• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2025

AMANETI I “KULLËS” SË MALËSISË NGA AMERIKA NË VLORË

February 2, 2025 by s p

Një panoramë mbi strukturën dhe mesazhet e librit “Porosia e kullës” e Dr. Pashko Rr. Camaj

Albert HABAZAJ

Përgjegjës i Sektorit të Bibilotekës dhe Botimeve 

Libri “Porosia e Kullës” = “Dreaming from the trunk of an American car” është udhëtimi jetësor i shkrimtarit, atdhetarit, Doktorit të Shkencave Mjekësore, me banim në New York Pashko Camaj – shqiptar i Malit të Zi, veprimtar i shquar i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, që aktualisht shërben si Sekretar i saj.

Ky libër, që vjen si letërsi në formën e kujtimeve, është botim i “Onufrit” prestigjioz me botues Kadarejanin Bujar Hudhri.

Është shqipëruar nga intelektuali Nikollë Camaj, nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi, të cilin e kemi sot midis nesh, jo thjesht se është vëllai 4 vjet më i madh i autorit, porse qe dëshira për të ardhur në Vlorë, pikërisht sot, më 26 janar, ditën e ndritmërisë së përjetshme të Themeluesit të Shtetit Shqiptar, edhe për homazhet e 106-vjetorin të Ismail Qemal Historisë.

Arkitekti dhe karikaturisti i madh Arben Meksi është “mbles” i këtij takimi të veçantë letraro-artistik dhe kulturor.

Po zhvillojmë këtë veprimtari simbolike me domethënie të qartë, në mjediset e Bibliotekës, falë mundësisë që na krijoi Rektorja e Universitetit, prof.dr. Aurela Saliaj, e cila e vlerësoi rëndësinë e këtij takimi, edhe me pjesëmarrjen e saj.

Më duket, se këtë kuvend kulturor po e vështrojnë nga yjet dhe po bekojnë nga balli i kësaj bilbiloteke, tok me Plakun e Bardhë të Flamurit – Shenjtorin e kombit tonë, Ismail Qemal Vlorën, edhe dy Themelues e certifikues të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” eruditët liberatorë Fan. S. Noli e Faik Konica, të cilët, qysh para 116 vjetësh, nisën të shpërndajnë ndër shqiptarë rrezet e diellit vatran anembanë botës, kudo ndodheshin bijat e bijtë e SHQIPES. (nëpërmjet gazetës “Dielli”, organ zyrtar i “Vatrës”, e cila nisi botimin në SHBA më 15 Shkurt 1909).

Është një veprimtari unikale kjo e sotmja, jo vetëm se libri mbart vlera njohëse dhe edukative për studentët tanë, jo vetëm për Universitetin  tonë, por patjetër dhe për Vlorën, për mbarë rininë e sotme andej dhe këtej Shqipërisë së Parë. Është një libër dinjiteti vetiak, jo vetëm për shqiptarin që ndihet i huaj në vend të huaj, por edhe kur ndihet i tillë në vend të tij. Është një manual karriere në furtunë e mbi dallgë. 

Kemi në dorë një libër të vërtetë, letërsi autobiografike me motive emigranti, veshur me petk antropologjik, shkruar me gjuhë të pastër, të pasur, të rrjedhshme, kemi profilin e shkrimtarit bashkëkohor, që strukturën e këtij libri me kujtime, që lëndën e gjen tek kulla si simbolikë e shqiptarit në rrjedhat e kohës, tek malli për zjarrin e të parëve, tymin, zjarrin, amanetin e kullës për të vijuar Udhëtimin dinjitoz të jetës, siç e meriton njeriu.

“Porosia e kullës” vjen në 223 faqe (pa përfshirë shënimet e përkthyesit në gjuhën amtare dhe parathënien e Besnik Mustafajt, njërit nga autorët më përfaqësues të letërsisë moderne shqipe) Libri është ndërtuar me dy pjesë, që mbushen nga 18 kre, ku pjesa e parë ka 11 kre, pjesa e dytë 7 kre..

E kam natyrë që parathënien, ose tekstin shtesë e lexoj mbasi përfundoj librin dhe, sinqerisht, unë jam në një mendje me shkrimtarin e  njohur Besnik Mustafaj, që shkruan se “Porosia e Kullës” është Amaneti i kullës, që e mban lëndën shkrimore në situatë, në dramacitet, me të priturat e jetës dhe me të papriturat e saj.

Libri nis me përshkrimin e mërgimit të dy personave – personazhe: motër e vëlla në bagazhin e një makine të vogël amerikane, frikën e tutjen, me nevojën e besimin, me shpresën e tkurrjen, me mosnjohjen dhe gjuhën e shenjave e gjesteve, me mëdyshjet e dyshimet e këtij fenomeni universal, që u përsëritka kohërash. Ky rrëfim nis pothuaj 40 vjet më parë. Personazhi kryesor i librit është vetë autori. Në moshën 20-vjeçare, iku nga Malësia e Malësisë së Madhe, ky djalosh me ëndrra i Shqipërisë së Veriut… Në moshën 61 vjeçare, vjen në Vlorë, që të kuvendojmë si vllazën të një gjaku për Amanetin e Kullës dhe për të marrë bekim nga qyteti i Flamurit, se Doktor Camaj ka bërë gjënë e duhur, të guximshme, aq të dhembshme, sa të lirë aq të lartë, sepse i nderuar mik i vlertë, përderisa ty, ende sot e kësaj dite të gërryen vetëdijen dyshimi me pyetjen e madhe: dilemën jetësore: “a i kam tradhtuar paraardhësit e mi duke lënë të vetmen atë botë që ata njihnin për kaq shumë breza”, këtë pyetje retorike ekzistenciale që na godet si dilema shekspiriane te “Hamleti”: “Të rrosh apo mos të rrosh?!” – do të thotë se ti nuk e ke harruar vatrën e të parëve, sepse ti herët e dallove të mirën nga e keqja dhe pate dëshirën madhe për ta bërë babain të lumtur dhe krenar për ty. Këtë e pate dhe e ke qëllim kryesor gjatë gjithë jetës. Ti nuk e ke harruar vatrën e të parëve të tu, ndezur tash e 16 breza e kjo flet shumë. Ti i ke pjesë organike të qenies tënde traditat më të mira, doket, zakonet, virtytet morale, historinë, etnokulturën tonë dhe kjo do të thotë, more zotëri, se ti je një atdhetar qytetar, që di të bësh emrin tënd dhe nderin tonë në botën e madhe. Me identitetin tënd, ngritur në lartësinë e qytetarit të botës, doktor je një simbol nderi. Kulla është rrënjosur në qenien tënde, por dëgjove zemrën… Ne mund të japim përgjigje pyetjes tënde, se vërtet kemi shumë përbashkësi, por kemi dhe përveçime, por sipas këndvështrimit tonë fasadesk, ndoshta nuk do të ishim të drejtë në përgjigje, sepse në rast të tillë duhet të futemi në lëkurën tënde, në lokalitetin tënd e në ato rrethana që të gjykojmë si duhet cila është më e mira dhe sa vlen. Kështu mendoj unë, ndoshta ha diskutim. Në libër marrim informacione nga etnologjia, folklori dhe antropologjia kulturore dhe sociale, njohim kodin e nderit, ritet si pjesë e ritualit të dasmës në Malësi, Kanunin e Lekë Dukagjinit, etnologjinë religjonale, atë të banesës, etnologjinë e peshkimit, florën, faunën, mënyrën e jetesës, edukatën morale, që përshkruan autori, që është një nevojë e domosdoshme njohjeje nga brezi i ri, sepse deri tek grupmosha jonë, e kuptojmë ç’ka shkruan dr. Pashko, por këta të rinjtë…aha. Dhe, drejtpërdrejtë, s’kanë shumë faj… 

Ç’frymëmarrje të freskët i jep librit ajo panorama e urimit zakonor në Malësi! Shembulli i dr. Pashkos është fryt i edukimit qytetar, akademik dhe human, me nënshtresime të patundshme atdhetare, në fakt jo shumë të shfaqshme në tekst, por aqsa ngelen gjurmëlënëse  në kujtesën tonë.

Autori është një përshkrues i mirë i morfologjisë mjedisore, i tipareve fizike dhe karaktereve njerëzorë, që i gdhend me një densitet psikologjik të lakmueshëm dhe nga shkrimtarë të mirëfilltë.

Morfologjia e lëndës që lidh vërtetësisht dhe artistikisht grimcat e jetës, hollësi e skena migjeniane që më rrëmbushin sytë nga trishtimi varfëror e lotët më  ndalojnë leximin për disa çaste dhe vijoj më tej. 

Libri duket që është i shkruar nga një njeri me kulturë, i ditur, që ka njohuri nga disa fusha të shkencës, edhe pse modestisht, nuk dëshiron të zhytet thellësish. Libri më duket si  një kalë amaneti, që vjen i ngarkuar me dy hejbe kulturash të shkruara letrarishte: atë të Paqësorit, matanë Atlantikut dhe këtë këtej Adriatikut. Autori nuk i hedh poshtë këto tonat, se ka zjarr malli, por atë të Paqësorit e mban fort, se ka synime të larta.

Dua ta ngushtoj vështrimin tim në 3 cilësi që na dhuron ky libër: “Kulla..” është libër i mirë, i bukur, i dobishëm; është një libër, që duhet të lexohet nga çdo shqiptar, domosdoshmërisht nga ata shqiptarë që nuk e kanë njohur mërgimin me atë rrugë gjithë të lotit të hidhur. Ku i vërej unë këto 3 cilësi që shpreha dhe pse u dashka lexuar ky libër, kur po gufosin botimet, si rrallë herë?!

Në Shqipëri dhe në trojet e Shqiptarisë janë shkruar e botuar shumë libra

autobiografikë, me kujtime  apo biografi të letrarizuara, por letërsi në formën e kujtimeve me subjekt emigracionin është krijuar pak. Ndoshta letërsi e mirë e kësaj natyre, e këtij lloji, me motive kurbeti, me tematikë emigrimin numërohet me gishta.

Dhe shkrimtarët tanë të mërgatës janë të vërtetë, nuk i bëjnë buzëkuq fytyrës letrare, nuk bëjnë patinime në ndërtesën e tyre letrare, se vetëm ata dhe Zoti e dinë ç’kanë hequr për të arritur atje ku janë. Nuk kanë komplekse ata, janë pa ngarkesa, sepse zemra e tyre i shpërfilli mentalitetet e mykura dhe paragjykimet e lodhura, qyshkur morën Udhën e Mërgimit. Të huaj në dhè të huaj…

Eh, more kurbet! Mbete riciklues për ne për një të nesërme më të lehtë, për një të ardhme më të mirë. Gjithë bota në lëvizje është xhanëm, por foleja po mbeti shkretë, vyshket, thahet, mpaket, thërmohet… E, ne qeshim jetën tonë që të mos qajmë…

I nderuar dr. Pashko! Kujtojmë nga libri, se qysh 8-vjeç, ti dëshiroje dhe ëndërroje që është mirë ta marrësh në duart e tua fatin tënd…Ti ike rreth 20 vjeç nga Sukriqi, vendlindja jote, pranë liqenit të Shkodrës. More gjithë pasurinë tënde me vete: ajo çanta e vogël me disa gjëra të tuat personale dhe disa kujtime, albumin e vogël me fotografi, kryesisht bardhezi… Bashkë me Dritën, motrën më të madhe se ti, që siç ka emrin, ashtu u bë dhe për ty. Po nuk u ktheve më këtu për të jetuar e punuar. E thure folenë larg, shumë larg, në Botën e Madhe. Ti i di hallet e tua, sfidat, hutimet, dështimet, dëshpërimet, poshtërimet, se kurrkush nuk të pret me lule, aq më tepër kur udhëton drejt ëndrrës së shumëkërkuar, si të jesh një mall i zhvlerësuar… Por, ti i përballove me durim e vullnet, me zotësi e këmbëngulje, me edukim e mësim, me seriozitet e dinjitet dhe i bëre emër vetes. Nga një send në bagazhin e një veture amerikane, sot je atje – në supershtetin e botës Doktor i Shkencave Mjekësore, një emër i përveçëm dhe bujar.

Doktor i dashur! Edhe unë e kam provuar emigracionin, por jo larg. Ja, këtje përtej, në gadishullin Apenin dhe e njoh mirë Italinë, duke i shprehur mirënjohjen për 5 vjet që jetova, punova dhe veprova atje. Por, ndryshe nga ju, Doktor, unë mërgova vonë, në moshën 37- vjeçare dhe u ktheva herët, një çerek shekulli më parë. Jo, se ta dini…këta shqiptarët e vendit, që s’e kanë provuar migrimin dhe emigrimin – tashmë, domethënë, ne, shqiptarët e këtushëm, se qysh ju shohim juve…si të çuditshëm, gati si ufo, qysh në mënyrën e komunikimit, të veprimeve, tek ato që çfarë thoni e shkruani, sepse jeni më të sinqertë seç duhet, se ashtu jeni edukuar e gatuar me atë brumë, me atë kulturë, sipas standardeve të jetesës andej … 

Ju vini të malluar. Unë e kam provuar dhe i njoh të dy botët, të dy mentalitetet. Ne, këtej, në jo pak raste, bëjmë sikur… Ne, shqiptarëve, nuk na bën mirë mungesa  e idealizmit, ndaj s’ecim qartë.

Sikurse të gjithë ata shqiptarë që kanë njohur emigracionin, edhe unë, të mirëkuptojmë, të vlerësojmë, të shprehim mirënjohjen, sepse te “Porosia e kullës”, në një formë a në një tjetër, përshtat sipas rastit – kohën, hapësirën, personazhet, jam dhe unë, jemi dhe ne. Ti je një nga ne, që ike, por nuk i harron rrënjët. Babai yt, dritë i bëftë shpirti atje ku prehet është heroi yt. Për çdo bir babai i tij është hero. Sot, fatkeqësisht, ndjenjat egërsisht të shkreta, hasmëria e hakmarrja, si plagë të vjetra kullojnë gjak ende, se kanë zënë rrënjë tek psikologjia e shqiptarit në çdo prag. Pikërisht, në situata të tilla tragjike, Rrok Pjetri i Malit të Hotit ngrihet një Anton Çetë i heshtur e i panjohur shqiptar. Anton Çet’ e kaluar për ne… Ai është Rrok Pjetri i Malësisë së Madhe… Babai i doktorit u qëllua, se u fut të shmangte dy vdekje, për të shpëtuar dy jetë burrash të egër siç ishte Gjek Gjoni i malit të Trieshit dhe Rrok Gjoka i malit të Hotit… Ç’përshkrim mjeshtëror, që na mbush me ndjesi ekstreme, ç’etnolgji zakonore barbare shkruar me art, ç’kanun malesh në veprim, i shtjelluar drithërueshëm e me vërtetësi ajo ngjarje tronditëse e vitit 1972. Ç’humanizëm altruist surreal tej përmasave të mendimit njerëzor, ku luhet jeta dhe vdekja, gjakderdhja e hakmarrja, gjykimi dhe paragjykimi, verbimi dhe drita, falja, mirënjohja, vëllazëria. Vërtet hero Rrok Pjetri.

Edhe një imtësi do ta nxjerr nga libri, se më shpon si turjelë: skena e pijacës gjatë tregtimit të prodhimeve të stinës, me gjestin  barbarisht i tmerrshëm të serbit Milorad ndaj Shekit të pafajshëm, gjuha  e tij nënçmuese  për shqiptarët, tërbimi i urrejtjes së trashë, e tronditën aq shumë Pashkon e ri, saqë e shtynë djaloshin të largohej përgjithmonë nga vendlindja 

E, more Doktor! Unë u ktheva shpejt në “kullë”. Ti je atje, të jetosh si njeri. Ti je atje që t’i thuash asaj bote, që edhe shqiptarët mësojnë, mësojnë dhe të tjerët, i shërojnë ata, madje dinë edhe t’i udhëheqin mirë me vizion të qartë përpara.

Në fakt, gjithë Shqipëria është një mërgatë lulesh, nuk më pëlqen të përdor termin “diasporë”. Është mërgatë lulesh, sepse s’ekziston familje shqiptare, që nuk ka një emigrant të paktën…

Ky libër i vërtet deri në drithërimë është shkruar bukur, sepse ka rrëfim të çiltër të ngjarjeve, të shkuar me gjuhë të pastër, të pasur, të rrjedhshme, të kulluar, pa rënë në kurthet e terminologjisë gazetareske. Është një rrëfim i lirë, i vërtetë i  një shqiptaro-amerikani, që banon e punon në një shtet të fortë me ligje. Thyerja në kohë e rrëfimit e bën më emocional, tërheqës, dhe me fuqi imazhi që të rrëmben e si pa kuptuar bëhesh, pa qenë, personazh i librit dhe ti. Pikërisht, kjo kronikë letrare e jetës familjare me emrat e tyre realë, ndërsa e personave të tjerë me emra të trilluar, ka ardhur e thyer në kohë dhe jo në mënyrë drejtvizore të njëtrajtshme është një gjetje me vend e autorit, që i jep dinamikë, gjallëri, kërshëri, freski dhe lexim të mbarë, aspak të mërzitshëm tekstit. Thyerjet në kohë dhe hapësirë, lëvizjet e rrëfimit nga udhëtimi kronologjik në Amerikë me retrospektivën mallëngjyese të vendlindjes e bën më të vëmendshëm e të dashur narrativën, si një shportë e bukur kujtimesh…

Mendoj se tek një autor nuk mund të kërkojmë apo gjejmë gjithologun. Ku e kam fjalën?  Dr. Pashko, nga natyra humanist, është studiues, shkencëtar në fushën e mjekësisë. Por dituria klasifikohet në 10 klasa. Në njërën është zotërues autori ynë dhe, siç e shkruan në f. 209 të librit “ka një fushë të kufizuar kërkimi”. Më se normale. Ndërsa rrëfimi rrjedh burimor. Vjen natyrshëm. Nuk është libër historik, por letërsi kujtimesh. Historinë e të parëve nuk e harron, e kujton, e përmend (brenda formatit përkatës) dhe e nderon.

Rrëfimi është i besueshëm dhe autori është besnik i synimit dhe idealit të tij.

Nuk është se djaloshi Pashko i viteve 1985, më i vogli i bacës Rrok, shkeli mbi nderin e dinjitetin e të parëve, por donte që Udhëtimin ta vijonte në këmbë, jo zvarrë. Gozhdë 12 – çe  më ka depërtuar në tru skena e studentit Camaj (pa prapashtesën oviq në fund, pra jo Camajoviq) me profesorin Çaviq për oksipitalin (os occipitale) “Unë i njoh mirë ata njerëz. Ata nuk mësojnë. Ne duhet t’i dërgojmë të gjithë mbrapa në Shqipëri”… 

Mirë gënjimet e zhgënjimet, po mjerë fyerjet e poshtërimet! Ç’trim stoik ky bir Malsie! Shembull.

Ky libër duhet lexuar me vëmendje nga të gjithë. Sa shumë mëson nga jeta, aq më tepër kur një e tillë është tronditje që dhemb. Jo vetëm nga jeta në emigracion, por aty gjen reminishenca nga kodi zakonor, folklor dhe etnologji të pasur. Vëreni këtë fenomen: dje vajza në Malësi (jo vetëm ç’ka përshkruan autori, por edhe ndër malet tona në Labëri, të paktën) vasha 20 vjeçe quhej e ”plakur”; sot na shfaqet një modë, që s’ka problem edhe 40 vjeçe është normale të jeshë vajzë e pamartuar, se kështu e paska bota…

Doktor! E dimë që gjithë bota është ë lëvizje. Njerëzit, popujt, migrojnë, emigrojnë. Sikurse ne, njësoj apo para nesh. Dilema ekzistenciale “të rri apo të iki” është e rëndë. Bashkë me thellësinë e pikëllimit, përjetojmë tendencën shqetësuese të largimit të të rinjve nga vendlindja, patjetër dhe sidomos nga malësitë. 

Unë, Doktor i dashur, jam një nga të ikurit e rikthyer. Sot, a duhet dëgjuar zemra? A duhet ndjekur mendja? Libri i rrok këto tema të mëdha, që përmbysin tradita dhe praktika jetësore. Dr. Pashku është nga të ikurit që ka rreth 40 vjet që mban në peshoren e dinjitetit lirinë dhe shkëlqimin e Amerikës me dashurinë e dheut të të parëve, të gjysh-stërgjyshërve dhe sigurinë e identitetit që të jep gjaku.

O miq të mirë! Po ky libër na mëson, na mëkon me harmonizimin e shëndetshëm të edukimit atdhetar dhe edukimit qytetar. Është një libër morali, pa rënë në moralizime, pa pasur assesi synim të na bëjë moral. Këtë duhet të kuptojmë, se po shkallafytemi fluturimesh turbullisht të papërcaktuara dhe të pasynueshme. Ngaqë sëmundja e moralit ndër ne shkakton simptoma të dukshme të infeksionit degjenerues, libra të tillë të rrallë si “Kulla” i japin jetë e shëndet Udhëtimit tonë në këmbë.

“Kulla” e Camajt, shkruar me shkronja malli, mbushur me nektarin e mërgatës së luleve është jo vetëm kulla e emigrantit, ajo simbolika e vatrës së Shqiptarisë, është fryma, tymi, zjarri i ndezur, është identiteti ynë. 

Një ndër mesazhet humane që na dhuron bujarisht Doktor Pashko me këtë libër është: “Nuk kam kohë të mbaj mllef asnjëherë, as me vëllanë, as me qenin, s kam gjëra që duhet të bëj”. Me gurët që të kanë qëlluar, jo thjesht në kuptimin figurativ, ti ngrite shkallët e karrierës tënde, të jetës si  njeri me dinjitet, edhe për vete, edhe për familjen, vëllazërinë e fisin, edhe për Malësinë.

…Kur unë e përfundova librin së lexuar, i ngarkuar me shumë mbresa e mendime i thashë gruas: “Vlen ta lexosh “Kullën”, se aty njeh jetën e emigrantit shqiptar, mëson sadopak dhe nga 5 vjetët e mi në mërgim”. Dhe ajo po e lexon me interes dhe vëmendje.

Për ç’ke bërë e arritur dhe për ç’ka po na dhuron këtu, me zemër e mendje, po të shprehem me vlerësim: Të lumtë Çoço! Faleminderit Doktor!

Filed Under: Reportazh

Si demokratët po e “gjuajnë“ Trump me “çmimin e vezëve“

February 2, 2025 by s p

Analizë nga Rafael Floqi

Në vitin 2022, SHBA-ja filloi të përballej me një shpërthim të jashtëzakonshëm të gripit të shpendëve (H5N1), i cili ka pasur një ndikim të thellë në industrinë e ushqimit dhe ka çuar në një krizë të furnizimit me vezë. Në mesin e këtij shpërthimi, fermerët janë të detyruar të therin miliona pula çdo muaj për të parandaluar përhapjen e virusit dhe mbrojtur shëndetin e grupeve të tjera të shpendëve. Ky proces ka rezultuar në një mungesë masive të vezëve, çka ka çuar në një rritje drastike të çmimeve për konsumatorët, por demokratët e kanë kthyer këtë në akuza politike ndaj Trump një javë pasi mori detyrën.

Demokratët sulm Trumpit për vezët 

Çmimi i vezëve ka bërë bujë në politikën amerikane, me Demokratët që e fajësojnë ish-Presidentin Trump për rritjen e kostos, ndërsa ai dhe mbështetësit e tij e kanë drejtuar gishtin ndaj administratës Biden. Në këtë kontekst, çmimi mesatar i një duzinë vezësh ka arritur në 4,13 dollarë në dhjetor 2024, duke u rritur me 37% krahasuar me vitin e kaluar. Kjo ka nxitur një debat të nxehtë, me Demokratët që akuzojnë Trump për mos vepruar në menaxhimin e inflacionit të ushqimeve, ndërsa administrata e Shtëpisë së Bardhë vazhdon të fajësojë politikën inflacioniste të qeverisë së kaluar.

Për më tepër, çmimet e vezëve janë një nga shkaqet kryesore të fushatës politike të Trumpit, duke ofruar një mundësi për kritikët të sulmojnë politikën e tij. Pavarësisht përpjekjeve të dy palëve për të fajësuar njëra-tjetrën, realiteti i tregut mbetet i komplikuar, me një kombinim faktorësh të tjerë që ndikojnë në çmimet e ushqimeve, përfshirë inflacionin e periudhës post-COVID dhe kërkesat e ndryshme të konsumatorëve. Duke pasur parasysh parashikimet që çmimet e vezëve mund të rriten edhe më shumë gjatë vitit 2025, problemi i çmimeve të ushqimeve vazhdon të jetë një çështje e nxehtë dhe shumë e diskutuar në politikën amerikane.

Megjithatë, sipas një grupi demokratësh të Kongresit të udhëhequr nga Senatorja e Massachusetts. Elizabeth Warren, Trump e ka kaluar javën e tij të parë në detyrë tepër i fokusuar në prioritete të tjera, si “deportimet masive dhe falja e sulmuesve të 6 Janarit .”

“Veprimi juaj i vetëm për kostot ishte një urdhër ekzekutiv që përmbante vetëm përmendjen më të vogël të çmimeve të ushqimeve dhe jo një politikë të vetme specifike për t’i ulur ato,” shkruan Warren dhe 19 ligjvënës të tjerë demokratë të dielën në një letër drejtuar presidentit. “Amerikanët po kërkojnë nga ju të ulen çmimet e ushqimeve.”

Në përgjigje, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karolin Leavitt vazhdoi të fajësonte ish-presidentin Joe Biden të martën, duke thënë se “ne kemi parë rriten e kostove t gjithçkaje – jo vetëm vezët; proshuta, ushqimet, benzina ​​- [rriten] për shkak të politikave inflacioniste të administratës së kaluar.”

Po pse vezët janë befas tema e nxehtë në Uashington, D.C.? Dhe çfarë – nëse diçka – mund të bëhet për t’i bërë ato më të lira?

Gripi i Shpendëve dhe Kriza e Vezëve

Fermerët në mbarë vendin janë përpjekur të mbajnë shëndetin e tufave të tyre në nivele të larta për të parandaluar përhapjen e gripit të shpendëve, i cili shpërndahet lehtësisht nga zogjtë e egër. Edhe pse disa masa janë ndërmarrë për të kontrolluar përhapjen e virusit, përfshirë dezinfektimin e mjeteve dhe krijimin e barrierave ndaj shpendëve të egër, ky grip është i vështirë për t’u kontrolluar. I gjithë ky proces ka çuar në një rritje të konsiderueshme të çmimit të vezëve. 

Efekti i Çmimeve të Larta të Vezëve dhe Mungesa në Dyqane

Në disa pjesë të SHBA-së, blerësit tashmë po paguajnë më shumë se dyfishin e çmimit të zakonshëm për vezët. Kjo ka bërë që disa dyqane ushqimore të vendosin kufizime në sasinë e vezëve që mund të blihen nga konsumatorët, duke e bërë më të vështirë për njerëzit të sigurojnë këtë produkt të përditshëm. Në qytete të tilla si Minneapolis, konsumatorët janë të shqetësuar se vezët, dikur një burim i zakonshëm dhe i lirë ushqimi, tani janë bërë një produkt i shtrenjtë që e ka bërë më të vështirë për familjet të përballojnë koston e ushqimit të përditshëm.

Në një supermarket të madh, çmimi për një duzinë vezësh organike dhe të pa kafaz është rritur ndjeshëm, duke u shitur për 6.19 dollarë, ndërkohë që vezët e zakonshme janë shitur për 4.49 dollarë. Ky ndryshim i madh i çmimeve është rezultat i rritjes së kostove të prodhimit, mungesës së furnizimit dhe ndryshimeve në ligjet e vezëve pa kafaz në disa shtete.

Pse Gripi i Shpendëve është i Vështirë për t’u Kontrolluar në një javë 

Një nga arsyet kryesore që gripi i shpendëve është i vështirë për t’u kontrolluar është se ai shpërndahet kryesisht nga zogjtë e egër, të cilët nuk sëmuren kur bartin virusin, por mund ta përhapin atë lehtësisht. Kjo përhapje natyrale është një sfidë e madhe për fermerët dhe autoritetet shëndetësore. Për më tepër, shpërthimi i gripit të shpendëve ka vazhduar gjatë gjithë vitit 2022 dhe 2023, duke krijuar një cikël të pafund infeksionesh që ka ndikuar në furnizimin me vezë dhe ka shtuar çmimet.

Në këtë situatë, duhet të merret parasysh gjithashtu fakti që nuk është e mundur të vaksinohen miliona pula dhe se çdo masë për të parandaluar përhapjen e gripit kërkon burime të mëdha financiare dhe burime të tjera. Edhe pse shumë fermerë kanë investuar në teknologji dhe masa mbrojtëse si larje automjetesh dhe përdorimin e lazerëve për të dekurajuar zogjtë e egër, këto masa janë të kushtueshme dhe nuk garantojnë një rezultat të menjëhershëm.

Masat dhe Përpjekjet për Të Zgjidhur Krizën

Qeveria federale dhe Departamenti i Bujqësisë kanë ndërmarrë hapa për të mbështetur fermerët që janë goditur nga shpërthimi i gripit të shpendëve, duke ndihmuar financiarisht ata që janë detyruar të therin miliona pula për të parandaluar përhapjen e virusit. Kjo ka përfshirë shpenzime të mëdha për kompensimin e fermerëve për humbjet e tyre, por kjo ende nuk ka arritur të zgjidhë problemin kryesor të mungesës së vezëve dhe çmimeve të larta.

Fermerët po përpiqen gjithashtu të zvogëlojnë rreziqet duke krijuar kushte më të sigurta për shpendët e tyre dhe duke ndihmuar punëtorët që të zbatojnë masa të rrepta higjiene. Përpjekjet për të parandaluar përhapjen e gripit të shpendëve përfshijnë gjithashtu teste të shpeshta dhe izolimin e kafshëve të sëmura, si dhe përdorimin e teknologjisë për të monitoruar dhe kontrolluar çdo shpërthim të mundshëm.

Çfarë Mund të Pritet për të Ardhmen?

Me që çmimet e vezëve dhe të produkteve të tjera të qumështit dhe mishit kanë vazhduar të rriten, është e paqartë se kur dhe si do të ndalet ky cikël i përshkallëzuar i krizës. Disa ekspertë sugjerojnë se për të stabilizuar çmimet dhe për të parandaluar një krizë më të thellë të furnizimit, mund të jetë e nevojshme të miratohen masa të tjera të kontrollit dhe të mbështetjes financiare për fermerët dhe për konsumatorët.

Sidoqoftë, ndikimi i gripit të shpendëve do të vazhdojë të shtrihet në të ardhmen e afërt, dhe ndoshta gjatë gjithë vitit 2025, derisa të arrihen nivelet e zakonshme të furnizimit dhe stabiliteti i çmimeve. 

Dhe natyrisht Trump nuk mund ta ndalë gripin, me një urdhër, egg-zekutiv.

Filed Under: Ekonomi

Kosova përkujton heronjët Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha në 28 vjetorin e rënies

February 1, 2025 by s p

PRISHTINË, 31 Janar 2025-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ Në Kosovë përkujtohen tre heronjët e kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, në 28 vjetorin e rënies.

Para 28 viteve, në 31 janar 1997, në fshatin Pestovë – në hyrje të qytetit të Vushtrrisë, rrugës Prishtinë-Mitrovicë, drejt realizimit të një misioni të veçantë, ranë heroikisht në krye të detyrës heronjët e lirisë e pavarësisë së Kosovës, komandanti Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarët Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha, tre nga drejtuesit e luftës çlirimtare të UÇK-së.

Në homazhet te lapidari, te vendi i rënies së tre heronjëve dhe te shtatoret e tyre e në veprimtari tjera përkujtimore marrin pjesë përfaqësues institucionalë e politikë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe tek shtatorja e Zahir Pajazitit, në 28 vjetorin e rënies së heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.

Presidentja Osmani ka shkruar:

Me respekt dhe krenari e kujtojmë heroin Zahir Pajaziti, vizionarin e luftës çlirimtare, i cili bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, me guxim dhe vendosmëri, krahas edhe shumë bashkëluftëtarëve të UÇK-së, hapën rrugën drejt çlirimit të Kosovës, duke u bërë simbole të sakrificës dhe përkushtimit për atdheun.

Sot, më shumë se kurrë, e kemi për detyrë të mos e harrojmë idealin e tyre. Liria për të cilën ata dhanë jetën duhet të mbrohet jo vetëm me kujtimin për ta dhe heronjtë e tjerë të UÇK-së, por me punën, angazhimin dhe përkushtimin ndaj Kosovës, të cilën e ëndërruan dhe për të cilën ranë ata.

Lavdi e përjetshme heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha dhe të gjithë dëshmorëve të kombit tonë!

Kryetari i Kryeqytetit – Prishtinës, Përparim Rama, ndau Mirënjohje për familjet Pajaziti, Zejnullahu dhe Hoxha për kontributin e dhënë në çlirimin e vendit.

Ai ka shkruar:

Sot, me respekt dhe mirënjohje të thellë përulemi para veprës heroike të Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut, tre shtyllave të pathyeshme të luftës për liri.

Në këtë ditë përkujtimore, ne nuk i kujtojmë vetëm si të rënë, por si të pavdekshëm, sepse vepra dhe ideali i tyre jetojnë në çdo brez që rritet me frymën e tyre.

Në emër të Kryeqytetit, me krenari kemi ndarë mirënjohje për familjet e tyre për veprën e të bijëve. Me trimërinë e tyre, ata luftuan shtypjen dhe padrejtësinë, duke e shkruar me gjakun e tyre kapitullin më të lavdishëm të historisë sonë kombëtare. Bashkë me ekipin e Kryeqytetit bëmë homazhe edhe para shtatores së Zahir Pajazitit në Prishtinë dhe në fshatin Orllan dhe Lladoc, duke dëshmuar se kujtesa jonë kolektive mbetet e gjallë dhe e përjetshme.

Filed Under: Rajon

Ideologjia kombëtare dhe miti kombëtar shqiptar

February 1, 2025 by s p

Dr. Nelson R. Çabej/

Bartja e problemeve specifike shkencore në diskursin botor (publik) është shumë herë e mbarsur  me reziqe keqkuptimesh dhe keqinterpretimesh të ideve në masën e lexuesve. Kjo duket se ka  ndodhur edhe në debatin e zhvilluar vitet e fundit në median joshkencore shqiptare, ku është  theksuar shumë herë nevoja e çmitizimit ose, siç është thënë me një barbarizëm, “demontimit” të  “historisë kombëtare të mitizuar të shqiptarëve”. Shumë herë në këtë debat është ngatërruar  historia zyrtare ose historishkruarja shqiptare me ideologjinë kombëtare të shqiptarëve dhe  është marrë fjala mit në kuptimin literal, si një tregim jo i vërtetë, e jo në atë kuptim që përdoret  shpesh në kritikën historiografike për të shprehur subjektivitetin e pashmangshëm të  historishkruarjes.  

Ideologjia është një sistem vlerash, besimesh, idesh, virtutesh dhe mitesh, rëndom të lidhura në  mënyrë logjike, të cilat një bashkësi njerëzore (popull, klasë a shtresë shoqërore) i mban si të  vërteta aksiomatike, të cilat as kanë nevojë e as mund të vërtetohen sepse ideologjia nuk është  shkencë. Të kërkosh nga një ideologji që të provojë drejtësinë e atyre vlerave, besimeve dhe  ideve do të thotë të kërkosh të pamundurën, t’i japësh asaj funksionin e shkencës ose të fshish  çdo kufi midis dy gjërave kaq të ndryshme sa ideologjia dhe shkenca. Ndryshe nga shkenca, që  pranon dhe i ka të domosdoshme vetëndreqjen dhe përmbysjet revolucionare madje dhe mohimin  e teorive ekzistuese, ideologjitë nuk mund të pranojnë përmbysjen dhe ndreqjen, ndonëse mund  të evoluojnë, pasurohen dhe sofistikohen.  

Por ideologjitë, qofshin ato politike, morale, ligjore, raciale, epistemologjike, fetare, etj., kanë  një funksion të rëndësishëm shoqëror, që është bashkimi i përkrahësve të tyre në një përpjekje  kolektive për mbrojtjen e interesave të grupit a bashkësisë njerëzore.  

Formulimi i ideologjisë kombëtare shqiptare 

Në Shqipërinë e gjysmës së dytë të shekullit XIX, prania e katër feve dhe sekteve fetare ishte një  pengesë e madhe për bashkimin politik të shqiptarëve, që kërkonte momenti historik në atë kohë  të tatëpjetës së pandalshme të perandorisë osmane. Në këtë situatë të ndërlikuar si askund tjetër më shumë, etërit e Rilindjes sonë kombëtare iu drejtuan një force bashkuese që do të mund të  rrafshonte gardhet e ndasisë fetare. Kjo ishte vetëdija etnike “Ne” e tyre, që lidhej me, dhe buronte  nga, gjuha, historia dhe prejardhja e përbashkët, nga doket dhe kultura e tyre materiale dhe  shpirtërore e trashëguar. Ata kuptuan se forca bashkuese e kësaj vetëdije etnike ishte shumë më e  madhe se gjithshka që i ndante.  

Me mënçuri që, sado të lëvdohet, nuk arrin të mbivlerësohet, rilindasit tanë kuptuan se mjeti më  efikas i bashkimit politik të shqiptarëve ishte formulimi dhe zhvillimi, mbi bazën e kësaj vetëdije  etnike, i një ideologjije kombëtare shqiptare, si kusht i domosdoshëm i bashkimit kombëtar në  një kohë kur feja dhe sektet fetare edhe në Evropën perëndimore luanin një rol të madh në  mendësinë, botëkuptimin dhe formimin shpirtëror të popullit, duke dalë mbi vetëdijen etnike siç  ndodhi në rastin e formimit të shtetit të Belgjikës. Duke njohur rolin madhor dhe epërsinë e  identitetit etnik shqiptar si forcë e bashkimit kombëtar, më e madhe se çdo forcë që mund t’i 

ndante, PashkoVasa (1825 – 1892) doli me moton e famshme “Feja e shqyptarit a shqyptaria”, si  një lloj feje civile kombwtare, që qëndronte mbi çdo fe tjetër. Kjo moto nuk mbeti thjesht një  parullë, por u bë forcë vepruese, që u pasqyrua jo vetëm në tërë veprimtarinë e rilindasve, por  edhe të tërë popullit shqiptar dhe heronjve të tij, përfshirë këtu martirët e klerit katolik, ortodoks  dhe musliman të Shqipërisë.  

Formimi i shtetit kombëtar shqiptar kërkonte përpunimin e një ideologjije kombëtare, duke  përfshirë një mit krijimi a themelimi, një histori të prejardhjes së popullit. Rilindasit tanë e  zhvilluan ideologjinë kombëtare shqiptare rreth dy boshteve themelore, që ishin prejardhja e lashtë  e popullit shqiptar dhe lufta e tij kundër superfuqisë osmane në shekullin XV, të cilat shërbyen  edhe si mite historike të shqiptarëve. Për mitin e krijimit ata shfrytëzuan sukseset e historiografisë  dhe gjuhësisë europiane të kohës, që kishin provuar prejardhjen e lashtë dhe vazhdimësinë iliro 

shqiptare, duke fillluar me Gottfried Wilhelm Leibniz (1646-1716) e me historianë si Johann Erich  Thunmann (1746-1778), Malte-Brunn (1775-1826), Johann Georg von Hahn (1811-1869) dhe  Jakob Philipp Fallmerayer (1790-1861, gjuhëtarë tw rangut botwror si Franz Bopp (1791-1867),  Holger Pedersen (1867-1953), Kretschmer (1866-1956), etj. Për mitin e Skënderbeut ata  shfrytëzuan historinë e heroit tonë kombëtar, siç ishte e bërë e njohur në tërë Europën, kryesisht  me veprën e historianit shqiptar të shekullit XVI, Marin Barletit. Kjo ideologji kombëtare ka  ardhur duke u zhvilluar dhe konsoliduar, me përkrahjen e shtetit shqiptar, gjatë tërë shekullit të  kaluar. Dhe koha provoi se rilindasit tanë kishin të drejtë kur besonin se forca bashkuese e kësaj  ideologjije kombëtare ishte aq e madhe sa të hiqte gardhet që kishte krijuar besimi i popullit në fe  dhe sekte të ndryshme fetare.  

Rilindasit shqiptarë, bashkë me ata arbëreshë të Italisë, patën meritën e krijimit të një sërë veprave  artistike, duke përfshirë poema për heronj e ngjarje të mëdha historike, që i bënin jehonë “Motit të  Madh” të Shqipërisë, duke krijuar një tabllo artistike të historisë e prejardhjes së popullit e të  kombit shqiptar. Ata filluan studimin sistematik të fjalorit dhe të gramatikës së gjuhës shqipe,  mblodhën e botuan ligjin dokësor të Lekë Dukagjinit, bënë të njohur në botë kostumet kombëtare  dhe thesare të tjera etnografike, botuan vëllime të tëra të folklorit kombëtar shqiptar dhe arbëresh,  nisën kërkimet historike gjuhësore, etnografike, etj. Ideologjisë kombëtare i shërbyen edhe ngritja,  njera pas tjetrës, e organizatave dhe shoqatave patriotike dhe kulturore në mërgim e në Shqipëri,  në gjuhën shqipe (Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip, Shoqëria e Stambollit me degët ë saj në  Rumani dhe Egjipt, Shoqëria Drita, shtypi periodik si revista Drita e pastaj Dituria, Shoqëria  gjuhësore-letrare Bashkimi në Shkodër, etj.), por dhe në gjuhë të huaja, tekste shkollore shqip me  alfabete të ndryshme. Ata krijuan gazetat e para dhe themeluan publicistikën shqiptare. Mitit të  madh kombëtar të shqiptarëve i shërbyen zbulimi prej tyre i një sërë simbolesh kombëtare si  flamuri i Skënderbeut me shqiponjën dykrenare (zbuluar nga Faik Konica 124 vjet më parë, portretet, armët dhe përkrenarja e tij, dhe përpjekjet e para për krijimin e një himni kombëtar.  

Në këtë tabllo të ideologjisë kombëtare shqiptare të Rilindjes kanë kontribuar thelbërisht edhe një  sërë dijetarësh europianë të rangut botëror me punimet e tyre për studimin e gjuhës shqipe dhe  prejardhjes ilire të saj, të historisë së formimit të popullit shqiptar, me kërkimet arkelogjike dhe  etnografike që kryen në trojet shqiptare.  

Ideologjia kombëtare në nivelin e çështjeve botore (publike) synonte t’i bënte shqiptarët të  vetëdishëm për identitetin e tyre etnik dhe historik, duke u kujtuar atyre historinë e lavdishme  dhe luftrat e të parëve tanë si një argument i veçantë për nevojën, por edhe mundësinë, e çlirimit  kombëtar, për të jetuar të lirë e për të krijuar shtetin e tyre të pavarur. Në këtë mënyrë, ideologjia  e Rilindjes Kombëtare u dha shqiptarëve një imazh ideal të identitetit etnik, shoqëror e kulturor 

të ‘Vetes’ dhe ia paraqiti atë imazh ‘Të Tjerëve’, botës së huaj, në një kohë kritike për fatet e  popullit dhe kombit. Në veprën e Rilindasve atdheu i lashtë i shqiptarëve paraqitet si një zonjë e  rëndë” (Ti ke pas ken nji zoj e rand ”i këndoi i ngashëryer Pashko Vasa), ndërkohë që Naimi  profetizonte një të ardhme të ndritur: “Lum kush të ronjë/Ta shohë Zonjë”. Duke huazuar  shprehjen e historianit anglo-irlandez Benedkt Anderson (1936-2015), në këtë imazh të mitit  kombëtar shqiptar “e shkuara dhe e ardhmja shqiptare shkriheshin në të tanishmen” rilindase. Ky  mit kombëtar, ishte pjesë thelbësore dhe e pandashme e ideologjisë kombëtare shqiptare, si dhe  ideologjive kombëtare të çdo populli tjetër. Nënkuptimi simbolik i mitit ishte i qartë: Shqipëria  ishte dikur një zonjë e rëndë, andaj ajo do të bëhet prapë e tillë.  

Në një rajon si Ballkani i asaj kohe, që po ndryshonte politikisht me shpejtësi të madhe, historia  etnike dhe kulturore e shqiptarëve u tregoi rilindasve se në në dikotominë Lindje-Perëndim,  imazhi shqiptar përputhej me këtë të fundit. Kjo ide e rilindasve gjeti shprehjen në figurën e  bukur e kuptimplote të Naimit: Pa jakë o dritë e diturisë / Që lind andej nga perëndon! ” Ky  imazh rilindas i shqiptarëve u përvetësua jo vetëm nga intelektualët shqiptarë dhe elita e tyre  feudale, por u bë pjesë e përfytyrimit popullor shqiptar për të ardhmen e Shqipërisë dhe thirrje  për të punuar në të gjitha mënyrat, duke përfshirë luftën e armatosur, për ta fituar atë të ardhme.  Ideologjia kombëtare nuk ishte mësim që iu dha popullit shqiptar së jashtëmi, por ajo lindi së  brëndëshmi, në kushtet e Zeitgeist-it, ose frymës së kohës, dhe kushteve të favorshme të jashtme  që krijoi shëmbëlli dhe lufta e popujve të tjerë europianë për të krijuar shtetet e tyre kombëtare.  

Miti i Skënderbeut ishte përjetësuar në historinë që kishte shkruar për heroin Barleti dhe disa  historianë në vende të tjera të Europës, por në poemën Istoria e Skënderbeut të Naimit, heroi  merr tiparet mesianike të shpëtimtarit të kombit e të popullit shqiptar. Duke lexuar Naimin,  njeriu nuk mirret me verifikimin e së vërtetës historike a me vlerësimin e realitetit historik të  poemës, por përveton me emocion kuptimin simbolik të veprës heroike të Skënderbeut, që  bashkoi për herë të parë të gjithë shqiptarët në luftën për liri, kundër pushtimit osman. Është ky  kuptim simbolik që u jep vlerën e madhe bashkuese dhe “shënjtëron” mitin kombëtar për  Skënderbeun.  

Nga fundi i shekullit XIX, këtë ideologji kombëtare, Sami Frashëri, e formuloi si një program  politik për formimin e shtetit shqiptar, në veprën Shqipëria ç’ka qënë, ç‘është, e ç’do të bënetë.  Kështu ideologjia kombëtare shqiptare u formua rreth dy boshteve themelore: rreth idesë së  prejardhjes së lashtë iliro-pellazge të popullit shqiptar (tw formuluar dhe argumentuar në  vëllimin monumental “Studime Shqiptare” Albanesische Studien. F. Mauke, Jena, 1853 të J.G.  von Hahn-it), dhe luftës së tij të pashëmbullt nën udhëheqjen e Skënderbeut. Rreth këtyre dy  boshteve u krijuan veprat artistike e kulturore që madhështonin ato dy momente të shquara të  historisë së shqiptarëve. Shumë shpejt, në frymën e luftës për liri, ato mite u shënjtëruan dhe  emocionet që ngjallnin u romanticizuan dhe u pasqyruan në shkallë të ndryshme dhe në  historishkruarje.  

Rrënjët historike të ideologjisë sonë kombëtare 

Rilindasit shqiptarë nuk e krijuan ideologjinë kombëtare shqiptare nga e para. Merita e tyre  historike ishte se ata kultivuan dhe ngritën në nivelin e një ideologjie kombëtare farën e lashtë të  identitetit, atdhetarisë e të vetëdijes etnike arbërore, dëshirën e arbër-shqiptarëve për liri, të 

shprehur në kryengritjet dhe kundërshtitë e paprera shekullore kundër sundimeve të huaja  romake, bizantine, bullgare, sërbe dhe osmane.  

Është e njohur se lufta për Shqipëri e kryengritësve shqiptarë të mesit të shekullit XIX i parapriu  me dekada zhvillimit të Rilindjes dhe formulimit të ideologjisë kombëtare shqiptare, siç  dëshmohet nga folklori i kohës:  

“Pse lufton a derëzi ? 

As për mua as për ti, 

Po për gjithë Shqipëri. ” 

Edhe pse nuk ishte kërkesë për krijimin e një shteti të pavarur shqiptar, sidoqoftë kjo tregonte se  tharmi i shpirtëror i luftës “për Shqipëri” ishte aty, në mëndjet dhe zemrat e kryengritësve, duke  treguar se ata jo vetëm ishin gati, por aktualisht luftonin “për gjithë Shqipëri”. Shekuj para rilindasve, Skënderbeu gjithashtu theksonte se nuk ishte ai që po u sillte lirinë, por  atë e gjeti në zemrat e bashkëatdhetarëve të tij. Të vihet re se lufta e Skënderbeut ishte luftë  tërësisht kombëtare, dhe jo fetare, siç është karakterizuar gabimisht në ndonjë rast. Këtë karakter  të pastër kombëtar e dëshmon pa dykuptimësi fakti që nën komandën e tij u vunë vetëm forca  shqiptarësh etnikë. Ai luftoi kundër osmanllinjve si pushtues të atdheut të tij, siç luftoi edhe  kundër venedikasve të krishterë, që mbanin të pushtuara troje gjatë bregdetit shqiptar.  Vetë fakti që shqiptarët, si të vetmit pasardhës të ilirëve që i shpëtuan romanizimit, e më vonë  sllavizimit, mbijetuan edhe pas 20 shekuj sundimesh etno-asimiluese, dëshmon midis të tjerash,  në mos para së gjithash, se ky popull ka ruajtur një mit të madh etno-historik, pa të cilin nuk  mund të kuptohet mbijetesa e tij.  

Ky mit historik nuk është një deduksion teorik; prania e tij ndër shqiptarët dokumentohet të  paktën prej 6 shekujsh, që nga shekulli XV në Historinë e jetës dhe veprave të Skënderbeut të  Marin Barletit, sidomos në fjalimet që Skënderbeu u mbante ushtarëve të tij, në të cilat u bënte  jehonë lavdisë dhe trimërisë të të parëve arbërorë, prejardhjes së lashtë epirote/arbërore të  popullit të tij, duke u bërë thirrje për lirinë dhe mbrojtjen e atdheut.  

Që Skëndërbeu, e me të mbase edhe elitat feudale të Shqipërisë, ishte i informuar mirë për  prejardhjen e lashtë epirote të shqiptarëve dhe të luftrave të Piros së Epirit në Itali, kjo del qartë  nga letra që ai i dërgonte princit të Tarantos, në të cilën i kujtonte: “Në se kronikat tona nuk na  gënjejnë, ne quhemi epirotë dhe duhet të keni dijeni se, në kohë të tjera, paraardhësit tanë, kaluan  në vëndin që ju mbani sot dhe patën luftime të mëdha me romakët dhe ne e dimë se, më të  shumtën e herës, u ndanë me nder se sa me turp.” (“Se le nostre cronache non mentono, noi ci  chiamiamo Epiroti……”). Akoma më thellë në kohë, themelimi i shtetit të Arbrit, është një provë  e ekzistencës, qysh në Mesjetën e Mesme, jo vetëm të një vetëdije të përbashkët etnike arbërore,  por edhe të një synimi për krijimin e një shteti etnikisht arbëror.  

Fjalët e Skënderbeut për prejardhjen e lashtë të shqiptarëve në trojet e tyre të sotme dëshmojnë  se, të paktën që nga shekulli XV, shqiptarët kishin një mit historik të prejardhjes e të “themelimit  kombëtar”. Dhe ruajtja e atij miti historik kombëtar që nga Lashtësia iliro-epirote deri në  Mesjetën e Vonë, flet qartë për një vazhdimësi të pandërprerë të vetëdijes etnike iliro-arbërore.  Edhe sikur ky mendim i Skënderbeut të ishte një mit historik, ai duhet studiuar po të mbahet  parasysh se për historishkruarjen e sotme, një popull dhe historia e tij nuk mund të njihen pa  njohur edhe në ç’farë ai ka besuar.  

Duke u kthyer te çështja e idealizimit të figurës së Skënderbeut në veprën e Barletit, duhet  mbajtur mënd mirë se ai ishte një tipar gjithësor i historishkruarjes europiane të kohës, që  vazhdoi deri në gjysmën e parë të shekullit XIX, me themelimin e historishkruarjes shkencore  nga Leopold von Ranke. Duke lexuar historinë e Barletit ne nuk mësojmë vetëm të vërtetat 

historike që ajo përmban. Në glorifikimin të bëmave të Skënderbeut që ishte karakteristik për  kohën zbulohet një simbolikë dhe vlera të larta morale, që janë aq të rëndësishme për edukimin e  dashurisë për atdheun e për lirinë kmbëtare. 

Filed Under: Analiza

Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës vizitoi Vatrën

February 1, 2025 by s p

Sokol Paja/

New York, 1 Shkurt 2025 – Bilall Kasami kryetar i komunës së Tetovës dhe kryetar i Lëvizjes “Besa” në Maqedoninë e Veriut vizitoi Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ai u prit nga sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj, anëtari i kryesisë z.Ilir Cubi, editori i Diellit dhe veprimtarë e patriotë shqiptarë në mërgatën e Amerikës: Bashkim Shehu, Shaban Lajçi, Halil Ahmeti dhe Shpend Gjocaj. Në fjalën e mirëseardhjes sekretari Dr. Camaj vlerësoi punën dhe arritjet e kryetarit Kasami në komunën e Tetovës, theksoi rolin në rritje të faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe përpjekjet për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, rolin e shqiptarëve në Ballkan dhe punën kolosale që bën Federata Vatra për shqiptarët e Amerikës dhe të drejtat e shqiptarëve në trojet etnike. z.Bilall Kasami kryetar i komunës së Tetovës dhe kryetar i Lëvizjes “Besa”, përgëzoi punën patriotike të Vatrës të njëjtë me patriotët e shqiptarisë që themeluan Vatrën, drejtuan e vepruan bashkë me komunitetin shqiptar në Amerikë. “Po punojmë për mirëqenien e shqiptarëve në Maqedoni. Kemi bashkëpunim dhe komunikim politik të ngushtë me të gjithë shqiptarët në Ballkan. Shqiptarët në Maqedoni janë faktor në rritje dhe janë popullsia e dytë shumicë, nuk janë pakicë” u shpreh ndër të tjera z.Kasami. Gjatë diskutimit z.Bilall Kasami solli në vëmendje pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, çështjen e gjuhës shqipe dhe ligjin për gjuhët në Maqedoninë e Veriut, aspekte të kontestimeve në Gjykatën Kushtetuese, aspekte të bashkëpunimit mes pushtetit qeveritar dhe pushtetit lokal, çështjen “Grubi”, raportin e shqiptarëve të Maqedonisë me qeverinë e Shqipërisë dhe Kosovës, aspekte të opozitës në Maqedoni e Kosovë, çështje të mbrojtjes dhe sigurisë në Maqedoni dhe mungesa e përfshirjes së shqiptarëve në strukturat shtetërore, procesin e decentralizimit të munguar që nga marrëveshja e Ohrit etj. Z.Bilall Kasami në fund të fjalës së tij falënderoi Vatrën për rolin e saj historik për shqiptarët e Amerikës dhe çështjen kombëtare.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT