• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2025

Filmi shqiptar në New York

January 5, 2025 by s p

Në një 3 ditësh cikël dimëror të Kinemasë së botës i bëjnë një vend të veçantë kinematografisë shqiptare. Disa filma të regjisorëve të rinj shqiptarë do të shfaqen për artdashësit mes të cilëve shfaqet edhe filmin KROM retrospektivë ( 2015) i mjeshtrit Bujar Alimani. Një mundësi e shkëlqyer jo vetëm për artistët, kineastët, regjisorët e rinj por mbi të gjitha për publikun shqiptar në New York e më gjërë që të njihet me punën e shkëlqyer të kineastëve e aktorëve të rinj shqiptarë në përpjekjet për të promovuar vlerat artistike të kombit tonë dhe për të depërtuar në industrinë e kinematografisë botërore në New York.

Pas shfaqjes së filmave shqiptarë, do të përformojnë për të pranishmit Merita Halili dhe Raif Hyseni.

Filed Under: Kulture

MESHARI I BUZUKUT NË DRITËN E HULUMTIMEVE MË TË REJA – ME RASTIN E 470 VJETORIT TË BOTIMIT

January 5, 2025 by s p

Meshari i Buzukut është pjesë përbërëse e kontributit shqiptar në rrjedhat krijuese letrare europiane të kohës. Ky libër është meshar i plotë, sipas traditës së Kishës Katolike. Ai është shkruar sipas mjedisit ku është krijuar, pra mbart shumë elemente lokale e kombëtare shqiptare, të cilat vërehen hapur në kultin e shenjtorëve lokalë e rajonalë, zakonet vendase dhe traditën e pasur fetare shekullore. Meshari, sot ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, në signaturën: Ed. Prop. IV. 244. – Një kopje e riprodhuar në mënyrë anastatike, e punuar nga laboratori i BAV-Vatikan, iu dorëzua kohëve të fundit presidentit të Shqipërisë.

Prof. Dr. Musa AHMETI

Centar for Albanian Studies – Budapest

Meshari i Gjon Buzukut hap një faqe të re një historinë e letërsisë shqiptare. Me të fillon historia e librit të botuar, [të njohur deri sot] në gjuhën shqipe. Andaj është e natyrshme që ky libër të tërheqë vazhdimisht vëmendjen e studiuesve dhe çdoherë t’i provokojë ata të masin forcat intelektuale që të kontribuojnë për zgjidhjen e shumë çështjeve të pazgjidhura, që dalin prej tij. Është e natyrshme, që si i tillë, ta nxisë çdo studiues të merret me të, por jo çdonjëri ka fatin të shënojë kthesë të rëndësishme në studimet buzukiane. Kur nga perspektiva e sotme i hedhim një vështrim studimeve buzukiane, nuk ka si të mos befasohemi me këmbënguljen e studiuesve për t’i ndriçuar çështjet e pazbërthyera që nxit ky libër.

Gjuha popullore filloi të përdoret me kohë në kishat nacionale, jo vetëm në shërbimet kishtare dhe ceremonitë e ndryshme, por edhe në takime me besimtarët si dhe në komunikimin e klerit dhe të rendeve kishtare. Kjo gjë është dëshmuar dhe argumentuar jo vetëm me dokumentet arkivore, por edhe me ruajtjen e teksteve të shumta, disa nga të cilat janë më të hershme se shek. XIV. Kështu që nga periudhat më të hershme, u zhvillua një letërsi [krijimtari] kishtare në gjuhë të ndryshme popullore, e cila si pjesë përbërëse e nevojës së përhapjes së besimit të krishterë, më parë u dëshmua te popujt, gjuha e të cilëve largohej më shumë nga latinishtja, pastaj edhe te popujt romanë dhe në letërsinë e tyre kombëtare. Sipas dëshmive të ruajtura në dorëshkrimet e shumta, kjo letërsi kishtare ka qenë e përfaqësuar në disa forma: në krijime mësimore për klerin si p.sh. manualë, doracakë me karakter të ndryshëm, breviarë, leksionarë, libra lutjesh e lavdesh, mesharë, psalterë, ungjij, si dhe libra të mësimit fetar për të gjithë besimtarët, të njohura si katekizma, tekste të thjeshta letrare, rrëfime për shenjtorët, krijime letrare siç ishin himnet, lutjet, lavdet, tekstet e ndryshme skenike që kanë shërbyer për nevojat e përhapjes dhe ruajtjes së besimit të krishterë.

Rrugëtimi i Mesharit nëpër shekuj

Fati i Mesharit të Gjon Buzukut, që nga botimi e deri në ditët e sotme, është shumë interesant! Ai mban në vete një histori të çuditshme për rrugën e mundimshme dhe tepër të vështirë për t’i përballuar kohës, shkatërrimit fizik, pakujdesisë e humbjes. Si libër u përmend për herë të parë nga autori shqiptar i shek. XVII Pjetër Bogdani, gjë që na bën të mendojmë se deri atëherë nuk ishte i humbur, por përkundrazi konsultohej dhe shfrytëzohej nga prelatët shqiptarë, duke kaluar nga një dorë në tjetrën. Këtë gjë më së miri na e ilustrojnë shënimet e shumta në margjinat e faqeve të ksombllës origjinale.

Gjurmët e Mesharit humbin deri në vitin 1743, kur imzot Gjon Nikollë Kazazi nga Gjakova njofton at Gjergj Guzetën, themeluesin e Seminarit Arbëresh të Palermos, për ekzistencën e një ksomblle të vetme, duke i dërguar atij një fragment të kopjuar të tij: “Antichissimo Missale per antichita tutto straciato”, me shënimin se ruhet në Bibliotekën e Kolegjit të Propaganda Fide [Kolegji për Ungjillizimin e Popujve] në Romë. Në shkrimet e tyre, Mesharin e përmendin edhe rektorët e Seminarit të Palermos, Pal Parrino /1710-1765/ dhe Sepë Krispi /1781-1859/. Mesharit nuk përmendet më deri në vitin 1898, kur e dërgojnë nga biblioteka e Kolegjit të Propaganda Fide në koleksionin e librave Orientale, të kardinalit Stefano Borgia. Bashkë me koleksionin Oriental të kardinal Borgia-s, disa vite më vonë ai bëhet pronë e Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, në Vatikan, duke u rregjistruar fillimisht me signaturën: R[accolta] G[enerale] Liturgia. III. 194., /R. G. Liturgia. III. 194./, që disa vite më vonë me signaturë të re, në të cilën ruhet edhe sot e kësaj dite: Ed. Prop. IV. 244.

Imzot Pal Skiroi ishte i pari që bëri të mundur riprodhimin fotografik të plotë të Mesharit në vitin 1909. Pas një pune këmbëngulëse shumëvjeçare, Skiroi bëri transliterimin, transkriptimin fonetik dhe një studim të veçantë për gjuhën e Mesharit, duke e krahasur atë me autorë të tjerë të Veriut të Shqipërisë, veçanërisht me Pjetër Budin. Megjithatë, vepra e Skiroit ka mbetur deri sot e kësaj dite në dorëshkrim dhe e pabotuar, edhe pse me këtë dorëshkrim janë shërbyer Namik Resuli, Eqrem Çabej dhe ne, gjatë hulumtimeve të bëra në Vatikan.

Në vitin 1929, Justin Rrota nxori tri kopje të filmuara të Mesharit, të cilat u depozituan në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, ku edhe sot e kësaj dite ruhet një kopje, ndërsa dy të tjerat në Shkodër: njëra në Seminarin e Etërve Jezuitë, ndërsa tjetra në Bibliotekën “Marin Barleti” të Shkodrës, e cila edhe është dixhitalizuar para disa vitesh dhe është në shfrytëzim për të gjithë të interesuarit. Në vitet ’50 të shek. XX, dy studiues të shquar shqiptarë, E. Çabej dhe N. Resuli, secili në mënyrë të pavarur nga tjetri, e përgatitën për botim, Mesharin, duke vënë në përdorim kriteret e shkencës bashkëkohore, si dhe tri mënyra të riprodhimit të exemplarit origjinal, transkriptimin fonetik, transliterimin dhe fototipinë, të përcjella me analiza të thukta kritike shkencore.

Namik Resuli e botoi studimin e tij në Vatikan në vitin 1958, në një numër të kufizuar ekzemplarësh, në kollanën e njohur Studi e Testi nr. 199; ndërkohë Eqrem Çabej e botoi në Tiranë në vitin 1968. Edhe pas këtyre botimeve, libri do të njihej vetëm nga rrethe të caktuara specialistësh dhe shkencëtarësh. Në fund të viteve ’90, Meshari depërtoi në masën e gjerë të lexuesve dhe u bë i mundshëm studimi i tij i shumanshëm. Ishte viti 1987, kur shtëpia botuese “Rilindja” e Prishtinës bëri ribotimin integral të tekstit të E. Çabejt, të vitit 1968. Vëmë në pah se, studimet e deritanishme (qoftë ai i Skiorit, apo këto të Resulit, Çabejt e Camajt dhe ky i yni së fundi), kanë disa dallime, që kanë të bëjnë sidomos me interpretimin e vlerave fonologjike të grafemave, të përdorura nga Buzuku, sepse gjuha arkaike, alfabeti i veçantë [grafemat sllave], përdorimi i të njëjtës grafemë me vlera të ndryshme e çështje të tjera, lënë vend për një studim të ri, të mbështetur në metoda të reja shkencore fonologjike, semiotike, analogjike, gjithsesi edhe informatike. Përkundër shumë studimeve, nga specialistë të shumtë, ende shumë gjëra rreth Mesharit kanë mbetur të pasqaruara.

Koncepti zhanror dhe përmbajtja e librit

Çështjet kryesore për diskutim rreth Mesharit janë: përmbajtja e librit dhe koncepti zhanror i tij. Me zbërthimin eventual të këtyre dy çështjeve dominuese do të zgjidheshin edhe disa të tjera, të cilat janë ngushtësisht të lidhura me dy të sipërpërmendurat, sidomos personaliteti i autorit, koha e krijimit të veprës, vendi dhe viti i saktë i botimit si dhe titulli i plotë i librit. Nga këndvështrimi i studimeve të deritashme buzukiane, jemi në gjendje të diskutojmë për shumë çështje të hapura, një pjesë e të cilave janë zgjidhur, kurse një pjesë tjetër pritet të zgjidhen në të ardhmen. Problemi i parë që meriton kujdes të veçantë është vetë Meshari dhe përmbajtja e tij, analiza dhe studimi i tij, si në rrafshin horizontal ashtu edhe në atë vertikal. Krahasimi analogjik me veprat e ngjashme, të botuara para dhe pas kohës kur u botua Meshari, mund të ndihmojnë në zgjidhjen tërësore ose të pjesëshme, të çështjeve të mbetura.

Mesharit i mungojnë së paku 8 fletët e para. Së bashku me këto fletë, fatkeqësisht, mungojnë edhe: titulli i vërtetë i librit, viti i botimit, vendi i botimit, emri i saktë i autorit ose i përkthyesit, titulli i origjinalit, nga ku janë marrë pjesët që janë përkthyer, leja e botimit, pastaj parathënja, hyrja dhe ndonjë poezi, në formë lavdi, që ishte gjë e zakonshme e kohës në botime të tilla. Mungesa e këtyre të dhënave u ka hapur rrugë studiuesve të shumtë, që të sjellin ide dhe argumente të reja, që nga ato të natyrës tipografike, e deri te ato gjuhësore, me të cilat dëshirohet të zgjidhen çështje shumë të diskutuara, të shkaktuara nga mungesa e të dhënave, të cilat do të duhej të ishin në faqet e para të librit. Natyrisht zgjidhja e problemit të vendit të botimit, do të ndihmonte të zbërtheheshin edhe shumë çështje të tjera të panjohura.

Vendi i botimit i Mesharit të Buzukut

Studiues të shumtë sjellin argumente dhe të dhëna shkencore me të cilat dëshmojnë se Meshari mund të jetë botuar në këtë apo në atë shtypshkronjë, respektivisht, në këtë apo atë qytet, duke u mbështetur kryesisht në fakte që nxirren nga pasthënja e Mesharit, si e vetmja dëshmi e sigurt deri më sot, e cila na sjell të dhëna biografike për autorin e veprës dhe kohën kur u shkrua vepra. Shkak për një gjë të tillë është pohimi i vetë Buzukut se: “ata qi shtanponjinë kishnë të madhe fëdigë, e aqë nukë mundë qëllonjinë se faj të mos banjinë, për-se për-herrë ëndaj ‘ta nukë mundë jeshe, u tue ënbajtunë një klishë, ënbë të dy anët më duhee me sherbyem”.

Këto argumente pastaj ndahen në dysh: fillimisht pohohet se libri është botuar në brigjet lindore të Adriatikut. Këtë ide e përfaqësojnë: F. Fishta, M. Domi, J. Rrota, N. Jokli, Dh. Shuteriqi, P. Janura, A. Stipçeviqi, A. Kovaçeci, R. Katiçiqi. Të gjithë këta, marrin si argument ekzistencën e shtypshkronjave të ndryshme dhe botimin e librave, qoftë në gjuhën latine apo në atë sllave. Të tilla kishte në në Shkodër, ku botohet Triodi sllavisht i vitit 1563; në Durrës në vitin 1584; Ulqin ose Tivar, etj., sepse mund të dëshmohet me siguri, se në këto qytete, në atë kohë, kishte edhe shtypshkronja lëvizëse. Përveç kësaj, mundësia e shërbimit të Buzukut në ndonjërën nga famullitë e afërta ose edhe faktori gjuhë, që është e afërt me të folmen e Krajës dhe Shestanit, mund të bëhet një lokalizim i përafërt, që nga rrethi i liqenit të Shkodrës, me një pjesë të Malësisë së Madhe deri në detin Adriatik. Mendimi tjetër, sipas të cilit botimi e Mesharit vendoset në brigjet perëndimore të Adriatikut, përfaqësohet nga M. Roques, G. Schiro, G. Petrotta, C. Tagliavini, N. Resuli, M. Camaj, E. Çabej, I. Zamputi, E. Sedaj, V. Putaneci, T. Lladani, të cilët mendojnë se libri është shtypur në Venedik. Jovan Tomiqi mendon se libri u shtyp në Napoli.

Në vitin 1968, profesor E. Çabej tërheq vëmendjen në botimin kritik të Mesharit duke thënë që libri dhe autori duhen vlerësuar në kontekstin e rrethanave favorizuese për botimin e këtij libri. Si e rëndësishme mund të llogaritet, çështja e botuesit: Kush mund të ishte meceni, sponsori, porositësi i librit? Ky fakt, hap një çështje të re, e cila domosdo ndihmon të zbërthehet përmbajtja e librit, vendi i botimit, por edhe çështje të tjera, që janë drejtpërdrejt të lidhura me librin, historinë e tij dhe autorin. Duke analizuar nga ky kënd vështrimi këtë çështje, kemi dy mundësi favorizuese për botimin e librit, respektivisht, dy mecenë të mundshëm: a) Vatikani apo ndonjëri nga Kongregacionet e tij dhe b) ndonjëri nga fisnikët shqiptarë, të cilët ishin të shumtë në Itali, si p.sh. Albanët, Engjëllorët, Muzakajt, Kastriotët, Spanët, Matrangët, etj., të cilët edhe më parë, janë kujdesur dhe kanë financuar botime të ndryshme të humanistëve shqiptarë në Itali.

Përsa i takon kohës së botimit, është i pamohueshëm fakti se Meshari nuk ka mundur të botohet para vitit 1555! Këtë gjë na e dëshmon vetë Buzuku, në pasthënien e librit kur pohon: “Ëndë vietët M.D.L.IV., një-et dit ëndë mars zuna ënfill, e ënbarova ëndë vietët një M.D.L.V., ëndë kallënduor V. dit”.

Biografia e Buzukut, me shumë të panjohura

Për biografinë e autorit të Mesharit, disponojmë shumë pak të dhëna. Praktikisht kemi vetëm ato që na i ofron vetë Buzuku në pasthënien e librit, ku pohon se: është i biri i Bdek Buzukut, e asgjë më shumë. Pra mbeten të pandriçuara viti i lindjes, viti i vdekjes, vendlindja, shkollimi dhe shërbimi kishtar në një apo më shumë vende. Përkundër hulumtimeve të shumta të bëra në arkiva dhe biblioteka të ndryshme europiane, nuk kemi arritur të gjejmë as edhe një të dhënë të vetme për Gjon Buzukun. Përjashtohet mundësia që të ketë studiuar në ndonjërin nga kolegjet ekzistuese të kohës në Itali, sepse asnjëri nga librat amzë të studentëve që u arsimuan atje, nuk përmban të dhëna për një student me emër të tillë. Nuk mund të themi asgjë të sigurt as për pozitën e tij kishtare! Një gjë e themi me siguri, se emri i Gjon Buzukut nuk figuron në emrat e relatorëve të kohës. Po ashtu nuk gjendet as në regjistrat e Arkivit Sekret të Vatikanit, as si ipeshkv apo kryeipeshkv. Këto i kemi konsultuar e shfytëzuar me vëmendje të veçantë, me shpresë se do të gjenim ndonjë shënim, por përpjekjet tona, edhe pse për një kohë të gjatë dhe me përkushtimin maksimal, kanë rezultuar të pasuksesshme.

Duke u mbështetur në gjuhën e Mesharit, studimet gjuhësore kanë ndihmuar deridiku për lokalizimin e vendlindjes ose vendshërbimit të Buzukut! Kjo kërkohet në zonat veriperëndimore gege, që do të ishte: rrethi i Liqenit të Shkodrës me një pjesë të Malësisë së Madhe deri në detin Adriatik. Mirëpo, gjuha e veprës, jo gjithmonë është shprehje e gjuhës së vendlindjes së autorit, sepse ajo, gjuha e veprës, mund të ishte edhe gjuhë e shërbimit. Kështu edhe mbështetja në gjuhën e Mesharit nuk mund të llogaritet si argument shumë i sigurtë për zgjidhjen e problemit të vendlindjes ose vendshërbimit të Buzukut.

Libri në gjendjen ekzistuese është i lidhur me kopertina lëkure, por është shumë i dëmtuar. Ai ka format: 20 x 14 cm dhe ka 94 fletë ose 188 faqe, nga 110 fletë ose 220 faqe sa duhej të kishte. Kanë humbur 16 fletë ose 32 faqe, të paginuara me numra romakë! Përveç faqes së parë [frontespicit] të humbura llogariten edhe fletët 1-8, 27-29, 33-36 dhe 63, që duhej të ishte 73. Përveç kësaj, kemi edhe disa gabime te paginimi i faqeve, si p.sh. f. 49 është shënuar si 39, f. 61 është shënuar si 59, pastaj f. 65 është shënuar në vend të f. 55. I njëjti gabim përsëritet edhe në f. 89 që shënohet si 79 dhe e fundit f. 90 duhet të ishte 110. Në margina të faqeve ka të shënuara me dorë emra, përshëndetje dhe fjalë të tjera në gjuhën shqipe, që i kanë bërë lexuesit e librit. Libri është i shkruar në dy shtylla, me alfabet latin, të tipit gotik dhe ka pesë grafema të tipit sllav, të bosançicës.

Botimi i Mesharit të Buzukut u realizua me qëllime të caktuara. G. Schiro pohon se ai duhej të përmbushte tri kërkesa: a) nevojën e përditshme për shërbime fetare; b) përgatitjen dhe thellimin e njohurive liturgjike të prelatëve shqiptarë dhe c) edukimim fetar masiv, të masës së besimtarëve që ndodhej në kufijtë me Perandorinë Osmane. Këtë qëllim të Mesharit na e pohon edhe vetë Buzuku: “u lus ënbas sodi ma shpesh të uni ëm klishë, për-se ju kini me gjegjunë ordhëninë e t’inë Zot; e ate në ënbarofshi Zot’ynë të ketë mishërier ënbi ju”, duke dëshiruar që kështu të luftonte disa dukuri të këqija, që u kanoseshin besimtarëve shqiptarë, “lëkundjes nga besimi i moçëm” me anë të reformës dhe islamizimit, që siç pohon E. Çabej: “Po bënte përparimet e para në vend”. Nëse përjashtojmë reformacionin, Kisha Katolike që në shek. XIII kishte lejuar përdorimin e gjuhëve kombëtare. Mund të sillen të dhëna të shumta, që nga papa Inocenti IV, i cili në vitin 1248 u kishte lejuar kroatëve të ishujve të Kvarnerit dhe të Dalmacisë ushtrimin e liturgjisë në gjuhën e tyre kombëtare, në gjuhën kroate, por edhe botimin e librave fetare me alfabet glagolik.

Të dhëna të tërthorta flasin se Vatikani ka pasur si qëllim që me këtë libër të forconte besimin e lëkundur tek shqiptarët, si nga lëvizja reformiste (protestantizmi) e heretike [bogumilizmi], ashtu edhe nga konflikti i ashpër kishtar ndërmjet dy kishave, asaj të Lindjes dhe të Perëndimit, që ishte mjaft i theksuar në atë kohë në Ballkan. Përmbi të gjitha këto ishte edhe rrezikur i madh dhe real i përhapjes së islamizmit, përhapje kjo mjaft shqetësuese për Vatikanin.

Meshari i Buzukut – korelacione me botime të ngjashme të kohës

Në studimin e tij, Eqrem Çabej pohon se: “Meshari, veç ndonjë fraze vetiake t’autorit hedhur tek-tuk nëpër tekst, është fund e krye përkthim”. Prof. Çabej anashkaloi punën e Mario Rokut, i cili kishte bërë krahasime me libra të ngjashëm boshnjakë. Ky i fundit kishte nxjerrë përfundime se Meshari ishte një kombinim i një Meshari me elemente të një horologu, me pjesë të një katekizmi e të një rituali françeskan analog, me një horolog sllavisht, libër oficiesh e uratash që ishte në përdorim në Bosnjë nga viti 1512. Çabej u thellua në analizën e tekstit të Mesharit shqip, duke e krahasuar atë me botime të ngjashme latine e italiane, p.sh. me botimin e Venedikut nga viti 1598, por edhe me botime të mëvonshme të ritit lindor, të të dy ungjijve. Çabej thekson se për të arritur rezultatet e dëshiruara është e domosdoshme të konsultohen edhe botime më të hershme se Meshari shqip, sidomos ato që ishin në përdorim “para Koncilit Tridentin”, të arealit gjuhësor gjeografik të Bosnjës, Kroacisë e Dalmacisë, pastaj përmend edhe reçensionet e M. Reshetarit, por edhe botimin e F. Fancevit të lutësorëve e psalterëve kroatë, nga shek. XIV dhe XV-të, të Raguzës, me të cilët, mund të afrohet Meshari shqip.

Ne, fillimisht krahasuam Mesharin shqip me “Lutësorin kroat të Vatikanit”, origjinali i të cilit duhet në dorëshkrim në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit. Ne kemi pasur privilegjin të shfrytëzonim për konsultim si origjinalin, ashtu edhe botimin e mëvonshëm. Pastaj kemi konsultuar edhe “Psalterin dubrovnikas” në origjinal, i cili ruhet në Bibliotekën e Kuvendit Françeskan (OFM), në Dubrovnik. Pas krahasimit arritëm në përfundimin se pjesët e para të Mesharit të Buzukut, janë plotësisht identike me tekstin e “Lutësorit kroat të Vatikanit” deri në fund të kapitullit të VII-të, të “Shatë psallmeve pendëstare”. Pjesa tjetër e Mesharit shqip është deri diku identike me “Officium Beatae Mariae Virginis”. Përveç këtyre, krahasuam Mesharin shqip me dy mesharë të tjerë kroatë nga vitet 1483 dhe 1494 si dhe me “Leksionarin e Bernardinit” të vitit 1495. Më në fund, duke pasur parasysh traditën e pasur humaniste të shqiptarëve në bregdetin dalmat, si një rezultat i një procesi të gjatë kohor, në raportet kulturore shqiptaro-kroate, që daton shumë më heret se shek. XIV, konsultuam edhe “Mesharin e Verbnikut”, që ishte botuar me urdhër të kryeipeshkvit shqiptar të Senjit, Ndreut nga Durrësi, nga viti 1458. Mund të pohojmë se tradita e shkrimit shqip para Buzukut ishte në vazhdimësi, gjithnjë duke pasur parasysh edhe kontributin e jashtëzakonshëm që dhanë prelatët shqiptarë të bregdetit të Adriatikut, qoftë në qytetet shqiptare, qoftë në ato dalmate. Nga këto krahasime nxorëm përfundimin se Meshari i Buzukut, aq sa ndjek tekstet e ngjashme liturgjike të kohës, aq edhe largohet prej tyre.

Nëse Mesharin e Buzukut e studiojmë me vëmendje, do të bindemi se ai, jo vetëm që është përfaqësuesi më i denjë dhe më tipik i tendencave letrare e fetare të kontinentit europian të kohës, po ai është edhe pjesë përbërëse e kontributit shqiptar në rrjedhat krijuese letrare europiane. Mungesa e të dhënave dhe e dokumenteve të kohës, na e vështirëson punën për të dhënë gjykime të sakta dhe përfundimtare, por shpresojmë se në të ardhmen, edhe kjo çështje do të ketë zgjidhje të favorshme.

Meshari i Gjon Buzukut, është meshar i plotë, sipas traditës së Kishës Katolike me përmbajtje, renditje, manifestime dhe infiltrime të njëjta të Kishës Universale. Ai është ndërtuar sipas mjedisit ku është krijuar, pra mbart shumë elemente lokale e kombëtare shqiptare, të cilat vërehen hapur në kultin e shenjëtorëve lokalë e rajonalë, zakonet vendase dhe traditën e pasur fetare shekullore.

Kohëve të fundit studiuesja italiane nga Venediku, Lucia Nadin, pas hulumtimeve dhe kërkimeve shkencore në arkiva e biblioteka të Venedikut, sjell në vemendje se libri i Gjon Buzukut, Meshari, u shtyp në Venedik. Sipas kësaj autoreje, ky libër qarkulloi dhe u përdor në këtë qytet nga priftërinj shqiptarë në kishat shqiptare të Venedikut dhe u përdor edhe në Scuola degli Albanesi. Edhe pse një pohim i tillë mund t’i afrohet të vërtetës, autorja ende nuk është as vetë e bindur përfundimisht për një gjë të tillë. Mbetet që studimet e ardhëshme ta ndriçojnë këtë problematikë.

Pas qindra vitesh, ksomblla origjinale e Mesharit të Buzukut erdhi në Shqipëri me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 2012. Meshari i Buzukut u ekspozua në Bibliotekën Kombëtare dhe u vizitua nga mijëra shqiptarë e të huaj, por sigurisht duke respektuar kushtet e sigurisë, që nënkuptojnë vetëm shikimin e tij përmes kutisë së xhamit, në të cilën ndodhej. Edhe pse në Shqipëri, studiuesit shqiptarë nuk arritën ta shfletojnë apo ta prekin atë, kështu që ai u kthye pas në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, i pastudiuar, si në aspektin paleografik, të cilësisë së letrës, të ngjyrës së shkronjave, të peshës së letrës, të rrjetit të letrës dhe të shenjave të ujit, të filigranes. I vetmi që i ka bërë një studim sipërfaqësor shenjave të ujit dhe ngjyrës së letrës ishte Martin Camaj, studim ky që lë për të dëshiruar. Një kopje e riprodhuar në mënyrë anastatike, e cila është punuar nga laboratori i BAV-Vatikan, iu dorëzua presidentit të Shqipërisë, kohëve të fundit. Ajo gjithashtu zgjoi interes të jashtëzakonshëm te publiku shqiptar, kur u ekzpozua për disa orë në presidencën e Shqipërisë. Sipas njohurive tona, kopje të tilla, të riprodhuar në mënyrë anastatike, mund të porositen në BAV, por sigurisht me një çmim mjaft të lartë. Kjo kopje është riprodhim identik, por i mungojnë filigranes, rrjeta dhe pesha e letrës, që sigurisht nuk janë më të shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Ajo është e ngjashme me kopjen e riprodhuar anastatike të Kuvendit të Arbrit të vitit 1706, që e ka ish-ambasadori i Shqipërisë në Vatikan, z. Zef Bushati.(Ribotim).

Filed Under: Opinion

Dënimi i Trump është caktuar për 10 janar. Ç’ mund të ndodhë më pas?

January 5, 2025 by s p

Opinion nga Rafael Floqi/

NJU JORK – Jemi përballë dilemës së paparë më parë, se si, kur apo, edhe nëse do të dënohet një ish- president dhe një president i ardhshëm i SHBA-së. Gjykatësi në çështjen e parave të heshtura të Presidentit të zgjedhur Donald Trump mori së fundi një vendim dramatik, edhe pse mund ta mbyllte çështjen në një “fund të heshtur”.

Në një vendim të premten, gjykatësi i Manhattan-it, Juan M. Merchan e caktoi datën e shpalljes së dënimit, 10 ditë përpara datës së inaugurimit të Trump -it, por gjykatësi shtoi se ai po prirej drejt një dënimi që do të përbënte, thjesht një mbyllje të çështjes, pa ndonjë dënim të vërtetë. Ai tha se Trump mund të merrte pjesë në gjyq në 10 janar qoftë edhe nga distanca, për shkak të detyrave të tij të tranzicionit.

Megjithatë, kjo do ta bënte që Trump të kthehej në Shtëpinë e Bardhë thjesht si “një i dënuar për krime” dhe kjo do t’i bënte gazetarët e MSNBC që t’u shkonte goja lëng.

Por a do të shkohet gjer aty? Trumpi dëshiron që dënimi t’i hiqej dhe çështja të pushohej, ndërsa drejtori i komunikimit Steven Cheung, tha se presidenti i zgjedhur do të “vazhdojë të luftojë”. Por është e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë me këtë rast të paprecedent dhe të paparashikueshëm. Këtu janë disa nga pyetjet kryesore dhe çfarë ne dimë:

Pse Trump-in “e pret” një dënim?

Trump u dënua në maj për 34 akuza për krimin e falsifikimin e të dhënave të tij të biznesit nga një juri. Ato i përkisnin një pagese prej 130,000 dollarësh, të bërë përmes ish-avokatit të tij personal në vitin 2016, për të mbajtur larg aktoren porno Stormy Daniels, nga publikimi i historisë së pretenduar të saj, për marrëdhënie seksuale me Trump një dekadë më parë. Trumpi e mohon pretendimin e saj dhe thotë se nuk ka bërë asgjë të keqe.

Dënimi i Trump-it u caktua fillimisht për më 11 korrik. Por me kërkesë të avokatëve të tij, procedura u shty dy herë, duke përfunduar së fundi në një datë në fund të nëntorit, pas zgjedhjeve presidenciale. Pastaj Trump fitoi, dhe Merchan e vuri gjithçka për vendimin në pritje për të parë se çfarë të bënte.

Çfarë urdhëroi gjykatësi?

Merchan ia rrëzoi kërkesën e Trumpit për të hedhur poshtë dënimin dhe të gjithë çështjen. Gjykatësi urdhëroi që Trump të paraqitej – virtualisht ose personalisht, sipas dëshirës së tij – për masën e dënimit në orën 9:30 të mëngjesit të datës 10 Janar.

Cili do të jetë dënimi i Trump-it?

Kjo nuk do të ishte përfundimtare, për derisa gjyqtari ta shpallte vendimin dhe ai vuri në dukje se me ligj, ai do duhet t’u jepte prokurorëve dhe Trump-it një mundësi për të peshuar qëndrimin e tyre. Akuzat parashikojnë dënime të mundshme që variojnë: nga një gjobë ose me kusht, deri në katër vjet burg.

Por gjyqtari shkroi se “opsioni më i zbatueshëm” duket të jetë, ai që quhet “një shkarkim i pakushtëzuar”, që përfundon një çështje pa burgim, gjobë ose me kusht. Por “një shkarkim i pakushtëzuar” e lë dënimin e të pandehurit të shkruhet në rekordet penale. Dhe me ligj në Nju Jork, çdo person i dënuar për një krim duhet të sigurojë një mostër të ADN-së për bazën e të dhënave të krimit të shtetit, madje edhe në rastet e një shkarkimi pa kushte.

A mund ta apelojë, apo ta ndalojë Trump këtë dënim?

Kjo është e turbullt dhe paqartë. Apelimi i një dënimi ose dënimi është një gjë, por gjërat e para për të sfiduar llojet e tjera të vendimeve vijuese gjatë një rasti të tillë janë të ndërlikuara.

Ish-gjyqtarja e Manhattan-it, Diane Kiesel tha, se sipas ligjit të Nju Jorkut, vendimi i së premtes nuk mund të apelohet, por kjo “nuk do të thotë, se ai nuk mund të gjykohet”.

Ndërkohë, avokatët e Trump janë përpjekur që një gjykatë federale ta merrte përsipër kontrollin e çështjes. Prokurorët e Gjykatës së Rrethit të 2-të të Apelit do të duhet, deri në 13 janar të paraqesin një përgjigje, tre ditë pasi Trump të dënohej.

Mbrojtja gjithashtu ka sugjeruar se do të kërkonte, ndërhyrjen e Gjykatës së Lartë, nëse Merchan nuk e hidhte poshtë çështjen. Në 25 nëntor në një letër drejtuar gjykatësit, avokatët e Trump-it pretendonin se Kushtetuta e SHBA e lejon apelimin në Gjykatën e Lartë sepse mbrojtja, po paraqiste argumente për imunitet presidencial.

Pjesa më e madhe e argumentit të tyre ka të bëjë me vendimin e korrikut të Gjykatës së Lartë mbi këtë temë, i cili u dha mbrojtje të konsiderueshme ligjore presidentëve. Avokatët e Trump mund të përpiqen ta bindin Gjykatën e Lartë, se ajo duhet të vazhdojë me këtë çështje, duke u përfshirë tani edhe në çështjen e parave të heshtura.

Një zëdhënës i Trump tha se nuk ishte marrë asnjë vendim, nëse do të kundërshtohej vendimi i Merchan.

Çfarë thonë prokurorët për gjithë këtë?

Ata nuk pranuan të komentojnë vendimin e Merchan. Ata e kishin inkurajuar më parë që ai të mbështeste verdiktin dhe i ofruan opsione të tilla, si vonesa e dënimit derisa Trump të largohej nga detyra, duke premtuar se ai nuk do të burgosej, ose mbylljen e çështjes, duke vënë në dukje se ai ishte dënuar, por nuk u dënua për shkak të imunitetit presidencial. Merchan tha se i këto ide i dukeshin të paqëndrueshme.

Ja pse kjo është një “Çështje Frankenstein”

Gjykatësi dhuroi para – një shumë të vogël, 35 dollarë, por kjo është në shkelje të qartë e një rregulli që i ndalon gjyqtarët e Nju Jorkut të bëjnë donacione politike të çdo lloji – për një operacion politik, si ai pro-Biden, anti-Trump, duke përfshirë fondet që gjyqtari caktoi për ” t’ i rezistuar Partisë Republikane dhe trashëgimisë radikale të krahut të djathtë të Donald Trump.” A do të ishin pro qytetarët, që gjyqtari të gjykonte këtë çështje, nëse ai do të kishte dhuruar disa dollarë për lëvizjen “Rizgjidhni Donald Trump, MAGA përgjithmonë!”? Absolutisht jo.

Prokurori i Qarkut të Manhattan, Alvin Bragg kandidoi për postin e prokurorit në një qark me shumicë demokratike, duke promovuar aftësitë e tij për gjueti ndaj Trump. Ai në mënyrë të çuditshme (dhe në mënyrë të rreme) mburrej gjatë e fushatës, “Është fakt, që unë e kam paditur Trumpin mbi 100 herë”.

E rëndësishmja, është se akuzat e DA (District Attorney/Prokurorit të Districtit) kundër Trump, zgjerojnë kufijtë e jashtëm të veprimit të ligjit dhe procesit të duhur. Kjo nuk është në juri. Kjo u takon prokurorëve që zgjodhën ta çojnë çështjen dhe gjyqtarit që e la të luhej siç ndodhi.

Zyra e shtypit e prokurorisë së qarkut dhe stafi i saj shpesh shpallën se akuzat për falsifikim të të dhënave të biznesit janë “të zakonshme” dhe, në të vërtetë, “bukë e gjalpë”. Kjo është e vërtetë, vetëm nëse vizatoni linja përkufizimi të ligjit aq të gjera sa t’i bëni ato të pakuptimta. Sigurisht që DA akuzon mjaft shpesh për falsifikim? Pothuajse çdo rast mashtrimi përfshin një lloj dokumentacioni të rremë.

Akuzat kundër Trump janë të errëta dhe të paprecedente

Por kur impononi parametra domethënës gjatë një hetimi, e vërteta del në pah: Akuzat kundër Trump-it janë të errëta dhe pothuajse tërësisht të paprecedente. Në fakt, asnjë prokuror shtetëror – në Nju Jork, apo Wyoming, apo kudo qoftë – nuk i ka akuzuar ndonjëherë me ligjet federale të zgjedhjeve si një krim të drejtpërdrejtë të shtetit, kundër askujt, për asgjë rast. Asnjë. ndonjëherë. Edhe duke lënë mënjanë specifikat e ligjit zgjedhor, vetë DA e Manhattan-it pothuajse nuk sjell asnjë rast, në të cilin falsifikimi i të dhënave të biznesit është akuza e vetme.

Duke qëndruar vetëm aty, akuzat për falsifikim do të ishin thjesht kundërvajtje, sipas ligjit të Nju Jorkut, i cili paraqiste dy probleme për DA. Së pari, askush nuk kujdeset për një kundërvajtje, dhe do të ishte për të qeshur që të ngrihej akuza e parë kundër një ish-presidenti për një vepër të parëndësishme që bie në të njëjtin klasifikim penal teknik si vjedhja e një Snapple apo një qese Cheetos nga një dyqan. Së dyti, statuti i parashkrimit për një kundërvajtje ishte – dy vjet – dhe ka të ngjarë të ketë skaduar prej kohësh në sjelljen e Trump, e cila daton në 2016 dhe 2017.

Pra, për t’i fryrë akuzat deri në krimin e nivelit më të ulët (klasa E, në një shkallë nga klasa A deri në E) – dhe për t’i rikthyer ato në jetë brenda afatit më të gjatë të parashkrimit të krimit – DA pretendoi se falsifikimi i rekordeve të biznesit është kryer “me qëllim për të kryer një krim tjetër”. Këtu, sipas prokurorëve, “ky krim tjetër” është një shkelje e ligjit zgjedhor të shtetit të Nju Jorkut, i cili nga ana e tij përfshin tre “mjete të paligjshme” të veçanta: krimet e fushatës federale, krimet tatimore dhe falsifikimin e akoma më shumë dokumenteve. Në mënyrë të pafalshme, DA refuzoi të specifikonte, se cilat ishin në të vërtetë ato mjete të paligjshme – dhe gjykatësi nuk pranoi t’i detyronte jurinë të sqaronte ato – derisa sa të mbyllte argumentet. Aq sa për detyrimin kushtetues për njoftimin e të pandehurit për akuzat ndaj tij përpara gjykimit. (Për këtë, njerëz, janë aktakuzat.)

Në këto aspekte kryesore, akuzat kundër Trump nuk janë thjesht të pazakonta. Ato janë si me porosi, me sa duket, të krijuara individualisht për ish-presidentin dhe askënd tjetër.

Punonjësit e DA të ( District Attorney/Prokurorit të Districtit) Manhattan thuhet se e kanë quajtur këtë si “Një rast Zombie” për shkak të dobësive të ndryshme ligjore, duke përfshirë mekanizmin e çuditshëm të tarifimit. Por ky rast, mund tw karakterizohet më mirë, si “Çështja Frankenstein”, e arnuar me pjesë të papërshtatshme të një konstruksioni të shëmtuar, të sikletshëm, por, pak a shumë funksional, që në fund të fundit, mund të kthehet kundër krijuesin së tij.

A mund ta apelojë Trump dënimin e tij?

Po. Por me ligj, ai nuk mund ta bëjë këtë derisa të dënohet. Trump do të apelojë, siç është e drejta e tij, dhe ai është i sigurt se do t’i kundërshtojë akuzat e shpikura të ndërtuara nga DA. Nuk shkoj aq larg sa të them se cilado gjykatë apeli, ka të ngjarë të rrëzojë çdo dënim – ligji i Nju Jorkut është mjaft i gjerë dhe i mjegullt sa për të lejuar (potencialisht) makinacione të tilla – por ai do të ketë një goditje të mirë.

Fjala e jurisë është me të vërtetë e shenjtë. Por nuk mund të rregullojë gjithçka që i parapriu. Këtu, prokurorët zgjodhën njeriun e tyre, të paktën tani për tani – por ata gjithashtu e dolën kundër ligjit dhe manipuluan atë në një mënyrë të paprecedente, në përpjekjen për të kapur prenë e tyre “një kundërshtar politik si Trump”.

A mund ta falë Trump veten, pasi të jetë president?

Jo në këtë rast. Faljet presidenciale zbatohen vetëm për krimet federale. Pasi Trump dënohet nga një gjykatë e shtetit të Nju Jorkut. Ndaj ata po nxitojnë ta dënojnë, thjesht për t’i vënë nofkën e “të dënuarit” para se të betohet.

Asnjë njeri nuk është mbi ligjin

Kjo është bërë klishe, por është një pikë e rëndësishme dhe ia vlen të ndalemi për të reflektuar mbi rëndësinë e këtij parimi thelbësor. Por është gjithashtu e pakuptimtë, nëse ne do të tolerojmë (ose më keq, të festojmë) pa diskutim devijimet nga procesi dhe parimi për të arritur drejtësi. Ja vlen këtu të kujtojmë një citim të Martin Luther King Jr. “Injustice anywhere is a threat to justice everywhere.” (Padrejtësia ndonjëherë është një kërcënim për drejtësinë kurdoherë.) edhe në bëhet fjalë për njeriun e zgjedhur si më i fuqishmi i botës.

Filed Under: Analiza

VATRA PROMOVOI VEPRËN E SHKRIMTARIT YLLJET ALIÇKA

January 4, 2025 by s p

Sokol Paja/

New York, 4 Janar 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra promovoi veprat e shkrimtarit dhe diplomatit z.Ylljet Aliçka “Parullat” dhe “Metamorfoza e një kryeqyteti”. Me pjesëmarrjen e shkrimtarëve, diplomatëve, drejtuesve të shoqatave kryesore patriotike në New York e më gjërë, Federata “Vatra” si lideri i padiskutueshëm i veprimtarive patriotike e kulturore në mërgatën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bashkoi shqiptarët në një festë kulturore dhe letrare që promovon vlerat atdhetare, kulturën e letërsinë më të mirë shqipe. Editori i Diellit në prezantimin e shkrimtarit Ylljet Aliçka para pjesëmarrësve u ndal te kontributi në letërsi, kinematografi, diplomaci dhe çmimet në arën ndërkombëtare si arritje personale por edhe kombëtare. Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj uroi mirëseardhjen në emër të Federatës Vatra dhe vlerësoi personalitetin e shkrimtarit Ylljet Aliçkaj në diplomaci dhe letrat shqipe. Editorja e gjuhës angleze në gazetën Dielli Rafaela Prifti u shpreh në analizën e saj se vëllimi me tregime “Parullat” është letërsi artistike por aty ka ngjarje të një realiteti të përjetuar. Çështja është se e tashmja jone nuk është shumë larg atij realiteti. Prandaj sot mund te pyesim: A jemi më afër të kuptuarit të vetes kur kemi në duar “Parullat në gur”? Dr. Ardiana Mici pedagoge në Universitetin “Fan Noli” në Korçë, analizoi veprën “Metamorfoza e një kryeqyteti” të shkrimtarit Ylljet Aliçkaj. Dr. Mici u shpreh se Me romanin “Metamorfoza e një kryeqyteti”, Ylljet Aliçka vjen si një autor i afirmuar tashmë për mendimin e tij të mprehtë dhe provokues në veprat e mëparshme. “Metamorfoza e një kryeqyteti” është një roman që shpalos gradualisht transformimet që përjeton kryeqyteti shqiptar në kushtet e ndryshimeve të thella politike, ekonomike, sociale dhe kulturore në periudhën kalimtare nga sistemi komunist drejt pluralizmit politik dhe ekonomisë së tregut. Edhe pse romani titullohet “Metamorfoza e një kryeqyteti”, në thelb ai fokusohet tek transformimet që pëson mënyra e jetesës dhe njerëzit e tij më shumë sesa tek ndryshimet që pëson peizazhi urban, ndonëse edhe këto nuk janë të pakta. Narrativa e romanit gërsheton mjeshtërisht historitë personale me ndryshimet e forta politike, shoqërore dhe ekonomike që ndodhnin në vend gjatë sistemit komunist, degradimit dhe rënies së tij. Duke zgjedhur pikërisht këtë sfond historik shkrimtari e ndërton romanin përmes përjetimeve të personazheve, përplasjes së brendshme të ndjenjave dhe mendimeve të tyre në përpjekje për të bërë zgjedhjen e duhur për ti mbijetuar diktaturës apo për të zgjidhur dilemat e mëdha në lidhje me identitetin dhe përkatësinë shoqërore dhe politike në momentet e ndryshimit.

Shkrimtari z.Ylljet Aliçka në fjalën e tij shprehu mirënjohje dhe falënderim për Vatrën e mërgatën shqiptare në New York për mikpritjen. Z. Aliçka theksoi se gjatë kohës së komunizmit teksa dëgjonte fshehurazi radion “Zëri i Amerikës” ishte njohur me aktivitet e Vatrës. “Vatra është qëndër shumë e rëndësishme emblematike, historike dhe patriotike” u shpreh shkrimtari Aliçka. Para të pranishmëve diplomati e shkrimtari Aliçka përgjatë bashkëbisedimit me të pranishmit prezantoi 6 veprat e tij në prozë dhe përkthimet ndërkombëtare, diskutoi rreth krizës së leximit në ditën e sotme, rëndësinë e përkthimit të veprave letrare në gjuhët e veçanta, situatën politike e shoqërore në Shqipëri, letërsinë shqipe si peisazh në raport me letërsinë ndërkombëtare, diversitetin kulturor, edukimin dhe integrimin e fëmijëve shqiptarë në kulturën dhe shoqërinë amerikane. Ky takim i ngrohtë dhe shumë i rëndësishëm kulturor e letrar te Vatra ngroh dhe fton shqiptarët drejtë komunitetit, aktiviteteve kulturore dhe librit si rrugë drejtë lirisë dhe zhvillimit.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

“SHTIGJE TË LIRISË” – DOLI NGA SHTYPI LEKSIKONI I TЁ BURGOSURVE POLITIKЁ SHQIPTARЁ NЁ JUGOSLLAVI

January 4, 2025 by s p

Prof. Zymer Ujkan Neziri/

Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës përuroi vëllimin Shtigje të lirisë: Leksikon i të burgosurve politikë shqiptarë në Jugosllavi, 1944-1953, I. Përurimi, i drejtuar nga Binak Ulaj, veteran i Lëvizjes Kombëtare, u bë në sallën e Institutit të Historisë, në Prishtinë, më 27 dhjetor 2024. Fjalën e mirëseardhjes e mbajti Shefik Sadiku, kryetar i Shoqatës. Fjalë përshëndetëse mbajtën kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, si dhe drejtoresha e Institutit të Historisë, prof. dr. Teuta Shala-Peli. Veterani i Lëvizjes Kombëtare, Meriman Braha, foli në emër të Redaksisë (Zymer U. Neziri, Meriman Braha, Hydajet Hyseni, Berat Luzha, Binak Ulaj, Shefik Sadiku, Agim Sylejmani). Në emër të rreth 60 bashkëpunëtorëve të Leksikonit përshëndeti veterani i UÇK-së, Salih B. Lajçi, komandant brigade dhe i burgosur politik. Përurimin e mbylli me një fjalë rasti Zymer U. Neziri.

Përpos kryeministrit, Albin Kurti, dhe drejtoreshës, prof. dr. Teuta Shala-Peli, të pranishëm ishin edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, Gani Krasniqi, Hydajet Hyseni, Shemsedin Dreshaj, Enver Dugolli, familje të dëshmorëve, të burgosur politikë, luftëtarë të tri ushtrive tona çlirimtare, studiues e profesorë të Institutit të Historisë, të Institutit Albanologjik dhe të Universitetit të Prishtinës, mysafirë nga viset e ndryshme të Atdheut: nga Lushnja, nga Kërçova, nga Pollogu, nga Plava e Gucia, nga Medvegja, Bujanoci e Presheva dhe nga viset e tjera.

Ky libër, i financuar nga Korporata Energjetike e Kosovës, ka rreth 300 biografi të të burgosurish politikë. Ata i kishte dënuar pushteti jugosllav gjatë viteve 1944-1953. Ishin nga Kosova, Maqedonia Perëndimore, Lugina e Preshevës, Sanxhaku i Pazarit, Plava e Gucia, Ulqini me rrethinë. Disa i kanë dënuar me vdekje, i kanë pushkatuar, ose kanë vdekur në burgje dhe varret ende nuk u dihen. Vetëm të asaj periudhe, 1944-1953, kemi në evidencë rreth 900 sish. Vëllimet e tërësishme të planifikuara, 1944-1999, kalojnë shifrën dyzet, për rreth 12 mijë biografi. Por, ky projekt i madh kombëtar dhe evropian nuk mund të realizohet pa u themeluar Instituti përkatës, i cili më herët është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Me këtë leksikon njëkohësisht po fillon edhe larja e borxhit për të pasuruar historinë tonë më të re me portrete të vuajtësve të dënimeve, që sipas historianes Sabile Keçmezi-Basha, janë rreth 700 shekuj burg politikë në burgjet jugosllave, në periudhën 1944-1999, e ndër ta i famshmi Adem Demaçi. Po ia shtuam kësaj shifre edhe rreth 300 shekuj të tjerë të viteve 1912-1941, del se për 100 vjet robëri jugosllave, veprimtaria e Lëvizjes Kombëtare është gjykuar me rreth 1000 shekuj burg politik. Mesatarisht, në çdo vit robërie kemi nga dhjetë shekuj burg politik.

Vuajtje të rënda për ata brenda edhe për ata jashtë. Jugosllavia ishte burg kolektiv për shqiptarët. Brenda atij shekulli edhe qindra e mijëra i kanë vrarë, i kanë përndjekur dhe i kanë shpërngulur në Turqi, por Lëvizja Kombëtare nuk është ndalur me kryengritje e demonstrata deri te lufta e brezit të Adem Jasharit, 1997-2001.

(Shtigje të lirisë: Leksikon i të burgosurve politikë shqiptarë në Jugosllavi, 1944-1953, I, përgatitës për shtyp Zymer Ujkan Neziri, 462 faqe (Prishtinë: Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, 2024), ISBN 978-9951-833-12-7; 978-9951-833-13-4.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT