• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2024

ALFABETI I GJUHËS SHQIPE – KONGRESI I MANASTIRIT

November 21, 2024 by s p

116-VJETORI I KONGRESIT TË MANASTIRIT

Shqipja e shkruar dokumentohet që nga shekulli XIV me alfabetin latin. Po këtë alfabet, të plotësuar me ndonjë shenjë greke, e përdorën edhe shkrimtarët arbëreshë. Duke qenë se greqishtja përdorej si gjuhë e kishës ortodokse, shqipja u shkrua edhe me shkronja greke. Nën trysninë e islamizmit dhe të pushtuesve osmanë, në shkrimin e shqipes, që nga fillimi i shekullit XVIII, u përdor edhe alfabeti turko-arab. Më të u shkruan krijimet letrare të bejtexhinjve.
Me fjalë të tjera, me alfabet latin janë shkruar dokumentet e para në gjuhën shqipe:
– Formula e pagëzimit, 1462; dhe
– Fjalorthi i Arnold fon Harfit, 1496)

. Dëshmia e parë me alfabet grek është “Ungjilli i Pashkëve” ose “Perikopeja e Ungjillit”, i shkruar në dialektin jugor të shqipes, në një fletë karte, të gjetur në një kodik të shekullit XIV.
Ka që thonë se ky shkrim i përket fundit të shekullit XV ose fillimit të shekullit XVI.
Libri i parë në gjuhën shqipe, “Meshari” i Gjon Buzukut i vitit 1555 dhe tekste të tjera të shekullit XVII dhe të gjysmës së parë të shekullit XVIII janë shkruar me alfabet latin,plotësuar me disa shkronja cirilike. Në shekullin XVIII autorët e letërsisë së bejtexhinjve përdorën alfabetin turko-arab.
Për shkrimin e shqipes, për të vënë në pah individualitetin e saj dhe të popullit shqiptar, u ndoq edhe një rrugë tjetër – ajo e krijimit të alfabeteve të veçanta. Nga shekulli XVIII, mbase edhe më parë, u krijuan disa alfabete të tilla. Orvatja më fatlume qe ajo e veprimtarit dhe e mësuesit të gjuhës shqipe Teodor Haxhifilipit (rreth vitit 1730-1805), i njohur me emrin Dhaskal Todri, shkrimi i të cilit pati njëfarë përhapjeje.
Në një frymë të re, thellësisht kombëtare, e shtroi dhe e zgjidhi çështjen e alfabetit të shqipes ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mendimtari i shquar iluminist dhe veprimtari i shkollës shqipe Naum Veqilharxhi (Naum Bredhi, 1767-1846). Në vitet 1824 dhe 1825 ai e kishte nisur tashmë punën për një alfabet të tijin me 33 shkronja. Më 1844 ai shtypi një gjuhën shqipe një abetare prej tetë faqesh. Ky libër i vogël me titull “Fort i shkurtër e i përdorçim ëvetar shqip”, u shpërnda në mbarë Shqipërinë e jugut, nga Korça në Berat. Në vitin 1845, në një botim të dytë, kjo broshurë u zgjerua deri në 48 faqe, me titull ”Fare i ri abetor shqip për djelm nismëtore”.
Përpjekje të mëtejshme për caktimin e një alfabeti të përgjithshëm për gjuhën shqipe u bënë në vitet ’60 të shekullit XIX si dhe më pas, nga një grup atdhetarësh dhe veprimtarësh të shquar të Rilindjes Kombëtare, siç ishin: Kostandin Kristoforidhi (1872-1895) – lëvrues dhe studiues i dalluar i gjuhës shqipe; Pashko Vasa (1825-1892) – veprimtar i arsimit dhe i kulturës, poet dhe publicist patriot; Hasan Tahsini (1811-1881) – atdhetar i madh, filozof dhe mendimtar i shquar në fusha të ndryshme të diturisë; Jani Vreto (1822-1900) – atdhetar dhe mendimtar shquar; Sami Frashëri (1850-1904) – dijetar i madh, shkrimtar dhe publicist, rilindës i shquar, ideolog kryesor i Lëvizjes kombëtare shqiptare. Përpjekjet e tyre u kurorëzuan me sukses në kohën e Lidhjes së Prizrenit (1878).
Në fillim të vitit 1879 u pranua alfabeti i parashtruar nga Sami Frashëri (1850-1904), i bazuar në parimin “një tingull me një germë dhe një germë për një tingull”. Ky alfabet, i njohur me emrin “alfabeti i Stambollit”, u mbështet në alfabetin latin, duke u plotësuar me disa shkronja greke dhe me shkronja të tjera të veçanta. Me të u bënë shumë botime, u përhap gjerësisht dhe deri në fund të shekullit XIX ishte alfabeti kryesor i Rilindjes Kombëtare.
Nga fundi i shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX një përhapje jo të vogël pati edhe alfabeti i shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës, të cilin – me pak ndryshime – e përshtati edhe revista “Albania” e Faik Konicës (1875-1942), që botohej në Bruksel në vitet 1897-1902 dhe në Londër në vitet 1903-1909. Me shkrimet e saj, kjo revistë luajti një rol të rëndësishëm për zgjidhjen e alfabetit të përbashkët, të vendosur në Kongresin e Manastirit më 1908.
Kur numri i botimeve shqipe u shtua, ndërsa rrjeti i shtypjes së tyre u zgjerua, kushtet teknike dhe arsye të tjera bënë që të krijohen e të përdoren alfabete të ndryshme. Gjithnjë e më shumë u përdor alfabeti thjesht latin në variante të ndryshme, duke u plotësuar shkronjat e tij me diagrame (dyshkronjësha) ose me shenja diakritike (ç, ë). Numri i alfabeteve të përdorura në praktikën e botimeve erdhi duke u shtuar.
* * *
Shumë nacionalistë shqiptarë ushqyen besim te lëvizja e xhonturqve, e cila do të shpinte në revolucionin e korrikut të vitit 1908 dhe pas një viti, në përmbysjen e Sulltan Abdyl Hamidit II (1842-1918). Edhe shqiptarët luajtën një rol me rëndësi në revolucionin e xhonturqve, i cili e përshpejtoi fundin e kësaj periudhe të stagnimit të përgjithshëm, e që më 23.07.1908 i dha Perandorisë kushtetutë, ndërsa qytetarëve – kinse barazi. Por shpresat që shqiptarët kishin mbështetur te xhonturqit, u shuan shpejt. U bë e qartë se administrata e re ishte po aq centraliste sa edhe e vjetra, në mos dhe më shumë. Shqiptarët nuk do të bënin pjesë në atë valë nacionalizmi mbarëturk që po përhapej nëpër Evropë.
Veprimtari dhe publicisti i Rilindjes Dervish Hima (Ibrahim Naxhi, Ohër, 1875 – Tiranë, 1928) thoshte se “shqiptarët nuk janë tjetër veçse shqiptarë dhe nuk do ta ndjejnë veten të kënaqur veçse kur të jenë të lirë në një Shqipëri të lirë, si një pjesë e një konfederate shtetesh të pavarura ballkanike nën suzerenitetin e Sulltanit (Archives du Ministère des Affaires Etrangères de France, Shkodër, 26 gusht 1908, dhe Pinon 1909, f. 813).
Ndërsa shpresat për autonomi nuk po fuqizoheshin, shqiptarët arritën të përfitojnë nga reformat e xhonturqve dhe nga liberalizimi relativ në çështjet kulturore. Ngritën shkolla në gjuhën shqipe dhe themeluan gazeta në këtë gjuhë si dhe klube patriotike. Por, rrethi tragjik i shtypjes dhe i kryengritjeve të përgjakshme vazhdonte.
* * *
Po në këtë kohë, prej 14 deri më 22 nëntor 1908 u mblodh Kongresi i Manastirit, për të shqyrtuar në atë fazë disa çështje të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare, në radhë të parë për të zgjidhur çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe, njësimi i të cilit ishte bërë një problem i mprehtë politik, arsimor dhe kulturor dhe një kërkesë e ngutshme e Lëvizjes Kombëtare.
Për ta përmbushur këtë kërkesë, atdhetarët shqiptarë shpejtuan ta shfrytëzonin gjendjen e krijuar pas shpalljes së Kushtetutës në Perandorinë Osmane (23.07.1908).
Nismëtar i thirrjes së këtij kongresi kombëtar, që ka hyrë në histori si Kongresi i Manastirit, ishte klubi “Bashkimi” i Manastirit. Organizimi i kongresit të alfabetit u propagandua nga veprimtari politik, shkrimtari, publicisti dhe përkthyesi, i njohur edhe me pseudonimin Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka – Mit’hat Frashëri (Janinë, 1880 – Nju-Jork, 1949) në revistën e tij “Liria”. Në një artikull të botuar në të, midis tjerash ai shkruan: “…ardhi një ditë e pëlqyer për istorinë tonë, që të nisim liruar’ e pa pengim të punojmë për mbrodhësin’ e lumturin’ e kombit tonë, jo me barut edhe me armë, po me kartë e pëndë, andaj kjo çështje e Abecesë lipsetë të jetë fillim, që pa atë nuk do mundim të arrijmë qëllimetë tona të lartëra për mbrodhësi të gjuhësë”.
Kongresi u mbajt në shtëpinë e veprimtarit të lëvizjes kombëtare, të lindur në Zavalan të Dangëllisë (rrethi i Përmetit) Fehim Zavalanit (1859-1935). Nën drejtimin e tij, pranë klubit “Bashkimi” të Manastirit, në vitin 1908 u formua një komitet i fshehtë që luftonte për autonominë e Shqipërisë. Fehim Zavalani ishte drejtuese i gazetës “Bashkimi i Kombit” që doli në Manastir në vitet 1909-1910. Në vitet 1911-1912 gazeta doli me emrin “Drita”, si organ i klubit “Bashkimi” të Manastirit.
Femi Zavalani qe ndër organizatorët kryesorë të thirrjes së Kongresit të Manastirit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Si kryetar i klubit “Bashkimi” të Manastirit, Fehim Zavalani bashkërendoi veprimtarinë e të gjitha klubeve shqiptare për mbrojtjen e alfabetit shqip, të kulturës dhe të të drejtave kombëtare të shqiptarëve kundër reaksionit xhonturk. Në Kongresin e Dibrës (1909), kundërshtoi përpjekjet e përkrahësve të xhonturqve për t’u imponuar shqiptarëve alfabetin arab.
Kongresi i Manastirit pra, u mbajt në shtëpinë e Fehim Zavalanit. Në Kongres morën pjesë 50 delegatë. Prej tyre, 32 delegatë ishin me të drejtë vote, ndërsa 18 delegatë, pa të drejtë vote. Delegatët vini nga të katër vilajetet e tokave shqiptare: i Shkodrës, i Janinës, i Manastirit dhe i Kosovës; delegatë të shoqërive, të klubeve dhe të organeve kombëtare të pjesës më të madhe të trevave shqiptare, si dhe të kolonive shqiptare në Stamboll, në Bukuresht, në Sofje, në Egjipt, në ShBA, midis tyre shkrimtarë e gazetarë, lëvrues të gjuhës dhe mësues të shqipes, veprimtarë të njohur të lëvizjes kulturore dhe politike kombëtare.
Për të studiuar çështjen e alfabetit dhe për të dalë me propozime, Kongresi zgjodhi një komision 11-anëtarësh, të përbërë nga përfaqësues të tre alfabeteve kryesore që ishin në përdorim.
Në komision bënin pjesë:

– Poeti, dramaturgu, prozatori, esteti, publicisti, kleriku i lartë dhe politikani Gjergj Fishta (1871-1940);
– Veprimtari i lëvizjes kombëtare dhe demokratike shqiptare, poeti e publicisti Luigj Gurakuqi (1879-1925);
– Botuesi i të përjavshmes shqiptaro-amerikane “Kombi” në Boston Sotir Peci (1873-1932);
– Veprimtari politik, shkrimtari, publicisti dhe përkthyesi Mit’hat Frashëri (1880-1949);
– Njëri ndër figurat udhëheqëse të lëvizjes kombëtare në Sofje Shahin Kolonja (1865-1919);
– Deputet i Elbasanit në Kongres ishte farmacisti Dhimitër Buda (Taqi Buda). Kongresin e mbështeti edhe financiarisht. Më vonë mbështeti financiarisht edhe Normalen e Elbasanit. Është baba i historianit Aleks Buda (Elbasan, 1911 – Tiranë 1993);
– Poeti klasik dhe veprimtari atdhetar Ndre Mjeda (1866-1937);
– Veprimtari i Rilindjes Kombëtare, publicisti, drejtuesi i shkollës së vashave në Korçë, Gjergj Qiriazi (1868-1912).
– Veprimtari i Rilindjes Kombëtare, organizator dhe drejtues i çetave të armatosura për pavarësi në vitet 1906-1908 – Bajo Topulli (Gjirokastër, 1868 – Sarandë, 1930).
– Veprimtari i lëvizjes kombëtare, publicist i cili iu përkushtua përhapjes së mësimit dhe të shkrimit të gjuhës shqipe, si dhe ideve kombëtare në Berat – Nyzhet Vrioni (Nyzhet Vrioni, Berat, 1877 – Romë, 1920). Në Kongres mori pjesë së delegat i klubit “Bashkimi” të Beratit dhe u caktua anëtar i Komisionit të alfabetit;
– Veprimtari i Rilindjes Kombëtare, mësuesi i Shkollës së Vashave në Korçë, i cili lindi në Vithkuq të Korçës dhe u shpërngul në Manastir – Grigor Cilka (1875-1919). Gruaja e tij, Katerina Cilka ishte mësuese e shkollës së parë fillore për vajza në Korçë.
Ndër pjesëmarrësit e shquar ishin edhe:
– Veprimtari i Rilindjes Kombëtare dhe i shkollës shqipe, publicisti Petro Nini Luarasi (Luaras i Kolonjës, 1865 – Ersekë, 1911). Për veprimtarinë patriotike, arsimore, shoqërore dhe propaganduese, u përndoq nga xhonturqit dhe Patrikana e Stambollit. Vdiq i helmuar prej tyre në Ersekë.
– Veprimtari i shkollës shqipe, studiuesi dhe publicisti nga Shkodra Mati Logoreci (1867-1941);
– Poeti dhe publicisti nga Shkodra Hilë Mosi (1885-1933);
– Veprimtari i Rilindjes Kombëtare, i shkollës shqipe dhe i shtypit shqiptar, i lindur në Vodicë të Kolonjës Thoma Avrami (1869-1943);
– Veprimtari i kulturës dhe i arsimit kombëtar, gjuhëtari Simon Shuteriqi (1883-1951), i lindur në Elbasan; (Familjes Shuteriqi i takon edhe shkrimtari dhe historiani i letërsisë Dhimitër Shuteriqi (1915-2003));
– Veprimtarja e Lëvizjes Kombëtare, gazetarja dhe publicistja Parashqevi Qiriazi (Manastir, 1880 – Tiranë, 1970) e cila punoi për emancipimin e femrës shqiptare;
Shënim: Familja patriote kolonjare Qiriazi ishte vendosur në fshatin Tërnovë të Manastirit. Sevasti Qiriazi (Dako) (1871-1949), Gjerasim Qiriazi (1858-1894), Gjergj Qiriazi dhe Parashqevi Qiriazi (1880-1970) janë motra e vëllezër. Qenë veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare. Vepruan për arsimimin dhe për emancipimin e popullit shqiptar, sidomos të femrës shqiptare.
* * *
Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Luigj Gurakuqi dhe Hilë Mosi vinin nga Shkodra. Shahin Kolonja dhe Petro Nini Luarasi – nga Kolonja. Thoma Avrami – nga Korça. Bajo Topulli dhe familja Qiriazi – nga Manastiri. Sotir Peci – nga Bostoni.
Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, biri i Abdyl Frashërit (1839-1892). Ai u caktua edhe në Komisionin e alfabetit. Komisioni njëmbëdhjetë anëtarësh kryesohej nga Gjergj Fishta. Komisioni kishte për detyrë të studionte çështjen e alfabetit dhe të dilte me propozime.
U arrit menjëherë mendimi i përbashkët që, pavarësisht nga alfabeti që do të përcaktohej, kryesorja të ruhej uniteti kombëtar. Këtë ide Gjergj Fishta e shprehu duke thënë: “…sado që jam dërguarë prej shoqërisë Bashkim, s’kam ardhurë për të mprojtur atë abece, po për të gjeturë një mënyrë që të bashkohemi të tërë”.
Tre alfabetet kryesore që u morën në shqyrtim qenë:

– alfabeti i “Agimit”, i shoqërisë letrare “Agimi” të Shkodrës, i propozuar nga Ndre Mjeda;
– alfabeti i Bashkimit, i shoqërisë letrare “Bashkimi” të Shkodrës, i hartuar nga poeti dhe kleriku, i lindur në Bulgër të Mirditës Preng Doçi (1846-1917); dhe
– alfabeti i Stambollit, i hartuar nga Sami Frashëri.

Kishte shqiptarë, kryesisht të jugut, të cilët parapëlqenin alfabetin tradicional të Stambollit. Shqiptarët e veriut ndërkaq, pëlqenin alfabetin e “Bashkimit” të Shkodrës, i cili ishte më praktik për botime, ngase nuk kishte shkronja jolatine.
Në kongres u shqyrtuan gjithashtu edhe dy alfabete të tjera: alfabeti grek, i përhapur për përdorim të shqipes nga lëvruesi dhe studiuesi i gjuhës shqipe, veprimtari i Rilindjes Kombëtare në fushën e arsimit dhe të kulturës Konstandin Kristoforidhi (1872-1895) dhe alfabeti arab, të cilin një numër i caktuar i myslimanëve, sidomos në Maqedoni dhe në Kosovë, vazhduan ta shohin si të vetmen zgjidhje edhe për një kohë të caktuar pas kongresit.
Një prej tyre që përkrahu alfabetin arab ishte edhe veprimtari i lëvizjes kombëtare, kleriku Rexhep Voka (Shipkovicë, Tetovë 1847 – Stamboll 1917). Ai u përfshi në lëvizjen për çlirim kombëtar dhe për mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare, për mësimin e shqipes dhe për përhapjen e diturisë, si rrugë e emancipimit kombëtar të shqiptarëve. Në vitin 1903 ishte myfti i vilajetit të Manastirit. Përkrahu idenë e shkrimit të shqipes me alfabet arab, gjë që u kundërshtua nga veprimtarët e Rilindjes. Me këtë alfabet botoi dhe një abetare (“Elifbaja shqipe”, 1910) dhe një libër mësimi të shqipes dhe të normave të fesë islame (“Mendime”, 1911).
Pas disa ditësh të përshkuara me diskutime dhe duke marrë gjatë kësaj kohe edhe telegrame nga mbarë Shqipëria, me kërkesën që të vendosej njëri apo tjetri alfabet, Komisioni vendosi t’i pranojë variantet e modifikuara:
– të alfabetit të “Bashkimit”; dhe
– të alfabetit të Stambollit.

Tani, në shkolla dhe në botime mund të përdoreshin të dy alfabetet. Megjithëkëtë, pranimi nga të gjithë, i vendimit të Komisionit do të donte ende kohë. Pra, pas mjaft diskutimesh u krijua një alfabet i ri, i mbështetur i tëri në alfabetin latin, shkronjat e të cilit plotësoheshin me nëntë dyshkronjësha (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh) dhe me dy shkronja me shenja diakritike (ç, ë). Në fund Komisioni dhe Kongresi vendosën që të lejohej përdorimi, si i alfabetit të Stambollit, që kishte një përhapje të gjerë ndër shqiptarë, ashtu edhe i alfabetit të ri. Dy alfabetet ndryshonin vetëm në shtatë shkronja.
Vendimet e kongresit që ishin kurorëzim i përpjekjeve të shumë brezave lëvruesish të shqipes për afrim e njësim, u mirëpritën nga rrethet kulturore shqiptare brenda dhe jashtë vendit dhe u vunë menjëherë në zbatim.
Brenda pak vitesh, alfabeti i shoqërisë letrare “Bashkimi” të Shkodrës i miratuar nga Kongresi i Manastirit, fitoi epërsi dhe u bë shpejt alfabeti i vetëm i shqipes. Njësimi i alfabetit ishte një hap i rëndësishëm për njësimin e drejtshkrimit dhe të gjuhës letrare shqipe.
Kongresi i Manastirit pati rëndësi të madhe jo vetëm për alfabetin dhe për gjuhën letrare kombëtare, për arsimin dhe për kulturën, por edhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në përgjithësi. Gjatë ditëve të kongresit u organizuan takime të veçanta dhe mbledhje të mbyllura me delegatët, ku u rrahën çështje të mprehta politike. Bisedimet e zhvilluara shërbyen për të afruar pikëpamjet, për të përcaktuar platformën politike të përbashkët të organizatave kombëtare dhe për të bashkërenduar më mirë veprimtarinë e tyre.
U hartua edhe një program kërkesash politike, kulturore dhe ekonomike prej 18 pikash, që iu dha deputetit të Korçës, Shahin Kolonjës (1865-1919), për ta paraqitur në emër të shqiptarëve – në parlamentin osman. Shahin Kolonja ishte një ndër figurat udhëheqëse të lëvizjes kombëtare në Sofje.
Kongresi i Manastirit e ngriti lëvizjen kombëtare në një shkallë më të lartë. Për të janë bërë botime të posaçme, si përmbledhja “Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit” (1972) dhe studimi “Kongresi i Manastirit” (2004) nga gjuhëtari Shaban Demiraj (Vlorë, 1920 – Tiranë, 2014) dhe nga historiani Kristaq Prifti (Berat, 1932 – 2017).
Përcaktimi i kombit shqiptar për alfabetin latin kishte për të një rëndësi politike të jashtëzakonshme. Një përcaktim i tillë ishte i natyrshëm. Kjo dëshmoi qartë se shqiptarët janë një popull evropian – pjesë e pandarë e qytetërimit perëndimor.
Kongresi i Manastirit i priu shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, gjë që ndodhi katër vjet më vonë.
Çështja e alfabetit qe një temë politike e diskutuar gjatë Rilindjes, e kështu do të mbetej edhe për disa vjet me radhë, përkatësisht deri në vitin 1908. Me vendimin për të mbështetur një zgjidhje kompromisi, Kongresi shtroi rrugën për një kalim shkallëzor nga alfabeti i Stambollit te alfabeti i tanishëm i shqipes, i bazuar në shkronja latine, si dhe arriti të mënjanojë mjaft polemika dhe kundërshtime në vitet e mëvonshme.
Ndonëse një gjuhë letrare, me një drejtshkrim përfundimtar për të gjithë leksikun u vendos jo më parë se në vitin 1972 në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe të mbajtur në Tiranë prej 20 deri më 25 nëntor 1972, vendimet e miratuara 64 vjet më herët në Kongresin e Manastirit, e lehtësuan mjaft formimin e disa normave gjuhësore në fushën e botimeve dhe ndihmuan në ecjen përpara të një letërsie shqiptare më të njësuar.
Vitet e fundit, shqiptarët rregullisht e kremtojnë përvjetorin e Kongresit të Manastirit. Por, ata nuk duhet të harrojnë se qyteti i alfabetit – Manastiri historik, i cili dikur ka qenë qytet i banuar kryesisht me shqiptarë, sot është zbrazur në përmasa frikësuese, saqë është bërë vështirë të jesh shqiptar në këtë qytet. Pushteti sllavo-maqedonas, që nga viti 1945 e këndej ka bërë çmos për t’i privuar shqiptarët e Manastirit nga arsimimi në gjuhën amtare, nga e drejta për t’u punësuar dhe për të ushtruar çfarëdo veprimtarie ekonomike. Ndaj tyre është ndjekur politika e gjenocidit dhe e aparteidit të heshtur. Të getoizuar, të margjinalizuar dhe të privuar nga çdo e drejtë kombëtare dhe njerëzore themelore, shqiptarët e Manastirit u detyruan t’i marrin rrugët e migrimit, përtej deteve dhe oqeaneve, deri në ShBA, Australi, Zelandë të Re dhe Kanada, për të mos u kthyer kurrë më.
Vitet e fundit, shqiptarët e festojnë rregullisht përvjetorin e alfabetit, duke harruar se ndërtesa ku u mbajt kongresi historik, është sulmuar nga persona të panjohur, madje jo një herë. Sulmuesit nuk duket të jenë vandalistë të rëndomtë. Qeveria sllavo-maqedonase në të cilën bën pjesë edhe faktori politik shqiptar, kurrë nuk arriti t’i zbulojë sulmuesit e shtëpisë së alfabetit.
Shqiptarët është mirë t’i shënojnë datat e rëndësishme të historisë së tyre, por pa i mitizuar ato. Shqiptarët nuk duhet ta mitizojnë, as hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë të themeluar më 1887 dhe as Kongresin e Manastirit që ndryshe quhet edhe Kongres i alfabetit.
Nga mesi i shekullit XIX, popuj të caktuar të gadishullit i hartuan projektet e veta kombëtare. Shqiptarët ndërkaq, të gjendur nën sundimin osman, ia dolën të botojnë jo më shumë se një abetare prej tetë faqesh – “Ëvetari” (1844) i Naum Veqilharxhit (1797-1846). Ky ishte një nga figurat më të hershme që iu përkushtua krijimit të një alfabeti të ri të shqipes e njëherazi një nga të parët që formuloi idealet dhe objektivat e lëvizjes kombëtare shqiptare që në hapat e parë të saj.
Derisa shqiptarët përpiqeshin t’i kapërcenin pengesat që ua krijonin autoritetet e Portës së Lartë për të themeluar shkollë fillore me mësim në gjuhën amtare, në këtë periudhë, disa prej fqinjëve ballkanikë kishin themeluar universitete dhe institucione të tjera shkencore dhe arsimore.
Kroatët nuk janë popull ballkanik dhe nuk kanë qenë nën sundimin e Perandorisë Osmane, por të Austro-Hungarisë. Ky popull që kufizohet me Gadishullin Ballkanik, universitetin e vet e ka themeluar qysh në mbarim të shekullit XVII, përkatësisht më 23 shtator 1669.
Çdo popull, shkaqet e vonimit, duhet t’i kërkojë në radhë të parë në vetvete, e pastaj jashtë vetes.

Xhelal Zejneli
Foto: Wikipedia

Filed Under: Reportazh

Shqiptarët dhe emblema e Flamurit të tyre

November 21, 2024 by s p

Aristotel Mici/

Flamuri shqiptar me shqiponjën në mes ka historinë e tij të herëshme, që buron nga vete lashtësia e kombit. Jo rastësisht Eqrem Bej Vlora do të shkruante për atë në kujtime: “Historia e këtij flamuri tretet në mjergullën e kohës”. Simboli emblematik i shqiponjës në fushën e kuqe të flamurit fillon në kohën e vjetër Para Krishtit, vazhdon në Mesjetë edhe mbërrin në kohët e reja moderne. Imazhi i shqiponjës së këtij flamuri nis me një legjendë antike, kurse gjurmët e tij enden që nga librat historikë e deri te dëshmitë materiale, që nga vargjet e poetëve e deri te këngët e trimave kryengritës.
Straboni, duke hetuar për kohën Pellazgo – Ilire, vinte re se ky popull në të vjetrat kohe ishte më i rrepti e më luftëtari e Shqiponja ishte pajtorja më e mirë për të. Atëherë që kur Zeusi nga pellazgo-ilirët nderohej si perëndi, faltoren e vetë e kishte në Dodonën e thesprotëve, pra në Çamëri. “Dhe kështu me kalimin shkallë shkallë të paganizmit në monotheizëm, shqiponja nga simbol fetar u kthye në simbol kombëtar. Aq shumë u përngjit ajo me njeriun vetë sa atij zuri t’ia mënjanonte tërë emërtimet e tjera, duke i lënë emrin e vetë përgjithësues “shqiptar” (biri i shqiponjës)”. Natyrisht, ky është një rrëfim legjendar dhe, si i tillë, mund të jetë i diskutueshëm. Po mos të harrojmë se edhe emri i detit Egje mbështëtet mbi një rrëfim legjendar. Siç na mëson mithi i lashtë, mbreti Egje u mbyt në këtë det, tek pa i pikëlluar velat e zeza të anijes së birit të tij, Tezeut, duke e marrë të birin për të vdekur. Atëherë, sipas mithit të lashtë, emrin e mbretit Egje e mori deti. Edhe kontinenti plak i Evropës e ka marrë emrin nga një e dashur e Zeusit, me emrin Evropa, me të cilën ai pat rënë në dashuri.. Dihen nga të gjithë historianët këto emërtime mitiko – legjendare, po asnjë komentator nuk shprehet kundër.
Ka edhe ndonjë studiues që mendon se shqiponja, edhe pse është simbol, nuk ka qenë ndonjëherë “totem” e gjyshërve tanë në Dheun e Arbërit; dhe, duke mos qenë e tillë, ajo nuk është figurë bindëse për të përligjur idene e hipotezës se etnonimi shqiptar, qoftë në mënyrë hipotetike, mund ta ketë prejardhjen nga emri i shpendit të “shqiponjës” apo” shqipes. Aq me mosperfillje shihet kjo ide e mundshme, sa nuk futet as në listat e hipotezave, që rrahin të qartësojnë etimologjinë e fjalës shqipe dhe të emrit shqiptar. Kur lexon një arsyetim të tillë, mendja të shkon vetiu te legjenda e “nënës ulkonjë” në Romën e lashtë, tek ajo ujkonja e gdhendur ne skupturë me emrin Lupa Capitolina, e cila, sipas legjendës, ushqeu me qumështin e saj binjakët Romulin dhe Remin. Kjo ujkonjë nuk ka qenë “totem” për fisin Latin të Laciumit. Këtë e dinë latinistët, po megjithatë, ata nuk e hedhin poshtë legjendën e themelimit të Romës nga Romi. Për më tepër, figura e “nënës ujkonjë” demonstrohet me madhështi nësa e sa vepra arti, që nga mozaiku dhe pikturat e Leçes, ne jug të Italisë, e deri te skulpturat, altoreliefet e basoreliefet e Romës antike dhe asaj të sotme, pa përmendur reklamat e panumërta nëpër kutitë e qumshtit. Atëherë lind pyetja pse shqiptarët duhet të jenë kaq shpërfillës ndaj simbolit të tyre shekullor? Kështu të krijohet një lloj çudije, kur atë që na e pohon Straboni si shenjë krenarie, e shmangim ne sot
*
* *
Po me tepër se hamendja e një legjende, janë faktet e shumta historike dhe arsyet gjuhësore që të sjellin te hipoteza se simboli emblematik i shqiponjës duhet të jetë në themel të idesë për unitetin tonë kombëtar. Nuk ka dyshim se flamuri me fushën e kuqe dhe shqipen dykrenare në mes është simboli ynë më i vjetrër mbarëkombëtar. Me këtë flamur në mendje dhe në zemër ne kudo ndjehemi shqiptar. Gjuha shqipe dhe flamuri na bashkojne e na vëllazërojne kudo që të ndodhemi si te Nëna Shqipëri, si në Kosovë, në Maqedoni, në Preshevë, Bujanovsk, në Mal të Zi, në Itali, në Greqi, në Turqi dhe kudo nëpër kontinente, nga Amerika e deri në Australi. Flamuri dhe gjuha amëtare janë dy hallkat që na lidhin si vëllezër shqiptar të një gjaku.
Qysh në shekullin e dytë Pas Krishtit, biografi i antikitetit, Plutarku, në veprën “Jetë Paralele” tregon për Pirron e Epirit se kur ushtarët po e glorifikonin pas betejës së Heraklesë (280 PK) duke e quajtur atë “Shqiponjë”. Ai iu drejtua atyre dhe u thotë: “Nga ju unë jam shqiponjë; dhe si të mos jem i tillë, kur ju jeni flatrat e mia që me ngrini aq lart!”. Nga ky episod fare qartë duket adhurimi i stërgjyshërve tanë për figurën e shpendit të shqiponjës, e cila gjatë shekujve do të kthehej në simbol emblematik, duke u bërë shënja më dalluese për të gjithë arbëreshët në Dheun e Arbërit. Këtë ide e mbështet edhe Pashko Vasa në artikullin ”Shqypnia dhe Shqyptarët”, të botuar më 1879, kur shkruan: “Që prej fjalëve që i thanë ushtarët Pirros, e prej fjalëve që iu përgjegj Pirroja, na ka mbetur neve emni shqiptarët, e dheut ynë i thonë Shqypni, e gjuhës yne i thonë shqype e Plutarku e dëfton hollë e hollë”.
Kurse Apostulli i Shqiptarizmës, poeti Naim Frashëri, do të thurte vargje tek poema “Dëshira e vërtetë e Shqiptarëve”:
U quajt me këtë emër që moti shqiptari
Nga “shqipja”, q’ish i fortë, në luftë më i pari.
E nga që mbante krye në flamur kurdoherë
Shqiponjën, shenjë të trimërisë në vlerë
Dhe në vitin 1886 në kapitullin “Prindërit” tek “Histori e Shqipërisë” po ky Rilindas i madh do të pohonte:”Shpesi që i themi “shqipe” ishte sipas besës zogu i Hyjit dhe shenjë e trimërisë. Andaj e kishin në flamur shqiptarët e vjetër, pa nga shqipja u quajtën shqiptarë”.
Në unison me këtë ide të poetit Naim Frashëri është edhe Prof. Abas Ermenji, i cili në një studim voluminos për vendin e Skëderbeut në histori, shpreh mendimin e vetë për etnonimin shqiptar si edhe për emrin e gjuhës amtare, ku shkruan se: “Në kohën e Skenderbeut dhe përpara tij, Shqiptarët e quanin veten Arbëreshë. Kështu quhen edhe sot Shqiptarët e Italisë së jugës, që e lanë vendin tonë pas asaj epopeje…. Si qëlloi që gjatë sundimit turk, Shqiptarët u quajtën me emrin që kanë sot? Emri Shqiptar dhe gjuha shqipe nuk besohet të kenë asnjë tjetër prejardhje përveç shqipes që përbën simbolin e flamurit të Skenderbeut.
Pas vdekjes së kryetrimit, Shiptarët nuk u nënshtruan me një herë ndën Turqit. Ata vazhduan për shumë kohë përpjekje e kryengritje, qofshin krahinore (në veri e në jugë), qofshin në një lidhje më të gjërë, për t’u çliruar nga zgjedha turke. Këto lëvizje ishin të frymëzuara prej kujtimesh të Skenderbeut dhe të shqipes së tija dykrenore.
Duket se Shqiptarë u quajtën ata që ecnin pas shqipes, ose ndjekës të shqipes, që ndiqnin akoma flamiurin e Skenderbeut, domethënë luftën e tija. Ky emër pastaj u përgjithësua dhe përfshiu tërë Shqiptarët pa përjashtim.
Nuk na duket të ketë një shpjegim tjetër më të përshtatshëm mbi kthimin e emërit Arbëreshë në emrin Shqiptarë.”
Nga të parët historianë këtë flamur na e tregon Anonimi i Tivarit, më 1480,(i cituar nga Biemmi), i cili shkruan :”Flamuri i Skënderbeut ishte një shqiponjë e zezë me dy krerë dhe e hapur në shesh të kuq”. Dëshmi të njëjtë për këtë flamur me shqiponjën në mes jep edhe biografi i Skënderbeut, Marin Barleti :“Skënderbeu mbante flamuj të kuq, të qendisur me shqiponja të zeza dykrenare, ky ishte flamuri i fisit të tij”. Ky flamur ishte tipari dallues në të gjitha veprimtaritë luftarake të ushtrisë së Skënderbeut. Flamuri qe bërë pjesë e krenarisë së tyre ndër betejat heroike. Kudo që shkonte ushtria e Skënderbeut për të luftuar, flamurët nuk i ndante nga vetja. Në të njëjtën vepër Marin Barleti tregon se “trimat e Skënderbeut nën komandën e tij kur shkuan në Pulje, për të ndihmuar mbretin Ferdinand të Napolit…mbanin flamurët e kuq me shqiponjën dy krenare në mes.” .
Po gjurmët e këtij flamuri me shqiponjën dy krenare shihen dy shekuj më përpara epokës Skënderbejane. Shenjat e flamurit me shqiponjë duhet t`i kërkojmë qysh me Principatën e Arbërit dhe Despotatin e Epirit. Aty nga fundi i shekullit XII, Progoni (1190-1199) do të sundonte dhe do të qeveriste principatën e Arbërit me gjithë atributet e një prijësi me vulën e flamurin e tij. Dhe më vonë, siç pohohet në “Historinë e Shqipërisë”, në vitin 1336, Principata e Arbërit qe forcuar aq shumë, sa Ludoviku, i Anzhuinëve, i njohu Andrea Muzakës titullin Despot i Arbërisë. Tre dekada më pas, kur Andrea Muzaka II i mundi bullgarët tek Mali i Peristerit në vitin 1372, pozita e despotatit forcohet edhe më tepër. Në ndihmë të këtij mendimi na vjen Princi Gjon Muzaka, i cili, në Memorien e vetë të shkruar më 1510, tregon sesi “Perandori i Konstandinopolit u kënaq shumë që zoti Andrea Muzaka kishte pasur një fitore të tillë, me që kishte larguar nga muret e Adrianopolit armikun e tij të madh…I përmenduri Perandor urdhëroi që t`i jepnin atij stemën, d.m.th., shqiponjën me dy krerë….… i dha edhe një titull despotal… Në të cilin ishte përvijuar me gurë xhevahiri shqiponja që thamë”. Bëhet e qartë nga ky pohim se Muzakajt që pas mezit të shekullit të XIV mbanin titullin e despotit, që jepej nga perandori si edhe flamurin me simbolin e shqiponjës dykrenare.
Me këtë flamur me shqiponjë Andrea Muzaka, në krye të luftëtarëve të tij, do të shkonte në Betejën e Fushë Kosovës më 1389 kundër ushtrisë së Sulltan Murati të Parë. Në atë betejë të prgjakshme, ku, siç shkruan Evlija Çelebiu, “Sulltan Muradi shkoi 700,000 të pafe në teh të shpatës ( nënkupto martirët e rënë nga radhët e forcave të aleancës së princave të Ballkanit). Atje u vra edhe prijësi i sipërpërmendur i principatës së Muzakajve.
Lidhur me lashtësinë e flamurit shqiptar me shqiponjën dykrenare duhen përmendur edhe “Statutet e Shkodrës” të zbuluara kohët e fundit në bibliotekën e Muzeut Correr të Venecias. Këto “Statute” hedhin dritë edhe më shumë në lashtësinë e flamurit kombëtar shqiptar. Statutet e Shkodrës pasqyrojnë një lloj “kushtetute” për banorët e qytetit në shekullin e XIV – XV. Sipas studiuesve ato janë hartuar para vitit 1446. Po ajo që është e rëndësishme të theksojme është fakti se në një faqe të ilustruar të këtyre statuteve gjendet i pikturuar simboli kombëtar: “Shqiponja me dy krerë”. Historiania e Mesjetës, Lucia Nadin, duke komentuar këtë faqe të ilustruar të “Statuteve”, shikon se në këtë pikturë pasqyrohet një stemë heraldike e bërë me kujdes:…një shqiponjë dykrenare e kurorzuar me ar në të dy krerët (…) “aquila bicipite, coronata d’ oro su entrambe le teste”). Kjo studjuese, e nxitur nga zbulimi i këtyre dokumenteve shkruan: “Gjetja e “Statuteve të Shkodrës” rihap një faqe shumë të ndritshme, të harruar të ketij vendi, i njohur vetëm si vendi i Shqiponjave”. Dhe më tej Prof. Nadini, duke analizuar simbolikën e kësaj embleme, shikon se në të, në mënyrë figurative pasqyrohet “shqiponja triumfale, simbol i një autonomie të fuqishme qytetare”
Emblemën e Shqiponjës dykrenare në shekullin e XV e gjejmë jo vetëm në jug të Arbërisë si tek Pricipata e Muzakajve, a po ne Veri si ishte rasti i Statuteve të Shkodrës, po edhe në Arbërinë e Mesme dhe Veri-Lindore si tek principata e Kastriotëve. Në librin “Historia e Shqipërisë”, kur trajtohet kryengritja e Gjon Kastriotit kundër fillimit të pushtimit turk, tregohet edhe stema e principatës së tij, me emblemën e shqiponjës me dy krerë, rreth viteve 1429-1430.
Është për t`u vënë re se ky flamur dhe emblema me shqiponjën dykrenare qenë bërë aq të njohur, jo vetëm midis ushtarëve të Skënderbeut dhe popullit në Arbërinë e asaj kohe, po edhe midis radhëve të turqve osmanllinj. Këtë jehonë të simbolit të shqiponjës në radhën pushtuesve turq na e sjellë në mendje Marin Barleti me veprën e tij “Rrethimi i Shkodrës”, tek tregon se si Sulltan Mehmeti II, i shoqëruar nga kalorësit e vetë, kur ka parë pozicionet e qytetit të Shkodrës, paska thënë: “Oh ! se ç’ vend të shkëlqyer dhe të lartë paska zgjedhur shqiponja për vete dhe për folenë e zogjëvë te saj”..
Po ky flamur do t`i ngacmonte mendimin edhe baronit francez J.de Lavardin, në vitin 1576, kur do të shkruante: “Në flamurët e tij, që ishin të gjithë të kuq, Skënderbeu kishte një shqiponjë të zezë me dy krerë. Shqiponjën me dy krerë Skënderbeu do ta mbante te parzmorja, në kraharuar, si edhe në vulën shtetërore.”
Dhe tani do të ishte më me interes të dimë edhe për shtrirjen gjeografike të emblemës së Arbërisë për atë kohë. Dhe kjo kuptohet më mirë po të kemi parasysh lidhjet e krushqive midis familjeve princërore në shekujt e XIV dhe XV. Kështu përshëmbull tre nga vajzat e Gjon Kastriotit u martuan me bujarë nga familjet e njohura princërore, si tek Muzakajt, Aranitët e Topiajt (Hitoria e Shqipërisë- f.252). Po ashtu, siç tregon Gjon Muzaka në “Memoria”, një motër e Gjin Muzakës, Maria, qe martuar me Gjergj Aranitin. E para bijë e tij, Andronika, kur u rrit, u bë gruaja e Gjergj Kastriotit, Skenderbeut. Kurse Gjon Muzaka e mori nusen e vetë nga dera e Dukagjinëve. I përmendëm këto krushqi për të përfytyruar sadopak lidhjet miqësore, si dhe hartën e aleancave midis familjeve feudale në Arbëri. Dhe në çdo dasëm midis tyre ka lëvizur flamuri me shqiponjën , që i printe krushqit tek kalëronin për çdo festë martese. Deri vonë ka qenë ky zakon. Madje në Kosovë udhëtimi i krushqëve me flamur kombëtrar, kur merrej nusja ishte i gjallë deri në fillim të këtij shekulli të ri. Kjo dukuri zakonore ka rëndësi të kuptohet për anën etnografike të çështjes: se si emblema e shqiponjës dykrenare është futur aq natyrshëm në psikologjinë kombëtare qysh nga thellësia e shekujve. Kështu duhet të pranojmë se shenja më dalluese e shqiptarëve pas gjuhës amëtare ishte dhe është flamuri me këtë emblemë. Pra lufta për flamurin dhe me këtë flamur në ballë, në gjoks dhe në zemër ishte lufta për idenditetin kombëtar.
Një dëshmi tjetër materiale që flet për lashtësinë dhe adhurimin e të parëve tanë për flamurin është edhe epitafi në varrin e Gjon Muzakës, që gjndet në Francavilla të Otrantos: “I plotfuqishmi Jezu, ty të falet këtu Gjon Muzaka, i biri i Gjin Despotit, Zot i Myzeqesë dhe i Epirit që nga qyteti i Bizantit trashëgoi shqiponjën dykrenare qe e mbante në flamur, i dedikohet kurorë detyrimi në vitin e Krishtit 1510”
I ngjajshëm me këtë fakt duhet përmendur si dëshmi me interes për simbolin kombëtar të Shqiponjës edhe varri i nipit të Skënderbeut, Kostandin Kastriotit, që ndodhet në kishën e Shën Marisë së Napolit, ashtu si e përshkruan edhe Eqrem Bej Vlora: ”Mbi varrin e nipit të Skënderbeut në kishën e Shën Mërisë së Ëngjejve në Napoli është venë stema e tij: një shqiponjë heraldike me një yll të bardhë e vezullues pesëcepësh mbi të dy krerët”
Këto episode tregojnë për lidhjen shpirtërore që kanë pasur etërit tanë me simbolin e Shqiponjës, me emblemën e flamurit të tyre. Ata e adhuronin atë në këtë jetë, po edhe deri në amshim. Ashtu, ata duken sikur thonë se edhe të vdekur ata janë mbajtës të flamurit, janë mbajtës të shqipes, janë shqiptarë për jetë të jetëve.
Shumë domethënës është edhe një afresk i piktorit të famshëm italian Paolo Veronëzi. Ky artist, në kishën San Sebastian të shqiptarëve të Venecias, ka pikturuar një afresk në qendër të të cili të duket një person që mban në gjoksin e tij të veshur një këmishë me shqiopopnjën dykrenare të flamurit shqiptar. Edhe kjo pamje e afreskut mesjetar, e mesit të sh.XVI, dëshmon se sa fortë kanë qenë të lidhur shpirtërisht të parët tanë me emblemën e flamurit të tyre, gjë që i ka bërë aq përshtypje frymëzuese edhe piktorit të famshëm Paolo Veronezit, që brenda mureve të kësaj kishe e ka trajtuar dy herë embelemën e flamurit shqiptar. Është kënaqësi që këto afreske janë të ruajtura fare mirë deri në ditët tona.

* * *
Po ky flamur me shqiponjën në mes do të ishte simboli i bashkimit të stërgjyshërve tanë edhe për gjatë kohës së qendresës kundër pushtimit turko-osman siç shkruan dhe Pashko Vasa në veprën e tij për kohën e rënies së Shkodres: “Një pjesë e popullsisë, për të mos u nënshtruar gjithësesi, u ngrit e iku në dhe të huaj dhe kërkoi strehim në Itali; një pjësë tjetër mori malet, në majat e të cilave flamuri kombëtar vazhdonte të valvitej krenar dhe i nderuar.”
Kjo lidhje shpirtërore e stërgjyshërve tanë me simbolin e shqiponjës u ka pas tërhequrn vëmendjen shumë studjueve të huaj, të cilët, duke qënë eruditë të shquar, e dinin rolin e emblemave në Mesjetën Evropiane për të emëruar etnitete a po dinasti të ndryshme. Njeri nga këta eruditë që qe i angazhuar me gjuhësinë shqipe është albanologu Maximilian Lambertz . Prof. E. Çabej, duke trajtuar problemin e emrit etnik, shkruan në librin e tij “Shqiptaret midis Perëndimit dhe Lindjes”: ”Oberhummer pranon së fundi mendimin e M.Lambertz-it, ky dijetar, thotë ia kishte spjeguar emrin mjaftë mirë prej shqiponjës, si emër i një totemi nga koha e Skënderbeut”.
Po në atë faqe të veprës së tij Prof. Çabej shenon se ky mendim gjen mbështëtje te një vrojtim i Edith Durham-it… “Shqiptarët quhen kështu pas shqiponjës. Në flamurin e Skënderbeut dhe te stema e Shtetit të ri Shqiptar ndodhet një shqipe.” Me këtë rast theksojmë se Prof. Çabej nuk shpreh mendimin e tij për këtë çështje, po ai as nuk e mhon këtë hipotezë. Përkundrazi, ai lë shkas për diskutim, kur në veprën e tij ka pohuar : Duke përmbledhur ç’kemi thënë na rezulton se emri i ri (shqiptar) na shfaqet si emër familjeje në një kohë kur emri i vjetër i popullit është edhe në lulëzim e sipër. Të dy emrat do të kenë luftuar shekuj me radhë me shoqi-shoqin për përhapjen e vet në popull, gjersa nga fundi i shekullit të XVII emri i ri doli fitues.
Në këtë tragë mundohet të ecë edhe studiusi francez, Robert d’ Angely, i cili, bazuar në gjellitjet e veta për etnonimin “shqiptar” thotë se fjala “shkibetar” nuk do të thotë tjetër gjë, veçse mbajtësi i shqipes( i shqiponjës). Dhe më pastaj ky autor vazhdon ta shtjellojë idenë e tij se fjala “shqiptar u bë e njohur dhe e famëshme për shkak të qendresës së një ushtrie të vogël shqiptare, që ishte bartëse e shqiponjës, e shqipes të princit legjendar Gjergj Kastrioti”.
I impresionuar nga simbolika e flamurit tonë kombëtar, edhe studiuesi dhe diplomati amerikan Xhorxh Fred Uilliams, i cili dallohej për kulturën e tij gjuhësore dhe historike, gjykon e shkruan për popullin tonë në trojet e ish Arbërisë: “Emri i vërtetë i kësaj toke është Shqipëri, dhe i popullit shqiptar, që do të thotë “toka dhe bijtë e shqipes”.
Ndër shekujt e robërisë turke, shumë nga të dhënat dokumentare për flamurin kombëtar të Shqipërisë nuk kishin mbetur fare të izoluara. Në qarqet e dijetarëve dhe historianëve të Evropës, kur është folur e shkruar për luftën e Shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut, është përmendur kohë pas kohe me siguri edhe flamuri tij. Mjafton të kujtojmë rastin interesant të shkrimtarit amerikan Henri W.Longfellou, i cili më 1873, shkroi një poemë për heroin tonë kombëtar të titulluar “Scanderbeg”. Në mënyrë të vaçantë ai përshkruan momentin solemn, që ka të bëjë me ngritjen e flamurit me shqiponjën dykrenare, më 28 Nëntor,1443, që në përkthimin e Fan Nolit lexohet aq bukur:
“Nga kështjella shpejt ka rënë
Flamuri me gjysëm hënë,
Edhe populli shikon
Që në vend të tij valon
Flamuri i Skënderit n’ erë,
Skabë’ e zezë me dy krerë.
Është me rëndësi të vemë re se si poeti amerikan prej mijëra kilometrsh larg arrin të gjejë subjektin e poemës për heroin kombëtar të shqiptarëve dhe të fokusojë poetikisht emblemën tradicionale “Shkabën e zezë me dy krerë”. Kështu, ky rast, kur në kushtet e shekullit XIX, një poet i Botës së Re, matanë Atlantikut, kalon oqeanin me fantazinë e tij, për të hulumtuar një të vërtetë historike lidhur me simbolin tonë kombëtar, nuk ka se si të mos i jepë kënaqësi çdo shqiptari, që ta ndjejë veten krenar për vendin dhe Flamurin e tij të lashtë si simbol mbarëkombëtar.
Mbas Luftës së Dytë Botërore një tjetër autor, Julian Ameri, në librin e tij “Sons of the Eagle” (Bijtë e Shqipes), duke kuptuar adhurimin e shqiptarëve për flamurin e tyre me shqiponjë, do të shkruaj: “Shqiptarët, të cilët pohojnë se vijnë prej ilirëve të vjetër, e quajnë veten “shkipetarë”, fjalë, që po të përkthehet, ka kuptimin “bijtë e shqipes” .
Pak a shumë këtë gjë thotë edhe një autor amerikan, Robert Kaplan në librin “Balkan Ghosts” (Fantazmat e Ballkanit). Duke komentuar për shqiptarët dhe Shqipërinë, ai shkruan se “Atdheu i tyre quhet Shqipëria, që do të thotë “toka e shqiponjës” (Land of the Eagle).
Nga sa u parashtrua duket qartë lidhja e përherëshme shpirtërore e të gjithë shqiptarëve me simbolin e shqiponjës së flamurit. Ja pra, është kjo arsyeja pse dhe shumë studiues të huaj e njësojnë emrin e shqiptarit dhe të Shqipërisë me simbolin e shqiponjës së emblemës së flamurit. Prej gjithë këtyre deklarimeve kuptohet se Flamuri me Shqiponjën dykrenare qe bërë pjesë e ndërgjegjes sonë shqiptare.
Politika asimiluese e sulltanëve gjatë periudhës së errët të sundimit turk bëri që shumë nga traditat tona kulturore te dobësoheshin ose të zhdukeshin. Kështu qe e ndaluar në të gjitha trevat arbërore të përmendej flamuri kombëtar dhe emri i lavdishëm i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Po simbolet kombëtare, si dhe figura e Skënderbeut mbetën të gjalla në mendjen dhe kujtesën popullore, e sidomos tek vëllezërit e n jë gjaku , tek arbëreshët, që u vendosën në Itali, pas vdekjes së Skënderbeut. Tok me këngët dhe legjendat për kohën e Skënderbeut ata ruajtën dhe flamurin tonë të lashtë. Vlen të përmendet me këtë rast patrioti intelektual Zef Skiroi, i cili, në të përmuajshmen e tij “Arbëri i ri”, do të vendoste rregullisht emblemën tradiciuonale të flamurit me shqiponjë dykrenare, nga 1880 deri 1895. Pak më vonë, mbas vitit 1900 këtë shembull do ta ndiqte edhe F. Konica, i cili edhe ai, kur botoi të përmuajshmen e vetë “Albania”, do të vinte në faqen e parë të kësaj reviste këtë emblemë të Flamurit me simbolin e shqiponjës. Po ky Flamur me këtë emblemë, i ardhur vëllazërisht nga arbëreshët e Italisë, do t’i printe kryengritësit malësorë me në krye Dedë Gjo Lulin, dhe që më 6 prill të vitit 1911 u valëvit në majën e Deçiçit.
Pak kohë më herët, para kësaj ngjarjeje, në pranverën e vitit 1908, poeti i Rilindjes Kombëtare, Asdreni, do t’i jepte korit të kolonisë shqiptare të Bukureshtit poezinë e tij “Betimi mbi Flamur” si tekst për Himnin Kombëtar. Kështu filloi të këndohej Himni i Flamurit, që do të vinte me anë të poetit patriot Hilë Mosit nga Bukureshti në Korçë dhe prej atje do të përhapej gojë më gojë dhe shpejt e shpejt nëpër disa anë të Shqiperisë. Dhe, pasi qe kënduar për rreth katër vjet, në fusha dhe male, kënga e Himnit të Flamurit do të futej edhe në Kuvendin Mbarëkombëtar të Vlorës, më 28 Nëtor 1912. Atë ditë historike, kur prinjësi i Kuvendit të pavarësisë, Ismail Qemali, do të ngrinte Flamurin, ai do të bekonte edhe Himnin e këtij Flamuri, që do të këndohej nga Kuvendarët dhe do të shpallej Himn Kombëtar. Që nga ajo kohë , për më shumë se një shekull, Himni Flamurit ka qënë preludi i i tërë aktiviteteve patriotike, kulturore, artistike e sportive për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Qysh atëherë fjalët e Himit Kombëtar na shungullojnë në vesh si një thirrje dhe kushtrim për të qënë të bashkuar si komb rreth simbolit të Flamurit:
Rreth flamurit të përbashkuar,
Me një dëshirë’ e një qëllim,
Të gjith’ Atij duke iu betuar,
Të lidhim besën për shpëtim.

Bibliografi:

1-Çabej, E. “Shqipëtarët midis Perëndimit dhe Lindjes” MÇM, Tiranë, 1994.
2- Ermenji, A. “Vendi që zë Sëkënderbeu në Historinë e Shqipërisë”, btimi II, Tiranë, 1996.
3- Vlora, E. “Kujtime”, Shtëpia e Librit dhe komunikimit, Tiranë, 2001.
4- Shehu, A.. Gazeta “Illyria”, Nëntor,2003.
5- Plutarck’s Lives, vol. III, Boston, 1859.
6 – Vasa, P. “Vepra Letrare” 1, Shtepia Botuese “N. Frashëri”, Tiranë, 1986.
7- Barleti M. “Historia e jetës dhe e vep. të Skenderbeut”, Tiranë 1968.
8- Muzaka, Gj. “Memoria”, Toena, Tiranë, 1996.
9- Nadini, L. “Statuti di Scutari”, Universita di Venecia, 2002.
10 – Barleti, M. “Rrethimi i Shkodrës”, sh. Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1982.
11 Muzaka, K. “Memoria”, Toena, Tiranë, 1996.
12- Vasa, P. “Vepra letrare”, 2, sh. b. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1987
13- Angely, R. D’. “Enigma”, Toena, Tiranë, 1998.
14-Amery, J. “Sons of the Edagle”,London, 1948.
15- Noli, F. “Vjersha te Zgjedhura”, Instituti i studimeve shkollore,Tiranë,1965

Boston
19 – XI – 2024

Filed Under: Komunitet

Ftesë historike për shqiptarët në Miami – Florida

November 21, 2024 by s p

Të dashur bashkatdhetarë,

Vatra Miami ka kënaqësinë t’ju ftojë në një ngjarje historike për komunitetin tonë shqiptar! Për herë të parë në historinë e Floridës së Jugut, Flamuri Shqiptar do të ngrihet zyrtarisht, duke shënuar një moment krenarie dhe bashkimi kombëtar.

📅 Data: E hënë, 25 nëntor 2024

⏰ Ora: 10:00 AM

📍Vendndodhja: Hollywood City Hall

Adresa: 2600 Hollywood Boulevard, Hollywood, FL 33020

Pjesa Lindore e City Hall, ku ndodhen shtyllat e flamurit

Në këtë ceremoni do të jenë të pranishëm:

Kryetari i Bashkise se Hollywood, zoti Josh Levy!

• Anëtarë të nderuar të komunitetit shqiptar

• Komisionerë të zgjedhur të Broward County si Zoti Gruber, etj

• Përfaqësues të Bashkisë së Hollywood-it

Flamuri ynë i bukur, i ngritur nga Ismail Qemali 112 vite më parë në Vlorë, tani do të valëvitet krenarisht në Hollywood, qytetin moter të Vlorës që prej vitit 1994! Ky akt simbolik përfaqëson amanetin e të parëve tanë që të mbajmë lart atdhedashurinë dhe krenarinë kombëtare.

Ju ftojmë të gjithë të bëheni pjesë e kësaj dite historike dhe të përcjellim një mesazh të fuqishëm për brezat që vijnë.

Shënim: Flamuri Shqiptar do të valëvitet për 3 ditë rresht.

📞 Për më shumë informacion:

Vatra Miami: vatramiami@gmail.com

Mobil: 954 707 7895

Filed Under: Mergata

Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Televizionit!

November 21, 2024 by s p

Hisen Berisha/

Televizioni mbetet një nga mediumet më të rëndësishme për informimin, edukimin gjithëpërfshirës, dhe promovimin e vlerave kombëtare e botërore. Në Kosovë, televizioni ka pasur një histori të veçantë, të lidhur ngushtë me sfidat dhe zhvillimet e vendit, nëpër të cilat ka rrugëtuar bashkë deri në liri.

Gjatë viteve të okupimit serb, televizioni kosovar kaloi kohë të vështira, me mbylljen e Radio Televizionit të Prishtinës në vitet ’90, ndërsa zëri i popullit u hesht nga regjimi. Megjithatë, televizioni nuk u dorëzua, por u bë një zë i fuqishëm i rezistencës, në Kroaci e Shqipëri duke përfshirë edhe hapësirat në mediume ndërkombëtare në SHBA dhe Evropë, të cilat ndihmuan në mbajtjen gjallë të kauzës së lirisë dhe identitetit kombëtar.

Në periudhën e luftës, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës e përkrahur nga bota demokratike dhe forcat e NATO-s luftuan dhe sollën lirinë, televizioni luajti një rol jetësor në informimin e popullit dhe në ruajtjen e moralit të lartë, deri në përfundim të luftës, kur u rilind Radio Televizioni i Kosovës (RTK) me një frymë të re.

Sot, të gjitha televizionet që operojnë në Kosovë kanë një përgjegjësi të madhe. Ato duhet të jenë jo vetëm burim i informimit të saktë dhe të paanshëm, por edhe promotorë të edukimit gjithëpërfshirës me vlerat që ndërtojnë një shoqëri të drejtë dhe të hapur. Nga përhapja e kulturës kombëtare te njohja e vlerave ndërkombëtare, televizioni duhet të vazhdojë të jetë një forcë që bashkon dhe forcon shoqërinë tonë. Një dedikim të veçantë për të gjithë punëtorët televizivë me theks gazetarët që luajnë një rol të veçantë si fuqi e shtatë në shoqëritë demokratike.

Le të festojmë fuqinë dhe rolin e televizioneve që na kanë ndihmuar në ruajtjen e identitetit kombëtar, vlerave të kombit, familjes dhe shtetit.

Filed Under: Ekonomi

Marije Kraja, in memoriam…

November 21, 2024 by s p

Ledio Xhoxhi/

Më 21 nëntor 1999, në Tiranë, u nda nga jeta Marie Kraja (Paluca), soprano lirike koloraturë, Artiste e Popullit. Lindi në Zarë (Dalmaci), në vitin 1911. Ndoqi shkollën e mesme muzikore në Vjenë dhe kreu studimet e larta për kanto në Konservatorin e Gracit (1929–1934). Punoi si mësuese në gjimnazin “Donika Kastrioti” në Shkodër dhe në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”. Zhvilloi veprimtari koncertore në qytetet kryesore të vendit. Interpretoi pjesë të njohura të repertorit klasik dhe shumë këngë popullore. Pas çlirimit dha mësim në Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe punoi në Teatrin e Operës dhe Baletit, ku interpretoi një radhë rolesh operistike kryesore të repertorit tradicional të huaj dhe shqiptar. Interpretuese në dy operat e para shqiptare “Mrika” (Prenk Jakova) dhe “Lulja e kujtimit” (Kristo Kono). Prej vitit 1963 punoi si pedagoge dhe udhëheqëse e klasës së kantos në Konservatorin Shtetëror të Tiranës. Marie Kraja është një ndër themelueset e traditës së interpretimit vokal profesionist. Interpretoi një repertor shumë të pasur muzikor, ku përfshihen tërë gjinitë e muzikës vokale profesioniste, që nga muzika e dhomës e deri tek ajo oratoriale e skenike. U shqua për veti individuale interpretuese, sidomos për trajtimin e këngës popullore; u karakterizua nga një teknikë dhe nivel artistik i lartë, përmes të cilave krijoi variante të reja koncertore të këngëve dhe formoi traditën e një interpretimi shumë besnik të këngës popullore, veçanërisht të këngës shkodrane. Marie Kraja ka përfaqësuar denjësisht artin shqiptar në një varg skenash të rëndësishme në botën e jashtme. Është dekoruar me urdhrin “Mjeshtre e Madhe e Punës”; ka marrë Çmimin e Republikës të Shkallës së Parë. Duke filluar nga viti 1999, zhvillohet çdo vit në Tiranë Festivali ndërkombëtar i këngëtarëve operistikë “Marie Kraja”.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT