• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2025

KRYETIPIKA E NJË KRYEKRENARIE  KOMBËTARE

May 7, 2025 by s p

C:\Documents and Settings\alb\Desktop\arbeni perkrenarja e Sklenderbeut.jpg

NË KUADRIN E 6 MAJIT, 620 VJETORIT TE DITËLINDJES SË HEROIT KOMBËTAR, GJERGJ KASTRIOT SKËNDERBEUT 

Hyrësi në “odë” C:\Documents and Settings\alb\Desktop\kristaq shabani.jpg

Nga  Prof. Kristaq F. Shabani IWA, poet, shkrimtar, studiues, estet  

President i LNPSHA “PEGASI” ALBANIA

Objektivi ynë i kësaj sipërmarrje shkrimore është : “Të  japim një kontribut, sado të vogël, në njohjen sipërmastive të Kryefigurës më të ndritur të Kombit Shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeut”.C:\Documents and Settings\alb\Desktop\fotoperlibrin eskenderbeut\Skenderb.jpg

Le të nisemi në këtë mision historik dhe inteligjent kreativ….  

Shpesh, në “turet”  “anti” vërehen antimendime të mbarsura keqas, të cilët kërkojnë të shpleksin me trill dhe pa bazim një epokë të lavdishme të Kombit shqiptar, triumfin e një Strategu dhe Prijësi të pazakontë, sikundërse është Kryeheroi i Shqiptarëve,  Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Hero Kombëtar i Shqiptarëve (1405-17 janar 1468).

Kush ishte ky gjigant i mendimit, drejtimit, i lartësisë drejtuese në pozicione strategu, madje dhe “kodifikues” i një Arti Ushtarak triumfues  në periudhën, kur jetoi dhe tregoi supermaci shumëplanshe dhe shumëdimensionale… KRYENJERIU i  Aktit më madhor të mbrojtjes së Kombit të tij, personifikues  i një epoke të ndritur të Historisë së një Kombi, nga më të lashtët e Evropës. Vetë kjo epokë shqiptare mori emrin e këtij njeriu personifikues i gjithëmirësisë, gjithëhirësisë dhe mbrojtjes së Identitetit, njeriu, i cili ndali vërshimin e falangave të Perandorisë Osmane për të zgjeruar hapësirën e saj të shtrirjes gllabëruese oreksive. Kyetendenca  e Perandorive kjo është: kënaqësia “kreative” e rritjes në dëm të Kombeve dhe keqsjellja arbitrare ndaj tyre deri nënshtrim, masakrim, gijotinë, ndalje të mendimit dhe të prosperitetit, përbaltjes së gjuhës,  qëndrim i shfrenuar ndaj zakoneve, traditave të  të shtypurve, eliminime të pozitivitetit, nëpërmjet shtrëngimit të ganxhave, sjellja e errësirës totale  dhe kultivimi i injorancës, mediokritetit, eliminim total i gjithçkaje të mirë dhe lakimi i emrit në të gjitha rasat: Komb i nënshtruar…. Pra një proces tërësor eunuk, memecor…

Skënderbeu ( 6 maj 1405 – 17 janar 1468)  përballoi me shumë aftësi egërsinë e Perandorisë Osmane, ia fashiti sulmet dhe kundërsulmet e saj  për një çerekshekulli, por, ai me madhështinë e tij të katërcipëtreguar e motivoi shekullin epokor me emrin e tij  (fundi i shek. XIV – fillimi i shek. XVI).  

Kjo epokë realizoi: 

Së pari, Organizimin më të lartë për mbrojtje trojesh, të lirisë, të pronës…

Së dyti, nën drejtimin e tij u krijua, u organizua dhe funksionoi  shteti shqiptar, duke krijuar një shtet tipik karakterizues nga aftësia për t’u përballur  dhe madje dhe për të triumfuar…

Së treti, ky organizim politik dhe ushtarak forcoi vetëdijen kombëtare dhe gjithashtu rriti e nxiti bashkimin e trojeve, tejforcoi aftësinë për të mbrojtur veten dhe vetveten.

Së katërti, në sajë të aftësisë së Skënderbeut,  u manifestua uniteti përbashkues, duke shmangur separatizmin  dhe bashkimi solli frytet e tij të padiskutueshme.C:\Documents and Settings\alb\Desktop\SKENDERKOHA MBAN MEND\iBeselidhja e Lexhesmages.jpg

Së pesti, u përbashkuan shtresa të ndryshme të popullatës me një objektiv të vetëm  dhe rreth një strategu shumë të besueshëm, duke treguar  atë të vërtetë të madhe se, edhe një komb i vetëm, në se formon fizionominë e tij shumëplanshe triumfon në aspirate.

Së gjashti, figura e Skënderbeut  është një figurë  rrallësore, ku një figurë e tillë  bëhet shprehje aspirate e konkretizuar dhe kjo e shndërroi atë në një simbol të bashkimit dhe të realizimit të objektivit madhor…

Së shtati, deshëm të evidentonim atë fjalë me peshë të madhe që kualiteti, cilësia, në rastin e Skënderbeut, veprimeve të tij tërësore luftarake, në kohën që jetoi, mposhti sasinë, pasi i mëshoi fort kualitivitetit…

Së teti, vetë Skënderbeu ishte figurë e shquar, pjesë e elitës të Kohës së Kombit, figurë e besueshme, i cili drejtoi frontin e kundërveprimit ndaj një Perandorie të Madhe  dhe tregoi se, vetëm një figurë elitare mund të realizojë një përndritje të tillë. Krijoi, pra, një front të madh të përballjes  dhe kjo ndikoi fuqimisht edhe te Kombet e tjerë.

Interesat e shtresave shoqërore, mbrojtja e këtyre interesave  të gjithë shtresave, konsakron bashkim – unitetin dhe drejtimin nga figura elitare…

Kuptesa e mirëfilltë e detyrës imperative të Kohës  ishte  një nga kryepikat e fortësisë së Skënderbeut …

Së nënti: Skënderbeu ishte një njohës i shkëqyer i botëkuptimit, traditës, i shpirti të protestës, revoltës shqiptare, të cilën e shfrytëzoi në interes të plotimit të platformës së tij, por nga ana tjetër,  ai ishte, po  një njohës i tillë,  i thellë, i organizimit të ushtrisë osmane, me që kishte qenë  në përbërje të saj dhe kishte treguar kryeaftësitë në këtë drejtim. Pra, zbatohej efektshëm ai kryeparim i njohjes së kundërshtarit, në kompleksitetin e vet. C:\Documents and Settings\alb\Desktop\Skenderbeu-1-e1516303460443-780x439.jpg

Këto krijonin fizionominë e një personaliteti, i cili i studioi të gjitha cilësitë, avantazhet dhe  dobësitë e forcave të tij  si dhe të  kundërshtarit, por,  në këtë përballje, hyri me një disiplinë shkencore për kohën, pasi gjithçka shkoi në përvijimin e pozitivitetit .

Së dhjeti,  ndërtimi i filozofisë së triumfimit u bazua në një platformë morale ushtarake reale. Skënderbeu e rroku mjaft mirë kuptimësinë : Përballja e një pushtuesi të egër, të fuqishëm, i modernizuar me pajisjet më të avancuara të kohës  dhe me precipitimin e ushtrisë më të shumtë në numër,  sikundërse  ishte Perandoria Osmane, kombasit e tij s’ mund të arrinin fitoren, pa ezauruar copëtimin e theksuar  politik të vendit në një varg zotërimesh të palidhura, pa një bazë organizative të qëndrueshme, pa bashkërendimin e mjeteve dhe të burimeve njerëzore, ekonomike, ushtarake e materiale, pa bashkërendimin e të gjitha veprimeve, të cilat zhvilloheshin në rrafsh të brendshëm  të këtyre me veprimet e ndërmarra në rrafsh ndërkombëtar.

Së njëmbëdhjeti, Gjergj Kastriot Skënderbeu, si rrjedhojë e kësaj supermacie mendimore, intelektive, intuitative,  në të gjithë vepimtarinë e tij, u kthye në atributet e një burri shteti  dhe një  strategu të shquar ushtarak.

Skënderbeu ishte një udhëheqës dhe një strateg i shquar, por edhe një politikan  niveli. Kjo u tregua në aktin madhor të themelimit të  Besëlidhjes së Lezhës, një besëlidhje, aspiratë materializuese, një akt që ndodhte për herë të parë në historinë shqiptare për bashkim tërësor politik, ndryshim konceptual. 

Besëlidhja  shqiptare ishte kryepika kyçe  në krijimin e kësaj aleance  të madhe vullnetare, e cila krijonte një mentalitet të ri në krijim e aleancës dhe të përballjes. Kjo solli, më vonë,  krijimin e një shteti  të fortë, të një pushteti po  të fortë të përqëndruar te një udhëheqës dhe strateg i shquar, i shndërruar në burrë shteti, si Skënderbeu, duke u konkretizuar si një themelues i shtetit të pavarur  shqiptar.   

 (Ekzistenca e mendimeve regresive  të disa historianucëve apo politikukëve,  se shqiptarët nuk krijojnë dot shtet, fashitet nga ky krijim, kryeshembull dhe nga  kryeveprime të tjera, para dhe pas këtij akti).

Së dymbëdhjeti, krijimi i këtij shteti solli lindjen imediate të interesit në krijimin dhe forcimin e kujdesit  për ruajtjen e burimeve të brendshme ekonomike, për të mbështetur luftën. Ndërkaq, u morën masa të forta për mbrojtjen  e brezit kufitar në lindje dhe në jug  të viseve të lira, në organizimin e një vrojtimi të organizuar, të kundrimit të lëvizjeve të kundërshtarit. Kjo realizoi dhe dhënien e parësisë   të krijimit të mundësisë  për zhvillimin ekonomik e tregtar si dhe rritjen e eksportit  të drithërave dhe prodhimeve  të tjera nga qendra portuale të Adriatikut. 

Së trembëdhjeti, Skënderbeu, me vizionin e tij, i dha rëndësi dhe tregimit të kujdesit për shqiptarët, të cilët ndodheshin në zonën pushtuese, lidhjes  dhe bashkërendimit me ta, duke hedhur hapa konsoliduese në të mirë përbashkuese të Kombit. Vetëkuptohet,  që kjo tendencë gjithmonë në rritje, rriste shkallën e agravimit të kundërshtarit, pushtuesit, si dhe “minimin” e veprimtarive të tij në vende të pushtuara, duke sjellë dobësim gjithëkahësh. Kjo i shërbente, midis të tjerave dhe bashkimit shpirtëror të shqiptarëve, konsolidimin e aktit të nisur në Besëlidhjen e Lezhës… Kjo i shërbeu, gjithashtu, dhe rritjes së informimit  dhe në kontekstin ushtarak, veprimit të fuqishëm në prapavija të armikut.

Së katërmbëdhjeti, figura e Skënderbeut, duhet lexuar e shpjeguar mirë në kontekstin fetar. Kohët e fundit, disa gjoja historianë, apo përfaqësues të fesë, duke u nisur nga interesat e tyre, ngrejnë akuza të pabazuara, meqë Skënderbeu ishte një njeri i besimit  katolik, gjoja  ishte kundër myslimanizmit.  Por, nuk duhet harruar kurrë se, ai, si rrjedhojë  e asaj që, një pjesë të jetës së tij, sidomos rininë, e kaloi në  gjirin e fesë myslimane, në një vend si Turqia, që nuk mund të flitet për tolerancë fetare, nuk mund të kishte mentalitet të tillë.  Kjo  është e vërteta historike, e cila ka vetëm shembuj të saj   në një “minimum” , për të mos u marrë në konsideratë. Skënderbeu, falë vizionit të tij, njohjes së dy feve predominuese, e përdori këtë presencë të besimeve fetare,  në bashkimin e njerëzve me  fe të ndryshme, duke spikatur në tolerancën fetare, e cila  mbizotëron edhe në shekujt e sotëm të moderuar. Pa asnjë paragjykim, ai qëndroi mbi besimet dhe dallimet fetare… Ky respektim shërbeu për bashkim total të shqiptarëve dhe edukimin e tyre me ndjesi të tjera e mentalitet të ri.

Bashkimi shpirtëror i shqiptarëve, në këtë shekull, arriti në përmasat e një kulmi… 

Së pesëmbëdhjeti, edhe në planin ndërkombëtar, Skënderbeu  spikati. Parësi i dha bashkëpunimit, sigurimit të aleatëve, aleancave dhe bashkëpunimit koherent të përhershëm, por edhe të përkohshëm pozicional, situatave dhe ngarkesave operacionale,  me qëllimin dhe objektivin e vetëm:  përballimin e agresionit osman. Kjo shërbente edhe në kahjen e mbrojtjes së shpinës, sigurisë së tyre kombinative, por  ai i kushtoi rëndësi dhe vigjilencës, marrjes së informatës dhe vlerësimit me bindje të situatave dhe raporteve të krijuara. 

Së gjashtëmbëdhjeti, Skënderbeu spikat dhe është një kryeshembull strategu në atë çka përpunoi  dhe triumfoi në betejat  e tij historike dhe triumfuese në një çerekshekull të ndritur të Historisë së popullit shqiptar. Në kushtet e një disproporcioni të madh të kontestit numerik, ai përpunoi me shkathtësi mendjeje dhe  e aplikoi edhe me shkathtësi  lëvizjeje atë STRATEGJI DHE TAKTIKË TË TIJ TË PËRPUNUAR, E CILA, ME DINAMIZMIN E SAJ TEORIK DHE PRAKTIK, ËSHTË VLERËSUAR NGA ORGANIZMA TË  PËRPUNIMIT TË MENDIMIT  STRATEGJIK NË BOTË… 

Strategjia dhe taktika e Skënderbeut: “Kush nuk është në gjendje ta mundë armikun me një ushtri prej 8 deri 12 mijë vetash, nuk do të mund ta bënte këtë edhe me një ushtri shumë më të madhe”.
Çfarë “parabolë” është kjo! Brenda saj ka shumë elementë dhe faktorë fitues nxitës .

*

Tashmë, sidomos ne, që kemi përfunduar dhe shkolla të kualifikuara ushtarake, e njohim më së miri Strategjinë dhe Taktikën Skënderbejane, por për interes të lexuesve, studiuesve dhe  dhe zgjerimit të njohurive të të paditurve, ose atyre që flasin  në “kotje”, për të minimizuar  mosnjohjen dhe për të forcuar njohjen sa duhet dhe si duhet, të kësaj  Strategjie dhe Taktike, po rreshtojmë disa parime, elementë nga më kryesorët:Metoda të luftës të përdorura nga Skënderbeu

*Epërsisë së theksuar  të kundërshtarit me luftëtarë dhe armatime  bëji ballë dhe mposhte me  qëndrim në kushtrim të përhershëm, duke e shqetësuar dhe acaruar me sulme të karakterit të vogël, në shumë pika, duke siguruar një të papritur, beftësi në goditje  për sigurimin e  rënies së moralit të tij. 

*Prerja e rrugëve të furnizimit, futja e reparteve furnizuese në kurthe, gracka, duke shfrytëzuar elementët e relievit tonë fantastik, krijimi  i predominancës për t’i goditur me sulme të fuqishme, të befasishme, me objektiv: shkatërrim total.

*Parimi i  strategjisë së mbrojtjes aktive, sipas parimit “kancelar”: “Mbrohu duke sulmuar”. 

*Mjeshtëria kombinative e ndërthurjes të betejave, operacioneve të mëdha  taktiko-strategjike me tërheqje të paramenduara   dhe të kombinuar me sulme, me pusi e befasi të shumëllojshme  të luftës guerile. C:\Documents and Settings\alb\Desktop\SKENDERKOHA MBAN MEND\Beteja e Torviollit.jpg

*E rëndësishme ishte përgatitja dhe “specializimi” i luftëtarëve për të kryer me shkathtësi të gjitha veprimet  që nga më të voglat e deri në përballje në fushën e betejës në pozitivitet. 

*Në ndryshim nga ushtritë mercenare të armatosura me armatim të rëndë të kohës  të Mbretërve dhe Princave, Sulltanëve të kohës, mbështetja mbi një ushtri me organogramë cilësore  të armatosur lehtë; e karakterizuar nga një lëvizshmëri e madhe dhe  me aftësi të lartë goditëse, e formuar kryesisht nga vullnetarë me  gatishmëri luftarake e shpirt vetëmohimi. 

*Një nga karakteristikat tipike të Skënderbeut ishte se ai vetë luftonte i pangarkuar me armatime të rënda e me krah të shpërvjelur, si një ushtar i zakonshëm. Në betejë ai ishte shembull frymëzimi  dhe nxitje  për luftatarët e tij, duke treguar, në të njëjtën kohë,  forcën e një komandanti të  talentuar dhe të një ushtari të  guximshëm.

Ky realitet ngriti  dhe forcoi, edukoi ndjenjën e fitores. 

*Epërsi e tij ishte njohja emër për emër e ushtarëve të tij  në fushën e betejës, e cila sillte rritjen e emocionit dhe përkushtimit  për të arritur objektivin…Ndaj, për të realizuar këtë të vërtetë të njohjes, procesit të njohjes racionale, duke qenë shumë i thjeshtë  edhe në jetën e përditshme, Skënderbeu ishte i thjeshtë dhe kohën e kalonte kryesisht me bashkëluftëtarët e tij, duke bërë jetë luftëtari.C:\Documents and Settings\alb\Desktop\SKENDERKOHA MBAN MEND\Beteja e Albulenes pervizi.jpg

Duhet theksuar se, këto parime  kanë qenë bazë edhe në konceptimin e Artit Ushtarak gjatë sistemit monoide dhe u realizuan me strukturat ushtarake të Ushtrisë Shqiptare,  gjatë gjithë këtij sistemi.

Si rrjedhojë e këtyre tipikave, që përbëjnë një kryetipikë të madhe, Skënderbeu, gjatë gjithë kohës,  gëzoi respekt të padiskutueshëm nga bashkëkohësit e vet, jo vetëm, kur ishte fizikisht, por edhe pas  vdekjes së tij, që ishte vdekje e një Titani  të madh dhe të respektuar nga të gjithë.

Natyrisht, një kryefigurë e tillë mbetet në kujtesën, jo vetëm të Kombit të vet, pasi ai ishte projektuesi dhe triumfatori i kësaj epoke çerekshekullore, e cila mahniti kancelaritë e kohës dhe vetë Perandorinë Osmane… ,por mbeti  dhe në kujtesën e kundërshtarëve të tij.

Skënderbeu është vetë ai që  thelloi  kodin e bukur të trimërisë, heroizmit, guximit dhe të krenarisë shqiptare, që, me profilin e tij, i tregoi Botës mbarë se çfarë është i zoti të bëjë një Udhëheqës dhe një Strateg për Kombin e tij , por edhe për të tjerët. 

Portretizimi i tij mbeti i gjallë në kujtesën e një Kombi dhe u përcoll, u viganizua me të, u përcollën bëmat e tij në breza për habitjen që shkaktuan fitoret e tij legjendë. Shqiptarët i thurën kësaj kryefigure këngë, gojëdhëna, ese  e tjera.

Me të drejtë populli ynë dhe ne të gjithë krenohemi me Heroin tonë Kombëtar, por ai është bërë objekt studimi i shumë personaliteteve në botë, të cilët kanë studiuar shkollën e tij të artit. Kryenjeri, që i kaloi kufijtë e vendit të tij, të Ballkanit dhe të Evropës… Këtë e tregon literatura e shumtë, shumëplanshe që ekziston sot për këtë figurë madhore. Madje, ai është përdorur dhe si idol për mobilizimin e popujve për të kundërshtuar Mbretërirë, Perandoritë, Tiranitë  dhe Tiranët, Diktaturat dhe Diktatorët, Dhunën, Eliminimin,  ndaj dhe shkrimtarët, historianët, poetët, politologët  në botë, e kanë objekt të veprave të tyre.  I kristalizuar, si një figurë me përmasa gjigante,  ai sot është prezent me Kryeveprën e Tij, me   buste, shtatore, relieve, në shumë vende të Evropës. 

Në këtë drejtim, ne kemi një krenari të pamatë që respektohet  Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, një figurë komplekse e paarritshme  për kohën që jetoi dhe që epokoi. 

Ndaj LNPSHA, në vitin e shpallur “ VITI I SKËNDERBEUT”, ndërmorëm një sërë veprimtarish akademike, letrare, kulturore, artistike, shfaqje të poemës dramatike “ Gjergj Kastrioti Skënderbeu” të regjisorit, aktorit  Xhevat Limani, i cili ndërmori një inkursion domethënës, në këtë vit,  në Shqipëri, Ballkan, Evropë dhe Botë (Teatri Shqiptar në Amerikë) ; veprimtari   filmike, botuese, hapje ekspozitash,manifestime    e tjerë, të cilat i shpalosim në veprën “KOHA MBAN MEND”. 

C:\Documents and Settings\alb\Desktop\arbeni perkrenarja e Sklenderbeut.jpg

Përkrenarja e  Skënderbeut , 

 pikturë nga piktori Arben Kristani

Filed Under: Histori

6 Maj 1999: Në Kosovë forcat serbe vrasin Akademik Fehmi Aganin

May 6, 2025 by s p

-Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me një dekret të veçantë ka dekoruar bashkëpunëtorin më të afërt Akademik Fehmi Aganin me Urdhrin Hero i Kosovës, për Vepra Trimërie për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË,  6 Maj 2025/  Në Kosovë para  26 viteve, në 6 Maj 1999, Akademik Fehmi Agani u rrëmbye e vra nga forcat okupatore serbe derisa po udhëtonte drejt Maqedonisë mes shqiptarëve të dëbuar nga vatrat e veta.

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me një dekret të veçantë ka dekoruar bashkëpunëtorin më të afërt Akademik Fehmi Aganin me Urdhrin Hero i Kosovës, për Vepra Trimërie për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.

Duke e shpallur këtë vendim në 6 Maj 2004, Presidenti Rugova theksonte se, “së bashku me Profesor Aganin i vendosëm themelet e shtetit të pavarur të Kosovës dhe funksionimin e tij”.

Serbia – agresioni dhe  agresori nuk duhet shpërblyer, theksonte Akademik Fehmi Agani në deklaratën botuar në gazetën e rezistencës, të lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, “Bujku”, në 26 Shtator 1994, ku është botuar edhe intervista e parë ekskluzive, që kam zhvilluar për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë me Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, me titull “Politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

 “Agresori nuk duhet shpërblyer” është titulli në faqen e parë të gazetës, ku shkruaja se, i pyetur lidhur me qëndrimin rreth vendimit të Këshillit të Sugurimit për zbutjen e sanksioneve ndaj Serbisë e Malit të Zi, nënkryetari i LDK-së Dr. Fehmi Agani deklaronte:

 Edhe pse përkrahim të gjitha përpjekjet për arritjen sa më të shpejtë të një marrëveshje për Bosnjën në bazë të propozimit të Grupit të Kontaktit, megjithatë lajmi për zbutjen e sanksioneve ndaj Serbisë, edhe pse është fjala për një zbutje të përkohshme e të kufizuar, në Kosovë nuk është për t’iu gëzuar.

Pikërisht, në kohën kur Serbia po pret zbutjen e sanksioneve ndaj saj, në Kosovë me brutalitet po zbaton sanksionet që ajo u imponoi Kosovës dhe shqiptarëve.

Megjithatë, shpresojmë se, siç është deklaruar shpesh nga instanca të ndryshme ndërkombëtare, sanksionet kryesore ekonomiko-financiare dhe bojkotimi ndërkombëtar i Serbisë nuk do të mund të suspendohen pa zgjidhjen e problemit të mdh të Kosovës, si dhe problemit të Krainës dhe problemeve tjera të ish-Jugosllavisë. Përndryshe, do të ishte kjo një shpërblim i agresionit dhe i agresorit, përfundonte Dr. Fahmi Agani.

AGANI-16 SHKURT 1996: NË GJYKATËN E HAGËS, DOSJET E KRIMEVE SERBE MBI SHQIPTARËT

Në një nga konferencat për shtyp në Prishtinë, në 16 Shkurt 1996, ku ishte edhe korrespondenti në Kosovë tash i Gazetës DIELLI, duke u përgjegjur në një pyetje rreth asaj se çka është ndërmarrë në Kosovë për dërgimin në Gjyqin e Hagës të të dhënave për autorët e krimeve mbi
shqiptarët në Kosovë, Dr. Fahmi Agani,  nënkryetar i LDK-së, tha se Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut dhe Qeveria e Kosovës i kanë
drejtuar këtij gjyqi dosjet e krimeve serbe mbi shqiptarët. “Shpresoj se ky
gjyq do të punojë drejt dhe do të vijë në radhë edhe dosja e Kosovës”, tha
Agani.

6 MAJ 2004:AKADEMI PËRKUJTIMORE NË KUJTIM TË 5 VJETORIT TË VRASJES SË AKADEMIK PROF. DR. FEHMI AGANI

FJALIMI I PRESIDENTIT RUGOVA

6 maj 2004,

Prishtinë, KOSOVË

E nderuara Familje Agani,

E nderuara Zonja Agani,

I nderuari Kryetar Daci,

Të nderuar akademikë,

Të nderuar deputetë, ministra e kryetarë të komunave,

Të nderuar pjesëmarrës,

Zonja dhe Zotërinj,

Jemi tubuar sot këtu, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në këtë Akademi Përkujtimore në kujtim të 5 – vjetorit të vrasjes së Akademik Prof. Dr. Fehmi Agani, Nënkryetarit shumëvjeçar të LDK-së dhe deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Gjendemi sot së bashku në kujtim të përjetshëm të Profesorit tonë të madh, të Profesorit tim dhe të mikut tim të çmueshëm e bashkëpunëtorit, bashkëmendimtarit dhe bashkëvepruesit tim e tonë shumëvjeçar, Profesor Aganit. Ju lutem t’i them disa fjalë në këtë përvjetor përkujtimi.

Zonja dhe Zotërinj,

Profesori ynë Agani, me këtë titull që u bë emër i Tij për të gjithë ne në jetën tonë publike e private, gjithë jetën dhe veprën ia kushtoi vendit tonë Kosovës dhe popullit shqiptar. Për decenie të tëra Profesor Agani ishte i njohur për veprën e Tij arsimore universitare, shkencore e filozofike. Ishte i dashur dhe i çmuar nga të gjithë.

Me themelimin e LDK-së, që ishte njëri ndër themeluesit e saj, Ai dhe të gjithë ne hyri në jetën aktive politike e shtetërore për të mbrojtur vlerat dhe ekzistencën e kombit të Kosovës dhe të popullit shqiptar. Ai mori pjesë aktive në aktet madhore të vendit tonë siç janë: Deklarata e Pavarësisë, Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Referendumi për Pavarësi dhe në ndërtimin e institucioneve të Kosovës në bazë të zgjedhjeve presidenciale e parlamentare të Republikës së Kosovës të vitit 1992. Së bashku me Profesor Aganin i vendosëm themelet e shtetit të pavarur të Kosovës dhe funksionimin e tij, që sot në botë njihet si “shtet i shqiptarëve të Kosovës” apo si “shtet paralel”, si kontribut yni në historinë e lëvizjeve të botës për pavarësi.

Zonja dhe Zotërinj,

Profesor Agani për një decenie të tërë ishte njeriu më aktiv në lëvizjen tonë për liri, pavarësi e demokraci. Ai ishte gjithmonë në vijën e parë të veprimit në planin publicistik, diplomatik dhe të veprimit në terren. Ishte ndër profesorët e rrallë që kishte pranuar të punonte me studentët e tij dhe me të gjithë njerëzit për të mirën e vendit të vet. Ishte i palodhshëm dhe gjithmonë i gatshëm për të gjetur zgjidhje për çdo problem të veprimit shtetëror e politik si dhe për çdo çështje të veprimit të përditshëm duke ndërtuar dhe mbrojtur lirinë dhe pavarësinë, objektivin tonë madhor. Me këto cilësi Profesor Agani jepte kontribut të madh në formimin e kulturës politike, shtetërore e njerëzore të vendit tonë.

Zonja dhe Zotërinj,

Cilësi tjetër e madhe e Profesor Aganit ishte modestia e Tij njerëzore e morale dhe modestia e Tij e veprimit. Me këtë cilësi që e kanë vetëm njerëzit e mëdhenj, fitonte përkrahjen e miqve tanë dhe respektin për të si burrështeti dhe për Kosovën. Po ashtu me modestinë e Tij në veprimin politik fitonte përkrahjen e qytetarëve dhe të njerëzve për veprim të përbashkët.

Zonja dhe Zotërinj,

Ne edhe sot pas pesë vjetësh në liri, kemi dhembje për Profesor Aganin që nuk është më në mesin tonë që ra nga dora e armikut, por krenarinë e kemi më të madhe, sepse e kemi veprën dhe jetën e Tij të ndritur.

Në këtë përvjetor mund të themi se për ne është një përkujtim krenar i madh për Profesorin tonë të madh, që përmban dhembjen për humbjen e Tij fizike dhe është krenari e madhe për veprën e Tij  që është fitorja e Tij. Për këtë jetojnë njerëzit. Për këtë jetoi dhe veproi Profesori ynë i madh. Profesor Agani me veprën e Tij është i pranishëm në jetën e të gjithë neve. Në familjen time është i pranishëm dhe në momente të mira e të vështira gjejmë mbështetje në jetën dhe veprën e Tij, si mik i shtëpisë. Këtë na e dhurojnë njerëzit e mëdhenj.

Zonja dhe Zotërinj,

Këto ditë isha për vizitë në SHBA. Mund t’Ju them se, si gjithmonë ishte një pritje madhështore nga miqtë tanë amerikanë dhe komuniteti shqiptar. Ishte i fortë kujtimi i mirë për Profesor Aganin. Mund t’Ju them se tash pesë vite të lirisë së vendit tonë, në SHBA po forcohet mendimi për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës sa më shpejt. Pra, një Kosovë e pavarur, demokratike e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA. Ky ishte testamenti i Profesor Aganit, testamenti ynë, që jam i bindur me përkrahjen e miqve tanë do ta arrijmë së shpejti.

Zonja dhe Zotërinj,

Ky është një lajm i mirë në këtë përvjetor të përkujtimit të Profesorit tonë të dashur, Profesor Aganit dhe lajm i mirë për të gjithë ne.

Zoti e bekoftë Profesor Aganin.

Zoti e bekoftë Familjen Agani.

Zoti e bekoftë Kosovën tonë të shtrenjtë.

Ju falemnderit.

Dr. Ibrahim Rugova

President i Kosovës

Filed Under: Reportazh

Kosova në 100 vjetorin e Shoqatës së Konsujve të Përgjithshëm në New York

May 6, 2025 by s p

Ambasador Blerim Reka

Në Gala mbrëmjen, për 100 vjetorin e Shoqatës së Konsujve të Përgjithshëm në New York.

Me kryesuesin aktual të kësaj shoqate Amir Farid Abu Hasan, konsull i përgjithshëm i Malajzisë dhe me Cliff Seagroves, u.d. drejtor i Zyrës për Misionet e Huaja në Stejt Departamentin Amerikan.

Republika e Kosovës, prezantoi prodhimet e veta në këtë event diplomatik të shoqatës më të madhe dhe më të vjetër të konsujve të përgjithshëm.

Filed Under: Analiza

Një datëlindje për Gjergj Kastriot Skënderbeun dhe vepra e tij

May 6, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Sot mendohet gjerësisht se kjo ditë mund të përkojë me përvjetorin e lindjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut – heroit kombëtar dhe simbolit të lirisë për shqiptarët. Edhe pse Barleti dhe historianët e tjerë të kohës nuk japin një datë të saktë për lindjen e tij, shumë studiues dhe të pasionuar pas historisë kanë ndërlidhur datëlindjen e Skënderbeut me 6 majin (sipas kalendarit Gregorian), për shkak të emrit të tij të pagëzimit – Gjergj – që lidhet me festën e Shën Gjergjit, më 23 prill sipas kalendarit Julian.

Kjo datë është kthyer në një pikë simbolike përkujtimore në kujtesën kolektive shqiptare, veçanërisht në rrjetet sociale, duke shërbyer jo vetëm si nderim për figurën e tij, por edhe si një shembull se si një komunitet mund të imponojë dëshirën e tij për të pasur një moment të vetin historik. Kjo është një dukuri interesante kulturologjike që tregon mënyrën moderne të ndërtimit të kujtesës, ku tradita dhe simbolika ndërthuren me nevojën për identifikim dhe krenari kombëtare.

Nëse tashmë kjo datë është përqafuar nga shqiptarët si përvjetor simbolik i lindjes së Skënderbeut, atëherë është edhe më e rëndësishme të përpiqemi të vendosim figurën e tij në kontekstin e duhur historik dhe ndërkombëtar. Jo vetëm për ta nderuar, por për ta kuptuar më mirë sfidën që përfaqësonte ai si lider në një botë të përçarë mes Lindjes dhe Perëndimit.

Skënderbeu ishte një princ i mesjetës, një figurë që mund të krahasohet me liderët e tjerë evropianë të kohës, siç i përshkruan edhe filozofi italian Nikolo Makiaveli në veprën e tij të famshme “Princi”. Ai u lind në një Arbëri të lidhur me qytetërimin perëndimor, por u rrit në Perandorinë Osmane, një sistem despotik ku sulltani sundonte absolutisht, dhe ku të tjerët ishin thjesht në shërbim të vullnetit të tij.

Sfida e madhe e Skënderbeut ishte pikërisht rikthimi në tokën e vet për të ngritur një rezistencë të qëndrueshme ndaj kësaj fuqie. Ai u përpoq të ndërtonte një strukturë politike që të mbështetej jo vetëm mbi bashkimin ushtarak, por edhe mbi një formë të re të qeverisjes, të frymëzuar nga modeli feudal evropian, ku fisnikët kishin privilegje dhe një raport të veçantë me sundimtarin, e jo thjesht një nënshtrim absolut.

Përpjekja e Skënderbeut nuk ishte vetëm një rezistencë e armatosur, por një projekt politik për të formësuar një shtet të qëndrueshëm dhe të organizuar në përputhje me traditat perëndimore. Kjo ide e vendos atë në një plan më të gjerë strategjik dhe e bën më të qartë rëndësinë e tij jo vetëm për shqiptarët, por për gjithë qytetërimin evropian që në atë kohë përballej me kërcënimin osman.

Ai sfidoi një prej superfuqive më të mëdha të kohës, Perandorinë Osmane, dhe për më shumë se dy dekada arriti të mbante të paprekur një pjesë të trojeve shqiptare, duke e kthyer në një simbol të rezistencës dhe qëndresës për shumë popuj të tjerë të Ballkanit dhe më gjerë.

Për këtë arsye, Gjergj Kastrioti Skënderbeu sot nuk nderohet vetëm si një hero kombëtar, por edhe si një figurë me rëndësi ndërkombëtare. Monumentet e tij ndodhen në sheshe dhe muze në të gjithë Evropën. Vepra e tij studiohet në universitetet më të rëndësishme, jo vetëm si pjesë e historisë shqiptare, por si një kapitull i rëndësishëm i përballjes së qytetërimit perëndimor me sfidat e shekullit XV.

Në një botë ku identiteti kombëtar, qytetërimi dhe trashëgimia janë tema gjithnjë e më të diskutueshme, figura e Skënderbeut na kujton rëndësinë e drejtësisë, rezistencës dhe vizionit për të ardhmen. Ai është dëshmi se edhe në kushte të pafavorshme, një njeri me vullnet dhe ide mund të ndryshojë rrjedhën e historisë.

Skënderbeu mbi kalë, vepër nga Spiro Xega, mbetet simbol i këtij vizioni dhe sakrifice.

Filed Under: Opinion

Kosova dhe nevoja për një qeveri me orientim të qartë proamerikan: një imperative historik dhe strategjik

May 6, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Themelimi i shtetit të Kosovës mbi boshtin e partneritetit me SHBA-në

Kosova është ndër shembujt e rrallë në historinë moderne ku një popull i shtypur arriti të fitojë lirinë dhe të ndërtojë shtetësi përmes një përkrahjeje të drejtpërdrejtë dhe të palëkundur nga një fuqi botërore: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky fakt historik nuk është vetëm kujtim i një ndërhyrjeje humanitare të vitit 1999, por një gurthemel që përcakton drejtimin e natyrshëm të politikës së jashtme dhe të brendshme të Kosovës.

Në këtë kontekst, çdo qeveri që synon të sigurojë zhvillim të qëndrueshëm, njohje të reja, siguri kombëtare dhe integrim ndërkombëtar të Kosovës, duhet të ketë një orientim të qartë dhe të padiskutueshëm proamerikan. Kjo nuk përjashton ndërtimin e marrëdhënieve me vende të tjera, por përcakton boshtin mbi të cilin mbështetet ekzistenca dhe mbijetesa e shtetit të Kosovës.

2. Roli themelor i SHBA-së në lindjen e shtetit të Kosovës

Shteti i Kosovës u ndërtua mbi themelet e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në vitin 1999, ndërhyrje e cila ishte e mundur vetëm për shkak të vullnetit politik të Shteteve të Bashkuara për të ndaluar spastrimin etnik të shqiptarëve nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit. SHBA jo vetëm që udhëhoqi këtë fushatë, por edhe vendosi legjitimitetin e një intervenimi humanitar pa rezolutë të OKB-së – një veprim i paprecedent që i dha popullit shqiptar të Kosovës shansin për të jetuar i lirë.

Operacioni “Allied Force” u realizua në një kohë kur Rusia kundërshtonte ashpër çdo ndërhyrje në “çështjet e brendshme” të Jugosllavisë. Megjithatë, SHBA vendosi të veprojë nëpërmjet NATO-s, duke siguruar për Kosovën një rrugë drejt çlirimit dhe vetëvendosjes. Ky akt e ka vendosur Kosovën përjetësisht në borxh moral dhe politik ndaj SHBA-së.

3. Konsolidimi institucional dhe shpallja e pavarësisë – produkt i mbështetjes amerikane

Pas ndërhyrjes, SHBA luajti një rol thelbësor në fazën e administrimit ndërkombëtar të Kosovës përmes UNMIK-ut, dhe më pas në përgatitjen për pavarësi. Draftimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, krijimi i institucioneve të sigurisë dhe zhvillimi i strukturave demokratike u bënë në koordinim të ngushtë me ekspertë dhe institucione amerikane.

Ambasadori amerikan Frank Wisner ishte i dërguari i posaçëm i SHBA-së në bisedimet për statusin e Kosovës, ndërsa SHBA ishte ndër shtetet e para që e njohu pavarësinë më 18 shkurt 2008. Për më tepër, njohjet që pasuan ishin kryesisht rezultat i ndikimit diplomatik të Uashingtonit.

4. Siguria kombëtare dhe transformimi i FSK-së – vetëm përmes aleancës me SHBA-në

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), që po kalon në fazën e transformimit në ushtri të mirëfilltë, është produkt i një procesi të mbikëqyrur dhe të financuar pjesërisht nga SHBA. Pa praninë e KFOR-it të udhëhequr nga NATO dhe pa partneritetin ushtarak me SHBA-në, Kosova do të mbetej e pambrojtur ndaj kërcënimeve të jashtme dhe të brendshme.

Në vitin 2023, SHBA furnizoi Kosovën me raketat anti-tank Javelin dhe mbështeti rritjen e kapaciteteve mbrojtëse përmes programeve të FMS (Foreign Military Sales). Asnjë vend tjetër nuk ka treguar nivel të tillë besimi dhe angazhimi në sigurinë e Kosovës.

5. Politika e jashtme dhe pengesat për njohje të reja – rëndësia e koordinimit me SHBA-në

Në një botë ku diplomacia bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar, Kosova nuk mund të përballojë luksin e vetëizolimit ose të zhvillimit të një politike të jashtme autonome, në kundërshtim me qëndrimet e aleatëve perëndimorë. Çdo shkëputje nga boshti amerikan është në të njëjtën kohë dobësim i pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT