• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2025

KRYETARI I VATRËS DR. ELMI BERISHA DO TË MARRË PJESË NË INAUGURIMIN E PRESIDENTIT TË SHBA DONALD TRUMP

January 19, 2025 by s p

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra Dr. Elmi Berisha do të jetë pjesëmarrës në ceremoninë zyrtare të inaugurimit të Presidentit të 47-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump.

Dr. Berisha ka udhëtuar së bashku me shqiptaro-amerikanin e madh, kontributorin e shquar të çështjes kombëtare në Amerikë Jim Xhema.

Ata do u bashkohen personaliteteve botërore të ftuar në këtë ceremoni të veçantë nderimi ku sytë e gjithë botës nesër janë në Uashington.

MESAZHI I URIMIT NGA VATRA PËR PRESIDENTIN DONALD TRUMP

Në emër të Federatës Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra, të të gjithë vatranëve, të shqiptaro-amerikanëve dhe të familjes sime, shpreh urimet më të përzemërta për Donald Trump dhe JD Vance për zgjedhjen e tyre si President dhe Zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Federata Vatra do të jetë një bashkëpunëtore e shkëlqyer, një aleate besnike e Shtëpisë së Bardhë dhe mbështetëse e palëkundur e administratës së Shteteve të Bashkuara e institucioneve amerikane për të mirën e qytetarëve të Amerikës, të kombit amerikan e kombit shqiptar.

Vatra vlerëson e falenderon SHBA-në dhe shpreh mirënjohje të përjetshme për gjithçka që i ka dhënë kombit shqiptar.

Zoti e bekoftë Amerikën

Zoti e bekoftë kombin shqiptar.

Me respekt

Kryetari i Vatrës

Dr. Elmi Berisha

Filed Under: Analiza, Opinion

U hap shkolla e parë shqipe “Alba Life” në Albany në kryeqytetin e Nju Jorkut

January 19, 2025 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Ditë historike në Albany, në kryqytetin e Nju Jorkut.

Edhe në Albany jeton një komunitet i madh Shqiptaro Amerikan që deri tani duket sikur ka qenë i “pazbuluar” për publikun si në Diasporë dhe në Mëmëdhe. Dhe ja erdhi dita e dielltë që ky zbulim dhe lidhje vëllazërore të bëhet në kuptimin figurativ nga Alba Life e konkretisht nëpërmjet Gjuhës Shqipe që është dhe identiteti ynë kombëtar. Duke qenë kaq pranë tyre fizikisht dhe me abetare në dorë në mendje më vinte thënia e një prej autorëve të Abetares së parë shqipe sipas alfabetit të Manastirit dhe e himnit të tij, e para femër shqiptare autore e një projekti arsimor, Mësueses së Popullit, Parashqevi Qiriazi.

Ajo ka thënë dhe po e sjellë në ligjëratë të drejtë si: “Arësimi e mpron Lirinë më mirë se sa një ushtëri”.

Per herë të parë në historinë e Diasporës Shqiptaro Amerikane në Albany hapet një shkollë e parë shqipe nga Alba Life Ambasador i Kombit, rrjeti më i madh i shkollave Shqipe në Diasporë.

Ishte krenari e ligjshme të shikoje prindërit, gjyshërit, mësuesit dhe nxënësit të mbushnin korridorin dhe të drejtoheshin në auditorium aty ku do të zhvillohej ceremonia e hapjes së Shkollës së Parë Shqipe në Albany. Ja një prej gjysheve të nxënësve të shumtë pasi më puthi duart më thotë: “Mësuese, kije kujdes nipin tim, dua të mësoj të flas shqip, unë kam një muaj që kam ardhur këtu, por vetëm me shenja komunikojmë më së shumti. E dua pafund nipin tim, por dua t’ja shpreh në shqip këtë dashuri, vazhdoi gjyshja me lot në sy”.

Unë bisedova me shumë prindër të tjerë dhe pjesëmarrës, ku me emocion më takoi dhe mësuese Elvira e cila e ka ushtruar profesionin e saj në Atdhe dhe na uroi me zemër për ta vazhduar përgjithmonë këtë Mision Kombëtar.

Kryeqyteti I Nju Jorkut na ka dhënë një ndjesi mikpritjeje të jashtëzakonshme, kemi qenë disa herë deri të ftuar në Parlament dhe në Senatin e shtetit të Nju Jorkut. Para se të fillonte ceremonia z. Qemal Zylo u mirëprit duke i uruar mirëseardhjen nga Drejtori i Shkollës Amerikane Sand Creek Middle School, Dr. Michael Marohn in Albany NY, ku do te zhvillojë mesimin Shqip Alba Life. E lum kush lë këtë gjurmë të shndritshme mirëseardhjeje me fjalë dhe me vepra si në rastin në fjalë.

Ceremonia e hapjes së dites së parë, 17 Janar, 2025

Në auditoriumin e Shkollës publike amerikane Sand Creek Middle School u mbajt ceremonia zyrtare e hapjes së Shkollës së parë Shqipe.

Para hyrjes dy tavolina kuq e zi ndriconin mjedisin ku mësueset, koordinatore Era Shkembi Çorbaxhi, mësuese Edvina Belishta dhe asistentet Lusiana Bardhi, Breana Bardhollari mirëprisnin prindërit dhe nxënësit të cilëve iu vendosnin nga një kapele në kokë me fjalët shqip Një tavolinë tjetër mbante mbi 40 çanta kuq e zi me ushqime bio shqiptare dhuratë për mësueset dhe nxënësit e regjistruar nga sipërmarrësi i suksesshëm Adrian Golemi i cili kishte udhëtuar që nga Bronxi per ta përshëndetur këtë nismë tejet atdhetare-patriotike duke dhuruar me gjenerozitet në shenjë simbolike dhe respekti Shkollën Shqipe.

Ceremonia u moderua nga Kozeta Zylo dhe Laura Leka, nxenese brilante e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Staten Island e cila së bashku me nënën e vet Denisa Leka një suportuese e madhe e Alba Life udhëtuan nga Nju Jorku për të ardhur në Albany.

Ceremonia u hap me urimin e madh: Ju faleminderit të dashur bashkatdhetarë, prindër dhe ju nxënës të Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasadori i Kombit që do të uleni për herë të parë në bangat e shkollës në Albany në kryeqytetin e Nju Jorkut, një ndër metropolitanet më të mëdha në botë. Kur e filluam këtë nismë këtu në Albany rruga nuk ka qenë e shtruar në dafina, por me përpjekje të mëdha, durim, vullnet, inteligjencë, sacrificë arritëm që të vinim deri këtu në këtë ditë historike për Diasporën Shqiptaro Amerikane pasi për herë të parë hapet një shkollë e re shqipe në Albany. Kjo ka qenë një endërr e kahershme e Themeluesit të TV Dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” vizionarit Qemal Zylo, i cili duke sjellë përvojën e madhe midis dy kontinenteve si Shef Katedre dhe professor I lëndëve inxhinierike në Akademinë Ushtarake “Skenderbej” në Tiranë si dhe pedagog i lëndëve kompjuterike në kolegj në Manhattan e solli përvojën në mënyrë ekselente. Më duhet të falënderojmë publikisht dy bashkëpunëtorët e parë dhe fort të ngushtë që në fillimet e nismës si Era Shkembi Corbaxhi sëbashku me bashkëshortin e saj patriot Gerti Çorbaxhi dhe vazhduan të punojmë me korrektësi. Duke mos i takuar fizikisht vetëm në Google Meet në fillim që në takimin e parë ne lidhëm besa besëqë të mos i iknim programit duke iu referuar porosisisë së Kryeheroit, Skënderbeut që aq shumë jua mësojmë nxnësësve në shkolla. Natyrisht këtë besë ja kemi kërkuar përjetësisht dhe do të jetë përherë, sepse ne kemi model Motrat Qiriazi, kemi model shkollën e parë shqipe në Korçë, Korcën tuaj dhe Korçën tonë dhe Korçën e Kombit. Ne do te punojme siç thote Gjerasim Qiriazi:

“Do punoj për mëmëdhenë ,

Gjithë jetën sa të rronj,

Do të zgjonj dhe ata që flenë,

Kështu jetën do mbaronj”.

Një çift tjetër që dua të falënderoj nga thellësia e shpirtit është mësuese Edvina Belishta së bashku me bashkëshortin e saj atdhetar Bedion Belishta të cilët iu bashkuan Misionit tonë Kombëtar. Ata qëndruan pranë nesh me hallet, punët, përpjekjet ku të dyja me koordinatore Erën bashkëpunuan fort për të arritur në këtë ditë të madhe.

Moderatorja ftoi të gjithë pjesëmarrësit të çoheshin në kembë për të interpretuar Himnet Kombëtare të Amerikës dhe të Shqipërisë.

Nga fjala e Themeluesit dhe Drejtorit të Shkollave Shqipe z. Qemal Zylo

Z. Qemal Zylo themelues dhe drejtues i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” në gjithë Nju Jorkun dhe në Online, i cili mban titullin e lartë Kombëtar “Kalorës I Urdhrit të Flamurit” dhënë nga Presidenca e Shqipërisë përshëndeti të gjithë të pranishmit. Ai tha:

Në emër të Bordit të TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit më lejoni t’ju falënderoj për pjesëmarrjen sot në këtë Ceremoni të hapjes së Shkollës së parë Shqipe këtu në kryeqytetin e Shtetit të NY-ut, që është një Degë e Re e rrjetit të Shkollave Shqipe ‘Alba Life” që funksionojne prej 18 vitesh në të gjithë NY-un dhe në Online po ashtu.

Le të mirëpresim në fillim anëtarin e Asnamblesë z. Phil Steck që përfaqëson Distriktin Shkollor të Kolonisë Jugore këtu në Albany.

Dua të falënderoj Drejtorin Legjislativ Z. Justin Devendorf që përfaqëson anëtarin e Asamblesë John Zaccaro Jr.

Dua të falënderoj znj. Samantha Moore të Distriktit Shkollor të Kolonisë Jugore që na ndihmuan shumë për miratimin e lejeve në shkollë. Falënderoj biznesmenin e suksesshëm e mikun e TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” z. Adrian Golemi, që ka ardhur të marrë pjesë në këtë ceremony e t’ju dhurojë të gjithë fëmijëve dhe mësuesëve nga një pako në shenjë urimi e falënderimi për hapjen e Shkollës Shqipe “Alba Life” këtu në Albany.

Falënderoj koordinatoren dhe mësuesen znj. Era Çorbaxhi dhe bashkëshortin e saj z. Algert Çorbaxhi për përkushtimin e koordinimin e punëve të shumta për hapjen e kësaj shkolle.

Falënderoj mësuesen Edvina Belishta për gadishmerine për t’ju bashkuar stafit në misionin tone dhe punën përgatitore që ka bërë po ashtu.

Falënderoj kameramanin e AlbaPro z. Shug Dule që na ka ndihmuar kohët e fundit për eventet e Shkollave Shqipe “Alba Life”.

Falënderoj po ashtu znj. Kela Papa që erdhi në takimin e parë që patëm me stafin e disa prindër në muajin Dhjetor dhe u tregua e gatshme të bashkëpunojë ku shpresoj të na sjelli nxënës të rinj.

Falënderoj të gjithë prindërit një për një që janë këtu në sallë dhe që na kanë përkrahur e mbështetur duke regjistruar fëmijët e tyre dhe që do të fillojnë sot mësimin.

Pa dashur të zgjatem në historinë 18 vjeçare të rrjetit të shkollave shqipe “Alba Life” desha të theksoj se para 18 vitesh ne filluam me 6 nxënës në Fidanishten e Shkollave në Staten Island dhe vazhdoi duke u shtrirë në të gjithë NY-n. Vlen të theksoj se në Shkollat “Alba Life” kanë mësuar gjuhën shqipe me mijëra nxënës. Disa prej tyre kanë mbaruar studimet e larta apo i vazhdojnë ato dhe kurrë nuk e kanë harruar shkollën “Alba Life” që u ka mësuar për herë të parë ABC-në e gjuhës sonë të bukur shqipe.

Shkolla “Alba Life” ka funksionuar çdo fundjavë pa ndërprerje si program pas-shkollor, ndersa në kohën e pandemisë të Covid 19, Shkolla “Alba life” ishte e para shkollë në Diasporë, që filloi mësimet në Online dhe përgatiti e trainoi Këshillin e Arsimtarëve të Diasporës dhe mjaft mësues të tjerë për mësimin e gjuhës shqipe në Online. Në kohën e pandemisë numri i nxënësve u rrit në mënyrë të konsiderueshme dhe shkollës tone iu bashkuan mjaftenxënës nga Amerika e Europa ku shkollat e tyre u mbyllën në kohën e pandemisë. Na kërkuan dhe mbuluam nevojat e shkollave shqipe në Halifax të Kanadasë e të Shkollës në Chikago, pasi edhe u mbyllën gjatë kohës së pandemisë.

Shkollat Shqipe “Alba Life” udhëhiqen nga Rilindasit e mëdhenj se ashtu siç ka thënë Sami Frashëri: viktimat e gjuhës janë më të shumte se viktimat e shpatës.

Shkolla Shqipe “Alba Life” është laureuar me Titullin e lartë Ambasador i Kombit nga Shteti Shqiptar dhe me dy rezoluta të veçanta nga Shteti I NY-ut po ashtu, që janë vlerësim shumë i lartë jo vetëm për ne, por gjithë Kombin Shqiptar sepse Gjuha Shqipe është identiteti i Kombit Shqiptar.

Nuk dua të zgjatem në prezantimin e punës së stafit të Shkollave “Alba life” gjatë këtyre 18 viteve, pasi flasin vetë vlerësimet e prindërve dhe rezultatet e mijëra studentëve që ka nxjerrë ky rrjet me i madh i shkollave tona shqipe, por dua të theksoj se hapja e Degës së Shkollës Shqipe “Alba Life” në Albany me gati 40 nxënës do të jetë një qendër tjetër e re institucionale e mësimit të Gjuhës Shqipe dhe kulturës shqiptare, por edhe një institucion që do të ndihmojë në organizimin e bashkimin e komunitetit shqiptar.

Duke përfunduar i uroj fillim të mbarë Shkollës Shqipe “Alba life” në Albany dhe suksese të gjithë nxënësve dhe mësueseve Eranda Çorbaxhi e Edvina Belishta që iu bashkuan këtij Misioni Kombëtar!

Me shumë respekt dhe duartrokitje u mirëprit anëtari i Ansamblesë në Parlamentin e Nju Jorkut z.Phil Steck që përfaqëson Distriktin Shkollor të Kolonisë Jugore këtu në Albany. Z. Phil Steck uroi themeluesit, mësueset dhe nxënesit për një fillim të mbarë të punës. Ai frymëzoi me fjalët e tij që ta vazhdojmë këtë Mision sepse rrënjet tuaja nuk duhet t’i harroni kurrë.

Të nderuar ishim te kishim midis nesh superitendtin e gjithë shkollave të South Colony School District Dr. David Perry. Me një dashamirësi të madhe dhe krenari uroi të gjithë pjesëmarrësit për këtë nismë të mrekullueshme dhe për hapjen e shkollës së parë shqipe. Duke qenë këtu pranë jush dhe duke dëgjuar për hapjen e kësaj Shkolle Shqip, une do të mësoj më shumë për kulturën shqiptare, historinë, traditat që ju do t’i mbani gjallë dhe këtu në Albany.

Në këtë ceremony të ditës së parë nderonte me pjesëmarrjen e tij Z. Justin Devenddorf i cili është drejtor legjislativ në kabinetin e ansambleistit John Zaccaro Jr. dhe që përfaqëson rrethin tonë në Bronx NY, i cili punoi shumë që Rezoluta Legjislative për Shkollën Shqipe “Alba Life” të diskutohet dhe të miratohet nga Ansambleja dhe Senati i NYS. Z. Devenddorf nje politikan me plot kulturë, dashamirësi duke i njohur mirë shkollat Shqipe “Alba Life” përfaqësuesit, mësuesit dhe nxënësit të cilët i ka takuar në Parlament dhe në Senat foli me fjalë miradie për këtë punë kolosale që ka bërë Alba Life dhe afroi mbështetjen e plotë për t’i çuar akoma më përpara.

Nxenesija Laura Leka intepretoi poezinë “Mësuesi” shkruar nga shkrimtarja K.Z. si:

Si zogj mblidhemi rreth shkollës shqipe/ Luajmë dhe qeshim të gjithë bashkë/ Shqip ne flasim në çdo orë mësimi/ Bëhemi kurorë e një miqësie të artë. Unë jam Laura nga Nju Jorku/ Oh sa e dua GJUHEN SHQIPE/ Dhe Shkollën e famshme “Alba Life”/ Që janë foleza të zemrës sime.

Sytë e tyre shkrepin zjarr/ Kur ABC-në ne mësojmë/ Në Amerikë ndizet një far/ Si Hënë e plotë ne ndriçojmë.

Koordinatorja dhe mësuesja e Shkollës Era Shkembi Çorbaxhi përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe premtoi se do të punojë fort që kjo shkollë te eci mbarë dhe të vazhdojë rregullisht mësimin. Mësuese Era falënderoi themeluesit e kësaj shkolle z. Zylo dhe ndihej krenare që i ishte bashkuar Misionit Kombëtar.

Mësuese Edvina Belishta me një përvojë të pasur nga Mëmëdheu ynë foli me emocion që do ta rivazhdonte këtë profesion dhe në Albany. Ajo tha se është një ditë e bukur për mua dhe ndihej e privilegjuar dhe e nderuar që ishte pranuar nga çifti Zylo gjatë intervistës që ajo kishte dhënë enkas për këtë Mision.

Sipermarrësi i suksesshëm z.Adrian Golemi Themelues dhe Drejtor Menaxhues në Alb-Usa Enterprises Inc. falënderoi të gjithë nxënësit, prindërit, mësuesit, themeluesit të cilët hapën këtë shkollë kaq të munguar për këtë komunitet të madh në Albany.

Ai u përshëndet me duartrokitje dhe ishte frymëzues për fjalën e tij.

Mësuese Kozeta Zylo duke mbyllur ceremoninë ftoi me tringëllimen e ziles në dorë të gjithë nxënësit dhe mesuesit të shkonin nëpër klasa dhe të fillonin mësimin Shqip.

Klasat komode dhe të mbushura plot me gati 40 nxënës të regjistruar ndrinin nga kjo ditë e bukur, e bekuar dhe ndriçuese. Mësueset iu uruan mirëseardhjen nxënësve dhe ata të gëzuar vazhdonin udhëzimet sipas mësuese Erës dhe Edvinës. Ja më thotë mësuese Era të lutem dua një foto me këtë nxënësen që më ka sjellë buqetën me lule, se unë në këtë profesion e marr për herë të parë dhe nuk do ta harroj kurrë. Mësuese Era ka mbaruar Filologjikun për gazetari dhe histori, por si e re që ishte emigroi në Albany dhe nuk arriti ta ushtronte atje, por ndihej e privilegjuar që u pranua nga Bordi i Alba Life dhe u vlerësua siç e meritonte.

Disa amerikanë që kujdeseshin për shkollën, na përshëndetën me fjalë miradie dhe ngelën të befasuar dhe të mrekulluar që po dëgjonin për herë të parë shqip në këtë shkollë.

Një prind shembullor si Arjana Delia pas ditës së parë më shkruajti si: “Kur e pyeta djalin e madh se çfarë kishte mësuar në Shkollën Shqipe ditën e parë? Ai ishte përgjigjur: Mami gjëja e veçantë që më ndodhi ishte se unë kam shkruajtur për herë të parë shqip”! Kjo më lumturoi pamasë shkruan mami Arjana se djali ishte tejet krenar për hapjen e kësaj shkolle. Ajo ua kishte dërguar gjyshërve çfarë kishte shkruajtur djali dhe ata ishin gëzuar e lumturuar.

Nxënësit dhe prindërit u shpërndanë të gëzuar dhe të lumtur dhe natyrisht mezi e presin të premten tjetër për të ardhur nëpër klasa dhe për të mësuar Shqip. Ishte një ditë e bukur, ndriçuese, e paharrueshme, historike, pasi për herë të parë u hap Shkolla e parë Shqipe “Alba Life” në Albany në kryeqytetin e Nju Jorkut.

Punë të mbarë Shkolla e parë Shqipe “Alba Life” në Albany!

Bashkohuni me ne në këtë Mision Kombëtar!

Mos e harroni Gjuhen Shqipe! Ajo është identiteti ynë kombëtar kudo që të jemi!

Mos ta harrojme kurre historinë shqiptare, pasi dhe rrënjët e një peme nuk shihen, por ato rrenje e mbajnë fort në tokë.

Autorja e shkrimit është shkrimtare, autore e tetë librave, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në gjithë New York-un dhe në Albany si dhe ka marrë titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

17 JANAR 2025

Albany, New York

Filed Under: Reportazh

Anti-federalistët dhe roli i tyre në hartimin e Kushtetutës së SHBA

January 19, 2025 by s p

Dr. Ernest Nasto

Studiues i politikës amerikane, n/kryetar i Vatra Chicago/

Kushtetuta amerikane, e miratuar para më se 235 vitesh, është një nga dokumentet themeltare më të mirënjohura të botës e njëkohësisht më e vjetra ende në veprim. Ajo ka gëzuar vazhdimisht një respekt të thellë anembanë vendit, duke qenë, sëbashku me flamurin, një simbol e mishërim i fuqishëm i përkatësisë kombëtare, sidomos me qendrueshmërinë e saj. Ajo ka frymëzuar gjithashtu edhe një sërë kushtetutash të tjera në të gjitha kontinentet.

Suksesi i debatit publik në vitet 1787-1788 dhe arritja në një dokument të tillë unik (origjinali kishte vetëm 7 nene) ka bërë të lihen shpesh në harresë disa aspekte asokohe thelbësore të atij debati, dhe rëndësia e tyre në formësimin dhe konsolidimin e republikës amerikane.

Gjatë periudhës revolucionare, nga shpallja e pavarësisë më 1776, Shtetet e Bashkuara ishin mbështetur tek një kuadër i përkohshëm kushtetues, i njohur si Nenet e Konfederatës (Articles of Confederation). Të metat e tij ishin kritikuar në vazhdimësi, dhe në ato pak vite që nga fundi i revolucionit më 1783 ishte bërë e qartë se ai ishte krejt i pamjaftueshëm për qeverisjen e republikës së re.

Për këtë arsye në verën e vitit 1787 u mblodh në Philadelphia një konventë kushtetuese ku të 55 delegatët e pranishëm vendosën në parim që dokumenti egzistues të mos rishikohej apo ndryshohej, por të shfuqizohej tërësisht për t’u zëvendësuar nga një kushtetutë e re.

Sipas Neneve në fjalë Shtetet e Bashkuara konceptoheshin si konfederatë ku sovraniteti u takonte në rradhë të parë shteteve anëtare, dhe qeveria qendrore kishte pushtet të kufizuar. Kongresi përbëhej prej vetëm një dhome, ku secili shtet kishte një votë, pavarësisht nga numri i popullsisë. Ndërkaq projekti i Philadelphia-s, me një ndryshim rrënjësor, krijonte një qeveri qendrore të fortë, me sovranitet primar ndaj atij të shteteve. Rëndësia e këtij ndryshimi ilustrohet më së miri edhe nga fakti se druajtja ndaj përmbysjeve të tilla kish bërë që njeri prej 13 shteteve, Rhode Island, të refuzonte deri edhe pjesëmarrjen në konventë, e po ashtu që disa delegatë të braktisnin punimet.

Një çështje madhore dhe fort e diskutuar ishte pikërisht marrëdhënia e lartpërmendur ndërmjet qeverive të shteteve e asaj qendrore. Mes debateve për rolin e madh të kësaj të fundit, në projekt u përfshinë disa mekanizma të reja kufizuese si ndarja e pushteteve në 3 degë të pavarura që kontrollonin njera-tjetrën, apo përfaqësimi proporcional në dhomën e ulët, ku anëtarët do të zgjidheshin sipas popullsisë së çdo shteti. Megjithatë mjaft delegatë i konsideruan ato të pamjaftueshme, prandaj G. Mason, delegat i Virginia-s, propozoi të shtohej një “kartë të drejtash” që s’mund të shkeleshin nga administrata federale. Një kartë e tillë sipas tij “do t’i qetësonte qytetarët”, por kjo ide s’arriti të miratohej.

Pas mbarimit të punimeve, projekt-kushtetuta e nënshkruar prej 39 delegatësh, nga 42 të pranishëm, u dërgua për miratim në legjislaturat e 13 shteteve të atëhershme, me kushtin që do të nevojitej vota e të paktën 9 syresh për hyrjen në fuqi. Mirëpo miratimi s’ishte aspak i sigurt apo i afërmendshëm duke pasur parasysh diskutimet e pasionuara gjatë konventës.

Ashtu siç pritej, debati publik filloi pothuaj menjëherë, me një artikull të botuar në fund të shtatorit 1787 me pseudonimin Cato, sipas zakonit të kohës. Autori, i cili më vonë rezultoi të ishte governatori i New York, G. Clinton, u bënte thirrje qytetarëve ta shihnin me dyshim e ta shqyrtonin me kujdes dokumentin, sepse “edhe më të mirët e më të mënçurit gabojnë, dhe ato gabime, nëse s’ndreqen janë fatale për komunitetin”.

Përkrahësit e miratimit u përpoqën t’i minimizojnë ndryshimet nga kuadri egzistues, duke theksuar se projekti i kishte zgjidhur problemet e ngritura në Philadelphia. Ata ishin në fakt një lëvizje më e organizuar, me figura kryesore etërit themelues G. Washington, A. Hamilton, J. Jay dhe J. Madison. Tre të fundit, me pseudonimin e përbashkët Publius, botuan deri në prill 1788 një seri prej 85 artikujsh pro kushtetutës, duke e pagëzuar veten e tyre si federalistë e duke i cilësuar kundërshtarët si anti-federalistë. Përmbledhja e këtyre artikujve, e njohur si Shkrimet Federaliste, është ndër dokumentet më të njohura e të studiura në detaje në fushën e së drejtës kushtetuese duke u përfshirë gjerësisht në programet e shkollave amerikane, si edhe jashtë vendit.

Por më pak i njohur është ndërkaq kontributi i palës tjetër, pra anti-federalistëve, të cilët botuan shkrime, pamflete e fjalime po aq të shumta, të përmbledhura më vonë si Shkrimet Anti-Federaliste, duke shënuar edhe rivalitetin e parë politik të historisë amerikane.

Në kampin e kundërshtarëve të projektit personalitetet kryesore ishin R. Yates (Brutus), G. Clinton (Cato) dhe S. Bryan (Centinel) dhe atje u përfshinë edhe disa nga figurat më të njohura të revolucionit si P. Henry, S. Adams apo R. H. Lee. Në rradhët e tyre kishte fermerë e pronarë të vegjël tokash, tregtarë, biznesmenë si edhe punëtorë.

Ndërsa secili prej tyre kishte pikëpamjen e tij për atë se si duhej të ishte kushtetuta e re, ata bashkoheshin në disa pika madhore. Kështu p.sh. ata besonin se projekti i jepte Kongresit një pushtet tepër të madh, në dëm të shteteve të veçanta, ndërsa presidentit unitar të republikës kompetenca të ngjashme me ato të një monarku, gjë që do të bëhej shkak për intriga pa fund në kryeqytetin e vendit. Ata ishin të mendimit se liritë personale mbroheshin më mirë nëse pushteti primar u lihej qeverive të shteteve, në krahasim me atë federale. Për këtë arsye, pa një kartë të drejtash, kjo e fundit do të shndërrohej shpejt në tirani.

Këto argumente krijuan në të gjitha shtetet lëvizje të fuqishme kundër miratimit të projekt-kushtetutës. Në legjislaturat anembanë vendit, anti-federalistët vunë fort në dukje kompetencat e gjera të qeverisë federale, duke theksuar ndryshimin jo vetëm nga Nenet egzistuese, por edhe nga republikat e antikitetit. Në Virginia, P. Henry, autori i fjalimit të famshëm “Liri a vdekje”, e quajti projektin “një revolucion po aq të thellë sa ai që na ndau nga Britania e Madhe”. Një autor tjetër shqetësohej se në mungesë kufizimesh serioze, kushtetuta do t’i bënte “qeveritë e shteteve të varura nga vullneti i asaj qendrore për vetë ekzistencën e tyre”. Në tre shtetet vendimtare të Massachusetts, New York e Virginia, anti-federalistët e kushtëzuan ratifikimin me kalimin e njëkohshëm të një karte të drejtash, madje në asamblenë e Massachusetts, debatet shkuan deri në përleshje fizike.

Në këto kushte, duke parë se ndjenjat anti-federaliste mund të çonin në dështimin e përpjekjeve për ratifikim, J. Madison pranoi më në fund të hartonte një kartë të drejtash (Bill of Rights) të pacënueshme nga administrata federale. Ajo u paraqit në seancën e parë të Kongresit më 1789 dhe hyri në fuqi më 1791, pas ratifikimit prej shteteve anëtare.

Bill of Rights, e njohur edhe si 10 amendamentet e para të Kushtetutës, siguron e garanton kësisoj 10 të drejtat dhe privilegjet më themelore të qytetarëve amerikanë. Baza e tyre ishin në disa dokumente historike të mëparshme si Karta e Madhe e Lirive (Magna Carta) e vitit 1215, Karta Angleze e të Drejtave (1689) apo Deklarata e të Drejtave e Virginia-s, e hartuar nga G. Mason dhe e miratuar në qershor 1776, pak ditë para Deklaratës së Pavarësisë. Ato përfshijnë ndërmjet të tjerash lirinë e fjalës, të shtypit, të besimit fetar, të grumbullimit dhe protestës paqësore, si edhe të drejtën për gjykim të shpejtë, për proces të rregullt ligjor, e për mbrojtje nga dënimet mizore dhe të pazakonta. Përkundrejt shqetësimeve të anti-federalistëve lidhur me abuzimet e mundshme të pushtetit nga qeveria qendrore, ligji gjithashtu përcakton se çdo pushtet që kushtetuta s’ja njeh shprehimisht qeverisë federale i përket për pasojë shteteve dhe individëve.

Në analizë të fundit përpjekjet e anti-federalistëve për të penguar miratimin e Kushtetutës vërtet s’patën sukses, por ato ndikuan në mënyrë të jashtëzakonshme në krijimin e kuadrit të përgjithshëm ligjor. Arritja e tyre kryesore, Bill of Rights, është bërë praktikisht pjesa më e rëndësishme e Kushtetutës për shumicën e amerikanëve. Ndër çështjet që shkojnë deri në Gjykatën e Lartë, ato debatohen shumë më shpesh se vetë nenet e kushtetutës, dhe janë përdorur me sukses për të mbrojtur fjalën e lirë të veprimtarëve të të drejtave civile e të gjithfarë kauzave të tjera. E po ashtu për të kundërshtuar rastet e mbikqyrjes së paligjshme të autoriteteve mbi qytetarët, apo për t’u bërë me dije individëve të drejtat e tyre specifike në rast arresti (të ashtuquajturat “të drejtat Miranda”).

Është pra e pamundur të përfytyrojmë ecurinë historike të republikës amerikane, apo pamjen qe saj të sotme, pa këmbënguljen e anti-federalistëve mbi dyqind vite të shkuara.

Filed Under: Analiza

PARA DHE PAS  17 JANARIT 1982:  DISA NGA SUKSESET E DIASPORËS SHQIPTARE DHE TË ISH-EMIGRACIONIT POLITIK SHQIPTAR 

January 18, 2025 by s p

Fatmir Lekaj/                                                                    

Është fakt i ditur se në rastin e shqiptarëve, roli i rëndësishëm i diasporës shqiptare ka ndikuar edhe për nismën dhe inkurajimin e procesit të kombformimit shqiptar. Ngase pothuajse të gjithë  ideologët e fazës së parë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare jetonin jashtë atdheut dhe ishin të arsimuar dhe të influencuar nga idetë e iluminizmit dhe romantizmit.   Përveç të tjerëve, Naum Veqilharxhi ishte në moshë të mitur kur familja e tij emigroi në Rumani. Jeronim de Rada ishte pasardhës i një familje emigrantësh shqiptarë që kishin emigruar në Itali pas vdekjes së Skënderbeut. Thimi Mitko, emigrant në Egjipt. Elena Gjika, kishte lindur në Konstancë të Rumanisë dhe ishte vajzë e një fisniku me origjinë shqiptare. Ndërsa Hasan Tahsini dhe Konstantin Kristoforidhi ishin emigrantë në Stamboll. Veprimtaria e tyre karakterizohet nga zhvillimi i studimeve mbi historinë, gjuhën, duke përfshirë alfabetin, folklorin, letërsinë, artin, botimin e gazetave, themelimin e shoqatave kulturore dhe arsimin – në kuptimin e kërkesave për hapjen e shkollave shqipe, krahas atyre greke, latine etj., në kuadër të Perandorisë Osmane. Qëllimi kryesor i ideologëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare ishte unifikimi i shqiptarëve në një komb, pa dallim të feve dhe ndarjes administrative të shqiptarëve, në kuadër të Perandorisë Osmane. [1]   Edhe studiues të huaj i japin rëndësi të veçantë veprimtarisë patriotike të diasporës shqiptare. Për shembull sipas historianit Noel Malcolm, arbëreshët e Italisë, të influencuar nga «Risorgimento» (Rilindja), kanë qenë më radikalët në kuadër të idesë për çlirimin dhe pavarësimin e plotë të shqiptarëve në një shtet shqiptar në Ballkan, duke përfshirë edhe qarqet intelektuale-patriotike të diasporës shqiptare në Rumani, Bullgari dhe deri në Egjipt, të cilët  kanë pasur një rol të rëndësishëm, e veçanërisht Bashkësia Shqiptare e Stambollit, që ka pasur kontaktin më të drejtpërdrejtë me trevat shqiptare.[2]  Gjithashtu ballkanologu Svein Mønnesland, konsideron se fillesa e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare zuri vend jashtë trojeve shqiptare, veçanërisht në kuadër të qarqeve intelektuale-patriotike shqiptare, në Bukuresht dhe Stamboll.[3]  Këto nisma jashtë atdheut (në diasporë), e karakterizojnë fazën e parë (a) të procesit të kombformimit shqiptar, që në historiografinë shqiptare identifikohet me fillesën e të ashtuquajturës Rilindja Kombëtare Shqiptare, dhe që mund ta quajmë edhe si fillesë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ose si fillesë e ngjizjes së identitet kombëtar shqiptar.  Për më tepër kjo fazë e parë (a) ka qenë e rëndësishme për shtytjen / kalimin në fazën e dytë (b) të procesit të kombformimit shqiptar, që rezultoi me organizimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878) etj. Në lidhje me rëndësinë e fazës së parë (a), studiuesi i shquar i procesit të kombformimeve, Miroslav Hroch, konsideron se në shumë raste, faza b është bërë më e suksesshme kur të tjerët para tyre (faza a) kanë kontribuar për një ide/vetëdije të përbashkët kombëtare. [4]     Rrjedhimisht mund të konstatohet se në rastin e shqiptarëve,  suksesi i parë i madh i diasporës shqiptare është nisma/fillesa e procesit të kombformimit shqiptar (drejt unifikimit të shqiptarëve në një komb, pa dallim të feve dhe ndarjes administrative të shqiptarëve, në kuadër të Perandorisë Osmane), dhe kontributi i vazhdueshëm i diasporës shqiptare në kuadër të procesit të përgjithshëm të kombformimit shqiptar duke përfshirë ngjarjet (si Kongresi i Manastirit etj.), që i paraprinë shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912. 

    Vlen të theksohet se menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë (e cila shpallje përfshiu edhe Kosovën), u organizua Konferenca e Ambasadorëve në Londër në dhjetor 1912, ku u morën vendimet për copëtimin e dytë të territoreve të banuara me shqiptarë (pas copëtimit të parë në Kongresin e Berlinit). Tashmë pothuajse gjysma e territoreve të banuara me shqiptarë (Kosova me vise dhe Çamëria), mbetën nën pushtimin e vendeve fqinje (Serbisë, Greqisë etj.). Ndërsa me insistimin e Austro-Hungarisë dhe Italisë u arrit të pavarësohet vetëm gjysma e territoreve të banuara me shqiptarë, e ashtuquajtura Shqipëria Londineze. Me fjalë të tjera, fuqitë e mëdha perëndimore, nuk munden t’i rezistojnë ekspansionit të mëtutjeshëm serb të ndihmuar nga Rusia dhe kjo rezultoi me ndarjen e kombit shqiptar në dysh, ku gjysma e kombit shqiptar mbeti nën okupimin e vendeve fqinje si një rast unik në kontinentin evropian. Ky gjymtim i Shqipërisë konsiderohej si një kompromis i domosdoshëm për ta arritur paqen evropiane në mes të fuqive të mëdha. Drejtuesi i Konferencës së Ambasadorëve në Londër (njëherësh ministër i Jashtëm i Britanisë së Madhe), Edward Grey, gjatë raportimit të tij më 12.08.1913, në parlamentin britanik u shpreh: “Duhet mbajtur në mend se në bërjen e kësaj marrëveshje, rëndësi kryesore pati ruajtja e mirëkuptimit mes vetë fuqive të mëdha, e nëse marrëveshja mbi Shqipërinë e arrin këtë, atëherë ka bërë punën më të rëndësishme në interes të paqes në Evropë”.[5]   Pa u mbushur një vjet nga ky raportim i Edward Greyit, shpërtheu Lufta e Parë Botërore dhe e prishi paqen evropiane dhe më gjerë, njëkohësisht u vu në pikëpyetje pavarësia e Shqipërisë. Megjithëkëtë, fitorja e Bolshevikëve në Rusi (që, përveç të tjerash, ndikoi për tërheqjen e Rusisë nga Lufta e Parë Botërore, në nëntor të vitit 1917),) dhe sidomos hyrja e SHBA-ve në Luftën e Parë Botërore, ndikuan për një të ardhme më të mirë të pavarësisë së Shqipërisë Londineze.[6] Në kuadër të këtyre zhvillimeve për përmirësimin e perspektivës së pavarësisë së Shqipërisë Londineze, kontribut të rëndësishëm dha edhe diaspora shqiptare, veçanërisht Shoqata Shqiptaro – Amerikane ‘Vatra’ . Në lidhje me këtë, historiania Nicola Guy, përveç të tjerash, shkruan se: “Roger Mac Ginty ka nënvizuar se në rastin e nacionalizmave të shteteve të vogla në Evropën Perëndimore, hyrja e Shteteve të Bashkuara në luftë dhe veprimet e bolshevikëve kanë pasur një ndikim të rëndësishëm. Këto ide mund të gjejnë zbatim në rastin e çështjes shqiptare. Hyrja e amerikanëve në luftë ndikoi së tepërmi mbi lulëzimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Nismat më të rëndësishme lindën në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht brenda ‘Vatrës’ (Shoqata Shqiptaro-Amerikane). Fillimisht, gjatë luftës ‘Vatra’ kishte mbështetur Austrinë, por hyrja në luftë e Shteteve të Bashkuara në krah të Aleatëve bënte të domosdoshme një ndryshim në besnikërinë e saj. ‘Vatra’ përqafoi dhe mbështeti sidomos idealet dhe institucionet politike liberale amerikane, me besim në parimet e Wilsonit rreth vetëvendosjes. Anëtarët e saj mendonin se një qëndrim i tillë do të ishte mjaft dobiprurës për kauzën shqiptare për sa i përket rimarrjes së atyre territoreve (Kosovë, Çamëri, Hot, Grudë etj.) të mohuara atyre më 1913-n”.[7] Këto ndryshime në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare e përmirësuan perspektivën e pavarësisë së Shqipërisë Londineze. Në këtë vazhdë organizimi i Kongresit të Lushnjës, më 21-31 janar të vitit 1920 (ku u miratua akti kushtetues për pavarësinë e plotë të vendit etj.), dhe anëtarësimi në Lidhjen e Popujve më 17 dhjetor 1920, i forcuan themelet e Shqipërisë Londineze. Por pritjet e shqiptarëve, duke përfshirë “Vatrën” (Shoqatën Shqiptaro-Amerikane) në krye me Fan Nolin etj., për t’i kthyer territoret e banuara me shqiptarë (Kosovën me vise), në kuadër të kufijve të Shqipërisë Londineze (bazuar në parimet e Wilsonit për vetëvendosje), nuk u realizuan. Megjithëkëtë, duke e marrë parasysh situatën e vështirë politike të shqiptarëve që nga Traktati i Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit (1878), realizimi dhe stabilizimi i gjysmës së shtetit shqiptar (Shqipërisë Londineze) ishte një arritje e shqiptarëve. Gjithashtu, përpjekjet e shqiptarëve për çlirimin e Kosovës me vise dhe bashkim kombëtar nuk u ndalën.

    Gjatë periudhës në mes të dy luftërave botërore, Lëvizjet Kombëtare në shumë vende të botës u indoktrinuan ideologjikisht nga komunizmi, fashizmi, nazizmi etj. Ky indoktrinim ideologjik te shqiptarët u bë më i dukshëm gjatë Luftës së Dytë Botërore. Fashizmi dhe nazizmi (që ishin shfaqur si “ideologji” gjatë pjesës së parë të shekullit 19) patën konsekuenca të dhimbshme, veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë vazhdë u keqpërdor edhe zbatimi i idesë komuniste. Ngjashëm sikurse prapavija e hershme e demokracisë, edhe prapavija ideore e komunizmit bazohet në idetë e hershme.  Madje sipas filozofit franqez Didie Zhylia, idenë e një sistemi të tillë të jetës komunitare e gjejmë në ‘Republika’ e Platonit.[8] Për më tepër, këto dy prapavija i kanë karakterizuar edhe dy revolucionet e mëdha. Nga njëra anë revolucionin politik anglez (1688) me ideologun e vet më të spikatur John Locke dhe, nga ana tjetër, revolucionin socio-politik francez (1789) me ideologun e vet më të spikatur, Jean-Jacques Rousseau. Në këtë vazhdë idetë komunitare në disa shtete evropiane ku kishte traditë më të fortë demokratike, u kultivuan në kuadër të partive socialiste/ social-demokrate dhe arritën të bashkëjetojnë me partitë liberale, partitë konservatore etj., në kuadër të demokracive parlamentare, ndërsa në disa shtete të tjera, kryesisht në Evropën Lindore dhe më tutje, idetë komunitare përvetuan (veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore) në sisteme diktatoriale dhe autoritare. Me fjalë të tjera, siç u keqpërdorën (gjatë periudhave të caktuara historike), religjionet, nacionalizmi, demokracia etj., ngjashëm u keqpërdor edhe komunizmi. Në rastin e shqiptarëve indoktrinimi ideologjik në kuadër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore karakterizohet kryesisht nga dallimi në mes të katër rrymave politike: bashkëpunëtorët e nazifashistëve, ballistët, zogistët dhe komunistët. Megjithëkëtë, vlen të theksohet se ky dallim ka qenë më shumë strategjik sesa ideologjik. Në kuptimin se të gjitha këto rryma politike në kuadër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare kishin synim parësor çlirimin dhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve dhe kryesisht dallonin në kalkulimet e tyre strategjike për mundësinë e arritjes së këtij synimi. Në fillim të muajit gusht 1943 në fshatin Mukje në Shqipërinë Londineze, u arrit një marrëveshje e rëndësishme në mes të komunistëve dhe ballistëve shqiptarë që, përveç të tjerash, nënkuptonte bashkimin në një front të përbashkët kundër okupatorëve nazifashistë dhe bashkimin e shqiptarëve në një shtet, bazuar në parimin e Kartës së Atlantikut për vetëvendosjen e popujve. Kjo ishte një arritje e madhe por, fatkeqësisht, dështoi për shkak të shumë faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm. Përveç të tjerash, ballistët nuk u treguan të organizuar dhe të përkushtuar mjaftueshëm në luftën kundër okupatorëve nazifashistë. Ndërsa komunistët shqiptarë në krye me Enver Hoxhën ishin të ekspozuar gjithnjë e më shumë ndaj presionit, ndikimit dhe deri në një masë kontrollit të partisë komuniste jugosllave. Mosarritja e bashkëpunimit në mes të komunistëve dhe ballistëve dhe rrymave të tjera politike të shqiptarëve (gjatë Luftës së Dytë Botërore), e politizoi, njëkohësisht e dobësoi fuqinë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (si faktorë i brendshëm) për mundësinë e çlirimit të Kosovës nga Serbia. Në këtë vazhdë shqiptarëve në Kosovë nuk iu lejua referendumi i bazuar në rezolutën e Bujanit dhe Kosova u riokupua formalisht nga Jugosllavia.

    Dy udhëheqësit kryesorë komunistë në Shqipëri dhe Kosovë, Enver Hoxha dhe Fadil Hoxha,  duke qenë nën presionin e partisë komuniste jugosllave, dhe rrethanave real-politike në përgjithësi, iu kundërvunë rezistencës antikomuniste të shqiptarëve. Ngjashëm sikurse më herët Ahmet Zogu (pas Luftës së Parë Botërore), i cili, duke qenë nën presionin e Qeverisë së Beogradit, dhe rrethanave real-politike në përgjithësi, së bashku me Ceno Beg Kryeziut etj., iu kundërvunë veprimtarisë së Lëvizjes Kaçake në Kosovë dhe rivalëve të tyre politikë: Hasan Prishtinës, Fan Nolit, Bajram Currit etj. Megjithëkëtë, rezistenca e komunistëve shqiptarë kundër nazifashistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore e ka pasur rëndësinë e vet, në kuptimin që të mos etiketohet e gjithë Lëvizja Kombëtare Shqiptare si bashkëpunëtore e nazifashistëve, siç ishte tendenca propagandistike e vendeve fqinje me qëllimin për ta justifikuar copëtimin e mëtutjeshëm të territoreve shqiptare, sepse ekzistonte rreziku për copëtimin eventual edhe të Shqipërisë Londineze nga vendet fqinje. Shembull tipik është qasja e politikës shoviniste greke ndaj shqiptarëve në Çamëri (në vazhdën e shtypjes dhe pastrimit etnik ndaj tyre, prej vitit 1913) që kulmoi me gjenocid ndaj tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore (1943-1944), duke i akuzuar si “bashkëpunëtorë të nazifashistëve”. Sot e kësaj dite çështja çame rëndon në marrëdhëniet në mes të Shqipërisë dhe Greqisë. Për çështjen çame studiuesit James Pettifer dhe Miranda Vickers, përveç të tjerash, shkruajnë: “… ruajtja e trashëgimisë më të gjerë shoqërore dhe historike e Çamërisë ndërthuret me problemin politik dhe juridik të drejtësisë për pronarët e pasurive çame dhe kërkesat për kompensim nga familjet e prekura nga gjenocidi i Zervas në vitet 1943-44 dhe orvatjet e mëparshme të spastrimit etnik”.[9]  Prandaj, mund të konstatohet se rezistenca e komunistëve shqiptarë në Shqipëri dhe në Kosovë me vise (gjatë Luftës së Dytë Botërore), e ka shmangur mundësinë e copëtimit të mëtutjeshëm të Shqipërisë Londineze dhe të spastrimit të tërësishëm etnik të shqiptarëve në Kosovë me vise.

    Pas Luftës së Dytë Botërore, shteti shqiptar arriti të forcoj institucionet shtetërore, duke përfshirë sistemin arsimor, standardizimin e gjuhës, shtypin e shkruar, radiotelevizionin etj. Veçanërisht, Universiteti i Tiranës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë etj. kanë pasur ndikim të rëndësishëm për masivizimin e ndjenjës kombëtare shqiptare. Në kuptimin e hulumtimit shkencor kulturor-historik (gjuhës, arkeologjisë etj.), dhe distribuimit të këtyre diturive shkencore nëpërmes sistemit arsimor, shtypit të shkruar etj., madje duke pasur ndikim (deri në një masë) edhe në hapësirën shqiptare jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë.  Megjithëkëtë, instalimi gjithnjë më i fortë i sistemit diktatorial në Shqipëri, pati pasoja të dhimbshme,  veçanërisht nëpërmes luftës së klasave (vrasjet, burgosjet, internimet etj.). Njëherësh politika e jashtme e shtetit shqiptar nuk reflektoi asnjëherë sa duhet, për ti dhënë orientim progresit ekonomik të Shqipërisë, ngase së paku mund të zhvillonte turizmin (duke e marr parasysh kapacitetin e bregdetit shqiptar) fillimisht duke ju dhënë qasje turistëve nga blloku i shteteve socialiste etj.  Madje Enver Hoxha me metodat e tij të dhunshme doli edhe në ekstreme qesharake, duke e shpallur Shqipërinë shtet ateist, dhe krijoi vetëm efekte perverse – afatshkurtra.   Për më tepër, nuk qëndron fare kur dikush përpiqet ta paraqes shpalljen e Shqipërisë shtet ateist në përputhje me frymën e rilindësve kombëtar shqiptar. Madje kjo nuk përputhet as me postulatin e Pashko Vasë Shkodranit: “Feja e Shqyptarit është Shqyptaria”, të shkruar në kuadër të poemës së tij të titulluar “O moj Shqypni e mjera Shqypni” (1880). Në esencë, ky postulat (që pati ndikim të madh), ishte thirrje për unitetin kombëtar dhe harmoninë ndërfetare të shqiptarëve, dhe jo kundër feve si vlerë në vete.  Me fjalë të tjera, Pashko Vasë Shkodrani, nëpërmes kësaj poeme kritikon ca priftërinj dhe hoxhallarë të cilët duke fokusuar më shumë në fe se sa në komb (në një kontekst historik kur çështja kombëtare ishte në një rrezik ekzistencial) ndikonin për asimilimin e mëtejshëm të shqiptarëve në kombet e tjera. Madje  autori i poemës  nuk i bën aspak thirrje ateizmit (siç e interpretojnë disa), sepse ai i referohet Zotit me respekt, siç shihet qartë në fundin / konkludimin e poemës së tij: “Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë, gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë, asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë, kush mos na e preki, se desim t’tanë, të desim si burrat që vdiqnë motit, edhe mos marrohna përpara Zotit”.[10] Në fakt as mbreti Zog paraprakisht, dhe sidomos Enver Hoxha (edhe pse arritën t’i zhdukin më pak ose më shumë tribalizmat dhe disa prapambeturi të tjera në dobi të integrimit brendakombëtar shqiptar), nuk e patën vizionin e duhur që ta institucionalizojnë tolerancën dhe harmoninë ndërfetare shqiptare për ta kultivuar paralelisht me procesin e integrimit brendakombëtar shqiptar. Toleranca dhe harmonia ndërfetare shqiptare është pasuri unike e kombit shqiptar (e trashëguar nga rilindësit kombëtar shqiptar) dhe e dallon kombin shqiptar nga kombet e tjera konservative të Ballkanit që e kanë fenë kriter inkludues dhe ekskludues kombëtar. Njëherësh, mosinstitucionalizimi i tolerancës dhe harmonisë ndërfetare shqiptare ka ndikuar që kombi shqiptar të mbetet i brishtë në aspektin fetar. Prandaj vetëm një Këshill Kombëtar Ndërfetar Gjithëshqiptar si institucion do të mund të sigurojë dhe kultivojë në plan afatgjatë tolerancën dhe harmoninë ndërfetare brendakombëtare të shqiptarëve, t’i mbrojë vlerat e mirëfillta fetare dhe, duke u distancuar publikisht nga çdo lloj ekstremizmi fetar, do të mund t’i dobësojë/delegjitimojë bazat e ekstremizmit fetar në praktikë. Është për keqardhje që edhe në ditët e sotme, ende nuk ka interesim për themelimin e Këshillit Kombëtar Ndërfetar Gjithshqiptar, dhe po vazhdohet me politizimin fetar në Kosovë dhe në Shqipëri, për shkak të kalkulimeve të partive politike për marrjen e votave gjatë zgjedhjeve etj. 

                                                                       II

Politizimi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore i ka pasur pasojat e veta edhe në emigracion sepse deri në vitet ’70 elita e emigracionit politik shqiptar ka qenë kryesisht e shqetësuar me ndonjë përjashtim (Hysen Tërpeza, Tahir Kerrnaja, Sami Repishti, Ihsan Toptani etj.), vetëm me veprimtarinë kundër regjimit diktatorial të Enver Hoxhës dhe jo me ndonjë veprimtari konkrete për çlirimin e Kosovës me vise.   Pas demonstratave të vitit 1981 regjimi i Beogradit i vuri në shënjestër edhe veprimtarët e grupeve klandestine, në kuadër të emigracionit politik shqiptar, të cilët organizonin demonstrata dhe protesta në disa qendra të shteteve perëndimore, me qëllim të sensibilizimit të opinionit ndërkombëtar për shtypjen e shqiptarëve në Jugosllavi dhe për kërkesën “Kosova Republikë”, si kërkesë për barazi të shqiptarëve me popujt e tjerë në kuadër të Federatës Jugosllave. Kjo konsiderohej një kërcënim për imazhin e Jugosllavisë e veçanërisht të Serbisë në lidhje me çështjen e Kosovës ngaqë regjimi i Beogradit bënte përpjekje të vazhdueshme të paraqiste dhe ta ruante imazhin e rrejshëm të Jugosllavisë në kuadër të arenës ndërkombëtare. Përveç të tjerash, Jugosllavia, edhe pse ishte nënshkruese e Deklaratës së Helsinkit (1975), ku në mesin 10 parimeve të kësaj deklarate përfshihej edhe parimi për respektimin e të drejtave të njeriut, nuk e respektonte fare në praktikë këtë parim. Prandaj nismat e veprimtarëve shqiptarë në diasporë për prishjen e imazhit të rrejshëm të Jugosllavisë ndikuan që shërbimi i sigurisë shtetërore jugosllave (UDB), të përpiqet të përçajë, të frikësojë dhe ta dobësojë sa më shumë veprimtarinë e emigracionit politik shqiptar, madje edhe nëpërmes organizimit të atentateve.  

    Me fjalë të tjera, veprimtaria revolucionare e grupeve klandestine për çlirimin e shqiptarëve në Jugosllavi (pas Luftës së Dytë Botërore), si brenda vendit (në trojet e banuara me shqiptarë në ish-Jugosllavi), ashtu edhe jashtë vendit që nga vitet ’70 (në kuadër të emigracionit politik shqiptar), për shkak të rrethanave të vështira për veprim, ka pasur vështirësi të përbashkohet formalisht në një organizatë me strukturë të qëndrueshme politike. Në këtë vazhdë, ndikimin vendimtar për unifikimin e një pjese domethënëse të grupeve revolucionare në kuadër të një organizate me strukturë të qëndrueshme politike, e ka pasur Jusuf Gërvalla me bashkëpunëtoret e tij.  Shërbimi sekret shtetëror jugosllav (UDB) u përpoq ta pengoj këtë unifikim, madje edhe me organizimin e atentatit më 17 janar 1982, ndaj  vëllezërve Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës.  Megjithëkëtë, UDB nuk mundi ta ndalë këtë unifikim, madje efekti i ngjarjes së 17 janarit 1982, i unifikoi gjithnjë e më shumë grupet revolucionare klandestine të shqiptarëve në Jugosllavi, në kuadër të një organizate me strukturë të qëndrueshme politike, e njohur nga viti 1982 si Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRShJ), nga viti 1985 e njohur si Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), dhe nga viti 1993 e njohur si Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK).  

  Vlen të theksohet se pjesëtarët e LPK-së zgjodhën një rrugë më të vështirë për çlirimin e Kosovës, dhe si idealistë që ishin, në vazhdën e përpjekjeve për çlirimin e Kosovës dhe bashkim kombëtar, ishin njëkohësisht lojalë ndaj vendit amë (Shqipërisë Londineze) sepse, pa ndihmën, në radhë të parë të Shqipërisë Londineze (pavarësisht prej sistemit politik), ishte i paparamendueshëm çlirimi dhe realizimi i Republikës së Kosovës drejt bashkimit kombëtar dhe, për këtë, koha ju dha goxha të drejtë. Gjithashtu, pati rëndësi që pushteti në Shqipërinë Londineze vendosi t’i përkrahë publikisht kërkesat e demonstruesve shqiptarë në Kosovë në vitin 1981, edhe pse në kuadër të kësaj përkrahjeje përpiqej ta kontrollonte veprimtarinë revolucionare të grupeve klandestine të shqiptarëve në Jugosllavi, me “përgjegjësinë e kalkulimit real-politik” që kishte si pushtet/shtet amë. Pra LPK, në fillet e veprimtarisë së vet nuk kishte alternative tjetër, dhe në këtë kuptim enverizmin e kishte më shumë mjet politik sesa ideologji (përveç ndonjë shembulli/shembujve të izoluar). Këtë e vërteton edhe fakti se pas shembjes së murit të Berlinit LPK-ja jo vetëm se u distancua nga enverizmi, por e hoqi/shfuqizoi edhe pararojën – marksiste leniniste si organ udhëheqës i LPK-së, ndërsa përpjekjet për çlirimin e Kosovës i vazhdoi dhe njëkohësisht edhe lojalitetin ndaj vendit amë Shqipërisë (pavarësisht ndryshimit të sistemit politik në Shqipëri). Madje ka pasur zëra edhe më herët, në kuadër të LPK-së (para shembjes së murit të Berlinit), për heqjen/shfuqizimin e pararojës marksiste leniniste. Në këtë kuadër ndikim të veçantë ka pasur mendimi kritik i Adem Demaçit ndaj Enver Hoxhës pas daljes së tij nga burgu, përkatësisht pas vizitës së parë që i bëri Shqipërisë. Për më tepër, një dëshmi e rëndësishme se LPK-ja në vazhdimësi kishte si qëllim parësor çështjen kombëtare mbi çdo ideologji, e ilustron një intervistë e një ndër themeluesve kryesorë të LPK-së, Jusuf Gërvallës, e realizuar para demonstratave të vitit 1981, përkatësisht në vitin 1980, dhe e publikuar më 20 janar 1982 në gazetën gjermane “Tagische Zeitung”, ku përveç të tjerash, Jusuf Gërvalla e potencon këtë lloj lojaliteti ndaj vendit amë, Shqipërisë: “…pavarësisht nga çfarëdo lloj sistemi politik që mbretëron në Shqipëri,  radikal komunist, radikal demokratik ose një sistem i së drejtës”.[11]

    Me fjalë të tjera, pas themelimit të LPK-së në vitin 1982, u fuqizua veprimtaria e emigracionit politik shqiptar, sidomos pas organizimit të mbledhjes së  Parë dhe të Dytë të Përgjithshme të LPK-së. Mbledhja e Parë e Përgjithshme e LPK-së, është mbajtur në korrik 1987 në Zvicër, nën organizimin e Degës së LPK-së jashtë vendit, ku të pranishëm ishin edhe delegatët/përfaqësuesit e Degës së LPK-së brenda vendit. Kjo mbledhje kontribuoi, përveç të tjerash, për riorganizimin e LPK-së në kuptimin e zgjerimit të radhëve si në Kosovë ashtu edhe në diasporë, ku pothuajse në të gjitha shtetet e Evropës perëndimore u themeluan degët e LPK-së (këshillat popullorë të LPK-së). Edhe në ShBA Klubi Kombëtar “Jusuf Gërvalla” me seli në Nju-Jork funksionoi për një kohë si degë e LPK-së, me nëndegët në Detroit, Chicago, Dallas etj. Gjithashtu Mbledhja e Dytë e Përgjithshme e LPK-së u mbajt në tetor 1989 në Zvicër, nën organizimin e Degës së LPK-së, jashtë vendit, ku të pranishëm ishin edhe delegatët/përfaqësuesit e Degës së LPK-së brenda vendit.  

    Konkretisht, Dega e LPK-së jashtë vendit (në kuadër të emigracionit politik shqiptar), e ka ndihmuar në vazhdimësi organizimin dhe riorganizimin (pas goditjeve) të Degës së LPK-së brenda vendit dhe e ka pasur një rol të rëndësishëm për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës sepse në vazhdimësi organizoi demonstrata dhe protesta në qendrat e shteteve perëndimore, duke apeluar për ndaljen e shtypjes dhe diskriminimit të shqiptarëve në Jugosllavi, dhe duke insistuar për kërkesën “Kosova Republikë” (si një kërkesë e drejtë për barazinë në mes të popujve në kuadër të federatës jugosllave). Në këtë drejtim, një kontribut të veçantë e kanë dhënë edhe disa struktura lobiste dhe të diplomacisë joformale të ish-emigracionit politik shqiptar, të themeluara para dhe pas shembjes së murit të Berlinit: Organizata Rinia Shqiptare-Kosovare në Botën e Lirë në Nju-Jork (1970), Komiteti i Kosovës për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Belgjikë (1983). Komiteti i Kosovës për Informimin e Opinionit Botëror në Zvicër (1985), që rezultoi nga strukturat e LPK-së. Grupi për Kosovën i Komitetit Norvegjez të Helsinkit (1988) që lobonte për çështjen e Kosovës në kuadër të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit dhe bashkëpunonte drejtpërdrejt me LPK-në. Shoqata Migjeni në Slloveni (1989). Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane (1989). Komiteti i Kosovës në Paris (1992), Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (1996), duke e përfshirë kontributin e vazhdueshëm të shoqatës shqiptaro-amerikane  “Vatra” etj. Kjo veprimtari lobiste dhe e diplomacisë joformale, përveç të tjerash, shënon edhe arritjen e  lidhjeve para-diplomatike të Kosovës me shtetet perëndimore.  Madje menjëherë pas shembjes së murrit të Berlinit (dhe  themelimit të partive politike në Kosovë), emigracioni politik shqiptar arriti ti organizoi dy vizitat e para dhe historike të delegacioneve të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën në shtetet perëndimore. Përkatësisht, Grupi për Kosovën i Komitetit Norvegjez të Helsinkit, (që lobonte për çështjen e Kosovës  në kuadër të Federatës së Helsinkit),  veçanërisht me ndihmën e mikes së madhe të shqiptarëve, Berit Backer, e organizoi vizitën e parë të delegacionit të Kosovës në perëndim në krye me Ibrahim Rugovën, respektivisht  në Oslo dhe me nisje nga Oslo në muajin shkurt 1990.[12]  Ndërsa Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, veçanërisht me ndihmën e kongresmenit shqiptaro-amerikan Joseph Dioguardi, e organizoj vizitën e parë të delegacionit të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën në Washington, në muajin prill 1990.[13]  Pas këtyre dy vizitave të para dhe historike në shtetet perëndimore, të delegacioneve të Kosovës në krye me udhëheqësin e Lëvizjes Paqësore të Kosovës Ibrahim Rugovën, u shtuan/forcuan lidhjet diplomatike të Kosovës me shtetet perëndimore dhe kjo ndikoi në ngritjen edhe më të madhe të popullaritetit të Ibrahim Rugovës në Kosovë dhe në diasporën shqiptare. Të njëjtin vit (korrik 1990), Grupi për Kosovën i Komitetit Norvegjez të Helsinkit, veçanërisht me ndihmën e mikes së madhe të shqiptarëve, Berit Backer, e organizoi edhe programin e vizitës në shtetet perëndimore për delegacionin e kuvendit të Kosovës, menjëherë pas shpalljes së deklaratës kushtetuese të 2 korrikut 1990.[14]

    Në këtë vazhdë, veprimtaria e emigracionit politik shqiptar u fuqizua edhe më shumë, ngase më 19 tetor 1991, u themelua Qeveria e Kosovës në Egzil, e cila  fillimisht u vendos në Lubjanë të Sllovenisë dhe më pastaj nga viti 1992 në Bon të Gjermanisë, dhe përveç të tjerash, u angazhua për mbledhjen e mjeteve financiare nga mërgimtarët shqiptar për të financuar mekanizmat e rezistencës paqësore në Kosovë kundër regjimit të Millosheviqit. Kjo  Qeveri në Egzil e kishte edhe Ministrinë e Informacionit me seli në Gjenevë/Zvicër, që u udhëhoq nga njëri nga ish-bashkëdrejtuesit e LPK-së/LRShj-së në emigracion në fillimvitet 80`. Deri në këtë periudhë kohore ishin themeluar edhe degët e LDK-së në shtetet perëndimore dhe koordinoheshin nga një Zyrë qendrore e LDK-së në Shtutgard të Gjermanisë, e cila  udhëhiqej nga një veprimtar i cili paraprakisht në fillimvitet 80`, ka qenë edhe një ndër veprimtarët e njohur të LPK-së/LRShJ-së në emigracion. Në fakt kjo Zyrë e ka luajtur edhe rolin e Zyrës ndërlidhëse të Kosovës, dhe në të shumtën e rasteve i ka koordinuar  takimet e Ibrahim Rugovës, gjatë vizitave të tij në shtetet perëndimore evropiane. 

    Fatkeqësisht, shtetarët perëndimorë që nga fillimi i konfliktit të armatosur në Jugosllavi (në fillimvitet ’90) u treguan të ç’koordinuar për ndërmarrjen e hapave konkretë dhe efektivë për ta ndaluar/ndëshkuar dhunën e regjimit neofashist të Millosheviqit në Kosovë. Në këtë vazhdë, çështja e Kosovës nuk u përfshi për zgjidhje as në kuadër të Konferencës së Dejtonit (1995). Me fjalë të tjera, shtetet perëndimore, edhe pse kishin keqardhje më shumë dhe më pak për situatën e rëndë të shqiptarëve në Kosovë, nuk ishin në gjendje ta shpërblejnë politikën paqësore të Kosovës që sakrifikonte me vite në kurriz të shqiptarëve për zgjidhje politike paqësore dhe për ruajtjen e stabilitetit në Ballkan. Megjithëkëtë, politika e Lëvizjes Paqësore (para Konferencës së Dejtonit) si faktor i brendshëm dhe gjenocidi në Bosnjë si faktor i jashtëm (që preku thellë ndërgjegjen e shteteve perëndimore), e patën ndikimin e vet, që t’i japin legjitimitet ndërkombëtar luftës së mëvonshme të UÇK-së, në kuptimin se shqiptarët e Kosovës në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare kishin provuar me vite ta zgjidhin problemin e Kosovës pa luftë, por ishin refuzuar nga Millosheviqi dhe se shtetet perëndimore nuk mund të toleronin të ndodhte në Kosovë e njëjta përmasë gjenocidiale që kishte ndodhur në Bosnjë. Veçanërisht duke e marrë parasysh edhe faktorin gjeopolitik ngaqë një konflikt i armatosur në Kosovë (për dallim të Bosnjës) e kishte potencialin e zgjerimit të luftës përtej kufijve të Jugosllavisë.

    Në ndërkohë, gjatë fillimviteve 90`, LPK organizoi edhe dy Mbledhje të Përgjithshme, përkatësisht Mbledhjen e Tretë dhe të Katërt të Përgjithshme, që u mbajtën në Kosovë në vitin 1991 dhe 1993, nën organizimin e Degës së LPK-së brenda vendit (ku të pranishëm ishin edhe delegatët/përfaqësuesit e Degës së LPK-së jashtë vendit). Në këtë vazhdë, meqë menjëherë pas Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme (1993), shërbimi sekret serb në kuadër të arrestimeve kishte arritur t`i arrestojë edhe udhëheqësit kryesorë të LPK-së, (të Degës së LPK-së brenda vendit)  u bartën kompetencat e përgjithshme të organizatës tek Dega e LPK-së jashtë vendit (në kuadër të emigracionit politik shqiptar). Në këto dy mbledhje të përgjithshme të mbajtura në Kosovë u morën vendimet e rëndësishme drejt kryengritjes së armatosur si mjet i fundit për çlirimin përfundimtar të Kosovës. Njëherësh një pjesë e veprimtarëve tashmë vepronin në kuadër të grupeve klandestine të armatosura në Kosovë që, në fakt, edhe para Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme të LPK-së, kishin filluar gradualisht të shndërroheshin: nga të qenit pjesëtarë dhe udhëheqës të Këshillave Popullorë të LPK-së në Kosovë (degëve të LPK-së në Kosovë) në pjesëtarë dhe udhëheqës të grupeve klandestine të armatosura në Kosovë, që në fakt ishin edhe krahu ushtarak  i LPK-së, dhe me ngulmim kërkonin nga  organizata (LPK) që të krijohet një strukturë ushtarake. Madje LPK, kishte krijuar traditë/përvojë të shembujve të rezistencës së armatosur që nga viti 1984, siç është shembulli i Rexhep Males, Nuhi Berishes etj. Rrjedhimisht, emigracioni politik shqiptar, konkretisht kryesia e LPK-së, (bazuar edhe në vendimet e Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme të LPK-së) vendosi më 17.11.1994 që grupet klandestine të armatosura në Kosovë të emërohen Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Ky vendim i emërtimit (themelimit formal të UÇK-së) ishte i një rëndësie të veçantë ngase në këtë vazhdë u arrit të unifikohen të gjitha grupet klandestine të armatosura në Kosovë në kuadër të UÇK-së, rrjedhimisht edhe ato grupe klandestine të armatosura që nuk ishin paraprakisht pjesë e LPK-së, në këtë vazhdë u unifikuan në kuadër të UÇK-së, siç është shembulli i Grupit të Llapit në krye me Zahir Pajazitin etj.  Ky emërtim (themelim formal i UÇK-së) korrespondoj edhe me periudhën e sinjalizimit të qartë për mospërfshirjen e çështjes së Kosovës për zgjidhje në kuadër të Konferencës së Dejtonit. 

    Pas  Konferencës së Dejtonit (1995), u shtua rezistenca e armatosur e UÇK-së, dhe kulmoi në mars të vitit 1998 me sakrificën e prijësit emblematik ushtarak të UÇK-së Adem Jasharit dhe 58 anëtarëve të familjes së tij (ku u masakruan 59 persona nga ana e regjimit neofashist të Millosheviqit).  Menjëherë pas kësaj ngjarje, emigracioni politik shqiptar, fillimisht LPK (duke e marrë parasysh domosdoshmërinë për mobilizimin dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të UÇK-së), organizoi shkuarjen në Kosovë të një pjese të veprimtarëve dhe përkrahësve me përvojë. Pjesa tjetër e mbetur e veprimtarëve dhe përkrahësve me përvojë të LPK-së, u bë mbështetja kryesore politike, diplomatike, financiare e logjistike për UÇK-në nga jashtë territorit të luftimeve.  Kjo e pati rëndësinë e veçantë për vazhdimësinë dhe inkurajimin e rezistencës së UÇK-së, ngase kishte tendenca nga qarqe ndërkombëtare etj., që edhe sakrifica sublime e familjes Jashari të interpretohet me konotacion dekurajues në kuptimin se shqiptarët e Kosovës edhe poqesë sakrifikohen bashkë me fëmijët e tyre, nuk do të mund të rezistojnë dhe fitojnë kundër regjimit të Millosheviqit.  Në fakt edhe pas krimit monstruoz të regjimit të Millosheviqit në sulmin ndaj familjes Jashari, institucionet politike ndërkombëtare ende vazhdonin të kenë një qasje refuzuese dhe paragjykuese ndaj UÇK-së. Por konsolidimi i Grupit Diplomatik të UÇK-së (në kuadër të emigracionit politik shqiptar) që përbëhej kryesisht nga veprimtarë të mirëshkolluar në universitete prestigjioze perëndimore dhe që përfaqësonin UÇK-në në pothuajse të gjitha shtetet perëndimore e pati një rol vendimtar për sukseset e para diplomatike të UÇK-së. Në këtë mënyrë, UÇK arriti të shënoj një etapë të re në vazhdën e (dhe si kulminacion) i kryengritjeve të armatosura dhe përpjekjeve të shqiptarëve për çlirimin e Kosovës prej vitit 1912. Sepse, tanimë UÇK duke qenë e inkurajuar nga altruizmi patriotik, heroizmi dhe sakrifica sublime e familjes Jashari, përveçse arrinte të bënte një përballje titanike ushtarake, edhe pse ishte tërësisht asimetrike në raport me forcat e armatosura të regjimit të Milosheviqit (sikurse Davidi kundër Goliatit), gjithashtu për të parën herë përfaqësimi politiko-diplomatik i një kryengritje të armatosur të shqiptarëve të Kosovës (UÇK-së) arrinte suksese të njëpasnjëshme diplomatike. Ky sukses diplomatik u arrit kryesisht si rezultat i veprimtarisë së Grupit Diplomatik të UÇK-së, nëpërmes takimeve dhe komunikimeve të suksesshme fillestare në emër të UÇK-së, para se gjithash me ambasadorët amerikanë Robert Gelbard dhe Richard Holbrooke, Ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Wolfgang Schüssel (gjatë kësaj periudhe Austria ishte udhëheqëse e radhës së BE-së), Ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Knut Vollebæk i cili gjatë luftës në Kosovë ishte udhëheqës i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), dhe me shumë personalitete të tjera me ndikim politiko – diplomatik në shtetet perëndimore, përfshirë interesimin e madh të gazetarëve të huaj që i mundësuan Grupit Diplomatik të UÇK-së, mbajtjen e konferencave dhe paraqitjen në debatet televizive dhe në mediat e shkruara në shtetet perëndimore. Si rezultat i kësaj veprimtarie intensive politike, diplomatike dhe mediatike të Grupit Diplomatik të UÇK-së, u arrit të ndryshohet qasja refuzuese dhe paragjykuese që ishte krijuar për UÇK-në, në kuadër të institucioneve politike ndërkombëtare, dhe se në këtë kontekst më 23 shtator 1998 Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, miratoi Rezolutën 1199, ku u hoq cilësimi i UÇK-së si organizatë terroriste dhe ky fakt shënoi një ndryshim cilësor lidhur me qëndrimin ndaj UÇK-së, krahasuar me Rezolutën 1160 të datës 31 mars 1998.   Kjo ishte me rëndësi sepse propaganda e regjimit serb përpiqej, përveç të tjerash, ta paraqesë UÇK-në në arenën ndërkombëtare si një organizatë terroriste dhe si organizatë fundamentaliste fetare. Në fakt, kjo ishte e një rëndësie të veçantë, sepse shqiptarët e Kosovës prej vitit 1912, në disa raste kishin korrur suksese gjatë betejave ushtarake, por tani si UÇK për të parën herë korrnin suksese gjatë betejave të njëpasnjëshme diplomatike, duke i përforcuar dhe siguruar binarët drejtë imponimit të çështjes së Kosovës për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkombëtare.  Në këtë vazhdë, me përshkallëzimin e luftës dhe krizës humanitare në Kosovë, UÇK-ja u mbështet edhe më shumë nga emigracioni politik shqiptar (pa marrë parasysh subjektet politike shqiptare në kuadër të emigracionit politik shqiptar).  Madje mobilizimi në kuadër të UÇK-së përfshiu edhe mobilizimin ushtarak nga vendet e largëta (ShBA-ja etj.) siç është shembulli i Batalionit Atlantiku etj.  Në fakt e gjithë kjo veprimtari ishte edhe kulminacion i përpjekjeve të vazhdueshme dhe  të përgjithshme të ish-emigracionit politik shqiptar drejt çlirimit përfundimtar të Kosovës.

    Rrjedhimisht, sikurse nismat në diasporën shqiptare në fillimshekullin XVIII (nga Naum Veqilharqi etj.), drejt unifikimit të shqiptarëve në një komb, përfshirë kontributin e vazhdueshëm të përgjithshëm dhe pothuajse vendimtar të diasporës shqiptare drejt  shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 (e cila shpallje e përfshiu edhe Kosovën). Ngjashëm emigracioni politik shqiptar, sidomos pas ngjarjes së 17 janarit 1982, arriti ta unifikoj veprimtarinë drejt një qëllimi të përbashkët, përfshirë kontributin e vazhdueshëm të përgjithshëm dhe pothuajse vendimtar të emigracionit politik shqiptar drejt këtij qëllimi të përbashkët për çlirimin përfundimtar të Kosovës. 

Referencat :

[1] Historia Popullit Shqiptar II (2002): Rilindja Kombëtare, vitet ’30 të shek. XIX-1912. Botimet Toena, f. 98-102, 121-131

[2] Noel Malcolm (2001): Kosova, një histori e shkurtër. Prishtinë: KOHA, f. 227-228

[3]Svein Mønnesland (2006): Før Jugoslavia og etter. Oslo: Syspress Forlag, f. 144-145

[4]Miroslav Hroch (2000): Social Preconditions of National Revival in Europe. New

York: Columbia University Press, f. xv

[5]Raportimi i Edward Greyt në parlamentin britanik më 12 gusht 1913: https://api.parliament.uk/historic-hansard/commons/1913/aug/12/war-inbalkans-statement-by-sir-edward

[6]Nicola Guy (2012): Lindja e Shqipërisë: Nacionalizmi etnik, Fuqitë e Mëdha të

Luftës së Parë Botërore dhe Lindja e Pavarësisë Shqiptare. Botime Pegi, f. 163, 174-175

[7]Po aty: 176

[8]Didie Zhylia (1994): Fjalor i Filozofisë. Tiranë: Shtëpia Botuese Enciklopedike, f. 205

[9]James Pettifer & Miranda Vickers: The challenge to preserve the cham heritage 2005, f. 236  https://www.professorjamespettifer.com/uploads/files/pdf/The%20challenge%

20to%20preserve%20the%20cham%20heritage.pdf

[10]Kultplus (1.prill 2020): Peozi e shkruar nga Pashko Vasa;“O moj Shqypni, e mjera Shqypni, kush te ka qitë me krye n’hi”: https://www.kultplus.com/poezi/o-moj-shqypni-e-mjera-shqypni-kush-te-ka-qite-me-krye-nhi/

[11]Intervistë e Jusuf Gërvallës botuar në gazetën gjermane “Tagische Zeitung”:https://m.gazetaexpress.com/arkiva/interviste-e-jusuf-gervalles-botuarne-gazeten-gjermane-tages-zeitung-131866/?arch_tb=temphttps://rajonipress.com/interviste-e-jusuf-gervalles-botuar-ne-gazeten-gjermane-tagische-zeitung/

[12]Në 80-vjetorin e lindjes së presidentit historik Ibrahim Rugova: https://www.epokaere.com/ne-80-vjetorin-e-lindjes-se-presidentit-historik-ibrahim-rugova/

[13]The albanian american civic league: “changing histori for twenty five years”: https://www.aacl.com/our-25-year-history

[14]Organizimi i vizitës së parë në Perëndim i delegacionit të Kuvendit të Kosovës në korrik 1990: https://www.epokaere.com/organizimi-i-vizites-se-pare-ne-perendim-i-delegacionit-te-kuvendit-te-kosoves-ne-korrik 

Filed Under: Mergata

Historia qoftë e drejtë me burrat e kombit…

January 18, 2025 by s p

Suadela Balliu/

Përjetësimi i Mustafa Merlika Krujës në një shtatore bronzi është dëshmi se e vërteta e gjen gjithnjë rrugën e vet. Edhe nëse vonon. Kjo ditë jep shpresë se historia i korrigjon gabimet. Biri i Krujës, një 25- vjeçar me ëndrra dhe ideale për Shqipërinë e tij u nis drejt Vlorës për të hedhur firmën në dokumentin e Pavarësisë, me atë dashuri e vizion siç më 1443-shin e kishte bërë Gjergj Kastrioti Skënderbeu kur ngriti flamurin kuqezi, pikërisht këtu, në kalanë e Krujës.

Kjo shtatore bëhet realitet dhe vjen si përmbushje e përpjekjeve të gjata të familjes Merlika, që për tri dekada kanë luftuar të heqin baltën mbi patriarkun e tyre dhe një prej personaliteteve të shquara të historisë, politikës e studimeve albanologjike.

Botimet e veprave, konferencat e simpoziumet mbi veprimtarinë e tij shumë dimensionale, shtruan rrugën që historia t’i hapë vend kësaj figure, një prej kryeministrave të Shqipërisë. Vendosja e shtatores në një prej shesheve të Krujës është hapi i parë konkret. Një falënderim i shkon padyshim edhe atyre që dhanë dakordësinë për ta vendosur shtatoren në një prej shesheve të Krujës – Këshilli Bashkiak i Krujës dhe prefektura e qarkut Durrës.

Për jetën dhe veprën, për kontributet si atdhetar, politikan e studiues flasin historianë, studiues e profesorë, por ajo që mund të them është se mjegulla po davaritet nga emri dhe figura e Mustafa Merlika Krujës, ashtu siç u davarit mjegulla e propagandës së regjimit të shkuar për ta dalluar qartë firmën e tij në Dokumentin e Pavarësisë.

Firmëtari i Pavarësisë, Sekretari i parë i qeverisë së Vlorës, Prefekti i Vlorës, Pjesëmarrës në Kongresin e Durrësit, Përfaqësues i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, Deputet në Parlamentin e parë shqiptar dhe Kryeministër i vendit…
Mustafa Merlika- Kruja ishte gjithmonë aty ku caktoheshin fatet e Shqipërisë, për të luftuar për të. Sot historiografia e regjimit të vjetër ia ka lënë vendin pluralitetit të mendimit dhe studimeve të pavarura e serioze që synojnë të hedhin dritë në periudha të caktuara e te figura të lëna në terr e në harresë.
Në 100 Vjetorin e Pavarësisë, Merlika Kruja do të merrte titullin “Nder i Kombit” nga presidenti i asokohe, Bamir Topi.
Sot kjo shtatore e rikthen përgjithmonë në shtëpi, shtëpinë e atdheun që nuk pati mundësi t’i shohë në të gjallë, me brengën për vendin e për familjen e cila vuajti tmerret e regjimit komunist, në burgje e kampe përqendrimi, vetëm pse ishin pinjollë të një prej politikanëve më të shquar të shekullit XX.

Kur flasim për Mustafa Merlikën i referohemi një figure që e ngriti veprimtarinë e tij në shekullin e 20, jo edhe aq larg në kohë, në përpjekjet për ravijëzimin e Shqipërisë si një shtet modern dhe europian. Gjatë administratës së qeverive në kohën e Princ Vidit qe këshilltar i arsimit publik dhe inspektor i arsimit në Elbasan dhe më 1940-n qe nismëtar për themelimin e Institutit të Studimeve Shqiptare dhe drejtues i saj. Me vepra si “Antologji Historike”, “Fjaluer Kritik i Shqipes”, “Lashtësi Shqiptare” e shumë të tjera ai ka dhënë kontribut të vyer në studimet albanologjike, të cilat për fat të keq, si për komunitetin e studiuesve ashtu edhe lexuesin e gjerë, janë bërë të njohura pas vdekjes së tij.

Një prej trashëgimtarëve të tij ishte vetëm katër muajsh kur gjyshi, që e mbante në krahë, do të largohej për të mos e parë kurrë më. Por ai nip, sot një intelektual fisnik si Eugjen Merlika, nuk është lodhur për ta çuar te shqiptarët veprën e Mustafa Merlika Krujës si albanolog, historian, publicist, politikan e padyshim burrë shteti.
“Po të na detyronte fati të zgjedhim njërën nga të dyja: të humbim Kosovën, apo pavarësinë, ne do të dëshironim të humbnim pavarësinë sepse të bashkuem me Kosovën, pavarësinë do ta rikthenim ndonjë ditë”, shprehej Merlika Kruja në prill të vitit 1941 dhe shumë janë thënë për këtë nga historiografia e shkuar.
Bashkimi i Shqipërisë etnike ishte dita më e lumtur e Mustafa Merlikës, ndërsa 24 nëntori 2024 do të jetë i familjes së tij.
Mustafa Merlika Kruja do t’i mbyllte sytë larg, shumë larg vendlindjes, në Ujëvarat e Niagarës, 27 dhjetorin e vitit 1958, por sot qytetarët e Krujës e çdo kalimtar do të ndalet e përshëndetet me shtatoren e birit të këtij qyteti që më shumë se gjithçka e desh Shqipërinë të lirë, të pavarur e të bashkuar.
Historia qoftë e drejtë me burrat e kombit!

*Suadela Balliu, fjala e mbajtur gjatë moderimit të ceremonisë së përurimit të bustit të Mustafa Merlika-Krujës. Krujë, 24 nëntor 2024.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT