burim me vlerë të madhe studimi. Kërkuesi i ardhem do të mund të ndiekë zhvillimin e folklorit Arvanit për një kohë të gljat, ato të mund të benjë krahasime dhe referime, tuke ditur se nuk është bënë asnjë gjë e gënjeshtert, asnjë perpunim, asnjë ndërhyrje nga mbledhesi në këtë material”.

Si mbrojtës i Çështjes së Kosovës Atë Belushi ishte i pari që në vitin 1989 hodhi idenë e Kosovës Republikë. Në vitet 1998–1999 e konsideroi luftën ndaj Kosovës “gjenocid” dhe i dedikoi kësaj tragjedie ndaj popullit kosovar (po këtë vit) një numër special me artikuj dhe kapakun e revistës “Lidhja”.

Në vitin 1961 Atë Belushi themeloi Bibliotekën Arbëreshe Ndërkombëtare “Antonio Bellusci” që numëron mbi 10.000 tituj. Në vitin 1980 krijoi Qendrën e Studimeve Albanologjike dhe Kulturës Arbëreshe “Gjergj K. Skënderbeg” (Centro Studi Albanologici e Cultura Arbëreshe), duke qenë edhe drejtor i përgjithshëm i saj deri në fund të jetës. Në vitin 1994 çeli shkollën e parë për fëmijët shqiptarë në Diasporë pranë bibliotekës së tij të veçantë që të sjell më tepër ndër mend arkivat e pasura e të njohura, se sa një bibliotekë të thjeshtë ku mahnitesh me arkivimin e shtypit shqiptar gjithandej globit me aq saktësi e respekt dhe pa asnjë përjashtim. Në raftet e saj, mbushur plot e përplot me libra qëndron në vendin e merituar e me hijeshi busti i Skënderbeut.

Atë Belushi kishte shumë miq e dashamirë intelektualë, burrështetash, studiues e krijues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe nga vende tjera të hapësirave shqiptare. Shtëpia e tij me kohë ishte bërë qendër “pelegrinazhi” për të gjithë ata që e vizitonin Kalabrinë e Sicilinë. Ndërkaq, në kasetat e incizuara rrëfen vështirësitë e pengesat që kish hasur nga autoritetet greke, me rastin e vizitave të vëllezërve shqiptarë, për qëllime studimore në hapësirat e shtrira që nga Morea deri në kufirin verior të Çamërisë.

Në shenjë mirënjohjeje për të gjithë veprimtarinë e tij për ruajtjen e identitetit arbëresh është nderuar nga komuna e Çiftit me titullin “Kalorës i Skënderbeut” (“Cavaliere di Skanderbeg”). Ndërkaq, për kontributet e dhëna në përhapjen, njohjen, studimin, ruajtjen dhe pasurimin e historisë, gjuhës, zakoneve dhe kulturës së rrallë arbëreshe, si dhe asaj arvanitase ka marrë vlerësime të larta e të merituara nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë: Medaljen “Naim Frashëri” dhe Dekoratën e Lartë “Nënë Tereza”; Medaljen “Lidhja e Prizrenit” nga Presidenti i Kosovës asokohe Dr. Ibrahim Rugova; “Medalja Presidenciale” nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Prof. Vjosa Osmani. Më 15 maj 1995 Akademia e Shkencave e Shqipërisë e ka vlerësuar me titullin e nderit “Doctor honoris causa” për veprën Kërkime dhe Studime ndër Arbërorët e Elladhës (Ricerche e Studi tra gli Arberori dell’Ellade) me motivacionin: “Për ndihmesën e veçantë që ka sjellë me mbledhjen, sistemimin dhe botimin e etnologjisë dhe folklorit të arbëreshëve të Italisë dhe arbërorëve të Greqisë”.

2. Kanë kaluar plot katër vjet që kur Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), botoi veprën “Rrugëtim në ngulimet arbëreshe”, (50 kartolina gjigante arbërore në tokën italiane), e hartuar nga Papas Antonio Belushi në bashkautorësi me O. Radovicka. Me 452 faqe, të ndara në dhjetë kapituj, kjo vepër mbulon të gjithë tematikën që lidhet me historinë, jetën dhe të ardhmen e komunitetit arbëresh të Italisë, duke qenë një pasqyrë e përgjithshme për të njohur tërësinë, por njëkohësisht për t’u thelluar në interesa të veçanta, si: prejardhja e emrit, historia e ngulimeve të para, ndarja midis legjendave dhe fakteve, mozaiku i dialekteve, veçorive etnografike, personaliteteve historike e kulturore, vendbanimeve, por edhe problematikave aktuale të mbijetesës e ruajtjes së identitetit etnik e kulturor.

Ngulimet arbëreshe të shkëputura prej shekujsh nga trungu mëmë, të vendosura dhe të shtrira në disa rajone të Italisë, janë histori dhe realitet i prekshëm. Atë Belushi, si një personalitet i vërtetë i komunitetit të vet, me këtë studim në të shkuarën, duke u ndalur në mundimet dramatike e plot kthesa, por dhe në arritjet më të ndritura deri më sot, synon vazhdimësinë: që në këto ngulime edhe më tej duhet të jetohet arbërisht, të flitet arbërisht, të mendohet arbërisht.

Duke u ndalur te secili ngulim të dy autorët veçojnë karakteristikat e mjedisit, tipare të klimës, të bimëve, të drurëve monumente të natyrës, të malit, të pjellshmërisë së tokave, të rrjedhave të lumenjve, të krojeve – të poetizuar nga folklori e poetët – kroje dikur me ujin aq të nevojshëm për jetën e përditshme. Kjo i ka dhënë librit ngjyrë e njomësi, për kundër një përshkrimi të thatë e të rrafshët.

