• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2025

Lajm i hidhur për të gjithë shqiptarët

February 15, 2025 by s p

Arben Iliazi/

NDËRRON JETË MJESHTRI I MADH I DIPLOMACISË SHABAN MURATI

Të nderuar miq, bashkëatdhetarë të të gjitha trevave shqiptare dhe të diasporës! Mjeshtri i Madh i diplomacisë Profesori i shquar, personaliteti poliedrik, humanisti, historiani, gazetari e polemistë i flaktë, Profesor Shaban Murati, iku në amshim. U prehtë në paqe Shpirti i Tij! Ngushëllime familjes dhe gjithë atdhetarëve shqiptarë! Shpirti i të ikurve vjen nëpërmjet kujtesës. Prof. Shaban Murati do të komunikojë me të gjallët përjetësisht, për të verifikuar testamentin e veprave të shumta kombëtare. Kjo është një e vërtetë që u përket studiuesve të vërtetë. Vdekëtarët e rëndomtë, nuk mund të luajnë rolin e pasvdekjes. Vdektarët e pazakontë, si Shaban Murati, patjetër mund ta luajnë.

Me një karrierë të gjatë në diplomaci, Prof. Shaban Murati i ka këshilluar shqiptarët dhe ka motivuar diplomacinë e re shqiptare të mësojnë nga përvoja e popujve të tjerë, si dhe nga përvoja kombëtare, të mendojnë me kokën e vet, të dinë se kriteri kryesor është kombi, të mos bëjnë asgjë që bie në kundërshtim me interesat e kombit.

Me një aktivitet të gjatë publicistik, diplomatik, filozofik e letrar, Profesor Shaban Murati ka një rol të jashtëzakonshëm për daljen nga keqkuptimi i kobshëm i apokalipsit revolucionar dhe shndërrimin e madh antropologjik të shoqërisë shqiptare drejt një shoqërie moderne evropiane. Gjithë vepra e tij ka si lajtmotiv reformimin e kodit të kombësisë, ruajtjen dhe përcjelljen e vlerave të trashëgimisë sonë kombëtare.

Vepra e Shaban Muratit është një mesazh, një apel për intelektualët shqiptarë, për diplomatët, historianët dhe studiuesit e rinj, që të rendin pas së vërtetës me guxim. Në Shqipërinë tonë, ku rrallë flitet për atdhetarizëm normal dhe ku në diplomaci po ndodh një fenomen i gjemetrisë ireale dhe absurde, Shaban Murati, vizionar dhe kurajoz, u përpoq të fshijë tabu dhe antitabu, duke u përfshirë me një zell të pashoq në jetën publike të vendit, për një lulëzim të ri të energjive kombëtare, me moton që mbikombëtarja të mbështetet në themele kombëtare.

Personalitete të tilla janë garancia më e mirë për kombin, që ai të shkundet nga izolimi dhe inferioriteti, për të kuptuar fuqinë e tij të mirëfilltë, cilado qoftë ajo.

Ai përfaqësonte një shkollë më vete të diplomacisë shqiptare. Duke i quajtur gjërat me emrin e tyre, sentencat diplomatike të ambasadorit janë pohime sublime për të hequr dorë nga hallaktjet e deliri spontan dhe për të mos u trembur nga fantazma e vetvetes.

Murati është, para së gjithash, themeluesi i modelit kulturor kritik të diplomacisë shqiptare, duke nxitur shkollën diplomatike shqiptare të përshtatet me sfidat e reja të integrimit euro – atlantik. Veprat e tij janë një manual me interes si për diplomacinë dhe institucionet e shtetit shqiptar, ashtu dhe për studiuesit dhe të apasionuarit e diplomacisë dhe të politikës së jashtme.

Ato përbëjnë një kontribut të çmuar në drejtim të zhvillimit të mendimit diplomatik shqiptar, aq i domosdoshëm për formimin e identitetit shtetëror dhe kombëtar të saj. “Ata që kanë drejtuar Shqipërinë dhe diplomacinë, përgjithësisht kanë qenë profanë në diplomaci dhe nuk patën as vizion e as dimension shtetëror, që të kërkonin dhe t`i jepnin identitet diplomacisë shqiptare. Ata nuk qenë në gjendje të ndërmarrin qoftë edhe një nismë të vetme diplomatike shqiptare.

Në disa libra, Shaban Murati ka ndriçuar gjenezën dhe dinamikën diplomatike aktuale të një prej çështjeve më enigmatike të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë, që mori emrin “Çështja e detit”.

Ndërsa për çështjen çame Ambasadori Murati është shprehur në mënyrë të qartë dhe prerë: “Një nga provat më ulëritëse të asimetrisë së marrëdhënieve dypalëshe apo thënë më hapur, të përulësisë dhe të kompleksit të inferioritetit të diplomacisë shqiptare gjatë gjithë periudhës postkomuniste, është çështja çame”.

Në librin “Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës” Murati e ka përcaktuar çështjen çame si pjesë e çështjes së pazgjidhur shqiptare në Ballkan: “Çështja çame është një problem politik dhe historik, me një specifikë të veçantë dhe e cila duhet trajtuar si e tillë nga diplomacia dhe shteti i Shqipërisë”.

Mund të shprehemi pa droje se në historinë e diplomacisë shqiptare Shaban Murati renditet pas Mehmet Konicës, Medi Frashërit e Rauf Ficos.

Murati, ashtu si Fico, mbetet gjithmonë një evropian i madh i një vendi të vogël, një studiues vizionar dhe me ndërgjegje të pastër kombëtare, prijës i diplomacisë shqiptare, me kontribute të jashtëzakonshme në themelin e diplomacisë sonë.

I qoftë dheu i lehtë në gji të Parajsës!

Filed Under: Ekonomi

GAZETA “DIELLI”, GËZUAR DITËLINDJEN E 116-TË

February 15, 2025 by s p

Sokol Paja/

“Dielli” i Vatrës, “Dielli” i shqiptarëve të Amerikës, “Dielli” i Rilindjes Kombëtare, “Dielli” i botës shqiptare, “Dielli” i shpirtit shqiptar, “Dielli” i mërgatës përtej Atlantikut, “Dielli” i kombit shqiptar sot feston ditëlindjen e 116-të. Që prej 15 Shkurtit 1909, Gazeta “Dielli” – “Nderi i Kombit” është gazeta më e vjetër në botën shqiptare, regjistri, arkiva, historia, krenaria, identiteti, lavdia, trashëgimia dhe vazhdimësia e Vatrës, vatranëve e shqiptarëve të Amerikës.

Gazeta “Dielli” është institucion atdhedashurie, shkollë gazetarie, referencë historie, pasuri kombëtare dhe identitare shqiptare.

“Dielli” është dritë që do ndriçojë përjetë qiellin e shqiptarisë. “Dielli” është e shkuara e tashmja dhe e ardhmja e mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gazeta “Dielli” është një dëshmi autentike e përpjekjeve të shenjta për shqiptarinë prej patriotëve, atdhetarëve e veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare. Gazeta “Dielli” është fillimi i shekullit të dytë të frymëzimit kombëtar, ruajtjes, trashëgimit dhe konsolidimit të vlerave më të çmuara të kombit tonë.

Gazeta “Dielli” është pasuri e çmuar historisë së lavdishme të kombit tonë, gjuhës, kulturës, medias, traditës dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve të Amerikës dhe mbarë trojeve shqipfolëse.

“Diell”, ndriço, qëndro, shkëlqe e vezullo në shekuj të shekujve.

Mirënjohje përjetë editorëve të “Diellit”, kryetarëve të “Vatrës”, çdo vatrani e patrioti për mbështetjen, përkrahjen dhe dashurinë ndaj gazetës më të shquar të botës shqiptare në mërgim.

Filed Under: Opinion

Flamuri i Republikës së Kosovës në hapësirën e shtetit mik të përjetshëm të Amerikës

February 15, 2025 by s p

Skender Karaqica/

Diaspora shqiptare në Amerikë tash e një shekull në krah të çështjes kombëtare, me një zë të fuqishëm para administratës amerikane në Washington, në kërkim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Mijëra burra e gra shqiptarë nga tërë hapësira etnike të Shqipërisë zyrtare dhe të Shqipërisë tjetër Kosovë, nuk u ndalën në veprimtaritë e shumëta kombëtare për të qendruar sa më afër kombit dhe atdheut shqiptar. Në shtetin e tokës së lirë, të vlerave sublime të demokracisë, ata gjetën frymën dhe dorën e përkrahjes nga administrata e shtetit amerikan (Kongresi dhe Senati) si dhe në fushën e diplomacisë, ku, siç dihet shteti mik i Amerikës e projektoi lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës të ndarë nga orët e padrejtësive historike të shtetit serbo-jugosllav si pushtues qysh nga viti 1912-1999.

Dje në Çikago, në nderim të festës së pavarësisë, tashmë traditë kombëtare e kulturore,në qendrën “Richard J.Daley” u ngrit flamuri i Republikës së Kosovës dhe, përmes ngjyrave të dy flamujve të dy popujve miq të përjetshëm, është porosia nga Amerika: E gjithmonshme, pavarësia e Kosovës!

Për këto vite, shumë veprimtarë tashmë në amshim si Hydajet Bregu, Jusuf Azemi, Ajet Rushiti, Faik Ajroja, Qazim Ismaili, Tefik Ashiku, ishin të zëshmit në orët e para kombëtare të demonstratave në Çikago, Nju Jork e Washington në kërkim të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës si dhe të ndyshimeve të sistemit komunist në Shqipëri, në fushën e vlerave të demokracisë e të njeriut njeriut të lirë shqiptar. Në frymën e atdhedashurisë, veprimtari dhe ish normalisti i Normales së Elbasanit, Hydajet Bregu, i sistemuar nga profesor Ernest Koliqi për mësues të shkollës shqipe në Mitrovicë (Kosovë), në krah të tij mësuam se si duhet të bëhet atdheu, fryma e lirisë dhe shpirti i kombit për tokën dhe diellin shqiptar. Po ky burrë i pashoq në rrethet e veprimtarëve në Çikago, në fund të jetës e pati lënë testamentin prej 5 milion dollarësh për hapjen e shkollës apo të katedrës për gjuhën shqipe për brezat e rinj shqiptarë si dhe për të rinjët amerikanë.

Diaspora shqiptare në Çikago, nesër do të festojnë me programin kulturor të këngëtarës Remzije e Nexhat Osmani dhe, familjet shqiptare do të organizojnë takime e përgëzime për Republikën e Kosovës, për të afërmit e tyre në hapësirën e Shqipërisë Etnike.

E gjithmonshme, pavarësia e Kosovës!

Foto: Shoqata Dardania

Filed Under: Fejton

Për më shumë “shqip” ndër shqiptarët e Malit të Zi

February 15, 2025 by s p

Ndue Dedaj

Gazeta Panorama/

Po t’i rendisësh arritjet e moteve të fundit të shqiptarëve në Mal të Zi, në pamje të parë të duket se gjërat kanë shkuar vend për vend. Dy komuna shqiptare, Ulqini dhe Tuzi. Disa shkolla shqipe, në Ulqin, Tuz e deri në Rrozhajë. Media vizive e audiovizive në shqip. Deputetë dhe këshilltarë shqiptarë në institucionet malazeze. Ministra shqiptarë në qeveritë e Malit të Zi dhe kryeministri me origjinë shqiptare, Abazoviç. Konsullata e Shqipërisë në Ulqin. Koloni piktorësh në Plavë. Panairi i librit dhe libraria shqipe në Ulqin, shtatorja e Skënderbeut në Tuz, revista “Koha Javore” në gjuhën shqipe në Podgoricë etj.. Projekti i urës së re mbi Bunë, që lidh Ulqinin me Velipojën etj..

Por, realiteti i prekshëm social, kulturor dhe arsimor nuk është si dukja e jashtme, që nuk i mungon mveshja propagandistike. Studiuesit kanë vënë re se ndërsa tkurret popullsia shqiptare, ajo rritet në diasporë, sidomos në Amerikë, ku ka disa fondacione dhe shoqata që japin ndihmesë për vendlindjen, si “Don Simon Filipaj”, “Plavë e Guci”, “Malësia e Madhe”, “Kraja”, “Ulqini”, apo “Nora e Kelmendit” etj.. Ndër organizimet më ndihmesën e diasporës është dhe veprimtaria e përvitshme, “Logu i Bjeshkës” që zhvillohet në verë në Qafën e Predelecit në Kelmend, festivali i folklorit burimor mbarëkombëtar, çdo dy vjet, në burimet e Vitojës së Hotit etj..

Emigracioni i shqiptarëve në këtë shtet kulmon në vitet ‘70, duke iu bashkuar dhe shqiptarët pjesës tjetër të Malësisë së Madhe pas 1990-ës. Sabina Osmanoviç, në artikullin e saj “Diaspora shqiptare nga Mali i Zi, si forcë ekonomike dhe politike”, publikuar në revistën “Lemba”, sjell një dinamikë në rënie të popullsisë shqiptare, mbështetur në të dhënat e Entit për Statistika (MONSTAT), ku sipas regjistrimeve të vitit 1923, numri i shqiptarëve ishte 30 978 (4.97%), afërsisht sa ç’kishte Mirdita administrative në vitin 1990. Dhjetë mijë banorë të kombësisë shqiptare në tridhjetë vjet e kanë lënë vendin nga viti 1991, kohë kur në Mal të Zi rronin 40.415 (6.57%) shqiptarë. Ruajtja dhe kultivimi i çdo vlere etnike shqiptare është një përparësi e faktorit kulturor në Malin e Zi, por mbase jo sa duhet dhe e partive politike (sipas shqiptarëve atje), të cilat janë mjaft të “zëna” me agjendën e tyre politike.

Ajo çka ne kemi kuptuar është se atje kërkohet të bëhen jo vetëm gjërat e mëdha, si festat, koncertet, panairet, dokumentarët, përmendoret etj., por në radhë të parë ato të gjërat e “vogla”, të padukshme, që i drejtohen moshës më të re, fëmijëve të shkollave, të cilët marrin njohuri të pamjaftueshme e të cunguara për gjuhën, letërsinë, historinë, gjeografinë, artin dhe kulturën shqiptare. Me fjalë të tjera, synohet për më shumë “shqip” e shqiptari ndër shqiptarët e Malit të Zi, çka është një e drejtë themelore e tyre dhe njëherësh pasurim i diversitetit kulturor në republikën fqinje. Mësuesit prej vitesh kanë vënë në dukje se tekstet mësimore në përdorim në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe në Mal të Zi kanë jo pak mangësi.

Shkrimtari Anton Gojçaj, mbikëqyrës për lëndët mësimore Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, pranë Entit për Shkollim në Podgoricë, ka trajtuar gjendjen e teksteve shkollore të letërsisë për shkollën fillore në gjuhën shqipe. Rreth këtyre problematikave është diskutuar dhe në Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi etj., teksa vite më parë projekti “Të lexojmë shqip” qe përkrahur edhe nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave atje. Këtë fillimshkurti shkuam në Ulqin me Dom Nikë Ukgjinin, që ka shërbyer herët si famullitar në Guci (1982 – 1995), në gji të Alpeve Shqiptare dhe së voni në kishën e Shëngjergjit, në anë të Bunës dhe Adriatikut.

Përpos se një misionar shpirtëror prej më shumë se dyzet vitesh, ai është dhe një misionar kombëtar i devotshëm, prandaj është kënaqësi që të mes mes shqiptarëve të trojeve me të. Historiani Ukgjini kësaj here foli me miqtë e tij gazetarë, pedagogë, juristë etj., rreth idesë së hedhur nga ai që më parë, mbi mundësinë e hartimit të një teksti mësimor ndihmës në shqip për orët në dispozicion të mësuesve të Historisë në shkollat e Malit të Zi.

Ata ishin Arlinda Osmani, drejtore e librarisë “Ulqini”, veprimtari Zef Kovaçi, avokati Loro Markiç, gazetarët e njohur Ali Salaj dhe Ismet Kallaba, si dhe Bardhok Pulaj nga Lezha, ish-drejtor rajonal i arsimit. Studiuesi Nail Draga i ka mëshuar me kohë idesë së hartimit të programeve mësimore të veçanta për lëndët e identitetit kombëtar, duke i quajtur ato si pikat më nevralgjike për shkollat me mësim në gjuhën shqipe. Përpjekjet për një tekst historie plotësues janë në vazhdën e një nisme të mëparshme, që po shkon drejt realizimit, atë të hartimit të teksteve të kësaj natyre të gjuhës, letërsisë dhe arteve etj.. Nisma të tilla burojnë nga rekomandimet e Bashkimit Evropian për një sistem arsimor sa më të frytshëm në shtetet me kombësi të ndryshme.

Duhet shënuar se krahas autorëve vendës të teksteve të gjuhës dhe letërsisë për shkollat e niveleve të ndryshme, si Rrok Gjolaj, Haxhi Shabani etj., janë përfshirë edhe autorë nga Shkodra, si profesorët Bahri Beci, Ardian Marashi, Zija Vukaj etj., ndërsa redaktor i tyre është shkrimtari dhe përkthyesi Dimitrov Popoviç. Ndërkohë, Abetarja që përdoret është ajo gjithëkombëtare. Dom Nika sensibilizon për përmirësim të programeve shkollore në shqip, që nga panairi i librit në Tuz, më 10 shtator të vitit 2024. Ai së bashku me mikun e tij, konsullin e Nderit të Austrisë Gjergj Leqejza, këtë çështje e kanë ngritur edhe në rrafshin diplomatik. Në të njëjtën kohë është punuar dhe për hapjen e një librarie me libra shqip në Tuz, ku siç dihet ka shërbyer një nga albanologët me të shquar, At Vinçens Malaj, studiuesi i Kuvendit të Arbnit 1703, At Kolë Berishaj etj.. Komuna e Tuzit e ka të bollshme hapësirën në shtëpinë e Kulturës për librarinë, pse jo, edhe për të “strehuar” aty Muzeun e Malësisë, që krijuesi i tij i moshuar Shtjefën Ivezaj e mban në shtëpinë e tij mbushur plot e përplot me relikte të hershme. Tuzi, gjithashtu, ka dhe një “muze” në natyrë, apo monument të rrallë kulture në botën shqiptare, varrezën autentike të Vuksanlekajt, që jo vetëm nuk është studiuar siç e meriton një objekt i tillë i përveçëm, duke mbetur “memece” për shkencën, banorët dhe turistët, po as nuk ruhet si një trashëgimi e shqiptare e dorës së parë. Në Tiranë, ku nuk mungon asgjë dhe ku nuk kërkohet ndonjë leje e posaçme shtetërore, nuk dimë të dalë ndonjë revistë, aq më tepër e ilustruar dhe katër herë në muaj, si “Koha Javore” në Podgoricë, që botohet që nga viti 2002, e themeluar nga Kuvendi i Malit të Zi, me rubrika të larmishme nga aktualiteti, kultura, diaspora dhe tradita shqiptare.

Redaktori përgjegjës i saj, Ismet Kallaba, njëherësh pedagog i gazetarisë në Universitetin e Shkodrës, pati mirësinë të na sajdiste me numrat e fundit të muajit janar. Revista tjetër “Lemba” – për shkencë, kulturë dhe art – botohet nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me kryeredaktore Sabina Osmanovoq. Po ashtu revista “Malësia”, tashmë vjetore, ka qenë një tjetër zë i shtypit shqiptar në Malin e Zi. Doemos që kanë ndodhur ndryshime ndër shqiptarët e Malit të Zi, por ndryshimi i pritur nuk ka ndodhur. Faktet shpesh i përmbysin frazat e rrumbullakosura diplomatike – në libraritë e Podgoricës nuk gjen libra shqip. Si është e munduar? Më e pakta, 5 për qind duhet të ishin shqip. Kështu, duket sikur kryeqyteti malazez u thotë shqiptarëve, rrini atje në provincë ju, në Ulqin, Tuz, Plavë e Guci etj. se këtu jemi ne.

Dërgoi për botim: Dom Nikë Ukgjini

Filed Under: Interviste

Në Vjenë festohet 17-të vjetori i Pavarësisë së Kosovës

February 15, 2025 by s p

Vjenë, 14 shkurt 2025: Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri organizoi një orë letrare festive me rastin e shënimit të përvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Në këtë aktivitet kulturor morën pjesë edhe diplomate dhe diplomatë që denjësisht përfaqësojnë Shqipërinë dhe Kosovën në këtë shtet mik.

Në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Vjenë të pranishmit fillimisht i përshëndeti Anton Marku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’, i cili ndër të tjera theksoi se krijuesit shqiptarë në Austri i bashkëngjiten festimeve në nderim të ditës kur Kosova përfundimisht u vendos në hartën e shteteve të pavarura dhe sovrane të botës. Ata do të vazhdojnë që përmes shkrimeve të tyre të afirmojnë gjuhën dhe identitetin kombëtar edhe në mërgatë. Më pas përshëndetën edhe nikoqiri i takimit, Ambasadori në detyrë i Kosovës në Austri, Albinot Bimbashi, Eglantina Gjermeni, Ambasadore e Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare në Vjenë dhe ambasadori i Shqipërisë në Vjenë, Fate Velaj, edhe vet shkrimtar, të cilët nënvizuan të arriturat e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë si dhe marrëdhëniet vëllazërore mes dy shteteve tona në Ballkan dhe raporteve shumë miqësore me Austrinë.

Aktiviteti letrar ishte e ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë para publikut dolën autore dhe autorë shqiptarë me banim në Austri. Kështu Violeta Allmuça lexoi poezitë ‘‘Të kam thënë’’, ‘‘Ikje’’ dhe ‘‘Danubi blu’’, për t’i lënë radhën poetit veteran Zaim Toska, i cili recitoi poezitë ‘‘Refugjati’’ dhe ‘‘Largimi’’. Ai po ashtu njoftoi per nje telegram ruime i cili i ka arrru Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ nga SHBA përkatësisht nga Lobi Shqiptar – dega ne Chicago. Shkrimtarja Angjelina Marku lexoi një fragment të shkurtër nga libri i saj për fëmijë ‘‘Albani nuk flet shqip’’ dhe pas saj autorja Ardiana Salihu deklamoi poezitë “Nganjëherë”, “E bardha fletë nate” dhe “Ba me u ba”. Ajo po ashtu prezantoi edhe revistën letrare “G&G’’ e cila tash e sa vite botohet në Shkodër dhe shpërndahet në të gjithë Evropën dhe më gjerë.

Në pjesën e dytë të mbrëmjes me lexime nga librat e tyre së pari u prezantua Gjergj Kola me dramën ‘‘Marie Shllaku’’, vepër kjo e cila shkundë kujtesën tonë historike për figura të njohura shkodrane që pas luftës së dytë botërore dhanë jetën e tyre për lirinë e Kosovës. Gjatë prezantimit të librit të tij më të ri ‘‘Duke pritur ditën e tetë’’ autori Anton Marku nënvizoi rolin e poezisë si mbretëreshë e letërsisë dhe lexoi disa poezi të përzgjedhura nga ky vëllim. Befasi e veçantë ishte paraqitja spontane para dashamirëve të artit të pranishëm në këtë mbrëmje e ambasadorit të Shqipërisë në Vjenë, Fate Velaj, autor i pesë romaneve, i cili prezantoi shkurtimisht përmbajtjen e tyre si dhe lexoi disa poezi të shkruara përgjatë udhëtimeve të tij nëpër shtete të ndryshme të botës edhe si piktor dhe fotograf.

Kësaj mbrëmje artistike të udhëhequr nga prezantuesja Kaltrina Durmishi i dhanë një sharm edhe më kombëtar pikat muzikore të interpretuara me mjeshtri në violinë nga pedagogia e muzikës Erseka Nekaj.

Publiku, si dhe herëve të tjera përgjatë këtyre viteve, mbështeti me entuziazëm këtë manifestim letrar, i cili shpalosi vlerat krijuese nga kultura shqiptare, e cila vazhdon të jetë udhërrëfyes dhe për gjeneratat e reja të cilat po rriten larg atdheut.

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ është themeluar në vitin 2011. Ajo është adresë e parë e krijuesve shqiptarë në Austri dhe pikë referimi për sa i përket letërsisë shqipe në këtë shtet. Duke u imponuar me një qasje serioze dhe kualitet në organizimin e më shumë se 70 orëve letrare dhe promovimeve të librave, ajo ka komunikuar në mënyrë shumë të frytshme me institucionet në nivel kombëtar, si Ministritë e Kulturës, të Arsimit dhe Diasporës, me Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës në Vjenë, me shoqatat dhe individët e ndryshëm, etj. Ajo po ashtu ka bashkëpunim shume domethënës edhe me organizatat austriake, sidomos me PEN Klubin e Austrisë dhe Lidhjen e Shkrimtarëve të Austrisë.

Tekstin e përpiloi: Anton Marku

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT