• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2025

𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦

January 25, 2025 by s p

𝐃𝐫. 𝐁𝐥𝐞𝐝𝐚𝐫 𝐊𝐮𝐫𝐭𝐢/

25 janari shënon 60 vjetorin e vdekjes së Winston Churchill, një prej shtetarëve më të mëdhenj të shekullit të 20-të. I njohur si një drejtues i matur dhe vizionar, autor i fjalimeve frymëzuese dhe hero i popullit britanik gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, ajo që dihet pak për të është se ai ishte edhe pioner i detantës midis perëndimit dhe lindjes gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.

Nikita Khrushchev tha: “Në fakt, ishte idea e Winston Churchill për të hapur një linjë komunikimi midis fuqive perëndimore dhe Bashkimit Sovietik pas vdekjes së Stalinit….” Nuk ka asnjë dyshim që Churchill duhet kujtuar si babai i detantës, sikurse e meriton të quhet Luftëtari i Luftës së Ftohtë.

Si në shumë aspekte të jetës së tij, qëndrimi i Churchill ndaj Bashkimit Sovietik dhe Komunizmit vazhdon të gjenerojë shumë debate. I njëjti burrë shteti i cili nxiti luftë ndaj regjimit Bolshevik në vitin 1919, gjithashtu nxiti edhe bashkëpunim me Stalinin në vitet 30-të. Ai shpenzoi vitet e fundit të jetës së tij në detyrë duke bërë thirrje për një takim dhe samit për uljen e tensionit të Luftës së Ftohtë.

Ideja e Churchill për një samit u kundërshtua nga shumica e qeverive perëndimore. Por, pavarësisht kundërshtimeve të forta të Departamentit të Shtetit, Zyra e Punëve të Jashtme Britanike, dhe shumë ministra të jashtëm të qeverive perëndimore, u përpoqën të arrinin një modus vivendi me Moskën gjer në fund të karrierës së tij. Obsesioni i tij për të hyrë në histori si ‘paqebërësi më i madh’ vazhdon të mbetet i admirueshëm sot e kësaj dite, por ideja e tij për një samit kishte tendencën t’i ndante aleatët perëndimorë dhe për më shumë Kryeministrit Churchill i mungonte një politikë e qartë për ta arritur qëllimin e tij.

Për më tepër, ngjarjet e viteve 1951-55 e bënë të pamundur një detantë me Moskën. Duke marë parasysh ngjarjet e atyre viteve është e vështirë të pranosh se idetë e Winston Churchill për një samit me Bashkimin Sovietik do i kishte përmirësuar mardhëniet Lindje-Perëndim. Megjithatë, entuziazmi i këtij burri të madh shteti duhet admiruar, së bashku me dëshirën e tij për të zbutur tensionet e Luftës së Ftohtë, pavarësisht nga kundërshtimet që hasi dhe nga shëndeti jo i mirë që kishte.

Një nga nismat e para të Churchill për të thirrur negociata me Moskën erdhën gjatë fjalimit të tij të ‘Perdes së hekurt’ në Fulton, Missouri, SHBA, në Mars të vitit 1946:

𝑈𝑛𝑒̈ 𝑛𝑢𝑘 𝑏𝑒𝑠𝑜𝑗 𝑠𝑒 𝑅𝑢𝑠𝑖𝑎 𝑆𝑜𝑣𝑖𝑒𝑡𝑖𝑘𝑒 𝑑𝑒̈𝑠ℎ𝑖𝑟𝑜𝑛 𝑙𝑢𝑓𝑡𝑒̈. 𝐶̧𝑓𝑎𝑟𝑒̈ 𝑎𝑗𝑜 𝑑𝑒̈𝑠ℎ𝑖𝑟𝑜𝑛 𝑗𝑎𝑛𝑒̈ 𝑓𝑟𝑦𝑡𝑒𝑡 𝑒 𝑙𝑢𝑓𝑡𝑒̈𝑠 𝑑ℎ𝑒 𝑧𝑔𝑗𝑒𝑟𝑖𝑚𝑖 𝑝𝑎 𝑘𝑢𝑓𝑖 𝑖 𝑓𝑢𝑞𝑖𝑠𝑒̈ 𝑑ℎ𝑒 𝑑𝑜𝑘𝑡𝑟𝑖𝑛𝑒̈𝑠 𝑠𝑒̈ 𝑠𝑎𝑗… 𝐿𝑦𝑝𝑠𝑒𝑡 𝑛𝑗𝑒̈ 𝑚𝑎𝑟𝑟𝑒̈𝑣𝑒𝑠ℎ𝑗𝑒, 𝑑ℎ𝑒 𝑠𝑎 𝑚𝑒̈ 𝑠ℎ𝑢𝑚𝑒̈ 𝑠ℎ𝑡𝑦ℎ𝑒𝑡 𝑘𝑗𝑜 𝑚𝑎𝑟𝑟𝑒̈𝑣𝑒𝑠ℎ𝑗𝑒, 𝑚𝑒̈ 𝑒 𝑣𝑒̈𝑠ℎ𝑡𝑖𝑟𝑒̈ 𝑑𝑜 𝑡𝑒̈ 𝑗𝑒𝑡𝑒̈ 𝑑ℎ𝑒 𝑚𝑒̈ 𝑡𝑒̈ 𝑚𝑒̈𝑑ℎ𝑎𝑗𝑎 𝑑𝑜 𝑡𝑒̈ 𝑏𝑒̈ℎ𝑒ℎ𝑒𝑛 𝑟𝑟𝑒𝑧𝑖𝑞𝑒𝑡 𝑡𝑜𝑛𝑎.

Ky fjalim i Winston Churchill bënte thirrje për negociata me Bashkimin Sovietik dhe themelimin e një marrëveshje të gjatë e cila do zbuste tensionin Lindje-Perëndim në vitet e para të Luftës së Ftohtë, por gjithashtu tërhoqi një vëmendje shumë të madhe dhe rezultoi tejet bindës për opinionin e publikut amerikan mbi qëllimet armiqësore të Bashkimit Sovietik nën udhëheqjen e Stalinit:

𝑁𝑔𝑎 𝑆𝑡𝑒𝑡𝑡𝑖𝑛 𝑛𝑒̈ 𝐵𝑎𝑙𝑡𝑖𝑘 𝑔𝑗𝑒𝑟 𝑛𝑒̈ 𝑇𝑟𝑖𝑒𝑠𝑡𝑒 𝑛𝑒̈ 𝐴𝑑𝑟𝑖𝑎𝑡𝑖𝑘, 𝑛𝑗𝑒̈ 𝑝𝑒𝑟𝑑𝑒 𝑒 ℎ𝑒𝑘𝑢𝑟𝑡 𝑘𝑎 𝑧𝑏𝑟𝑖𝑡𝑢𝑟 𝑚𝑏𝑖 𝑘𝑜𝑛𝑡𝑖𝑛𝑒𝑛𝑡.

Ky fjalim u perceptua si shumë anti-komunist dhe themeloi figurën e Churchill si Luftëtari i Luftës së Ftohtë par excellence në Lindje dhe Perëndim. Në fakt, fjalimi i ‘perdes së hekurt’ ishte përpjekja e parë madhore pas lufte e Churchill për të thirrur një samit negociues me Moskën.

Deklaratat e Churchill të vitit 1946 shpesh paraqiten kotradiktore. Ndërsa nga njëra anë ai tërhoqi vëmendjen për kërcënimin sovietik, duke bërë apel për forcë ushtarake dhe duke kundërshtuar politikat më shumë këshilluese sesa duhej ndaj Moskës, nga ana tjetër ai rekomandonte të kërkohej një marëveshje paqësore me Stalinin. Për Churchill ky ishte një drejtim logjik veprimi në mënyrë që të parandalonte përshkallëzimin e një konflikti apo një lufte të tretë botërore. Në lidhje me zhvillimin e bombës atomike amerikane, Churchill pati deklaruar në parlament që nga Gushti i vitit 1945, se “duhen të paktën tre, ose katër vjet, që të tejkalohet nga sovietkët progresi i arrirë në Amerikë.”

Churchill insistoi në besimin e tij se diskutimet e një niveli të lartë me Moskën do i zbuste tensionet Lindje-Perëndim. Më 14 shkurt ai mbajti një fjalim në Edinburgh, dhe për herë të parë përfshiu politikën e jashtme në fushatën e tij zgjedhore, gjer atëherë të dominuar plotësisht nga politikat e brendshme. Ai bëri thrirrje për diskutime me Moskën, duke ritheksuar pikëpamjet dhe qëndrimet e tij të viteve 1945-46, dhe për herë të parë ai përdori frazën ‘një konferencë për samitin’, si metoda e duhur për negociata.

𝑁𝑢𝑘 𝑚𝑒̈ 𝑑𝑒𝑙 𝑛𝑔𝑎 𝑚𝑒𝑛𝑑𝑗𝑎 𝑖𝑑𝑒𝑎 𝑒 𝑏𝑖𝑠𝑒𝑑𝑖𝑚𝑒𝑣𝑒 𝑚𝑒 𝑅𝑢𝑠𝑖𝑛𝑒̈ 𝑆𝑜𝑣𝑖𝑒𝑡𝑖𝑘𝑒 𝑛𝑒̈ 𝑛𝑖𝑣𝑒𝑙𝑒𝑡 𝑚𝑒̈ 𝑡𝑒̈ 𝑙𝑎𝑟𝑡𝑎. 𝐾𝑗𝑜 𝑖𝑑𝑒 𝑚𝑒̈ 𝑎𝑝𝑒𝑙𝑜𝑛 𝑠𝑖 𝑛𝑗𝑒̈ 𝑝𝑒̈𝑟𝑝𝑗𝑒𝑘𝑗𝑒 𝑠𝑢𝑝𝑟𝑒𝑚𝑒 𝑝𝑒̈𝑟 𝑡𝑒̈ 𝑘𝑟𝑖𝑗𝑢𝑎𝑟 𝑛𝑗𝑒̈ 𝑢𝑟𝑒̈ 𝑚𝑏𝑖 ℎ𝑒𝑛𝑑𝑒𝑘𝑢𝑛 𝑞𝑒̈ 𝑒𝑔𝑧𝑖𝑠𝑡𝑜𝑛 𝑚𝑖𝑑𝑖𝑠 𝑑𝑦 𝑏𝑜𝑡𝑒̈𝑣𝑒, 𝑛𝑒̈ 𝑚𝑒̈𝑛𝑦𝑟𝑒̈ 𝑞𝑒̈ 𝑠𝑒𝑐𝑖𝑙𝑎 𝑝𝑟𝑒𝑗 𝑛𝑒𝑠ℎ 𝑡𝑎 𝑗𝑒𝑡𝑜𝑗𝑒̈ 𝑗𝑒𝑡𝑒̈𝑛, 𝑛𝑒̈𝑠𝑒 𝑛𝑢𝑘 𝑒̈𝑠ℎ𝑡𝑒̈ 𝑒 𝑚𝑢𝑛𝑑𝑢𝑟 𝑚𝑒 𝑚𝑖𝑞𝑒̈𝑠𝑖, 𝑡𝑒̈ 𝑝𝑎𝑘𝑡𝑒̈𝑛 𝑝𝑎 𝑢𝑟𝑟𝑒𝑗𝑡𝑗𝑒𝑛 𝑒 𝐿𝑢𝑓𝑡𝑒̈𝑠 𝑠𝑒̈ 𝐹𝑡𝑜ℎ𝑡𝑒̈.

Progresi real i marrëdhënieve Lindje-Perëndim nuk dukej i mundshëm thjesht me anë të mënyrave të paqarta të një ‘procesi diplomatik’ siç kishte thënë ai në janar të vitit 1948. Ai tashmë ishte i bindur se suksesi mund të arrihej vetëm me anë të një takimi të krerëve të qeverive. Ai kishte ndër mend një samit si ai i ‘Tre të mëdhejve’ gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mbështetja e opinionit publik ndaj idesë së Churchill për diplomaci nëpërmjet samitit të nivelit më të lartë ishte mënyra për të parandaluar një konflikt global. Sipas tij, Churchill përdori fjalimin e tij në Edinburgh për të luajtur kartën e tij patriotike për të siguruar të drejtën e Britanisë së Madhe për një vend në tavoliën e ‘Tre të Mëdhejve’.

Fjalimi i Churchill në Edinburgh kishte paraqitur qëllimet e tij politike nëse elektorati britanik do ia hapte përsëri derën e Numrit 10, Downing Street. Në zgjedhjet e 20 shkurt 1950, laburistët u rikthyen me një shumicë prej pesë karrigesh më shumë. Kjo fitore e ngushtë bënte të mundshme zgjedhje të parakohshme në një të ardhme të shkurtër ndaj Churchill mundi të qëndrojë si udhëheqësi i opozitës. Për më të shumtën e viteve 1950-51, as qeveria dhe as opozita nuk u përpoqën të mernin iniciativa madhore në politikat e brendshme apo të jashtme. I vetmi përjashtim ishte Churchill, i cili vazhdonte të këmbëngulte në planet e tij mbi samitin.

Është interesante që, ndonëse Churchill kishte bërë thirrje për një ‘marrëveshje’ me Moskën që nga fillimi i vitit 1946 dhe kishte promovuar një samit të ‘Tre të Mëdhejve’ që nga shkurti i vitit 1950, ai nuk shpjegoi kurrë se si këto negociata do çonin në relaksimin e tensionit dhe ndoshta në fundin e Luftës së Ftohtë. Ai mbetej i heshtur përsa i përket temave të cilat do shtroheshin në samit dhe se në çfarë sekuence do diskutoheshin!

Megjithatë, kontributi i Winston Churchill në marrëdhëniet ndërkombëtare gjatë kësaj periudhe ishte se, që nga muajt e parë të Luftës së Ftohtë ai kishte fillar të lajmëronte një katastrofë të mundshme dhe një holokaust nuklear. Ai kishte prezantuar çështjen e marrëdhënieve të detantës midis lindjes dhe perëndimit si një subjekt për diskutim që nga viti 1946, por ai dështoi të paraqiste një metodologji e cila do mund ta bënte teorinë e tij të përgjithshme më të prekshme në botën politike. Kjo mungesë detajesh kontribuoi në mënyrë decizive në mosbesimin që ekzistonte ndaj tij në qarqet politike në Britani dhe Shtetet e Bashkuara. Kësisoj, ishte vetë ai që e nënvlerësoi vizionin e tij.

Përgjatë ruajtjes së paqes në mbarë globin, tema e vazhdueshme e Churchill ishte fuqizimi i pozicionit të Britanisë në botë. Ai nuk ishte i interesuar vetëm për zbutjen e konfliktit Lindje-Perëndim per se. Ai ishte plotësisht i bindur në rolin themeltar Britanik në nisjen e një politike të tillë, madje, nëse do ishte e mundur, të arriej nën drejtimin e tij. Churchill besonte shumë tek roli i tij misionar për Britaninë e Madhe dhe Perandorinë e saj.

Për Churchill, marëveshja me Bashkimin Sovietik dhe një lidhje më e ngushtë midis vendeve europiane, duke përfshirë riarmatimin europian, i shërbenin vetëm synimiit të tij primar; i cili ishte mirëqënia, pushteti dhe reputacioni i Britanisë së Madhe. Ai planifikoi ta arrinte këtë duke vazhduar ‘një mardhënie vëllazërore’ më të ngushtë dhe më efektive me Shtetet e Bashkuara.

Churchill ishte plotësisht në dijeni të situatës së vështirë ekonomike britanike. Ai besonte se gjatë forcimit dhe zgjerimit të ushtrisë sovietike dhe amerikane, Britania duhet ti ndiqte nga pas. Si rrjedhojë, pozicioni ekonomik botëror i vendit të tij do zvogëlohej më shumë dhe Britania do niste të varej ekonomikisht dhe ushtarakisht nga Shtetet e Bashkuara. Vetëm në një periudhë të détente, e cila do i jepte Britanisë një hapësirë të rimëkëmbej ekonomikisht, sëbashku me një përqendrim të përshkallëzuar të kontrollit të resurseve imperiale, mund të parandalonte, madje mund ta ndryshonte këtë proces.

𝑴𝒖𝒂𝒋𝒕 𝒆 𝒑𝒂𝒓𝒆̈ 𝒏𝒆̈ 𝒅𝒆𝒕𝒚𝒓𝒆̈, 1950-1951.

Pavarësisht shpresave të Winston Churchill për paqe të propozuar gjatë fushatës elektorale, dhe pavarësisht shpresave nga Ministri i Jashtëm, Anthony Eden, që mund të realizohej vërtetë një relaksim i tensionit Lindje-Perëndim, viti i parë i qeverisë konservatore nuk pa asnjë zbutje të Luftës së Ftohtë. Në sipërfaqe dukej se fjalimet mbi détente të drejtuesit të konservatorëve nuk ishin gjë tjetër veçse ‘manovër elektorale’. Por, në fakt, kishte një numër të madh arsyesh përse Churchill nuk mundi ti përmirësonte marrëdhëniet me Moskën gjatë muajve të tij të parë në detyrën e kryeministrit.

Njëra nga arsyet ishte edhe kundërshtimi i Shteteve të Bashkuara. Bashkëpunimi me amerikanët ishte pa asnjë dyshim esenciale për Churchill dhe dukej se ai po e planifikonte ta ngrinte çështjen e detantës me Presidentin Truman gjatë takimit të tyre në Washington në fillim të vitit 1952.

Idetë e Kryeministrit për një marrëdhënie të re me Bashkimin Sovietik i kishte detyruar amerikanët të mendoheshin mirë për këtë çështje përpara ardhjes së tij dhe mbrëmja në Williamsburg theksoi mendimet e ndryshme që kishin Eden, Acheson dhe vetë ai, në lidhje me negociatat Lindje-Perëndim. Samiti me sovietikët, për habinë e të gjithëve, nuk u përmend pothuajse aspak gjatë bisedimeve në Washington, dhe fjala detantë nuk bënte pjesë në deklaratat publike të Churchill. Ai kishte mbështetur shpresat e tij tek krijimi i një marrëdhënie personale të fortë me Presidentin Truman, e cila mund të çonte më vonë drejtë detantës, bazuar mbi unitetin anglo-amerikan. Megjithatë, ajo marrëhënie dështoi të lulëzonte dhe detanta u bë një pengesë më shumë në aleancën e fortë anglo-amerikane.

𝑲𝒐𝒏𝒇𝒆𝒓𝒆𝒏𝒄𝒂 𝒆 𝒕𝒓𝒆 𝒇𝒖𝒒𝒊𝒗𝒆 𝒕𝒆̈ 𝒎𝒆̈𝒅𝒉𝒂 𝒏𝒆̈ 𝑩𝒆𝒓𝒎𝒖𝒅𝒆̈.

Pothuajse menjëherë pasi të merej vendimi për takimin e tre fuqive, planet e takimit të Bermudës hasën një seri problemesh. Më 21 maj, në të njëjtën ditë kur Kabineti Britanik dha miratimin për konferencën, qeveria e Mayer u rrëzua si rezultat i një votimi kundër për finacat në Asamblenë Kombëtare; dhe Franca u zhyt në një krizë politike me një kohëzgjatje të jashtëzakonshme. Churchill nuk pati aspak simpati për ngjarjet në Paris. Ai ishte i gatshëm të vazhdonte me aranxhimet e bëra për në Bermudë me një pjesmarje vetëm Anglo-Amerikane pa kryeministrit francez. Ai ishte shumë entuziast për Bermudën dhe krijoi një agjendë për takimin me idenë e bisedimeve me sovietikët si temë kryesore dhe i dërgoi një mesazh Molotov ku shprehte shpresën se Bermuda do çonte në kontakte miqësore midis Lindjes dhe Perëndimit.

Të tjerët vazhdonin ta shihnin konferencën si një mënyrë për ta kontrolluar Kryeministrin. Qeveria e Shteteve të Bashkuara ishte e vendosur të vendoste politika në Europë, kryesisht me NATO-n dhe bashkimin e Gjermanisë me perëndimin, dhe shprehën publikisht se Bermuda nuk të çonte domosdoshmërisht në bisedime me sovietikët, dhe e përshkruan konferencën si një mundësi për ‘të diskutuar midis miqsh disa nga vështirësitë e dukshme që po kalon bota e sotme’. Ata u inkurajuan të mbanin këtë qëndrim nga Kancelari i Gjermanisë Perëndimore, Konrad Adenauer. Kancelari gjerman e kishte bazuar të gjithë politikën e tij në Gjermani të bazuar mbi bashkëpunimin me perëndimin dhe tmerrohej nga rezultatet e mundshme të idesë së Churchill për bisedime me Rusinë, sidomos kur në atë vit zhvilloheshin zgjedhjet në Gjermani.

Adenauer kishte bërë presion ndaj të dyja qeverive, amerikane dhe britanike, që nga mesi i muajit Prill për sigurinë e politikave të tyre në Gjermani, dhe frika e tij përbënte një rëndësi të madhe në Ministrinë e Jashtme Britanike. Me datën 30 Maj, Ministria e Jashtme i dërgoi një memorandum të rëndësishëm Kryeministrit Churchill, e cila theksonte rreziqet e një Gjermanie të bashkuar ‘të neutralizuar’: kjo do të thoshte kthim mbrapa të politikës perëndimore në Gjermani, shkatërrimin e strategjive mbrojtëse të NATO, një Gjermani të dobët në sytë e Rusisë, një zhvlerësim të të gjitha shpresave për një paqe të përhershme midis Francës dhe Gjermanisë, të cilat do sillnin zemërim tek vetë gjrmano-perëndimorët, dhe ndoshta madje do shtynte amerikanët ta braktisnin Europën. Duke hasur argumenta bindëse si këto Kryeministri pranoi se nuk i kishte menduar thellë të gjitha problemet e politikës së tij, por u përpoq t’ia hidhte fajin për problemet në Europë francezëve të cilët dështuan të ratifikonin Komunitetin Europian të Mbrojtjes.

Më datën 16 qershor, një protestë u zhvillua në Republikën Demokratike Gjermane. Protesta u zgjerua nga Berlini Lindor në 300 qytete të tjera të Gjermanisë Lindore. Trupat sovietike arritën me shpejtësi dhe shpallën gjendjen e jashtëzakonshme. Protestat u shoqëruan me rrahje dhe dhunime, dhe të paktën 25 demonstrues u vranë dhe disa u egzekutuan, ndërsa ditët dhe javët në vijim u shoqëruan me arrestime të shumta. Churchill ishte i shqetësuar se kundërshtarët e tij për idenë e samitit do përdornin protestat në Gjermani për t’ia bërë këtë çështje edhe më të vështirë. Dhe në fakt kështu ndodhi. Për Eisenhower dhe Dulles, protestat në Republikën Demokratike Gjermane ishin një mundësi për ta shuar përgjithmonë idenë e Churchill. Si mund të negocioej me një qeveri e cila sapo kishte vrarë dhe plagosur demonstrues të paarmatosur?

Protesta në Gjermaninë Lindore kishte ndërlikime në politikat e jashtme të Moskës. Kremlini nuk ishte në humorin e duhur për të aplikuar diplomaci samitesh dhe konferencash. Atyre i dukej me shumë rrezik të hynin në negociata ndërkombëtare me perëndimin. Protestat në Gjermaninë Lindore ishin decisive në largimin e pasardhësve të Stalinit nga ideja e një samiti, pavarësisht se sa shumë Churchill ishte i vendosur të përpiqej.

Në mbrëmje të datës 23 korrik, një javë përpara se Churchill të niste lundrimin për në Bermuda, Kryeministri pësoi një trombozë. Konferenca e Bermudës vazhdonte të shtyhej.

Takimi i Bermudës u mbajt, më në fund, nga 4 deri më 7 dhjetor, dhe kjo për arsyen e një deklarate të bërë nga sovietikët me datën 3 nëntor. Tema më e rëndësishme gjatë bisedimeve ishte, pa asnjë dyshim, Bashkimi Sovietik, dhe shumë shpejt u bë e qartë se idetë e Churchill nuk kishin asnjë mundësi të pranoheshin. Churchill ngulmoi se duheshin hapur kontakte me Rusinë dhe tha se ‘le të sigurohemi që të mos e marim kaq lehtë dhe ta mospërfillim këtë mundësi (vdekjen e Stalinit)’, por Eisenhower e refuzoi këtë ide, duke e krahasuar ‘pamjen e re’ të sovietikëve si ‘një lavire me fustan të ri’. Çuditërisht Churchill nuk tentoi më shumë për një takim midis udhëheqësve perëndimorë dhe sovietikë, por vetëm për hapjen e kontakteve, dhe ai mbështeti parimin e ruajtjes së unitetit perëndimor si elementi themeltar i politikave ndaj Bashkimit Sovietik. Sëmundja, dhe forca e kundërshtarëve të tij, me sa duket patën ndikimin e tyre tek Kryeministri Britanik.

Në fakt, debati kryesor mbi Rusinë u bë në kohën e Konferencës së Berlinit. Churchill e kuptoi se ai kishte dështuar ta bindte Presidentin Eisenhower mbi çështjen e Rusisë prej Sekretarit të Shtetit Dulles: ‘Ky burrë predikon si një pastor kishe metodiste dhe për dreq ka të njëjtin tekst. Se asgjë tjetër veçse të këqija do dalin nga takimi me Malenkov… Ndonëse do jetë e vështirë unë nuk pranoj të mposhtem nga ky bastard. Jam poshtëruar prej vetë plakjes time.’

Por, për ironi, ajo çfarë u bë tema më e rëndësishme gjatë takimit, dhe që i habiti britanikët dhe francezët ishte Eisenhower, i cili bëri një propozim për një mënyrë ndryshe bashkëpunimi me Rusinë: një përpjekje për të shkatuar një kontroll ndërkombëtar mbi energjinë atonike. Eisenhower sugjeroi krijimin e një Autoriteti Ndërkombëtar të Energjisë Atomike të mbikëqyrte përdorimin paqësor të energjisë atomike për përfitimin e më shumë popujve sesa vetëm shteteve nukleare.

Churchill e dinte fare mirë se një fjalim me rëndësi nga Presidenti mbi energjinë atomike (më vonë u quajt ‘Atome për paqen’) do e shkëpusnin vëmendjen e botës nga rezultatet e arritura në Bermudë.

Në sipërfaqe, Bermuda dukej se ishte takimi më i fuqishëm ndëkombëtar që nga Potsdam, por në fakt ishte një dështim, dhe arsyeja e vërtetë për dështimin e saj duhet kërkuar tek idetë e njeriut me të cilin idenifikohej kjo konferencë, Winston Churchill. Idetë e tij për një vizitë në Moskë ose për organizimin e një samiti me Rusinë me një agjendë të hapur lindi nga konferencat e kaluara si Teheran, Yalta dhe Potsdam, por konferencat e kohës së luftës të cilat Churchill shpresonte ti rikrijonte ishin mbajtur gjatë një periudhe bashkëpunimi midis lindjes dhe perëndimit dhe madje edhe atëherë më shumë krijuan probleme sesa i zgjidhën ato.

Nëse do ishte realizuar një takim me udhëheqësin rus Malenkov në vitin 1953, sigurisht është e pamundur të thuhet se si do rezultonte: por dihet se kur samiti u mbajt më në fund në vitin 1955 nuk arriti gjë. Në retrospektivë, është mëse e qartë se një detantë afatgjatë mund të kishte sukses vetëm kur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovietik të mësonin, për një periudhë të gjatë, se bisedimet do sillnin më shumë përfitime sesa Lufta e Ftohtë dhe secila prej tyre të kishte interesa të ndiqte politika dialogu.

Politika e Churchill kishte disa probleme. Ajo që binte më shumë në sy ishte besimi i Departamentit të Shtetit dhe Ministrisë së Jashtme Britanike se politikat e Rusisë nuk kishin ndryshuar pas vdekjes së Stalinit: njerëz si Dulles e konsideronin çdo shenjë ‘moderimi’ nga Moska si shenjë korrektësie të politikave perëndimore – nëse e meritonin të quheshin të ‘moderuara’. Ka gjasa, sipas argumentave të shumë studiuesve, që sovietikët po e konsideronin seriozisht braktisjen e zonës së tyre në Gjermani nëse kushtet do ishin të drejta, ndaj nuk kishin për qëllim vetëm pengimin e Komunitetit Europian të Mbrojtjes dhe ripërtëritjen e Gjermanisë Perëndimore.

Megjithatë, besimi i Churchill se dialogu dhe takimet kokë më kokë me lidershipin e ri rus do sillnin një detantë të sigurtë në marrëdhëniet Lindje-Perëndim dukej se ishte i ekzagjeruar. Udhëheqja kolektive sovietike ishte më shumë e interesuar në tensionin e brendshëm për pushtet sesa në zbutjen e tensionit të Luftës së Ftohtë. Qëllimet e udhëheqjes sovietike dhe ato të premierit britanik dallonin dukshëm.

Për Henry Kissimger, ky dallim konsistonte tek dallimi i doktrinave dhe prejardhjes politike. Për të, arsyeja kryesore e keqkuptimit midis udhëheqësve të demokracive dhe homologëve të tyre të BRSS, ishte këmbëngulja e të parëve për të zbatuar kriterin e përvojës së tyre të brendshme në nomenklaturën sovietike. Ky ishte një konceptim shumë i gabuar. Brezi i dytë i udhëheqësve sovietikë ishte formuar në një të kaluar që do ishte e paimagjinueshme në demokracitë. Si shërbëtorë të Stalinit ata kishin marë një formim të keq psikologjik. Vetëm balsami i ambicjes së pakufishme mund ta ketë toleruar ndjenjën e përhershme të terrorit nga dënimi me vdekje apo nga jeta në gulag për hapin më të vogël të gabuar – madje edhe për një ndryshim në politikë të bërë nga vetë diktatori.

Mosbesimi patologjik që ishte bërë një mënyrë jetese në nomenklaturën sovietike karakterizonte qëndrimin e tyre edhe në fazën filla pas Stalinit. Pasardhësit e Stalinit harxhuan gati pesë vjet në luftën e tyre për pushtet: në vitin 1953 u ekzekutua Beria; në vitin 1955 u hoq nga posti Malenkovi; në vitin 1957 Hrushovi fitoi mbi të ashtuquajturin grup anti-parti të Molotovit, Kaganovi@it, Shepillovit, dhe Malenkovit, dhe në vitin 1958 ai siguroi pushtet absolut me heqjen e Zhukovit. Edhe dënimi që Hrushovi i bëri Stalinit mund të kishte sinjalizuar një zbutje të komunizmit, por ai edhe atë e përdori hapur si një armë kundër ish kolegëve të Stalinit, të cilët përfaqësonin opozitën kryesore të tij dhe si një mjet për vendosjen e kontrollit mbi Partinë Komuniste.

Një arsye tjetër për dështimin e Churchill ishte rreziku që paraqiste politika e tij për unitetin perëndimor, sidomos për suksesin e KEM. Duke ngritur spekterin për një Traktat Paqeje për Gjermaninë, Churchill i dha një justifikim të shkëlqyer kundërshtarëve të ri-armatimit të Gjermanisë për shtesë kohe. Në dhjetor – me bisedimet amerikane për braktisjen e Gjermanisë – u bë e qartë se problemet e KEM-së kishin potencialin të shkaktonin një ndarje të thellë në botën perëndimore. Sekretari i fundit personal i Churchill ndan të njëjtin mendim në kujtimet e tij: ‘Gjatë asaj kohe unë mendova se Churchill kishte të drejtë që kërkonte me ngulm një takim me krerët e rinj sovietik, dhe se kundërshtimi i amerikanëve dhe i Ministrisë së Jashtme Britanike bazohej mbi arsyetime të gabuara, në mos mbi xhelozinë ndaj Kryeministrit. Tani, pas njohurive më të plota mbi këtë çështje, kam arritur konkluzionin se një aventurë e tillë do kishte qenë shumë e rrezikshme, sepse një sukses i mundshëm do ta kishte dobësuar Aleancën Perëndimore pa siguruar asnjë barazpeshë nga ana e sovietikëve për tu tërhequr nga qëllimet e tyre agresive.’

Ka disa eksperimente në diplomaci që nuk mund të provohen, sepse dështimi sjell risqe të pakthyeshme. Prandaj, udhëheqësit e SHBA-së dhe vendeve perëndimore nuk lejuan asnjë iniciativë të rëndësishme dhe gjatë procesit parandaluan një përpjekje serioze për të shfrytëzuar situatën pas vdekjes së Stalinit, duke ruajtur kohezionin e Aleancës së Atlantikut.

𝑺𝒉𝒕𝒆𝒕𝒂𝒓𝒊 𝒊 𝒎𝒂𝒅𝒉

Historia e Bermudës ishte shpresa e Churchill për një samit me Bashkimin Sovietik në vitin 1953. Presioni i tij për një Samit të tillë e caktoi Bermudën të mblidhej në maj, besimi i tij në takimet diplomatike kokë më kokë dhe me agjendë të hapur, rezultuan në një strukturë të keq-organizuar të konferencës, dhe çështja e bisedimeve me Rusinë u bë tema kryesore e takimit. Nuk është e vërtetë të thuhet se të gjithë të tjerët patën qëndrime negative rreth bisedimeve me Moskën: amerikanët, francezët dhe Minstria e Jashtme Britanike ishin të gjithë të gatshëm të mbanin bisedime me kusht me Rusinë. Por është e drejtë të thuhet se ata nuk prisnin ndonjë rezultat konstruktiv prej këtyre bisedimeve.

Besimi i Churchill tek bisedimet me rusët zgjati edhe përtej Bermudës, ndonëse nuk arriti ndonjë sukses. Pas prillit të vitit 1954, atij iu rizgjua besimi tek bisedimet me Moskën dhe në muajin qershor, në Shtetet e Bashkuara, ai u përpoq të bindte Presidentin Eisenhower dhe Sekretarin Dulles të vepronin edhe një herë. Përsëri, plani i tij e ndau aleancën perëndimore dhe Kabinetin Britanik – në korrik të 1954, Lord Salisbury kërcënoi të dorëhiqej mbi këtë çështje – dhe përsëri Churchill dështoi të organizonte bisedimet me drejtuesit sovietikë. Kur samiti i shumë-dëshiruar më në fund u arrit në Gjenevë, në korrik të vitit 1955, Winston Churchill nuk ishte më Kryeministër dhe ishte Eisenhower ai i cili ishte më optimisti për ‘frymën e Gjenevës’ dhe detantën – një optimizëm që nuk u mbështet nga ngjarjet që pasuan.

Mbledhja e Nivelit të Lartë e Gjenevës rezultoi të ishte shumë larg nga çfarë kishte propozuar Churchill. Në vend që të shqyrtonin shkaqet e tensionit, udhëheqësit pjesëmarës në mbledhje, vetëm sa përmendën cështjet që shpunë në Luftën e Ftohtë. Rendi i ditës luhatej midis përpjekjeve për të fituar pikë propagandistike dhe kërkesës për zgjidhjen e problemeve Lindje-Perëndim me një psokologji amatoreske.

Eisenhower dhe Dulles, me mjeshtëri dhe këmbëngulje, zhvlerësuan atë që kishte mbetur nga Shënimet e Stalinit për Paqen dhe thirrjet elokuente të Churchill për një mbledhje të nivelit të lartë, duke insistuar në zgjidhje specifike për probleme po ashtu specifike. Por, në fund ata arritën në konkluzionin se pritja që të ndodhte një ndryshim i brendshëm sovietik transmetonte një mesazh tepër të rreptë dhe se krijimi i pozitave alternative për bisedime mund të ishte tepër përçarës.

Në fakt, gjatë muajve të tij të fundit në detyrë, Kryeminstri dallonte fare pak në sipërfaqe me Eden dhe Eisenhower në lidhje me politikat e jashtme ndaj Bashkimit Sovietik. Madje, ishte vetë Churchill ai i cili nisi ti ofendonte më shumë krerët sovietikëgjatë kësaj periudhe. Në nëntor 1954, Churchill mbajti një fjalim në Woodford në të cilin ai deklaroi se ai kishte urdhëruar grumbullimin e armëve gjermane në fundin e luftës, me qëllimin për ti riarmatosur gjermanët për një luftë të re me Rusinë.

Si përfundim, shtrohet pyetja se mos ndoshta eksperienca e Churchill me propozimet për bisedime me Rusinë, arsye kryesore që e risolli në postin e kryeministrit në mesin e vitit 1953, ishte në vetvete indikatori më i qartë se ai duhet të kishte dhënë dorëheqjen si premieri britanik gjatë asaj kohe. Ai ishte i moshuar, i lodhur, duke u bërë më i sëmurë dita-ditës. Insistimi i tij për paqe me Rusinë e bëri të arrinte pikën e arrogancës, më shumë konfident sesa duhet mbi pushtetin dhe rëndësinë e tij, duke mos dëgjuar opinionet dhe këshillat e miqve dhe aleatëve të tij. Inistimi dhe arrogance e tij në ndjekje të qëllimit të tij e dobësuan argumentin e tij në Kabinetin Qeveritar, ku shumë anëtarë besonin se ai kishte shkelur disa konventa kushtetuese me veprimet e tij. Interesat e Churchill në detantë ishin të vërteta, por Kryeministri dukej sikur jetonte në të kaluarën, duke shpresuar të merrte pjesë në samite që vendosnin fatin e botës siç kishte bërë gjatë luftës, por tani ai nuk ishte në gjendje të përballej me problemet e shëndetit të tij të sëmurë me kundërshtimet e një shërbimi civil profesional, Kabinetin Qeveritar, dhe udhëheqësve të tjerë perëndimorë ndaj politikave të tij.

Por çfarë është më e rëndësishme në të gjitha ato përpjekjet e Winston Churchill, është se Kryeministri mbetej akoma një njeri i madh, duke ndjekur pa reshtur ide të mëdha kundër të gjitha gjasave, siç kishte bërë gjithmonë. Arroganca, vetëbesimi, dhe refuzimi për të ndjekur turmën nuk ishin gjëra të reja për të: ato ishin themelet e triumfeve të tij më madhështore. Në një farë mënyre, besimi i tij në diplomacinë mund të ketë marë shtytje nga dëshira për ti rijetuar ato triumfe, por nga ana tjetër, politikat e tij ishin një nisje dhe një frymë e re nga situata e pashpresë që ofronte Lufta e Ftohtë.

Madhështia mund të gjendet si në dështime ashtu edhe në arritje, dhe ndonëse diplomacia e Churchill me Bashkimin Sovietik gjatë periudhës 1951-1955 nuk e arriti qëllimin e saj, ajo nuk ia heq aspak vlerat e reputacionit të tij si një nga shtetarët më të mëdhenj në shekullin e 20-të.

Filed Under: Politike

Mjegulla e informacionit…

January 25, 2025 by s p

Dr. Afrim Shabani/

Në këtë epokë, ku informacioni vërshon nga të gjitha anët, shqiptari ndodhet përballë një sfide të re: si të dallojë të vërtetën nga mashtrimi, faktin nga propaganda, dijen nga padituria e zbukuruar. Nga ekranet e televizioneve te titujt e portaleve, nga rrjetet sociale te opinionet e rastësishme, gjithçka duket e paketuar për të shitur, për të tërhequr vëmendje, për të grumbulluar klikime. E vërteta? Ajo shpesh mbetet në hije, e deformuar dhe e shpërfillur.

Mediet nuk janë më bartëse të dijes, por të fitimeve. Sa më sensacional një titull, aq më i rëndësishëm bëhet për ta, ndërsa shqiptari i zakonshëm gjendet mes një lumi informacioni që nuk synon ta ndriçojë, por ta shpërqendrojë. Çdokush flet me siguri absolute—historianë të vetëshpallur, analistë të orës së vonë dhe individë që dje nuk kishin lidhje me të vërtetën, por sot e shpërndajnë atë me zë të lartë.

Kjo problematikë nuk është e kufizuar vetëm në media. Shpeshherë, në ngjarjet shqiptare, dëgjojmë fjalime nga njerëz që nuk janë aspak të përgatitur për temat për të cilat flasin. Në vend të fakteve, shpesh përhapet dezinformim, keqinformim apo ekzagjerime që vetëm shtojnë konfuzionin. Në vend që të pasurohet dija jonë, ajo rëndohet me të pavërteta të artikuluara me siguri, por pa thellësi.

Në konferencat ku marr pjesë, shoh një botë tjetër—shkenca e mirëfilltë është e kujdesshme, e bazuar në fakte, e verifikuar. Megjithatë, edhe institucionet akademike dhe konferencat me vlerësim shkencor nuk janë të pagabueshme. Gabimet ndodhin, qasjet ndryshojnë dhe vetë shkenca pranon kufizimet e saj duke u përpjekur të përmirësohet përmes debatit, analizës kritike dhe korrigjimit të vazhdueshëm. Jashtë këtyre sallave, informacioni qarkullon lirshëm, pa filtra, duke krijuar konfuzion. Institucionet akademike dhe studiuesit e pavarur shpesh nuk bien dakord—të parët kritikojnë për mungesë metodologjie, të dytët për burokraci dhe distancim nga realiteti. Shteti, nga ana e tij, herë përfshihet me agjenda të caktuara, herë rri indiferent.

Kjo është një sfidë për gjithë botën, por shqetësimi im është për ne shqiptarët. Për ne që kemi luftuar për të mbrojtur identitetin dhe kombin tonë, për ne që jemi të rrethuar nga zëra që duan të tjetërsojnë historinë dhe të ardhmen tonë. Ne shqiptarët kemi detyrën që të ruajmë veten nga çdo përpjekje për të na përçarë, për të na dobësuar dhe për të na larguar nga rrënjët tona. Ne kemi dëshmuar se kur jemi të bashkuar në mendje e në shpirt, asnjë mjegull nuk na errëson dot rrugën.

Si mund të mbrohemi? Me kthjelltësi dhe maturi. Shqiptari duhet të lexojë përtej titujve, të kërkojë burime të besueshme dhe të mos pranojë gjithçka që i servohet. Historia jonë nuk është një fletë e bardhë për t’u mbushur nga kushdo që ka një mikrofon apo një llogari në rrjetet sociale.

Në një botë ku gjithçka shitet, edhe e vërteta ka një çmim. Shqiptari duhet të qëndrojë vigjilent dhe të mos lejojë që historia e tij të shitet për pak klikime. Në fund, gjithçka varet nga një pyetje e thjeshtë: a do ta kërkojmë të vërtetën, apo do ta blejmë atë të gatshme?

Filed Under: ESSE

FJETI NË ZOTIN KRYEPISKOPI, FORTLUMTURIA E TIJ ANASTAS JANULLATOS!

January 25, 2025 by s p

Akademik Vasil S. Tole/

👉 Në këtë ditë të mbrame, kujtojmë se përkushtimi i Kryepiskopit Anastas për ringritjen e Kishës sonë është në thelb një shërbim dhe adhurim i pastër ndaj Zotit dhe Perëndisë, aq edhe ndaj besimtarëve të cilët nuk mund të jetojnë vetëm me bukë, e përgjithësisht ndaj popullit, që përmes ringritjes, befas nga errësira ashtu siç thoshte profetit Isaia: … panë një dritë të madhe dhe për ata që ishin në vendin e hijes së vdekjes zbardhi dita!

Etimologjia e emrit Anastas kupton jetën e çmuar të rifituar pas vdekjes, pra ngjalljen e saj, ashtu si në të vërtetë ndodhi edhe me ringritjen e Kishës Orthodhokse nga gërmadhat, e drejtuar nga Hirësia e Tij, Anastasi, që për fat të mirë e RINGRITI atë duke lartësuar njëherazi edhe emrin e Tij, në jetë të jetëve.

Ngushëllime për Kishën Orthodhokse të Shqipërisë, Sinodin e Shenjtë dhe mbarë komunitetin orthodhoks!

▪︎ U prehtë në paqe!

Amin! 😓

______________________

#anastasjanullatos

▪︎ RESTED IN THE LORD, HIS BEATITUDE ARCHBISHOP ANASTASIOS JANULATOS! 🙏

👉 On this final day, we remember that Archbishop Anastasios’ dedication to rebuilding our Church was fundamentally a pure service and worship of God and the Lord, as much as it was to the faithful who cannot live by bread alone, and generally to the people, who, through revival, suddenly saw light in the darkness, as the prophet Isaiah said: … they saw a great light, and for those who were in the shadow of death, the day dawned!

The etymology of the name Anastasios signifies the precious life regained after death, meaning resurrection. This is precisely what happened with the revival of the Orthodox Church from its ruins, led by His Grace Anastasios, who, fortunately, REBUILT it while also elevating his name for eternity.

Condolences to the Orthodox Church of Albania, the Holy Synod, and the entire Orthodox community!

▪︎ May he rest in peace!

Amen! 😓

Filed Under: Reportazh

Qazim Komani, gjenerali hero dhe Komandanti i Përgjithshëm atdhetar i “Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës!

January 25, 2025 by s p

Gani Qarri/

Janar 1895- gusht 1950

Si sot para 130 vitesh, u lind në Gjakovë, heroi i shquar kombëtar dhe nderi i Shqipërisë, Dardanisë dhe mbarë shqiptarizmës Qazim Komani.

Historia e tij dëshmon se sa dhembshëm nisi, me sa vuajtje e mundime vazhdoi dhe në ç‘mënyrë tragjike, u shua e përfundoi edhe jeta e një patrioti të shquar të kombit!

Hero, që luftoi e flijoi veten për liri e çlirim, mbrojtjen e Kosovës e viseve tjera shqiptare nga riokupimi serbo-sllav dhe bashkim kombëtar, i cili dhe testamentin më sublim të jetës e veprës së vet kolosale, shqiptarëve kudo u la shembullin e sakrificës për komb dhe Atdhedashurinë!

Ndaj habisin jo pak përimtësimet hibride nëse edhe në jubileun e 130 vjetorit të lindjes së heroit, dëgjohen zëra, se dikush në emër të “pronësisë-pasardhëse”, “trashëgimisë” familjare, apo edhe pretendimeve për “zotërim të pamohueshëm” të njohurive “biografike”, përpiqet a edhe insiston që me “spaletat e kolonelit”, ta mbrojë heroin Qazim Komani nga grada e gjeneralit!- dhe t`ia fshi atij, nga biografia shkëlqyese, të arriturën më madhore, të fituar për merita të veçanta në organizimin dhe udhëheqjen e luftës, si dhe drejtimin sublim, në momentet më të vështira, të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, si Komandant i përgjithshëm i saj.

“Shtabi i Përgjithshëm Ushtarak për Mbrojtjen e Tokave Etnike Shqiptare u formua me 26 qershor të vitit 1944, në tubimin e organizuar nga Halim Spahija në Prizren, kurse Komandant Suprem u emërua gjeneral Qazim Komoni”.

(https://www.zemrashqiptare.net/news/63457/Sabile-Basha E mërkure, 08.11.2023, 09:11 PM)

Gjithsesi dhe përkundër çfarëdo tendence e pretendimesh “pronësie”, oportune a meskine, shpresojë shumë, se në projektin e planifikuar, për nderimin e tij, me rastin e përkujtimit të 130 vjetorit të lindjes, nga komuna e Gjakovës, Mirënjohja, do ti ndahet, jo duke e ulur heroin në gradën e “kolonelit” por duke respektuar gradën e lartë reale të gjeneralit, që ai e kishte marrë me meritë dhe shkruar me shkronja të arta, se dekorimi “Qytetar Nderi” i Gjakovës, i dedikohet heroit të kombit, që luftoi e u flijua për liri e çlirim, mbrojtjen e Kosovës nga ripushtimi serbo-çetnik dhe bashkimin kombëtar të të gjithë shqiptarëve, Gjeneral Qazim Komani!

Gjeneral Qazim Komani erdhi në jetë më 17 janar të vitit 1895 në vatrën e heroizmit dhe të atdhetarisë mbarëshqiptare, në Gjakovë si fëmijë i një familje të njohur patriotike, të dëshmuar ndër vite për flijimet e vazhdueshme për atdhe e Flamur Kombëtar dhe përpjekjet e pareshtura për jetësimin e Shqipërisë Etnike.

Ushtarak i shquar i ushtrisë shqiptare dhe gjeneral e udhëheqësi i ndritshëm i “Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës” i cili me veprën e vet titanike në paqe dhe sukseset e dëshmuara në luftë për mbrojtjen e Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare, bëri krenar Gjakovën, Kosovën dhe të gjithë shqiptarët atdhetar, kudo.

Për meritat e tij të veçanta, luftën e përpjekjet heroike dhe veprën e ndritshme jetësore, me rastin e përkujtimit të 130 vjetorit të ardhjes në jetë të heroit, vendlindja e tij, Gjakova, përfundimisht ka vendosur që gjeneralin e vet dhe komandantin e përgjithshëm të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, heroin Qazim Komani ta shpallë qytetar nderi!

Qazim Komani ishte djalë i Mehmet dhe Rukije Komanit, babait nga Gjykova dhe nënës së lindur e të rritur në Junik, afër Gjakovës.

Burrë trim, e udhëheqësi më shembullor i kohës, oficer besnik dhe hero i pathyeshëm i çështjes shqiptare, angazhimi dhe kontributi fisnik i të cilit lartësuan edhe më tej, luftën e shqiptarëve për liri e çlirim, jetësuan përkohësisht dhe çuan përpara, me hapa gjigant, çelikosjen e idealit të bashkimit tonë kombëtar.

Ai ishte, ushtaraku më i lartë dhe oficeri më madhor që gjithë jetën e vet e shkriu, për ngritjen dhe perfeksionimin e ushtrisë shqiptare, mbrojtjen e Kosovës me pushkë në dorë nga riokupimi serb dhe farkimin e bashkimit të të gjitha trojeve tona etnike me shtetin amë Shqipërinë.

Qazim Komani gjaku atdhetar i të cilit, flakëronte për çlirimin e atdheut, lirinë dhe unitetin kombëtar të të gjithë shqiptarëve, ishte ende djalosh, kur në vitet e luftës për pavarësi kombëtare edhe pse sapo kishte hapëruar në moshën 17-vjeçare, i`u bashkua vullnetarisht çetave çlirimtare të heroit Bajram Curri.

Një i ri shembullor dhe i mbushur me plot entuziazëm e frymëzim patriotik, i shquar për aftësitë udhëheqëse, e shpirtin kombëtar, që dëshmonte në vepër vetitë e veçanta prijëse e organizative, si dhe gatishmërinë për marrjen e përgjegjësive të larta me idealin e pathyeshëm dhe vullnet të fort, për ta quar deri në fund luftën e paepur për bashkimin e kombit dhe formimin e shtetit të pavarur shqiptar.

Si djalosh me vullnet të çeliktë, inteligjent e patriot i dëshmuar, menjëherë pas formimit të shtetit shqiptar, në mesin e dhjetëra të rinjve entuziast iu nda edhe atij, bursa për studime në kolegjin Italo-Shqiptar te “Sant Adrianit”, në San Demetrio Corone të Kalabrisë, në Itali të cilën e përfundoi me sukses të plot.

Pas përfundimit të shkollës së mesme, duke qenë i lidhur fort, shpirtërisht dhe familjarisht me heroin e mirënjohur të kombit Haxhi Zeka, si dhe i impresionuar nga trimëria dhe heroizmi i luftërave kombëtare të zhvilluara me sukses nga çetat e bacë Bajram Currit, për liri e çlirim të atdheut, Qazim Komoni, me ëndrrën në zemër për të jetësuar idealet e tyre në trojet shqiptare, regjistrohet në Akademinë Ushtarake italiane, ku edhe pse në gjuhë të huaj, ai përveçse mësoi shpejt gjuhën e vendit, u shqua edhe si nxënësi më i mirë në klasën ku vijonte mësimet, duke i përfunduar ato, në afat ideal dhe kurorëzuar triumfalisht me marrjen e gradës së nëntogerit.

Në gusht të vitit 1918, ai kreu me sukses shembullor edhe Akademinë ushtarake, në të cilën, pastaj vijoi studimet e larta për oficer këmbësorie, duke i kryer edhe ato me shumë sukses dhe si kadeti më i dalluar.

Me tu kthyer në Shqipëri Qazim Komani, bashkë me Minush Shalën, Sadri Pejanin, Ahmet Gashin, Sali Morinën e tj, u emërua mësues në shkollën “qytetëse” në Tiranë, të cilët si kuadër i diplomuar jashtë vendit, nga Dardania kontribuuan me shpirt e zemër, për zhvillimin dhe avancimin sa më efektiv të arsimit kombëtar, si dhe ngritjen sa më lartë të nivelit intelektual e kulturor të të rinjve shqiptar.

(Shpjegim: “shkollë qytetëse”, quhej shkolla katërvjeçare, e asaj kohe, që ishte në baraspeshë me shkollën e mëvonshme tetë vjeçare, apo tani, me shkollimin 9 vjeçar në shtetet shqiptare. G.Q.)

Vetëm dy vite më vonë, pra më 1920, heroin Qazim Komani do ta shohim të angazhuar në forcat e organizuara mbrojtëse të Kongresit të Lushnjës, kongres pas të cilit, siç dihet, shteti shqiptar, për herë të parë, do të merrte të mbarën, dhe me hapa të sigurt e vendimtar, do të niste ecjen përpara, në ndërtimin me sukses të elementeve bazike dhe ngritjen e mirëfilltë të strukturave të shtetit të njëmendtë kombëtar!

Më 1921 Qazim Komani bashkë me mësues e kolegë të tjerë, nga shkollat e qytetit të Tiranës, Durrësit, Kavajës, Krujës, Shijakut etj, formuan Sindikatën e parë, të mësuesve shqiptar duke u zgjedhur edhe kryetar i saj.

Njëkohësisht me angazhimet në shkollat e Tiranës dhe shkollave tjera të Shqipërisë, sindikatën e mësuesve, si dhe aktivitetet e ndryshme arsimore e kombëtare, heroi Qazim Komani, formoi edhe shoqërinë “Djelmënia e Kosovës”, kryetar i të cilës, u zgjodh po ashtu Qazim Komani.

Kjo shoqëri kishte marrë përsipër zhvillimin e arsimit e të kulturës së rinisë shqiptare, edhe në Kosovë dhe pjesët tjera shqiptare, të ngelura jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, si dhe çuarjen përpara të çështjes së Kosovës, që asokohe dergjej nën okupimin e egër serbo-sllav!

Falë efikasitetit të lartë në punë, kontributit të vazhdueshëm madhor dhe angazhimit të pareshtur në detyrat që i ngarkoheshin, në muajin shkurt të vitit 1922, ai u nderua me gradën e togerit, kurse vetëm 2 muaj më vonë për merita të veçanta dhe aktivitetin e shembullor në profesionin e ushtarakut, heroi Qazim Komani merr gradën e kapitenit.

Aftësia e përkushtimi entuziast dhe kontributi i pashoq në detyrë, bënë që heroi ynë, qysh në moshë të re, të merrte njërën pas tjetrës, gradat më të larta ushtarake, duke u perfeksionuar ushtarakisht e ngritur me sukses në karrierë dhe oficer të lart me gradat më madhore nga kapiteni në major, pastaj nënkolonel dhe pa kaluar shumë kohë do të nderohej edhe me gradën e respektuar të kolonelit të ushtrisë shqiptare, duke arritur që nga viti 1934 deri më 1939 të emërohej edhe Kryetar i Departamentit Ushtarak të Mbretërisë së Shqipërisë!

Jetëpërshkrimi i heroit tonë, dëshmon në vepër se Qazim Komani ishte njëri nga ushtarakët më të formuar dhe oficer vërtetë shembullor në ushtrinë e Shqipërisë, i cili meritën e arritjes së majave më të larta të gradimit në karrierën e ushtarakut, në paqe e dëshmoi duke punuar me mish e me shpirt për avancimin e ushtrisë dhe respektimin rigoroz e me dinjitet të pashoq të kushtetutës dhe shtetit të sapo formuar shqiptar, ndërsa në luftë duke thyer forcat e rregullta ushtarake të gjeneralit serb Millan Nediç dhe kurorëzuar me sukses të plotë mbrojtjen e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, nga ripushtimi serbo çetnik.

Si adhurues i sakrificës dhe veteran i luftërave të paepura të heroit Bajram Curri, edhe ai vet, ishte mbështetës i Qeverisë së Fan Nolit, ndaj pas rrëzimit të Nolit nga pushteti, në funddhjetorin e vitit 1924, heroi Qazim Komani, detyrohet, të vendoset në Bari të Italisë.

Por pas shpalljes së amnistisë më 1925 nga qeveria e Zogut, Qazim Komani kthehet serish në Shqipëri.

Fakti se heroi ynë, ishte i mbushur me plot energji të pafund atdhetarie dhe elan të jashtëzakonshëm patriotik e profesional, për punë e zhvillim dhe çuarjen e vendit sa më përpara, ky kuadër i rrallë që kishte arritur të vlerësohej lartë e adhurohej gjithanshëm dhe kudo si profesionist shembullor, angazhimi i tij ishte i mirëseardhur dhe kërkohej në një gamë të gjerë veprimtarish jo vetëm ushtarake, por edhe arsimore.

Qazim Komani profesor në Normalen e Elbasanit

Nisur nga nevojat imediate të zhvillimit sa më cilësor dhe ngritjes sa më lartë të nivelit të arsimit e të dijes, tek të rinjtë shqiptar, si dhe kërkesat e mëdha të kohës, për kuadër të mirëfilltë e të kualifikuar profesionalisht, bënë që me tu kthyer në atdhe, nga 1925 e deri në vitin 1928, vendasi ynë patriot, i përgatitur shumë mirë edhe në çështjet e arsimit, të jepte kontributin e tij me shumë përkushtim edhe në detyrën e profesorit në Normalen e Elbasanit.

Nga viti1928 deri në vitin 1939 heroin Qazim Komani e shohim oficer karriere me detyra të rëndësishme, gjithandej në ushtrinë shqiptare, ku u shqua për aktivitet dhe angazhim të fuqishëm, me përkushtimin maksimal ndaj detyrës dhe profesionit të ushtarakut, si dhe kuadër i dalluar me frymë të lartë patriotike e ndjenja të veçanta të atdhetarisë dhe të krenarisë kombëtare.

Kurse për 11-12 vitet tjera të kontributit të tij të pazëvendësueshëm, nga viti 1928 deri në vitin 1939, Qazim Komani punoi oficer karriere me detyra të rëndësishme, gjithandej në ushtrinë shqiptare, i cili kudo që shërbeu, u dallua për seriozitet e patriotizëm të madhe, angazhim të pashoq, si dhe kontribut të veçantë në çështjen kombëtare.

Kryetar i Departamentit Ushtarak, të Mbretërisë shqiptare!

Atdhetaria e kulluar dhe përkushtimi maksimal ndaj detyrës dhe veprës së ushtarakut, mendohet se ishin edhe arsyet kryesore, që (atëbotë) kolonel, Qazim Komani, nga viti 1934 deri në vitin 1939, në mënyrë meritore të emërohej Kryetar i Departamentit Ushtarak, të Mbretërisë shqiptare.

Oficer shembullor i cili për kontributin dhe angazhimin e tij të paepur e dinjitar, , me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 1937, u nderua me mirënjohjen e parë, duke u dekoruar në mënyrë meritore nga mbreti Zog me “Urdhrin Skanderbeg”!

Kurse si patriot i shquar dhe ushtarak i dalluar, i cili atdheun e kishte vendosur para vetes, me rastin e invadimit fashist të Shqipërisë, heroi Qazim Komani iu kundërvu me pushkë në dorë okupimit italian.

Kundërvënia ndaj fashizmit, atdhedashuria dhe qëndrimi i tij i palëkundur kombëtar, u bënë shkas, që menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, Kolonel Qazim Komani për disa muaj, të mbahej i burgosur në Shqipëri nga pushtuesit italianë.

Por, me gjithë kërcënimet e vazhdueshme dhe ofertat e premtimet e ndryshe që në burg ati iu bënë, ai edhe nën ato kushte dhe presionin e kërcënimet e pafund, nuk pranoi të bënte betimin në fashizëm, as të futej, për asnjë moment në shërbim të okupatorit italian, si dhe refuzoi me këmbëngulje kërkesën që të angazhohej në ushtrinë fashiste të Musolinit.

Ndaj kolonel Qazim Komani u internua për dy vite në Cremona të Italisë.

Edhe pas lirimit nga internimi dhe kthimit në Shqipëri, megjithëse heroi Qazim Komani, kishte një familje prej 9 anëtaresh pa asnjë të ardhur dhe të gjithë jetonin në një gjendje shumë të rëndë e të mjerueshme ekonomike, ai mbajti qëndrim të vendosur patriotik dhe betim të shpallur publikisht, kundër okupatorit, duke mos u dorëzuar, as në gjendjen e rëndë që kalonin familjarisht, ani se u mungonte shpeshherë edhe kafshata e gojës për fëmijët në sofrën e thatë, heroi Qazim Komani kurrë dhe për asnjë moment, nuk u afrua as pajtua me pushtuesit italian të Shqipërisë!!!

Kështu ushtaraku i ynë i vendosur, trim dhe atdhetar, qëndroi i papunë, deri në kapitullimin e Italisë fashiste, duke mos pranuar ti shërbente okupatorit të Shqipërisë, për asnjë minutë, as ta ulte dinjitetin e oficerit shqiptar dhe të shkelte betimin e dhënë për komb e atdhe si ushtarak atdhetar.

Gjeneral Qazim Komani Komandant i përgjithshëm i “Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës”!

Tetor 1943 – Nëntor1944

Në tetor të vitit 1943, kohë kur në Prizren, nga patriotët e shquar shqiptar, me në krye patriotin e kombit dhe atdhetarin e mirënjohur nga Gjakova, heroin e vrarë e të zhdukur shqiptar më 1946,nga çetnikët serb, Musa Shehzade, u formua “Lidhja e Dytë e Prizrenit”, dhe me ftesë të Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit, heroi Qazim Komani u vendos në Kosovë kur mendohet se i`u dha edhe grada e gjeneralit të Ushtrisë dhe u emërua në detyrën e lartë të Komandantit të përgjithshëm të “Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës” me seli ne Prizren!

Ushtarak me nam, të cilin as gjendja e rëndë familjare dhe shëndeti i rrënuar fizik, nga vuajtjet nëpër burgjet e armikut, nuk e zmbrapsen heroin Qazim Komani, ta merrte përsipër detyrën me përgjegjësi aq të lartë të Komandantit të përgjithshëm të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës!

Përkundrazi, përkushtimi i tij, me shpirt e zemër për komb e atdhe, u dëshmua shpejt në vepër dhe me 15 mars të vitit 1944, me nismën e Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në një takim madhështor, të mbajtur në fshatin Rogovë të Hasit, u morë vendimi më i rëndësishëm i kohës, për mobilizimin e përgjithshëm të popullatës dhe mbrojtjen me pushkë në dorë, të çdo pëllëmbe të atdheut.

Tubim historik në të cilin përveç anëtarësisë së përkushtuar të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, dhe nga dy, prej anëtarëve të Komiteteve të rretheve, përfshi figurat më të njohura të tribunëve popullor të atyre moteve të vështira, nga mbarë Kosova, merrte pjesë edhe vet kryetari i ri i Lidhjes- Bedri Pejani.

Në këtë tubim madhështor, kur një pjesë e mashtruar e shqiptarëve, tanimë kishin përqafu idetë sllavo-komuniste, dhe luftonin për jetësimin e idealeve ruso-sllave edhe në trojet tona kombëtare, komandanti i përgjithshëm i sektorit të Kosovës, gjeneral Qazim Komani me personelin më të shquar dhe oficerët më të mirë-përgatitur të kohës, themeluan ushtrinë e rregullt shqiptare, e cila numëronte 3000 trupa të strukturuara në dy njësite të veçanta, të cilat kishin për detyrë, mbrojtjen me pushkë në dorë të Kosovës dhe tokave shqiptare, nga ripushtimi serbo-malazez!

Forca e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës

Projekti i komandantit të “Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës” heroit gjeneral Qazim Komani u shpalos në tubimin inaugurues historik të mbajtur me 15 mars të vitit 1944, nё Rogovё tё Hasit.

Planprogrami i gjeneralit Qazim Komani bazohej në frymën e Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe parashihte deri në detaje dhe në mënyrë plotësisht të qartë e koncize, mobilizimin e përgjithshëm dhe formimin e reparteve të rregullta ushtarake, me oficerët më të shquar shqiptar, për mbrojtjen e vendit nga hordhitë çetnike serbo-sllave.

Kurse luftimet më të ashpra për mbrojtjen e kufijve dhe tokave tona autoktone, do të zhvilloheshin, në frontin e gjatë prej Bihorit-Plavës-Gucisë e deri në Përpellac-Merdar-Prapashticë dhe Preshevën me të gjitha vendbanimet shqiptare.

Projekti ushtarak për mbrojtjen e Kosovës, nga ripushtimi sllav, i gjeneral Qazim Komanit i bindi të gjithë me përmbajtjen, largpamësinë dhe qëndrimin e vendosur ndaj dhe u miratua me aklamacion nga përfaqësuesit e prefekturave, Komitetet Qarkore dhe vet Komiteti Qendror i Lidhjes së Dytë të Prizrenit.

Forcat e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës u sistemuan në dy regjimente dhe u vendosën në kuadër te Ushtrisë shqiptare.

Regjimentet e forcave të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, u pagëzuan me emra të veçantë.

Regjimenti i parë quhej”Kreshnikёt”, ndërsa regjimenti i dytë „Vullnetarët“!

E gjithë përgjegjësia për organizimin, angazhimin, aktivitetet e ushtrisë dhe veprimet luftarake të forcave të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, binin mbi gjeneralin hero, Qazim Komani!

Në postin e Komandantit të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, gjeneral Qazim Komani futi në fuqi edhe kodin e sjelljes dhe obligimet e ushtarit, në forcat e armatosura të “Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës!

Ndërsa për popullsinë civile shqiptare, nxori vendimin zyrtar, për lënien mënjanë të çdo ngatërrese e armiqësie, ndalimin e vëllavrasjeve dhe gjakmarrjeve, ndërshqiptare, përgjatë gjithë kohës sa do të zgjaste lufta, kurse pas lufte, parashihej rregullimi me ligjet civile i këtyre çështjeve shumë të ndjeshme për popullin tonë!

Me vendim të komandantit të përgjithshëm, qendra e Regjimentit të parë u vendosë në Pejë, ndërsa regjimenti i dytë, në Prishtinë dhe Gjilan, me Kolonel Fuad Dibrën, asokohe komandanti i batalionit!

Formimi dhe struktura e njësiteve ushtarake

Njësiti i parë, apo regjimenti i “Kreshnikëve” do të përfshinte të rinjtë nga mosha 20 deri në 35 vjeç, kurse njësiti i dytë i emërtuar si Njësiti i “Vullnetarëve”, parashihej të përfshinte meshkujt nga mosha 36 deri në 60-70 vjeç, në varësi të gjendjes shëndetësore e fizike dhe vullnetit personal, për angazhim në Ushtrinë Kombëtare të Mbrojtjes së Kosovës.

Forcat e organizuara në formacione të rregullta të ushtrisë shqiptare, u vendosën menjëherë në mbrojtjen aktive të territorit të Kosovës duke ruajtur të paprekur kufijtë e atdheut dhe tokat tona etnike, prej falangave çetnike serbo-malezeze nga Bihori, Plava e Gucia, deri në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc me fshatrat përreth të banuara me popullsi shqiptare të Kosovës Lindore.

Në këtë mënyrë, trojet tona të vjetra autoktone u mbrojtën heroikisht, deri në momentet e fundit nga forcat shqiptare të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, të udhëhequra me shumë sukses nga udhëheqësi hero gjeneral Qazim Komani, për të mos rënë, serish nën ripushtimin serbo-sllav.

Ndaj dhemb shumë fakti se trojet tonat den-baba den autoktone dhe të lashta etnike shqiptare, të Kosovës Lindore, përkundër të gjitha flijimeve kombëtare, fatkeqësisht përveç sundimit serbo-sllav komunist, edhe pas çlirimit dhe pavarësisë së shtetit të Kosovës, më 1999, ngelën serish nën okupimin e Serbisë fashiste.

Formimi i Shtabi të Përgjithshëm Ushtarak për Mbrojtjen e Trojeve Etnike Shqiptare.

Sipas dr. Sabile Bashës,Shtabi i Përgjithshëm Ushtarak për Mbrojtjen e Trojeve Etnike Shqiptare, u formua më 26 qershor të vitit 1944, në tubimin e organizuar nga Halim Spahija në Prizren, me ç`rast edhe koloneli Fuad Dibra avancohet në gradën e gjeneral majorit të Ushtrisë Shqiptare dhe caktohet që të organizoj mbrojtjen e vijës kufitare: Dibër- Manastir- Shkup.

Shtabi i Përgjithshëm Ushtarak për Mbrojtjen e Tokave Etnike Shqiptare përbëhej nga:

1. Komandanti Suprem: gjeneral Qazim Komoni dhe

2. Anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë për Mbrojtjen e Tokave Etnike Shqiptare;

1. Gjeneralmajori Fuad Dibra, përgjegjës për mbrojtjen e vijës kufitare: Dibër-Manastir- Shkup;

2. Major Shefqet Kapiteni, emërohet të mbroj vijën kufitare Shkup- Kumanovë;

3. Gjeneralmajori Jahja Fusha, do të caktohej në mbrojtjen e vijës kufitare: Kumanovë- Vranjë- Topallë- Merdar- Prepallac- Kopaonik;

4. Majori Adem Voca, në mbrojtjen vijën kufitare Kopaonik-Jeni Pazar

5. Profesor Ymer Berisha, caktohet që të mbroj vijën kufitare Jeni Pazar- Tivar. (Ref. Sabile Keçmezi Basha: Kolonel Fuad Dibra – Kosovë e Shqipëri jemi Një)

Luftimet heroike të “Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës”

Ushtria e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, nën drejtimin e gjeneralit Qazim Komanit, mori pjesë në luftimet më të rrepta që u zhvilluan aso kohe për mbrojtjen gjithandej të trojeve etnike shqiptare, jo vetëm nga bandat çetnike serbo-malazeze, por edhe ato komuniste sllavo-bullgare.

Madje sipas dr. Sabile Bashës, në vjeshtën e vitit 1944, në momentet kur tanimë lufta kishte hy në fazën përfundimtare, në një sulm të armikut të ndërmarrë në sektorin e Llapit, kundër forcave të Mbrojtjes Kombëtare, në luftimet e përgjakshme për thyerjen e armikut, krahas burrave kishin marrë pjesë edhe gratë heroina dhe më trimëresha shqiptare, me ç`rast ishin shkatërruar tri Divizione të motorizuara serbo-bullgare, të udhëhequra nga komunistët, akt ky që kishte ngritur e forcuar maksimalisht moralin e të gjithë luftëtarëve shqiptar për të vazhduar edhe më me vendosmëri qëndresën kundër okupatorëve sllav.

Ndërsa siç mësojmë edhe nga historia e bujshme e veprimtarisë së Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, me në krye gjeneral Qazim Komanin, luftërat më të rrepta të ushtrisë së rregullt shqiptare, për mbrojtjen e vendosur, me të gjitha mjetet e mundësit dhe potencialet njerëzore, të këtyre trojeve, nga riokupimi serb, u zhvilluan me sukses, edhe në nëntor të vitit 1944.

Por përveç dëshpërimit të serbo-çetnikëve, nga qëndresa heroike e shqiptarëve, sukseset e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, nën udhëheqjen e shkëlqyer të gjeneral Qazim Komanit dhe ushtarakëve tjerë patriot shqiptar, kishin shkaktuar pakënaqësi të mëdha edhe te partizano-komunistët shqipfolës me mendësi sllave, në Kosovë dhe Tiranë.

Megjithatë edhe përkundër të gjitha neverive që vinin nga komunistët shqipfolës, heroi Qazim Komani, nuk u thye as dobësua për asnjë çast por vijoj të mbetej besnik i paepur i shqiptarizmës dhe idealit të “Besa-Besës” kombëtare edhe në nëntorin e vitit 1944, kur ai me GRADËN e Gjeneralit dhe idealin e paepur të ushtarakut të betuar kombëtar për liri, me të gjitha mjetet e mundësitë dhe forcat njerëzore që kishte në dispozicion, vijonte ta dëshmonte në vepër meritën e gradimit suprem ushtarak, dhe arsyetonte katërçipërisht besimin e dhënë me organizimin superlativ ushtarak, sukseset e shkëlqyera në fushëbeteja dhe luftën e vendosur patriotike për mbrojtjen e tokave shqiptare, nga vërshimi i hordhive të egra çetnike serbo-malazeze.

Madje, me gjithë mungesën e theksuar të mjeteve luftarake dhe mundësive të kufizuara teknike, duke u bazuar kryesisht në vullnetin e fortë e dëshirën e madhe për liri, përgatitjen e lartë profesionale dhe dinjitetin e pathyeshëm shpirtëror të ushtarëve shqiptar, ai vijoi ta mbronte me sukses dhe vendosmërinë më të madhe Kosovën e tij të dashur, nga depërtimi i forcave çetniko-komuniste, që kishin vërshuar nga të gjitha anët, për ti ripushtuar trojet tona.

Me këtë rast, duhet sqaruar për lexuesit e nderuar, se pas pushtimit gjerman të Serbisë gjenerali serb Milan Nediç, kishte krijuar një qeveri serbe, të ashtuquajtur Qeveria e “Shpëtimit Popullor” dhe vendosur lidhje të posaçme ushtarako-politike me Gjermaninë, me shpresën që shteti serb, edhe pas pushtimit gjerman, ta mbante nën administrimin e Serbisë gjithë Kosovën dhe siguronte vazhdimësinë e okupimit serb, të territorit të Kosovës.

Por sa u takonte trojeve shqiptare dhe tokave të Kosovës, ato tani kishin për Zot, forcat e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, të udhëhequra nga gjenerali hero Qazim Komani, të cilat ia prishën tërësisht planet e gjeneralit Millan Nediç dhe shkatërruan ëndrrat e forcave çetnike serbe, për ripushtim.

Thyerja e forcave serbe të gjeneral Nediçit, nga trupat heroike të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës

Nën udhëheqjen largpamëse të gjeneral Qazim Komonit dhe heroizmin e treguar të trupave shqiptare të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, si dhe organizimin e mirëfilltë ushtarak, aftësinë profesionale, trimërinë dhe vendosmërinë shembullore të ushtarëve atdhetar, në krye me heroin, e patriotin e shquar kombëtar gjeneral Qazim Komani, në një vijë lufte me gjatësi prej disa dhjetëra kilometrash, forcat heroike shqiptare, do ti thyenin me turp në frontin e Kolashinit, dhe zmbrapsën me sukses në shumë beteja heroike, forcat e ushtrisë së rregullt serbe të gjeneralit çetnik Millan Nediç, të pajisura me artileri të rëndë dhe armatimet më moderne të kohës.

Betejë e cila vazhdoi për disa javë me radhë në gjithë frontin e gjatë mbi 20 kilometra dhe rezultoi me fitore të plotë ushtarake, të ushtrisë së lavdishme shqiptare, duke i shkatërruar dhe nxjerr me flakë e barot forcat serbe, jashtë Kosovës.

Kjo ishte një nga fitoret më të ndritshme të ushtrisë së rregullt shqiptare, e cila përveçse i shkaktoi disfatë të rëndë Ushtrisë serbo-jugosllave, vlerësohet se u bë edhe faktori kryesor, që shpëtoi Kosovën dhe trojet tjera etnike shqiptare, nga shfarosja e plotë e shqiptarëve, prej çetnikëve serbo-malazez!

Madje me vlerësimet largpamëse të tij, nga gjendja e krijuar pas luftimeve në kufi, si dhe veprimeve luftarake në terren, gjeneral Qazim Komani vendosi që forcat kryesore ushtarake shqiptare të përqendroheshin në Drenicë.

Vendim i historik i gjeneral Qazim Komanit, i cili i krijoi bazën në vitin 1945, si dhe i dha forcën kryesore shtytëse edhe rezistencës heroike të forcave të Shaban Polluzhës kundër ushtrisë partizano-çetnike serbo-jugosllave, që kishin mësy ta pushtonin Kosovën.

Por pas fitoreve të shkëlqyera që gjeneral Komani realizoi gjithandej në frontin e luftës kundër okupatorëve serb, ai papritur u ftua me urgjencë nga komanda sipërore në Tiranë dhe vetëm pak kohë, pas arritjes atje, për fat të keq të shqiptarëve dhe mbarë Kosovës, me 17 nëntor të vitit 1944, do të arrestohej nga komunistët “shqipfolës” në kryeqytetin shqiptar, i cili do të mbahej në burg deri në muajt mars e prill të vitit 1945 kur dhe iu organizua gjykimi i stisur dhe fiktiv komunist.

Dorëzimi i gjeneral Qazim Komanit, te serbo-sllavët

Gjyqi Special i komunistëve shqiptar, në rastin që gjykohej edhe kolonel Qazim Komani, ishte një nga gjyqet më të rrepta dhe më të rënda ndëshkuese, të asaj kohe, i cili siç dëshmohet nga dokumentet e gjetura, dënoi me pushkatim 17 personalitete të larta dhe dënoi me burgime të gjata 60 të tjerë.

Megjithatë biografia e ndritur e atdhetarit të shquar gjeneral Qazim Komani, ishte aq e pastër dhe e niveleve të tilla, të larta, e të papërlyera patriotike, sa që as në të ashtuquajturin “gjyq special” të organizuar nga komunistët në Tiranë, nuk u dëshmua asnjë fakt për krime, nuk u vërtetua kurrë bashkëpunimi i tij me pushtuesin dhe nuk u faktua në asnjë moment, as ndonjë veprim i vetëm kundër partizano-komunistëve shqipfolës.

Por me gjithë premtimet dhe garancitë që komunistët kuqalosh i kishin dhënë edhe familjes, për lirimin e tij, ata duke mos gjetur argumente ta dënonin me vdekje, siç vepruan me të tjerët, gjeneral Qazim Komanin e ekstraduan nëpër terrin e natës, në mënyrë tinëzare në duart e gjakpirësve të UDB-së në Prizren, që të mbytej nga çetnikët serbë.

Kërkohet kujdes që tradhtia të mos përsëritet

Terroristë kuqalosh shqipfolës, të cilët terrorizuan deri në ato përmasa makabër edhe Kosovën, sa që mese 5-6 mijë burra e djem dhe ushtarët më të mirë shqiptar,të cilët luftuan me heroizëm për mbrojtjen e Kosovës, nga çetnikët serbo-malazez, i dërguan me mashtrimin për mobilizim, nën përcjelljen e njësiteve serbo-çetnike, përmes Kukësit, Pukës dhe Shkodrës, për ti pushkatuar serbo-malazezët në Tivar, histori e cila nuk guxon të heshtet as të harrohet, përndryshe në rastin e parë, që mund tu ofrohet, dhe momentet më të rënda për Kosovën, mund të përsëritet, ngase njëjtë ka mundësi të veprojnë edhe pasardhësit e pabesë…

Në fakt, edhe dorëzimi i gjeneral Qazim Komanit te serbët, ishte veprim i kundërligjshëm dhe tërësisht ilegal, madje sot e asaj dite, nuk ekziston asnjë dokument i vetëm zyrtar, për ekstradimin e tij, nga komunistët shqipfolës të Tiranës, në duart e xhelatëve të UDB-s serbo-jugosllave.

Për aq më tepër, sipas shënimeve të Dr, Sabile Bashës, kuçaloshët serbofil të Tiranës dorëzuan te serbët edhe shtetasit e Shqipërisë si gjeneral major Fuad Dibrën dhe profesor Kol Margjinin, Fuadi u pushkatua më 1946 në afërsi të Prizrenit kurse Margjini u mbyt më 1949 në burgun e Mitrovicës së Sremit nga çetnikët serb.

Pas dorëzimit nga serbofilët e Enver Hoxhës, në duart e xhelatit serb Spasoje Gjakoviç, edhe kundër heroit tonë të mirënjohur, gjeneralit Qazim Komani do të organizohej një proces tjetër farsë, tani në gjyqin serbo-çetnik në Prizren me aktakuzën se kishte organizuar mbrojtjen e trojeve shqiptare të Rozhajës, Bihorit, Plavës, Gucisë, Medvegjës, Bujanocit,Prershevës, Llapit, Gjilanit dhe tërë Kosovës, nga okupimi i forcave serbo çetnike.

Dënimi me vdekje i gjeneralit hero Qazim Komani nga gjykata serbo-çetnike

Akuzave se gjenerali atdhetr shqiptar, Qazim Komani kishte udhëhequr luftën kombëtare, kundër forcave serbo-jugosllave, në një proces të ngritur nga një gjykatë serbo-çetnike në Prizren, sipas historianit Hakif Bajrami, gjenerali u ishte përgjigjur se si nëpunës dhe oficer i lartë i Ushtrisë Shqiptare, ai e kishte obligim ligjor dhe ishte i detyruar moralisht dhe kombëtarisht për ti shërbyer atdheut, atje ku e kërkonte populli i tij, ndaj dhe jam krenar që mua më solli fati në Kosovë, për ti shërbyer vendit tim me nder.

Në të njëjtin gjyq, u gjykua edhe gjeneral major Fuad Dibra komandant i batalionit IV të Gjilanit, i cili po ashtu u dënua me vdekje dhe me 9 tetor të vitit 1946, sipas shkrimeve të dr. Sabile Bashës, u ekzekutua në Korishë të Prizrenit, por trupi i tij u zhduk përgjithmonë nga forcat serbo-çetnike dhe sot e atëherë, nuk i dihet as varri, njëjtë siç do të veprohej, menjëherë pas vdekjes edhe me trupin e gjeneralit hero Qazim Komani.

Gjeneral Qazim Komani do të akuzohej gjithashtu, se në fshatin Rogovë të Hasit, më 15 mars të vitit 1944 kishte organizuar themelimin e Ushtrisë Kombëtare, për mbrojtjen e Kosovës dhe trojeve tjera etnike shqiptare, e cila cilësohej si veprimtari e “rëndë”, anti-serbe dhe anti-jugosllave

Dhe me aktakuza të tilla farsë, me 15 maj të vitit 1946 gjykata e okupatorëve serbo-çetnikë, në Prizren, e dënoi me vdekje, gjeneralin hero Qazim Komani, këtë burrë të pamposhtur nga asnjë stuhi, as prej këtij gjyqi barbar të okupatorit, të cilin edhe Gjykata e Lartë e Serbisë, me gjithë apelimin e argumentuar me fakte, nuk e shfuqizoi.

Dënim që vetëm pas ankesave të vazhdueshme të familjarëve drejtuar organeve më të larta të pushtetit ish jugosllav, si dhe trysnisë ndërkombëtare, bënë që më në fund, jo gjykatat serbo-çetnike, por kryesia e Kuvendit Popullor të ish RFPJ, me në krye kroatin Dr. Ivan Ribar, pas më tepër se 4 muajsh, më 2 tetor të vitit 1946, ta ndryshoi përfundimisht masën, ndaj gjeneralit Qazim Komani dhe dënimin me vdekje, e shndërroi në burgim 20-vjeçar, me punë të detyrueshme, humbjen e të drejtave politike e qytetare, si dhe atyre prindërore në afat prej pesë vitesh.

Vdekja e heroit tonë në burgun e Serbisë çetnike

Fatkeqësisht edhe pas zëvendësimit të dënimit me vdekje, në dënim me 20 vite burg, me insistimin e përfaqësuesve serb, gjeneral Qazim Komanin e dërguan ta vuante dënimin në kampin e Mitrovicës së Sremit në Serbi, ku serbo-çetnikët do t`ia përgatisnin vdekjen.

Dhe sipas Raif Halimit, një i dënuar tjetër shqiptar me vuajtje në të njëjtin burg, aty të burgosurit merrnin vetëm nga 200 gr. bukë misri në ditë.

Ndaj uria ishte bërë shkak që në burgun e Mitrovicës së Sremit, të vdisnin shumë të dënuar shqiptar, vend në të cilin qindra burra, u shuan dalëngadalë nga vdekja, dhe ai përmend edhe disa emra shqiptarësh të vdekur në atë kamp famëkeq serb, si: Haki Taipin nga Prizreni, Idriz Hogoshtin, prof.Kolë Margjinin, gjeneral Qazim Komanin nga Gjakova, Njazi Çarkaxhiun nga Ferizaj, e shumë të tjerë.”!

Pra, ani pse më 1946, të detyruar nga presioni ndërkombëtar, formalisht ia zbritën dënimin, vetëm katër vite më vonë, ishte muaji gusht i vitit 1950,kur heroin tonë, serbo-çetnikët e likuiduan me uri, tortura dhe keqtrajtime të vazhdueshme fizike në burgun e Mitrovicës së Sremit, ku përveç gjeneralit Qazim Komani, në këtë burg famëkeq serb, vuante dënimin edhe Ismet Boletini, nipi i heroit kombëtar Isa Boletinit.

Dhe sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, trupi i tij, i shkatërruar tërësisht nga torturat e pashembullta ç ‘njerëzore serbo-çetnike në burgun e Mitrovicës së Sremit, deri pak para vdekjes, nuk do të lejohej as të kontrollohej nga mjekët ndërkombëtar.

Kurse kontrolli i vetëm dhe i fundit, atij do ti lejohej, qëllimisht me shumë vonesë dhe në momentet që serbo-çetnikët tanimë ishin të sigurt se heroi ynë kombëtar, kolonel Qazim Komani gjendej pak para vdekjes.

Ndaj faktikisht mjekët e Kryqit të Kuq ndërkombëtar nga Gjermania, Zvicra dhe Hollanda “dr.Ridell, dr. Franz, dr. Llang (Ref. Dr. Hakif Bajrami), vetëm sa konstatuan se gjeneralin tonë hero Qazim Komanin, së shpejti e priste vdekja.

Zhdukja e trupit të heroit Qazim Komani

Pra 4 vite pas dënimit me vdekje, përkundër zbritjes në 20 vite burg, gjeneral Qazim Komani u mbyt me uri dhe tortura të pandërprera ç`njerëzore në Burgun e Mitrovicës së Sremit në Serbi dhe sikur mos të mjaftonin torturat as vdekja, serbo-çetnikët, shkuan deri atje me barbaritë e tyre meskine, sa zhdukën përgjithmonë edhe trupin e heroit tonë dhe nga atëherë e sot, nuk dihet shenjë as varr, duke mos lënë qëllimisht mundësi, që të paktën, pas vdekjes heroi ynë i ndritshëm të amëtohej e pushonte në vendin e lindjes dhe atdheun e tij të dashur, për mbrojtjen e të cilit ai flijoi rinin dhe jetën e vet, pa asnjë hezitim.

Letra e fundit e heroit Qazim Komani

I vetëdijshëm, për atë që do ti ndodhte në burgun e Serbisë, e që në fakt, ai e kishte kuptuar paraprakisht, se serbo-çetnikët, nuk do ta lejonin më, të dilte nga atje, i gjallë, ku morti po i përgatitej, që ti vinte, edhe më me shpejtësi, gjeneral Qazim Komani do ti dërgonte për herë të fundit edhe një letër “lamtumirë-se” bashkëshortes së tij të dashur dhe besnike, e cila e kishte pritur gjithë jetën, me shpresën e pashuar deri në momentet e fundit, se do të shiheshin edhe njëherë për së gjalli bashkë!

“Unë ka tre muaj që jam në spital dhe përveç fatkeqësive tjera, gjendja ime, po bëhet çdo ditë e më keq, andaj duke pasur parasysh se ka kohë që, nuk jam më pranë jush, bëhu e fortë, që edhe ndonjë lajm tragjik për mua, mos t`u kap në befasi.

E di se nuk kam arrit, të të lë asnjë pasuri, por në botën tjetër, do shkojë më i qetë, se nuk të kam lënë as borxhe për të larë, ndaj për fund, nga gjendja që unë jam, urojë që ju të jeni në mëshirën e Zotit të madh!

Nxjerrja e gruas dhe fëmijëve të heroit nga enveristët në rrugë

Në fakt, ndoshta vërtetë Zoti u tregua i mëshirshëm me familjen e këtij burri të shquar atdhetar, por jo edhe regjimi komunist i kriminelit Enver Hoxha, i cili nxori gruan e ushtarakut patriot Qazim Komani, me 6 fëmijë të mitur në mes të rrugës.

Dhe me këtë veprim kobzi të Enver Hoxhës dhe regjimit serbofil në Tiranë, dënimi serbo-çetnik ndaj gjeneral Qazim Komanit në ish sistemin jugosllav, përveç rigorozitetit të pashembullt, fatkeqësisht do të merrte epilog katastrofal edhe për gruan dhe fëmijët e pafajshëm të heroit, edhe nga shteti shqiptarë, ndoshta njëjtë, apo edhe më keq, se për qindra e mijëra familje të tjera shqiptare, viktima të terrorit të kuq komunist.

Kënga e fundit, apo epitafi i heroit në pragvdekjen e tij

Përkundër të gjitha vuajtjeve dhe katrahurave të përjetuara në trupin e tij, nga persekutimet dhe mundimet e pashpjeguara ndër vitet që i kaloi në burgjet komunisto-çetnike të Serbisë, krenaria kombëtare e gjeneral Qazim Komanit, mbeti e pathyeshme dhe nuk kishte rënë as lëkundur-asnjëherë, madje edhe jeta e heroit gjakovar, thuhet se mbarojë duke kënduar me zemër dhe krenari të pashuar, rreshtat e preferuar të poezisë që ai adhuronte aq shumë, në minutat e fundit të energjisë, së mbetur në shpirtin e tij atdhetar:

O Kosovë, o tokë bekue

Gjithë për ty gjaku m’gufon

S’ka shqyptar kush TY t’harron.

Ndoshta pikërisht kjo është, vet natyra e heronjve të vërtet dhe mënyra e veçantë, se si ata kalojnë në jetën tjetër dhe amshim, për tu kujtuar gjithmonë e përjetësisht, me krenari e pietet dhe mos u harruar kurrë nga bashkëkombësit dhe atdheu.

Nderimet shtetërore ndaj gjeneral Qazim Komanit

Sipas dëshmive okulare gjenerali në kohën kur u arrestua, ishte i martuar dhe kishte 6 fëmijë të vegjël, një djalë dhe pesë vajza.

Por edhe pas vdekjes së heroit Qazim Komani, emrin dhe veprën e tij, për kohë të gjatë nuk guxonte kush ta përmend, nderojë, as kujtojë publikisht, madje edhe familja e ngushtë, e kishte të ndaluar ta zinte në gojë emrin e heroit, të cilin komunistët në të dy anët, ata të Enver Hoxhës në Shqipëri dhe të tjerët në Kosovën e okupuar nga serbo-sllavët, e kishin shpallur armik të përjetshëm të komunizmit dhe Serbisë okupatore.

Ishte viti 1937 kur për merita të veçanta në detyrë dhe angazhim shembullor me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, për herë të parë dhe të fundit, nga mbreti Zog, Qazim Komani u dekorua me “Urdhrin Skënderbeg”!

Dekorimin i radhës, heroit iu nda “post-mortum” dhe atë vetëm pas ndryshimit të sistemit stalinisto-komunist e vendosjes së Demokracisë në Shqipëri, nga ish presidenti demokrat Sali Berisha me dekretin nr. 547, të datës 3 qershor të vitit 1993, i cili dekoroi gjeneralin Qazim Komani, me urdhrin “Për veprimtari Patriotike të Klasit të I-re” me motivacion:“Udhëheqës, organizator i penës dhe pushkës për realizimin e programit të Komitetit Kombëtar të Mbrojtjes së Kosovës!

Ndërsa këtë vit me rastin e shënimit të 130 vjetorit të ardhjes në jetë të heroit, sipas informatave okulare, është propozuar që edhe Gjakova, vendlindja e heroit famëmadh, ta shpallë birin e vet të shtrenjtë, gjeneral Qazim Komani qytetar nderi të Gjakovës!

Historia e tij dëshmon se sa dhembshëm nisi, me sa vuajtje e mundime vazhdoi dhe në ç‘mënyrë tragjike përfundoi edhe jeta e një patrioti të shquar të kombit, histori e trisht e cila fatkeqësisht nuk ishte e vetmja as e fundit, por sakrificë që do të përsëritej edhe disa herë pas shuarjes misterioze të tij, duke marrë para kohe në amshim edhe figura tjera të spikatura të heronjve tanë, më të shquar kombëtar.

Ndaj habisin jo pak përimtësimet hibride derisa edhe në jubileun e 130 vjetorit të lindjes së heroit, dëgjohen zëra, se dikush në emër të “pronësisë-pasardhëse”, “trashëgimisë” familjare, apo edhe pretendimeve për “zotërim të pamohueshëm” të njohurive “biografike”, përpiqet a edhe insiston që me “spaletat e kolonelit”, ta mbrojë heroin Qazim Komani nga grada e gjeneralit!- dhe t`ia fshi atij, nga biografia shkëlqyese, të arriturën më madhore, të fituar për merita të veçanta në organizimin dhe udhëheqjen e luftës, si dhe drejtimin sublim, në momentet më të vështira, të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, si Komandant i përgjithshëm i saj.

Gjithsesi dhe përkundër çfarëdo tendence e pretendimesh “pronësie”, oportune a meskine, shpresojë shumë, se në projektin e planifikuar, për nderimin e tij, me rastin e përkujtimit të 130 vjetorit të lindjes, nga komuna e Gjakovës, Mirënjohja, do ti ndahet, jo duke e ulur heroin e kombit në gradën e “kolonelit” por duke respektuar gradën reale më të lartë ushtarake, që ai e kishte marrë me meritë dhe shkruar me shkronja të arta, se dekorimi “Qytetar Nderi” i Gjakovës, i dedikohet heroit të kombit, që luftoi e u flijua për liri e çlirim, mbrojtjen e Kosovës nga ripushtimi serbo-çetnik dhe bashkimin kombëtar të të gjithë shqiptarëve, Gjeneral Qazim Komani!

Lavdi e përjetshme heroit të ndritur e të paharruar mbarëshqiptar, shkëlqesisë së tij, gjeneral Qazim Komani!

Filed Under: Analiza

Globi i parë në botë, një nga mrekullitë e Leonardo Da Vinci-t

January 25, 2025 by s p

Nga ROLAND QAFOKU/

Ky është globi i parë në botë. I përket vitit 1504 dhe është krijuar nga Leonardo da Vinci, mëndja më e bukur e historisë së njerëzimit. Ndërtimi tij është bërë nga dy pjesë vezësh të strucit me diametër 11.2 centimetër dhe peshon 134 gram si dhe është mbushur nga brenda me elementë që bëjnë të mundur ruajtjen e formës. Më pas, Da Vinci vizatoi në koren e vezës pjesët e tokës, kontinentet, detet dhe oqeanet të asaj që u quajt Bota e Re duke shkruar edhe vendet përkatëse. Edhe me globin Leonardo Da Vinci tregoi se ishte një mendje e artë në një epokë me shumë të panjohura. Për historianët dhe gjeografët pjesa më e rëndësishme e këtij globi është fakti se Mjeshtri ka përfshirë aty Amerikën, të cilën patrioti i tij, Christophor Colombus, nga Genoa e kishte zbuluar në 1493 ndërsa patrioti tjetër nga Firence, Amerigo Vespucci, i kishte vënë vulën atij zbulimi në vitin 1501. Madje duke i dhënë emrin e tij kontinentit të panjohur deri atëherë. Sa për Shqipërinë, mos u lodhni! Në globin e Da Vincit nuk duket, por me siguri që duhet të ketë qenë. Ne ishim “zbuluar” nga të parët në kontinent dhe nuk paraqiste ndonjë kuriozitet të madh për të. Kur Durrësi ynë ishte qytet, Parisi dhe Madridi nuk ishin as sheshe për të pushuar kuajtë.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT