• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2025

A ËSHTË PAVARËSIA E KOSOVËS NË BANGËN E ZEZË NË HAGË?

February 19, 2025 by s p

Milazim KRASNIQI/

A i di ndokush shkakun e vërtetë pse Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi janë në bangën e të akuzuarve në Gjykatën Speciale? Ka pasur e ka shumë supozime, hipoteza, qëndrime, konstatime lidhur me këtë temë, por as nuk ka qartësi e as koncensus për shkakun kryesor, pse pikërisht ata janë të akuzuar. Ka mundur të ishin të akuzuar mbase shumë të tjerë për krimet e supozuara, ose edhe të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së. Ajo ka qenë luftë e armatosur dhe në luftë vriten e plagosen njerëz. Në një gjykatë që kërkon të vendos drejtësi, vihen në bangën e të akuzuarve ata që i kanë kryer krimet. Edhe në rastin e ushtrive të rregullta, me përparësi akuzohen kryesit e krimeve. Ndërsa në rastin e ushtrive që janë më shumë guerile, ajo është e vetmja mënyrë për të vënë drejtësi, pasi në ushtri të tilla nuk ka një strukturë hierarkike. Pra, mbetet pyetja: pse në rastin e UÇK-së, janë akuzuar drejtuesit politikë, e jo fjala vjen, kryesit lokalë të krimeve eventuale?

Bindja ime e thellë është se ka një shkak të vetëm: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli, me gjasë edhe Rexhep Selimi bashkë me ta, kanë qenë personat kyç që e kanë prishë projektin për riintegrimin e Kosovës në Jugosllavi, ashtu siç ka qenë akordi në marrëveshjen e Ahtisarit e Çernomyrdinit me Millosheviqin dhe siç është inkorporuar edhe në rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Kjo ka qenë linja absolute ndërmjet SHBA-së, BE-së dhe Rusisë. Kjo është tentuar të imponohej edhe në terren me UNMIK-un dhe KFOR-in në vitet e para. Disa nga njerëzit që kanë paraqitë pengesë ndaj këtij projekti, ose janë eliminuar politikisht, ose janë ndjekur nga drejtësia e UNMIK-ut, ose kanë vdekur. Ata që kanë mbijetuar politikisht, që nuk i ka arritë drejtësia e UNMIK-ut dhe nuk kanë vdekur, janë pikërisht Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi. Dy të parët (Hashim Thaçi si kryeministër dhe Jakup Krasniqi si kryetar i Kuvedit) kanë pasur rol vendimtar në shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

Këtu shtrohet një pyetje shumë e vështirë: pse edhe amerikanët e kanë shtyrë përpara dhe e kanë imponuar me presion themelimin e Gjykatës Speciale? Ka vetëm një shpjegim të logjikshëm: për të dalë të larë para rusëve, me arsyetimin se protagonistët e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 kanë përgjegjësinë e tyre indviduale. Pra, amerikanët nuk e kanë prishur marrëveshjen me rusët, po atë marrëveshje e kanë injoruar protagonistë vendas. Si rrjedhojë ata do të akuzohen në Gjykatën Speciale dhe do të nxirren nga skena politike, për të marrë rusët një satisfaksion. Të tjerat mandej janë teknikalitete. Pra, shkaku kryesor i akuzës ndaj tyre është shpallja prej tyre e pavarësisë së Kosovës në kundërshtim me akordin Ahtisari-Çernomyrdin-Millosheviq dhe me rezolutën 1244. Mbetet poashtu propozimi për pavarësinë e kushtëzuar në Planin Gjithëpërfshirës të Ahtisarit, kur dihej se Ahtisari në vitin 1999 ishte haptas dhe qartësisht kundër pavarësisë së Kosovës. E logjikshme duket se edhe atij iu imponuar ndryshimi i qëndrimit në favor të pavarësisë nga këmbëngultësia e politikës indipendentiste në terren, të akterëve të tipit të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, po edhe Ibrahim Rugova e Fatmir Sejdiu. Në pamundësi që të pengohej pavarësia e Kosovës me çdo kusht, u imponua si pavarësi e kushëzuar, por më vonë u penalizuan protagonisttë kryesorë që e shpallen pavarësinë, përfshirë edhe ish president Fatmir Sejdiun.

Ajo që unë nuk mund as ta prognozoj me këtë rast është se si do të ndikojë verdikti i Gjykatës Speciale mbi shtetin tonë, më saktë mbi ekzistencën e tij. Këtë nuk mund as ta supozoj. Shpresa është se me Trampin në Shtëpinë e Bardhë nuk ka shans të rikthimit te akordi i vitit 1999. Por, me Trampin poashtu është e sigurt se statu quoja nuk mund të mbahet gjatë. Nuk mund ta dimë sot se a do të tentohet të zgjidhet problemi si krizë ndërmjet Kosovës e Serbisë, apo në një konstelacion më të gjerë të sigurisë europiane, përfshirë edhe rastin e Ukrainës. Për të përballuar gjithë sfidat e mundshme, na duhet një qeveri që e fiton besimin e SHBA-së dhe e dyta, na duhet Hashim Thaçi me shokët e tij në liri.

Filed Under: Fejton

‘Republika’ – një udhëtim poetik në zemër të Prishtinës

February 19, 2025 by s p

Katror.info/

Pas një pauze të shkurtër të festivaleve, qendra e qytetit po rikthehet në një vatër gjallërie me nisjen e edicionit të shtatë të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë ‘Republika’. Për tri ditë me radhë, ky festival do të sjellë një mori aktivitetesh, duke bashkuar 17 poetë nga Ballkani dhe vende të ndryshme të botës. Një festë e fjalës artistike që rikthen poezinë në zemër të qytetit!

Në një intervistë për Katror.info, organizatorja e festivalit, Vlora Ademi, rrëfen se si lindi ideja për Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë ‘Republika’ dhe si ka evoluar festivali ndër vite.

“Mungesat dhe zbrazëtinat, gjithherë na grishin për krijime. Dhe duke qenë se Prishtinës i mungonte nji platformë serioze dhe e randësishme ku poetët shqiptarë dhe të huaj do të mund të bashkëjetonin në nji koncert të poezisë, atëherë m’u ndriçua mendja për krijimin e nji Republike të poetëve”, thotë ajo.

”Jo rastësishtc’Republika’ e poetëve u kriju n’vigjilije të 10 vjetorit të Republikës shtet dhe, si simbolikë, filloi me 10 poetë, duke iu shtu përvitshëm nga nji. Sot, në 17 vjetorin e Pavarësisë, ‘Republika’ i mirëpret 17 poetë nga vende të ndryshme të botës”, thekson ajo.

Sipas Vlora Ademit, festivali ‘Republika’ që nga edicioni i tij i parë ka synuar të promovojë diversitetin kulturor, dialogun ndërkulturor dhe vlerat njerëzore, duke i dhënë një hapësirë të veçantë poetëve të rinj dhe zërave të margjinalizuar.

Në pyetjet tona rreth vlerave që ky festival synon të përçojë, rëndësisë së tij si platformë për zëra të rinj, Ademi thekson; ‘Republika’ si festival, qysh në edicionin e parë ka fillue me e promovue diversitetin kulturor, qëllim parësor ky përmes të cilit promovohet ndjeshmënia dhe vlerësimi për kultura të tjera. Në këtë rrethanë, jo ma pak i randësishëm asht edhe dialogu dhe mirëkuptimi ndërkulturor, i nxitun nga shkëmbimi i ideve dhe perspektivat në mes të artistëve. Dhe e treta, por jo e fundit për nga randësia them se asht promovimi i vlerave njerëzore.

Ajo nënvizon se festivali ka një mision të qartë për të fuqizuar zërat e rinj dhe të margjinalizuar, duke kontribuar kështu në forcimin e demokracisë kulturore dhe zhvillimin e komunitetit artistik.

Ndërsa për edicionin e sivjetmë, Ademi premton një program artistik të mirëkonceptuar, ku poezia do të ndërthuret me forma të ndryshme arti për të krijuar një përvojë unike për publikun.

”Nji program artistik të mirëkonceptuem dhe jo të tepruem, duke i integru disa forma të artit”, thotë ajo.

Edicioni i shtatë i Festivalit ‘Republika’ sjell një program të zgjeruar dhe një qasje ndryshe nga vitet e kaluara, duke synuar një audiencë më të gjerë përmes një ndërthurjeje të pasur të arteve

Sipas organizatores Vlora Ademi, ky edicion karakterizohet nga një diversitet artistik që bashkon natyrshëm poezinë, baletin, muzikën, ekspozitat, dokumentarin, promovimin letrar dhe aktrimin.

”Përpos që ‘Republika’ asht ba shkak që disa poet, me ardhë për të parën herën Kosovë, në këtë edicion e kemi sjellë nji shfaqje baleti të kombinueme me poezi, element tjetër ky, që identifikon dhe e cilëson si festival të dallueshëm për nga formati dhe e rangon në nji nivel tjetër festivalesh duke kontribue në pasunimin e skenës kulturore në vend. Nga ky vit e kemi nji ‘Republikë’ me format të zgjanuem. Këtë edicion e karakterizon nji diversitet artistik, përmes të cilit krejt natyrshëm bahen bashkë poezia, baleti, muzika, ekspozita, dokumentari, promovimi e aktrimi” bëri të ditur ajo.

Për këtë edicion, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë premierën e baletit ‘T’PAANËT’, me koreografi të balerinëve Leonora Rexhepi dhe Muhamet Bikliqi, si dhe shfaqjen e dokumentarit ‘KUFIRI I KUQ – T’huej mes t’vetëve’, me producente Blerina Gjoka, bashkëpunim i Fondacionit Kujto.al (Tiranë) dhe organizatës Social Creativity (Prishtinë), i financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të projektit “Kultura dhe Kreativiteti për Ballkanin Perëndimor” dhe i zbatuar nga British Council.

Gjithashtu në këtë edicion është edhe promovimi i librit ‘Nata e qejve’ të shkrimtarit, Primo Shllaku, njiherit edhe Laureat i Edicionit të Parë të Festivalit RESPOETICA në Prizren, për kontributin e tij të paçmueshëm në fushën e gjuhës, artit e kulturës. Për librin do të flasin, studiuesja, Esma Dodaj dhe studiuesi e shkrimtari, Adil Olluri. Ndërsa ngjarjen do ta moderojë, shkrimtari, Azem Deliu.

Një pjesë e programit të këtij edicioni përfshin edhe ekspozitën ‘Homazh’ të fotografit Fahredin Spahija, e cila nderon 17 figura të shquara të kulturës shqiptare që tashmë nuk janë më mes nesh. Kurator i kësaj ekspozite është esteti, Primo Shllaku.

Një tjetër pikë e rëndësishme e festivalit do të jetë paneli mbi përkthimet letrare, me temën ‘Kontributi i përkthyesve në pasurimin dhe riaktivizimin e gjuhës shqipe’, ku do të diskutojnë përkthyes dhe studiues si Elmaz Fida, Ana Kove, Arjan Kallço, Vlora Konushevci dhe Gazmend Bërlajolli. Gjithashtu, për pjesën muzikore, sopranoja Ardiana Bytyqi Ismajli do të performojë nën shoqërimin e Urim Maliqi-it dhe Genc Hajriz-it.

Në këtë edicion marrin pjesë 17 poetë nga vende të ndryshme, përfshirë Primo Shllaku, Christos Armando Gezos, Rafaël Newman, Dalila Hiaoui, Vlora Konushevci, Ardita Jatru, Ilire Zajmi, Shqiptar Oseku, Enkeleda Ristani, Ndue Ukaj, Gabriela Mujaj, Xhevat Latifi, Aziz Mustafa, Ardiana Shala Prishtina, Marsela Neni Haxhimusai, Bruna Gjoni Përvathi dhe Emin Z. Emini.

Ky festival, përmes organizimit të tij të kujdesshëm dhe të pasionuar, na rikthen në vëmendje rolin e veçantë të poezisë në Kosovë, ndonëse sipas organizatorës së festivalit Vlora Ademi vërehet një mungesë e kritikës së mirëfilltë në lëmin e poezisë.

“Roli i poezisë në Kosovë sot asht i shumëfishtë dhe vazhdon me mbetë i randësishëm si shprehje kulturore e identitetit dhe promovimit të gjuhës. Dhe pavarësisht mungesës së nji kritike të mirëfilltë, poezia në Kosovë vazhdon me qenë za i randësishëm dhe pjesë e pandashme e kulturës”, thotë Vlora Ademi.

Në thelb, Festivali ‘Republika’ nuk është vetëm një ngjarje poetike, por një urë që lidh botët letrare, një platformë që sfidon kufijtë dhe një hapësirë ku arti bëhet mjet i ndryshimit. Përmes këtij festivali, poetët shpalosin zërin e tyre përtej kufijve, duke u bërë pjesë e një skene globale ku fjalët nuk janë thjesht vargje, por ura komunikimi, ballafaqimi dhe njohjeje.

Por ashtu si çdo vizion i madh, edhe ky festival përballet me sfida, qoftë mungesa e hapësirave adekuate apo vështirësitë financiare, megjithatë ato nuk e lëkundin thelbin e tij.

“Nji kryeqytet me mbi 500.000 bamorë, sot nuk ofron hapësina publike që do ta mbulonte gjanësinë e larminë e programit të festivalit. Edhe ato hapësina që kanë predispozita dhe janë adekuate për realizim të nji programi kulturor, letrar dhe artistik, siç asht edhe Bibloteka Kombëtare, janë ba të paqasshme” thotë organizatorja Vlora Ademi.

Vizioni i organizatores dhe festivalit është i qartë, vendosja e Kosovës në një qendër të rëndësishme të artit dhe letërsisë botërore, duke e bërë ‘Republikën’ një pikë referimi për krijuesit ndërkombëtarë.

”Nga perspektiva ime, si organizatore, poezia ka nji fuqi të jashtëzakonshme për me i ba bashkë njerëzit, për me ndiku në mendësinë e shoqnisë dhe për me kriju hapësina të reja dialogu. Kjo mundet me u manifestue përmes krijimit të dialogu, ruajtjes së kujtesës dhe duke sfidue status quo-të”, përfundon ajo.

‘Republika’ është më shumë se një festival, është një ftesë për të dëgjuar, për të ndjerë dhe për të besuar në fuqinë e fjalës. /Katror.info

Filed Under: Kulture

Trump sapo ka filluar atë që duan votuesit…

February 19, 2025 by s p

Opinion nga Rafael Floqi/

“Shiko ç’ke kë bërë! Ata po shkrihem, po qurraviten. Ohhhh, çfarë bote, çfarë bote.” Ky është një rrjesht nga një skenë në “Magjistari i Ozit”, që po luhet tani në Uashington, D.C., ndërsa anëtarët demokratë të Kongresit akuzojnë Presidentin Donald Trump për shkatërrimin e qeverisë duke e zvogëluar atë. Si ajo që ndodhi, kur Dorothy hodhi kovën e saj me ujë në Magjistaren e Ligë, shkrirja nuk ka shkaktuar qysh atëherë një dramë të tillë. Retorika e demokratëve është bërë më ekstreme, ndërsa Trump dhe shefi i tij operativ Elon Musk janë futur më thellë. Rep. Rep. Kweisi Mfume, D-Md., deklaroi, për shembull: “Sa herë që dëgjoni DOGE, Departamenti i Efiçencës së Qeverisë, kujtoni se është departamenti i së keqes së qeverisë.” Deri tani DOGE ka shpëtuar 50 miliardë dollarë. Musk tha s’e kanë zbuluar në departamentin e Social Security para dhënë personave fantazmë 150 vjeçarë. Musk tha se ka 4.7 trilionë dollarë në departamentin e Thesarit dhe IRS pa adresë.

Amerika nuk ka një problem të ardhurash por një problem humbjesh

Por kaq e thellë është kjo sindromë anti Trump sa senatori Chuck Schumer harron se Toronto është në Kanada dhe se Kanadaja nuk “është ende shteti i 51-të i Amerikës” . Demokratët sugjerojnë se rrëzimi i avionit në Kanada është faji i Trump. Sen. Chuck Schumer dhe demokratë të tjerë duket se fajësojnë administratën Trump për rrëzimin e avionit Delta në Kanada. FAA pushoi nga puna më shumë se 300 punonjës, gjë që Schumer tha se po ndikon në sigurinë. Administratori i FAA, Sean Duffy, tha se punonjësit që u liruan ishin të gjithë në provë dhe asnjë nuk ishte kontrollues i trafikut ajror ose personel kritik i sigurisë. Hetimi për përplasjen sapo ka filluar, por CEO i Autoritetit të Aeroportit të Torontos tha se zona mori më shumë borë javën e kaluar sesa kishte gjatë gjithë vitit 2024. Në një postim në X, Schumer tha se pushimet nga puna të Trump në FAA po i bëjnë qiejt më pak të sigurt, ndërsa demokratët po luftojnë për të mbrojtur publikun. Në një postim në X, Schumer tha se pushimet nga puna të Trump në FAA po i bëjnë qiejt më pak të sigurt, ndërsa demokratët po luftojnë për të mbrojtur publikun.

E keqja, sigurisht, është çështje perspektive.

Amerikanët thonë se Trump po i mban premtimet e tij. Përpjekjet e koordinuara të liderëve demokratë dhe të medias kryesore nuk kanë rezonuar sërish në publik. Trump, sipas sondazheve, tani është në nivele më të larta popullariteti sesa gjatë mandatit të tij të parë. Dhe një shumicë e fortë e amerikanëve thonë se Trump po i mban premtimet e tij, përfshirë përpjekjet e tij për të reduktuar shpenzimet dhe shpenzimet e qeverisë.

Një gjykatëse federale refuzoi të martën të bllokonte menjëherë miliarderin Elon Musk dhe Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë nga aksesi në sistemet e të dhënave të qeverisë ose të marrin pjesë në pushimet nga puna.

SHBA Gjykatësja e qarkut Tanya Chutkan zbuloi se ka pyetje legjitime në lidhje me autoritetin e Musk, por tha se nuk ka prova të llojit të dëmtimit të rëndë ligjor që do të justifikonte një urdhër ndalimi të përkohshëm.

Vendimi erdhi në një padi të ngritur nga 14 shtete demokratike duke sfiduar autoritetin e DOGE për të hyrë në të dhënat e ndjeshme të qeverisë. Prokurorët e përgjithshëm argumentuan se Musk po zotëron atë lloj pushteti që Kushtetuta thotë se mund të mbahet vetëm nga ata që zgjidhen ose konfirmohen nga Senati.

Administrata Trump, nga ana e saj, ka pohuar se pushimet nga puna vijnë nga krerët e agjencive dhe pohoi se pavarësisht brohoritjes së tij publike për përpjekjen që Musk nuk po drejton drejtpërdrejt operacionet e përditshme të DOGE vetë.

Një ofertë bujare largim nga puna me pagesë (Buy -out)

Këto përpjekje përfshijnë edhe një ofertë bujare largim nga puna me pagesë për punonjësit federalë. Administrata Trump u ofroi punonjësve federalë mundësinë të qëndronin në shtëpi për muaj të tërë ndërsa merrnin pagë të plotë nëse do të pranonin të jepnin dorëheqjen nga punësimi në qeveri.

Ky ishte një veprim jashtëzakonisht i zgjuar. Mënyra më e mirë për të tkurrur qeverinë është t’i detyrosh njerëzit të largohen vullnetarisht. Por Trump dhe Musk kanë paralajmëruar gjithashtu se pushimet nga puna do të pasojnë nëse nuk mjaftueshëm punonjës federalë pranojnë blerjen.

Është një lloj vetë-deportimi nga shërbimi shtetëror. Dhe funksionoi, me rreth 75,000 punonjës federalë që pranuan ofertën e Trump përpara se marrëveshja të përfundonte të mërkurën.

Ajo funksionoi aq mirë, në fakt, sa demokratët nxituan të ndalonin eksodin vullnetar duke sugjeruar rrejshëm se ishte një mashtrim. Sen. Tim Kaine, D-Va., paralajmëroi punonjësit se Trump do t’ju “ngurtësonte”, edhe pse oferta vjen me autoritetin e qeverisë federale.

Gjykatësja e Gjykatës së Qarkut George O’Toole të mërkurën hoqi urdhrin e tij për programin e blerjes, duke rënë dakord që Trump ka autoritetin për të ofruar blerjet.

Sindikatat që përfaqësojnë punëtorët federalë dhe organizatat ligjore liberale ka të ngjarë të apelojnë tani vendimin e O’Toole. Sindikatat, të cilat po përballen me një reduktim të madh të anëtarëve që paguajnë detyrime, kanë një konflikt shqetësues interesi në përpjekjen për t’u mohuar punonjësve federalë përfitimet e një oferte që ata zgjodhën të pranonin.

Sfidat ligjore për blerjen janë mbështetur në një mori argumentesh që pohojnë se një president nuk mund t’i lejojë punonjësit të qëndrojnë në shtëpi dhe të marrin paga në pritje të largimit të tyre nga punësimi federal. Këto argumente cituan Aktin e Antideficiencës, i cili i ndalon agjencitë të shpenzojnë përtej parave të përvetësuara nga Kongresi.

Presidenti ka autoritetin për të menaxhuar degën ekzekutive.

Kundërargumenti është se paratë e përdorura për blerjet u ndanë për të paguar punonjësit, shërbimi i të cilëve normalisht vazhdon vit pas viti. Sipas nenit II të Kushtetutës, presidentit i jepet diskrecion i madh në drejtimin e degës ekzekutive, duke përfshirë statusin e punës së punonjësve federalë.

Kongresi ka qartë një rol në kontrollin e përdorimit të kuletës federale. Për shembull, Kongresi mund të përcaktojë nëse do të ndajë para për të ndërtuar disa anije të marinës. Megjithatë, pasi të ndërtohen anijet, është presidenti ai që vendos se ku t’i dërgojë ato dhe kush do të shërbejë në ekuipazh. Komandanti i përgjithshëm gjithashtu mund të zgjerojë ose zvogëlojë madhësinë e ekuipazhit.

Trump ishte brenda autoritetit të tij në ofertën për të ndryshuar detyrat e punonjësve ndërsa ata kërkonin pozicione të reja, dhe punonjësit kishin të drejtë të pranonin tetë muaj pushim me pagesë në këmbim të dorëheqjes së tyre nga shërbimi qeveritar.

Opozita nga demokratët dhe sindikatat është forma përfundimtare e paternalizmit. Në emër të mbrojtjes së punonjësve, kundërshtarët luftuan për të parandaluar punëtorët të pranonin ofertat që ata besojnë se janë më të mirat për veten dhe familjet e tyre.

Punonjësit federalë kanë të drejtë për mbrojtje gjatë punësimit të tyre. Por ata nuk kanë të drejtë për punësim të përhershëm. Kongresi ka të drejtë të marrë para të përshtatshme për qëllime specifike. Por nuk ka të drejtë të drejtojë pushtetin ekzekutiv.

Trump është shumë i vullnetshëm për të luftuar në këtë kodër. Ai ka një pozicion të fortë kushtetues dhe një pozicion akoma më të fortë politik.

Për ata që e shpallën veten si mbrojtës të demokracisë gjatë ciklit zgjedhor të vitit të kaluar, kështu duket demokracia. Votuesit e bënë të qartë se duan ndryshime në madhësinë dhe fokusin e qeverisë.

Ata votues nuk kanë gjasa të binden nga paralajmërimi i udhëheqësit të pakicës në Senat, Chuck Schumer, D-N.Y., se Musk po na i “heq gjithçka që kemi”.

Kjo është pikërisht, ajo që kërkuan amerikanët, duke zgjedhur Donald Trumpin.

Filed Under: Ekonomi

Zoti i bekoftë SHBA, këtë tokë dhe popull për të cilën Zoti lidhi fatin tonë!

February 18, 2025 by s p

Imam Edin Gjoni/

Me emrin e Zotit e filloj. Të nderuar vëllezër e motra, miq të dashur, Paqa qoftë mbi ju! Me zemër jam me ju në këtë ditë të madhe, edhe pse për shkak të detyrimeve të mia nuk kam mundësi të jem fizikisht i pranishëm. E megjithatë, mendja dhe lutjet e mia janë me ju, derisa kremtojmë një nga momentet më madhështore të historisë sonë kombëtare.

Dita e Pavarësisë së Kosovës nuk është thjesht një datë në kalendar—ajo është një përkujtim i shenjtë i sakrificës së të gjithë atyre shqiptarëve që dhanë gjithçka për lirinë. Një liri e larë me djersën, gjakun dhe lutjet e atyre që patën guximin ta ëndërrojnë atë edhe në orët më të errëta të historisë sonë. Të ëndërrojnë një Kosovë ku gjuha jonë nuk shuhet, ku kultura dhe identiteti ynë nuk frikësohen, dhe ku shqiptari jeton me dinjitet të plotë—pa u përkulur para askujt për atë që është.

Ne që jemi në mërgim kemi një detyrë të madhe: të mos harrojmë rrënjët tona, të mos lejojmë që gjuha jonë të zbehet, dhe të edukojmë fëmijët tanë me dashurinë për kombin dhe historinë e tyre. Prandaj, më lejoni të shpreh mirënjohje të thellë për Vatra Long Island dhe Shkollën Shqipe “Gjergj Fishta” që me përkushtim po bëjnë një punë të shenjtë—duke mbjellë rrënjët shqiptare tek brezi i ri. Ju jeni dëshmia se pavarësia nuk është vetëm një fitore e së shkuarës, por një amanet për të ardhmen.

Por sot, nuk mund të flasim për pavarësinë e Kosovës pa shprehur falënderim të sinqertë dhe mirënjohje të thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë qëndruar krah për krah me shqiptarët në ditët më të vështira. Me përkushtimin dhe mbështetjen e tyre të palëkundur, SHBA luajti një rol vendimtar jo vetëm për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, por për të drejtat dhe lirinë e shqiptarëve kudo.

Thellësisht jemi mirënjohes SHBA për ndihmën, për besimin dhe për miqësinë e pathyeshme me popullin shqiptar!

Le ta festojmë këtë ditë jo vetëm me këngë dhe valle, por me një zotim të fortë: të jemi të bashkuar, të ndihmojmë njëri-tjetrin, të ruajmë gjuhën dhe traditat tona, dhe të mbetemi gjithmonë krenarë për atë që jemi.

Në fund, le të bëjmë një lutje:
– O Zot, dhuroju udhëheqësve të Kosovës mençuri dhe urtësi, që ta drejtojnë vendin me drejtësi dhe përkushtim.  

 – Shtoju largpamësinë që të udhëhiqen nga e mira e përbashkët dhe harmonia mes njerëzve, dhe forcoju zemrat që të shërbejnë me drejtësi, përkushtim dhe dashuri ndaj popullit të tyre. 

– Bekoje Kosovën me paqe, unitet dhe begati për të gjithë bijtë e saj, kudo që janë. Amin! 

Edhe pse nuk jam me ju sot, zemra ime rreh me juve. Qoftë kjo ditë një burim frymëzimi për të gjithë ne!

Zoti ju bekoftë juve! Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin shqiptarë kudo që të jetë! Zoti i bekoftë SHBA, këtë tokë dhe popull për të cilën Zoti lidhi fatin tonë!

Me respekt e vëllazëri,
Imam Edin Gjoni

Filed Under: Ekonomi

Racionaliteti si i vetmi opsion drejt perëndimit

February 18, 2025 by s p

Artan Nati/

Mendoja se njerëzit merrnin vendime racionale. Por tani e di që kam gabuar. Vlera e arsyetimit të qetë dhe racional, i cili është gurthemeli i demokracisë, pranohet rrallë sot. Edhe kur mendojmë se jemi racionalë, nuk e dimë se çfarë është racionaliteti në vetvete. Racionaliteti duhet të jetë ylli i gjithçkaje që mendojmë ose bëjmë. Kjo është thirrja e integrimit në Europë, për një kthim te arsyeja në një kohë kur mendimi kritik dhe baza e besimit në prova janë në harresë. Të gjithë ne duhet dhe dëshirojnë të jemi racionalë, ndonëse shumica e shqiptarëve besojnë në të paktën një fenomen që sfidon ligjet e shkencës dhe llogjikës. Fenomene tipike për ne dhe gjithë zonën e ballkanit, nën influencën otomane dhe bizantine janë besimi në miqësi e patriarkalizën, në supersticiozitet e magji, në grup dhe jo në individualitet. Edhe intelektualët e sofistikuar argumentojnë se arsyeja, objektiviteti dhe e vërteta janë thjesht konstruksione shoqërore nëpërmjet të cilave ata justifikojnë privilegjin e grupeve dominuese në politikë e biznes. Ky vasalitet i elitës së vendit ndaj pushtetit dhe parasë është treguesi mungesës së individualitetit në shoqërinë tonë. Me përjashtime të rralla, si ato të Uran Butkës, Dylber Vrionit dhe Spartak Ngjelës, të tjerët iu nënshtruan totalisht për interesa të vogla lidershipit bizantin. Përse ne aspirojmë perëndimin pa përqafuar racionalitetin perëndimor?

Arsyetimi racional është një mekanizëm llogjik trunor që na mundëson të argumentojmë dhe vlerësojmë faktet. Asnjë qenie njerëzore nuk ka arritur ndonjëherë racionalitetin e përsosur, por të bindur se e vërteta objektive është një mundësi, ne kemi zhvilluar rregulla që na mundësojnë t’i qasemi asaj. Ne mund të kultivojmë rregullat e arsyes dhe t’i bëjmë ato normative. Arsyeja i ka mundësuar qenieve njerëzore të arrijnë në hënë, të shuajnë turbekulozin  dhe të shpikin kompjuterë, kështu që na vë në kontakt me të vërtetat objektive. Arsyeja na tregon gjithashtu se disa njerëz janë të shtypur, e të tjerë të privilegjuar dhe se duhen marrë masa për të korrigjuar një padrejtësi të tillë. Si rezultat, ne kemi zhvilluar rregullin e artë të racionalitetit, i cili nuk u zbulua nga “Zoti”, por është produkt i evolucionit njerëzor, i zhvilluar në mënyrë të pavarur dhe racionale nga të gjitha kulturat.

Përse ne shqiptarët jemi kaq pak racional dhe besojmë më shumë te kulti i individit dhe në supersticion e magji? Përse ne mendojmë se gjithçka është e pandryshueshme dhe se vetëm fuqitë e mëdha apo ndërhyrja perëndimore mund ta rregullojnë këtë vend, biles shpesh mendojmë se edhe ata manipulhen nga pushtetarët tanë? Shpesh ne mendojmë se diçka është gabim në ADN-në tonë, ose gjakun tonë, siç thotë populli. Në të vërtetë asgjë nuk është gabim në gjakun tonë dhe shumë gjëra janë gabim në kulturën dhe zakonet tona, me të cilat ne krenohemi aq shumë dhe historikisht kemi rezultate negative në politikë, ekonomi e prosperitet dhe fajin natyrisht na e kanë të tjerët. Ndryshimet thelbësore që dallojnë shoqëritë njerëzore dhe qeniet njerëzore nuk janë biologjike. Ato janë kulturore dhe ne duhet t’i evidentojmë me racionalizëm. Një nga shpjegimet më të besueshme është se komunizmi la gjurmë të thella në mënyrën e të menduarit dhe vepruarit. Po kush vallë e solli komunizmin në Shqipëri?

Në fakt përvoja ndërkombëtare, kryesisht e pas luftës së dytë botërore, tregoi se Marksi ishte gabim në tezat e tij, se pas industrializimit dhe rritjes së produktivitetit vendet kapitaliste të Europës perëndimore do të kalonin në komunizëm. Në fakt eksperienca botërore tregoi se komunizmi kërkonte varfëri kulturore, fetare dhe shoqëri komunitare e patriarkaliste, që të lulëzonte. Problemi madhor i kulturës tonë bizantine, e cila mbizotëron në të gjithë ballkanin si edhe në Rusi etj, është se ne, në dallim me vendet perëndimore, besojmë në supersticion dhe të menduarit magjik. ” Mendimi magjik” i referohet besimit se mendimet, veprimet ose fjalët e dikujt mund të ndikojnë drejtpërdrejt në ngjarjet në botë pa një lidhje logjike shkakësore, shpesh të bazuar në bestytni ose rituale. Në të vërtetë në magji dhe bestytni, ne kërkojmë të manipulojmë botën jomateriale për hir të kontrollit dhe menaxhimit të botës materiale. 

Ne mendojmë se në Shqipëri mund të bëhesh i pasur vetëm në pushtet ose në biznes, por gjithmonë në bashkëpunim me pushtetin, dhe nuk besojmë te individi dhe protesta e tij ndaj veprimeve korruptive.Është kjo kulturë bizantine e të menduarit magjik dhe aspak racional që favorizon autoritarizmin në vend, familje, parti politike e çdo organizim tjetër shoqëror. Ne duhet të pranojmë se komunizmin nuk na e sollën të tjerët, por ishte midis nesh, në mënyrën se si ne besojmë te njeriu i fortë dhe qeveria e fortë. Në kundështim me të gjitha tezat aspak racionale se komunizmin na e sollën të huajt,  është fakti se si është e mundur që pas viteve 90 ne akoma nuk kemi sistem demokratik, kemi qeveri autoritariste, njerëz të fortë kudo në pushtet, partitë politike, në familje e shoqëri. Rrënjët e lashta dhe bazat fetare të një kulture mund të kenë vërtet një ndikim më të madh në rrugën që një vend ndjek sesa çdo konsideratë racionale, gjeopolitike ose ekonomike. Nëse është kështu, kombet me prejardhje bizantine nuk janë vërtet komode në një botë të dominuar nga perëndimi. Si ka mundësi që partitë politike janë kthyer në organizata mafioze, të kotrolluara nga patriarkët bizantinë, të cilët ne i quajmë liderë historikë, autoriteti i të cilëve është jo vetëm i padisktueshëm, por i admiruar nga anëtarët e partive apo mbështetësit e tyre. Këta patriarkë (kryetarë partie) janë të pagabueshëm dhe nqs ata shpallen non-grata fajin e kanë amerikanët apo perëndimorët, nqs SPAK-u akuzon ata, fajin e ka kundështari dhe nqs SPAK arreston kundështarët, atëhere drejtësia është e pavarur. Ku është rroli i individit, ku janë primaret, ku janë fraksionet dhe mendimi racional? Prandaj perëndimorët thonë se kulturalisht ne jemi në lindjen e mesme dhe vetëm gjeografikisht në Europë. 

Të rinjtë tanë studiojnë në Europë, por marrin formën e enës ku u lindën, rritën dhe edukuan, kjo ndoshta edhe për shkak të bizantinizmit tonë, i cili pa e kuptuar na drejton neve në çdo qelizë familjare apo shoqërore. Ne duhet të përpiqemi të reflektojmë në mënyrë racionale në të gjitha fushat e jetës dhe të besojmë se arsyeja duhet të jetë testi përfundimtar. Por kjo është shumë larg të thuhet se arsyeja ka gjithmonë të drejtë. Vendimet më të tmerrshme në histori, nga inkuizicioni deri te spastrimi etnik modern, janë marrë nga njerëz racionalë (kryesisht kanë qenë burra) në bazë të asaj që ata mendonin se ishin baza racionale, pa dyshim me një tren arsyetimi racional. Mendja është e lidhur me të gjithë qenien tonë, duke përfshirë ndjenjat tona, vlerat që kemi përvetësuar kur jemi të rinj, përvojën tonë të jetës dhe vendimet që kemi marrë në të kaluarën. Nuk ka asnjë zëvendësim për të përdorur plotësisht arsyen tonë, për të qenë sa më racional. Por të qenit racional përfshin vëzhgimin e të gjithë këtyre faktorëve të tjerë që influencojnë mendjen, dhe skepticizmin rreth tyre. Ne duhet të jemi skeptik  edhe ndaj hamendjeve dhe supozimeve aktuale të shoqërisë në të cilën jetojmë, sepse ato gjithashtu ndikojnë në të kuptuarit tonë të asaj që llogaritet si arsyetim racional.

Filed Under: Sofra Poetike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT