• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2025

Idriz Balani – Dalta që kërkon frymën

January 23, 2025 by s p

Luan Rama/

Atelieri i skulptorit Idriz Balani është disi i veçantë dhe nuk ngjan me atelierët e shumë skulptorëve të tjerë. Një atelier i thjeshtë, në bodrumet e shtëpisë, pa dritare dhe dritë natyrale, e megjithatë, edhe këtu, në këtë vend që për skulptorin është mitik, vend i metamorfozës dhe i përsosjes së formave dhe eksperiencave artistike, kapet fluturimthi përfytyrimi, imagjinata, lëvizja për tu transpozuar në lëndën e gurtë minerale, atë të baltës, allçisë, gurit, mermerit apo bronxit. Pikërisht këtu artisti krijon vepra të mrekullueshme që mbeten në historinë e skulpturës shqiptare. Nuk flas këtu thjesht për skulpturën monumentale të tij, çka flitet shumë në media dhe gjithnjë në kërkim dhe forma dinamike siç e shohim në skulpturën e Bilal Xhaferri apo monumentin e Isa Boletinit, me një portret të mrekullueshëm dhe hapin e tij në lëvizje për ti prirë historisë, por për portrete të punuara me shumë orgjinalitet, dashuri dhe art të madh. Në librin e tij « Portreti i Dorian Gray », Oskar Wilde thotë ndër të tjera se « Skulptura është një udhë mbretërore e artit për të zbuluar sekretet ». E pikërisht, zbulimi i botës njerëzore, i zemrës që pulson, është ajo që spikat në portretet e Idriz Balanit. Duke vizituar galerinë e tij me një sërë portretesh e bocetesh krijuar prej afro gjysmë shekulli, më bëjnë përshtypje veçanërisht dy portrete : ai për mjeshtrin dhe profesorin e tij të skulpturës Sabri Tuçi, i cili kishte studjuar në Romë në fundin e viteve ’30 të shkeullit XX dhe portreti i mikut tim Omer Kaleshi. Në këto dy portrete por dhe në disa portrete të tjera si ai i doktor Karatziadhis , Muharrem Rrushiti, Haxhi Zeka, Portret vajze, etj, duke i vështruar gjatë, më rishfaqet dalta e tij dhe dëgjoj ehon e çekiçit të godasë në kërkim të tipareve njerëzore, të syve, ballit, mollëzave, gojës, frakturave të portretit njerëzor gjer në detajet më të vogla ; ndjej dorën e artistit të rrëshqasë mbi fytyrat e ngurta duke fërkuar gurin, mermerin, bronxin për të vënë në pah një linjë, një rrudhë, duke iu afruar karakterit të personazhit në mënyrë që më në fund, në vargun e ditëve, muajve, portreti më së fundi të mund të flasë, të marrë frymë.  Ndjeja ato duar që per dy vjet rradhazi, si emigrant, ai kishte gdhendur mermerin në ndërrjen « Dhioniso » të Athinës njohur damarët dhe zërin e karrierave antike me të cilat punonte Praksiteli. A mund të flasë guri, mermeri, bronxi? A mund ta ndjejmë pulsimin e një fytyre, të një historie, pasi çdo portret ka biografinë, rrugëtimin e vet nëpër histori. Mjeshtrat e mëdhenj na e kanë vërtetuar këtë përmes kryeveprave të tyre përgjatë një historie të madhe. 

Idriz Balani është përkundur me historinë që në fëmijërinë dhe adoleshencën e tij kur për herë të parë tentoi të gdhend në gur, çka na e tregon dhe një fotografi e tij e vjetër, në kohë të adoleshencës me një fytyrë plot besim, me çekiçin dhe gurin në dorë për ta transformuar atë në një portret. Në damarët dhe shpirtin e tij historia ka rrjedhur vrullshëm me heronjtë e tij, sëpari me heronjtë e Çamërisë martire dhe të historisë kombëtare. Nuk është e rastit që në galerinë e tij personale ata rradhiten së bashku dhe herë pas here, « heronjtë » kapërcejnë pragun e atelierit për t’iu bashkuar heronjve të tjerë. Para disa muajsh ai ekspozoi në Nju Jork kompozimin e valles së Osman Takës, të cilën e ndiqte që fëmijë në dasmat çame në Durrës. Galeria e tij përbën si të thuash një marsh figurash që mbartin kujtesën popullore me idhuj si Skënderbeu, Ismail Qemali, Andrea Muzaka, Isa Boletini etj, e gjer në figurat legjendare të Kosovës, që duket se është sot një temë e dashur e autorit.

Vështroj duart e tij të vrara, të ashpra dhe mendoj sesa shumë ato kanë kërkuar ne portretet njerëzore, në portrete të njohura siç janë ato të ditëve tona, në portrete më të hershme që fotografia na i ka lënë në një farë mënyre, apo portrete të imagjinuara, ku gojëdhënat dhe letërsia historike na kanë lënë dëshmi për ta si njerëz të zakonshëm e njëkohësisht si heronj. Dhe padyshim, nuk janë thjesht duart e vrara të tij që rikrijojnë figurën njërëzore, por ka diçka më të thellë brenda artistit, një lloj mistike që i vë duart në lëvizje dhe i komandon ato. Padyshim që kur shohim veprat e Mikelanxhelos, imagjinojmë njëkohësisht dhe duart e tij, ato duar të imagjinuara përmes kameras së regjisorit Konçalovski në karrierat e Karraras, apo siç mund të imagjinojmë duart e një Roden, Burdell apo Majol. Duar të rënda, duar te mrekullisë. Duar si instrument të krijimit të së bukurës dhe madhështores, pasi janë ato që trasnmetojnë gjithçka që vjen nga shpirti dhe e brendshmja e artistit, frymën që përcillet nga ai tek vepra, tek materia e ngurtë, për të gjetur një fushë tjetër të shprehjes artistike.

Portreti i profesorit

Çdo artist ruan në vetvete gjurmët e mjeshtërve që e kanë mësuar, frymëzuar dhe nxitur në rrugëtimin e tij, që i kanë treguar se si ta bëj gurin të flasë përmes gjestit skulptural, që portreti apo kompozimi të ketë lëvizje, dinamikë, energjinë e njeriut që çan përmes stuhisë, siç e shohim në monumentin e Balanit për Bilal Xhaferrin.

Idriz Balani nuk e harron takimin e parë me mjeshtrin Sabri Tuçi i cili do ti mësonte artin e skulpturës dhe marrëdhënien me baltën, gurin, për të lënë aty gjurmën njerëzore. Që i ri e ka parë atë si një lloj idhulli dhe ka përjetuar dhimbjen e historisë personale të mjeshtrit. Besoj se ai ia ka mësuar çelësin e suksesit në krijimtari : atë të frymës. Dhe Tuçi mbeti gjithnjë një referencë apo piketë, një dritëz në errësirë edhe pse tashmë Balani e ka shënuar udhën e tij dhe hapi i tij është hap i sigurtë, hap i një mjeshtri të vërtetë, çka e tregoi duke krijuar dhe portretin e profesorit të tij, një portret tepër origjinal dhe njëkohësisht i gjallë, meditues, sfidues. Koka për një skulptor është shqetësimi më i madh për të krijuar një karakter që të mbërthejë thelbin e një njeriu, atë çka primon tek ai dhe që e bën të flasë. A ka shpirt lënda, materia ? Si bënte vallë Milenaxhelo në dehjen dhe vuajtjen e tij, kur në çastin kur nuk gjente frymën, krijesën e tij ai e thyente për ta filluar nga e para ? Për Balanin, kjo është mëse e njohur. Busti i krijuar për Sabri Tuçin është një portret që mbart mirësi, mënçuri dhe një botë humane, por dhe dhimbje e qëndresë. Po si mund ti japësh njëheësh këto ndjenja ?  Ky ishte dhe problemi i artisti në fillimin e krijimit të kësaj vepre, i cili e njihte mirë dramën e mjeshtrit, dhimbjen që provoi ky artist kur e ndaluan të bënte skulpturë dhe të jetë artisti. Shoh sytë e tij të thellë, rrudhat, ballin dhe për një çast imagjinoj dorën e artistit që i është rikthyer me qindra herë kësaj fytyre të paqtë ku dhimbja ka lënë gjurmën e vet të pashlyeshme, matricë e tërë kësaj vepre, ku ai përsërit aksiomën e të gjitha kohrave se « skulptura, arti, është jeta ime ! »

Në galerinë e tij, pashë të vendosur përkohësisht portretin në mermer « Mis Kazerta » krijuar nga mjeshtri, kur Tuçi, student për skulpturë në institutin e arteve në Romë, punonte në mermer portretin e një modeli (« Mis Kazerta ») apo Maria Iorio, e cila do të bëhej e dashura e tij, (si në atelierin e Roden me skulptoren e re Klodel) dhe më pas gruaja e tij. Një portret i mrekullueshëm dhe një mësim i vërtetë arti (kopja e të cilit ruhet dhe në Galerinë e arteve në Durrës) por që mbarti shumë dhimbje dhe peripeci familjare, pasi pikërisht Maria do të vuante burgjet totalitare në Shqipëri duke lënë pas këtë portret, që mjerisht termeti i para disa viteve e dëmtoi. Por Balani e mori këtë portret për « t’ia mjekuar plagët » si një gjest i mbijetesës, pasi siç thoshte dikur dhe Balzak « skulptura është si arti dramatik ».

« Koka » e Omer Kaleshit

Në galerinë e portreteve të Balanit ka dhe një « kokë » mjaft interesante. Është « koka » e Omer Kaleshit, një « kokë » që e njoh mirë pasi për më shumë se tri dekada kam qenë i pranishëm në jetën e tij artistike në Paris.  Për Omerin ishte një surprizë të shikonte « kokën » e tij në një ekspozitë të hapur në Montmartre të Parisit. Idrizi e kishte njohur piktorin në koloninë e artit në Durrës dhe ajo kokë e kishte tërhequr në veçanti. Ishte një surprizë edhe për mua. Në atë « kokë » ishte ngjizur jo vetëm karakteri i artistit të « kokave » siç i quante Kaleshi portretet e tij në pikturë, por gjithë bota e tij. E ndjeje menjëherë rrugëtimin e këtij njeriu, origjinën e tij, jetën dhe meditimin e tij të thellë si të një dervishi, pasi Omeri, edhe pse në Paris prej më shumë se gjysmë shekulli nuk e kishte ndryshuar natyrën e tij. Ishte po ai botkuptim me vështrimin e thellë të thelbit njerëzor. Ai portret që shikonte disi poshtë e treste vështrimin larg. Një vështrim që përhumbte siç e kemi parë tek « Mendimtari » i Ogyst Roden. Dhe Omeri, ashtu si Idrizi, e kishin Rodenin një lloj reference të artit të madh. Një përhumbje të tillë të Omerit e kisha ndjerë dhe në portretin e famshëm « Psalmi » të Kamij Klodel, mbuluar me një shall dhe në një meditim të thellë ashtu si dhe në kokat e murgjëve të spanjollit Zurbaran, apo dhe një portret në gur të Ossipe Zadkin të quajtur « Kokë heroike ». Pra portreti i Omerit mbërthente në vetvete një lloj misteri, një pikëpyetje të madhe të botës, siç e ndjeje dhe në portretin për Sabri Tuçi, një mister që forcohej përmes « clair-obscur » apo raporteve « të ndriçuara e të errta » ngjizur në të.

Kur mbrëmja po afrohej unë u largova nga kjo galeri, nga ky vend kulti, ku vetë artisti përgjërohej me daltën në dorë, si të ishte një vend i shenjtë. Vështrova për herë të fundit portretet, Muharrem Rushitin, doktor Karatziadhis apo Haxhi Zekën etj, dhe pyeta veten se ç’bëjnë portretet kur dera e galerisë mbyllet. Vallë bisedojnë ? Çfarë i lidh mes tyre. Thjesht duart e skulptorit apo diçka më e thellë ? Me siguri fryma, thashë. Janë portrete që frymojnë Në portretin e doktor Karatziadhis kishte një lloj flladi të humanizmit të antikitetit grek dhe epokës homerike. Dhe në fakt, tek ndahesha me skulptorin, duke biseduar për Rodenin dhe mjeshtërit e parapëlqyer të tij (ashtu si dhe profesoret e Institutit të Arteve A. Mano, H. Dule apo M. Dhrami) e pyeta se çfarë i bënte përshtypje tek ky mjeshtër i madh i skulpturës botërore. Dhe ai mu përgjegj shpejt dhe me një fjalë : Fryma ! 

U largova në mbrëmjen që po binte ndërsa dielli po shuhej thellë në det duke menduar përsëri se është arti që i bën të frymojnë idhujt e historisë edhe pas vdekjes së tyre.

Filed Under: Opinion

Çka është dashur të mësojë politika shqiptare nga veprimet politike të Presidentit historik Dr.Ibrahim Rugova?

January 23, 2025 by s p

Nue Oroshi/

Tash e nëntëmbëdhjetë vjet me radhë Republika e Dardanisë u nda nga kryetari i saj historik dr.Ibrahim Rugova. Për veprimtarinë e dr.Rugovës tash janë botuar libra, janë thurur këngë dhe janë botuar me mijëra shkrime, studime nga studiuesit shqiptarë dhe të  huaj. Tash nga veprimtaria politike e Presidentit historik dr.Ibrahim Rugova janë duke u munduar të përfitojnë vota edhe kundërshtarët më të mëdhenj politik te tij. Më një fjalë ata tash pas vdekjës po e pranojnë një fakt se Presidenti historik Ibrahim Rugova ishte më i madhi politikan i Dardanisë. Por ajo që sot dëshiroj ta shkruaj nuk është historia politike dhe atdhetare e Presidentit historik dr.Ibrahim Rugova. Sot do të analizoj disa çështje se çka është dashur të mësoj politika shqiptare nga veprimet politike të Presidentit historik dr.Ibrahim Rugova.

1.Miqësia me Amerikën dhe shtetët e Evropës që e përkrahën Pavarsinë e Dardanisë

Presidenti historik i Dardanisë dr.Ibrahim Rugova me një çantë dokumentësh në dorë  loboj për ta fituar Pavarësinë e Dardanisë. Ai u prit në Administratën Amerikane dhe atë Evropiane duke marrë një përkrahje masive që më pas reflektoj edhe në përkrahje luftarake që na bënë shtetet mike të Dardanisë e qëndresës dhe rezistencës luftarake të djemve dhe vashave shqiptare të UÇK-së, nga të gjitha trojet etnike. Dardania u lirua.Në këtë pikë politikanët post rugovian u munduan të hanë me dy lugë apo te ulën në dy karriga. U munduan që ta mashtronin Amerikën, Evropën dhe politikën e bënin me lindjen. Ata refuzonin dhe vazhdojnë të refuzojnë investimet strategjike më Amerikën dhe Evropën dhe e dorëzuan thuajse komplet ekonominë dhe resorset kryesore të Republikës së Dardanisë në duart e turqve. Pra, refuzuan rrugën e Shkabës dhe e morën rrugën e Babës. Është fjala për atë moton e vjetër të disa politikanve neotoman se nuk duam shkabën por e duam babën. Nuk e duam shqiponjën dykrenare por e duam baba sulltanin. Në këtë rast sulltani u zëvëndësua me Erdoganin.

2.Orientimi ideologjik dhe kombëtar

Presidenti historik i Dardanisë orientimin ideologjik e kishte të djathtë. Të kesh një orientim të djathtë politikë domëthanë me dashtë vendin,me dashtë shtetin dhe me dashtë kombin por duke i respektuar edhe miqtë tradicional shqiptar me moton: “ Se shpia është e Zotit dhe e Mikut ” . Këto veprime dr.Rugova i realizoj në vepër. Ai duke u mishnue në veprën e Pjetër Bogdanit, arriti që ta njoh palcën ashtnore të kombit shqiptar. Kurse urrejtjen për komunizmin e mori që në fëmijëri ku ishte rritur jetim sepse komunistët në mesin e 47.300 shqiptarëve kishin vrarë edhe tre anëtar të familjes se ngushtë të Presidentit Rugova: babanë,gjyshin dhe një anëtar tjetër të familjes.Në këtë pikë politikanët e Dardanisë nuk mësuan asgjë! Ata më ndonjë përjashtim në vend që të forcojnë miqësinë e trashëguar shumica prej tyre e vazhduan kokëfortësinë e tyre me idetë Staliniste-Titiste dhe Enveriste se dy milion jem, që e hamë bukën për dyqind ,e kapim pushkën.

Dhe deri sa e këndonin këtë këngë popullata ju vdiste  uni në kampet e përqendrimit të Spaqit dhe Tepelenës dhe kampe të tjera. Kurse politikanëve të sotëm popullata nuk po ju vdes uni por po e braktisin vendin duke ikur në mërgim dhe duke e lanë Dardaninë pa rini. Dhe pikërisht kjo ideologji komuniste Shqipërinë e Mustafa Krujës prej 74 mijë kilometër katror e zvogëloj në 28 mijë kilometër katror

.

3.Krijoi unitetin ndërpartiak

Presidenti historik i Dardanisë në rrethana shumë të vështira ku shumë lehtë dhe për një fije kashte ka mundur të ndiët një luftë civile në Republikën e Dardanisë ai e krijoj unitetin ndërpartiak aq sa ishte i mundshëm në ato rrethana politike. Ai kur ishte çështja e bisedimeve me Serbinë pa hezituar fare e merrte edhe pozitën edhe opozitën dhe të gjithë së bashku e krijonin një strategji të përbashkët të bisedimeve në të mirë të Dardanisë. Nuk ishte i lehtë edhe në bisedime më ndërkombëtarët. Ishte shumë i prerë sidomos në mbrojtjen e Pavarsisë së Republikës së Dardanisë që e thoshte se është kompromisi më i madh që kemi bërë ne shqiptarët. Por politika e Amerikës dhe e Evropës e respektonin veprimin e tij politikë për faktin se e shihnin orientimin e tij të sinqertë evropian.Kurse politikanët post rugovian e thyen këtë traditë politike dhe secili që luftonte të vinte në pushtet vraponin me shku në Bruksel,Vjenë e vende të tjera madje pa u konsultuar në të shumtën e rasteve edhe me partinë e tyre e mos të flasim më të gjitha partitë shqiptare.

4.E luftoj neotomanizmin

Presidenti historik ishte i vetmi politikanë i Dardanisë që kurrë nuk ia shkeli pragun Turqisë. Ai në këtë pikë ishte shumë i vëndosur dhe nuk bënte kompromise. Kjartë dhe në mënyrë të prerë ju tha: Orientimi politikë i shqiptarëve është Amerika dhe Evropa e qytetnume. Ne jemi popull Evropian dhe nuk mundemi me u tjetërsu.Kurse në këtë pikë politikanët pas rugovian aq u përkulën para Erdoganit sa që pranuan çdo gjë në dëm të historisë, kulturës,ekonomisë, dhe politikës shqiptare. Ata dhe ato e treguan fytyrën e tyre të vërtetë. Nuk shikuan dhe nuk shikojnë se çka po ndodhë dhe si po tjetërsohet kombi shqiptarë në Dardani, por e mbështollën Dardaninë me pantollona të shkurtër, e shami zeza pa harruar edhe rininë që i bën mish për top në shkrepat e Sirisë, Afganistanit dhe vendëve të tjera të Tokës së Shamit. Si përfundim politikanët që sot e udhëheqin Dardaninë shumica prej tyre pas vdekjes se ish Presidentit historik Dr.Ibrahim Rugova më ndonjë përjashtim të vogël, Republikën e Dardanisë e kthyen në një Republikë komerciale ku shitën çdo gja.E shitën historinë tonë qindravjeçare duke e pranuarë neotomanizmin.E shëndrruan Republikën e Dardanisë në një republikë ku çdo gjë shitët e blehët. Shitët atdhetarizmi, shitet nderi, shitet besa, shitet burrnia. Pikërisht shumica e politikanëve të Republikës së Dardanisë pas vdekjes së presidentit historik dr.Ibrahim Rugova u shëndrruan në tregtarë flamujsh, pikërisht ashtu siç i përshkruante i madhi profesor Ernest Koliqi në veprën e tij“Tregtar Flamujsh“. Ja një shembull të shkurtë: “ Ka katër vite që bëj luftë politike më Komunën e Prizrenit dhe Ministrinë e Kulturës dhe ende ma mbajnë peng lejën për Muranën e Gjergj Kastriotit dhe një herë ma kanë refuzuar. Ta refuzosh Gjergj Kastriotin do të thotë që e ke refuzuar prejardhjën tënde kombëtare  e historike  dhe je mbetur nje neotoman i pavlere. Mos kofsha në lekurën e tyre!

Filed Under: Komente

Me gjuhën e shtetit i thanë Lasgush Poradecit të përkthejë librin e gjeometrisë

January 23, 2025 by s p

Skender Karaqica/

(Ngjashmëri jete të poetit të poezisë shqipe të natyrës dhe dashurisë, Lasgush Poradeci me shkrimtarin dhe studiuesin e letërsisë për fëmijë, Ymer Elshani, i masakruar me familje në masakrën e Paklekut(1999) në Drenicë.

Në botën e letërsisë shqipe, Lasgush Poradeci (1899-1987) mbetët një nga poetët më të mëdhenj të poezisë moderne shqipe, që me të drejtë e kanë radhitur në hapësirën e rrafsheve të poetëve të poezisë evropiane. Në koloninë shqiptare ishte në krah me Asdrenin dhe Mitursh Kuteli, që në ketë kohë ishte më i riu.

Me përkrahjen e Nolit, poeti mori bursën për të studiuar në Fakultetin Filologjisë në degën Romano-Gjermane dhe në vitin 1934 Lasgush Poradeci mori gradën shkencore të kohës: Doktor-Profesor. Në të gjitha studimet lidhur me jetën dhe krijimtarinë e poetit, është vënë në spikamë, emri dhe mbiemri i tij i sajuar nga emri i vërtetë (Lazër Satir Gusho):La+S+Gush =Lasgush e si mbiemër e vuri emrin e vendlindjes së tij (Poradeci).

I dhuroi letërsisë shqipe dhe Shqipërisë “Vallen e Yjeve” dhe “Yllin e Zemrës” ndërsa në kohën e regjimit komunist ishte përkthyes me normë, që, siç thuhet në kronikat e kohës e lanë të vdiste i deniguar e i poshtruar nga mendjemadhësia e burokracisë së bulevardit të shtetit.

Poeti Lasgush Poradeci, qysh në vlugun e hapava të rinisë, kërkonte që të kalonte në shkollën shqipe, që asokohe ishte hapur në Pogradec. Me të dëgjuar për dashurinë e zjarrtë për gjuhën dhe shkollën shqipe, dhaskali i veshur në të zeza dhe me kryqin në gjoks, e pati detyruar Lasgushin të ulej në gjunjë, përdhe, e i ra disa herë me thupër në kokë. Me këtë veprim dhaskali kishte për qëllim ti frikësonte fëmijët shqiptarë në Pogradec, që të heqin dorë nga shkolla në gjuhën e bukur e të lashtë të shqipes.

Poeti Lasgush Poradeci ishte i brymosur me kulturën dhe gjuhën gjermane, që, përmes dijes së tij ai bëri të flasin shqip poetët e letërsisë evropiane-botërore, si: Hajne, Majakovski, Gëte, Lanaut, Brehti,

Hygoi, Myse, Bajroni, Shell, Bernsi, Eminesku.

Në botën e krijimtarisë letrare, të dijes shkencore dhe të mjeshtrit të rrallë të përkthyesit, Lasgush Poradecin, shteti i kohës e pati lutur që, për nevojat e shkollës e të universitetit të përkthejë nga gjuha gjermane librin e gjeometrisë. Për këtë nismë të shtetit, poeti me buzë në gaz u është drejtuar, ashtu siç u ka hije poetëve, pushtetit me fjalët: :Po, unë nuk e di as tabelën e shumëzimit, e unë të përkthejë librin e gjeometrisë, si është e mundur? Poetët dhe fusha e dijes si studiues, përkthejnë letërsi dhe fshehtësitë e gjuhës, është thënë më të drejtë në kritikën e përbotshme letrare.

Po kështu, i pati ndodhur shkrimtarit për fëmijë e të rinj Ymer Elshani (1948-1999) në Drenicë. Në vitin 1981, masat represive antishqiptare dhe për shembjen e arsimit shqip në të gjitha rrafshet deri në tempullin e universitetit në Prishtinë, masat e diferencimit politik serbo-jugosllav, e patën lënë pa punë disa vjet dhe anatemimi i tij në fushën e letërsisë për fëmijë të shkrimtarit Ymer Elshani në Gllogofcin e kohës.

Në përkrahje të udhëheqjes së Ndërmarjes Teknologjike Feronikeli

në Gllogofc, shkrimtarin Ymer Elshani e punësojnë si përkthyes në këtë gjigant të tekologjisë e të përpunimit të nikelit i pari i këtij lloji në Kosovë dhe në Ballkan. Ndonëse, fusha e botës profesionale për shkrimtarin ishte letërsia dhe studimet për ketë krah të letërsisë shqipe, ai pati probleme rreth përkthimeve, në rrafshin e teknologjive të lindjes dhe të përendimit, që ishin vënë në përdorim në shkritorën e Ferronilelit në Gllogofc.

Në drejtorinë e Feronikelit, shkrimtari Ymer Elshani në ngjashmëri me përkthyesin me normë të Lasgush Poradecit në Tiranë, u tha shkurt e zëshëm: Unë po kam problem me përkthimet nga fusha e tekonologjisë në Feronikel. Kjo punë sipas tij ishte larg fushës së letërsisë që shkrimtari e kishte në dijen dhe opusin e tij si shkrimtar dhe studiues i letërsisë për fëmijë e të rinj në Kosovë. Ky është fati i shkrimtarëve në regjimet totalitare të kohës, ndonëse ata më së miri u bën opozitarët dhe ligjvënësit për pushtetet, thoshte poeti Shell në shkrimet e tij.

Filed Under: Komente

MARCO RUBIO – KRYEDIPLOMATI I RI I SHTETEVE TË BASHKUARA

January 23, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

Marco Rubio, (53-vjeç) ish-Senatori republikan nga shteti Florida, jo krejt i panjohur për lexuesit — një yll i ri i Partisë Republikane të Amerikës për më shumë se një dekadë tani, përflitej për do kohë se do emërohej në ndonjë detyrë të lartë në mandatin e dytë të Administratës së Presdentit Donald Trump, megjithse kishte ssfiduar Z. Trump në fushatën e përzgjedhjes së kandidatit republikan për president 

—Frank Shkreli: Senatori Republikan antikomunist Marco Rubio në krye të Diplomacisë Amerikane? | Gazeta Telegraf

—Frank Shkreli/ Një yll i ri i partisë Republikane në SHBA? | Gazeta Telegraf – 

Ashtu edhe ndodhi, parashikimet u bënë realitet. Dy muaj më parë, Presidenti i zgjedhur Donald Trump e emëroi ish-Senatorin Marco Rubio në detyrën e Sekretarit të Shtetit – në krye të diplomacisë amerikane për katër vitet e ardhëshëm. Të hënën, menjëherë, pas betimit të Donald Trump në mandatin e dytë presidencial në Shtëpinë e Bardhë, Dhoma e plotë e Senatit amerikan, me vota unanime (99-0) konfirmoi emërimin e Z. Rubio në krye të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), ndërsa ditën e të martë ai bëri betimin në detyrën e re para Zevendës-presidentit J. D. Vance, duke u bërë kështu anëtari i parë i kabinetit të Zotit Trump në administratën e tij të dytë.  Sekretari i Shtetit, i emëruar nga Presidenti dhe me miratimin e Senatit, është këshilltari kryesor i Presidentit për politikën e jashtme. Me ndihmën e 80-mijë diplomatëve dhe nëpunsve të tjerë të DASH — të vendosur në Washington dhe në ambasadat amerikane anë e mbanë botës — Sekretari i Shtetit zbaton vizionin e politikës së jashtme të Presidentit.  Si ë tillë, këtë vizion, Kryediplomati i ri amerikan, Zoti Marco Rubio e njoftoi, publikisht, para Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme, javën e kaluar  Opening Remarks by Secretary of State-designate Marco Rubio Before the Senate Foreign Relations Committee – United States Department of State,  angazhimin e tij për një politikë të jashtme të përqendruar tek interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duke folur në hollësi mbi sfidat kryesore të politikës së jashtme nga këpndveshtrimi I tij dhe administratës Trump, përfshirë kërcënimet nga Partia Komuniste Kineze, imigracioni në masë dhe konfliktet anë e mbanë botës, ndërsa paralajmëroi gjithashtu edhe për diktatorët në Moskë, Teheran e Phenian, që shkaktojnë destabilitet në botë.

Por, “Përfundimisht”, theksoi Z. Rubio, për administratën e Presidentit Trump, “përparësia numër një e Departamentit të Shtetit është interesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, duke shtuar se. “Udhëzimi që ai (Presidenti Trump) ka përcaktuar për politikën e jashtme, është i qartë”, nënvijoi ai para Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme. “Çdo dollar që shpenzojmë, çdo program që ne financojmë, çdo politikë që ne ndjekim, duhet të justifikohet duke iu përgjigjur këtyre tre pyetjeve:

A e bën Amerikën më të sigurt?

A e bën Amerikën më të fortë?

Dhe, a e bën Amerikën më të begatë?”

Z. Marco Rubio e zhdërvjelloi këtë ide disi më gjerësisht para Komisionit të Senatit të Punëve të Jashtme të mërkurën e kaluar:  “Të jesh i kujdesshëm në përpilimin e politikës së jashtme nuk do të thotë braktisje të vlerave tona. Por, s’do mend se ndërsa ne mbetemi kombi më i pasur dhe më i fuqishëm në botë, pasuria jonë nuk ka qenë kurrë e pakufizuar dhe forca jonë nuk ka qenë kurrë e pafund. Vendosja e interesit tonë thelbësor kombëtar, mbi të gjith tjerat, nuk është izolacionizëm; por është kuptimi i arsyeshëm se një politikë e jashtme e përqendruar në interesin tonë kombëtar nuk është ndonjë relikë e vjetëruar. Që nga shfaqja e shtetit-komb modern, mbi dy shekuj më parë, vendet kanë vepruar bazuar në atë që ata e perceptojnë si interesin e tyre kryesor kombëtar – kjo ka qenë normë, jo përjashtim. Dhe për vendin tonë, vendosja e interesit të Amerikës dhe e amerikanëve, mbi gjithçka tjetër, nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme apo më e nevojshme se sa është sot. Sepse në fund të fundit, si mundet Amerika të promovojë sot kauzën e paqës në botë, nëqoftse nuk është vet e sigurt brenda kufijve të saj? Çfarë dobie ka Amerika për aleatët tanë nëse nuk është e fortë, për veten? Dhe si mund t’i japë fund Amerika vuajtjeve të fëmijëve të Zotit, anembanë botës, nëse, së pari, nuk është e begatë këtu ku jetojmë, në vendin tonë?”, theksoi ndër të tjera Marco Rubio, para Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme.

Gjënë e parë që ai bëri ditën e martë, Sekretari i Shteteit Marco Rubio vajti në ndërtesën e Departamentit Amerikan të Shtetit për tu prezantuar dhe për të shprehur mirënjohjen për diplomatët amerikanë që shërbejnë në Washington dhe

anë e mbanë botës. Sekretari Rubio paralajmëroi, me atë rast se, po, “do ketë ndryshime por, ndryshimet nuk kanë për qëllim të dëmtojnë njeri, as të ndëshkohet ndokush”.

Gjatë seancës së miratimit në detyrën e tij të re, të mërkurën e kaluar, para Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme dhe në fjalimin që mbajti në Departamentin Amerikan të Shtetit në Washington, Sekretari Rubio, i lindur në Amerikë, por me prindër nga Kuba – foli për familjen e tij dhe prindërit e tij të arratisur nga Kuba në vitin 1956, të cilët, sipas tij, erdhën në këtë vend pa asgjë, por vetëm me një ëndërrë, për një jetë më të mirë, tha Z. Rubio. Kjo ditë, shtoi ai, më kujton se ishin, prindërit e mi, të cilët nuk janë më me ne, ata të cilët përgatitën rrugën që më solli mua këtu ku jam sot. Falë atyre, nenvijoi ai, “unë kam pasur privilegjin që të kem lindur në vendin më të madhërishëm në historinë e botës”. Përveç mirënjohjes për prindërit dhe familjen e tij, Sekretari i ri i Shtetit – ndryshe nga shumë para-ardhës tij tij –në prak të fillimit të detyrës së re në krye të diplomacisë amerikane — falënderoi të Madhin Zot për bekimet që i ka akorduar atij në jetën e vet.

“Besimi im është kritik dhe është diçka në të cilën do të mbështetem dhe do të mbështetem shumë në muajt në vijim. Në një botë të trazuar – ne jemi thirrur të promovojmë kauzën e paqes dhe të mirën e përbashkët. Kjo detyrë është bërë më e vështirë se kurrë”. Si përfundim, vazhdoi Sekretari i Shtetit Rubio, “Unë do të mbështetem shumë në besimin tim dhe do të lutem për bekimet e Zotit, që ai të më japë forcën, mençurinë dhe guximin për të bërë atë që është e drejtë, në këto momente të vështira”, është shprehur Z. Rubio.

Në fjalimin e tij para Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme, Z. Rubio vlerësoi se, me fundin e luftës së ftohët dhe me triumfin e demokracive perendimore mbi komunizmim, në Amerikë u krijua njëfarë konsensusi politik nga të dy partitë kryesore se, “Tani kishim arrijtur në fund të historisë”, siç u shpreh ai. “Se të gjitha kombet e botës tani do të bëheshin anëtarë të demokracisë të udhëhequr nga vendet perëndimore demokratrike. Se një politikë e jashtme që i shërbente interesit kombëtar, tani mund të zëvendësohej me një politikë që do t’i shërbente rendit të ri liberal botëror. Me besimin se i gjithë njerëzimi tani ishte i destinuar të braktiste sovranitetin dhe identitetin kombëtar dhe në vend të kësaj do të krijohej një familje e madhe njerëzore dhe të gjithë do bëheshin qytetarë të botës. Kjo nuk ishte, thjesht, një fantazi. Tani ne e dimë se ishte një mashtrim i rrezikshëm”, ka thenë Z. Marco Rubio në dëshminë e tij para Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme, të mërkurën që kaloi, duke shpjeguar përparësitë e politikës së jashtme të administratës së Presidentit Trump.

Ndërkaq, Z. Rubio paralajmëroi mbi “krizën historike të migracionit” në masë, jo vetëm në Amerikë por anë e mbanë botës, që sipas tij, është një krizë që po kërcënon të destabilizojë shoqëritë dhe qeveritë e ndryshme në botë. Ndërkohë, që sipas tij, anë e mbanë botës perëndimore, “qeveritë tani censurojnë e madje ndjekin penalisht kundërshtarët e mbrendshëm politikë”, është shprehur Rubio.

Prandaj, “8 dekada më vonë, neve na kërkohet edhe njëherë që të krijojmë një botë të lirë nga kaosi aktual në botë, ndonëse kjo nuk do të jetë e lehtë. Një gjë e tillë do jetë e pamundur pa një Amerikë që beson në vetvete dhe që angazhohet në botë, duke vendosur, edhe njëherë, interesat tona themelore kombëtare, mbi çdo gjë tjetër”, theksoi Rubio, duke u mbështetur edhe në mandatin e dhenë administratës Trump nga zgjedhsit amerikanë:  “Ata duan një Amerikë të fortë – një Amerikë të fortë dhe të angazhuar me botën, një Amerikë me një objektiv të qartë për të promovuar paqën në botë dhe sigurinë e begatinë në vendin tonë, Amerikën… Një premtim i dhenë, një premtim i mbajtur që do jetë thelbi i misionit të Departamentit Amerikan të Shtetit”, ka thenë Z Rubio në fund të dëshmisë së tij para antarëve të Komisionit të Senatit që merret me Punët e Jashtme të Amerikës.

Duke reflektuar mbi fjalët e Sekretarit të ri të Shtetit, Z. Marco Rubio, drejtuar Senatit, punonjësve dhe diplomatëve amerikanë në Washington dhe anë e mbanë botës, është e pamundur të heq nga mendja aktualitetin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane në përgjithsi dhe ato midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, në veçanti.  Sa i përket marrëdhënieve Tiranë-Washington, nuk e di se ç’të them, në këtë ndërrim të administratave në Washington. Nuk besoj se e ekzagjeroj kur them se ato vazhdojnë të jenë në nivelin më të ulët në këto tri dekada, ndoshta me përjashtim të vitit 1997. Frank Shkreli: Thikë m’u në zemër të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane!     | Gazeta Telegraf  Më duket si një ftohje e shëmtuar në marrëdhëniet midis dy vendeve tona — një pauzë e pashpjegueshme në marrëdhëniet dy-palëshe! Për mua, dikush ka vepruar sistematikisht dhe në mënyrë djallëzore që të sillnin marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në këtë pikë dëshpërimi, pas aq shumë përpjekjesh për t’i vendosur ato në nivelin që duhej dhe që meritonin, historikisht. Kush dhe pse?! Keqëbërsit, kurrë mos bëfshin hajër!  Në pikën më të ulët ku janë sot – duke e goditur rëndë gjënë më të mirë, për shumë shqiptarë kudo në botë – rivendosjen e marrdhënieve të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës 35-vjet më parë – pas pothuaj një gjysëm shekulli komunizëm.  Sidoqoftë, presim dhe shpresojmë që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të nxirren nga absurditeti aktual dhe të sillen në normalitetin diplomatik, ashtu siç u ka hije dy kombeve, historikisht, mike. 

Fjalët e Sekretarit të Shtetit mbi vizionin e politikës së jashtme të administratës së Presidentit Trump janë të qarta. Se si dhe nëse ai vizion do mund të shëndërrohet në një realitet më të mirë për Shtetet e Bashkuara, për marrëdhënie më të mira midis Shqipërisë dhe Amerikës-Kosovës dhe Amerikës dhe për një Amerikë më të fortë, më të sigurt, apo më të begatë dhe për një botë në paqe – atëherë kjo mbetet për tu parë, në muajt dhe vitet e ardhëshme.

Zoti e bekoftë Amerikën dhe Kombin shqiptar në këtë kohë të vështirë!

Image

Presidentja e Republikës së Kosovës ishte ndër udhëheqsit e parë ndërkombëtarë që, në emër të popullit të Kosovës, dërgoi urimet e saj Sekretarit të ri të Shtetit (DASH), Z. Marco Rubio për detyrën e re në krye të diplomacisë amerikane. “Kosova pret me padurim të bashkpunojë me ju për fuqizimin e alancës tonë të fortë dhe për promovimin e vlerave tona të përbashkëta, përball sfidave të kohës në të cilën jetojmë”, shkruan e para e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në urimin e saj drejtuar Sekretarit amerikan të Shtetit me rastin e fillimit të punës në krye të diplomacisë amerikane në administratën e Presidentit Donald Trump. *Foto nga një takim i para disa muajve i Presidentes së Kosovës me Senatorin Marco Rubio në zyrën e tij në Kongres.

Filed Under: Politike

Avokat Elton Laska vizitoi Vatrën

January 23, 2025 by s p

Avokat Elton Laska vizitoi Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ai u prit nga sekretari Dr. Pashko Camaj, anëtari i kryesisë Ilir Cubi, vatrani Bashkim Shehu dhe një grup atdhetarësh nga New York. Temë kryesore e diskutimit ishte pjesëmarrja e diasporës në zgjedhje dhe situata politike, ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri. Dr. Camaj në fjalën e tij u shpreh se vota e qytetarëve është garanci dhe siguri për demokracinë funksionale dhe institucionet e qëndrueshme. Avokat Elton Laska, bashkëthemelues dhe Sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes politike “Shqipëria Bëhet” vlerësoi punën e Federatës Vatra në çështjen kombëtare si një nga shtyllat kryesore të atdhëtarizmës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në të mirë të komunitetit shqiptar në Amerikë, të e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Av. Laska apeloi për shqiptarët e Amerikës që të jenë aktiv në procesin historik të pjesëmarrjes së diasporës në zgjedhje duke ndikuar drejtpërdrejtë në demokratizimin e jetës politike në Shqipëri. Aktivisti Laska vuri theksin te domosdoshmëria e rrëzimit të kësaj klase politike e cila e ka sunduar Shqipërinë në këto 34 vite duke detyruar shqiptarët që ta braktisin vëndin e tyre më shumë se asnjë komb tjetër në Europë në këto dekada.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT