• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2025

VATRA PËRKUJTOI IMZOT FAN NOLIN NË 60 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM

March 30, 2025 by s p

Sokol Paja/

Queens, New York, 29 Mars 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra, dega Queens organizoi simpozium shkencor me rastin e 60 vjetorit të kalimit në amshim të shqiptarit të shquar, themeluesit të Diellit, Vatrës, Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, eruditit, prijësit fetar e politik, poliglotit e diplomatit Imzot Fan Noli. Nën prezantimin mjeshtëror të politologut Akri Çipa dhe me pjesëmarrjen e drejtuesve kryesorë të Vatrës, studiuesve nga të gjitha trevat shqiptare, veprimtarëve, aktivistëve, gazetarëve, atdhetarëve e drejtuesve të shoqatave e organizatave patriotike shqiptare në New York e më gjërë, simpoziuni në nder të Fan Nolit nxori në pah risi, fakte, interpretime dhe ngjarje të kaluara e të harruara nga jeta dhe veprimtaria e Fan Nolit, ta panjohura për publikun e gjerë mbi të gjitha mbi kontributin e Peshkopit të shquar shqiptar, Imzot Nolit.

Kryetari i Vatrës në Queens Dr.Skender Murtezani në fjalën e mirëseardhjes theksoi se Fan Nolin e jashtëzakonshëm të kombit tonë duhet ta përkujtojnë të gjitha gjeneratat shqiptare dhe më kryesorja të ndjekin shembullin dhe testamentin e trashëguar prej tij. Kryetari i Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha në fjalën përshëndetëse shprehu mirënjohje ndaj Dr. Myrtezanit dhe degës Queens për veprimtarinë atdhetare dhe komunitare, përkujdesjen e veçantë ndaj figurës së shquar të kombit tonë Fan Nolit, vlerësime për punën aktive për kombin dhe shqiptarët në trojet etnike. “Mirënjohje degës në Queens për këtë aktivitet në nivel të lartë shkencor dhe me interes të veçantë kombëtar. Mirënjohje shqiptarëve të Amerikës që për 113 vite kontribuan në angazhimin dhe veprimtarinë kombëtare në shërbim të çështjes kombëtare” tha ndër të tjera Dr. Berisha.

Akademik Rexhep Qosja me anë të një mesazhi zanor theksoi se përkujtimi i Nolit është kontribut për çështjen kombëtare. Fan Noli është i përjetshëm për kombin dhe atdheun tonë të përbashkët, tha ndër të tjera Akademik Qosja. Prof. Dr. Agim Vinca në kumtesën e tij “Letërkëmbimet e Nolit” dërguar me videoregjistrim përfshiu qindra letra, kartolina e telegrame të dërguara dhe të marra prej Fan Nolit në Europë, Azi e Amerikë me një shtrirje afro pesë dekada ku përfshihen personalitete kombëtare: Ismail Qemali, Faik Konica, Lef Nosi, Mehmet Konica, Qerim Panariti, Mustafa Kruja, Tajar Zavalani etj bashkatdhetarë, personalitete ndërkombëtare si: Norbert Jokli, Edit Durham, Woodrow Wilson, George Bernard Show, Thomas Man etj, politikanë e diplomatë botërorë me të cilët Imzot Noli bashkëpunoi e bashkëveproi përgjatë jetës së tij si prijës fetarë e shpirtëror, si diplomat, si atdhetar, njeri i ditur, krijues e gjenial. Letërkëmbimet e Nolit janë përmendore e kujtesës morale, shpirtërore e kombëtare tha ndër të tjera Prof. Vinca.

Studiuesi Kastriot Gjika në kumtesën e tij “Letërsia e Fan Nolit; poezia e tij” dërguar me videoregjistrim analizoi në themel poezinë e Fan Nolit dhe u shpreh se Noli është i padiskutueshëm në panteonin e letërsisë shqipe. Noli e ka shprehur me mjete poetike përvojën e tij politike, tha ndër të tjera Prof. Gjika. Prof. Dr. Begzad Baliu në kumtesën “Studimi i veprës së Fan Nolit në Kosovë” u shpreh se Noli zë një vend të veçantë në letërsinë shqipe dhe në studimet Noliane si përkthyes, dealist, studiues, veprimtar e atdhetar, kritik e publicistik. Analizat politike, polemikat dhe shkrimet e shenjta zënë një vend të veçantë në krijimtarinë e Nolit, u shpreh ndër të tjera Prof. Baliu. Prof. Dr. Ibish Kadriu në kumtesën “Fan Noli si themelues i shtigjeve të reja të mendimit filozofik” u fokusua duke u bazuar te studimi i Makiavelit prej Fan Nolit në një nivel të lartë filozofik dhe eseistik. Prof. Ferit Rustemi në kumtesën e tij “Efekti i krijimtarisë së Nolit në standardizimin e gjuhës” nxori në pah kontributin e Fan Nolit në zhvillimin dhe pasurimin e letrave dhe gjuhës shqipe.

Dr. Paulin Marku në kumtesën “Fan Noli, përfaqësuesi i mërgatës së Amerikës në Parlamentin e Shqipërisë” u shpreh se diaspora shqiptare e Amerikës ka mbajtur lidhje të vazhdueshme me vendlindjen si dhe ka dhënë kontribut në aspektin, ekonomik, politik e kulturor për mbrojtjen e territorit dhe për zhvillimin e vendit. Fan Noli ishte përfaqësues i diasporës, dalë nga kuvendi i “Vatrës”, i mbledhur më, 11 korrik 1920. Përfaqësuesi i diasporës u mbeshtet jo vetëm për të qenë deputet në parlamentin shqiptar por edhe në të holla dhe në aktivitete politike. Zgjedhjet e para parlamentare, të mbajtura në shkurt-mars, të vitit 1921 të cilat përfunduan më 5 prill 1921, patën përfaqësues nga diaspora, Fan Nolin. Në qasjen politike ra në sy si drejtues i grupit politik, “Partia Popullore” kryesuar nga Noli. Ai mbajti postin e deputetit të diasporës, u rizgjodh deputet i qarkut Korçë në dhjetor të vitit 1923. Ai ishte deputet opozitar ku mblodhi rreth tij shumë intelektual të kohës, po ashtu ishte edhe disa herë ministër i Punëve të Jashtme. Kulmi i suksesit tij, drejtues i qeverisë, kryeministër i Shqipërisë, nga qershori 1924 deri në dhjetor 1924. Pas rikthimit të Ahmet Zogut, largimi i Fan Nolit nga politika aktive në Shqipëri ishte e domosdoshme dhe i drejtua ekzilit.

Dr. Ardiana Mici: “Fan Noli në Shqipëri dhe drejtimi i qeverisë gjatë vitit 1924” u shpreh se si program politik i Nolit është vlerësuar nga studiues dhe diplomatë të kohës si një program ambicioz që e çonte Shqipërinë drejt modernizimit dhe zhvillimit shoqëror. Qeveria Noli mori urimet e para nga disa vende, përfshi edhe Francën e cila e njihte si ndërrim qeverie, ndërkohë që Britania ishte skeptike në lidhje me mënyrën e ardhjes në pushtet të Nolit. Gjermania e njohu zyrtarisht e u përfshi në marrëveshje, ndërsa fuqitë kryesore të kohës, (përfshi edhe USA), qëndruan në pritje të zhvillimeve në Shqipëri duke mos lidhur marrëveshje zyrtare me Nolin. Si kryeministër, Noli njohu projektet dhe marrëveshjet e lidhura nga qeveria shqiptare e mëparshme me shtetet e tjera, duke dëshmuar pjekuri në drejtimin e shtetit. Ai u ofroi fqinjëve qartazi politikën e fqinjësisë së mirë, por refuzoi marrëveshje që preknin sovranitetin e Shqipërisë, tha ndër të tjera Dr. Ardiana Mici.

Sokol Paja, kryeredaktor i gazetës “Dielli” në kumtesën e tij “Lamtumira e Nolit në mediat shqiptaro-amerikane” u fokusua te gazeta “Dielli” dhe “Shqiptari i Lirë” në kronikën e largimit në përjetësi të Imzot Fan Nolit. Te “Shqiptari i Lirë” dhe veçanërisht te “Dielli” Imzot Noli paraqitet si ati i shqiptarëve, kryezot dhe fortesë e shqiptarizmës. “Sa të rrojë raca shqiptare, aq do të rrosh dhe Ti në zemrat e popullit shqiptar. Vatra do të qajë me lot, por edhe do të mburret në çdo kohë, që pati fatin të ketë si Atë, si themelonjës, si prijës, TY – Atin Shqiptarëve” thuhet në elegjinë e gazetës “Dielli”.

Prof. As. Dr. Gëzim Mustafaj në kumtesën “Noli dhe lëvizja e qershorit 1924” analizoi në detaje historike Revolucionin e Qershorit dhe përpjekjen e Nolit për qeveri dhe institucione demokratike në Shqipëri. Prof. Mustafaj analizoi edhe shkaqet e dështimit të Fan Nolit në politikë si një model i parakohshëm liberal amerikan në një Shqipëri të prapambetur. Dr. Skënder Murtezani, kryetar i degës Vatra Queens në përmbyllje të aktivitetit patriotik e shkencor mbajti kumtesën “Roli i Fan Nolit në periudhën e kryengritjes së shqiptarëve në Kosovë”. Ai u ndal te historia e Vatrës në Queens, aktivitetet dhe takimet kushtuar Fan Nolit e Mid’hat Frashërit e komunitetit shqiptar. Në fjalën e tij Dr. Murtezani kërkoi riatdhesimin e eshtrave të Fan Nolit në Shqipëri dhe ekspozoi kontributin kombëtar të Imzot Nolit dhe përkushtimin e tij për Kosovën.

Ky aktivitet patriotik e kulturor kushtuar shqiptarit të shquar polihedrik Fan Noli është nderim dhe respekt për veprën, jetën, kontributin, trashëgiminë dhe testamentin kombëtar që Fan Noli la për kombin shqiptar.

Filed Under: Featured

FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN

March 30, 2025 by s p

Të dashur bashkombas të besimit Islam

Më lejoni që në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, të gazetës Dielli, të familjes sime dhe në emrin tim personal t’ju uroj përzemërsisht: Gëzuar Fitër Bajramin. Paqe, begati, dashuri dhe prosperitet uroj për çdo besimtar e çdo shqiptar.

Zoti ju shpërbleftë, ju bekoftë dhe ju gëzoftë familjarisht. Kjo festë e përshpirtshme çmon veprat e mira dhe sakrificën që çdo besimtar i dedikon Zotit të gjithësisë në shenjë respekti, mirënjohje e falenderimi për kalimin me lutje e sakrificë të muajit të shenjtë të Ramazanit. Uroj nga zemra që këtë festë të bekuar ta kaloni gëzuar dhe me lumturi e harmoni me familjen dhe njerëzit tuaj të zemrës.

Kjo festë hyjnore na fton për lutje, vepra të mira, reflektim, bamirësi, përkujdesje ndaj të varfërve, të moshuarve, të braktisurve, të sëmurëve, jetimëve e çdo njeriu në nevojë. Kjo festë e madhe le të na afrojë më shumë me njëri-tjetrin, të na zgjojë dëshirën për të sakrifikuar, për të falur, për të dashur dhe për të dhënë më të mirën nga vetja jonë si besimtarë të devotshëm e shqiptarë të mirë.

Gëzuar nga zemra.

Me respekt e gëzim

Kryetari i VATRËS

Dr. Elmi Berisha

Filed Under: Politike

PATRIOTI AGIM LUMANI, NË AMERIKË ME MENDJEN NË VENDLINDJE…

March 29, 2025 by s p

Resmi Çorbaxhi/

Në Detroit suksesi në biznes e ka bërë të njohur si Ekrem Bardha i dytë. Ka mbi tridhjet vjet në Amerikë, ku ka arritur të bëhet i suksesshëm ne biznes megjithëse hera herës shfaqet në qytetin e lindjes, Maliq, si për të thënë: “Jam atje, por mendjen e kam këtu.” Shfaqet here për bamirësi dhe here me plane konkrete, pa marrë parasysh rriskun e tranzicionit të zgjatur në Shqipëri.

Atë e njohin të gjithë. Banorët e hershëm ndajnë kujti met që kanë kaluar me te, banorët e rinj, megjithëse nuk e kanë parë dhe takuar ndonjeherë, flasin gjithmonë për kontributin, mirënjohjen dhe perpjekjet e tij të vazhdueshme në qytetin e Maliqit.,Dy vjet më parë isha kthyer mes bashkqytetarëve të mij.. Qyteti kishte ndryshuar, por mua mu duk i tjetërsuar kur nuk gjeta njerëzit qe kisha lenë, madje fytyra të reja dhe të panjohura,të gjithë banorë të ardhur kohët e fundit.. Të rinjtë ishin te pakët, pjesa më e madhe larguar në kërkim të një jete më të mirë. .

-Nuk ka mbetur njeri, të gjithë duan të ikin. Ata që kthehen janë si gishtat e dorës. Nuk ka punë, qytet i vogel. Tani po hapet një fabrikë e re. E hap një djalë ikur në aAmerikë.

– E njihni ju?

– Jo, kur kam ardhur unë ai kishte ikur, por për të flitet shumë në qytet. Ka bërë gjëra të mira, bamirësi i themi ne, dhe tani së fundi po hap edhe fabrikë. E quajnë Agim Lumani.

– Si thoni ju duhet t’a keni bërë Qytetar Nderi.

Ai mblodhi supet dhe vazhdoi: – Nuk e di, edhe sikur të mos ia kenë dhënë ai e ka fituar atë. Mund të ketë të tjerë nga ata që kanë marrë këte titull dhe si njeh askush,ndërsa atë e njohin te gjithë. A nuk është titull ky?

U ndjeva mirë kur degjova te flitej me respekt per Agimin, për më tepër nga një banor i porsardhur që nuk kishte pasur asnjë mudesi njohje me atë. Është larguar herët në kërkim të një jete më të mire duke marrë parasysh kalimin e paligjshëm të kufirit që mund ti kushtonte edhe jetën. Kanë qenë ditët e fundit të dhjetorit 1990, ndërkohë që flitej për të vrarë në kufirin e malit të Gramozit. Një javë ankthi për prindërit, vëllane, gruan, të afërmit. Në një nga këto mbrëmje, në centralin e ish Kombinatit të Sheqerit një telefonatë nga Athina njoftonte se Agim Lumani ndodhej në kryeqytetin helen. Iu desh çentralistes Skënderie Dokolli të shkonte në shtëpinë e tij për të qetësuar zemrat e ngrira të prindërve që prisnin e prisnin. Ikja e Agimit ishte një revoltë kundër regjimit që numuronte ditët e fundit. Një revoltë me rrisk për vëllanë officer, të ardhmen e bashkëshortes agronome dhe fëmijve. Por ai ishte i vendosur. Në shtetin helen i ofruan gjithe dokumentat e nevojëshme dhe lejën e qëndrimit të cilat Agimi i refuzoi. Nuk pranoi as ndryshimin e emrit, fesë, e para autoriteteve vendase kërkoi të largohej për në Amerikë. E dinte që nuk ishte e lehte kur mbrriti në token e premtuar. Iu desh për muaj me radhë të punonte 16 deri në20 orë cdo ditë.I është dashur të bëjë gjumin aty afër tornos për të fituar kohën e punës. Asnjë here nuk u ankua. Derën e zyrës të pronarit ku punonte e pa vetëm dy here; ditën kur filloi pune dhe ditën kur u largua.

Pronarit i kërkoi ta mirëkuptonte se po largohej. Ai rrudhi vetullat, nuk ia ndau syte per disa caste.Donte të dinte ku kishte gabuar me të.

– Ku do të shkosh? Më thuaj sa të kanë premtuar se do të jap dyfishin.

Agimi buzëqeshi. – Nuk shkoj asgjëkundi, do të punoj për vehte.

Folën gjatë. Para se të ndaheshin i uroi fat duke shtuar se derën e kishte të hapur gjithmonë, i bindur se suksesi do ta ndiqte nga pas.

Ky ishte vetem fillimi, një fillim tepër i veshtire. Duhej të ndiqte i vetëm, sigurimin e lëndës së pare, prodhimin, tregun e shitjes cmimin.. dhe gjithcka që lidhej me kontraktorët. Një lodhje raskapitëse deri në kufi të pabesueshmes. Koha e lirë për të nuk ekzistonte, aq sa bisedat me femijët, nënën, gruan të lënë në Shqipëri, ishin të shkurtëra dhe jo të shpeshta. Se sa e cmuar ishte koha për të e mësova vite më pare kur u ndodha ne Dertoit.

E telefonova dhe shpreha dëshirën për të parë fabrikën e tij, megjithëse ishte ditë pushimi.

– Mirse të vish, po te pres.

Për fat të keq nuk e takova. Planet tona i prishi një delegacion tregëtar i porsaardhur nga Japonia. Në fabrike me porosi të tij,na priti Gjergji Filipi, një emigrant nga qyteti i Maliqit .

– E kam porosi të të shoqëroj der isa të kthehet. Gjergji flet pak pasi për më shumë priste Jimmy (keshtu e thërrasin për shkak të vështirësisë që hasin në shqiptimin e emrit Agim). Gjithcka këtu prodhohej me makineri te teknologjise bashkëkohore. Pritëm disa orej të kthehej. Gjergji më tha qe nuk ishte hera e pare qe ndodhte keshtu. Kohet e fundit shume tregetare te prodhimit te makinave ishin interesuar per prodhimet e fabrikes “Form G-tech- co” e cila ishte rritur më shpejt se cfare mendohej.

–Duhet t’a kuptoni. Ështe shumë i zënë. E shikon atë kolltukun aty? Është krevati dhe shtëpia e dytë për të. Ndodh qê edhe dy tre ditë ti kaloje aty, pa lëvizur nga fabrika.. Megjithëse i zënë dhe i mbytur në punë deri ne fyt, do gjente kohë të interesohej per njerëzit e qytetit te lindjes, Maliqit. Rikthimin e parë e bëri pas gati pesë vjetësh. Qëndroi para gjimnazit ku kishte studiuar. Këmbet e cuan instiktivisht brenda godinës dhe i kerkoi drejtorit të shkollës të vizitonte klasën ku kishte qëndruar për katër vjet. Mall dhe nostalgji. Kërkoi një “nder”. Ajo klasë të ishte kabinet informatike. Mori përsipër gjithcka që nga tavolinat paisjet kompiuterike, instalimin e tyre, e deri ne informacionin bashkëkohor, pa llogaritur koston e tyre. Kanë qenë vitet kur ende informatika nuk njihej, e të pasurit kompiuter ishte luks jo per shkollat por edhe për shumë institucione shtetërore. Sot ajo klasë është kthyer në një qendër të rëndësishme informimi dhe studimi për nxënësit e shkollës së mesme Maliq. Ky ishte vetem fillimi i donacioneve të kompanisë “Form G – Tech co” që do të vazhdonte edhe ne fusha të tjera deri në sponsorizimin e klubit të futbollit “Maliqi”. Bashkëqytetarët e tij, emigrantë dhe shqiptarë të tjerë që emigronin në Amerikë do të gjenin strehëzen e tyre në kompaninë e Agim Lumanit. Ai u gjendej pranë jo vetëm në punë por edhe në zgjidhjen e problemeve të tjera. Numuri i shqiptarëve të punësuar aty rritej cdo dite. Në vitet sa kishte filluar punë, Agimi më pyeti nëse mund ti gjeja nje foto nga oficina e vjetër në qytetin e Maliqit.

– Përse të duhet?

– Dua ta zmadhoj, ta vendos në ballë të fabrikës. Aty punojnë shumë emigrantë nga Maliqi, ndoshta do të vijnë e të tjerë, por kjo foto do të jetë pjesë e kujtimeve të tyre, do ti shtyjë drejt mallit për qytetin nga vijnë. U ndje keq kur I thashë se nuk ekzistonte asnje kopje ne arkivin e Pallatit të Kulturës.

Shkëlqim Kocllari, mësues në gjimnazin e Maliqit sapo mbrriti në Detroit, vizitorë të parë ka pasur Agim Lumanin dhe Gjergjin.

“ Profesor, nëse dëshiron të punosh je i mirëpritur në kompani, por edhe nëse ke gjetur punê tjetër, derën e ke të hapur gjithmonë. Ka shumë bashkëqytetarë, do të ndihesh si në Maliq. Tani më thuaj si mund të të ndihmoj.. “

SHkëlqimi nuk punoi asnjë ditë atje por i eshte shumë mirënjohës Agimit dhe kompanisë së tij. Të njejtin mendim kanë emigrantët e tjerë në Detroit pamvarësisht se nuk punojnë për Form G-Tech co. . Por cfarë prodhon kjo kompani duke qëndruar në më të mirat e industrisë të rëndë dhe të automjeteve në Detroit? Është e specializuar në prodhimin e formave të karbitit dhe celikut, të fijeve dhe formave për aplikim në të ftohtë dhe të nnxehtë, që shërbejne në industrinë e automjeteve, avioneve,minierave, municioneve komercialë e të tjera. Perdor teknologjinë bashkëkohore dhe paisje moderne dukë dhënë prodhime me cilësi te lartë dhe cmime konkuruese në tregun ndërkombëtar.

Sot aktualisht kompania “Form “G–Tech co” ka mbi 300 puntorë dhe mbi 70 përqind të tyre janë shqiptare, kryesisht nga zona e Korcës dhe Kolonjës. Ajo është bërë nga më të njohurat në Detroit dhe prodhimet e saj i gjen në tregun vendas , në Japoni, Singapor, vende të tjera aziatike dhe në disa shtete të Europës. Është kjo arsyeja që shpesh herë fabrikat e kompanisë frekuentohen nga biznesmenë vendas dhe të huaj, këshilltarë tregëtarë, ambasadorë.

Ato kane rëndësinë e tyre në progresin e kompanisë, por për Agimin, e vecante ka qene vizita qe i beri nena ne kompani. Duke parë shkëlqimin e syve të saj të përlotur, iu kujtua dhe një porosi e saj para se te largohej. “ Po ike mos harro të kthesh kokën prapa. Mos harro se ka njerëzit e tu ky vend.” Beri nje premtim te heshtur “Thesar te cmuar këto fjale. Do të bëj gjithcka që mundem këtu dhe atje për vendin që kam lënë.” Ndjeu dhimbje kur mësoi se Pallati I Kulturës nje godinë me vlera të vecanta arkitekturore në të gjithë vendin ishte djegur aksidentalisht. U interesua se cfarë mund të bënte. Mori përsipër gjithë investimin për sallën e shfaqjeve, duke filluar nga skena, ndricimin e saj, kompletimin me afro pesëqind karrige dhe gjithçka tjetër që duhej. Ky ështe Agimi, dashamires i zhvillimit te artit dhe kulturës ne qytet. Qazim Muska eshte nje krijues I njohur tani, per vellimet poetike dhe dy romanet e vleresuara edhe nga Kritika. Duke biseduar me Qazimin mesojme se kane qene shoke shkolle ne gjimnaz.

– Ishte befasuese per mua. – tregon ai, – Duke menduar sa i zënë eshte ne nje biznes te tille askujt nuk I shkon mendja se gjen kohe te lexoje edhe libra. Por ja qe ndodh. Atehere nuk e kisha botuar romanin “ Kristos”. Ua kisha dhene disa miqve te mij ne rrjetet sociale per te shprehur mendimet e tyre. Dikush ia kishte dhene dhe u habita kur me telefonoi dhe me uroi per librin. Insistoi ta botoja sa me pare duke ofruar ndihmen e tij si sponsori I romanit pa ia kerkuar dick ate tille.. Agimi eshte njeriu, qe te troket ne dere kur ti nuk e pret dhe ke nevoje – shtoi me te qeshur Qazimi. Per veprat bamirëse te bera dhe kontributin e dhene ne ndihmesen e emigranteve ishte i ftuar ne nje takim me Papa Franceskun, takim me mbresa të thella dhe frymëzues për biznesmenin Agim Lumani. Mendimi se duhej të bënte më tepër për vendlindjen nuk i ndahej asnje moment nga mendja pas atij takimi. Vendosi të ndërtonte një fabrike si degë e kompanisë në qytetin e lindjes, jo vetem për të shtuar të ardhurat por për të forcuar më tej lidhjet me vendlindjen. I sugjeruan shumë qytete të tjera por ai zgjodhi vendlindjen, Maliqin. Menaxhimin e punimeve ia besoi Rajmond Hyzollarit, bashkëqytetar e shok fëminije i cili kishte ndërtuar një jetë të re pas emigrimit ne Greqi.

“Nuk e kisha menduar qe pas tridhjet vitesh te lija Greqine e te kthehesha ne Shqiperi. Ndihem shumë më mire se atje. Kjo fale insistimit te Agim Lumanit, dhe jam shume I kenaqur. Nuk ka më mire se të jesh ne vendin tend. Jo vetem une por edhe gjithe ata qe punojne per kompanine e tij. Paga eshte e kenaqeshme. Te tjerat varen nga ne. Te gjithe pyesin sa paguheni. Dua tu përgjigjem me fjalët që tha Agimi në takimin e pare:

– Une nuk prodhoj e jap para ju duhet te mi merrni ato. Fabrika e kompanisë “Form G-Tech Co” në Maliq ka filluar punën dhe hapat e para janë të mbara duke premtuar nje vazhdim te metejshem. Ështe ngritur në një nga ambientet e lëna në mëshirë të fatit në ish Kombinatin e Sheqerit. Ai vlerëson ndihmën e Bashkisë e vecanërisht kryetarit Gëzim Topciu, i cili para pak kohësh u ndodh ne Detroit, midis bashkëqytareve që banojne aty dhe punojnë në “Form G Tech-co”

Ai qëndroi mes tyre për një kohë të shkurtër por duke vizituar një nga fabrikat e kompanisë dhe pas nje bashkëbisedimi me puntorët dhe drejtuesit e fabrikës u shpreh: – E dija që Agimi ishte bërë një biznesmen me emër këtu në Detroit, por tani që e pashë nga afër dua ti them shumë herë faleminderit për gjithcka; këmbënguljen e tij, trajtimin e puntorëve, përpjekjet që bën për të qenë sa më pranë qytetit te lindjes. Është maliqar këtu dhe atje. Të gjitha i bën pa ia imponuar askush. Dua ti them edhe një herë tjetër, faleminderit.

Agimi me punen e tij por edhe nje biznesmen tjeter nga bashkia e Maliqit, Adriatik Selfollari ishin shtysa të vizitës së tij, për një binjakëzim midis bashkise Maliq dhe Ston Park ne Ilinois te Shteteve të Bashkuara të Amerikës… Kjo është vetëm një pjese e veprimtarise së biznesmenit Agim Lumani që ka ngritur nga themelet realizimin e ëndërrës amerikane pa harruar nga vjen. Me një energji admiruese gjen kohë për punën, familjen pa harruar asnjë cast jetën në anën tjetër të oqeanit. Mban ende kontakte me gjithë shokët e shoqet e shkollës. Para pak kohësh kur mbrriti një ftesë për takimin e maturës pas 45 vitesh, ai u kerkoi nje nder. Të shtyhej pak në kohë pasi dëshironte të ishte i pranishem midis tyre. Veprimtaria dhe kontributi I tij kane mundesuar që ai të ketë pasaportën e njohjes ne Bashkinë e Maliqit. Megjithesepjesa më e madhe e banorêve nuk e kanë parë e takuar ndonjëherë. Eshte virtut i njerëzve me zemër të madhe qe megjithëse larg atdheut, punojnë pa e hequr vëmendjen prej tij. Përseri më erdhën ndër mend fjalët e kryetarit të Bashkisë Maliq Gëzim Topciu në një intervistë të dhënë në medjan shqipfolese ne Amerike ;- Ftoj edhe biznesmenet e tjerë në emigracion të ndjekin rrugën e tij.

Sa mirë sikur gjithë qytetet të kishin njerëz si Agim Lumani, me biznes në Amerikë dhe mendjen ne vendlindje.

Filed Under: Mergata

“Vatra” Long Island – New York shtroi Iftar për muajin e Ramazanit

March 29, 2025 by s p

“Vatra” Long Island, shtroi një darkë iftari me rastin e muajit të Ramazanit. I ftuar nderi ishte Imami, Edin Gjonaj. Në fjalën e mirëseardhjes, kryetari i Vatrës Long Island, Dr. Paulin Marku ju uroj mirëseardhjen të pranishmëve. Ai shprehu falënderime për të ftuarin special të darkës së “Vatrës”, mikun tim por edhe të degës tonë, Imam, Edin Gjonaj. Në fjalën e tij, Kryetari shprehu përgëzime për të gjithë ata që agjëruan me devotshmëri përgjatë muajit të Ramazanit. Me shpresën që Zoti të pranojë lutjet e të gjithë atyre që agjëruan në këtë muaj të shenjtë, dhe uroj që paqejeja, harmoniua dhe mirësia të mbizotërojnë në për të gjithë shqiptarët. Në si komb kemi dëshmuar modelin e harmonisë fetare që është një trashëgimi e hershme dhe do të vijojë të mbizotërojë në komunitetin tonë shqiptar në Long Island, N.Y. dhe më gjerë duke marrë vlera të shtuara në sfidat globale për mirëkuptimin e bashkëjetesës së besimeve fetare të ndryshme. Përulemi me nderim të veçantë rilindësve tonë kombëtar, kryengritjeve të shumta për Pavarësi, rezistencës së shqiptarëve për lirinë e besimit. Në mbyllje, Dr. Paulin Marku falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen si dhe shprehu mirënjohje për ata që mbështeten këtë darkë dhe së bashku mundësuam që të mbajmë Iftarin në ambientet e restorantit “Belle Vie”, administruar nga vatrani i degës tonë, Milaim Lekaj.

IMAM, EDIN GJONAJ: “Më lejoni të shpreh mirënjohjen time të thellë dhe nga zemra për Shoqatën Vatra Long Island dhe bordin e shkollës “Gjergj Fishta” për ftesën e përzemërt në iftarin që organizuan me kaq kujdes dhe dashamirësi. Nuk ishte thjesht një darkë—ishte një gjest me shumë domethënie që më preku thellë. Një falënderim i veçantë shkon për mikun tim të dashur, Paulin Markun, për mirësinë dhe respektin e tij—bashkë me të gjithë anëtarët e bordit—të cilët treguan vlera të larta dhe një shpirt të vërtetë komuniteti. Vendimi për t’u mbledhur bashkë, për të nderuar Ramazanin dhe ata që agjërojnë, flet shumë për karakterin dhe unitetin që na bashkon.

Iftari u zhvillua në ambientin e ngrohtë dhe mikpritës të restorantit “Bella Vie”, një vend i bukur dhe piktoresk në pronësi të bashkëkombasit tonë, Milaim Lekaj. Vendi ishte i përkryer, por ishte shoqëria ajo që e bëri mbrëmjen të veçantë. Kaluan disa orë të mbushura me biseda të përzemërta, ndarje emocionesh dhe momente të sinqerta që na afruan edhe më shumë si njerëz.

Ishte vërtet emocionuese të shihje njerëz me besime të ndryshme ulur në të njëjtën tryezë, jo të ndarë nga bindjet, por të bashkuar në shpirt. Një harmoni e tillë është në vetvete në përputhje të plotë me frymën e muajit të bekuar të Ramazanit—muaj reflektimi, mëshire, bashkimi dhe mirëkuptimi. Këto janë momente të rralla dhe të çmuara, që na kujtojnë më të mirën e asaj që jemi si popull. Jam thellësisht mirënjohës për ftesën, mikpritjen dhe ngrohtësinë që ndjeva atë mbrëmje.

Lutem që të kemi edhe shumë raste të tjera si kjo—mundësi për t’u mbledhur, për të festuar atë që na lidh dhe për të mbajtur gjallë vlerat që përcaktojnë identitetin tonë shqiptar. Ju uroj suksese të mëtejshme në punën tuaj të vyer për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave tona, duke mbajtur gjithmonë të gjallë shpirtin shqiptar të mirëkuptim, harmonisë dhe dashurisë për njëri-tjetrin”.

Filed Under: Reportazh

Dr. Suzana Gjekaj, kolonelja e parë shqiptare në Forcat Ajrore të SHBA-së

March 29, 2025 by s p

Trieshiania me një karrierë të shkëlqyer akademike dhe ushtarake.

Gjekë Gjonaj

Tashmë dihet se femrat shqiptare janë shumë ambicioze. Ato janë të vendosura të arrijnë diçka për veten e tyre, të ndërtojnë karriera të suksesshme, duke emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Niveli i arsimimit dhe niveli i përfshirjes së grave shqiptaro-amerikane në industri të ndryshme profesionale është në rritje. Këto gra japin 100 për qind të vetes dhe janë të përkushtuara për të avancuar rolin e tyre në shoqëri dhe komunitet. Këtë sukses e ka arritur edhe amerikania me origjinë shqiptare, Suzana Gjekaj, e lindur në Guçi në vitin 1982.

Prejardhja familjare

Rrjedh nga një familje tradicionale malësore shqiptare me origjinë nga Trieshi – Malësia e Madhe. Ajo është vajza e Gjon Kolë Gjekajt dhe Prenë Gjekajt. Të dy janë nga Trieshi . Babai i saj është nga fshati Stjepoh, kurse nëna nga fshati Budzë. Asnjë prej tyre nuk ka lindur në Triesh . Gjoni ka lindur në Guçi, ndërsa Prena në Lug të Bunarit , Gjakovë. Familja Gjekaj u shpërngul nga Trieshi në Guci në vitin 1921, kur Gjon Marashi, atëherë zot i shtëpisë, bleu tokën në Guçi për 5000 dinarë në atë kohë, ndërsa tokën në Stjepoh (Triesh) e shiti për 9000 dinarë. Që atëherë, familja Gjekaj ka jetuar në Guçi deri në vitin 1974, kur emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çifti Gjon dhe Prenë Gjekaj kanë katër fëmijë: djalin Gjergjin dhe vajzat Marien, Valentinën dhe Suzanën. Të gjithë kanë lindur në Detroit, Michigan dhe kanë përfunduar studimet e tyre universitare. Gjon Gjekajn e kam takuar për herë të parë kur erdhi nga Detroiti në Guci për të varrosur të atin, Kolë Gjekë Marashin, më 13 qershor 1994 – Ditën e Shna Ndout.

Edukimi dhe zhvillimi profesional

Suzana Gekaj, ndonëse vjen nga një familje tradicionale fshatare nga Trieshi, arriti të ndërtojë një karrierë të suksesshme ndërkombëtare, duke u bërë femra e parë shqiptare në Forcat e Armatosura të SHBA-së që mban gradën e kolonelit. Karriera e saj në Forcat Ajrore të SHBA-së filloi më 31 dhjetor 2003, kur ajo u rekrutua pasi mori një bursë prestigjioze në Shkollën e Shkencave Shëndetësore. Ajo u diplomua në Universitetin e Detroit Mercy në maj 2007, duke fituar dy diploma: një diplomë baçelor në shkencat biologjike dhe një doktoraturë në kirurgji dentare.

Më pas, pas trajnimit si komandante në bazën e Forcave Ajrore Maxwell në Alabama, kolonele Gjekaj u caktua në bazën ajrore Holloman, New Mexico, ku shërbeu si dentiste dhe oficere ndërlidhëse me Forcat Ajrore gjermane. Përvoja e saj profesionale përfshin misione në disa nga bazat ushtarake më të rëndësishme të SHBA-së në botë, duke përfshirë bazën ajrore Osan në Korenë e Jugut, bazën ajrore Aviano në Itali, bazën ajrore Kadena në Japoni dhe bazën e forcave ajrore Keesler në Misisipi, ku ajo mbajti dy pozicione si komanduese fluturimi mbështetëse dentare dhe shefe e stomatologjisë pediatrike.

Për më tepër, ajo shërbeu si profesoreshë asistente në Universitetin e Shërbimeve të Uniformuara të Shkencave Shëndetësore, duke u dhënë mësim njerëzve të interesuar në Programin e Arsimit të Avancuar në Stomatologjinë e Përgjithshme.

Me një karrierë të shkëlqyer akademike dhe ushtarake, kolonele Gjekaj vazhdoi studimet dhe stërvitjet e larta në fushën e saj, duke u diplomuar në Komandën e Lartë të Komandës së Shtabit dhe në Kolegjin e Luftës Ajrore. Në vitin 2019, ajo mori certifikimin e bordit nga Bordi Amerikan i Stomatologjisë Pediatrike. Aktualisht është shefe e Stomatologjisë Pediatrike në Bazën Ajrore Ramstein, Gjermani.

Një femër e thjeshtë, por një diamant i çmuar

Ajo që e karakterizon Dr. Susana Gjekajn, përveç aftësive të saj në fushën mjekësore dhe ushtarake, është thjeshtësia dhe modestia e saj, të cilat janë vlera morale që shërbejnë si shembull i përsosur për mbarë njerëzimin. Nuk ka krenari apo arrogancë në karakterin dhe natyrën e saj njerëzore. Kjo është përshtypja që mora nga një bisedë telefonike që patëm së fundmi kur ajo ishte në Gjermani, duke u përgatitur për një vizitë njëmujore në Shqipëri, të cilën ajo e kishte vizituar tashmë një herë. Është e admirueshme se sa e përulur( modeste), por patriotike, duket kjo kirurge orale për fëmijët me aftësi të kufizuara zhvillimore dhe një oficere ushtarake e lindur jashtë vendit me arritje kaq të mëdha profesionale. Ajo është me të vërtetë një diamant i çmuar, një nderim për familjen e saj, komunitetin shqiptar dhe një dëshmi e përkushtimit të saj të palëkundur për t’i shërbyer vendit dhe profesionit të saj. “Thjeshtësia e një gruaje është më e vlefshme se të gjithë diamantet e botës”, ka thënë një nga figurat më të shquara të kombit, Sami Frashëri.

Po aq mbresëlënëse është edhe dashuria që ndjen kjo shqiptaro-amerikane për shqiptarët, për traditën dhe kulturën shqiptare, si dhe për gjuhën shqipe që e mësoi në fëmijëri nga prindërit e saj, të cilët flisnin gjithmonë gjuhën e shtëpisë me fëmijët e tyre. Suzana kudo ku studionte, punonte dhe vepronte, ajo nuk i mohoi rrënjët e saj, por gjithnjë me krenari deklaronte se ishte shqiptare. Dhe ajo ndien një lidhje shumë të ngushtë me Malësinë e Madhe, me Shqipërinë, me Kosovën dhe me vende të tjera etnike shqiptare. Ajo është krenare për kombin shqiptar, flamurin dhe shqiponjën e tij. Kjo ndjenjë e patriotizmit shqiptar u pa qartë në ceremoninë solemne të organizuar në shkurt të këtij viti në Kishën Katolike Shqiptare “Shën Pali” në Miçigan pranë Detroitit me rastin e marrjes së gradës kolonele në Forcat Ajrore të SHBA-së, ku flamuri shqiptar u valëvit përkrah flamurit amerikan, pas të cilit qëndronte një imazh madhështor kombëtar dhe një imazh kuq e zi. “U mbusha me krenari dhe gëzim të pamasë kur, nën tingujt e këngës dhe muzikës shqiptare, familja dhe të afërmit e mi kënduan dhe kërcyen vallen “Shota”, si dhe kolegët e mi të ftuar nga Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara, të cilët ishin magjepsur nga ushqimi tradicional shqiptar dhe rakia e rrushit, që amerikanët e duan shumë”, thotë Suzana.

Ajo besonte në vetvete dhe nuk u ndal kurrë.

Arritja e majës së suksesit në çdo fushë profesionale është një rrugëtim i gjatë, i mundimshëm me shumë sakrifica. Duhet shumë punë dhe përkushtim, sidomos në ushtri. “Marrja e gradës kolonel në Forcat Ajrore Amerikane është shumë e vështirë, sepse duhet shumë stërvitje, përgatitje ushtarake, stërvitje fizike dhe aftësi të tjera të veçanta. Gradën kolonel mund ta marrin vetëm dy për qind e oficerëve”, thotë me modesti Gjekaj.

Puna e palodhur, përkushtimi ndaj qëllimit, pa justifikime apo faktorë të jashtëm ishin frymëzimi dhe forca shtytëse për këtë kolonele. Ajo nuk lejoi ta prekte asnjë ndjenjë shkurajimi, besonte në vetvete, në aftësitë e saj, u besonte instinkteve, qëndronte vigjilente, e fortë përballë të gjitha sfidave dhe nuk u ndal kurrë.( Koha javore)

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT