






GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU BASHKOI SHQIPTARËT E AMERIKËS NË BRONX, NEW YORK.
Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by s p







GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU BASHKOI SHQIPTARËT E AMERIKËS NË BRONX, NEW YORK.
by s p

Çështja shqiptare, si një prej kolonave që e mbanë peshën e stabilitetit të brendshëm, mbetet ende një provë e pazgjidhur e përfshirjes reale. Retorika për barazi dhe integrim mbetet pjesë e fjalorit institucional, por zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, shpërndarja e burimeve dhe përfaqësimi efektiv nuk arrijnë të tejkalojnë mekanizmat selektivë. Në vend të një shteti gjithëpërfshirës, krijohet një rend ku bashkëjetesa mbetet e kushtëzuar nga kalkulimet politike afatshkurtra.
Nga Prof. dr Skender ASANI
Çështja shqiptare, si një prej kolonave që e mbanë peshën e stabilitetit të brendshëm, mbetet ende një provë e pazgjidhur e përfshirjes reale. Retorika për barazi dhe integrim mbetet pjesë e fjalorit institucional, por zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, shpërndarja e burimeve dhe përfaqësimi efektiv nuk arrijnë të tejkalojnë mekanizmat selektivë. Në vend të një shteti gjithëpërfshirës, krijohet një rend ku bashkëjetesa mbetet e kushtëzuar nga kalkulimet politike afatshkurtra.
Në realitetin politik të Ballkanit Perëndimor, dukjet shpesh vijnë në konflikt me përmbajtjen. Maqedonia e Veriut është shembulli ilustrues i një shteti që, ndërkohë që projekton një imazh të përkushtuar ndaj vlerave euroatlantike, në thelb përballet me sfida strukturore që rrezikojnë të zhbëjnë kapitalin e akumuluar diplomatik dhe shoqëror. Kjo ambivalencë – mes asaj që thuhet dhe asaj që bëhet – është ndoshta më e prekshme se kurrë pas zhvillimeve të fundit politike.
Analogjia mes sheqerit dhe kripës – dy substanca me formë të ngjashme, por me ndikim të kundërt – ofron një qasje të goditur për të shpjeguar ndarjen e madhe midis diskursit politik dhe praktikës qeverisëse në vend. Demokracia e etabluar përmes zgjedhjeve, bashkëjetesës dhe integrimit, shpesh shërben si veshje për një realitet të polarizuar, ku mungesa e konsensusit strategjik dhe tensionet etnike mbeten të paprekura.
Kjo qasje duale ka tërhequr gjithnjë e më tepër vëmendjen e faktorit ndërkombëtar, i cili, në mungesë të një progresi të qëndrueshëm, ka filluar të artikulojë vërejtje më të qarta dhe më pak të kamufluara. Në këtë drejtim, vlen të përmendet deklarata e fundit e eurokomisares për zgjerim, Marta Kos, e cila për Maqedoninë e Veriut tha se “në sytë e Bashkimit Evropian ajo përfaqëson një përrallë të trishtë në Ballkan”. Ky formulim, që tejkalon gjuhën standarde diplomatike, nuk është thjesht një shprehje poetike, por një sinjal i qartë i zhgënjimit që vjen nga mospërputhja ndërmjet premtimeve institucionale dhe realitetit në terren. Ai reflekton perceptimin në rritje se përkushtimi formal ndaj vlerave evropiane nuk mjafton kur mungojnë reformat substanciale dhe qasja gjithëpërfshirëse ndaj sfidave të brendshme.
Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, është vënë re një kthesë diskrete, por domethënëse, në mënyrën se si Maqedonia e Veriut si shtet e artikulon veten në hapësirën publike dhe diplomatike. Disa vendime dhe qëndrime publike të kohëve të fundit mund të lexohen si përpjekje për të projektuar një autoritet të forcuar ndaj dy palëve: qytetarëve shqiptarë në vend dhe fqinjit lindor. Kjo qasje, që shfaqet më tepër në nivel simbolik sesa institucional, e shndërron Maqedoninë e Veriut në një lloj paravani për projeksionin strategjik të partnerit verior, duke transmetuar mesazhe të koduara që rrisin tensionet në vend të reduktimit të tyre.
Në këtë tabllo të brishtë, zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërkombëtare mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë krijuar një tension të ri që ndikon drejtpërdrejt edhe në periferinë ballkanike. Prishja e ekuilibrit tradicional mes dy poleve të mëdha transatlantike – një tension që manifestohet si në çështjet e mbrojtjes, ashtu edhe në ato të energjisë dhe teknologjisë – krijon një zonë gri për shtete si Maqedonia e Veriut, të cilat ndërtojnë strategjitë e tyre të jashtme mbi pritshmëri të qarta nga Perëndimi. Fragmentimi i pozicioneve ndërmjet Brukselit dhe Uashingtonit, sidomos mbi çështje të ndjeshme si Ballkani dhe zgjerimi, nuk lë vend për paqartësi: shtetet e vogla mbeten gjithnjë të ekspozuara ndaj ndikimeve të jashtme, shpesh kontradiktore.
Ky ekspozim bëhet edhe më kompleks në sfondin e lëvizjeve të fundit financiare, ku Maqedonia e Veriut ka marrë një hua të konsiderueshme nga Hungaria – një shtet anëtar i BE-së i udhëhequr nga Viktor Orbán, i njohur për pozicionimet e tij divergjente ndaj normave standarde të unionit dhe për afërsinë me modele autoritare të qeverisjes. Kjo marrëveshje financiare, e karakterizuar nga mungesa e transparencës dhe shoqëruar me pak sqarime publike, ngre pikëpyetje serioze mbi motivet strategjike dhe kushtëzimet e mundshme që mund të rrjedhin nga kjo varësi e re. Në planin afatshkurtër, ajo mund të shfaqet si zgjidhje pragmatike për mungesën e kapitalit në tregjet ndërkombëtare; por në planin afatgjatë, rrezikon të vendosë Maqedoninë e Veriut në një orbitë ndikimi që nuk përputhet plotësisht me vlerat dhe pritshmëritë euroatlantike. Krijimi i kësaj varësie nga një qeveri që shpesh sfidon konsensusin demokratik të Brukselit, mund të dëmtojë kredibilitetin e Maqedonisë në sytë e partnerëve tradicionalë dhe të krijojë perceptimin e një devijimi të butë, por të qëndrueshëm, nga rruga e integrimit të pastër evropian.
Këtë pasqyrë e kompleton edhe heshtja ose mungesa e iniciativës së qartë ndaj zhvillimeve të reja në fushën e sigurisë rajonale. Marrëveshja e fundit mes tre shteteve të rajonit (Shqipëri, Kosovë, Kroaci) për krijimin e një mekanizmi të përbashkët të sigurisë – që synon shkëmbimin e informacionit, koordinimin strategjik dhe mbrojtjen kolektive ndaj kërcënimeve hibride – ka hapur një kapitull të ri në arkitekturën e bashkëpunimit ballkanik. Mospjesëmarrja e Maqedonisë së Veriut në këtë proces nuk është vetëm mungesë e përfaqësimit formal, por bart me vete një rrezik më të thellë: që vendi të perceptohet si hallka më e dobët e zinxhirit të sigurisë rajonale, ose më keq – si zgjatim i heshtur i interesave që nuk përputhen me frymën e bashkëpunimit të hapur. Në këtë kontekst, përjashtimi nga mekanizmat e reja nuk është neutralitet, por vetëizolim me pasoja afatgjata.
Po aq i rëndësishëm mbetet edhe adresimi i trashëgimisë së padrejtësive institucionale të dekadave të fundit, të mishëruara përmes një vargu procesesh të diskutueshme gjyqësore, të cilat kanë ngritur dyshime të thella mbi integritetin e sistemit të drejtësisë. Rastet e montuara politike, që për vite me radhë kanë prodhuar dënime ndaj individëve nga komunitete të caktuara, ku dominojnë shqiptarët, nuk janë vetëm plagë njerëzore, por edhe plagë morale për shtetin. Një shtet që aspiron drejt integrimit dhe barazisë nuk mund të mbajë në qeli ata që janë viktimë e padrejtësisë së fabrikuar. Është koha që këto raste të trajtohen me seriozitet institucional përmes një procesi të pavarur rishqyrtimi, i cili jo vetëm që do të përkthehej në lirimin dhe rehabilitimin e të dënuarve pa faj, por edhe në një akt simbolik të maturimit shtetëror. Kompensimi dhe pranimi i gabimeve nuk e dobëson shtetin – përkundrazi, e forcon legjitimitetin e tij.
Kjo dinamikë nuk është pa pasoja në planin ndërkombëtar. Marrëdhëniet me Bullgarinë, të ngarkuara me tensione identitare, dhe implementimi i Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, vazhdojnë të jenë fusha të pasigurta ku retorika e diplomacisë shpesh mbivendoset mbi mungesën e thellësisë politike. Pozat e përbashkëta në samite dhe deklaratat e balancuara nuk mund të zëvendësojnë mungesën e përmbajtjes konsensuale mbi identitetin, gjuhën apo historinë.
Nga ana tjetër, kërkesat e BE-së dhe SHBA-ve për reforma reale – në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e institucioneve – hasin shpesh në një rezistencë të butë, por të qëndrueshme. Aktorët politikë në vend, ndonëse shfaqen të gatshëm për ndryshim në diskursin publik, në praktikë ruajnë një status quo të mbështetur në rrjete klienteliste. Kështu, edhe fjalori reformues shndërrohet në një tjetër formë sheqeri diplomatik që mbulon kripën e interesave të ngushta.
Në këtë kontekst, Maqedonia e Veriut gjendet në një udhëkryq delikat, ku jo vetëm që përballen kërkesat e brendshme me pritshmëritë e jashtme, por edhe vetë identiteti politik i shtetit rrezikon të instrumentalizohet në funksion të projeksioneve të tjerëve. Për të mos u reduktuar në një mjet simbolik të gjeopolitikës rajonale, vendit i nevojitet një rikonfigurim i thellë i qasjes ndaj bashkëjetesës dhe një diplomaci që buron nga realiteti i brendshëm, jo nga diktati i fasadës.
Për rrjedhojë, ashtu si në kuzhinë, edhe në politikë dhe diplomaci, dallimi midis sheqerit dhe kripës nuk bëhet me sy – por me shije. Dhe shijen e politikave të vërteta e përcakton ndikimi i tyre në mirëbesimin shoqëror, stabilitetin institucional dhe avancimin e qëndrueshëm.
by s p

Në një kohë kur zhvillimet gjeostrategjike globale po ndryshojnë me shpejtësi, kur bota po përballet me tronditje të mëdha gjeopolitike dhe përpjekje për rishikim të rendit ndërkombëtar, çështja shqiptare nuk është një kapitull i mbyllur në Ballkan. Në këtë korrelacion, çështja e Kosovës është pjesë e betejës globale për ruajtjen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare.
Vizita e fundit e kreut të Kishës Ortodokse Serbe, peshkopit Porfirije, në Moskë dhe takimi i tij me Patriarkun Kirill nuk mund të konsiderohet thjesht si një zhvillim fetar ceremonial.
Takimet e tij me udhëheqjen fetare dhe politike ruse, janë shumë më tepër sesa një akt simbolik fetar! Ato duhet parë si sinjal i qartë i një ofensive të re politike dhe diplomatike që synon të ndikojë direkt në çështjet e pazgjidhura në Ballkan, me fokus të veçantë mbi Kosovën.
Në vlerësimin tim gjeostrategjik dhe politik, është një aleancë fetare me dimensione gjeopolitike. Takimi i Porfirijes me Patriarkun Kirill e shënoi rikonfirmimin e një boshti strategjik të ndërtuar mbi baza fetare, kulturore dhe politike.
Kisha Ortodokse Ruse dhe ajo Serbe janë prej kohësh instrumente të politikës së jashtme të Moskës dhe Beogradit. Përmes bashkëpunimit të ngushtë kishtar, po përforcohet një rrjet ndikimi që synon të konsolidojë narrativën e Serbisë për Kosovën si “djep shpirtëror” të saj, duke kundërshtuar pavarësinë dhe sovranitetin e saj.
Ky pozicion bëhet më favorizues nga marrëveshjet që e kalojnë trashëgiminë ortodokse shqiptare në pronësi të kishës serbe, me theks me Planin Franko-Gjerman – pikën 7 – ku sanksionohet statusi i kishës serbe, dhe me implementimin e një vendimi të kontestuar gjyqësor për bartjen e pronave Manastirit të Deçanit, nga Qeveria e Kosovës në vitin 2024.
Vuçiç në Moskë më 9 Maj
Vizita e planifikuar e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Moskë më 9 Maj, është një dëshmi tjetër se ai dhe udhëheqja serbe synojnë të përfitojnë nga integrimet euro-atlantike dhe Perëndimi, pa e cenuar aleancën strategjike, historike dhe gjenetike me Rusinë. Ky udhëtim, i zgjedhur që të përkojë me festimet ruse të Ditës së Fitores, dëshmon qartë për një ekuilibër të dyfishtë, ku Beogradi luan rolin e “partnerit euro-atlantik” ndërsa ruan besnikërinë ndaj Moskës. Një veprim i tillë tregon se Serbia nuk ka ndërmend të sakrifikojë lidhjet e saj me Federatën Ruse, edhe pse pretendon se do të afrojë vendin me institucionet perëndimore.
Vuçiç dhe anulimi i vizitës në Uashington, sinjale dhe dilema
Vizita e paralajmëruar e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Shtetet e Bashkuara dhe pritja e mundshme nga administrata e Presidentit Trump, ishte interpretuar si pjesë e një strategjie të sofistikuar të Beogradit për të afruar veten me qendrat vendimmarrëse perëndimore, duke ruajtur njëkohësisht aleancën tradicionale me Rusinë. Ai kërkon të shfrytëzojë mbështetjen euro-atlantike për integrime ekonomike e politike, pa cenuar aleancën strategjike dhe lidhjet gjenetike historike me Rusinë. Ky ekuilibër i dyfishtë tregon qartë se Serbia kërkon të qëndrojë “në të dy anët e gardhit”, duke përfituar nga të dy pushtetet e mëdha njëkohësisht.
Por anulimi i takimit me Presidentin Trump, gjatë kësaj vizite në momentin e fundit, me justifikimin zyrtar të “sëmundjes”, ngre pikëpyetje serioze për përmbajtjen dhe dinamikën e raportit aktual Serbi–SHBA, por edhe për qëndrimet e brendshme në vetë administratën amerikane ndaj një protagonizmi të sforcuar të Vuçiqit në arenën ndërkombëtare.
Mesazhi që duhet ta lexojnë Kosova dhe vendet e rajonit është i qartë: ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë strategji të dyfishtë, të forcojmë unitetin tonë diplomatik dhe ekonomik, dhe të mos lejojmë që loja e interesave të mëdha të fragmentojë sovranitetin tonë dhe paqen në rajon.
Në planin më të gjerë, kjo situatë nxjerr në pah vështirësinë e Serbisë për të mbajtur ekuilibrin e dyfishtë mes Perëndimit dhe Lindjes. Beogradi po përpiqet të përfitojë njëkohësisht nga edhe afërsia me Brukselin dhe nga mbështetja strategjike e Moskës, duke u pozicionuar si faktor gjoja neutral, por në realitet është thellësisht i anuar nga aksi ruso-kinez.
Kosova dhe shtetet tjera të rajonit duhet ta lexojnë me vigjilencë këtë strategji të dyfishtë. Nevojitet unitet diplomatik, koordinim rajonal dhe përfshirje më e thellë në partneritetin me SHBA dhe BE, në mënyrë që të ruhet balanca e drejtë ndërkombëtare dhe të mos lejohet që heshtja e përkohshme e diplomacisë të shndërrohet në dëm të statusit të fituar me shumë sakrifica. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe koordinimit strategjik mund të mbrojmë arritjet tona dhe të ruajmë stabilitetin afatgjatë.
Pyetje kyçe për t’u analizuar
Në këto rrethana dilemat që duhen shtruar janë se:
– A është Rusia duke përdorur kishën serbe si mjet për të avancuar interesat e saj në Ballkan?
– A po përgatitet një përballje e madhe politike dhe diplomatike që mund të prekë edhe statusin e Kosovës?
– A është SHBA gati me një plan të ri për Ballkanin, që do të ruajë standardet e vendosura pas Luftës së Ftohtë, apo rrezikohet vendosja e një standardi të ri të padrejtë, që shpërblen agresionin dhe imponimin e realiteteve me forcë?
Kjo vizitë përkoi me pritjet tona, se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre po përgatisin një plan të ri për Ballkanin, që synon stabilizimin dhe integrimin e plotë të rajonit në strukturat euro-atlantike.
Precedenti ukrainas dhe kërcënimi për Kosovën
Nëse Rusia arrin të normalizojë me marrëveshje të imponuara pushtimin e territoreve të Ukrainës, kjo do të krijonte një precedent të rrezikshëm edhe për rajonin tonë.
Serbia, e mbështetur nga Rusia, Kina dhe aktorë të tjerë autoritarë, do të pretendoj që me të njëjtën logjikë ta mbaj të hapur dhe të kontestuar statusin e Kosovës, pavarësisht njohjes ndërkombëtare dhe pavarësisë së fituar me mbështetjen e SHBA-së dhe vendeve të tjera demokratike, si dhe të konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë.
Rreziqet direkte për Kosovën
Ky skenar i bazuar në forcë, agresion dhe gjendjen faktike – si rezultat i tyre, paraqet rrezik të madh për Kosovën, sepse:
– I lehtëson përpjekjet serbe për të rikthyer narrativën e sovranitetit mbi Kosovën. Meqë Marrëveshja e Ohrit e marsit ’23, nga Artikulli 35 – nga tre kushtet për integrim në BE të Serbisë: njohja e pavarësisë së Kosovës; heqja nga Kushtetuta e saj; dhe normalizimi i raporteve me Kosovën – ia heq për 10 vite dy të parat)
– Rrezikon të relativizojë të drejtën e popullit të Kosovës për vetëvendosje dhe mbrojtje nga gjenocidi, të fituara me luftën e UÇK-së, të garantuara nga ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 dhe të konfirmuara nga GJND.
• Krijon hapësirë për sulme të reja diplomatike dhe politike ndaj statusit ndërkombëtar të Kosovës.
Çështja shqiptare në Ballkan është ende një plagë e hapur
Çështja shqiptare në Ballkan mbetet ende e hapur. Shqiptarët vazhdojnë të jetojnë të ndarë në pesë shtete, të shpërndarë padrejtësisht nga vendime ndërkombëtare të bazuara mbi forcën dhe gjendjen faktike të krijuar nga pushtimet historike, dhe si rezultat i marrëveshjeve të padrejta ndërkombëtare të Shën Stefanit (1878), Berlinit (1878), Londrës (1913), dhe të pas Luftës së Dytë Botërore.
• Në Jugun e Serbisë (Kosova Lindore, Preshevë, Bujanoc, Medvegjë, Prokuplje, Rashkë e deri në Nish) shqiptarët jetojnë nën diskriminim dhe mohim të të drejtave kombëtare, çka e bën Ballkanin një vullkan eruptiv që nuk mbanë më;
– Në Malin e Zi, territoret shqiptare nga Kotorri, Tivari, Ulqini, Hoti, Gruda, Plava, Gusia, Arzhanica, Berani e deri në Rozhaj janë ndarë dhe po i nënshtrohen një procesi të thellë të dehumanizimit asimilues dhe tehuajësimit.
• Në Maqedoninë e Veriut, e cila e ka më shumë se 50% të territorit historikisht shqiptar, që i është aneksuar Shqitërisë, për të vazhduar më pas me krijimin artificial të “Maqedonisë” nga komunistët rus dhe titist-jugosllavë.
• Në Greqi, shqiptarët e Çamërisë janë dëbuar me dhunë para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Arvanitasit i nënshtrohen një politike të heshtur asimilimi e dehumanizimi, duke mbajtur në fuqi ligjin absurd të luftës me Shqipërinë.
• Në trevat e Sanxhakut dhe Nishit, shqiptarët janë viktimë e spastrimeve etnike dhe margjinalizimit historik. Vazhdon tradita e tejhuajsimit nga identiteti autokton shqiptar në një identitet arbitrar si “mysliman” — që në etimologji gjenetike nuk është identitet kombëtar por fetar. Një strategji e trashëguar nga periudha titizmit, kur u krijua artificialisht identiteti territorial dhe etnik maqedon.
Prandaj, çështja e Kosovës nuk duhet parë thjesht si një rast i izoluar, por si pjesë e një beteje globale për ruajtjen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të rendit të bazuar në rregulla.
Rikthimi i doktrinës së “sferave të influencës”
Nëse Perëndimi nuk reagon me vendosmëri ndaj këtyre zhvillimeve, ekziston rreziku i rikthimit të doktrinës së vjetër të “sferave të influencës”. Një qasje e tillë do të rriste rrezikun që Kosova dhe viset shqiptare të shihen si pjesë e një zone gri, ku standardet ndërkombëtare nuk zbatohen njësoj si në vendet e tjera. Kjo do të ishte një goditje e rëndë për të drejtën ndërkombëtare dhe për të gjitha përpjekjet që janë bërë për të ndërtuar një rend botëror të bazuar në parimet e së drejtës dhe jo të forcës.
Çështja shqiptare si çështje gjeopolitike dhe drejtësie historike
Çështja shqiptare nuk është vetëm një çështje e të drejtave të njeriut dhe pakicave, por një çështje gjeopolitike që kërkon një qasje të re dhe të guximshme nga faktori shqiptar dhe nga aleatët strategjikë perëndimorë, sidomos SHBA-ja.
Nuk ka stabilitet në Ballkan pa zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare.
Sot, shqiptarët janë faktor stabiliteti, demokracie dhe euroatlantizmi në rajon. Ata janë partnerët më të besueshëm të NATO-s dhe SHBA-së. Por pa përmbushjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në të gjitha trevat e tyre etnike, çdo paqe do të jetë e brishtë dhe çdo bashkëpunim rajonal do të mbetet formal dhe i njëanshëm.
Domosdoshmëria e unitetit politik dhe diplomatik shqiptar
Në këtë kontekst, është thelbësore që Kosova dhe Shqipëria, bashkë me faktorin politik shqiptar në rajon, të forcojnë bashkëpunimin strategjik dhe të artikulojnë me qartësi dhe koherencë interesat e shqiptarëve.
Kjo përfshin:
– Unifikimin e qëndrimeve në politikën e jashtme;
– Thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe institucional;
– Koordinimin në raport me proceset integruese dhe me aleatët ndërkombëtarë;
– Ngritjen e kapaciteteve të diplomacisë kulturore, fetare, historike dhe akademike për të kundërshtuar narrativat e rreme të Serbisë dhe Rusisë;
– Promovimin e një strategjie të re për çështjen shqiptare që e konsideron Kosovën si qëndër graviteti të pavarur dhe Shqipërinë si garant të mbrojtjes së të drejtave shqiptare në rajon, në përputhje me Kushtetutën e saj.
Thirrje për veprim të bashkërenduar
Në këtë situatë të ndërlikuar, është jetike që Kosova dhe kombi shqiptar të ndërmarrin hapa të qarta dhe strategjike.
Ajo çfarë duhet të bëjnë shqiptarët në rrugën përpara përfshonë:
1. Koordinimi me SHBA-në dhe Perëndimin: Të forcojnë aleancat me SHBA-në dhe BE-në, duke thelluar integrimin euro-atlantik dhe duke intensifikuar lobimin diplomatik në të gjitha nivelet.
Shqipëria dhe Kosova duhet të ndërtojnë një bosht të përhershëm strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Bashkëpunimi me BE-në është i domosdoshëm, por nuk duhet të lejohet që të minojë aleancën me SHBA-në dhe as të përdoret për të vendosur standarde të dyfishta për shqiptarët. Marrëdhënia me SHBA-në është garancia më e madhe e paqes dhe mbrojtjes së interesit kombëtar shqiptar.
2. Platformë unike për të drejtat kombëtare: Të artikulojnë çështjen shqiptare si një problem ndërkombëtar të pazgjidhur dhe të kërkojnë adresimin e padrejtësive historike që rëndojnë ende mbi shqiptarët në Ballkan.
Një Platformë e tllë duhet të përfshij kërkesat legjitime të shqiptarëve në Kosovën Lindor/Luginën e Preshevës, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Çamëri. Kjo platformë duhet të jetë dokument zyrtar shtetëror i Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, dhe të promovohet në çdo forum ndërkombëtar si pjesë e paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit në rajon.
4. Denoncimi i standardeve të dyfishta: Të ndjekin me vëmendje çdo proces diplomatik që lidhet me Ukrainën, për të siguruar që zgjidhjet atje të mos krijojnë precedente të dëmshme për Kosovën.
Shqiptarët nuk duhet të heshtin përballë padrejtësive ndërkombëtare. Nuk mund të ketë dy standarde për pavarësinë e Kosovës dhe për integritetin territorial të Ukrainës. Nuk mund të kërkohet kompromis nga viktima, ndërsa agresori shpërblehet me status dhe fuqi. Një qasje e tillë do ta shndërronte të drejtën ndërkombëtare në një vegël të interesave të përkohshme politike dhe do të dëmtonte rëndë besimin në rendin global.
5. Ruajtja e subjektivitetit të Kosovës: Të koordinojnë veprimet mes Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në rajon, duke ndërtuar një platformë të përbashkët strategjike për të mbrojtur interesat kombëtare. Kjo nënkupton bashkim në veprim, në qëndrim dhe në përfaqësim ndërkombëtar. Kosova nuk duhet të lejojë devijime nga rruga e saj shtetërore dhe sovrane. Marrëveshjet ndërkombëtare nuk duhet të pranojnë barazi mes shtetit dhe një entiteti të brendshëm (siç është Asociacioni). Çdo pranim i tillë krijon rrezik për Bosnjëzim të Kosovës dhe për minim të subjektivitetit ndërkombëtar të saj.
Kjo vizitë nuk është një ngjarje e izoluar! Ajo është pjesë e një strategjie të gjerë për të sfiduar status quo-në në Ballkan dhe për të ndikuar në zgjidhjen e konflikteve në favor të forcës dhe jo të së drejtës.
E drejta pa forcë është “gandizëm”, prandaj forca nuk duhet parë si kategori autonome, por në kontekst më të gjerë të sigurisë dhe të aleancave të qëndrueshme ekonomike, politike dhe ushtarake.
Një kohë vendimtare për Kosovën dhe kombin shqiptar
Në përfundim, vizita e peshkopit Porfirije në Moskë, pritja e tij nga Patriarku Kirill dhe vizitat e Vuçiç në Uashington dhe Moskë janë sinjale të qarta se po formësohet një realitet i ri gjeopolitik.
Jemi përballë një momenti kritik në historinë tonë politike dhe kombëtare. Në një kohë kur fuqitë e mëdha po negociojnë territore dhe të drejta mbi bazën e forcës dhe pushtimit, shqiptarët nuk mund të qëndrojnë indiferentë.
Në përgjithësi kombi shqiptar, duhet të jenë të vetëdijshëm për këto zhvillime dhe të veprojnë me mençuri, vendosmëri dhe unitet për të mbrojtur arritjet e deritanishme dhe për të garantuar të ardhmen e tyre në një rend ndërkombëtar të bazuar në parime dhe jo në dhunë.
Kosova nuk është thjesht një çështje territoriale — ajo është një vlerë, një precedent, një betejë midis forcës dhe ligjit, midis dhunës dhe drejtësisë. Ruajtja e shtetësisë dhe pavarësisë së saj nuk është vetëm detyrë e institucioneve, por mision historik i të gjithë shqiptarëve dhe i miqve tanë ndërkombëtarë që besojnë në liri, drejtësi dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje.
Çështja shqiptare nuk është vetëm një çështje e të drejtave të komuniteteve, por një çështje e drejtësisë historike dhe e sigurisë gjeopolitike në Ballkan. Shqiptarët, si kombi më i madh pa bashkim të plotë kombëtar në Evropë, përbëjnë faktor thelbësor për paqen afatgjate në rajon.
Nëse nuk mbrohen standardet e vendosura pas viteve ‘90 dhe nuk ruhet integriteti i arritur përmes luftës së drejtë të UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s, rrezikohet jo vetëm stabiliteti i Kosovës, por edhe rendi ndërkombëtar që refuzon imponimin e realiteteve me forcë.
Prandaj, kërkohet qasje strategjike e përbashkët shqiptare dhe ndërhyrje e fuqishme diplomatike e SHBA-së dhe BE-së për të garantuar se Ballkani nuk do të kthehet në një zonë eksperimentale të standardeve të dyfishta.
Liria e fituar me gjak dhe sakrifica nuk negociohet. Ajo mbrohet. Me vendosmëri, me dijeni dhe me aleanca të forta ndërkombëtare. Është koha të veprojmë me menquri, te koordinuar me aleeatet, jo të presim.
by s p

Dom Lush Gjergji/
Zhegra – “vendlindja” ime e dytë – Kujtimet shkojnë dhe vijnë, janë si mjegulla që e bart fryma andej dhe këndej; si rrezet e diellit, që ndriçojnë dhe ngrohin; si koha dhe dita që agon, vazhdon dhe së fundi perëndon, vjen nata… Kujtimet lidhen me përjetime, gufojnë, vijnë dhe shkojnë, pa pasur ndonjë drejtim apo orientim, janë në ne, edhe pse ne shpesh nuk i zotërojmë.
Me Zhegër më lidhin shumë kujtime dhe përjetime, sepse këtu kalova tre vitet e shkollës tetëvjeçare, klasën e gjashtë, të shtatë dhe të tetë.
Këtu rashë në lum, më rrëshqiti këmba nga vigu i lumit, rrezikova jetën, por më ka shpëtuar njeriu i mirë dhe guximtar, për mua anonim, por mik, shok dhe vëlla i çmuar dhe i dalluar, ai që ma ka shpëtuar jetën.
Këtu përjetova lindjen e Agim Ramadanit, dhe me dy shokë dola mbi shkollë për të mbledhur disa lule të barit apo të livadhit natyror, për t’ia uruar Babai të Agimi, tashmë të ndjerit baca Hysni Ramadanit me këto fjalë: T’u ritët Djali!
Këtu përjetova që zhegrasitë, jo vetëm se na nderonin dhe përkrahnin, por ishin njerëz përparimtarë, aq sa edhe kur e shkelnim tokën e tyre pjellore, pasi që toka kishte rrëshqit, dhe ne nuk kishin rrugëdalje tjetër përpos hapjes së një rrugice të re nëpër tokën pjellore. Pronari i kësaj toke, në vend të sulmit apo kritikës, jepte këtë dëshmi: fëmijët e Stubllës janë dallim dhe shembull për të mirë për të gjithë ne: ata ose luten bashkërisht, ose bisedojnë dhe përsërisin lëndët mësimore, janë shumë zelltarë dhe të sjellshëm.
Këtu i mora themelet për mësimet, studimet dhe jetën time të mëvonshme.
Jo rastësisht Zhegra lindi, ka edukuar dhe frymëzuar “Luanin e Karadakut”, edhe më tepër “Luanin e Kosovës dhe të Shqiptarisë”, i cili nuk diti çka është frika, nënshtrimi, servilizmi, por me jetë dhe me vepër – gjak, ujiti Lulen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, pluralizmit, gjithmonë me vëllazëri universale gjithë shqiptare, pa kalkulime, sepse liria ka një çmim: jetën, gjakun, dashurisë, flijimin dhe dhurimin e plotë.
E tillë ishte dhe uroj që të jetë Zhegra jonë, “djepi” i Agim Ramadanint dhe shumë të tjerëve!
by s p

Laura Konda*/
Unë kam filluar të shkruaj poezi që në moshën 13-14 vjeçare dhe pavarësisht që profesioni im ka qenë gazetaria, poezia ka qenë dashuria ime e parë në fushën e letrave. Unë kam patur fatin të rritem në një familje letrarësh, babai im Drago Siliqi ka qenë poet dhe kritik letrar, nëna ime Drita Siliqi, ka qenë gazetare, përkthyese, profesoreshë e letërsisë në Universitetin e Tiranës. Ciklet e para me poezi i kam botuar kur isha 15-16 vjeçe, në gazetat “Drita” e “Zëri i rinisë” dhe te revista letrare “Nëntori”, në Shqipërinë e viteve të komunizmit. Redaktorët e mi të parë kanë qenë poetë të mirënjohur si Xhevahir Spahiu e Bardhyl Londo. Pasi përfundova studimet, rrethanat u krijuan që unë të filloja punë si gazetare, duke më distancuar nga angazhimi 100 për qind me poezinë, por pa më shkëputur prej saj. Kam vazhduar të shkruaj dhe përkthej poezi dhe prozë dhe këta dy vjetët e fundit jam marrë me përkthimin e një vëllimi poetik përmbledhës të poetes Natasha Lako nga një shtëpi botuese në Angli.
Por desha të theksoj një fakt që mendoj se është i rëndësishëm: ka një ndryshim thelbësor nga poezitë e botuara në vitet ‘70 dhe ’80 të shekullit të kaluar dhe atyre që kemi fatin të botohen sot. Ndërsa poezitë e mija të botuara në revistën “Nëntori” shiheshin me lente në kuptimin e vërtetë të fjalës, për të qenë korrekt politikisht, për të mos lënë asnjë lloj keqkuptimi në thonjëza, për ndonjë ironi të mundshme, apo ndonjë krahasim të papëlqyeshëm, apo një thikë me dy presa, siç thuhej në atë kohë, poezitë e botuara sot kanë fatin të botohen pa retushime, apo cungime. Të rinjtë ndoshta nuk e kuptojnë sot nocionin e autocenzurës, apo siç thuhej atëhere “krasitjeve” që u bëheshin veprave të tyre nga redaktorët. Një numër jo i vogël shkrimtarësh u viktimizuan, u vranë, u burgosën, u internuan, apo ju hoq e drejta e botimit, për shkak të krijimeve të tyre. Pati shkrimtarë të periudhës së komunizmit që mundën të mbijetojnë, por në kushtet e një autocenzure që shpesh rëndonte në cilësinë e veprave të tyre.
Dua të kujtoj një thënie të Volterit, “Poezia është muzika e shpirtit dhe mbi të gjitha, e shpirtrave të mëdhenj dhe të ndjeshëm”… Dhe shpirti i gruas është i gjerë dhe i ndjeshëm.
Antalogjia “Pena e gruas” është një arritje në dy aspekte. Së pari, ajo bashkon gra krijuese, që kanë sjellë në këtë botim emocionet e tyre të fuqishme me ndjeshmërinë e tyre të dyfishtë si gra dhe si poete. Së dyti kjo antologji ka sjellë bashkë gra krijuese të diasporës, duke e pasuruar letërsinë shqipe me përjetimet e origjinale të jetës së emigrantit. Ky është një botim shumë i veçantë, që kam besimin se do të pritet me shumë interes nga lexuesit shqipfolës. Përgëzime dhe falenderime të sinqerta.
*Fjala e mbajtur në promovimin e “Pena e Gruas”, Stamford, Connecticut, 19 prill 2025.