• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2025

NEOSHQIPTARIZMI SI VIZION E MISION KOMBËTAR

May 10, 2025 by s p

Si ide e koncept neoshqiptarizmi  të shqiptarët është i njohur në mes dy luftërave botërore, ku personalitete të njohura  shqiptare të kohës kanë prezantuar pikëpamjet e tyre filozofike e sociologjike, që ishte në favor të mendimit politik dhe të identitetit kombëtar shqiptar. Në sajë të rrethanave shoqërore e politike pas shëmbjes së ideologjisë moniste në vendet e ish kampit socialist, shqiptarët kanë nevojë për neoshqiptarizmin sepse është  një thirrje për zgjim kombëtar, për rinisje dhe për ripërtëritje, duke qenë  vizion dhe mision për të tashmën dhe të ardhmën

Nail  Draga

Duke marrë parasysh se në kohën e monizmit në Shqipëri, autorët të cilët kanë trajtuar neoshqiptarizmin janë ekskomunikuar, por pas miratimit të pluralizmit nga viti 1990 e  më pas kjo çështje filloj të trajtohej nga një numër i kufizuar autorësh.  Pikërisht në lidhje me këtë çështje, kohë më parë Arian Galdini, opinionit i është paraqitur me botimin Neoshqiptarizmi, botuar nga Jozef në Durrës, 2025. 

Autori i librit çështjen e neoshqiptarizmit e trajton duke  analizuar një numër të konsideruar personalitetesh shqiptare, duke filluar me Sami Frashërin e përfunduar me Ismail Kadarenë.

Nuk ka dilemë se përfaqësuesit e Rilindjës  Kombëtare Shqiptare ishin ata të cilët kontribuan në ngritjen e vetëdijës e ndërgjegjës kombëtare shqiptare. Dhe në fillim autori  cekën Sami Frashërin, duke theksuar veprën e tij “Shqipëria çka qenë, ç është e  ç do të bëhët”, e cila ishte platforma politike kombëtare. Edhe personalitetet tjera të cilët  janë të prezantuar në këtë botim në forma të ndryshme kanë dhënë kontributin  e tyre  në lidhje me idenë dhe konceptin e neoshqiptarizmit. 

Në mes dy luftërave botërore, te ne shqiptarët koncepti i neoshqiptarizmit lidhet me emrat e nderuar si Branko Merxhani, Ismet Toto e Vangjel Koça. Por, duhet cekur se në atë kohë i veçantë ishte B.Merxhani me revistën “Përpjekja Shqiptare”, që ishte tribunë e mendimit shoqëror e intelektual, duke qenë model për kohën. Madje ky përmes konceptit të tij të neoshqiptarizmit kërkonte të ndërtonte një Shqipëri të bazuar mbi një elitë intelektuale dhe morale, duke përqafuar modernitetin pa humbur autencitetin kombëtar.

Komunvelti shqiptar

Por, nga kjo plejadë e personalitetesh, të prezantuara në këtë botim duke marrë parasysh se ka jetuar në kohën tonë, veçoj Arbën Xhaferin, i cili është prezantuar me konceptin    Komunveltit shqiptar. Në këtë aspekt ai ishte ideolog si rrallë kush  duke theksuar se në rrethanat aktuale shoqërore e politike, pas shëmbjes së ideologjisë moniste ne vendet e ish kampit socialist, shqiptarët duhet të formojnë   hapësirën e  përbashkët  politike, ekonomike e kulturore. Një platformë e tillë, meriton qasje të veçantë, e cila duhet të analizohet dhe të plotësohet sipas kërkesave të kohës, duke mbetur si koncepti ma i avancuar në aktualitetin gjeopolitik regjional e më gjerë. Nuk ka dilemë se për realizimin e një ideje të tillë, duhen kuadra të dëshmuara profesionale, guxim intelektual dhe vullnet politik, duke eliminuar paragjykimet dhe animozitetet personale e partiake. 

Doktrinë kombëtare

Trajtimi dhe mbeshtetja e neoshqiptarizmit  është obligim shoqëror dhe kombëtar duke dhënë shpjegimet e duhura, duke iu venë globalizmit dhe kosmopolitizmit. Një veprim i tillë nuk do të thot se ne nuk përfillin vlerat demokratike perëndimore, por në emër të modernitetit shoqëror nuk mund të humbin  vlerat identitetare, që është kundër identitetit kombëtar shqiptar. Neoshqiptarizmi, në këtë kontekst, bëhet jo vetëm  një doktrinë kombëtare, por edhe një model për të gjitha vendet që kërkojnë të ruajnë identitetin e tyre në një epokë të globalizmit dhe sfidave të mëdha globale. 

Neoshqiptarizmi shfaqet si një doktrinë që synon të ripërtërijë frymën kombëtare, duke u bazuar në vlerat më të mira të traditës shqiptare, familjen, meritokracinë dhe duke i harmonizuar ato me mendimin modern  konservator.

E kaluara si mësim 

Siç shkruante Burke, “një komb që nuk kujton të kaluarën e tij është i destinuar të mos këtë të ardhme”. Pikërisht, në këtë frymë, neoshqiptarzmi është një përpjekje për të kujtuar,  për të mësuar,  dhe për të ndërtuar. Neoshqiptarizmi  është një udhë që fton shqiptarët të lënë pas ndasitë dhe krizën e identitetit, për të ndërtuar një të ardhme të bazuar mbi vlerat më të mira të së shkuarës dhe potencialet më të mëdha të së ardhmes.

Neoshqiptarizmi kërkon të ringjallë shpirtin e shqiptarizmit, të ndërtojë një elitë të re mendimi dhe veprimi, duke u mbeshtetur në vlera, vizion e guxim. Më një fjalë neoshqiptarizmin duhet kuptuar si rinisje kombëtare, përkatësisht një përpjekje për të ringritur ndërgjegjën kombëtare shqiptare, që nderon të kaluarën, ndërton të tashmën  dhe përgatitë të ardhmën me guxim.

Leksion i obligueshëm shkollor

Duke marrë parasysh se nxënëseve  në shkollat fillore e të mesme,  iu mungon informacioni në lidhje me konceptin dhe semantikën e neoshqiptarizmit, mendoj se është e nevojshme që në programet mësimore shkollore(fillore e të mesme) neoshqiptarizmi  duhet të jetë njësi e veçantë mësimore e programeve mësimore shkollore. 

Eshtë obligim i institucionit  shtetëror që harton programet mësimore si në Tiranë e Prishtinë  që neoshqiptarizmi mos të anashkalohet por të jetë pjesë e programit mësimor, duke nxitur meditimin në favor të vlerës së identitteit kombëtar, si kudo në botën demokratike, sa më parë sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.. 

Vizion dhe mision kombëtar

Neoshqiptarizmi aspiron të jetë doktrina që udhëheq këtë mision, duke lidhur të shkuarën me të ardhmen, duke ndërtuar ura midis brezave dhe duke krijuar një frymë bashkëpunimi midis shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, luginë të Preshevës e diasporë. Përfundimisht neoshqiptarizmi është një thirrje për zgjim kombëtar, për rinisje dhe për ripërtëritje, është vizion, guxim  dhe mision për të tashmën dhe të ardhmën.

Arian  Galdini, NEOSHQIPTARIZMI,Botimet Jozef, Durrës, 2025

(Maj  2025)

C:\Users\123456\Desktop\download.jpg

Filed Under: Komente

Akademik Zymer Neziri është përzgjedhur anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave, Humanistikës dhe Letërsisë (Akademia Europaea)

May 10, 2025 by s p

Fitim Veliu/

Epikologu, studiuesi, teoricieni dhe kritiku letrar shqiptar Zymer Neziri, është përzgjedhur anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave, Humanistikës dhe Letërsisë (Akademia Europaea). Në këtë Akademi janë 88 fitues të Ҫmimit Nobel. Ky institucion shkencor ka një rol thelbësor dhe vendimmarrës në fushën e arsimit, shkencës, letërsisë, inovacionit në zhvillimin e shkencës evropiane. Academia Europaea (e formuar në vitin 1988) është akademi pan-evropiane e shkencës, e shkencave humane dhe e letrave, me një anëtarësim prej mbi 5500 studiuesish të shquar nga Evropa dhe vendet e ndryshme të botës, ndër ta janë 88 nobelistë. Ishte studiuesja Lea Ypi, e tash edhe Zymer Neziri, pra dy studiues shqiptarë në këtë akademi me famë botërore.

Neziri është anëtari i parë shqiptar në këtë Akademi, i cili përfaqëson folklorin, etnologjinë, epikologjinë dhe letërsinë shqiptare.

Biografia

Zymer U. Neziri, këshilltar shkencor dhe profesor i folkloristikës, u lind më 6 nëntor 1946, në Siparant (Zahaq) të Pejës, Kosovë. Ai është mbledhës dhe studiues i këngëve epike legjendare shqiptare, të njohura si Eposi i Kreshnikëve. Fokusi i tij kryesor akademik është trashëgimia kulturore. 

Sfondi personal dhe arsimor 

Z. U. Neziri e ka prejardhjen nga një familje e fshatit Shtupeq i Vogël, krahina e Rugovës. 

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, Siparant (Zahaq), dhe në Pejë, në vitin 1960. Edhe shkollën e mesme, gjimnazin,  e kreu në Pejë, në vitin 1964, kurse shkollën normale në Prishtinë, në vitin 1966. 

Studimet e larta i kreu në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren (1969) dhe pak më vonë kreu edhe studimet e shkallës së dytë në të njëjtën fushë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës (1971). 

Nga viti 1972 deri në vitin 1974 ndoqi studimet e shkallës së tretë në Degën e Letërsisë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Aty mbrojti magjistraturën në vitin 1979. Teza e tij ishte “Figura e krahasimit në këngët tona lirike të dashurisë”, e drejtuar nga akademik prof. dr. Rexhep Qosja. 

Pas shumë vitesh pengesa politike, mbrojti disertacionin e doktoratës “Poezia legjendare e Rugovës”, në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, në vitin 1995, me mentor akademikun prof. dr. Rexhep Qosja. 

Karriera akademike dhe profesionale 

Pas shpërbërjes së Federatës jugosllave, ai u lejua të kthehet në Institutin Albanologjik, në qershor 1992, duke rimarrë postin e mëparshëm si asistent shkencor (1971-1973) pas 19 vjetësh. 

Nga viti 1996 deri në vitin 2003 ka shërbyer si udhëheqës i Departamentit të Folklorit dhe ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të Institutit Albanologjik të Prishtinës (IAP). 

Nga viti 2006 deri në vitin 2013, ka qenë anëtar i redaksisë së revistës Gjurmime albanologjike, Folklor dhe Etnologji, ku më parë kishte shërbyer si sekretar shkencor nga viti 1972 deri në vitin 1973. 

Ka mbajtur këto tituj akademikë: bashkëpunëtor shkencor /asistent profesor (1996), bashkëpunëtor i lartë shkencor/ profesor i asociuar (2000), si dhe këshilltar shkencor/profesor i rregullt (që nga viti 2003). 

Mbledhja dhe kërkimi folklorik 

Që nga viti 1967, ai është aktivisht në mbledhjen e folklorit, me kontributet e tij të botuara në vëllime të shumta të IAP-it. Fokusi i tij kryesor kanë qenë këngët epike historike dhe legjendare. 

Ndërmjet viteve 1979 dhe 1988, ai mblodhi dhe regjistroi poezi epike legjendare në rajonin e Rugovës. Ai e vetëfinancoi këtë projekt, duke mbledhur 15 vëllime materiale, me mbi 100 000 vargje, që është një nga koleksionet më të mëdha arkivore të këngëve të Eposit të Kreshnikëve të fundit të shekullit të kaluar. Prej tyre janë botuar vetëm tre vëllime. 

Ai drejtoi një projekt të dytë (2012-2016), duke regjistruar edhe 15 vëllime shtesë të këngëve të Eposit të Kreshnikëve nga pesë vende të Ballkanit,  ku jetojnë shqiptarët: Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Ky projekt u financua nga Ministria e Arsimit (MASHT) dhe kishte për qëllim sigurimin e dëshmive për dosjen e UNESCO-s për Eposin e Kreshnikëve. Koleksioni, i përbërë nga mbi 100 000 vargje, është i arkivuar edhe në Ministrinë e Arsimit në Prishtinë dhe në Arkivin e Qendrës së Studimeve Albanoogjike (QSA) në Tiranë. 

Kërkime në arkiva ndërkombëtare 

Krahas kryerjes së një kërkimi të gjerë në arkivat e Tiranës, ka kryer vizita studimore në SHBA dhe Austri: 

Universiteti i Harvardit (shtator-tetor 2002 & shkurt 2007): Atje hulumtoi koleksionin e profesorit amerikan Milman Parry, i cili regjistroi këngë epike gojore shqiptare në vitet 1934-1935 në veri të Kosovës, Sanxhaku i Pazarit. Ai shqyrtoi gjithashtu koleksionin e ndihmësit të Parry-t, Albert Lord, i cili regjistroi rreh 20 000 vargje të Eposit të Kreshnikëve në Shqipërinë e Veriut, në vitin 1937.  

Vjenë (nëntor 2005): Si bursist i Ministrisë Federale Austriake të Arsimit, të Shkencës dhe të Kulturës, ai hulumtoi dorëshkrimet folklorike shqiptare të Maximilian Lambertz-it në Akademinë Austriake të Shkencave dhe në Bibliotekën Federale Austriake. 

Projektet dhe publikimet ndërkombëtare 

Ai bashkëdrejtoi një projekt ndërkombëtar në Harvard (2002) për përgatitjen e këngëve epike shqiptare të mbledhura nga Albert Lord, së bashku me profesorët David Elmer (Harvard), Nicola Scaldaferri (Universiteti i Milanos) dhe John Kosti (Universiteti i Teksasit në Austin). 

Kontribues në antologjinë Ëild Songs, Sëeet Songs: The Albanian Epic in the Collections of Milman Parry and Albert B. Lord (Universiteti i Harvardit, 2021, ISBN 978-0-674-27133-3).

Pozicionet aktuale dhe të mëparshme, disa sosh: 

Udhëheqës: Dega e Folklorit e Institutit Albanologjik të Prishtinës, 1996-2003.

Anëtar: Këshilli Drejtues i Institutit Albanologjik të Prishtinës, 1996-2003.

Anëtar: Senati i Universitetit të Prishtinës, 1997-2001. 

Anëtar: Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, 2009-2012.

Udhëheqës: Komisioni i Kosovës për përgatitjen e propozimit për Eposin e Kreshnikëve për UNESCO, 2010-2012.

Çmime dhe mirënjohje

Në vitin 2009 është fitues i çmimit Pjeter Bogdani (2009), për tekst shkencor, nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, për veprën Studime të Folklorit, II, Prishtinë. 

Në vitin 2012 është fitues i Medaljes së Artë, për punë kërkimore-shkencore, nga Instituti Biografik Amerikan, Karolina e Veriut, SHBA.

Në vitin 2014 është nderuar si Qytetar Nderi i Bajram Currit për kontributin e tij në përpjekjet kulturore dhe akademike.

Në vitin 2016 ka qenë fitues i çmimit ndërkombëtar Mendim Special, nga Europa Nostra, për punë kërkimore-shkencore, Madrid, Spanjë.

Filed Under: Reportazh

1922 / LETRA E BEQIR HAÇIT, QË FITOI ÇMIMIN E PARË, DREJTUAR TË RINJVE AMERIKANË TË KRYQIT TË KUQ

May 10, 2025 by s p


Burimi : Junior Red Cross News, shtator 1922, faqe n°16
Burimi : Junior Red Cross News, shtator 1922, faqe n°16

Nga Aurenc Bebja*, Francë –  10 Maj 2025

Kur arsimtari, përkthyesi dhe poeti Beqir Haçi (1907 – 1990) shkruajti letrën në vijim, sigurisht që nuk e dinte për fatin tragjik që do t’i rezervohej vite më vonë nga regjimi komunist. Revista amerikane “Junior Red Cross News” botoi në shtator të 1922, në faqen n°16, letrën e tij kur ai ishte një djalosh 14 vjeçar, përmbajtjen e të cilës, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Burimi : Junior Red Cross News, shtator 1922, faqe n°16
Burimi : Junior Red Cross News, shtator 1922, faqe n°16

Të dashur të Rinj,

Jo shumë kohë më parë, në vendin e vogël malor të Shqipërisë ishte një festë kombëtare, kur në Tiranë u hapën punimet për ndërtimin e një ndërtese të përhershme për Shkollën Profesionale Shqiptare (Albanian Vocational School) – një shkollë e bërë e mundur falë ndihmës së dhënë nga Kryqi i Kuq Amerikan për të Rinj. Kryeministri dhe zyrtarë të tjerë të Kabinetit ishin të pranishëm, si dhe diplomatë të vendeve të huaja, sepse ishte një rast i rëndësishëm. Shqipëria ishte e shtypur nga turqit për 500 vjet para Luftës Botërore dhe i ishte mohuar shkolla e saj. Të shpërndarë nëpër male në fise, këta pasardhës të ilirëve të lashtë jetonin me pushkë dhe pistoleta gjithmonë pranë dhe shpesh luftonin mes tyre… Këtu filloi shkolla profesionale e Shqipërisë. Grupi muzikor amerikan, nga Worcester, Massachusetts, ishte i pranishëm dhe gjallëroi ceremoninë.

Shkolla Profesionale Shqiptare, në një godinë të përkohshme, ka rreth një vit që ekziston, me amerikanë të aftë që ju përfaqësojnë ju, Të Rinj, në krye të saj. Gjashtëdhjetë e katër djemtë që ndjekin këtë shkollë erdhën nga tetë krahina të Shqipërisë, janë anëtarë të fiseve të ndryshme dhe po mësojnë idealet e shërbimit dhe vullnetit të mirë që janë më të lartat në mendjet e Të Rinjve të vërtetë. Kur të largohen nga kjo shkollë, ata do të jenë të përgatitur t’i shërbejnë vendit të tyre si mësues dhe udhëheqës mendimi. Tetë prej tyre janë paraqitur në këtë faqe. Pas tyre do të shihni flamujt e Shteteve të Bashkuara dhe të Shqipërisë duke u valëvitur së bashku.

Në mbyllje të semestrit të parë, djemtë shkruan ese rreth shkollës. Për këto ese u ndanë pesë çmime, të cilat janë në formën e letrave drejtuar Të Rinjve amerikanë. Beqir Haçi quhet djali që fitoi çmimin e parë dhe letra e tij dëshmon për vlerën e madhe të këtij lloji të punës së Të Rinjve.

“Të dashur të Rinj”, shkruan Beqiri në anglisht, “unë jam një djalë shqiptar katërmbëdhjetë vjeç. Shqipëria, siç mund ta dini, është një shtet i vogël i vendodhur në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Populli i këtij shteti, megjithëse pak i njohur, vjen nga një racë shumë e vjetër. Shumë shkrimtarë të mëdhenj thonë se ky popull është më i vjetri në Gadishullin Ballkanik. Arsyeja pse Shqipëria është kaq e prapambetur është se fqinjët e saj nuk e kanë lënë kurrë të qetë, por gjithmonë janë përpjekur ta zotërojnë atë. Me shumë thirrje drejtuar shteteve më të mëdha të Evropës, me luftëra dhe me revolucione, Shqipëria fitoi pavarësinë e saj. Duke qenë e shkatërruar dhe e zotëruar nga të huajt për shumë vite, ajo u bë e varfër. Ajo i thirri të gjithë botës për ndihmë, por askush nuk tregoi mëshirë përveç fëmijëve të kujdesshëm përtej Atlantikut.”

I gjithë populli shqiptar, burra dhe gra, djem dhe vajza, janë shumë mirënjohës ndaj jush, Junior-ë — Nxënës të mirë. Për mirësinë e madhe që po u tregoni njerëzve të tyre, fushat, pyjet, malet, liqenet dhe lumenjtë e Shqipërisë duket se janë të lumtur. E gjithë Shqipëria po falënderon Zotin për të mirat që u keni dhënë juve, Të Rinj. Të gjithë e shohin se nga Shkolla Profesionale Shqiptare, e cila mbështetet falë ndihmës tuaj, do të dalin djem me arsim të mirë, të ditur dhe të aftë për të zbuluar dhe zhvilluar pasurinë e vendit, e cila tani është e fshehur. Do të dalin djem që do të qëndrojnë larg gënjeshtrës dhe vjedhjes, që do të dinë dhe do të bëjnë vetëm të drejtën.* * * E falënderoj Zotin që kam pasur fatin e mirë të vij në këtë shkollë. Mësoj shumë gjëra të mëdha dhe të dobishme. Në nëntë muaj kam mësuar ta përdor anglishten pothuajse aq mirë sa gjuhën time.”

Beqiri përshkruan atë që ka mësuar në matematikë, vizatim mekanik, fizikë dhe gjeografi dhe vazhdon :

“Gjërat më të mira që kam mësuar janë si ta mbaj veten të pastër, si të sillem, si të jem mik me të gjithë dhe si t’i respektoj prindërit dhe mësuesit e mi. Kam mësuar gjithashtu disa nga lojërat tuaja, si bejsbollin dhe basketbollin. * * * Kur erdha këtu peshoja 37 kilogramë. Tani peshoj 44.

Shpresojmë që një ditë të jemi në gjendje t’jua shpërblejmë bujarinë. Me këtë ndihmë, jini të sigurt, fëmijë të dashur, se do të bëhemi një popull i ri, i frymëzuar nga idealet e “Shërbimit dhe Miqësisë”, për pjesën tjetër të botës. E mbyll letrën time duke shpresuar se do të na përgjigjeni shpejt dhe se do të na falni për gabimet tona.

Me dashuri për të gjithë anëtarët e Kryqit të Kuq për të Rinj.”

Pra, kjo është në të vërtetë “Letra e Beqir Haçit për ju” dhe jo e redaktorit ! Dhe Beqiri flet për veten e tij, për gjashtëdhjetë e tre shokët e tij nxënës, për të gjithë shqiptarët dhe për të gjithë kauzën e Kryqit të Kuq për të Rinj.

Austin Cunningham

Filed Under: Histori

Vatra kërkon drejtësi për “Kumanovën”

May 9, 2025 by s p

Sot është dhjetëvjetori i ngjarjeve në Lagjen e Trimave në Kumanovë. Shumëçka në atë ngjarje ishte dhe ka ngelur ende e pa sqaruar. Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA” kërkon hetim të pavarur ndërkombëtar për të zbardhur të vërtetën. 

VATRA po ashtu kërkon drejtësi për shqiptarët e grupit të Kumanovës që po mbahen në burgjet e Maqedonisë së Veriut. Po ashtu jemi shumë të shqetësuar për trajtimin dhe gjendjen e tyre në burg. Familjarët e të burgosurve na informojnë për keqtrajtime e sjellje jo njerëzore që ushtrohen ndaj këtyre të burgosurve. 

VATRA tërheq vëmendjen që Republika e Maqedonisë së Veriut, si vend anëtar i NATO-së dhe kandidat për BE, është e detyruar që të zbatojë standartet më të larta të trajtimit njerëzor dhe të dinjitetshëm të të burgosurve konformë Konventave Ndërkombëtare dhe legjislacionit në fuqi. Këtë shqetësim të bazuar, VATRA do ta prezantojë deri në nivelet më të larta të shtetit amerikan. Njëherësh i bëjmë thirrje qeverive në Prishtinë dhe në Tiranë që të përdorin ndikimin e tyre në favor të trajtimit njerëzor të këtyre të burgosurve shqiptarë.

Filed Under: Opinion

𝟗 𝐌𝐀𝐉𝐈 – 𝐃𝐈𝐓𝐀 𝐄 𝐄𝐕𝐑𝐎𝐏𝐄̈𝐒

May 9, 2025 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Emri Evropë buron nga greqishtja e lashtë, një kombinim i fjalës “eurys” që do të thotë “i gjerë” dhe “ops” që do të thotë “pamje” ose “sy”, duke arritur te fjala “pamje e gjerë” si një përshkrim i vijës bregdetare të gjerë të Evropës, parë nga marinarët në bordin e anijeve.

Shqiptarët, edhe pse gjeografikisht dhe me identitet, mendje dhe zemër evropiane, ndër shekuj e kanë parë Evropën si një horizont të largët nga bordi i një anije të vetmuar, ndërkohë që Evropa është shtëpia e tyre.

Sot, në Ditën e Evropës, kujtojmë se Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë të kthehen në shtëpi e të jetojnë si të barabartë e me dinjitetin që u takon si evropianë autoktonë, me të drejta të merituara e të lindura, sepse Shqipëria është Evropë dhe një gur i çmuar në kurorën historike, kulturore e të rrallë të kontinentit të vjetër.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT