• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2024

Kryetari i “Vatrës” për “Bota Sot”: “Kosova dhe SHBA me miqësi të përjetshme”, Berisha flet për deklaratat e zyrtarëve amerikanë për situatën në veri/ Ja kur duhet të hapet Ura

September 5, 2024 by s p

Naile EjupiNGA NAILE EJUPI MË 4 SHTATOR 2024 NË ORA: 16:47

Elmi Berisha

Intervistë me Kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, Elmi Berisha“SHBA dhe Kosova ndajnë vlera dhe orientime të përbashkëta”

  • Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, Elmi Berisha, thotë se në raportet aktuale në mes Kosovës dhe SHBA-së mund të ketë dallime në qasje, apo edhe mos pajtime në mënyrën e veprimit, por kurrsesi ftohje të raporteve dhe kundërvënie ndaj mikut dhe aleatit strategjik të shqiptarëve në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti.

Berisha në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se SHBA dhe Kosova ndajnë vlera dhe orientime të përbashkëta, andaj qeveria dhe institucionet e Kosovës duhet të ndjekin me besim të plotë këshillat dhe sugjerimet e aleatit tonë strategjik për pjesën veriore të Kosovës.

Sipas tij, Ura e Ibrit duhet dhe do të hapet, por nëse ambasadori amerikan kërkon që të shtyhet për pak kohë, atëherë qeveria duhet ta respektojë këtë kërkesë, kjo për shkak se kur ura të hapet me mbështetjen 100 për qind të SHBA-së, atëherë ajo nuk guxon të mbyllet kurrë.

Berisha në intervistë ka ‘këshilluar’ pozitë e opozitën të jenë unikë sa i takon procesit të dialogut dhe shtrirjes së rendit kushtetues dhe juridik në gjithë territorin e Kosovës, gjersa kërkon që një draft i asociacionit të dërgohet sa më parë në kushtetuese.

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, ka folur edhe për angazhimet e tyre për lobim, afrimim dhe avansimin e çështjes shqiptare në SHBA, por edhe rreth zgjedhjeve në Amerikë e Kosovë.

Intervista e plotë:

Bota sot: Z. Berisha, si i vlerësoni marrëdhëniet SHBA-Kosovë në dy rrafshe; atë historik dhe në aktualitet?

Elmi Berisha: Vlerësoj se marrëdhëniet SHBA-Kosovë tani po hynë në dekadën e katërt, që nga viti 1986 kur për herë të parë u miratua rezoluta e parë në Kongresin e SHBA-ve nga miqtë e Kosovës, Diogardi, Doll dhe të tjerë, mbështetur fuqishëm nga i madhi Jim Xhema. Këto marrëdhënie vazhduan të forcohen, duke arritur vetëm për pak vite në partneritet strategjik, duke pritur zyrtarisht udhëheqësit e Kosovës në krye më Presidentin Historik dr. Ibrahim Rugova në Shtëpinë e Bardhë në vitin 1996. Ky partneritet strategjik dhe kjo miqësi me shtetin dhe popullin amerikan u pasqyrua me vendimin e Presidentit Klinton për të bombarduar Serbinë me 1999, që kulmoj me lirinë e Kosovës. SHBA ishin me Kosovën dhe popullin e saj në secilin hap të ndërtimit të Kosovës, progresin ekonomik dhe ndërtimin e institucioneve demokratike, që kulmoj me mbështetjen e gjithanshme amerikane si aleati kryesor edhe në shpalljen e pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008 nën administratën e Presidentit Bushi i ri. SHBA ishin me Kosovën dhe në krah të Kosovës edhe në njohjen ndërkombëtare të shtetit të Kosovës dhe zhvillimin e gjithmbarshëm në të gjitha aspektet. Miqësia e popullit amerikan dhe atij të Kosovës është unike, e paluhatshme, e përjetshme, pa marrë parasysh se kush qeverisë në të dy shtetet. Në raportet aktuale në mes Kosovës dhe SHBA mund të ketë dallime në qasje, apo edhe mospajtime në mënyrën e veprimit, por kurrsesi ftohje të raporteve dhe kundërvënie ndaj mikut dhe aleatit strategjik të shqiptarëve në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti.

Bota sot: A ka gjasa që mospajtimet e herëpashershme ose edhe në të ardhmen, ta zbehin raportin historik mes Kosovës dhe Amerikës?

Elmi Berisha: Nuk dua të besoj që dallimet në qasje do të zbehin miqësinë në mes të dy popujve dhe shteteve. Kosova është shteti më pro-amerikan në Evropë, SHBA është garanca më e sigurt e ekzistencës së shtetit të pavarur të Kosovës dhe prosperimit drejt integrimit euro-atlantik. Është miqësi e përjetshme.

Bota sot: Tendencat qeveritare për të shtrirë rend dhe siguri në veri të Mitrovicës nga Kosova, kanë hasur në barriera. Si i shihni komentet e zyrtarëve amerikanë karshi Kosovës për zhvillimet e fundit?

Elmi Berisha: Unë jam mbështetës i veprimeve kushtetuese dhe zbatimit të ligjit në secilën pjesë të Republikës së Kosovës. Janë disa çështje senzitive që kanë të bëjnë me sigurinë dhe stabilitetin rajonal si dhe interesat gjeopolitike, në këtë kontekst mbështes në plotëni qëndrimet e zyrtarëve të shtetit mik amerikan dhe apeloj te qeveria e Kosovës që të koordinohen ngushtë dhe për secilin veprim që tangon sigurinë e rajonit dhe interesin gjeopolitik amerikan. Vlerësoj se SHBA dhe Kosova ndajnë vlera dhe orientime të përbashkëta, andaj qeveria dhe institucionet e Kosovës duhet të ndjekin me besim të plotë këshillat dhe sugjerimet e aleatit tonë strategjik.

Bota sot: Veçanërisht, Ura e Ibrit është temë aktuale dhe ka tërhequr vëmendjen si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Sipas jush, cilat mund të jenë ato arsyet e forta që po i shtyjnë ndërkombëtarët për alarmim, të cilët edhe kanë bërë thirrje që kjo çështje të lihet për një kohë tjetër?

Elmi Berisha: Sa i takon kësaj çështjeje vlerësoj se ura mbi lumin Ibër duhet dhe do të hapet sepse ajo është çështje e dakorduar vite më parë ne dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Në situata të tilla, kur për arsye të sigurisë dhe implikimeve të tjera që prekin çështje senzitive, konsideroj se qeveria e Kosovës duhet të ketë koordinim të plotë me SHBA-të. Nëse ambasadori i SHBA në Prishtinë kërkon që kjo çështje të shtyhet për pak kohë, atëherë vlerësoj se qeveria e Kosovës duhet të respektojë këtë kërkesë të aleatit tonë më të besueshëm. Hapja e urës të bëhet me mbështetje 100% nga SHBA-të dhe pasi të hapet nuk guxon të mbyllet kurrë. I bëjë thirrje qeverisë së Kosovës t’i respektojnë në plotëni kërkesat reale të mikut të madh të Kosovës ambasadorit Hovenier.

Bota sot: Në sfond na mbetet çështja e asociacionit, si i komentoni zhvillimet ose çfarë kahjesh mund të merr çështja për asociacionin. Kosova refuzon modelet e kaluara, derisa Serbia insiston në to. Çfarë epilogu mund të rezultojë në fazën finale?

Elmi Berisha: Duhet të jemi real. Përfaqësuesit institucional të Kosovës e kanë pranuar marrëveshjen e Brukselit dhe aneks marrëveshjen e Ohrit, ku parashihet edhe formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe. Inkurajoj Kryeministrin që në koordinim dhe konsultime por edhe me garanca nga SHBA-të të dërgoj draft statutin për asociacionin në gjykatën kushtetuese e cila është gardiani i rendit kushtetues në Kosovë. SHBA-të përmes zyrtarëve më të lartë kanë deklaruar disa herë se nuk ka ndarje dhe as bosnizim të Kosovës, dhe kur flet Shtëpia e Bardhë, Senati, Kongresi dhe Departamenti i Shtetit të SHBA-ve, atëherë nuk ka asnjë arsye për shqetësim. Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit duhet të zbatohen në plotëni, kjo i hapë rrugë Kosovës për anëtarësim në NATO, BE dhe pa diskutim në fund të procesit edhe njohjen nga Serbia. Alternativë tjetër nuk ka.

Bota sot: Nga prizmi juaj, çfarë këshillash apo sugjerimesh do të kishit për qeveritarët pozitarë dhe opozitarë karshi Amerikës dhe vendeve aleate në rrethanat e tanishme?

Elmi Berisha: Qeveria dhe opozita duhet të jenë unik sa i takon procesit të dialogut dhe shtrirjes së rendit kushtetues dhe juridik në gjithë territorin e Kosovës. Duhet të jenë bashkë në proceset integruese, politikën e jashtme dhe në koordinimin me partnerët tanë strategjik në krye më SHBA-të. Inkurajoj spektrin politik të Kosovës që të thellojnë bashkëpunimin dhe koordinimin me SHBA-të në veçanti në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, në këtë segment të koordinohen ngushtë, në fushën e energjisë, Intelegjencës Artificiale dhe disa sektorëve tjerë vital për të ardhmen e Kosovës. Bashkëpunimi, mbështetja, këshillat dhe asistenca amerikane në këta sektorë janë garancë e prosperitetit, zhvillimit dhe sukseseve të Kosovës në integrimet euro-atlantike që është edhe orientim strategjik i shtetit dhe popullit të Kosovës.

Bota sot: “Vatra” të cilën e drejtoni, ka lobuar e mbështetur Kosovën vazhdimisht në të kaluarën. Por ju lutem na thoni, çfarë planesh keni tani dhe si po shkojnë gjërat në rrugën lobuese. Në çfarë pikash jeni mbështetur, a keni takime apo biseda me zyrtarë amerikanë rreth Kosovës dhe zhvillimeve të fundit?

Elmi Berisha: “Vatra” si organizata më e vjetër e shqiptarëve në SHBA, po vazhdon me misionin e etërve themeltarë, Nolit e Konicës në ndihmën, lobimin, afirmimin dhe avansimin e cështjes shqiptare në SHBA. Gjatë këtyre 4 viteve kemi zhvilluar një numër rekord aktivitetesh, organizimesh, marrëveshje me Tiranën, Prishtinën, Shkupin dhe të gjitha trevat etnike shqiptare. Kemi riorganizuar, freskuar dhe avansuar shumë aktivitetin e “Vatrës” si në aspektin lobues, politik, diplomatik, akdemik, kulturor dhe medial si dhe ngritjen në nivelin ma të lartë të komunikimit dhe kontakteve me përfaqësuesit e shtetit dhe institucioneve të Amerikës. Vetëm para pak ditësh u pritëm si lidership i “Vatrës” në Shtëpi të Bardhë dhe Departamentin e Shtetit, ku biseduam shtruar me zyrtarët më të lartë kompetent për Ballkanin, ku pashmangshëm Kosova ishte tema kryesore. Kemi organizuar takime substanciale me Senator dhe Kongresmen nga të dy kampet politike dhe kemi pritur në selinë e “Vatrës” zëra të fuqishëm të shqiptarëve dhe Kosovës në Senatin dhe Kongresin amerikan. Do të vazhdojmë të lobojmë dhe avansojmë marrëdhëniet e shkëlqyeshme me institucionet e shtetit amerikan dhe poashtu po koordinohemi edhe me ambasadat e SHBA-ve në Prishtinë, Tiranë dhe ato që mbulojnë të gjitha trevat shqiptare në mënyrë që këto angazhime shumëdimenzionale të jenë efektive, të dobishme dhe në kohën e duhur. Do të vazhdojmë të jemi avokuesit kryesor të kombit tonë në të gjitha adresat dhe qendrat vendimarrëse në SHBA.

Bota sot: Ka zgjedhje në Amerikë. Por kemi zgjedhje edhe në Kosovë në fillim të vitit 2025. Nëse veç keni prognozime të hapura, a mund të na jepnit ndonjë mendim se kush do ta drejtojë Amerikën në mandaturën e radhës dhe kush mund ta ketë primatin e qeverisjes në Kosovë?

Elmi Berisha: “Vatra” është organizatë kombëtare, apolitike. Ne kemi relacione me të dy kampet politike në SHBA për dekada me radhë. Cilido kandidat që fiton garën për Shtëpinë e Bardhë nga cilido kamp politik është adresë e njohur për neve dhe i kemi dyert e hapura. Një gjë mund të ju garantoj se pa marrë parasyshë se kush fiton në SHBA, politika amerikane do të jetë konsistente dhe gjithmonë në mbështetje të fuqishme për shqiptarët dhe Kosovën. Këtu nuk kemi fare dilema. Ne e respektojmë votën e lirë të qytetarëve të Kosovës. Kushdo që fiton garën në zgjedhjet parlamentare në fillim të vitit të ardhshëm në Kosovë, ne do e respektojmë secilën qeveri të dalë nga vota e popullit dhe do të bashkëpunojmë ngushtë me qeverinë e ardhshme në funksion të forcimit të miqësisë SHBA-Kosovë dhe do e ndihmojmë shtetin e Kosovës me tërë potencialin tonë.

Filed Under: Interviste

Ndahet nga jeta Astrit Lulushi, “Vatra” e “Dielli” telegram ngushëllimi

September 5, 2024 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” dhe gazeta “Dielli” i shprehin ngushëllimet më të dhimbshme familjes Lulushi, miqve e të afërmve të tij për ndarjen nga jeta të gazetarit të shquar të “Zërit të Amerikës” Astrit Lulushi. Në këtë ditë të dhimbshme për familjen e miqtë, kolegët e bashkëpunëtorët, veçanërisht gazeta “Dielli” shpreh keqardhjen e thellë dhe ndan dhimbjen për ndarjen nga jeta të një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë e më cilësorë të viteve të fundit. Ai do të kujtohet jo vetëm për kontributin e lartë afro tri dekada në “Zërin e Amerikës” por mbi të gjitha për integritetin e lartë njerëzor, mirësinë dhe profesionalizmin e spikatur. Astrit Lulushi la pas një trashëgimi të shkëlqyer mediatike e publicistike.

Qoftë i paharruar. Pushoftë në paqen e përjetshme.

Filed Under: Komunitet

NËNA TEREZE U ANGAZHUA QË NJERIU TË MOS I NGJAJË NJË SKELETI TË ZHVESHUR NGA NDJESIA NJERËZORE

September 5, 2024 by s p

Sipas Nënës Tereze natyra njerëzore ka nevojë më tepër për anën shpirtërore sa sa materiale dhe njeriu pa komponentën shpirtërerore është një skelet që lëviz me komandën e atyre që kontrollojnë vullnetet njerëzore.

Nga Prof. dr. Skender ASANI

Nga data 26 gusht deri më 5 shtator, bëmë një një bashkëudhëtim rajonal me figurën e Nënës Tereze, i quajtur figurativisht “Drita e Gonxhës”, duke dashur që me këtë veprim të dëshmojmë se i përkasim vizionit të kësaj gruaje me zemër të madhe dhe me shpirt të pasur. Nga Shkupi, aty ku kishte lindur Gonxhe Bojaxhiu- Nëna Tereze, deri në Tiranë, aty ku prehen eshtrat e nënës dhe motrës së saj, ky bashkëudhëtim nuk ishte thjeshtë një lëvizje rutinore vetëm sa për të shënuar disa nga stacionet e rëndësishme të jetës dhe veprës së saj, por mbi të gjitha ishte intenca që të integrojmë në praktikat tona të mendimit dhe veprimit frymën dhe kauzën e flijimimit për tjetrin që ajo e përfaqësoi gjatë gjithë jetë së saj.

Hapi i parë dhe më i qëlluar që këto praktika të jenë pjesë e filozofisë sonë sociale e humane, ishte themelimi i Departamentit për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze në kuadër të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, me çka vendosëm një standard vlerësimi për një figurë të veçantë, siç ishte Nën Tereze. Pa këtë standard nuk mund të poretendojmë se po bëjmë mjaft për këtë figurë të madhe, sepse vetëm duke e ngritur në rrafsh institucional nderimin dhe përkushtimin ndaj saj, mund të themi se e kemi shlyer një pjesë të borxhit moral që kemi ndaj saj. Për rrjedhojë, ky nderim dhe përkushtim, me kalimin e kohës, nga viti në vit, , ka ardhur duke marrë pamje dhe fizionomi, qoftë në formë të një manifestimi të cilin tash e katër vite e mbajm, qoftë në formë të botimeve e publikemeve të ndryshme e të veçanta, përfshi edhe revistën e specializuar, me emër simbolik “Drita e Gonxhës”, një platfomë kjo që do të shërbejë si data-bazë e ideve dhe të dhënave të vlefshme të autorëve të ndryshëm mbi jetën dhe veprën e Nënës Tereze.

Jehona e një ngjarjeje asnjëherë nuk mund të marrë dhenë, nëse fuqia e asaj ngjarjeje kufizohet vetëm në suaza të ngushta të fushëveprimit. Duke e ditur këtë ligj të fizikës, ne u kujdesëm që të gjitha veprimtarive tona lidhur me Nënën Tereze t’u japim impakt më të gjerë rajonal e gjithpërfshirës, përfshi edhe qendrat tona shpirtërore-katolike të Kosovës e Shqipërisë si dhe një numër të madh pjesëmarrësish nga fusha e jetës publike, duke filluar nga personalitetet më të larta shtetërore, diplomatë të huaj, e deri te figura të rëndësishme të kulturës e dijes në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë, Shqipëri dhe më gjerë.

Paqe, dashuri, flijim për tjetrin – ky ishte trekëndshi brenda të cilit lëvizi e gjithë kauza etike e humane e Nënës Tereze. Ajo ishte e bindur se pa paqe, pa dashuri dhe pa flijim për tjetrin nuk mund të ketë harmoni tokësore dhe prehje hyjnore. Të jetosh me barrën që askush nuk ta ngarkon në shpinë, përpos ndërgjegja jote që të jesh në shërbim të të tjerëve, është akti më sublim i fijimit dhe sakrificës njerëzore që NënaTereze me vetëdije të plotë i shndërroi në aksioma të të menduarit dhe vepruarit.

Paqa ka çmim shumë të lartë, por për paqen, sipas Nënës Tereze, duhet luftuar me dashuri, e jo me armë. Fushëbetejat paqësore janë shumë më domethënëse se sa fushëbetejat ushtarake, sepse vetëm paqa është burim i begative tokësore, kurse luftërat dhe konfliktet e rrezikojnë ndjeshëm zhvillimin dhe përparimin e njerëzimit. Mbi këto postulate etike e humane u mbështet edhe filozofia dhe teologjia e Nënës Tereze e cila autoritetin e saj e shfrytëzoi në rritjen e ndërgjegjes njerëzore, por edhe në takime me burrshtetas të ndryshëm, për parandalimin e konfliketeve, si predispozitë e krijimit të kushteve për një botë të qetë e të lumtur.

Ndonëse ishte një figurë e madhe me ndikim planetar, Nëna Tereze nuk pati ndonjë protokoll strikt në aktivitet e saj, sepse gjithçka që ajo bënte për të sëmurët, të varfërit dhe të vetmuarit, nuk duronte protokoll, nuk duronte burokraci. Kjo mënyrë e të vepruarit, ishte e kundërta e praktikave zyrtare, sepse dora e ngrohtë dhe buzëqeshja e saj ishin mekanizmat magjikë që ndikonin shumë më shumë në këndelljen shpirtërore të njerëzve, se sa çdo lloj ndihme tjetër që bëhej me pompozitet nga autoritetet zyrtare. Me këtë ajo dëshmoi se natyra njerëzore ka nevojë më tepër për anën shpirtërore sa sa materiale dhe njeriu pa komponentën shpirtërerore është një skelet që lëviz me komandën e atyre që kontrollojnë vullnetet njerëzore. “Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyrë, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!”, thoshte ajo. Prandaj, Nëna Tereze u angazhua që njeriu të mos i ngjajë një skeleti të zhveshur nga ndjesia njerëzore, sepse kur njeriut i mungon njerëzorja ai shndërrohet në vegël që në mënyrë mekanike bën veprime jo të duhura. Vetëm njerëzorja, sipas Nënës Tereze, individin e bën të madh dhe jo pushteti. Prandaj ajo kur takohej me burreshtetas, ata i trajtonte pa glamurozitetin dhe pompozitetin e nevojshëm për takime të tilla, ndërkaq edhe burrshetasit kur takoheshin me të, i nënshtroheshin disi famës që ajo kishte. Ish-kryeministrja e Indisë, Indira Gandi, pas takimit me të kishte thënë: “Të takosh Nënë Terezën do të thotë të përjetosh ndjenjën e inferioritetit dhe atë të pushtetit të madh të mirësisë dhe të fuqisë së dashurisë”. Kjo edhe për faktin se Nëne Tereza nuk e pranoi asnjëherë famën si nocion që do ta bënte atë të rëndlsishme , sepse ajo shpesh thoshte se gjithçka e bënte e bënte për hir të dashurisë së Zotit. “Jam një laps i vogël në duart e Zotit. Ai më përdor për të shkruar atë që dëshiron…”, shprehej ajo.

Jemi me fat, por edhe me përgjegjësi që jetojmë në epokën e Nënës Tereze, sepse nuk mjafton vetëm ta përmendim emrin e saj në raste të ndryshme që ndërlidhen me data të rëndësishme të jetës dhe veprës së saj, por edhe ta ngrejmë nivelin e kujdesit dhe përkushtimit ndaj saj, duke e bërë këtë nivel sa më të dinjitetshëm dhe sa më të kompletuar në pikëpmaje institucionmale, një përpjekje kjo që tash më është bërë pjesë e filozofisë sonë menaxhuese si ITSHKSH dhe si Deprtament për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze.

Shkup, 05. 09. 2024

Filed Under: Opinion

Rama, Skënderbeu i pafanë, polemika për modelin e monumentit

September 5, 2024 by s p

Satirë nga Rafael Floqi

rama skenderbe

Në një ceremoni që mund të përshkruhet vetëm si një përzierje e një filmi historik dhe një komedie të zezë, përurimi i një përmendoreje të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti në Hora e Arbëreshëve në Itali ka ndezur një ortek polemikash në rrjetet sociale. Dhe si për t’i hedhur benzinë zjarrit, në ceremoni merrte pjesë edhe Elisa Spiropali, e njohur ndryshe si “Mamica” nga shefi i saj, Edi Rama.

Problemi? Portreti në shtatoren e Skënderbeut nuk ngjante aspak me atë që jemi mësuar të shohim. Në fakt, shumëkush që ka parë videot e Elisës, të stolisur me kostum kombëtar arbëresh dhe me skufje në kokë, duke prerë shiritin e përurimit, është befasuar me ngjashmërinë që “Skënderbeu” kishte me liderin që drejton prej më shumë se një dekade Shqipërinë. Po, po, e lexuat mirë. Skënderbeu i ri duket si Edi Rama!

Dhe si për të shtuar kripë në plagë, vepra titullohej “Rilindje”. Kaq është dashur që të shpërthejnë memet që ironizonin delirin e Edi Ramës. Nga Facebooku në TikTok, çështja kaloi në sferat politike. Lideri i opozitës, Berisha, nuk e humbi rastin të tallet me delirin e Ramës që i duket vetja si Skënderbeu, prandaj porosit monumente që i ngjajnë portretit të tij. E menjëhershme ishte përgjigjja nga qeveria. Ministri i shtetit, Taulant Balla, që ndonëse u degradua nga kryeministri, e ka të palëkundur servilizmin ndaj tij, reagoi duke mbrojtur jo shefin, por autorin kosovar të monumentit dhe arbëreshët e Italisë që e kanë pranuar atë në gjirin e tyre. “Ç’faj kanë ata që kalit gërmuq të Rrugës së Shpresës së kotë dhe kujdestarëve të patkonjve të tij, u fanepset Edi Rama kur shohin Skënderbeun,” shkroi ai.

Në pamje të parë, qeveria shqiptare, Rama dhe Mamica e tij, teorikisht nuk kanë pasur shanc të ndikojnë mbi atë se si do dukej monumenti. Ai që është vënë në bashkinë e Hora e Arbëreshëve është një vepër e skulptorit kosovar Gëzim Muriqi. Ai është një kopje e të njëjtit monument që e kanë porositur shqiptarët e Zvicrës dhe më parë është vendosur aty si përkujtim për heroin kombëtar. Pra, në këto kushte, mundësia e ndikimit mbi zgjedhjen artistike është e vogël.

Por historia nuk mbaron këtu. E para, sepse portreti i Skënderbeut nuk është ai tipiku. E dyta, sepse rastësisht vepra quhet “Rilindje”. Dhe e treta, sepse sipas disave, aty shquhen tipare të autokratit shqiptar.

Por kjo do të ishte një polemikë që do të shuhej këtu, nëse deliri i Edi Ramës për t’u krahasuar me heroin kombëtar të shqiptarëve nuk do të kishte qenë një mani që zgjat prej disa vitesh. Vetëm sot ne kuptojmë se britma ngazëlluese e Elisës në 2017-ën, për ta quajtur të adhuruarin e saj Skënderbe, së njëjtës Elisë që shkoi për të përuruar bustin tek arbëreshët, nuk ka qenë nga koka e saj. Herë me humor dhe me ironi, Rama e ka rimarë shpesh këtë fabul për ta ngulitur më mirë në kokat e njerëzve.

Këmbëngulja e tij për ta thirrur Mamica, atë që së fundi e gradoi si kryetare Kuvendi, duket sikur bëhet me qëllim për ta përsëritur fabulën e Skënderbeut. Pak ditë pas fitores së Benet Becit në Shkodër, kryeministri e thirri atë në një podcast. Aty ai Elisën e thërriste në mënyrë normale si Mamica.

Të njëjtën fabul kishte përsëritur Rama edhe gjatë një takimi në sallë të madhe me socialistët e Shkodrës. “Kam pasur disa diskutime me Mamicën,” tha ai fillimisht dhe pastaj për ta përforcuar shtoi gjoja si me naivitet: “Oh, ju e njihni si Elisa…”.

Edhe në raste të tjera, kur i jepet mundësia, kryeministri e porosit regjinë televizive të PS dhe këshilltarët e tij mediatikë ta fokusojnë në ekran me bustin e Skënderbeut mbrapa. Gjatë një takimi elektoral para zgjedhjeve të 2021, ku PS e zhvilloi mbledhjen tek kompleksi i Gjergj Lucës në Labinot, gjatë gjithë fjalës së Ramës koka e tij transmetohej live duke pasur Skënderbeun përkrah.

Aq e dukshme është kjo mani sa i ka rënë në sy edhe shtypit të huaj. Në një shkrim kritik për kullat korruptive të Tiranës, që bëri gazeta serioze britanike “The Guardian”, aty përmendjen me ironi edhe një kullë: ajo që po ngrihet përkrah 15 katshit që pretendon se është formësuar sipas fytyrës së Skënderbeut por që nuk përjashtohet të japë edhe shëmbëlltyrën e Ramës. 

Sidoqoftë në Itali kryetari i bashkisë, Rosario Petta, gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje, duke uruar të gjithë bashkëqytetarët arbëresh, afër dhe larg.  “Kanë kaluar plot 536 vjet që nga 30 gushti 1488, data e themelimit të Horës, dhe ende sot, ashtu si atëherë, feja, riti, gjuha, kultura dhe traditat janë përcjellë nga brezi në brez. Pasuria kulturore e ne arbëreshëve në tokën italiane është unike dhe duhet të ruhet e të vlerësohet”, tha ndër të tjera ai.

Shoqata “Hora e Skënderbeut”, e cila u angazhua për gati dy vite për realizimin e kësaj shtatoreje, e përshkruan ngjarjen si një moment kulminant në historinë e komunitetit arbëresh, duke theksuar se trashëgimia kulturore arbëreshe në tokën italiane është unike dhe duhet të ruhet dhe vlerësohet me kujdes.

Pra, kuptohet lehtë se polemika e sotme nuk ka lindur nga hiçi. Deluzionet e madhështisë janë besime të rreme ku individët mendojnë se zotërojnë fuqi, rëndësi ose aftësi të mëdha, pavarësisht dëshmive për të kundërtën. Këto deluzione shpesh shoqërojnë gjendjet e shëndetit mendor si skizofrenia, çrregullimi bipolar ose disa lloje të demencës.

Kur bëhet fjalë për monumentet, iluzionet e madhështisë kanë ndikuar historikisht në ndërtimin e strukturave madhështore. Udhëheqësit me vetëvlerësim të fryrë kanë porositur ndërtesa monumentale për të shfaqur fuqinë dhe trashëgiminë e tyre. Për shembull:

Faraonët, të konsideruar si perëndi në Tokë, ndërtuan piramida masive si varre për të demonstruar statusin e tyre hyjnor dhe për të siguruar trashëgiminë e tyre.

Mbreti Louis XIV i Francës, i njohur për imazhin e tij madhështor për veten, e zgjeroi këtë pallat për të pasqyruar fuqinë dhe kontrollin e tij absolut.

Taj Mahal edhe pse i ndërtuar nga dashuria, vizioni madhështor i perandorit Shah Jahan për këtë mauzoleum pasqyronte gjithashtu dëshirën e tij për të lënë një trashëgimi të qëndrueshme.

“Unë absolutisht nuk më pëlqen dhe nuk dua askënd” (Unë nuk dua asgjë dhe askënd), e cila është e barasvlefshme (pasi “Unë dua asgjë dhe askënd”) ‘nga pikëpamja psikologjike, thotë Frojdi, Kjo është puna e megalomanisë në fushën e paranojës: “megalomania korrespondon, thotë ai, me zotërimin psikik të kësaj sasie libidoje”. Më në fund, në vitin 1915, në kapitullin XXVI të Hyrjes në Psikanalizë (“Teoria e libidos dhe narcisizmit”), Frojdi kujton se format e paranojës, sipas përmbajtjes së tyre, “përshkruhen si megalomani. iluzionet e persekutimit, erotomania, deluzionet e xhelozisë etj. ” Këto struktura jo vetëm që simbolizojnë ambiciet e sundimtarëve, por gjithashtu shërbejnë si kujtesë të qëndrueshme të madhështisë së tyre të perceptuar. 

Ndofta monumenti i autorit kosovar Gëzim Muriqi mund të mos ketë lidhje me të. Por një model fake i Edi Ramës, ndoshta emërtimi i tij “Rilindja” dhe pjesëmarrja e Elisës në promovim mund të jenë krejt rastësore, por ama Mamica vijon të jetë një provë se sa herë thërret për Skënderbeun e sotëm, po aq herë bën më lart në karrierë. 

Dhe ky monument në modelin e tij fake dhe në ngjashmërinë e pamohueshme me Edi Ramën, ka qenë plehu që ka shtuar pjellorinë e memeve në mediat sociale. Sa një arbëresh pyeti si me naivitet me shaka:

-Pse monumenti i Skënderbeut filloi të mbante syze? 

-Sepse donte të shihte nëse i ngjante vërtet Edi Ramës!

Filed Under: Fejton

Mesha shqip e Fan Nolit në Odesa të Ukrainës 4 shtator 1911

September 4, 2024 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Fan Noli kishte muaj që po përgatitej për udhëtimin që do të bënte në Evropë. Supas gazetës së Sofjes “Liri e Shqipërisë”, e cila pasqyronte saktë itinerarin e Nolit, ai arriti në Odesa të Ukraniës me 30 gusht 1911, ku u prit me nderime të mëdha. Lajmin e mbërritjes së tij e mësuan edhee korrespodentët e gazetave të vendit, të cilat e pyesnin për gjendjen në Shqipëri dhe të Kishës shqiptare. Noli u përgjigje në ç’gjuhë që të dëshironin dhe me hollësiraa të mëdha. Të nesërmen gazetat botuan kronika për mbërritjen e tij, madje me fotografi.

Pasi i bëri vizitë kryepeshkopit të Odesësë, Noli mbajti meshën e parë shqip në Kishën Episkopale, që ndodhej në Ekaterskaya 67, midis pazarit dhe rrugës Arnauti i Madh. Mesha u mbajt të hënën me 4 shtator. Atë ditë kisha ishte mbushur plot e përplot me besimtarë ortodoksë e sidomos nga katër fshatra kishin ardhur për të dëgjuar meshën. Shqiptarët e Odesës ishin më të gëzuarit sepse për herë të parë po dëgjonin një meshë shqip nga një prif shqiptar.

“Vëllezër dhe motra, besnikë të shumtë që merrni pjesë në këtë meshë sot. Për mua qe një kënaqësi dhe njëkohësisht një lumturi e madhe që të parit m’u dha rasti që ta nxjerr këtë meshë përpara anëtarëve të kollonisë shqiptare në gjuhën shqipe, në gjuhën tonë amtare, në atë gjuhë që kanë folur baballarët, gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë, gjuhë me të cilën jemi mëkatuar, që me të na ka rënë koka në dhetë. Grekërit thonë se sa janë të krishterë janë grekë, sepse janë orthodoskë. Por orthodoksia ëshë një gjë, kurse kombësia është diçka tjetër. Ne nuk jemi as grekë, as bullgarë, por jemi thjesht shqiptarë. Këtë vëllezër dhe motra të dashura, na e vërtetoi më së miri dhe mesha jonë sot, të cilën e dëgjuat me aq vëmendje, sepse e kuptuat se ajo u mbajt në gjuhën tuaj, që është e ëmbël për ne si qumështi i nënës! Të bekuar qofshi të gjithë!”, tha Noli në lutjen e tij.

Zëri melodioz i uratës la pershtypje te shqiptarët e Odesës. Njerezve u ngrineshin mornica nga gëzi që ia arritën kësaj dite, shkruante gazeta. Noli tha se Shqipërisë i duheshin priftërij të tillë, tè cilët do të mund ta drejtonin kombin në udhë të drejtë dhe të shëronin plagët e tij. Tè nesèrmen, urata foli nè njè mbledhje ku kishin ardhur të gjithë. Ai tha se shkaku i prapambetjes sè shqiptarëve ishte se ata nuk ndihmonin sa duhet dhe se nuk dallonin çështjet që ishin me rendësi nga ato me mè pak rêndèsi.

Noli u largua nga Odesa pas nèntë ditèsh dhe vizitoi shqiptarèt e Kishinjevit, që nè atè kohè ishte gjithashtu pjesë e Rusisë.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT