• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2025

KANDAVIA TEK AUTORËT ANTIKË DHE BIZANTINË

April 7, 2025 by s p

Shkruar nga Avni Alcani/

Në një hartë që ne publikuam disa kohë më parë (Gazeta Dielli, ShBA, 25 Mars 2025), emri “Candavia” hasej tri herë: si emri i një rruge (“Via Candavia”), e cila fillonte nga qyteti i Durrachiumit dhe vijonte përgjatë luginës së lumit Genusus (Shkumbini i sotëm) e deri te liqeni i Luchnitis-it (Ohrit); si emër i një stacioni rrugor (mancio), apo vendbanim në rrugën e Candavisë, me emrin “Candavia” dhe “Grandavia” dhe si emri i një mali “Candavii M(auntin)”. Në vijim të shkrimit tonë do të shohim si përputhen të dhënat e hartës me zbulimet arkeologjike, me burimet historike të autorëve antikë, me të dhënat e hartës Tabula Puentigeriana dhe me të dhënat e itinerareve, apo regjistrve, që përshkruanin stacionet e rrugëve të Perandorisë Romake.

Njoftimi i parë për ekzistencën e një krahine të vogël ilire me emrin “Kandavia”, siç ne e njohim sot nga tekstet e historisë së Shqipërisë, është bërë rreth 170 vjet më parë nga albanologu gjerman, Dr. Johan Georg von Han, në librin “Studime shqiptare” (Vienë 1854). Në librin e tij Han kishte bërë identifikimin provincës “Candavia”, të përmendur në shkrimet e autorëve antikë, me krahinën e luginës së sipërme së lumit Shkumbin. Ai shkruan: “Emri i vjetër i malësisë ka qenë Kandavia. Në skajin jugor të kësaj malësie buron Shkumbini… Në shpinë të qytetit (Elbasanit) ngrihet një kodër më vete: Krasta, pastaj vjen djathtas mali i Shushicës, pas këtij Mali i Polisit…; nga ana e majtë kemi malin e Gildeshit (Godoleshit) dhe prapa tij atë të Çermenikës. Kjo pamje malore formon hyrjen e Candavisë së vjetër nga perëndimi, nëpërmjet së cilës kalon “Via Egnatia” (Han, “Studime shqiptare”, faqe 18, 118).

Njoftimin e dytë e kemi prej një zbulimi arkeologjik. Në vitin 1916, gjatë Luftës së Parë Botërore, dy arkeologë austriakë, Kamilo Prashniker dhe Arnold Shober, organizuan në Shqipëri dhe Mal të Zi ekspedita arkeologjike me karakter informativ. Pranë lumit të Moraçës në Mal të Zi, ata gjetën një altar votiv prej mermeri të bardhë, si pjesë e një tempulli, me mbishkrimin: “Diana augusta Candaviensis”. Sipas dy arkeologëve austriakë, përkushtimi lidhej me emrin e krahinës së Kandavisë, e cila, sipas tyre, ishte “malësia mes Skampa (Elbasani) edhe Lychnidus (Ohër), që sot njihet Mali i Polisit” (Kërkime arkeologjike në Shqipëri dhe Mal të Zi, Tiranë 2003, faqe 2). Si Hani, ashtu dhe dy arkeologët austriakë, interpretimet e tyre i kishin të bazuara te burimet e autorëve antikë grekë, romakë dhe bizantinë.

Në vitin 1965 botohet për herë të parë në Shqipëri libri “Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë”, në të cilin ishin përfshirë të gjithë autorët e periudhës antike, që nga Homeri (shek 12 para Kr.) dhe deri te autori bizantin, Zanora (shek. 11-12 pas Kr.). Libri, i cili ka të dhëna shumë të rëndësishme për Ilirinë dhe popullsinë e saj gjatë periudhës antike, u përgatit për botim nga një grup arkeologësh të shquar shqiptarë, si Hasan Ceka, Skënder Anamali, Selim Islami dhe Frano Prendi, që janë themeluesit e arkeologjisë shqiptare.

Autori i parë romak, që përmënd Kandavinë si krahinë, është Mark Tul Ciceroni (106-43 para Kr.), i cili, në letrën që i dërgonte mikut të tij, shkruan: “…Në qoftëse ti nxiton, sidoqoftë do të më arrish, sepse unë … do të kaloj pa u ngutur nëpër Kandavi…” (faqe 81). Strategu më i madh ushtarak i Romës së lashtë, Gai Juli Cèsar (100-44 para kr.), në librin e tij “Lufta ime”, shkruan: “Por…duke qenë se Cezarin e pengoi Apollonia që të merrte rrugën e drejtë, Pompeu, me anë të Kandavisë, u drejtua për në Maqedoni” (faqe 87). Cezari përmend dhe krahinën me emrin Heraklea (apo Sintika), e cila ishte në vartësi të Kandavisë. “Domitit, – shkruan Cezari, – iu desh të largohej prej këndej për mungesë të ushqimeve dhe të shkojë në Heraklea (Sintika), që është nën vartësinë e Kandavisë…” (faqe 93).

Straboni (64 para kr.–24 pas kr.) është gjeografi greko-romak që përmënd në librat e tij rrugën Egnatia dhe Kandavinë si mal e si krahinë. Ai shkruan: “Ata që nisen nga Apollonia dhe Epidamni piqen në një pikë të rrugës, që ka largësi të njëjtë nga të dy këto dy qytete. Rruga e tërë quhet Egnatia; pjes e parë është ajo që kalon nga Kandavia, mal i Ilirisë, dhe shkon përmes qytetit Lyhnid dhe vendit të quajtur Pylon, që shënon kufirin midis Ilirisë dhe Maqedonisë mbi këtë rrugë” (faqe 158). Po aty, në vijim Straboni shkruan: “Buzë rrugës që shkon për në Kandavi janë liqenjt rrotull Lyhnidit (Ohrit), që kanë vende të mjaftueshme për të kripur e për të tharë peshq…” (faqe 160).

Autori i dytë që i përmend Malet e Kandavisë është gjeografi Plini Sekundi (Gaius Plinius Secundus), i njohur si Plini Plak (rreth 23/24 – 79), i cili, në librin e tij “Historia e Natyrës”, shkruan: “Prej Lisit nis provinca Maqedone: fiset e parthinëve dhe në shpinë të tyre dasaretët, malet e Kandavisë, shtatëdhjetë e tetëmijë hapa nga Dyrrahu” (faqe 194).

Autori i fundit, i cili e përmend Kandavinë me emrin e saj antik, është historiani bizantin Malhu, i cili ka jetuar rreth shekujve të 5- 6 pas Kr. Vepra e tij kryesore ka qenë “Bizantiaka” me 7 vëllime, në të cilat ka përshkruar betejat që kanë zhvilluar bizantinët kundër gotëve në vitin 459. Teodoriku i Madh, mbreti i gotëve, u ndesh me gjeneralin bizantin Adanadi, të dërguarin e Perantorit bizantin, i cili e përndiqte ushtrinë e gotëve pëgjatë rrugës “Egnatia”. Malhu shkruan: “Ndërsa Adamanti po merrej me këtë punë, në Lyhnid ishin mbedhur tani shumë nga njësitë, sipas urdhërit të strategut. Atëhere dikush i tha Sabianit se barbarët, – në mes tyre gjendeshin Teudimundi, i vëllai i Theodorikut dhe nëna e tyre, – bashkë me paisjet e tyre ushtarake, me shumicën e qerreve dhe me pararojën, po zbrisnin ngadalë dhe mjaft qetë nga Kandavia…Theudimundi dhe nëna e tij, pasi panë që po sulmoheshin, ikën me të shpejtë, ranë në fushë dhe shkatërruan menjëherë urën, nëpër të cilën kaluan” (faqe 409). Historiani dhe arkeologu Neritan Ceka ka shkruar se ura që kaluan familja mbretëre dhe që u dogj prej tyre, është pikërisht ura e quajtur sot “Ura e Haxhi Beqarit” në fshatin Mirakë. “Familja mbretërore, shkruan Ceka, shpëtoi duke djegur urën mbi lumin Shkumbin, sigurisht në Mirakë, por bizantinët zunë pesëmijë robër dhe dy mijë karro me plaçkë”. (N. Ceka: Ilirët, Tiranë 2000, faqe 274).

Një rëndësi të veçantë për gjeografinë dhe toponiminë e Kandavisë antike zenë Itineraret rrugore, të cilat kanë qenë të përshkrimeve të rrugëve romake, të stacioneve (mansion) dhe vendqëndrimeve (mutation).

Harta më e rëndësishme dhe më e njohur ëishtë “Tabula Peutingeriana”, e cila ka qenë një hartë rrugore, që përshkruante të gjithë rrjetin rrugor të Perandorisë Romake. Harta ishte një kopje e vitit 1200 në pergamenë, e bazuar në një dokument të shekullit të 4-të ose të 5-të. Që nga viti 1738, harta ruhet në Bibliotekën Kombëtare Austriake në Vjenë. Duke filluar nga lindja, ajo përfshinte: nënkontinentin Indian, Persinë, Lindjen e Mesme, disa pjesë të Azisë, Afrikën e Veriut dhe Evropën (pa Gadishullin Iberik dhe Ishujt Britanikë). Sipas kësaj harte, stacioni i parë në Kandavi ndodhej në vendin e quajtur soy Ura e Haxhi Beqarit në Mirakë, e regjistruar me emrin “Genesis” (faqe 311), që është emri i lumit Genesis (Shkumbin). Stacioni i dytë është regjistruar me emrin “Ad Dianam” në Babje (faqe 311), Stacioni i tretë është në Qukës, i regjistruar me emrin “In Candabia” (faqe 311). Stacioni i fundit në Kandavi është regjistruar në Urakë, me emrin “Pons Seruili” (faqe 311).

“Intinerarum Antonini Augusti” (Itinerari i Perandorit Antoninus) është një regjistër i stacioneve, i cili përshkruan rrugët e Perandorisë Romake nga Roma nëpër Akuilera dhe deri në Konstadinapol, si dhe rrugën nga Durrahi nëpër Maqedoni e Thraki. Në këtë interenar është përmendur vetëm një stacion në Kandavi, që quhet “Tres Tabernas”, në Qukësin e sotëm (faqe 316). Stacioni i Qukësit përmendet sërish në këtë itinerar të Perandorit Antoninus (në faqen 49-50 të tij), por me emrin pak më të ndryshuar, “Tribus Tabernis” (faqe 317).

“Interiarium Budigarlense Itinerarium Burdigalense” (Itinerari Bordeaux), i njohur gjithashtu si “Itinerarium Hierosolymitanum” (Itinerari i Jerusalemit), është itinerari më i vjetër i njohur i krishterë. Është shkruar nga “Pilgrim of Bordeaux”, një pelegrin anonim nga qyteti i Burdigala (tani Bordo, Francë) në provincën romake të Gallia Aquitania. Ai rrëfen udhëtimin e shkrimtarit përgjatë Perandorisë Romake në Tokën e Shenjtë në vitet 333 dhe 334, ndërsa udhëtonte në rrugë tokësore, përmes Italisë veriore dhe luginës së Danubit për në Kostandinopojë. Përpiluesi i itinerarit përmend kufijtë nga një provincë romake në tjetrën dhe bën dallimin midis çdo ndryshimi të kuajve (mutatio) dhe vendit të ndalimit (mansio). Në rrugën nga Heraklea nëpër Maqedoni në Aulona, ai shënon tre stacione në Kandavi: 1. Stacionin e “Mutatio Tabernas” (Qukës), 2. Mansio “Grandavia” (Babja) dhe 3. mutadio “Treiekto” (Ura e Haxhi Beqarit) në Mirakë (faqe 318).

Filed Under: Histori

U PROMOVUA NË BOSTON DOKUMENTARI KUSHTUAR SOTIR PANIT

April 7, 2025 by s p

Fuat Memelli/

Pas shfaqjes në qytetin e Worcesterit të dokumentarit kushtuar dardharit Sotir Pani, kisha Shën Trinia në Boston, ishte “stacioni” i dytë në diasporë, ku u promovua dokumentari “Pan patriotizmi shqiptar”( Sotir Pani në gjurmët e të parëve.) Ky promovim ishte organizuar nga shoqata Dardhare, dega e “Vatrës” në Boston, kisha “Shën Trinia” si dhe familja Pani. Jo rastësisht ky dokumentar u promovua te kjo kishë. Sotir Pani ka patur një lidhje të ngushtë si me kishën e Shën Gjergjit edhe me kishën “Shën Trinia”.

Takimin e hapi i zoti i shtëpisë, Peshkopi Theofan Koja. Ndër të tjera ai theksoi se se Dardha e bukur dhe me kulturë që i ngjan një qyteti, ka patur patur një emigracion të hershëm si në Rumani, në Amerikë, etj. Bijtë e Dardhës kanë lënë gjurmë të pashlyera, ndër të cilët spikasin edhe Josif e Vasil Pani. Më kanë folur besimtarët e kishës sonë edhe për Sotirin dhe cilësitë e veçanta që që spikatnin te ai.

Pastaj përshëndeti Andrea Andrea Pani, djali i Sotirit, i cili është aktiv dhe mban gjallë frymën e stërgjyshit dhe gjyshit të tij, patriotëve të shquar Josif e Vasil Pani si dhe të babait të tij. Andrea theksoi më pas se duke ecur në gjurmët e të jatit, kur erdhi në Amerikë u lidh ngushtë me këtë kishë ku shërbente Hirësi Ilia Ketri. Ai përmendi edhe besimtarë të shquar që kanë ndikuar te ai por që nuk jetojnë më.

Mentor Maksutaj, kryetar i degës së Vatrës në Boston kishte përmbledhur në kumtesë figurën e Vasil Panit, mik i ngushtë i Noiit e Konicës. Për vite me rradhë ai ka kryer detyra të rëndësishme në “Vatër” si arkëtar, sekretar dhe kryetar, ndërsa restoranti ka qënë një qendër e rëndësishme ku mblidheshin vatranët. Ai përmendi edhe fjalët e Nolit kur Vasili ndrroi jetë: “Vatra po të mos kishte qënë Vasil Pani, mund të kishte vdekur me kohë. Këtë e thonë miqtë e Vasilit dhe e pranojnë kundërshtarët e “ Vatrës”.

Fjala iu dha edhe autorit të këtij shkrimi, ku theksoi miqësinë e hershme prej 50 e ca vjetësh me Sotir Panin, me të cilin kanë përgatitur edhe dy dokumentarë në Shqipëri. Ai u ndal në disa vlera të tjera të Sotirit që nuk përmenden në dokumentar. Duke qënë me disa detyra si kryetar kooperative në Vranisht të Devollit, shef bujqësie në Korçë, zv. drejtor i një institucioni të blegtorisë në Tiranë, etj, ai mbronte njerëzit që mund ta pësonin në atë regjim. Kjo buronte nga shpirtgjërësia e tij. Në ditarin e Sotirit kam lexuar se në një periudhë dimri, një fshatari të varfër që punonte në bujqësi, i ka falur trikon e tij prej leshi, etj.

Aleko Dhima një besimtar i vjetër i kësaj kishe, përmendi momente të tjera të kontributit të Sotirit. Kështu ai ideoi oranizimin e një fotoekspozite në mjediset e kishës me foto të xibunit, veshje karakteristike e grave të Dardhës, Sinicës e Qytezës, fshatra pranë njëri- tjetrit. Përmendi çuarjen në Dardhë të piktorit Sterjo Shkodrani për të pikturuar shtëpi karakteristike dardhare, etj.

Në fund Andrea Pani i dhuroi librin e të jatit “ At e bir për mëmëdhenë”, peshkopit Theofan Koja si dhe kryetarit të degës së “ Vatrës” në Boston, Mentor Maksutaj. Pjesëmarrësit ndoqën pastaj dokumentarin, i cili është një bashkëpunim i TV Korçës me gazetare Erjona Pambukun dhe autorin e këtij shkrimi.

Filed Under: Vatra

U FESTUA NË NEW YORK 114 VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË DHE 30 VJETORI I SHOQATËS MALËSIA E MADHE

April 6, 2025 by s p

Sokol Paja/

New York, 5 prill 2025 – Shoqata Malësia e Madhe – New York bashkoi shqiptarë nga e gjithë Amerika për të nderuar 114 vjetorin e kryengritjes së Malësisë dhe 30 vjetorin e themelimit të shoqatës Malësia e Madhe – New York. Një mbrëmje festive dhe nderimi për historinë kombëtare dhe kontributorët që ruajnë e trashëgojnë vlerat kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shoqata Malësia e Madhe në New York është një ndër organizatat patriotike më serioze dhe dinjitoze në diasporën shqiptare të Amerikës, model atdhedashurie e shqiptarie për tri dekada me radhë.

Me prezantimin e shkëlqyer të Veronika Junçaj e Sakib Beqaj, mbrëmja festive filloi me himnet kombëtare të Republikës së Shqipërisë kënduar nga Gjystina Bojaj dhe himni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës kënduar nga Jozef Junçaj e një valle kombëtare nga grupi artistik “Barbana”.

Historiani Dr.Paulin Marku në fjalën e tij theksoi se kryengritja e Malësisë së Madhe është një ngjarje e rëndësishme historike me ndjenja të thella atdhetarie. Viti 1911 shënon arritje për malësorët dhe për drejtuesit politik dhe krerët e Malësisë. Ngritja e flamurit shqiptar më 6 prill 1911 në Deçiq ishte një ngjarje që frymëzonte shqiptarët dhe rriste ndjenjat e atdhetarisë. Lufta e malësorëve për disa muaj, mbështetur edhe nga shqiptarët brenda dhe jashtë trojeve shqiptare, ishte një përpjekje për të fituar të drejtat e popullit shqiptar. Betejat e përgjakshme, kryesuar nga Ded Gjo Luli dhe krerët e zonave të ndryshme, bashkuan shqiptarët dhe ftuan intelektualët e kohës, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Nikoll Ivanaj e intelektualë të tjerë shqiptarë. Suksesi i patriotëve shqiptarë në bashkëpunim me krerët organizativë përgatiten Memorandumin e Greçës më 23 qershor 1911, i përbërë prej 12 pikash dhe e shpërndanë nëpër Kancelaritë Diplomatike dhe një kopje iu dërgua autoriteteve në Stamboll. Pasi Porta e Lartë u njoh me kërkesat e shqiptarëve, pranonte pjesërisht dhe premtonte zbatimin e tyre. Me ndërmjetësimin edhe të Malit të Zi, u arrit marrëveshja e gushtit 1911. Kryengritja e 1911 ishte ngjarje e rëndësishme historike dhe me karakter gjithëpërfshirës për interesa të shqiptarëve, tha ndër të tjera studiuesi Dr. Paulin Marku.

Kryetari i shoqatës “Malësia e Madhe” z.Senad Lulanaj në fjalën e tij theksoi se kryengritja e Malësisë së Madhe ishte historike, kombëtare e patriotike dhe jo ngjarje krahinore. Ajo i dha Malësisë e Shqipërisë histori të veçantë që kulmoi me pavarësinë e Shqipërisë. Festa e 30 vjetorit të shoqatës Malësia e Madhe është festë për dashurinë dhe përkushtimin patriotëve malësorë ndaj vendlindjes dhe komunitetit shqiptar në Amerikë. “Për 30 vite, shoqata Malësia e Madhe ka dhënë për studentët malësorë mbi 1 mijë bursa, afro 2 milion dollarë falë bujarisë e fisnikërisë së malësorëve në Amerikë” tha z.Lulanaj.

Me motivacion: “Për përkushtim në shërbim të Zotit dhe popullit shqiptar, për forcimin e lidhjeve tona me besimin dhe ruajtjen e vlerave tona kombëtare” u nderuan me “Mirënjohje” Dom Pjeter Popaj dhe

Imam Edin Gjoni. Në fjalën e tij Dom Pjetër Popaj u shpreh se kjo festë është nderim për historinë kombëtare dhe popullin tonë të vuajtur. Imam Edin Gjoni bekoi mbrëmjen festive dhe theksoi se sonte nderojmë një histori të lavdishme dhe një frymë brenda nesh, një akt patriotik i historik nga shqiptarët për shqiptarët. Gjaku i derdhur në Deçiq ushqen rrënjët e ndërgjegjes sonë kombëtare, tha ndër të tjera Imam Gjoni.

Me rastin e 114 vjetorit të Kryengritjes së Malësisë dhe 30 vjetorit të shoqatës Malësia e Madhe – New York u nderuan me “Mirënjohje” z.Gjek Gjonlekaj, z.Lek Gjolaj, z. Gjon Dedvukaj dhe Anton Dedvukaj me motivacion: “Për kontributin dhe përkushtimin e tyre të çmuar në shërbim të vendlindjes dhe Shoqatës Malësia e Madhe”. Me motivacion: “Për kontributin e çmuar në shërbim të vendlindjes dhe forcimit të lidhjeve me diasporën Malësore dhe Shoqatës Malësia e Madhe” u nderua me “Mirënjohje” kryetari i komunës së Tuzit z. Lindon Gjelaj i cili në fjalën e tij vlerësoi dhe falenderoi patriotët e Malësisë në Amerikë për sakrificat e punën e shkëlqyer në dobi të malësorëve e Malësisë.

Me motivacion: “Për bashkëpunim në realizimin e veprës historike të vendosjes së përmendores së Gjergj Kastriotit Skenderbeut në Tuz” u nderuan me “Mirënjohje” kryetari i shoqatës Malësia e Madhe Michigan z. Nrek Gjolaj, kryetari i shoqatës Malësia e Madhe në Kaliforni z. Sherif Krniq dhe kryetari i shoqatës Jehona e Malësisë z. Agron Dedivanaj.

Shoqata Malësia e Madhe – New York dha një leksion të pastër atdhetarie e patriotizmi duke dëshmuar përkushtimin e dashurinë për vendlindjen e komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Festa vazhdoi deri në orët e vona nën argëtimin brilant të Lek Dedvukaj dhe Gjystina Bojaj.

Mbrëmja festive u asistua mediatikisht nga producenti televiziv Nazim Salihu “Noli Tv” dhe fotografi Nik Morina.

Filed Under: Opinion

PËRPJEKJET E SHQIPTARËVE NË MAQEDONI PËR ARSIM KOMBËTAR NË FUND TË SHEKULLIT XIX DHE NË FILLIM TË SHEKULLIT XX

April 5, 2025 by s p

Avzi MUSTAFA/

Pjesa II

Përhapja e shkollës shqipe në territorin e Maqedonisë hov të madh mori pas Kongresit të gjuhës shqipe në Manastir më 1908 ku dita ditës interesi shtohej. Kështu, disa klube filluan të hapin shkolla në gjuhën amtare. Shkolla në gjuhën shqipe u hapën në: Dibër,  Rekë, Shkup, Manastir, Kërçovë,Tetovë, Gostivar, Kumanovë  e gjetiu. Vlen të përmendim se veprimtarë të shquar në këto qytete për shkolla shqipe ishin: në Kërçovë: Jusuf Turabi – Kërçova, Rexhep Fasku – Greshnica, Ali Drogomishti; në Strugë shquhen  Dervish Hima e Ibrahim Temo; në Dibër: Kadri Fishta e Said Najdeni; në Gostivar:  hoxha Afiz Lila;  në Patishka Rekë: hoxha i fshatit; në Shkup: Rok Berisha, Bedri Pejani; në Rekë: prifti Todor e Josif  Bageri; në Kumanovë: Jashar Erbara e Anastas Albanski e shumë të tjerë. 

Prifi Todor nga Reka e Epërme edhe para Kongresit meshën e  mbante në dy gjuhë: në bullgarisht e në shqip. Kur fliste në “shqyp” (shqip) ai përdorte pjesë nga “Psallmet” dhe “Dhjata e Re” të Kristoforidhit. Pagëzimet, ditën e emrit që zakonisht lidhej me ndonjë apostol kishtar, që çdo familje e ka të caktuar si dhe ditën e kishës e të fshatit, i bënte vetëm në gjuhën shqipe. Në familje ai u rrëfente të gjithë anëtarëve traditën e besimit ortodoks dhe e lidhte me jetën e shenjtorëve, për t’i motivuar besimtarët që të udhëhiqen sipas Krishtit. “Ata që lëvdojnë Krishtin dhe shenjtorët, Zoti familjeve u jep bekimin. Beni lutje për të qenë shtëpia e plotë dhe e shëndosh” (marrë  nga një fletore  lutjesh të protogjerit Çirko nga Reka). 

Pranë kishës ekzistonte edhe një shkollë në gjuhën bullare, por ajo nuk funksionoi sepse ishte vështirë të gjendet mësues. Prifti Todor këtë shkollë e përdorte herë pas here me fëmijët e fshatit për t’u mësuar shkrim-leximin në gjuhën shqipe dhe shumë dije për Zotin dhe kombin.

Kur filloi një luftë e ashpër midis ekzarkisë bullgare dhe kishës serbe, flitej se do të sillnin klerikë serbë. Serbia bashkë me Rusët bënin propagandë për të bindur hyqymetin Osman se viset me përkatësi fetare ortodokse janë serbë. Andaj, përhapja e shkollave të huaja në gjuhët greke, bullgare dhe serbe, shtroi nevojën e ngutshme edhe për hapjen e shkollave në gjuhë shqipe.

Kur bindet mitropoliti Kozmo se nuk mund të bëjë ballë serbëve, atëherë ai kërkoi që në Rekën e Epërme, predikimet në kisha dhe mësimi në shkolla të bëheshin në gjuhën shqipe. Dhe kështu me të ngut ndaj çështjes së gjuhës shqipe, autorizon Këshillin vendor kishtar për dhënien e lejeve për hapjen e shkollave në gjuhën të cilën ata duan. 

Në bazë kërkesave të vazhdueshme në fshatrat që kërkonin që të mësojnë në gjuhën e nënës lëshonte leje. Kështu ndodhi kur ai lejoi e shkollën e gjuhën shqipe, duke e autorizuar një administrator me emrin Iliev që të kërkojë nga prifti Todor, që të lus vëllain e tij Josifin i cili shpesh kishte dërguar kërkesa për hapjen e një shkollë në gjuhën shqipe në Nistrovë. Nga lutjet e Josifit kërkesa ishte që “ta lërë të lirë dhe t’ia japë bekimin që të rrëfejë shqiptarizëm dhe t’i mësojë shqiptarët në gjuhën shqipe në shkolla dhe në kishë të rrëfej në gjuhën shqipe.”

Me hapjen e një shkolle me leje, siguroi edhe një rrogë prej 18 lirash. Todori me gëzim të madh e njofton të vëllain dhe e lëshon shtëpinë e tij për shkollë. Pasi njoftohet Josifi për këtë detyrë, atëherë ai do të shkojë në Rekë, që të hapë shkollën laike në gjuhën shqipe. Shkolla u hap më 25 shtator 1908 në fshatin e lindjes.  Me pagesë prej dy lirash turke ai merr një leje edhe nga Këshilli i fshatit që të fillojë mësimin në gjuhën e nënës. Josifi me rastin e hapjes së kësaj shkolle do të  shprehet:….”Edhe kështu fëmijët zuna ti mësoj, se a.b.c. që kishnja 20 cop. Mirëpo në Malësiet e Dibrës kishte vojt zani se në Rek ka ardh njifar daskall..

Josifi punoi me shumë dashuri dhe me përkushtim. Që në ditën e dytë, ai përveç 8 nxënësve që mësonin gjuhën shqipe tek vëllai i tij prifti Todor, ai “do të grish disa prej fisit të vet të i çojn fëmin për me muet bashk me fëmin e vet.”

Josifi me pagen shumë të vogël nuk mund të siguronte mbijetesën e familjes, prandaj iu drejtua mitropolitit të Dibrës, Zotëri Zotëri Kozmës për t’ia rritur rrogën. Në bazë të një letre drejtuar në adresë të Josif Bagerit,  e protokolluar me nr. 326 me 19 janar të vitit 1909, mitropoliti i Dibrës Zotëri Zotëri Kozma e njofton Josif Bagerin se nuk mund ta ndihmojë në misionin e tij.

Josifi i mllefosur nga kjo përgjigje që mori, më datë 10.02.1909 kështu i përgjigjet mitropolitit të Dibrës: “I Lumturushëm … pse po brengoseni kaq shumë, qoftë bekuar Zoti, unë janë shëndosh si thënë! Juve ju vjen keq pse unë po kërkoj punë apo pse unë kam shprehur që të rrëfej në gjuhën amtare shqipe? Unë nga Ju nuk kërkoj ndihmë nga mitropolia, por zotëri Ilievi i juaj, administrator, më habiti për  shërbimin prej 18 lirash rrogë në vjet, ngase kishin thënë  se nëpërmjet vllahut Todor do të më jepni 30 lira në vit dhe se Ju i keni thënë se mund të kem liri edhe për gjithçka… Unë i besova, por duke iu falënderuar logjikës sime për të mos u ngutur, se përndryshe unë do të pësoja”. Mandej Josifi i thotë zotërisë: “Ju Zotëri mos brengoseni për ata që janë të shëndosh si thëna, por brengosuni për ata që ua grabisin jetët e njerëzve të cilët unë dua t’i arsimoj dhe t’i vetëdijesoj me ndihmën e Zotit.” Në fund në p.s. Josifi i kërkon falje kryesuesit të mitropolisë pse letrën nuk e ka futur në zarf dhe shpjegon se këtë e bën për arsye ekonomike.

Për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe problem më vete ishte edhe sigurimi i kuadrit mësimor. Prandaj, punë e nevojshme dhe e ngutshme ishte hapja e shkollave të mesme, sidomos shkollat për përgatitjen e mësuesve.  Një shkollë për sigurimin e kuadrit ishte më se e nevojshme që do të përfshinte nxënës nga trevat e kësaj ane. Pas shumë kërkesave dhe lutjeve, me shumë vështirësi do të lejohet nga pushteti lokal i Dibrës që të hapet një shkollë normale. Shkolla u hap më 2 gusht 1910 në gjuhën turko-arabe, por si lëndë mësimore u fut edhe gjuha shqipe. Në fillim kishte dy klasë, kurse në vitin e dytë u formua edhe një klasë, me gjithsej 115 nxënës. Pas tri vitesh këtë shkollë e mbaruan me sukses 35 nxënës.  Këto nxënës të diplomuar u dëshmuan jo vetëm si mësues të mirë, por edhe si patriotë për ruajtjen e kauzës shqiptare pa dallim feje e krahine.  

Një veprimtar që sakrifikoi jetën pse hapi një shkollë nate në Kumanovë është Anasatas Albanski i lindur në fshatin Tërnicë të Rekës së Epërme të Dibrës.

Në Kumanovë ekzistonin dy shkolla serbe, të hapura që nga viti 1849 dhe një bullgare. Shkolla bullgare punën e saj në Kumanovë e ka filluar në vitin 1852 me një mësues dhe me 200 nxënës. Por, shkolla bullgare nuk ishte në gjendje që të qëndronte dhe të bënte ballë turbulencave të ndryshme që ndodhnin në Ballkanin e trazuar, ajo punonte me ndërprerje, sipas situatave dhe kushteve. Kjo shkollë bullgare u riaktivizua në vitin 1908, kur Bullgaria shpalli pavarësinë nga Turqia. 

Meqenëse popullata e kumanovare sllave më shumë anonte nga shkollat serbe, për të tërhequr sa më shumë nxënës edhe të nacionalitetit shqiptar, Anastasi ishte më i përshtatshmi sepse ai fliste gjuhën e nënës,  gjuhën shqipe dhe bullgare. Anastas Albanski (Arnaudov) në këtë shkollë emërohet mësues nga Klubi i Shkupit të nxitur nga Qemal e Emin bej Kumbara, Rrok Berisha, Ajdin Draga etj., e sidomos nga Bedri Pejani që ishte një ndër promotorët e mëdhenj në hapjen e shkollave me mësim në gjuhën shqipe. Meritën më të madhe për hapjen e kësaj shkolle e pati Jashar Erabara, i cili ishte edhe kryetar i klubit të Kumanovës dhe impakti kryesor ndërmjet patriotëve shqiptarë. Ky aktivitet në Kumanovë u arrit dhe nëpërmjet përkrahësve të vendit, si:  nga Galip Kumanova, Bajram Vranja,  e sidomos nga patrioti shqiptar Jashar Erebara, si një ndër organizatorët e jetës kulturore dhe  arsimore në Kumanovë. Patriotët shqiptarë mbështetje të madhe gjetën edhe te kajmekami i Kumanovës, Nexhib Basha Pejani, që në të njëjtën kohë i mbronte veprimtarët para pushtetit turk, tradhtarët e ndryshëm si dhe shpifjet e xhonturqve. 

Hapja e kësaj shkolle në Kumanovë ishte rezultat i përbërjes shumetnike të kësaj zone. Sipas një dokumenti që e posedojmë nga Arkivi  i Shtetit Shqiptar mësojmë për Kumanovën se “Gjysma e qytetit është shqiptare e gjysma bullgare dhe të gjithë janë të pasur. Qyteti ka mbi 1.500 shtëpij, me gjitha nga zullumi i serbvet, Shqiptarët jo vetëm të qytetit, po edhe të katundeve me shum lloj mjerimi i shtërgojnë të hikin në Turqi”.

Nuk ishte e rastit pse pikërisht në Kumanovë filloi një aktivitet kulturor dhe arsimor. Kumanova ishte e është qytet ku kryqëzohen të gjitha rrugët si në veri, lindje, perëndim e jug. Kumanova edhe atëherë paraqiste një nyje strategjike dhe ekonomike shumë të rëndësishme. Nga ky dokument mësojmë se në kohën e Turqisë shqiptarët e Kumanovës kishin hapur një klub me emrin “Bashkimi” me kryetar Jashar Erebarën,  impakti i lidhjeve me qarqet patriotike.  Falë këtij klubi, në korrik të vitit 1909 u hap “një shkollë nate në gjuhën amtare ku mësojmë më shumë se 80 djema. Mësues ishin Jashar Erabara si dhe Kryetar i klubit është edhe Anastas Arnaudovi ( Albanski). Në vazhdim të dokumentit marrin njohuri të sakta mbi prejardhjen e Anastas Albanskit ku thuhet.:”  mësues asht edhe Anastas Arnauti aranudov, cili ish nga Tërnica e Rekës e mësues në shkollën Bullgare në vend.”

Në faqen 2 të dokumentit shohin se si numri i nxënësve në shkollën e natës, ku mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe po rritej, dhe për një muaj  numri arrin në 90 nxënës. Ky kurs nate ndikoi me të madhe që  shqiptarëve të këtij vendi t’u kthehej shpresa,  t’u forcohej shpirti e t’u ndriçohej mendja. Sepse “Shqipja filloj me u fol gjithkund nëpër qytet dhe kjo është një punë e madhe…. Me të vërtetë popullësija qytetare  bullgare  simpatizonte këtë lëvizje shqiptare, por serbët jo, do shkojshin se si tek me e pengue tuj u diftue autoritete turke aktivitetin e Shqiptarëve”.

Kontrtribut të madh në përfshirjen e nxënësve i takon po aq edhe  mësuesit Anastas, i cili me fjalën e ëmbël  shqipe dinte se si t’i tërhiqte nxënësit në shkollë. Sipas J. Erebarës thuhet se ky kurs nate në gjirin e vet arriti të tubojë 130 nxënës shqiptarë.

Rritja e numrit të nxënësve në këtë kurs nate ishte meritë e mësuesit Anastas , sepse ai dinte si t’i  bindte shqiptarët për shkollim në gjuhën amtare, meqë jo pak njerëz kishin ngatërruar problemin e fesë me çështjen e kombësisë. Ai për ilustrim e merrte veten dhe thoshte “Ja unë jam i krishterë, por gjuhën e kamë si të tujën dhe ne jemi vëllezër të një gjaku”. Asnjëherë nuk hoqi dorë nga gjuha, edhe pse shpesh binte në kontakt me njerëz që i kishte kapluar fanatizmi fetar, por ai bisedonte qetë dhe sepse detyrë vetes i kishte dhënë se krahas shkronjave të gjuhës shqipe, si tek nxënësit ashtu edhe tek qytetarët kumanovarë, të ngjallë dashurinë ndaj gjuhës shqipe si dhe të ngjallë ndenjën e vëllazërimit e të bashkimit,  pa dalim feje e krahine. Mësimi i gjuhës amtare për Anastasin ishte, siç thonë rekalitë një ‘ledh’ që na ndanë si nga serbët, ashtu edhe nga grekët e turqit.

Anastasi ra në sy të agjentëve turq e serbë. Atë e ndiqnin këmba –këmbës, e sidomos punën e tij që bënte në shkollë për t’u mësuar nxënësve gjuhën shqipe. Nga ky qytet, gjegjësisht nga fshati Llojan ishte një renegat turk e më vonë  edhe serb, Arif Hiqmeti, të cilit çdo gjë i pengonte që ishte  në gjuhën shqipe  dhe punën e  mësuesit Anastas do ta ndjek si hije. Arif Hiqmeti para hyqymetit turk do të deklarojë se në Kumanovë ka “ ardhur një Gjahur e asht ba tebdil dhe miletit u mëson shkronja kaure”.

Shqiptarët e Maqedonisë që tani rrojnë në këtë republikë, si të gjithë shqiptarët kudo që jetonin të ndarë në vilajete apo banovina, si edhe shqiptarët e zonave të tjera, dhanë kontribut të madh për hapjen e shkollave, ruajtjen e gjuhës e të kulturës shqiptare, për ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe për të përballuar trysnitë shoviniste e asimiluese. 

Shkolla ishte gjuhë e gjuha shkollë. Andaj çmimi i sakrificës si kudo ishte tepër i madh. Me të drejtë mund të thuhet se nuk ka asnjë histori arsimore kombëtare në botë aq të përgjakur, siç është historia e arsimit dhe e shkollës shqipe. 

Filed Under: Histori

Faik Konica, një nga figurat më të ndritura të mendimit shqiptar

April 5, 2025 by s p

Arian Galdini/

Faik Konica është një nga figurat më të ndritura të mendimit shqiptar, një mendimtar, shkrimtar, publicist dhe diplomat që mbetet i pazëvendësueshëm në historinë e shqiptarizmit. Me një intelekt të thellë dhe një stil të rrallë artistik dhe analitik, Konica është jo vetëm një pararendës i shumë koncepteve moderne mbi shqiptarinë, por edhe një arkitekt i vizionit të një kombi që kërkonte të dalë nga errësira dhe fragmentimi. Kontributi i Faik Konicës për shqiptarizmin dhe, më tej, për doktrinën e Neoshqiptarizmit lidhet ngushtë me përpjekjen e tij për të kombinuar ndriçimin intelektual me një vizion praktik për zhvillimin kombëtar. Publicistika e tij është një pasqyrë e jashtëzakonshme e mendësisë shqiptare të kohës dhe një kritikë e paepur ndaj pengesave që kombi ynë ka hasur në rrugën drejt emancipimit dhe lartësimit. Faik Konica, që shpesh njihet si mendimtari që “zbuloi shqiptarët për shqiptarët,” e vendosi shqiptarizmën në një kornizë të re, duke e parë atë jo thjesht si një ndjenjë patriotike, por si një detyrë morale, intelektuale dhe kulturore.

Ai e kritikoi ashpër mungesën e organizimit, kaosin politik dhe mungesën e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, duke nxitur një vetëreflektim që synonte përmirësimin dhe përparimin.
Në një nga shkrimet e tij më të njohura, ai thekson: “Shqiptari është i zoti për gjithçka, por vetëm kur ta kuptojë se puna dhe ndershmëria janë burimi i lirisë dhe i zhvillimit.” Për Konicën, shqiptarizmi nuk ishte vetëm një ndjenjë dashurie për vendin, por një përpjekje për të ngritur një komb të ndriçuar që respektonte veten dhe të tjerët. Ai e shihte kombëtarizmin jo si një izolim, por si një përpjekje për të harmonizuar identitetin kombëtar me zhvillimin universal.

Konica është i njohur për kritikën e tij të hapur ndaj vetë shqiptarëve, një kritikë që nuk buronte nga përbuzja, por nga dashuria dhe dëshira për t’i parë ata të ngritur në lartësinë e
vlerave universale. Ai e identifikoi “Njeriun Shqiptar” të kohës si një njeri të mbërthyer nga provincializmi, padituria dhe mungesa e disiplinës, duke e krahasuar këtë situatë me një kohë të humbur që duhej riparuar me urgjencë.

Në një nga reflektimet e tij, ai shkruan:

“Shqiptarët kanë të gjithë dhuntitë e Perëndisë, por janë si një orkestër pa dirigjent, ku secili luan për hesap të vet.”
Konica e pa edukimin dhe kulturën si dirigjentin që i mungonte kombit shqiptar. Ai thoshte se pa kulturë dhe pa vetëdije të rrënjëve historike, shqiptarët do të mbeteshin gjithmonë në margjina të qytetërimit.

Faik Konica është një nga pararendësit më të spikatur të asaj që sot e quajmë Neoshqiptarizëm, një doktrinë që synon të ndërthurë identitetin kombëtar me modernitetin dhe progresin shoqëror. Në veprën e tij, ne gjejmë idenë e një Rinisjeje Kombëtare, që kërkon të rigjejë thelbin e vlerave shqiptare dhe t’ia përshtatë ato sfidave të kohës.

Ai theksonte se shqiptarët nuk mund të ndërtonin një komb të fortë pa një ndriçim intelektual dhe moral, dhe këtu qëndron thelbi i Neoshqiptarizmit. Kjo doktrinë, në vizionin e Konicës, kërkon të:

1. Ripërtërijë identitetin kombëtar, duke respektuar traditat, por duke mos u mbërthyer pas tyre.
2. Nxisë edukimin dhe kulturën si bazë të zhvillimit kombëtar.
3. Luftojë korrupsionin dhe mediokritetin politik, që ai i quante “gangrenat e kombit.”

Një nga aspektet më të rëndësishme të veprës së Faik Konicës është roli i tij si formues i një kulture kombëtare shqiptare, e cila nuk është thjesht një përmbledhje e zakoneve dhe traditave, por një ndërthurje e mendimit modern me rrënjët historike. Ai e shihte kulturën si një mjet për t’u çliruar nga komplekset dhe për t’u afirmuar në arenën ndërkombëtare. Në revistën e tij të famshme “Albania”, e cila shërbeu si një platformë për përhapjen e idesë së shqiptarizmit, Konica shkroi:

“Ne duhet të kuptojmë se kultura nuk është thjesht një pasqyrë e të shkuarës, por një dritë që na tregon rrugën drejt së ardhmes.”
Një nga temat më të përsëritura në publicistikën e Konicës është kritika e tij ndaj politikës së dobët dhe mungesës së lidershipit vizionar në Shqipëri. Ai paralajmëroi për rreziqet e politikës autoritare, korrupsionit dhe mungesës së meritokracisë, që ai i quante “vrasësit e shpirtit kombëtar.”

Në një shkrim të tij, ai shkruan:

“Një komb nuk mund të jetë i lirë nëse është i udhëhequr nga njerëz që nuk e kuptojnë as lirinë dhe as drejtësinë.”
Ky paralajmërim mbetet aktual edhe sot dhe është një nga shtyllat e Neoshqiptarizmit, i cila synon të ndërtojë një sistem politik të bazuar mbi vlera dhe integritet. Mendimi i Faik Konicës është i ndikuar nga filozofë të mëdhenj konservatorë si Edmund Burke, i cili theksonte rëndësinë e traditës dhe vazhdimësisë historike, dhe Matthew Arnold, që promovonte kulturën si një mjet për përmirësimin shoqëror. Ashtu si këta mendimtarë, Konica besonte se një komb i suksesshëm duhet të ndërtohet mbi bazën e një ekuilibri mes traditës dhe modernitetit.

Faik Konica mbetet një nga mendimtarët më të ndritur të kombit shqiptar. Trashëgimia e tij nuk qëndron vetëm në atë që ai ka shkruar, por edhe në frymëzimin që ai ofron për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë. Ai na mëson se shqiptarizmi nuk është vetëm një ndjenjë, por një angazhim për të ndriçuar veten dhe kombin.
Neoshqiptarizmi, si një doktrinë e bazuar mbi ndriçimin intelektual dhe moral, gjen në Faik Konicën një pararendës të jashtëzakonshëm. Përmes kritikave të tij të ashpra, vizionit të tij të qartë dhe përkushtimit të tij ndaj kombit, Konica mbetet një dritë udhëzuese për të gjithë ata që synojnë të lartësojnë shqiptarinë në lartësinë e vlerave universale.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT