• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2024

“DARDHA”, ALBUMI I PARË TURISTIK NË SHQIPËRI

December 13, 2024 by s p

Kristaq BALLI

120.jpg

Viti 1938. Ahmet Zogu dhe familja e tij mbretërore në synimet e tyre për zhvillimin e vendit, krahas fushave të tjera të jetës ekonomike e sociale, tentuan rishtazi e në mënyrë modeste edhe një plan afatgjatë për turizmin, kryesisht në kontekstin e aplikimit të tij nga shqiptarët dhe të huajt, por edhe promovimin e resurseve turistike,  bukurisë së natyrës,  trashëgimisë etnokulturore traditave, zakoneve e virtyteve të shqiptarëve.

Në fund të shek XIX dhe gjatë dekadave të para të shek. XX fshati Dardhë i Korçës ishte bërë një destinacion i turizmit, kryesisht për disa prioritete ekonomike, sociale e natyrore që ajo zotëronte. Së pari, ky fshat 18 km. në Juglindje  të Korçës ndodhej në mes të pyjeve me bredha, pisha e ahishte malore në lartësinë rreth 1350 m., kishte një bukuri natyrore të mrekullueshme, burime ujrash të ftohta e minerale kuruese, përparësi klimaterike shëndetsore, konvaleshente, shplodhjeje mendore e argëtimi. Nga pikpamja urbanistike e arkitekturore Dardha, me rreth 400 shtëpi e 2000 banorë cilësohej jo si fshat, por si një qendër urbane, tepër origjinale e unikale, me shtëpi, rrugë, ujësjellës e kanalizime moderne për atë kohë që i ngjante më shumë një qyteze urbane, pasi aty zhvillohej edhe një jetë ekonomike e sociale me të gjitha elementët qytetarë, ushtronin aktivitetin shumë forma paraindustriale dhe zejtare, ku mbizotëronin punishte të vogla private të të gjitha llojeve e profesioneve, si shërbimet, tregtia (dyqane, kafene, hotele, fotografë, këpucarë, hekurpunues, dërstila, batane, mullinj) zejtaria, përpunimi i produkteve blektorale e bujqësore, etj. Për arsye të emigracionit, fillimisht sezonal të burrave brenda Shqipërisë dhe në vendet e Ballkanit (dardharët kanë qenë përpunues mjeshtra të lëndës drusore të pyjeve, me ç’rast ka dalë edhe  fjala e urtë “e pret si me sëpatën e dardharit”) e,  më pas, në ShBA (pothuajse të gjitha familjet kishin pjesëtarë të tyre në Amerikë), ata jo vetëm ndihmuan ekonomikisht familjet e tyre por “importuan” edhe një mënyrë perëndimore jetese e konditash më komode familjare. Kështu falë prirjes së tyre arsimdashëse (shkolla e parë në Dardhë është çelur që më 1768), emigrantët ndërtuan më 1924 shkollën më të madhe e më moderne të asaj kohe, rrugën automobilistike  Dardhë-Boboshticë (Korçë), sollën makinat amerikane Ford që përdoreshin si taksi në linjën Korçë-Dardhë, rikonstruktuan në mënyrë model bashkë me banorët rrugët me kalldrëm, ujësjellësin, krojet e çezmat, ndërtuan hidrocentralin që furnizonte me energji elektrike Dardhën, mirëmbajtën objektet e kultit ortodoks, etj. Dardha, në kontekst të supremacisë turistike jo vetëm në rajonin e Korçës, por në të gjithë Shqipërinë ishte e njohur gjithashtu për kulturën tradicionale e virtytet humane, ku spikatnin kostumi i grave dardhare (xibuni), një prej perlave të kostumografisë shqiptare, po ashtu edhe vallja e kënduar e grave të Dardhës, si edhe kostumet tradicionale të burrave, që alternoheshin, sipas rasteve  me veshjet e stilit më modern perëndimor qytetar të kohës. Ballot, serenatat, (nuk kishte djalë që të mos i binte kitarës apo mandolinës, aq sa shumica e grupeve muzikore, madje edhe Banda Kombëtare “Vatra” në  SHBA e më pas në Korçë përbëhej kryesisht nga dardharë e drejtohej po nga një dardhar, prof. Thoma Nassi), hareja, alegria, dasmat e ritet e tjera festive pagane e  fetare, sidomos “ditët e emrave”, piknikët  që lidheshin me nivelin e lartë kulturore të emancipuar qytetar ishin elementë atraktivë që ndillnin natyrshëm kurizitetin turistik masiv në këtë vend që dikush e ka quajtur edhe  “Margaritari me emrin Dardhë”.Untitled.jpgDardha2.jpg

Po ashtu tradita e një kulinarie të pasur e  të larmishme karakteristike, ku spikat “lakrori me dy petë i pjekur në saç”, apo “rakia e kumbullës së egër e zier dy herë, tipike për varietetin e kumbullave në atë zonë”, nikoqirllëku, rregulli, higjena e pastërtia, kujdesi, bujaria, solidariteti, mikpritja, pra gjithçka që kish të bënte me plotësimin e kushteve të shumëfishta turistike e kishin bërë diferencën dhe e kishin veçuar Dardhën si vendin më të preferuar turistik. 100_2680.JPG

Janë këto disa nga prerogativat që qeveria mbretërore e asaj kohe, me iniciativën e vetë dardharëve,  udhëzoi të botojë një album turistik dedikuar Dardhës, jo vetëm për ta promovuar atë, por edhe për të paraprirë egon e ambicjen saj për aplikimin e “industrisë” së turizmit si një degë e  zhvillimit ekonomik e kulturor të vendit.

Për hartimin e Albumit Turistik të Dardhës, me propozim të Entit Kombëtar të Turizmit, Bashkia e Korçës ngarkoi  një komisioni të  posaçëm të përbërë nga intelektualë të njohur si Kristaq Cipo-Drejtor i Liceut Kombëtar, Anastas Mio-drejtor i Bibliotekës “Thoma Turtulli”, Stavro Skëndi-profesor,  Vangjush Mio-profesor dhe piktor dhe Sterjo Spasse-shkrimtar, të cilët shkuan në Dardhë, për të vizituar e vendosur rreth idesë dhe përmbajtjes së këtij albumi, gjetën material e foto sugjestionuese, vizituan disa nga pikat piktoreske në gjirin e “pyjeve fantastike” dhe paskëtaj hartuan brendinë, që në mënyrë sintetike dhe shumë elokuente pasqyronte realisht resurset natyrore, klimaterike,  ekonomike, etnokulturore, humane e sociale të këtij fshati piktoresk e ideal për aplikimin e turizmit. 

Albumi Turistik “DARDHA” përbëhet nga 32 faqe, në të cilat janë vendosur në mënyrë të alternuar një set fotosh e tekstesh nga natyra, mjediset urbano-arkitektonike, pamje të traditave etnokulturore e sociale të banorëve dhe shkrime të ndryshme, kryesisht konsiderata të autoriteteve dhe personaliteteve të atëhershme politike e administrative, kulturore e shëndetsore, poezi kushtuar Dardhës nga Asdreni, Lasgush Poradeci, Mitrush Kutelit, etj. Ballina e saj ka një pikturë të  piktores dardhare Anfroniqi Zengo me ngjyra, ku paraqitet  një vajzë apo nuse e re, e veshur me kustumin festiv dardhar, në një mjedis dardhar.100_2680.jpg

Albumi hapet me një foto të motrës së Ahmet Zogut, princeshës Maxhide që kishte edhe atributin e Kryetares së Naltë dhe Patroneshës së Turizmit dhe përbri saj në faqen e dytë ndodhet letra e saj përshëndetëse drejtuar kryetarit të Shoqërisë Dardhare “Shpresa”, Dardhë e që mban datën 9 Maj 1938, ku përgëzohet iniciativa e këtij botimi, vlerësohet bujaria natyrore, klimaterike e virtytet e dardharëve dhe bëhet thirrje që kjo ndërmarrje të bëhet shembull edhe për zona të tjera turistike. Në faqen pasuese është fjala e shkurtër e Musa Jukës, Kryetar i Entit Kombëtar të Turizmit dhe Ministër i Punëve të Brendshme. Më tej vjen poezia e poetit të nohur Asdreni kushtuar Dardhës, ku ndër të tjera poetizohet:

VERIMI NË DARDHË

….

Në do jetë o derëbardhë

Gjak në rrembat e shëndet

Mere rrugën shko në Dardhë

Ku ndjen gas me të vërtet.

Gjith katundi krahë-hapur

Me gëzim si mik të pret,thr007.jpg

Tërë dyert janë hapur:

Ti hyn brenda si  një mbret.

Lart ke mal të gjelbëruar

Lule-shtruar bukuri,

Erë pylli të qëruar:

Në qofsh plak të bën të ri!

Ke burime shkumbë-ergjëndi

Uji-i tyre që të ngjall,

Si dhe pamjet e ç’do këndi

Që të mbushin plot me mall!

Faqet verdha, faqet bardha

Dhe të dobtat mushkëri,

Prap të kuqe t’i bën Dardha

T’ep fuqi dhe lumturi!

…

Si për të sprovuar këtë trill poetik pason një përshkrim thuajse idilik i bukurive natyrore të Dardhës, i pyjeve fantastikë, i ujrave të ftohtë e të kristaltë, i vendeve të preferuara për shëtitje e piknike, i vlerave dhe bujarisë të familjeve e shtëpive me çati plloçash  të varura nën njera-tjetrën që, nga Guri i Vjeshtës dhe Kisha e Shën Pjetrit, duken si “çerdhe orësh”. Gjithçka shplodhëse e përteritëse!

Një foto e fotografit të njohur dardhar Thimi Raci në qendër të së cilës gjenden shkolla moderne (që do t’ia kishte zili edhe një qytet) e ndërtuar nga emigrantët dardharë të SHBA dhe Rumanisë më 1924,   si dhe kisha e bukur e Shën Gjergjit e rindërtuar më 1839 shprehin simbolikisht prosperitetin shpirtëror, karakterin arsimdashës e besimdashës të këtij fshati plotësisht të krishterë, historia e të cilit fillon me qëndresën dhe rebelimin ndaj konvertimit fetar nga Perandorisë Osmane.

Faqet 10-11 i rezervohen shkrimit të drejtorit të Liceut të Korçës Kristaq Cipo, në të cilin rikonfirmohen prioritetet turistike e bukolike  të Dardhës, në qendër me slloganet “Cili viziton Dardhën një vit do ta vizitojë dy e tre e gjithë jetën.”  Dhe  “Çlodhu një muaj në Dardhë në do të zgjatësh jetën tënde”.  Shkrimi shoqërohet me dy foto të kostumit dardhar të grave dardhare.

Dy faqe reklamash me pamje nga pyjet dhe komoditetet që mund të gjenden në Dardhë i përmbyllin ato me epigramën “Dardha, çudi e Zotit…”

Lasgush Poradeci përfaqësohet në këtë album me poezinë “Dashuri Dardhare” e cila shoqërohet edhe me dy foto-një djalë e një vajzë të veshur me kostumet tradicionale të Dardhës:100_2431.jpg

DASHURI DARDHARE

Kjo mbrëmje plot me qetësi,

Kjo pamje plot me bukuri,

Kjo dehje plot me fshehtë[si.

Dhe vasha ndjen, dhe vasha ri

Dhe trimi vjen, dhe trimi s’ri,

Dhe zemra bren e zjen në gji.

Si ndrin kështu, moj vashëri!

Si shkrin kështu, moj trimëri!

Si plas kështu, moj dashuri!

Kjo mbrëmje’e pamj’e dehje e fshetë,

Dhe vash’e trim’e zemr’e shkretë,

Si ndrin e shkrin e plas përjetë.

Ndërkaq edhe Mitrush Kuteli në esenë e tij të shkurtër, por plot kolorit “Dy fjalë përmi turismin”, pasi shpalos idetë e tij për zhvillimin e turizmit në Shqipëri, me dhimbje në zemër e lotë në sy shpreh nostalgjinë e tij për Dardhën, për këtë “çip parajse të zbritur në dhe” dhe për pamundjen e këtij mërgimtari që fati  e ka hedhur fort larg e  që rrallë mund të vijë këtu. dardha 1.jpg

E, kështu, faqe pas faqeje, nëpërmjet fotosh fantastike të fotograsfit dardhar Thimi Raci, mbresash, shkrimesh këshilluese, përparësish të mrekullive natyrore, klimaterike, shëndetsore, pasurive etnografike, folklorike, kulturore plotësohet tabloja e protagonizmit turistik të këtij visari kombëtar.  Njeri pas tjetrit, Dr. Qemal Jusuffati, drejtor i përgjithshëm i shëndetsisë (Ay që viziton Dardhën nuk shkel në barnatore…), Dr. Pandeli Glozheni (Era e Dardhës vlen më fort se qindra kuti e shishe me barna të sjella nga Evropa…), Dr. Nusret Kokobobo, drejtor i Qendrës Hygjenike të Korçës, Dr. Sali Zavalani, drejtor i Spitalit të Shtetit në Korçë (personalisht kam veruar vite me radhë familisht në këtë katund piktoresk dhe kam përfituar pa masë nga klima e shëndeçme e Dardhës…-SZ), Dr. Th. Zhusti, Andrea Ktona, sekretari Shoqërisë Dardhare “Bashkimi” në Bukuresht (Dardha, katundi im lindor), etj. krijohet vizioni i një realiteti të mrekullueshëm natyror, klimaterik, i përparuar  e turistik.  Në faqen e fundit botohet  një këngë autentike nga folklori i pasur i Dardhës:100_3473.jpg

1897816_670176873029272_2130857109_n+.jpg

FIJE NGA FOLKLORI I DARDHËS

Shamiverdha pika-pika

Ajde shami-verdha, o moj pika-pika,

Më vrave, të vraftë pika;

Ajde me dy mollë, o moj të godita,

Më vrave, të vraftë pika!

….

Dhe surpriza e fundit e këtij katalogu janë dy foto që paraqitin princeshat motra të Ahmet Zogut, Maxhidesë, Ruhijes e Sanijes gjatë një vizite në Dardhë, ku bije në sy jo vetëm kënaqësia e tyre që ndodhen aty, por edhe bujaria e mikpritja festive që banorët e Dardhës u kanë rezervuar atyre si përfaqësuese të familjes mbretërore. Mbresat e tyre nga kjo vizitë sigurisht kanë qenë edhe një  nxitje dhe mbështetje  më shumë për hartimin e albumit të parë turistik në Shqipëri, që i takon Dardhës.1798695_670170233029936_701366872_n (1).jpg

Botimi dhe printimi i këtij albumi autentik, si dallëndyshja e parë e turizmit shqiptar, është atribut i përbashkët i Shoqërisë Dardhare “Bashkimi”, Rumani dhe Shoqërisë  “Shpresa”,  Dardhë dhe u finalizua nën kujdesin e Mitrush Kutelit në Atelierët e Tipografisë “ALBANIA” në Kostancë, Rumani në vitin 1938.

◙ ◙ ◙ ◙

FOTOT:

  1. Pamje e Dardhës rreth viti 1930
  2. Ballina e Albumit Turistik DARDHA
  3. Princesha Maxhide dhe Letra e saj në albumin e Dardhës.
  4. Letra e princeshës Maxhide drejtuar Kryetarit të Shoqërisë  dardhare “SHPRESA”
  5. Shkolla dhe kisha e fshatit në album.
  6. Inaugurimi i rrugës automobilistike Dardhë Korçë.
  7. Rrugicë e fshatit, kartolinë

8,9,10, Princeshat Maxhide, Ruhije e Sanie në Dardhë.

Letra e Princeshës dhe Patroneshës së Turizmit, Maxhide Zogu në f.3 të Albumit :

Enti Kombëtar i Turizmit

               Zyra e 

 N.S.M. Princeshës Maxhide

Patronesha dhe Kryetarja e Naltë

           e Turizmit

Tiranë në 9 Maj 1938

Zoti Kryetar,

Ju çfaq  kënaqësinë time për nisjativën e Shoqërisë “Shpresa”, e cila po fillon me anë botimesh t’illustroj bukuritë e katundit Dardhë. Kjo nisjativë duhet të jetë shembull sidomos për Bashkitë e ndryshme të Mbretnisë, të cilat vetëm duke krijuar një lëvizje turistike të mbrendëshme mund të pasurohen dhe mund të zhvillojnë  industritë e ndryshme të cilat influencojnë ardhjen e të huajve në vendin t’onë.

Dardha për virtytet e saja klimaterike, për bukuritë që natyra i ka dhuruar me bujari të plotë, për kostumet e saja sugjestive, meriton të bëhet një qendër verimi me rëndësi. Jam e sigurt se nisjativa e Juaj do të kurorëzohet prej suksesit të dëshiruem, dhe një sasi e madhe të shqiptarëve të cillët shkojnë për të veruar në viset e huaja, do ta mësojnë se në Atdheun T’onë gjinden  vise shum më të bukura.

Patronesha dhe Kryetarja

      e Naltë e Turizmit

          Maxhide Zogu

Kryetarit

     Të Shoqërisë “Shpresa”

                           D a r d h ë

Filed Under: Kulture

Misioni i veçantë dhe i suksesshëm i Prof. Dr. Filip Llupi në Vjenë

December 12, 2024 by s p

Nga Mimoza Dajçi/

Gjatë qëndrimit disa ditor në Argjentinë për takimet e G20, pata rast të njihem nga afër me intelektualët e patriotët shqiptarë në Buenos Aires, Etleva dhe Genc Llupi. Kishin mbërritur në Argjentinë në vitin 1948, së bashku me prindërit e tyre. I ati, Filip Llupi, personalitet i nderuar në Shqipëri, ish Drejtor i Shkollës “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë, ku jepte edhe mësim në lëndët matematikë, fizikë, kishte linduar në Shkodër nga një familje atdhetare dhe antikomuniste. E ëma e tyre vinte nga Dalmacia, gëzonte titullin Markezë nga familja e saj.

Prof. Dr. Filip Llupi kishte kryer studimet e larta e doktoraturën në Vienë për shkencat ekzakte, ndaj në vitin 1943 qeveria shqiptare e dërgoi me detyrë pedagog për 100 studentët shqiptarë në një universitet të Vienës. Kështu shkruante dokumenti për nisjen e tij në Vienë, ku mori me vete gruan dhe dy fëmijët e vegjël. Genci sapo kishte kryer klasën e parë fillore, ndërsa Etleva ende në moshë parashkollore. Filipi kishte edhe një mision të veçantë, për të hyrë në traktativa me qeverinë Austriake për një çështje mjaft delikate. Gjermania në atë kohë kërkonte t’i dërgonte të gjithë studentët e Vienës për luftë në Rusi, përfshi edhe studentët shqiptarë. Qeveria shqiptare i kishte kërkuar patriotit shqiptar Filip Llupi, të realizonte një marrëveshje me qeverinë Austriake, në mënyrë që studentët shqiptarë të mos shkonin në luftë. Filipi e kreu këtë misionin me sukses duke u siguruar kontrata pune, që studentët shqiptarë të punonin nëpër fabrikat e Vienës, njëherësh të ndiqnin studimet universitare pa ndërprerje. Pra ai i shpëtoi jetën studentëve shqiptarë në Vienë. Këto janë ngjarje të panjohura deri më tani për historinë e Shqipërisë. Prof. Dr. Filip Llupi ishte një hero i kohës dhe duhet të njihet si i tillë. Përpjekjet e tij duhet të çmohen e vlerësohen nga shteti dhe populli ynë.

Duke qenë se pas përfundimit të Luftës II Botërore, në Shqipëri u vendos perdja e hekurt komuniste, Filipi si antikomunist u detyrua të merte vendimin e vështirë, që së bashku me familjen e tij mos të ktheheshin më në atdhe. Për një periudhë të shkurtër fillimisht u vendosën në Itali, me shpresë se kjo ishte një situatë kalimtare për Shqipërinë. “Pasi babai kuptoi se Shqipëria ishte katandisur më keq se para lufte – tregoi Genci – vendosëm familjarisht të udhëtonim drejt Argjentinës, ku na priti daja, vëllai i nënës”.

Genci atë kohë ishte 11 vjeç, Etleva 9-të. Edhe pse u rritën dhe edukuan me kulturë Amerikano – Jugore, përsëri gjuhën shqipe nuk e lanë pas, e flisnin qartë e bukur. Ata zotëronin disa gjuhë të huaja, sigurisht dhe atë spanjolle, ku kishin vite që jetonin. Ishin adhurues të artit e muzikës klasike dhe çdo herë shikonin nga afër performancat e artistëve shqiptarë në Argjentinë, si Ermonela Jaho e Saimir Pirgu, duke vlerësuar kështu maksimalisht arritjet e tyre.

Në shtëpinë e tyre në Buenos Aires, nuk mungonin simbolet shqiptare, flamuri pa yllin e kuq e zbukurime të tjera kuq e zi, suvenire nga miq e të afërm të familjes nga Shqipëria. Kujdeseshin për lulet përqark shtëpisë, në kopësht kishin mbjellë edhe një pemë me lule të rralla e aromatike.

Ruanin me “fanatizëm” zakonet, traditat, kulturën dhe gatimet shqiptare. Gjatë bisedës, të dy, vëlla e motër shquheshin për një sens të hollë humori, siç mund ta quajmë humor shkodran. Flisnin me shumë dashuri për Shqipërinë, popullin shqiptar, lagjen Dibrane ku lindën e u rritën në Tiranë, afër Lanës, siç tregonte Genci dhe Etleva dhe ruanin kujtimet më të mira për komshinjtë e tyre në Tiranë. Kishin mall për atdheun. Genci ishte jo partiak, por një antikomunist i bindur. Edhe pse ishte larguar tepër i ri nga Shqipëria, ai e kishte përjetuar me dhimbje të madhe dramën e egër komuniste ndaj popullit shqiptar. “Në Shqipëri – tha ai – për afro gjysëm shekulli ka sunduar diktatura e shokut Enveri, i cili i solli shumë dëme të rënda popullit. Shqiptarët u zaptuan nga shqiptarët dhe kjo është e pabesueshme. Ishte genocid i hapur dhe bëj çudi që shumë shqiptarë ende nuk janë ndërgjegjësuar për krimet e komunizmit.”

I ati Filip Llupi u nda nga jeta në vitin 1984, ndërsa e ëma tyre në vitin 1992. Xhaxhai i Gencit dhe Etlevës, At Françesko Llupi, Prift i shkolluar jashtë e tepër patriot, përfaqësues i Klerit Katolik, rregjimi i Hoxhës e arrestoi në vitin 1967, i bëjnë gjyq të hapur dhe si dënim kapital pas torturave të shumta e fusin në një fuçi vere, mbushur me gozhda dhe e hedhin nga maja e një mali të lartë për të vdekur, as eshtrat nuk dihet se ku ndodhen. “Edhe pse pak shqiptarë jemi në Argjentinë – tha Genci – jemi të mërzitur shumë që shteti shqiptar prej disa vitesh e ka mbyllur ambasadën në Buenos Aires. Kjo nuk na shërben aspak ne shqiptarëve, pasi ashtu mund të kishim raporte biraterale në fusha të ndryshme, biznes, art, kulturë, etj.” Me ish ambasadorin Trako, kishte patur raporte të mira, vazhdimisht e ftonte për kafe, shpesh edhe ai i vizitonte në shtepi. “Ambasadat janë ato që mund të bëjnë njohjen e Shqipërisë, Kosovës e trevave të tjera shqiptare nëpër botë, por kështu nuk po na njeh askush. Shumë njerëz këtu e në botë – tha ai – nuk e dinë se ku ndodhet në hartë Shqipëria, e për këtë më vjen shumë keq. Kësisoj – shtoi Genci – na ka “tradhëtu” shteti ynë ne shqiptarëve në Argjentinë.” Flitej për hapjen e një konsullate, por që akoma ishtë inekzistente, flas këtu deri për vitin 2018, kohë kur unë ndodha në Argjentinë.

Në banesën e Etlevës dhe Gencit, u takova edhe me miken e tyre anglo-argjentinase Margarita Jones, lindur në Buenos Aires, por anglishten e trashëguar nga i ati, e fliste pastër. Etleva kishte kryer studimet e larta në Argjentinë në shkencat ekonomi-kontabël. Genci punonte si teknik – konstruktor e supervizor në shtrimin e menaxhimin e rrugëve, njihte mirë fizionominë e infrastrukturën e qytetit e më gjerë. “Buenos Aires – tha – ka një shtrirje gjeografike 16 km gjerësi dhe 16 km gjatësi, ka shumë kisha, ndërtesa antike dhe muzeume.”

Puna e kishte lidhur me njerëz të kulturave të ndryshme, deri tek fiset indiane, pasi në zonat ku ata jetonin, i kishte punësuar për projekte të ndryshme shtetërore. Si Etleva dhe Genci ishin shumë të angazhuar me komunitetin shqiptar atje. Rezervuan për mua një pritje tepër të ngrohtë e miqësore, që nuk do ta harroj kurrë.

Gencin si patriot dhe i respektuar në rrethin shoqëror, e kishin propozuar të drejtonte sërisht Shoqatën “Skënderbeu”. Shoqatë shqiptare themeluar më 1 Nëntor të vitit 1926 fillimisht me emrin “Shpresa”, por më pas aty nga viti 1933 e kishin emërtuar Shoqata “Skënderbeu”. Në shoqatë u takova gjithashtu edhe me bashkëshortët Efti dhe Kristofor Ndreu. Efti si violinçeliste e ushtronte profesionin edhe atje në një universitet të Buenos Aires-it, ndërsa i shoqi Kristofori, jurist dhe ish nëpunës i ambasadës shqiptare në Argjentinë, kujdesej për ambjentet e Shoqatës. Sapo hyje në Selinë e Shoqatës, një bust i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioiti Skënderbeu derdhur në bronx, dukej sikur të përshëndeste e të uronte mirëseardhjen, ndërsa një tjetër bust i heroit vendosur në krye të sallës, të ftonte për tu ulur rreth tryezës së rrumbullakët. Flamujt shqiptarë pa yllin e kuq dhe kostumet kombëtare të grave shqiptare, i kishin vendosur përqark si monumente kulture e dëshmi trashëgimie.

Aty mblidheshin shpesh shqiptarët së bashku me arbëreshët, e fëmijët e tyre për të festuar gëzime të ndryshme, si dhe festat e Pavarësisë së Shqipërisë, Kosovës e Argjentinës, veshur e stolisur me kostumet kombëtare.

Me një autobus së linjës turistike, udhëtova edhe nëpër Buenos Aires, monumete të shumta arti e kulture më zuri syri kudo e të pa shkatërruara nga dora e njeriut, deri tek personazhi famoz i përrallave “Pinoku” derdhur në bronx, larë në metal të shëndritshëm. U largova nga Argjentina me mbresa të bukura, veçanerisht nga miqtë e rinj e të dashur Etleva dhe Genc Llupi.

Filed Under: Reportazh

Të dashur miq të vatrës

December 12, 2024 by s p

VATRA Boston po mbush një vit nga ringritja e saj dhe kemi menduar ta festojmë këtë ditë së bashku. Me këtë rast, për njëvjetorin e ringritjes, VATRA Boston ju fton të bashkoheni me ne në një darkë solemne në restorantin “Scutari” në Hanover, MA.

Ftoheni ju që dëshironi t’i bashkohen VATRËS në Boston për të festuar së bashku këtë ditë, e për t’u njohur me punën e VATRËS dhe projektet e saj në vazhdimësi për të mirën e komunitetit shqiptar dhe kombit këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ju presim të dielën, më 15 dhjetor 2024, duke filluar nga ora 5:00 PM deri në 9:00 PM!

Adresa:

2055 Washington St.

Hanover, MA 02339

Mos mungoni!

Darka është falas dhe ofrohet me zemër nga VATRA.

ENGLISH

Dear Friends of VATRA,

VATRA Boston is celebrating one year since its revival, and we would love to commemorate this special day together. On the occasion of our one-year anniversary, VATRA Boston warmly invites you to join us for a formal dinner at the “Scutari” restaurant in Hanover, MA.

We extend this invitation to everyone who wishes to become part of VATRA Boston, to celebrate together, learn more about our work, and hear about our ongoing projects dedicated to the well-being of the Albanian community and our nation here in the United States of America.

We look forward to welcoming you on Sunday, December 15, 2024, from 5:00 PM to 9:00 PM!

Address:

2055 Washington St.

Hanover, MA 02339

Don’t miss it!

The dinner is free of charge and generously offered by VATRA.

Filed Under: Komunitet

Kursi i Gjuhës Shqipe në Universitetin Shtetëror të Arizonës nën udhëheqjen e Prof. Linda Mëniku

December 12, 2024 by s p

The Critical Languages Institute is a national training institute for less commonly taught languages, offering summer intensive courses and study-abroad programs around the world.

Every summer, CLI brings students from across the U.S. together to develop their linguistic and cultural competency rapidly and effectively through intensive immersion programs. Explore the tabs above to learn more about the Albanian course offerings at CLI.

https://melikian.asu.edu/cli/albanian?fbclid=IwZXh0bgNhZW0CMTEAAR2a4g51zg3azsvKOWq3uyfLJa2TRtAhGTJ1Q15nnCpoQqM7a_j2SqJpCRE_aem_8u-O5AYmuLOZ7tVaFNTiuA

Filed Under: Kulture

Të thuash të rremen, të gënjesh, të fallsifikosh

December 12, 2024 by s p

Nga Umberto Eko (“Mbi supet e gjigantëve”)/

Ajo e rrenës është një nga temat më të debatuara në historinë e logjikës e të filozofisë së gjuhës, për të mos thënë të etikës e të shkencave politike dhe po deshët të keni një ide të parë të këtij diskutimi të pafund këshilloj atë që do të lexojë një libër të shkathët e thelbësor, “Historia e shkurtër e rrenës” të Matia Betteinit dhe atë që don të përballet me nja njëqind faqe më shumë, “Filozofia e rrenës” të Andrea Tagliapietra-s. Nëse kam pranuar të fus hundën në këtë argumentim (dhe aluzioni i Pinokut është i rastit), është sepse jo vetëm kam shkruar romane dhe ese mbi të paqenat e fallsifikimet, por sepse shumë njerëz vazhdojnë ta citojnë atë pasazh timin te “Traktat i semiotikës së përgjithshme” të vitit 1975, ku thosha se duhet të konsiderojmë si shenjë gjithë atë që është përdorur për të gënjyer. Tymi që ngrihet nga një zjarr i pranishëm nuk është një shenjë, sepse nuk më thotë asgjë që tashmë nuk dimë; por tymi që del nga maja e një kodre jo vetëm është shenjë e një flake, që nuk e shohim dhe mund të jetë përdorur nga indianët për të shenjuar diçka, por ndokush mund edhe ta ketë prodhuar kimikisht që të më bëjë të besoj në një zjarr që nuk ekziston; apo për të më bindur që në atë kodër ka indianë (ndërsa nuk është e vërtetë).

Megjithatë ai përcaktim i imi ishte tepër i kufizuar: do të duhej thënë se është shenjë gjithë ajo që mund të jetë përdorur për të thënë të paqenën, dhe më mirë akoma, atë që nuk ndodh në botën reale. Dhe ashtu siç rrëfimi thotë atë që ndodh në një botë të mundshme ndryshe nga e jona, rrena është vetëm një prej shumë mënyrave për të thënë atë që nuk ndodh në botën reale.

Po shpjegohem. Kur Ptolomeu pohonte se Dielli rrotullohej rreth Tokës, thoshte natyrisht diçka që nuk ndodhte dhe e thoshte sepse gabonte; por nuk thoshte një rrenë. Të gënjesh është të thuash të kundërtën e asaj që e mendon se ndodh, ndërsa Ptolomeu besonte me gjithë shpirt se dielli lëvizte. Por ta imagjinojmë tani sikur Ptolomeu të kishte dashur të infiltrohej pranë një grupi sekret të ndjekësve të Aristarkut të Samos, që ngulmonin se ishte Toka që sillej rreth Diellit dhe për të bërë të pranohej nga ata konspiratorë pohonte majtas e djathtas “natyrisht Toka rrotullohet rreth Diellit”. E pra Ptolomeu do të kishte thënë natyrisht atë që për ne është e vërteta; dhe prapëseprapë, mbasi do të ngulmonte në të kundërtën e asaj që besonte, do të gënjente. Pra, ndërsa thua të rremen, është një problem aletik dhe ka të bëjë me një nocion të ‘aletheia’ e pra të vërtetë, të gënjesh është një problem etik apo moral. Mund të jesh një gënjeshtar pavarësisht në se thua apo jo të vërtetën. Jago që akuzon Desdemonën e pafajshme, është natyrisht gënjeshtar, por nëse rastësisht Desdemona ia kishte dhënë hiret e veta Kasios por pa e ditur Jagoja, në të thënit e së vërtetës Otellos, Jagoja do të ishte njëlloj gënjeshtar.

Ka disa të marrë që, nëse merreni me tepri me rrenën apo më mirë akoma me raste të ndryshme fallsifikimesh, siç ka ndodhur me mua në romanin “Varreza e Pragës”, ju kundërvihen menjëherë se, po e paraqitët botën plot me shtrembërime dhe vetë historinë si një mbretëri gënjeshtre, atëherë mendoni se nuk ekziston e vërteta- dhe jeni relativist. Budallallëk i madh, që nuk i lejohet askujt që ka bërë filozofi në lice apo seminar.

Për të thënë se diçka është e gabuar apo e rreme apo që është fallsifikim, duhet pasur një nocion mbi atë që është korrekte ose e vërtetë ose autentike. Natyrisht që ka nivele të ndryshme të së vërtetës dhe mundësi verifikimi nëse diçka qëndron. Nëse them “jashtë bie shi”, e vërteta e pohimit tim mund të verifikohet mbi bazën e përvojës personale: dal jashtë dhe shtrij dorën. Nëse them që acidi sulfurik është H2SO4 ju e merrni si të vërtetë në bazë të nocioneve që u themi manualistike, por nëse këmbëngulni e çoni në laborator ku të prodhohet në sytë tuaj acidi sulfuric (edhe pse nuk më duket kënaqësi e madhe). Nëse ju them që Napoleoni ka vdekur në Shën Helenë më 5 maj 1821 do të ndodheni përballë një të vërtete historike e cila besohet sepse e thotë enciklpedia, e cila e thotë sepse ekziston diku, ta zëmë në admiraliatin britanik, një dokument që e vërteton këtë besueshmëri. Por ka gjithmonë mundësi që dokumentet të jenë të gabuar (Hudson Lowe e kishte parë keq kalendarin) ose mashtruesit (Hudson Lowe, duke e ditur se gënjente, kishte denoncuar vdekjen e Napoleonit për të fshehur faktin se ishte lënë të ikte në Argjentinë); ose dikush në Londër e ka tjetërsuar raportin origjinal të Hudson Lowe, duke e ndryshuar, për arsye që nuk po rrimë t’i hetojmë, ditën dhe muajin.

Dhe ja që e justifikuam titullin e këtij kontributit tim: ka ndryshim mes të thënit të së rremes, të gënjesh e të fallsifikosh, edhe pse kjo treshe mbulon një fushë shumë të gjerë të fenomeneve. Për shembull, është e rreme apo e vërtetë që Shpirti i Shenjtë buron dhe nga Ati dhe nga Biri (‘filioque’)? Është mbajtur e vërtetë nga papa, i cili pra nuk gënjen kur e thotë, por është e rreme për patriarkun e Kostandinopojës, që akuzon papën- minimumi- që gabohet; ndryshe nuk do të lindte shizma e Lindjes. Në ç’kuptim është e vërtetë se Madona është shfaqur në Lourdes, meqenëse kemi vetëm dëshminë e Bernardette Soubirous? E nëse po, pse vetë Kisha e vë në dyshim që Madona të jetë shfaqur në Medjugorje ndaj dëshmisë së gjashtë parathënësve. Për të vërteta të këtij lloji kriteret e verifikimit janë shumë të ndryshme nga ato që përdoren për acidin sulfurik.

Shqipëroi: Zija Vukaj

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT