NGA NAILE EJUPI MË 4 SHTATOR 2024 NË ORA: 16:47
Intervistë me Kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, Elmi Berisha“SHBA dhe Kosova ndajnë vlera dhe orientime të përbashkëta”
- Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, Elmi Berisha, thotë se në raportet aktuale në mes Kosovës dhe SHBA-së mund të ketë dallime në qasje, apo edhe mos pajtime në mënyrën e veprimit, por kurrsesi ftohje të raporteve dhe kundërvënie ndaj mikut dhe aleatit strategjik të shqiptarëve në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti.
Berisha në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se SHBA dhe Kosova ndajnë vlera dhe orientime të përbashkëta, andaj qeveria dhe institucionet e Kosovës duhet të ndjekin me besim të plotë këshillat dhe sugjerimet e aleatit tonë strategjik për pjesën veriore të Kosovës.
Sipas tij, Ura e Ibrit duhet dhe do të hapet, por nëse ambasadori amerikan kërkon që të shtyhet për pak kohë, atëherë qeveria duhet ta respektojë këtë kërkesë, kjo për shkak se kur ura të hapet me mbështetjen 100 për qind të SHBA-së, atëherë ajo nuk guxon të mbyllet kurrë.
Berisha në intervistë ka ‘këshilluar’ pozitë e opozitën të jenë unikë sa i takon procesit të dialogut dhe shtrirjes së rendit kushtetues dhe juridik në gjithë territorin e Kosovës, gjersa kërkon që një draft i asociacionit të dërgohet sa më parë në kushtetuese.
Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, ka folur edhe për angazhimet e tyre për lobim, afrimim dhe avansimin e çështjes shqiptare në SHBA, por edhe rreth zgjedhjeve në Amerikë e Kosovë.
Intervista e plotë:
Bota sot: Z. Berisha, si i vlerësoni marrëdhëniet SHBA-Kosovë në dy rrafshe; atë historik dhe në aktualitet?
Elmi Berisha: Vlerësoj se marrëdhëniet SHBA-Kosovë tani po hynë në dekadën e katërt, që nga viti 1986 kur për herë të parë u miratua rezoluta e parë në Kongresin e SHBA-ve nga miqtë e Kosovës, Diogardi, Doll dhe të tjerë, mbështetur fuqishëm nga i madhi Jim Xhema. Këto marrëdhënie vazhduan të forcohen, duke arritur vetëm për pak vite në partneritet strategjik, duke pritur zyrtarisht udhëheqësit e Kosovës në krye më Presidentin Historik dr. Ibrahim Rugova në Shtëpinë e Bardhë në vitin 1996. Ky partneritet strategjik dhe kjo miqësi me shtetin dhe popullin amerikan u pasqyrua me vendimin e Presidentit Klinton për të bombarduar Serbinë me 1999, që kulmoj me lirinë e Kosovës. SHBA ishin me Kosovën dhe popullin e saj në secilin hap të ndërtimit të Kosovës, progresin ekonomik dhe ndërtimin e institucioneve demokratike, që kulmoj me mbështetjen e gjithanshme amerikane si aleati kryesor edhe në shpalljen e pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008 nën administratën e Presidentit Bushi i ri. SHBA ishin me Kosovën dhe në krah të Kosovës edhe në njohjen ndërkombëtare të shtetit të Kosovës dhe zhvillimin e gjithmbarshëm në të gjitha aspektet. Miqësia e popullit amerikan dhe atij të Kosovës është unike, e paluhatshme, e përjetshme, pa marrë parasysh se kush qeverisë në të dy shtetet. Në raportet aktuale në mes Kosovës dhe SHBA mund të ketë dallime në qasje, apo edhe mospajtime në mënyrën e veprimit, por kurrsesi ftohje të raporteve dhe kundërvënie ndaj mikut dhe aleatit strategjik të shqiptarëve në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti.
Bota sot: A ka gjasa që mospajtimet e herëpashershme ose edhe në të ardhmen, ta zbehin raportin historik mes Kosovës dhe Amerikës?
Elmi Berisha: Nuk dua të besoj që dallimet në qasje do të zbehin miqësinë në mes të dy popujve dhe shteteve. Kosova është shteti më pro-amerikan në Evropë, SHBA është garanca më e sigurt e ekzistencës së shtetit të pavarur të Kosovës dhe prosperimit drejt integrimit euro-atlantik. Është miqësi e përjetshme.
Bota sot: Tendencat qeveritare për të shtrirë rend dhe siguri në veri të Mitrovicës nga Kosova, kanë hasur në barriera. Si i shihni komentet e zyrtarëve amerikanë karshi Kosovës për zhvillimet e fundit?
Elmi Berisha: Unë jam mbështetës i veprimeve kushtetuese dhe zbatimit të ligjit në secilën pjesë të Republikës së Kosovës. Janë disa çështje senzitive që kanë të bëjnë me sigurinë dhe stabilitetin rajonal si dhe interesat gjeopolitike, në këtë kontekst mbështes në plotëni qëndrimet e zyrtarëve të shtetit mik amerikan dhe apeloj te qeveria e Kosovës që të koordinohen ngushtë dhe për secilin veprim që tangon sigurinë e rajonit dhe interesin gjeopolitik amerikan. Vlerësoj se SHBA dhe Kosova ndajnë vlera dhe orientime të përbashkëta, andaj qeveria dhe institucionet e Kosovës duhet të ndjekin me besim të plotë këshillat dhe sugjerimet e aleatit tonë strategjik.
Bota sot: Veçanërisht, Ura e Ibrit është temë aktuale dhe ka tërhequr vëmendjen si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Sipas jush, cilat mund të jenë ato arsyet e forta që po i shtyjnë ndërkombëtarët për alarmim, të cilët edhe kanë bërë thirrje që kjo çështje të lihet për një kohë tjetër?
Elmi Berisha: Sa i takon kësaj çështjeje vlerësoj se ura mbi lumin Ibër duhet dhe do të hapet sepse ajo është çështje e dakorduar vite më parë ne dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Në situata të tilla, kur për arsye të sigurisë dhe implikimeve të tjera që prekin çështje senzitive, konsideroj se qeveria e Kosovës duhet të ketë koordinim të plotë me SHBA-të. Nëse ambasadori i SHBA në Prishtinë kërkon që kjo çështje të shtyhet për pak kohë, atëherë vlerësoj se qeveria e Kosovës duhet të respektojë këtë kërkesë të aleatit tonë më të besueshëm. Hapja e urës të bëhet me mbështetje 100% nga SHBA-të dhe pasi të hapet nuk guxon të mbyllet kurrë. I bëjë thirrje qeverisë së Kosovës t’i respektojnë në plotëni kërkesat reale të mikut të madh të Kosovës ambasadorit Hovenier.
Bota sot: Në sfond na mbetet çështja e asociacionit, si i komentoni zhvillimet ose çfarë kahjesh mund të merr çështja për asociacionin. Kosova refuzon modelet e kaluara, derisa Serbia insiston në to. Çfarë epilogu mund të rezultojë në fazën finale?
Elmi Berisha: Duhet të jemi real. Përfaqësuesit institucional të Kosovës e kanë pranuar marrëveshjen e Brukselit dhe aneks marrëveshjen e Ohrit, ku parashihet edhe formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe. Inkurajoj Kryeministrin që në koordinim dhe konsultime por edhe me garanca nga SHBA-të të dërgoj draft statutin për asociacionin në gjykatën kushtetuese e cila është gardiani i rendit kushtetues në Kosovë. SHBA-të përmes zyrtarëve më të lartë kanë deklaruar disa herë se nuk ka ndarje dhe as bosnizim të Kosovës, dhe kur flet Shtëpia e Bardhë, Senati, Kongresi dhe Departamenti i Shtetit të SHBA-ve, atëherë nuk ka asnjë arsye për shqetësim. Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit duhet të zbatohen në plotëni, kjo i hapë rrugë Kosovës për anëtarësim në NATO, BE dhe pa diskutim në fund të procesit edhe njohjen nga Serbia. Alternativë tjetër nuk ka.
Bota sot: Nga prizmi juaj, çfarë këshillash apo sugjerimesh do të kishit për qeveritarët pozitarë dhe opozitarë karshi Amerikës dhe vendeve aleate në rrethanat e tanishme?
Elmi Berisha: Qeveria dhe opozita duhet të jenë unik sa i takon procesit të dialogut dhe shtrirjes së rendit kushtetues dhe juridik në gjithë territorin e Kosovës. Duhet të jenë bashkë në proceset integruese, politikën e jashtme dhe në koordinimin me partnerët tanë strategjik në krye më SHBA-të. Inkurajoj spektrin politik të Kosovës që të thellojnë bashkëpunimin dhe koordinimin me SHBA-të në veçanti në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, në këtë segment të koordinohen ngushtë, në fushën e energjisë, Intelegjencës Artificiale dhe disa sektorëve tjerë vital për të ardhmen e Kosovës. Bashkëpunimi, mbështetja, këshillat dhe asistenca amerikane në këta sektorë janë garancë e prosperitetit, zhvillimit dhe sukseseve të Kosovës në integrimet euro-atlantike që është edhe orientim strategjik i shtetit dhe popullit të Kosovës.
Bota sot: “Vatra” të cilën e drejtoni, ka lobuar e mbështetur Kosovën vazhdimisht në të kaluarën. Por ju lutem na thoni, çfarë planesh keni tani dhe si po shkojnë gjërat në rrugën lobuese. Në çfarë pikash jeni mbështetur, a keni takime apo biseda me zyrtarë amerikanë rreth Kosovës dhe zhvillimeve të fundit?
Elmi Berisha: “Vatra” si organizata më e vjetër e shqiptarëve në SHBA, po vazhdon me misionin e etërve themeltarë, Nolit e Konicës në ndihmën, lobimin, afirmimin dhe avansimin e cështjes shqiptare në SHBA. Gjatë këtyre 4 viteve kemi zhvilluar një numër rekord aktivitetesh, organizimesh, marrëveshje me Tiranën, Prishtinën, Shkupin dhe të gjitha trevat etnike shqiptare. Kemi riorganizuar, freskuar dhe avansuar shumë aktivitetin e “Vatrës” si në aspektin lobues, politik, diplomatik, akdemik, kulturor dhe medial si dhe ngritjen në nivelin ma të lartë të komunikimit dhe kontakteve me përfaqësuesit e shtetit dhe institucioneve të Amerikës. Vetëm para pak ditësh u pritëm si lidership i “Vatrës” në Shtëpi të Bardhë dhe Departamentin e Shtetit, ku biseduam shtruar me zyrtarët më të lartë kompetent për Ballkanin, ku pashmangshëm Kosova ishte tema kryesore. Kemi organizuar takime substanciale me Senator dhe Kongresmen nga të dy kampet politike dhe kemi pritur në selinë e “Vatrës” zëra të fuqishëm të shqiptarëve dhe Kosovës në Senatin dhe Kongresin amerikan. Do të vazhdojmë të lobojmë dhe avansojmë marrëdhëniet e shkëlqyeshme me institucionet e shtetit amerikan dhe poashtu po koordinohemi edhe me ambasadat e SHBA-ve në Prishtinë, Tiranë dhe ato që mbulojnë të gjitha trevat shqiptare në mënyrë që këto angazhime shumëdimenzionale të jenë efektive, të dobishme dhe në kohën e duhur. Do të vazhdojmë të jemi avokuesit kryesor të kombit tonë në të gjitha adresat dhe qendrat vendimarrëse në SHBA.
Bota sot: Ka zgjedhje në Amerikë. Por kemi zgjedhje edhe në Kosovë në fillim të vitit 2025. Nëse veç keni prognozime të hapura, a mund të na jepnit ndonjë mendim se kush do ta drejtojë Amerikën në mandaturën e radhës dhe kush mund ta ketë primatin e qeverisjes në Kosovë?
Elmi Berisha: “Vatra” është organizatë kombëtare, apolitike. Ne kemi relacione me të dy kampet politike në SHBA për dekada me radhë. Cilido kandidat që fiton garën për Shtëpinë e Bardhë nga cilido kamp politik është adresë e njohur për neve dhe i kemi dyert e hapura. Një gjë mund të ju garantoj se pa marrë parasyshë se kush fiton në SHBA, politika amerikane do të jetë konsistente dhe gjithmonë në mbështetje të fuqishme për shqiptarët dhe Kosovën. Këtu nuk kemi fare dilema. Ne e respektojmë votën e lirë të qytetarëve të Kosovës. Kushdo që fiton garën në zgjedhjet parlamentare në fillim të vitit të ardhshëm në Kosovë, ne do e respektojmë secilën qeveri të dalë nga vota e popullit dhe do të bashkëpunojmë ngushtë me qeverinë e ardhshme në funksion të forcimit të miqësisë SHBA-Kosovë dhe do e ndihmojmë shtetin e Kosovës me tërë potencialin tonë.