Si klerik Atë Belushi qëndron te kishat, te roli i tyre, te historia e ndërtimit, te arkitektura, te dekorimi, e për faktin se kisha e ritit bizantin ka rolin e saj të madh në mbrojtje të identitetit arbëresh, ndërsa ngulimet që e humbën këtë rit të origjinës dhe morën atë latin, me kohë e kanë humbur gjuhën e të parëve. Vëmendjen e tij, si vizatues i apasionuar dhe krenar i vetëdijes arbëreshe, e tërheqin gojëdhana, legjenda deri anekdota që lidhen me tipare të veçanta kulturore të ngulimeve. Kostumi i gruas arbëreshe, endja e pëlhurave, e qilimave, ndryshimi në ngjyra dhe në prerje nga një krahinë në tjetrën trajtohen me hollësi. E plotësojnë përshkrimin dhe të dhënat mbi ritet e dasmës, të vdekjes, të lindjes së fëmijëve, festat, vallet, gatimet. Shtëpia dhe “gjitonia”, lagjia janë në qendër të vëzhgimeve për çdo ngulim, se janë tipare aq dalluese arbëreshe në krahasim me fshatrat e vendasve italianë.

Libri është pasuruar edhe me aspekte të jetës shoqërore. Arbëreshi e filloi me shtëpitë e bëra me baltë e kashtë dhe krijoi qyteza që jetojnë edhe sot. Arbëreshët ndërtuan kolegje që prodhuan mësimdhënës në nivel dijetari, klerikë të lartë, peshkopë. Studimet në shkollat më të mira italiane nxorrën ushtarakë, poetë, mendimtarë, politikanë e revolucionarë. Garibaldinët arbëreshë u bënë dhe ministra.

Një tjetër aspekt në libër është mënyra se si u arrit krijimi i identitetit arbëresh nga zbrazëtia, pa një ndihmë nga shteti amë që atëherë nuk egzistonte. Dihet që për shkak të ritit në fillim ata i quanin grekë. Dijetarët arbëreshë, ndryshe nga Arvanitasit në Greqi që e humbën vetëdijen e origjinës, e pajisën me mendim qenien e tyre ndryshe nga Grekët dhe Italianët. Në fillim u mbështetën te gjuha, gjaku, besimi i ritit ortodoks, te historia, mitet, këngët e baladat mbi Skënderbeun. Kjo lëvizje e një vetëdijeje si Arbëreshë çoi dhe te kërkimi i origjinës pellazgjike, te Moti i Madh, te Skënderbeu, te shkrimi i gjuhës arbëreshe, mbledhja e botimi i folklorit, te trajtesat shkencore dhe në të tjera ide që u morën dhe nga Rilindja Shqiptare.

Një galeri e tërë personalitetesh arbëreshe hasen në libër pas të dhënave mbi historinë e çdo vendbanimi. Edhe pse një punë e mundimshme, autori ia ka dalë që të vizatojë në mënyrë sintetizuese shumë portrete ushtarakësh, klerikësh, poetësh, publicistësh dhe mendimtarësh arbëreshë, ku ndër të cilët disa përshkruhen me një material të ri dhe vizatime nga këndvështrime të panjohura në literaturën tonë, e madje me rëndësi për gjithë historinë dhe kulturën shqiptare. Libri është i mbështetur mbi një material të pasur bibliografik, rezultat i një pune të gjatë kërkimore dhe hulumtuese.

Ky libër përbën një thesar të trashëgimisë arbëreshe dhe, siç përmend prof. Sadik Bejko në recensionin dërguar në QSPA para botimit, “…libri ka vlerën e një monografie mbi atë që mund ta quajmë Botë Arbëreshe e më tepër se një histori, është një hetim i imët mbi ato dukuri që e bëjnë të veçantë atë që mund ta quajmë qytetërim arbëresh…..dhe përmbledh shumë lëndë mbi trashëgiminë arbëreshe, me vlera të mëdha njohëse, ……libër që herë-herë bëhet tërheqës dhe për stilin e rrjedhshëm e plot ngjyrim”.

Libri “Rrugëtim në ngulimet arbëreshe” (50 kartolina gjigante arbërore në tokën italiane) shërben si një enciklopedi e mirëfilltë e Botës Arbëreshe, duke qenë në të njëjtën kohë një studim i thelluar, një vademekum i dukurive të asaj bote, sa edhe një guidë për të gjithë ata që duan të vizitojnë virtualisht, apo fizikisht katundet arbëreshe. Në të jepen metodologji dhe mënyra të ndryshme të trajtimit të çështjeve të veçanta.

Në Kreun e parë, përmes katër nënkrerëve (f. 21-40): Prejardhja dhe shteti i Arbërit, Gjuha që flet arbëreshi dhe fillesat e shkrimit shqip, Arbëreshët dhe vendbanimet e tyre në Itali dhe Figura e Dhimitër Reresit (Demetrius Reres) ndeshemi me një përmbledhje të fakteve dhe opinioneve, pa analizë, anësi, apo pretendime shkencore, mbi lidhjen e emrit arbër me principatën e hershme mesjetare të Arbërit dhe me shfaqjen e parë historike të Arbërve dhe të gjuhës së tyre në dokumentet e shek. XI-XV, po aq sa edhe me vërtetësinë e ngulimeve të para të lidhura me emrin e D. Reres.

Kreu II me tri nënkrerë: Dukuria e mercenarizmit të Shqiptarëve, Kultura anzhuine në Shqipëri dhe Emigrimet e Shqiptarëve në Itali (f. 41-65), përbën në fakt hyrjen në temën e vërtetë të historisë së Arbëreshëve, shumë pak të njohur nga lexuesi shqiptar, që e zhvendos zakonisht emigracionin arbëresh pas vdekjes së Skënderbeut. Duke sintetizuar dhe sistemuar studime të ndryshme, autorët kanë dhënë për herë të parë një kronologji dhe dinamikë të atij emigracioni, në tetë valë që kanë filluar shumë kohë para epokës së Skënderbeut, për të vazhduar edhe disa shekuj pas vdekjes së tij, me motive dhe nga territore të ndryshme.

Kreu III, përmes pesë nënkrerëve në faqet 67-94, Arbëreshët dhe trashëgimia e tyre kulturore, Arkitektura dhe urbanistika rrethore e katundeve arbëreshe, Trashëgimia shpirtërore arbëreshe, Kisha ilire dhe Kostandinopoja dhe Arbëreshët identitet që ngjall admirim trajton trashëgiminë kulturore materiale dhe shpirtërore të Arbëreshëve, që jetojnë sot në 50 vendbanime të Italisë, me një popullsi prej rreth 100.000 banorësh. Në një përshkrim po aq të shpejtë, sa edhe inciziv, paraqiten format tipike të vendbanimeve, gjitonia, besa, kostumet, gjuha dhe riti bizantin si elemente të krijimit të kohezionit etnik dhe kulturor të Arbëreshëve.

Kreu IV Ngulimet arbëreshe në Kalabri përbën një guidë që na përcjell në të gjitha vendbanimet arbëreshe të Kalabrisë përmes tri nënkrerëve: Ngulimet në rajonin e Kozencës (f. 95-295), Ngulimet në rajonin e Katanxaros (f. 295-311) dhe Ngulimet arbëreshe në rajonin e Krotones (f. 312-322), e fillon pikërisht nga qendra kulturore dhe historike e tyre, Shën Mitri (San Demetrio Corone), që është edhe modeli i përshkrimit të një katundi arbëresh me historinë e themelimit, formën urbanistike, ritet, monumentet, si dhe me listën e gjatë të personaliteteve kulturore, fetare e politike, që ka nxjerrë gjatë shekujve. Pas Maqit (Macchia Albanese), vendlindja e poetit të shquar De Rada, autorët i japin një vend të veçantë Frasnitës (Frascineto), vendlindjes së vetë Atë Belushit, me arkitekturën e fshatit, historinë e tij e Bibliotekën, si një nga vlerat më të çmuara të Arbërisë kalabreze. Një vend të veçantë ka zënë edhe Shën Benedhiti (San Benedetto Ullano), për rolin që luajti Kolegji Korsini (1732) dhe figurat e shquara të familjes Rodota, apo heroi i luftës për bashkimin e Italisë, Agesilao Milani nga kjo komunë, dhe natyrisht Ungra (Lungro) për rolin e veçantë si seli e kryepeshkopit të Arbërisë dhe qendër shpirtërore e Arbëreshëve të Kalabrisë, por edhe Spixana (Spezzano Albanese), si venbanimi më i madh i Arbëreshëve të Kalabrisë.

Vijon përshkrimi i vendbanimeve arbëreshe të Italisë kontinentale në përputhje me kriterin gjeografik me Kreun V, Ngulimet arbëreshe në Bazilikatë (f. 323-335); Kreun VI, Ngulimet arbëreshe në Kampanjë (f. 337-350); Kreun VII, Ngulimet arbëreshe në Molize (f. 351-364) dhe Kreun VIII, Ngulimet arbëreshe në Pulje (f. 365-374).

Një kapitull të veçantë për ngulimet arbëreshe të Sicilisë përbën Kreu IX: Sicilia (f. 375-427). Pas një historiku të shkurtër për kohën dhe truallet ku u vendosën Arbëreshët në shek. XV-XVI, vendin kryesor e zë aty Hora e Arbëreshëvet (Piana Degli Albanesi), e njohur si Piana dei Greci më parë, me përshkrimin e vendbanimve, toponimisë, riteve dhe figurave të shquara të asaj treve.

Përshkrimi i vendbanimeve arbëreshe në Itali mbyllet me Kreun X (f. 429-437): Gjurmët arbëreshe në Venecia, që i kushtohet kryesisht figurave me prejardhje shqiptare që jetuan dhe punuan në Venecia gjatë shek. XV-XVI, si Marin Barleti, Marin Beçikemi, Leonik Tomeu etj.

Libri mbyllet me një bibliografi mjaft të pasur (14 faqe) mbi Arbëreshët e Italisë, ashtu siç është pasuruar edhe me fotografitë e pothuaj secilit vendbanim arbëresh dhe me Hartën e Bashkësive Arbërishtfolëse të Italisë (me ngjyra), përgatitur nga Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Universitetit të Kalabrisë.

Prof. Neritan Ceka recencën e botuar në nr. 1 të Revistës për Studime Arbëreshe “Continuum” e përfundon me frazën: “…libri është një thirrje, një program për të gjithë ata që nuk mjaftohen me kërshërinë mbi botën arbëreshe, por ndjejnë detyrimin për të ndihmuar në ruajtjen e vlerave dhe të integritetit kulturor e gjuhësor të kësaj bote kaq të dashur për çdo shqiptar”.

E gjej të arsyeshme të paraqes për lexuesin Hyrjen e përgatitur nga profesoreshë Pranvera Novi Bogdani në dhjetor të 2020-ës, gjatë përgatitjes për botim.

Hyrje

I nderuar lexues,

Në bibliotekën albanologjike ka munguar deri më sot një përmbledhje tërësore që të hedhë dritë mbi aspekte të realitetit dhe të historisë së vendbanimeve arbëreshe në Itali.

Kjo është arsyeja pse bota shqiptare pret me një gëzim të veçantë botimin e këtij libri, të titulluar “Rrugëtim në vendbanimet arbëreshe të Italisë”, realizuar falë nismës, angazhimit energjik e misionar, përkushtimit ndër dekada, skrupulozitetit e njohjes në detaje, deri në ato më të imta të jetës së arbëreshit dhe forcës e intuitës sintetizuese për të shpjeguar e kuptuar gjithçka (deri në të vërtetat e pakundërshtueshme, gati absolute) të universit arbëresh me rrënjë familjare shekullore studiuesi i talentuar, Anton Belushi (Antonio Bellusci).

Në këtë libër, autori e plotëson më së miri këtë boshllëk dhe i jep në dorë publikut shqipfolës një “enciklopedi” në kuptimin e vërtetë të fjalës, përmes një vështrimi tërësor gjeografik, historik, kulturor, mbushur me ngjarje e personalitete të shquara të jetës politiko-kulturore, figura të spikatura të penës e të shkencës. At Anton Belushi kapërcen e tejkalon haptazi kështu dëshirën e tij modeste (siç shprehet në parathënie të librit) për t’i paraqitur lexuesit 50 kartolina të vendbanimeve arbëreshe, sepse libri i tij është një celuloid i vërtetë i jetës disashekullore në këto vendbanime dhe më gjerë, duke nisur me valën migratore të arbëreshëve aty, një proces me tetë momente kulmore dhe duke vazhduar me luftën për mbijetesë që i përball me sfida të njëpasnjëshme.

Kjo ndodh sepse më mirë se kushdo më parë, At Belushi e ndjen dhe e kupton se gjithçka bëjnë dhe veprojnë arbëreshët e Italisë është shprehje e misterit të kodit të tyre komunikues. Postulati biblik “e para është fjala”, i jep atij fillin bazë për të endur dhe kuptuar pëlhurën historike, lëndën e librit. Vocërraku a vocërrakja arbëreshe merr përmes fjalëve të para të nënës a familjes së saj, aq të ndryshme e të pakuptueshme në mjedisin italian, medaljonin e vyer dhe vulën e dashur të identitetit të veçantë që e bën pjesë të një komuniteti me tradita të lashta, ku spikat mbi të tërë, figura e heroit kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, simbol i shpirtit liridashës, human, altruist.

Në këtë kuptim, libri i Belushit është fryt jo vetëm i një pune të madhe në një studio të mbyllur, thjesht mbi libra, por është rezultat edhe i një vëzhgimi të imët në terren, të shkelurit me këmbë dhe të prekurit me dorë, të parit nga afër të realitetit sot dhe të gjurmëve të së kaluarës, në arkitekturë, veshje, këngë e valle, etj. Vizita në muzetë lokalë ka pasuar ndjeshëm e dukshëm lëndën e kësaj vepre, e cila ka rikonsideruar punën kërkimore të të apasionuarve vendas e të huaj.

Takimet dhe kontaktet personale në konferenca shkencore dhe tryeza frytdhënëse me një plejadë studiuesish bashkëkohorë shqiptarë dhe të huaj janë një tjetër burim që e frymëzoi dhe e mbështeti autorin. Me respekt ai veçon, ndër të tjerë, dy korifenj të studimit të gjuhës shqipe, profesorët Androkli Kostallari dhe Jup Kastrati.

Për të gjitha këto arsye, libri “Rrugëtim në vendbanimet arbëreshe të Italisë” është një libër që të grish, të ndjell, të fton dhe të mundëson një vizitë imagjinare, një udhëtim, apo qoftë dhe një pushim si turist a turiste kur të pajis dhe me hartën aq të qartë e të lexueshme të Universitetit të Kalabrisë, që sqaron adresën e saktë të secilit vendbanim arbëresh në provincat italiane të Kalabrisë, Kampaniës, Bazilikatës, Abrucos, Molises, Puljës e Sicilisë. Mrekullinë që zgjon brenda nesh libri i At Belushit do ta shijojmë në një rast të tillë me të gjitha nuancat siç na siguron dhe Ornela Radovicka, që meriton një falënderim të posaçëm përderisa vetë autori ndan me të bashkautorësinë.

Pranvera Novi Bogdani, Tiranë, dhjetor 2020

Ky libër, më shumë se një monografi, është testament i një Arbëreshi që ia ka kushtuar gjithë jetën ruajtjes së thesarit që e depoziton përmes fjalës. Janë shprehje e këtij testamenti frazat e Parathënies së shkruar prej tij: “Të jesh ndryshe, por i integruar, është një vlerë, një element i pasurisë dhe i rritjes morale para të qenurit civil… Arbëreshi nënkupton një vazhdimësi dhe po jeton…”. Në vijim po japim Parathënien e hartuar nga Atë Ndon Belushi me rastin e përgatitjes për botim të veprës nga QSPA.

Parathënie

Historia përbëhet nga personazhe, luftëra, beteja, simbole dhe, mbi të gjitha, nga vende. Territori, nga ana tjetër, nuk duhet të konsiderohet spektator pasiv ose një realitet amorf e i pashpirt; përkundrazi, është një dëshmitar i vërtetë i përpjekjeve të dëshpëruara, të historive e ndarjeve. Historia arbëreshe është një interpretim i vazhdueshëm. Personalisht, mendoj se historia është një ajsberg, ku ne po anashkalojmë pjesën e zhytur.

Identiteti dhe feja janë elemente shumë të ndjeshme të shpirtit të njeriut; ato janë koncepte, që kërkojnë një qasje të ekuilibruar, të vetëdijshme, të qetë e tolerante, duke synuar rritjen e diversitetit, por jo për ta luftuar atë. Të jesh ndryshe, por i integruar, është një vlerë, një element i pasurisë dhe i rritjes morale para të qenurit civil. Identiteti kulturor e trashëgimia duhet të ruheshin e të vlerësoheshin jo vetëm si të tilla, por edhe si një forcë lëvizëse e mundshme për zhvillimin social-ekonomik.

Në këtë përmbledhje ka të dhëna të grumbulluara për jetën, historinë, gjuhën, ritin, zakonet e për përpjekjet e këtyre njerëzve të mrekullueshëm arbërorë, të shtrirë në hapësirë e në kohë. Të vizitosh fshatrat arbëreshe nuk është njësoj si të njohësh arbëreshët nga maja e katedrës, apo të shfletosh ndonjë libër ku shkruhet për ta. Arbëreshi është një epope, që duhet kodifikuar.

Qëllimi i materialeve të mbledhura është pikërisht krijimi i një teksti të kodifikuar në gjuhën shqipe dhe një kopje të shpërndahet në komunat arbëreshe. Deri më sot, nuk ekziston asnjë lloj libri, ku të përmblidhen në një libër të vetëm shqip historiku, riti, urbanistika, apo dhe zakonet karakterizuese të 50 fshatrave.

Në këtë përmbledhje do të gjeni informacione, por, më së shumti, do të gjeni arbëreshin me dëshirën për t’u ringjallur; do të ndesheni me jetën e tij, historikun e tij, ku do të pikasë një popull shumë i përzemërt gjatë ditëve të festave; do të ndieni se mikpritja arbëreshe është diçka e shenjtë. Do të zbuloni hijeshinë e rrugëve, të sokakëve dhe ndjenjën e vërtetë të gjitonisë. Do të gjeni bustin e Skënderbeut, rrugët në dy gjuhë, do të përshëndeteni shqip, do të dëgjoni shpesh fjalën “bregu”, do të shijoni bukurinë e lindjes së diellit, perëndimin mitik të tij në sfond të shkrirë me relievin ku u vendosën, do të shijoni ritin e kostumet e bukura dhe të arta, që stilistët më të mëdhenj i kanë marrë si model.

Ne, arbëreshët, nuk dinim nga e kishim prejardhjen. Shqiptarëve mund t’u duket çudi ky fakt, por mos harroni se ne në shkolla nuk mësonim shqip. Unë mësova për herë të parë për gjuhën shqipe falë prof. Ernest Koliqit; gjurmët e para të shqipes i mësova prej tij. Më kujtohet edhe miku im Joseph J. Dioguardi, i cili më rrëfeu se e kishte kuptuar shumë vonë se gjuha që flisnin gjyshërit e tij ishte e ndryshme nga ajo gjuhë anglo-amerikane, ishte pikërisht gjuhë shqipe.

Nuk gjendeshin fjalorë që të studionim. Fjalori i parë, më ra në dorë rreth vitit 1975. Më vonë, më ra në dorë dhe fjalori i botuar në vitin 1980 nga prof. Androkli Kostallarit, që u bë dhe miku im. Ku ta dija unë që fjala “agim” korrespondonte me fjalën arbërisht “me- nat’” e kështu me radhë. Sistemi sinonimik i atij fjalori të limituar, përcillej “nga babai te djali”.

Ne e dinim se i përkisnim ritit bizantin e flisnim gjuhën e nënës, pa ditur asgjë për prejardhjen e saj. E flisnim gjuhën siç e dëgjonim dhe kështu e transmetonim. Mendoj se është shumë e rëndësishme që të njohim prejardhjen dhe se cilës popullsi i përket etnia jonë arbëreshe.

U bënë disa vite që nuk shoh akademikë, përveçse nga maja e katedrës apo thjesht në ndonjë konferencë. Filozofojnë dhe flasin vetëm për figurat e shquara të 800-ës, apo fillimi i 900-ës. Shumë prej tyre i kushtohen vetëm poezisë, imagjinatës, krijimit poetik, por nuk mjafton kjo. Arbëreshi është popullsi, nuk është një shprehje e shkuar. Arbëreshi nuk është “fantazi”. Arbëreshi është “situatë” dhe “fakt” e, si i tillë, arbëreshi nuk fillon dhe mbaron te Jeronim De Rada. Arbëreshi nënkupton një vazhdimësi dhe po jeton në një kontekst të tillë, që po i reziston atij pitonit asimilues, që dalëngadalë po e tkurr; ndaj dhe duhet kodifikuar çdo kontekst sa nuk është vonë. Deri tani, historinë tonë e kanë shkruar të tjerët, por ka ardhur koha ta kodifikojmë ne.

Shumë studiues kritikojnë dhe kërkojnë deri një formë akademike për të shprehurit gjuhësor të arbëreshit, po këta akademikë harrojnë se arbëreshët nuk kanë shkolla shqipe. Ne nuk kemi pasur dhe nuk kemi shkolla shqipe. Vetëm prindërit na folën shqip.

Kur drejtoja revistën “Lidhja”, sa e sa herë, u thosha miqve të mi “shkruani siç e flisni!”, sepse ne përdorim në gjuhën italiane karakterin latin në të shkruar, kështu që ishte forma më e thjeshtë për të shkruar shqip e për të mbajtur gjallë komunikimin shqip. Qëllimi ishte të kodifikohej çdo gjë arbëreshe, që mos të asimiloheshim.

Mendoj se klishetë nuk dëshmojnë plotësisht për pasurinë e trashëgimisë arbëreshe (pasi këngët nuk janë të përsosura te arbëreshët – në gjuhën arbëreshe ose në shqip; kostumet po ashtu, nuk janë më lart se niveli i rrobaqepësisë – nuk janë me qëndisje origjinale ari), por është e qartë se përdorimi i përhapur i kostumit tradicional femëror (kostumi mashkullor shqiptar nuk është i vërtetuar historikisht për arbëreshët) dhe këngët janë formë identiteti, janë elemente që i shërbejnë kauzës arbëreshe.

Elementet bazë të mosasimilimit nuk përforcohen me serinë e takimeve dhe të udhëtimeve në Shqipëri, apo në vendet europiane, ku të presin shqiptarët; dhe as nuk ruhet identiteti arbëror me ribotimin e një broshure që nuk do ta lexojë askush, apo me zhvillimin e një konference vjetore me tematikë sesi të ndryshohet ligji për mbrojtjen e pakicave. Këto veprime mund të quhen thjesht një investim vetëm për një pakicë intelektuale, që mbetet “hermetike” dhe një sfidë për investimin e tyre akademik personal. Nëse askush nuk flet arbërisht, nuk mban veshjet arbëreshe, nuk këndon në arbërisht, nuk mendon në arbërisht (sepse “vetëdija arbërore është vetëdija më e përparuar”), është e kotë të gjenden fonde ndërkombëtare për të financuar aktivitete dhe botime të librave, të cilat mbeten pa shpirtin e vetë popullit.

Akademikët, kërkuesit, janë ata që zbresin në terren e të tillë janë studiuesit, hulumtuesit, si: Robert Elsie, Alain Ducillier, Jean de Micelis, Gabriele Ciampi, Nasho Jorgaqi, Mahir Domi, Ali Xhiku etj. Të tillë studiues nuk sheh më. Dua të veçoj edhe dy miq të mëdhenj, të cilët, për mua, mbeten figurat më poliedrike të ndershmërisë intelektuale, profesorët Jup Kastrati dhe Androkli Kostallari. Këta dy të fundit, për mendimin tim, nuk janë vlerësuar ashtu si duhet. Punuan shumë. Janë një minierë e madhe, e çmueshme që vetëm duhet “të gërmohen”. Prof. Jup Kastrati ka lënë pas një thesar. Ishte i ndritur mendërisht e gjigant në shpirt.

Duhet punuar me këtë kategori njerëzish, qoftë dhe me ata me rezultate të vakëta, por që, me angazhim e krenari në rrugët e vendeve arbërore kanë prekur realitetin, duke ndihmuar për hapjen e shkollave në bazë, në fshatrat arbëreshe, ku pak rëndësi ka nëse shkruajnë shqip apo arbërisht, rëndësi ka që të fillojnë një herë. Arbëreshi nuk pret më, arbëreshi po lëngon.

Antonio Bellusci

Atë Ndon Belushi do të mbetet i gdhendur në kujtesën tonë si një personalitet dhe një veprimtar i shquar e i palodhur i jetës dhe lëvizjes kulturore shqiptare në shkallë kombëtare, një shembull i madh frymëzimi se si përpjekjet individuale, plot idealizëm, përkushtim dhe patriotizëm, i shërbejnë kombit dhe kulturës, jo vetëm arbëreshe, por edhe shqiptare, italiane dhe europiane.

Filed Under: Histori

KËRKOJMË DREJTËSI JO HAKMARRJE

September 20, 2024 by s p

Agim Aliçkaj,
Anëtar i Bordit Ekzekutiv të LQSHA
Bronxville, NY, Më 16 shtator 2024/

– Fjala ime në takimin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane me kongresmenin Jerry Nadler në shtëpinë time

I nderuar kongresmen Nadler,

Mirë se vini në shtëpinë tonë! Sipas traditës shqiptare shtëpia jonë i përket Zotit, familjes dhe mysafirit. Ishte kjo traditë që mirëpriti dhe shpëtoi shumë hebrenj të pafajshëm gjatë Holokaustit, të cilët jetuan ose arritën në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare. Jam shumë krenar që babai im Arif Aliçkaj ishte një nga shpëtimtarët që mori pjesë në këtë përpjekje mbarëkombëtare.

Populli i lashtë paqësor shqiptar nuk ka sulmuar kurrë askënd, gjithmonë në mbrojtje të lirisë së tij, duke mbrojtur fëmijët, familjet, shtëpitë dhe tokën e tij nga agresorët si Serbia që u mboll në Evropën Juglindore nga Rusia. Regjimet Serbe në bashkëpunim me Kishën dhe Akademinë e shkencave, janë përpjekur gjithmonë të asgjësojnë shqiptarët, të rrëmbejnë tokën e tyre dhe të kënaqin dëshirat e tyre hegjemoniste për të krijuar Serbinë e Madhe dhe për të siguruar daljen e Rusisë në detin Adriatik.

Në vitin 1990, me familjen time më është dashur t’i shpëtoj okupimit dhe shtypjes së popullit shqiptar të Kosovës nga diktatura komuniste serbe. Unë pata fatin të emigroja në vendin më të mirë në botë, SHBA, në vendin e mundësive dhe ëndrrave të bëra realitet për këdo që dëshiron të punojë shumë. Sot, si shumë bashkatdhetarë të tjerë këtu, po jetoj ëndrrën amerikane.

Menjëherë hyra në Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane për të ndihmuar popullin tonë nën pushtimin serb. Jam i nderuar dhe shumë i lumtur që kam punuar me Presidentin e Ligës, ish Kongresmenin Joe DioGuardi, Këshilltaren për Çështjet e Ballkanit Shirley Cloyes DioGuardi dhe anëtarët e Bordit të Ligës për më shumë se 34 vjet. Dëshiroj të falënderoj Shirley’n dhe Joe’n për lidershipin dhe rolin e tyre të jashtëzakonshëm në çlirimin dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Çlirimi i Kosovës u mundësua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja, të cilët ndihmuan rezistencën paqësore të Dr. Ibrahim Rugovës dhe në vitin 1999 Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës-UÇK, duke luftuar ushtrinë serbe dhe forcat paramilitare terroriste të komanduara nga krimineli i luftës Slobodan Millosheviq, i cili kreu një gjenocid duke vrarë më shumë se 15,000 civilë, duke zhvendosur 1 milion njerëz, duke përdhunuar 20,000 gra dhe duke masakruar 1,432 fëmijë, përfshirë foshnjat.

Pas ndërhyrjes së suksesshme dhe kapitullimit serb, bashkësia ndërkombëtare nuk arriti të bëjë një gjë shumë të rëndësishme që presidenti Biden sugjeroi si senator, denazifikimin e Serbisë. Regjimi serb i ministrit të dezinformimit të Millosheviqit, Aleksandar Vuçiq, sot është saktësisht i njëjtë me atë të Millosheviqit, e njëjta ideologji fashiste, me të njëjtat synime për të dominuar Ballkanin.

I kontrolluar dhe i drejtuar nga Putini, regjimi shkatërrues i Vuçiqit po promovon hapur axhendën ruse. Ata refuzojnë të sanksionojnë Rusinë, lavdërojnë kriminelët e luftës dhe refuzojnë t’i nxjerrin ata para drejtësisë, përfshirë ata që vranë tre amerikanë – vëllezërit Bytyçi, si dhe refuzojnë të kthejnë trupat e personave të zhdukur me forcë. Ata trajnojnë banditët që kërcënojnë minoritetin serb që të mos marrin pjesë në jetën demokratike të Kosovës, duke djegur makinat dhe shtëpitë e tyre.

Në maj të vitit të kaluar, kriminelët serbë kryen trazira dhe rrahën ushtarët e NATO-s, ndërsa më 24 shtator, të komanduar nga kryekrimineli Radojçiq, i cili bredh lirshëm nëpër Beograd, bënë agresion ndaj Kosovës me aktin terrorist në Banjskë, duke vrarë policin në detyrë z. Afrim Bunjaku.

Mbi të gjitha, ata tallen me dialogun e lehtësuar nga ndërmjetësit evropianë duke refuzuar të nënshkruajnë dhe zbatojnë marrëveshjen e BE-së të propozuar nga presidentët Macron dhe Scholz. Në të njëjtën kohë, ata po vazhdojnë me destabilizimin e Bosnjës dhe Malit të Zi.

Politikanët dhe diplomatët evropianë nuk janë të gatshëm t’i bëjnë ballë shantazheve dhe agresionit serb për arsye gjeopolitike, me shpresën se Serbia do të largohet nga Rusia për në Evropë, gjë që nuk do të ndodhë kurrë. Në vend të kësaj, ata po i bëjnë presion viktimës, qeverisë demokratike të Albin Kurtit, duke i kërkuar të bëjë lëshime të dëmshme të pajustifikuara, duke e fajësuar atë për të gjitha keqbërjet dhe intrigat serbe.

Departamenti ynë i Shtetit ka ndjekur verbërisht politikën e dështuar evropiane, e cila ishte një surprizë e madhe për të gjithë neve, duke ditur se Presidenti Biden është shumë i njohur me situatën në Ballkan dhe agresionin serb.

Republika e Kosovës e udhëhequr nga liderët demokratik properëndimorë, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, është duke bërë gjithçka në rregull, duke zbatuar rendin dhe ligjin, duke ndërtuar demokracinë dhe jetën e sigurt për të gjithë në Kosovë, përfshirë minoritetin serb.

I frustruar dhe i pakënaqur me të arriturat e Kosovës, regjimi despotik serb i A. Vuçiqit ka përqendruar të gjitha forcat për ta shkatërruar Kosovën duke kërkuar krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe si parakusht, pa pranuar marrëveshjen e BE-së dhe pa njohur pavarësinë e Kosovës.

Kjo është një çështje që ju e kuptoni shumë mirë, i nderuar kongresmen Nadler, si anëtar i rangut të Komitetit Gjyqësor. Shtetet e Bashkuara dhe vendet më demokratike e kanë njohur Republikën e Kosovës, në bazë të planit të Ahtisaarit të përgatitur prej tyre, i cili garanton me Kushtetutë të drejtat më të larta që mund t’i gëzojë ndonjë pakicë në botë. Qeveria e Kosovës po e zbaton me besnikëri këtë plan.

Kërkesa e Serbisë për t’i dhënë autonomi shtesë pakicës së tyre ka vetëm një qëllim, ta bëjë Kosovën jofunksionale, të nënshtruar ndaj ndarjes dhe shkatërrimit të plotë. Është afërsisht i njëjti numër, rreth 80 mijë shqiptarë që jetojnë në Serbinë jugore, të cilët po diskriminohen dhe pastrohen etnikisht nga regjimi serb. Pse nuk mund të gëzojnë të njëjtat të drejta si serbët në Kosovë? Pse nuk mund të kenë edhe ata Asociacion të komunave me shumicë shqiptare?

Krahasimi i të drejtave tregon se serbët në Kosovë kanë spitalin e tyre, universitetin e tyre në gjuhën serbe, diploma të njohura, 10 vende të rezervuara automatikisht në parlament me të drejtë vetoje, një ministër e kështu me radhë. Shqiptarët në Serbi nuk kanë asgjë nga këto, ndërsa në të njëjtën kohë më shumë se 6000 adresa të tyre janë hequr nga regjistri pa të drejtë vote.

Populli i Kosovës kërkon drejtësi, jo hakmarrje ndaj Serbisë, e cila ende duhet të pranojë dhe të kërkojë falje për gjenocidin. Ata vetëm kërkojnë të kenë të drejtën e ekzistencës në tokat e tyre stërgjyshore. Në këtë drejtim, ne ju lusim me mirësi që mundësisht të përdorni fuqinë dhe lidhjet tuaja në Kongres dhe administratën e Biden-Harris për të ndihmuar popullin më pro-amerikan të Kosovës të jetojë i lirë në paqe dhe demokraci duke:

– Kërkuar nga Shtëpia e Bardhë dhe Departamentit i Shtetit që të përfshihen drejtpërdrejt në dialog duke udhëhequr, jo duke e ndjekur Evropën. Presim vetëm zbatimin e drejtësisë së barabartë për të dyja palët e përfshira, duke i bërë presion serioz Serbisë që të nënshkruajë marrëveshjen e BE-së pa parakushte, veçanërisht pa Asociacion të dëmshëm e të panevojshëm të komunave serbe. Siç ka deklaruar më heret Presidenti Biden, njohja reciproke dhe anëtarësimi i Kosovës dhe i Serbisë në BE, duhet të jetë rezultati përfundimtar i dialogut.

– Organizuar një seancë dëgjimore, pas zgjedhjeve të nëntorit, për të trajtuar dhe vlerësuar situatën e përgjithshme, si dhe të drejtat e shqiptarëve në Serbi dhe serbëve në Kosovë.

Ne e kuptojmë se ka probleme më të mëdha dhe më të rrezikshme në botë me të cilat SHBA duhet të merren, si lufta në Ukrainë dhe Gaza, por problemi në Ballkan është i ndërlidhur. Të gjitha këto probleme shkaktohen nga vendet e “boshtit të së keqes”, Rusia, Serbia, Kina, Koreja e Veriut, Irani, Siria, Hezbollahu dhe Hamasi. Rusia është veçanërisht e interesuar të përdorë Serbinë për të hapur një konflikt të ri në Ballkan, në mënyrë që lufta në Ukrainë të bëhet më e lehtë për ta.

Filed Under: Komunitet

Përsëritja çelësi i të Mësuarit? Jo kaq e thjeshtë!

September 20, 2024 by s p

Nga Fatjona R. Lubonja Ed.D
Education/Neuroscience/Behavior/

Shtatori i gjeti fëmijët përsëri në ritmin e jetës shkollore duke lundruar mes klasave, duke dëgjuar mësimin e parë, duke takuar mësues të rinj, duke u përmalluar me miq të vjetër, dhe duke krijuar shoqëri të re. Por si mbajmë mënd informacionet që marrim apo shokë/shoqe që takojmë? Kemi dëgjuar shpesh që përsëritja është një element kyç i të mësuarit. Por në referim të neuroschkencës dhe edukimit proçesi nuk është dhe aq i thjeshtë. Studimet ndër vite kanë treguar se njerëzit kujtojnë informacionin më mirë në kohë afatgjatë kur i kthehen atij materiali me kalimin e kohës (Cowan, E., et al, 2020). Por efekti it mësuarit nuk është i njëjtë, përkundrazi është gjithmonë në ndryshim. Përshembull një informacion që mund të marrësh në shkollë mund ta dëgjosh në një formë tjetër nga dikush tjetër, në një kohë tjetër, në një mënyrë tjetër. Si rrjedhojë, në procesin e të mësuarit përdrejt kujtesës, nuk është e rëndësishme vetëm sa herë merr informacion por dhe si e merr atë informacion. Pra të lexosh apo dëgjosh dicka dhe ta përsëritësh disa herë egzakt nuk garanton gjithmon një rikthim në kujtesën afatgjatë. Studimet dhe vëzhgimet e neuroshkencës kanë çuar në idenë se “informacioni ruhen në kujtesën afatshkurtër dhe gradualisht shndërrohen në formë të përhershme nëpërmjet një procesi të quajtur konsolidimi i kujtesës” (Bear, 2007, f. 743), gjithashtu falë dhe bashkëpunimit të proteinave “KIBRA & PKMζ” (Tsokas. P., et al. 2024). Kujtesa afatshkurtër zakonisht zgjat nga sekonda në orë, ndërsa kujtesa afatgjatë kujton informacionin për një periudhë më të gjatë kohore nga orë, ditë, apo vite.
Rrugëtimi i të mësuarit fillon me lindjen e fëmijës apo më herët. Aktiviteti i qelizave nervore është i rëndësishëm për proçesin e memories (Kandel, Dudai, & Mayford, 2014) një faktor ky themelor në proçesin e të mësuarit. Çdo neuron ka rreth 10,000 sinapse, vetëm disa për qind e të cilave janë të forcuara. Forcimi i disa sinapseve dhe jo i të tjerëve është mënyra se si ky mekanizëm ruan informacionin (Tsokas. P., et al. 2024). Ka shumë faktorë që ndikojnë në aktivitetin a trurit gjatë proçesit të akumulimit të informacionit dhe kuptimit të tij. Aftësia individuale për të mësuar, përveçse shumë faktorëve të tjerë, mund të influencohet nga aktiviteti i qelizave të trurit dhe rrugëtimi që ato marrin gjatë këtij proçesi. (Bassett, et al., 2015) Përshembull, rrugëtimi i të mësuarit të disa individëve (fëmijë apo të rritur) që duan më shumë kohë të mësojnë, aktivojnë apo vënë në punë edhe pjesë të panevojshme apo jo specifike të trurit, faktor që bën të aktivizojë më shumë rrugëtime të qelizave nervore, gjithashtu kërkon më shumë kohë. Ndërsa truri i disa individëve (fëmijë apo të rritur) që kërkon më pak kohë të mësojnë, ka aftësi ta kufizoj aktivitetin e qelizave nervore vetëm në pjesët e nevojshme të trurit (Bassett, et al., 2015).

Fatjona R. Lubonja Ed.D. është studiuese / autore e shumë shkrimeve dhe ka studiuar Neuroshkencë & Education në Columbia University, në New York. #fatjonalubonja

Filed Under: ESSE

VATRA DO TË NDËRKOMBËTARIZOJË ÇËSHTJEN ÇAME

September 20, 2024 by s p

Dr. Elmi Berisha/

Vatra, vatranët dhe shqiptaro-amerikanët nuk do ta harrojnë kurrë Çamërinë dhe do ta ndërkombëtarizojnë në të gjitha institucionet amerikane çështjen çame. Këto ditë realizova një vizitë emocionuese dhe shumë impresionuese në disa nga viset shqiptare të Çamërisë në shtetin e Greqisë. Kisha planifikuar ti vizitoj enkas këto vise kombëtare dhe të njihem nga afër me gjendjen e gjithmbarshme të bashkombasve tanë atje, si orientim nacional i Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës “VATRA”, vise këto që dikur ishin të banuara me shqiptarë, historia tragjike e të cilëve tashmë dihet, andaj kjo vizitë ishte hapi i parë i zbardhjes së të vërtetës dhe i ngritjes së zërit për të drejtat themelore të njerëzve tanë atje.

Si kryetar i “VATRËS”, për pesë vite, kam vizituar personalisht secilën trevë shqiptare, këtë e kam edhe obligim shpirtëror e zyrtar, por kjo vizitë në Çamëri dhe trojet tjera etnike që edhe tani kanë pjesën dërrmuese shumicë shqiptare, ka karakter të ndërgjegjes sonë kombëtare për ngritjen e të drejtave të kësaj pjese të substancës sonë kombëtare në institucionet e SHBA-ve, si dritë shprese për realizimin e të drejtave të tyre nacionale, të drejtës në pronë dhe në deklarimin e lirë për përkatësinë e tyre kombëtare. Zotohem që këtë çështje do ta ngrej në instancat më të larta të shtetit amerikan.

Ky hap nuk është vetëm vullnet i imi si kryetar i Vatrës, por është obligim dhe orientim strategjik i tërë lidershipit të Federatës “VATRA”. Nga ky moment dhe në ditët, javët dhe muajt në vijim nuk do të ndalemi për të kthyer drejtësinë dhe të drejtat elementare të njeriut për bashkombasit tonë që janë ndër pjesët më të dhimshme të komplet etnikumit shqiptar. Do fillojmë me njerëzit më të mirë të komunitetit tonë që ta ngrejmë këtë çështje në Kongresin Amerikan dhe do të jemi zë i fuqishëm në realizimin e këtyre të drejtave themelore për bashkëkombasit tanë çamë.

Greqia është vend fqinjë dhe mik i shqiptarëve. Ne nuk kemi asgjë kundër popullit dhe shtetit grek, as që bëhët fjalë për pretendime sa i takon integritetit të shtetit grek dhe popullit të lashtë dhe mik helenas, por nuk do të ndalemi së punuari fort në ngritjen e zërit, zbardhjen e historisë së vërtetë, golgotës gjenocidiale që kanë përjetuar shqiptarët në Çamëri, prandaj drejtësia duhet të vihet në vend dhe atyre njerëzve duhet të ju kthehet dinjiteti, e drejta në pronë dhe në deklarimin e lirë se janë shqiptarë, sikurse parasheh e drejta ndërkombëtare, Karta e OKB-së për të drejtat e njeriut dhe lirive të tjera për pakicat kombëtare si në të gjitha shtetet demokratike.

Vatra apelon shtetin shqiptar dhe grek për zbardhjen e krimit, genocidit e masakrave greke mbi shqiptarët e Çamërisë. Vatra do të kërkojë gjithmonë drejtësi për Çamërinë dhe se çështja Çame, çështje thelbësisht kombëtare do jetë gjithmonë ndër prioritetet kryesore të veprimtarisë së Vatrës. Çështja çame, si çështje politike, kërkon tërheqjen e shtetit grek nga akuzat antiligjore kolektive ndaj një popullsie të tërë shqiptare në Çamëri. Vatra i kujton shtetit grek se e ka për detyrë dhe detyrim që të krijojë kushtet që me çdo mjet shqiptarët e dëbuar të rikthehen dhe të fitojnë të drejtat e tyre në Çamëri. Vatra do të punojë fort që Çështja çame të shndërrohet në një problem ndërkombëtar, pasi zgjidhja e saj e kërkon patjetër faktorin ndërkombëtar perëndimor si garanci në zbardhjen e të vërtetës historike të Shqiptarëve në Çamëri.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT